Shqiptarët e Shqipërisë shuplakë Edi Ramës, 80 për qind e tyre deklarohen kundër korrigjimit të kufijve

Një sondazh në Shqipëri këtë herë është bërë për propozimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij serb Aleksandar Vuçiq, për shkëmbim territoresh. E, pikërisht në një intervistë për një televizion në Shqipëri, presidenti Hashim Thaçi, tha se 80 për qind e qytetarëve dëshirojnë të ndryshohen kufijtë e Kosovës, pra përkrahin idenë e tij. Ky e kishte për qytetarët e Kosovës, megjithatë një matje e tillë nuk është bërë asnjëherë, e shifrat që tha presidenti ishin të shpikura

Sipas sondazhit të CSES-së në Shqipëri, që u realizua online në datat 13 – 20 shtator 2018, 77 për qind del të jenë kundër kësaj ideje, transmeton Koha.net.

Nga 5.619 nënshtetasit madhorë të Republikës së Shqipërisë që kanë dhënë përgjigje, banorë të fshatrave dhe qytetet nga të gjitha bashkitë (Tiranë 39%, Durrës 7%, Elbasan 5.5%, Shkodër 5.4%, Vlorë 4.2%, Fier 3.9%, Korçë 3.3%, etj), 92.3% shprehen se kohët e fundit kanë dëgjuar për propozimet e Thaçit dhe Vuçiqit, për korrigjimin e kufijve/shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që 7.7% shprehen se nuk kanë dëgjuar rreth këtyre propozimeve.

Mes qytetarëve të Shqipërisë që kanë dëgjuar për propozimet e Presidentit të Kosovës dhe Serbisë, të cilët kanë formësuar një qëndrim për këtë çështje dhe pranojnë të përgjigjen, 77% pozicionohen kundër këtyre propozimeve ndërkohë që 23% i mbështesin ato.

“Vihet re që të rinjtë shfaqin prirje më të lartë për të kundërshtuar këto propozime (18 – 35 vjeç, 80% kundër) krahasuar me më të moshuarit (56+ vjeç, 72% kundër). Gjithashtu vihet re se femrat shfaqin prirje më të lartë kundërshtuese ndaj këtyre propozimeve (80% kundër) krahasuar me meshkujt (76% kundër)”, thuhet në sondazhin e CSES-së.

CSES është një program bashkëpunues i hulumtimit midis ekipeve të studimit zgjedhor nga e gjithë bota. Vendet pjesëmarrëse përfshijnë një modul të përbashkët të pyetjeve.

Kohët e fundit, në Kosovë, ideja e Thaçit për korrigjim kufijsh po cilësohet si antikushtetuese. E ky i fundit, ka nisur një iniciativë me synimin për të anashkaluar Kuvendin e Kosovës rreth një marrëveshjeje të mundshme me Serbinë.

Statistika shqetësuese: Për dy vjet, mbi 100 persona të zhdukur

Përveç vrasjeve të shumta, aksidenteve në trafik dhe lëndimeve në punë që po ndodhin në vend, shqetësues është edhe numri i rasteve të personave të zhdukur. Vetëm në javën e tretë të shtatorit në vend janë zhdukur katër persona, për fatin e të cilëve ende nuk dihet asgjë. Sipas statistikave të Policisë në dy vitet e fundit janë raportuar si të zhdukur më shumë se 100 persona. Prizreni, Istogu e Mitrovica janë qytetet në të cilat ndodhin më së shpeshti raste të tilla

Avdyl Kçiku nga Ferizaj, kishte vite që punonte e jetonte në Zvicër bashkë me familjen e tij. Por, viteve të fundit i kishte shpeshtuar vizitat për në Kosovë.

Përveç që vinte në vendlindje për pushime, ai shfrytëzonte vizitën edhe për punë biznesi. Deri në mbrëmjen e 31 gushtit, biznesi i kishte shkuar shumë mirë. Po, atë natë Avdyli kishte dalë për t’u takuar me disa persona që t’ua shiste një veturë.

Mirëpo, duket se biznesi nuk i shkoi mirë. Që nga ajo ditë ai për familjen nuk u bë më i gjallë, të cilët edhe e raportuan në polici si të zhdukur.

Ata nuk morën asnjë informacion rreth djalit të tyre, deri ditën kur morën lajmin e hidhur për vdekjen e tij. Ai u gjet i vdekur në veturën e tij nga një bashkëfshatar. E ndonëse kanë kaluar më shumë se një muaj prej këtij ndodhie, policia ende nuk ka mundur që ta zbardhë këtë rast misterioz.

Por, ky nuk është i vetmi person i zhdukur gjatë këtij muaji. Pothuajse çdo ditë në raportin 24 orësh të policisë raportohet për persona të zhdukur.

Vetëm gjatë kësaj jave, në vend kanë ndodhur katër raste të tilla, numër ky që për tërë shtatorin arrin në 10 raste të tilla. Në shumicën e këtyre rasteve, personat e zhdukur kanë qenë të gjinisë femërore.

Deri më tani, një prej këtyre personave është gjetur, derisa për fatin e personave të tjerë ende nuk dihet asgjë. Familjet e tyre vazhdojnë të jetojnë me ankth, e nuk kanë as edhe një informacion nëse familjarët e tyre po frymojnë.

Edhe gjatë vitit të kaluar, numri i këtyre rasteve ka qenë shumë i lartë.

Në Policinë e Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se vetëm për periudhën janar-prill të këtij viti, janë raportuar 56 persona të zhdukur.

Për secilin muaj gjatë kësaj periudhe nga familjarët janë raportuar 15 të zhdukur.

Numër të lartë të personave të zhdukur po del të ketë pasur edhe në periudhën e njëjtë gjatë vitit të kaluar. Madje, krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit numri i rasteve të zhdukjeve është ulur për rreth 20 raste.

Sipas statistikave që ka siguruar Gazeta Express nga Policia e Kosovës, gjatë vitit 2017, në vend janë raportuar 76 persona të zhdukur, disa prej të cilëve pas disa ditësh janë gjetur të vdekur.

E në polici thonë se në shumicën e rasteve personat që raportohet si të zhdukur janë të moshave të reja, ndërsa për nga gjinia e të zhdukurve thonë se dominojnë vajzat.

Madje, deklarojnë se në shumë prej rasteve vajzat ikin për të shkuar tek të dashurit e tyre, e për ditë me radhë nuk u lajmërohen familjeve dhe për këtë arsye raportohen si të zhdukura.

Derisa thonë se pas disa ditësh vetë familjarët raportojnë në polici se të njëjtat janë gjetur. Ndërkohë, qytetet në të cilat ndodhin më së shumti raste, sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, mbeten Prizreni, Istogu, Mitrovica, Peja dhe Shtimja. /Gazeta Express.

Rivarroset Kolonel Ahmet Krasniqi dhe dëshmori Qazim Jakupi

Nën praninë e krerëve të lartë shtetërorë, bashkëluftëtarëve si dhe qindra qytetarëve sot u rivarrosen me nderime të larta shtetërore, kolonel Ahmet Krasniqi si dhe dëshmori Qazim Jakupi, në “Varrezat e dëshmorëve”, në Velani

Sot u mbajtën edhe homazhe për nder të jetës dhe veprës së kolonel Ahmet Krasniqi si dhe dëshmorit Qazim Jakupi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe një akademi përkujtimore, ku presidenti i vendit Hashim Thaçi nderoi me medalje presidenciale familjet Krasniqi dhe Jakupi.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës kohë më parë kishte marrë vendimin për kthimin e eshtrave të Ahmet Krasniqit dhe Qazim Jakupit në vendlindje.

Geci: Thaçi ka dhënë urdhër për vrasjen e Ahmet Krasniqit, do të takohemi në Speciale

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke thënë se ky i fundit ka dhënë urdhër për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit

“Hashim Thaçi urdhërdhënës për vrasjen e Ahmet Krasniqit, duke u munduar t’i ik Gjykatës Speciale po mundohet t’i nderojë heronj. Unë dhe Thaçi do të takohemi në Gjykatën Speciale”, ka thënë Geci.

Tutje Geci ka kërkuar që Presidenti të dorëzohet para Tribunalit të Hagës. “I kërkojmë Hashim Thaçit të dorëzohet para Hagës. Do të jem dëshmitar për vrasjet politike të tij pas luftës, familjet patriotike janë vrarë me urdhër të Hashim Thaçit”.

Po ashtu derisa po derisa presidenti i vendit Hashim Thaçi po mbante fjalimin e tij në akademinë përkujtimore për heronjtë Ahmet Krasniqi e Qazim Jakupi, dikush dhe i ndërpreu fjalimin.

Kjo pasi njëri nga pjesëmarrësit në këtë akademi përkujtimore, në momentet kur presidenti Thaçi të mbante fjalën e tij, tentoi të kuptonte se kush ishte personi që vrau heroin Ahmet Krasniqi. Në videon e publikuar nga Klan Kosova dëgjohet një person duke pyetur Thaçin se kush e ka vrarë Ahmet Krasniqin.


Basha thotë se pesë banda kriminale kërkojnë shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha shprehet kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Ashtu sikurse edhe ish-Kryeministri Sali Berisha, Basha renditet në anën e kundërshtarëve të kësaj ideje

Kryedemokrati shkon më tej duke thënë se ideja për shkëmbim territoresh mbështetet nga pesë banda kriminale që veprojnë në veri dhe në jug të lumit Ibër. “Propozimi për shkëmbimin e territoreve është lëgjitimim i aventurierëve dhe legjitimim i pesë bandave të krimit të organizuar në veri dhe në jug të lumit Ibër”, u shpreh Basha.

Cilat janë këto banda kriminale që mbështesin shkëmbimin e territoreve? Kreu i demokratëve nuk përmendi asgjë konkrete, por shtoi se pretendimet për mosfunksionimin e territorit të Kosvës janë vetëm një alibi.
“Në qoftë se ka vullnet politik për të çmontuar këto pesë banda të krimit të organizuar në jug dhe në veri të lumit Ibër, atëherë alibia e fundit për mosfuksionim të territorit të Kosovës bie”, tha Lulzim Basha.

Kryedemokrati këto deklarata i bëri konferencën ballkanike të grave të organizuar nga LDGSH dhe Forumi i Gruas në PPE. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve për të ndërhyrë në ndryshimin e gjendjes në Shqipëri.

Krydemokrati ka vazhduar të denoncojë gjendjen në të cilën ndodhet vendi, sipas të cilit, kontrollin e ka marrë krimi përmes bashkëpunimit me politikën. Dhe për këtë akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë.

“Krimi kontrollon qytetet, lagjet e qyteteve. Është krimi që kontrollon territorin dhe ekonominë, qeveria nuk e ka më kontrollin e territorit dhe ekonomisë”, tha Basha në konferencën ballkanike të organizuar nga LDGSH në bashkëpunim me Forumin e Gruas në PPE.

Gjatë fjalës së tij, Lulzim Basha nuk foli me emra konkretë, por tha se askush nuk u beson më fjalëve të zyrtarëve të caktuar të Bashkimit Europian që vazhdojnë të përkrahin Kryeministrin dhe reformat e qeverisë përmes shprehjeve të përsëritura.

“Nuk mund të vazhdojmë më kështu. Kusht kryesor është ndarja e Shqipërisë nga krimi. Askush nuk ka nevojë në këtë vend dhe askush nuk i merr seriozisht ata që janë bashkëpërgjegjës në këtë situatë, ata që kanë lejuar Edi Ramën të përqëndrojnë në një dorë gjithë pushtetet. Askush nuk i ha më frazat për thellim dhe intensifikim të reformave, sepse institucionet i ka kapur krimi. T’i bëjmë thirrje atyre që flasin në emër të Europës, mos na gënjejnë më. Mos të flasin me patetate në gojë, por ta thonë qartë. Europa nuk i toleron politikanët e lidhur me krimin. E kanë thënë qartë drejtues të lartë të politikës gjermane, është koha ta thonë të gjithë”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike.

Mustafa: Ahmet Krasniqi u kthye në Kosovë, por si të zbulohen vrasësit e tij

Ish kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se pas njëzet vjetësh, sot trazojmë kujtimet tona të hidhura për aktin e ekzekutimit barbar nga dora e fshehtë e kolones Ahmet Krasniqit, Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Republikës së Kosovës që veproi në ekzil

Megjithatë, sipas, ish ministrit në qeverinë në ekzil të Bujar Bukoshit në të cilën kolonel Ahmet Krasniqi ishte ministër i mbrojtjes, krahas përmbushjes së një amaneti që Baci të varroset në Kosovë, shtrohet pyetja se si do të përmbushet amaneti tjetër, ai i zbulimit të dorasëve dhe organizatorëve të ekzekutimit të tij.

Postimi i Mustafës në Facebook:

“Të dashur miq,

Pas njëzet vjetësh, sot trazojmë kujtimet tona të hidhura për aktin e ekzekutimit barbar, nga dora e fshehtë, të kolonel Ahmet Krasniqi, Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Republikës së Kosovës që veproi në ekzil.

Sot po bëhet rivarrimi I eshtrave të këtij burri të Kosovës, trimi e atdhetari, por drejtësia shqiptare i mbetet borxh zbardhjes së vrasjes së tij, para derës së shtëpisë ku banonte me oficerët tjerë të kësaj ministrie në Tiranë, në Rrugën e Medreses.

Krahas përmbushjes së një amaneti që Baci (siç komunikonim me njëritjetrin) të varroset në Kosovë, shtrohet pyetja se si do të përmbushet amaneti tjetër, ai i zbulimit të dorasëve dhe organizatorëve të ekzekutimit të tij, pas zhvarrosjes nga Tirana dhe rivarrosjes në Prishtinë. Edhe këtë duhet ta kishin llogaritur organizatorët. IM”

Deputeti i LDK-së: Njerëzit me kravata e dinë kush e vrau Ahmet Krasniqin, por po heshtin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se shumë njerëz me kravata e dinë kush ka vrau ministrin Ahmet Krasniqit, eshtrat e të cilit sot janë kthyer në Kosovë

Ai ka thënë se dora misterioze që e ka vrau dhe që janë në dijeni për këtë veprim janë të njëjtit kriminel. “Sot në nderim të Ministrit të luftës, Ahmet Krasniqit. Turpi qoftë për ju që hartuat, dhe ekzekutuat planin ogurzi për eliminimin e Ministrit e sot po heshtni. Dora misterioze që vrau dhe ju që dini kush ishte urdhërdhënësi e nuk flitni mbeteni të njëjtit kriminel. Unë kam bindjen që ka shumë njerëz me kravata që dinë por kanë vendosur të heshtin për të ruajtur faqen e zezë të dikujt. Lavdi veprës dhe jetës së Ahmetit”, ka shkruar Avdyli në Facebook.

Anti-thaçizmi si dëshmi e shterpësisë së mendimit politik në Kosovë

Një ndër thëniet më të famshme për të cilat mbahet mend Eleanor Roosevelt është shprehja se “mendjet e ndritura diskutojnë për ide, mendjet mesatare diskutojnë për ngjarjet ndërsa mendjet e vogla diskutojnë për njerëz”. Fatkeqësisht në Kosovë prej shumë vitesh dominon debati politik mbi persona e jo mbi ide e zhvillime sikurse ndodh në vende me kulturë politike më të avancuar

Nga Adri Nurellari

Sikur të mos mjaftonte që telenovelat të zaptonin hapësirën mediatike, ka filluar që edhe politika të trajtohet si telenovelë duke u fokusuar tek veprimet, situatat apo fatet e personazheve kryesorë. Në qendër të thashethemnajës e përgojimit qëndron Hashim Thaçi si personaliteti më i rëndësishëm politik në Kosovë i dy dekadave të fundit. Është e kuptueshme që vetë roli protagonist e bën edhe cak shigjetash, sepse sikurse thotë në fizikë ligji i tretë i Njutonit: “Për çdo forcë ekziston gjithmonë një kundërveprim i barabartë me kah të kundërt”. Prandaj prezenca e anti-thaçizmit si aksion politik në një epokë pluraliste është më se e natyrshme. Mirëpo ajo që është e çuditshme është dominimi i kësaj tendence në debatin publik gjë që dëshmon sterilitetin dhe varfërinë të debatit dhe mendimit politik në Kosovë.

Janë të shumtë individët e politikës, mediave, shoqërisë civile që kanë bërë karrierë e janë bërë të famshëm veç duke mbajtur flamurin e anti-thaçizmit. Këtyre po tua heqësh agresivitetin dhe kritikat e shumta të bëra ndaj Thaçit, vështirë se iu ngelet ndonjë kontribut apo rol tjetër në jetën publike për të cilin të meritojnë statusin që kanë sot në shoqëri. Tek disa flamurmbajtës të anti-thaçizmit aq e madhe është ngarkesa emocionale e obsesionit me këtë njeri sa manifestohen edhe çrregullimet psikologjike-psikiatrike të formës së psikozave kur flasin për të. Në kuadrin e këtyre sulmeve në media ky koalicion i të obsesionuarve anti-thaçistë, ta shesin si opinion atë që, në fakt, është emocion i tyre dhe ta shesin për analizë atë që në fakt është opinioni i tyre personal. Për më tepër ky lloj debati personal merr përmasa të zjarrta e të ngarkuara emocionale që e nxjerr krejt fare nga loja arsyen dhe logjikën e degradon madje në fyerje banale.

Kjo politika e mbështetur te personaliteti bën që i gjithë ligjërimi politik të reduktohet te karakteri si dhe veprimet apo mosveprimet e një personi të vetëm e mos të merret me fakte, bilance, projekte, ide apo reforma të realizuara apo të dështuara. Prandaj prania e fortë e anti-thaçizmit, demonstron se më shumë sesa interesi shtetëror dominon hatërmbetja, marazi, mëria, inati, zilia, xhelozia, lakmia personale apo forma të tjera të ngjashme kompleksesh. Për këtë arsye edhe debatet televizive që merren me komente të aktorëve politik gjithnjë e më shumë po iu ngjajnë thashethemeve të kafeneve. Diskutimi merr më shumë formën e përplasjeve mes tifozëve të skuadrave të ndryshme të futbollit ku polemika i lë vendin sharjeve e mungesa e mendimit kompensohet me diarre fjalësh bosh.

Idealja do ishte që të ishin idetë ato që do të dominonin debatin politik kosovar mirëpo me sa duket duhet ende kohë që të ndriçohet mentaliteti ynë. Nuk ka asgjë të keqe që të ketë kritika, dyshime e kërkesë llogarie mbi një lider politik, përkundrazi, është ky presion që bën të mundur garantimin e performancës së mirë. Porse në Kosovë përmasat e anti-thaçizmit janë anormale e kanë arritur dimensionet e një obsesioni kolektiv masiv që ka uzurpuar skenën politike në vend gjatë muajve të fundit që po diskutohet faza finale e dialogut me Serbinë. Duke u marrë gjithmonë me sulme ndaj Thaçit, largohet vëmendja nga debati parashtrues e përmbajtjesor. Për muaj me radhë e gjithë opozita në vend që të merret konkretisht me propozime, rekomandime, sugjerime për dialogun, u mor me sulme personale ndaj presidentit dhe vënie në pikëpyetje të së drejtës së tij kushtetuese për të udhëhequr politikën e jashtme në vend.

Debati publik sot është i dominuar nga sulmi kolektiv ndaj Thaçit prej opozitës i atyre përmasave që të rikthente kujtimin e krijimit të VLAN-it një ditë pas ditës së votimit kur pa u tharë boja nga gishtat e votuesve vullneti i kutisë së votimit u zëvendësua nga tavolina e bisedimeve mes partive të humbura. Asokohe obsesioni i anti-thaçizmit bëri bashkë një aleancë laramane partish që kishin garuar e sulmuar njëra tjetrën për vite me radhë duke i nxjerrë në pah se nuk kishin ndonjë orientim ideologjik përveç anti-thaçizmit. Edhe në partinë që dikur ka qenë pararojë në Kosovë për sa i përket nisjes së debatit ideologjik, Lëvizja Vetëvendosja, orientimi socialist zhduket sa herë që është në pyetje Hashim Thaçi. Obsesionimi personal ndaj Thaçit në 2014 bëri që Vetëvendosje të hiqte dorë nga parimet e pretenduara e të hiqte dorë nga vetëvendosja duke pranuar negociatat si dhe të pranonte të bashkëpunonte me ata që i kishte akuzuar si haraçexhinj, koka të korrupsionit, kolaboracionistë të Rrahman Morinës apo listë politike që është dorë e zgjatur të Beogradit. Fakti që Thaçi është në njëfarë mënyre ‘yll polar i orientimit’ të veprimeve të Vetëvendosjes e dëshmoi edhe çështja e gjykatës speciale. Kur u fut ne parlament për t’u votuar ata ishin ashpër kundër, mirëpo kur u afrua një mundësi për ta çaktivizuar gjykatën në dhjetorin e kaluar, VV e kundërshtoi veten dhe doli kundër kësaj nisme të OVL-së vetëm sepse mendonte që kjo gjë mund t’i leverdiste Thaçit.

Anti-thaçizmi është shndërruar në shtyllën kryesore ideologjike edhe të Lidhjes Demokratike, e cila nga një organizatë politike në suazat e idhujtarisë e orientuar pro një njeriu, Rugovës e rugovizmit është shndërruar në një parti që orientim kryesor manifeston sulmet ndaj Thaçit apo anti-thaçizmin. Gjatë gjithë këtij viti që diskutohet për fazën e dialogut nuk është dëgjuar ndonjëherë nga kjo parti ndonjë propozim, rekomandim, sugjerim e mos të flasim për platformë apo vizion konkret për përmbajtjen që do duhej të kishte marrëveshja e paqes me Serbinë, por vetëm janë marrë me presidentin. Gjithë ajo parti që krenohet me kuadrot e shkolluar mësimdhënës nuk ka artikuluar qoftë edhe një ide substanciale për modalitetin e negociatave apo rezultatin e dëshiruar ku duhet të çojnë ato, por vetëm është marrë me sfidimin e rolit të presidentit që ata vetë e kanë zgjedhur.

Aktualisht ekziston një kontekst politik ndërkombëtar i favorshëm por shumë delikat e relativisht i përkohshëm që mund të sigurojë mbylljen e konfliktit me Serbinë dhe çimentimin e subjektivitetit ndërkombëtar shtetëror të Kosovës. Ekziston një presion ndërkombëtar nga Bashkimi Europian dhe SHBA-të për ta shtyrë përpara e finalizuar sa më shpejt një marrëveshje të plotë juridikisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Nga njëra anë Bashkimit Europian po i afrohen zgjedhjet e Parlamentit Europian dhe gjasat janë që me forcimin e partive populiste të viteve të fundit, në vitin e ardhshëm të kemi një Bashkim Europian ndryshe. Këto parti populiste jo-konvencionale e jo-tradicionale kanë marrë pushtetin në disa shtete të BE e po i afrohen qeverisjes në shumë të tjera çka do të thotë se qëndrimet e tyre izolacioniste, anti-zgjerim, anti-imigrant e islamofobe kanë për t’u bërë pjesë e politikës qendrore të BE-së. Kjo do të thotë se Bashkimi Europian i ardhshëm sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë vullneti për t’u marrë me Ballkanin sikurse e ka sot. Po ashtu edhe në Serbi nuk e dimë deri kur do të kemi një lider si Vuçiç që ka aq shumë pushtet të përqendruar sa është i gatshëm të shtyj përpara një proces që nuk është popullor në vendin e tij

Mirëpo aq i fortë është sentimenti anti-thaçist sa kundërshtarët politik, për hir të marazit të papërmbajtshëm janë të gatshëm t’ia humbasin Kosovës këtë rrethanë historike vetëm për inatin e tij ose që të veprojnë në përputhje me fjalën e urtë popullore, për inat të vjehrrës më vdektë burri. Ky qëndrim absurd anti-person mund të rrezikojë që ta përsërisë vitin 2014 kur opozita atëhershme e la Kosovën pa ushtri prej inatit kundër Thaçit. Duke mos dashur që meritat e formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës t’i merrte Thaçi, LDK dhe VV refuzuan që të votonin vazhdimin e vendeve të rezervuara për një mandat më shumë gjë që ishte kushti i partive politike parlamentare të pakicës serbe për të votuar në këmbim formimin e ushtrisë. Përfaqësia politike në parlament në zgjedhjet që pasuan ndryshoi tërësisht me përfshirjen e veriut në zgjedhje dhe krijimin e Listës Serbe dhe krejt ndryshe nga përfaqësia politike e mëhershme, Lista u deklarua ashpër kundër ushtrisë së Kosovës. Pra, për shkak të anti-thaçizmit Kosova ngeli pa ushtri dhe gjasat janë që për të njëjtën arsye të ngelet pa një marrëveshje të njohjes që aq shumë nevojitet nga Kosova.

Dominimi i anti-thaçizmit në diskursin politik në Kosovë nuk është shqetësues vetëm për cenimin e interesave shtetërore dhe humbjen e mundësive historike për vendin sikurse ndodhi me ushtrinë, por edhe për shëndetin e demokracisë në vend. Mungesa e debatit ideologjik, e përballjes së këndvështrimeve dhe e paraqitjes së alternativave programore lë të kuptohet se jemi ende duke përjetuar një situatë para-politike apo para-moderne. Për sa kohë politika përqendrohet tek personalitetet e jo tek idetë e ideologjitë ne kemi votues që thjeshtë votojnë se kush do të jetë timonieri, por jo se cili do të jetë drejtimi që duhet të marrë vendi. Prandaj fakti që në Kosovë mbizotëron debati mbi personalitetin pra mbi liderët politik që garojnë apo që luajnë një rol kyç në jetën publike dëshmon për një stad të ulët zhvillimor të jetës politike. Ndryshe nga politika e bazuar mbi çështje, politika e bazuar mbi personalitetin merret me përbaltje e jo përmbajtje, merret me sulme personale e jo me rrahje idesh, merret me mesazhierin e jo me mesazhit, përqendrohet tek denigrimi i individit e jo tek kundër argumentimi ndaj propozimeve të shprehura. Një mjedis politik të bazuar tek personalitetet debati dominohet më shumë nga psikanaliza e individit pra nga elemente të karakterit, personalitetit, sjelljet, tiparet fizike, biografia, familja, temperamenti apo veçoritë tij të tjera psikike. Ndërkohë që neglizhohet debati mbi temat konkrete, mbi ideologjitë, institucionet, proceset, ligjet apo reformat. Për rrjedhojë debati politik ka tendenca destruktive se synon denigrimin e kundërshtarin ndërkohë që do të duhej të ishte konstruktiv në formën e ballafaqimit të alternativave politike. Pra në vend që të merret me standarde e performanca institucionale përqendrohet tek sulmi ndaj një individi si mishërimi i së keqes.

Idealja për një demokraci të konsoliduar është politika e bazuar në çështje vendos në plan të parë vlerat, idetë, parimet, propozimet, reformat, politikat konkrete apo vizionin për të ardhmen. Kjo lloj politike përqendrohet mbi çështjet që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve të një vendi dhe ofron zgjidhje që i adresojnë ato. Në rastin e Kosovës politika përmbajtjesore e bazuar mbi çështjet do të duhej të merrej me çështjet që prekin më shumë qytetarin e Kosovës sikurse janë subjektiviteti ndërkombëtar i vendit, varfëria, papunësia, garantimi i një gjyqësori efikas dhe sundimit të ligjit, qasja në shërbime cilësore publike si arsimi e shëndetësia, nevoja për strehim apo infrastruktura e prapambetur. Shpesh shumë prej këtyre çështjeve mund të trajtohen në nivel të pushtetit vendor në Kosovë duke patur parasysh nivelin e lartë të decentralizimit, mirëpo fatkeqësisht edhe përfaqësuesit e pushtetit vendor në më të shumtën e rasteve merren me përplasjet personale të nivelit qendror.

Kuptohet që roli i individit në politikë është shumë i rëndësishëm e shpesh vendimtar, mjafton të shikohet roli që ka kandidati për kryeministër në Britani apo kandidati për president në SHBA për të kuptuar sa i fortë është dimensioni i personalizimit të politikës. Mirëpo kur shkohet në ekstrem dhe gjithë politika përqendrohet tek roli i individit, i bie të neglizhohen shumë aktorë, faktorë e rrethana që po ashtu luajnë rol kyç. Po ashtu duhet kuptuar që në këto dy demokracitë më të vjetra të Evropës, nuk bëhet thjesht fjalë për individë karizmatikë por individë me ide e propozime konkrete. Britanikët dhe amerikanët besojnë thjesht te njerëz të caktuar të famshëm por tek njerëz që besojnë e propozojnë ide të caktuara. Historia moderne e botës së zhvilluar tregon se idetë për t’u materializuar kërkojnë idealistë karizmatikë që i shtyjnë përpara këto ide. Këta individë me retorikën që përdorin, programet që shpalosin, qëndrimet që mbajnë faktikisht shndërrohen në mishërimi i disa ideve që pa ta do konsideroheshin thjeshtë si ide abstrakte. Pra, bëhet fjalë për politikanë që janë të lidhur ngushtë me grupe të qarta idesh duke u ofruar në paketë si ofertë për ata që përkrahin këto ide.

Fatkeqësisht shqiptarët kudo që jetojnë nuk kanë pasur përvoja të demokracisë dhe në memorien kolektive njohin ose padishahun e portës së lartë ose udhëheqësin komunist të lavdishëm të tipit Enver Hoxha apo Marshall Tito. Brenda perandorisë Osmane, me përjashtim të dy periudhave të shkurtra të monarkisë kushtetuese dhe mbledhjes së asamblesë së përgjithshme përfaqësuese në 1876-78 dhe 1908 deri në luftërat ballkanike, shqiptarët nuk kanë pasur asnjë përjetim në të kaluarën të ndonjë forme qoftë rudimentare të demokracisë. Për hir të së vërtetës kjo mënyrë e të konceptuarit të jetës si një hierarki me në krye një individ drejtues shkon përshtat edhe me traditën tonë patriarkale ku fjala e babait apo të parit të familjes kishte peshën e ligjit. Në Kosovë mungesa e përvojës së kaluar të demokracisë dhe përqendrimi i tejskajshëm tek problemi kombëtar, pra tek sfida post koloniale, ka lënë pak hapësirë që të eci përpara edhe tranzicioni paralel post-komunist. Për rrjedhojë në kulturën politike në Kosovë ende nuk ka zënë vendin që meriton të kuptuarit të institucioneve e proceseve por vazhdon të dominojë vëmendja sjelljes e vullnetit të liderit. Kjo bën që shumë qytetarë të kenë pritshmëri të ekzagjeruara dhe për rrjedhojë iluzione të tepruara ndaj udhëheqësve.

Në demokraci vendim-marrja është shumë më e komplikuar, është e decentralizuar dhe shpërndarë në shumë aktorë dhe institucione, përfshihen shumë hallka shtetërore e më shumë sesa thjesht vullneti i një personi faktikisht nevojitet konsensus e bashkëveprim i shumë palëve.

Kjo e kaluar komuniste bie në sy shpesh në formën e manifestimit të anti-thaçizmit në Kosovë. Sulmet që i bëhen atij nxjerrin dendur tipare karakteristike dhe stilema të leksikut të sulmeve të kohës së komunizmit totalitar kur kundërshtari politik apo ideologjik jo vetëm që sulmohej për bindjet dhe qëndrimet por denigrohej personalisht tërësisht në të gjitha aspektet. Në totalitarizëm kundërshtari asgjësohej plotësisht e jo vetëm ai por i nëpërkëmbej e persekutohej edhe familja e i mohohej çdo vepër apo tipar të mirë që mund të kishte pasur viktima.

Është interesante se si ngjashëm me këto nuancat e Kosovës sot, ka qenë edhe debati dominues politik në Shqipëri 15 vjet më përpara kur përqendrohej tek melodrama e dy personave, Nanos dhe Berishës. Krahët politik fokusoheshin tek demonizimi apo glorifikimi i këtyre dy personave duke krijuar iluzionin se fitorja e njërit apo humbja e tjetrit do të shërbenin si panace për të kuruar të gjitha problemet e Shqipërisë së mjerë. Në mënyrë të veçantë Partia Socialiste e Republikës së Shqipërisë ka qenë e dominuar nga anti-berishizmi në ligjërimin e saj politik e nuk ka pasur orientim të qartë ideologjik madje përtej sulmeve ndaj Berishë, duke si fotokopje e Partisë Demokratike në veprime e qëndrime. Të dy këto figura e lanë podiumin e protagonizmit të politikës shqiptare dhe shteti shqiptar ende vuan nga të njëjtat probleme therëse si varfëria, papunësia, krimi, korrupsioni e shërbimet publike tejet të prapambetura.

Në fund të fundit nuk kishte si të ndodhte ndryshe, jeta e njeriut , për të përdorur fjalët e Hobsit, është e vetmuar, e varfër, e ligë, e vrazhdë dhe e shkurtër dhe njerëzit do të vazhdojnë që në gjendje natyrore të kenë tipare egocentrike, grabitqare e përfituese dhe vetëm shteti i së drejtës me institucionet e tij demokratike mund të sjellin mirëqenien e shoqërisë. Është iluzion tashmë i tejkaluar i shoqërisë pritja gati-fetare për një lider shenjtor i stilit të “Shën Gjergjit që do vrasi kuçedrën e së keqes. Shoqëri të shumta anembanë globit, për qindra vite kanë pasur këtë iluzion mesianik se për të pasur përmirësim të jetës e për t’i dhënë fund padrejtësive duhej pritur një i dërguar i ndriçuar pra një version i Mesias që në kultura të tjera quhej Mahdi, Maitreja, Kalki, Li Hong apo Saoshiant. Mirëpo përvoja, historia e njerëzimit, ka dëshmuar e provuar tashmë në mënyrë bindëse se begatia shoqërisë i vjen nga ndërtimit i institucioneve liberal-demokratike dhe nga promovimi i vlerave specifike njerëzore si toleranca, dialogu apo solidariteti. Duke u fokusuar kaq shumë tek liderët ne humbasim panoramën e plotë të realitetit dhe neglizhojmë vlerat dhe idetë. Vlerat janë të përjetshme dhe asnjëherë nuk të zhgënjejnë sikurse ndodh shpesh me qeniet njerëzore që prej natyrës së tyre janë të papërsosura dhe në mënyrë të pashmangshme bëjnë edhe gabime.

Së fundmi kjo politikë e bazuar tek figurat politike e jo te çështjet është e dëmshme jo vetëm për institucionet, për debatin politik dhe për procesin e politikë-bërjes por edhe për vetë politikanët. Për sa kohë gara bëhet se kush sulmon, shpif, nxin apo njollos kundërshtarin të gjithë politikanët damkosen dhe gradualisht në sytë e qytetarit të gjithë duken të përlyer dhe shoqëria gradualisht heq besimin se politika mund të sjelli një zgjidhje për problemet e tyre. Humbja e madhe e mosbesimit në politikë të publikut që po demonstrohet nga anketat shkaktohet në një pjesë të madhe pikërisht nga kjo qasja personale negative ku duket përbaltur njëri tjetrin asnjë politikan nuk duket i pastër për qytetarët. Kjo qasje negativiste e sulmeve personale sjell apati politike, dorëzim, deri në braktisje të vendit prej dëshpërimit. Po ashtu kjo lloj loje e ndyrë e sulmeve personale poshtë brezit e jo e rrahjes së ideve e bindjeve, dekurajon e mban larg çfarëdo personaliteti publik të ndershëm që do mund të kontribuonte në vend duke u futur në politik. Të futesh në ring politik me këto përleshje pa rregulla loje e bën shumë të vështirë hyrjen dhe freskimin e elitës politike me gjak të ri të pastër të figurave të reja. /GazetaShqiptare/

Nga Kosova në Kanada në kërkim të punës

Fisnik Kumnova në fillim të vitit 2017, së bashku me gruan e tij Dafinën e braktisi qytetin e tij të lindjes, Mitrovicën, për të kërkuar një jetë më të mirë në Kanada

  • Në intervistën për Radion Evropa e Lirë të dhënë në atë kohë, Fisniku, i cili është i diplomuar në Ekonomi ndërkaq gruaja e tij për Menaxhment ndërkombëtar, pati thënë se po e lëshon Kosovën për shkak të mungesës së punës dhe gjendjes sociale dhe ekonomike.

    Përmes një programi kanadez që kërkon persona të kualifikuar, ka arritur që t’i sigurojë vetes punë para se të arrijë në Kanada, dhe e njëjta ka ndodhur edhe me gruan e tij.

    Fisniku, aktualisht, ndodhet për pushime në Kosovë. Ai thekson se që nga dita e parë që ka mbërritur në Vankuver, e ka kuptuar se çfarë do të thotë të jesh në një shoqëri të zhvilluar nga aspekti i teknologjisë, arsimit, shëndetësisë dhe të një perspektive të qartë.

    Kontakti i parë me kanadezët, mirëseardhja e tyre e parë në aeroport flet shumë për atë shoqëri të zhvilluar dhe lë një përshtypje të parë të këndshme tek ai.

    “Në Kanada nuk ka diskriminime në aspektin gjinor, racor, fetar do të thotë këto koncepte të dallimeve siç ekzistojnë në Ballkan, nuk vërehen dhe nuk janë as të tolerueshme këto diskriminime në Kanada. Në Kanada ka etnitete të ndryshme që vijnë prej Azisë, Evropës apo qoftë edhe vendas, të cilët jetojnë së bashku për të krijuar një ‘të përbashkët të mirë’ ku të gjithë do të përfitojnë nga puna e të gjithëve. Domethënë kjo është Kanadaja që unë e kam gjetur në muajt e parë”, thotë Kumnova.

    Ai thekson se shoqëria kanadeze është e tillë që të ndihmon të përparosh dhe të ofron mundësi: “E rëndësishme është atje që të jesh profesional, të jesh i drejtë, të kesh njohuri për atë që thua e di. Nuk jam fare i zhgënjyer, unë çdo ditë befasohem me të mirat dhe mundësitë që atje shfaqen”.

    Pas mbërritjes në Kanada, Fisniku menjëherë ka filluar të punojë në një kompani lokale si menaxher për zhvillimin e biznesit, dhe para ardhjes për pushime vjetore në Kosovë, është punësuar në Universitetin prestigjioz të Kanadasë, Simon Fraser.

    Në të njëjtën kohë ai po përfundon studimet master në “Royal Roads University”. Qeveria kanadeze në kuadër të pakos së ndihmës për imigrantët e rinj, i ka ofruar një grant në mënyrë që ta pajisë atë me lejen për menaxher të projektit, e cila sipas tij është mjaft e kërkuar në Kanada.

    Gruaja e tij, Dafina, punon me orar të shkurtuar dhe në të njëjtën kohe studion për kontabilitet dhe planifikon që më vonë të fitojë licencën si kontabiliste profesionale.

    Sipas Fisnik Kumnovës, vështirësitë e jetesës në Kanada janë të një natyre tjetër.

    “Natyrisht, që vështirësitë janë prej të ndryshmeve në kuptimin që personat që dëshirojnë të integrohen, duhet ta njohin gjuhën angleze shumë mirë në mënyrë që të integrohen me kulturën kanadeze sepse dallon kultura evropiane me kulturën e Amerikës Veriore. Ata e kanë një kulturë më unike të punës dhe të të bërit biznes. Duhet të përshtatemi me kriteret, vlerat dhe mënyrën se si ata komunikojnë dhe bëjnë biznes të përditshëm. Ka qenë një përvojë shumë e mirë puna e parë e imja ku i kam mësuar rregullat e lojës dhe kam përparuar në mësimet që unë i kam pasur gjatë asaj periudhe”, tregon Fisniku.

    Ai thotë se më e vështira është dëshira për familjen, e cila është konstante.Por, ajo që është lehtësuese është afërsia e njerëzve kanadezë dhe të njohurve të cilët janë gjithmonë aty kur ty të duhen. Sa i përket komunitetit shqiptar ai thotë se janë të organizuar, por jo në nivel të duhur, megjithatë ata e ndihmojnë njëri – tjetrin.

    “Ardhja jonë e shpeshtë dhe ngulmimi që fëmijët tanë nesër – pasnesër t’i sjellim në Kosovë dhe ta forcojmë lidhjen, kjo tregon shumë për nevojën që kemi për Kosovën dhe mallin për familjen”.

    Por, Fisniku thekson se kur e ka braktisur Kosovën, nuk ka qenë temë aktuale ndryshimi i kufijve, temë e cila tash e shqetëson. Ai thotë se perspektiva e të rinjve është ende e zbehtë dhe se i vjen keq për këtë.

  • Homazhe para trupave të dëshmorëve Krasniqi e Jakupi

    Në hollin e Kuvendit të Kosovës kanë nisur homazhet për rivarrimin e eshtrave të kolonel Ahmet Krasniqit dhe Qazim Jakupit. Pos familjarëve, në ceremoni po marrin pjesë edhe krerët e shtetit

    Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe disa personalitete tjera kanë bërë homazhe si dhe janë nënshkruar edhe në librin e zisë të vendosur në holl.

    Ndërkaq, pas homazheve, për Krasniqin dhe Jakupin do të mbahet një akademi përkujtimore në Teatrin Kombëtar nga ora 12:30. Kurse, ceremonia e rivarrimit do të nisë nga ora 14:00 në varrezat e dëshmorëve në kryeqytet.