Diplomacia e vonuar parlamentare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, por edhe deputetë nga partitë në pushtet dhe opozitë, ditëve të fundit kanë shpeshtuar udhëtimet në vendet e Bashkimit Evropian, siç është thënë, për të lobuar për integrimin evropian të Kosovës

Deputetë nga partitë në pushtet dhe opozitë, kanë mendime të ndryshme nëse në prag të një vendimi të institucioneve të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, lobimi në vendet që e kanë njohur Kosovën, por edhe ato që nuk e kanë njohur, është i domosdoshëm ose jo.

Zenun Pajaziti, deputetet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova gjendet pranë një momenti, ku lobimi është i nevojshëm nga të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë edhe përfaqësuesit e Kuvendit.

“Qëllimi më i afërt më diçka që e presin të gjithë është liberalizimi i vizave. Edhe aktivitetet e kryeparlamentarit me një grup të deputetëve nga parti të ndryshme e ka këtë qëllim. Është një agjendë e tij, për të kontaktuar vendet, të cilat do të mund të na ndihmonin më shumë se sa që ne e presim, për të lobuar edhe ato, për të krijuar votat e nevojshme në institucionet e BE-së, për çështjen e vizave. Gjithashtu, edhe deputetë tjerë, kanë pasur aktivitete tjera të ngjashme”, theksoi Pajaziti.

Por, Mimoza Kusari – Lila, deputetet nga radhët e subjektit politik Alternativa, që është pjesë e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që aktivitetet e kryetarit të Kuvendit, por edhe një grupi të deputetëve, është duke u zhvilluar në kuadër të diplomacisë parlamentare.

Por, sipas saj, procesi i lobimit duhet të jetë pa afate dhe jo vetëm për kauza, të cilat tash konsiderohen si emergjente apo afatshkurta, siç është liberalizimi i vizave. Megjithatë, sipas saj, një pjesë të koordinimit të këtij lobimi, duhet të bëhet në mënyrë sistematike, prej organeve kompetente, Ministrisë së Jashtme, Presidencës dhe Kuvendit.

“Kjo është që të mos kemi vetëm në kohë të votimeve të tilla, organizime të turneve lobuese, por gjatë gjithë procesit të përgatitjeve para këtyre vendimeve, që edhe ambasadat të jenë të angazhuara. Gjithashtu të kërkohet llogari prej diplomatëve tonë në këto vende, në raport me takimet të cilat i mbajnë. Konsideroj se po vërehet një aktivitet jo i koordinuar, një aktivitet, i cili më tepër është iniciativë individuale nga udhëheqës të caktuar se sa një koordinim ndërinstitucional”, tha Kusari-Lila.

Por, sa mund të jetë i efektshëm lobimi deputetëve, përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit, lidhur me arritjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, por edhe integrimet tjera evropiane, sikurse anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe të ngjashme?

Deputeti Pajaziti, thotë se Komisioni parlamentar për integrime evropiane, anëtar i të cilit është ai, është duke planifikuar kontaktet të tjera për të lobuar për integrimet e tilla.

“Nuk duhet të rrimë duarkryq, të themi se i kemi kryer obligimet tona dhe të presim BE-në. Janë parlamentet e vendeve të ndryshme dhe institucionet e BE-së, Këshilli i Evropës, Parlamenti i Evropës, që duhet të përballen në procedurë të votimit. Pra, ne duhet të kërkojmë nga partnerët tanë, miqtë tanë, kudo që janë dhe cilido prej shteteve, që të na ndihmojnë, që të lobojnë te shtetet që ende nuk na kanë njohur, por edhe tek ata që na kanë njohur. Edhe ne vet, po provojmë që të krijojmë kontakte të drejtpërdrejta me ta. Madje unë mendoj se nuk po bëjmë shumë. Mendoj që duhet të fokusohet, shumë më shumë, aktiviteti jonë dhe agjenda jonë në lobim edhe për vizat, por edhe për proceset tjera integruese”, u shpreh Pajaziti.

Në anën tjetër, deputetja Kusari – Lila, shpreh mendimin se efektet e lobimit aktual, mbeten të shihen dhe vendimet e vendeve të Bashkimit Evropian, lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, nuk varen vetëm nga ky lobim.

“Nëse flasim vetëm për këtë formë të lobimit, atëherë mund të themi se është afatshkurtër dhe në moment të fundit. Ne shumë shpejt do të marrim vesh për procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët. Prandaj, unë personalisht dyshoj që në këtë moment të fundit, diçka mund të ndryshojë. Shumica e vendeve anëtare i kanë vendimet e veta dhe proceset e brendshme politike, por që edhe pala kosovare është duhet të ketë qenë shumë më e përgatitur në aspektin e diplomacisë aktive në takime dhe në lobim me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat, në fund, do të miratojnë ose të mos miratojnë liberalizimin e vizave për Kosovën”, theksoi Kusari-Lila.

Në javën e parë të qershorit, një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës patën udhëtuar për në Vjenë me qëllim të lobimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar Strasburgun, ndërkohë që aktualisht është duke qëndruar në Francë, ku siç është thënë do të bisedojë me parlamentarët francezë për procesin e integrimeve evropiane të Kosovës, përkatësisht liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.

Liberalizimi i Vizave dhe krimi e korrupcioni që buron nga zyra e Presidentit

Nga Haki Abazi

Kushti per luften kunder krimit dhe korrupcionit eshte pengese e pakalueshme ne procedura normale “pa te njohfshem”.

Po deshmohet qe me fale toke eshte me e lehte se sa me luftu krimin e korrupcionin. Sidomos kur ai eshte krim e korrupcion qe e ka burimin ne zyren e Presidentit te vendit. Petrit Selimi dhe nje grup njerezish rreth tij jane pjese e nje skandali te madhe milionesh qe jane zhvatur nga buxheti i shtetit te Kosoves dhe atij Britanik. Transakcione pa mbulese, transakcione per anetaret e familjes, transakcione te individeve anonimusa dhe kryesisht femra me siguri ne lidhje te ndryshme mqiesore e familjare. Ky eshte skandali i fundit per te cilin asnje lobim tjeter nuk do t’i ndihmoje Kosoves perpos nese nenshkruajne edhe kompromise te tjera siq eshte asociacioni e ndarja e Kosoves. Genjeshtrat e Thacit se nuk ka lidhje me Jeffrey Nice dhe deklarimet e tij se ai nuk ka lidhje me letrat e turpit kjo pune e demaskon. Ajo qe mbetet te kuptohet eshte nese pjese e ketij skandali do te jete edhe pagesa e librit “vetmohues” te Thacit.

… demarkacionin me Malin e Zi e perfunduat me premtimin se menjehre, diten tjeter do te behet lajmerimi per liberalizim te vizave. Nuk ndodhi- e turpshme qe nuk ndodhi…genjeshtra te kulluara, premtime te kota…

Çollaku: S’ka datë të caktuar, por dialogu vazhdon për pak ditë

Bekim Çollaku, Shef i kabinetit të presidentit Hashim Thaçi, në Express Intervistën, ka folur për procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë dhe për debatin se kush duhet të udhëheqë atë proces

Ai tha se faza finale e dialogut do të vazhdojë, mirëpo nuk dihet data se kur do të ndodhë. “Paralajmërimet apo informatat do të dalin të sakta sepse kështu kanë qenë edhe dakordimet tona me ndërmjetësuesen Mogherini dhe pres që brenda pak ditësh ta kemi takimin e radhës në nivel të presidentëve me ndërmjetësimin e Mogherinit, por ende s’është caktuar data e takimit”, tha Çollaku.

Ai tha se kjo fazë e procesit dialogues është më e rëndësishmja pasi që, siç tha ai, palët pritet që të përmbyllin këtë proces. Këshilltari i Presidentit thotë se në këtë fazë të dialogut do të bëjnë përpjekje për një marrëveshje përfundimtare për normalizim marrëdhëniesh mes dy vendeve.

Çollaku tha se nuk ka asgjë të vërtetë në pretendimet se Serbia është më e përgatitur se Kosova në procesin e dialogut. “Nuk është e vërtetë se Serbia ka qenë gjithmonë më e përgatitur se Kosova. Platformat e prezantuara janë për përdorim të brendshëm e që s’mund të prezantohen në tavolinën e Brukselit. Në Kosovë po zhvillohet një debat formal e joformal, ai ndërmjet subjekteve politike, që kanë interes për t’u përfshirë në këtë proces me qëllimin e vetëm që Kosova të dalë sa më mirë nga ky proces. Platforma është tërhequr, dhe mendoj se ky ka qenë hap i mirë pasi që Qeveria u ka dhënë kohë partive politike që të harmonizojnë platformën. Më e rëndësishmja është konsensusi politik”, theksoi Çollaku.

Çollaku thotë se nuk mund të imponohen njëanshëm tema në këtë proces dialogues. “Asnjë temë nuk ka mundur të imponohet njëanshëm nga njëra palë. Për të zhdukurit është biseduar me dhjetëra herë, por s’ka një marrëveshje, shpresoj që në marrëveshjen përfundimtare do të përfshihet edhe kjo çështje. Mungesa e transparencës për dialogun është bërë me imponimin e faktorit ndërkombëtar me qëllimin që të pritet derisa të arrihet një marrëveshje më e mira e mundshme”, deklaroi Çollaku.

Ai tha se në vend po zhvillohet debat i mjaftueshëm ku janë të përfshirë të gjithë ata që kanë interes për të dhënë kontributin e tyre në këtë proces, duke përfshirë edhe shoqërinë civile.

Mirëpo, sipas tij, debati për atë se kush duhet ta udhëheqë dialogun është i kotë. “Është humbur shumë kohë nga partitë politike duke u diskutuar se kush duhet ta udhëheqë dialogun e jo për temat e dialogut. Kjo është e gabueshme. Nuk ka rëndësi se kush është sot kryeministër apo president. Presidenti nuk shkon atje si individ, por si përfaqësues i shtetit të Kosovës. Në të kaluarën dialogu është udhëhequr në nivel kryeministrash kurse tani është në nivel presidentësh. Thaçi, me gjithë bagazhin politik dhe kompetencat që ka me Kushtetutë, është homolog i barabartë me presidentin serb, Vuçiq”, u shpreh Çollaku.

Ndonëse Kuvendi i Kosovës ende nuk ka marrë një vendim se kush duhet të udhëheqë dialogun me Serbinë, Shefi i kabinetit të presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, tha se këtë detyrë Presidentit ia ka caktuar Kushtetuta.

“Presidenti dhe Kushtetuta ka vendosur që Thaçi të udhëheqë bisedimet. Kuvendi i Kosovës, në rast se vendos që Presidenti për arsye të ndryshme nuk është i denjë të përfaqësojë vendin në arenën ndërkombëtare, Kushtetuta e obligon të mos e lejojë një gjë të tillë. Por, aktualisht Kuvendi nuk ka asnjë arsye për një veprim të tillë. Këto janë xhelozi të nivelit më të ulët. Presidenti me Kushtetutë ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare. Por, në rastin me Serbinë, dihet se është Kuvendi që do të ratifikojë çdo marrëveshje me këtë shtet. Nuk është presidenti ai që merr vendim, por është Kuvendi që e jep fjalën përfundimtare”, deklaroi Çollaku.

Sipas tij, qëllimi i debatit të brendshëm është krijimi i konsensusit politik “në mënyrë që të mos kemi probleme në fazat e mëvonshme”. “Presidenti nuk është se ka mangësi profesionale për të udhëhequr një proces të këtillë. Në këtë fazë do të kërkojmë normalizim marrëdhëniesh, por jo në dëm të sovranitetit të vendit tonë. Koncesioni i vetëm që do të bëhet është forcimi i shtetit të Kosovës, fqinjësia e mirë me të gjitha shtetet dhe integrimi euroatlantik i vendit”, u shpreh Bekim Çollaku, Shef i kabinetit të presidentit Hashim Thaçi.

Gjermania po i “grabit” mjekët e rinj nga Kosova (video)

Është shtuar numri i mjekëve të rinj nga Kosova të cilët dëshirojnë që profesionin e tyre ta ushtrojnë pikërisht në Gjermani. Kjo po ndodh pasi Gjermania po u ofron atyre vende pune me kushte të favorshme

Bedri Xhafa, drejtor i përgjithshëm i APPK-së, numri i nxënësve që dëshirojnë punësim jashtë vendit është i madh. “Gjenerata e pestë është në rrugën e saj të realizimit për t’u bërë kuadër profesional, që të kujdesen për të moshuarit, dhe në momentin që diplomojnë e vazhdojnë punësimin në vendin ku e kanë bërë aftësimin”, shprehet drejtori i APPK-së , Bedri Xhafa për RTV Dukagjinin.

Si pasojë, sipas profesionistëve shëndetësorë, për një kohë të shkurtër Kosova do të ketë mungesë të mjekëve, përcjell Telegrafi. “Me pagat që ne punojmë, një pjesë e mirë e kolegëve tonë të ri, nuk po shohin perspektivë këtu, dhe çdo ditë e më shumë ata po e mbushin tregun evropian të punës”, shprehet Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, i cili tregon se mosha mesatare aktuale e mjekëve në Kosovë, është mbi 50 vjet. Deri tani mendohet se Kosovën e kanë lëshuar mbi 500 mjekë dhe infermierë.

Ja çka ndodhë pas përfundimit të dialogut dhe formimit të Asociacionit. A do shpallet ndarja e Kosovës?

Vazhdimi i bisedimeve në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk dihet se kur do të ndodhë. Brukseli ka kërkuar që raundin e ri të bisedimeve të bisedohet vetëm për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, gjë që Serbia e ka refuzuar

Autoritetet e Serbisë, përfshirë edhe përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, në vazhdimësi kanë insistuar ë Asociacioni i komunave me shumicë serbe, duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se ky Asociacion do të formohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“I kemi dëgjuar edhe zyrtarët e BE-së se Asociacioni bëhet në përputhje me ligjet e Kosovës. Asociacioni është vepër e Kosovës në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e Kosovës se ashtu e parasheh edhe marrëveshja”, ka deklaruar Haradinaj.

Edhe shefi i stafit të zyrës së Presidentit të Kosovës, Bekim Çollaku në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth fazës finale të dialogut me Serbinë në Bruksel. Ai ka thënë se, themelimi i Asociacionit është paraparë më marrëveshjen e Brukselit.

“Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është paraparë me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Themelimi i tij është obligim i Kosovës dhe një gjë e tillë është në proces e sipër. Kaq mund të them për këtë çështje”, ka thënë Çollaku.

Por, çka do të ndodhë me Kosovën pas përfundimit të bisedimeve në Bruksel dhe formimit të Asociacionit, cili do të jetë roli i Serbisë brenda Kosovës me këto komuna?

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, për gazetën “Bota sot”, thotë se, shpallja e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 dhe miratimi i Kushtetutës së Kosovës disa muaj më vonë i obligon të zgjedhuri e popullit dhe institucionet tjera që ta respektojmë në plotni rendin kushtetues dhe sovranitetin e vendit.

“Pas ciklit të fundit të bisedimeve, përfaqësuesit e Kosovës duhet të sillen si përfaqësues të një shteti sovran të njohur ndërkombëtarisht, ti respektojnë parimet kushtetuese dhe ti përmbahen parimit të reciprocitetit me fqiun tonë verior. Asociacioni duhet të jetë brenda kornizës kushtetuese të shtetit të Kosovës, askush nuk guxon të miratoj statut tjetër që nuk është brenda kësaj kornize. Serbia duhet më në fund ta pranoj realitetin faktik që jemi shtete fqinjë, dhe ky realitet ndërton parime reciprociteti dhe fqinjësie me raporte bilaterale normale”, thotë Rugova.

Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje, pohon që, me këtë klasë politike në pushtet, do të hapen negociatat e reja me Serbinë.

Nëse në pushtet është kjo politikë, më shumë gjasë do të hapen negociata të tjera, sepse negociatat janë shndërruar në qëllim në vetvete. Kështu, duke vazhduar spiralen e pafund të negociatave arrihet njëfarë iluzioni për të dy palët, për Serbinë që vazhdon ta ketë Kosovën, dhe për qytetarët që kanë një shtet të pavarur. Kjo situate do të vazhdojë për aq kohë sa Evropa nuk do të ketë një konsensus rreth shtetësisë së Kosovës, gjë që duket se nuk është as afër.

Ndërsa, ish-kandidati për president të Kosovës, Seremb Gjergji, potencon që, Kushtetuta dhe ligjet aktuale nuk e lejojnë që të quhet Asociacioni i Komunave Serbe. Sipas tij, me ligjshmërinë aktuale, ky titull është anti ligjor dhe anti Kushtetues. “Aktualisht, e vetmja thirrje mund të jetë Asociacioni i Komunave Multietnike”, thotë Gjergji për gazetën “Bota sot”.

“Nëse ndryshohet Kushtetuta, atëherë Kosova do të jetë MONO-ETNIKE, jo më MULTIETNIKE. Ky ndryshim do të krijoi mundësi të lehta për ndërhyrje direkte nga Serbia. Ndërsa, me modelin aktual, Serbia e ka të pamundur të infiltrohet direkt në institucionet e Kosovës”, pohon ai.

Gjergji thekson se, institucionet e Kosovës duhet të mendojnë shumë mirë për një ndryshim të tillë. “Pasojat do të jenë të pakthyeshme dhe shumë të dëmshme me këtë model të bisedimeve – veçmas pa platformë. Poashtu, fuqia e Asociacionit aktualisht është anti-Kushtetuese, e kjo nuk duhet të lejohet”, thotë ai.

“Kosova e ka një asociacion dhe shumë lehtë e ka që të pranoi edhe një e më shumë vetëm me kompetenca të shkurtuara – pa asnjë fuqi kushtetuese. Kjo është e paevitueshme dhe tepër e dëmshme. Serbia vjen deri tek ura e Ibrit në Mitrovicë”, përfundon Seremb Gjergji.

Brukseli ende nuk e ka caktuar datën për vazhdimin e dialogut

Zyrtarët në Bruksel thanë për Radion Evropa e Lirë se ende nuk ka një datë të caktuar se kur do të mbahet takimi i ardhshëm ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë. Takimi i radhës, pritet që të jetë në nivelin teknik, për t’i paraprirë takimit në nivelin politik

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se është duke u punuar për caktimin e një date. “Unë nuk mund ta përmendi ndonjë datë në këtë moment. Në momentin kur ta kemi datën dhe të gjithë pajtohen, unë do ta bëj publike datën si dhe agjendën. Gjithmonë do ta bëj një gjë te tillë, por për momentin nuk mundem”, tha Kocijançiq.

Përderisa nuk dihet data e takimit të radhës, delegacioni i Kosovës ka udhëtuar për në Bruksel. Koordinatori i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, Avni Arifi, tha për Radion Evropa e Lirë se delegacioni kosovar do të bëjë prezantimin e të arriturave në procesin e dialogut me Serbinë, para përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ai tha se delegacioni i Kosovës do t’i njoftojë zyrtarët e BE-së për të arriturat, por edhe për ngecjet që pala serbe është duke i shkaktuar procesit. “Ne jemi të përgatitur, do të flasim për angazhimet tona, por njëkohësisht do të flasim edhe për bllokadat që kemi. Ne nuk kemi njohuri se a është pala serbe në atë takim, por për hir të informimit të opinionit, ne nuk kemi takim me palën serbe”, tha Arifi.

Arifi tha se pala nga Kosova i ka parashtruar kërkesat për takimin dhe temat që pritet të diskutohen, por sipas tij, ende nuk ka ndonjë përgjigje.

“Dy kërkesa i kemi bërë edhe në prill edhe në maj, për të rifilluar bisedimet dhe në rend të parë duhet të jetë energjia. Nuk kemi marrë përgjigje ende. Ne kemi pasur një ofertë për të dëgjuar prezantimin se deri ku kanë arritur rezultatet në hartimin e statutit, nuk kemi treguar interesim sepse ka prioritete më të mëdha. Për ne nuk ka marrëveshja më pak të rëndësishme dhe më shumë të rëndësishme, të gjitha marrëveshjet janë me rëndësi dhe jemi serioz në këtë aspekt”, tha Arifi.

Nga ana tjetër, njohësja e procesit të dialogut Kosovë – Serbi, Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur Radion Evropa e Lirë thekson se dialogu mes palëve duhet të vazhdojë. Ajo thekson se për krijimin e një atmosfere më të mirë në këtë proces, fillimi i zbatimit të marrëveshjeve do të krijonte një klimë më të mirë për takimet në vazhdim.

“Brukseli duhet të kërkojë nga të dyja palët që të zbatojnë marrëveshjet të cilat i kanë arritur edhe të sanksionojë palët të cilat nuk i zbatojnë ato marrëveshje. Sanksionimi mund të vijë me anë të mjeteve të cilat BE-ja i ka, siç është rrugëtimi palëve drejt BE-së. Është absurde të mendosh që mund të kemi një proces përmbyllës të dialogut ende pa e ditur se çka është duke ndodhur me marrëveshjet që janë arritur në vitin 2011”, tha Krasniqi.

Ajo tha se, përderisa Serbia, tashmë ka ndërtuar një pozicion më stabil për dialogun, Kosova nuk e ka bërë një gjë të tillë. Sipas saj, Kosova duhet të ketë një konsensusi politik karshi procesit të dialogut .

“Ne nuk jemi duke parë që ka një konsensus në palën kosovare rreth së ardhmes së këtij procesi. Nuk e kemi parë platformën e Qeverisë e cila është dërguar në Kuvend e më pas është tërhequr. Ndërsa nga ana e Kuvendi nuk kemi parë asnjë nismë konkrete drejt ndërtimit të një konsensusi politik apo qoftë edhe të diskutimit, mbajtjes së organizimit të një seance ku do të adresoheshin qëndrimet e ndryshme të partive politike rreth këtij procesi”, tha Krasniqi.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, ftesa e ardhshme e Brukselit për vazhdimin e dialogut me Serbinë, do të duhej të përmbante temat për ngecjet në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura. Në të kundërtën, sipas tyre, ftesa për vazhdimin e dialogut nuk do të kishte kuptim.

Institucionet e Kosovës po këmbëngulin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, të cilat sipas Prishtinës janë bllokuar nga Beogradi. Para së gjithash, përmenden marrëveshjet për energjinë, ajo për hapjen e urës mbi lumin Ibër, kthimi i dokumenteve kadastrale, njohja e diplomave dhe lejimi i funksionimit të objekteve të marra me qira në veri të Kosovës. Pala serbe, në anën tjetër, insiston në formimin sa më të shpejtë të Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

I jepet lamtumira e fundit Hilmi Haradinajt

Me nderime të larta i është dhënë lamtumira Hilmi Haradinajt. Ai është varrosur në varrezat e Kompleksit Memorial ‘Dëshmorët e Kombit’ në Gllogjan, vendlindjen e tij

Haradinaj është babai i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt dhe heronjve Shkëlzen dhe Luan Haradinaj. Në varrimin e tij morën pjesë shumë persona, nga vende të ndryshme. Ndërkaq, edhe në mbledhjen komemorative të pranishëm ishin shumë personalitete të njohura nga skena politike nga Kosova dhe rajoni.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndau dekoratën për 10- vjetorin e pavarësisë për të ndjerin Hilmi Haradinaj.

“Bacin Hilmi e njoha qysh në fillimet e para të UÇK-së, në vitin 1996. Më herët, përmes Kadri Veselit e kisha njohur Luanin. Ju humbët një bashkëshort, një baba dhe një gjysh të jashtëzakonshëm. Ne mbetëm pa një njeri me zemër të madhe. Ai nuk u dorëzua edhe përballë sfidave. Ai përballoi padrejtësitë e burgosjes së bijve të tij. Ishte njeri me vlera, burrë i Dukagjinit, i Kosovës dhe gjithë shqiptarisë”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se me humbjen e të atit ndjejnë dhimbje të gjithë bashkëluftëtarët.

“Sot e kemi të vështirë familja, e kemi të vështirë bashkëluftëtarët. Ndarja nga baba ynë ka shumë porosi dhe shumë ndjenja. Por ajo që është me rëndësi është se njerëzit që besojnë në të drejtën e tyre krijojnë vlera të reja”, u shpreh ai.

Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha, duke shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e Hilmi Haradinajt, tha se asnjëherë nuk do të ndahet nga ai, porse do të përkushtohet që ta çojë në fund amanetin e tij.

“Sot vij për të ndarë respektin dhe dhimbjen e thellë me familjen Haradinaj. Por nuk vij të ndahem me Hilmi Haradinajn. Vij këtu me përgjegjësinë e madhe për ta çuar deri në fund amanetin e tij të qartë”, u shpreh Basha.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se Hilmi Haradinaj do të jetë gjithmonë në historinë e popullit shqiptar.

Bojkoti ka arsye politike dhe profesionale

Bojkoti është një formë e protestës, më pak i zhurmshëm, por efikas, kur ai bëhet i koordinuar dhe i bashkuar, për të arritur një qëllim të caktuar. Bojkotët, sanksionet ekonomike dhe politike, që praktikojnë grup-shtetet, ndaj ndonjë apo disa shteteve diktatoriale, raciste apo luftënxitëse, kanë stopuar, deri në bllokim, dorëzim dhe pranim të kushteve të vëna, nga të – fortët -, siç janë Amerika dhe Evropa e Bashkuar


Nga Idriz Zeqiraj

Bojkoti politik, në rastin konkret, për shefin e emisionit në “Klan Kosova”, Baton Haxhiun, është nismë e Lëvizjes Vetëvendosje. Prej dy dekadash vazhdon të përfolët për ofrim-ndërmjetësimin të Baton Haxhiut, në mes të palës serbe, përkatësisht, shefit të shërbimit serb Stanishiq dhe palës shqiptare, për çështje konfliktuale, deri në luftë të hapur në Kosovë.

Pas luftës, organet kompetente të Kosovës, duhet ta hetonin gazetarin Baton Haxhiun, për lidhjet e tij me kryeudbashin Stanishiq dhe miqtë e tij serbë. Përkundrazi, ai jo vetëm që u amnistua në heshtje, por edhe u favorizua dhe u faktorizua në politikën e Kosovës, duke u vënë, tërësisht, në shërbim të krimit dhe të kriminelëve të ekstremit të majtë vendor, pushtetarëve të neveritshëm të sotshëm, të koalicionuar në PAN.

E keqja e madhe është se lidhjet konspirative, hafillëku në favor të Serbisë, jo vetëm që nuk i ndëshkuan, nuk u shkëputën, por, për më keq, u zyrtarizuan! Kampanjës konspirative me Serbinë, i prinë Hashim presidenti, i cili i mbanë në ethe shqiptarët qyqarë, të cilët heshtin, pikërisht, atëherë kur duhet ngritur zërin, deri në vesh të Perëndisë! Dekorimi, nga presidenti, i Baton Haxhiut, Bislim Zyrapit, (ky i fundit, denoncues dhe dëshmitar i grupit ushtarak, të Agim Mehmetit, më 1987 në Sarajevë, gjatë luftës zëvendësministër i FARK-ut,), dhe të disa monstrave tjerë, të lakuar për kolaborim, bashkëpunim me shërbimin sekret, civil dhe ushtarak, serb, është shqetësues.

Nisma e Lëvizjes Vetëvendosje për bojkot, është e studjuar mirë, sepse avokatimi që i bënë Baton Haxhiu partive-banda të PAN-it, në raste debatësh, në mes të ftuarëve nga LDK-ja, Vetëvendosja e tjerë, në ballafaqim me PAN-istët, sidomos me PDK-në, është i tejdukshëm. Andaj, jo vetëm për arsye politike, por edhe perdhosje profesionale, bojkoti i Vetëvendosjes meriton mbështetje të pakompromis. Dhe, partitë tjera duhet t`i bashkohen, pa hezitim e mëdyshje, Vetëvendosjes, duke vepruar ngjajshëm. Ky bojkot nuk ka asgjë personale, por është çështje shumë parimore dhe atdhetare – njëherësh, për t`u distancua nga krimi i konspiracionit të djeshëm dhe zyrtarizimi i dëmtimit të Kosovës, në vijimësi, të sotëm.

Magjia zviceriane dhe “Valon magjupi”

1 me 1 kundër Brazilit është më shumë se fitore. Si po reagon opinioni zviceran? Dhe disa fjalë për Valon Behramin, të cilin dikur Zvicra dëshironte ta dëbonte dhe më vonë, kur u bë yll, bashkëvendësit e tij e fyenin. Sonte ai është hero për të gjithë

Nga Enver Robelli

Në Zvicër të gjithë e njohin Jörg Kachelmann. Është meteorologu më i njohur i Zvicrës, i cili me vite ka parashikuar motin në televizionin publik. Ishte aq fantastik në prezantimin e motit, saqë e pati angazhuar edhe televizioni publik gjerman. Retë si lakra – kjo ka qenë njëra ndër fjalitë e tij më kreative. Pas lojës fantastike të Zvicrës kundër Brazilit, të cilën konfederata zvicerane e fitoi me barazim (po, padyshim ka edhe fitore të tilla, sepse një kinse xhuxh futbolli si Zvicra mposhti gjigantin e futbollit), Jörg Kachelmann shkroi në Twitter: «Mirënjohës për prindërit dhe gjyshërit e shtatë lojtarëve të Zvicrës – ata erdhën në vendin e duhur, i bënë fëmijët zviceranë, përndryshe do ta kishim harruar ne Kampionatin Botëror të Futbollit».

Heroi i ndeshjes, pa dyshim, ishte Valon Behrami. Nuk duhet harruar: në vitet ’90 familjen e tij deshi ta dëbojë nga Zvicra administrata e ashpër. Ndërhyri një politikan lokal dhe familja Behrami mundi të qëndrojë në Zvicër. Por, Valon Behrami me të drejtë mbante distancë me vendin që do të duhej të ishte mikpritës. Sukseset e mëdha i arriti në Itali. Dhe gjetiu në Europë. Njëkohësisht nuk refuzoi të luajë për Zvicrën. Sonte ai ishte heroi i ndeshjes kundër Brazilit. Sonte të gjithë heshtin. Edhe racistët e Zvicrës, edhe nacionalistët primitivë shqiptarë, ata që në Luzern, në ndeshjen e Zvicrës kundër Shqipërisë para disa vitesh çirreshin: «Valon magjupi».

«Good day», ditë e mirë, ky ishte komenti i Roger Federer, tenistit legjendar zviceran. Mediat, ndërkaq, luhaten mes entuziazmit dhe titujve esëll, tipik zviceran. Për shembull «Neue Zürcher Zeitung»: «Ekipi kombëtar zviceran ia arrin një rezultat 1 me 1 në hapje të Kampionatit Botëror të Futbollit». Zero gëzim, thua se bëhet fjalë për një samit të ministrave të financave. Pak më kreative është gazeta «Tages Anzeiger»: «Fillim i fuqishëm i zviceranëve në Kampionatin Botëror të Futbolli – një me një kundër Brazilit. Gol fantastik i Zuber, betejë deri në rraskapitje, Behrami del nga loja i lënduar: si e merituan djelmoshat e Petkoviqit një pikë». Për gazetën «Blick» kjo mbrëmje ishte thjeshtë: një magji drejt një pike! Më shumë as që është pritur, dhe gëzimi është edhe më i madh, kur dihet se ka humbur «kantoni ynë i madh» – kështu e quajnë zviceranët me ironi Gjermaninë.

Çfarë do të sjellin ditët në vijim? Brazili është nën presion të madh, duhet ta mposhtë Serbinë brutalisht, përndryshe djemtë nga Amerika Latine duhet ta harrojnë Kampionatin Botëror të Futbollit. Për Zvicrën vlen kjo porosi: duhet të jetë po aq e guximshme kundër Serbisë dhe Kostarikës. Pastaj vjen një e teta e finales. Dhe këtu nuk duhet të jetë stacioni i fundit i këtij ekipi. Në një situatë të acaruar politike në Europë, ku secili idiot politik bën fushatë kundër të huajve, Zvicra, ky shtet multietnik me ekip multietnik nga viset shqiptare dhe vende të tjera, do të duhej të shkonte në finale. Do të ishte mesazh më shumë se politik.

Pengesat e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE

Korrupsioni, sundimi i ligjit dhe reformat vazhdojnë të jenë vështirësitë kryesore të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimit në Bashkimin Evropian, thanë pjesëmarrësit në një diskutim për Ballkanin të mbajtur ditët e fundit në Universitetin Johns Hopkins në Uashington

Sipas tyre, ndikimi negativ rus është një sfidë tjetër për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ekspertët gjithashtu theksuan se vendet e rajonit duhet të përqëndrohen më shumë në përmbushjen e kushteve teknike të anëtarësimit në BE, si reformimi i sistemit të drejtësisë, transparenca dhe lufta kundër korrupsionit.

Ekziston një optimizëm jo realist në mesin e miliona njerëzve në Ballkanin Perëndimor për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian, tha Thomas Countryman, ish Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Evropën, gjatë një diskutimi në Universitetin Johns Hopkins. Sipas tij, vendet e Ballkanit duhet të përqëndrohen më shumë në përmbushjen e kushteve teknike të procesit të integrimit.

“Është e rëndësishme për vendet e rajonit që ta kuptojnë se nuk ekziston një rrugë e pastër politike drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në të kaluarën disa vende kanë qenë të suksesshme në përpjekjet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian përmes një rruge të pastër politike, pavarësisht se nuk i kishin përmbushur kushtet teknike. Krijimi i miqësive me vendet e Bashkimit Evropian, promovimi i kandidaturave për anëtarësim është gjë e mirë, por argumenti politik do të ishte njëqind herë më i fortë nëse ju i keni përmbushur kushtet teknike, përfshirë sundimin e ligjit.”

Zoti Countryman theksoi se sundim i ligjit nuk përfshin vetëm miratimin e ligjeve të mira, por zbatimin e tyre të plotë.

“Kjo nënkupton funksionimin e plotë të prokurorëve të pavarur të anti-korrupsionit, funksionimin e gjyqësorit të pavarur dhe një media e pavarur që lejohet të investigojë dhe të zbulojë se çfarë po bëjnë qeveritë, cilët politikanë po përfitojnë. Këto janë thelbësore për një vend që dëshiron ta quaj veten anëtar demokratik i Bashkimit Evropian”.

Balkani mbetet përparësi e politikës së jashtme ruse dhe Moska e sheh praninë e saj në rajon, përfshirë në Mal të Zi, si një përpjekje për të balancuar praninë e Perëndimit atje, tha ish Ndihmës Ministri malazez i Shëndetësisë Nebojsha Todoroviç. Sipas, tij synimi i Moskës është destabilizimi i rajonit për të parandaluar zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

“Strategjia e Rusisë në Ballkan është përçarja e rajonit në sfera të privilegjeve dhe interesave Perëndimore dhe Lindore, në bazë të fesë, historisë dhe faktorëve të tjerë. Për shembull, Rusia po shfrytëzon lidhjet historike dhe fetare me Serbinë dhe ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 për ta përdorur atë si një platformë për shtrirjen e ndikimit të saj në rajon”.

Në lidhje me këtë çështje, ish diplomati i lartë, Thomas Countryman theksoi se Rusia dëshiron të ushtrojë ndikim dhe të nxisë vendet e Ballkanit që të imitojnë modelin e saj të një qeverie plotësisht të korruptuar, jo transparente që kontrollon median.

“Kjo nuk është një rrugë e mençur për asnjë vend në Ballkan. Putinizmi me fytyrë njerëzore nuk është formulë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Analisti Daniel Serwer nga Universiteti Johns Hopkins i tha Zërit të Amerikës se vendet e Ballkanit nuk duhet të injorojnë përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në proceset e integrimit euroatlantik të rajonit.

“Serbia ende flirton me Rusinë, sepse Rusia ka ndikim. Rusia ushtron ndikimin e saj në mënyrë legjitime përmes diplomacisë dhe në rrugë të tjera që mund të mos jenë legjitime. Asnjë politikan në Ballkan nuk mund të injorojë faktin që Rusia bëri komplot për vrasjen e Gjukanoviçit. Kjo do marrë seriozisht në konsideratë”.

Një prani më e fortë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian është e rëndësishme për përparimin e vendeve të Ballkanit në procesin e integrimit euro-atlantik, thanë pjesëmarrësit, por sipas tyre vendet e Ballkanit duhet të intensifikojnë përpjekjet për forcimin e institucioneve të tyre demokratike. Në fund të diskutimit, Universiti Johns Hopkins nderoi ish Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit Brian Hoyt Yee për arritjet e tij gjatë karrierës diplomatike në Departamentin e Shtetit.