Ballkani Perëndimor para një mundësie historike

Në raportin e strategjisë së Zgjerimit të Komisioni Evropian që pritet të publikohet të martën në Strasburg, Brukseli ka për qëllim të përshpejtojë ndjeshëm proceset pranimit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që përfshinë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Bosnjën e Hercegovinën

“Një integrim i vendeve Ballkanit Perëndimor në BE është në interes të Bashkimit në nivel politik, por edhe për sigurinë dhe ekonominë”, thuhet në dokumentin e titulluar ‘Një perspektivë e besueshme e zgjerimit për vendet e Ballkanit”, shkruan Die Welt.

Serbia dhe Mali i Zi tashmë mund të hyjnë në Bashkimin Evropian në vitin 2025 nga pikëpamja e Komisionit Evropian. Fjalë për fjalë, dokumenti thekson se “me një vullnet të fortë politik, me zbatimin e reformave dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura me fqinjët, vlerësohet se Mali i Zi dhe Serbia do të jenë gati për anëtarësim deri në vitin 2025”.

Sipas mendimit të Komisionit Evropian, Ballkani Perëndimor aktualisht ka një mundësi historike për të lidhur në mënyrë të vendosur dhe të parevokueshme të ardhmen e tij në BE.

Megjithatë, për ta bërë këtë, duhet të zbatohen një sërë reformash dhe përshpejtimi i tyre. “Në mënyrë që këto vende të përmbushin të gjitha kriteret e pranimit dhe forcojnë demokracinë e tyre, nevojiten reforma të gjera dhe bindëse në fusha kyçe si sundimi i ligjit, konkurrenca dhe bashkëpunimi rajonal”. Në veçanti, Komisioni gjithashtu bën thirrje për “një marrëveshje ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Serbisë dhe Kosovës”.

Sipas Die Welt, Komisioni Evropian po angazhohet për të zhvilluar dokumentin mbi pranimin e Ballkanit Perëndimor. “BE-ja do të rrisë ndjeshëm mbështetjen e saj për një proces transformimi në Ballkanin Perëndimor”, thotë dokumenti. Për këtë qëllim, Komisioni ka zhvilluar një ‘Plan Veprimi’ të detajuar me katër faqe për vendet. Plani përcakton udhëzime konkrete për të ndihmuar vendet të forcojnë sundimin e ligjit, të përmirësojnë zhvillimin socio-ekonomik dhe të rrisin përfshirjen e tyre në çështjet e refugjatëve dhe të sigurisë deri në fund të vitit 2020. Në mënyrë të veçantë, Brukseli u bën thirrje vendeve të “krijojnë qendra koordinuese kombëtare për kontrollet kufitare” ose të punojnë më ngushtë me ekspertë ligjorë nga vendet e BE-së.

Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian njoftoi masa konkrete për reformat brenda Bashkimit. Në vjeshtën e vitit 2018, për shembull, agjencia synon të paraqesë një komunikim në të cilin rekomandon që Shtetet Anëtare të BE-së të vendosin më fuqishëm me shumicë të cilësuar dhe jo me unanimitet. Në tetor të 2018-së, Komisioni gjithashtu dëshiron të paraqesë ‘një iniciativë’ për të forcuar sundimin e ligjit në BE. “BE-ja tani duhet të sigurojë që, nga pikëpamja institucionale, është e gatshme të mirëpresë shtetet e reja anëtare, pasi ta kenë bërë këtë kanë përmbushur kushtet e pranimit”, thuhet në dokument.

Njerëzit janë alienë – dhe ne u sollëm në Tokë mijëra vjet më parë (video)

Zhvillimi i aftësisë për t’i shprehur mendimet përmes gjuhës së shkruar është një nga mënyrat e para në të cilat njeriu u dallua nga mbretëria e kafshëve. Pesëmijë vjet që nga atëherë, njerëzit kanë zhvilluar elektricitetin, kanë ndarë atomin, kanë zhvilluar kompjuterë dhe kanë çuar njerëz në hënë. Ne kemi arritur gjëra që speciet e tjera nuk e kanë bërë

Asnjë specie tjetër në Tokë s’mund të arrijë kaq shumë në një periudhë të shkurtër kohore. Madje, krahasuar me speciet e tjera në Tokë, “evolucioni” ynë është relativisht i shkurtër. Janë bërë vetëm disa miliona vjet prej kur hominidi i parë eci në Tokë. Madje kjo është një nga pyetjet më të mëdha shkencore: Pse vetëm speciet tona kanë evoluar në këtë inteligjencë të avancuar teknologjike?

Nuk ka specie më të avancuara në Tokë, kjo është e qartë. Edhe pse ka specie të tjera “inteligjente” në Tokë, asnjëra nga to nuk e përdorë teknologjinë si ne. Vetëm imagjinojeni për një sekondë, nëse për ndonjë arsye, njerëzimi do të kthehej në xhungël dhe të mbijetonte aty. Shumë ekspertë pajtohen se shumica e tyre nuk do të mbijetonin për një kohë të gjatë.

Shumë shkencëtarë pajtohen se njerëzit, edhe pse kanë inteligjencë të lartë, nuk janë në gjendje të përshtaten në shumë mjedise. Me fjalë të tjera, ne jemi të kufizuar kur është fjala për planetin tonë.

Pavarësisht inteligjencës sonë mahnitëse, biologët kanë vërejtur kontraste mes psikologjisë së njerëzve dhe kafshëve të tjera në Tokë. Shumë shkencëtarë pajtohen se krahasuar me speciet e tjera, njerëzit janë të çuditshëm.

Për shembull, kur lind një foshnje kali, ajo është në gjendje të ecë dhe funksionojë pothuajse në mënyrë krejt të pavarur, por kjo është diçka që një foshnje njerëzore nuk mund ta bëjë, gjë që na bënë neve goxha të paaftë.

Me fjalë të tjera, ne lindim para se të jemi neurologjikisht gati për jetë. Shumë studiues thonë se ka shumë dobësi të cilat vijnë me inteligjencën tonë.

Njerëzit në Tokë eventualisht u bënë dykëmbësh, duke i larguar kështu ekstremitetet e paraardhësve, duke na e bërë të mundur që të manipulojmë objekte, të krijojmë vegla dhe më shumë.

Por për gjithë këtë, ekspertët besojnë se ne u desh të paguajmë një çmim të madh. Dhimbja e mesit është një shenjë që tregon shumë rreth specieve tona. Kafshët e tjera në Tokë nuk e kanë këtë problem. Sikurse vetëm njerëzit janë të prekur nga ky problem.

E çka do të thotë kjo? Sipas një eksperti, kjo do të thotë se ne jemi alienët të cilët po i kërkojmë që një kohë të gjatë. Një teori e re e propozuar nga Dr. Ellis Silver thotë se ka shumë shenja që tregojnë se njerëzit nuk evoluuan bashkë me format e tjera të jetës në Tokë.

Libri i quajtur “Njerëzit nuk janë nga Toka: Një evoluim shkencor i dëshmisë” është një rezume me teori dhe shumica prej tyre kundër evolucionit të njeriut në Tokë.

Në libër, ekologu Dr. Ellis Silver ka tri hipoteza dhe shtatëmbëdhjetë faktorë që sugjerojnë se NJERËZIT NUK JANË NGA TOKA. Sipas Dr. Ellis, njerëzit mund të vuajnë nga dhimbja e shpinës dhe mesit për shkak se speciet tona evoluuan në një tjetër planet me gravitet më të ulët.

Ai thotë se është e çuditshme që të porsalindurit kanë koka më të mëdha, duke e bërë kështu më të vështirë për nënën që lind foshnjën, gjë që nganjëherë mund të rezultojë në fatalitet të nënës dhe foshnjës.

E prej nga vijmë ne? Sipas Dr. Ellis, neandertalët u kryqëzuan (u bënë hibridë) me specie të tjera, ndoshta nga sistemi diellor Alfa Centauri – që është një nga sistemet më të afërta diellore me Tokën – në të kaluarën e largët, duke iu dhënë jetë kështu njerëzve modernë, transmeton Gazeta Express.

Sipas Dr. Elliot, ka miliona njerëz nëpër botë që “ndjehen” sikur nuk i përkasin Tokës. Dr. Elliot shpjegon:

“Kjo tregon (të paktën për mua) se njerëzimi mund të ketë evoluar nga një planet tjetër, dhe se ne jemi sjell këtu si specie shumë të zhvilluara. Një arsye për këtë është se Toka mund të jetë një planet burg, pasi që ne jemi të lindur për qenë të dhunshëm dhe se jemi këtu derisa të mësohemi si të sillemi”.
Dr. Ellis përfundon se njerëzimi nuk evoluoi nga një formë e veçantë e jetës, por evoluoi diku tjetër dhe u transportua në Tokë (si homo sapienë shumë të evoluar) rreth 60,000-200,000 vjet më parë.

Për më tepër, siç theksohet nga Robert Sepher, sipas sekuencimit modern të ADN-së, është dëshmuar se njerëzimi nuk është vetëm një “racë” që ka prejardhjen nga i njëjti paraardhës në Afrikë, por një specie e hibridizuar, me një të vërtetë shumë më enigmatike prapa tij. /Express

Dy Arvanitas të mëdhenj të Greqisë

Sa më poshtë po sjellim me shkurtime dy tekste të dy shqiptarve të mëdhenj të Greqisë, Jorgo Maruga dhe Aristidh Kola. Këto dy shkrime janë publikuar në Revistën Arbëreshe Lidhja, në muajin Nëntor 1984

Greqia dhe Shqipëria: Popuj kufitarë

Nga Jorgo Marougas

Dy popuj vëllezër, grekët dhe shqiptarët, numërojnë ditët e vetmisë së tyre në këtë pjesë fundore të Evropës. Të kapur pas maleve me legjenda ndërmjet tokës dhe qiellit, ata janë të preokupuar të ruajnë të paprekur diferencat e tyre psikologjike dhe mëndësitë. Uliksa bashkëkohorë, ruajnë dhe mbrojnë me kokëfortësi gjuhët e tyre të lashta, zakonet e tyre, kostumet, traditat, bindjet, besimet shekullore dhe impenjimet e përditshme kundër “agresionit” të kristianizmit dhe marksizmit. Larg nga këngët magjepse të sirenave, ata rithërrasin në kujtesë me hiperbolizëm por me të drejtë, ditët e lavdishme dhe kërkojnë pa u lodhur origjinën e largët të qytetërimit të tyre ilir.

Dy popuj që nuk tërhiqen mbrapsht por mbrohen në mënyrë active. Sidomos shqiptarët, pastaj grekët, të cilët po adoptohen me joshjen e kulturës perëndimore. Të dy e dinë që që përbëjnë dy ishuj gjeografikë dhe aritmetikë jo me shumë vlerë ndër familjet gjigande të Evropës dhe Mesdheut : anglosaksonët, gjermanët-gotë, sllavët, popujt me origjinë latine, arabët-muslimanë. Por tërheqja mbrapsht e tyre do të thotë ; të anullosh mijëra vite të historisë, të zhvlerësosh qytetërimin e tyre, zhdukjen e vecantisë së identitetit të tyre. E dinë që hezitimi do të thotë asimilim, neglizhencë, shfarosje. Ndaj e vetmja armë që mbetet në duart e tyre është rezistenca dinamike.

Dy popuj vëllezër

Dy popuj të vetmuar, vëllezër gjaku . po, kështu është. Kush mund ta kundërshojë ? Në fakt të huajt, pushtuesit politikë dhe historikë, qoftë armik dhe mik, nuk ka mundur ti ndajë. Popujt tanë e dinë, e ndjejnë, e jetojnë. I nderuari Panajotis Canellopoulos e nënvizoi së fundmi duke thënë “ gjak i bollshëm shqiptar rrjedh në venat e grekëve”. Edhe Andrea Papandreu konfirmoi “ Ne grekët jemi shqiptarë” rreth njëzet kryeministra gerkë kanë gjak shqiptarë. Shqiptarët janë shumica dërrmuese e luftëtarve dhe heronjve të 1821 grek. Personalitete supreme të shpirtit grek i përkasin origjinës shqiptare., Nga ana tjetër “gjaku I bollshëm” grek rrjedh në venat e shqqqiptarve themi ne. Në luftën për clirimin e Shqipërisë, shumë janë luftëtarë grekë…

Të vetëm dhe të dashurit e së njëjtës nënë, grekë dhe shqiptarët . Kordonin e kërthizës e kanë të përbashkët që i ka gjeneruar. Eshtë e përbashkët sinteza bazike e gjakut të grekëve,

shqiptarve, vllehëve. Bashkë janë pjekur dhe bërë burra në të njëjtat luftra kundër armiqëve, besimeve dhe marshimeve të historisë. Sekuenca shekujsh I kanë ushqyer dhe I kanë rritur në ambicje, ideale, pritjet dhe ëndërat.

Sot asgjë nuk i bashkon

Pa dyshim dy popuj vëllezër, grekët dhe shqiptarët. Por kontraditë e hapur, e vërtetë e helmuar; ditët e vetmisë sonë i numërojmë të ndarë. Edhe pse vëllezër jetojmë të ndarë njëri nga tjetri, të plaçkitur nga propaganda plot iluzione dhe profane. Ndërkohë asgjë nuk na ndau, sot asgjë nuk na bashkon…

Patras, Greqi. 29.02,1984

(kjo analizë e thelluar e Jorgo Maruga është më voluminoze se ky tekst i risjellë këtu, në analizën origjinale, përfshihet një historik shumë planësh i mardhënieve historike Shqipëri-Greqi, momentet kyce, reprociteti, figurat historike dhe ndikimet e tyre)

RRENJA JONE

Nga Aristidh Kola

Rrënjë e fortë arbërore

Kush mund të të presnj ?

Kush mund të të fshehnj?

Kush mund të të pështronj?

Rrënjë e fortë arbërore lulje e fleta meta nxorre

Rrënjë e fortë Arvanite

Rrënjë e burrave të motit

Rrënjë Heraklliut e Akillefit

Rrënjë e Alksandroit dhe Kastriotit

Rrënjë e fortë Arvanite

Nga merr shpirt e meta rrite ?

Rrënjë e fortë shqipëtare

Rrënjë e Bocarit e Bubullimës

Rrënjë e fjalës e besalidhës

Rrënjë e bukurisë dhe trimëresës

Rrënjë e fortë shqipëtare

Nga ajo jetë nuk u bare

Rrënjë e argjendtë të Greqisë

Hiu e pluhuri t’Anatolisë

Të pështroi, të luftoi, nuk të mundi

Nuk të shuajti nga jeta

Rrënjët e argjendtë të Greqisë

Ajo je të Shqipërisë dhe të Arbërisë

Me gur-madhe të keinë pështruar

Thaanë seu buarsh nga jeta

Thanë se u thajte, thanë se vdiqe

Vunë një pemë të hollë në varr

Edhe thanë “kjo ishte nga rrënjë e parë”

Rrënjë e fortë, rrënjë e argjendtë

Hape dhenë e cajte gurin

Dhe ne diell nxorre kurmin

Nxore kllara, nxorre fleta

Bekuar rrënjë e bekuar nga Mëmë-Dhe

Bekuar rrënjë nga Zoti Diell

Bekuar rrënjë me ujin e Detit../Përgatitur nga Brizida Gjikondi

Athinë 1984

Erdogan: Operacioni në Afrin nuk ka synime pushtuese

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka thënë presidentit francez, Emmanuel Macron, se operacioni i ushtrisë turke brenda Sirisë me qëllim të pastrimit të “elementeve terroriste”, nuk është konceptuar për të marrë përjetësisht territorin sirian

Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu, ka raportuar më 3 shkurt se Erdogani i ka thënë Macronit në një bisedë telefonike, se Turqia “nuk e ka syrin në territor të ndonjë shteti tjetër”.

Më 20 janar, Turqia ka nisur një operacion tokësor dhe ajror kundër anëtarëve të Njësiteve për Mbrojtjen e Popullit (YPG) në rajonin Afrin të Sirisë që kontrollohet nga kurdët.

Ankaraja ka thënë se forcat e saj janë përkrahur nga Ushtria e Lirë Siriane (FSA), e cila synon ta rrëzojë nga pushteti, presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Turqia e akuzon YPG-në, se ka lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), e cila ka zhvilluar kryengritje në juglindje të Turqisë për më shumë se 30 vjet.

Po ashtu, PPK-ja njihet edhe si grup terrorist nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Mirëpo, aleatët perëndimorë të Turqisë kanë punuar ngushtë me luftëtarët e YPG-së në betejën kundër ekstremistëve të grupit militant, Shteti Islamik, dhe nuk e konsiderojnë atë grup terrorist.

Macron ka thënë javën e kaluar në një intervistë, se Franca do të përballej me “problem real” nëse fushata turke do të rikthehej në “operacion pushtues”.

Pas deklaratave të liderit francez, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka thënë se Franca nuk ka të drejtë “të na jap mësime” në operacionin jashtë kufijve, duke cituar historinë koloniale të Francës.

Këto komente kanë ardhur në mesin e raportimeve se shtatë ushtarë turq janë vrarë më 3 shkurt në përplasjet kundër luftëtarëve kurdë në Siri.

Portali kurd i lajmeve, Rudaw, ka cituar ushtrinë turke të ketë thënë se pesë ushtarë janë vrarë gjatë një sulmi në një tanke turke. Dy të tjerë janë vrarë më herët gjatë ditës në përleshje të ndara.

Nëse konfirmohet, vdekjet do të dërgonin në 14 numrin e ushtarëve turq të vrarë gjatë operacionit në rajonin Afrin.

Në anën tjetër, Qeveria turke ka kundërshtuar një raport nga organizata “Human Rights Watch” më 3 shkurt, se rojet kufitare turke janë duke shtënë në mënyrë indirekte dhe janë duke kthyer me forcë azilkërkuesit që po tentojnë të kalojnë në Turqi.

Zëdhënësi i Erdoganit, Ibrahim Kalin, u ka thënë gazetarëve se ushtarët turq janë aty për të mbrojtur këta persona dhe se Ankaraja ka pasur “politikën e dyerve të hapura”, që nga fillimi i luftës civile në Siri më 2011.

10 profiterë të shtetit shoqërojnë një garues të vetëm në Lojërat Olimpike në Korenë e Jugut

​Suksesin e një sportisti të Kosovës e kanë shfrytëzuar së paku dhjetë zyrtarë të shtetit. Ata do të shkojnë në Korenë e Jugut bashkë me skitarin Albin Tahiri, si pjësëmarrës në Lojërat Olimpike Dimërore. Pyetja është: pse duhet kaq shumë zyrtarë të Shtetit të shkojnë në një ngjarje kur merr pjesë vetëm një sportist

Zëdhënësi i Komitetit Olimpik të Kosovës Kushtrim Krasniqi ka konfirmuar për Gazetën Express se në Lojërat Olimpike Dimërore që do të mbahen nga data 9 shkurt në Korenë e Jugut, do të udhëtojnë 10 zyrtarë me skitaristin e vetëm që do ta përfaqësojë Kosovën, Albin Tahirin. Shtatë prej tyre janë nga Komiteti Olimpik i Kosovës, ndërsa tre mysafirët tjerë janë zyrtarë shtetërorë.

Sipas Krasniqit, tre anëtarë të delegacionit 11-anëtarësh kosovar që shoqëron të vetmin garues në Lojëra, do të qëndrojnë në Fshatin Olimpik (së bashku me skitarin). Këta janë zyrtari për media, shefi i misionit dhe trajneri Agim Pupovci.

Ndërkaq, presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të Komitetit, Shasivar Haxhijajn, si dhe dy anëtarë tjerë të bordit, do të shkojnë në Korenë e Jugut me ftesën e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

“Lajmi se do të shkojnë 16 zyrtarë nuk është aspak i vërtetë. Në Korenë e Jugut do të udhëtojnë shtatë persona bashkë me Albin Tahirin, ndërsa vetëm katër do të vendosen në Fshatin Olimpik: zyrtari për media, shefi i misionit, Bujar Turjaka dhe trajneri, Agim Pupovci. Kurse kryetari, Besim Hasani, sekretari i përgjithshëm i Komitetit, Shasivar Haxhiaj dhe dy anëtar tjerë të bordit të Komitetit Olimpik, kanë ftesë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Hasani do të qëndrojë vetëm nëceremoninë hapëse, kurse dy anëtarët do të qëndrojnë për një kohë të shkurtër. Do të marrë pjesë edhe një sponsor, prej katër të tillëve”, ka deklaruar Krasniqi për Express.

Ai ka treguar se do të shkojnë në Lojërat edhe Presidenti Hashim Thaçi, me një këshilltar, si dhe Veton Firzin, si zyrtar i Ministrisë së Sportit.

“Si përfaqësues i shtetit të Kosovës, pritet të vijë Presidenti me një anëtar apo këshilltar, dhe zyrtari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Veton Firzi”, shtoi Krasniqi, i cili tregoi se ftesë kishte edhe Kryeministri Ramush Haradinaj, porse ai nuk do të marrë pjesë.

Thaçi do të qëndrojë vetëm për ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore.

Sipas Krasniqit, bazuar edhe në pjesëmarrjen e komiteteve të shteteve tjera që kanë nga një apo dy sportistë, “ne jemi Komiteti Olimpik me më së paku sportistë dhe zyrtarë që udhëtojnë në PyeongChang”.

Kosova do të debutojë në Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang 2018”, të cilat do të mbahen prej 9 deri më 25 shkurt 2018 në Korenë e Jugut.

Ekipin olimpik të Kosovës do ta përfaqësojë skitari Albin Tahiri, i cili ka fituar normën olimpike në pesë disiplina të skijimit alpik: sllallom, sllallom i madh, super sllallom i madh, lëshim i shpejtë dhe kombinim alpik. /Gazeta Express/

AAK e Nisma i’a lënë Pacollit hapur derën e largimit nga koalicioni qeverisës

Ministri i jashtëm njëherësh presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ditë më parë në një emision televiziv “kërcënoi” kryeministrin Ramush Haradinaj me dalje nga koalicioni qeveritar

Këto komente ai i kishte bërë derisa po fliste për mundësinë e zgjidhjes së demarkacionit dhe liberalizimin e vizave, që janë dy çështje që ndërlidhen mes vete. “Nëse nuk ratifikohet demarkacioni dëmet do të jenë të pariparueshme. Do t’i humb kuptimi kësaj qeverie”, kishte deklaruar Pacolli.

E kërcënimeve të partnerit qeverisës nuk po u frikësohen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Social Demokrate. Madje shefi i grupit parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi ia ka lënë dyert e largimit hapur AKR-së.

Sherifi ka thënë për lajmi.net se secili partner “hynë kur donë, dhe del kur donë”. “Hyrja në koalicion ka qenë vullnetare, edhe dalja eventuale e cilit do partner qeverises duhet te jete vullnetare. Kjo është demokracia. Secili hyne kur donë dhe del kur donë”, ka thënë Sherifi.

Për paralajmërimet e Behgjet Pacollit ka komentuar edhe nënkryetari i AAK-së, që po ashtu mban pozitëm e ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj. Ai ka thënë se në qeveri partnerët nuk janë për tu shtyrë me deklarata, por siç thotë ai, për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve. “Pra jemi në qeveri jo për tu shtyrë me deklarata, por për të zgjidhur problemet me të cilat përballen qytetarët tanë”, ka thënë Lekaj për lajmi.net

Lekaj ka theksuar se qeveria është në “vlugun e punëve”, duke përmendur këtu edhe krijimin e Ushtrisë.
“Ne jemi në vlugun e punëve si Ministri e infrastrukturës dhe nuk jemi në kohën me të mirë ti komentojmë deklaratat politike të askujt në qeveri. Ajo çka mund të thuhet është se të tërë jemi në angazhime që të përmbushim synimet që ia kemi dhënë vetës, e që është, kompletimi i Kosovës në të gjitha segmentet që i posedon një shtet normal. Kosova do ta ketë ushtrinë, do të ndodhë liberalizimi, do të ndodhin investime, siç e kemi rastin më “Kosovën e Re” dhe kështu”, thotë Pal Lekaj.

Lajmi.net ka provuar të kontaktojë edhe me zyrtarët e lartë të PDK-së si Enver Hoxhajn apo Memli Krasniqin, por asnjëri nga ta nuk e kanë hapur telefonin. Ndryshe, partia e fundit që iu bashkua koalicionit PAN për ta formuar qeverinë ishte pikërisht AKR-ja e Behgjet Pacollit, e cila njëherësh zgjidhi krizën politike disa javore në vend.

Aleanca Kosova e Re ia “pa hairin” këtij koalicioni duke marrë katër ministri dhe pozitën e zëvendëskryeministrit. Ndërsa në Kuvend AKR-ja i ka vetëm dy deputetë. /lajmi.net

Blerim Destani me baba dhe vëlla më të pasur se Silvio Berlusconi

Kush është më i pasur Silvio Berlusconi apo Lazim Destani? Kjo është pyetja që mediat bëjnë shpesh kur vjen puna për të krahasuar pasuritë marramendëse të ish-Kryeministrit të Italisë dhe babait biznesmen të aktorit të njohur, Blerim Destani

Mediat italiane dhe europiane, kanë bërë një krahasim në çmim mes lojtarëve të Milanit dhe “Shkëndijës” që administrohet nga Lazimi, duke vendosur përballë profilet e ish-pronarëve të dy skuadrave të futbollit. Ata e kanë quajtur Destanin si “bosi i madh i Shkëndijës së vogël”, duke shkruar se pasuria e tij mund të krahasohet edhe me pasurinë e ish-pronarit të Milanit, Silvio Berlusconi.

Mediat italiane kanë theksuar faktin se pasuria e Destanit mund të jetë deri në 6 miliardë euro, duke theksuar faktin se me këtë pasuri Destani mund të konkurrojë Berlusconin dhe se është shumë më i pasur se pronari aktual i AC Milanit, kinezi Yonghong Li, pasuria e të cilit vlerësohet në 500 milionë dollarë.

Aktori 37-vjeçar, i rritur në Gjermani, atje ku zhvillon dhe karrierën, njihet për rolet në filmat “Koha e kometës” dhe “Dosja K”. Ai bën përshtypje për jetën superluksoze nga një shtet në tjetrin dhe pushimet e shpeshta në shtëpinë e tij në Dubai. Ai është i vetmi artist i familjes së famshme Destani, e cila përbëhet nga nëna, babai dhe dy vëllezër biznesmenë të pasur.

Së fundi, një prej vëllezërve të aktorit, Nazif Destani, është përfolur si shqiptari më i pasur në botë, pasi, sipas Forbes, pasuria e tij shkon mbi 3 miliardë dollarë. Edhe pse është kaq i pasur, ndryshe nga Blerimi, fama nuk i intereson aspak, pasi shumë pak persona e njohin.

Nazifi është djali i Lazim Destanit nga Maqedonia, që numëron biznese të suksesshme në 39 shtete të botës. Të gjithë ata që i njohin burrat e kësaj familjeje miliardere, e dinë se truri i sipërmarrjeve të familjes Destani është Nazifi.

Dëshira e tij për të mbajtur një profil të ulët publik, ka bërë që si përfaqësues të njihet i ati. Për herë të parë për Nazifin u fol vitin e kaluar me prezencën e tij në pritjen e 20-vjetorit të emisionit “Opinion”. Me sa duket, Nazifin e lidh një miqësi me gazetarin Blendi Fevziu, pasi ftesës së tij ai iu përgjigj më praninë në festën e organizuar në bulevardin e Tiranës, ku u pikas nga fotografët.

Të gjitha bizneset dhe pasuria disa miliardëshe, e vënë në 25 vjet

Lazim Destani është biznesmeni i suksesshëm me prejardhje nga Malësia e Sharrit të Tetovës. Ai dhe familja e tij drejtojnë një rrjet ndërkombëtar biznesesh, që veprojnë në sektorin e shërbimeve, inxhinierisë dhe ndërtimit, energjetikës e logjistikës, me mbi tridhjetë ndërmarrje aktive në tregun global që shtrihen në Gjermani, SHBA, Zvicër, Dubai, Turqi, Maqedoni, Liban, Kuvajt, Rusi, Mongoli dhe Kinë.

Për t’u veçuar është njëra nga kompanitë e familjes, e cila për më shumë se një dekadë, është kontraktori kryesor në mega projekte për shërbime teknike, logjistike, infrastrukturë të përkohshme dhe permanente e kështu me radhë të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, “Ecolog-International”. Në të gjitha bizneset punësohen mijëra punëtorë, nga mbi 25 nacionalitete të ndryshme. Lazim Destani nuk është vetëm një biznesmen i suksesshëm, por gjithashtu edhe një filantrop i vërtetë, i cili beson se gjithsecili ka përgjegjësi personale për të kontribuar në zgjidhjen e çështjeve sociale.

Ai, që në fillimet e karrierës së tij të biznesit, 25 vite më parë, u erdhi në ndihmë personave në nevojë dhe çdo vit ka ndarë një pjesë të fitimeve të bizneseve të tij për qëllime bamirësie, mbështetje të projekteve kulturore dhe të arsimit, si dhe atyre të ambientit. Destani, po ashtu është njëri prej aksionerëve kryesor në gazetën “Zëri i Kosovës” së bashku me biznesmenin Remzi Ejupi. Familja Destani po ashtu ka në pronësi edhe klubin futbollistik “Shkëndija” nga Tetova, shkruan ‘panorama plus’.

Duke qenë se imazh të familjes kanë babanë, Lazimin, në fund të vitit 2017-të, Universiteti Shtetëror i Tetovës i dha atij titullin “Doctor Honoris Causa”, i njohur si pronari i kompanisë “Ecolog”. Sipas një faqeje amerikane jozyrtare “Zoominfo”, pasuria e familjes Destani llogaritet nga 1 miliard deri 5 miliardë dollarë amerikanë.

Ahmetit i vihen afate: Të përcaktohet se me cilin krah do të shkojë

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, po vazhdon të mos tregojë guxim dhe të përcaktohet nëse do të qëndrojë në Vetëvendosje, apo do t’i bashkohet krahut që tashmë po bëhet gati të formojë gurp të ri parlamentar në Kuvendin e Kosovës, e më pas edhe një subjekt të ri politik

Prej se kanë filluar të dalin në publik përçarjet brenda Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti në ato pak raste që është deklaruar për këtë çështje, edhe pse i rezervuar dhe i papërcaktuar qartë, ka lënë të nënkuptohet se më shumë ndihet i përfaqësuar me grupin që janë pozicionuar kundër liderit të kësaj partie Albin Kurti.

Tani kur krahu i përbërë prej më shumë se 10 deputetë dhe një kryetar komune ka vendosur që të braktisë përfundimisht Vetëvendosjen, dhe të organizohet ndaras politikisht, siç mëson Gazeta Metro, i ka vënë afate Shpend Ahmetit, që të përcaktohet sa më shpejt, nëse është i gatshëm të u bashkangjitet apo jo, ngase nuk do ta presin edhe gjatë.

Mos guximi i Ahmetit për t’u përcaktuar ka bërë që krahu i ish-kryetarit dhe ish-sekretarit të VV’së të vonohen në organizimin e tyre të ri politik, jashtë subjektit ku kanë vepruar prej vitesh.

Gazeta Metro mëson se Ahmetit i është thënë që nëse nuk vendos gjatë kësaj jave, apo më së largu në fillim të javës së ardhshme se kah do të shkojë, krahu i Ymerit, Molliqajt dhe të tjerëve, do të fillojnë organizimin e tyre të ri politik, dhe kryetarin e Prishtinës nëse më vonë do t’i mbushej mendja që t’i bashkohej këtij grupimi, nuk do të ishte e lehtë t’i gjendej pozicion në parti, sikurse po ta bënte këtë në fazën e tashme kur të gjithë do të pozicionoheshin si grup.

Ahmeti si kalkulues i madh në politik dhe si natyrë e paguximshme, edhe pse më shumë po ndihet i përfaqësuar me krahun politik që po e braktisin Vetëvendosjen, po i frikohet sulmeve dhe linçimeve që do të merrte pas daljes nga partia e Albin Kurtit.

Megjithatë, edhe pse Ahmeti si natyrë më shumë preferon të zgjedhë rehatinë se sa të ndërmarrë rreziqe në politikë, nuk po ndihet i përmbushur të qëndrojë as në Vetëvendosjen që do të ngelet pas ndarjes.

Ahmeti si profil politik liberal, i shkolluar në Harward dhe i futur në politikë nga shoqëria civile, nuk është se po ndihet i përmbushur që të veprojë politikisht në një subjekt i cili do të drejtohet nga figura politike si Ismail e Sami Kurteshi, Hydajet Hyseni, Xhelal Sveçla e Hysen Durmishi.

Në anën tjetër në grupin që po dalin nga Vetëvendose, tashmë janë të pozicionuar edhe bashkëpunëtorët e tij të ditëve të para të aktivizmit politik, si Dardan Sejdiu e Fisnik Ismaili.

Ahmeti deri tani ka provuar të paraqitet si një figurë e cila po punon për ta mbajtur të bashkuar Vetëvendosjen. Por, kur kjo më është bërë e qartë se nuk do të mund të ndodhë, atij po i kërkohet që ta lë këtë paraqitje, dhe të vendos sa më shpejt nëse do të i bashkohet krahut të Ymerit e Molliqajt apo jo.

Siç mëson Gazeta Metro, nëse Ahmeti i bashkohet këtij krahu, atëherë atij do t’i jepet një rol udhëheqës në këtë grupim politik, me shumë gjasë pozicioni i kandidimit për poste udhëheqëse ekzekutive, si ai i kryeministrit. /Gazetametro.net

Reagimet kundër Ligjit për shqipen, dëshmojnë ndarjet e thella etnike

Partitë politike në pushtet ende pa zgjidhje lidhur me 35 mijë amendamentet e VMRO-së opozitare kundër propozim – ligjit për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike, me të cilin pritet avancimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Përgjigja e vetme që vjen nga institucioni ligjvënës është se shërbimet ende janë duke përkthyer amendamentet, që u parashtruan pas refuzimit të presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov, për dekretimin e ligjit që ishte miratuar muajin e kaluar

Nga VMRO-ja kanë thënë se amendamentet e tyre bazohen në vërejtjet e presidentit, por në opinionin e gjerë veprimi i tillë i partisë opozitare, që drejtohet nga Hristijan Mickovski, interpretohet si vazhdimësi e politikës së ish -kreut të kësaj partie, Nikolla Gruevski.

Përveç nga partia opozitare, reagime kundër Ligjit për gjuhët ka pasur në vazhdimësi edhe nga qarqe të ndryshme, si intelektual maqedonas, shoqata joqeveritare, si dhe në rrjetet sociale nga qytetarë të shumtë.

Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike, thotë se propozimi nuk cenon Kushtetutën, siç pretendon opozita, ndërsa për gjendjen e krijuar fajëson edhe partitë në pushtet, që, sipas tij, nuk kanë bërë sa duhet për ta bindur opinionin se ligji nuk rrezikon bashkësitë e tjera etnike, para së gjithash maqedonasit.

“Propozim – ligjin për gjuhën po e interpretojnë secili në mënyrën e vet, pavarësisht se partnerët qeveritarë janë pajtuar për zgjidhjen që është në procedurë, por ata nuk po munden t’ia prezantojnë qytetarëve në atë mënyrë që edhe ata ta pranojnë. Unë thellë jam i bindur se ligji nuk prek Kushtetutën apo nuk është kundërkushtues, por këtë nuk po e kuptojnë të gjithë, andaj edhe kjo ka shkaktuar reagime të ndryshme”, thotë Dimovski.

Reagimet, shton ai, po dëshmojnë se shoqëria në vend ende është e ndarë në baza etnike. Mirëpo, siç thotë Dimovski, Maqedonia është shtet shumetnik dhe se këtë duhet ta kuptojnë të gjithë.

“Te ne ende nuk ka pjekuri te qytetarët, e para se gjithash nuk ka pjekuri te politikanët, të cilët ende nuk e kanë të qartë se ne jemi shtet shumetnik dhe vetëm si e tillë, mund të kemi prosperitet. Po ndihet një ndasi e madhe, duke filluar nga arsimi, kemi paralele të ndarë, fëmijë të ndarë në baza etnike, njohja e njëri-tjetrit apo mësimi i gjuhëve të njëri-tjetrit nuk është ende në nivelin e kënaqshëm. Duhet shumë punë për të bërë që të mos thellohen ndasitë. Mendoj se ka ardhur koha që të gjithë ne ta kemi të qartë se bashkësitë etnike në Maqedoni nuk duhet të jetojnë pranë njëri-tjetrit, por njëri me tjetrin”, thotë Dimovski.

Ndërkaq, Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, thotë se kjo që po ndodh në Maqedoni lidhur me gjuhën shqipe, është e papranueshme dhe se LSDM-ja duhet të bëjë shumë më tepër për të dëshmuar se nuk është e koordinuar me VMRO-në. Në të kundërtën, sipas tij, do të jetë e pashmangshme kërkesa për një marrëveshje maqedonase-shqiptare për ta përcaktuar të ardhmen e vendit.

“Pala maqedonase dëshiron t’ua kufizojë shqiptarëve të drejtën natyrore të përdorimit të gjuhës shqipe. Mendoj se këtu ka një marrëveshje mes dy partive politike maqedonase, VMRO-së dhe LSDM-së, andaj edhe inkurajoj kryeministrin Zoran Zaev të vazhdojë me reformat, por jo me njerëz të inkriminuar”.

“Nëse ne dëshirojmë që Maqedonia t’i afrohet Bashkimit Evropian, NATO-s dhe të jetë një shoqëri pa probleme, do të duhet të ketë një marrëveshje mes maqedonasve dhe shqiptarëve që njëherë e përgjithmonë të zgjidhen problemet”, vlerëson Sinani.

Sipas tij, nga mbyllja e çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe, maqedonasit nuk humbin asgjë, përkundrazi kjo do t’i forconte raportet ndërmjet dy komuniteteve.

“Gjuha shqipe e stabilizon Maqedoninë, gjuha shqipe i përmirëson marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Nëse maqedonasit nuk dëshirojnë që gjuha shqipe të jetë zyrtare, atëherë le të shkojmë drejt federalizmit për shkak se ne nuk mund t’i presim ata që vazhdimisht të na i përcaktojnë të drejtat tona”, thekson Sinani.

Propozim – ligji për gjuhët e bashkësive etnike parasheh avancim të theksuar të përdorimit të gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e nivelit lokal dhe shtetëror, si në Qeveri, Kuvend, gjyqësor dhe organe tjera.

SHBA i rikthehet programit të armëve bërthamore, alarmohen Kina dhe Rusia

Në emër të sigurisë amerikane dhe botërore administrata Trump rikthen përdorimin e armatimeve bërthamore

Politika e prezantuar nga Pentagoni parashikon futjen e bombave bërthamore me intensitet të ulët dhe riarmatimin e nëndetëseve me arsenal të raketave balistike bërthamore.

Kështu hidhet poshtë urdhri i ish-presidentit Bush, i cili i dha fund përdorimit të këtyre të fundit, por edhe plani i Barack Obama për çarmatimin e plotë bërthamor.

Ndërkohë që Sekretari i Mbrojtjes, Mattis ka theksuar se strategjia e re ushtarake është kundërpërgjigje ndaj natyrës, doktrinës, strategjisë dhe potencialit bërthamor të Rusisë.

I menjëhershëm ka qenë reagim i Moskës, e cila e dënoi një nismë të tillë, duke e akuzuar Amerikën për veprime luftënxitëse dhe paralajmëroi se do të merren masat e nevojshme në kuadër të sigurisë ruse.

Rusisë iu bashkua dhe Kina duke dënuar planet e porsa shpallura amerikane.

Pekini i kërkoi Uashingtonit që të heqë dorë nga mentaliteti i Luftës së Ftohtë.

“Vendi që zotëron arsenalin më të madh nuklear të botës duhet të ndërmarrë iniciativën e ndjekjes së trendit në fuqi e jo të shkojë kundër tij”, ishte deklarata e Ministrisë së Brendshme kineze.

Kina argumenton nga ana tjetër se politikat e veta janë defensive dhe se Uashingtoni e ka hiperbolizuar natyrën e kërcënimit të saj nuklear.

Ushtria amerikane beson se armët e saj atomike janë shumë të mëdha për t’u përdorur, ndaj kërkon që të zhvillojë bomba të një force shpërthyese më të vogël.

Amerikën e shqetëson fakti që arsenali i saj po vjetërohet, ndaj nuk do të jetë më frikësues kundrejt atyre që i konsideron kërcënime potenciale: Kinë, Rusi, Kore e Veriut dhe Iran.

Nga ana tjetër, dokumenti i Pentagonit argumentonte se armët e vogla me një forcë nën 20 kiloton janë më pak të fuqishme, por mbeten sërish shkatërruese.