Presidentit Thaçi i dështoi amnistia

Gjykata Speciale për krime të predentuara të luftës në Kosovë, ende nuk ka filluar punën, mirëpo organizata joqeveritare ka mbajtur një organizim me temën “Perceptimi i Gjykatës Speciale”.Në këtë organizim kanë qenë të pranishëm edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell.Duke folur rreth Gjykatës, i pari i vendit ka lëshuar kritika të shumta kundrejt ndërkombëtarëve.Mirëpo, gjatë fjalimit të tij, ambasadori O’Connel ka lëshuar sallën, duke mos e dëgjuar deri në fund presidentin

Thaçi gjatë fjalimit të tij tha se Kosovës i është bërë padrejtësi pasi ka plotësuar të gjitha kërkesat dhe i janë shtuar vështirësitë.“Kosova mbajti fjalën e themeloi Gjykatën po bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmori asnjë hap. Kosovës veçse iu vështiruan mundësitë. Kosova u tregua me lojale por u ndëshkua më së shumti”, tha ai. Thaçi bazuar në hulumtim tha se kjo Gjykatë besohet se do të merret vetëm me shqiptaret dhe jo me serbet. “Nuk do të merret asnjë rast për shqiptaret e vrarë, dhunën ndaj grave shqiptare, pra asnjë krim që kanë bërë në Kosove”, ka thënë Thaçi.

Polemikat me Ambasadën britanike

Bekim Çollaku, Shefi i stafit të Presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj largimit të Ambasadorit të Britanisë së Madhe Ruari O’Connell nga konferenca e sotme ku është diskutuar për Gjykatën Speciale. Në një prononcim për median, Çollaku ka bërë me dije se Presidenti Thaçi nuk është shqetësuar për largimin e Ambasadorit britanik nga konferenca.Amabasada britanike në një përgjigje ka thënë se O’Connell është larguar urgjentisht nga konferenca, pa e thënë se kjo ka pasur të bëjë me qëndrimin e Thaçit, por i ka kundërshtuar deklaratat e Thaçit që i ka bërë sot.“Kosovës nuk i janë bërë premtime lidhur me Gjykatën Speciale dhe nuk është e drejtë të pretendohet e kundërta.

Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare bazohet në kriteret specifike të anëtarësimit të organizatave individuale” thekson Ambasada britanike.Presidenti Hashim Thaçi, në të kaluarën ka mbështetur formimin e Gjykatës Speciale, duke thënë se e ka udhëhequr procesin e themelimit të saj.“E di se lufta për lirinë e Kosovës ishte një kauzë e drejtë dhe një luftë e drejtë. Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë shkelur ndonjë ligj, me përjashtim të ligjeve të Sllobodan Millosheviqit. Gjykata Speciale është një mundësi për Kosovën për t’i shpjeguar botës këtë të vërtetë”, ka thënë Thaçi për mediat ndërkombëtare.

Thaçi shpresonte në amnisti

Ndërsa, analistët politikë lëshimin e sallës nga ana e Ambasadorit britanik gjatë fjalimit të Presidentit, e shohin si shenjë proteste kundrejt deklaratave të tij.Sipas tyre, Thaçi në të kaluarën ka mbështetur Gjykatën Speciale duke shpresuar se do të amnistohet, ndërsa tani kanë dështuar tentimet për ta manipuluar drejtësinë ndërkombëtare.

Analisti politik, Faton Mehmeti, ka thënë për “Bota sot” se të gjitha përpjekjet e Presidentit për t’u amnistuar nga Gjykata Speciale, i kanë dështuar.“Si duket ka dështuar tentativa e Thaçit për të manipuluar me drejtësinë ndërkombëtare. Për t’i hyrë në hatër bashkësisë ndërkombëtare , Thaçi u përul aq poshtë me servilizmin e tij sa u përulë edhe para varrezave serbe. Këto edhe dëme të tjera që ia ka bërë Kosovës, në përpjekje për të futur në pazar amnistie nga Gjykata Speciale, si duket i kanë shkuar huq që të gjitha. Prandaj, edhe frustrimi i tij ishte krejt personal, jo si kauzë apo ide”, ka pohuar Mehmeti.

Sipas tij, ambasadori ka lëshuar sallën si shenjë proteste që Kosova, ka ende liderë që nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me drejtësinë.“ Thaçi nuk i intereson askush, as Kosova as shokët e tij përveç lëkurës së tij, e cila po ndihet e rrezikuar nga e vërteta. Thaçi ka qenë i bindur se kurrë s’do të dalë e vërteta për mëkatet e tij, dhe tani kur bota i tha se drejtësia i ka duart e lira, Thaçi po frikësohet. Thaçi ka humb arsyen, prandaj edhe ambasadori britanik lëshoi mbledhjen si shenjë protestë që Kosova ka ende lider që nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me drejtësinë, por mundohen t’i bishtojnë asaj” ka përfunduar Mehmeti.

Humbjet e Kosovës

Kurse, politologu Mentor Tahiri, është shprehur se duhet pranuar që institucionet e Kosovës kanë qenë shumë konstruktive me qarqet ndërkombëtare.Sipas Tahirit, Kosova ka pësuar disa humbje në kuadër të sistemit politik ndërkombëtar.

“Duhet pranuar se institucionet e Kosovës kanë qenë shumë konstruktive me qarqet ndërkombëtare, përfshirë edhe ato të pranishme në Kosovë. Kosova ka kryer obligimet e saj në raport me Gjykatën Speciale, por ajo ende nuk është funksionalizuar. Kjo stërzgjatje mund të perceptohet edhe si mjet i presionit politik. Ka një nervozizëm të krijuar në skenën politike të Kosovës lidhur me këtë, aq më tepër që Gjykata Speciale është bërë mjet i spekulimeve. Presidenti Thaçi megjithatë shprehu mendimet e tij lidhur me Gjykatën Speciale në një moment politik kur duket se faktori ndërkombëtar nuk ka qenë shumë kujdesshëm në raport me Kosovën. Këtyre ditëve Kosova pësoi disa humbje në kuadër të sistemit politik ndërkombëtarë. Tërheqja nga kandidimi në Interpol dhe në UNESCO duket se pjesërisht ka ardhur edhe si rezultat i presionit ndërkombëtar”, ka theksuar Tahiri.

Sipas tij, reagimi i Ambasadorit britanik gjithsesi duhet të shërbejë si tregues i raporteve jo shumë të qarta ndërmjet Kosovës dhe aleatëve të saj. “Reagimi i Ambasadorit Britanik gjithsesi duhet të shërbejë si një tregues i raporteve jo shumë të qarta ndërmjet Kosovës dhe aleatëve të saj. Do të ishte e dëshirueshme që në këtë kontekst ambasadori O’Connell të përdorë autoritetin e tij që prezencën ndërkombëtare në Kosovës ta zgjoj nga “gjumi” dhe ashtu të mos mbetet hapësirë që dështime të caktuara eventuale të institucioneve të Kosovës t’i atribuohen aleatëve tanë. Opinioni publik në Kosovë ka besim të jashtëzakonshëm te aleatët tanë”, ka pohuar Tahiri.

Qëndrimi i pasinqertë

Lëshimi i sallës nga Ambasadori britanik, gjatë fjalimit të Presidentit, sipas analisti Hidajet Ahmeti, është protesta e tij për qëndrimin kontraverz, joserioz e aq më pak të sinqertë të Thaçit.

Sipas Ahmetit, Thaçi duhet të sillet si President i vendit, e jo ta luajë rolin e një manipulatori në raport me opinionin e gjerë publik.

“Sjellja e Thaçi është sjellje e një adoleshenti politik e cila në substancë nuk ka kurrfarë mesazhi pozitiv për Kosovën dhe konsolidimin e Republikës në raport ndërkombëtar. Përkundrazi, deklarata të tilla kontraverze kanë impakt negativ në raport ndërkombëtar, duke dhënë mesazhin e një lideri kontraverz, jo serioz e aq më pak të sinqertë. Ambasadat e shteteve të cilat janë të përfaqësuara në Republikën e Kosovës janë urë- lidhëse në mes shtetit të Kosovës dhe shtetëve të cilat përfaqësojnë, zëri i tyre është zëri i shteteve të përfaqësuara.

Gjykoj se revolta e ambasadorit të Britanisë së madhe dhe lëshimi i sallës është një shenjë proteste për qendrimin kontraverz, joserioz e aq më pak të sinqertë të Thaçi. Është e rrugës që Thaçi të sillet si President i vendit e jo ta luaj rolin e një manipulatori në raport me opinionin e gjerë publik, pasi që qytetarët janë në dijeni për historikun e e themelimit të Gjykatës Speciale dhe insistimine vazhdueshëm të zotit Thaçi për themelimin e kësaj Gjykate diskriminuese”, është shprehur Ahmeti.

Sipas Ahmetit, deklaratat e tilla janë tentativë e Thaçit për të aminstuar veten nga instalimi i Gjykatës Speciale. “Deklarata të tilla kontraverze pa përmbajtje e me mesazhe populiste janë tentative e Thaçit për të amnistuar vetën nga instalimi i kësaj Gjykate diskriminuese. Dyfytyrësia e një lideri i cili përfaqëson një institucion shumë të rëndësishëm për vendin, tregon një imazh të keq për Republikën e Kosovës, e në veçanti për institucionin e Presidentit të vendit”, ka përfunduar Ahmeti./Botasot

Ahmeti: Kalabria do ta ketë linjën e transportit publik, shkollën dhe çerdhen e re

Në tubimin e mbajtur në lagjen Kalabria, përveç kandidatëve për Kuvend Komunal folën edhe Kryetari i Komunës Shpend Ahmeti si dhe Kryetari i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, Ylli Hoxha

Ahmeti në fjalën e tij të rastit shpjegoi zotimet që dalin nga programi jonë “Prishtina, qytet në çdo lagje”. Në kuadër të këtyre zotimeve, janë edhe shkolla dhe çerdhja e re për lagjen Kalabria, që do t’i përmbushë nevojat e banorëve të lagjes në këtë sektor.

“Prioritetet e lagjes i kemi marrë nga vetë ju si banorë. Shkolla e re, çerdhja e re, zgjerimi i rrjetit të ndriçimit, hapja e rrugës për lagjen Qendresa, janë vetëm disa prej projekteve që do të realizohen gjatë katër viteve të ardhshme në lagjen tuaj”, tha Ahmeti.

Lajm i gëzueshëm për banorët e lagjes Kalabria ishte edhe përfundimi i Planit të Mobilitetit, me ç’rast Kryetari Ahmeti i njoftoi ata se tashmë Kalabria do të ketë linjë të transportit publik, do të ketë transport të rregulluar brenda lagjes, si dhe hapësirë për parkingje.

Ylli Hoxha, duke folur për angazhimin e madh të qytetarëve dhe aktivistëve drejt fitores sonë të radhës, tha se tashmë Shpendi e ka siguruar mandatin e dytë, edhe më të fuqishëm se të parin, me shumë më shumë asambleistë.

“Në vitin 2013 kishim 16 mijë vota në Prishtinë, kurse në qershor 2017 VETËVENDOSJE! kishte më shumë se 40 mijë vota në Prishtinë. Ne dolëm me zotime konkrete para 4 viteve, dhe u qëndruam në fjalë qytetarëve. Njësoj do të ndodhë edhe me 100 zotimet e mandatit të dytë. Tashmë e kanë të qartë të gjithë qytetarët e Kosovës, jo vetëm të Prishtinës, mënyrën tonë të qeverisjes. Prishtina do ta vazhdojë rrugëtimin e nisur në fund të vitit 2013, por kësaj radhe do t’i bashkëngjiten edhe shumë komuna të tjera”, tha ndër të tjera Hoxha.

Veseli: Kudo ku merren vendimet, aty do të jenë gratë

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, bashkë me kandidatin e PDK-së për Kryetar të Ferizajt, Agim Aliu, kanë marrë pjesë në një tubim elektoral me gra ndërmarrëse dhe kryefamiljare në Ferizaj

Veseli ka thënë se vizioni i Partisë Demokratike të Kosovës për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien qytetare nuk mund të kuptohet pa gjithëpërfshirjen e grave në politikë, biznes dhe menaxhim të institucioneve.

“Partia Demokratike e Kosovës ka platformë të qartë për gratë dhe ofron lehtësira të plota fiskale për gratë sipërmarrëse, mbështetje të plotë për projektet e grave në shoqërinë civile dhe fuqizim të rolit të tyre në institucionet e shtetit, prandaj në këto zgjedhje kemi kandiduar tri gra për kryetare të komunave”, ka thënë Veseli.

Brenda një mandati, Veseli ka thënë se Forca e Ndryshimit e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferizajn dhe gjithë komunat e Kosovës do t’i kthej nga qendra të burokracisë shtetërore, në qendra të zhvillimit ekonomik lokal.

“Kudo ku do të qeverisë Partia Demokratike e Kosovës do të dëgjohet zëri i grave. Ky është vizioni i PDK-së dhe i Agim Aliut si kryetar”, ka thënë Veseli.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për Kryetar të Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se zëri i gruas do të dëgjohet në vendimmarrje, në udhëheqje të proceseve dhe në projekte biznesore.

“Aty ku merren vendimet për qytetarët e Ferizajt, aty do të jenë edhe gratë”, ka thënë Aliu.

Duke mbështetur PDK-në, Aliu ka thënë se qytetarët mbështesin veten e tyre, familjet e tyre dhe perspektivën ekonomike të Ferizajt.

Erdogan akuzon SHBA-të se po i armatosin grupet terroriste

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan sulmoi sërish Shtetet e Bashkuara, duke i kritikuar për mbështetjen e luftëtarëve kurdë në Siri, e një seri tjetër çështjesh problematike mes dy vendeve

Erdogan akuzoi Uashingtonin se po i jep armë falas një organizate terroriste, duke iu referuar “YPG”-së, një prej aleatëve kyç të SHBA-ve në luftën kundër Shtetit Islamik në Siri.

SHBA dhe Turqia po përballen ashpër prej një jave, pas arrestimit të një nëpunësi të Konsullatës amerikane në Turqi.

Gjatë një fjalimi në kryeqytetin Ankara, Erdogan akuzoi SHBA-të se po dërgojnë 3.500 kamionë me armë në Siri dhe se ato po përdoren nga “YPG”-të për të rrethuar Turqinë, transmeton TCH.

“Kush thotë se korridori i terrorit që SHBA-të po tentojnë të formojë në kufirin tonë jugor është për të luftuar Shtetin Islamik? A mund të ketë diçka të tillë? Kjo është një gënjeshtër, sepse korridori synon të rrethojë Turqinë”, tha Recep Tayyip Erdogan.

Erdogan akuzoi drejtpërdrejt John Bass, ambasadorin amerikan në Turqi, për përkeqësimin e raporteve, e tha se Shtetet e Bashkuara po sakrifikojnë një aleat strategjik për hir të diplomatit. Presidenti turk tha gjithashtu se vendimi i SHBA-ve për të pezulluar thuasje plotësisht vizat me Turqinë është i padrejtë dhe nuk respekton të vërtetën.

Serbia mbron kriminelët e dënuar të luftës

Ministri serb i Punëve të jashtme. Ivica Daçiç, tha të enjten se ambasadori amerikan sikurse edhe ambasadorët e tjerë nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të Serbisë

Ai i bëri këto komente pas reagimit të ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott, ndaj deklaratave të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i cili lavdëroi ditë më parë një ish gjeneral serb për rolin e tij gjatë bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë në vitin 1999, duke theksuar se Serbia nuk ka nevojë të turpërohet më për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë në atë kohë.

Ministri serb Vulin fundjavën që lamë pas foli në një takim të ish ushtarakëve të batalionit të tretë të Armatës Jugosllave në të cilin morën pjesë edhe Vladimir Lazareviç, ish shef i shtabit të armatës jugosllave në Prishtinë dhe Nikola Shainoviç, ish zëvendëskryeministër i Jugosllavisë, që të dy të dënuar për krime lufte në Kosovë nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë.

Ambasadori amerikan, Kyle Scott shkroi në rrjetin social twitter se “për fat të keq, muaj të tërë të punës në përmirësimin e imazhit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, mund të dëmtohen nga një deklaratë”.

Ministri serb, Vulin, tha se Serbia “nuk ka shkaktuar luftëra” dhe se ish gjenerali Lazareviç, është njeri i lirë.

Ish gjenerali serb Vladimir Lazareviç dhe politikani, Nikola Shainoviç, qenë dënuar për rolin e tyre në fushatën kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë së cilës i vranë mbi 10 mijë veta, u zhdukën mijëra të tjerë dhe u dëbuan mbi 800 mijë shqiptarë. Lufta gati dy vjeçare në Kosovë mori fund me ndërhyrjen e trupave të NATO-s.

Të enjten shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, tha se ambasadori amerikan nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të Serbisë, ndërsa theksoi se deklaratat rreth të dënuarit të Hagës, Vladimir Lazareviç, nuk mund të dëmtojnë marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve. Duke theksuar se ai e ka “vuajtur dënimin me burg”, ministri serb tha se “kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj do ta vuaj atë, ndërsa Ante Gotovina është liruar nga aktakuza për krime dhe po bëhetë gati të bëhet president i Kroacisë, ndërsa e patë se tash edhe Naser Oriç, u lirua nga akuzat”, tha ai.

Komentet e ministrit serb Daçiç, bën gjatë punimeve të “Forumit të Beogradit për Siguri”, në të cilin po merr pjesë edhe zëvendës sekretarja e përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller, për të diskutuar në temën “Partneriteti NATO-Serbi, ndihmon sigurinë në Ballkanin Perëndimorë”.

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiç, tha në këtë forum se Serbia është partner i besueshëm i NATO-s, por, do të vazhdojë të mbetet e paanshme nga pikëpamja ushtarake.

Ajo ritheksoi synimin e Serbisë për integrime evropiane, por edhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Moskën, aleate tradicionale e Serbisë, një dëshirë e nacionalistëve serb që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Ajo tha se sfida kryesore e sigurisë është Kosova “të cilën Serbia e përjeton emocionalisht”.

Moska vazhdon të mbështesë pretendimet serbe mbi Kosovën dhe refuzon sikurse edhe Serbia të njohë pavarësinë e saj të shpallur në shkurt të vitit 2008. Megjithatë Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Moghernini, tha të mërkurën se pret përparim të dukshëm në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri në fund të vitit të ardhshëm.

Serbia hapi në janar të vitit 2014 bisedimet për anëtarësim si rezultat i bisedimeve me Kosovën e cila ndërkaq nënshkroi marrëveshjen e stabilizim asocimit me BE-në, por mbetet e fundit në rajon në proceset integruese.

Hamasi dhe Fatahu nënshkruajnë marrëveshjen e pajtimit

Hamasi dhe Fatahu kanë nënshkruar marrëveshjen e pajtimit në Kajro, duke i dhënë fund ndarjes dhjetëvjeçare midis dy fraksioneve palestineze. Marrëveshja është ndërmjetësuar nga Egjipti

Palestinezët në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor janë qeverisur veçmas, që nga përleshjet vdekjeprurëse midis dy grupeve, në vitin 2007.

Fatahu, dikur gurthemel i kauzës kombëtare palestineze, ka humbur pushtetin në vitin 2006, kur Hamasi i ka fituar zgjedhjet në territoret e pushtuara.

Tensionet midis dy rivalëve kanë shkaktuar përleshje të shumta të dhunshme në Rripin e Gazës.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, e mirëpriti marrëveshjen e pajtimit dhe tha se ajo u jep fund ndarjeve.

SHBA tërhiqet nga UNESCO

Shtetet e Bashkuara thanë se do të tërhiqen nga Agjencia për Kulturë e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, duke e akuzuar atë për “anim anti-izraelit”

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, tha se SHBA-ja do të formojë një “mision vëzhgues” për ta përfaqësuar atë në UNESCO, nisur nga 31 dhjetori.

“Ky vendim nuk është marrë me lehtësi dhe reflekton shqetësimet e SHBA-së me borxhet në UNESCO, nevojën për reforma në këtë organizatë dhe qëndrimin e saj anti-izaraelit”, tha Departamenti i Shtetit.

Udhëheqësja e UNESCO-s, Irina Bokova, tha se ndjen “keqardhje të thellë” me vendimn e SHBA-së.

Uashingtoni ka ndaluar financat në UNESCO pasi kjo agjenci ka votuar për përfshirjen e Palestinës si vend anëtar në vitin 2011.

KDI: Shqiptarët e serbët s’e kuptojnë njësoj normalizimin e marrëdhënieve

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) gjatë një konference për media shpalosi sot rezultatet nga hulumtimi i katërt i opinionit publik lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, “Faza e re e dialogut Kosovë-Serbi: këndvështrimi i qytetarëve”

Jeta Krasniqi nga KDI ka bërë të ditur se nëpërmjet këtij sondazhi janë adresuar çështje që ndërlidhem me të ardhmen e këtij procesi, si pritshmëritë e qytetarëve për rolin dhe ndikimin e Presidentit të Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, rolin që Kuvendi duhet ta luaj në këtë proces si dhe rolin e BE-së për të garantuar zbatimin e marrëveshjeve.

Gjithashtu ka thënë se KDI ka pyetur qytetarët se çfarë nënkupton për ta normalizimi i marrëdhënieve në mes të dyja vendeve.

Ajo ka potencuar se gjetjet e sondazhit nxjerrin në pah se shqiptarët dhe serbët e kuptojnë drastikisht ndryshe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Rreth 71% e qytetarëve vlerësojnë se element kryesor për normalizim i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë është kërkim falja për krimet e luftës nga ana e Serbisë. Rreth 60% e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë e interpretojnë normalizimin si mos pengim të njëra-tjetrës palë në rrugëtimin evropian apo anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, pa pasur nevojë që shtetet të njohin njëra-tjetrën. Ndërsa të anketuarit nga komuniteti shqiptar (73%) dhe komunitetet e tjera (68%) elementare për normalizim marrëdhënies vlerësojnë se është kërkim falja nga ana e Serbisë për krimet e luftës në Kosovë”, ka thënë ajo.

Më tej ka theksuar se bazuar në të gjeturat nuk pritet ndryshim i madh i dialogut me përfshirjen e Presidentit Thaçi “Janë 33% e të anketuarëve të cilët vlerësojnë se dialogu do të vazhdoj të mbetet i njëjtë, dhe 27% e tyre që kanë deklaruar se Presidenti Thaçi nuk do të përmirësoj nivelin e bisedimeve me Serbinë e as nuk do të arrijë të garantojë transparencë dhe gjithpërfshirje. Pra, shumica e qytetarëve përkatësisht 60% nuk presin që përfshirja e Presidentit Thaçi të jetë garancë për një proces më transparent dhe gjithëpërfshirës”, theksoi Krasniqi.

Sa i përket Kuvendit, të anketuarit vlerësojnë se ky institucion duhet të ketë rol më të fuqishëm në procesin e dialogut “Afërsisht gjysma e qytetarëve përkatësisht 48% e tyre vlerësojnë që Kuvendi i Kosovës duhet të kërkoj raportim të rregullt dhe transparencë nga Ekipi Negociator, nga Presidenti dhe Qeveria, para dhe pas çdo raundi të bisedimeve të zhvilluara në Bruksel”, ka thënë më tej Krasniqi.

Bazuar në sondazh, BE duhet të bëhet garantuese e marrëveshjeve . Rreth 76% e qytetarëve ndajnë mendimin që BE duhet të bëhet garantuese e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vendosur sanksione/kushtëzuar palët që nuk i zbatojnë marrëveshjet e Brukselit.

Marrë për bazë këto të gjetura KDI, i rekomandon Kuvendit të Kosovës t’i japë legjitimitet fazës së re të dialogut me anë të miratimit të një Rezolute e cila përcakton përbërjen e ekipit negociues, çështjet të cilat duhet të diskutohen dhe përfshirjen e këtij institucioni në këtë proces.

KDI rekomandon që faza e re e dialogut Kosovë-Serbi të garantojë gjithpërfshirje të spektrit politik vendor dhe shoqërisë civile për ndërtimin e një platforme të përbashkët të shtetit të Kosovës në këto bisedime.

Po ashtu bazuar në këtë sondazh KDI, rekomandon që të ndërtohet një platform e qartë dhe e mirëdefinuar e diskutimeve mbi bazën e një diskutimi të gjerë institucional dhe qytetar për të garantuar gjithpërfshirje dhe transparencë duke artikuluar qartë epilogun e pritshëm të këtij procesi.

Kurse marrëveshjet e arritura duhet të kenë mekanizma zbatues, afate kohore të përcaktuara qartë si dhe një rol të shtuar të BE-së në garantimin e zbatimit të marrëveshjeve dhe ndëshkimit të palëve në rrugëtimin e tyre drejtë BE-së për moszbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura.

LDK-ja e para për gjoba, PDK e Vetëvendosje pas saj

Sa më shumë ditë të fushatës që po kalojnë, aq më shumë shtohen gjobat ndaj partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale në Kosovë, të cilat do të mbahen më 22 tetor

Po, me gjithë gjobat e shqiptuara, monitoruesit e fushatës thonë se ky proces po zhvillohet me pak probleme dhe se fushatat e partive politike po përqendrohen kryesisht në qytetet e mëdha të Kosovës.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa konfirmon se deri më tani ka shqiptuar një numër të konsideruar të dënimeve për partitë politike të cilat kanë shkelur kodin e mirësjelljes.

Mul Desku, kryesues i Sekretariatit të Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tha për Radion Evropa e Lirë se ky Panel deri më tash ka pranuar shumë ankesa për të cilat janë marrë vendime dhe janë gjobitur pothuajse të gjitha partitë kryesore politike në vend.

“Në bazë të vendimeve që janë paraqitur nga ankuesi dhe nga gjetjet që janë konstatuar nga Paneli, janë shqiptuar gjithsej 79,650 euro gjoba. Të gjitha këto gjoba, pjesa më e madhe e tyre, kanë të bëjnë me kodin e mirësjelljes”, tha Desku.

Sipas Deskut, partitë më të mëdha kanë marrë dënime më të larta, përderisa ka edhe ndonjë subjekt politik që nuk është gjobitur fare.

“Nga shuma e gjobave të cilat janë shqiptuar, gjendja është kjo: Lidhja Demokratike e Kosovës është dënuar deri me tash me 44.300 euro, Partia Demokratike e Kosovës me 10.750 euro, pastaj Lëvizja Vetëvendosje me 7.100, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.050, Aleanca Kosova e Re me 6.750, Alternativa me 1.650 euro, Partia Demokratike Turke Kosovës me 550, Nisma për Kosovën me 1.100 euro, Lista Serbe me 450 e kështu me radhë”, tha Desku.

Kryesues i Sekretariatit të Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, theksoi se aktualisht janë duke u shqyrtuar edhe 40 ankesa të tjera, për të cilat, sipas tij, shpejt do të dilet me vendime.

“Në afatin më të shkurtër ligjore do të vendoset për të gjitha lëndët dhe do të njoftohen palët me vendimet”, tha Desku.

Ky Panel ka bërë të ditur se shumica e ndëshkimeve ndodhin për shkak të vendosjes së posterëve në hapësira publike, por edhe shkelje të tjera.

Ndonëse kanë mbetur me pak se 10 ditë deri në ditën e zgjedhjeve, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare thonë se nga monitorimet e bëra në fushatën parazgjedhore janë bërë ankesa të ndryshme.

Florent Spahija, këshilltar ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se të gjitha subjektet politike në bazë të ligjit janë të obliguara ta paguajnë borxhin e shqiptuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ai tha se këto dënime të shqiptuara për partitë politike duhet të kuptohen edhe si thirrje për respektimin e kodit të mirësjelljes në zgjedhje.

“Deri më tash ne si Demokraci në Veprime kemi dërguar në PZAP 24 ankesa për shkelje të kodit zgjedhor dhe ato kanë të bëjnë me vendosjen e posterëve, po kemi pasur edhe një ankesë për nxitje të gjuhës së urrejtje nga kandidatët të cilët përmes Facebook-ut kanë nxitur urrejtje”, tha Spahija.

Ai ka vlerësuar se dënimet të cilat është duke i shqiptuar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duhet të jenë të larta në mënyrë që partitë politike të vetëdijesohen dhe mos të bëjnë gabime të cilat përsëriten proces pas procesi zgjedhor.

“Atë çka duhet ta bëjë PZAP-i, është që të vazhdojë me dënime të larta, në mënyrë që partitë të vetëdijësohen për formën dhe mënyrën sesi duhet të respektohet kodi zgjedhor”, tha ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 91 subjekte politike, prej tyre një koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur për kryetarë komune apo për Kuvende Komunale, në komuna të ndryshme.

Pendohet Thaçi, thotë se u keqkuptua qëllimisht deklarata e tij për Specialen

Presidenti Hashim Thaçi, ka reaguar tri ditë pasi kishte mbajtur një fjalim për Gjykatën Speciale, në të cilën ai dërgoi kritika në adresë të Bashkimit Evropian. Presidenti thotë se u keqkuptua qëllimisht dhe për këtë ai publikoi të plotë fjalimin e mbajtur më 9 tetor

Presidenti Hashim Thaçi, të hënë mori pjesë në një konferencë, në të cilën po diskutohej për ‘Perceptimin publik të Gjykatës Speciale: rreziqet dhe mundësitë”.

Pas deklaratave në konferencës, ku përmendi ndikimin e Bashkimit Evropian dhe ‘disa premtime’ që BE ia kishte bërë Kosovës në këmbim të Gjykatës Speciale, e që nuk i kishte mbajtur, pasuan shumë reagime ndaj të Presidentit Thaçi.

Ky është shkrimi i plotë i Thaçit:

Qytetarë të nderuar,

Më poshtë mund të gjeni fjalën time të mbajtur më 9 tetor 2017 në konferencën me rastin publikimit të raportit “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale: rreziqet dhe mundësitë”.

Çuditërisht ky fjalim, që bazohet në të gjeturat e raportit të publikuar, ka nxitur një debat të gjerë publik dhe është përcjellë me komente dhe reagime të ndryshme.

Në rastin më të keq, disa nga reagimet ndaj këtij fjalimi janë pasojë e keqkuptimeve edhe të qëllimshme.

Prandaj po e publikoj në tërësi. HTH

Sot është një mundësi e re për të diskutuar për një çështje aq të rëndësishme siç është ajo që në zhargonin e përditshëm tani njihet si “Gjykata Speciale”.

Kemi dëshmuar tanimë se do të prekim çdo temë dhe do të diskutojmë për çdo temë.

Kemi dëshmuar se në shoqërinë tonë nuk do të ketë tabu.

Sepse e dimë se aty ku nuk ka komunikim, aty ka konflikt. Aty ku paragjykimet dhe injoranca mbizotërojnë, aty ka konflikt.

Sot do të diskutohet për “Gjykatën Speciale”, për atë se çfarë dimë e çfarë nuk dimë për të, çfarë presim prej saj, por mbi të gjitha për atë se çfarë ndikimin mund të ketë ajo në shoqërinë tonë.

Siç tregojnë edhe të gjeturat e juaja, ekzistojnë keq-informata, pritje jo-reale, dezinformata të qëllimshme, për atë se çfarë është dhe çfarë do të sjellë Gjykata Speciale.

Në rrethana të tilla, vështirë se Gjykata Speciale do të mund të arrijë të bëjë atë që synon, të forcojë ndjenjën e drejtësisë për viktimat e luftës por edhe për të gjithë ata që janë angazhuar dhe vazhdojnë të angazhohen për drejtësi dhe barazi para ligjit për të gjithë.

Janë gati dy dekada që ka përfunduar lufta në Kosovë por shumë plagë nga lufta mbesin të hapura.

T’i kujtojmë brengat e familjeve me persona të pagjetur, që ende nuk kanë gjetur prehje.

T’i kujtojmë viktimat e dhunës seksuale, që vetëm tani kanë pranuar të njihen si viktima dhe të kuptohen vuajtjet e tyre.

Por, kjo vlen edhe për familjet e viktimave që ende nuk kanë marrë drejtësi për vuajtjet që u janë shkaktuar.

Kemi shënuar hapa të rëndësishëm në të drejtën për drejtësi, në të drejtën për të ditur, në të drejtën për reparacione si dhe në ndërtimin e mekanizmave që do të garantojnë se lufta më nuk do të përsëritet.

Kur jemi tek e drejta për drejtësi, janë pesë mekanizma që kanë vepruar në Kosovë tashmë e dy dekada me mandat ekzekutiv ndërkombëtar.

Gjykatat e Kodovës, Gjykatat e UNMIK-ut, ato të EULEX-it, Tribunali i Hagës, dhe tani Gjykata Speciale.

Përkundër tërë përpjekjeve, ende ka ndjenjë se nuk është bërë mjaft drejtësi. Pritjet jo-reale për Gjykatën Speciale mund të zbehin përpjekjet e saj.

Rrjedhimisht, kjo do të zbeh besimin në tërë sistemin e drejtësisë, kosovare e ndërkombëtare.

Hulumtimi juaj ka zbuluar shumë nga këto sfida por edhe jep rekomandime si të ballafaqohemi me këto sfida.

Por, në këtë fushatë duhet të përfshihet jo vetëm vet Gjykata Speciale por edhe politika, institucionet shtetërore, shoqëria civile, mediat, bota akademike.

Gjykata Speciale është një avantazh për Kosovën. Një mundësi për të forcuar ndjenjën e drejtësisë në Kosovë.

Më lejoni të fillojmë diskutimet rreth raportit tuaj për perceptimet e opinionit publik rreth Gjykatës Speciale.

– Sipas opinionit publik të përgjithshëm në Kosovë dhe faktorëve relevantë ndërkombëtarë, publikim mi i Raportit të Dick Martit nuk ka qenë aksidental, por i motivuar politikisht.

– Votimi i shpejt e shpejt në Këshillin e Evropës nuk ka qenë i rastësishëm, në kohën kur në Kosovë zhvilloheshin negociata për krijimin e qeverisë së re.

– Publikimi i pjesëve të raportit paraprakisht në disa mediume ndërkombëtare me ndikim nga oligarkët rusë, në Kosovë është i kuptueshëm pse ka ndodhur.

– Pa titull, raporti për “Trafik organesh nga lidershipi i Kosovës” ky raport nuk do të kishte kuptim as jehonë, qoftë brenda qoftë në opinionin publik ndërkombëtar, ashtu siç nuk do të kishte kuptim libri i Carla del Pontes pa përmendur shtëpinë inekzistente fantazmë, Shtëpinë e Verdhë.

– Raporti është shprehje e mllefit ndaj kontributit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo nuk ishte e rastësishme, sepse shkruhej nga një njeri që ishte hapur kundër bombardimeve të NATO-s dhe pavarësisë së Kosovës.

– Me bërjen publike të raportit deklarova se do ta padisim Dick Martin, ndërkohë, dihej se senatori kishte imunitete si euro -deputet, prandaj padia nuk ndodhi.

– Institucionet e Kosovës këtij raporti iu përgjigjën me përgjegjësinë më të lartë shtetërorë dhe demokratike. I dhanë mbështetje drejtësisë ndërkombëtare për hetim.

– Vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale, erdhi si nevojë politike ndërkombëtare, e aktorëve ndërkombëtarë, se sa për drejtësi.

– Pranimi ynë ndodhi në rrethana imponuese diplomatike ndërkombëtare nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtar, me arsyetimin se duhet ta “kënaqim” Beogradin dhe Rusinë, që kjo çështje të mos delegohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

– Që ta ruaj partneritetin strategjik me SHBA-në BE dhe NATO-n pranova që të udhëheq një proces të padrejtë historik ndaj Kosovës, përkundër opinionit masiv politik ndaj kësaj Gjykate.

– Na u premtua nga bashkësia ndërkombëtar se do te mund te aplikonim për anëtarësim ne Këshillin e Evropës, që do të ndodhte, liberalizimi i shpejtë i vizave, që do të kemi mbështetje masive për anëtarësim ne UNESCO, se do të themelonim Forcat e Armatosura të Kosovës shpejt, si dhe do te kemi njohje te reja.

– Kosova mbajti fjale themeloni gjykatën. Bashkësia ndërkombëtare asnjë nga këto premtime nuk i realizoi përkundrazi Kosovës iu vështirësua rrugëtimi euroatlantik.

– Kosova, si asnjë vend tjetër në rajon bashkëpunoi më Gjykatat ndërkombëtare.

– Për dallim nga Serbia Bosnja dhe Kroacia është fakt i mirënjohur tashmë se të gjithë të akuzuarit u dorëzuan vullnetarisht në Hagë.

Kosova u tregua më lojalja, por u ndëshkua më së shumti.

– Një miku im, që është këtu i pranishëm, duke diskutuar rreth Gjykatës speciale u thashë se ajo është gjykatë hibride. Ai u përgjigjej Jo nuk është hibdride, sepse vetëm ligjet janë të Kosovës, prokurorët dhe gjyqtarët janë ndërkombëtarë, ndërsa 80 mijë informata, raporte dhe dosje janë dorëzuar nga Beogradi, duke përfshirë edhe pjesë nga Raporti i Dick Martit.

– Sa i përket Gjykatës duhet ta themi saktë atë që dimë. Gjykata Speciale do t’i shqyrtojë vetëm pretendimet e ngritura për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, aq sa di unë.

– Gjykata Speciale ka bashkëpunim maksimal dhe reciprok me Serbinë dhe Zyrën për krime lufte në Beograd, të dhëna këto të deklaruara nga Gjykata por edhe nga autoritetet e Beogradit.

– Me Kosovën bashkëpunimi është minimal, simbolik dhe i njëanshëm. Të mos themi se nuk ka bashkëpunim fare, ka informim minimal procedural nga Gjykata për autoritetet nga Kosova.

– Autoritetet në Beograd pretendojnë se e dinë se kush do të akuzohet dhe pse do të akuzohet nga shqiptarët e Kosovës.

– Dëshiroj të shpreh konsideratë për qeveritë rajonale që kanë bashkëpunuar më Gjykatën, për atë të Shqipërisë dhe të Malit të Zi.

Pra, duhet ta themi atë që dimë dhe ta themi saktë.

Gjykata Speciale do të merret vetëm me krimet e supozuara vetëm individët pjesëtarë të UCK-së.

Kjo rezulton edhe në gjetjet tuaja se rreth 80 përqind e qytetarëve e shohin si të padrejtë dhe nuk kanë besim në këtë Gjykatë, ndërsa serbët besojnë plotësisht, sepse janë të informuar saktë se asnjë serb nuk do të jetë i akuzuar.

Pra është gjykatë një etnikë.

Mbi 50 përqind e qytetarëve janë të gatshëm të hidhen në protesta, sepse janë të vetëdijshëm se kjo Gjykatë do të merret vetëm me shqiptarë dhe asnjë serb.

Pra, nuk do të shqyrtohet asnjë nga 400 masakrat e kryera në Kosovë nga shteti i Serbisë.

Nuk do të merret me asnjë nga rastet e mbi 20 mijë dhunimeve të grave në Kosovë.

Me asnjë rast të 12 mijë shqiptarëve të vrarë dhe as me rastin e 2500 personave të zhdukur shqiptarë.

Kjo Gjykatë nuk do të merret me asnjë krim të Serbisë në Kosovë.

Si President i vendit jam i përkushtuar për të vërtetën dhe pajtimin.

Por, Gjykata Speciale do të jetë vetëm një pikë drejtësi në detin e padrejtësive në Kosovë.

Shtrohet pyetja a do ta nxjerr të vërtetën dhe do ta sjell pajtimin ndëretnik kjo Gjykatë?

Për të “vërtetën” e saj fola më lart.

Të dhënat tuaja flasin se shqiptarët sa më tepër dhe sa më saktë që po informohen, pakënaqësia e tyre po rritet, ndërsa tek serbët dhe Serbia po rritet entuziazmi.

Për mendimin tim kjo po lëndon përpjekjet për pajtim ndëretnik dhe stabilitetin social dhe politik të Kosovës.

Të gjithë flasim dhe punojmë që askush të mos jetë mbi ligjin.

Tani ky mesazh nga shqiptarët shihet me mosbesim të theksuar, sepse duke qenë një etnike, ata po e kuptojnë se imunizohen kryerësit e gjenocidit mbi popullatën e Kosovës.

Kjo Gjykatë mendohet se mund të sjellë një masë drejtësie në Kosovë.

Jam i sigurt se do të sjell dialog kuptimplotë, siç e keni theksuar edhe ju, lidhur me faktet historike për periudhën e luftës.

Në një debat që kish këto ditë një student m’u drejtua: Kjo gjykatë mund të sjell privim të disa individëve nga liria, për një kohë të caktuar, por jo drejtësi dhe pajtim ndëretnik. Sipas tij kjo Gjykatë do të ndaj edhe më shumë komunitet shqiptare dhe serbe edhe më shumë.

Se a do të ketë ndikim pozitiv politik dhe shoqëror, pritet të shihet.

Ju faleminderit!