Pasi vodhi kromin në minierat e Bulqizës, Samir Mane premton investime në fudboll

Pasi vodhi kromin në minierat e Bulqizës, Samir Mane premton të ngjisë skuadrën bulqizake të futbollit në Superiore (“film” i njohur…)

Samir Mane është njeriu më i pasur i Shqipërisë. Por sic thotë populli i pasuri nuk ngopet kurrë me pasuri dhe i tillë është dhe pronari i “Balfin Group”. Prej vitit 2013, Samir Mane ka shtrirë kthetrat e tij nëpër galeritë e kromit në Bulqizë, duke bërë hatanë, pasi nga ALB Chrom vijnë fitime marramendëse.

Kjësaj i thonë të fitosh miliarda në një zonë ku mjerimi është shumë i madh. Sa më i thellë mjerimi, aq më i madh fitimi i Samir Manes. Për të mos lënë jashtë vëmendjes aksidentet e shumta me pasojë vdekjen, sic ishte rasti i djeshëm ku një minator humbi jetën në zonën D të minierës së Bulqizës.

Informacione të besueshme nga Bulqiza thonë se njerëz të ndryshëm që kanë pasion futbollin i janë lutur Samir Manes të ngrejë skuadrën e këtij qyteti, e cila është aktualisht e shkrirë.

Bashkia që drejtohet nga njerëzit e Ilir Metës, një bandë e organizuar që ka shkatërruar cdo gjë në Bulqizë, nuk kanë investuar për sportin dhe ndihma e Manes, në fakt, mund të jetë vendimtare në këtë drejtim.

Në komunitet qarkullojnë zëra se Mane e ka premtuar ngritjen e skuadrës së Bulqizës e madje do ta cojë atë në Superiore. Kjo bëhet e mundur edhe falë miqësisë së tij me “Bosin” e FSHF-së, Armand Duka.

“Dy të pasur që qajnë hallet e miletit të varfër”, – duket paradoksale, madje një “film” i njohur, megjithëse në Bulqizë ende shpresojnë që Samir Mane ta mbajë premtimin.

Por ditët e muajt ikin dhe miliarderi sikur e ka harruar premtimin e tij. Kjo është e natyrshme, pasi një të pasuri si Samir Mane nuk i intereson skuadra e futbollit e një qyteti të harruar e të shkrumbuar, por nëntoka e pasur e tij.

Kromi çante “bllokadën (imperialisto-revizioniste) para viteve 90-të, nën sistemin monist, kurse sot fut në xhepat e Samir Manes miliona dollarë cdo vit.

E ndërsa kjo përbën një cështje të mprehtë ku pasurohet një individ dhe rreth i ngushtë pushtetarësh që i puthin dorën Samir Manes, shtohen mjeranët në Bulqizë dhe rritet numri i nënave, grave e motrave që veshen me të zeza si pasojë e humbjes së jetëve të fukarenjve në tunelet dhe sgafellat e zeza e të ftohta të nëntokës së Bulqizës.

Kurse Samir Mane na paska menduar të kthejë Bulqizën në futboll e madje ta cojë në Superiore. Kësaj i thonë të tallësh t*rapin me një popull të tërë, pasi ke vjedhur pasurinë e përbashkët të shqiptarëve e në vecanti të asaj zone, por njëherësh ke kapur pozicionet kyce të shtetit nëpërmjet parasë.

Në gjithë këtë histori ka dhe një palë që bën sehir dhe përpiqet të shesë veten shtrenjtë: LSI e Ilir Metës që ka kontrollin e kësaj bashkie nëpërmjet kryetarit lësëist Milaim Damzi, një bandë e organizuar që po e sfilit Bulqizën dhe po i tret kockën asaj.

Në fakt, për të parë mjerimin e vërtetë shqiptar duhet marrë si shembull Bulqiza, ku vidhet me të madhe në kurrizin e fukarenjve që Zoti u ka dhënë një pasuri të madhe e ata nuk e gëzojnë dot.

Sepse kjo pasuri shkon në xhepat e disa pushtetarëve të korruptuar, banditëve të tyre në zonë dhe në llogaritë shumëshifrore të të pangopurit Samir Mane dhe “samirëve” të tjerë që lulëzojnë në këtë vend mbi kurrizin dhe djersën e shqiptarëve. /Pamfleti

Nisi ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan- Haradinaj: Atdheu ynë po bashkohet

Është mbajtur ceremonia inauguruese për hapjen e punimeve të autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu Bardhë. Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, tha se përmes kësaj autostrade po lidhet Anamorava me Kosovën Lindore

Ai shtoi se ky projekt është meritë e të gjitha qeverisjeve paraprake. “Ka diçka qe na bënë me u ndie më mirë sot kur i kujtojmë të rëntë për liri pasi sot na është bashkuar edhe një ndjenjë tjetër. Sot atdheu ynë po bëhet më i bashkuar”, ka thënë Haradinaj, raporton KTV.

Ndërsa Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se autostrada do t’i ndihmojë zhvillimit të bizneseve të kësaj pjese, derisa u bë me dije se projekti do të zgjas rreth 30 muaj vlera e të cilit është 87 milionë euro.

“Si fillim Kosova u bë me Autostradën ‘Ibrahim Rugova’ që lidhet me ‘Rrugën e Kombit’, tash po lidhet me Shkupin përmes autostradës ‘Arbën Xhaferi’ e më këtë autostradë po bëhet lidhja e Prishtinës me Kosovën Lindore”, ka thënë Lekaj.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri premtoi edhe rrugë të tjera si ajo prej Pllakës së Dëshmorëve në Vërmicë të Zhegovcit me Lipjanin.

Pabarazia po thellohet dhe s’ka për t’u ndalur në periudhë afatshkurtër!

Një përqindëshi i më të pasurve të botës do të kontrollojnë rreth 2/3-tat e të gjithë pasurisë së globit deri në vitin 2030. Ky ishte thelbi i një raporti të hartuar nga Biblioteka e Dhomës së Përfaqësuesve, organizmi i kërkimeve shkencore në Parlamentin britanik

Nga Will Martin, për “Business Insider”

Elita globale kontrollon tashmë rreth 50 për qind të pasurisë anembanë botës, por kjo gjë do të rritet ndjeshëm, theksohet në studimin e publikuar e të porositur nga laburisti Liam Byrne.

Nëse trendet e para që prej krizës financiare të vitit 2008 do të vazhdojnë, nënvizohet në raport, i ashtuquajturi “njëpërqindëshi” do të kontrollojë deri në 64 për qind të pasurisë botërore brenda vetëm 12 vitesh.

Sipas “the Guardian”, që raportoi e para këto statistika, pasuria e një përqindëshit të më të pasurve “është rritur me një mesatare prej 6% në vit, shumë herë më shpejt sesa rritja prej 3% e pasurisë së 99 përqindëshit, apo pjesës tjetër të popullsisë botërore”, që prej krizës financiare.

Nëse ky trend vazhdon, atëherë një përqindëshi do të ketë një pasuri të përgjithshme prej 305 trilionë dollarësh, më shumë sesa dyfishi i 140 trilionë dollarëve që kontrollojnë aktualisht në vitin 2018.

“Nëse nuk ndërmarrin hapat për të rishkruar rregullat sesi funksionojnë ekonomitë tona, atëherë jemi të dënuar për një të ardhme që mbetet e pabarabartë në aspektin e të ardhurave”, shkruan komisioneri i raportit, Byrne. “Kjo gjë është moralisht e keqe dhe ekonomikisht shkatërrimtare, duke rrezikuar një shpërthim të ri paqëndrueshmërie, korrupsioni dhe varfërie”.

Vitin e kaluar, kredidhënësi zviceran “Credit Suisse” publikoi një raport, ku theksohej se më të pasurit e botës, ai një përqindshëm i familjeve apo individëve, zotërojnë qysh tani mbi gjysmën e pasurisë globale, e argumentonte gjithashtu se pabarazia po përkeqësohet edhe pas recesionit më të keq global prej thuajse një dekade, që prej viteve 1930.

“Gjysma e poshtme e të rriturve zotërojnë së bashku më pak se një për qind të pasurisë globale, ndërsa shtresa më e pasur (10%-ëshi i të rriturve) zotëron 88 për qind të aseteve botërore”, shkruhej në raportin e “Credit Suisse”.

E thënë ndryshe, “Një përqindëshi zotëron 50.1 për qind të pasurisë familjare në botë”.

Top Channel

Lobimet ruse të PD-së në SHBA, Basha nën hetim

Lobimet e Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të jenë në vëmendje të Prokurorisë, e cila këtë herë ka kërkuar ndihmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, për vazhdimin më tej të hetimeve, raporton gazeta “Sot”

Partia Demokratike akuzohet se është financuar nga kompani ruse, ndërkohë që njëra prej transfertave rezulton të jetë bërë nga një kompani guaskë me aksionarë anonimë e regjistruar në parajsa fiskale.

Në lidhje me dyshimet që janë hedhur për lobimet e demokratëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Drejtoria e Pastrimit të Parave do të verifikojë shumën e parave të transfertave të PD dhe për këtë pritet të skanojë llogaritë bankare. Në një kohë kur deri tani është deklaruar se totali i pagesave për lobim është 675 mijë dollarë, DPPPP do të zbardhë nëse kjo është shuma e vërtetë apo një pjesë e parave është fshehur.

Po ashtu, sipas informacioneve të gazetës një tjetër pikë ku do të fokusohet Drejtoria e Pastrimit të Parave do të jetë edhe “rruga” që kanë bërë paratë dhe burimi i tyre. Deri më tani është deklaruar se PD ka lidhur kontratë me kompaninë e regjistruar në Skoci “Biniatta Trade LP” dhe pagesat janë bërë përmes saj, por më shumë detaje pritet të zbulojë DPPPP.

Në kuadër të hetimeve të nisura për këtë çështje, pak kohë më parë në Prokurori u thirrën për të dëshmuar Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishi.

Informacionet e SHBA

Nga ana tjetër, gazeta e raportoi pak kohë më parë se me qëllim hetimin sa më të thellë të lobimeve të Bashës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dërguar letër-porosi mbi pagesat që kanë kryer kompanitë dhe deklarimet e bëra pranë Departamentit Amerikan të Drejtësisë. Në vijim të kësaj, burimet bënë me dije për gazetën se brenda muajit pritet që të vijnë informacionet e kërkuara në mënyrë që të “ballafaqohen” faktet dhe të nxirren në pah të vërtetat.

Faktin që Pokuroria jonë, në kuadër të hetimeve të nisura për këtë çështje të demokratëve, ka kërkuar dokumente edhe nga amerikanët e konfirmoi edhe ambasadori i SHBA, Donald Lu disa ditë më parë gjatë një interviste televizive. “Janë dy çështje këtu. Njëra çështje është nëse janë shkelur ligje në Shtetet e Bashkuara apo në Shqipëri. Në SHBA mund ta dini se kemi ligje kundër të huajve që ofrojnë para për fushata politike. Në Shqipëri, dimë që Basha ka kërkuar nga prokuroria të hapin një hetim. Kanë hapur një hetim dhe janë në proces për t’i kërkuar qeverisë së SHBA-ve dhe prokurorëve të saj, për dokumente për këtë çështje.

Pra, ka një hetim të hapur në Shqipëri. Nuk mund të konfirmoj nëse ka një hetim të hapur në SHBA. Po e ndjekim çështjen nga shumë afër, nëse rusët kanë dhënë kontribute tek lobisti në emër të PD dhe Bashës. Nëse kjo është e vërtetë, do të ishte një përpjekje shumë serioze nga rusët për të ndërhyrë në zgjedhjet e një shteti anëtar të NATO-s”, deklaroi Donald Lu.

Rusia, një histori politike e tranzicionit

Profesori veteran i historisë në Fakultetin Filologjik nuk e ka pasur të vështirë të tregojë paradokset sllave. Një jetë e tërë në katedrën e historinë moderne të shekullit XX e ka bërë jo thjesht një vëzhgues të hollë por edhe analist të mirë historik

Adem Mezini e fillon historinë prej nga koha kur gati tridhjetë vjet më parë, Mikhail Gorbaçov u bë Sekretari i ri i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Ashtu si mund të merret me mënd gjithçka fillon me shpjegimin e fjalëve më popullore të viteve ’80 “Glasnost” dhe “Perestrojka”, baza e teorive të politikanit 54-vjeçar rus të asokohe. Shqiptarët, përveçse e anatemojnë sistemin e ri rus, mundohen me sa më shumë të jetë e mundur të përdorin stigmën për një realitet që nuk e njohin.

Por nuk është kështu në botë. Që nga koha e Stalinit ardhja e Gorbaçovit shikohet si risi. Politikani i ri e ka të qartë se gjendja e vështirë ekonomike e Rusisë mund të kalojë vetëm nëse vendi rrit produktivitetin dhe duke e përshpejtuar rritjen ekonomike. Ai e di mirë se shteti i tij është tejet i dëgjuar për burokracinë qesharake dhe censurën e tij. Pikërisht këto shpall se duhet t’i eliminojë pak e nga pak. Autori na e jep shumë të qartë këtë tablo.

Cilët ishin dëshmitarët e kësaj gjendje? A ishte realisht vërtetë Gorbaçovi një komunist? A kanë të ardhme idetë komuniste në një botë universale? Këto janë pyetje që gjejnë vend në librin interesant të studiuesit të shkencave të historisë politike. Një lexues me interesa gjen gjithashtu përgjigje edhe për pyetjet interesante që lidhen me Rusinë, fatin e saj në kohët moderne, si edhe metamorfozën e frikshme që kishte ngërthyer breza të tërë të cilët besonin në plotë gati tetë dekada me radhë se vendi i tyre ishte fanar ndriçues.

Në fakt burokratët e shumtë të shtetit rus që e kishin vjelë shtetin e madh nuk e dinin se Glasnosti, që është varianti rus i transparencës, kërkonte një lloj pasqyre drejtësie dhe transparence në të gjithë Bashkimin Sovjetik si dhe për lirinë e informacionit, që deri atëherë ishte shtypur. Duhet thënë se burokratët do bënin çmos ta pengonin kurse Perestrojka, që kishte të bënte me konceptin e ristrukturimit të shtetit përbënte një lloj transformimi të shtetit drejt një tregu të lirë. Kjo është koha e Gorbaçovit dhe tezat e tij janë të jashtëzakonshme për ta shkundur Rusinë. Vetë Gorbi na pasqyrohet shumë interesant në librin e studiuesit të njohur. Jo më kot, Perëndimi e kapi me erë se përballë kishte një bashkëbisedues interesant, ndaj edhe u afrua ta ndihë me të gjitha mënyrat. Fatkeqësisht fryma liberale e Gorbaçobit nuk mund t’i shkonte frymës ruse. Rezultati ishte gati katastrofik. Rusia filloi të ndryshojë shpejt, por për fat të keq në formë kaotike.

“M. Gorbaçovi nuk arriti të perceptojë dhe të zgjidhë raportet kontradiktore dhe interesant midis forcave të ndryshme e politike të shoqërisë sovjetike. Studiuesi i njohur i historisë moderne E. Hobsbawm në veprën kapitale “Epoka e ekstremeve” ka theksuar se në shoqërinë sovjetike ekzistonin tri forca:
a)shtresa e komunistëve reformatorë dhe radikalë, burokracia tradicionale partiake dhe shtetërore me ide dhe koncepte konservatore dhe c)shtresat e gjera të punonjësve të qytetit dhe fshatit”, shkruan Adem Mezini.

Dhe, shqiptarëve u mjafton situata në vendin e madh për ta marrë me mënd katrahurën ruse. Duhet thënë se nëse para Gorbaçovit kishte pak mundësi zgjedhje, në kohën e Gorbaçovit filloi tmerri i rradhave dhe triskave, të cilat duhet të administroheshin me forcë se nuk përmbaheshin më.
Të gjithë rrugën e zhvillimit politik nga Gorbaçovi deri te ardhja e diktuar e Putinit meritojnë vëmendjen e autorit që e trajton me shumë kujdes por edhe me mjaft durim, duke treguar etapat, faktorët dhe ato që ndikuan në administratën që krijuan burrat e shtetit rus që ndajnë këtë segment tejet interesante për historinë ruse.

Ndërkohë vizita e 1 shkurtit të vitit 1992 të Jelcin në SHBA ku u nënshkrua midis dy vendeve “Deklarata për përfundimin e luftës së Ftohtë” është ajo që ndryshoj gjërat. Fraza që shkruhet aty sipas të cilës “të dy vendet nuk e shihnin njëra-tjetrën si kundërshtar potencial” do përbëjë thelbin e marrëdhënieve mes tyre. Në vitin 1992 Rusia u pranua në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Dhe ato iu zotuan vendin t’i jepnin deri 24 miliardë dollarë për të realizuar Reformat e Tregut. Paradoksi ishte se vetë armikja e saj më e madhe SHBA-ja ndikoi shumë që të realizoheshin këto afrime dhe e ndihmoi në terrenin administrativ Rusinë.

Të gjitha këto veçanti por më shumë njohuritë e thella të profesorit dhe shikimi i tij shumë i thukët mund t’i kuptosh në konkluzionet e librit ku thuhet se “Janë të rralla vendet që në harkun kohor të një shekulli të kenë njohur si Rusia dy tranzicione radikale me drejtim të kundër, që përfshinin transformime e reforma, të cilat ndryshuan natyrën e rendit politik dhe shoqëror”.

Libri lexohet me një frymë nga studiuesit por nga ana tjetër është shumë ndihës për njerëzit që i pëlqen politika e jashtme dhe jo vetëm. Adem Mezini me thjeshtësinë sesi ka zbërthyer historinë politike të shtetit për gati tre dekadat e fundit na ka dhënë një çelës për të penetruar në shumë nga të panjohurat që na rrethojnë sot lidhur me Rusinë dhe rolin e saj në botë. /Gsh.al/

Reformat garantojnë pavarësimin e medieve nga ndikimet

Punonjësit në media thonë se ligji që rregullon punën e medieve në Maqedoni, në masë të madhe ka përfshirë kërkesat e gazetarëve, porse akoma ka nevojë për intervenim, veçanërisht në pjesën që rregullon çështjen e reklamave, rritjen e mjeteve për servisin publik, si dhe gjetjen e mekanizmave që ligji të jetë i zbatueshëm

Sefer Tahiri, ligjërues në Fakultetin e Shkencave të Komunikimit në kuadër të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë thotë se ndryshimet ligjore që rregullojnë punën e medieve e që tashmë kanë hyrë në procedura parlamentare, ofrojnë bazament të mirë për çlirimin e eterit mediatik nga influenca politike.

“Nuk duhet të presim që menjëherë të kemi një sistem ideal mediatik, por gjithsesi do të kemi përmirësim të dukshëm të medieve, lirisë së shprehjes, lirisë së gazetarëve – ajo që është më e rëndësishme për të raportuar rreth informacioneve që i kanë, e të cilat janë detyruar t’i fshehin për shkak të interesave të ndryshme komerciale, përkatësisht raporteve klienteliste që kanë pasur për një kohë të gjatë mediet me strukturat udhëheqëse politike”, thotë Tahiri.

Ndërkohë, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, thekson se qëllimi i propozim-ligjit për Shërbime Mediale Audio dhe Audiovizuale, është që të krijojë mekanizma funksionalë për t’i larguar një herë e përgjithmonë duart e politikanëve nga mediat, njëherësh ligji të paraqesë bazë nisëse për reformat e shumta që pritet të realizohen në lidhje me këtë.

Mançevski vlerëson se zgjedhja e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediale, Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA), si dhe anëtarët e Këshillit programor të servisit publik në Maqedoni, për të cilin propozohet të realizohet me shumicë të dy të tretës në Kuvend, paraqet një test për nivelin e demokratizimit të Maqedonisë si shtet.

“Zgjedhja e anëtarëve të rinj të trupave rregullatorë dhe të Këshillit programor të TVM-së, është test për partitë politike dhe për demokracinë. Dëshirojmë ta japim këtë test dhe opinioni do të na vlerësojë në këtë proces, i cili duhet të jetë publik dhe transparent”, thekson Mançevski.

Ai shton se propozim-ligji për Shërbime Mediale dhe Audiovizuale paraqet fillimin e proceseve reformuese në eterin mediatik.

Ndërsa, Zhaneta Trajoska nga Instituti i Medieve thotë se miratimi i ligjit paraqet vetëm një hap drejt zbarkimit të servisit publik nga influenca politike, ndërkohë që në këtë institucion do të duhet të realizohen reforma të thella programore për të qenë servisi publik një pikë referimi për të gjitha mediet tjera, ashtu siç ndodh në të gjitha vendet me demokraci të zhvilluar.

“Do të duhet të realizohet një proces i thellë i reformave, jo vetëm në aspektin financiar, atë administrativ, por gjithsesi dhe programor që më në fund në Maqedoni të kemi një servis të mirëfilltë publik”, thotë Trakoska.

Nga Shoqata e Gazetarëve në Maqedoni kanë kërkuar që të intervenohet, përkatësisht të precizohet Ligji në pjesën që rregullon çështjen e të ardhurave nga reklamave që të parandalohet çfarëdo lloj mundësie që në të ardhmen Qeveria ta prishë tregun me reklamat.

Në lidhje me këtë, Tahiri thotë se pikërisht përmes mjeteve nga reklamat, politika ka ushtruar influencën e saj politike për një kohë, gjatë qeverisjes së kaluar VMRO DPMNE dhe Bashkimit Demokratik për Integrim.

Ndryshe, gjatë javës që lamë pas në komisionin amë të Kuvendit të Maqedonisë u bënë vërejtjet përfundimtare nga ana e përfaqësuesve në sferën e medieve për propozim-ligjin për Shërbime Mediale Audio dhe Audiovizuale në vigjilje të debatit që është caktuar për javën e ardhshme në seancën parlamentare.

Avdullah Hoti flet si lider i LDK-së, u bën thirrje partive opozitare për rrëzimin e Qeverisë

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, edhe një herë ka thënë se koalicioni qeverisë e ka humbur shumicën e Kuvendit të Kosovës. Hoti, përmes një shkrimi të adresuar në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka thënë se ky koalicion nuk ka legjitimitet

“Situata e re e krijuar në vend, me humbjen e shumicës parlamentare nga partitë në pushtet, kërkon që të kapërcejmë interesat e ngushta politike. LDK-ja është e vendosur dhe e pa kompromis në ruajtjen e rendit kushtetues dhe demokracisë në Kosovë. Ne presim nga partitë e tjera t’i bashkohen nismës tonë për një tryezë të përbashkët për tu dakorduar për tejkalimin e situatës”, ka shkruar Hoti.

Hoti, mes tjerash ka thënë se koalicioni qeverisës e ka humbur shumicën në Kuvendin e Kosovës. Tani koalicioni ka vetëm 52 vota në Kuvend, ndërkaq partitë opozitare kanë 68 vota.

“Partitë opozitare të shumicës shqiptare në Kuvendin e Kosovës numërojnë 385 mijë vota. Ndërkaq, partitë shqiptare të koalicion qeverisës numërojnë 245 mijë vota. Prandaj, është e qartë se ky koalicion i pakicës nuk ka legjitimitet për të qeverisur”, ka thënë tutje.

Në fund, Hoti ka shkruar se “Çdo ditë e humbur pa një marrëveshje në mes të partive politike për punët që duhet kryer bashkërisht deri në zgjedhjet e parakohshme është rrezik dhe humbje për Kosovën”.

Pasi sulmuan Sirinë, treshja perëndimore bën kthesën e madhe

Në atë që mund të jetë një kthesë e habitshme e rrjedhës së ngjarjeve, treshja e aleatëve perëndimorë, të cilët kërcënuan Rusinë me sulmet e kryera mbi Sirinë, tani duan të ndjekin rrugën diplomatike dhe të bindin Moskën për të mbështetur draftin e tyre të ri në OKB

Projekt-rezoluta, e autorizuar nga SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, është siguruar nga AFP, e cila raporton se diskutimet mbi tekstin do të fillojnë të hënën.

Nuk është e qartë kur dhe nëse drafti do të dorëzohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për t’u votuar, njofton raporti, duke cituar “diplomatët perëndimorë” të thoshin se këtë herë vendet perëndimore do të bëjnë më të mirën për ta negociuar atë me Moskën, shkruan Panorama.

Nëse është e vërtetë, do të ishte një ndryshim i habitshëm i ritmit të treshes perëndimore, duke marrë parasysh se në prag të sulmit të koordinuar në objektet ushtarake dhe civile të Sirisë të shtunën, Perëndimi akuzoi Rusinë për pjesëmarrje në një sulm të dyshuar kimik në Douma në 7 prill.

Vetëm disa ditë më parë, ambasadorja amerikane në OKB Nikki Haley nuk shfaqi asnjë shenjë për kompromis, pasi e quajti qeverinë ruse një “regjim”, “duart e të cilit janë të mbuluara me gjakun e fëmijëve sirianë”.

Të premten, ajo nxiti më tej zjarrin duke thënë se ishte “Rusia që nuk kishte ndaluar së mbrojturi përdorimin e shumëfishtë të armëve kimike nga regjimi sirian”.

Disa rezoluta të njëpasnjëshme për hetimin e incidentit të Doumës, të hartuar nga Rusia nga njëra anë dhe SHBA nga ana tjetër, kanë dështuar në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Një pjesë e LDK- së, është pjesë aktive e SHIK-ut

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka bërë akuza dhe konstatime për LDK- në: 1) Deputetët e LDK-së nuk japin nënshkrimet për Komisionin Hetimor të SHIK-ut; 2) Një pjesë e LDK- së, është pjesë aktive e SHIK-ut; 3) PDK janë të pafytyrë, ndërsa këta të LDK- së i kanë dhjetë fytyra

Nga Idriz Zeqiraj

I.

Nisma e Lëvizjes Vetëvendosje, për krijimin e një Komisioni Hetimor, për hetimin e SHIK-ut, mendoj se nuk është studiuar në masën e duhur. Madje, dyshohet mos është sugjerim i vet SHIK-ut, nëpërmjet anëtarëve të tij të fshehtë, që i ka të bollshëm në të gjitha partitë politike. Një Komision i tillë, përveç fjalëve lumë, nuk mund të sjellë ndonjë rezultat konkret. Pse? Sepse, në ulëset e Parlamentit janë, të paktën, 27 kriminelë. Kjo shifër rritet, kur dihen lidhjet ideologjke, e nepotike të shumë deputetëve tjerë.

Është një projekt i Hashim presidentit, që, tashmë, është vënë në zbatim: Arrestimi i shokëve të tij, dënimin e, më pastaj, lirimin e tyre! Bazuar në një klauzolë ligjore: “Një çështje e gjykuar një herë, nuk mund të bëhet objekt hetimi për së dyti!” Dhe, kjo ka trimëruar kriminelët e liruar dhe të tjerë, që janë në pritje të lirimit të parakohshëm. Sipas Kadri Veselit, themelues i SHIK-ut është Hashim Thaçi, dihet, në koordinim me Sigurimsat e Enver Hoxhës dhe, përmes tyre, edhe Serbinë me aleatë. Kjo për arsyen, tashmë, të dëshmuar, përçarjen ndër shqiptare, me synimin që shqiptarët e Kosovës të vritën në baza ideologjike, për të harruar luftën me pushtuesin, Serbinë.

Realisht, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë gjithherë në mbrojtje të SHIK-ut, në mbrojtje të krimit:

a) Vetëvendosje kërkoi largimin e UNMIK-ut, pastaj, edhe të EULEX-it, pa të cilët Kosova dhe qytetarët e saj do të ishin të rrezikuar edhe më shumë nga bandat e PDK-së dhe të AAK-së;

b) Vetëvendosje votoi kundër krijimit të Gjykatës Speciale, edhe pse e dinte se kriminelët nuk ka kush t´i dënojë brenda Kosovës;

c) Vetëvendosje votoi Rezolutën për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, që, në fakt, ishte për lirimin dhe mbrojtjen e “komandantëve” kriminelë, tashmë, disa syrësh, të dënuar me vendim të Gjykatës;

d) Vetëvendosje votoi ligjin për pagesën e mbrojtjes të akuzuarëve nga Gjykata Speciale, që do të jenë, kryesisht SHIK-as kriminelë, vrasës të shqiptarëvve të pafajshëm. Dhe, kjo është mbrojtje zyrtare e krimit, rehabilitim i kriminelëve, rivrasje e viktimave dhe cinizëm marroq;

e) Vetëvendosje, padyshim, ka qenë dhe mbetet edhe e vetme, në mbrojtje të Republikës: denoncimin e korrupcionit galopant; edhe më e vetmuar në kërkesën për sekuestrimin e pasurive pa mbuesë të pushtetarëve, hajna zyrtarë e batakçinj dhe të kujtdo tjetër. Por, Vetëvendosje “ka heshtur si peshku” për krimet politike vrastare, gjatë dhe pas luftës, të bandave në koordinim: të Drenicës, Dukagjinit, Llapit, të strehuara në partitë-banda të PAN-it aktual. Për të qenë krejt i saktë, pas koalicionit të tri partive-banda, përkatësisht, PDK, AAK, NISMA, të tufëzuar në PAN-in kriminal, ka pasur zëra denoncues të krimeve politike edhe nga disa kuadro të Vetëvendosjes. Zonja Millaku, e cila, edhe pse me shumë vonesë, akuzoi shefin e SHIK-ut Kadri Veseli dhe themeluesin e tij, Hashim Thaçin, për vrasjen e komandant “Drinit”, alias Ekrem Rexha. Ishte vënie e pikës mbi -i-.

Hetimin për SHIK-un, përkatësisht, krimeve vrastare seriale politike, përgjatë luftës dhe të pasluftës në Kosovë, që kapin shifrën përtej 1.820 ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut, veprimtarëve të LDK-së dhe kuadrove të LPK-së së hershme, të cilët nuk u pajtuan me krimet e “komandantëve” të “Rognerit”, bëhet ndryshe: Mbledhja e nënshkrimeve të deputetëve të Kosovës si dhe të nënshkrimeve nga populli i Kosovës. Dosja e nënshkrimeve, së bashku me Kërkesën për hetimin e krimeve vrastare politike të luftës dhe të pasluftës, duke e shtrirë në kohë, që nga vrasja e gazetarit dhe të zëdhënësit të UÇK-së, Ali Ukaj, më 1997, e deri ke vrasja e Arben Sejdiut, në vitin 2016, t`u dërgohen Qendrave të Vendosjes Ndërkombëtare dhe Gjykatës Speciale, me seli në Hagë.

II.

Përsa i përket konstatimit të deputetes të Vetëvendosjes, Drita Millaku, se “një pjesë e LDK-së është pjesë aktive e SHIK-ut”, është pjesërisht i saktë. Dhe, për të qenë krejt “OK-ej”, duhej një formulim ndryshe: “Disa anëtarë potencialë, në strukturat vendimmatëse të LDK-së, janë pjesë aktive e SHIK-ut”. Këtë të vërtetë, në shkallën sipërore, e kanë denoncuar shumë veprimtarë, e disa gazetarë nga LDK-ja dhe në veçanti, nga LDK-ja e mërgatës. Pas amëshimit të kryezotit Rugovë, filloi “hajka”, përndjekja, anashkalimi i kuadrit të sprovuar rugovian, për ta monopolizuar më lehtë sundimin, përmes klanit brenda Kryesisë të LDK-së.

Në Kuvendin e 7-të Zgjedhor të LDK-së, u ligjësua braktisja e zgjedhjeve demokratike. Vetë kontrabandimi i një kryetari, që jo vetëm nuk ishte pjesë e këtij subjekti, por, edhe kundër tij, është shenjë e dukshme se SHIK-u, ishte brenda strukturave vendimmarrëse të LDK-së. Emërimi i Këshillit të Përgjithshëm dhe të Kryesisë të LDK-së, pa hyrë në votim të fshehtë, ishte kthim në praktikën moniste dhe kompromentim të strukturave të LDK-së. Kryetari i partisë aktivizoi klanin e gatshëm dhe nismoi anashkalimin, linçimin, përjashtimin e kuadrit besnik rugovian. Dhe, ky ishte një dobësim i LDK-së, pakënaqësi të anëtarësisë, që është reflektuar në largime dhe abstenim në votime,të një mase të konsiderueshme të anëtarësisë të LDK-së. Dhe, pamedyshje, ky ishte projekt i SHIK-ut, i realizuar nëpërmjet asaj “pjese aktive të SHIK-ut brenda LDK-së”, që konstaton edhe zonja Millaku.

Oreksi i shtuar i kryetarit dhe klanit të tij brenda Kryesisë së LDK-së, për të qëndruar, dhunshëm, në udhëheje të LDK-së, u manifestuan pacipshëm në Kuvendin e 8-të “Zgjedhor” të LDK-së. U shkelën tri parimet bazë të rregullores të Këshillit të Partive Popullore të Evropës (PPE), si: moslejimi i debatit, mungesa e konkurrencës, përjashtimi i votimit demokratik, pra, mosvotimi i fshehtë. Rrjedhoja: E gjithë struktura vendimmarrëse e LDK-së, e dalë nga Kuvendi i 8-të “Zgjedhor”: Kryetari, Kryesia dhe Këshilli i Prgjithshëm rezulton sa e dunshme, aq edhe e paligjshme. Të ligjshëm janë vetëm deputetët e zgjedhur të qershorit dhe kuadri drejtues i komunave të fituara nga LDK-ja, në tetorin e vitit 2017.

SHIK-istët brenda Kryesisë të LDK-së, me një vrazhdësi, sa të turpshme, as edhe cinike, u sulën kundër rugovistëve dhe degëve më aktive të LDK-së në mërgatë, për të sajuar kriza dhe rrënim të partisë zëmadhe të Ibrahim Rugovës. Pa forcën e SHIK-ut brenda, strukturave vendimmmarrëse të LDK-së, nuk mund të zgjidhej president i vendit Hashim Thaçi, themelues i Organizatës kriminale e terroriste SHIK!

III.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, denigron rënd LDK-në: “PDK-ja janë të pafytyrë, ndërsa këta të LDK-së i kanë dhjetë fytyra”. Zonja Millaku i vënë në një linjë PDK-në me LDK-në. Bën edhe një gabim logjik, se mjafton jo dhjetë fytyra, por, edhe dy fytyra, për të mos pasur njeriu apo subjekti asnjë fytyrë. Barazimi i këtyre dy subjekteve është i marrëzishëm, sepse LDK-ja nuk e ka përgjakur popullin e Kosovës, siç ka bërë PDK-ja me partitë simotra të saj. Megjithatë, ky përgjithësim, i zonjës në fjalë, është i papranueshëm, aspak i saktë.

Kur themi se PDK-ja dhe AAK-ja janë parti-banda, ne faktojmë cilësorin tonë. Sepse, të gjitha veprimet kriminale të lidërve partiakë të tyre, janë aprovuar nga Kryesia, Konventat e tyre partiake, deputetët, degët, nëndegët, pra, anëtarësia e tyre. Krejt e kundërta ka ndodhur e vazhdon të ndodhë brenda LDK-së.

Në LDK- në, pas amëshimit të liderit Ibrahim Rugova, kuadrot, veprimtarët, deputetët dhe shumësia e anëtarësisë të saj, kanë denoncuar veprimet e drejtuesëve partiakë, në dëm të LDK-së dhe të vet Kosovës. Këtë e kanë bërë edhe nëndegët e mëdha të LDK-së, si: Vrella e Istogut, Zhuri i Prizrenit, Isniqi i Deçanit, Dobërçani i Gjilanit, Llausha e Skënderajt, madje, edhe Degët si ajo e Prizrenit, e Gjakovës dhe të tjera. Dhe, kjo anëtarësi nuk ka pasur probleme me bazën, komunat e tyre, por, me LDK-në e Qendrës. Kundërshtinë e tyre e kanë paguar me lënien e tyre jashtë Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, Qeverisë, Parlamentit e tjerë. Dhe, të gjithë këta kundërshtarë kishin vetëm një fytyrë dhe atë e ruajtën me nder.

Veprimtarja më e madhe në Evropë dhe botë, para dhe gjatë luftës, Donikë Gërvalla, u luftua marrëzisht nga kryetari dhe klani i tij. Madje, u tërhoq zvarrë në hollin e sallës, ku mbahej Konventa demagogjike. Ajo deklaroi se nëse deputetët e LDK-së e votojnë demarkimin e kufirit, poshtë Qafës së Çakorrit dhe Kullës së Zhlebit, unë nuk do të jem në LDK. Dhe, e mbajti fjalën e dhënë, sepse ajo është e bija e heroit markant, Jusuf Gërvalla dhe nuk shkelë mbi gjakun e gjyshit të vrarë, në mbrojtjen e Pazarit të Ri (sot:Novi Pazar).

Ja, pra, LDK-ja ka vetëm një fytyrë. Është e fjalës dhe e besës; është e paqes dhe e luftës; është e pendës dhe e mendjes; është parti akademike, pa të cilën, çdo qeveri në pushtet, ka qenë dhe do të jenë dështake. Për të qenë më e suksesshme dhe më e shëndetshme, në largimin e PAN-it banditesk, LDK-ja duhet menjëherë të bëjë zgjedhjet brenda partiake. Dhe, këtë për disa arsye madhore:

1) Të kthehet LDK-ja në origjinë, në frymën e themeluesit të saj, Dr. Ibrahim Rugova;
(Kryesia aktuale, më sakt, klani brenda Ktyesisë, ka devijuar, qëllimshëm, frymën rugoviane, për ta zgjatur sundimin klanor. Andaj, është utopi korrigjimi nga ajo!)

2) Të risjellë parimet bazë: debatin, konkurrencën zgjedhore dhe votimin e fshehtë;
(Klanorët “harruan” demokracinë! Përqafuan, sërishmi, aklamacionin komunist, në zgjedhjen e organeve drejtuese të LDK-së!)

3) T´i spastrojë strukturat vendimmarëse të partisë, nga elementët aktivë të SHIK-ut;
(Veprimet përfide të SHIK-ut, në strukturat vendimmarrëse të partisë, e mbajnë LDK-në në opozitë!)

4) Të ligjësojë organet drejtuese e vendimmarrëse të partisë; (Zgjedhjet aklamative moniste, kanë prodhuar kryetar, Kryesi dhe Këshill të Përgjithshëm të dhunshëm, jo legjitim!)

5) Statuti i LDK-së, i ndryshuar për qëllime klaniste, me kompetenca tipike komuniste për kryetarin, t`i kthehet origjinës rugoviste; (Sipas statutit aktual, kryetari me fuqi më shumë se mbreti, i përdorë strukturat “vendimmarrëse” si kondomë”!)

6) Zgjedhja e kryetarit të bëhet nga anëtarësia: një anëtar – një votë; (Propozimi i anëtarëve në konkurrencë, të bëhet nga një Këshill Zgjedhor, të rekomandur nga baza dhe jo nga garnitura aktuale drejtuese!)

7) SHIK-ikistët, brenda strukturave vendimmarrëse të partisë, janë në ethe për ndarjen e LDK-së; (SHIK-u don vazhdimësinë e atyre që shkelën dy amanetet e Presidentit Rugova: Mos lejoni ngritjen e Hashimit në pushtet, sepse është i rrezikshëm për Kosovën dhe Demarkacioni nuk duhet të zbresë poshtë Qafës së Çakorrit, Kullës së Zhlebit …!)

Shqiptarët në vitet 1900, ja si i përshkruan shkimtari Herbert

Të gjithë ata që kanë pasur mundësinë që ta vizitojnë Shqipërinë të paktën një herë në jetën e tyre kanë mbetur të mrekulluar dhe nuk kanë mundur që ta harrojnë lehtë. Të tillë ndjesi e ka pasur edhe miku më i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve, Aubrey Herbert, i cili së fundi ka shkruar edhe një libër me titull ‘A record of eastern travel’ (Një shënim nga udhëtimi në Lindje), ku një pjesë e mirë e rrëfimit i takon vendit tonë. Aubrey Herbert në këtë libër na shfaqet me pseudonimin e Ben Kendim

Ajo çfarë do të lexoni më poshtë është një përkthim i pjesshëm i librit…

Libri është botuar në vitin 1923 dhe kjo pjesë paraqet një shënim të shkurtër të historisë shqiptare që mbërthen periudhën e kohës otomane e deri në pavarësi. Në mënyrë interesante, shkrimi është thjeshtësuar më qëllim që të lexohet dhe kuptohet nga publiku i gjerë.

Shqipëria

‘Ne nuk duam rrugë në vendin tonë për shkak se rrugët çojnë në okupim, eksploatim dhe në humbje të trashëgimisë sonë’, thanë shqiptarët.

‘Shumë mirë’, tha Stambolli, ‘nuk do të keni rrugë’.

‘Ne nuk duam as shërbim ushtarak për shkak se ne të gjithë kemi lindur të lirë, pa marrë parasysh a jemi katolikë, ortodoksë apo myslimanë’, thanë shqiptarët me vendosmëri të madhe.

Edhe me këtë kërkesë Porta u pajtua, kurse shqiptarët me të madhe iu bashkuan Armatës turke si vullnetarë.

‘Ne nuk i duam gjykatësit turq’, deklaruan shqiptarët.

‘E tash, mos e teproni’, tha Porta. ‘Mos shkoni aq larg pasi kjo çështje e prek thellësinë e shtetit. Pranojeni këtë kompromis. Lejoni gjyqtarët turq dhe ne ju premtojmë se ata nuk do ta gjykojnë askënd’.
‘Në rregull’, thanë shqiptarët.

Regjimi i vjetër në Turqi ka qenë i gatshëm që ta pranojë lirinë dhe lejen për ta aprovuar anarkinë në Shqipëri e cila në atë kohë ka qenë shërbëtore e dobishme e perandorisë. Është e drejtë të thuhet që ligji turk nuk ka sunduar askund në malet e Shqipërisë, edhe pse me ngadalësi është vendosur në qytetet si Shkodra, Elbasani dhe Janina.

Shqiptarët janë dhe gjithmonë kanë qenë dashurues të mëdhenj të tokave dhe shkëmbinjve të tyre dhe për sistemin e jetës që kanë ndërtuar. Ka qenë sistem i rëndë, por i përshtatej popullit; secili njeri ka qenë polic i mjaftueshëm i vetvetes kurse hakmarrja ka qenë ligji i tyre i pranuar.

Atë që Evropa do ta etiketonte si hakmarrje, shqiptarët e kanë quajtur drejtësi. Nga pikëpamja e vendeve të civilizuara, Shqipëria ka qenë vend pa ligj. Megjithatë, krimet e vogla që në Evropën Perëndimore i stërngarkojnë kronikat e gazetave, policinë dhe gjykatat, në Shqipëri kanë qenë shumë të rralla.

Ka shumë për t’u thënë për ligjin shqiptar. E vërteta, kurajoja dhe besueshmëria kanë qenë kualitete të këtij populli që i k kultivuar me zell dhe ky fakt ka qenë i njohur në tërë Lindjen e Afërt.

Rojtarët e bankave, që nga Kajroja e deri në Greqi dhe nga Stambolli në Jerusalem, kanë qenë shpesh shqiptarë. Shkelja e besimit apo vjedhja e parave nga shqiptarët në këto pozita përgjegjëse ka qenë aq e rrallë sa që praktikisht është e panjohur.

Shqiptarët posedojnë edhe një kualitet të papërshkrueshëm. Ata kanë një sharm të llojit të tyre dhe një atraktivitet magjie për vendin e tyre e cila gjë lë përshtypje të përhershme të shumica e atyre që kanë qenë në Shqipëri.

Në pamje dhe me trup shqiptarët e veriut e rivalizojnë çdo racë të Evropës. Në ditë pazari në Shkodër, në kohët e shkuara, njeriu mund të shihte malësorët thatanikë me kokë gjysmë të rruar dhe me sytë e tij të pa pushuar që ndahen në mes interesimit për mallrat e tregut dhe kujdesit të tensionuar për mundësinë e ekzistimit të ndonjë armiku në afërsi.

Gratë e kanë një lezet që nuk ua shijojnë dy veta dhe që janë po ashtu ndryshe nga çdo racë tjetër. Ato duken sikur Madona që kanë zbritur poshtë nga malet me borë.

Por, inteligjenca dhe shpejtësia e mendjes së burrave të maleve është më interesante se bukuria e rrallë që kanë gratë e tyre.

Në vitin 1880 z. Goschen dhe Lordi Edmund Fitzmaurice hartuan një memorandum për formimin e një Shqipërie autonome. Kufijtë që ata i propozuan dallojnë gjerësisht nga të sotmit pasi që ata përfshinë rrafshin e Kosovës, vilajetin e Shkodrës, qytetin e Janinës dhe pjesë të vilajetit të Manastirit.

Ata kanë qenë njerëz të paanshëm, kurse propozimi i tyre kishte për qëllim arritjen e paqës. Propozimet e tyre nuk u miratuan.

Gjatë shekujve kur Turqia e dominoi Ballkanin ndjenja kombëtare ka qenë e mbështjellë dhe e pa ushqyer në tokat e sundimit të saj. Bullgarët kanë fjetur pa ëndrra, kurse serbët vetëm nga ëndrra e mbajnë në mend madhështinë e së kaluarës.

Aspiratat e grekëve kanë qenë të kufizuara vetëm në një rreth të vogël të inteligjencës së tyre. Në Shqipëri nuk ka pasë dyshime dhe as ëndrra për arsye se populli kurrë, as për një qast, nuk e ka humbur dijen për vërtetësinë e racës së vet.

Shpirti i bashkimit ka lundruar për një kohë të gjatë mbi ujë, por ende nuk e ka gjetur varkën e saj.

Para se vendi të arrinte qëllimin e përbashkët të artikuluar është dashtë të kalojë nëpër një përvojë të zjarrit. Gjatë tërë dimrit të viti 1912 malazezët kanë qenë të angazhuar në punë propaganduese në drejtim të malësorëve në veri.

Një komision nën udhëheqjen e Adil Beut dhe i shoqëruar nga z. Robert Graves ka shkuar nëpër Shqipëri me qëllim që të eliminoj problemet që shkaktonin fermentim. Në Shkodër Adil Beu e emëroi Hysen Riza Pashën për vali dhe komandant ushtarak të qytetit të cilin ai menjëherë filloi ta fortifikojë.

Misioni ka qenë më shumë se një herë nën zjarr gjatë udhëtimit dhe dështoi të arrinte sukses. Shumë shpejt shpërtheu revolta shqiptare në Kosovë nën udhëheqje të Isa Boletinit.

Armët shqiptare triumfonin gjithkah. Shqiptarët e morën në posedim Shkupin dhe e mbajtën pjesën më të madhe të veriut ku unë kam pas fat t’i shoh incidentet të cilat do t’i përshkruaj në një kapitull tjetër. Porta e kuptoi se duhet të arrij marrëveshje.

Shqiptarëve ju premtua autonomia e cila do ta përfshinte vilajetin e Kosovës, Shkodrës, Janinës dhe pjesë të atij të Manastirit. Ky koncesion erdhi me vonesë. Kjo i dha arsye agresionit të Aleancës Ballkanike e cila nuk e dëshironte një Shqipëri të pavarur.

Nuk nevojiteshin sytë e profetit për të parë ndarjen e Shqipërisë që ishte rezultat i fitores së Aleancës Ballkanike. Ismail Bej Qemali erdhi në Vlorë në gusht 1912, para shpalljes së luftës nga shtetet ballkanike dhe që në fillimt të luftës ai u kthye në Stamboll.

Ai u kthye sërish në Vlorë dhe e shpalli pavarësinë e Shqipërisë duke e ngritur flamurin kombëtar me 28 nëntor 1912. Qemali i lajmëroi Fuqitë të cilët nuk treguan ndonjë vëmëndje.

Grekët, të ngjallur nga lindja e shtetit të ri shqiptar, i morën gjërat në duar të tyre dhe e bllokuan Vlorën, selinë e qeverisë së përkohshme anëtarë të së cilës ishin Dom Nikollë Kaçorri, Mufid Bej Libohova dhe Mithat Bej Frashëri.

Në vitin 1913, delegacioni shqiptar, i udhëhequr nga Ismail Bej Qemali, që përbëhej nga Mehmet Bej Konica një mysliman nga jugu, Filip Noga një katolik nga veriu, imzot Fan Noli një ortodoks nga Ibriktepe dhe Faik Bej Konica i cili përfaqësonte emigrantët shqiptarë nga Amerika në kuadër të federatës së Vatrës, erdhën në Londër për t’i paraqitur kërkesat e tyre në Konferencën e Ambasadorëve.

Me 6 mars 1913, mbreti Gjorgj i Greqisë u vra në Selanik, kurse mbreti Konstantin erdhi ne fron. Ndërkohë, lufta shkonte keq për turqit: Selaniku u mor gati pa u shkrepur asnjë plumb; Adrianopoli [Edrene] bëri rezistencë heroike; Manastiri ishte ende i rrethuar.

Në Shkodër Hysen Riza Pasha u vra pasi që doli nga shtëpia e Esat Pashës ku kishte ngrënë darkë. Në Ballkan ka qenë zakon për nikoqirin që të dërgonte një apo dy njerëz të armatosur me fenerë për ta përcjellë mysafirin në shtëpi pas darkës. Hysen Riza Pasha u largua i vetmuar nga shtëpia e Esat Pashës.

Riza Pashën e sollën përsëri në shtëpi të Esat Pashës disa minuta para se të vdiste. Bounuo kim yapdi – ‘kush e bëri këtë’? – e kishte pyetur Esat Pasha. Sen bendenü bilirsin – ‘ti e di më mirë se unë’ – kishte thënë Hysen Riza dhe kishte vdekur.

Pastaj, Esat Pasha e mori komandën dhe bëri marrëveshje me serbët. Kritikët e tij kanë thënë se financat kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe se atij [Esat Pashës] ju premtua edhe principata e Shqipërisë së mesme.

Ai marshoi nga Shkodra me 23 prill. Fuqitë refuzuan ta njohin okupimin malazez të Shkodrës dhe admirali Cecil Burney shkoi në qytet si kryesues i forcës ndërkombëtare me 13 maj kur malazezët u detyruan të evakuonin qytetin.

Kështu ndodhi që Shqipëria, duke qenë e para në luftë për liri, në llogari të saj e hapi rrugën për ekspansionin e shteteve të tjera ballkanike.

Aletatë Ballkanikë e pushtuan Shqipërinë si miq dhe si çlirimtarë, por mbetën aty si posedues dhe si trashëgimtarë. Shqipëria ka qenë si Samsoni në Tempullin e Gazës. Ajo [Shqipëria] e rrëzoi Perandorinë Otomane dhe mbi kokën e saj ranë ngrehurinat. /Konica.al