Milionat e diasporës shkojnë në konsum

Burim i rëndësishëm i të hyrave të ekonomive familjare në Kosovë vazhdojnë të jenë edhe dërgesat e emigrantëve. Në vit, vlera e parave të dërguara nga diaspora sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës arrin shumën e rreth 600 milionë euro. Këto mjete vazhdojnë të shfrytëzohen kryesisht për konsum familjar

Mërgimtarët të cilët pushimet i kalojnë në Kosovë, thonë se shpenzojnë vlera të konsiderueshme të mjeteve materiale kur janë në Kosovë, por ata thonë, se gjatë tërë vitit dërgojnë para te familjarët e tyre.

Merita Berisha jeton dhe punon në Gjermani. Ajo thotë se pushimet i kalon çdo herë në Kosovë te familja e saj, për të cilët, siç thotë ajo, dërgon çdo muaj para.

“Ne si familje çdo herë kemi dërguar para në Kosovë, përafërsisht në muaj i dërgojmë nga 300 euro. Ato para ata (familja) i shpenzojnë për ushqim, veshmbathje, thjesht gjëra bazike. Tani që jam këtu në Kosovë unë i shpenzoj deri në 3 mijë euro për dy apo tre javë sa do të qëndrojë këtu”, thotë ajo.

Ismet Sadiku i cili po ashtu jeton jashtë vendit dhe për pushime ka ardhur në Kosovë thotë se shpenzon shumë gjatë qëndrimit të tij në vendlindje.

“Të gjitha kursimet i shpenzoj në Kosovë kur vi për pushime. Gjatë tërë kohës kam ndihmuar familjen time që jeton këtu. Ata kanë nevojë pasi që dihet se këtu në Kosovë ka papunësi të madhe dhe nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet me pagat që ata marrin”, thotë ai.

Një shumë e madhe e mjeteve diaspora kosovare sipas të dhënave zyrtare i investon edhe në blerjen e patundshmërive në Kosovë.

Bazuar në shënimet zyrtare, janë mes 700 – 800 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, thotë për Radion Evropa e Lirë se remitencat krahasuar me vitin e kaluar kanë shënuar rritje.

“Në periudhën janar – maj vlera e parave të dërguara nga mërgimtarët ka arritur shumën e mbi 300 milionë eurove. Kjo shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017 ka një rritje prej 18.3 milionë euro. Një pjesë e madhe e këtyre e mjeteve shkojnë për konsum pastaj në investime, kryesisht në blerje të patundshmërive”, thotë Ahmeti.

Në remitencat që pranohen në Kosovë, shton Ahmeti vijnë nga Gjermania, Zvicra, SHBA-ja, Italia, Austria, Franca dhe shtete të tjera.

Shuma e dërgesave të emigrantëve në vit konsiderohet të jetë edhe më e lartë, pasi që një pjesë e mjeteve hyjnë në Kosovë edhe përmes formave tjera të cilat mund të mos përfshihen në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës.

Në anën tjetër, ekspertë të fushës vlerësojnë se marrëdhënia me diasporën kosovare duhet të kalojë nga një marrëdhënie e solidaritetit në një marrëdhënie të ekonomisë së tregut, ku emigrantët do të investojnë fondet e tyre.

Naim Dedushaj nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Diasporë, thotë për Radion Evropa e Lirë se diaspora kosovare po vazhdon të kontribuojë në ekonominë e vendit, por që parave të dërguara të cilët kryesisht shpenzohen për konsum, duhet t’i ndërrohet orientimi.

“Edhe këtë vit si çdo herë diaspora kosovare dëshmoi se dëshiron të kontribuojë në Kosovë. Ata vazhdojnë të vijnë me familjet e tyre për pushime në Kosovë. Sa i përket dërgimit të parave tek familjet e tyre mendoj se nuk është edhe e qëlluar pasi që me këto para do të ishte më mirë të fillohet me ndonjë biznes të vogël, në mënyrë që të motivojnë familjarët e tyre që të kenë perspektivë dhe të mos varen nga remitencat”, thotë Dedushaj.

Ndryshe, remitencat përgjatë viteve kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.

Kurti paralajmëron shkarkimin e Thaçit me demonstrata(video)

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që të mos bëjë pazare me territorin e Kosovës. Përndryshe, Kurti paralajmëron shkarkimin e Thaçit me demonstrata

Kreu i Vetëvendosjes ka thënë se nuk e pranojnë asnjë marrëveshje që nënshkruhet ndërmjet presidentit të Kosovës dhe të Serbisë, sepse, sipas tij, presidenti Thaçi nuk ka legjitimitet as autorizim nga Kuvendi që ta përfaqësojë Kosovën në bisedimet me Serbinë.

Lidhur me idenë e presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë, Albin Kurti tha se korrigjimi i kufijve është shprehje e gabueshme me pasoja të dëmshme.

Pse defekti është Hashim Thaçi dhe pse e krijoi LDK-ja

A e dini ku është problemi? Problemi është te defekti. E defekti është Hashim Thaçi. Dhe sa për rikujtim, se shpejt po harrohen gjërat e rëndësishme:

Nga Nezir H. KRAKI*

Defektin e krijoi LDK-ja. LDK e atij liderit të rastësishëm që udhëheqës kurrë s’u bë. LDK e atij tipit i cili, fiks sikur Aziz Buteflika i Algjerisë, ka vendosë ta qetësojë frustrimin e vet duke u kap për karrigen e partisë deri në frymën e fundit.

Origjina e defektit ishte thjesht apetiti i disa frikacakëve të LDK-së për pushtet dhe fuçi. Për një copë tortë të cilën s’arritën as ta hanin deri në fund. Se kur s’ta do s’ta do… A ju kujtohet si mbeten pa pushtet brenda një dite sapo plani i pronarëve të tortës u realizua.

Por… defekti që LDK e krijoi duhej mbajtur në jetë, i duhej oksigjen politik për vazhdim tutje.

Dhe këtë oksigjen ia sollën dy ngjarje:

1) Krijimi i qeverisë më injorante, më joparimore dhe numerikisht më të madhe në botë. S’ka gjë më të rrezikshme në jetë sesa injoranca kolektive.

2) Ndarja e VV-së në dysh me nismën e riparuesve të Kaqusha Jasharit.

Këto dy ngjarje e kanë betonuar trajktoren shkatërruese të planit politik për shpëtimin e banditëve në kurriz të Kosovës dhe popullit të saj.

Mund ta shtojmë këtu edhe një faktor të tretë oksigjendhënës, e ai është LDK-ja. Partia historike e cila nga viti 2006 ka mbetur pa lider dhe që nga ajo kohë s’është tjetër veç fantazmë politike që mbijeton nga rastësia në rastësi, duke llogaritur në kombinime politike që të tjerët do t’i bëjnë në vend të saj.

Shikoni miq, n’Kosovë ka shumë amnezikë por jo të gjithë harrojnë. Mos harroni! Se kujtesa i riparon gabimet.

P.S. Nëse dikush mendon se kam urrejtje ndaj ndonjë partie, ju lutem rilexojeni tekstin. /tesheshi.com/

*Profesor i shkencave Politike në Universitetin “Paris-Est”, Francë

Volker: Njohja e Kosovës nga Serbia i shërben të gjithë Ballkanit

Kanë kaluar 21 vjet që nga shpërthimi i konflikti në Kosovë dhe tani është koha që të përmbyllet plotësisht procesi i njohjes së Kosovës dhe njohjes së plotë ndërkombëtare të pavarësisë së saj

Kështu shprehet ambasadori Kurt Volker, ish-përfaqësues i Amerikës në NATO, aktualisht i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, i cili thekson se i gjithë rajoni, përfshirë Serbinë, do të përfitonin nga mbyllja e këtij kapitulli. Zoti Volker i bëri komentet gjatë një diskutimi në Zërin e Amerikës mbi 10 vjetorin e ndërhyrjes ruse në Gjeorgji dhe aneksimin e rajoneve të Abkhazisë e Osetisë së Jugut.

Ambasadori Volker e quan një padrejtësi ndaj të gjithëve në Ballkan, në veçanti ndaj kosovarëve, që shteti i tyre ende nuk njihet nga Serbia dhe nga të gjithë anëtarët e BE-së:

“Si rezultat, ata janë të bllokuar në marrëdhëniet me BE-në dhe nuk janë në gjendje të përfitojnë plotësisht nga shpallja si shtet i pavarur”.

Kjo situatë, thotë Volker, mban peng edhe Serbinë. Do të ishte në të mirë të vetë popullit serb, të mbyllë këtë kapitull të dhimbshëm dhe të turpshëm, thotë diplomati amerikan:

“Serbët duhet të ecin përpara. Gjëja më e mirë për Serbinë, për mendimin tim, është integrimi në Bashkimin Evropian. Nëse Kosova dhe Serbia e të tjerët në rajon arrijnë ta bëjnë këtë, do të shohim një rajon shumë më funksional në aspektin e marrëdhënieve etnike, në aspektin e statusit, të zhvillimit ekonomik dhe politikës”.

Diplomati sjell si shembull problemet me Bosnjën që ai thotë se janë pjesërisht të lidhura me statusin ende të hapur të Kosovës në Ballkan:

“Duke zgjidhur çështjen e Kosovës shënohet një hap i madh përpara për Bosnjen. Nëse Kosova e Serbia arrijnë në një marrëveshje që mundëson paqe të qëndrueshme, që lejon njohje të ndërsjellë mes dy shteteve, kjo do të stabilizonte disi politikën në Serbi. Kosova do të kishte të hapur rrugën përpara, ndërsa problemet e Bosnjes do të reduktoheshin në sfidat që lidhen realisht me këtë vend”.

Diskutimi në 10 vjetorin e ndërhyrjes ruse në Gjeorgji përfshin edhe ambiciet dhe strategjitë gjeopolitike të aleatëve të fuqishëm të vendeve ballkanike. Studiuesi Paul Saunders shprehet se mbështetja e Uashingtonit dhe Brukselit për shkëputjen e Kosovës nga Serbia u bë një ndër pikat e fërkimit mes Moskës dhe Perëndimit:

“Përkrahja që i dhanë Shtetet e Bashkuara dhe Evropa shpalljes së një-anshme të pavarësisë nga Kosova u pa nga Rusia si një rast që mund të shërbejë si pararendës, megjithëse Amerika dhe aleatët evropianë nuk donin që të shërbente si e tillë”.

Ambasadori Volker e kundërshton argumentin e Moskës për të shfrytëzuar rastin e Kosovës si paralele për shkëputjen e Krimesë në Ukrainë apo për Abkhazinë Osetinë e Jugut në Gjeorgji. Ai përmend një përpjekje të bashkërenduar të faktorëve ndërkombëtarë, bazuar në marrëveshje e rezoluta ndërkombëtare, mekanizma shumëpalësh ndër të cilët bënte pjesë edhe Moska, që mundësuan ndalimin e konfliktit në Kosovë dhe njohjen e statusit të saj si shtet i pavarur.

Rusia, thotë ai, është e vetme në përpjekjet e saj për të ndryshuar kufijtë në Gjeorgji dhe Ukrainë. Megjithë përpjekjet e saj, askush nuk e ka njohur Krimenë, dhe 10 vjet pas ndërhyrjes, Abkhazia dhe Osetia e Jugut mbeten ende pa status ndërkombëtar.

Lista e politikanëve ndaj të cilëve ngriti aktakuzë Prokurori i dorëhequr

Prokurori Special i Republikës së Kosovës, Elez Blakaj, më 11 korrik 2018, e ka ngritur aktakuzën ndaj profilit të lartë të veteranëve, lëndë kjo e cila konsiderohet si një ndër lëndët më voluminoze dhe të ndjeshme, por e cila është duke qëndruar në Prokurori Speciale dhe ende nuk është dërguar në Gjykatë.
“Betimi për Drejtësi” mëson se listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj dhe Xhavit Jashari

Kjo aktakuzë për shkak të ndjeshmërisë dhe profilit të lartë të përfshirë, ishte dërguar fillimisht tek Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, për ta dërguar më pas në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Në këtë të fundit, kjo aktakuzë nuk është dërguar ende nga Prokuroria Speciale, për arsye, të cilat ende nuk janë bërë publike. Sidoqoftë, aktakuza e ngritur për profilin e lartë të veteranëve gjendet në zyrën e Kryeprokurorit Reshat Millaku dhe për të njëjtën është i njoftuar edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me Kryeprokurorin Millaku, i cili është pyetur se deri ku ka arritur Prokuroria Speciale me rastin e hetimeve ndaj veteranëve, rast të cilin e ka udhëhequr prokurori special, Elez Blakaj. Kryeprokurori Millaku ka thënë se ky rast ende gjendet në fazën e hetimeve, duke mohuar që në këtë rast, prokurori Elez Blakaj veçse ka ngritur aktakuzë dhe se ajo gjendet në Prokurori Speciale. “… Jo jo, hetimet janë ende… S’ka aktakuzë, hetimet janë ende”, ka thënë Kryeprokurori Millaku për “Betimi për Drejtësi”.

“Betimi për Drejtësi” mëson se aktakuza e ngritur nga prokurori special Elez Blakaj gjendet në duart e eprorëve të tij, por të njëjtit janë duke hezituar që ta dërgojnë në Gjykatë për shkak të profilit të lartë të veteranëve të përfshirë në aktakuzë.

Përveç Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, i cili ka mohuar të vërtetën e ngritjes së kësaj aktakuze, për të njëjtën aktakuzë, edhe pse ishte ngritur dhe ishte dorëzuar në Prokurori Speciale nga prokurori Elez Blakaj, Kryeprokurori i Shtetit, në një takim raportues tek Kryeministri Ramush Haradinaj, kishte thënë se prokuroria ende është duke punuar në rastin e veteranëve, ndërsa për të njëjtin rast, veçse është njoftuar se aktakuza është ngritur dhe gjendet në Prokurori Speciale.

Prokurori i dorëhequr po hetonte manipulimet me lista të veteranëve

Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë kanë reaguar pas dorëheqjes së zyrtarit të lartë nga sistemin e drejtësisë i cili, me punën e tij kanë qenë duke hetuar raste të ndryshme, e të konsideruara si të ndjeshme

Prokurori Elez Blakaj ka dhënë dorëheqje. Ai thuhet se ishte duke hetuar disa raste të terrorizmit dhe dyshimet për manipulime me listat e veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie ka thënë se është ditë e pikëlluar për sundimin e ligjit në Kosovë, pas dorëheqjes së prokurorit special, Elez Blakaj, si pasojë e kërcënimeve që kishte pranuar për shkak të punës së tij.

“Është dekurajuese të dëgjosh lajmin për dorëheqjen e prokurorit special, Elez Blakaj, posaçërisht pasi ai po punonte në çështje të rëndësishme, siç janë mashtrimet e mëdha në listat e veteranëve”, ka thënë Delawie. Delawie ka thënë se Blakaj ka marr mbështetjen e Qeverisë amerikane gjatë disa studimeve që ai kreu në SHBA. “Kosova duhet të dëshmojë përkushtimin e saj për sundim të ligjit, jo vetëm duke mbështetur prokurorët, por gjithashtu duke siguruar që të gjithë ata që janë të dënuar të vuajnë në burg vitet e tyre të dënimit”, ka thënë Delawie.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dënuar kërcënimet ndaj prokurorit Blakaj dhe ka theksuar se sistemi i drejtësisë është “hallka më e rëndësishme në forcimin e perspektivës evropiane” për Kosovën.
Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, institut ky që monitoron punë e sistemit të drejtësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se atmosfera e punë në sistemin prokurorial të Kosovës është e dëmshme për të gjitha ata prokurorët që kanë integritet të punojnë në mënyrë të pavarur dhe profesionale.

Sipas Musliut, prokurori Blakaj tashmë ka përgatitur aktakuza për disa persona që dyshohet se kanë manipuluar me listat e veteranëve, mirëpo këto aktakuza nuk janë dërguar në gjykatë.

“Fakti që ky prokuror e ka pasur njërin prej rasteve më voluminoze dhe rastin më të madh realisht pas përfundimit të luftës, dëshmon që ngritja e aktakuzës nga ana e tij, dhe mosdërgimi në gjykatë nga ana e Prokurorisë Speciale, ka pasur probleme të shumta të cilat dëshmojnë se ka qenë një atmosferë e papërballueshme për ta vazhduar punë në sistemin prokurorial. Prandaj, në këtë sistem, me këto kritere e standarde të ndërtuar përmes ndikimit politik është e pamundur që prokurorët me integritet ta vazhdojnë punën. Prandaj, besoj edhe në ketë drejtim ky ka qenë edhe vendimi i këtij prokurori”, tha Musliu.

Edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka reaguar pas dorëheqjes së prokurorit Blakaj, duke thënë se institucioni që ai udhëheq,zyrtarisht nuk është njoftuar se Blakaj ka dhënë dorëheqje për shkak të kërcënimeve.

“Sidoqoftë, dëshirojmë të informojmë opinionin se prokurori Blakaj, përderisa ishte duke hetuar rastin e njohur në opinion si ‘Lista e veteranëve të UÇK-së’, kishte marrë informacione se Komisioni i Mjekëve në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ishte duke u marrë me përcaktimin e statusit të invalidëve të luftës dhe se gjatë punës së këtij komisioni ka pasur kanosje, për të cilën edhe është hapur rasti si i tillë në Policinë e Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media dërguar nga Kryeprokuroria e Shtetit.

Kryeprokurori i Shtetit njofton se Policia, më herët, pas raportimit të kanosjes ka shtuar patrullimet në vendin e punës së prokurorit Elez Blakaj. Blakaj po ashtu kishte pranuar një mesazh kërcënues në rrjetin social Facebook, por megjithatë pas raportimit të këtij rasti në Polici, ai ishte deklaruar se nuk ndihet i kërcënuar.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë ndër më të kritikuarit për joefikasitet, mospërmbarim të lëndëve si dhe për nivel të lartë të korrupsionit. Raporte të ndryshme vlerësuese vendore dhe ndërkombëtare kanë theksuar se qytetarët në Kosovë edhe më tej nuk e kanë besimin e duhur në sistemin e drejtësisë.

Pasi fundosi Lirën turke, Dollari tani po fundosë edhe Rublen ruse

Aleksei Nikolayev, një nga më shumë se 56 milionë rusë që rizgjodhi presidentin Vladimir Putin në mars, tashmë po llogarit koston e mundshme të një ruble më të dobët: më pak fuqi shpenzuese jashtë vendit, çmime më të larta në shtëpi dhe një “vrimë” tjetër në rrip, për ta shtrënguar

Por Nikolayev, një dizajner grafik 56-vjeçar, i cili shijon udhëtime jashtë shtetit dhe verë të importuar, fajëson Perëndimin, e jo Putin, për “dhimbjen” dhe nuk ka keqardhje për votimin për një politikan që ai e sheh si njeriun e duhur për të udhëhequr Rusinë në këto kohë të trazuara.

“Është e dhimbshme dhe është e pakëndshme, por nuk do të ndryshojë bindjen time politike”, tha Nikolaiev, duke komentuar për rublën që u zhvlerWsua 10 për qind ndaj dollarit, që nga fundi i korrikut, kryesisht për shkak të sanksioneve të reja të Shteteve të Bashkuara mbi Rusinë.

“Në të vërtetë, aq e çuditshme sa mund të tingëllojë, kjo vetëm do të forcojë bindjet e mia. Ata (Perëndimi) po përpiqen të thyejnë Rusinë”, shprehet rusi.

Pikëpamja e Nikolayevit për të mos fajësuar Putin është shumë e gjerë midis rusëve, sipas Stepan Goncharov, një sociolog në sondazhin e Qendrës Levada.

“Njerëzit nuk e kuptojnë me të vërtetë dinamikën pas saj dhe presidenti, tradicionalisht, është i sigurt nga kritikat”, tha Goncharov për Reuters.

Tregimi në Rusi se zhvlerësimi i rublës është rezultat i një komploti perëndimor, ka jehonë të drejtpërdrejtë me Turqinë, aleatin e Rusisë, monedha e së cilës ka regjistruar një rekord të rënieje të hënën. Presidenti turk, Tayyip Erdogan, ka thënë se vendi i tij është objekt i një lufte ekonomike dhe ka thënë se Turqia do të bojkotojë disa importe amerikane në hakmarrje.

Në Rusi, zhvlerësimi i rublës shkakton dhimbje për disa. Çmimi i mallrave të importuara ka gjasa të rritet. Pushimet jashtë shtetit janë bërë edhe më të shtrenjta.

Irina Turina, një zëdhënëse e Unionit të Udhëtimeve Ruse, tha se agjentët e udhëtimit kishin parë që kërkesa për pushimet e paketave të binte me 10-15 për qind javën e kaluar për shkak të paqëndrueshmërisë së rublës.

“Njerëzit të cilët ende nuk kanë paguar plotësisht për pushimet e tyre, po nxiten të paguajnë pjesën tjetër edhe nëse nuk kanë obligim për ta bërë këtë”, tha Turina për Reuters, duke thënë se qytetarët ishin të shqetësuar se bilanci i papaguar do të rillogaritet sipas një niveli më të lartë, të kursit të këmbimit më pak të favorshëm.

Serwer: SHBA do t’i thotë jo ndryshimit të kufijve

Ndarja e Kosovës apo ndërrimi i territoreve do të jetë një rrezik i madh për gjithë Ballkanin dhe një gjë e tillë nuk do të pranohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë Daniel Serwer, profesor në Universitetin, John Hopkins në Uashington në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Sipas tij, Serbia gjithmonë ka dashur ta ndajë Kosovën, por risi është insistimi i presidentit Hashim Thaçi që ta korrigjojë kufirin në pjesën lindore. Ai thotë se Serbia dhe Kosova tashmë kanë hapur Kutinë e Pandorës në Ballkan dhe duhet ta mbyllin sa më shpejt që është e mundur

Radio Evropa e Lirë: Pse diskutimet për ndarjen e Kosovës po vazhdojnë përkundër qëndrimit të Berlinit dhe Londrës se ata janë kundër ndonjë ndryshimi të kufijve në Ballkan?

Daniel Serwer: Mendoj se pozicioni gjerman është kritik. Pa mbështetjen gjermane, kjo ide e korrektimit të kufijve, këmbimit të territoreve, ndërrim tokash, quajeni si të doni, thjeshtë nuk mund të shkojë më tutje. Mendoj se Serbia, gjithmonë ka qenë e interesuar në këtë ide. Vuçiqi e ka shtyrë këtë ide përpara edhe së fundmi, por ka qenë mendim i përbashkët në Beograd për një kohë të gjatë. Është risi që kohëve të fundit edhe presidenti Thaçi ka folur për këtë. Personalisht mendoj se ishte gabim shumë i madh nga ana e tij. Vuçiq dëshiron të flasë vetëm për korrigjimin e kufirit në pjesën veriore, Thaçi dëshiron të korrigjojë kufirin e Kosovës vetëm në lindje dhe ju e dini se nuk ekziston vetëm një mënyrë e korrigjimit të kufirit. Ata do të duhej ta shkëmbejnë territorin dhe një shkëmbim i territorit do t’u bënte dëm interesave të tyre, sepse Serbia gjithmonë ka dashur të mbajë kontrollin mbi rrugën veri-jugore drejt detit në Selanik dhe Kosova gjithmonë ka dashur të mbajë kontrollin mbi furnizimin me ujë (nga Liqeni i Ujmanit) në pjesën veriore. Unë nuk mendoj se kjo marrëveshje mund të bëhet. Mendoj se Merkel ka bërë një favor të madh duke thënë jo. Mendoj se edhe amerikanët duhet thënë po ashtu jo. Kanë qenë të ngadalshëm për të bërë këtë por dua të besoj se do të thonë një jo të qartë dhe kritike.

Radio Evropa e Lirë: Shumëkush në Kosovë dhe Serbi thotë se ideja për ndarjen e Kosovës është duke u mbështetur nga amerikanët?

Daniel Serwer: Nuk besoj se ekziston ndonjë provë e mbështetjes së kësaj ideje nga amerikanët. (Kryeministrja serbe) Brnabiq dhe (ministri punëve të Jashtme) Daçiq erdhën në Uashington duke shtyrë fuqishëm këtë ide përpara, përfshirë edhe përmes njerëzve që ishin të afërt me presidentin Trump dhe amerikanët thanë: “Në rregull, ne do të dëgjojmë se çfarë keni për të thënë, ejani te ne me disa ide”. Nuk mendoj se amerikanët kanë menduar ndonjëherë që faktikisht të aprovojnë idenë, ata vetëm kanë menduar që të dëgjojnë dhe kjo është interpretuar në Ballkan si mbështetje. Unë nuk shoh mbështetje për ndonjë ide për ndarje në Uashington dhe mendoj se në fund amerikanët do të thonë një jo shumë të qartë.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje dhe realizimin e idesë për ndarje, a mendoni se kjo gjë do të ishte një problem i madh në procesin e euro-integrimeve të Serbisë dhe Kosovës?

Daniel Serwer: Sigurisht, mund të ketë lëvizje masive të popullsisë. Kosova ka qenë shumë e kujdesshme sa i takon kësaj. Është shumë e qartë se nëse katër komunat veriore i jepen Serbisë atëherë serbët që jetojnë në jug te Kosovës do të evakuohen. Dhe ati, Sava Janjic (nga Manastiri i Deçanit) ka qenë shumë i qartë në lidhje me këtë dhe i kupton implikimet për ndarjen e Kosovës andaj ai publikisht e ka kundërshtuar një gjë të tillë. Ai po ashtu mund të mos e pranojë pavarësinë, por ai në veçanti kundërshton ndarjen për shkak të implikimeve që mund të ndodhin me serbët në pjesën jugore të Ibrit. Kosova nuk do të mbetet një shtet i pavarur nëse ka ndarje. Nëse ka ndarje do të mundet të bashkohet me Shqipërinë ose me pjesën shqiptare të Maqedonisë duke krijuar kaos në Ballkan. Kjo do t’i jepte fund çdo shprese për pranimin në Bashkimin Evropian në ndonjë të ardhme dhe po ashtu kjo do të përfundonte edhe ëndrrën e Serbisë për Bashkim Evropian. Pra, ka rrezik të madh këtu edhe për ambiciet për t’iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian, dhe kjo vlen për Prishtinën dhe Beogradin. Ata duhet ta dinë këtë gjë se ata tashmë kanë hapur Kutinë e Pandorës, e duhet ta mbyllin sa më shpejt që të jetë e mundur.

O shtypësi im, unë jam siç më do ti!

Pa dashur veten nuk mund të duash të tjerët. Urrejtja për veten është plotësisht e njëjtë me egoizmin e tejskajshëm dhe të shkakton të njëjtin izolim të tmerrshëm, të njëjtin dëshpërim. Edhe milingonat bëjnë luftëra (për ta mbrojtur territorin e vet), edhe bletët kanë një Shtet, edhe kastorët grumbullojnë ushqime për konsum


Nga Aurel Dasareti

Vetëmohimi, tragjedia jonë. Sot mes shqiptarëve të trojeve dhe diasporës flitet shumë për vlerat. Por ka një “vlerë” për të cilën pothuajse askush nuk flet dhe pothuajse askush nuk dëshiron ta përmend: vetë-mohimin. Të mohosh veten, t`i thuash jo vetvetes, Kombit tënd, Tokës tënde, Atdheut tënd – a është kjo vlerë që ne nuk duhet ta humbasim?

Prej kësaj ne kemi fjalën vetë-mohim, një vlerë që ka kapërcyer vijën e kuqe. Armiqtë e brendshëm, llomotitin bukur për mohimin dhe nënshtrimin, duke theksuar se këto “vlera” (copëtimi “korrigjim i kufirit” të Kosovës dhe Shqipërisë dhe falja e atyre tokave, detit, ujit dhe ajrit Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë) nuk janë negative, por se ato na vënë në të vërtetë në rrugën e “paqes” fqinjësore lirisë dhe prosperitetit.

Kur ne e nënshtrojmë dhe e mohojmë vetveten, bëhemi të lirë të vlerësojmë njerëzit e tjerë. Ëndrrat dhe planet e tyre janë të rëndësishme për ne. Kemi hyrë në një formë të re dhe të “mrekullueshme” të “lirisë”, lirinë për të hequr të drejtat tona për të mirën dhe në dobi të të tjerëve, pushtuesve gjakatarë – armiqve shekullor.

Atëherë për herë të parë mund t’i duam njerëzit e tjerë (armiqtë) pa kushte. Ne nuk jemi të shqetësuar që ata të na tregojnë përkatësisht dashuri të ngjashme. Ne nuk duhet të zemërohemi dhe shqetësohemi që tjerët na trajtojnë në mënyrë të veçantë, me poshtërsi. Ne duhet të kënaqemi kur të tjerët të kenë sukses. Ne ndiejmë trishtim të vërtetë dhe përlotemi kur ata dështojnë. Kjo do të thotë se pastaj ne do të mërzitemi më pak nëse planet tona nuk shkojnë ashtu siç dëshironim, vetëm nëse planet e të tjerëve (pushtuesve) ecin mirë për ta. Ne kemi ardhur në përfundim se është shumë më mirë t`u shërbejmë fqinjëve dhe dashakeqëve tjerë sesa të arrijmë qëllimet që neve na pëlqejnë.

Vetë-mohimi, një nga vlerat dhe virtytet më të vështira të të gjitha vlerave, lidhet me të qenët i përulur, tre hapa mbrapa – dhe le të vendosin fqinjët për fatin tonë.

Sunduesi i Kosovës, Thaçi, me bërllok tjerë që e rrethojnë dhe bashkëpunojnë, i detyron shqiptarët ta mohojnë vetveten dhe vendlindjen, duke marrë kudo me vete kryqin e tij sllavo-ortodoks të dhuruar nga Sllobodan Milosheviqi.

(Të sqarohemi, pasi nuk jam korrekt politikisht, i quaj bërllok, pisa, kopilë, fëlliqësira etj vetëm ata që e meritojnë titullin. Është naivitet të quhen “zotëri” tradhtarët që shkelin mbi gjakun e mbi 20.000 shqiptarëve civil të masakruar të të gjitha moshave dhe po aq femrave të dhunuara seksualisht nga çetnikët, vetëm në gjenocidin e fundit 1998-99. Ok?).

Nëse e ndjekim presidentin Taçi dhe gjithë ata bërllok tjerë shqipfolës: politikë-bërës, pseudo-intelektualë, pseudo-gazetarë, pseudo priftërinj ortodoks dhe hoxhallarë, vetë-mohues të kombit shqiptar, shohim se fitoret më të mëdha të mbretërisë së këtyre tradhtarëve kanë të bëjnë me i thënë: JO vullnetit të popullit dhe Vendit të tyre që i lindi, por i thonë PO vullnetit të fqinjëve pushtues kasap gjakatarë.

Duhet të dallojmë qeverinë nga shteti (vendi). Qeveritarët dhe zyrtarët janë vetëm udhëtarët e rastit të historisë, do të vdesin një ditë, kurse shteti (Shqipëria natyrale) do të jetojë në përjetësi. Asnjëherë mos i lavdëroni politikë-bërësit, sepse edhe nëse ata rastësisht kanë kryer ndonjë punë të suksesshme për shoqërinë, janë të paguar për shërbimin, jo falas. Të tillët i forcojnë pozicionet në qeverisje, vjedhin sa mundin dhe në fund presin t`i varrosin si “heronj”. Ndërkaq popullata është varfëruar deri në trishtim, prandaj bie hovshëm edhe nataliteti. Nevojtarët lypin lëmosh rrugëve; për varfanjakun qeveritari, politikani dhe zyrtari më i mirë është ai që i jep një copë bukë. Prandaj edhe manipulohen në votime.

Politikanët e juaj para se me i hy këtij profesioni të lezetshëm nuk posedonin asnjë pasuri, ama brenda disa muajve pasi i hynë “politikës” zotërojnë pasuri astronomike. Kasollet përdhese, të bëra me thupra të thurura ose me qerpiçë dhe të mbuluara me kashtë, i zëvendësuan me pallate shumë të shtrenjta. Leckat i zëvendësuan me tesha të modës, biçikletat e prishura me automobil modern, diplomat e shkollës fëmijërore 4 vjeçare i zëvendësuan me diploma universitetesh dhe akademikësh të blera në rrugë për disa lek.

Pasuritë e tyre janë joligjore, të fituara nga keqpërdorimi i detyrës, ryshfeti, korrupsioni, krimi i organizuar. Duhet të konfiskohen. Mirëpo askush nuk mund t`i dënoj sepse nuk funksionon Ligji. Mbrohen me imunitetin e “politikanit”, dhe ata shfrytëzojnë rastin deri sa kanë poste të larta, të marrin ryshfet si kundërvlerë gjatë shitjes së pronave shoqërore tek persona ose sipërmarrje të ndryshme etj. Kanë punësuar të vetët kudo. Dhe, si të pamoralshëm e kriminel, nuk janë budallenj të largohen vullnetarisht nga “vendet e punës”. Largimi do të ishte fundi definitiv i tyre, prandaj 30 vjet me radhë, që të fitojnë në kohë, u premtojnë fusha e male vetëm që t`i leni rehat të vazhdojnë aktivitetin “patriotik”.

Krahas qartësisë së qëllimit, në letrat e intelektualëve të mirëfilltë dhe atdhetarëve, të cilët në damarët e tyre kanë gjak shqiptari, le të ndihet edhe një nëntekst i fuqishëm polemik kundër keqdashësve të Vendit dhe Kombit. Le të shprehet temperamenti i shkruesit, zemra e zjarrtë e patriotit.

Kai Sauer: Nuk është komuniteti ndërkombëtar që ka hedhur idenë e kufijve

Kai Sauer, shefi i misionit të Finlandës në OKB ka qenë asistent i Marti Ahtisaarit. Deutsche Welle e pyeti për planin Ahtisaari dhe idetë për përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi nëpërmjet ndryshimit të kufijve

Deutsche Welle: Çfarë ka ndodhur me planin Ahtisaari për Kosovën?

Ambassador Kai Sauer: Unë mendoj se ai ka qenë një plan i bërë jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin. Ju me siguri i njihni planet si ai Erdut për Kroacinë, ai i Ohrit për Maqedoninë dhe sigurisht atë të Dejtonit. Të gjitha këto plane kanë pasur disa gabime. Ato kanë qenë shumë të vështira për t’ u zbatuar. Unë mendoj se plani i Ahtisaarit ka qenë më i miri, krahasuar me planet e tjera në rajon. Ironia është se plani nuk u pranua nga Këshilli i Sigurimit të OKB, për shkak të një anëtari të tij. Plani i Ahtisaarit ishte përpiluar me kujdes jo vetëm nga Ahtisaari, por nga disa institucione të tjera ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, Komisioni i Venecias për aspektet konstitucionale të planit, OSBE dhe OKB për aspektet e të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave të njeriut, etj. Kështu që ishte plan gjithëpërfshirës dhe i balancuar shumë politikisht, dhe u mbështet nga të gjitha vendet anëtarë të Këshillit të Sigurimit, me përjashtim të njërit vend anëtar.

Është në natyrën e njeriut që nganjëherë duhet të kalojnë 10 ose 20 vjet deri sa të pranojë një gjë që e ka parë fillimisht si të papranueshme. Njeriu provon rrugë të tjera, humbet kohë dhe energji, dështon dhe kthehet më në fund tek ideja fillestare. Disa aspekte të planit të Ahtisaarit mund të përdoren në të ardhmen.

Deutsche Welle: Korrigjime kufijsh apo këmbime territoresh nuk kanë qenë pjesë e planit të Ahtisaarit. Pse po flitet për to tani në Ballkan?

Ambassador Kai Sauer: Është e vërtetë që në diskutim janë futur kufijtë. Sidoqoftë, ato nuk kanë qenë pjesë e planit të Ahtisaarit dhe askush nuk donte ndryshime kufijsh. Në diskutimet për ndryshime kufijsh kemi të bëjmë me ndjeshmëri dhe rreziqe të caktuara. Nuk është komuniteti ndërkombëtar, as përfaqësuesit e institucioneve evropiane ata që i kanë ngritur këto ide si të mundshme. Unë mendoj ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm nëse e marrim parasysh këtë ide. Ajo që është e qartë është se duhet të punojmë së bashku, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara dhe palë të tjera të interesuara që çështja e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë të ketë një përfundim. Të dyja vendet duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, por pa zgjidhjen e kësaj çështjeje bilaterale kjo nuk duhet të jetë e mundur.

Deutsche Welle: Uashingtoni dhe Brukseli nuk po japin deklarata në publik. A është shkëputur Brukseli dhe Uashingtoni nga politika e mëparshme e mosprekjes së kufijve?

Ambassador Kai Sauer: Unë nuk mund t’ i jap përgjigje kësaj pyetjeje. Ju duhet të pyesni BE dhe Uashingtonin. Ajo që kam parë unë është se Ballkani Perëndimor është kthyer sërish në axhendat tona. Nuk është si duhet të jetë, por ne nuk duhet të trembemi nga përgjegjësitë që kemi, sidomos nga shqetësimet që kanë vetë vendet. Kështu që kur të vijë vjeshta dhe njerëzit të jenë kthyer nga pushimet, diskutimet do të vazhdojnë duke dhënë mbase edhe përgjigjet.

Deutsche Welle. Ju vazhdoni të merreni me Ballkanin Perëndimor? Ekziston ndonjë plan për Ballkanin Perëndimor?

Ambassador Kais Sauer: Unë i ndjek zhvillimet në rajon. Unë mendoj se për arsye të ndryshme fokusi ndërkombëtar është duke u kthyer në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shumë aktorë janë përfshirë në të. Ju me siguri keni vënë re se janë publikuar shumë studime dhe artikuj. Unë do të përmendja një studim të bërë nga EastËest Institute, që jep disa rekomandime për administratën amerikane.

Deutsche Welle: Po, unë kam qenë në prezantimin e studimit. Por, aty askush nuk foli për ndryshime kufijsh.

Ambassador Kai Sauer: Po. Shumë autorë dhe akademikë që kanë shqyrtuar me kujdes situatën, shprehin rezervat e tyre dhe duan të jenë të kujdesshëm kur flasin për ndryshim kufijsh. Sipas studimeve, kjo nuk është një alternative popullore.

Deutsche Welle: A kanë Kombet e Bashkuara ndonjë plan për Kosovën?

Ambassador Kai Sauer: Ndikimi i OKB-së është i kufizuar. Kombet e Bashkuara janë ekzekutuese, jo vendimmarrëse. Vendimet i marrin vendet anëtare dhe OKB i zbaton ato. Zyrtarisht OKB i detyrohet rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, të adoptuar më 1999. Duke qenë taksapagues për OKB-në unë shtroj pyetjen nëse burimet e shterueshme të OKB-së, janë shpenzuar si duhet në zbatimin e kësaj rezolute dhe mbajtjen e operacioneve paqeruejtëse. Ka vite që ne nuk na duhet një operacion paqeruajtës në Kosovë. Operacioni paqeruajtës i OKB-së nuk është model për zgjidhjen e problemeve të Kosovës. Institucionet evropiane duhet të jenë në gjendje ta marrin situatën në dorë.

Kai Sauer është diplomat finlandez. Ai është shefi i misionit të Finlandës në OKB. Ambasadori Kai Sauer ka qenë asistent i Harri Holkerit dhe Marti Ahtisaarit në misionin e UNMIK-ut dhe shef i grupit të analizave dhe studimeve strategjike të UNMIK-ut