Zvicra e miteve dhe ëndrrave

Shtyllat themelore të kulturës janë kujtesa për kohërat e shkuara, kureshtja për kërkesat e së tashmes dhe fantazia për zhvillimet në të ardhmen. Nëse një shkrimtar ballafaqohet me fenomenin Zvicër, ai nuk dëshiron vetëm të zgjerojë dijen për këtë vend. Ai po ashtu dëshiron të zhvillojë një ndjenjë se çka është e denjë për ta dashur dhe për ta çmuar në këtë vend

Nga Iso CAMARTIN

Zvicrën mund ta kuptojmë vetëm nëse kemi parasysh shkëmbimin shumëshekullor përtej kufijve të vendit. Në vijim ky është edhe synimi im. Ju keni shprehur dëshirën të informoheni për Zvicrën nga dikush që s’është politikan, s’është jurist, s’është ekspert i ekonomisë, s’është historian, s’është gazetar dhe assesi njeri i fushës së reklamave. Unë jam filolog, jo si hulumtues akademik, por si fabulist eseistik – dhe kjo domethënë: kam një dashuri të veçantë ndaj «logoi» – ndaj fjalëve dhe fjalive, ndaj gjuhëve dhe çdo gjëje që mund të ndërmerret me gjuhën dhe imazhet gjuhësore.

Për mua e rëndësishme është Zvicra reale, por po aq e rëndësishme është Zvicra e vizioneve dhe fiksioneve, madje edhe Zvicra e miteve dhe ëndrrave. Rrjedhimisht, ju para vetes nuk keni një libër shkencor apo specialiteti për Zvicrën, por më shumë një fletore për shënimin e udhëtimeve nëpër periudhat e ndryshme helvetike. Kjo perspektivë kulturore ndaj realitetit është një botëkuptim, i cili nuk zhbëhet aq lehtë nëse e ke përvetësuar me dekada. Ka njerëz që kanë para së gjithash qëllime politike dhe ekonomike. Dhe ne nuk duam të nënçmojmë kontributin, energjinë dhe sukseset e tyre. Por jeta mund të vështrohet edhe nga aspekti i rrethanave kulturore. Këtu hyjnë të arriturat e një civilizimi, të cilat individin e edukojnë për t’u bërë njeri i lirë dhe solidar, por edhe ato që një komuniteti apo një kombi i krijojnë respekt për vetveten dhe respekt nga të huajt.

Shtyllat themelore të kulturës janë kujtesa për kohërat e shkuara, kureshtja për kërkesat e së tashmes dhe fantazia për zhvillimet në të ardhmen. Nëse një shkrimtar ballafaqohet me fenomenin Zvicër, ai nuk dëshiron vetëm të zgjerojë dijen për këtë vend. Ai po ashtu dëshiron të zhvillojë një ndjenjë se çka është e denjë për ta dashur dhe për ta çmuar në këtë vend. Për atë që nuk është aq e dukshme në shikim të parë, që nuk na shpërfaqet si fjalëmadhe dhe nuk na imponohet, por shpesh gjendet në fshehtësi. Nietzsche, i cili shtatë vera të tëra në Sils-Maria ka menduar për jetën dhe kohën e tij, ka thënë se nëse do të kishte një arsyetim të ekzistencës sonë, ajo është estetike. Me ketë ai gjithsesi donte të thoshte se atë që ne e përjetojmë si të bukur dhe impresionuese, fisnike dhe karakterizuese ia jep jetës sonë një vlerë të shtuar, e cila mund të përbëjë lumturinë tonë.

Kush reflekton për një vend, këtë duhet ta bëjë në mënyrë kritike dhe ashtu që të thellojë gjykimin. Të reflektosh për vendin pjesë e të cilit ndihesh, shumë shpesh domethënë të arrish në një gjykim alternativ të situatës tënde dhe nganjëherë madje të mbarë mjedisit. Në një perspektivë perceptimi estetikisht të shquar kjo domethënë po ashtu të përkrahësh gëzimin tënd ndaj ekzistencës. A mund ta kuptoni se dikush mund të jetë i lumtur të reflektojë për vendin e tij? Që përkundër të gjitha mangësive, pamjaftueshmërive, deficiteve dhe turpeve, të cilat shfaqen në fushëpamje, kur vendi të cilit i përket gjendet në sprovë, mund të duket edhe diçka që të bën të lumtur? Po, që mund në brendinë tënde të të kaplojë një mirënjohje që fati të ka vendosur në këtë vend?

Pra, këtu duhet të mjaftoheni me një zviceran, i cili është rritur në alpe, tek vonë në jetën e tij është bërë qytetar dhe ndaj gjuhës së tij të prejardhjes dhe kulturës ka një raport besnikërie mirënjohëse. Sidomos kur shkruan për atdheun tënd, në karakterin e hershëm mbetesh çuditërisht joobjektiv. Dikush nga Gjeneva, nga Baseli, nga Tiçinoja apo nga Appenzelli shkruan ndryshe për Zvicrën se një retoroman nga kantoni i Graubündenit. Secili lëviz përgjatë perceptimeve prijëse, kur thotë diçka për vendin e tij, që nuk është tërësisht e shkëputur dhe e pastruar nga personi i tij. Viteve të fundit unë kam trajtuar vazhdimisht aspektet e gëzueshme dhe nganjëherë të turpshme të vendit tim. Këtu do të përpiqem që gëzimet dhe shpresat që i ndjej me atë rast, por po aq edhe deziluzionet dhe zhgënjimet t’i seleksionojë dhe t’i lidh tufë. Unë nuk mund t’ju raportoj juve në mënyrë neutrale dhe jopersonale mbi Zvicrën. Por shyqyr zotit ka shumë libra për Zvicrën dhe çdo libër i vlefshëm hap një derë të re dhe të veçantë ndaj këtij vendi. Atëherë hyni pa ngurrim nëpër derën time. Kur të hyni brenda, jeni të lirë që përmes dyerve të reja të depërtoni në zona krejt të tjera nga ato që kam mundur t’ua tregojë unë.

Përktheu: E. Robelli

Nga erdhën dhe kush ishin pellazgët?

Pellazgët kanë luajtur dikur një rol të madh te Grekët. Herodoti shpeshëhere i permend ne librat e tij. Të shperndarë në pjesën më të madhe të greqisë, i shohim që kalojnë në Argolidë, në Arkadië, nga ketu shkojnë në Thesalië, dhe në Azië. ndertojnë disa fortifikata në Hellespont ose Propontidë, pushtojnë vendet e bregdetit Egjeenë në mes të Kaikë dhe vendit te banuar pastaj me Ionienet. Pellazgët i gjejmi në Lezbos, në Dodon, në Etolië, në Akarnanië, në Itali në Ombrië qe pastaj e quajnë Tirrenië, në Trakië, në Atinë, në Lemnos etj…

Ky popull aqë shumë i perhapur në pergjithësi në mesdhe , ky popull që ishte bërë i famshëm për plaçkitje dhe që kishte lënë gjithkahë gjurmë kahë kishte kaluar, kishte zhdukur aqë shumë vende që i kishte pushtuar, që në kohën e Herodotit e Thukididit nuk mbetej më asnjë, as në Aziê e as nê Europë, vetëmse disa kantone të mjera, disa vende te izoluara që vertetojnë krejtë pakë vend shkelqësinë Pellazge se sa vjetersinë e tyre.

Roli i tyre që lujten mbi skenen botërore më duket i rëndësishëm,qe kam besuar se do t’iu japi vend në këtë Esej mbi kronologjin e Herodotit dhe ky kapitull do të jetë më pakë i vrejtur si një jashtê- vepre ku babai i historisë, Herodoti i permend shpeshë Pellazgët, në dy a tre vende ai thotë se Atenienet ishin më origjinë Pellazge.

Ju paraqes pra që ketu te analizojmi orogjinën e këtij populli aqë të njohur; ti zbulojmi migracionet e ndryshme, peraferishtë mundohemi te japim kohen se kur ka ndodhur, dhe në fund te hetojmi se a ishin Atenienët me origjinë Pellazge.

Nga origjina e Pellazgëve:

Është shumë për tu habitur se Bosharti i famshëm, qe i shihte Fenikasit gjithkund, nuk i sjelli Pellazgët nga Fenicia. Miëpo në munges të tij, Thoams Renésius, dijetar i dalluar, publikoi në Altemburg në vitin 1650, një fletushkë mbi gjuhën punike.”linguae punikae”, ku paraqet në kapitullin II XIV e XV; se Fenikasët e popullojnë dikur ishullin e Tasos, dhe nga aty kalojnë në Atikë dhe nga aty e marrin emrin Pelazgë.

Pika e parë, kjo hipotez bi në kundershtim më ate qe ka cekur Herodoti, babai i historisë dhe të gjithë historianët qe e kanë percjellur këtë deshmin e Herodotit, pra është jashtë dyshimit.

Kurse të dytin, Thomas Réinesus, mund të themi se nuk ka asnjë autor që e permend këtë se Pelalzgët vijnë më origjinê nga Fenicia ku Rénesiusi nuk jep asnjë gjurmë nga citimi i tij, sa për te ju siguruar as Denisi i Halikarnasit e as Lucien nuk thojnê asgjê për këtê origjinë të Pellazgëve.

Më së miri do ishte ti kerkojmi pellazgët në Argolidë, ku autoret e vjeter pajtohen gati se te gjithë se aty ishte origjna Pellazgëve. Inakiusi është i prijsi i parë qe ka sundua në Argolidë. Nuk e di se me çfarë emri ishte i njohur ky vndë më parë, mirëpo është e sigurt se nuk mbante kêtê emër qe e permendem si Argolidë. ka shenja të shumta se quhej Inakië, ne kohen e Inakusit, sipas e dhenave te Etienit te Bizancës. Ne kohën e birit te tij, Ferone ende nuk e kishte marrur emrin Argolidë, Pra ky princi Forone mbledhi banorêt dhe e themelon një qytet qe i jep emrin Foronike. Femijët e tij u quajten Apis,

Eurotas dhe Niobe. Kjo princesha Niobe nga Jupiteri ose nga një i panjohur lindi Argos dhe Pelasgus. I pari i pej ketyre princave, Argosi trashegon Apisin, i ndrron emrin vendit dhe e quan sipas emrit te tij Argo-lidë…kurse qyteti i themeluar së pari gjyshi i tij Ferone, Feronikë bëhêt tani Argos. Kjo rrethinë, që ishte krejtë pakë e ujitur, ishte e thatë me një tokê sterile; që nuk mjaftonte për ti ushqyer t¨ gjithë banorët e vendit, një pjesë e këtij populli nisi të kerkoj toka tê reja.

Pellazgët Arkadienë:

Princi Pellazgus shkon në Arkadië në krye të këtyre avanturierêve, rreth vitit -1896 para krishti. Fegje, i biri i Inakusit kishte ngritur aty 18 vite mê parë qytetin e Fegjës(Phègée) ky vend nuk quhej ende Arkadië. Si e tham, nuk i dihet emri se si e mbante më parë ky vend, por dihet se banohej prej një populli barbar (vendas) qe do a themi ne paragrafin e ardhshëm.

Pra këta avanturier arrijten masivishtë, nuk paten veshtirësi që te sundojnë mbi këto popullësi të shperndara që nuk e prisnin një pushtim. ketu Pellazgusi mbretnoi në qetësi për shumë vite, qe i dha emrin ketij vendi Pelazgjië. Pausaniasi që e jep këtë mendim nuk na bind aqë shumë e tera kjo histori është krijuar sipas deshmis së poetve.

Pelazgusi sundoi rreth 20 vite, e kishte një djal qe quhej Likaon. Mirëp o ky princi Likaoni ishte i tronditur shumë nga nga traditat e zakonet e pa pelqyera të kËtij popullit të posa pushtuar, ose klima nuk i pershtatej; ose thjeshtësija apo paparshtatshmeria ne karakterin e tij, vendosi që të shperngulet nga ky vend i pushtuar dhe te vendose diku tjetër. keshtu qe në këtë kerkim, derisa behej gati të ikte nga kjo tokë, lajmi kishte ardhur se, Thesalia qe deri atëhere ishte liqe, as një termeti te fuqishëm, aqë tronditës sa qe mali Ossa ishte ndarë nga mali Olimpi !Ujërat që e kshin vershuar këtë luginë të bukur ishin zbrazur permes kësaj hapjes dhe ky vend shumë shpejt u zbraz dhe i teri u tha, menjëherë popuj të tërê per rreth zbulojnë këtëo fusha të medha qe i priste kjo fushê e zbrazet popuj fqinjë te vinin dhe ta kultivonin atë.

Kjo ndodhi para se te vdiste Pelazgusi, i cili perfiton këtë rast qe iu premtonte ardhmeri kjo tokë vjergje e bekuar per te gjithë popujt per rreth mirëpo askush nuk kishte guximin t’ia merrte Pelazgusit i cili tani më e kishte pervetsuar…

I biri i tij Likaoni, ishte ende i ri për te percjellur keshillat e babait të tij, i lë babain e tij Pelazgusin në Arkadië, i merrë pas vehtes pelazgët aventurier dhe shkon në Haemonië, e popullon një pjes te këtij vendit që është në mes të Olimpit dh Pene, ne pernedim qe kufizohet me malin Poeus dhe ne lindje deri te deti Egje, ketu formohet Pelagiotidë, njohur më vonë me emrin Magnezi, kjo ngjarje ka ndodhur perafersishtë rreth vitit -1883 para Krishti.

/Burimi; Historisa e Herodotit, 1802, pektheu nga gjuha frenge per forumin shqiptar; kreksi

Vulë 2700-vjeçare e guvernatorit të Jeruzalemit?

Arkeologët në Izrael thanë se kanë zbuluar gjurmën e një vule 2700-vjeçare që sipas tyre konfirmon ekzistencën e guvernatorëve biblikë të Jeruzalemit. Objekti i vogël prej balte, i gjendur mes gërmimeve arkeologjike në sheshin e Murit Perëndimor, mbart mbishkrimin me alfabetin e lashtë hebraik: “Pronë e guvernatorit të qytetit”

Arkeologët izraelitë thonë se objekti i vogël prej balte i ngjason një etikete që mund të ngjitej mbi objekte të rëndësishme që transportoheshin. Por, për historianët, ky zbulim nga periudha e tempullit të parë të Jeruzalemit, shërben si provë se qyteti i Jeruzalemit kishte guvernatorin e tij që të paktën 2700 vjet më parë. Një guvernator i Jeruzalemit përmendet dy herë në Bibël, por nuk ka patur prova historike për këtë.

“Është hera e parë që gjatë gërmimit arkeologjik të një godine të shekullit të 7-të para erës së re, gjetëm një stampë të guvernatorit të Jeruzalemit”, thotë zonja Shlomit Weksler-Bdolah, e Autoritetit Izraelit të Antikiteteve.

Vula, me përmasat e një monedhe të vogël, tregon dy burra të veshur me rroba me vija, përballë njëri-tjetrit dhe duke mbajtur së bashku një objekt të rrumbullakët, që mund të jetë Hëna.

“E dimë se hëna ishte objekt adhurimi në kulturat fqinje. Atëherë çfarë ndodhte me kryebashkiakun e Jeruzalemit të shekullit të 7-të para erës sonë, që shfaqet sikur adhuron Hënën vetëm njëqind metra larg Tempullit? Nuk kemi një përgjigje të qartë për këtë”, thotë zonja Weksler-Bdolah.

Artifakti u zbulua ndërsa arkeologët po gërmonin në Jeruzalemin e vjetër. Megjithëse nuk shfaqet emri i qytetit, arkeologët thonë se vendndodhja ku u gjet, tregon se i referohet guvernatorit të Jeruzalemit. Provon gjithashtu se qyteti ka qenë qendër e rëndësishme e shtetit hebraik për rreth 3 mijë vjet.

“Bibla përmend termin ‘guvernator i qytetit’ në raste të shumta qytetesh, por ‘guvernatori i Jeruzalemit’ përmended vetëm dy herë. Nuk e kishim verifikuar kurrë më parë gjatë gërmimeve arkeologjike, prandaj kjo është tepër e rëndësishme”, thotë zonja Weksler-Bdolah.

Artifakti bëhet publik në një periudhë tensionesh të rritura për Jeruzalemin, për shkak njohjes së tij nga Presidenti Donald Trump si kryeqytet i Izraelit. Statusi i Jeruzalemit është një pikë delikate në konfliktin izraelito-palestinez, pasi palestinezët kërkojnë pjesën lindore të qytetit si kryeqytetin e tyre të ardhshëm.

A i ka shkruar vërtet Noli vargjet që fshikullojnë krahinat?

“Zbulimi pas vitesh të tëra hulumtimi nëpër arkiva. A i ka shkruar Fan Noli vargjet për “sharlatanët tropojanë, skraparllinjtë që të japin dru, lebërit që shtrojnë njerëzinë, shkodranët e ahengut, tiranasit dembelë Stambolli, durrsakët llafazanë, kavajasit kokëpalarë…”?

Shkruan: Nasho Jorgaqi

Ka vite që qarkullon dorazi në rrethe të ndryshme publike një vjershë nën titullin e sajuar “Merr e zgjidh” ose pa titull fare, e cila i atribuohet Fan Nolit. Ajo është një vjershë strofike, shkruar në vargje tetërrokëshe, por numri i strofave nuk është i qëndrueshëm, ato lëvizin nga 5-6 deri në 22 strofa, për aq sa më kanë rënë mua në dorë. Por mund të qarkullojë dhe në variante numerike të ndryshme, fakt që flet për një lojë djallëzore dhe dëshmon qartazi se kemi të bëjmë me një vjershë apokrife. Vjersha të tilla njihen si thurje vjershërore, të hartuara nga autorët, që duke ndjekur formalisht modele të poetëve të njohur, krijojnë vjersha që imitojnë në frymë, në mjete shprehëse, gjuhë e stil poetin model. Në rastin tonë modeli është Noli.

Në kujtesën time kjo vjershë lidhet me një ngjarje konkrete të rastësishme, që padashur më bën mua dëshmitar. Kanë qenë vitet 80-të, kur punoja si pedagog në Fakultetin e histori-filologjisë dhe një ditë, ndërsa ndodhesha në katedër me kolegun tim Vehbi Bala, trokiti dera dhe hyn një mesoburrë. Si prezantohet, më zgjat një letër me një vjershë të daktilografuar dhe dëshiron të bisedojë me ne. Nuk dua t’i përmend emrin, as punën që bënte, por dua të tregoj gjithë sa ndodhi me të. Pra, pse trokiti në katedrën tonë dhe çfarë kërkonte prej nesh kur mori vesh se ne ishim titullarë të lëndëve të letërsisë shqipe në fakultet. Ai na tregoi se vinte me porosi të të jatit, i cili tashmë kish ndërruar jetë, por pak kohë para se të ndahej i kish diktuar një vjershë të Fan Nolit, që sipas tij nuk e kish të shkruar, por e dinte përmendësh dhe nuk desh ta merrte me vete. Dëshira e tij ishte që këtë vjershë i biri ta çonte e t’ia dorëzonte atyre që merren me studimin e Fan Nolit. Dhe ishte një koincidencë e rastit që dy njerëzit që ai takonte ishin studiues të poetit. E morëm vjershën dhe e lexuam veç e veç, njëri pas tjetrit. Kur u njohëm me tekstin, i cili doli se ishte krejt i panjohur për ne, vështruam njëri-tjetrin në sy dhe në heshtje ngritëm supet. I ardhuri na ndiqte me vëmendje dhe priste përgjigjen tonë. Vjersha nuk ishte më shumë se dhjetë strofa, e thurur me vargje humoristike e herë-herë sarkastike, ku viheshin në lojë bashkatdhetarët e tij sipas krahinave, duke i përfolur dhe tallur dobësitë dhe veset e tyre. Autori ishte tepër kritik dhe i prerë, i pakursyer në epitete negative, me fjalë deri dhe të rënda e të pamëshirshme. Kështu i quante shqiptarët sipas krahinave mercenarë, sharlatanë, budallenj, gënjeshtarë, dembelë, llafazanë, gomerë e kokëpalarë, hajvanë, koprracë, karrieristë etj. Por në pak strofa thoshte dhe fjalë të mira si trima, të fortë, gazmorë, njerëz të zgjuar, komandantë të zotë, të pastër e nikoqirë, patriotë. (Kurse në variantin e fundit që më ka rënë në dorë, vjersha ka 22 strofa, nga të cilat shumica janë me ngarkesë negative dhe vetëm 7 pozitive)

Më në fund i dhamë përgjigje të ardhurit që priste me padurim. I thamë se kemi të bëjmë me një vjershë të panjohur, interesante nga ndonjë pikëpamje, por në themel është e diskutueshme, sepse nuk i bën nder shqiptarëve. Për aq sa e njohim ne Nolin, ai s’ka pas mendime negative deri në këtë shkallë që dalin në këtë vjershë. Megjithatë, ne ju falënderojmë për mirësinë që patët të na e besonit. Ne do ta studiojmë e, ç’është më e rëndësishme, do ta verifikojmë. Duhet patjetër të kërkojmë origjinalin në arkiv, ndryshe nuk mund të japim një gjykim shkencor. Por i ardhuri, para se të largohej, na tha se “Të keni besim te im atë. Ai ka qenë aktivist i Vatrës dhe i afërt me Nolin.”

“Dakord, i thamë ne, por jemi para një problemi që duhet studiuar dhe studimi bëhet mbi bazën e dokumentit origjinal, përndryshe nuk mund të quhet i vërtetë.”

Pas këtij debati të shkurtër, ne u ndamë dhe pas asaj dite nuk u takuam më. Dhe s’kishim pse ta takonim. Kjo ishte një punë që tani na takonte ne si specialistë.

Ç’është e vërteta, Vehbiu dhe unë ishim njohur me arkivin e Nolit që gjendet në Arkivin e Shtetit, por vjersha që na solli i panjohuri na bëri që t’i rikthehemi dhe një herë fondit të dorëshkrimeve të poezive të Nolit dhe kështu bëmë. Shkuam, gjurmuam, verifikuam dhe nuk gjetëm gjë, qoftë dhe ndonjë gjurmë. Kështu bëmë dhe me fondin e Faik Konicës, pasi dyshuam se vetëm ai mund të tregohej aq kritik dhe i pamëshirshëm ndaj bashkatdhetarëve të tij. Por më kot, përsëri nuk gjetëm gjë. Sa për problemin e vjershës që na solli burri i panjohur, ishim të një mendje që të mos e botonim për problematikën delikate dhe qëndrimin negativ që mbahej nga autori anonim.

Ndërkaq, Vehbiu u nda nga jeta. Iku me pengun e vjershës, megjithëse kishte shumë dyshime për vërtetësinë e saj. Në këto pozita isha dhe unë, por prapë kisha një merak dhe kur rifillova punën për të hartuar biografinë e Nolit pas viteve 90 dhe m’u dha rasti të shkoja disa herë në SHBA, nuk harrova fatin e vjershës enigmatike. Kështu bëra disa përpjekje në arkivin e Nolit të Kishës së Shën Gjergjit, të Vatrës, shfletova shtypin e viteve 20-30, bisedova me miq të Nolit, bashkëkohës të tij, fola me At Liolinin dhe studiuesin P. Prifti dhe përsëri nuk doli gjë në dritë. Bile kur u a jepja vjershën për ta lexuar jo vetëm nuk e njihnin, por nervozoheshin dhe refuzonin ta zgjasnin bisedën. Megjithatë, unë do të vijoja punën time për biografinë dhe do të njihesha me burime nga më të ndryshmet, por prapë kurrkund nuk dilte një vjershë e tillë.

Në arkivin e Nolit dhe veçanërisht atë të poezive, rezultonte se poeti gjatë gjithë jetës, pavarësisht nga detyrat dhe rrethanat e rënda, ishte kujdesur për dorëshkrimet e vjershave të veta. Jo vetëm që i kishte ruajtur dorëshkrimet, bile dhe variantet, por bashkë me to mbante dhe kypyrat e gazetave me vjershat e tij. Por ç’ishte më e rëndësishme, poeti mendonte dhe punonte për t’i botuar vjershat origjinale dhe përkthimet poetike në vëllime të veçanta. Për këtë rezultojnë dy plane të hartuara prej tij, një në vitet 20 e tjetri në vitin 1964, pak para se të ndahej nga jeta. Është interesante që në këto plane gjejmë jo vetëm titujt e vjershave të botuara, por dhe atyre të pabotuara ose atyre që do të shkruante në të ardhmen. Kështu shohim tituj si “Vajtimet e grave”, “Vizionet”, “Darka mistike”, “Juda” etj. Por nga një vështrim serioz e i hollësishëm, duke iu përmbajtur kritereve shkencore, nuk rezultonte ndonjë vjershë, qoftë si titull, me temë si vjersha apokrife që qarkullonte në publikun shqiptar. Nga ana tjetër, kërkimet tona në letërkëmbimin e Nolit, në shtypin letrar-kulturor të diasporës në SHBA, në kujtimet e tij, të bashkëpunëtorëve dhe miqve, nuk gjejmë të flitet për këtë vjershë jo të zakonshme e jo normale, qoftë dhe tërthorazi. E them këtë se tema e kësaj vjershe, me tërë ato kritika dhe etiketime të rënda, me theks tallës e poshtërues për bashkatdhetarët e tij, në qoftë se do të ishte krijim i Nolit nuk do të kalonte pa u vënë re, pa jehonë, pa kritika apo gjykime të kundërta në shtyp e në biseda apo debate midis shqiptarëve pro dhe kundër Nolit, veçanërisht në diasporën e tyre në SHBA. Po kështu, armiqtë dhe kundërshtarët e tij politikë do ta kishin përdorur kundër poetit. E pra, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe ky është një argument tjetër që tregon se Noli nuk ka shkruar një vjershë të tillë. Është e vërtetë se ai ka shkruar vjersha humoristike e sarkastike, të suksesshme, për armiqtë e kundërshtarët politikë që janë dhe figura historike. E tillë është dhe figura e Ahmet Zogut që paraqitet në qendër të disa prej vjershave më të njohura, si “Marshi Barabajt”, “Kënga e Salep Sulltanit”, “Sulltani dhe Kabineti” etj., por në asnjë rast nuk gjejmë epitete banale, fyese, përkundrazi qëndrimin e tij e paraqet përmes paralelizmave që bën me figura mitologjike dhe historike. Ishte kjo poezia e tij politike që e përdorte si mjet efikas në luftën ndaj kundërshtarëve politikë. Ai i drejtohet lexuesit nga pozita e poetit dhe intelektualit atdhetar dhe demokrat. Ndërsa kur është fjala për popullin, Fan Noli shkruan me dashuri, venerim e dhimbje, ku lartëson e himnizon virtytet dhe vlerat historike, bëhet zëdhënës këngëtar i aspiratave kombëtare dhe i progresit shoqëror të shqiptarëve. Mjafton të kujtojmë poezitë “Anës lumenjve”, “Rent or maratonamak”, Himni i flamurit” etj.

Jam i bindur se vjersha apokrife që qarkullon prej vitesh dorazi dhe i atribuohet F. Nolit jo vetëm nuk i takon atij dhe e përbalt figurën prej korifeu, por shtrembëron dhe falsifikon realitetin shqiptar. Ajo ngjall përçarje dhe tenton të hedhë farën e grindjeve mes krahinave të vendit. S’ka dyshim se një vjershë e tillë nën emrin e Nolit është shkruar me qëllim keqdashës dhe të mbrapshtë në dëm të bashkimit dhe mirëkuptimit kombëtar të popullit shqiptar./Dita

*************
“MERR E ZGJIDH”

A të duhen luftëtarë?
Dhe arratinë armiku të marrë?
A do botës t’i vësh zjarrë?
Merr nja dhjetë kosovarë.

A do male me dëborë
Trima të fortë e malësorë
Fort bujarë e burrërorë
Shkon në Kukës i ke në dorë.

A të duhen sharlatanë
Që lëpihen në çdo sahanë
Që të përçajnë vatanë
Ke sa të duash tropojanë.

A do njerëz për aheng
Për tryeza e për kuvend
Burra e gra kërcejnë me lodër
Këta i gjen veç në Shkodër

Njerëz të zgjuar me lezet
Që i gjen në çdo anë
Që të bëjnë muhabet
Këta janë mjeshtrit dibranë.

A të duhen budallenj
Ca gomerë e ca kopukë
Hajdut, kaçak e batakçinj
Shko e merri mu në Pukë.

A do trima sejmenë?
Kapardisur kudo venë
Gjumi pa i zënë t’mos flenë
Për tre mirditorë bëj benë.

Këta matjanë burra të zotë
Që dikur kanë bërë barot
Se i njeh gjithë vendi mbarë
Nuk bëjnë tjetër veç për xhandarë.

A të duhen gënjeshtarë?
Matrapazë e kokëtharë?
Kripën ta shesin për farë
Merr krutanë dhe je i larë.

Do dembelë për Stamboll?
Mos u lodh e mos hiq hall
Të rreshtosh nja tri taborë
Tiranasit t’i zgjedhësh me dorë.

Po qejflinj a të duhen
Që me jevga dinë të kruhen
Zonja që pjellin çdo vit
Veç Elbasani i rrit.

Në do burra llafazanë,
Që çudisin gjithë dynjanë
Që rrinë tërë ditën rrugës
Nga këta gjen plot në Durrës.

Po kërkove kokë palarë
Kryengritës dhe gomarë
Që punët të shkojnë vaj
Shko e merri në Kavajë.

Kërkon hoxhë e kërkon prift
Mos bridh e mos u ngjit
Se si këta që bëjnë mëkat
I gjen vetëm në Berat.

A do urtë njerëzit të rrinë
Nën komandë të kesh ushtrinë
Në tabjate të kesh njerëzinë
Merre të gjithë Labërinë.

Do për punë një korçar?
I ke bujq e ustallarë
Me gra bashkë e hapin varrë
Krah e kokë s’u ka të sharë.

Do budallenj që veç hanë?
Me dy këmbë do hajvanë?
Pasuri që s’dinë të venë
Merr shëtit gjithë Myzeqenë.

A do të ruash florinj?
Katandinë e shtëpinë?
Me dy qofte mbush sininë
Ec e merr gjirokastrinë.

A do të hash e të bësh qejf?
Sofra e shtruar si për mbret
Pastërti e për hyzmet
Të tillë gjen veç në Përmet.

Do ministra kolonjarë?
Se mbahen burra për mend
Duan kudo të jenë të parë,
Në mexhlis e në kuvend.

Hall i madh me skraparllinj
Ka rrezik të hash dhe dru
Dy ministra le të rrinë
Se na duhen dhe pa tru.

Ore të gjorë harruam Vlorën
Se kjo punë lahet me gjak,
Dy shirit e një medalje
Kësaj pune i vënë kapak.

Shqiponjat e Medvegjës ekspozitë në Prishtinë

Rrahman Hyseni

Në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë, në Prishtinë, sot më 29 dhjetor 2017, duke filluar nga ora 14, u hap ekspozita e punës shumëvjeçare e SHKA”SHQIPONJAT E MEDVEGJËS”, me drejtor Dr.Selman Rexhepi, e themeluar më 11 mars 2008 nga një grup medvegjasish të shpërngulur në Prishtinë.
Kjo shoqëri kulturore- artistike në fillim numëronte 10 anëtarë nga komuna e Medvegjës (Kosova Lindore). Duke parë vullnetin dhe dëshirën për punë, sot nën ombrellën e vet kjo SHKA numëron pesëfishin e anëtarëve me të reja e të rinj vullnetarë.

Kjo SHKA është e regjistruar në mënyrë legale dhe ka xhirollogarinë e saj bankare.Shoqëria “Shqiponjat e Medvegjës”vazhdon punën e palodhshme me një staf udhëheqës me forcat vetanake dhe jo të mira, për shkak të mungesës së mjeteve matriale (pa asnjë donator). Merr pjesë në aktivitete kulturo- artistike dhe përçon dhe vazhdon të përcjellë kulturën, veshjen, vallet shqiptare të Medvegjës. Vlen të thuhet se pikërisht kjo veshje karakteristike e Medvegjës u bë shumë e njohur nga të gjitha viset shqiptare, por dhe vendet tjera nepër botë me këto vajza e djem, po nga ky staf i palodhur, dashamirës të kombit dhe kulturës. Sot kjo shoqëri udhëhiqet nga Dr. Selman Rexhepi, i cili me forcën e vullnetit të mirë, me vështirërsi organizon edhe ushtrimet, pasi i mungon një vend i adekuat, mirëpo vullneti dhe atdhedashuria i mban me entuziazëm të madh.

Siç e dimë, kultura tradicionale e një populli, e një kombi, përmban doket dhe zakonet, mënyrën e jetesës kolektive, komunikimin dhe krijimtarinë gojore. Kjo SHKA mori pjesë në shumë aktivitete. Duhet të rikujtohen pa dyshim pjesëmarrjet nga kjo shoqëri, si:

-Në Festivalin Ndërkombëtar “Ylberi i Prishtinës 2008”;
-Në Festivalin Tradicional “Anadrinia Jehon 2009”, në Deje të Rahovecit;
-Në Akademinë Përkujtimore kushtuar Dëshmorëve të Kombit, Hashim Hajdini dhe Florim Rushiti-Kingji;
-Prezantim edhe më dinjitoz ishte pjesëmarrja në Festivalin Ndërkombëtar “Ylberi i Prishtinës 2009″, ku u mirëprit shumë mirë nga publiku dhe u nderua nga organizatorët;
-Morën pjesë edhe në spotin e të madhes, artistes së mirënjohur znj.Shyhrete Behluli, në spotin e këngës për Medvegjën;

-SHKA”Shqiponjat e Medvegjës” organizuan koncert madhështor edhe në Shtëpinë e Kulturës në Fushë-Kosovë, ku ky koncert tregoi suksese dhe intersim, si nga bashkëvendësit, po ashtu dhe nga bashkatdhetarët nga diaspora e me shumë musafirë nga të gjitha viset shqiptare.
Po ashtu ishte prezente edhe në “Sofra Dardane-Tropojë 2011;
-Në Tupallë për festën e Një Majit;
-Në Komunën e Klinës punimet ishin simbolike sa për ta treguar punën dhe ta përmbyll vitin 2017.
Po ashtu numri i pjesëmarrësve ishte solid, të cilët e vizituan këtë ekspozitë, e cila u mbyll në ora 17.00.
Drejtori i “Shqiponjave…” e hapi këtë ekspozitë dhe uroj shëndet dhe mbarsi për vitin 2018 për të gjithë pjesëmarrësit dhe për mbarë kombin shqiptar.

Prishtinë-Tiranë, dialogu që mungon

Letërsia shqipe që bëhet në Kosovë gjithnjë i ka ngjasuar asaj pjese të rrëfimit ku bie mjegulla. Përtej kontekstit historik ku dy hapësirat kulturore shqipe u zhvilluan, socrealizmi në Shqipëri dhe të qenurit nën ombrellën e ish-Jugosllavisë në Kosovë, duket se pas rënies së “perdes së hekurt” në të dyja këto hapësira, ende nuk është gjetur një komunikim i përhershëm, unifikues aq shumë i ëndërruar në të dyja anët e kufirit

Nga Alda Bardhyli

Nëse pyetjeve se sa kanë arritur këto dy kultura të gjenerojnë ide apo forma të reja estetike në art, apo sa kanë arritur ato të japin përmes rreshtave qoftë edhe dhembjen e tyre, ende nuk u gjejmë përgjigje, pyetja tjetër që natyrshëm do të pasohej, ishte se sa e njohin këto dy kultura njëra tjetrën? Por, a mund të shihen si dy kultura të ndara nga njëra tjetra, teksa përshkohen nga e njëjta gjuhë.

Në Shqipëri ka pasur gjithnjë një njohje të kufizuar për sa u përket shkrimtarëve apo artistëve të Kosovës. Duket sikur njohja më e mirë e kësaj letërsie ka ndodhur gjatë komunizmit, ku pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve u ngrit dhe një redaksi që merrej me botimet e autorëve nga Kosova. Kjo ndodhi pas viteve ‘70, pasi deri ato vite nuk kishte njohje për sa u përket letrave në Kosovë, dhe kjo në mënyrë në seleksionuar. E pse në atë kohë, kjo letërsi orvatej më shumë drejt hermetizmit, botimi i autorëve, si: Azem Shkreli, Ali Podrimja, Adem Istrefi, Agim Gjakova, Sulejman Krasniqi, Rexhep Qosja etj., e bën më të plotë jo vetëm njohjen me Kosovën, por dhe me letërsinë shqipe. Kjo periudhë dhe pse nën censurë është e vetmja njohje e plotë me letërsinë dhe mendimin shqip në Kosovë.

Pas viteve ‘90, botimi i disa autorëve të Kosovës në Tiranë nuk mundi të kishte nivelin e impaktit që kishte te lexuesi në vitet e mëparshme. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me autorët nga Shqipëria të botuar nga botuesit në Kosovë, duke ndjerë një lloj refuzimi të heshtur për të njohur njëri-tjetrin. Një mbrëmje letrare e organizuar nga Mapo Edition në Prishtinë disa ditë më parë, për të prezantuar romanin “Pëshpërimë gruaje” me autore Klara Budën, numri i vogël i lexuesve të pranishëm në atë kafe letrare të linte të kuptoje se ky lloj refuzimi nuk ka të bëjë vetëm për autorët që shkruajnë shqip, por është ndoshta më i thellë, ndaj kulturës e librave në përgjithësi. Në Kosovën e përfshirë nga tensionet e njëpasnjëshme politike, libri duket si shqetësimi i fundit jo vetëm i politikës, por edhe vetë njerëzve. Humbja e besimit se përmes librave mund të ndryshojë diçka është ndoshta idioma më trishtuese që ndodh sot mes shqiptarëve. Në një kohë kur vetë biznesi i librit është prej vitesh në një krizë në të gjithë botën, në Kosovë e Shqipëri qeveritë tona përmes politikave kulturore duhet ta bëjmë inekzistente këtë krizë, jo vetëm duke mbështetur botuesit, por dhe duke iniciuar nisma që do ta afronin lexuesin me librin sidomos në Kosovë.

Takimet e hapura për libra ndodhnin rrallë në Prishtinë, dhe pse dy-tre librari të vogla i ishin bashkuar qytetit në këto prag festash. Kalendari i përbashkët kulturor i hartuar nga dy Ministritë e Kulturës gati katër vite më parë, më shumë se për festivale apo ekspozita të arteve pamore, duhet të jetë më shumë i përqendruar te libri. Ky i fundit duhet të kthehet në moton kryesore të Ministrisë së Kulturës në Kosovë, për të nisur një fushatë të thellë sensibilizuese që jo vetëm do të shtonte lexuesit, por do të përmirësonte shtetin e së nesërmes. Rasti i Kosovës është ndoshta më emergjenti ku në kushtet e mungesës së një politike të hershme mbi kulturën nacionale, kemi sot një brez pothuajse indiferent ndaj leximeve, apo të keqorientuar. Ndryshe nga Shqipëria ku komunizmi e përdori librin si mjet propagandimi ideologjik, shqiptarët e Kosovës nuk kanë mundur të shmangen ende nga një propagandë më e rrezikshme se ideologjia komuniste, e nisur që në kohët e ish-Jugosllavisë, duke orientuar drejt autorëve dhe librave që e përjashtojnë estetikën.

Kjo shihet edhe në Seminarin për Gjuhën dhe Letërsinë që mbahet çdo vit në Prishtinë, ku stigmatizohen shkrimtarë që në jetën letrare të Tiranës janë trajtuar gjithnjë si një letërsi nën mesatare. Glorifikimi me kast i autorëve mesatarë, pikërisht në institucionin që duhet të ishte pararojë për sa u përket shijeve estetike, tregon për një politikë të qëllimshme që ka nisur herët ndër shqiptarët në anën tjetër të kufirit.

Marrëdhënia e shqiptarëve në Kosovë me librin, është kartolina më e trishtë e këtij fundviti, që duhet të vërë në punë ata që hartojnë strategjitë kulturore për vitin që po troket.

Nikaja apo Astacia, cili nga këta dy ishte qyteti ilir në Klos të Mallakastrës?!

Ilirjan Gjika

Klosi është një nga fshatrat më të njohur të Mallakastrës, i cili ngrihet mbi truallin e qytetit antik të Nikajës. Rrënojat e një teatri, stadiumi, të një shëtitoreje, të disa banesave dhe të një vargu të gjatë mureve rrethuese, janë dëshmi të qytetërimit që “gjallon” këtu që nga antikiteti.

Dikur në librin e tij “Serbët dhe shqiptarët” historiani i njohur Milan Shuflaj theksonte se pas braktisjes së Apolonisë në shekullin V, një pjesë e banorëve të saj u vendos në Nikaja apo Klisura, siç nisi të quhej gjatë mesjetës qyteti mbi grykën e lumit Vjosa.

“Si shembull i Dukles është Apolonia në jug. Kjo përmendet për herë të fundit nën mbretin Justinian në katalogun e qyteteve të Hieroklit. Pak më vonë u shua sidomos nga shkaku i rritjes së moçaleve dhe sulmeve të armikut. Me banorët e saj u mbushën qytetet e vogla që gjenden rreth e qark, mezën e të cilave e përbënin kështjellat e vjetra bizantine. Kështu u formua Spinarica e kohës së mesme mbi grykën e Vjosës; pastaj Klisura (Këlcyra), 1319 Clissania, 1327-1335 Clausura, në vendin mbi Vjosë ku kalon udha Vlorë-Berat. Të dyja këto qytete u rrënuan në shekullin IV”, – thekson në ligjëratë të drejtë albanologu i shquar (M. Shuflai, Serbët dhe Shqiptarët, Malosmani, Tiranë, 1926, f. 9).

Më pas historia hesht për Klosin derisa në vitin 1431 në regjistrin osman, ai del si një fshat me 34 shtëpi (Halil Inalcik, Defter-i Sancak-i Arvanid, Hicri 835 Tarihli Suret-i, Türk Tarih Kurumu, Ankara, 1954).

Po kështu e ndeshim atë në regjistrimet e tjera turke të viteve 1570 dhe 1737 (Muzeu i Fierit, Regjistri Kadastror i Sanxhakut të Vlorës, viti 1570, AQSH, Fondi 128, dos nr. 17, fl. 35-38, lib. 61, viti 1737; cituar Teki Sadiku, Mallakastra dhe Myzeqeja e Vogël në rrjedhat e historisë deri më 1840, Migjeni, Tiranë, 2009, f. 216-218, 272-274). Si pjesë e Mallakastrës edhe Klosi ka marrë pjesë aktive në ngjarjet e rëndësishme të historisë së Shqipërisë, që nisin me kryengritjen kundër reformave të Tanzimatit në vitin 1847 të drejtuar nga Rrapo Hekali, në Luftën e Vlorës në vitin 1920, si dhe gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Vetëm një kilometër në jug të tij ndodhet Poçemi, vendi ku janë mbledhur tre kuvendet historike të Mallakastrës, të quajtura ndryshe edhe “Besëlidhjet e Poçemit”, në vitet 1847, 1920 dhe 1943.

***

Problemi i identifikimit të Nikajës lidhet ngushtësisht me atë të qytetit fqinj të Bylisit. Nëse rrënojat e qyteteve të tjera të antikitetit nuk patën asnjëherë probleme me identifikimin e tyre, ndryshe u shfaq problemi i qytetit ilir të Bylisit. Udhëtarët dhe studiuesit e huaj, që vizituan rrënojat e tij, pranë fshatit Hekal të Mallakastrës në fillim të shekullit XIX, u përpoqën që nëpërmjet hartave të vjetra, itinerareve të udhëtimeve dhe shënimeve të autorëve antikë, të përcaktonin se cilit qytet i përkisnin ato. Por kjo gjë nuk ishte e thjeshtë, sepse emri i Bylisit kishte humbur në thellësinë e shekujve. Edhe banorët vendas që banonin vetëm disa dhjetëra metra larg mureve të tij nuk e kujtonin një emër të tillë. Vendin ku shtriheshin rrënojat e Bylisit ata e quanin Kodra e Gradishtës, një emërtim që vinte nga shekulli X, i cili i përkiste periudhës së pushtimit bullgar dhe që do të thoshte qytezë.

Të vetmet mbetje që ruheshin nga shkëlqimi i dikurshëm, ishin muret e periudhave të ndryshme, disa pjesë mozaikësh që vendasit i quanin qilima dhe një mbishkrim me shkronja latine, në faqen jugore të kodrës mbi lumin Vjosa.

Në të tilla kushte i gjeti këto rrënoja Pukevili, kur i vizitoi për herë të parë ato në vitin 1806, duke mos qenë në gjendje të përcaktonte se cilit qytet antik i përkisnin ato (F.C.H.L Pouqueville, “Voyage dans la Grece, Paris, 1862, vol I, f. 316-319). Vetëm disa vjet më vonë, pikërisht në vitin 1813, do të ishte udhëtari anglez, Henri Holland, i cili pasi vizitoi rrënojat u ndal tek mbishkrimi latin, të cilin e quajti i “Lolianusit” (H. Holland, Travels in the Jonian Isles, Albania, Thesaly and Macedonia during dhe years 1812-1813, London, 1815, ose shiko Henri Holland, “Mjek te Ali Pasha”, Tiranë, 2008, Migjeni, f. 220-223).

Ja se ç’thuhet në të: “Mark Valeri, i biri i Mark Kuirini Lolianit, prefekt i kohortës së parë të Apamenorëve, shigjetare kalorës, tribun ushtarak i legjionit të shtatë, prefekt i krahut te kalorësve, flav Agripian, përfaqsues ne Mesopotami pranë repartit te kalorësve të zgjedhur, roje August Seriake Agripiane Herkulane të qytetarëve romakë, i se parës flave të qytetarëve romake, i se dytës thrake, i së tretës Ulpia Paflagone, i së dytës kalorësve të se parës Askalinatore, i së parës flave Kalkidas, i së pestës Patras, i së tretës Lucense, i së parës Ulpia Petra, i së dytës Ulpia Paflagone, i se parës Ulpia shigjetare, i së tretës Dukase, i se parës Singabre, ndërtoi rrugën publike që tëçon në koloninë Bylidense nepër Astacie, në vende të thyera dhe të rrezikshme në menyrë që të kalojnë karrot, gjithashtu ngriti ura me shpenzimet e veta në lumin Argia në përrenj dhe e shkruajti me dekret të dekurioneve” (Nishat Hamitaj, Hekali dhe Mallakastra në thellësi të shekujve, Fier, 2000).

Mbishkrimi është gdhendur në një shkëmb në faqen jugore të kodrës, nën muret antike të Bylisit. Mbishkrimi ka formën e një flete drejtkëndëshe me përmasa 2.03 m i gjerë dhe 3.05 m i gjatë. Ai përbëhet nga 15 rreshta të shkruar në gjuhën latine dhe që kanë thellësinë 0.20 m. Mbishkrimi është gdhendur në emër të Markus Valerius Lolianus, oficer i ushtrisë romake, i lindur në Bylis, koloni romake në atë kohë, i cili ndërtoi me shpenzimet e tij rrugën publike që niste nga Bylisi, për në ASTACIA.

Mbishkrimi tregon se Loliani ndërtoi ura mbi lumin Argia (Gjanica) dhe përrenj të tjerë si dhe e bëri të kalueshme për qerre dhe karroca, mjete të transportit të atëhershëm. Ndërtimi i rrugës së Astacias dukej se ishte një domosdoshmëri për Bylisin, sepse traseja e mëparshme e saj ishte e ngushtë dhe kalonte në vende të rrezikshme. Kjo gjë vërtetohet edhe nga një dekret i dekurionëve të Bylisit.

Deri pak kohë më parë ekzistonin disa hipoteza se në cilin itinerar të çonte rruga e Astacias. Karl Paç, profesori i Universitetit të Vjenës, që e pa këtë mbishkrim në vitin 1902, mendonte se kjo rrugë të çonte në Berat, ndërsa arkeologu tjetër austriak, Kamilo Prashniker, që bëri gërmimet e para arkeologjike në Bylis dhe vëzhgimet e para në Klos, hodhi idenë se rruga e Lolianosit të çonte drejt Nikajës (Klosit), që ndodhej vetëm 1.5 km në lindje të Bylisit.

Vetëm kohët e fundit u përcaktua se Astacia ishte Nikaja, e cila e mbante këtë emër të dytë me origjinë nga mitologjia. Në antikitet ishte një dukuri masive lidhja e emrit të qytetit me një origjinë mitologjike. Kështu kishte ndodhur edhe me qytetet përreth dhe Bylisin fqinj.

Ndërsa apoloniatët parapëlqenin një legjendë të tillë të treguar nga Apolodori, sipas së cilës: “Pasi vdiq Helefenori në Trojë, populli i tij u zhvendos në gjirin e Jonit, duke u vendosur në Apoloninë e Epirit” (Apollodorus, Epitome, VI. 15-15b).

Po kështu, Stefan Bizantini, një tjetër autor antik tek vepra e tij: “Mbi qytetet dhe popujt” na njofton se “Bylisi ishte themeluar nga Neoptolemi i biri i Akilit” (Stefanus Bizantus, De Urbibus et Populis, 110). Edhe fqinjët amantë që jetonin përgjatë luginës së lumit Shushica (Kelydnos), përtej lumit Vjosa, aludonin se qyteti i tyre ishte krijuar nga abantët e Eubesë, që ishin vendosur aty pas luftës së Trojës.

Legjenda të tilla që fantazonin themelimin nga heronjtë e Trojës, mbartnin edhe kolonitë e tjera të bregdetit, si: Oriku, Butrinti dhe Finiqi.

Por përpara se të shkojmë tek legjenda e Nikajës le të përmendim shkurtimisht historinë e identifikimit të rrënojave të Klosit.

Përpjekjen e parë për ta identifikuar qytetin antik në Klos e bëri epigrafisti francez Luis Robert, një ekspert i njohur në këtë fushë. Në vitin 1965 ai erdhi në Shqipëri ku studioi një sërë mbishkrimesh në disa nga sitet e njohura arkeologjike. Midis tyre ishte edhe mbishkrimi i Lolianit në Bylis dhe hodhi idenë se Astacia nuk ishte gjë tjetër veçse qyteti antik në Klos, të cilën ai e quajti Nikaja:

“Ndër qytetet e quajtura Nikaia, Stefan Bizantini përmend një të vendosur në Iliri. Besoj se deri në këtë moment nuk kemi pasur asnjë të dhëne sado të vagullt rreth vendndodhjes së tij. Tani dimë se duhet ta vendosim para qytetit e Apolonisë. Pra në territorin e Bylionëve. Emri i tij të jep idenë e një qyteti të themeluar në periudhën helenistike.

Do të hezitonim ta gjenim atë në malet vështirësisht të arritshme aty rrotull por ka shumë të ngjarë të ndodhet përgjatë rrugës së madhe që të çon në hyrje të vendit, në luginën e Aoos. Shqyrtimi i hartës gjeografike të rajonit tregon se sitet antike nuk janë të shumtë.

Një rrethim i rëndësishëm i periudhës helene, vendosur fare pranë Bylisit, në Klos ështe ende anonim. Të jetë ky qyteti i Nikaias?”, – shkruan ai te “Shënime të Epigrafisë Helenistike” (Louis Robert, Notes d’épigraphie hellénistique, In: Bulletin de correspondance hellénique, Volume 52, 1928, pp. 426-443).

Deri këtu profesori i njohur i historisë dhe epigrafisë greke në Collège de France kishte të drejtë, sepse deri në atë kohë në rrënojat e Klosit nuk ishin zhvilluar gërmime arkeologjike dhe ekzistonte vetëm një mur rrethues i vëzhguar në gjendjen e tij fizike nga Prashnikeri në vitet 1916-1918 (Camillo Praschniker Muzakia und Malakastra, Wien, 1920).

Planimetrinë e parë të shtrirjes së Nikajës, Prashniker e bëri në vitet e Luftës së Parë Botërore, të cilën e botoi së bashku me të dhëna të tjera në librin e tij “Mallakastra dhe Myzeqeja” në vitin 1922 në Vjenë, ribotuar së fundmi edhe në gjuhën shqipe. Ndërsa gërmimet arkeologjike nisën shumë vonë për të përfunduar njëkohësisht shumë shpejt.

Vetëm në vitet 1970-1971, Instituti i Arkeologjisë nisi gërmimet e para në Klos. Do të ishte Lazër Papajani ai që gërmoi i pari këtu, duke zbuluar një teatër, një shëtitore, disa banesa, objekte qeramike etj. Rezultatet e tyre ai i botoi në formë studimesh në revistat shkencore të kohës, si: “Studime Historike”, “Buletini Arkeologjik” dhe “Monumentet”. Më pas, për arsye të panjohura, gërmimet arkeologjike dhe studimet e mëtejshme në Klos mbetën në vend, ashtu siç vazhdojnë deri më sot.

Ndërkohë që në këto botime, Lazër Papajani, përmend për këtë qytet antik edhe emërtimin hipotetik të Luis Robertit, Nikaja. Pavarësisht se ai dhe studiuesit e tjerë të fushës u treguan të kujdesshëm me këtë emërtim, historiografia shqiptare e pranoi de fakto këtë emër, i cili nisi të përdorej rëndom pothuaj në të gjitha librat e historisë që botoheshin në Shqipëri.

Do të kalonin shumë vite që studiues të tjerë t’u referoheshin përsëri studimeve për Nikajën. Disa vite më parë do të ishte studiuesi Etnor Canaj, i cili do t’i kushtonte disa artikuj studimor kësaj teme. Në shkrimin e tij “Mark Loliani dhe rruga e tij drejt Nimfës së Burimeve”, botuar në 17 tetor 2013, në website “Fieri.com”, ai theksonte se “Nikaia në lashtësi ishte Nimfa e burimeve, e ujit të përrenjëve, pra hyjnesha e ujërave”, duke cituar këtu Margarit Rogoliozon. Sipas saj, kjo nimfë emërtohej me dy emra të ndryshëm, por që kishin të njëjtin kuptim: Nikaia ose Astacia (Marguerite Rigoglioso, The Cult of Divine Birth in Ancient Greece, Palgrave Macmillan, 2009, f. 98-99).

Pra, edhe Nikaja kishte legjendën e saj të themelimit ashtu si edhe “qyteti-bir” i saj, Bylisi (Nikajasit e kishin themeluar atë) dhe qytetet e tjera fqinjë si Amantia, Apolonia, Oriku etj.

Kështu, Etnor Canaj “rindërton” legjendën se qyteti antik u themelua nga nimfa Nikaja e cila i vendosi atij emrin e tij. Dhe vërtet Nikaja ishte qyteti i ujërave, sepse vetëm disa dhjetëra metra larg tij ndodhen përroi i Povlës, burimi karstik i Poçemit dhe lumi Vjosa.

Pra, qyteti u emërtua Astacia ashtu siç e gjejmë të shkruar në mbishkrimin e Lolianusit për shkak të pranisë së ujërave të shumta. Por ndoshta këtu ka ndodhur edhe dukuria e Durrësit antik, i cili për helenët ishte Epidamn ndërsa për romakët Dyrrahium. Mbase gjatë pushtimit romak edhe Nikaja u quajt prej tyre me emrin e dytë, Astacia.

3 Merita e gërmimeve arkeologjike në Nikaja, zbulimi dhe restaurimi i monumenteve të saj u bë nga Lazër Papajani në vitet 1970 të shekullit të kaluar. Rezultatet e tyre ai i botoi në formë studimesh në revistën “Studime historike” në vitin 1979, me titull “Qyteti ilir në Klos”, tek revista shkencore “Buletini arkeologjik” në vitin 1974, me titull “Raport mbi gërmimet arkeologjike të vitit 1973 në qytetin ilir në fshatin Klos të Mallakastrës”, “Monedha te zbuluara ne qytetin ilir në Klos”, në revistën “Iliria” nr. 6 të vitit 1976, si dhe në revistën “Monumentet” nr. 18, në vitin 1979, artikullin “Teatri në qytetin Ilir në Klos të Mallakastrës dhe punimet restauruese në të”.

Ndërkohë, të tjera studime dhe botime të pjesshme për Nikajën ka botuar në vitet `80-`90 të shekullit të kaluar edhe Neritan Ceka. Përveç shkrimeve si “Koinoni i Bylineve”, në “Iliria”, II, viti 1984; “Bylisi dhe etapat e zhvillimit urban në bashkësinë byline”, botuar në revistën “Monumentet”, II, në vitin 1988; apo “Fortifikimet antike të bashkësisë Byline”, në revistën Iliria, II, të vitit 1990, trajtesat për këtë qytet i gjejmë edhe në libra të veçantë të këtij autori. Mund të përmendim: “Ilirët” (Ilar, Tiranë, 2001), “Udhëtim në kështjellat ilire” (Migjeni, Tiranë, 2006) apo librin me bashkautor kolegun Skënder Muçaj, “Bylisi, historia dhe monumentet” (Migjeni, Tiranë, 2004).

Duke u bazuar në këto studime mund të ndërtojmë një “skedë” rreth shtrirjes dhe historisë së qytetit. Sipas tyre, Nikaja ishte themeluar si vendbanim diku në shekujt VIII-VII p. K., gjatë periudhës arkaike. Dalëngadalë ai u shndërrua në qytet rreth shekullit të V p. K.

Qyteti ishte vendosur në pjesën më të lartë të kodrës së sotme të fshatit Klos, e cila përbëhej nga dy maja dhe një pjesë e gjerë dhe e rrafshët midis tyre. Ajo arrinte një sipërfaqe prej 18 ha dhe rrethohej nga mure që arrinin një gjatësi prej 1850 m.

Por meqenëse kodra ku shtrihej qyteti i Nikajës ishte e vogël dhe nuk u përgjigjej kërkesave për zgjerim të banorëve, autoritetet vendosën që rreth 1,5 km më në perëndim të saj, të ngrinin një qytet të ri në një tjetër kodër buzë të Vjosës.

Kështu lindi qyteti i Bylisit, fillimisht në formën e një dyqytetëshi, diku gjatë shekullit IV p. K. dhe që i ngjante shumë qytetit “nënë”. Nikaja kishte banesa, shëtitore, akropol, teatër, stadium dhe gjimnaz, të vendosura në mënyrë të rregullt sipas planit arkitektonik të Hipodamnit, arkitektit të njohur të lashtësisë.

Nga gërmimet arkeologjike janë gjetur vula qeramike me emra të tillë, si: BAΛANEIOY, BANAKSI, DIMOΣIA, ΛΩNIDA etj.; si dhe një sërë mbishkrimesh, si ato të teatrit, ku ndeshim emra prytanësh e dekrete për lirim skllevërish dhe dhënie qytetarie. Të gjitha këto fakte tregojnë se Nikaja ishte qyteti i dytë për nga rëndësia brenda Koinonit Bylin.

Ndër monumentet e ruajtura më mirë të këtij qyteti është teatri. Ai është i vendosur 60 m larg mureve rrethuese në pjesën veriore të tyre. Me një kapacitet prej 700 spektatorësh teatri përbëhej prej 17 shkallaresh me diametër prej 11.30 m, të gdhendura të gjitha në shkëmbin e kodrës.

Të tjera monumente që kanë mbetur nga Nikaja janë porta e qytetit në pjesën veriore dhe një pjesë muresh në pjesën jugore të tij, ku në segmente të caktuara kemi mure ciklopikë, poligonalë dhe trapezoidalë. Mund të përmendim edhe disa banesave qytetare të gdhendura në shkëmb dhe një stoa me gjatësi 40 m, e cila nuk është zbuluar plotësisht nga arkeologët. Ndërkohë që në pjesën veri-perëndimore të qytetit, mbi portën kryesore ruhen muret edhe të një kulle rrethore, të cilat i kanë shpëtuar deri diku shkatërrimeve.

Përsa i përket historisë mund të themi se në vitin 168, gjatë Luftës III Iliro-Romake, ndryshe nga Bylisi, Nikaja së bashku me disa qytete të tjera byline ju bashkuan aleancës së mbretit ilir, Gentit, me Perseun e Maqedonisë për të luftuar kundër Romës.

Pas fitores mbi aleancën trupat romake kryen reprezalje mbi armiqtë. Gjatë fushatës ushtarake të vitit 167 p. K. konsulli romak, Paul Emili, dërgoi kundër Nikajës dhe qyteteve që ishin bashkuar me armiqtë, komandantin e tij Nasikën dhe të birin, Kuint Maksimin. Qëllimi ishte i thjeshtë, për tu hakmarrë duke i djegur ato. Pas këtij akti, Nikaja, mund ta ketë marrë veten por jo në përmasat dhe rëndësinë që kishte.

Kjo gjë vërtetohet nga mbishkrimi I Lolianosit. Përpjekjet e tij për të riparuar rrugën që të çonte në Astacia (Nikaja) tregojnë se qyteti ishte rindërtuar tashmë. Po kështu rrënojat e disa kishave paleokristiane që dokumentohen më vonë si dhe nga gjetja e monedhave bizantine e dëshmon vijimin e aktivitetit të këtij qyteti edhe ndaj mesjetës.

Por, Nikaja mund të jetë ripërtërirë me të larguarit nga braktisja e Apolonisë në shekullin V, ashtu siç na e përshkruan edhe Milan Shuflai. “Klisura (Këlcyra), 1319 Clissania, 1327-1335 Clausura, në vendin mbi Vjosë ku kalon udha Vlorë-Berat. Të dyja këto qytete u rrënuan në shek. 14 (M Shuflaj, Serbët dhe Shqiptarët, f. 9).

Ndoshta dyndjet e popujve barbarë bënë që të larguarit nga Fusha Ilire (Myzeqeja e sotme) apo qendra të tjera të banuara të vendoseshin këtu për tu mbrojtur nga vetë pozicioni strategjik i qytetit. Edhe mospërmendja e Nikajës nga Prokopi i Cezaresë në veprën e tij “Mbi ndërtimet” tregon se ajo nuk u shkatërrua nga Barbarët si Bylisi fqinj. Ka shumë mundësi që edhe banorët e Bylisit duke e parë gjendjen e pashpresë të tyre përballë sulmeve të popujve barbarë të jenë strehuar në Nikaja.

Ndoshta nga kjo periudhë kemi edhe emrin Klisura-Klos, që vjen nga termi grek klisura-ngushticë apo ai latin clissania, d.m.th. clusum-i mbyllur, pra ngushticë. Kjo për shkak të kanionit të ngushtë që krijon lumi i Povlës, i cili kalon në jug të kodrës së Nikajës.

Këtu kalonte dikur rruga antike Apoloni-Bylis-Antigone si dhe rruga mesjetare që lidhte Aulonën me Pulkeriopolisin (Vlorë-Berat ), itinerarin e së cilës e ka “ndërtuar” në terren ing. Jovan Adami. Kjo rrugë kalonte në segmentin e sotëm Vlorë-Babicë-Armen, ku kapërcente Vjosën në Murtajas dhe ndiqte vijën Selishtë-Hekal-Ballsh-Aranitas-Qafë e Sinjës-Bolinjan-Velabisht-Berat (Jovan Adami, Rrugë dhe objekte arkeologjike në Shqipëri, Tiranë, 1983, f. 63).

Por kur u braktis si qytet apo kështjellë për herë të dytë Nikaja apo Klisura mesjetare?! Këtë gjë nuk mund ta hamendësojmë dot. Duhen pritur që të trokasin përsëri aty kazmat e arkeologëve për të mësuar një gjë të tillë. Ndoshta luftërat normano-bizantine të viteve 1107-1108 sollën edhe fundin e këtij qyteti i cili do të shndërrohej më pas në një fshat të thjeshtë që nuk do të kishte më rëndësinë e dikurshme.(Dita)

Arkeologët zbulojnë të mbeturat e Kalit të Trojës (foto)

Kali i Trojës u ndërtua nga grekët si pjesë e manovrimit të tyre për të rrëzuar qytetin e lashtë të Trojës dhe për t’i dhënë fund Luftës së Trojës. Për herë të parë përmendet në poezinë epike virgjiane të Aeneidit në fund të shekullit të parë para erës sonë

Sipas legjendës, grekët e ndërtuan atë pas një rrethimi të pafrytshëm 10-vjeçar. Ushtarët e Elitës u fshehën brenda kalit prej druri, i cili më pas u sollë brenda Trojës. Gjatë natës, ushtarët u zhvendosën dhe hapën portat e qytetit, duke lejuar pjesën tjetër të ushtrisë greke që të pushtonte Trojën dhe t’i jepte fund luftës.

Historianët e lashtë grekë besojnë se Lufta e Trojës ndodhi midis viteve 1300 dhe 1100 para erës sonë edhe pse një datë e caktuar nuk është pranuar universalisht, raporton “Locklip”, transmeton Periskopi. Kjo është për shkak të faktit se Troja ishte shkatërruar dhe rindërtuar disa herë gjatë historisë së saj.

Për shekuj me radhë kjo llogari konsiderohej fiksion, por një zbulim i fundit arkeologjik i bërë në ditët e sotme në Turqinë moderne mund të provonte se Kali i Trojës ishte i vërtetë.

Arkeologët turq që gërmojnë në kodrat e Hisarlik, ku dikur qyteti i fuqishëm i Trojës ka zbuluar një strukturë të madhe prej druri, besojnë se luajti një rol jetësor në Luftën e Trojës. Ata sollën në dritë dhjetëra pika dhe trungje bredhi, disa prej të cilave ishin në gjatësi deri në 15 metra. Struktura prej druri u gjet brenda mureve të qytetit.

Udhëtari dhe gjeografi grek Pausanias shkroi në shekullin e 2 pas Krishtit që Kali i Trojës ishte një copë gjigante që i ngjante një kali. Në Post’homericë, Quintus Smyrnaeus përmend një mbishkrim të lënë pas nga grekët pasi ata fituan luftën: “Për kthimin e tyre në shtëpi, grekët ia kushtojnë këtë ofertë Athenit”. I njëjti mbishkrim u gjet në vendin e gërmimit.

Struktura i përshtatet përshkrimeve të Homerit, Virgjilit dhe disa figurave të tjera historike. Kjo bëri që arkeologët të besonin se ata kanë gjetur vërtet makinën e rrethimit që ndihmoi në fitimin e Luftës së Trojës.

Testimi i karbonit dhe teste të tjera sugjerojnë copa druri dhe objekte të tjera të zbuluara datojnë në shekullin e 12’të ose 11’të para erës sonë. Kjo përputhet me datat e cituara nga shumë historianë të lashtë, si Eratosthenes ose Proclus.

Arkeologët prof. Christine Morris dhe Chris Ëilson thonë se janë shumë të bindur se kanë gjetur dëshmi që konfirmojnë ekzistencën e Kalit të Trojës. Sipas tyre, struktura është me të vërtetë e lidhur me legjendarin Kali i Trojës. Të gjitha testet e kryera konfirmojnë teorinë e tyre.

Nëse kanë të drejtë, Kali i Trojës do të bëhet një legjendë tjetër që është materializuar në një pjesë të vërtetë të historisë./Periskopi/

Romuli dhe Remi, bij skllevërish. Mund të ketë qenë ndryshe historia e themeluesve të Romës

Në librin e tij Jeta e Romulit, Plutarku ofron një version të ndryshëm nga ai që njohim, mbi origjinën e binjakëve:

“Tarketi, mbreti i Albanëve, i cili ishte tejet mizor, u vizitua nga një fantazmë e cuditshme në shtëpinë e tij, një organ seksual mashkullor që ngrihej nga toka… një orakull i tetit në Etruria e informoi Tarketin, si nje virgjëreshë duhej që të kryente marrëdhënie me këtë fantazmë; më pas ajo do të lindte një djalë me një vlerë të jashtëzakonshme, me shumë fat dhe shumë forcë.

Tarketi ia tha profecinë njërës prej bijave të tij dhe e urdhëroi që të kryente marrëdhënie me fantazmën; por ajo nuk pranoi, dhe dërgoi një skllave në vendin e saj. Kur Tarketi mësoi për hilenë, ai u zemërua dhe i dënoi të dyja me vdekje. Por Vesta iu faneps në ëndërr dhe e ndaloi që t’i vrasë.

Më pas ai urdhëroi që të dyja të endnin në burg dhe u tha se kur të përfundonin endjen, do të liroheshin dhe do të martoheshin. Por atë që ato e endnin gjatë ditës, Tarketi urdhëronte gra të tjera që ta zhbënin natën. Kur skllavja lindi binjakë, Tarketi ua dha një farë Teratiusi, të cilin e urdhëroi t’i vriste. Dy binjakët, sic dihet nuk do të vriteshin. Do të rriteshin dhe do të themelonin Romën./Bota.al

Edhe një talente e re e artit dhe fjalës së shkruar!

Doli nga shtypi libri i parë “Trëndafili kërkon shi” i autores Marigona Krasniqi. “Edhe një talente e re e artit dhe fjalës së shkruar. doktoresha e ardhshme Marigona Krasniqi, sjell veprën e parë me poezi në të cilën gjejmë të ndërtuar një trase të standardizuar dhe të ndërthurur bukur me gjithë format, ritmin, figurat, metriken po edhe lloje të elementeve tjera përfshirë në opusin e shprehjeve të saj poetike

Nga Shota Krasniqi

Sapo të keni lexuar vargjet e para të kësaj përmbledhje poetike, keni për të vërejtur çiltërsinë, dëlirësinë dhe pacenueshmërinë e asaj që e quajmë njerëzore. Një botë me plot optimizëm, por edhe barierat gjatë këtij rrugëtimi. Dhe aty ku gjendet e bukura… / kërko hënën për pak shkëlqim/ E nëse hëna s’të bëhet mike/bëj dritë hënës ti miku im! Këto dhe disa nga porositë që shprehë autorja ne shkrimet e saj, më shumë se në çdo profesion tjetër kërkohen prej studentëve të mjeksisë. Atje ku është dashur të lidhet dashuria me çantat, me supet e ngarkuara plot libra, me biblioteka e laboratorë, për ti shërbyer popullit dhe shëndetit të tyre. Të dëshprohem s’më ngelet kohë kam shumë punë për të bërë, identifikohem me librin unë, shërbëtorja e shëndetit. (poezia,“STUDENTE E MJEKËSISË) Po edhe kur shkruan për etjen, ku pranë saj ishte buzeqeshja, lumturia… Për ty isha trëndafili më i bukur në jetë, E ti për mua ishe shiu që më ujisje me dashuri të vërtetë. (Vargje të poezisë “TRËNDAFILI KËRKON SHI”). Me ritmin e rimes, me thyerjen e tingujve dhe rrokjeve, Marigona na jep kënaqësinë sapo lexojmë vargjet e shkruara për babain. Je diell i ngrohtë që nuk i lë zemrat tona të ftohen, e gjithë jeta jote është kryevepër mirësitë tua nuk harrohen. (Për babain). Me mjeshtri pene jep shembullin se si duhet pritur pacientin për të cilin duhet përkushtuar kohë të gjatë në studime. Ta afrojmë e mjekojmë dinjitetshëm ashtu siç kemi dhënë betimin se… Do të mjekojë me fytyrë të buzëqeshur me fjalë të mira dhe me delikatesë, për ty do të tregojë shumë kujdes e ti dhimbjen nuk do ta ndjesh. kam dhënë atë betim, Ta ndihmojë çdokënd që ka nevojë për shërim. ( “Pacientit tim”) Poetja porositë që askush te mos bie në zgripsin e zhgënjimit siç kishte rënë qengji në poezinë “Frika e qengjit” apo në vargjet me titull “Përpëlitje”, por të gjitha sfidat dhe turbulencat t’i kapërcejë brenda vetes… Aty ku do jesh,/ I fundit që mbyllë natën/ dhe i pari që hapë mëngjesin. Ishin këto disa nga vargjet e poezisë ,”Kërko veten brenda vetes”) për të vazhduar më streset dhe traumat që na ka lënë lufta, mizeria e asaj kohe… I ndjekur nga serbët, nga Kosova u largove, mallin për familje në zemër e mbolle. ( Vargj nga poezia “FISI QË NUK SHUHET”) Një përshkrim për të sotmen, autorja ia dedikon mjedisit ku lexon e studion. Ia dhuron bibliotekës me plot libra që i marrim falas… /Orë të shenjta,kohë e artë,/thesari dhurohet falas… Nxitoni! (Poezia, “NË BIBLIOTEKË”) Janë këto vetëm disa nga vargjet e thurura bukur në veprën e Marigona Krasniqit, me 50 tituj të poezive dhe me mbi njëqind mençuri, duke zënë kështu, vendin e merituar vitrinave të librave dhe e cila premton se ka për të na sjell edhe shumë e shumë shkrime tjera letrare”. (pjesë nga recensioni dhe vlerësimi i shkrimtarit dhe poetit Sheremet Prokshi).

Biografia e autores:

Marigona Krasniqi u lind më 24 dhjetor 1993 në Negroc të komunës së Drenasit. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme të mjekësisë në Gjakovë. Aktualisht është studente e rregullt e mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Krahas studimeve Marigona ka marrë pjesë në trajnime dhe seminare të ndryshme ku është shpërblyer me çertifikata të shumta. Në qershor të këtij viti ajo ka qenë kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës. Me krijime letrare merret qysh prej shkollës fillore, ku disa prej tyre janë botuar në revistën e shkollës dhe në revista të tjera në kuadër të komunës. “Trëndafili kërkon shi” është libri i parë i autores.