Pavarësia dhe kasha(g)ia

Në vitin 2011, 2012 krejt debatet ndërkombëtare zhvilloheshin drejt rritjes së presionit kundër Serbisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Çfarë bën bashibozukët e Kosovës: pezulluan rezolutën e Kuvendit për reciprocitet ndaj Serbisë (dmth. vendosën që Serbia të mbulojë Kosovën me prodhimet e veta dhe t’i arkëtojë deri në gjysmë miliardë euro në vit), po ashtu pa asnjë kusht u pranua hyrja në bisedime me Serbinë (pa këmbëngulur në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi legalitetin dhe legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë), kthimi i kopjeve të certifikatave të lindjes etj. u quajt marrëveshje historike, ngjitja e disa letrave dhe heqja e targave të Republikës së Kosovës nga vetura u quajt e arritur e madhe.

Ku na solli kjo politikë? Na solli deri aty ku Aleksandar Vuçiqi po thotë: jam për dialog, vetëm të mos flitet për njohjen e pavarësisë. Vuçiqi nuk duhet të bëhet merak fare, sepse këtë barrë atij ia kanë hequr sundimtarët e Kosovës. Edhe vetë ata po thonë: Serbia nuk e pranon Kosovën!

Kush e mbron sot me shkarravina këtë politikë? Ata që marrin rroga nga regjimi. Shkrimet që shkruhen për të kashaisur shefin, flasin vetëm për servilizmin e autorëve, pra «konsulentëve» me kashai (kashagi, në dialektin kosovar).
E.R.

Momenti i arrestimit për ryshfet të zyrtarit komunal të Gjilanit (video)

Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’ sonte shfaqi pamje nga prangosja e një zyrtari të Komunës së Gjilanit, i cili po kërkonte dy mijë euro mito

Emisioni ka siguruar filmime ekskluzive nga momentet kur zyrtari komunal i kishte kërkuar një biznesmeni dy mijë euro për t’i përshpejtuar procedurën e pagesës për një kompensim të një shpronësimi.

Negociatat dhe momentet e transaksioneve të parave janë filmuar nga kamerat e autorizuara nga Prokuroria e Gjilanit. Në filmimet që shfaqen për herë të parë zyrtari komunal shihet duke marrë 2 mijë euro e po ashtu momenti kur Policia ndërhyn dhe arreston të dyshuarin:

Zyrtari komunal: U takova me nifar…
Zyrtari Policor: Për çka?
Zyrtari Komunal: Për me mi dhanë do pare.
Zyrtari Policor: Sa pare ka pas me t’i dhanë?
Zyrtari Komunal: 2,000 euro.
Zyrtari Policor: Ku i ki paret?

Thaçi: UÇK-ja ka pasur nga 13 deri 15 mijë luftëtarë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk ka pasur më shumë se 13-mijë deri në 15-mijë luftëtarë

Në një intervistë për Televizionin Publik, ai ka thënë se i jep mbështetje të plotë sistemit të drejtësisë dhe pohoi se drejtësia duhet të shkojë deri në fund në identifikimin e çdo rasti të listës së veteranëve.

“Për mua është shqetësuese kur shoh në listën e veteranëve ‘mashtrues’, njerëz që kanë qenë aksionar të vërtetët të UÇK-së”, tha Thaçi.

Presidenti sqaroi se Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk ka pasur më shumë se 13-mijë, apo maksimalisht 15-mijë luftëtarë.

Ai pohoi se është cenuar vlera e vërtet e luftëtarëve të lirisë dhe është ndjerë keq kur ka parë luftëtarët e vërtetë në listat e veteranëve “mashtrues”, ndërsa pohoi se është shumë lehtë të vërtetohet lista e vërtetë e veteranëve.

“Vetëm le t’i shikojnë listat e pas luftës së UÇK-së dhe le t’i shikojnë listat e IOM-it”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kurti “sulmon” sërish Thaçin: Pazaret tua me Vuçiqin nuk do t’i paguajmë ne!

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka shpërndarë në llogarinë e tij në Facebook, slloganin e protestës, e cila do të mbahet më 29 shtator, në orën 14:00

Ai ka thënë se presidenti I Kosovës Hashim Thaçi me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq, po duan të copëtojnë Kosovën, mirëpo populli nuk do t’i nënshtrohet një njeriu. Kurti ka theksuar se pazaret e Thaçit me Vuçiqin nuk do t’i paguajë populli.

Postimi i plotë i Kurtit:

Pasi që na e rrudhën lirinë dhe demokracinë, institucionet dhe mirëqenien, duan të na e rrudhin edhe territorin dhe pavarësinë. Duan ta ndajnë Kosovën e ta copëtojnë edhe Kosovën Lindore. Pazaret e Thaçit me Vuçiqin nuk do t’i paguajmë ne. Sepse, një popull s’i nënshtrohet një njeriu.

Jo vetëm Gani Geci, edhe këta dy ish-pjesëtar të SHIK-ut e akuzuan Thaçin për vrasje

Ishte Gani Geci, i cili gjatë ditës së sotme ka akuzuar direkt presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin për urdhërdhënie të shumë vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë, por edhe jasht saj. Geci tha se, me urdhër të Thaçit është vrarë koloneli Ahmet Krasniqi, Haki Imer, Smajl Hajdari e disa të tjerë

Por nuk është i pari Geci që akuzon presidentin për vrasje. Më herët e kanë akuzuar ehe ish anëtarët e SHIK-ut, Naim Miftari dhe Nazim Bllaca.

Këtë e thotë edhe analisti politik Haki Abazi, i cili shton se, Thaçi do të duhej të paraqitej para drejtësë pas të gjitha këtyre apostofimeve, andaj Prokuroria do të duhej të hetonte Thaçin për të gjitha ndodhitë ku është i dyshuar.

“Nga të gjitha apostrofimet dhe dëshmitarët Thaçi do të duhej të paraqitej para drejtesisë së Kosovës. Prokuroria do të duhej të hetonte rolin e Thaçit në të gjitha ngjarjet dhe ndodhitë ku është i dyshuar. Gani Geci nuk është njeriu i vetëm, Nazim Bllaca, Naim Miftari, por edhe shumë të tjerë kanë dekalaruar për përfshirjen e Thaçit në eliminimin fizik të njerëzve më poste dhe pozicione politike e ushtarake”, thotë Abazi për gazetën “Bota sot”.

Lidhur me këto akuza gazeta “Bota sot”, i ka shkruar Presidencës së Kosovës, por zyrtarët e këtij institucioni, sikurse edhe herëve tjera duket se nuk e kanë parë të arsyeshme të përgjigjen.

Thaçi flet në RTK me gjuhën e Serbisë: Kosova po shënon regres

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi thotë se Kosova aktualisht gjendet në një proces stagnues dhe se shansi i tashëm për të ecur përpara duhet shfrytëzuar

“Tanimë mundësia për sjelljen e njohjeve të reja mund të them lirisht është zvogëluar pavarësisht kilometrazhës që mund t’i bëjnë të gjithë bartësit e institucioneve por mundësitë janë të vogla;’, tha Thaçi në një intervistë për emisionin ‘Debat’ në RTK’.

“Tash jemi në një situatë të vazhdimit të një gjendje të status-quos që për mua nënkupton regres apo të vazhdimit të një konflikti të ngrirë me Serbinë që gjithashtu për mua shënon regres por edhe stagnim për konsolidimin e shtetit të Kosovës në rrafshin e brendshëm dhe atë të jashtëm”, theksoi ai.

“Diksuh mund të thotë: ‘Po mirë jemi’. Ndoshta disa individë janë mirë por realisht e ardhmja e qytetarëve është e cënuar. Nuk është mirë për gjeneratën e re që të vonohemi në perspektivën europiane’, tha presidenti.

Skënder Zogaj: Fatos Klosi di gjithçka për vrasjen e Ahmet Krasniqit

Ish-bashkëpunëtori i afërt i Ahmet Krasniqit, Skënder Zogaj ka thënë se Fatos Kosi e di kush e vrau kolonelin Ahmet Krasniqi. Ai në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se Fatos Klosi dinë gjithçka për këtë vrasje, pasi paraqitjet e tija të mëvonshme e tregojnë më së miri këtë

“Fatos Klosi di gjithçka për këtë vrasje. Paraqitjet e tij të mëvonshme tregojnë që ai din gjithçka. S’ka mundësi të mos e dijë sepse të gjitha ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur në të gjitha shërbimet e Shqipërisë ai i ka ditur”, tha Zogaj, përcjell Telegrafi.

“Jam i bindur se mos zbardhja e vrasjes së tij ka të bëjë me shuma të mëdha parash. Nuk është i rëndësishëm vrasësi që e ka gjuajt plumbin por kush i ka dhënë urdhrat”.

Zogaj ka thënë se Ahmet Krasniqi luftoi për unifikim të grupeve ushtarake që vepronin në Shqipëri, sepse kishte frike se pa unifikim do të dëmtohej lufta çlirimtare.

Skënder Zogaj ka thënë se Ahmet Krasniqi dhe Azem Syla u takuan në banesën e tij në Tiranë, të dy në cilësinë e ministrave të luftës, pasi ky i fundit kishte ndërmjetësuar

“Kanë qenë ata dy në një takim. Të dytë ishin në cilësinë e ministrave të luftës. Mua më lutën të qëndroja në takim, por unë refuzova. Pas takimit të dy më falënderuan. Ato ishin përpjekjet e para dhe të fundit për unifikimin e grupeve ushtarake”, deklaroi ai.

NATO mbështetje Gjeorgjisë, i bën thirrje Rusisë për tërheqjen e ushtarëve

“NATO mbështet plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të tërheqë trupat nga vendi juaj”, tha Gottemoeller

Zv/sekretarja e përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller, e cila ndodhet për takime zyrtare në Gjerogji, ka theksuar se japin mbështetje konkrete për integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë, ndërsa Rusisë i bëri thirrje që të “tërheqë ushtarët e saj” nga ky rajon.

Gottemoeller, në kuadër të takimeve në kryeqytetin Tbilis të Gjeorgjisë është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme, Davit Dondua. Në një konferencë të përbashkët për media pas takimit, Gottemoeller ka theksuar se NATO jep mbështetje për integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë, duke përfshirë edhe rajonet Abkhazia dhe Osetia Jugore.

“NATO mbështet plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë së njohur brenda kufijve ndërkombëtarë”, tha Gottemoeller. Pasi ka tërhequr vëmendjen se Rusia vazhdon të forcojë aktivitetet ushtarake në rajonin e Detit të Zi, Gottemoeller ka shprehur shqetësim nga kjo dhe se siguria e Detit të Zi për NATO-n është parësore.

“NATO mbështet plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të tërheqë trupat nga vendi juaj”, tha ndër të tjera Gottemoeller. Gottemoeller po ashtu ka shtuar se e ftojnë Gjeorgjinë që të vazhdojë e ecë në drejtimin që ka zgjedhur, sepse “ajo patjetër do të anëtarësohet në NATO”.

Edhe ministri Dondua ka bërë të ditur se me Gottemoeller kanë vlerësuar procesin e integrimit të Gjeorgjisë në NATO, zhvillimet në Abkhazia dhe Osetinë Jugore të cilat kanë shpallur pavarësinë e njëanshme nga Gjeorgjia, si dhe çështjen për sigurinë e Detit të Zi.

Ai gjithashtu tha se Gjeorgjia ka ndërmarrë hapa efektive në integrimin e saj në NATO dhe se vendi i ka të gjitha mekanizmat e nevojshme për tu anëtarësuar në këtë aleancë. Në kuadër të vizitës së saj në Tbilisi, Gottemoeller do të takohet edhe me presidentin gjeorgjian, Giorgi Margvelashvili.

Mesazhi i Delawies: Nuk keni kë ta fajësoni për dështimet tuaja

Ambasadori në largim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, sot në njërin ndër fjalimet e fundit në këtë pozitë, porositi liderët dhe qytetarët e Kosovës që të angazhohen në arritjen e synimeve të vendit

Delawie, në një ceremoni lamtumirëse të organizuar nga Presidenti Hashim Thaçi, tha se nëse 10 vitet e para ishin për krijimin e institucioneve, dekada e ardhshme duhet të jetë për fuqizimin e institucioneve.

“Kemi punuar në mënyrë produktive së bashku gjatë tri viteve të fundit në të mirë e në të keq, por po largohem me shpresë sepse e di që qytetarët e këtij vendi kanë potencial për të siguruar progresin e Kosovës drejt kapitullit të ardhshëm. Por ky progres varet nga ta”, tha ambasadori Delawie, përcjell kallxo.com.

“Institucionet e drejtësisë ngadalë po e ndërtojnë besimin te qytetarët dhe njerëzit duan të shohin që politika nuk ndërhyn në drejtësi”, shtoi ai.

Sipas tij, tashmë kur kosovarët kanë marrë përgjegjësitë e plota nga EULEX në çështje të sundimit të ligjit, duhet të punojnë për të treguar rezultate.

“Pas ndryshimit të mandatit të EULEX-it, kosovarët tani janë tërësisht përgjegjës për sundimin e ligjit. Sukseset dhe dështimet do të jenë të juajat. Nuk do të keni kë ta uroni apo kë ta fajësoni”, tha ai.

Delawie foli edhe për dialogun me Serbinë.

“Liderët politikë, pa marrë parasysh cilës parti i përkasin, duhet ta gjejnë gjuhën e përbashkët në synimet e përbashkëta për Kosovën. Kosovës i duhet fryma e bashkëpunimit mes liderëve për të arritur progres”, tha ai.

Ndërsa Presidenti Thaçi tha se “Kosova është me fat” që ka miq dhe përkrahës si ambasadori Delawie.

“Me punën dhe përkushtimin tuaj jeni angazhuar çdo ditë për një Kosovë çfarë e dëshirojnë qytetarët e Kosovës, jeni angazhuar për një Kosovë më të konsoliduar ndërkombëtarisht, për një Kosovë më të bukur e më të pastër”, tha Thaçi.

“Do të vazhdojmë punët që kemi nisur dhe që kërkojnë angazhim të madh”, shtoi ai.

“Për të hyrë në BE, NATO e institucionet ndërkombëtare duhet të arrijmë marrëveshje paqësore edhe me Serbinë prandaj mbesim të përkushtuar për të gjetur një marrëveshje paqësore jo vetëm për të siguruar njohje nga Serbia por edhe ulëse në OKB. E di që do të jetë e vështirë, por kjo është rruga e vetme përpara”, tha Presidenti i Kosovës.

Delawie jep porosinë e fundit për dialogun Kosovë- Serbi

Ambasadori amerikan Greg Delawie tha se nuk pajtohet se dialogu është zhdukur nga fokusi i publikut dhe se ka shumë diskutime rreth dialogut

“Nuk është diskutim krejtësisht i frytshëm, por sigurisht që ka shumë dyshime në publik për këtë. Unë ende mendoj se është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë të gjejnë një lloj marrëveshje të paqes, për të arritur normalizimin për të cilin ne të gjithë kemi folur. Mendoj se bisedat që kanë ndodhur midis presidentit Thaçi dhe presidentit Vuçiç janë shumë të rëndësishme”, tha Delawie në intervistën për KosSev.

Sipas tij në anën e Kosovës duhet të ketë legjitimitet shtesë demokratik për këto negociata. “Do të doja të shihja Kuvendin e Kosovës duke votuar për ndonjë lloj strategjie apo qëllimesh, apo diçka të tillë, për të përcaktuar se cilat janë qëllimet e Kosovës në këtë diskutim. Kështu që unë mendoj se kjo është gjëja e madhe që mungon tani. Nëse ka ndonjë lloj marrëveshjeje midis presidentit Vuçiq dhe presidentit Thaçi dhe ajo kthehet në Kuvendin e Kosovës dhe është krejtësisht lajm i ri për ta, kjo nuk do të jetë e mirë, sepse një marrëveshje ndërkombëtare si kjo do të kërkojë tetëdhjetë vota. Siç e di nga përvoja ime me Marrëveshjen e Demarkacionit Kufitar me Malin e Zi, marrja e tetëdhjetë votave për çfarëdo këtu, nuk është diçka e parëndësishme. Kështu që mendoj se duhet të përfshihet më shumë procesi politik në këtë diskutim”, tha ai, transmeton RTKlive.

Intervista e plotë e ambasadorit Delawie

TL: Z. Ambasador, faleminderit që po flisni për keni ardhur në KosSev.

AMB: Kam kënaqësinë që jam këtu, Tatjana. Ju falemiderit.

TL: Një muaj pas ardhjes në Kosovë para disa viteve, patët folur pikërisht për KosSev-in dhe e patët lavdëruar qeverinë e Kosovës dhe Kuvendin për marrjen e vendimit të atëhershëm për themelimin e Gjykatës Speciale. Gjithashtu, e patët nënvizuar rëndësinë e marrëveshjes së nënshkruar të Brukselit. Ju do të largoheni nga Kosova në fund të shtatorit. Nga kjo distancë kohore, si do të komentonit për këto çështje, veçanërisht duke pasur parasysh se këto dy çështje, marrëveshja e Brukselit – dialogu dhe Gjykata Speciale de facto – janë zhdukur nga vëmendja e publikut.

AMB: Nuk do të pajtohesha që dialogu është zhdukur nga vëmendja e publikut. Ka shumë diskutime për dialogun. Nuk është diskutim edhe shumë i frutshëm, por ka shumë ngacmim të vëmendjes së publikut për këtë. Ende mendoj që është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë që të gjejnë një modus vivendi për të ardhur te ky normalizimi për të cilin kemi folur. Mendoj se bisedat ndërmjet presidentit Thaçi dhe presidentit Vuçiq janë shumë të rëndësishme.

Sa i përket palës kosovare, mendoj se duhet të ketë legjitimitet shtesë demokratik për këto negociata. Do të dëshiroja të shihja Kuvendin e Kosovës duke votuar për ndonjë lloj strategjie apo qëllime apo të ngjashme për të përkufizuar cilat janë qëllimet e Kosovës në këtë diskutim. Mendoj se kjo mungon tash për tash. Nëse ka ndonjë lloj ujdie ndërmjet presidentit Thaçi dhe presidentit Vuçiq, e pastaj të vijë në Kuvendin e Kosovës dhe që të jetë tamam lajm i ri për ta, atëherë kjo nuk do të jetë diçka e mirë sepse marrëveshjet ndërkombëtare si ajo kërkojnë 80 vota. E sa e di nga përvoja ime nga marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi, sigurimi i 80 votave për çkado këtu nuk është e lehtë. Prandaj, mendoj se do të duhej të ketë më shumë përfshirje për procesin politik në këtë diskutim.

Sa i përket Gjykatës Speciale, në dhjetorin dhe janarin e shkuar pati një varg aktivitetesh për të. Në janar i kam thënë disa fjalë të fuqishme për këtë. Na erdhi mirë që përpjekjet për shkatërrimin e Gjykatës Speciale ranë përdhe. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta mbështesin Gjykatën Speciale sepse është shumë e rëndësishme për të sjellë drejtësi për viktimat e luftës këtu. Mendoj se shfaqja më e dukshme e vazhdimit të mbështetjes së qeverisë amerikane për Gjykatën është kryeprokurori i ri special, që quhet Jack Smith, i cili është amerikan dhe mundësohet nga qeveria e SHBA-së. Ai është prokuror me shumë përvojë, si në sistemin amerikan po ashtu në tribunalet ndërkombëtare dhe siç duket, është person shumë i fortë. Mendoj se fakti që qeveria e SHBA-së po e siguron kryeprokurorin është tregues shumë i fuqishëm i mbështetjes sonë të vazhdueshme për Gjykatën.

TL: A mund t’ju pyes kur parashihni që çështja e Gjykatës Speciale të rikthehet edhe në publik edhe në këtë arenën politike?

AMB: Gjykata nuk është organ politik, është organ i drejtësisë dhe ata nuk punojnë për mua. Edhe pse prokurori është amerikan, ai nuk punon për qeverinë amerikane. Ai është i pavarur në rolin e tij, njëjtë si gjyqtarët që janë të pavarur, por sigurohen nga Bashkimi Evropian. Nuk kam ide se kur do të fillojnë të marrin vendime. Kjo varet nga ta. Ne do të mbështesim çfarëdo që të bëjnë.

TL: Në të njëjtën intervistë që iu referova në fillim, ju patëm pyetur: Çfarë porosie keni për serbët dhe shqiptarët? Patët thënë: “Shumëllojshmëria dhe respekti për të tjerët në thelb paraqesin themelin e demokracisë shumetnike. Politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është që të nxisë vazhdimin e zhvillimit të një demokracie shumetnike në Kosovë. Marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës janë çelësi i paqes së qëndrueshme dhe i zhvillimit në rajon, si dhe janë thelbësore për të ardhmen e vendit.” Tash kur jemi në një lloj pragu të një shkëmbimi të mundshëm të territoreve, të cilin disa e quajnë shënim të kufirit e disa ndarje etnike, shumë njerëz frikohen se ky lloj skenari mund ta shtyjë rajonin sërish në luftë. Në të vërtetë, shumë njerëz i frikohen një konflikti të ri. Si ju tingëllojnë këto porosi që i keni përmendur në fillim të mandatit parë nga kjo distancë kohore dhe me këtë retorikë të re politike? Si ju tingëllojnë këto porosi tuajat tani?

AMB: Ende jam mjaft i kënaqur me atë që e kam thënë. Vazhdoj të besoj se Kosova duhet të jetë shtëpia e të gjithëve që duan të jetojnë këtu, të çfarëdo komuniteti etnik qofshin. SHBA-ja sigurisht që e ka mbështetur shumetninë në Kosovë prej fillimit. Shoh përparim të vazhdueshëm në këtë fushë, sigurisht edhe në veri, ku e kemi integruar sistemin e gjyqësorit, që tash është pjesë e sistemit të Kosovës. Kjo është pozitive. Duke ecur në qendër të Prishtinës në bulevardin “Nëna Terezë” dëgjoj shumë veta duke folur në gjuhën serbe. Shumë njerëz më kanë thënë se para dhjetë viteve kjo nuk do të kishte ndodhur; njerëzit do të ishin frikësuar për ta folur gjuhën serbe në qytet. Tash është e zakonshme.

Unë besoj se si në SHBA, shumëllojshmëria dhe shumetnia mund të jenë burim i forcës për Kosovën; për njerëzit që jetojnë këtu. Mendoj se nëse i shikoni vendet e botës që njëmend admirohen nga të tjerët, ato nuk admirohen për shkak se janë njëkombëshe, por sepse mund të marrin më të mirën nga të gjitha etnitë e ndryshme dhe të nxjerrin diçka që është më e mirë se gjithçka tjetër që do të mund ta nxjerrte vetëm një etni. Pra, ende jam i përkushtuar ndaj suksesit shumetnik të Kosovës. Jam optimist dhe mendoj se pas dhjetë viteve, kur të kthehem në Prishtinë, pres të shoh një qytet shumë të gjallë e plot jetë ku njerëzit nga i tërë Ballkani janë shumë të lumtur për të qenë këtu.

TL: Me komunitet monoetnik, pas dhjetë viteve? Si e parashihni kufirin? A parashihni ndryshim të kufirit pas dhjetë viteve siç është sugjeruar nga të dy udhëheqësit? Të paktën ata flasin për… njëri udhëheqës flet për vijëzimin e kufirit, tjetri për korrigjimin e kufirit dhe për ndarjen e tri komunave nga jugu i një shteti sovran [dhe bashkimin] me Kosovën?

AMB: Qëndrimi ynë është që të mos hyjmë në hollësitë e marrëveshjes tash për tash. Qëndrimi ynë si SHBA është që Kosovës dhe Serbisë t’iu mundësojmë hapësirë për të arritur ndonjë lloj marrëveshjeje, e cila do të ishte e qëndrueshme, që do të mund të pranohej nga njerëzit e të dy vendeve, që do ti kontribuonte stabilitetit në Ballkan e jo të kundërtës, që do të ishte e drejtë dhe të cilën prijësit do të mund t’ia shpjegonin opinionit të tyre publik. Sa i përket përmbajtjes së asaj marrëveshjeje, nuk jam i gatshëm që të komentoj tash për tash. Natyrisht që ka kufizime se çka jemi të gatshëm të pranojmë dhe nëse ka ndonjë skicë të marrëveshjes, me të cilën nuk jemi të kënaqur, sigurisht që do t’ua bëjmë të ditur mendimin tonë.

TL: Kufizime për skicën e marrëveshjes?

AMB: Po.

TL: Vijëzim i kufirit, shkëmbim i tokës, korigjim i kufirit, ndarje – nëse këto do të ishin themelet e skicës së marrëveshjes me ndarje të qartë në vija etnike, a parashihni ndonjë kufizim pikërisht për një marrëveshje të tillë? Apo më lejoni ta parashtroj pyetjen ndryshe: a e përjashtoni plotësisht dhunën nëse realizohet ndonjëri nga këta skenarë? Nuk ka rëndësi si quhet: ndarje etnike, shkëmbim i tokës, vijëzim apo korigjim i kufirit. Sa e pranueshme do të ishte një zgjidhje e tillë për SHBA-në nëse ka dhunë krah për krah me zbatimin e një skenari të tillë: vijëzim të kufirit apo diçka të ngjashëm?

AMB: Më duhet ta ndaj këtë pyetje në dy pjesë sepse siç thashë, në këtë çast nuk do të flas për zgjidhjet e mundshme. Sa i përket dhunës, mendoj se mund të jem mjaft i qartë për këtë. Ne jemi kundër dhunës. Ballkani ka parë mjaft dhunë dhe mendoj se njerëzit e rajonit kanë parë mjaft dhunë dhe nuk duan të shohin më shumë. Ne japim resurse të mëdha në trupat e NATO-s këtu, në Forcën e Kosovës, qindra e qindra ushtarë amerikanë dhe ata janë këtu për t’i mbrojtur njerëzit. Ata janë këtu për ta parandaluar dhunën; për të mundësuar liri të lëvizjes, mjedis të sigurtë e paqësor dhe ky është një përkushtim gjigant për ne dhe këta ushtarë – që momentalisht janë nga Kalifornia, prej nga jam edhe unë, por së shpejti do ta kemi grupin e ri sepse ndërrohen çdo 9-10 muaj – janë këtu për të siguruar se nuk ka dhunë dhe për të penguar dhunën. Deri tash, mendoj se kanë qenë shumë të suksesshëm. Mendoj, në fakt e di, që KFOR-i respektohet shumë nga të gjithë njerëzit që jetojnë këtu dhe që të gjithë janë shumë të lumtur kur i shohin ushtarët e ndryshëm të KFOR-it duke iu kaluar pranë në uniformat e tyre të ndryshme të NATO-s.

TL: Thatë që kur të ktheheni në rajon pas dhjetë viteve… A parashihni që të mos ketë konflikt apo dhunë? A mund t’ua premtoni këtë njerëzve?

AMB: Do të ishte qesharake të premtoja. Më vjen keq. Nuk dua dhunë: Unë jam diplomat. Tërë karrierën time ia kam përkushtuar zgjidhjes paqësore të problemeve. Siç e thashë, SHBA-ja ka zotuar shumë resurse, shumë njerëz të mirë për ta bërë dhunën sa më pak të mundshme. A mund ta premtoj atë? Natyrisht që jo, por do të bëjmë më të mirën tonë të mundshme për të siguruar që nuk ka dhunë.

TL: T’i kthehemi karrierës suaj personale. Cili ishte suksesi juaj më i madh këtu në Kosovë dhe çka mendoni se do të mund të ishte bërë më mirë? Jo domosdoshmërisht nga ju, por gjërat që do të dëshironit t’i shihni dhe që do të mund të ishin më mirë.

AMB: Mendoj se kemi pasur mjaft përparim në sundimin e ligjit, për çka jam mjaft krenar. P.sh. miratimi i udhëzuesit për politikën ndëshkimore, integrimi i gjyqësorit në veri, dokumentet e regjistrit civil për pakicat – s’është përfunduar ende, por ka përparim – Gjykata Speciale, për të cilën tashmë folëm. Ka shumë më shumë transparencë në qeveri se që ka pasur më parë. Më shumë vendime gjyqësore po bëhen publike, tash është edhe prokurimi elektronik që nënkupton se nëse qeveria dëshiron të blejë diçka, duhet ta bëjë publike. Pra, këto janë shumë pozitive. Gjatë viteve të fundit, kemi pasur disa lajme të mira ekonomike në të cilat kemi kontribuar edhe ne, si p.sh. mjedrat. Kur kam ardhur këtu, pothuajse fare nuk ka pasur eksport të mjedrave; tani eksporti i tyre në Evropën Perëndimore arrin në dhjetë milionë euro në vit. Kjo do të thotë shumë vende pune, sidomos në zonat rurale. Bimët mjekësore – është një kooperativë e madhe e pothuajse vetëm grave që mbledhin dhe procesojnë bimët mjekësore për eksport, shumicën në Zvicër. E këtë e bëjnë një grup shumetnik i grave. Ne kemi kontribuar për këtë dhe jam shumë krenar. Pastaj, është shoqëria civile në lulëzim – ju jeni pjesë e saj dhe na vjen shumë mirë që shohim gazetari hulumtuese që po i ndryshon gjërat dhe që po i vë në pah çështjet e vështira.

Përkitazi me gjërat që do të dëshiroja t’i kemi bërë. Do të dëshiroja ta kem një shkop magjik për ta çrrënjosur korrupsionin – të gjithë janë të pakënaqur për shkak të korrupsionit. Kjo çështje i bashkon të gjitha komunitetet e Kosovës, të gjitha e urrejnë korrupsionin. Por, për fat të keq, nuk është problem që mund të zgjidhet lehtësisht. Duhet të punohet vazhdimisht, hap pas hapi, për të mbyllur mundësitë për korrupsion. Por, siç e dini, unë do të largohem, por ambasada dhe ekipi im do të vazhdojnë të punojnë për këtë çështje sepse është kaq e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.

TL: Ju faleminderit që folët për KosSev-in.

AMB: Jeni më se të mirëseardhur.