Shqiptarët duan vetëm shtëpi, i bëjnë lekët llaç e tulla, Europa teknologji e shpikje

Që shqiptarët janë të dhënë pas ndërtimeve, kjo është e dukshme në çdo cep të vendit. Nga zonat urbane tek bregdeti, një sipërfaqe e madhe toke është betonizuar pas viteve ’90, nisur dhe nga nevojat e mëdha për strehim pas tranzicionit ekonomik. Pas një faze maturimi, ndërtimi ka rifilluar me ritme të vrullshme muajt e fundit, kryesisht në kryeqytet dhe bregdet

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se ndërtimi, sidomos ai i banesave zënë pjesën e luanit të investimeve të brendshme, që është më e larta në rajon dhe Europë. Sipas INSTAT treguesi i formimit bruto të kapitalit fiks (investimet e brendshme materiale dhe jo materiale) përbëhet në 75% nga ndërtimi, 17% nga pajisjet dhe 8% nga të tjera (transport, bujqësi e kërkime minerare). Brenda ndërtimit, gati 60% shkon për banesa. Të dhënat e fundit i përkasin vitit 2015, por nuk ka ndonjë ndryshim të madh në krahasim me 10 vjet më parë, kur ndërtimi zinte 80% të invesimeve të brendshme në ekonomi.

Formimi bruto i kapitalit fiks është pjesë e shpenzimeve të prodhimit të brendshëm bruto dhe tregon se sa nga vlera e shtuar në ekonomi investohet sesa konsumohet. Shqipëria i bën pjesën më të madhe të parave llaç e tulla, një investim që mund të ndikojë në afatin e shkurtër në rritjen e qarkullimit të parave dhe hapjen e vendeve të reja të punës, por që në afat të gjatë nuk i jep vlerë të shtuar ekonomisë, teksa nuk ndikon në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë (Shqipëria vijon të mbetet një ndër shtetet me të ardhurat më të ulëta për frymë në rajon dhe Europë).

Europa i përdor paratë krejt ndryshe në krahasim me Shqipërinë. Sipas të dhënave të Eurostat, që i përkasin vitit 2016, investimet e brendshme shkojnë 48% për ndërtim. Pjesa tjetër përdoret në investime në teknologji e shpikje, që rrisin produktivitetin, përkatësisht 31% në pajisje dhe 17% në pronësi intelektuale (shiko grafikun).

Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor nga institutet statistikore të rajonit, edhe në Maqedoni, ndërtimi merr rreth 63% të investimeve, ndërsa pajisjet e makineritë rreth 30%, sa dyfishi i Shqipërisë. Maqedonia është një hap përpara Shqipërisë si për teknologjinë e informacionit ashtu dhe për industrinë, teksa është një prodhues i pjesëve të makinave, si psh katalizatorë nga Johnson Doel, një kompani që kishte të ardhura prej 1.2 miliardë eurosh në 2016-n, tre herë më shumë se sipërmarrja më e madhe në Shqipëri.

Në Mal të Zi dhe Serbi, ndërtimi zë rreth gjysmën e investimeve të brendshme, ndërsa pajisjet e makineritë zënë përkatësisht 37% n Mal të Zi dhe 48% në Serbi.

Kanalizimi i fondeve të lira kryesisht në banesa ka bërë që vendi ynë të ketë peshën më të lartë të ndërtimit në prodhimin e brendshëm bruto në Europë. Me gati 11% të PBB-së, ndërtimi qëndron gati 3 pikë përqindje më lart nga ndjekësi më i afërt, që është Maqedonia. Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja kanë qenë më të frenuar në zhvillimin e këtij sektori, që zë mesatarisht 4-6% të PBB-së. Në vendet e Bashkimit Europian, ndërtimi, i maturuar prej vitesh, zë rreth 5.3% të PBB-së.

Formimi i bruto kapitalit fiks (FBKF), përbëhet nga investimet e prodhuesve vendas dhe blerjet minus shitjet, të aseteve fikse gjatë një periudhe të caktuar. Ajo gjithashtu përfshin shtesa të caktuara për vlerën e aseteve jo-prodhuese të realizuara nga aktiviteti prodhues apo njësitë institucionale. Asetet fikse janë asete të prekshme apo të paprekshme të përdorura në prodhim për më shumë se një vit (INSTAT).

/Monitor

Shkencëtarët parashohin tërmete shkatërrimtare në vitin 2018

Shkencëtarët tërheqin vërejtjen se vitin tjetër Toka do të përballet me 20 tërmete shumë shkatërruese. Kjo ndodh për shkak të ngadalësimit të rotacionit të tokës, shkruan “Daily Mail”

raporton kjo gazetë, disa ekspertë tërheqin vërejtjen se sivjet bota “kaloi mirë” me vetëm gjashtë tërmete shkatërrimtare, porse në vitin që vjen nuk do të jetë ashtu, meqë “na presin së paku 20 tërmete, të cilët do të godasin miliarda njerëz”.

Sipas vlerësimeve ata më shkatërruesit do të prekin zonat tropikale, ku jetojnë rreth një miliard njerëz.

Dodik s’do të ishte kundër pavarësisë së Kosovës, nëse do të vendoste Serbia

Presidenti i Republika Srpska, Millorad Dodik, i tha DW në gjuhën serbe se nuk do të ishte kundër përparësisë së Kosovës, nëse kështu do të vendoste Serbia

Dodik e ndërlidh pavarësinë e Kosovës me atë të Republika Srpska. Sipas tij, Kjo republikë është peng i politikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial.

“Sikur Serbia të kishte thënë “në rregull” në momentin kur u nda Kosova, ne me siguri deri tash do të ishim ndarë (nga Bosnja e Hercegovina – sqarimi ynë)” tha Dodik.

Në fund të bisedës me DW ai ka vizatuar hartën e Ballkanit, ashtu siç e sheh ai, dhe Republika Srpska e Serbia janë të bashkuara, kurse Kosova e ndarë, veriu i së cilës i bashkuar me Serbinë.

Ai po ashtu tha se Bosnja e Hercegovina nuk do të mbijetojnë në asnjë formë, ndërsa për referendumin e Republika Srpska për ndarje u shpreh se aktualisht nuk është në rend të ditës.

Berat Buzhala në gjendje të rëndë psiçike?

Berat Buzhala i ka përjetuar rëndë tri fitoret e VV-së në garën e balotazhit. Fitorja e kësaj të fundit në Prishtinë, Prizren e Kamenicë, e ka bërë për spital

Burime nga fshati i tij i lindjes, Çabiq, njoftojnë që pas orës 19:00, pas shpalljes së rezultateve preliminare, ai është dërguar në Emergjencë.

Siç mëson PamPress, ai ka pësuar alivanosje pasi që ka mësuar se në katër vitet e ardhshme Shpend Ahmeti do ta drejtojë Prishtinën, Mytaher Haskuka Prizrenin e Qëndron Kastrati Dardanën.

Nuk dihet nëse gjendja e tij është përmirësuar.

/Lajmet në rubrikën “Satirë” janë lajme satirike, dhe si të tilla në shumicën e rasteve janë lajme të sajuara dhe jo të vërteta.

Në pritje të numërimit të votave me kusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sipas të dhënave të postuara në faqen zyrtare, ka procesuara 100 për qind të vendvotimeve. Në këto rezultate nuk janë përfshirë votat me kusht, atyre më post dhe personave me nevoja të veçanta

Në disa nga 19 komunat ku është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunave në Kosovë, përfshirë këtu qendrat e mëdha si Prishtinën dhe Prizreni, përqindja e kandidatëve është e ngushtë.
Në Prishtinë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti ka fituar 50,19 ndërkaq, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi ka fituar 49,82. Ndërkaq, kandidati i Vetëvendosjes në Prizren Mytaher Haskuka ka fituar 50,32 për qind ndërkaq kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Totaj ka fituar 49,68 të votave.

Numërimi i votave më kusht ende nuk është bërë e ditur se kur do të bëhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ndërkohë, të drejtën për të votuar e shfrytëzuar 517,360 nga 1 milion e 353 mijë e 613 qytetarë me të drejtë vote.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare ‘Demokracia në Veprim’, është vlerësuar i qetë dhe pa ndonjë parregullsi, që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve.

Prokurori i Shtetit përmes një komunikatë për media ka bërë të dituar se në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë raportuar 23 raste lidhur me procesin zgjedhor që është zhvilluar dje.

“Pas marrjes së informatave dhe pas verifikimit të tyre nga prokurorët në tërë territorin e Republikës së Kosovës, rezulton se nga 23 raste të raportuara, janë intervistuar 7 persona, 6 prej tyre janë liruar pasi që nuk ka pasur elemente të ndonjë vepre penale që lidhen me procesin zgjedhor”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorit të Shtetit.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, e ka cilësuar raundin e dytë të zgjedhjeve lokale si demokratike. “Zgjedhje të zakonshme me parregullsi të vogla janë shenjë e mirë për demokracinë në rritje të Kosovës. Mirëpresim bashkëpunimin me zyrtarët e zgjedhur, me qëllim që të bëjmë progres në Kosovë”, ka shkruar në Twitter ambasadori Delawie.

Po ashtu, krerët e institucioneve të Kosovës kanë përgëzuar qytetarët për një proces të qetë dhe demokratik. Zgjedhjet në Kosovë janë vëzhguar nga më shumë se 12 mijë vëzhgues nga partitë politike, organizatat joqeveritare, nga Bashkimi Evropian si dhe ambasadat e akredituara në Prishtinë.

Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (të cilat mund të ndryshojnë pas publikimit të rezultateve përfundimtare), partitë politike kanë fituar:

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në 8 komuna

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në 7 komuna

Partia Demokratike e Kosovës në 5 komuna

Lëvizja Vetëvendosje në 3 komuna

Nisma për Kosovën në një 1 komunë

Aleanca Kosova e Re në një 1 komunë

Kandidatët e pavarur në 2 komuna

Nga komunitetet jo shumicë:

Lista Serbë në 10 komuna

Partia Demokratike Turke e Kosovës në 1 komunë

Engel: Kosova është vend stabilizues në Ballkan

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i ka dorëzuar simbolikisht pllakën e argjendtë që ka të bëjë me një vulë të vendosur nga Posta e Kosovës me të cilën posta dhe qeveria e nderon kongresmenin amerikan Eliot Engel për angazhimin e tij për Kosovën

“Engel ka qenë mbështetës i Kosovës ndër vite. Angazhimi i Engel për Kosovën është i madh”, tha Haradinaj në mbledhjen solemne të Qeverisë e cila është mbajtur në nderim të vizitës së kongresmenit Engel në Kosovë.

Gjatë kësaj mbledhje, Haradinaj ka informuar komgresmenin Engel se vetëm gjatë dy muajve të parë të qeverisjes në kuadër të agjendës qeveria ka marrë 120 vendime.

“Jemi në fazën e forcimit të rendit dhe ligjit të zhvillimit ekonomik duke synuar ngjalljen ekonomike. Ajo që e karakterizon këtë qeveri është një punë e përafërt me ambasadën e SHBA-së, me qëllim të vazhdimit të forcimit të marrëdhënieve.

Ndërsa kongresmeni amerikan Eliot Engel ka siguruar se shteti i tij do të vazhdojnë të mbështesë Kosovën, duke thënë se ky vend po shënon gjithnjë e më shumë progres.

“Kryeministër mund të llogarisni në mua se gjithmonë do ta keni mbështetjen time. Nuk do të ndalemi përderisa të gjithë ta kuptojnë se Kosova është një vend stabilizues në Ballkan dhe një mik i SHBA-ve”, tha Engel.

Ai ka vlerësuar lart procesin e votimit gjatë ditës së djeshme.

Haradinaj nga ana tjetër ka kërkuar mbështetje nga SHBA-të rreth liberalizmit të vizave, procesit të dialogut me Serbinë si dhe njohjen e Kosovës.

A ishin lajmet e rreme ruse ato që nxitën ngjarjet në Kataloni

Qeveria spanjolle ka akuzuar Rusinë për përhapjen e dezinformatave rreth krizës në Katalonjës. Ajo frikësohet se një ndërhyrje e tillë e jashtme mund të ketë kontribuar në ndarjet sociale. Rusia mohon pretendimet, duke i hedhur poshtë si “histeri”. Pretendime të tilla janë tallur edhe nga vetë katalonasit

Nga Ellis Palmer

Ekipi i kontrollit të fakteve të BE-së – East Stratcom Task Force – ka nxjerrë në pah shembuj të “dezinformimit” nga mediat e mbështetura nga Rusia rreth situatës së Katalonjës. Spanja shpalli votimin e pavarësisë katalane në tetor si të paligjshëm dhe hodhi poshtë udhëheqësit separatistë të rajonit.

Ish-ministrat katalanas po presin gjyqin me akuzat për rebelim dhe kryengritje. Udhëheqësi separatist Carles Puigdemont dhe disa aleatë janë në Belgjikë, në mërgim të vetëshpallur. Pretendimet për përpjekjen e ndërhyrjes së rusëve përputhen me pretendimet më të gjëra rreth përfshirjes së dyshuar të Rusisë në politikën perëndimore. Ka shqetësime në Shtetet e Bashkuara se mediat sociale janë manipuluar nga grupet ruse gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar Theresa May ka akuzuar Moskën për ndërhyrje në zgjedhje dhe kryerjen e spiunazhit kibernetik. Një zëdhënës i Kremlinit për Presidentin Vladimir Putin, tha se pretendimet spanjolle ishin “të pabaza”. Ata ishin “një vazhdimësi e një histerie të njëjtë që tani po ndodh në Shtetet e Bashkuara dhe një numër vendesh të tjera”. A kërkoi Rusia që të përfshihej në referendumin katalanas nëpërmjet “lajmeve të rreme”?

‘Llogari Zombie’

Prof Javier Lesaca të Universitetit George Washington në Shtetet e Bashkuara analizoi më shumë se pesë milionë mesazhe të përbashkëta të mediave sociale nga platformat e lajmeve të mbështetura nga Kremlini, si RT dhe Sputnik midis 29 shtatorit dhe 5 tetorit.

Ai tha se kërkimet e tij e kishin çuar në “zbulimin e një ushtrie të tërë të llogarive mumje që janë të koordinuara në mënyrë të përkryer”. Nga llogaritë e studiuara, 30% ishin anonime dhe të përkushtuar për përhapjen e përmbajtjeve nga ato organizata të lajmeve. Vetëm 3% ishin profile reale. Studimi thotë se RT dhe Sputnik morën pjesë në një “strategji të vazhdueshme të përçarjes” mbi Kataloninë.

Titujt përdorën gjuhën emocionale për të ndikuar lexuesit, duke u fokusuar në dhunën e policisë spanjolle kundër atyre që kërkonin të votonin në referendumin “e paligjshëm” të Katalonjës. Nënkryetari i socialistëve në Parlamentin Evropian, Viktor Bostinaru, gjithashtu thotë se rusët mund të kenë ndërhyrë në politikën katalanase. “Disa nga ata që qëndronin pas fushatave të caktuara në internet kishin qenë në Rusi”, tha Bostinaru.

Zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov u kundërpërgjigj, duke thënë se “autoritetet spanjolle, NATO dhe gazetat nuk paraqitën një argument të vetëm të vlefshëm për t’i mbështetur këto pretendime”. Disa katalanas pro pavarësisë kanë vënë në dukje në mediat sociale se vështirë se kishin nevojë që Rusia t’u mbështeste ankesat e tyre. Një skicë sarkastike tregon ndikimin e “hakerëve rusë” në ngjarjet të Katalonjës që shkojnë mbrapa disa shekujsh …

‘Lufta e informacionit’

Një studim i Institutit Mbretëror Elcano, një institut me qendër në Madrid, tha se lajmet nga produksionet pro-Kremlinit ishin pjesë e “luftës së informacionit rus” në Katalunjë”, që thuhet që “kishte mbështetjen e qeverisë ruse”.

Megjithatë, Klaus-Jurgen Nagel, një ekspert për nacionalizmin në Universitetin Pompeu Fabra në Barcelonë, nuk u pajtua. Ai tha se roli i Rusisë ishte “ekzagjeruar nga ata që duan të tregojnë se miqtë e vetëm që kanë separatistët janë sistemet e dyshimta demokratike, si Rusia, Venezuela dhe Kuba”.

Francesc Pallarés, një profesor i shkencave politike në të njëjtën universitet katalanas, i tha BBC-së se raportimi rus në Kataloni ishte pjesë e rivalitetit më të gjerë midis Rusisë dhe Perëndimit.

“Mediat ruse ofrojnë një perspektivë të Katalonjës, bazuar në interesat e tyre gjeopolitike, të cilat mund të jenë në kundërshtim me interesat perëndimore”, tha z. Pallarés. “Ne jemi në një ‘luftë informacioni’ bazuar në zgjedhjen dhe paraqitjen e informacionit si në Perëndim ashtu edhe në Rusi për të krijuar opinion të favorshëm për interesat dominues”.

Spanja ka një histori të gjatë ndërhyrjesh nga jashtë

Gjatë Luftës Civile Spanjolle në vitet 1930, Rusia Sovjetike mbështeti republikanët e majtë – të cilët donin autonomi më të madhe katalane – ndërsa nacionalistët u mbështetën nga Gjermania naziste dhe Italia fashiste. Pra, nuk do të ishte befasi që Rusia, duke e parë veten si një fuqi globale, të ndikojë në opinionin publik spanjoll tani.

Kontrolli i fakteve të lajmeve ruse për Kataloninë

Disa degë të lajmeve ruse kanë botuar lajme mbi Katalonjën që Stratcom Task Force e BE-së etiketojnë si të rreme. Gazeta ruse PolitExpert shkroi një artikull se si deklarata e pavarësisë katalanase dhe konflikti në Ukrainë ishin pjesë e një plani nga “fuqitë globale” të paidentifikuara për të përgatitur terrenin për një luftë në Evropë.

Kontrolluesit e fakteve të BE-së e përshkruan atë si një “teori komploti”. Versioni spanjoll i faqes së internetit të mbështetur nga Kremlini, Sputnik tha se Ishujt Balearikë kishin kërkuar gjithashtu një votë për pavarësinë nga Spanja. Kjo nuk është e vërtetë dhe raporti përmend një dokument nga një anëtar i pakicës i koalicionit qeverisës atje.

Kanali i lajmeve ruse Vesti deklaroi gabimisht se spanjishtja po mësohej si gjuhë e huaj në shkollat ​​e Katalonjës. Megjithatë, kurrikula e themeluar nga qeveria katalane për arsimin e mesëm bën dallimin midis gjuhëve katalane, spanjolle dhe ato të huaja./BBC – Lexo.al/e.e

Delawie: Zgjedhjet e sotme janë dëshmi e zhvillimit demokratik të Kosovës

Ambasadori amerikan ne Kosove, Greg Delawie, përshëndeti ecurinë e zgjedhjeve të sotme në Kosovë, duke e vlerësuar si shenjë të pjekurisë demokratike të vendit

“Zgjedhje e zakonshme me parregullsi të vogla janë një shenjë e rëndësishme e zhvillimit demokratik të Kosovës. Mirëpresim bashkëpunimin me zyrtarët e zgjedhur për të shënuar përparim në Kosovë”, ka thënë ai.

NASA publikon pamjet e ajsbergut gjigand që mund të ndryshoi përgjithmonë hartën e Antarktidës

Janë bërë publike fotografitë e para të ajsbergut gjigand A68 që janë shkëputur nga platforma Larsen C në muajin korrik

Mësohet se pamjet janë bërë nga grupi operacional Ice Bridge i agjencisë hapësinore amerikane NASA.

Siç dihet tashmë ata çdo vit bëjnë studime për dinamikën e akujve ne rajonet polare ku konkretisht ky ajsberg është konsideruar si një prej më të mëdhenjtëve të observuar ndonjëherë.

Bëhet me dije nga komunikimet zyrtare se ai është me sipërfaqe 5800 metër katrorë.

Me këtë shkëputje, Antraktida ka humbur më shumë se 12% të pjesës së saj.

Edhe nga hapësira, tani që nuk ka natë arktike, A68 duket shumë qartë. Pamjet janë bërë nga sateliti Tokë i Nasës, që është ndarë nga platforma dhe tani gjendet larg disa kilometra.

Mobilizimi i orëve të fundit të PDK-së në Prishtinë: E kemi mundësinë historike me e rrëzu Shpendin

PDK-ja e cila gjatë kohëve të fundit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale ka thënë se në zgjedhjet e vitit 2013 e ka përkrahur Shpend Ahmetin kundër Isa Mustafës, gjë që sipas tyre edhe ka sjellë fitoren e Ahmetit, në këto zgjedhje ka ndryshuar qasje

Insajderi ka siguruar një dëshmi të një grup bisede të emëruar “Kryetarët e Nëndegëve…” në platformën komunikuese në telefon “Viber” në të cilën janë sipas të gjitha gjasave të gjithë nënkryetarët e degës së PDK-së në Prishtinë, kanë qenë sot të zënë me një angazhim.

Kur kishin mbetur edhe dy orë nga mbyllja e vendvotimeve, në orën 17:13, Bujar Cakolli që është edhe Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë, i shkruan të tjerëve në këtë bisedë që të angazhohen sa më shumë për të dalë në votime kundër Shpend Ahmetit.

“Të nderuar, ju lutem që edhe këto dy orë me dhan maksimumin të gjithë për me rrëzu Shpendin edhe VV”, shkruan Cakolli.

Cakolli që është emëruar me 7 nëntor zëvendësministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, i mobilizon kryetarët e nëndegëve për të dalë në votime kundër Ahmetit dhe ta votojnë Abrashin.

Krejt kjo pasi Cakolli kishte marrë një informatë shqetësuese për të.
“Sipas sondazheve të exit polleve derinë ora 16:00 Shpendi është tu pri dikun me rreth 1500 vota. Këto dy orë duhet me ba maksimumin edhe me rrëzu”, përfundon mesazhi i Cakollit.

E këtij mesazhi i përgjigjet menjëherë Amir Gashi kryetar i një nëndege të PDK-së në Prishtinë.
“Qa kena mundësi se lam pa e ba Bujar”, i shkruan Gashi. Edhe Gashi ka një pozitë të rëndësishme. Ai u emërua në pozitën e Kryesues të Bordit të Drejtorëve të KUP “Prishtina” sh.a me vendim të qeverisë së Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të 56 ne datën 30.10.2015.

E biseda mes Cakollit dhe Gashit vazhdon me mobilizimin e Cakollit.

“E kemi mundësinë historike për…’, thuhet në fund të mesazhit.