Erdogan: Turqia ka nevojë për S-400 për të garantuar sigurinë

Erdogan tha se Turqisë nuk i janë dhënë armët që ka kërkuar për mbrojtjen e kufijve, duke shtuar se armët që Turqia ka kërkuar t’i blejë, organizatave terroriste u janë dhënë falas dhe se i janë mohuar edhe alternativat e tjera

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Turqia ka nevojë për t’u pajisur me sistemin e mbrojtjes ajrore S-400 për të garantuar sigurinë e saj, pasi vendit i janë mohuar të gjitha alternativat e tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

“Secilit i jepet e drejtë në luftën kundër terrorizmit, por gjërat ndryshojnë kur bëhet fjalë për Turqinë, ndërkohë që ne jemi lënë vetëm përballë sulmeve ndaj vendit tonë nga veri i Irakut prej vitesh dhe nga Siria”, tha Erdoğan në një ceremoni diplomimi në një shkollë ushtarake në Balıkesir, duke iu referuar sulmeve të organizatave terroriste ndaj Turqisë.

“Çfarë bënë ata kur nga Siria u kryen 127 sulme me artileri dhe mortaja në drejtim të qyteteve Kilis, Gaziantep, Reyhanlı dhe Kırıkhan, kur shtatë shtetas tanë humbën jetën dhe 125 të tjerë u plagosën. Ata i hoqën sistemet e mbrojtjes ajrore që ishin të pozicionuara më parë”, shtoi presidenti turk.

Ai theksoi se Turqisë madje nuk i janë dhënë armët që ka kërkuar për mbrojtjen e kufijve, duke shtuar se armët që Turqia ka kërkuar t’i blejë, organizatave terroriste u janë dhënë falas dhe se i janë mohuar edhe alternativat e tjera.

“Është e pamundur që ne t’i pranojmë këto imponime. Turqia ka nevojë për sistemet S-400 dhe tashmë ka marrëveshje të arritur. Andaj, shpresojmë që së shpejti t’i marrim”, deklaroi Erdoğan.

Dhjetorin e kaluar, Turqia njoftoi se kishte përfunduar marrëveshjen me Rusinë për blerjen e dy sistemeve S-400 deri në fillim të vitit 2020.

Këtë prill, dy palët ranë dakord për dorëzim më të hershëm të sistemeve.

S-400 është sistemi më i përparuar anti-ajror me rreze të gjatë i Rusisë, me aftësi për të bartur tri lloje të raketave të afta për të shkatërruar objektivat, duke përfshirë raketat balistike dhe raketat “lundruese”.

Në qershor, Senati Amerikan miratoi një projektligj që ndaloi shitjet e avionëve F-35 Turqisë, duke e arsyetuar vendimin me blerjen e sistemeve S-400 dhe arrestimin e disa shtetasve amerikanë në Turqi.

Duke iu referuar tensioneve midis SHBA-së dhe Turqisë pas ndalimit të pastorit amerikan Andrew Craig Brunson, Erdoğan tha se ushtria dhe ekonomia e Turqisë janë shënjestruar me pretekstin e rastit Brunson.

“Paqëndrueshmëria në kursin e këmbimit është një operacion kundër vendit tonë. Atë që nuk e arritën përmes bandave tradhtare brenda vendit dhe përmes organizatave terroriste, tani duan ta realizojnë përmes armës ekonomike, duke e shndërruar kursin devizor në armë devizore”, u shpreh Erdoğan.

Turqia dhe SHBA aktualisht kanë acaruar marrëdhëniet pasi Washingtoni vendosi sanksione me pretekstin e pastorit Brunson, i cili është në arrest shtëpie në Turqi lidhur me akuza për terrorizëm.

Akuzat ndaj Brunsonit përfshijnë spiunimin për PKK-në, e listuar si organizatë terroriste nga SHBA dhe Turqia, dhe organizatën terroriste FETO, grupi i cili qëndron prapa tentativës për grusht shteti në Turqi në korrik të vitit 2016.

Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë thirrje OKB-së për Arakanin

Organizata ka b ërë thirrje që OKB sa më parë ta transferojë çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, duke apeluar po ashtu që komuniteti ndërkombëtar të ushtrojë presion ndaj qeverisë së Mianmarit

Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë i ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara (OKB) për t’i proceduar krimet ndaj muslimanëve të Arakanit (Rohingya) në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim, Unioni ka theksuar se janë duke u ndjekur nga afër vështirësitë me të cilat prej më shumë se gjashtë vitesh përballet komuniteti Rohingya, vrasjet, dëbimet, shkeljet dhe gjenocidi.

Unioni po ashtu ka thënë se muslimanët e Arakanit janë komuniteti më i përndjekur në botë, duke i përshëndetur vendimet e misionit të pavarur hetimor të OKB-së në lidhje me krimet e kryera në Mianmar.

Organizata ka thirrje që OKB sa më parë ta transferojë çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, duke apeluar po ashtu që komuniteti ndërkombëtar të ushtrojë presion ndaj qeverisë së Mianmarit.

Misioni i pavarur ndërkombëtar për vlerësimin e fakteve në Mianmar, i formuar nga Kombet e Bashkuara (OKB), më 27 gusht kërkoi ndjekjen penale të kreut ushtarak të ushtrisë së Mianmarit (Tatmadaw), ndër të cilët edhe të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing, para Gjykatës Ndërkombëtare Penale për gjenocidin e kryer mbi muslimanët Rohingya.

“Detyrimet ushtarake nuk mund të justifikojnë assesi kryerjen e vrasjeve pa dallim, përdhunimet kolektive, sulmet ndaj fëmijëve dhe djegiet e tërësishme të fshatrave. Në fillim, kur shikohen kërcënimet aktuale të sigurisë në Arakan, taktikat e ushtrisë së Mianmarit kanë qenë joproporcionale në mënyrë të konstante dhe të ashpër”, thuhej në raportin e misionit.

Irani refuzon kërkesën e Francës për negociata

Irani i ktheu përgjigje negative Francës, e cila propozoi negociata për programin e raketave balistike dhe ndikimin rajonal të Teheranit

Irani i ktheu përgjigje negative Francës, e cila propozoi negociata për programin e raketave balistike dhe ndikimin rajonal të Teheranit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Behram Kasimi, publikoi një deklaratë për media në lidhje me thirrjen e ministrit të Punëve të Jashtme të Francës Jean-Yves Le Drian për “negociata për programin e raketave balistike dhe për çështjen e ndikimit të Teheranit në rajon”.

Ai tha se programi i raketave balistike ka një rëndësi “jetike” për mbrojtjen e Iranit. “Ritheksojmë edhe një herë se programi raketor i shtetit tonë është me qëllim të mbrojtjes, është vendor dhe legjitim dhe se assesi nuk është i hapur për negociata”, tha Kasimi.

Lidhur me ndikimin e vendit të tij në rajon, Kasimi tha se “Politika e ndjekur nga Teherani është në drejtim të paqes dhe sigurisë rajonale dhe gobale e fokusuar në luftën kundër terrorizmit”.

Kasimi theksoi se ata të cilët janë të shqetësuar nga politikat rajonale të Iranit duhet të rishikojnë politikat e veta.

Ai vuri theksin në marrëveshjen bërthamore, nga e cila u tërhoq SHBA-ja në mënyrë të njëanshme. Zëdhënësi Kasimi tha se “Kërkesat e tepërta dhe të detyruara të SHBA-ve eliminojnë besimin e nevojshëm për ofrimin e mjedisit të negociatave”.

Ndërkohë, sipas agjencisë zyrtare të Iranit, IRNA, kryetari i Kuvendit të Iranit, Ali Larijani tha se vendet e Evropës pas tërheqjes së njëanshme të SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore, i kanë bërë thirrje Iranit që t’i përmbahet kësaj marrëveshjeje, por që ata ende nuk i kanë dhënë një përgjigje të saktë kësaj pyetjeje.

Larijani thotë se dyshojnë në kapacitetin e Evropës për mbrojtjen e marrëveshjes bërthamore.

Veseli fajëson opozitën për inskenim të ndarjes së Kosovës

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka fajësuar opozitën për inskenim të ndarjes së Kosovës përmes thirrjes së seancës së jashtëzakonshme

Nga selia e partisë që drejton, Veseli ka thënë se ngritja e temës së ndarjes do ta dëmtojë Kosovën, derisa nuk ka përmendur që idetë për ridizajnim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve vjen nga dikur kreu i PDK-së, presidenti Hashim Thaçi.

“Thirrja e seancës është dëmi më i madh që i shkaktohet Kosovës. Është inskenim i lojës për ndarje. PDK-ja konsideron se ngritja e kësaj teme do ta dëmtojë Kosovën në procesin e dialogut, duke krijuar argumente në favor të eksponentëve që dëshirojnë ndarjen e Kosovës”, ka thënë Veseli, transmeton Koha.net.

“Shteti i Kosovës, sovraniteti dhe integriteti i saj do të jetë i pacenueshëm. Seancat e jashtëzakonshme për temën e ndarjes krijojnë pasiguri te qytetarët”, ka thënë Veseli që ka shtuar se PDK-ja do të jetë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita.

Veseli ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë pjesa më e diskriminuar e kombit shqiptar, por gjatë kësaj konference nuk ka përmendur nëse kjo pjesë do t’i bashkohet Kosovës.

Gjatë kësaj konference, kryetari i PDK-së, ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin ka thënë se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive..

Brukseli, qyteti i spiunëve

Harrojeni Vienën dhe Berlinin. Ekziston një tjetër fole e madhe spiunësh në Europë: Brukseli. Dyshimet midis zyrtarëve të BE-së, se Britania e Madhe i spiunoi ata për t’i vjedhur planet e mbi Brexit, bënë bujë në mediat britanike javën e shkuar. Por për shumë njerëz në Bruksel, spiunimi si i miqve ashtu edhe armiqve, është thjesht një biznes i zakonshëm

Nga Lili Bajer

Për disa agjensi të huaja të inteligjencës, Brukseli është një objektiv, pasi aty ndodhet selia e Bashkimit Europian dhe NATO-s. Për të tjerët, si disa shërbime inteligjence afrikane dhe të Lindjes së Mesme, fokusi është mbi diasporat e tyre të mëdha që banojnë në Belgjikë, të cilat ndikojnë në politikën kombëtare.

Në qershor, kreu i agjencisë së inteligjencës austrisë, Peter Gridling, u tha gazetarëve se “Brukseli tani e ka tejkaluar Vjenën”, kur është fjala për dendësinë e “të ashtuquajturave shërbime të inteligjencës jashtë BE-së”. Ndërsa spiunimi ka qenë gjithmonë i pranishëm në Bruksel, teksa rëndësia e BE-së u rrit së bashku me numrin e ambasadave në qytet, po kështu ndodhi edhe me numrin e spiunëve.

“Lufta e Ftohtë është kthyer”- thekson një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës belge, duke shtuar se tani ka më shumë agjentë që veprojnë në Bruksel, sesa në vitet para shembjes së Murit të Berlinit. “Kinezët, rusët, amerikanët dhe marokenet, kanë një prani të madhe në Belgjikë”- shton ish-zyrtari, duke folur me kushte anonimiteti.

Dhe duke zbuluar se Shërbimi Belg i Sigurisë, u ka kërkuar disa agjentëve të huaj të largohen nga vendi gjatë viteve të fundit. Diplomatët në Bruksel, supozojnë se po monitorohen çdo ditë.

“Ka pasur një shqetësim mbi një aktivitet të inteligjencës së huaj”-tha Haurd Gutman, ish ambasador i SHBA-së në Belgjikë.

Zyra e ambasadorit kontrollohej rregullisht për pajisjet e përgjimit, dhe asnjë telefon nuk lejohej brenda në godinë, tha Gutman. Por jashtë, u kuptua se të tjerët po na përgjonin. “Ka kaq shumë njerëz brenda dhe jashtë, sa që s’ka asnjë mënyrë për ta parandaluar atë, ju duhet vetëm të supozoni në çdo kohë, që rusët dhe kinezët po ju përgjojnë”- thotë Gutman.

Ceremonitë e festave kombëtare, kur diplomatët vizitojnë ambasadat në pritjet e dhëna me këtë rast, janë raste të arta për veprimtarinë e inteligjencës, tha Gutman, duke vënë në dukje se atashetë që shoqërojnë ambasadorët në raste të tilla, janë shpesh oficerë të fshehtë të inteligjencës.

“Për shkak të BE-së dhe NATO-s, vendet e tjera kanë një mision thelbësor diplomatik dhe ekonomik në Bruksel, duke krijuar një ambient të pasur për qëllime të të gjitha llojeve të spiunazhit”- tha një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane, i cili nuk pranoi të identifikohej me emër.

“Brukseli është gjithashtu një qytet lehtësisht i depërtueshëm, për të hyrë brenda dhe dalë jashtë, gjë që mund të lehtësojë operacione të ndjeshme”- shtoi ky ish-zyrtar. Vetë Shtetet e Bashkuara, janë larg nga të qënit një palë e pafajshme në skenën e spiunazhit në Bruksel.

Në vitin 2013, “Der Spiegel” raportoi se sipas dokumenteve të dhëna nga informatori Eduard Snouden, SHBA-të kishin kryer një operacion elektronik përgjimi ndaj institucioneve të BE-së në Bruksel – dhe gjithashtu përgjonin misionet diplomatike të BE-së në Uashington dhe Kombet e Bashkuara.

Dy vjet më vonë, revista gjermane raportoi se shërbimet amerikane të inteligjencës kishin tentuar të përdornin objektet gjermane për të spiunuar qeverinë, kompani dhe institucione të tjera, duke përfshirë edhe Komisionin Europian. Komisioni Europian, Këshilli Europian, Parlamenti Europian dhe NATO, kanë secila zyrat e tyre të sigurisë, që punojnë në parandalimin e spiunëve nga depërtimi në godinat e tyre, dhe qasja në dokumenta të rëndësisë së veçantë.

Në vitin 2003, pajisjet e përgjimit u zbuluan në ndërtesën Justus Lipsius të Këshillit Europian, me një hetim zyrtar belg që më vonë tregoi gishtin e dyshimit mbi qeverinë izraelite.

Zyrtarët e sigurisë, përpiqen gjithashtu të paralajmërojnë stafin të ketë kujdes, kur flet për punën në kafenetë dhe restorantet e qytetit. “Ne e dimë se ka fuqi të jashtme, jashtë BE-së, që përpiqen të hyjnë në të dhënat tona”- tha një zyrtar i lartë i sigurisë së BE. “Këshilla jonë e përgjithshme, është që të jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm në hapësirat publike”.

Ndërsa institucionet ndërkombëtare, përpiqen të kontrollojnë atë që ndodh brenda ndërtesave të tyre, barra më e madhe e punës së kundërzbulimit në qytet bie mbi Shërbimin Belg të Sigurisë Shtetërore. “Çdo shërbim ka njerëzit e vet këtu”- tha ish-zyrtari i lartë i inteligjencës belge, duke shtuar se aktiviteti i spiunazhit në Bruksel, mbulon fushat nga energjia tek mbrojtja, dhe çështjet politike si emigracioni.

“Kemi shërbime miqësore, neutrale dhe jo miqësore”- tha ky person, duke vënë në dukje se agjentët e inteligjencës në përgjithësi punojnë si diplomatë të fshehtë, dhe shpesh deklarohen para Shërbimit të Sigurisë Shtetërore pas mbërritjes në Bruksel. Në një vend të njohur për shtresa të shumta dhe të mbivendosura të qeverisë, koordinimi midis institucioneve të sigurisë belge dhe të BE, lë ndonjëherë shumë për të dëshiruar, thonë ekspertët.

Kur ka “kaq shumë pengesa në ndarjen e informacionit, dhe përgjegjësia e hetimit është vazhdimisht një ping-pong mes institucioneve, si mund të prisni të kapni fajtorin dhe të angazhoheni në veprime të mira?”- thotë Kenet Lazoen, ekspert mbi inteligjencën belge në Universitetin e Gentit.

Autoritetet belge, ndodhen gjithashtu nën presion nga sfidat me të cilat ballafaqohen, veçanërisht pasi Brukseli u bë një objektiv i terrorizmit të radikalëve islamike. Shërbimi i Sigurisë Shtetërore, me një staf prej qindra vetësh, ka një mandat që përfshin ruatjen e e të dhënave mbi terrorizmin, spiunazhin, përhapjen e armëve dhe krimin e organizuar.

“Çdo shërbim, është për momentin i fokusuar tek terrorizmi”- tha ish-zyrtari i lartë i inteligjencës belge. “Ne kemi një problem me personelin, me mjetet, me burimet” tha ky person, duke shtuar se numri i njerëzve në shërbim, duhet të paktën të dyfishohet.

“Fokusi mbi terrorizmin, nuk do të thotë se duhet të humbni fokusin ndaj spiunazhit kibernetik dhe klasik”- tha ish-zyrtari. “Kur nuk investoni në gjetjen e burimeve, humbni pozicionin tuaj të inteligjencës, të cilën është e vështirë ta rifitoni”.

Burimi: Politico.eu

Komisioni Evropian vendos, nuk ka më ndrrim të orës

Pas një sondazhi online për ndërrimin e orës në atë të dimrit dhe të verës, ku shumica e qytetarëve është shprehur kundër, Jean-Claude Juncker, kreu i Komisionit Europian shprehet rregullorja do të shfuqizohet

Së shpejti nuk do të duhet më të përgatitemi për kohën e dimrit dhe atë të verës përmes orës. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker në një intervistë për programin e mëngjesit të televizionit gjerman ZDF është shprehur, se pasi shumica e qytetarëve i ka thënë jo ndërrimit të orës, Komisioni Europian do të propozojë heqjen e këtij rregulli.

“Njerëzit duan që ne ta bëjmë këtë.”

Që këtë të premte Komisioni do të marrë vendimin përkatës.

Pastaj e kanë radhën shtetet anëtare dhe Parlamenti Europian, e në fund nuk do të kemi më ndërrimin e orës në kohën e dimrit dhe të verës, tha Juncker.

Në një sondazh online, ku morën pjesë 4,6 milionë e qytetarëve të BE, shumica janë shprehur për mosndërrimin e orës në kohën e dimrit dhe atë të verës.

3 milionë pjesëmarrës në sondazh ishin nga Gjermania.

Aktualisht në të 28 vendet anëtare të BE dhe vende të tjera të Europës dy herë në vit kemi ndërrimin e orës.

Qëllimi i ndërrimit të orës ka qenë shfrytëzimi më i mirë i dritës së ditës për të kursyer energji, por vlera e vërtetë e kursimit gjithmonë ka qenë e kontestuar.

Shërimi jashtë Kosovës mbetet zgjidhje e vetme për fëmijët me sëmundje të rënda

Institucionet publike shëndetësore në Kosovë vazhdojnë të mos i ofrojnë disa shërbime për të cilat pacientët detyrohen të kërkojnë shërim jashtë vendit

Sfida më e madhe mbetet për fëmijët, të cilëve u duhet të kërkojnë shërim jashtë Kosovës. Sëmundjet malinje, leukemitë akute, operacionet e zemrës janë vetëm disa nga sëmundjet që institucionet publike nuk po mund t’i ofrojnë në vend për fëmijët.

Sipas hulumtimeve të bëra, thuhet se në përgjithësi trajtimi i pacientëve jashtë vendit u kushton qytetarëve nga 150 deri në 200 milionë euro në vit.

Ndryshe, në Kosovë rreth 50 fëmijë në vit preken vetëm me sëmundjen e kancerit. Ekspertë shëndetësorë thonë se numri i fëmijëve të prekur me kancer është rritur brenda vitesh, nëse krahasohet me vitin 2008, kur në vit janë diagnostikuar vetëm shtatë fëmijë me sëmundje të kancerit.

Megjithatë, rritja thuhet të mos jetë reale, pasi që diagnostikimi i fëmijëve me kohë është rritur. Por, disa nga këto lloje kaceresh, nuk trajtohen në Kosovë.

Derisa në vend janë afro 400 fëmijë në vit që lindin me anomali në zemër. Prej tyre, rreth 200 kanë nevojë për intervenim kirurgjik, shërbim të cilin u duhet ta marrin jashtë vendit.

Muharrem Avdiu, pediatër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se ndonëse ka staf mjekësorë adekuat, si dhe donacione të shumta, pikërisht për sëmundjen e kancerit, janë disa lloje sëmundjesh të fëmijëve që kërkojnë trajtim jashtë vendit, nga pamundësia për t’u trajtuar brenda Klinikës.

“Nga Kardiokirurgjia kërkohen trajtim jashtë vendit. Po ashtu edhe për sëmundje malinje. Fëmijët i dërgojnë jashtë vendit për ato lloje kaceresh që ne nuk mund t’i trajtojmë për arsye të ndryshme. Fëmijët e sëmurë nga zemra më së shumti trajtohen në shtetin turk, por edhe në Itali, e disa vende tjera”.

“Janë edhe sëmundjet malinje të fëmijëve, që nuk po mund të trajtohen, ndonëse ekziston vullnet i madh i stafit për t’i ndihmuar këta fëmijë. Këto sëmundje janë dhimbje e veçantë për familjet e fëmijëve, por edhe për stafin tonë në raste kur nuk mund t’i ndihmojnë, qoftë si mungesë e barnave, por edhe shumë çështjeve tjera”, tha Avdiu.

Albatrit Matoshi, këshilltar për media i Ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili bëri të ditur se për fëmijët, janë të ndara 1.2 milion euro në vit. Këto mjete u dedikohen sëmundjeve që nuk mund të trajtohen brenda institucioneve publike shëndetësore.

Ndërkohë, ai thotë se janë duke punuar në atë drejtim, që të mund të ofrohen shërbime shëndetësore shtesë për fëmijët.

“Spitali që po ndërtohet në QKUK si donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe në vlerë prej 22 milionë eurove, është Spital Pediatrik dhe Spital i Kirurgjisë së Fëmijëve. Ky spital do të jetë modern, do të ketë 10.000 metra katrorë, 100 shtretër dhe pajisje të reja mjekësore dhe do t’i integrojë brenda vetes të gjitha shërbimet shëndetësore tretësore që ofrohen për fëmijë, pra edhe shërbimet e pediatrisë edhe të kirurgjisë së fëmijëve”.

“Në këtë aspekt, partnerët kanë ofruar mundësinë që krahas ngritjes së spitalit, të punohet edhe në aftësimin e stafit profesional, ashtu që spitali i ri, të jetë i përgatitur edhe me kuadër për të filluar me shërbime gjithëpërfshirëse të kujdesit shëndetësor tretësor për fëmijë. Ashtu siç është arritur me këmbëngulje që të sigurohet stafi profesional për shërbimin e kardiokirurgjisë në QKUK, do të sigurohet stafi edhe për shërbimet e reja që do të jenë në kuadër të Spitalit pediatrik dhe të kirurgjisë së fëmijëve”, tha Matoshi.

Sidoqoftë, përderisa institucionet shëndetësore dhe Ministria e Shëndetësisë planifikojnë që në të ardhmen të ketë më shumë trajtime në Kosovë, gjendja aktuale mbetet e vështirë për pacientët. E edhe më të vështirë trajtimin ua bën atyre që presin para ambasadave të huaja për t’u pajisur me një vizë, në kërkim të shërimit jashtë vendit.

Ndryshe, Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk gëzon lëvizjen e lirë pa viza në zonën Schengen.

“Novosti”: Serbët sipas modelit të Tirolit Jugor, por në Kosovën e pavarur?

Përfaqësuesit e pushtetit në Prishtinë po ua prezantojnë me të madhe ambasadave perëndimore zgjidhjen e tyre për statusin e Kosovës së pavarur, sipas të cilës pozita e serbëve do të rregullohej sipas modelit të Tirolit Jugor në Itali. Kështu shkruan sot e përditshmja e Beogradit, “V.Novosti”

Siç shkruan “Novosti”, kur Beogradi kishte hyrë në negociata me Prishtinën, modeli i Tirolit Jugor ishte përmendur si opsion, por për gjithë territorin e Kosovës në raport me Serbinë qendrore (siç e quajnë qarqet e Beogradit Serbinë, gjoja për të vetëkuptuar se Kosova është pjesë e saj. Sqarim ynë).

Tani, shton kjo gazetë, modeli i Tirolit Jugor është i mirëseardhur për shqiptarët, si një alternativë për Bashkësinë (Asociacionin) e Komunave Serbe, por me kusht të rrumbullakimit të sovranitetit në gjithë territorin dhe që kështu krijojnë kushtet të konkurrojnë për karrigen në Kombet e Bashkuara, transmeton Koha.net.

“Novosti” rikujton se Tiroli Jugor është një territor autonom në Italinë Veriore, e vendosur në zemër të Alpeve dhe përbëhet nga dy krahina – Terentina, ku flitet gjuha italiane, dhe Bolcana ku jeton pakica kombëtare gjermane.

Në bazë të Marrëveshjes së Paqes, me të cilën u përfundua Lufta e Parë Botërore, Tiroli Jugor i mbeti Italisë dhe që atëherë nisi kontesti me dekada ndërmjet Vjenës dhe Romës deri sa nuk u arrit marrëveshja për autonomi, më 1971.

Gjermania e Austria kundër idesë së Thaçit për shkëmbimin e territoreve

Gjermania dhe Austria janë skeptike sa i përket idesë së Thaçit për shkëmbimin e territoreve. Këto dy shtete nuk po e shohin si zgjidhje për konfliktin prej dekadash mes Serbisë dhe Kosovës

“Ne besojmë, që kjo mund të hapë shumë plagë të vjetra në popull”, tha ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, të premten (31.08) në kuadër të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Vjenë. Sipas tij, diskutimet për shkëmbim territoresh nuk çojnë në drejtimin e duhur. Edhe presidenca austriake e BE-së tregohet skeptike. “Ndryshimet e kufijve, sikurse e kemi parë herë pas here, nxjerrin probleme”, tha ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl.

Propozimi për shkëmbim territoresh parashikon, që pjesë të veriut të Kosovës të banuara me shumicë serbe t’i kalojnë republikës serbe. Në këmbim rajoni i Preshevës në jug të Serbisë me shumicë shqiptare t’i bashkohet Kosovës. Kosova e banuar kryesisht me shqiptarë para dhjetë vjetësh u shkëput nga Serbia. Beogradi duke iu referuar manastireve dhe betejave mesjetare në Kosovë kërkon ta marrë sërish krahinën. Prej vitesh BE-ja përpiqet pa rezultat që të ndërmjetësojë mes fqinjëve në konflikt. Pajtimi me Kosovën është kushti kryesor, që Serbia si kandidate për anëtarësim në BE të afrohet edhe më shumë me Brukselin.

Ndër të tjerë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe ai i Kosovës Hashim Thaçi janë shprehur për këtë opsion. Por nëse kjo do të realizohet vërtet ka mjaft dyshime. Një nga arsyet është, që për zbatimin e një marrëveshjeje të tillë Thaçit mund t’i mungojë shumica e nevojshme në parlament.

Shoqëria civile letër Thaçit: Ndryshimi i kufijve rrezikon sigurinë rajonale

Organizatat e shoqërisë civile i kanë shkruar një letër presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me anë të së cilës kundërshtojmë idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë

Organizatat e shoqërisë civile në letrën drejtuar presidentit theksojnë se duke pasur parasysh të kaluarën tonë të afërt, një ndryshim i kufijve do të destabilizonte dhe kërcënonte sigurinë në Kosovë dhe Serbi, por edhe në rajon. “Kjo mund të na kthejë prapa dy dekada më parë, duke hedhur poshtë të gjitha përpjekjet e deritanishme për pajtim në mes të dy shteteve”, thuhet në letër.

Lexoni të plotë letrën e shoqërisë civile:

“Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë po ndjekin me shqetësim të gjitha deklaratat e juaja për ndryshimin ose korrigjimin e kufirit të Kosovës me Serbinë në baza etnike.

Përmes kësaj letre, ne kundërshtojmë fuqishëm ide të tilla të rrezikshme që nxisin konflikte, konfuzion dhe urrejtje në mes të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që komuniteti serb që jeton në Kosovë po dekurajohet edhe më tej për t’u integruar në shoqërinë dhe institucionet e vendit. Gjithashtu, deklaratat e juaja mund të ndikojnë edhe në qytetarët e rajonit, duke besuar se agjenda të tilla nacionaliste mund të jenë të suksesshme edhe pas një historie të errët të luftërave në Ballkan.

Duke pasur parasysh të kaluarën tonë të afërt, një ndryshim i kufijve do të destabilizonte dhe kërcënonte sigurinë në Kosovë dhe Serbi, por edhe në rajon. Kjo mund të na kthejë prapa dy dekada më parë, duke hedhur poshtë të gjitha përpjekjet e deritanishme për pajtim në mes të dy shteteve.

Ne ju kërkojmë që të mos bëni deklarata konfliktuoze, por të fokusoheni në dialog dhe normalizimin e marrëdhënieve, si dhe në trajtimin e çështjeve të pasluftës si ajo e personave të pagjetur, e të mbijetuarve/viktimave të dhunës seksuale dhe viktimave civile të të gjitha etnive nga lufta e fundit në Kosovë, gjë që është thelbësore për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e të dy vendeve. Ne jemi të bindur se dialogu është e vetmja rrugë drejt arritjes së pajtimit dhe paqes së qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Institucionet kosovare duhet të mbrojnë dhe respektojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim,duke ndërtuar besimin e ndërsjellë, duke çmuar diversitetin dhe duke garantuar mirëqenie dhe siguri për të gjithë.

Z. President, Kushtetuta e Republikës së Kosovës ju obligon të punoni me dhe për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Prandaj, ju duhet të inkurajoni komunikim dhe bashkëpunim më të mirë midis njerëzve që jetojnë në Kosovë duke u bazuar në respekt, tolerancë dhe mirëkuptim për njëri-tjetrin.

Si përfundim, ne kërkojmë nga ju që ta respektoni obligimin tuaj kushtetues si President i Republikës së Kosovës dhe të tërhiqni deklaratat tuaja që krijojnë izolim të mëtejshëm dhe që rrezikojnë të ardhmen e gjeneratave të reja. Ne ju inkurajojmë që të angazhoheni në bërjen e Kosovës një vend paqësor dhe të begatë për të gjithë”.