Shqetësim dhe kritika në mbarë botën për planet e Trumpit mbi Jeruzalemin

Synimi i presidentit të SHBA për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit ka bërë që në mbarë globin personalitetet drejtuese të venë këmbanat e alarmit. Disa madje shohin me këtë të kërcënohet paqja botërore

Qeveria e Gjermanisë në sfodin e planeve të presidentit të SHBA-së Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytete të Izraelit tërheq vëmendjen për rrezikun e trazirave në këtë qytet si dhe në Jordanin Perëndimor e në Gazë. Duke nisur nga kjo e mërkurë (06.11) në këto territore mund të ketë demonstrata, thuhet në udhëzuesin e aktualizuar të Ministrisë së Jashtme gjermane për ata që udhëtojnë drejt këtyre vndeve. “Trazirat e dhunshme nuk mund të përjashtohen.”

Ministri i Jashtëm britanik Boris Johnson, në kuadërtë një takimi të NATO-s në Bruksel, tha se qeveria e tij i sheh me “shqetësim” këto zhvillime. Londra është e mendimit, se statusi i Jeruzalemit duhet të jetë pjesë e një zgjidhjeje përmes bisedimeve mes Izraelit dhe Palestinezëve. Johnson shgtoi, se Britania e Madhe “nuk ka plane”, për ta zhvendosur në Jeruzalem ambasadën e saj.

Edhe i dërguari i OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, Nickolay Mladenov, theksoi, se statusi i Jeruzalemit duhet të jetë pjesë e “bisedimeve direkte” mes Izraelit dhe palestinezëve. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang, në sfondin e nismës së SHBA-së paralajëmroi për “një përshkallëzim të tensioneve” në Linjen e Mesme. Palët pjesëmarrëse duhet të shmangin gjithçka që rrezikon një zgjidhje të “çështjes së Paleastinës” dhe “mund të shkaktojë konfrontim në rajon”.

Qeveria e Turqisë paralajmëroi në rastin e njohjes së Jeruzalemit si kryeqatet i Izraelit nga ana e SHBA-së për një konflikt të ri ndërfetar. Kryeministri Binali Yildirim gjatë vizitës në Korenë e Jugut tha, se si njohja e Jeruzalemit si kryeqytet ashtu edhe zhvendosja e ambasadës së SHBA-së atje do të ishin veprime “jo legjitime”. Yildirim theksoi: “Eshtë me rëndësi thelbësore si sa i përket së ardhmes së rajonit ashtu edhe për paqen botërore, që presidenti iSHBA-së të mos ebëjë një deklarim në këtë drejtim.”

Irani planin e SHBA-së e vlerëson si një shenj dobësie. Ky hap nuk e ndal çlirimin e Palestinës prej pushtimit izraelit, theksoi kreu i Iranit Ajatollah Ali Chamenei. “Shpallja e Jeruzalemit si kryeqytet i Palestinës së pushtuar, tregon dëshpërimin dhe paaftësinë për veprim (të SHBA-së dhe Izraelit).”

Papa Françesku gjatë një audience të përgjithshme në Vatikan u shpreh “i shqetësuar thellë” për situatën përreth Jeruzalemit. Ky qytet është i shenjtë për hebrejtë, kritianët dhe myslimanët dhe ka një “simbolikë të veçantë për paqen”, tha Papa. Ky identitet i Jeruzalemit duhet të ruhet dhe të forochet në të mirë të vendit të shenjtë dhe të të gjithë Lindjes së Mesme.

Sipas të dhënave të një përfaqësuesi të nivelit të lartë të qeverisë së SHBA-së, këtë të mërkurë (06.11) Trump do ta shpallë vendimin e tij për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Trump gjatë një fjalimi që do të mbajë do të komunikojë zhvendosjen e ambasadës së SHBA-së në Jeruzalem, por realizimi i këtij vendimi mund “të zgjasë me vite”, thuhet në Uashington.

Si Izraeli edhe palestinezët e pretendojnë jeruzalemin si kryeqytetin e tyre. Izraeli e ka shpallur të gjithë Jeruzalemin si një “qytet të përjetshëm e të pandashëm”. Për palestinezët Jeruzalemi lindor është kryeqyteti i shtetit të ardhshëm të tyre.

Veseli – përfaqësuesve të BE-së: Demarkacioni të kalojë, Brukseli të veprojë për vizat

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, thotë se Demarkacioni me Malin e Zi duhet të kalojë dhe se PDK-ja do ta mbështesë atë. BE-ja, sipas tij, duhet të veprojë shpejt dhe qartë sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës

Këto deklarata Veseli i bëri në takim me shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova dhe ambasadorë të vendeve të BE-së të akredituar në Kosovë, ku u bisedua për shumë çështje që ndërlidhen me agjendën evropiane.

“Në këtë drejtim i njoftova ambasadorët se Kuvendi i Kosovës tashmë ka miratuar disa ligje që ndërlidhen me këtë agjendë, dhe disa të tjerë do të miratohen në seancat në vazhdim. E ritheksova para tyre se Marrëveshja për Shënjimin e Kufirit duhet të kalojë dhe se PDK-ja do ta mbështesë”, është shprehur ai.

Gjykata liron “Grupin e Dobrosinit” që akuzohej për sulm ndaj policisë serbe

Gjykata Themelore e Gjilanit ka liruar nga akuzat “Grupin e Dobrosinit”. Ndryshe, ky grup njihet edhe si “Lëvizja e Lirisë” që përbëhet nga 11 pjesëtarë: Valon Jashari, Skënder Jashari, Gazmend Lakna, Gazmend Xhemshiri, Qëndrim Rexhaj, Muhamed Aliu, Skender Selmani, Enver Musolli, Abdullah Zogaj dhe Jeton Shabani. Ata akuzoheshin se kanë kryer akte terroriste në shtetin e Serbisë

Veprat penale për të cilat ky grup u akuzua janë: “Organizimi dhe kryerja e sulmit terrorist” dhe “Pjesëmarrje në grup terrorist”. Në vitin 2013 ky grup ishte dënuar me 60 vjet burgim në total, por Gjykata Supreme e kishte kthyer në rigjykim.

Gjykata Supreme përmes aktgjykimit të lëshuar më 19 prill të vitit 2016, e kishte kthyer rastin në rigjykim, derisa në vitin 2013 të akuzuarit qenë dënuar nga Gjykata Themelore në Gjilan me një total prej 60 vjetësh burgim.

Haradinaj thyen çdo rekord, “rehaton” dështakët e tij në poste të larta shtetërore

Kryeministri Ramush Haradinaj, në një status në rrjetin social Facebook, para disa viteve kishte kritikuar qeverinë e asaj kohe për numrin e madh të zyrtarëve nëpër ministri. Por, qeveria të cilën ai është duke e udhëhequr, tash pas 2 viteve është duke thyer çdo rekord sa i përket numrit të zëvendësminstrave të emëruar

Dje ai emëroi edhe 4 zëvendësministra të tjerë, për t’a quar numrin në 68. Në mesin e tyre kemi edhe ish kandidatë për kryetar komunash të cilët kanë dështuar të tregojnë rezultat. Raste konkrete kemi, ish kandidatin nga radhët e AAK-së për Komunën e Vitisë, Faruk Nurën, ish kandidatin po ashtu nga radhët e AAK-së për kryetar të Gjilanit, Rexhep Kadriun dhe Xhavit Zariqin një kandidat i cili humbi zgjedhjet në Ferizaj.

Përderisa Rexhep Kadriu, u emërua si zëvendësministër në Minstrinë e Infrastrukturës, Faruk Nura u emërua në postin e të qenurit zëvendësministër në Ministrinë e Diasporës, kurse Xhavit Zariqi u caktua të jetë zëvendësministër i Zhvillimit Ekonomik. Ky i fundit bile pati një konflikt me Gani Kocin e PDK-së për shkak të problemit me caktimin e zyreve të punës.

Nëse marrim edhe emërimet tjera del se Haradinaj ka rahatuar nëpër digasteret qeveritare edhe të tillë, si Arbër Vllahiun i cili kryen funksionin e zëdhënësit të Qeverisë. Ky i fundit humbi po ashtu në zgjedhjet komunale, në garën për Prishtinën.

Veseli: Pas janarit do të merret vesh kush çka ka bërë

Në seancën e sotme në Kuvend pati përplasje mes deputetes së Vetëvendosjes, Drita Millaku dhe kreut të Kuvendit, Kadri Veseli. E gjitha nisi kur deputetja akuzoi kryeparlamentarin dhe Presidentin Hashim Thaçi se kishin urdhëruar vrasjen e komandantit

Deputetja Millaku ka thënë se me urdhër dhe dijen e Veselit dhe Thaçit është vrarë komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha, me pseudonimin Drini.

Pas kësaj, ka marrë fjalën edhe Veseli, i cili i ka kërkuar që në Kuvend të flitet për temën për çka është thirrur seanca, ndërsa për akuzat tjera flitet në janar.

Siç duket, Veseli e pati fjalën për Gjykatën Speciale, që edhe më tej nuk dihet se kur do të dalë me aktakuzat e para, edhe pse Veseli sot përmendi muajin janar, si kohën kur do të nisin për të dalë në dritë të gjitha.

“Po, kena me folë edhe për këto sene. Mos u ngutni. Veç ka marrë fund koha e ish Serbisë. Kena m’u ballafaqu për tana senet te zoti e te njeri. Me pasë dikush shqetësim shkon edhe te Prokuroria. E ka rrejtë kush i ka thanë diçka, me shiku brenda vetes e gjanë ma lehtë”, ka thënë kreu i Kuvendit.

Komandant Drini është vrarë pas përfundimit të luftës e vrasja e tij nuk është zbardhur asnjëherë, ndërsa deputetja e VV’së hapi temën e vrasjes së tij, duke thënë se në këtë ka gisht presidenti i kryeparlmentari.

Kjo, sipas saj, ka ndikuar që komandanti i vrarë as të mos dekorohet nga Presidenca. “Kërkesa për dekorimin e Drinit është në sirtar qe katër vjet dhe asnjëherë nuk u mor parasysh”, tha Millaku.

Kundër Demarkacionit me pasaportë shqiptare

Pamundësia që Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, po i mban edhe më tej qytetarët e Kosovës të izoluar. Qëndrimi zyrtar i Bashkimit Evropian është që Kosova nuk mund ta marrë liberalizimin e vizave derisa ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacion dhe derisa nuk arrin rezultate të prekshme në luftë kundër korrupsionit

Tema për Demarkacionin po vazhdon që nga viti 2015, kur edhe ishte arritur marrëveshja për këtë çështje. Një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës thonë se me këtë marrëveshje Kosova ka humbur territor prej 8 mijë hektarësh, ndërkohë që të tjerët konsiderojnë se Marrëveshja për demarkacionin është bërë në mënyrë të duhur dhe se ajo duhet të ratifikohet. Marrëveshjen e kanë mbështetur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Qeveria e Kosovës të martën e ka proceduar këtë marrëveshje Kuvendit të Kosovës, por duke ia bashkangjitur edhe raportin e Komisionit të ri Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, e cila ka konstatuar që, megjithatë, me këtë marrëveshje, Kosova ka humbur territor.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës në vend, ka deklaruar se do ta mbështetë ratifikimin e Marrëveshjes të vitit 2015, me ç’rast, siç është thënë, do të përfundonte izolimi i Kosovës dhe do të mundësohej liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian.

Partneri tjetër i koalicionit qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, lider i së cilës është kryeministri Ramush Haradinaj, me 9 deputetët e saj në Kuvend, po e kundërshton marrëveshjen dhe zoti Haradinaj ka theksuar se Komisioni e ka vërtetuar që Kosova ka humbur territor.

Kundër Marrëveshjes për demarkacion është shprehur edhe Nisma për Kosovën, gjithashtu një prej partnerëve të koalicionit qeverisës, e cila në Kuvendin e Kosovës ka 6 deputetë.

Marrëveshjen po e kundërshton edhe subjekti opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, e cila në Kuvend i ka 32 deputetë.

Derisa çështja e Demarkacionit të mos zgjidhet, qytetarët e Kosovës do të presin edhe më tej, me muaj të tërë, për takimet e caktuara në ambasadat evropiane në Prishtinë, e më pas, në diell e në borë, në radhë, për t’i dorëzuar dokumentet për viza. Në “dokumente”, përveç atyre personale, përfshihen edhe dëshmitë për posedimin e mjeteve të mjaftueshme financiare, dëshmia që në Kosovë janë në marrëdhënie të sigurt të punës dhe të ngjashme.

Megjithatë, një numër i madh i udhëheqësve shtetëror, i deputetëve, por edhe i njerëzve me funksione të larta, nuk e kanë të nevojshme pritjen në radhë për viza, sepse kanë siguruar shtetësinë e Shqipërisë dhe pasaportat, për të cilat nuk vlen regjimi i vizave me Bashkimin evropian. Në mesin e tyre janë edhe ata që po e kundërshtojnë ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion.

Përmes dekretit të Presidentit të Shqipërisë, shtetësia u është ofruar një numri të madh të politikanëve nga Kosova.

Në muajin prill të këtij viti, shtetësinë e Shqipërisë e kanë marrë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëshortja e tij, Anita, e më pas edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.

Më herët, shtetësinë e Shqipërisë e kanë marrë edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, anëtarët e udhëheqjes dhe deputetët e kësaj partie: Albin Kurti, Dardan Molliqaj, Aida Dërguti, Glauk Konjufca, Liburn Aliu, si dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Gjithashtu, shtetësinë e Shqipërisë, më herët, e ka marrë edhe deputeti i këtij subjekti politik nga legjislatura e kaluar, Hydajet Hyseni. Deputetë të caktuar të këtij subjekti politik kanë pasaporta të vendeve të ndryshme evropiane.

Në qershor të këtij viti, shtetësinë e Shqipërisë e kanë marrë nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi dhe bashkëshortja e tij, Fatmirja.

Shtetësinë e Shqipërisë e ka edhe deputetja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, deputeti i kësaj partie Arben Gashi dhe ish-deputeti dhe anëtari i LDK-së, Sabri Hamiti.

Shtetësinë e Shqipërisë e ka marrë edhe vëllai i zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, Selim Pacolli, i cili në zgjedhjet lokale ishte kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës dhe më pas, e ka mbështetur kryetarin e zgjedhur të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin nga Lëvizja Vetëvendosje. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, gjithashtu ka shtetësinë e Shqipërisë. Kohë më parë, shtetësinë e Shqipërisë e ka marrë edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini.

Sikurse politikanët, shtetësinë e Shqipërisë e kanë siguruar edhe personalitetet tjera që bartin funksione të larta. Në mesin e tyre janë: kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, shefi i Njësisë për luftë kundër kriminalitetit ekonomik, Nazim Sahiti, drejtori ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, drejtori i Agjencisë Kosovare për Privatizim, Ekrem Hajdari, si dhe mjaft të tjerë.

Tash së voni, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga homologu i tij nga Shqipëria, Ilir Meta, që t’iu mundësohet qytetarëve të Kosovës, që përmes procedurave të përshpejtuara të aplikojnë për shtetësi të Shqipërisë, duke pasur parasysh që heqja e regjimit të vizave për Kosovën është e pasigurt.

“Pasi që gati se të gjithë zyrtarët e institucioneve të Kosovës, familjet e tyre, deputetët, ministrat, zyrtarët komunal, njerëzit nga shoqëria civile dhe mediet e kanë siguruar shtetësinë e Shqipërisë, mendoj që nuk është vonë që edhe qytetarëve të rëndomtë t’iu mundësohet kjo”, pati thënë Thaçi.

Meta i ishte përgjigjur se “nuk është zgjidhje që të merret shtetësia e Shqipërisë”, por që Kosova të tejkalojë problemin e izolimit.

Rregullat aktuale të Shqipërisë janë të tilla që në rast se shtetasi i Kosovës dëshiron të marrë shtetësinë e Shqipërisë, duhet që kërkesën t’ia drejtojë Presidentit të Republikës së Shqipërisë, me shpjegimin se për çfarë arsye e kërkon shtetësinë. Bashkë me këtë, duhet që të dorëzojë edhe certifikatën nga libra amzë e të lindurve, lejen për qëndrimin në Shqipëri dhe dëshminë se ka jetuar në një adresë në Shqipëri të paktën për tri vjet. Sipas nevojës, kërkohet edhe vërtetimi për dëshmimin e prejardhjes shqiptare. Shtetësia e Shqipërisë merret me dekretin e Presidentit të atij vendi. Është e sigurt që gjasat janë të vogla që politikanët e Kosovës, të cilët kanë marrë shtetësinë e Shqipërisë, të kenë jetuar në një adresë shqiptare, të paktën për tri vjet.

Stoltenberg: NATO-ja do të ndihmojë në evitimin e konfliktit në Ballkan

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit që t’i ulin tensionet

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve ta bëjnë atë që munden për reduktim të tensioneve, për evitimin e retorikës nxitëse dhe të sigurojnë që ne të mos shohim përsëri ndonjë konflikt të armatosur në këtë rajon”, tha sot zoti Stoltenberg, në një konferencë për gazetarë në Bruksel, në ditën e dytë të takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s.

Mëtutje ai theksoi se “përgjegjësinë kryesore” për evitimin e konflikteve eventuale, “natyrisht e kanë vendet e rajonit, por NATO-ja do të jetë atje për të ndihmuar dhe mbështetur dhe për të siguruar se ne i shmangemi çfarëdo lloji të konfliktit të armatosur në Ballkanin Perëndimor”.

Gjermania jep mbi 7 milionë euro grante për Kosovën

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka nënshkruar dy marrëveshje me vlerë mbi 7 milionë euro me Bankën Gjermane për Zhvillim (KFW), të cilat dedikohen për rritjen e kapitalit të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive

Ai ka tha se këto janë grante që do të mundësojnë zhvillimin e sektorit privat dhe kryesisht ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. “Në vlerë prej 7.45 milionë euro të ndarë në dy marrëveshje, 5. 45 milionë euro dhe 2 milionë euro në mbështetje të Fondit të Garantimit të Kredive. Se këto para janë grante, me të cilat shteti i Gjermanisë , vazhdon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Arritja e këtyre marrëveshjes është edhe një sinjal i angazhimit tonë të përbashkët për mbështetjen shumë të rëndësishme të ekonomisë.

Sidomos ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që është edhe një inkurajim për gjeneratën e re për gjininë femërore sa i përket çështjes së punësimit. Është lajm shumë i mirë shumë inkurajues se të gjitha bankat komerciale në Kosovë , janë të regjistruara dhe bashkëpunojnë me fondin për garantimin e kredive“, tha Hamza. Përmes Fondit të Garantimit të Kredive, sipas Hamzës, deri tash janë dispozicuar më shumë se 23 milionë euro.

Ndërsa, Rene Escherman, drejtor i zyrës së KFW-së për Kosovë dhe Maqedoni, tha se ky fond ka për qëllim që të ketë sukses dhe të rrisë kapitalin në të ardhmen.

“Që nga fillimi i themelimit të saj është i destinuar të ketë një sukses të madh. Por çfarë është e veçantë për fondin dhe çka e bënë atë për nismat e mëtutjeshme , është se është gjithçka në një institucion të përhershëm dhe të pavarur. Gjithashtu kjo demonstron një shembull shumë të mirë të bashkërenditjes të donatorëve. Për shkak se përveç USAID-it dhe Qeverisë gjermane edhe Qeveria e Suedisë do t’i bashkëngjitet këtij fondi. Në njërën anë e ngrit tutje kapitalin themelor të fondit , po në anën tjetër hap edhe një dritare të re të mundësive në veçanti në sektorin e bujqësisë. Pasi që kredia dhënia është vetëm 4 për qind në këtë sektor. Me këtë ne dëshirojmë që të promovojmë edhe më shumë sektorin privat”, tha ai. Escherman tha se ministri i Financave ishte mbështetës kryesor i këtij fondi.

Indianët e Amerikës kanë lënë një kod prej 20 pikash për njerëzimin

1. Zgjohu bashkë me Diellin. Lutu vetëm dhe shpesh. Shpirti i Madh do të të dëgjojë, vetëm nëse flet.

2. Ji tolerant me njerëzit që kanë humbur rrugën e tyre. Injoranca, xhelozia, zemërimi dhe babëzia burojnë të gjitha nga një shpirt i humbur. Lutu që ata të gjejnë rrugën.

3. Kërkoje vetveten, ti vetë. Mos lejo që të tjerët të krijojnë rrugën tuaj për ty. Është rruga jote dhe vetëm e jotja. Të tjerët mund të ecin me ty, por askush nuk mund të ecë për ty.

4. Trajtoji mysafirët në shtëpinë tënde me nderime. Shërbeju ushqimin më të mirë, ofroju shtratin më të mirë dhe trajtoi me respekt dhe nder.

5. Mos merr atë që nuk është e jotja, as nga një person, komunitet apo kulturë. Nuk është fituar dhe nuk të është dhënë. Nuk është e jotja.

6. Respekto çdo gjë të vogël mbi tokë.

7. Ndero mendimet, mendimet, dëshirat dhe fjalët e njerëzve të tjerë. Le të shprehë secili vetveten.

8. Asnjëherë mos fol keq për të tjerët. Energjia negative që vendos në univers do të shumëfishohet kur të kthehet tek ti.

9. Të gjithë bëjnë gabime. Dhe të gjithë gabimet mund të falen.

10. Mendimet negative shkaktojnë sëmundje të mendjes, trupit dhe shpirtit. Praktiko optimizmin.

11. Natyra nuk është PER ne, por një PJESE e jona. Kafshët, bimët dhe çdo krijesë tjetër, janë të gjitha pjesë e familjes së botës.

12. Fëmijët janë farat e të ardhmes sonë. Duhet të mbjellësh dashuri në zemrat e tyre, dhe t’i mbushësh me urtësi dhe mësime të vyera për jetën. Kur të rriten, jepu hapësirë të piqen.

13. Mos e lëndo zemrën e të tjerëve. Helmi i dhimbjes që shkakton do të kthehet tek ti.

14. Ji i ndershëm gjithë kohës. Ndershmëria dhe e vërteta janë testet e vullnetit të njeriut në këtë botë.

15. Ruaj ekuilibrin. Stërvit trupin për të fuqizuar mendjen. Pasurohu në shpirt për të kuruar dhimbjen emocionale.

16. Merr vendime të ndërgjegjshëm për atë që do të jesh dhe si do të reagosh. Ji përgjegjës për veprimet e tua.

17. Respekto hapësirën personale të të tjerëve. Mos prek sendet personale të të tjerëve – sidomos objektet e shenjta dhe fetare. Kjo është e ndaluar.

18. Ji i vërtetë, së pari me veten tënde. Nuk mund të ushqesh dhe ndihmosh të tjerët, nëse nuk ushqen dhe ndihmon veten së pari.

19. Respekto besimet e të tjerëve. Mos u përpiq t’u imponosh të tjerëve besimet e tua.

20. Ndaje pasurinë me të tjerët. Bëj bamirësi. / Bota.al

Vëllai rrëfen fundin e Mehmet Shehut: U qëllua me armë pasi e helmuan, kush e dha urdhrin

“Mehmet Shehu është helmuar dhe pastaj është qëlluar me dy plumba”. Kështu është shprehur i vëllai i ish-kryeministrit Mehmet Shehu, në lidhje me vdekjen ende misterioze të Mehmet Shehut. Sipas tij, urdhri është dhënë nga Enver Hoxha, por këmbëzën e pistoletës e ka shkrepur Kadri Hazbiu

“Cili është njeriu që ka qëlluar mbi të? Në fillim dukej se çështja ishte e koklavitur, por unë kam bërë hetimet e mia dhe kam pyetur shumë njerëz. Nga të gjitha këto, kam dalë në përfundimin se urdhri për ekzekutimin e tij është dhënë nga Enver Hoxha, ndërsa këmbëzën e ka shkrepur ‘Jagoja’, Kadri Hazbiu.

Por, në marrjen e vendimit, ka qenë edhe një i tretë, ‘Hrushovi’, Ramiz Alia. Unë theksoj atë që kam thënë edhe herë të tjera: Të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata që jetonin kur ishte Mehmet Shehu gjallë, por dhe që kanë lindur pasi ai u vra, kam bindjen po t’i pyesësh (se do u kenë treguar nënat, baballarët, gjyshërit) mbi këtë çështje do të thonë se mbi Mehmet Shehun nuk mund të vinte dot dorë njeri, pa lejen e Enver Hoxhës”, është shprehur ai për gazetën “Dita”, një vit më parë.

Sipas tij, “Shumëkush mund të mendojë se urdhri u dha për shkak të fejesës së djalit të tij, Skënderit, me një vajzë nga Turdinjtë, familja e së cilës kishte biografinë me probleme. Por nuk është kështu”. Ai tregon se urdhri për eliminimin e tij është shumë i largët, pasi përpjekjet për eliminimin e tij kanë filluar që në ’48-n. “Ishte Koçi Xoxja me klanin e tij. Pra nuk ishte e rastit vrasja e Mehmet Shehut. Plani për eliminimin e tij ka filluar që në atë kohë”, thotë Duro Shehu.

KUJTIMET

Vite më parë, Duro Shehu botoi një libër kujtimesh “Mehmet Shehu, im vëlla”, (“Bota Shqiptare”), ku ndër tjera rrëfen për ditën e vetë/vrasjen së Mehmet Shehut, takimin me Fiqretin, të bijtë, shërbyesen, etj. Duro Shehu thotë se oficerët e Sigurimit që kishin mbushur vilën e Kryeministrit të vdekur, nuk e kishin lënë t’i afrohej trupit të pajetë të të vëllait, për të parë se si e kishte marrë plumbi.

Në librin e tij, ai rrëfen: “Sa hymë në shtëpi, pyeta Fiqretin se si ndodhi, ç’ngjau? Ajo nuk foli fare, por vuri gishtat e duarve te veshët si për të thënë se shtëpia përgjohej dhe nuk duhej të flisnim. Pyes Vladimirin, djalin e madh të Mehmetit, dhe ai më thotë: “Xhaxhi, nuk dimë gjë. Unë dhe Bardha (gruaja) nuk fjetëm tërë natën. Dhomën e kishim ngjitur me atë të babit, por nuk dëgjuam asgjë”. Pyes Farien, punëtoren që kishte shërbyer 30 vjet në shtëpinë e Mehmetit.

Ajo tha: “Shoku kryeministër ishte shumë mirë, para një jave i kërkoi leje shokut Enver të shkonte për gjah në Elbasan. Vajti në mëngjes dhe erdhi në darkë. Më parë shkonte të shtunave dhe kthehej të dielave në darkë. S’di ç’të them! Kryeministri u vra. Më tepër nuk di ç’të them…”. E pyeta prapë Farien se kush ishte me shërbim mbrëmë këtu. Unë isha në shtëpi, tha. Me shërbim ishte një vajzë e re, ajo që pe ti para se të shkoje në Vjenë, por ajo vajza iku natën, iku natën, nuk e di ku e çuan…

Pyeta Ali Çenon, truprojën kryesore të Mehmetit dhe ai më tha po ato fjalë që ka deklaruar edhe në shtyp: Unë, sipas grafikut të shërbimit, isha në shtëpinë time. Më kërkuan të vija dhe erdha. Pashë që nga dhoma e shokut Mehmet doli Kadri Hazbiu me një çantë të zezë në dorë…

Sipas Gani Kodrës, përgjegjësit për sigurimin e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiu në gjyq i kishte mohuar thëniet e Ali Çenos, duke thënë se atë natë ai kishte qenë në ditëlindjen e Elit, sekretares së tij, në Laprakë. Eli e mohoi. Kadriu tha se tek Eli vajti me vonesë… Ku ishte vonuar Kadriu? Në dhomë ku kishin vendosur trupin e Mehmetit ishim ne të shtëpisë që bëheshim gjithsej dhjetë veta që po rrinim dhe 20 e ca oficerë të Sigurimit që rrinin në këmbë e na përgjonin ne.

Nuk njihja asnjërin prej tyre. I them pas një copë here përgjegjësit të tyre: “A mund ta shoh ku e ka marrë plumbi Mehmetin?” “Jo, më thotë. Në asnjë mënyrë. Rri e përgjoje. Vetëm kaq”. Po ta kisha parë plagën e Mehmetit, si ushtarak që isha, mund të kuptoja diçka më shumë, pavarësisht se nuk isha ekspert kriminalist.

* * *
Pak pasi kisha pyetur përgjegjësin e oficerëve të Sigurimit për të parë plagën e Mehmetit, vjen një oficer tjetër i Sigurimit, më nxjerr në dhomën tjetër e më thotë: “Duro, kam urdhër të të them se që tani duhet të shkosh në shtëpinë tënde”.. Mbi varrin e Mehmetit foli Vladimiri, djali i Mehmetit, ndërsa nga Kryeministria nuk u tha asnjë fjalë, nuk u vendos asnjë lule, asgjë.

Nuk u lejuan të merrnin pjesë në varrim të afërm të tjerë të familjes, as miq e shokë që Mehmeti i kishte pasur me shumicë. Ishin marrë masa shumë të rrepta në Tiranë, por sidomos në zonat jugore të vendit. Në Tiranë nga shtëpia e Mehmetit e deri në varreza ishin bërë gardh njerëzit e Sigurimit e të Policisë, të cilët nuk lejonin askënd, jo të kalonte atë gardh të tyre, por as të shikonte”.

INTERVISTA

Pas botimit të kujtimeve të tij “Mehmet Shehu, im vëlla”, Duro Shehu ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën “Panorama”, përmes së cilës ai rikthehet në kohë, duke kujtuar veprimet e para që bëri menjëherë pasi mori vesh vetë/ vrasjen e të vëllait-kryeministër. Duro Shehu, oficer, kishte mundësi të komunikonte me emrat më të pushtetshëm të kohës.

“I telefonova Veli Llakës për të ma sqaruar më mirë lajmin që më kishte dhënë pak çaste më parë. ‘Të lutem, i thashë, më ndihmo të takohem me Kadri Hazbiun’. Në atë kohë ai bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Veliu, pasi më tha se Kadriu ndodhej në zyrë, më premtoi se do t’ia transmetonte kërkesën time. Prita në çaste të tëra në ankth. Shpresoja shumë se kontakti me të do të më orientonte për shumë gjëra. Kishin kaluar gati 40 minuta, kur më telefonoi Veliu e më tha se më priste në zyrë ministri i Mbrojtjes. U nisa me një frymë.

Rrugës sillja ndërmend lloj-lloj dilemash e qëndrimesh për atë që kishte ndodhur. Kadri Hazbiu që do të takoja kishte qenë një nga miqtë më të afërt të Mehmetit dhe familjes sonë. Fakti që pranoi të më takonte, më lehtësoi disi për gjëmën që parandieja. Po, çuditërisht, këtë radhë do të takoja një Kadri tjetër…”, tregon Duro Shehu.

Sipas tij, Hazbiu i kishte thënë vetëm se Mehmeti ishte vetëvrarë dhe arsyeja ishte e bija e Turdive. “Aty për aty, gati pa vetëdije, i thashë se nuk dinim gjë përse bëhej fjalë, po Kadriu, që mesa dukej nuk fliste vetëm në emër të tij, kaloi nga momentet e sqarimit për atë që kishte ndodhur, te porositë zyrtare për atë që duhej të bënim ne familjarët pas këtyre çasteve.

‘Tani, më tha, lajmëro vëllezërit dhe shkoni në shtëpi, te xhenazja. U thuaj se Partia nuk do ta varrosë. Është vetëvrarë, e kjo do të thotë tradhti. Pastaj, me ato që ka bërë për atë fejesën, mund të dalë se ka qenë armik’. Këmbëngula për t’i kërkuar edhe diçka tjetër, me bindjen që tek ai, pavarësisht këtyre rrethanave, nuk mund të ishte fshirë çdo gjë nga lidhjet shpirtërore me Mehmetin, por ishte e kotë.

Atë çast Kadriu u çua në këmbë, hoqi syzat dhe m’u drejtua përmbledhtazi: ‘Është urdhër. Kështu duhet bërë! Mirupafshim!’”. Ai kujton se Hazbiu e kishte porositur që ai vetë, si komunist, nuk duhet të merrte pjesë në varrimin e të vëllait, por vetëm të shkonte në shtëpinë e tij për të përgjuar trupin e pajetë. I ndjekur nga njerëz të Sigurimit ai u drejtua për në shtëpinë ku kishte rënë zia.

“Ishte një urdhër që të linte të kuptoje se ishte pleqëruar me majën e kupolës. Deshifrimi i tij më shkoqur do të thoshte se ceremoninë mortore do ta bënim vetëm ne familjarët. Lajmërova vëllezërit dhe aty nga mbrëmja u nisëm për te banesa e Mehmetit. E gjithë rruga për aty ishte blinduar me policë e roje të armatosura. Në afërsi të vilës, dy autoblinda të Gardës ishin vënë në pozicion luftimi. Në të gjitha godinat përreth, pushkatarë e roje të armatosura vigjilonin si në momente luftimi.

Kaluam mes tyre dhe u gjendëm në banesë. Arkivoli me trupin e pajetë të Mehmetit ishte vendosur në mesin e dhomës së madhe. Anash tij në karrige rrinte e shoqja dhe djemtë. Në shpinë të tyre disa njerëz të panjohur me revole në brez. Një pamje e rëndë, shumë e rëndë, me një heshtje torturuese, kishte pushtuar tërë mjedisin”, është shprehur Duro Shehu për “Panoramën”.