Nesër protestë me aksion simbolik para ZRRE-së (video)

Qytetarët e Pavarur që po e organizojnë protestën kundër rritjes së çmimit për energjinë elektrike nesër do të organizojnë një aksion simbolik para zyrave të ZRRE-së

Kështu bëhet me dije në një njoftim për media.

Sipas njoftimit aksioni do të ndodhë në orën 12:00 (e martë, 19 dhjetor 2017), para zyrave të ZRRE-së. Nga aty do të ketë edhe një adresim për medie nga organizatorët.

Ndërsa protesta do të mbahet një ditë më vonë, pra të mërkurën.

Gjatë ditës, nëpër rrjetet sociale ka qarkulluar edhe një video me pjesën “La Fortuna” e titruar si thirrje për protestë, në bazë të ngjashmërisë me shprehjet në këtë këngë.

Edhe 11 deputetë i shtohen akuzës për gaz lotsjellës

Nuk janë vetëm pesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Donika Kadaj Bujupi, Faton Topalli, dhe Albulena Haxhiu që po përballen në gjykatë për gjuajtjen e gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit të Kosovës dhe pengim i personit zyrtarë në kryerjen e detyrës

Listës së tyre do t’i shtohen edhe 11 deputetë të tjerë, të tri partive politike, ata të Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nisma për Kosovë. Kësaj liste nuk i kanë shpëtuar as ish-deputetët, të cilët tash kanë poste ministrore, apo edhe kryetar komune.

Lajmin për “Arbresh.info” e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi. Sipas saj, deputetët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, Glauk Konjufca, Besa Baftija, Shqipe Pantina, Glauk Konjufca, Aida Dërguti, Teuta Haxhiu, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, deputetët e AAK-së, tashmë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, si dhe deputeti i Nisma për Kosovë, Enver Hoti kanë lëndë në këtë gjykatë.

Sipas, Gashit, të gjithë këta deputetë kanë lëndë në Gjykatë sa i përket veprave penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë në procedurë gjyqësore disa raste sa i përket deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për veprat penale nga neni 375 par.1 dhe nga neni 409 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, është shprehur Gashi.

Ndërkohë, gjykimi i deputetëve të VV-së , Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, të cilët akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës do të paraqiten të mërkurën e ardhshme sërish përpara Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2015, deputetët e opozitës në atë kohë, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, duke kundërshtuar marrëveshjet për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe dhe Demarkacionin e Kufirit me Malin e zi, kanë hedhur gazë lotsjellës brenda sallës së kuvendit, duke pamundësuar kështu disa herë radhazi mbajtjen e seancës së rregullt të Kuvendit të Kosovës./Arbresh.info

Qeveria i kërkon BE-së fleksibilitet rreth Demarkacionit

Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Ramush Haradinaj, vazhdojnë të besojnë se Bashkimi Evropian do të lëshojë pe në kushtet dhe kriteret e vëna për liberalizimin e vizave. Synimi i kryeministrit Haradinaj është që të heq nga kushtet për liberalizimin e vizave, sidomos çështjen e ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi

Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, thotë se vënia e Demarkacionit si kusht për heqjen e vizave do të diskutohet me zyrtarët e Bashkimit Evropian. “Të gjitha opsionet janë të hapura, që do të thotë se mund të hiqen apo mund të dalin në tavolinë edhe opsione tjera”, tha Matoshi.

Vënia e ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si kusht të pazëvendësueshëm për heqjen e vizave, në Prishtinë vazhdon të shihet si një padrejtësi që i është bërë Kosovës nga ana e Brukselit.

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se duket më se e pamundur që Bashkimi Evropian të heq dorë nga kriteret e vëna për liberalizmin e vizave. Ai thotë se diçka e tillë do të ishte e mirëseardhur, por duket pak e besueshme.

“Një vijë kufitare e padefinuar si kjo e jona me Malin e Zi, nuk mund të quhet ndryshe vetëm se problem. Prandaj, unë nuk besoj që diçka e tillë (heqja e kushtit) do të ndodhë. Do të thotë se BE-ja do ta mbajë kursin e vet. Kurse u mbetet institucioneve tonë që t’i plotësojnë kërkesat e BE-së. Do të ishte diçka e mirë nëse do të mund të ndodhte (heqja e kushteve) ngase ka të bëjë me lëvizjen e lirë të njerëzve. Por, megjithatë nuk e besoj se do të mund ndodhë”, tha Ujkani.

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, bashkë me gjetjet e Komisionit shtetëror, ku konstatohet parregullsi në marrëveshjen e Kosovës dhe Malit të Zi, tashmë është deponuar në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht në Komisioni për Punë të Jashtme.

Por, ende nuk dihet se kur do të procedohet kjo çështje në seancë plenare për votim. Nënkryetarja e Komisioni për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se Projektligji për demarkacioni ende nuk është futur në agjendë.

“Ndoshta do të ketë një debat në komision. Brenda një takimi të komisioni ai duhet të kalojë ose të mos kalojë, ose të marrë më shumë vota pozitive ose negative, po megjithatë procedohet më tutje. Ka dy javë që nuk kemi pasur mbledhje të komisionit dhe po presim kur do të procedohet”, tha Kadrijaj.

Në anën tjetër, Komisioni Evropian në disa raste ua ka përsëritur, kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës, se pa ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, Kosova nuk mund të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar nga autoritetet e Prishtinës dhe Podgoricës, në fund të gushtit të vitit 2015, në Vjenë. E njëjta marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës. Për ratifikimin e saj nevojiten 80 vota të deputetëve.

Ligji i ri për lirinë fetare shqetëson klerikët

Para pak ditësh, Kuvendi i Kosovës e ka kaluar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë.Por, jo të gjithë pajtohen me përmbajtjen e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë

Imami nga Drenasi, Osman Musliu frikësohet se në të ardhmen Kosova mund të përballet me luftëra fetare.
Ligji është dërguar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore.

Deputetët janë optimist se ligji do të përmirësohet dhe se do të garantojë rregullimin e aspektit organizativ dhe juridik të bashkësive fetare.

“Frika” e partive politike në Kosovë!

Ditë më parë është kërkuar nga zyrtarët e partive politike që të bëjnë publike burimet e financave të tyre, pasi ka kohë që partitë ngurrojnë të flasin rreth financimit të tyre

Përfaqësues të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike në një tryezë të organizuar kanë deklaruar se asnjë subjekt politik nuk ka treguar transparencë për financimin e tyre. Arton Demhasaj nga ‘Çohu’, ka thënë se asnjë nga partitë politike në Kosovë nuk e kanë zbatuar ligjin në fuqi, duke mos i publikuar financat lidhur me zgjedhjet parlamentare të këtij viti, ku nuk kanë treguar as prejardhjen e tyre për financimin e fushatës.

Ndërkaq, Erëza Pula nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se asnjë parti politike nuk i ka publikuar raportet financiare, andaj ka kërkuar që me ligj të përfshihet publikimi i raporteve për financa në mënyrë që të ngritët transparenca. Gazeta “Bota sot”, ka provuar të kontaktojë përfaqësuesit e partive politike për të komentuar çështjen e financimit të tyre, mirëpo asnjë nga përfaqësuesit e tyre nuk e kanë dashur të flasin për këtë çështje, duke zgjedhur edhe njëhëre heshtjen.

Megjithatë, njohës të çështjeve të ekonomisë dhe atyre kushtetuese kanë thënë se partitë politike nuk duhet të frikësohen nga publikimi i financave të tyre.

Partitë të jenë transparente

Kështu profesori dhe njohësi i çështjeve ekonomike, Muhamet Mustafa në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se partitë politike nuk do të duhej të frikoheshin që t’i bënin plotësisht transparente librat financiarë të tyre, sikur të punonin gjithçka në bazë të Ligjit.

“Duket simptomatike se pse ato nuk pajtohen që ata libra të auditohen nga Auditori i përgjithshëm i Kosovës, aq më parë që nëse financohen nga buxheti i Kosovës , proporcionalisht me rezultatin në zgjedhje. Nëse dikush merr para nga buxheti në asnjë mënyrë nuk mund të refuzojë auditimin e Auditorit të përgjithshëm të Kosovës së paku për ato fonde, po sa jam informuar unë ato refuzojnë auditimin nga autoriteti suprem i auditimit në Kosovë”, theksoi profesori Mustafa.

Sipas tij, problemi është edhe më i madh lidhur me fondet e tjera, të cilat supozohet se nuk kalojnë nëpër libra financiarë sipas standardeve.

“Dhe kjo ndërlidhet sidomos në kohe zgjedhjesh, kur kontributet dhe donacionet ndërlidhen edhe me favore nga fituesi i zgjedhjeve. Ajo që ka qenë interesante dhe befasuese për mua, kur kam qenë anëtar i Komisionit për buxhet, ishte se në këtë çështje, në mos gatishmërinë për transparencë të plotë të partive politike, ka pak dallime midis partive politike, pra pajtohen me status kuone dhe Ligjin ekzistues. Avansimi i legjislacionit deri tek standardet ndërkombëtare dhe zbatimi i tij i përpikte kur është fjala për financimin e partive politike dhe zbatimi i tij i përpiktë është një nga parakushtet shumë të rëndësishme për demokracinë tek ne të bazuar në transparencë dhe përgjegjësi”, ka thënë Mustafa.

Ai ka sqaruar gjithashtu pse është kaq e rëndësishme transparenca e partive sa i përket financave.
“Ndërlidhja e grupeve të ngushta të interesit politik e ekonomik, fillon edhe këtu dhe pastaj zgjerohet me problemet në prokurimin publik. Ja se pse është kjo shumë me rëndësi”, ka përfunduar Mustafa.

Arsyet e fshehjes së financave

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi, ka thënë se partitë politike i fshehin financat për shkakun se është e vështirë të mbulohen të hyrat. “Në kuadër të gjendjes financiare të subjekteve janë tri forma të financimit. Ato konsistojnë: në vetëfinancim; në financat që vijnë nga shteti dhe në financat vullnetare nga subjektet ekonomike e financiare”, ka deklaruar Kelmendi.

Ai ka thënë më tutje se partitë politike nuk duhet që për shkak të financave të shndërrohen në forcë të krimit dhe të korrupsionit. “Këto nuk janë në gjendje të i tregojnë, sepse ka një ligj që tregon se si duhet të financohen dhe sa! Çështja është çdo herë e ruajtjes së pavarësisë së subjektit politik. Pse? Sepse subjekti nuk duhet kurrë që për shkak të financave të shndërrohet në forcë të krimit dhe të korrupcionit. Dhe kjo është në Kosovë. Ndaj i fshehin financat e veta”, ka theksuar njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi.

Fshehja e donatorëve

Kurse, analisti politik Blerim Burjani, ka deklaruar se fshehja e financave të partive politike ka të bëjë me çështje të korrupsionit. “I fshehin bizneset dhe bashkëpunimin me lloj-lloj biznesi, e që mund të ketë donator të partive të cilat kryejnë vepra të ndryshme penale, shpërlarja e parave dyshohet të bëhet përmes donacineve që dhurojnë ndërmarrjet dukeiu shmangur problemeve me shtetin”, theksoi ai.

Sipas Burjanit, dyshime të mëdha deri më tash janë ngritur në opinionin publik. Ai ka thënë se shpresat për zbardhjen e paligjshmërive në Kosovë janë humbur për shkakun se në pushtet janë njerëz të pasuruar nga politike dhe të varfër nga edukata.

“Interesant asnjëherë deri më tash prokuroria nuk ka reaguar apo vepruar për të zbardhë gjendjen se çfarë fshihet prapa partive politike, të cilat janë të varfëra dhe kryesisht të varfërit merren me politikë dhe që janë pasuruar nga politike nëse veq i themi kësaj politikë, se kjo i bie të jetë analfabetë të pashkollë ose të edukuarit të merren me këtë zanat për të bërë para, pushtet dhe fuqi. Deri më tash është humbur shpresa se kjo paligjshmëri dhe këto dyshime mund të zbardhen përderisa janë në pushtet njerëz të tillë të pasuruar nga politika e dikur ekstremisht të varfër dhe të paedukuar”, ka përfunduar Burjani.

Basha “si vrapi i gomarit”, paralajmëron protesta të fuqishme pasi të hajë gjelin e Vitit të Ri

Pas përfundimit të mbledhjes së përbashkët së opozitës së bashkuar Basha ka dalë në një delkaratë për median. Kryedemokrati tha se vendimi që është marrë në këtë mbledhje është nisja e një vale mbarë popullore protestash, pas Vitit të Ri

Ndërsa teksa u pyet nga gazetarët lidhur me propozimin e Berishës për të djegur mandatet Basha tha se kjo gjë do të të shqyrtohet në ditët në vijim.

“Morëm vendim për të nisur një valë të re protestash popullore, për të ndalur çmendurinë e një kryeministri që sot u bë edhe kryeprokuror”,- tha Basha.

Opozita në ekstrem sepse, “u djegin” dosjet që do të hapen

Dhuna dhe hedhja e granatave tymuese në Parlament nga ana e opozitës nuk e penguan maxhorancën për zgjedhjen e Kryeprokurores Arta Marku. Në një postim Izet Haxhia shkruan se halli i opozitës nuk janë dosjet që pretendon se do të mbyllen nga organi i Prokurorisë, por ato që do të hapen. Ai shkruan se fundi i këtyre antishqitareve po vjen, “edhe po filloj boksin Berisha i plakur apo po hoqi jo vetem çizmet por edhe breket Monika e ndershme”

Postimi i plotë i Izet Haxhisë:

Falangat e Serbise në sulm ndaj stabilitetit të vendit..Ne balle te ketij sulmi biri i serbise dhe dhëndrri i saj.

Pas tij vjen bashkpuntori i UDB, zagari i Novosejt Ndoka. Si per ta plotesuar kerte mozaik antishqiptaresh, vjen Mona me kembe te zbathura, por me vilë në Beograd. Vertet pyes veten çfare kerkojne keta te paudhe?

Pse u djeg kaq shume që do zgjidhet nje Prokuror i Pergjithshem,kandidature e qeverisë? Le ta zgjedhin njëhere edhe këta një prokuror qofte edhe i tyre. Nuk u bë nami jo! Por halli i ketyre nuk eshte tek dosjet që sipas tyre do mbyllen, por tek ato që do hapen,sepse po te jete per dosje te mbyllura, laviret e tyre ne prokurori e gjykata kane mbyllur me dhjetra dosje nga me të rendat. Halli i tyre është se po bie nje kështjelle e fuqishme e mbrotjese se paudhesive te tyre. Ata e ndjen veten te zbuluar me te gjitha ato krime e zullume qe kane bere në sundimin e tyre kriminal.

Ata duan te prishin me çdo çmim edhe ate pak imazh qe i ka ngelur shtetit Shqiptar, ku ata vete jane kontribuesit me te medhenj te prishjes se tij. Ndërsa për perkrahsit e tyre qe dihet se kush jane ,dihet pse jane kaq te trazuar e agresive. Me renien në rrjeten e drejtesisë të idhujve te tyre, merr fund edhe ëndrra e tyre per t’u kthyer në qoshet e ngrohta te pushtetit ku vegjetonin dhe e vetmja gje qe dinin te benin ishte te vidhnin.

Shqiptarët nuk mund të jenë kurre me hajdutet dhe varrmihsit e shteit e drejtesise. Fundi i ketyre antishqitareve po vjen, edhe po filloj boksin Berisha i plakur apo po hoqi jo vetem çizmet por edhe breket Monika e ndershme.

“Fshati sekret” i Serbisë në një kodër matanë Mitrovicës

Sekreti që rrethon një vendbanim të sapo ndërtuar në Kosovën veriore nxjerr në pah problemet me të cilat përballen serbët që janë kthyer në Kosovë pas luftës, dhe se si ata kanë nevojë për siguri, vende pune dhe shtëpi. Një udhëtim nëpër vendbanime të serbëve në Kosovë

Në kodrën e vogël të Zveçanit, me pamje nga qyteti i Mitrovicës në veri të Kosovës, i mbrojtur nga një gardh me tela me gjemba dhe i mbështjellë nga një mantel i sekretit, po bëhet një vendbanim i quajtur Lugina e Diellit. Lugina e Diellit filloi në maj të vitit 2016 si një ndërmarrje e përbashkët e qeverisë serbe dhe kishës ortodokse si një strehë e ardhshme për serbët e Kosovës të cilët që nga lufta në vitin 1999 nuk kanë mundur të kthehen në shtëpitë e tyre në jug të lumit Ibër që ndan Mitrovicën mes serbëve dhe shqiptarëve.

Ajo ka për qëllim të jetë një komunitet i ri në një pjesë të izoluar, që më parë ishte një vend i pavlerë, edhe pse qeveria serbe nuk është treguar e gatshme për të zbuluar ndonjë hollësi rreth ndërtimit të saj, ose se kush mund të jetojë atje në të ardhmen. BIRN kërkoi një sërë qasjesh te zyrtarët në zyrën e qeverisë serbe për Kosovën për informacion në lidhje me Luginën e Diellit, por edhe pasi fillimisht ranë dakord të përgjigjen, ata nuk e bënë këtë.

Një vendbanim “më afër Perëndisë”

«Nuk e di se e kujt ishte kjo ide e mrekullueshme që ta vendoste këtë projekt në majë të malit», thotë Marko, një shofer taksie, ndërsa shkonim në Rrugën e Minatorëve, një emër që ka jehonë në kompleksin të minierës së Trepçës në Mitrovicë. «Ndoshta ata donin që banorët e ardhur të jenë më pranë Perëndisë. Gjithsesi, ne pothuajse kemi harruar se ekziston. Ata kanë ndërtuar rrugën, por unë mendoj se kjo është e gjitha që ata kanë bërë». Marko është i zhgënjyer dhe dyshues ndaj të gjitha llojeve të gjërave, duke përfshirë edhe motivet e mia. Pas mbërritjes, një gardh i gjatë me tela gjemborë dhe një shenjë e vdekjes që paralajmëronte tension të lartë e shqetësuan atë më tepër. Ai nuk dëshironte probleme, dhe preferonte të paguhej dhe të largohej menjëherë.

Është herët në mëngjes dhe kujdestari nuk shihet askund, por Marko ngurron të presë. Ramë dakord që ai të qëndrojë për 10 minuta. Brenda vendbanimit janë vendosur trotuaret dhe rrugët kryesore, me shtylla elektrike, por jo shumë ndërtime janë të dukshme, përveç pesë apo gjashtë ndërtesave të mesme, asnjëra prej të cilave nuk është e përfunduar. Sipas zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, këtu duhet të ndërtohen rreth 220 banesa. Projekti përfshin një çerdhe, qendër tregtare, klub shoqëror, ambulantë dhe objekte sportive. Por jo shumë punë është duke u bërë.

Kamionët e parkuar dhe makineritë e rënda duket se kanë qenë të palëvizshme për një periudhë të gjatë dhe vetëm zhurma e çekiçëve të marangozëve tregon se një çati po ndërtohet në një ndërtesë më të madhe në të djathtë të rrugës kryesore. Në rrugën atje, disa qindra metra poshtë, ecja jonë është ndërprerë nga shoferi i një Renault Clio të zezë.

«Çfarë po bën këtu?», pyet një i ri me një qëndrim të rëndë përmes dritares së hapur të makinës. «A e dini se është e ndaluar të hyni këtu? Kjo është pronë e Kishës Ortodokse Serbe, a keni parë shenjën?» Por këto pyetje janë gjithnjë të natyrës retorike. Ai nuk pret përgjigje, as nuk është në gjendje të flasë për lejet e ndërtimit, afatin kohor për përfundimin e projektit, apo ndonjë gjë tjetër për këtë çështje. Para kohe, ne jemi përsëri në portën e përparme, dhe shpejt kthehem në taksinë e Markos. Ai është i kënaqur që unë dola jashtë. I përshtatet profilit të tij të një spiuni. Në rrugën tonë prapa, ai më tregon vendbanimin e Kroit të Vitakut, e ndërtuar për familjet e kthyera shqiptare. Ndërtimi i saj nxiti një protestë në komunitetin serb pasi u interpretua si një kolonizim i shumicës serbe në veri të Kosovës nga shqiptarët. Ajo gjithashtu nuk duket shumë e gjallë, ose e mbaruar për këtë çështje.

“Një produkt i realitetit të Kosovës”

«Përkundër kritikave të drejtuara në projektin e Luginës së Diellit në takimin [e fundit] me ambasadorët e vendeve të Kuintit [një grup joformal vendimmarrës që përfshin SHBA-në, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Britaninë, unë personalisht e mbështes atë», tha për BIRN, Dalibor Jevtiq, Ministri për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës. Jevtiq e përshkroi atë si «produkt të realitetit të Kosovës«». «Lugina e Diellit është rezultat i pamundësisë së serbëve të kthehen në Prishtinë, Gjakovë, Mushtisht dhe qytete të tjera. Nëse kjo do të ishte ndryshe, ne nuk do të duhej të mendonim për zgjidhje si kjo», tha ai. Sipas Ministrisë së Kosovës për Komunitete dhe Kthim, rreth 240 mijë serbë u larguan nga shtëpitë e tyre pas luftës së Kosovës dhe vetëm 10 për qind e tyre janë kthyer deri tani. Këtë vit, 343 persona u kthyen, pothuajse 50 për qind më pak se në vitin 2016.

Strategjia e qeverisë së Kosovës është të sigurojë kushtet e duhura për kthim për të gjithë ata që duan të kthehen, duke trajtuar çështjet kyçe si prona që janë marrë nga të tjerët derisa pronarët e tyre nuk kanë qenë aty, por gjithashtu duke ofruar mbështetje socio-ekonomike për të siguruar kthim të qëndrueshëm. «Ne kemi koordinim me qeverinë serbe në mënyrë që të sigurojmë që projektet tona të mos bllokohen», thotë Urosh Staletoviq, zëdhënës në Ministrinë e Kosovës për Komunitete dhe Kthim.

Ka disa histori suksesi, njëra prej tyre në komunën e Istogut në zonën lindore të Pejës, në të cilën 17 familje janë kthyer vetëm këtë vit. Atje takova Vesna Mallikoviqin, person përgjegjës i zyrës lokale për kthim. «Nuk ka qenë e lehtë, por ne po përparojmë», thotë Mallikoviq. «Megjithatë, nuk është e mjaftueshme që të ndërtohen shtëpi dhe të pritet që njerëzit të kthehen, ata duhet të rindërtojnë jetën e tyre, pak e nga pak. Është sikur të bësh bashkë një mozaik, dhe kjo kërkon kohë para se i gjithë imazhi të shfaqet nga pjesët e ndara», shpjegon ajo.

Majin e kaluar, Milijana Mallikoviq dhe bashkëshorti i saj Ranko u kthyen në shtëpinë e tyre të re në fshatin Dragolevc, e cila është ndërtuar pranë shtëpisë së vjetër, e cila pothuajse u shkatërrua plotësisht në vitin 2000. Vetëm themelet dhe shtyllat kryesore janë ende atje. Para se të fillonte puna ndërtimore, tonelata të mbeturinave duhej të zhvendoseshin, në mënyrë që të nivelizohej terreni. «Me fqinjët shqiptarë ne vetëm shkëmbejmë përshëndetje kur kalojmë pranë njëri-tjetrit», thotë Malikoviq. «Ata nuk vijnë në shtëpitë tona dhe ne nuk shkojmë në shtëpitë e tyre. Por fëmijët janë kaq të ëmbël, ata pyesin: Kjo është e gjitha e re për mua», thotë Mallikoviq me buzëqeshje. «Unë ju kam premtuar atyre se do të jenë përsëri familja më e madhe këtu në Dragolevc, siç ishin dikur», thotë Mallikoviq për ne të dy, me një përpjekje të qartë për t’u siguruar që çdo fjalë që ajo thotë ka një ton inkurajues dhe të ngritur. «Si nuk mund t’i përkrahni ata kur shihni një vullnet të tillë [për të pasur sukses]?». Një nga projektet që mbështet Mallikoviq është i ashtuquajturi «mjalti multietnik», një iniciativë e bërë nga Këshilli Danez për Refugjatët, i cili u siguroi të kthyerve koshere bletësh.

Korrjet pritet të bëhen vitin e ardhshëm, kështu që për momentin, duke e bërë ajvarin dhe duke e shitur atë në Beograd, Millkoviq kontribuon në buxhetin e familjes. «Kur u kthyem ne nuk kishim tenxhere apo ndonjë gjë tjetër, por organizuam veten dhe shitëm çdo kavanoz që bënim», kujton ajo. Ajo dhe bashkëshorti i saj donin të ktheheshin në vitin 2006 dhe të qëndronin në tenda, por ishte shumë e vështirë për ta, kështu që pritën disa vjet. Së fundi, kur u kthyen në shtëpinë e re majin e kaluar, pjesa tjetër e pronës së tyre dukej si një skutë.

«Të gjitha pemët ishin prerë dhe madje edhe puset ishin të mbushura me mbeturina. E gjithë rruga në rrugën kryesore për në shtëpinë tonë ka qenë me pemë të mëdha arre, të gjitha janë zhdukur tani, por ne do t’i mbjellim përsëri. Ju nuk mund ta shihni shtëpinë në rrënoja dhe plehra të tjera që ishin grumbulluar. Pra, kjo ishte gjëja e parë që duhej bërë. Ne morëm 40 kamionë», thotë ajo.

Mallikoviq tha se atyre së pari iu ofrua një shtëpi në një vendbanim të ri në Osojan, por ajo dhe bashkëshorti i saj e refuzuan atë. «Ne nuk mund të jetonim atje, nuk është fshati im, nuk është vendi im, shtëpia është shtëpi, atje do të ndjehesha sikur po jetoja në shtëpinë e dikujt tjetër», shpjegoi ajo. Por tani, pas shumë vitesh të kaluara në periferi të Beogradit, ekziston një problem tjetër, fëmijët e tyre tani janë mësuar duke jetuar dhe duke punuar në kryeqytetin serb. «Unë mendoj se edhe fëmijët do të kthehen kur të shohin se jemi vendosur këtu përsëri. Shpresoj dhe lutemi që një ditë do të vijnë», tha ajo.

“Puna është e vetmja mënyrë për të mbijetuar”

Sot është festa e shenjtorit në shtëpinë e Belit dhe Natasha Zuviq, e para në shtëpinë e tyre të re që nga viti 2000, kur ata ikën nga fshati i tyre. Tryeza është e mbushur me ushqim, me një qiri në mes dhe ne jemi të mirëpritur për t’u bashkuar në festë. Nuk ka asnjë shans për të shmangur një gllënjkë të rakisë së kumbullës. Është e detyrueshme. «Puna është e vetmja mënyrë për të mbijetuar», thotë Sllavko Nikoliq, i ulur në krye të tryezës. Ai dhe gruaja e tij janë familja e vetme serbe që kanë ardhur për të jetuar në qytetin e Istogut.

Ashtu si shumica e njerëzve pa një punë në një institucion shtetëror, ata po bëjnë një jetesë nga bujqësia, nga rritja e patateve dhe shalqinjve. Problemi është se si të shesin prodhimet e tyre, megjithatë, kështu Sllavko e bën rakinë nga çdo gjë që ai rritë dhe e ruan atë derisa të gjejë një mënyrë për ta shitur atë. Natasha është e shpejtë dhe mban një buzëqeshje të vazhdueshme në fytyrën e saj. Ajo është e gëzuar që është kthyer përsëri në shtëpinë e saj. Burri i saj Beli gjithashtu buzëqesh gjithë kohën. Papritur ai thotë, duke iu drejtuar vetes dhe të tjerëve: «Ditën tjetër, duke qëndruar në pragun e shtëpisë, u ktheva dhe pashë majat e Bjeshkëve të Nemuna. Nuk e kisha ditur që ne mund ta shihnim nga këtu». Beli dhe Natasha na ftojnë t’i vizitojmë përsëri vitin e ardhshëm, kur oborri i tyre të jetë i pastruar nga të gjitha shkurret e vogla të mbeturinave me bimësi, dhe derisa po largoheshim nga Osojani, premtuam se do ta bëjmë këtë.

Në Osojan, fshati më i madh në komunën e Istogut, serbët filluan të kthehen shumë kohë më parë, në vitin 2001. Mallikoviq tregon qendrën rinore të re të fshatit. Pas saj ka një pishinë. Por traktori i parkuar në hyrje e bën atë të vrerët, pasi qëllimi i saj ishte të bënte që të rinjtë të dilnin në këtë vend. Ai i takon njërit prej njerëzve të moshës së mesme që po pinte birrë në një qoshe.

«Për të rinjtë më parë, ishte e vështirë», thotë Marko Ostojiq, i cili e menaxhon këtë vend. «Ne ose duhet të shkonim në Mitrovicë, që është 60 kilometra nga këtu, ose në Graçanicë ose në Serbi, kështu që shpresojmë që kjo qendër do ta ndryshojë atë». Marko ishte 21 vjeç kur u kthye në Osojan me prindërit e tij në vitin 2006. Ishte më e vështirë atëherë, kujton ai, pasi kishte shumë mosbesim. «Tani gjërat po duken më mirë, kam qenë kohët e fundit në Prishtinë, në klubet e natës me miqtë e mi shqiptarë», thotë ai. «Ishte me të vërtetë e mrekullueshme».

“Paqja është gjëja më e rëndësishme”

Disa serbë të Kosovës janë kthyer në shtëpitë e tyre pa asnjë mbështetje nga autoritetet. Ndërsa shkojmë drejt fshatit të tij Suhogërllë, në rajonin e Drenicës, Dine Tomasheviq shpjegon se si jeta e tij ndryshoi në shkurt të vitit 2000, kur autobusi në të cilin ishte ai u godit nga një granatahedhës. «Kjo ndodhi pikërisht në këtë kthesë, ku duhet të ngadalësohet, e shihni. Isha ulur pranë dritares dhe autobusi ishte plot me njerëz», thotë ai ndërsa kalojmë fshatin Vitak. «Ishte një shpërthim, dhe në çast e gjithë kabina ishte e mbushur me tym. Nuk mund të shihnit asgjë, kështu që në momentin e parë nuk e kuptova që unë u godita, por pastaj e ngrita krahun dhe pashë që dora ime ishte e copëtuar». Pastaj ai shikoi poshtë dhe pa gjak që po dilte nga këmbët e tij, ndërsa e njëjta predhë që e goditi, vrau një burrë në ulësen tjetër. «Dikush më dha një lidhëse të këpucëve dhe unë vetë e lidha këmbën», kujton ai.

Ai u dërgua në spitalin e Mitrovicës nga një njësi franceze nga forca e NATO-s në Kosovë, KFOR. Ai humbi gishtin e tij tregues, gishtin e mesëm dhe një pjesë të konsiderueshme të kofshës së sipërme. U deshën vite që ai të shërohet, aftësia e tij për të punuar është zvogëluar, por vullneti i tij dhe vendosmëria e tij mbetet e fortë. Tani punon në shkollën fillore në Suhogërllë si kontabilist. «Edhe unë u martova», thotë ai me krenari, me një entuziazëm të përulur për jetën. Në shtëpinë e tij familjare, të cilën ai e ndan me babanë, vëllain dhe bashkëshorten, gruaja e tij e re Millena po mban djalin e tyre të mitur, Vasilije. Dine i ndërtoi atij një shportë basketbolli nga metali. Jeta këtu është modeste, por e mirë, thotë ai. Problemi është se fshati shpesh nuk ka ujë të pijshëm gjatë muajve të verës.

Ai do të donte të kishte një shtëpi të veten, por pa ndihmë, ajo ende është vetëm një ëndërr. «Kur ju ktheheni vetë, qeveria mendon se ju keni gjithçka, por nuk është kështu. Ne gjithashtu mund të marrim mbështetje, pasi këto janë larg kushteve të zakonshme në të cilat jetojmë», thotë ai. Babai i tij i moshuar Milloradi krijon pesëdhjetë instrumente të thjeshta tradicionale frymore. Më të mirat janë nga druri i kumbullave, dëllinjave apo frashrit, thotë ai. Ai madje e ka ndërtuar një të tillë në shkopin e tij të ecjes. Njerëzit në fshat kanë pasur më shumë kafshë shtëpiake, thotë Milloradi, por ka pasur shumë vjedhje. «Ishte luftë, dhe ndodhnin gjëra të këqija», thotë ai. Milloradi ka jetuar këtu pothuajse gjithë jetën dhe ka jetuar gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe në konfliktin e viteve 1990 në Kosovë dhe fjalët e tij të thjeshta vijnë nga përvoja e hidhur. «Jeta është e çmuar për të gjithë. Madje edhe milingonat e mbajnë atë të dashur. Kështu që paqja është gjëja më e rëndësishme. Çdo udhëheqës i shtetit duhet ta ketë këtë në mendje».
(BIRN)

Rugova fiton në Istog me 14 vota epërsi

Haki Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka fituar në Istog me 14 vota epërsi

Fillimisht Gani Dreshaj nga AAK ka marrë 16 vota me postë ndërsa Haki Rugova nga LDK ka marrë 8 vota, raporton KTV.

Haki Rugova nga LDK gjithsej ka 10 mijë e 33 vota, ndërsa Gani Dreshaj i AAK-së 10 mijë e 19 vota.

Provat materiale që i çuan në burg aktivistët e VV-së

Saktësisht 31 ditë pasi që shqiptoi 21 vjet burg ndaj katër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të akuzuar për sulmin në Kuvendin e Kosovës, Gjykata Themelore e Prishtinës ka përpiluar aktgjykimin e plotë lidhur me këtë rast

KALLXO, ekskluzivisht ka siguruar aktgjykimin dhe arsyetimin që dënoi aktivistët e Vetëvendosjes.
Në aktgjykimin prej 41 faqesh përshkruhen provat materiale, provat rrethanore, provat shfajësuese dhe pretendimet e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre.

Gjyqtari Beqir Kalludra që ka përpiluar aktgjykimin ka listuar provat mbi të cilat e ka mbështeture aktgjykimin duke filluar nga motoçikleta e djegur, komunikimet mes të akuzuarve, kartela e blerë e telefonit dhe provat e tjera relevante.

“Motoçikleta e gjetur duke u djegur, po ashtu është vërtetuar se atë motoçikletë e kanë blerë dhe drejtuar të akuzuarit Atdhe dhe Egzon dhe të njëjtën e kanë përdor për kryerjen e veprës penale”, thuhet në aktgjykim.

Po ashtu lidhur me këtë provë që në aktgjykim renditet si kruciale, gjykata përmend edhe dëshminë e dëshmitarit Heset Ramadani.

“Gjykata vlerëson se nga kjo provë materiale vërtetohet fakti që pikërisht motoçikletën të cilën tani dëshmitari Heset Ramadani u ka shitur të akuzuarve Atdhe dhe Egzon është motoçikleta e cila është gjetur e djegur pas kryerjes së sulmit në Kuvendin e Kosovës. Pasi dëshmitari Heset ka qenë në gjendje të sigurojë dokumentet e personit në emër të cilit ka qenë motoçikleta paraprakisht dhe atë në emër të personit Sahit Hasani nga i cili edhe e ka blerë tani dëshmitari Heset Ramadani ndërsa siç vërtetohet nga fotoalbumi i datës 5 gusht 2016, gjegjësisht fotografitë 15, 16,17, dhe 18 është numri i njëjtë i shasisë”, arsyetohet në aktgjykim.

Ndër provat materiale të vlerësuara, sipas gjykatës, përmenden edhe incizimet e marra nga kamerat e sigurisë së ETC-së.

“Në video-incizimet e marruar nga kamerat e sigurisë të vendosura në pjesën e jashtme të ETC-së, shihet se i akuzuari Atdhe Arifi është duke drejtuar një motor me ngjyrë të kuqe ndërsa që në një distancë të afërt qëndron në këmbë tani i akuzuari Egzon Haliti ndërkaq që vetura e tani të ndjerit Astrit Dehari është e parkuar afër në skaj të rrugës”, përshkruan aktgjykimi.

Si provë tjetër materiale lidhur me këtë rast, gjykata renditi edhe video-incizimet e kamerave ku prokuroria pretendon se duket Adea Batusha duke blerë telefonin.

“Gjykata vlerëson se nga këto incizime të administruara në cilësinë e provave materiale vërtetohet bindshëm fakti që e akuzuara Adea Batusha me datë 5 gusht 2016 ka blerë telefonin dhe të njëjtin ia ka dërguar tani të akuzuarit Frashër Krasniqi nga i cili telefon më pastaj është dërguar e-maili me përmbajtje si më lartë”, përshkruhet në aktgjykim.

Në aktgjykim, më tej arsyetohet se përpos video-incizimeve ketë pretendim e mbështesin edhe deklaratat e dëshmitarëve.

“Kjo provë material është në përputhje edhe më dëshminë e dëshmitarit Naser Mustafa i cili ka përshkruar tani të akuzuarën Adea Batusha në mënyrë të njëjtë si dhe shfaqet në video-incizimet e marra gjatë rrugëtimit të saj deri në vendin ku e blenë telefonin dhe largimin e saj në drejtim të vendbanimit të akuzuarit Frashër Krasniqi e po ashtu edhe kohën kur kjo e akuzuar e ka blerë telefonin, kiflen që e ka pasur në dorë, syzet, çantën”, përshkruhet në aktgjykim.

Përpos dëshmitarit, Mustafa, gjykata përmend edhe dëshminë e dëshmitarit Zogiani.

“Njashtu edhe me dëshminë e dëshmitarit Remzi Zogiani i cili e ka identifikuar të akuzuarën Adea si personin që në ditën kritike e ka dërguar deri te banesat e Tregtisë e po ashtu edhe rrugën që e ka përshkruar me rastin e dërgimit deri në këtë adresë”, thuhet në aktgjykim.

KALLXO gjatë ditës do të sjellë edhe arsyetimin e aktgjykimit lidhur me provat rrethanore, provat shfajësuese si dhe me vlerësimin e mbrojtjes së të akuzuarve lidhur me këtë rast.