Kurti në Prizren: Shaqir Totaj është i shantazhuar nga partia e tij

Në tubimin zgjedhor në Prizren, deputeti Albin Kurti ka thënë se qeverisja e Mytaher Haskukës në këtë komunë do të jetë sikurse vetë Haskuka, parimore dhe e ndershme e punëtore dhe e guximshme. AI tha se Haskuka e ka vullnetin, dijen dhe përvojën, ndaj është kandidati më i mirë për Prizrenin, për të cilin tha se është në gjendje të rëndë si pasojë e qeverisjes aktuale

“Është bërë shumë vështirë të jetosh në Prizren si njeri i ndershëm, i ditur e punëtor. Nëse je i ndershëm, të quajnë naiv. Nëse je punëtor, të quajnë të paditur. Nëse je i ditur, të quanë të pafat. Dhe është bërë e mire jetesa për të korruptuarit dhe të këqinjët, për dallaveraxhitë e matrapazët. Me ne kjo ndryshon. Të ndershmit jetojnë kollaj e mire dhe jo më, kurrë më, të korruptuarit”, ka thënë ndër të tjera Kurti.

Ai ka ironizuar me kandidatin e PDK-së Totaj, të cilit ia ka përmendur premtimin për shtrimin e një rruge, e cila tashmë është e shtruar, duke thënë se ai nuk i njeh problemet e Prizrenit. Kurti ka thënë për Totajn se ai asnjëherë nuk është distancuar nga qeverisja e Ramadan Mujes në Prizren, madje ka shtuar se ai e ka ndërmend që ta vazhdojë atë qeverisje të pafytyrë, duke ia huazuar fytyrën e tij.

“Premton Mytaheri – punë e zhvillim, përgjigjet PDK – papunësi e mjerim. Premton Mytaheri – për të gjithë ujë, përgjigjet PDK – mos fol për shujtë!. Mytaheri premton Prizren me gjelbërim, PDK përgjigjet – me ne as parking. Premton Mytaheri – Prizreni komunë e hapur, përgjigjet PDK – me ne, Prizreni komunë e kapur”, ka thënë Kurti duke krahasuar zotimet e VV-së me qeverisjen aktuale nga PDK, duke u zotuar më tej se Prizreni i kapur merr fund me qeverisjen e Mytaher Haskukës.

Kurti ka përmendur se Shaqir Totaj është i shantazhuar nga partia e tij, për çfarë ka thënë se ndjehet i frikësuar. Kurse, për marrëveshjen mes PDK-së dhe KDTP-së ka thënë që është pazar mes personash, konkretisht kretëve të dy partive, dhe e ka quajtur këtë marrëveshje vepër penale që shkel shumëfish ligjin. “Gishtin në kokë, dorën në zemër, voto këtë emër e mbiemër – Mytaher Haskuka, i pari në listë për garë, Prizrenit i duhesh kryetar”, ka thënë në fund Kurti në tubimin në Prizren.

Ymeri në Prizren: Vetëm për Mytaherin flisni deri të shtunën, votojeni numrin 10 të dielen dhe qeverisni me Mytaherin të hënën

Në tubimin zgjedhor në Prizren, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, e ka quajtur kandidatin për kryetar, Mytaher Haskukën, njeri që i jep shpresë Prizrenit dhe të gjithë qytetarëve pa dallim gjinie, përkatësie kombëtare apo fetare.

Ymeri ka thënë se Haskuka sjell zhvillim e mirëqenie për të varfërit, investime e prodhim për të papunët, drejtësi e barazi për të nëpërkëmburit, shujta falas e kontrolla mjekësore për nxenës, transparencë në punësim e rregull në arsim për mësuesit e profesorër, përmirësim të kushteve e mirëmenaxhim të shëndetësisë primare për mjekët e infermierët, rritje të investimeve e subvencione për bujqit, përkrahje për zejtarët dhe mbështetje për artistët.

“Myta është njeri që nuk len asnjë hapësirë dyshimi në të. Nëse e marrim nga ana profesionale, ai ka shkëlqyer në secilin angazhim të tijin.Myta kontribuoi si udhëheqës i ekipit për Hulumtime, Politika, Çështje Gjinore dhe Komunikim në UNDP-Kosovë. Ai punoi në shumë hulumtime zhvillimore dhe analiza të ligjeve dhe politikave. Ai është njëri ndër ekspertët më të mirë që punuan në Raportet e Zhvillimit Njerëzor të UNDP-së në Kosovë”, ka thënë më pas Ymeri duke folur për Haskukën.

“Po ta marrim nga ana akademike, edhe këtu arriti majat. Myta e fitoi gradën doktor i shkencave të psikologjisë sociale në Universitetin “Ludëig Maximilian” në Mynih të Gjermanisë, ndërsa studimet post-diplomike Master i kreu në Universitetin Bogazici në Stamboll. Ai tani është profesor asistent në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës. Duke qenë profesor, por edhe modest e me urtësi, Myta ka kontribuar shumë në ngritjen e shumë kuadrove në lëminë e Psikologjisë. Jo vetëm që shpërndanë dije, por edhe bëhet model për studentët e tij”, ka thënë tutje Ymeri, teksa ka folur për kandidatin Haskuka.

Ymeri ka folur edhe për angazhimin politik të Haskukës, duke përmendur kontributin e madh të tij në shumë çështje si deputet i Kuvendit të Kosovës. Ai theksoi kontributin e tij në problematizimin e çështjes së fryerjes së faturave dhe çështjes së të pagjeturve.

“Kur u bë deputet, Myta ishte deputet i Prizrenit. Disa herë e ngriti çështjen e ndërtimeve në Kalanë e Prizrenit. Ai tregoi se si ndërtimi i objekteve të reja në Kalanë e Prizrenit ka nxitur reagime nga banorët dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore, që perceptojnë si degradim të lokalitetit arkeologjik”, tha tutje Ymeri.

“Nuk ka shpresë pa Mytën, nuk ka Prizren pa shpresë, nuk ka qytetarë pa Prizrenin, nuk ka komunë pa qytetarët. Nuk ka zhvillim pa ndryshim, nuk ka përparim pa angazhim, nuk ka qeverisje po nuk u bë me mendje, nuk ka solidaritet po nuk u bë me zemër e nuk ka barazi po nuk u bë me përkushtim. Nuk ka politikë po nuk qe e ndershme, nuk ka luftim të korrupsionit po nuk u bë me guxim, nuk ka zhvillim po nuk u bë me program e nuk ka zgjidhje nëse zgjedhja nuk është Myta. Nuk ka numër tjetër përveç numrit 10. Nuk ka rrugë tjetër përveç fitores. Prizreni nuk ka mundësi tjetër përveç Mytaherit. Vetëm për Mytaherin flisni deri të shtunën. Vetëm numrin 10 mbajeni në mend të dielën. Bashkë me mytaherin qeverisni të hënën”, ishte porosia e Visar Ymerit për prizrenasit.

Mytaher Haskuka: Me 19 nëntor do t’i nakautojmë shantazhuesit e frikacakët

Në tubimin zgjedhor përmbyllës të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Prizren, kandidati për kryetar të kësaj komune, ka falënderuar mbështetësit e tij dhe ka thënë se Prizreni në njërën anë e ka opsionin e krimit dhe korrupsionit, kurse në anën tjetër mundësinë për jetë me dinjitet.

“Prizreni ka shumë burime të ujit. Sipas ekspertëve Prizreni ka 725 litra ujë në sekondë, kjo do të thotë që kemi ujë për gjysmë milion banorë. Por në shumë shtëpi 18 vite mbas lufte, pas tre mandate qeverisje të klanit Pronto ende ka mungesë uji. Unë iu premtoj që brenda afatit katër vjeçar të qeverisjes sonë do të ketë ujë në gjitha lagjet dhe fshatrat e Prizrenit”, ka thënë Haskuka duke shpalosur zotimet e tij.

Më tej ai ka folur për problemet me ujërat e zeza, të cilat ndotin edhe lumin “Lumbardhi”, me ç’rast ka thënë se me qeverisjen e tij nuk do të ngordhin peshqit në këtë lum nga ndotja e tij, por se do të zhduken peshqit e mëdhenj të korrupsionit.

“Në qendrën historike nga 362 monumente nën mbrojtjen e shtetit, 226 shtëpi tradicionale janëshkatërruar, 65 prej tyre janë para shkatërimit, 30% i hapësirave publike është e uzurpuar. Këtë do ta rregullojmë ato që na kanë mbetur do ti ruajmë, ato janë historia jonë, gjersa uzurpatorët do ti largojmë nga hapësirat publike dhe ato do ti kthejmë fëmijëve tanë si parqe tëgjelbëra dhe fusha futbolli e basketbolli”, ishte zotimi tjetër i Haskukës i shpalosur në këtë tubim zgjedhor.

Haskuka më tej ka shpalosur zotimin e tij për përkrahjen e bujqve dhe fermerëve, ruajtjen e artizanateve të shumta që janë karakteristikë e këtij qyteti dhe ka folur për bashkëpunim të ngushtë me mërgaten, gjeqësisht ofrimin e mundësisë për investime në Prizren.

“Këta qeverisjen e shohin si sundim, pushtet e privilegj, prandaj edhe thonë që Prizrenin e kanë Jerusalem, prandaj edhe duan ta mbajnë me zor. Por një herë në 4 vite ne e kemi shansin dhe me datën 19 nëntor kemi këtë rast, e kemi rastin që sundimin ta kthejmë në qeverisje, pushtetin në shërbim, e privilegjet në detyra. Pra me 19 nëntor ne do të ju heqim privilegjet dhe pushtetin e tyre dhe në vend të tyre ju do të keni qeverisjen e mirë me detyrat dhe shërbime ndaj qytetarëve të Komunës së Prizrenit”, tha veç tjerash, Mytaher Haskuka.

Ai ka ftuar të gjithë qytetarët, pa dallim, që të bashkohen rreth ndryshimit, duke e parë këtë si të vetmen rrugë që e sjell ndryshimin. Ai po ashtu tha se përderisa në njërën anë janë të korruptuarit, të shantazhuarit e frikacakët, në anën tjetër duhet të bëhen bashkë qytetarët pavarësisht përkatësive kombëtare e fetare apo dallimeve tjera.

“Pas shumë betejave, sot jemi para finales, e ajo është me datën 19 nëntor. Shumë pare po derdhen në Prizren, e atë ditë do të derdhen edhe më shumë, por me datën 19 nëntor vullneti do ta nokautoj paren, liria do të nokautoj shantazhin, guximi do të nokautoj frikacakët. Prizreni do të iu japë një nokaut të madh hajnave të Klanit Pronto. Me 19 nëntor hajnia dhe paraja do të humbas, me 19 nëntor do të fitojë bashkimi dhe liria. Atë ditë do të fitojë Prizreni me zemër dhe me mendje”, ishte porosia e Mytaher Haskukës nga ky tubim.

Marrëveshja ligjërisht obligative me Kosovën

Drejtori i Forumit për marrëdhëniet ndëretnike, Dushan Janjiq, vlerësoi se nënshkrimi i marrëveshjes ligjërisht e detyrueshme me Kosovën, nënkupton që, me përfundimin e dialogut mes Prishtinës e Beogradit, të parashihen edhe ndryshimet kushtetuese, të cilat bëhen në kuadër të marrëveshjeve të arrira

Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbisë nuk i mundësohet të bëhet anëtare e BE-së pa një marrëveshje ligjërisht obligative me Kosovën.

Ndërkaq për kryetarin e Forumit për marrëdhënie ndëretnike, Dushan Janjiq, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën ka qenë temë bisedimesh edhe në vitin 2014 e 2015, si pjesë e bisedimeve për kapitullin 35.

“Tani duhet definuar tema të reja edhe në kuptimin politik të caktohet se çka Serbia dëshiron të fitojë. Me sa duket, Vuçiq ka marrë vërejtje se nëse do të marrë ftesën për anëtarësim në BE, që Serbia të anëtarësohet më 2025, duhet nënshkruar marrëveshjen. Përgjegjësia mbete te Vuçiqi”, vlerësoi Janjiq.

Tutje, Janjiq thekson se “kur bëhet fjalë për përmbajtjen e tekstit të marrëveshjes, askund nuk thuhet se kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës, por vetëm normalizim të marrëdhënieve.”

“Në këtë kuptim biseda për anëtarësimin e Kosovës në OKB do të dalë në sipërfaqe, ndonëse kjo është përmendur edhe më 2012 e 2013”, theksoi Janjiq, transmeton RTK.

Lidhur me këtë temë, Janjiq përmend se lidhur me këtë çështje, nga Serbia nuk kërkohet ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, por të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në asociacionet ndërkombëtare, si psh në UNESCO, etj.

Tutje, Janjiq theksoi se deklaratat e Daçiqit e Vulinit për Kosovën dhe BE-në shqetësojnë opinionin vendor e ndërkombëtar.

Masakra komuniste e nëntorit 1944 në Tiranë u urdhërua nga një jugosllav dhe…

Masakra komuniste e nëntorit 1944 në Tiranë u urdhërua nga Enver Hoxha dhe jugosllavi Vojo Todoroviçi. Në tetor-1944 në qytetin e Tiranës komunistët shkaktuan një terror të madh në radhët e kundërshtarëve të tyre. Pikërisht në zonat e braktisura, njësitë luftarake komuniste kryen edhe masakrat mbi shtresën elitare shqiptare, kryesisht ushtarakë, profesorë, tregtarë, etj

Nga Kastriot Dervishi

Grupet e caktuara shkon në shtëpi të viktimave të ardhshme, i nxirrnin gjoja për një sqarim dhe i vrisnin pak metra larg shtëpive. Ndërsa disa të tjerë, u grumbulluan në hotel “Bristol”, ku u pushkatuan të gjithë.

Kjo ishte dhe shenja e parë e “çlirimit” dhe ngjyra më e bukur e ditës së “lirisë”. Konkretisht, me urdhër të Enver Hoxhës dhe instruksionin e majorit jugosllav Vojo Todoroviç, krimet në Tiranë i kreu një batalion disipline i kryesuar nga Kristo Themelko.

Vetë ky i fundit, në mbledhjen e plenumit të 2-të të PKSH-së në Berat, deklaronte:

“Për sa i përket terrorizmit, për veten time nga jeta e keqe që kishim kaluar gjatë dimrit, krijova bindjen se të gjithë elementët kundra nesh duheshin zhdukur që tani. Këtë bindje ma forcoi edhe një gjë që ndodhi pranë Shtabit të Përgjithshëm, kur pashë që të pushkatohej një njeri po në këtë mënyrë.

Kur unë kam biseduar me Enverin, ai më ka këshilluar se, kur të hynim nëpër qytete, do t’i spastronim elementët e rrezikshëm, prandaj kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata (e PKSH-së shënim) për këta elementë. Më vonë nuk na është sqaruar asgjë e re lidhur me këtë gjë”.

Në shtator 1944 Enver Hoxha ka qenë në marrëveshje me forcat gjermane për një dorëzim të qetë të pushtetit. Ibrahim Biçaçkiu ka pranuar të jetë kryeministër në shtator 1944 me dëshirën se do të bënte kalimin e butë të pushtetit te komunistët, natyrisht i nxitur nga kushëriri i parë Esat Dishnica, shok i ngushtë i Enver Hoxhës. Biçakçiu është bërë ndërmjetës midis gjermanëve në ikje dhe komunistëve në ardhje.

Veç Ibrahim Biçakçiu, marrëveshja u nënshkrua nga Omer Nishani, Shefqet Beja, Esat Dishnica. Marrëveshja që mban datën më 17 shtator 1944 përbëhej nga 7 pika. Në thelb, komunistët garantonin se nuk do të godisnin forcat gjermane gjatë largimit të tyre dhe Ibrahim Biçakçiu i dorëzonte pushtetin komunistëve. Gjermanët nuk do të merrnin asgjë me vete, përveç mjeteve të zakonshme e jetike. Largimi nga Tirana i gjermanëve do të bëhej më 20-21 tetor 1944.

Mirëpo kjo marrëveshje ra në duar të britanikëve e më pas të amerikanëve. Britanikët njoftuan Enver Hoxhën se qeveria e tij nuk do të njihej, nëse gjermanët nuk luftoheshin deri në fund.

Të prekur nga moszbatimi i marrëveshjes, gjermanët në Tiranë deshën të implikonin qeverinë dhe Këshillin e Naltë duke i detyruar të vinin në Gjermani. Mirëpo, këto institucione dhanë dorëheqjen më 25 tetor 1944 duke deklaruar se ishin persona privatë e nuk mund të iknin me gjermanët në Gjermani.

Hoxha nuk iu përmbajt marrëveshjes, por Hoxha “urdhëroi” më 30 tetor 1944 “çlirimin” e Tiranës pikërisht pas datës së marrëveshjes, në kohën kur gjermanët po largoheshin.
Me anën operacionale do të merrej majori jugosllav Vojo Todoroviçi. Emri i tij gjendet në telegramin e datës në fjalë, porse në botimet e vitit 1966 me dokumente të shtabit, dy rreshtat janë hequr nga origjinali.

Terrorin e urdhëroi Enver Hoxha dhe Vojo Todoroviçi

Në librin e tij “Titistët”, Enver Hoxha shkruan se ka qenë Sejfulla Malëshova që ka kundërshtuar masakrën e Tiranës. ja një pjesë e debatit të tyre:
-Po bëhet shumë terror! – më thotë gjithë zemërim.
-Terror? – pyeta i habitur. – Ku?
-Në Tiranë! – përgjigjet. – po vriten shumë oficerë të penduar.
-Në Tiranë vazhdon lufta e madhe për çlirimin e kryeqytetit, – i thashë. Luftë për jetë a vdekje. Kë quan terror ti? Dhe për cilët oficerë ankohesh? Tani lufta po mbaron i thashë. Kur u bëmë thirrje të hidheshin në male e të luftonin bashkë me ne pushtuesit, s’lëvizën nga qoshet e ngrohta. Tani janë “penduar” tepër vonë dhe me kriminelët ne i kemi larë hesapet.
-A ja ky është sektarizmi – u hodh sektarizmi. Ka humbur zemra e vërtetë e komunistit, e atij që i dhimbset jeta e tjetrit, që mendon shumë para se të vendosë që të zhduket një njeri i cili mund të ndreqet e t’i shërbejë vendit!

Mirëpo, po Enver Hoxha në mbledhjen e plenumit të Beratit në 23 nëntor 1944, fjalët e Sejfullait i ka marrë përvetësuar sepse në fjalën kryesore ka deklaruar:
“Po vriten në Tiranë me duzina njerëz e oficerë të dorës së dytë, të cilët, duke pasur besim të plotë në drejtësinë tonë e në shpalljen, dorëzohen. Një punë e tillë s’është okazoniale, por është i tëri toni që i është dhënë punës organizative të partisë, ushtrisë. Jo vetëm te ushtari i thjeshtë, por edhe te anëtari i partisë, ka humbur zemra e vërtetë e komunistit, e atij njeriu që i dhimbset jeta e tjetrit, që mendon më shumë për të zhdukur një njeri që mund të ndreqet dhe mund t’i shërbejë vendit. Jo, shokët e kanë humbur këtë gjë e në radhë të parë, udhëheqësit e përmbi ta, anëtarët e Komitetit Qendror. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit, të zhdukin anëtarët e partisë, kokat e të cilëve bien pa i peshuar mirë”.

Nëna e Arban Abrashit akuzohet se ia la fashën në bark pacientes, kurse Ministria e Abrashit ia ndali edhe pensionin invalidor (dok)

Në vitin 2011 Feradije Rexhepit i ishte harruar fasha në stomak gjatë operimit në QKUK. Që nga ajo kohë, ajo ka mbetur invalide dhe merrte pension invalidor. Në maj të këtij viti, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ia ndërprenë pensionin. Familjarët dyshojnë se pensionin ia ndërpreu Arban Abrashi gjersa ishte ministër, për shkak të dyshimeve se nëna e tij e harroi fashën në barkun e Feradijes përgjatë operimit. Prej asaj kohe familja Rexhepi është në përpjekje të vazhdueshme për të arritur shërimin dhe drejtësinë për Feradijen. Lexoni rrëfimin rrëqethës të bashkëshortit të saj, Nazmiut

Feradije Rexhepi nga Prishtina, e lindur në vitin 1968, i ishte nënshtruar operacionit pasi që ishte diagnostifikuar me kancer në mitër. Asaj mjekët e QKUK-së ia kishin harruar një fashë brenda trupit të saj, që mendohej të jetë sa madhësia e një peshqiri. Në media ishte publikuar edhe fasha që ishte hequr nga stomaku i Rexhepit, pas një ndërhyrje tjetër kirurgjike në një klinikë tjetër jashtë vendit.

Pas ankesave të familjarëve, në janar të 2012-ës, kishte ardhur reagimi i QKUK dhe i mjekes që e kishte operuar Rexhepin. Drejtori i Qendrës Klinike Universitare në atë kohë, Njazi Gashi dhe kirurgia Prevezë Abrashi, e kishin mohuar një gjë të tillë, duke thënë se mediat e kishin shpërndarë lajmin pa e verifikuar fare.

Por, edhe në rast se një gjë e tillë kishte ndodhur, ata e justifikonin kirurgen Prevezë Abrashi, duke thënë se gabime të tilla ndodhin anembanë botës. Por tashmë padia ishte ngritur nga familja Rexhepi ndaj kirurges Prevezë Abrashi, e cila është e ëma e ish-ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

Edhe pse drejtori Njazi Gashi dhe Prevezë Abrashi mohonin se Rexhepit i ishte harruar fasha në stomak, familja e viktimës e kishte verifikuar gabimin e saj (kirurges) në klinikën “Remedika” në Maqedoni.
“Në abdomen është gjetur një abces dhe një gazë (fashë) abdominale. Gaza është larguar, ndërsa abcesi është evakuuar”, thuhej në fletëlëshimin e klinikës “Remedika”.

Fasha që Feradijes i ishte hequr nga stomaku në Shkup

Bashkëshorti i Feradijes rrëfen për mundimet që vazhdojnë ende

Periskopi ka kontaktuar me bashkëshortin e Feradije Rexhepit, Nazmiun.

Ai thotë se tregimi për përjetimet e familjes së tij është ‘film’, derisa rrëfen mundimet disavjeçare për shërimin e Feradijes dhe insistimin e tij për drejtësi, për rastin e fashës, prej kur, thotë ai, se shëndeti i bashkëshortes së tij është përkeqësuar deri në shkallë invaliditeti.

Ai tha se Feradija fillimisht i ishte nënshtruar një operacioni nga mjekë gjermanë në QKUK, e më pastaj një operacioni tjetër, ku kirurge ishte Prevezë Abrashi. Tregoi se si QKUK-ja ishte munduar t’i fajësojë ekipin gjerman të mjekëve për fashën e harruar në stomakun e bashkëshortes së tij.

Sipas tij, kjo ishte e palogjikshme, sepse, edhe po të ishte e vërtetë kjo gjë, Abrashi kishte kryer operacionin e dytë të bashkëshortes së tij dhe do duhej ta vëreje fashën, nëse ajo ishte harruar në stomakun e Feradijes nga mjekët gjermanë.

“Qysh është e mundur pra që këta e kanë kry operacionin dhe nuk e kanë pa fashën, ose e kanë pa dhe e kanë lënë aty”, pyet ai.

Por kjo gjë ishte qartësuar shpejt, pasi që Feradija ishte dërguar në klinikën “Remedika” në Shkup, ku incizimi i bërë atje e kishte vërtetuar fashën në stomakun e saj, derisa operacioni për heqjen e saj ishte kryer në Qendrën Klinike Universitare të Shkupit.

Kirurgia Prevezë Abrashi

Ai tregoi edhe se si ishte mbyllur padia që ai e kishte bërë në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Dhe thotë se lënda e tij ishte mbyllur nga prokurori Hivzi Bajraktari.

“Padia që ne e patëm bë kundër Prevezë Abrashit, u mbyll nga prokurori Hivzi Bajraktari. Dhe u bë pa na informu fare. Asnjë seancë gjyqësore nuk është bë. Padia është mbyllë përderisa unë isha në Angli, ku pata shkuar që të ndihmojë në mbështetjen financiare të familjes, pas shpenzimeve të shumta në mjekimin e gruas”, tha ai.

Edhe pse Nazmiu tha se familja e tij ishte gëzuar kur e kuptoi që mundimet e bashkëshortes së tij vinin vetëm nga fasha e jo nga rikthimi i ndonjë kanceri, tha se u dëshpëruan shumë shpejt kur kuptuan se fasha që kishte qëndruar në stomakun e Ëadijes do të sillte komplikime të mëvonshme shëndetësore, duke u kombinuar edhe me pasojat tjera, siç ishte rrezatimi gjatë kohës sa ajo kishte kancerin në mitër.

Feradija merr pension invalidor, por i ndërpritet kur Arban Abrashi ishte ministër MPMS-së

Edhe pse Feradija ishte grua e shëndetshme, dhe punonte bashkë me Nazmiun në marketin që ato e kishin në pronësi, si pasojë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore ajo tashmë kishte nisur ta marrë asistencë invalidore.

Por, këtë vit, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, konkretisht Departamendi i Administratës Pensionale të Kosovës, ia ndaloi edhe pensionin invalidor Feradijes, kur ministër ende ishte Arban Abrashi, i biri i kirurges Prevezë Abrashi. Arsyetimi ishte se gjendja e Feradijes ishte përmirësuar nga hera e kaluar kur ajo i ishte nënshtruar vlerësimit të komisionit mjekësor për të vazhduar pensionin invalidor.

Vendimi i MPMS-së

“Jo se kanë qenë shumë, por ajo u gëzojke saherë që i merrte ato 75 euro. Nuk i ka më as ato. Iu ndalën, nuk e di… është e dyshimtë”, thotë ai.

Për Nazmiun kjo gjë nuk është aspak e drejtë. Ai dyshon se kjo ka mundur t’i bëhet qëllimisht nga Abrashi, për shkak të padisë që familja e tij i ka bërë Prevezë Abrashit, nënës së ish-ministrit.

“Pse nuk ia ndalën pensionin invalidor nga ministri i mëhershëm, nga pushteti i mëhershëm? Pse tash, edhe pse shëndeti i saj nuk është përmirësuar aspak?”, pyet ai.

Edhe në ankesën që e ka bërë Feradija, vendimin e MPMS-së e konsideron të njëanshëm, diskriminues, të padrejtë dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Ankesa e Feradijes drejtuar MPMS-së

Nazmiu thotë se nuk ka marrë asnjë njoftim tjetër pas ankesës së tij nga asnjë institucion.

Feradija do të dërgohet në Gjermani në kërkim të shërimit, Nazmiu do të kërkojë drejtësi

Nazmiu thotë se familja e tij është ende në kërkim të shërimit, sikurse është edhe në kërkim të drejtësisë për shkatërrimin e shëndetit të bashkëshortes së tij.

Ai thotë se është duke provuar që së shpejti ta dërgojë në Gjermani Feradijen, me shpresën që do të gjej tretman më të mirë mjekësor.

“Jam duke provuar që përmes disa mënyrave ta dërgoj në Gjermani për shërim. Nuk e di, është situatë e pashpresë por s’mund t’i ndalë tentimet”, thotë ai.

Kam kërkuar edhe drejtësi, edhe hapësirë mediale, por shumë shpesh jam refuzuar dhe nuk ka dashur askush që të merret me rastin tim, thotë Nazmiu.

“Por, unë nuk do të ndalem”, thotë ai, i lodhur nga përpjekjet disavjeçare për të gjetur shërim për bashkëshorten e tij, shëndeti i së cilës mori tatëpjetën që nga operimi në QKUK.

Megjithatë, Nazmiu thotë se ka shpresë që rasti i bashkëshortes së tij do të ndriçohet, sepse rasti është hapur sërish nga gjykata dhe – thotë se – me këtë po merren hetuesit e EULEX-it. /Periskopi/

Mediat zvicerane: Rama i marrë peng, Shqipëria e tronditur nga trafikimi i drogës

Prodhimi i kanabisit shpërtheu në Shqipëri, me pjesëmarrjen e dukshme të qeverisë socialiste të Edi Ramës. Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane fillojnë të ngrenë tonin

Kodrat që rrethojnë fshatin Lazarat në Shqipërinë jugore prej një kohë të gjatë kishin privilegjin për të ushqyer tregun rajonal të kanabisit. Ky monopol u zhduk në vitin 2014, kur policia ndërmori një sulm kundër këtij fshat të madh, një vit pasi Kryeministri Socialist Edi Rama erdhi në pushtet, i cili triumfalisht u rizgjodh qershorin e kaluar. Shkatërrimi i “kështjellës së kanabisit” që ishte në Lazarat pati pasoja të padëshiruara: prodhimi u përhap me shpejtësi në të gjithë Shqipërinë, deri në luginat thella në veri të vendit.

Sipas të dhënave nga “Guardia di Finanza”, policisë doganore italiane, e cila ka ndërmarrë misione në Shqipëri qysh nga viti 1997, 743 000 bimë u shkatërruan në vitin 2016 krahasuar me vetëm 46 000 në 2014 dhe, sipas ekspertëve, shkatërrimi prek mesatarisht vetëm 10 % të sipërfaqes së kultivuar. Në male, fshatarët braktisën tokat e tyre, duke preferuar të punonin në plantacionet, ku mund të fitonin 20 euro në ditë. Prodhimi pastaj u eksportua masivisht në Itali dhe, në një masë më të vogël, në Greqi.

Një histori e vjetër

Në Shqipëri, prodhimi i kanabisit është një histori e vjetër. Ai ka qenë gjithmonë shumë politik, pasi është zhvilluar në hijen e partive që kanë qenë në pushtet që nga rënia e regjimit komunist më 1991. “Populli i Lazaratit ka një traditë të vjetër antikomuniste dhe ata mbështesin Partinë Demokratike” pranon Lulzim Basha, kreu i këtij formacioni të djathtë, aktualisht në opozitë, i cili qe ministër i Brendshëm nga 2009 në 2011.

“Strategjia jonë konsistonte për të pakësuar në mënyrë progresive prodhimin, duke i prerë ujin, për të cilin kanabisi është shumë i pangopur dhe duke penguar që malli dilte jashtë fshatit. Kur ata erdhën në pushtet, socialistët preferuan të ndërmarrin një veprim spektakolar, duke e lënë kulturën e drogës të rritet diku tjetër, në mënyrë që të blinin besnikërinë e votuesve të rinj”, thotë ai.

Në fakt, gjatë zgjedhjeve të qershorit 2017, socialistët kanë marrë një shumicë absolute, duke bërë një përparim në komunat, siç janë ato të Lezhës, të cilat kanë një veçanti të dyfishtë duke qenë bastione tradicionale të PD-së dhe qendra të reja të rëndësishme të prodhimit të drogës. Në raportin e saj për këto zgjedhje, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) njohu shumë raste të drejtpërdrejta të blerjes së votave, por pa arritur të konkludonte se ata do të kishin ndryshuar rrënjësisht vërtetësinë e votimit.

Arrestimi në Itali

“Policia mbron trafikantët, dhe droga eksportohet jashtë vendit nga bazat ajrore dhe detare të ushtrisë,” nuk heziton të avancojë kolonelin Dritan Demiraj, i cili ishte Ministër i Brendshëm teknik i qeverisë, përgjegjës për përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare të qershorit të kaluar. I afërt me PD, ky ushtarak karriere, ish-kreu i njësive speciale të ushtrisë shqiptare në Afganistan dhe Irak, denoncon një sistem që ngjitet deri në nivelet më të larta të pushtetit.

Në fund të tetorit, kushëriri e ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. u arrestua në Katania, Siçili, me akuzën e importimit të armëve në Itali, si dhe jo më pak se 3.5 ton kanabis. Që atëherë, zyra e prokurorisë shqiptare ka kërkuar arrestimin e Saimir Tahirit, ende deputet, pasi Partia Socialiste deri tani ka refuzuar t’i heqë imunitetin i tij parlamentar.

“Një siguresë garantuese”

Konfiskimet dhe shkatërrimi i plantacioneve ranë ndjeshëm në vitin 2017 krahasuar me 2016, por kjo rënie shpjegohet kryesisht nga numri i madh i stoqeve të pashitura. “Tahiri nuk është veçse një siguresë garantuese. Nivelet më të larta të PS janë të lidhura me trafikun e drogës”, thotë gazetari investigativ Armand Shkullaku. Në fakt, vëllai i ministrit të ri të brendshëm, Fatmir Xhafaj, ai vetë është dënuar në Itali në vitin 2008 dhe, sipas gazetarit, “një njëzetëshe deputetësh socialistë” kanë pak apo shumë lidhje të drejtpërdrejtë me trafikun.

Përballë shumëzimit të çështjes, kancelaritë perëndimore, që prej një kohë të gjatë janë paragjykuar nga fjalimet pompoze pro-europiane të Edi Ramës, të cilin e shihnin si një garantues i “stabilitetit rajonal”, kanë filluar ta ngrenë tonin. Në fund të tetorit, ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Donald Lu, ishte i befasuar që nuk kishte parë gjatë vitit 2016 “asnjë dënim, asnjë arrestim dhe as hetim të peshqve të mëdhenj për organizimin, menaxhimin ose financimin e trafikut të drogës”.

Edi Rama “i marrë peng”

FBI-ja është e angazhuar të mbështesë dhe të trajnojë një forcë të re speciale të destinuar për të luftuar “krimin e organizuar”, por kjo strukturë duhet të mbështetet nga autoritetet. Më 30 tetor, kreu i shërbimit sekret shqiptar, Visho Ajazi Lika, dha dorëheqjen: sipas disave, pasi ai ishte nën presion për të hetuar trafikun, ndërsa sipas disa të tjerëve ai vetë ishte i lidhur me të.

“Edi Rama beson se qëllimi justifikon mjetet. Ai përdori rrjetet e drogës për të ardhur në pushtet dhe për të qëndruar atje, por e gjen veten të marrë peng”, thotë Armand Shkullaku. Shumë raporte tani raportojnë një rritje në trafikimin e drogave të rënda, kokainës dhe heroinës, të cilat vijnë nga Turqia nëpërmjet Maqedonisë fqinje dhe kalojnë transit nëpër Shqipëri përpara se të kthehen në të gjithë Evropën. /TPZ.al

Marrë nga gazeta zvicerane “Le Temps” (Letemps.ch)

Rusia, Turqia dhe Irani, bisedojnë për konfliktin në Siri

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të takohet javën e ardhshme në Soçi, me presidentët e Turqisë dhe Iranit, për të diskutuar për luftën disa vjeçare civile në Siri, kanë njoftuar sot përfaqësues të Kremlinit

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha reporterëve se Putini, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe presidenti i Iranit, Hassan Rohani, do të takohen në Soçi të Detit të Zi, më 24 nëntor.

Ky do të jetë takimi i parë trepalësh dhe do të fokusohet në reduktimin e dhunës në Siri dhe për çështjet e ndërlidhura me dërgimin e ndihmave humanitare në rajon, kanë thënë zyrtarët.

Moska , Ankaraja dhe Teherani, po ashtu i sponzorizojnë bisedimet e ndara në kryeqytetin Astana të Kazakistanit, ku përfshihen palë të ndryshme të luftës civile gjashtëvjeçare dhe do të fokusohen në çështjet e formimit të zonave de-eskaluese në rajonet kryesore të Sirisë.

Për Sirinë diskutohet edhe në Gjenevë, ndërsa këto bisedime sponsorizohen nga Kombet e Bashkuara dhe fokusohen në gjetjen e zgjidhjes politike në këtë vend të përfshirë nga lufta.

Rusia dhe Irani e mbështesin presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, në këtë konflikt, ndërsa Turqia dhe Shtetet e Bashkuara, i përkrahin grupet e ndryshme kryengritëse, që luftojnë kundër qeverisë së presidentit, Bashar al-Assad.

Nga lufta civile në Siri, janë vrarë më se 330 mijë njerëz, pastaj 1.6 milion vetë janë refugjatë, ndërsa afro 5 milionë njerëz janë zhvendosur brenda Sirisë.

Ushtaraku Hodges nuk beson se qendra ruso-serbe në Nish është qendër humanitare

Komandanti i Ushtrisë së SHBA-së për Evropë, gjenerali Ben Hodges ka thënë se nuk beson se qendra ruso-serbe në Nish është qendër humanitare

Ai ka thënë për Insider, se rrëfimi për qendrën humanitare është fasadë dhe nuk është ajo që paraqitet.

“Unë nuk besoj se kjo është qendër humanitare, kjo është fasadë dhe nuk është ajo për të cilën paraqitet”, ka thënë ai.

Hodges ka theksuar se kjo qendër duhet të punojë në mënyrë transparente dhe ai do të dëshironte ta vizitojë, transmetojnë mediat serbe.

Kurti: Me Bahtirin fiton Mitrovica, me Valdete Idrizin fiton SHIK-u

Në ditën e katërt të fushatës zgjedhore, Aleanca Kosova e Re ka mbajtur tubimin përmbyllës në qytetin e Mitrovicës, ku qytetarëve të kësaj komune iu premtua zhvillim ekonomik dhe mirëqenie

Për të mbështetur Bahtirin, i pranishëm në këtë tubim ishte edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili tha se Mitrovica i ka dhënë shumë Kosovës në të gjitha fushat, porse ka marrë vetëm të këqija nga qeverisjet e kaluara. Për këtë, Kurti tha se është e domosdoshme që të mos lejojnë që ata që kanë lejuar ndarjen e Mitrovicës në urë e lum, të qeverisin me të.

Votën për Agim Bahtirin, Kurti e quajti votë të dyfishtë pasi që në këtë mënyrë sipas tij, fiton Mitrovica dhe nuk fitojnë ata që humbën para katër vjetëve.

Sipas Kurtit, Bahtiri u thotë po qytetarëve, përderisa kundërkandidatja e tij Valdete Idrizi nuk mund t’i thotë jo SHIK-ut.

“Mitrovica ka nevojë për Agimin e vitit 2017, e jo për muzgun e vitit 2013-të. Të dashur pjesëmarrës, kur fiton Agimi fiton Mitrovica dhe popullsia; kur fiton Valdetja, fiton SHIK-u dhe Kadria. Vota për Agimin është votë e dyfishtë, sepse fiton Agimi dhe sepse nuk fitojnë ata që humbën para katër vjetëve. Agimi është këtu sot me juve dhe do të jetë gjithmonë pranë jush. Agimi i thotë po qytetarëve dhe Mitrovicës, kurse Valdetja nuk mund t’i thotë jo SHIK-ut dhe PDK-së. Agimi nuk frikësohet as nga strukturat paralele të Serbisë e as prej strukturave të SHIK-ut në Mitrovicë. Bahtiri nuk i lëshon pe as Rakiçit të Serbisë e as Rasimit të Kadrisë”, ka thënë Kurti, raporton kp.

Rregullimi i ujësjellësit në shkollën “Eqrem Çabej”, projekti “Mitrovica lexon”, vizitat sistematike mjekësore në shkollat fillore, sipas Kurtit, janë vetëm disa nga punët e mira që Vetëvendosje ka bërë gjatë një viti qeverisje së bashku me kryetarin e tashëm dhe kandidatin për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Ndërsa Bahtiri në fjalën e tij theksoi se gjithmonë ka marrë vendime bashkë me qytetarët, përderisa shtoi se tashmë ka kaluar koha e SHIK-ut për qytetin e Mitrovicës.

Ai tha se qyteti i Mitrovicës para vitit 2013-të ka qenë i plaçkitur dhe nuk ka qenë e lehtë t’i heqin nga pushteti ata që e shkatërruan atë, përderisa theksoi se Mitrovica u çlirua në vitin 2013.

“Mitrovica nuk merret me dhunë. Mitrovica merret vetëm me duar të pastra, me duar të lira, me qytetarin, llogari për qytetarin, punë për qytetarin. Dhe kjo është Mitrovica sot, e kënaqshme, evropiane, e cila me të vërtetë do të jetë edhe në të ardhmen e fuqishme në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Nuk do të lejojmë që të kthehen prapa kohërat e errëta të këtij vendi për arsye se populli ka përjetuar shumë rëndë. Kuptoni se Mitrovica është çliruar në 2013, jo në ’99”, tha ai.

Bahtiri tha se mitrovicasit janë ata që vendosin vet për qytetin e tyre, përderisa ftoj që të merret rruga e një referendumi gjithë popullor, që njëherë e përgjithmonë gjërat e errëta të mos kenë më vend në komunën e Mitrovicës.

Mogherini flet për marrëveshjen me të cilën Serbia obligohet t’i rregullojë raportet me Kosovën

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, në një konferencë për media, ka folur për fazën e re të dialogut Kosovë – Serbi, duke thënë se për marrëveshjen, e cila e obligon Serbinë që të normalizojë raportet me Kosovën, me çka Beogradit do t’i hapej rruga për anëtarësim në BE, ende po zhvillohen konsultime

Mogherini, e cila gjatë ditës ka mbajtur një konferencë për media bashkë me Kryeministren e Serbisë Ana Brnabic dhe Komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn, u ka bërë thirrje dy palëve që të implementojnë marrëveshjet e arritura: Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe Marrëveshjen për Energjinë.

E pyetur nëse “progresi cilësor” në raportet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nënkupton nënshkrimin e një marrëveshjeje obligative, Mogherini ka thënë se për këtë po zhvillohen konsultime.

“Normalizimi është qëllimi i dialogut edhe pse ende është herët të flitet se në çfarë afate kohore do të arrihet kjo marrëveshje”, ka thënë zyrtarja e lartë e BE-së.

Mogherini, po ashtu, ka thënë se ndryshimi i formatit, shpejtësia dhe agjenda e dialogut pritet të japë rezultate kualitative.

“Rezultatet dhe përmbajtja e fazës së re do të jenë të dukshme në momentin kur është e dobishme për dinamikën e fazës së re. Në këtë fazë për mua është e rëndësishme jo vetëm që të ndërmjetësoj por edhe ta mbroj hapësirën dhe t’ua mundësoj palëve që të punojnë në fazën e re”, ka thënë ajo.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, ka thënë se vendi i saj është i përkushtuar për dialogun me Prishtinën, ndërkohë që u ka bërë thirrje akterëve në Serbi të marrin pjesë në dialogun e brendshëm.

Brnabic ka thënë se Prishtina duhet formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe në mënyrë që dialogu të vazhdojë më pas.

Pakënaqësitë me kriteret e BE-së për Kosovën

Pakënaqësitë në rritje të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës me qasjen e Bashkimit Evropian, nuk nënkuptojnë largimin nga përcaktimi për integrimin e Kosovës në BE, thonë deputetë dhe njohës të integrimeve

Vënia e ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si kusht të pazëvendësueshëm për heqjen e vizave, në Prishtinë vazhdon të shihet si një padrejtësi që i është bërë Prishtinës nga ana e Brukselit.

Të premten, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pritet që të diskutojë me zyrtarët e lartë të BE-së, në Bruksel perspektiven evropiane të Kosovës, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe çështjen e kushtëzimit të Demarkacionit dhe liberalizimit të vizave.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, tha se Kosova ka perspektivë evropiane dhe se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, është një prej synimeve të institucioneve të vendit.

“Mendoj që Kosova po kalon nëpër një proces dhe po ecë nëpër rrugë në të cilat shumë shtete kanë kaluar”, tha Deliu-Kodra.

Sipas saj, Bashkimi Evropian nuk do të lejojë që të ketë përsëritje të gabimeve që kanë ndodhur me shtetet e tjera.

“Prandaj nuk e them që janë raporte të këqija me BE-në. Ne kemi takime të vazhdueshme, kemi konsultime të vazhdueshme nga të gjithë akterët politikë, por që fokusi duhet të jetë tek kryerja e obligimeve “, tha Deliu-Kodra.

Ajo tha po ashtu se Kosova e ka një agjendë të përcaktuar nga BE-ja dhe obligime duhet të përmbushen.

Ndërkaq, Fatmire Kollçaku, anëtare e Komisionit parlamentar për Integrime, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë së mosluftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë bërë që Bashkimi Evropian të ketë kritika për Kosovës dhe institucionet e saj.

“Bashkimi Evropian duhet që t’i qaset më me seriozitet Kosovës, edhe në kuptimin e asaj që mos të e lë anash proceseve sepse kjo mandej me të vërtetë në një periudhë afatgjate mund të na sjell dëme”, tha Kollçaku.

“Pala kosovare, lëshimet e pushtetarëve, joserioziteti nuk kanë dhënë prova të bindshme që po e luftojnë krimin dhe korrupsionin, krimin e organizuar, edhe normal që pastaj në raportet me BE-në, kjo na ka dëmtuar dhe nuk është vetëm procesi i Demarkacionit”, tha Kollçaku.

Kollçaku thotë se pavarësisht mospërmbushjes se disa kushteve nga ana e Kosovës, nuk ka lëkundje të raporteve ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

“Raporte me BE-në nuk do të kisha thënë se janë të acaruara. Unë mundem të them që vullneti duhet të ekzistojë te dy palët, edhe nga pala kosovare edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që janë te ne, sidomos të BE-së, ngase synimi ynë është që të jemi pjesë e BE-së”, tha Kollçaku.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdon të mbajë një kurs mjaft të ashpër të retorikës politike karshi qasjes së Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, në veçanti ndaj kushtëzimit të liberalizimit të vizave dhe proceseve integruese.

Presidenti Thaçi ka kritikuar Komisionin Evropian, duke e cilësuar si të padrejtë vendosjen e kushtit të ratifikimit të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Sipas tij, një qasje e tillë e Brukselit, ndikon në luhatjen e besimit që qytetarët e Kosovës e kanë në Komisionin Evropian.

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane në Universitetin e Prishtinës, tha se në rrafshin e përgjithshëm, pavarësisht kritikave të Kosovës drejt BE-së, nuk mund të ketë luhatje të marrëdhënieve.

“Dua të besoj se në aspektin e përgjithshëm këto nuk arrijnë ta cenojnë, do të thotë atë që është synim i Kosovës, dhe në të njëjtën kohë nuk e besoj që kanë arritur t’i zbehin raportet midis Kosovës dhe BE-së”.

“Kjo për faktin se vetë BE-ja është e vetëdijshme se kosovarët në njëfarë forme janë peng – nëse po flasim për çështjen e liberalizimit të vizave”, u shpreh Ujkani.

Për më tepër, profesori Ujkani thotë se Kosova është faktor i rëndësishme në Ballkan, por duke u nisur nga kërkesat për heqjen e kushtit të Demarkacionit për liberalizimin e vizave, ai thotë se Prishtina megjithatë nuk mund të ketë ndikim në kriteret e vëna tashmë nga ana e BE-së.

Sidoqoftë, mbetet që të priten rezultatet e takimeve që kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj mund t’i ketë në takimet e radhës në Bruksel (të premten) me Komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini. /REL