Ymeri: Shumë shpejt do të dalim me parti të re politike

Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP), pritet që së shpejti të dalin me subjekt të ri politik. Në emisionin “Debat Plus”, të RTV Dukagjini, deputeti nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, Visar Ymeri, ka thënë se GDP, ka filluar të diskutojë për partinë e re, për të cilën është shprehur se do të bëhet publik së shpejti

“Natyrisht, që është e qartë rruga jonë, pas ndarjes nga Lëvizja Vetëvendosje, ne kemi filluar diskutimet në mënyrë që ta trajtojmë se cili do të jetë modaliteti jonë më i mirë, i vazhdimit tonë në skenën politike. Jemi drejt finalizimit të diskutimit për ta themeluar një subjekt të ri politik, të cilin do ta bëjmë publik së shpejti”, tha Ymeri në RTV Dukagjini, përcjell Telegrafi.

Ai është shprehur se përveç aktivistëve të larguar nga Lëvizja Vetëvendosje, interesim për t’ju bashkuar GDP-së kanë shprehur edhe të tjerë që nuk janë pjesë e VV-së.

“Kemi diskutuar gjerë e gjatë, me deputetët, por edhe me të tjerët, sepse ka edhe një numër të madh të aktivistëve që kanë dalë nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe të tjerë që nuk kanë qenë në VV, e që duan të bashkohen dhe ta shohin se çfarë forme e programit do ta ketë subjekti i ri.

Kemi dashur ta shfrytëzojmë këtë kohë në mënyrë që të kemi hapësirë për të gjithë ata që janë të duan të jenë pjesë e një subjekti të ri politik e cila do ta paraqes këtë fondamentin social demokrat në Kosovë”, tha Ymeri.

Afër Luftës së Tretë Botërore – Kush do ta fitonte

Bota po alarmohet nga tensionet e fundit midis Amerikës dhe Rusisë. Po të shtosh dhe ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut, mendimet shkojnë për një Luftë të Tretë Botërore. Por kush do të fitonte, po të ndodhte

Tensionet nëpër botë u ngritën që me sulmin ndaj ish spiunit rus në Salisbëri dhe kulmuan me masakrën me armë kimike në Siri. Para këtyre ngjarjeve, Koreja e Veriut kishte qenë po aq aktive me kërcënimet e saj. Të gjitha këto ngjarje e vendosin globin më shumë se kurrë pranë një konflikti të ri botëror.

Ja ç’ka ndodhur deri tani:

Viti 2018

11 Prill: Minsitria e Mbrojtjes në Rusi deklaroi se do të përgjigjet menjëherë nëse sulmohen ushtarakët e tyre në Siri nga avionët amerikanë.

11 Prill: Ambasadori rus në Liban tha se predhat amerikane që do të lëshoheshin drejt Rusisë do të qëlloheshin në ajër, dhe armët që i lëshojnë raketat do të sulmohen nga Rusia deri në asgjësim.

14 Mars: Rusia tha se do t’i kundërpërgjigjeshin masave të Britanisë dhe se Londra nuk duhej ta kërcënonte Moskën. Trump tha që SHBA mban anën e Britanisë.

13 Mars: Pas helmimit të spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Kryeministrja Tereza Mej tha se do të merrte një sërë masash kundër Rusisë.

Viti 2017

26 Dhjetor: Pas sanksioneve të reja, u tha se Kim Jong Un po planifikonte të lëshonte një satelit që do të maskonte testet bërthamore në të ardhmen.

28 Nëntor: Kim Jong Un shpalli me krenari se Koreja e Veriut ishte shtet me armë bërthamore. Raketa e testuar ICBM Hwasong-15 fluturoi për 15 minuta dhe bëri pothuajse 1000 km para se të zbriste në Detin e Japonisë.

31 Tetor: Avionë bërthamorë amerikanë e rusë fluturuan pranë Koresë së Veriut, ndërsa nga Japonia u raportua se një fabrikë bërthamore e regjimit të Kim-it ishte shembur, me 200 persona brenda.

23 Tetor: Trump riktheu bombarduesit bërthamorë në gjendje gatishmërie, 24 orë në ditë, për të parën herë që nga Lufta e Ftohtë.

21 Tetor: Avionë bombardues supersonikë, US B-1B, dhanë një shfaqje ajrore duke e bërë Kim-in të deklarojë se dy koretë ishin tashmë në prag shpërthimi.

7 Tetor: Trump paralajmëron Korenë e Veriut, duke dhënë mesazhin ngjethës: “Vetëm një gjë funksionon me këtë shtet”.

3 Tetor: Koreja e Veriut e quajti Japoninë “vetëvrasëse” që do të vdesë nga “retë bërthamore”, pasi kryeministri japonez i bëri thirrje botës t’i bëjë më shumë presion Koresë së Veriut.

Tetor 1:
Trump tha se Sekretari i Jashtëm amerikan po humbte kohën kot duke u përpjekur të negocionte me “burrin e vogël me raketa”, (për Kim Jong Un-in).

26 Shtator: Koreja e Veriut vendosi avionë në brigjet e veta, për të diktuar bombardues amerikanë.

25 Shtator: Koreja e Veriut kërcënoi se do të sulmonte avionët amerikanë dhe akuzoi Donald Trump-in se kishte shpallur luftë.

15 Shtator: Koreja e Veriut lëshoi një raketë përmbi Japoni dhe e hodhi në Paqësor, si përgjigje ndaj sanksioneve të OKB.

10/11 Shtator:
Dy predha ndërkontinentale u testuan nga Koreja e Veriut me një rreze prej më shumë se 10,000 KM.

6 Shtator: Koreja e Veriut premtoi të dyfishojë arsenalin bërthamor si përgjigje ndaj sanksioneve dhe paralajmëroi SHBA-në për pasoja katastrofike.

2 Maj: Kim Jong-un lajmëroi se do të ishte e lehtë fare të hidhnin bomba bërthamore në Japoni.

14 Prill: Presidenti Trump i bëri thirrje Kinës të merrte masa ndaj Koresë ose Amerika do ta zgjidhte problemin vetë, po të mos futej dikush tjetër.

Kush e ka ushtrinë më të fortë?

Koreja e Veriut ka 1.02 ushtarakë aktivë dhe 73 nëndetëse – më shumë se Rusia dhe SHBA-të. Koreja ka edhe 4,060 tanke, por vetëm 286 helikopterë dhe tre luftanije.

Në kontrast, Amerika ka 409,000 ushtarakë aktivë, edhe pse shpenzon 611 miliardë dollarë për mbrojtjen. SHBA ka edhe 5437 helikopterë, 88 luftanije, 2384 tanke, 71 nëndetëse dhe 1442 avionë luftarakë.

Rusia e Putinit ka 240,000 ushtarakë aktivë dhe shpenzon 69 miliardë dollarë për ushtrinë. Rusia ka 2700 tanke, 1090 avionë luftarakë, 854 helikopterë, 34 luftanije dhe 62 nëndetëse.

Kina ka 1.6 milionë ushtarakë aktivë dhe shpenzon 215 miliardë dollarë për ushtrinë.

Ka kërcënime të tjera ndaj paqes në botë?

Tensionet midis Rusisë dhe Amerikës janë në pikën më kritike, pas sulmit me armë kimike në Siri.

SHBA ka thënë se Bashar Al-Asadi është fajtor për gjenocid, menjëherë pas sulmeve në Duma, më 7 Prill.

Megjithatë, Rusia kërkon që të kryhen hetime të mëtejshme për masakrën.

Kay Hutchison, Ambasadori i SHBA-ve në NATO, e akuzoi Rusinë se kishin furnizuar Asadin me armë.

Ministria e Mbrojtjes në Rusi tha se do të përgjigjeshin menjëherë nëse njësitë e tyre ushtarake në Siri do të goditeshin nga bombardimet amerikane.

Kush do ta fitonte luftën?

Është e pamundur të parashikohet se kush do ta fitonte një konflikt.

Donald Trump ka thënë se urdhri i tij i parë si president ishte rinovimi dhe modernizimi i arsenalit bërthamor të Amerikës, dhe tani thotë se është më i fortë dhe më i fuqishëm se kurrë më parë.

Koreja e Veriut ka kryer teste pa ndalim, dhe tani besohet se ka mjaftueshëm për të sulmuar edhe SHBA-të.

SHBA është i vetmi vend që ka avionë të berzit të pestë 187 F-22, plus F-35-at të cilat ende nuk janë testuar.

Megjithatë, Rusia po zhvillon një avion të ri “stealth”, të pakapshëm nga radarët. Kina, nga ana e saj, po zhvillon katër të tillë.

Kim Jong Un ka bërë kërcënime të shumta, gjë që sugjeron se arsenali i tij bërthamor është më i madh se ç’mendohet.

/The Sun, nga Patrick Knox, Neal Baker, Tom Gillespie, Mark Hodge, Jon Rogers dhe Sofia Petkar

LDK-ja historike e Rugovës rrezikon tjetër përçarje

LDK-ja e Isa Mustafës aktualisht cilësohet si partia më unike në vend. Por kjo pasqyrë siç duket është vetëm për opinionin publik, pasi nga brenda duket se ka jo pak pakënaqësi që mund të shpërthejnë në çdo çast, ashtu siç ndodhi papritmas me Vetëvendosjen

Nga Blendi Gashi

Më e fundit përçarje ishte në vitin 2006, në të ashtëquajturin “Kuvendi i karrigeve”. Po pse mund të ndodhë kjo? LDK po jeton me idenë e riardhjes në pushtet, e për këtë shërben mocioni që ka përgatitur ndaj qeverisë “Haradinaj”, edhe pse si forcë politike po jeton kohërat më të erëta.

Sinjalin i pari e ka dhënë kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, njëherit anëtar i Kryesisë së LDK-së i cili ka thënë se ai duhet të jetë kandidat i partisë për kryeministër.

“Besoj që unë duhet të jem kandidatë për kryeministër. Kam qeverisur mirë dhe kam fituar pa balotazh. Nuk shoh ndonjë kandidaturë tjetër”, ka deklaruar së fundmi Muhaxheri në një emision televiziv.

Përmes kësaj deklarate ai sfidon hapur së pari kreun e partisë, Isa Mustafa, e më pastaj ish-kandidatin për kryeministër nga LDK në zgjedhjet e kaluara, Avdulla Hoti që aktualisht është kryetar i grupit parlamentar, si dhe tre nënkryetarët: Lutfi Hazirin, Agim Veliun e Haki Rugovën.

Synimi i Gazit që mund të prish qetësinë në LDK…

Muhaxheri, një ish-zyrtar i lartë i partisë “Ora” të Veton Surroi që pasi kaloi në LDK i riktheu partisë pushtetin në Pejë, ku dhe në zgjedhjet e fundit fitoi pa balotazh, është një nga njerëzit me më ndikim të LDK-së në anën e Dukagjinit dhe ka mundësi të mëdha që t’i shkaktojë dëme partisë nëse nuk dëgjohet zëri i tij.

Përballë në këtë synim ai ka një emër me pëshë: Lutfi Hazirin, kreun e Gjilanit për dy mandate rresht.
Ky i fundit, në një prononcim për media i është kundërpërgjigjur Muhaxherit duke thënë se LDK ka një kryetar që merr vendime dhe se të tjerët i kanë detyrat e veta, por që nuk ka përjashtuar faktin se për të Muhaxheri është një njeri i mirë dhe kryetar i mirë i Pejës por duke mos shtuar diçka më tepër.

Nëse kihet parasysh deklarimi i Muhaxherit se “kam qeverisur mirë dhe kam fituar pa balotazh”, atëherë kandidat për kryeministër meriton të jetë edhe kreu i Lipjanit, Imri Ahmeti i cili qeveris për dy mandate rresht këtë komunë, ndërsa zgjedhjet e fundit i fitoi pa balotazh.

Një gjë është e sigurt: nëse Muhaxheri nuk heq dorë nga kërkesa e tij që të jetë kandidat për kryeministër nga LDK në zgjedhjet e jashtëzakonshme që po i kërkon kjo parti, atëherë gjasat janë mëse reale që të shpërthejë një pakënaqësi e re në LDK ku mund ta dëmtojë jo pak këtë parti.

Kujtojmë se në LDK ndodhën jo pak pakënaqësi edhe në zgjedhjet e kaluara të brendshme kur Isa Mustafa mori mandatin e dytë të partisë, dhe të tilla pritet të ndodhin edhe vitin e ardhshëm kur mbahen zgjedhjet për kreun e LDK-së. (tesheshi)

Katër kriza dhe tri avantazhe, në Evropën ku ngultas po trokasim

Më 17 prill Emmanuel Macron do të shkojë në Parlamentin Evropian për të mbrojtur vizionin e tij për BE-në, dhe për të hapur praktikisht fushatën elektorale për zgjedhjet evropiane të vitit 2019

Ideja franceze është ajo e krijimit të një buxheti të përbashkët të eurozonës. Por përballë kësaj qëndrojnë rizgjedhja triumfuese e Viktor Orbanit në Hungari, qëndrimi ekstrem i shprehur kolektivisht nga Hollanda dhe shtatë shtete të tjera veriore, përparimi i euroskeptikëve në Itali dhe sidomos maturia e detyruar e Angela Merkelit, e cila duhet të marrë parasysh krahun e djathtë të partisë së saj.

Të gjha këto frenojnë propozimet e Macronit – shkruan Bernard Guetta, në Francë Inter, cituar nga Bota.al. Pra a i ka mjetet për të realizuar ambicien e tij presidenti francez, i cili në mbrëmjen e zgjedhjes së tij këndoi himnin evropian?

Situata është shumë pak inkurajuese. Le të analizojmë pikat pro dhe kundër një për një.

1- Triumfi i Orbán më 8 prill do të thotë se Polonia, Sllovakia dhe Republika Çeke do të mbështeten më shumë se kurrë tek Hungaria, për të afirmuar sovranitetin e Evropës Qendrore.

2- Me një shumicë liberiste, Evropa Veriore do të vazhdojë të kërkojë një ekuilibër në llogaritë publike, përpara se të pranojë qoftë edhe një investim minimal të përbashkët.

3- Italia do të mbetet pa qeveri për një kohë të gjatë, ose më keq, mund të afrohet me sovranistët e Evropës qendrore.

4- Dhe në fund, kancelarja gjermane nuk ka më shumë hapësirë ​​për manovrim.

Por medalja ka edhe një anë tjetër. Nëse nuk ju pëlqen Bashkimi Evropian, provoni të shihni se si është shpërbërja.

1- Nuk duhet të harrojmë se rritja ekonomike në BE po rifiton vrullin, ndërsa papunësia po bie.

2- Mbretëria e Bashkuar po vuan kaq shumë nga Brexit, saqë idetë për të dalë nga Bashkimi ose Euro nuk janë më edhe aq të preferuara në Evropë.

3- Në një kohë të shenjuar nga kaosi në Lindjen e Mesme, me deklaratat e Trumpit dhe Putinit, evropianët kanë një interes jetik për shtrëngimin e radhëve. Me pak fjalë, në Evropë nuk ka shumicë vendimtare për të shkatërruar unitetin /dita

E rrallë. Shkollat në Shqipëri që nga viti 1258

Shkodra, që gjithnjë ka qenë një nga qytetet më arsimdashëse dhe të shquara për kulturën qytetare e artin, ka pasur shkolla që në shekullin XIII. Dëshmitë e ekzistencës së këtyre shkollave na vijnë nga arkivat e françeskanëve

Sipas studiuesit Sami Rrepishti, shkollat e para në gjuhën shqipe janë hapur në veri të Shqipërisë nga klerikët katolikë. Dhe pikërisht në Ulqin në vitin 1258, në Durrës në vitin 1278, në Shkodër në vitin 1345 dhe 1359, në Tivar në vitin 1349, në Pult në vitin 1397, në Drisht 1396 dhe nga shekulli XV deri në shek. XVIII me shkolla të tjera në Shkodër e Lezhë e në shumë qytete të tjera.

Sipas profesorit, kishat katolike shqiptare me françeskanët në vijën e parë i zhvillonin të gjitha ritet në gjuhën tonë, ndaj dhe populli i frekuentonte të gjitha kishat e kuvendet e tyre me dëshirë, duke marrë pjesë masivisht në mesha, katekizëm, krezma, celebrimin e martesave, etj.

Sipas të dhënave që jep profesori Lutfi Alia, shkollat që janë ngritur në Shkodër në vitin 1416 ishin: shkolla “Santa Barbara, shkolla “Sam Mercurio”, “Kryqi i shenjtë” etj.

Shkolla të tilla do të hapeshin më pas dhe në Kurbin, në Pllanë, në Blinisht dhe në Zadrimë.

Në raportet e etërve françeskanë të kohës theksohet roli i madh që kisha katolike i kushton shkollës dhe nevojës së shkollimit të shqiptarëve.

Sigurisht që në këto shkolla kryesisht shkonin djem, por kisha katolike do i kushtonte një vëmendje të veçantë dhe vajzave, duke hapur në vitin 1879 shkollën fillore për vajzat dhe përkatësisht nga motrat stigmatine, ku u edukuan vajzat me kulturën bazë dhe mësoheshin si të bëheshin zonja të mira shtëpie.

Në vitin 1882 françeskanët çelën një kolegj fetar që do shërbente për të gjithë ata nxënës shqiptarë që dëshironin të bëheshin fretër. Mësimet u rregulluan sipas programit të gjimnazit të Austrisë.

Shkollat do të hapen vit pas vitit duke arritur në vitin 1908, kur do të mbahet Kongresi i madh i Manastirit.

Pyetja që është e natyrshme ishte: nga mbaheshin këto shkolla. Sipas profesorit, ato kryesisht financoheshin nga Austro-Hungaria. Dhe në fakt ka të drejtë. Austro-Hungaria ka pasur prej shekujsh një interes të veçantë për Shqipërinë, duke investuar në shkolla, në studimin e gjuhës shqipe, etj.

Pra nga statistikat që disponojnë françeskanët deri në vitin 1911 katolikët kanë hapur 47 shkolla shqipe, ndër to 10 shkolla për vajza. Në vitin 1933, me urdhër të Zogut, u mbyllën 74% e shkollave fetare katolike dhe në 1945 ato u mbyllën plotësisht nga diktatura komuniste.

Faik Konica, në shkrimet e tij, do të lëvdonte punën e madhe të shkollave fetare katolike. Ai do të shkruante: ”Kolegji saverian mbahet në një shkallë të lartë dhe të gjithë ata që kanë parë shkollat e Francës e të Evropës mund të dëshmojnë se ajo e Shkodrës është e zonja për punë dhe krahasohet një me të”.

Dhe pikërisht për këto shkolla kanë dhënë kontribut të veçantë klerikët katolikë, si At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, At Justin Rrota, Don Ndoc Nikaj, Karl Gurakuqi, Mati Logoreci etj.

Presidenti dhe kryeministri në garë politike për dominim

Kosova është Republikë parlamentare dhe pushtetet janë të ndara sipas Kushtetutës së vendit, por përzierja e kompetencave ekzekutive dhe rivaliteti i pushteteve tashmë janë bërë dukuri në vend dhe ato po deformojnë strukturën e sistemit politik, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se pushtetin faktik ekzekutiv në Kosovë e ka Qeveria e saj, përkatësisht kryeministri i vendit, e që në mandatin e tanishëm është Ramush Haradinaj. Por, sipas tij, kjo nuk po ndodhë dhe aktualiteti i tanishëm shpërfaqë situatën në të cilën presidenti i vendit, Hashim Thaçi, po synon t’i marrë përgjegjësitë dhe kompetencat që i kanë institucionet tjera, kryesisht ato që i ka kryeministri.

“Deri më tash unë kam parë që presidenti Thaçi vazhdimisht kërkon t’i marrë kompetencat, përgjegjësitë e kryeministrit, tash kur në krye të vendit është Haradinaj, por edhe në të kaluarën kur ishte (Isa) Mustafa, në mënyrë që ai të tregojë se është kryesori në këtë vend”.

“Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme, për shkak se bëhet fjalë për shkelje të Kushtetutës në aspektin praktik. Por, në anën tjetër, më e rëndësishme se sa kjo, bëhet fjalë për përzierje të kompetencave dhe imponim të fuqisë politike të dikujt, që në këtë rast është Thaçi, për ta përkthyer pastaj këtë në fuqi ekzekutive”, tha Mushkolaj.

Ngjashëm e përshkruan situatën edhe analisti tjetër, Artan Muhaxhiri. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shpreh mendimin se ndërhyrja e pushteteve në kompetencat e njëra-tjetrës, janë pasojë e rivaliteteve politike që synojnë shpërfaqjen e fuqisë së pushtetit.

“Tentimi që nga një nivel autonom i pushtetit të ndërhyhet në një nivel tjetër autonom të pushtetit, është dëshmi për nivelin jo të kënaqshëm të kulturës politike në Kosovës dhe të mentalitetit politiktë liderëve tanë institucionalë. Kjo është një garë politike për dominim në pushtet edhe atëherë kur një gjë e tillë nuk bazohet në rregullat e një politike normale dhe standarde. Kjo bëhet për tu imponuar si faktor i pushtetshëm në opinion, në spektrin politik, mirëpo edhe në raportin e shtetit të Kosovës me ndërkombëtarët”, u shpreh Muhaxhiri.

Ndërkaq, analisti Mushkolaj thotë se shembujt praktik të ushtrimit të rivalitetit politik përmes përzierjes së kompetencave ose ndërhyrjes së njërit nivel të pushtetit në kompetencat e nivelit tjetër të pushtetit, ka pasur edhe kohët e fundit.

“Pavarësisht që nuk është pranuar një gjë e tillë, se ka qenë iniciativë e presidentit Thaçi, ta zëmë, intervenimi i para pak ditësh në veri dhe arrestimi i zyrtarit të lartë serb, Marko Gjuriq, në njëfarë forme u bë nën skenarin dhe nën organizimin e Thaçit. Kjo nuk do të duhej të ishte kështu, për shkak se ka qenë një aksion që do të duhej të ndërmerrej nga Policia me bekimin e institucionit përkatës, respektivisht të Ministrisë së Brendshme. Por, ka pasur edhe raste të tjera, në kuptimin edhe të shfaqjes publike, kur Thaçi ka provuar t’i marrë kompetencat e kryeministrit, pavarësisht që Kushtetuta nuk ja lejon një gjë të tillë dhe nuk do të duhej të ndodhte kështu”, tha Mushkolaj.

Analisti Muhaxhir thotë se ndërhyrje në kompetenca të njërit nivel në nivelin tjetër të pushtetit, ka pasur edhe me rastin e arrestimit dhe dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, me 29 mars. Siç thekson ai, në vend se kreu i Qeverisë, Haradinaj të ishte i njoftuar me operacioni dhe më pas ai ta njoftonte opinionin lidhur me detajet, këtë e bëri presidenti Thaçi.

“Kjo nuk do të duhej të ndodhte, mirëpo është një shembull, ku në këtë rast presidenti ishte më i fuqishëm se sa Qeveria, në një domen dhe për një çështje, në të cilën do të duhej të ishte ashtu. Ndërhyrja nga një nivel në tjetrin ndodhë për dy arsye. Për shkak të ambicieve politike të njërës palë që të dominojë ndaj palës tjetër, por edhe për shkak se liderët e caktuar institucionalë e lejojnë këtë dhe nuk ndërmarrin masa që ndarjen e pushteteve ta bëjnë në mënyrë të prerë, ashtu siç edhe duhet të jetë”, theksoi Muhaxhiri.

Sipas njohësve të zhvillimeve politike, ndërhyrja e njërit nivel të pushtetit në kompetencat e nivelit tjetër, ndikon negativisht jo vetëm në çështjet aktuale politike në vend, por krijon precedent që edhe në të ardhmen të ketë ndërhyrje dhe përzierje të kompetencave, të cilat e dëmtojnë rëndë sistemin politik të vendit.

Në këtë fshat të Shqipërisë fshihet thesari i Aleksandrit të Madh

Miraka është fshati mes Elbasanit dhe Librazhdit ku kërkohet thesari i Aleksandrit të Madh. Fshati ka pozicion të çuditshëm gjeografik. Në anën veriore ndodhet një shkrep i lartë që banorët e thërrasin Guri i Borjes. Shkëmbi gri ka një varg shpellash dhe majash të thepisura

Është mjaft e vështirë të ngjitesh në majën e malit. Megjithatë pikërisht në këtë vend ekzistojnë rrënojat e një kështjelle të lashtë.

Në anën jugore ndodhet Ura e Kamares mbi lumin Shkumbin. Ura u ndërtua në mesjetë. Ajo lidh dy anët e rrugës antike Egnatia, e cila pasi zbret nga malet e Polisit, vazhdon rrëzë gurit të Borjes dhe më pas gjarpëron drejt Ohrit.

Sipas gojëdhënës, por edhe sipas intenerarit të hartave që aktualisht ndodhen në duart e disa kërkuesve në perëndim, në gurin e Borjes ose diku rreth urës së Kamares fshihet një thesar i paçmuar i Aleksandrit të Madh.

Historia e thesarit ka ngacmuar kureshtjen e eksploratorëve që shekullin e kaluar. Por kërkimet i intensifikuan sidomos pas viteve 90. Në mes të këtyre viteve, një kërkues 72 vjeçar nga Anglia arriti me një hartë në dorë në të cilën ishte e detajuar e gjithë vija Egnatia.

“Turisti” i vjetër kërkoi ndihmën e banorëve të zonës, madje kreu edhe disa gërmime private përgjatë rrugës shekullore si në banjot antike në Bradashesh, në kalanë e Mengëlit, në Malin e Borjes në afërsi të disa urave etj.

Kulmi i kërkimeve u regjistrua në vitin 2002 . Gjatë këtij viti në malin e Borjes u kryen gërmime nga ekspedita të posaçme qeveritare të ardhura nga Tirana. Aq e besueshme ka qenë prania e një thesari në malin e Borjes sa ekspeditat ruheshin nga forcat speciale të cilat nuk lejonin afrimin e kureshtarëve të thjeshtë.

Ende nuk dihet fati i gërmimeve në gurin e Borjes. Por sipas të dhënave kërkimet dështuan. Në fshat u përhap fjala se kërkuesit u tërhoqën të frikësuar pasi gjatë gërmimeve u vranë dhe u aksidentuan, madje një grup prej tyre u sulmua edhe nga gjarpërinjtë e shpellave.

Pas zhgënjimit në malin e Borjes, gërmimet u zhvendosën në kahun tjetër atje ku ndodhet ura e Kamares, një kryevepër mesjetare e ngritur në vitin 1715 nga Ahmet Aga Bicakciu, arkitekt i perandorisë osmane. Që nga ajo kohë ura u ka shërbyer banorëve të zonës së Polisit të cilët edhe sot e konsiderojnë atë si një dhuratë me vlerë.

Ura është shpallur edhe monument kulture. Ka pësuar disa grabitje gjatë 15 viteve të fundit. Një pjesë e gurëve të kalldrëmit janë zhdukur, ndërsa parmakët anësorë kanë pësuar dëmtime të mëdha dhe thuajse nuk janë më funksionale. Hajdutët kanë përvetësuar edhe një pllakë të shkruar arabisht e cila i dedikohej ndërtuesit të saj.

Gjatë vitit të fundit banorët e zonës kanë konstatuar disa gropa që hapen gjatë natës në rrënjë të rrepave që ndodhen përreth kësaj ure. Janë kërkues thesaresh që veç kazmave dhe lopatave tani po përdorin edhe pajisje të sofistikuara për të rënë në gjurmë të këtij thesari.

Kërkuesit e antikuareve dyshojnë se, diku në mal ose afër urës, fshihet një thesar. Dhe ethet e gjetjes së tij sa vijnë e shtohen. Banorët e Mirakës tashmë janë të bindur se diçka me vlerë fshihet në tokën e tyre…

Tre ministra nën aktakuzë dhe një nën hetime – ministrat që mund të dënohen me burg

Brenda një jave, ndaj dy ministrave në Qeverinë Haradinaj është ngritur aktakuzë nga prokuroria. Pas ngritjes së aktakuzës ndaj ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqajt nga Prokuroria e Kosovës, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të detyrës, sot Prokuroria e Gjakovës, ka ngritur aktakuzë ndaj, Pal Lekajt, ministër i Tregtisë dhe Industrisë

Lekaj akuzohet për dy vepra penale; të përvetësimit në detyrë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokurori Faik Halili, ka thënë gjatë ditës se aktakuza ndaj Lekajt tashmë është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjakovë. Ish-kryetari i komunës së Gjakovës kishte fituar mandatin e të parit të komunës në vitin 2007 ndërsa e kishte humbur atë në vitin 2013.

Ndërkohë që të premten e kaluar, Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj, ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqajt.

Ai dyshohet së bashku me 10 të akuzuarit e tjerë kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Insajderi kishte publikuar në vitin 2016 hulumtimin “Dosja e Shefave”, ku Beqaj dhe Adem Grabovci kishin marrë kompetenca të plota që në krye të tri ndërmarrjeve publike, PTK, Infrakos dhe Traikos të vendoseshin njerëzit që përfaqësonin interesat e tyre.

Përveç dy ministrave me aktakuzë të atij të PDK-së dhe AAK-së, me aktakuzë është duke u përballur edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik nga radhët e AKR-së, Valdrin Lluka.

Lluka dyshohet nga Prokuroria e Shtetit se në cilësinë e zyrtarit të lartë në MTI, njëkohësisht edhe Kryeshefit të Agjencisë për Promovimin e Investimeve, më 2014, kishte filluar procedurat për zotimin e mjeteve në vlerë prej 20 mijë euro për OJQ-në “Jakov Innovation Center”, në të cilën kishte qenë njëri prej themeluesve.

Përderisa tre ministra në Qeverinë Haradinaj janë duke u përballur me aktakuza, zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës, Dardan Gashi po ashtu është duke u hetuar për gjuajte me armë. Ai në një ambient të mbyllur kishte festuar me armë shpalljen e pafajësisë së zv/kryeministrit, Fatmir Limaj.

Gashi së bashku me disa zyrtarë të lartë të tjerë të shtetit kishin gjuajtur me armë zjarri në ambiente të mbyllur, pa e ditur se ku mund të përfundojnë plumbat e ‘gëzimit’ që po i gjuajnë./Insajderi.com

Haradinaj, një kryeministër që s’merr vesh

Kryeministri Haradinaj ishte i pranishëm sot në eventin e organizuar nga Lëvizja Fol, “Fol Hapur”. Në fakt, është paksa ironike të pritet nga kryeministra e presidentë që të flasin hapur, duke pasur parasysh përgjegjësitë që kanë. As Haradinaj nuk ishte i hapur dhe në fakt, nuk tha asgjë të re veç atyre që tashmë diheshin

Ai foli për një mori çështjesh, përfshirë Asociacionin, arrestimin e Gjuriqit, deportimin e gjashtë shtetasve turq, dialogun me Serbinë, Listën Serbe etj.

Ajo që vërehej në fytyrën dhe të folurën e tij ishte njëfarë shtangimi që e përcjell edhe në komunikimet e tij të tjera. Ndërkohë, edhe fjalët e tij ishin shumë të kufizuara dhe shprehnin mosnjohje dhe mosgatishmëri për t’u marrë me temat. Haradinaj e dëshmoi thuaj për çdo temë se është jokompetent në punën e kryeministrit.

Për fazën finale të dialogut me Serbinë, tha se është mirë të ndodhë sa më parë në mënyrë që të evitohet një rikthim i retorikave nacionaliste, dhe një kthim prapa. Pikërisht ai kishte përdorur një retorikë të tillë gjatë kohës së zgjedhjeve duke u sulmuar me Ivica Daqiqin. Se është moskuptues ndaj kësaj faze tregon fakti tjetër që nuk ishte i aftë të fliste për një agjendë të Kosovës në lidhje me të. Madje, me naivitetin që e karakterizon ai tha se është mirë që edhe presidenti Trumë të ketë pak kohë e të përfshihet. Me fjalë të tjera, kryeminstri po thoshte: nuk e dimë çka do të ndodhë e çka do të bëjmë, është mirë të kryhet sa më shpejt, dhe është mirë të ndihmohemi nga Trumpi e Merkeli.

Se Haradinaj është inkonsistent e dëshmoi edhe me ratifikimin e demarkacionit, por inkonsistenca iu shfaq sërish kur i lavdëroi qeveritë e mëparshme [për çështjen e Asociacionit] të cilat i kishte kritikuar ashpër sa ishte në opozitë.

Kryeministri tha se nuk e ‘merrte vesh’ as konfliktin verbal që e kishte nisur presidenti turk Erdogan me të. Madje shtoi se as nuk e dinte se kush ishin ‘gylenistët’. Se është njeri që nuk mund të mbajë fjalën dhe qëndrimet, tregon edhe ambiguiteti për gjykimin e rastit. Ai tha që e gjykon interesin e qytetarëve për shtet ligjor, por poashtu edhe interesin e rreshtimit strategjik. E çka nëse e para cënohet nga e dyta, siç ndodhi me rastin e deportimit të 6 shtetasve turq?

Zor të kemi një përgjigjje. Më tej, në botëkuptimet e tij të thjeshta për politikën, ai e interpretoi largimin e Listës Serbe nga qeveria si rezultat të mërzisë që kishin pasur për arrestimin dhe trajtimin e Gjuriqit ndërkohë që i pyetur për një strategji diplomatike ndaj lobimit të Serbisë kundër Pavarësisë tha thjesht: “I bëj thirrje Serbisë që mos ta tepron”. /Periskopi

Çfarë ndodhi me luftanijet e Putinit – ikën apo po bëhen gati për sulm ndaj SHBA-së

Mbetet ende mister largimi i menjëhershëm i së paku 11 anijeve ruse nga porti i Tartusit, nje baze te rëndësishme ruse ne Siri

Daily Mail ka publikuar imazhet satelitore qe tregojnë momentin kur anijet ruse dalin nga baza siriane përpara kërcënimit për sulm ajror të SHBA. Nuk dihet nëse ato janë larguar pas ultimatumit te Trumpit, apo po përgatiten per hedhje raketash.

Fotografitë e sipërme tregojnë se si të paktën 11 anije detare, duke përfshirë edhe fregatën Admiral Grigorovich, duket se kanë lënë portin ushtarak Tartus në bregun sirian.

Një fotografi, e cila thuhet të jetë shkrepur mbrëmë, tregon se vetëm një nëndetëse ka mbetur ne port, e cila thuhet se është e mbrojtur nga sistemet raketore.

Lëvizja vjen pasi Donald Trump i tha Rusisë ‘të përgatitet’ për sulme raketore në Siri, pas kërcënimit të Kremlinit se do te shkatërronte çdo rakete qe do te hidhej.

Arsyeja e saktë për lëvizjet e anijeve ende nuk është e qartë, por disa kanë spekuluar se ato kane lëvizur thjesht në një stërvitje, ose se mund të jenë vendosur në gatishmëri për të kapur raketat.