“U e dua Çamërinë”: Piktorët “sjellin” ilegalisht shtëpitë e shkatërruara nga Parga, Suli e Vola

Në Muzeun Historik Kombëtar një ekspozitë e pazakontë për Çamërinë; Shpëtim Idrizi: Sjellim Çamërinë ashtu siç e kemi lënë ne, me shtëpitë e rrënuara dhe portat të cilat presin të zotët e tyre. Të gjithë shkojnë dhe e shohin Çamërinë sot, por asnjë nuk duhet ta mbulojë atë me harresë

Një koloni piktorësh shkuan si pushues në Greqi, dhe sollën Çamërinë në telajo. Misioni ishte krejtësisht i “fshehtë”, për të kaluar nëpër vendet ku gjurmët e gjenocidit grek ndaj popullsisë çame ruhen ende të gjalla. Autoritetet greke e ndalojnë aty si filmimin ashtu dhe sidomos pikturimin. Kolonia është rikthyer pak ditë më parë, pa treguar në kufirin grek për projektin. Piktorët pasi kanë udhëtuar me koloninë e tyre në disa zona të Çamërisë; në Pargë, Volë dhe Sulë kanë risjellë prej andej bukuritë e patjetërsuara, peizazhet mahnitëse si dhe gjurmët e pandryshuara të trashëgimisë historike, si këto vise shihen sot me sytë e piktorëve.

Kjo panoramë është ekspozuar dje në Muzeun Historik Kombëtar në rastin e javës çame, duke dëshmuar dhe “sakrificën” e sjelljes prej andej të pikturave.

Ideatori i ekspozitës, Alket Veliu u shpreh: “Çamëria deri sot është prezantuar e cunguar, për shkak të dhunës së ushtruar nga qeveria greke. Deri tani është bërë e mundur të flitej përmes historisë, këngës dhe valles por nuk janë lejuar ta shkelin, vetëm e vetëm për ta harruar Çamërinë. Lufta ka qenë më shumë se një shekull, dhe ja ku jemi në Pargë dhe Volë. Në kalanë e Qafës, në Sulin e luftëtarëve çam që u quajtën grek për kontributin e tyre në revolucionin e këtij vendi. Për çamët që nuk e humbën gjuhën e traditat, krijuam këtë ekspozitë”.

Janë ngjyra jete e dhimbje që prezantojnë sot Çamërinë, blunë joniane të mbushur me pllajat e ullinjve qindravjeçarë, vendin qëndrestar me shtëpitë e ndërtuar nga paraardhësit. Ndërsa artistët që realizuan këtë udhëtim ishin të rinj, duke iu bashkuar me punët e tyre dhe artistë si Pashk Përvathi, Kujtim Buza, Nikolin Ivanaj, Agron Dine, Edmond Kojani, Xheneta Kadillari, Nexhmedin Musai etj.

Janë kala e shtëpi, toka për të cilën ende mbetet një prej nyjeve historike më të dhimbshme, ku shpresohet se do merren sërish nga pasardhësit. Ndërsa kryetari i partisë së çamëve, PDIU, Shpëtim Idrizi duke vlerësuar si të jashtëzakonshme këtë ekspozitë, në formën se si është sjellë Çamëria dje dhe sot, u shpreh se “Gjenocidi mbi shqiptarët e Çamërisë nuk është vetëm fotografi e së kaluarës, por është Çamëria e mbetur gjallë, të cilët ne nuk harrojmë. Ne atje kemi të parët tanë, varret dhe shtëpitë. Ne e dimë shumë mirë që kënga, vallet, historia kanë qenë të gjalla, dhe kanë karakterizuar krahinën e Çamërisë si pjesë e kolanës së vlerave shqiptare. E kemi sjellë Çamërinë gjatë gjithë kësaj historie pikërisht për të luftuar paradigmën e harresës. Neve të gjithë na kujtohet vallja e Osman Takës, apo shumë valle e këngë që janë në memorie të të gjithë shqiptarëve.

Këtë herë donim të sillnim Çamërinë, falë këtyre piktorëve të jashtëzakonshëm, Çamërinë ndryshe, të bukur që kushdo që e sheh e kupton çfarë vlerash ka ai vend. Por edhe Çamërinë ashtu siç e kemi lënë ne, me shtëpitë e rrënuara, me portat e vjetra të sjellë shumë bukur në këto pikura. Megjithëse na kanë sjellë shtëpi të rrënuara nga Çamëria ato janë prapë në këmbë, të forta dhe presin të zotët e tyre. Kjo u bë falë piktorëve, dhe njerëz të jashtëzakonshëm. E kemi quajtur ekspozitën U e dua Çamërinë, duke e sjellë në dialektin çam”. Duke kujtuar se kjo ekspozitë është shenjë e simbol për të mos lënë në harresë çështjen çame, Idrizi tha se “këta piktorë kanë shkuar në Çamëri dhe kanë parë atje jo vetëm bukuritë e saj, por u kanë sjellë pasardhësve, shumë më të afërt, dhe të drejtpërdrejtë një vend të jashtëzakonshëm. Të gjithë shohin Çamërinë, e takojnë shqiptarët e saj por asnjë nuk duhet ta mbulojë Çamërinë me harresë, as miqtë dhe as armiqtë”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 27 qershor.

Kulturë dhe rrjete sociale: I quajmë ‘djem’ edhe mbi 30 vjeçarët

Një intervistë me Walter Siti. Flet shkrimtari, që sapo ka nxjerrë në botim librin “Pagare o non pagare”. “Po përjetojmë një frakturë gjithnjë e në rritje midis losers dhe winners, do të jetë gjithnjë e më e vështirë që ta riparojmë”

“Pa njohur çmimin e vërtetë të gjërave, do të përfundojmë duke mos njohur më as vetëveten”. Është ky opinioni i kritikut letrar, pedagogut universitar dhe shkrimtarit Walter Siti, i cili sapo nxjerrë në botim librin “Pagare o non pagare” (Botimet Nottetempo), ku tregon vizionin e tij për raportin tonë me paratë, vështirësitë e riteve të kalimit në moshën e rritur dhe se çfarë mendon për krizën, jo vetëm ekonomike, por edhe sociale e politiko – institucionale.

Pse në vitet Gjashtëdhjetë e Shtatëdhjetë fjala “të paguash” mund të ngjallte ndjesi positive, ndërsa sot merr një farë konotacionu të zymtë?

Nuk e di nëse ngjallte ndjesi pozitive për këdo, por sigurisht që ngjallte për një klasë shoqërore në mënyrë të veçantë: proletariatin, që në ato vite po përjetonte ngritjen e tij. Kushdo, si puna ime, që në 1968 ishte në të 20-at ishte i bindur se situate do të ishte më e mirë se ajo e prindërve të vet. Sigurimi i një posti me përgjegjësi dhe i një rroge që të garantonte pavarësi ekonomike shërbente për të afirmuar një kapërcim të vogël klasor, ama përbente një rit kalimi në moshën e rritur. E gjitha kjo, qysh kur ashensori social ka pushuar së funksionuari, nuk ekziston më. Në gjendjen aktuale, vendi ynë ndjehet i rënduar nga një borxh që, duke u ankuar çdo ditë, shitet si mëkat kapital. Veç kësaj, korrupsioni – që ka ekzistuar gjithmonë, por për të cilin ka nisur të flitet më shumë nga vitet Tetëdhjetë – ka treguar sesa rrënjët e tij kanë qenë të penetruara në klasën drejtuese e vendit tonë. Fjala “të paguash” është bërë sinonim i “bakshishit”. Fjala “të paguash” të bën të mendosh se ai që hap portofolin është gjithmonë ai që nuk do të duhej.

Ju sapo keni folur për hyrjen në moshën e rritur: çfarë diference shikoni midis të rinjve të bumit ekonomik dhe atyre të sotëm?

Në vitet Gjashtëdhjetë, një 30 vjeçar ishte një i rritur i formuar, me një stabilitet familjar dhe pune. Bëhej fjalë për persona që qenë shkëputur nga prindërit për të ndërmarrë një rrugëtim jete të pavarur. Kurse në ditët e sotme 30 – 35 vjeçarët konsiderohen akoma si kalamaj. Patjetër, kjo i detyrohet plakjes së popullsisë, faktit që papunësia dhe përkohshmëria i pengojnë të rinjtë në projektet e jetës familjare. Jo rastësisht, edhe mosha e mëmësisë është spostuar: nëqoftëse do të përdornim akoma gjuhën e viteve Gjashtëdhjetë, pjesa më e madhe e mamave të sotme do të ishite “primipare attempate“. Kam edhe përshtypjen se tashmë gjithçka është kalamanizuar: rrjetet sociale dhe kultura që transportohet nëpërmjet media të reja tentojnë ndaj menjëhershmërisë dhe thjeshtëzimit, dy tipare të lidhura më shumë me moshën fëminore sesa me atë të rritur. Ndjesia ime si 70 vjeçar është se ritet e kalimit në moshën e rritur kanë marrë vlerë më shumë individuale sesa breznore.

Pse sot është bërë kaq e vështirë të përcaktohet çmimi i gjërave?

Konsumizmi gëlues i viteve Tetëdhjetë e Nëntëdhjetë dhe shoqëria e spektaklit kishin prodhuar një iluzion të madh: mendonim se mund të blenim në pafundësi, se gjithçka e kishim në pëllëmbë të dorës. Kjo ëndërr pafundësia ka ardhur duke u ndeshur me krizën ekonomike: paratë, mbi të gjitha për klasat shoqërore që do të tentonin kapërcimin, nuk ekzistojnë më. Atëhere e gjitha kjo kërkohet që të zbutet me kërkimin e dhuratave, promocioneve, zbritjeve. Lejtmotivi i reklamave ka mbetur njëlloj: “Dëshiro pafundësinë”, na thonë. Por sot kjo pafundësi është e pakapshme, shikohet në mënyrë ireale dhe çmimet janë bërë të paqartë. Në kohën time, ishte akoma e vlefshme ideja marksiste sipas së cilës çmimi i një gjëje përcaktohej mbi bazën e sasisë së punës së bërë për ta prodhuar. Karshi vlerës së përdorimit, sot vlen më shumë vlera e shkëmbimit, statusi i garantuar nga ai objekt i caktuar. Kësaj i shtohet fakti që produktet realizohen në vende që nuk i njohim, nga njerëz që nuk i njohim, në kushte shfrytëzimi, ndoshta duke shkaktuar dëme ekologjike në vende që duhen ruajtur. Për shembull, dëmi mjedisor duhet të përfshihet kur caktohet çmimi i produktit. Deduktojmë sesa është e vështirë të llogaritet çmimi i vërtetë i gjërave në gjendjen aktuale. Dhe kam frikë se kur nuk njihet çmimi i vërtetë i gjërave që na rrethojnë, në fund nuk arrihet që të njihet më as vlera e vetes tonë.

Ju keni përdorur fjalën “krizë” duke ju referuar aspektit ekonomik, por asnjëherë si në këtë moment historik termi të sjell në mendje situatën politiko – institucionale. Çfarë mendoni për fazën që po kalon vendi jonë?

Besoj se kriza politiko – institucionale nuk është gjë tjetër veçse simptoma e një sëmundjeje më të thellë, efektet e të cilës do të vazhdojnë që të ndjehen. Është përhapur një koncept i çuditshëm transparence: ato që e përhapin janë madje manovrat e pallatit, proverbialisht sekrete. Nëqoftëse gjithçka bëhet publike, përfshi paktet historikisht të heshtur, ekziston rreziku që çdo gjë të përfundojë duke u konsideruar “pazar” dhe që askush nuk do të dojë të damkoset si ai që i ka ceduar kompromist. Është një shtëpi prej xhami që nuk mund të ndërtohet. Kam përshtypjen bile që deri të majtat europiane po bëjnë një përpjekje me qëllim që oligarkia financiare ta pengojë rebelimin e masave. Është sikur demokracia të kishte humbur terren në mënyrë graduale: nga njëra anë është oligarkia financiare botërore, nga ana tjetër kush vihet në krye të masave, të treguar si “popull”. Në këtë kontrast, sistemi demokratik – që do të parashikonte praninë e individëve të informuar, në gjendje që të ushtrojnë të drejtën e votës dhe të përcaktojnë – nuk ka sesi të mos jetë në krizë.

Në finalen e “Pagare o non pagare” përshkruhet një ndarje midis elitave dominuese dhe popullit. Sa e pasqyron këtë imazh situata aktuale?

Finalja ime është një element distopik, provokues. Gjithsesi, mendoj se hendeku midis të pasurve e të varfërve në Perëndim po vjen duke u zgjeruar tashmë prej 20 vitesh, në mënyrë të pavarur nga qeveritë e veçanta e shteteve të veçantë. Për të përdorur një amerikanizëm, jetojmë një frakturë të në rritje midis losers dhe winners, midis atyre që qëndrojnë sipër dhe tyre që qëndrojnë poshtë. Dhe, dora dorës, do të bëhet e pamundur që të gjendet një pikë kontakti mdisi dy botëve. Disa ditë më parë, më ka rënë në dorë një artikull interesant lidhur me kufijtë e inxhinierisë gjenetike: lexoja se, falë dijeve gjithnjë e më të mëdha lidhur me strukturën e AND-së, mund të kushtëzoheshin deri karakteristikat e të lindurve. Kush do të donte, me pagesë, mund të zgjidhte ngjyrën e flokëve, të syve, gjatësinë dhe deri koeficentin intelektual të fëmijës. Sikur kjo perspektivë shqetësuese të bëhej realitet, atëhere do të mund të postulonim deri lindjen e dy racave: nga njëra anë, një super – racë të gjatësh, të bukurish e inteligjentësh dhe nga një tjetër të shkurtërish, të shëmtuarish dhe paksa budallenjsh, ndoshta të ngarkuar më punë skllavëruese. Në këtë kuptim, frika e distopisë nuk është edhe aq e pavend.

(nga HuffPost)

Troja, lindi Romën apo Orikumin?

Pjesa jug-perëndimore e vendit njihet jo vetëm për plazhet e bukura dhe ujin e kristaltë, por edhe për historinë e pasurinë e saj që në antikitetin e hershëm. Një nga vendet më të rëndësishëm dhe që ka pasur një rol strategjik gjatë gjithë kohës është pikërisht qyteti i Orikumit, ose ndryshe i quajtur Pashaliman, porti detar i Jonit dhe Adriatikut

Për herë të parë Orikumi përmendet nga gjeografi dhe historiani grek Skylaksi, shek. VI-V p. Krishtit në veprën e tij “Lundrimi”. Sipas legjendës, fisi pellazg i Eubeasve, pas shkatërrimit të Trojës, kthehet në tokat e të parëve dhe themelojnë qytetin e Orikut në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokaster.

Duke marrë parasysh që ishte një qytet i cili kishte dalje në dy dete të rëndësishëm për kohën, do të bënte që qyteti i Orikut të ishte një qendër me vlera të larta dhe sigurisht me një arkitekturë të veçantë. Kjo vihet re në mënyrën se si ishte ndërtuar qyteti dhe gjithë çfarë mbante brenda. Një nga ndërtesat ka qenë edhe teatri Antik i Orikut, i ndërtuar në shek. III-II p. Krishtit, i cili vjen gati identik me teatrin ë Trojës.

Kapaciteti i Teatrit shkon nga 400-600 spektatorë dhe është përdorur për mbledhje publike e për shfaqje të ndryshme. Madje në epokën romake ( shek. III-I p. Krishtit) janë organizuar edhe ndeshje me gladiatorë dhe kafshë të egra dhe kjo dallohet vetëm 40 metra në jug-perëndim të teatrit ku mund të shikosh fare mirë vendndodhjen e Altarit. Thuhet se para se të fillonte një mbledhje, ceremoni ose shfaqje në Teatër bëhej theroria e zakonshme në Altar. Pastaj fillonte shfaqja.

Akropoli- Në faqen lindore të Akropolit zbresin dy palë shkallë të gdhendura në trupin shkëmbor të kodrës, me gjerësi 2.5 metra që kufizojnë ambiente godinash publike, të gdhendura thellë në gurë me dimensione të ndryshme. Pusi antik nr.1 është i gdhendur në trupin shkëmbor të Akropolit. Përdorej për ujë të pijshëm në raste kur ujësjellësi binte në dorë te armikut.

Pusi antik nr.2 është më i ruajtur. Tullat e murit dhe të dyshemesë ruhen pjesërisht.Puset antik nr3 dhe 4 ndodhen e pjesën jugore dhe Jug-Perëndimore të Akropolit.

Një shpellë shumë e rëndësishme ka qenë edhe ajo e Gramës e cila ndodhet në bregun perëndimor të gadishullit të Karaburunit e ku ruhen rreth 2000 mbishkrime të cilat datohen nga shek. IV para Krishtit deri më tani. Shpella e Gramës ka qenë e shfrytëzuar si gurore për ndërtime publike. Shpella vetë ka ambiente të brendshme qe janë përdorur si objekte kulti.

Duket qenë se pozicioni i saj ishte strategjik, u shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonasve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.

Flota maqedonase e Aleksandrit të Madh e pushtoi në vitin 214 p.e.r e në shekullin e lll p.e.r preu monedha me emrin e bashkësive qytetare. Në shekullin e ll p.e.r u dëmtua nga një tërmet i rëndë, u rindërtua dhe fortifikua në shekujt e V-Vl.

Në kohën bizantine dhe në mesjetë njihet si një port i vogël me emrin “Jeriko”. Në shekullin e Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin e Marisë.

Parku Arkeologjik i Orikumit, me qytetin e fortifikuar, akropolin e teatrin, portin, shkallët shkëmbore, altarin, oborrin e pusit dhe tempullin, dëshmon për një zhvillim të hershëm të jetës qytetare. Shtrirja e tij midis gjirit të Vlorës dhe lartësive me pyll pishe të Llogarasë, me një peizazh të larmishëm, me florë e faunë të pasur, përbën një destinacion të kërkuar nga të gjithë në të gjitha kohërat. /konica.al/

Festivali shqiptar mbush sheshin qendror te Detroitit

Nisma për të mbledhur çdo vit këngëtarë dhe valltarë shqiptarë në sheshin Hart Plazza të Detroitit hyri në vitin e tretë

Sheshi që përdoret zakonisht për grupe të medha amerikane të rokut apo teknos, po pret këtë qershor muzikën shqiptare me disa nga interpretuesit më të mirë që ofron ajo.

Hart Plazza ndahet vetëm nga nje brez i vogël uji nga Kanadaja dhe ky është një rast i mirë që në festival të vijnë edhe shqiptarë nga ana tjetër e kufirit.

Bordi i Festivalit është kujdesur të sjellë muzikë dhe valle nga të gjitha trevat shqiptare.

Organizatorët thonë se qëllimi kryesor është për të mbajtur të afruar komunitetin dhe për t’i treguar botës se shqiptarët kanë mjaft për të ofruar përsa u përket vlerave të kulturës.

Në fakt, sipas organizatorëve shqiptarët janë sot për sot të vetmit që mbajnë një festival etnik në qendër të Detroitit.

Shoqatat dhe biznesmenët që mbështesin këtë festival i thanë Zërit të Amerikës se shpresojnë ta bëjnë Festivalin një ngjarje të rregullt të përvitshme, duke u nisur nga interesimi i shtuar që pati këtë vit.

Pasi grupet muzikore mbaruan interpretimin, sheshi i festivalit u hap për të gjithë të pranishmit.

Spiro Konda, i pari shkencëtar që mbrojti tezën e prejardhjes së shqiptarëve nga Pellazgët

“Profesor Konda shkencetari i pare i pellasgjishtes” nga Apostol Bitraku

Vargjet e eposit homerik:” O mbret Zeus dodonas pellazgjik” dhe “ popull hyjnor i pjellë drejt për drejt nga dheu”, do të ishin hapi i parë nga u nis ai fillimisht për rrugën e gjatë e të vështirë.

– Duke shfletuar veprën e tij “ Shqiptarët dhe problemi pellazgjik”-

– Vepra e prof. Kondës, nën ndikimin e Eqerem Çabejit u la qëllimisht, për gati 40 vjet, në harresë.

– Edhe sot nën ndikimin e çabejistëve vepra vazhdon të “harroet”

HAPI I PARË

Sa herë kujtojmë veprën e studiuesit , filologut dhe historianit të mirënjohur korcar Spiro Konda, mendja na shkon menjëherë tek vepra e tij madhore e voluminoze“Shqiptarët dhe problemi pellazgjik “ botuar në vitin 1964. Spiro Konda u mor qysh herët me problemin pellazgjik. Që kur ishte student në Universitetin e Athinës, ku u diplomua për filologji klasike, u njoh dhe u miqësua me disa autoritete shkencore të atij Universiteti si prof. Haxhillaqis dhe prof. e arkeologjisë me origjinë shqiptare Dhimitër Arvaniti.

Këta ishin studiues të njohur, shkencëtarë seriozë dhe shpallën se problemi pellazgjik është i lidhur dhe zbërthehet në shuma aspekte vetëm me gjuhën shqipe. Po kjo tezë e tyre, që ata e shpallën në formë manifesti, jo vetëm nuk u mirëprit, po përkundrazi u anatemua nga qarqet shoviniste greke që , me dashje dhe qëllime të caktuara, ngatërronin shkencën me politikën.

Megjithëkëtë, për të riun Spiro Konda, pellazgët mbetën në kujtesë dhe do të përbënin qëllimin e punës së tij kërkimore shkencore gjatë gjithë jetës së tij.Vargjet e eposit homerik:” O mbret Zeus dodonas pellazgjik” dhe “ popull hyjnor i pjellë dret për drejt nga dheu”, do të ishin hapi i parë nga u nis ai fillimisht për rrugën e gjatë e të vështirë. Shprehja “ i lindur prej dheut “ kishte rëndësi se në kohët shumë të lashta parahistorike njerëzit besonin se kur dheu nuk qe forcuar ende, po ndodhej në gjendje baltike, njerëzit dhe kafshët lindnin prej tij të gjallë. Kur dheu u forcua nga dielli dhe erërat, atëhere njerëzit dhe kafshët po lindnin me anë të martesës. Pra “ i lindur prej dheut”, do të thotë i vjetër, autokton.

TEZA DHE KUNDËRTEZA

Pellazgët dhe problemi pellazgjik, një cështje tepër e vështirë dhe e ngatërruar.Cështja pellazge është trajtuar para rilindasve tanë nga autorë të huaj, sidomos nga grekët e lashtë.Bibliografia për këtë problem është shumë e gjërë, e pa fund.Janë ngritur teza e kundër teza, nga një herë të cuditëshme e të pa besueshme. Është arritur deri atje sa është vënë në dyshim edhe egzistenca e tyre.

Sipas disave, pellazgët janë konsideruar si krijim i imagjinatës së logografëve të vjetër, nga disa të tjerë si popull historik që ka egzistuar e vepruar para grekëve, nga disa si popull i racës ariane, nga të tjerë si i racës semite. Pra, kjo vorbull mendimesh, faktesh e dokumentash kontradiktore, bëri që për mjaft studiues cështja pellazge të ishte “ tokë e ndaluar”, cështje “tabu”. Shumë pak guxonin ti hynin asaj për vështirësitë që paraqiste. Megjithëkëtë, cështjen pellazge, duke e lidhur me gjuhën shqipe, e ringjallën dhe e publikuan rilindasit tanë të mëdhënj sidomos De Rada, Naim Frashëri, Sami Frashëri në enciklopedinë e tij e tj.

Spiro Konda , sic thotë vetë në veprën e tij, duke u nisur nga mendimi i Aristotelit se fisnikëri është për një komb kur të parët e tij janë autoktonë ose shumë të vjetër në vëndin ku banojnë dhe kur nga gjiri i tyre kanë nxjerrë njerëz që me veprat që kanë lënë, janë për tu patur zili, i hyri punës me dashamirësi dhe si atdhetar i vërtetë për të gjetur fillesën, vjetësinë dhe prejardhjen e popullit të tij, të shqiptarëve.

Dhe që të merresh me historinë e popullit shqiptar që nga prehistoria dhe deri në kohët e vona, sic thotë vetë përsëri autori, duhet të jesh filolog, helenist, latinist, gjuhëtar, glosolog, indolog dhe gjuhën shqipe ta kesh gjuhë amtare dhe ta zotërosh shkencërisht.Dhe këto cilësi i zotëronte në atë kohë, si asnjë tjetër , vetëm profesor Spiro Konda. Ai kishte njohuri të gjëra enciklopedike, vecanërisht në gjuhësi dhe në histori. Zotëronte greqishten e re dhe të vjetër dhe , si asnjë tjetër, kishte përvetësuar në mënyrë të shkëlqyer sanskritishten, gjuhën e përsosur të intelektualëne të Hindisë si dhe frëngjishten, gjermanishten dhe disa gjuhë ballkanike.

Në studimet dhe kërkimet e tij shumëvjecare, Konda u mbështet te autorët e vjetër grekë e latinë që janë marrë e kanë lënë dëshmi të vlefshme për pellazgët dhe në gjuhën shqipe që është celësi i zgjidhjes së këtyre problemeve. Në fillim puna e tij ishte ëndërr, pasion po… pastaj u bë realitet. Ai me guxim shkeli në “ tokë të ndaluar”dhe preku temën “ tabu”. Dhe jo pa sukses.

Me përgatitjen që kishte, me pasion e kembengulje, me punën e një shkencëtari të vërtetë, skurpuloz, pa zhurmë e pa bujë, aty në dhomën e tij të punës, si “ eremit “i vërtetë, studioi me hollësi gjithë historianët e gjuhëtarët e huaj dhe të vendit që janë marrë me historinë e pellazgëve dhe prejardhjen e shqiptarëve që nga Homeri, Hesiodi, Simonidi, Pindari, Tuqiditi, Straboni e mjaft të tjerë të kohëve më të reja. Autorët antikë grekë, në shkrimet e tyre, pellazgët i quanin popullin më të vjetër të Ballkanit dhe të Evropës.

Ata cilësoheshin si popull jo grek dhe gjuha e tyre jo greke. Pellazgët shtriheshin në një teritor të gjërë,” perandoria pellazge,”ku sot banojnë shqiptarët dhe grekët modernë.Për prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, ka pasur mendime të ndryshme kontradiktore.Shqiptarët i kanë bërë dalmatë, kroatë, lolanë, skithë, keltë, persë.

Disa të tjerë i kanë bërë pellazgë, ilirë, po edhe maqedonas e trakë.Edhe për gjuhën shqipe mendimet e historianëve kanë qënë të ndryshme.Ato mund të grupohen në tre grupe.Disa janë të mendimit se shqipja rrjedh nga ilirishtja, disa mendojnë se rrjedh nga trakishtja dhe disa të tjerë kanë shprehur mendimin se gjuha shqipe është një përzierje e ilirishtes me trakishten.

Ka dhe nga ata që me dashakeqësi dhe me qëllime e paramendime të caktuara politike, pa argumenta shkencore, kanë folur keq për shqiptarët duke thënë se raca barbare shqiptare është mbeturinë e ndonjë populli që gjeti strehë në malet e Epirit gjatë përmbytjeve që sollën emigracionet e huaja, pra racë që nuk ka asnjë vlerë e rëndësi.

Megjithëkëto mendime që janë shfaqur, cështja e origjinës së gjuhës shqipe, mbetet ende problem i pa zgjidhur.Konda ju fut kësaj pune të madhe e të vështirë për të provuar e vërtetuar se shqiptarët rrjedhin prej pellazgëve dhe janë autoktonë në vendet ku banojnë sot.

Teza e tij se shqiptarët rrjedhin nga pellazgët dhe glosat e emrat pellazge shpjegohen vetëm me shqipen, realizohet me anën e gjuhëve të krahasuara sanskrite, greqishte e vjetër dhe shqipe.

Duke ndjekur fillin e ndryshimeve fonetike të fjalëve dhe emrave në kohë të ndryshme, shumë fjalë pellazge janë të afërta ose të njëjta dhe shpjegohen vetëm me shqipen. Për këtë autori sjell shumë shembuj, shumë argumenta, shumë fakte, citon shumë autorë dhe , pasi mban qëndrim kritik ndaj disave, jep variantin e atij që i duket më i drejtë.

SHQIPJA ÇELËSI PËR TË ZBËRTHYER FJALËT E VJETRA PELLAZGE.

Është për të theksuar se është karakteristike që në veprën e Kondës për etimologjinë e cdo fjale, sillen aq argumenta, nga një herë edhe 15 ose 20, aq vërtetime e fakte , citohen aq autorë sa nuk lihet asnjë shteg për dyshime. Dhe vërtetimet janë bindëse. Kështu, duke sjellë mjaft fjalë ku shqiptarët “ takohen” me pellazgët, autori arrin në konkluzionin se shqiptarët janë pjestarë të familjes gjuhësore japetike ose indoeuropiane dhe shqiptarët e pellazgët janë të një race.

Këto takime janë të shumta. Fjala – dipatyron – sic e quanin pellasgët perëndinë, korrespondon me fjalën shqipe – de – patër – patër – de = perëndi. Fjala – demetër = dhe – metër, pra dhe – mëmë, me kuptimin – dhe – dheu = mëma e të gjithëve. Fjala pellazge – brazer – takohet me shqipen – burazer që ka të njëjtën kuptim. Etimologjinë e fjalës – pellazg – pas shumë ndryshimesh fonetike, Konda e lidh me fjalën shqipe – pjell = pra lindur jam prej dheut = i dhelindur.

Këto fjalë dhe të tjera, sic do të theksojmë më poshtë, nuk kanë asnjë kuptim e nuk zbërthehen në asnjë gjuhë tjetër, përvec shqipes. Ndryshimet fonetike që kanë pësuar ato, janë plotesisht të justifikuara e janë bërë sipas ligjeve të zhvillimit të brëndshëm të gjuhës shqipe.

Për të vërtetuar vjetërsinë e shqiptarëve Konda u drejtohet historianëve të vjetër grekë e latinë që e kane quajtur vendin ku banojnë sot shqiptarët Iliri dhe Epir.Pra a janë shqiptarët pasardhës të ilirëve dhe epirotasve? Autori për këtë sjell shumë fjalë toponime që, sic thotë ai, janë mjet fort i sigurtë që mbyll gojën e cdo kundërshtari.

Me një punë tepër të kujdesëshme, duke shfrytëzur shumë burime, ai ka mbledhur e ka rreshtuar shumë emra vendesh, fshatrash, qytetesh, detesh, malesh, shkëmbinjsh, emra burrash, grash që hasen në shumë vende të Greqisë së sotme e në ishujt e Mesdheut, pra ku dikur shtrihej “ perandoria pellazge “dhe që shpjegohen me anën e gjuhës shqipe. Janë mjaft të përhapura toponimet që kanë për bazë fjalën shqipe – gur.Gura = mal në Korinth, Gura = fshat në krahinën e Janinës, Gura = qytet në Eritre.

Toponime që kanë për bazë fjalën shqipe – mal.Males = vargmal në Maqedoni, Males = katund në Kretë, Malesina = fshat në Fokidë, Malesiada = fshat në Akarnani. Toponime që kanë për bazë fjalën shqipe – pyll. Peli =fshat në Eube, Pyla = fshat në Qipro, Pylaros = liman në Qefaloni e mjaft fjalë të tjera si dhe emra njerëzish.

Kur toponimet shpjegohen drejt, janë dëshmuese të vërteta që provojnë se atje ku ndodhen ato, banonte populli me gjuhën e të cilit shpjegohen. Toponimet kanë vlerën e zbulimeve arkeologjike që nxjerrin në dritë objekte e dokumenta të popujve parahistorikë , po toponimet na tregojnë edhe emrin, edhe gjuhën që flisnin, pra edhe kombësinë e këtyre popujve.

Të dyja këto, gërmimet arkeologjike dhe toponomet , kur kombinohen drejt, formojnë histori të pa gabuar për popujt. Shkurt, toponimet janë gjurmët e popullit që ka banuar atje ku gjenden këto toponime.

Fjala – gur – që,sic thamë, është rrënjë e shumë fjalëve të tjera e që grekët e kanë – petra- , është fjalë pellazge, për rrjedhoje shqipe dhe është përdorur nga pellazgët në Greqi para se të instaloheshin këtu helenët. Kur erdhën aty helenët, morën nga pellazgët shumë fjalë dhe emra perëndish e u dhanë trajtë greke.Pra kombësia e parë e fjalës – gur – , është pellazge.

Dhe që në Greqinë parahomerike, përpara se të zbrisnin akejtë, para vitit 1500 p. e r .banonin pellazgë, ka dëshmi historike të shumta. Kështu Homeri Argosin e quante pellazgjik dhe jo akaik. Herodoti thotë se para tij Greqia quhej Pellazgjia. Straboni dëshmon se pellazgët , popull i vjetër ishin shtrirë në tërë Greqinë. Pra, konkludon autori dhe lexuesi bindet nga këto dëshmi, del se populli që banonte në Greqi para helenëve, ishte pellazgjik.

Dhe pellazgë kishte kudo. Pellazgë në Beoti, pellazgë në Thesali, pellazgë në Thrakë, pellazgë në Mikenë, pellazgë në Argos, pellazgë në ishujt e Mesdheut, në Delos, në Hidra, në Kupros, në Pesos, Lemnos, Kretë, Kios. Dhe – pyllaion = pyll, oros maleianon = mal, junion pelagos = deti jonik, sic shihet kanë kuptim dhe shpjegohen vetëm me shqipen.

Në kapitullin e dytë të veprës Konda, duke ndjekur gjurmët e shqiptarëve të vjetër ,d. m. th. të pellazgëve, jep edhe shpjegimin dhe etimologjinë e emrave të perëndive greke që, edhe ato , celës për shpjegimin e tyre kanë gjuhën shqipe.

Kështu kryetari i perëndive greke Zeus ka kuptimin – deu – patër = dheu është babai im. Demetra = dhe mëmë, Posejdoni = zot i ujrave e tj. Edhe emrat e hyjnive të tjera greke si Afërdita, Apolloni, Hera, Rea e tj.- zbërthehen dhe shpjegohen vetëm me gjuhën shqipe dhe kanë qënë fjalë pellazge. Sikurse thotë Herodoti emrat e këtyre perëndive grekët i morën nga pellazgët.

Dhe jo vetëm kaq, po pellazgëve u detyrohet tërë qytetërimi i më vonshëm greko – romak. Edhe këtu Konda për etimologjinë , për cdo sqarim të këtyre emrave, u referohet dhe citon tërë studiuesit dhe historianët e më parshëm që janë marrë me këtë problem. Kështu lexuesi ka mundësi të njihet me mendimet e studiuesve të tjerë dhe të krahasojë mendimet dhe variantet e tyre me ato të Kondës.

Në mjaft raste shpjegimet që jep Konda për etimilogjinë dhe kuptimin e fjalëve, në sajë të argumentave të shumta e korrekte që jep, janë më të besueshme e më bindëse se variantet e shumë autorëve të tjerë. Na duket se është mjaft bindës e logjik shpjegimi i etimologjisë së emrit të hyjneshës Athina. Sipas mitologjisë që na e jep Hesiodi, Zeusi e lindi Athinanë nga koka e tij, kurse bijtë e bijat e tjera i ka lindur me gra të vdekëshme dhe hyjnesha të pa vdekëshme. Bile Athinaja lindi e armatosur me mburojë e heshtë.

Konda, nisur nga ky fakt, e lidh këtë etimologji – Athina – me fjalën shqipe – e thëna . Pas ndryshimeve fonetike që ka pësuar ajo, erdhi tek forma – Athenë – që nuk është gjë tjetër vec se fjala shqipe – e thëna, pra arsyeja, mencuria e mishëruar e atit.Athinaja që lindi mga koka e Zeusit, ishte kështu hyji i diturisë, i mencurisë. Dhe Athena ishte perëndeshë pellazgjike.

“Autobiografia perfekte” e Fjodor Dostojevskit

Kush tha që Dostojevski nuk ka bërë kurrë një autobiografi? Dihet botërisht që veprat më të goditura kanë ardhur si pasojë ndodhive të jetës reale, pra të asaj të vetë autorit. Shumë shkrimtarë, por jo vetëm, kanë zgjedhur ta tregojnë vetë historinë e tyre. Nga njëra anë mirë bëjnë, se askush nuk di për ty më shumë se ti vetë, por, nga ana tjetër, a nuk është ky një gjest “i dëshpëruar“ dhe aspak modest

Kur lexon një libër, përfshihesh aq shumë në historinë dhe botën që ai krijon, saqë na duket sikur ai, libri, ka ekzistuar gjithmonë, si element i natyrës, si shpellat apo si pemët, që nuk e dimë kush i krijoi. Harrojmë që atë e ka shkruar dikush dhe as nuk na bie ndër mend të analizojmë se pse dhe ku e ka burimin.

Vetëm pasi lexojmë pak nga jeta e tyre, shpesh aspak e zakonshme dhe e përbërë nga një zinxhir tragjedish, bëjmë lidhjen midis ndodhive të jetës së tyre dhe ndikimit të po këtyre ndodhive tek shpirti i tyre i ndjeshëm artistik.

Kush nga ju ka marrë vesh që Oscar Wild ishte homoseksual vetëm pasi keni lexuar “Portreti i Dorian Greit” dhe s’ka thënë:”E dija!”? Ka qenë mjaft e lehtë të kuptohej dhe që Kafka ka pasur probleme me personalitetin apo që Kamyja ka qenë shumë i ndjeshëm ndaj të ëmës, aq sa nuk mundej as ta shprehte. Këto dyshime janë vërtetuar sapo keni marë vesh që Kamyja ka pasur një baba abuziv dhe që amaneti i fundit i Kafkës ka qenë dëshira që shkrimet e tij, sot kaq të famshme, të digjeshin. E dhimbshme, apo jo? U bënë ata “kurban” që ne sot të kishim me çfarë të mburreshim si specia më e zgjuar mbi Tokë. Por asnjëherë aq të zgjuar sa Dostojevski.

Dostojevski duket sikur e ka ditur që në fillim se çfarë do t’i ndodhte dhe çfarë do të shkruante, dhe ka arritur ta ndajë jetën e tij në copëza pazzëlli tepër të vogla, tëper të komplikuara, pjesët e të cilit i ka futur në çdo vepër të tijën, në përpjesëtim të barabartë. Jo vetëm në çdo vepër, por në çdo personazh ka pak Fjodor.

Më poshtë janë renditur disa nga fragmentet e veprave bashkë me ekuivalencën e tyre me realitetin, pra me jetën e Dostojevskit.

Jeta:

Fjodori, i dyti i shtatë fëmijëve,lindi ne Moskë nga Michail Andrevič, një mjek me origjine lituane e me një karakter ekstravagant dhe despotik që e rrit të birin në një klimë autoritare. E ëma, Marija Fjodorovna Necaeva, vjen nga një familje tregtarësh. Karakteri i saj është i qeshur dhe i thjeshtë, i pëlqen muzika dhe është shumë besimtare. Do të jetë ajo që do t’i mësojë të birit të lexojë duke bërë që të njohë Aleksandr Puškin, Vasilij Žukovskij dhe Biblën.

Vepra:

Në veprën e tij “Adoleshenti”, babai i personazhit kryesor, i përmendur shumë herë me emrin Andrejeviç, luante një rol aspak të dashur për shpirtin e trazuar të adoleshentit, i cili nuk e kishte të lehtë të mësohej më sjelljet kryeneçe dhe egoiste të të atit, pavarësisht se e donte dhe e adhuronte ekstravagancën e tij me nënvetëdije. Në po të njëjtin roman, nëna e adoleshentit kishte vendin e një njeriu të përulur, të dashur dhe të përkushtuar ndaj tij. Në dukje kjo një gjë normale, por që në të vërtetë autori ka qenë duke hedhur në letër vetëm realitetin.

Tek “Idioti” , rolit të nënës së përulur dhe të virtytshme ai i ka vënë pikërisht emrin Maria.

Jeta:

Në moshën 15 vjeçare nëna i vdes nga tuberkulozi. Dy vjet më pas i vdes gjithashtu edhe i ati, një alkolist i dhunshëm, i cili besohet se u vra nga vetë shërbëtorët e tij. Kur merr lajmin e vdekjes të babait, Fjodorit i vjen ataku i parë i epilepsisë, sëmundje që do ta ketë për të gjithë jetën.

Vepra:

Përshkrimi i fazave të gjendjes mendore të paravdekjes së Ipolitit(tek Idioti) të prekur nga tuberkulozi, është aq i detajuar, elementet e të cilit nuk kishin si të njiheshin më mirë se sa nga dikush që e ka përjetuar atë brenda familjes.

Në shummë nga familjet që ka përshkruar, Dostojevski na ka prezantuar me baballarë plot vese. ‘Babai që nuk fal’- te “Të fyer e të poshtëruar”; ‘Gjenerali Fjodoroviç si bashkëshorti që do një grua tjetër’-tek Idioti; ‘Lebedevi me shumë fytyra dhe baba i 3 fëmijëve që i fuste në punë’;’Gjenerali Aleksandroviç dhe pasioni i tij pas bixhozit’etj.

Epilepsia, sëmundje që e ka pasur vetë autori, është qëndra rreth të cilës ndërtohet vepra e Idiotit.

“…tani do të tundte dorën dhe do të thoshte si atëherë: “Idiot!””

Si gjendje e pasuar nga vdekja e të atit, duhet të ketë qenë aq sa e dhimbshme, aq edhe çliruese për autorin, sepse idioti i veprës është po aq i papranuar dhe i pakuptuar nga shoqëria(babai) saç janë mendimet e tij të vyera. Ndoshta ndihej i çliruar, megjithëse fundi i veprës nuk tregon kështu.

Jeta:

Ndonëse prindërit e tij e ndalonin, Dostojevski kishte dëshirë për të shëtitur nëpër oborrin e spitalit në të cilin punonte babai i tij, ku pacientët e përvuajtur uleshin në diell. Dostojevski i ri kishte qejf të kalonte kohë me këta pacientë dhe tu dëgjonte rrëfimet.

Vepra:

Skema e mësipërme është shumë e ngjashme me atë çfarë ndodhte në ballkonin e idiotit, ku ai , pasi u bë i pasur, priste e përcillte plot njerëz që vinin dhe qanin hallet.

Jeta:

Në vitin 1849, Dostojevski dhe kolegët e tij në rrethin radikal politiko-letrar Petrashevski, arrestohen dhe burgosen. Më pas dënohen me vdekje në 16 nëntor 1849. I gjithë grupi u detyrua që të qëndronte në të ftohtin e acartë në pritje të skuadrës së pushkatimit. Në minutin e fundit, vendimi u anullua. Vetëm pas 10 vjet burgimi politik në Siberi kthehet në Shën Peterburg.

Vepra:

Këndvështrimi i autorit për grupin nihilist që hyri rrezikshëm në libër, duket të ketë qenë dhe opinioni i mëvonshëm i vetë autorit për bëmat e tij dhe pasojat që ato i sollën.

Duhet një njohës më i mirë, ndoshta dhe më i vjetër, për të pretenduar se është i aftë të gjejë dhe të vendosi në vend çdo copëz nga pazëlli i këtij autori. Kjo e mësipërmja është vetëm një përpjekje që ngjan me një hap femije, e vogël, e pasigurt, por paraardhëse e shumë të tjerave./Bota.al

Zbulim epokal dorëshkrimesh në manastirin 1500-vjeçar

Koha e zbulimeve të mëdha s’ka mbaruar ende”. Doni prova? Një grup studiuesish në Bibliotekën Elektronike të Dorëshkrimeve të Lashta (EMEL) në Kaliforni përdorën një teknologji të re mbi dorëshkrimet e lashta për të konkluduar në zbulimin e shkrimeve në gjuhët e humbura në pergamenë që ishin larë dhe ripërdorur

Nën shtresat e shkrimeve më të reja, studiuesit gjetën vepra të shkruara në gjuhën e humbur të albanishtes kaukaziane (Caucasian Albanian) dhe të cilat mund të jenë shkrimet më të hershme mjekësore të vetë burrit të betimit të famshëm- mjekut grek Hipokrati.

Zbulimi gjithashtu tregon domosdoshmërinë në këtë epokë dixhitale për bibliotekat – pergamenat janë mbajtur në bibliotekë në manastirin 1,500-vjeçar të Shën Katerinës, biblioteka më e vjetër që vepron në botë.

NË SHEKULLIN E 20-TË DORËSHKRIMET TË REJA I ZBULUAM NËPËR SHPELLA. NË SHEKULLIN E 21-TË DO TË PËRDORIM KËTO TEKNIKA TË REJA MBI DORËSHKRIMET QË DERI TANI I KEMI PATUR POSHTË HUNDËS. NE DO T’I GJEJMË ZËRAT E HUMBUR TË HISTORISË SONË.”

Michael Phelps nga Biblioteka Elektronike e Dorëshkrimeve të Hershme në Kaliforni përshkruan zbulimet e reja që po dalin nga zbulimet e vjetra që EMEL po gjen duke përdorur teknologjinë më të fundit të imazhit.

Disa nga pergamenet në manastirin e Shën Katerinës datojnë në fillimet e saj rreth 565, por shkrimet në pergamenë shpesh nuk janë aq të vjetra.

Meqë mediumi herë pas here konsiderohej të jetë më i vlefshëm se mesazhi, ai fshihej ose riciklohej kur zbehej. Për fat të mirë, mbetjet e bojës së vjetër dhe gjurmët mbetën në pergamenë. Phelps dhe skuadra e tij fotografuan atë nga kënde të shumëfishta dhe nën dritën e një spektri të gjerë frekuencash për të kapur çdo copë letre të vogël.

Dhe çfarë ishte ajo? Ndoshta gjetja më emocionuese e njoftuar nga selia e Ministrisë së Antikiteteve në Kajro javën e kaluar ishin tekste më të hershme të njohura të shkruara nga Hipokrati dhe tekste të tjera mjekësore greke antike të panjohura më parë. Për dashamirët e gjuhëve të humbura, disa tekste të tjera u gjetën. Këtu përfshihen Shqipja Kaukaziane, një gjuhë e lashtë që u zhduk nga shekulli i pestë dhe u gjet vetëm në disa mbishkrime guri.

Sot hapet Panairi Ndërkombëtar i Librit

Sot fillon Panairi Ndërkombëtar i Librit në Prishtinë. Sipas organizatorëve, gjithçka është gati që ky vit jubilar të organizohet në mënyrën më të mirë. Madje për këtë vit janë paraparë edhe risi, të cilat nuk kanë qenë më herët

Anëtari i Bordit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Abdullah Zeneli në një intervistë për KosovaPress tha se edhe botuesit janë përgatitur mjaftueshëm që përveç shitjes të ofrojnë edhe takime me lexues dhe shkrimtarë.

Ai theksoi se e veçanta e këtij panairi është edhe pjesëmarrja e shkrimtarit francez François-Henri Désérable, vepra e të cilit vjen në shqip pikërisht në vigjilje të panairit.

Zeneli bëri të ditur se në kuadër të Panairit do të mbahen rreth 50 aktivitete të ndryshme që koincidojnë me përvjetorët këtij viti.

Teksa shtoi se edhe këtë vit do të shpallet shkrimtari i vitit nga letërsia shqipe dhe ajo e huaj, si dhe stenda më e vizituar.

Drejtori i shtëpisë botuese “Buzuku”, sqaroi se nga 100 botues sa pritet të ketë panairi, rreth 40 shtëpi botuese janë nga Kosova dhe 60 nga shtetet tjera si Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora. Derisa potencoi se është shteti ai që duhet të mbështesë më shumë librin. Panairi i Librit hapet sot në orën 18:00 dhe vazhdon deri më 10 qershor.

Asociacioni po zvarritet për finalen e dialogut

Pozicionimi i kundërt i Qeverisë së Kosovës në njërën anë dhe i Listës Serbe lidhur me mënyrën e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili buron nga Marrëveshja e Brukselit, do ta lë këtë çështje të pazgjidhur deri në finalen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serb

Së fundmi, Lista Serbe ka deklaruar që Asociacioni mund të formohet vetëm me ndryshime kushtetuese, ndërkaq që Qeveria e Kosovës këmbëngulë që Asociacioni mund të formohet vetëm sipas marrëveshjes së Brukselit, e cila parasheh edhe vlerësimin e marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kjo e fundit, në dhjetor të vitit 2015, në 23 pika e ka gjetur marrëveshjen jo në harmoni me Kushtetutën. Pikërisht për këtë arsye, Lista Serbe kërkon ndryshimet kushtetuese.

Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se Asociacioni me kompetenca ekzekutive, të cilin e pretendon Lista Serbe do të ndryshonte fundamentalisht funksionimin e shtetit të Kosovës, gjë që për autoritetet e Kosovës është e papranueshme. Sipas tij, është e pritshme që pala serbe do të përpiqet që deri në maksimum të përfitoj nga Asociacioni.

“Ajo (pala serbe) do të bëj çmos, në çdo nivel të mundshëm politik ndërkombëtar, që të insistojë në versionin e vet. Mirëpo, fati i Kosovës është që edhe Brukseli është kundër një opsioni të tillë dhe vazhdimësia e kësaj gjendje varet nga vullneti politik i Brukselit, që ta ndalojë atë”, tha Muhaxhiri.

Njohësi tjetër i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se, marrë parasysh betonimin në qëndrime të kundërta të dyja palëve lidhur me formimin e Asociacionit, ato po e keqpërdorin këtë çështje.

Sipas tij, bazuar në parimet e marrëveshjes së Brukselit, Asociacioni nuk u jep ndonjë autonomi të madhe serbëve të Kosovës, por autoritetet e Serbisë po insistojnë për një gjë të tillë.

“Po përpiqen (autoritetet serbe) që të gjejnë një arsyetim dhe të thonë ‘ ja, ne kemi bërë diçka, ne kemi luftuar dhe kemi fituar diçka’. Në anën tjetër, Prishtina po e lejon një hapësirë manovruese, në kuptimin se gjithashtu ka probleme me opozitën e saj dhe se ky problem nuk mundet të zgjidhet thjeshtë dhe në të njëjtën mënyrë edhe ata po e zvarrisin. Mendoj që në një mënyrë tash është një ‘pat’ pozicion, deri në momentin që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të mos thonë ‘mjaft më me këtë rrëfim’ dhe se ky problem duhet të zgjidhet”, theksoi Nojkiq.

Megjithatë, njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se të dyja palët, Serbia dhe Kosova, po synojnë që çështjen e themelimit të Asociacionit ta zvarrisin deri në finalen e dialogut ndërmjet dy vendeve në Bruksel, e cila duhet të përmbyllet me një marrëveshje juridikisht obliguese.

Muhaxhiri shpreh mendimin që çështja e asociacionit mund të shtyhet deri në fund dhe të përfshihet në ndonjë pako finale të marrëveshjeve, që do të jenë juridikisht obliguese për të dy palët.

“Në fakt, Serbia do të tentojë që deri në momentin e fundit, së paku edhe publikisht, para opinionit të vet, të pretendoj që është duke i kërkuar kompetencat ekzekutive për Asociacionin, në mënyrë që ta ketë një arsyetim politik për lëshimet, të cilat pritet t’i bëj. Mirëpo, marrëveshja finale do të jetë një pako e madhe – mbase do t’i përngjajë edhe Pakos së Ahtisaarit – sepse, do të ketë shumë orientime strategjike, të cilat do t’u shërbejnë palës së Kosovës dhe palës së Serbisë, për rregullimin dhe definimin e marrëdhënieve të tyre në të ardhmen”, theksoi Muhaxhiri.

Edhe Nojkiq, shpreh mendimin se çështja e formimit të Asociacionit do të zvarritet deri në finalen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, sipas tij, në finale do të bëhen kompromise dhe çështja e Asociacionit nuk do të jetë e vetmja që do të shqyrtohet për kompromis.

“Kjo është ajo hapësira ku të dyja palët do të kërkojnë kompromis. Fundja, kjo nuk është çështja e vetme. Tashmë dihet se është një çështje tjetër e madhe dhe për të cilën po flitet shumë është ulësja për Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Prandaj, të gjitha këto, në fund do të futen në një pako, për të cilin, në fund, dikush më shumë e dikush më pak, të gjithë do të jenë kënaqur. Por, në fakt, asgjë e rëndësishme nuk do të ndodhë, përveç asaj për të cilën po flet Prishtina, që Asociacioni duhet të formohet në harmoni më Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, tha Nojkiq.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe buron nga marrëveshja e Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel, në vitin 2013, ndërkaq që në gusht të vitit 2015, Kosova dhe Serbia kanë në shkruar marrëveshjen për formimin e këtij Asociacioni, duke specifikuar edhe mënyrën e formimit.

(Emri i Ilirëve) Kadmi në kërkim të Evropës

Koha e Kadmit është kohë tejet Pellazgjike edhe nuk ka asnjë piklidhje me grekët e shumë mëvonshëm. Legjendat rreth Kadmit edhe Harmonis i vuri re dhe Straboni sepse –siç tregon ai- tregoheshin rëndom në ditët e tija ndër ilirët e vjetër. Këto legjenda gabimisht Stipseviç i quan ‘greke’

Koha e Kadmit është kohë tejet Pellazgjike edhe nuk ka asnjë piklidhje me grekët e shumë mëvonshëm. Emri ‘ilirë’ duket se ka më shumë ngjasa që të lidhet me ‘’il e al = yllin, dritën, bardhësin’.

Të besojmë se etimologjikisht duhet të rrjedhi nga ‘të lirët’ është pak e pamundur pasi kështu do na duhet që autorët romake e atikas të njihnin shqipen ….ndryeshe do na e thonin se ‘kështu e quajnë veten banorët e këtyre trevave’. Altin Kocaqi)

A. Stipceviç

Sipas një legjende të vjetër të cilën e mblodhi Apolodori , Illyri, i pari i fisit ilir , ishte i biri i finikasit Kadmi dhe i shoqes së tij Harmonisë. Me urdhërin e babait të tij , Agenorit , mbretit finikas, Kadmi u detyrua të niset për ta gjetur motrën e vet Evropën , të cilën e kishte rrëmbyer Zeusi.

Mbas shumë bredhjeve , duke mos menduar të kthehej pa kryer punën në atdhe së bashku me shokët e vet, kishte ndalur në Beoti të Greqisë dhe aty themeloi qytetin Teba.

Duke u martuar me Harmoninë ,me të bijën e perëndisë së luftës Aresit me perëndeshes Afërdita, Kadmi shkoi me urdhërin e profetit në mesin e enkelejve ilire dhe u bë mbreti i tyre. Aty, në tokën e ilirëve, i lindi i biri Illyri, sipas të cilit ilirët morën emrin . Në pleqëri Kadmi dhe Harmonia u shëndërruan në gjarpërinjë dhe në atë formë vazhduan të jetonin në fushat e Elizesë.

Në legjendën për Kadmin Illyri ishte i lidhur ngushtë me gjarpërin : ai e kishte mbeshtjellë menjëherë mbas lindjes , duke percjellë kështu tek ai aftësinë e vet magjike. Filologjia bashkohore po perpiqet gjithashtu të dëshmojë se emri ilir në pikpamje etimologjike është i lidhur me këtë gjallesë.

Gjermani O’Gruppe i pari e solli në lidhje emrin Illyri me fjalën greke i’llw = kthehem , mbështillem kurse kjo fjalë nxiret nga rrënja u el = sillet, kthehet . Filologu slloven Karel Ostir gjithashtu ka ardhur në përfundimin se në këtë emër fshihet gjarpëri .

Arsyetimin për këtë e gjen në faktin se edhe gjarpëri i madh mitologjik, te hititet indoevropiane, ka pasur emrin nga e njejta origjinë . Ai gjarpër është quajtur Illurjanka dhe vertet është e vështirë që në formën e emrit të tij të mos shihet ngjashmëria me emrin ilir.

Megjithatë , ekzistojnë edhe shpjegime të tjera të emrit ilir , si per shembull, ai qe ka paraqitur Julios Pokorny dhe e pranuan disa filologë të tjerë ( Paul Kretschmer) dhe arkeologët, sipas të cilit ilirët janë “banorët rreth lumit Iller” (dege e Danubit afër Ulmës në Gjermaninë Jugore).

Një shpjegim tjetër , që shpeshherë citohet , e dha arkeologu Ciro Truhelka, sipas te cilit emri ilir mund të shpjegohet me fjalën shqipe:– “I lire”. Përveç kësaj ekziston edhe mendimi se emri ilir nuk ka origjinë indoevropiane , por para indoevropiane (“pellazgjike’).

Etimologjia e emrit ilir , përveç domëthënies filologjike ka domëthënie shumë më të gjërë, sepse kjo cështje është e lidhur me teoritë mbi origjinën e vetë Ilirëve , gjegjësisht me etnogjenezën e tyre.