Hapet ekspozita ‘Moti i Madh’, jeta dhe betejat e Skënderbeut

Në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar çeli sot ekspozitën me titull “Moti i Madh”

Kjo ekspozitë përmban statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane.

Bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shek. XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut.

Objekti qëndror i ekspozitës është kambana e Karpenit me tingullin e saj, si gjurmë e kohës, e cila daton në vitin 1465. Po ashtu, përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman pasqyrohet nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me emblemat e tyre, fisnikët që morrën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës, bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve.

Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me mbretërit e me princët evropianë të kohës. Ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre, që bazohej mbi trupat mercenare të armatosura rëndë, Skënderbeu u mbështet mbi një ushtri të armatosur lehtë, me lëvizshmëri të madhe e aftësi të lartë goditëse, të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi. Objektet e ekspozuara e ilustrojnë qartë armatimin e kohës.

Ekspozita përmban ekspozitorë të cilat paraqesin për vizitorët armë mesjetare si dhe libra të autorëve të ndryshëm dedikuar Skënderbeut. Projeksionet artistike me dokumentarë dhe imazhet nga filmi i Skënderbeut pasurojnë këtë ekspozitë të veçantë gjatë gjithë hapësirës së hollit kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.

Figura e Skënderbeut mbeti e gjallë në ndërgjegjen e popullit shqiptar si kujtim i luftës me fitoret e tij legjendare dhe u bë krenaria për një të kaluar, të cilën donin t’a përsërisnin. Figura e Skënderbeut ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit e në përgjithësi të opinionit publik evropian, të cilët kanë kërkuar të nxirrnin mësime nga përvoja luftarake e shqiptarëve, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj.

“Bijtë e askujt”

Nga Xhevdet Shehu

Romani “Bijtë e askujt” (Vajazan, 2016) i autorit Rexhep Qosja është një vepër polifonike shumëdimensionale. Është një roman jetëshkrimor, historik, për fatin e intelektualit shqiptar në kohën e diktaturës në dy shtete komuniste: në Republikën Popullore të Shqipërisë dhe në Republikën Federative Popullore të Jugosllavisë. Ngjarjet zhvillohen në të dy vendet, më saktë në Shqipëri dhe mandej në Kosovë, që dikur ishte e përfshirë në Jugosllavi.

Kjo vepër është një sagë shqiptare e shekullit të njëzetë që shtrihet deri në fillimin e shekullit të njëzetenjëtë. Autori synon t’i bëjë autopsinë regjimit komunist tashmë i mbetur si një e kaluar historike por me gjurmë të fuqishme në jetën dhe kujtesën tonë kombëtare. Por edhe fatit të shqiptarëve në të dy anët e kufirit, në Shqipëri dhe në Kosovë.

Për të bërë këtë autopsi autori ka gjetur si pretekst jetën dhe persekutimin e Tarik Saraçit, një shkrimtari disident të përndjekur, arrestuar dhe burgosur, mandej i arratisur në ish- Republikën Federative të Jugosllavisë.

Kjo vepër është botuar fillimisht në vitin 2010 në Prishtinë në dy vëllime dhe është ribotuar e plotë në një libër në vitin 2016, pra në 80-vjetorin e lindjes së autorit. Është një vepër e vëllimshme, prej 700 faqesh dhe padyshim një nga veprat më përfaqësuese të këtij autori, duke shënuar dhe një rekord në letrat shqipe.

Rexhep Qosja, i njohur më së shumti si studiues i letërsisë shqipe dhe kritik i saj, ku ka kryer punë dhe studime sa të vëllimshme aq dhe cilësore si askush tjetër, ka lënë një vulë të pashlyeshme në historinë e kulturës sonë kombëtare. Por Qosja është dhe një shkrimtar i mirëfilltë dhe me individualitet të spikatur në letrat shqipe. Për këtë dëshmojnë dy veprat më të qenësishme të tij: romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” botuar në Prishtinë dhe Tiranë në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, drama dhe proza të tjera dhe tani së fundmi romani “Bijtë e askujt” që mendoj se është një nga veprat më të rëndësishme jo vetëm të këtij autori, por në gjithë letrat shqipe. Romani “Bijtë e askujt” qëndron natyrshëm dhe harmonishëm në korpusin e veprave të këtij autori, duke shënuar një kulm në krijimtarinë e tij.

Rexhep Qosja, ashtu si në gjinitë e tjera në të cilat ka shkruar një jetë të tërë, edhe në letërsi ka stilin e tij të patjetërsueshëm dhe të spikatur. Romani “Bijtë e askujt” në pamje të parë të kujton Jakov Xoxën apo Mitrush Kutelin, Dhimitër Shuteriqin, apo Sabri Godon, por gjithsesi ai është Rexhep Qosja lehtësisht i dallueshëm nga të tjerët, për stilin e tij, narracionin, përshkrimet, gjuhën dhe kompozicionin e veprës. Ai është sa tradicional, aq dhe modernist. Madje më shumë modernist.

Tarik Saraçi është një pretekst. Brenda emrit dhe fatit të tij janë edhe shumë emra të tjerë të historisë e kulturës kombëtre shqiptare, para dhe pas tij. Janë aty Vaso Pasha (Feja e shqiptarit është shqiptaria), Hoxha Tahsini, Naum Veqilharxhi, Thimi Mitkua, Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Andon Zako Çajupi, Filip Shiroka, Jani Vreto, Asdreni, Fan Noli, Faik Konica, Luigj Gurakuqi. Të gjithë këta vdiqën në toka të huaja. Si bij të askujt! Prandaj dhe tek fati i Tarki Saraçit është i ngjizur fati i të gjithë këtyre emrave të ndritur të kulturës sonë në kohë të ndryshme. Madje dhe fati i vetë autorit Rexhep Qosja…

Ndaj dhe Rexhep Qosja i ka vënë këtë titull romanit të tij: “Bijtë e askujt”. Është fati i shqiptarëve të shquar në shekuj. Një fat tejet i trishtë. Autori gati sa nuk ulërin nga dhimbja prej një fakti të tillë. Pse? Pse ta kemi një fat të tillë? Duket sikur pyet ai në gjithë romanin e tij. Madje zbërthimi i këtij fati të kobshëm është shtysa për të shkruar një vepër të tillë.

Kur thashë se ky roman është një sagë shqiptare, kisha parasysh shtrirjen e kësaj historie në tre shekuj (më së paku në vitin 1892 a 1893 kur kish lindur i ati i Tarik Saraçit) e deri në ditët tona. Kemi të bëjmë me një vepër letrare, por po aq edhe historike pasi aty përshkruhen figura të historisë e të kulturës sonë, që nga Ismail Qemali, Fan Noli, Ahmet Zogu, Gjergj Fisha, Mit’hat Frashëri, ndërsa krej natyrshëm mpleksen dhe analizohen figurat e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut e deri te politikanë shqiptarë të Tiranës dhe të Prishtinës pas vitit 1990. Duke qenë një vend i vogël, këtu është mjaft e vështirë të bësh letërsi fiction, me personazhe situata imagjinare, pasi ne banorët e këtij vendi e njohim thuajse të gjithë njëri-tjetrin, në mos e njohim, kemi dëgjuar historitë tona të vjetra e të reja, ndaj dhe në romanin e Rexhep Qosjes gërshetohen e komunikojnë sa personazhet realë, aq dhe ata irealë.

Autopsia e së kaluarës

Autori i referohet shtypit amerikan kur pohon se në Shqipëri komunizmin nuk kish kush ta përmbyste, por u përmbys vetvetiu mbasi u përmbys në vendet e tjera komuniste, në mënyrë të veçantë mbasi u përmbys në Bashkimin Sovjetik. Po të mos ishte përmbysur në Bashkimin Sovjetik, komunizmi në Shqipëri do të jetëtonte për jetë të jetëve. E përmbysi shembulli e jo vetëdija. E përmbysi historia e jo guximi.

Për të bërë autopsinë e regjimit komunist autori operon me një sërë mjetesh artistike. Ai gjen një shembull, Tarik Saraçin, shkrimtar disident, jetëshkrimin e të cilit do ta bëjë një shqiptaro amerikan, Miran Bushati, i cili ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Nju Jork dhe nuk ka qenë kurrë në Shqipëri. Ai vjen për herë të parë në Shqipëri dhe në Kosovë ku është shtrirë jeta e personazhit, për të cilin i është kërkuar të shkruajë një roman historik. Ardhja në atdheun e prindërve të tij, për Miranin i ngjan vajtjes në një planet tjetër. Ai nuk di nga ta fillojë hulumtimin e jetës së personazhit të tij të vdekur, nuk di kë të takojë dhe kë të pyesë. Ai ka dëgjuar për komunizmin në Shqipëri, por nuk e ka jetuar atë. Dhe kjo është një vështirësi themelore për jetëshkruesin. Ai e sheh prapambetjen, ka dëgjuar për varfërinë në vitet e socializmit, sidomos në vitet e fundit të tij, por nuk e ka jetuar atë. Ai çuditet me prapambetejen e atdheut të prindërve të tij. Kush është shkaktar për këtë prapambetje të një vendi evropian? Europa? Njëri nga personazhet thotë: “Asnjë e keqe te ne nuk kishte ardhur para se të ndodhte më përpara në Evropë”. Apo shqiptarët? Njëri nga personazhet thotë “Te ne rregullisht vijnë të këqijat që e përfshijnë Evropën, por jo të mirat që i arrin Evropa. Si do të jetë në të ardhmen, pas një shekulli, nuk e di ashtu siç nuk mund të them se për këtë lojë me fatin tonë jemi fajtorë Ne apo Evropa”.

***

Miran Bushati e ndërton jetën e Tarik Saraçit nëpërmjet rrëfimeve të bashkëkohësve të tij, shkrimtarë, intelektualë, poetë, madje dhe ish oficerë të Sigurimit të Shtetit që e kanë njohur dhe, me apo padashje, janë bërë pjesë e historisë së tij. Janë edhe ata, denoncuesit cmirëzinj që i tërbonte fama dhe talenti i Tarikut. Pra kemi dy palë dëshmitarësh për jetën e heroit të romanit. Ata që kanë vuajtur vërtetë dhe ata që kanë bërë të vuajnë të tjerët.

Tarik Saraçi është një përgjithësim artistik, është një shumësi emrash të persekutuarish gjatë regjimit të kaluar brenda një emri.

Hulumtuesi shfrytëzon edhe arkivat me dosjet e së kaluarës. Ia krijojnë këtë mundësi, pasi është amerikan, shqiptaro-amerikan, sepse dosjet nuk janë hapur edhe sot e kësaj dite dhe nuk dihet se kur do të hapen. Njëri nga personazhet shprehet me skepticizëm të skajshëm: “Arkivat? Çfarë arkivash? Arkivat po pastrohen nga ata që janë në pushtet… po e pastrojnë të kaluarën e… e… Keni dëgjuar? Edhe bashkëpunëtorë të sigurimit po ritregohen sot me ‘dokumente’ si të ndjekur prej Sigurimit!Edhe deputetë të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë po tregohen si të ndjekur prej Sigurimit! Edhe kryetarë e nënkryetarë të partive, bashkëpunëtorë të Sigurimit si sekretarë të organizatave themelore të Partisë së Punës, po tregohen, me “dokumente”, si të ndjekur prej Sigurimit! Po të jesh në pushtet në Shqipëri, e bën jetëshkrimin tënd dhe të miqve të tu sipas qejfit, si të duash: jetëshkrim viktime edhe nëqoftëse ke qenë denoncues i të tjerëve; jetëshkrim heroi edhe nëqoftëse ke qenë horr me nëntë vula; jetëshkrim bamirësi e edhe në qoftë se ke qenë vrasës!”

Dhe përgjegjës kryesorë për vuajtjet dhe vdekjen e Tarik Saraçit sipas autorit janë dy: Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Madje Mehmeti më shumë se Enveri. Sepse Enveri dhe Mehmeti ishin arkitektët e atij sistemi, të mënyrës se si e ndërtuan shtetin dhe për pasojë janë ata përgjegjësit kryesorë për vuajtjet e njerëzve, për varfërinë, për arratisjet… Tarik Saraçi arratiset dikur dhe kalon në ish-Jugosllavi.

Kjo përshtypje i krijohet Miran Bushatit gjatë hulumtimeve. Gjithsesi hulumtuesit i vjen shpesh mendja vërdallë kur dëgjon pohime të kundërta.

Për Ahmet Zogun shkruan se ishtë një politikan dinak, i gjetur për kushtet shqiptare, që kishte bashkuar shumëfytyrësinë e despotit oriental dhe të bajraktarit shqiptar. Ishte kapaku që i përgjigjej vjegshit!

Për Esad Toptanin shkruan se ishte substanca tradhtare e feudalit, e krijuar gjatë shumë shekujsh pushtime: nga Bizanti, nga Mbretëria e Car Dushanit, nga Perandoria Otomane.

Tol Ymer Ashiku, ish oficer i Sigurimit të Shtetit, i përjashtuar nga ai shërbim pas (vetë)vrasjes së Mehmet Shehut thotë:

“Është e pamundur të besohet lehtë, pa e vënë nëntë herë gishtin në tëmtha, se mund ta vriste veten një revolucionar si ai, si Mehmet Shehu, që kishte qenë komandant i partizanëve në Luftën Nacional Çlirimtare, i cili kishte qenë luftëtar i Spanjës, natyrisht në anën e republikanëve, i cili kishte bërë aq shumë sakrifica për ndërtimin e socializmit në Shqipëri dhe për ngadhënjimin e internacionalizmit proletar në botë. Veten e vrasin reaksionarët e jo revolucionarët; qyqarët e jo heronjtë! Revolucionarët e vërtetë si Mehmet Shehu mund të vrasin veten vetëm në luftë për të mos i rënë në dorë armikut e Mehmet Shehu nuk ishte duke luftuar në kohë lufte, por në kohë paqe”.

Një tjetër personazh, Premt Dukagjini, ish u burgosur me kryeprotagonistin e romanit, thotë:

“Diktaturën nuk e vendosin diktatorët pse janë të lindur diktatorë, por pse janë të nxitur të bëhen diktatorë prej rrethanave dhe, sidomos, prej puthadorëve, shërbëtorëve të ndryshëm të niveleve të ndryshme. Cezari nuk ka lindur cezar, por kanë bërë cezar të tjerët. Kjo mund të thuhet edhe për Enverin.

Përsëri për Enverin dhe diktaturën e tij, një tjetër personazh: “Enveri e pastroi shqiptarin prej morrave, pleshtave, tartabiqeve, dregëzave, zgjebës; Enveri e shpëtoi Shqipërinë prej malaries, kurse këta të sotmit po e ndotin Shqipërinë dhe jetën e shqiptarëve me hedhurinat e llojllojshme dhe radioaktive, prej centraleve evropiane! Për euro! Enveri i bëri kënetat fusha pjellore, kurse këta të sotmit fushat po i bëjnë këneta dhe liqene!… Enveri ishte shumë, shumë më largpamës se këta hyzmeqarët e tij. Enveri donte të bënte një komb. Një komb me një identitet. Një komb me emra kombëtarë, me mbiemra, me gjuhë, me histori, me kulturë, me bindje, me shpirt, me vetëdije, me shtet. Po, me shtet të fortë kombëtar…”.

***

Në konceptin krijues të Rexhep Qosjes, regjimet janë thjesht konvencione, janë emërtime për të fshehur thelbin i cili ndryshon fare pak. Qoftë kjo monarki, republikë, diktaturë apo demokraci. Pas rënies së diktaturës, në Shqipëri, fjala vjen, u tha se erdhi demokracia. Por ç’demokraci ishte kjo? Kanë 27 vjet që e përjetojnë me dhimbje shqiptarët dhe më së shumti janë të zhgënjyer prej saj. Ai që doli në krye të punëve të shtetit, doli se ishte një demagog dhe përçarës i cili e çoi vendin në pragun e një lufte civile në vitin 1997. Në këtë periudhë u rikthye vrullshëm analfabetizmi (për zhdukjen e analfabetizmit besoj se nuk mund të qortohet diktatura), u kthye vrullshëm gjakmarrja dhe ngujimet (edhe për këtë nuk mund të akuzohet diktatura pse e zhduku); u thellua skajshëm dallimi midis të pasurve dhe të varfërve, u shfaq klasa e oligarkëve që bëjnë ligjin në politikë, në qeverisje dhe deri në krijimtari e shkencë. Diktatura mund të kritikohet për shumëçka me të drejtë, për burgosjet dhe internimet e një numri të konsiderueshëm kundërshtarë të regjimit, për izolimin dhe telat me gjemba në kufi, për varfërinë e skajshme që solli sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit të saj. Por është fakt se veprat më të mira letrare dhe artistike u krijuan në atë kohë, shkrimtarët dhe artistët më të mirë u shquan në atë kohë. Është fakt se në atë periudhë pati një revolucion të tërë në jetën shoqërore dhe ndodhi një emancipim i paparë për shkak të elektrifikimit të vendit, të arsimit të detyrueshëm etj. Këto arritje dhe këto krahasime janë bërë me shumë besueshmëri nga autori Rexhep Qosja në një varg veprash të rëndësishme të tij. Është bërë dhe në romanin “Bijtë e askujt”.

Ja si flet prijësi i demokratëve të Shqipërisë në një kumtim të tij në këtë roman: “Dëgjomëni mirë ju mua! Të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, që shprehen ndyshe për frikën e cunameve ekonomike, financiare dhe natyrore prej sundit tonë, si sundimi më i mirë, më i shëndodhë në Evropë, në të vërtetë në Lindje dhe në Perëndim, me fuqinë e darës së ligjit ne do t’ua nxjerrim dhëmbëqt e dhëmballët, të 36-ët… Në qoftë se me fuqinë e darës së ligjit nuk do të mbushen mend, atëherë unë, sundimtari juaj, me mjete të tjera dhe në mënyra të tjera, do t’i mbush mend njëherë e përgjithmonë. Zoti e bekoftë Shqipërinë Demokratike!” Kush flet kështu sulltani, monarku, fashisti, despoti apo demokrati? Lehtësisht mund ta kuptoni se për kë bëhet fjalë, pavarësisht se emri i tij nuk përmendet. Dhe këto thirrje histerike të këtij njeriu parsëriten si një refren gjatë gjithë romanit. Lexuesi mediton dhe krahason. Faktet janë fakte.

Një shembull tjetër. Këtë radhë nga Kosova e fillimshekullit të 21-të. Një prozë poetike në gojën e një personazhi:

“Qitni sa më shumë dhé në atë varr, zotërinj varrtarë! Ju po e bëni përmendoren e përjetshme të Aminuesit të të gjitha pushteteve, i cili bekonte dënimin, dhunën, përndjekjen, skamjen, mjerimin, padrejtësinë, gënjeshtrën, mashtrimin, shpifjen, burgun!

Bëjeni sa më të madh atë varr, ngriheni sa më lart atë që po e varrosni në të!

Se ai ishte Krishti i të ultës.

Se ai ishte Buda i së pandershmes!

Se ai ishte Muhameti i së paardhmes!

Qitni sa më shumë dhé në atë varr, zotërinj varrtarë!

Le të jetë dheu, le të jenë gurët sa më të rëndë në të.

Atë që e bënte dje ai do ta bënte edhe sot edhe nesër.

Të mos dehemi prapë prej zërit të tij mashtrues!”

Besoj se e kuptoni për kë e ka fjalën autori, i cili sërish nuk ia përmend emrin njeriut që po varrosej. Ai ka punë me varrtarët, jo me të vdekurit.

Rexhep Qosja është një shkrimtar i angazhuar si rrallëkush tjetër me një zë të fuqishëm si intelektual, me një autoritet të padiskutueshëm. Me një përkushtim të deklaruar për t’i shërbyer kombit të tij, për ta ndriçuar dhe prosperuar atë, shpesh, shumë shpesh, Rexhep Qosjes letërsia dhe studimet e tij i duken të pamjaftueshme për këtë qëllim të lartë, ndaj dhe hidhet vrullshëm në publicistikë, jep intervista dhe bën polemika në shtyp dhe medie të tjera, pasi e ka kuptuar ndikimin që ka fjala e tij. Pikërisht në këtë aspekt mendimi i tij është më i drejtpërdrejt dhe më i asimilueshëm nga shqiptarët kudo që ndodhen.

Mirëpo pikërisht ky qëndrim i palëkundur dhe i qartë e ka bërë atë shpesh objekt kritikash dhe sulmesh të paskrupullta, sidomos nga forcat politike në Shqipëri e Kosovë, të cilat Qosja i ka kritikuar rreptë dhe ka shprehur një mospëlqim të hapur ndaj sjelljes së syre në pushtet ose jo në raport me popullin, ka denoncuar demagogjinë, korrupsionin dhe deri antishqiptarizmin e tyre. Për shembull, Rexhep Qosja është pagëzuesi i gazetës së parë opozitare në Shqipëri në vitin 1991, “Rilindja Demokratike”. Por është pikërisht kjo gazetë dhe simotrat e saj që për më shumë se një çerek shekulli nuk kanë kursyer asnjë akuzë dhe kanë harxhuar tonelata bojë të zezë për të deniguar figurën dhe emrin e këtij përsonaliteti të madh të kulturës sonë kombëtare. Në njëfarë mënyrë, ata, politikanët dhe gazetarët që mbushin dhe nxijnë faqet e RD-së e e kanë “ekzekutuar” Rexhep Qosjen sipas mënyrës së tyre.

Ndaj dhe në portretin e shkrimtarit dhe disidentit Tarik Saraçi nuk është e vështirë të gjenden elementë dhe përvoja personale të diskriminimit të autorit Rexhep Qosja në një kohë tjetër të ashtuquajtur demokratike, paskomuniste. Autorin natyrisht që e trishtojnë këto sulme të paskrupullta, e indinjon mosmirënjohja, e irriton harbutëria, e lënë pa gjumë provokatorët dhe keqdashësit. E mërzit sidomos injoranca e turmave pa tru. Ç’interesa ka prekur ai, çfarë plagësh ka lënduar që ta ndëshkojnë pamëshirshëm duke e “hedhur në erë” si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, bash si personazhin e tij Tarik Saraçin, pasi shkeli një minë në kufirin Shqipëri-Kosovë dhe njëra gjysmë e trupit fluturoi andej e gjysma këtej?

Autorit i vjen keq për ata që e sulmojnë, madje duket se i mëshiron, pasi edhe ata janë shqiptarë, ndaj shpesh përsërit me dhimbje vargjet e Naimit:

Shqipëri, të qofsha falë,

Të kam nënë e më ke djalë!

***

Rexhep Qosja e ka pasuruar librin e tij me shprehje lapidare që përmbledhin një filozofi dhe një përvojë të gjatë jetësore:

Fol me të vdekurit për të kuptuar të gjallët!

Ose: Edhe kur ikën, mos ik duke kthyer kokën pas!

Ose: Po të mos kishte revolucione, nuk do të kishte përtëritje dhe rilindje.

Ose: Gënjejnë shkrimtarë, gënjejnë shkencëtarë dhe gënjejnë politikanë kur është fjala për amerikanët dhe Amerikën.

Ose: Industria dhe estetika janë në luftë të vazhdueshme, të cilën fatkeqësisht, po e fiton industria.

Ose: Fluturimeve nuk u dihet fundi: ata që fluturojnë ata edhe mund të rrëzohen.

Ose: Operacionet plastike të fytyrës nuk e ndërrojnë vetëm fytyrën: mjekët thonë se ato e ndërrojnë edhe shpirtin.

Ose: Tymi i gënjeshtrave e ka mbuluar qiellin e të vërtetave (Hegel) etj. etj.

***

“Nuk është dobësi të rrëzohesh, por të mbetesh i rrëzuar” citon autori mendimin e gjeniut gjerman Gëte. Këtë frazë ai na e sjell në roman nëpërmjet ligjëratës së një oratori të ri në Kosovë, ku bëhej një konkurs gojëtarie si në Greqinë antike. Gara e gojëtarëve të rinj sipas modelit të para dymijë e pesëqind vjetësh, kohë kur lindi demokracia sipas filozofisë së Sokratit, në kontekstin historik të kombit shqiptar në shekullin e njëzetenjëtë është mjaft domethënëse: E para, për ringritjen e demokracisë dhe ringritjen morale të kombit e vetmja rrugë është ajo e rikthimit te vlerat themelore të demokracisë së pastër dhe, e dyta, e vetmja shpresë për këtë ringritje janë të rinjtë, të rinjtë e mençur, idealistë dhe të guximshëm.

Kjo garë e oratorëve të rinj zhvillohet në Kosovën e shekullit të njëzetenjëtë. Është kjo një gjetje interesante me një nëntekst të fuqishëm që ngjall shpresë.

Por mbyllja e romanit është dëshpërues. Ky nuk është nga romanet me happy end. Nuk kishte si të ishte. Përkundrazi. Në një mbledhje përkujtimore që organizohet në Tiranë, me vonesë për krijuesin Tarik Saraçi, ku marrin pjesë ajka e inteligjencës dhe politikës së Tiranës, ndodh diçka e shëmtuar, ngjarja më e rëndë në gjithë romanin e Rexhep Qosjes: Delina Derti një nga personazhet më simpatikë në romanin në fjalë, vritet pa mëshirshëm në tubimin përkujtimor nga ish burri i saj. Emri i vrasësit: Sylejman Akjani, të cilin autori e ngatërron me Arkanin famëkeq të masakrave në Kosovë. E këtë vrasje nuk e justifikon as Kanuni i Lekë Dukagjinit e jo më kushtetuta e një shteti modern të shekullit të 21-të! Dikur, prijësi i demokratëve fliste në një fushatë referendare për Kushtetutën dhe ngrinte në qiell Kanunin: Kanuni është kushtetuta e universit, thoshte.

Kjo mbyllje romanit është domethënëse për të justifikuar situatën në të cilën ndodhemi. Na duhet shumë rrugë ende për të përshkuar për të dalë nga faza e barbarisë. Prandaj dhe ne nuk mund të nxjerrim ende në krye një elitë politike dhe qytetare, të përkushtuar dhe atdhetare që të punojë për mbrothësimin tonë.

Shuhet Rexhep Çeliku, vallëtari fluturues

Rexhep Çeliku “vallëtari fluturues”, Nder I Kombit, një nga ikonat e Ansamblit Popullor Shqiptar është shuar përgjithmonë në orët e para të ditës së sotme pas një sëmundjeje të rëndë. Vetëm dy ditë më parë presidenti I vendit Ilir Meta e dekoroi atë me “Nder I Kombit” , titull të cilin artisti e pranoi vetë në ceremoni

“Shqipen fluturuese”, Rexhep Çeliku, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”, thuhej në motivacionin e presidentit.

Më tej presidenti vazhdoi duke thwnw se “ Rexhep Çeliku, biri i një familje gjirokastrite të traditës kombëtare, ndoqi trashëgiminë e të atit duke e gdhendur vallen popullore shqiptare në tempullin e kulturës, në skenën e Ansamblit tonë Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore si “Shqipja fluturuese”, sikundër e ka karakterizuar kritika artistike shqiptare dhe e huaj.

Rexhep Çeliku, me pasion dhe përkushtim, me estetikë dhe mjeshtëri, me talent të jashtëzakonshëm ka shkruar disa nga faqet më të lavdishme të artit shqiptar. Rexhep Çeliku ka interpretuar solistin e parë në 200 valle, ka marrë pjesë në më shumë se 3000 shfaqje artistike dhe është nderuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare e medalje të ndryshme.

Figura emblematike dhe e veçantë e tij në skenë, kaq emocionuese sa edhe mbresëlënëse në portretin e tij të hekurt, por edhe në gjithë gjymtyrët e tij, me të drejtë është simbolizuar në thënien mbresëlënëse “Njeriu që vallëzon me shqipet” ose “Shqiponja e skenës shqiptare”.Ikja e tij është një ngjarje e trishtë për kulturën shqiptare e cila humbi një nga talentet e saj të rralla.

I lindur në Tiranë në vitin 1954, Rexhep Çeliku prej vitit 1976 ishte solist I Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe numëron në reportorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.Është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”.Krijimtaria gati 45 vjeçare e tij, pak kohë më parë erdhi e botuar në një monografi nga Dedin Suli.

Libri tregonte karrierën e artistit nga një punëtor ndërtimi në një valltar fluturues. “Valltari që për 40 vjet radhazi i dha hijeshi skenës me trupin e tij lastar, me kërcimin e tij magjepsës”, shkruante Dedin Suli. “U detyrova që në përfundim të tetëvjeçares të hyja në punë që ti vija në ndihmë familjes. Si të gjithë fëmijët e asaj moshe, të cilët me të mbaruar shkollën punësoheshin ose në fermë ose në ndërtim, unë preferova ndërtimin, pasi dhe fizikisht isha i fuqishëm.

Që prej asaj kohe jeta ime ndryshoi krejtësisht, pasi më pas ishte mjeshtri Panajot Kanaçi ai i cili zbuloi talentin tek unë”, tregonte në libër valltari i njohur Çeliku. Pasioni dhe përkushtimi ndaj valles popullore, dëshira për të dhënë gjithçka, në mënyrë të përkryer dhe bukur, në raport me simbolikën dhe estetikën e saj, e bënë Rexhep Çelikun një nga më të talentuarit valltarë që ka pasur Ansambli i Valleve.

Alain Delon: E urrej këtë epokë. Do të largohem nga kjo botë pa asnjë keqardhje

Një prej aktorëve më të njohur francezë, Alain Delon deklaroi se do të largohej nga kjo botë pa asnjë keqardhje, në një intervistë të publikuar sot në një numër special të “Paris Match” kushtuar 60-vjetorit të karrierës

“Jeta nuk më ka dhënë gjëra të mëdha. Kam njohur gjithçka, kam parë gjithçka. Por, mbi gjithçka, e urrej këtë epokë, më bën për të vjellë”, theksoi aktori 82-vjeçar në fund të kësaj interviste të titulluar “Unë, Delon, intervista e jetës së tij”.

“Janë këto qenie që urrej. Gjithçka është false, gjithçka është e rreme. Nuk ka më respekt, nuk ka më fjalë të dhënë. Ka vetëm numërim parash. Dëgjojmë që flitet për krime gjatë gjithë ditës. Di që do largohem nga kjo botë pa asnjë keqardhje”, theksoi Alain Delon pasi përmblodhi karrierën e tij, raportin e vështirë me familjen, gratë që ka dashur dhe miqtë që ka humbur.

“Pothuajse të gjithë kanë vdekur”, nënvizoi aktori mitik i “Guepard” (1963), i prekur veçanërisht disa muaj më parë nga vdekja e Mireille Darc, që kishte ndarë jetën në vitet 70.

I pyetur për vendin e një gruaje në jetën e tij sot, aktori përgjigjet që nuk e ka gjetur. “Nuk them se nuk ka pasur kandidate. Ka pasur 10, por asnjë për momentin nuk më bind për të përfunduar jetën. (…) Mund të martohem nëse ajo është e gatshme të më shoqërojë deri në fund të jetës”, theksoi aktori.

Alain Delon theksoi gjithashtu se xhirimi i filmit të fundit, parashikuar me Patrice Leconte dhe ku ai duhet të ndajë posterin me Juliette Binoche, është vonuar.

Filmi i fundit me metrazh të gjatë me Alain Delon daton në vitin 2008 me “Asteriks në lojërat olimpike” nga Frederic Forestier dhe Thomas Langmann, në rolin e vetironikut, Jules Cesar. Në teatër, aktori ka qenë me pjesën “Një ditë e zakonshme” nga Eric Assous (2011 dhe 2013).

Cilët ishin Akejtë e vërtetë

Të gjithë grekët që kanë rrethuar muret e Trojës, sipas Iliadës, janë Akej, apo banorë të Akaias. Por, sipas disa studiuesve, prapa atij emri fshihej edhe një popull gjysmë nomad i imigruar në Greqi nga Europa Qendrore në mijëvjecarin II para Krishtit. Pasi u integruan me indigjenët, ata mendohet se janë vendosur në Argolidë në Peloponez, ku krijuan disa qytete shtete dhe i dhanë jetë qytetërimit që sot e quajmë mikenas nga qyteti i Mikenës

Ta zëmë se vendosni të shkruani një roman që flet për heronj, për beteja dhe për mbretëresha, gjithcka e kalitur nga një copë magjie (apo ndërhyrje hyjnore, si të doni): në cilën epokë do ta ambientonit? Ndoshta në një epokë të lashtë e plot përralla, të largët por jo shumë. Ai që kompozoi Iliadën arsyetoi pak a shumë kështu. Për autorin e poemës, që ka jetuar afro 4 shekuj pas luftës së Trojës (që ndodhi afërissht në viti 1200 para Krishtit), epoka e lashtë ishte ajo e Mikenasve.

Të gjithë grekët që kanë rrethuar muret e Trojës, sipas Iliadës, janë Akej, apo banorë të Akaias. Por, sipas disa studiuesve, prapa atij emri fshihej edhe një popull gjysmë nomad i imigruar në Greqi nga Europa Qendrore në mijëvjecarin II para Krishtit. Pasi u integruan me indigjenët, ata mendohet se janë vendosur në Argolidë në Peloponez, ku krijuan disa qytete shtete dhe i dhanë jetë qytetërimit që sot e quajmë mikenas nga qyteti i Mikenës, një prej qendrave më të mëdha bashkë me Argos, Tirinto, Pilo dhe Sparta. Ai qytetërim ishte sfondi i rrëfimit historik të quajtur Iliadë.

Aristokratë

Arkitektë të zotë, adhurues të së bukurës dhe mbështetës të barazisë mes gjinive, mikenasit kishin një defekt të madh: ishin luftëdashës. Gjë që shkaktonte tensione me fqinjët, përfshirë bashkëkombasit. Ai lloj karakteri shfaqet në Iliadë tek personazhi i Agamemnonit, komandant i të gjithë grekëve në Trojë. Bir i Atreut, mbret i Mikenës, personazhi legjendar ka shumë të përbashkëta me sovranin tipik që qeveriste cdo qytet shtet mikenas. “Ashtu si sovranët e poemës homeriane, mbretërit mikenas emëroheshin sipas linjës atërore të pasardhjes”, konfirmon Masimo Cultraro, arkeolog dhe kërkues në institutin e mallrave arkeologjikë dhe monumentalë në Cnr. Ajo mikenase ishte një shoqëri aristokrate ku mbretërit visheshin me pushtet absolut, përfaqësuar nga skeptri. “Nuk ekzistonin organe kolegjialë që të freonin pushtetin mbretëror: sovrani emëronte funksionarët e pallatit, ushtronte një autoritet të plotë mbi administratën dhe kishte funksione gjykatësi”, shton eksperti. Përgjithësisht mbante të paprekur madhështinë e tij edhe i vdekur. Si në Lindjen e Afërme, populli mendonte se mbreti i vdekur pritej nga perënditë dhe meritonte të njëjtat ndere. Gjë që nuk i ndodhi Agamemnonit.

Flijime njerëzore

Me rikthimin nga lufta, sovrani gjeti një pritje aspak të ngrohtë: një vdekje e organizuar nga e shoqja, Klitemnestra. Kjo nuk mund t’ia falte (përvec tradhëtisë me trojanen Kasandra) flijimin e të bijës, Ifigjenisë, Në fakt, i ati e kishte flijuar në altarin e Perëndeshës Artemisë për t’i garantuar një lundrim të qetë drejt Trojës. Vetëm legjendë? Jo për të gjithë: disa studiues janë të bindur që në raste të caktuar, mikenasit kryenin vërtetë flijime njerëzish për të purifikuar qytetin e tyre. E provojnë eshtrat e gjetura të disa fëmijëve dhe skeleti i një gruaje të re, të gjendura mbi një tryezë nën rrënojat e një tempulli mikenas ku po kryhej riti. Megjithatë, shumë pak gra mikenase e kishin këtë fat. Shoqëruese të denja të atyre meshkujve, ato gëzonin një liri të pazakontë për atë kohë. Mjafton të mendosh për Helenën, shkaku legjendar ishpërthimit të Luftës së Trojës.

Helena hyjnore

Gruaja e bukur e Menelaut, Mbret i Spartës dhe vëlla i Agamemnonit, ishte një mbretëreshë e pasur dhe e fuqishme, një pjesë aktive më shumë se sa pasive e atij që Homeri e rrëfeu si rrëmbim. Bashkëqytetarët e saj e adhuronin, aq sa në kodrën ku mendohet se ka qenë pallati i Menelaut kanë gjetur 300 statujëza që lidheshin me kultin e saj. “Kjo grua kishte një rol të rëndësishëm në shoqërinë mikenase”, konfirmon Cultraro. “E demonstron, në ceremonitë zyrtare dhe në jetën e obortrit, prania e një mbretëreshe në krah të mbretit. Bizhu dhe thesare të familjes përfundonin në varret femërorë dhe transmetimi i trashëgimisë bëhej nga nëna, nëse nuk kish trashëgimtarë meshkuj”.

Pra, mikenaset nuk ishin vetëm shtëpiake dhe nëna me kohë të plotë. Shumë punonin në pallat si funksionare, dominonin sektorin e prodhimit të veshjeve, të qeramikës që shitej në gjysmën e Mesdheut dhe të tregtisë së verës, si ajo e moshuara eshtrate të cilës u gjetën pranë disa amforave: ato me të cilat, ndoshta kishte arritur një pasurim të caktuar.Një trajtim krejt tjetër u rezervohej skllaveve, në shkallën e fundit të piramidës sociale. “Shpesh herë tregoheshin sipas qytetit të origjinës: “gratë e Miletit”, “gratë e Lemnosit”. Në gjithë këta raste bëhej fjalë për të huaja shërbyese, të kapura në luftëra apo të blera në tregun e skllevërve”, shpjegon Cultraro. Një fat i zakonshëm për gratë dhe bijat e armiqve të mposhtur.

Miqësi speciale

Në cfarë mënyre tjetër do të mund të shfrynin dëshirat e trye luftëtarët që qëndronin gjatë larg shtëpisë? Heroi i Iliadës, Akili na ofron një shembull: Briseida e bukur, gruaja e mbretit të Silisias, Minet, që mbeti e ve nga dora e heroit u bë preja e luftës, apo më saktë skllavja e tij në shtrat. Kur Agamemnoni e mori, Akili u zemërua, por asnjëherë aq shumë sa kur Hektori i vrau mikun e tij, Patroklin. Një reagim i tepruar që shumë studiues e kanë nterpretuar si shenjë e një lidhje më shumë se miqësore me shokun e armëve. “Burimet e shkruar për mikenasit janë të nëj natyre administrative he nuk thonë asgjë për këtë”, nënvizon Cultraro. “Dimë që në shoqëritë aristokrate-luftëtare si ajo mikenase, lidhja e ngushtë mes të rinjve që së bashku përballonin prova kurajoje dhe ushtarake për të hyrë në botën e të rriturve, mund të favorizonte raporte seksualë”.

Të pamëshirshëm

Mikenasit ishin në gjendje të silleshin në luftë si Akilër. “Stërvitja, forca dhe aftësia ishin një prej komponentëve të aristokracisë mikenase. Në këtë pikë, paralelet me poemën homeriane janë të ngushtë: hakmarrje, kundëreagime, dhe dhunë ishin përbërësit bazë të shoqërisë së këtij lloji”, shton eksperti. Duhej ta dinin trojanët, pas mureve, ndërkohë që shihnin ata burra muskulozë, të pajisur mirë dhe të gjatë mesatarisht më shumë se një metër e shtatëdhjetë, në atë kohë një lartësi jashtë të zakonshmes.
Për luftën psikologjike, përshkruar edhe nga Homeri, lëvizja më e mirë ishte të dhunohej një kufomë apo të mos varrosej: mikenasit ishin të bindur se riti funebër përmirësonte udhëtimin e të vdekurit drejt mbretërisë së të vdekurve. Pa varrim, shpriti i tij do të udhëtonte pa gjetur paqe, duke ndjekur të afërmit që nuk ia kishin realizuar. Kështu mund të themi se edhe dhunimi i kufomës së Hektorit kontribuoi për rënien e Trojës.

Por fitorja e Iliadës ishte një këngë e mjellmës për mikenasit: minuar ndoshta nga ndryshimet klimaterike, nga kriza e tregtisë, që erdhi me sa duket prej inkursioneve të popujve të detit dhe një serie tërmetesh, qytetërimi mikenas i la vend Dorëve të ardhur nga veriu dhe u zhduk. Për t’u rikthyer katër shekuj më vonë, në varjet e Homerit. /Storica/

Ismail Kadare nderohet me çmimin “Nonino 2018”

Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare është nderuar me çmimin “Nonino 2018” në Itali. Juria e licensuar nga Nobel ka dorëzuar çmimin me motivacionin se Kadare është i dashur dhe kritik me popullin e tij

Poeti dhe romancieri shqiptar është fituesi i edicionit të këtij viti të çmimit “Nonino”, në edicionin e 43 në Udine të Italisë. Çmimi u jepet personazheve me emër të kulturës botërore nga një juri e licensuar nga akademia Nobel.

Ndërsa çmimi “Nonino”, me motivacionin e një mjeshtri bashkëkohor, i është dhënë filozofit italian Giorgio Agamben, krijues i konceptit “Homo Sacer” – qënie njerëzore, jeta e të cilit është e shenjtë.

Ceremonia për ndarjen e çmimeve do të zhvillohet në distilerinë “Nonino di Ronchi di Percoto” në Udine, në 27 janar.

Monika Grütters hap Vitin Evropian të Trashëgimisë Kulturore 2018

Në çelje të tij, ministrja e Shtetit për Kulturën ftoi në Hamburg “për të ndierë shpirtin e Evropës”. Nën moton “Sharing Heritage”, në vitin 2018 shumë projekte dhe iniciativa ndriçojnë vlerat kulturore evropiane

Eröffnung des Europäischen Kulturerbejahres 2018 mit Monika Grütters (picture-alliance/dpa/D.Reinhardt)
Së bashku, shtetet anëtare të BE do të rikujtojnë elementin që e bashkon kulturën evropiane. Në hapje të Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore 2018, ministrja e Shtetit për Kulturën, Monika Grütters theksoi nevojën për ta kuptuar Evropën si një bashkësi vlerash. “Vetëm në këtë mënyrë e zgjon ideja evropiane atë entuziazëm, i cili mund ta ruajë Evropën nga një rënie pas në izolim, dhunë dhe mungesë lirie,” tha Grütters në Hamburg.

“Qëndrimi i hapur ndaj shumëllojshmërisë është shprehje e humanizmit”

Ministrja e Shtetit për Kulturën thotë se duhet të jenë para së gjithash të rinjtë që duhet të motivohen në Evropë për ta vënë Të Përbashkëtën mbi Ndarësen. Kjo vlen për kulturat e ndryshme, për fetë, për traditat dhe ëndrrat, për projektet e jetës dhe botëkuptimet. “Pikërisht ky qëndrim i hapur ndaj shumëllojshmërisë është e veçanta në thelb e komunitetit të vlerave: ai është shprehje e humanizmit”.

Nga buxheti i Ministres së Kulturës këtë vit në të gjithë Gjermaninë mbështeten 38 projekte dhe iniciativa në lidhje me Vitin Evropian të Trashëgimisë Kulturore 2018. Për këtë janë në dispozicion 7,2 milionë euro. Gjermania bën pjesë në inisiatoret e Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore. Programi për vitin tematik në Gjermani koordinohet nga Komiteti Kombëtar Gjerman për mbrojtjen e Monumenteve i ngarkuar nga Federata, landet dhe komunat.

Pesë tema qendrore për moton “Sharing Heritage”

Gjithsej në Gjermani do të zhvillohen mbi 1000 aktivitete në formën e ditëve të projekteve, ekspozitave, vizitave me ciceronë, kurseve, forumeve dhe shfaqeve. Motoja e përgjithshme është “Sharing Heritage”. Pesë tema qendrore janë ato që përcaktojnë orientimin:

Evropa: shkëmbimi dhe lëvizja; Evropa: hapësirat kufitare dhe të lëvizjes; Evropa: kujtesa dhe zgjimi; Evropa: trashëgimia e jetuar; Qyteti Evropian.

Në iniciativat bëjnë pjesë një projekt gjermano-francez për Parqet dhe Kopshtet; një ansambël evropian i muzikës folklorike, i themeluar enkas dhe një festival letërsie, i cili do ta bëjë të përjetueshme thesarin e historive të shteteve evropiane. Kishat marrin pjesë në Vitin e Trashëgimisë Kulturore me një “projekt të këmbanave”, i cili do të tërheqë vëmendjen në traditën e rënies së këmbanave.

Dy “shqiponjat” e valles shqiptare marrin dekoratën ‘Nderi i Kombit’

Dy valltarët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu janë vlerësuar me dekoratën ‘Nderi i Kombit’

Çeliku dhe Cingu e kanë cilësuar dekorimin si një vlerësim për të gjithë trupën.“Është një gjë shumë e vlefshme, jo vetëm për mua, por për të gjithë kolektivin që kemi punuar”, u shpreh Çeliku.

Presidenti Meta i cili u dorëzoi dekoratat i cilësoi si dy artistë të jashtëzakonshëm.

“Dua të falënderoj dy artistët tanë të jashtëzakonshëm, e lartësojnë këtë dekoratë. Dua t’i kujtoj ansamblit që ka mjaft punë këtë vit të ‘Skënderbeut’ si brenda dhe jashtë vendit”, tha kreu i shtetit.

Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu, janë dy valltarë të njohur të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Golden Globes në LA: Fatih Akin fiton

Regjizori gjerman Fatih Akin pati paraqitjen e tij të madhe në mbrëmjen gala të 75-të të Golden Globes. Filmi i tij “Nga asgjëja” fitoi një çmim. Por tema e mbrëmjes qe rasti Harvey Weinstein dhe pasojat

Është tipike për mbrëmjet e dhënies së çmimeve Oscar dhe Golden Globe, që gjithmonë u bëjnë jehonë temave aktuale politike ose shoqërore. Kështu ka qenë në të kaluarën, kur aktoret dhe aktorët shpreheshin në skenë për misione lufte të SHBA që ngjallnin debate ose për racizmin. Kështu ishte edhe në mbrëmjen gala të 75-të të Golden Globes.

Rasti Weinstein hodhi hijen e tij edhe te Globes

Në fund të fundit, Hollivudi u trondit vitin e kaluar nga skandali rreth producentit amerikan Harvey Weinstein dhe nga akuzat e ngritura kundër tij për ngacmime të disafishta seksuale. Me këtë nisi një debat shoqëror i përmasave gjigande. Shumë gra e morën fjalën dhe ngritën akuza se qenë keqpërdorur – nga Harvey Weinstein dhe figura të tjera të mëdha të kësaj dege ekonomike.

Dhe puna nuk mbeti e kufizuar në industrinë e filmit – diskutime nisën edhe në degë të tjera të kulturës. Më në fund, debati u përhap edhe në shtete të tjera. Në Gjermani së fundi u ndez diskutimi për regjizorin Dieter Wedel.

Që në krye të Golden Globes të sivjetshëm shumë yje të kësaj industrie patën sinjalizuar se do të jepnin një sinjal simbolik në këtë mbrëmje gala. Më në fund u ra dakord që pjesëmarrësit të vinin të veshur krejt në të zeza. Nëse te meshkujt kjo ra pak në sy, pasi ata vijnë të veshur me kostume të errëta, te gratë e botës së filmit sinjali qe shumë i dukshëm. Pikërisht aktivitetet e Golden Globe dhe të Oscar-ëve herët e tjera kanë qenë parada laramane, në të cilat yjet femra prezantonin fustanet me ngjyra të stilistëve të tyre të Haute Couture.

Oprah Winfrey kritikoi heshtjen

Disa prej laureatëve të çmimeve dhe atyre që mbajtën fjalime u shprehën edhe për këtë temë. Më qartë këtë e bëri prezantuesja dhe artistja Oprah Winfrey, e cila mori një çmim për karrierën e saj. Ajo tërhoqi vëmendjen ndër të tjera për faktin që në të kaluarën shpesh nuk e kishin dëgjuar, kur kishte qenë fjala për të kritikuar ngacmime seksuale. Në të ardhmen kjo do të jetë ndryshe.

Ndoshta edhe disa filma që morën çmime në mbrëmje mund t’i gruposh në këtë kuadër. Një nga dy çmimet kryesore e mori filmi “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”. Në të bëhet fjalë për një nënë, e cila kërkon të sqarojë fatin e së bijës, të cilën ia kanë përdhunuar dhe vrarë. Policia hedh vështrimin mënjanë – edhe këtë kritikon filmi.

Edhe çmimi i dytë, për filmin “Lady Bird” në kategorinë “Komedi/Musical” flet për historinë e një gruaje të re në kërkim të vetes. Ajo duhet të çajë rrugën e saj jo së fundi edhe në botën e meshkujve.

Në fund, edhe në filmin gjerman “Nga asgjëja” në qendër të tregimit është një grua e re. Në dramën tronditëse të regjizorit Fatih Akin bëhet fjalë për një grua të dëshpëruar dhe më vonë të etur për hakmarrje, e cila duhet të përballojë vdekjen e të shoqit dhe të fëmijës së saj. Edhe nëse në veprën e Akinit në radhë të parë bëhet fjalë për temën e terrorit të djathtë, vepra e Akinit është edhe drama e një gruaje, e cila mbrohet ndaj dhunës dhe paragjykimeve, kundër injorancës dhe racizmit.

Zvicra e miteve dhe ëndrrave

Shtyllat themelore të kulturës janë kujtesa për kohërat e shkuara, kureshtja për kërkesat e së tashmes dhe fantazia për zhvillimet në të ardhmen. Nëse një shkrimtar ballafaqohet me fenomenin Zvicër, ai nuk dëshiron vetëm të zgjerojë dijen për këtë vend. Ai po ashtu dëshiron të zhvillojë një ndjenjë se çka është e denjë për ta dashur dhe për ta çmuar në këtë vend

Nga Iso CAMARTIN

Zvicrën mund ta kuptojmë vetëm nëse kemi parasysh shkëmbimin shumëshekullor përtej kufijve të vendit. Në vijim ky është edhe synimi im. Ju keni shprehur dëshirën të informoheni për Zvicrën nga dikush që s’është politikan, s’është jurist, s’është ekspert i ekonomisë, s’është historian, s’është gazetar dhe assesi njeri i fushës së reklamave. Unë jam filolog, jo si hulumtues akademik, por si fabulist eseistik – dhe kjo domethënë: kam një dashuri të veçantë ndaj «logoi» – ndaj fjalëve dhe fjalive, ndaj gjuhëve dhe çdo gjëje që mund të ndërmerret me gjuhën dhe imazhet gjuhësore.

Për mua e rëndësishme është Zvicra reale, por po aq e rëndësishme është Zvicra e vizioneve dhe fiksioneve, madje edhe Zvicra e miteve dhe ëndrrave. Rrjedhimisht, ju para vetes nuk keni një libër shkencor apo specialiteti për Zvicrën, por më shumë një fletore për shënimin e udhëtimeve nëpër periudhat e ndryshme helvetike. Kjo perspektivë kulturore ndaj realitetit është një botëkuptim, i cili nuk zhbëhet aq lehtë nëse e ke përvetësuar me dekada. Ka njerëz që kanë para së gjithash qëllime politike dhe ekonomike. Dhe ne nuk duam të nënçmojmë kontributin, energjinë dhe sukseset e tyre. Por jeta mund të vështrohet edhe nga aspekti i rrethanave kulturore. Këtu hyjnë të arriturat e një civilizimi, të cilat individin e edukojnë për t’u bërë njeri i lirë dhe solidar, por edhe ato që një komuniteti apo një kombi i krijojnë respekt për vetveten dhe respekt nga të huajt.

Shtyllat themelore të kulturës janë kujtesa për kohërat e shkuara, kureshtja për kërkesat e së tashmes dhe fantazia për zhvillimet në të ardhmen. Nëse një shkrimtar ballafaqohet me fenomenin Zvicër, ai nuk dëshiron vetëm të zgjerojë dijen për këtë vend. Ai po ashtu dëshiron të zhvillojë një ndjenjë se çka është e denjë për ta dashur dhe për ta çmuar në këtë vend. Për atë që nuk është aq e dukshme në shikim të parë, që nuk na shpërfaqet si fjalëmadhe dhe nuk na imponohet, por shpesh gjendet në fshehtësi. Nietzsche, i cili shtatë vera të tëra në Sils-Maria ka menduar për jetën dhe kohën e tij, ka thënë se nëse do të kishte një arsyetim të ekzistencës sonë, ajo është estetike. Me ketë ai gjithsesi donte të thoshte se atë që ne e përjetojmë si të bukur dhe impresionuese, fisnike dhe karakterizuese ia jep jetës sonë një vlerë të shtuar, e cila mund të përbëjë lumturinë tonë.

Kush reflekton për një vend, këtë duhet ta bëjë në mënyrë kritike dhe ashtu që të thellojë gjykimin. Të reflektosh për vendin pjesë e të cilit ndihesh, shumë shpesh domethënë të arrish në një gjykim alternativ të situatës tënde dhe nganjëherë madje të mbarë mjedisit. Në një perspektivë perceptimi estetikisht të shquar kjo domethënë po ashtu të përkrahësh gëzimin tënd ndaj ekzistencës. A mund ta kuptoni se dikush mund të jetë i lumtur të reflektojë për vendin e tij? Që përkundër të gjitha mangësive, pamjaftueshmërive, deficiteve dhe turpeve, të cilat shfaqen në fushëpamje, kur vendi të cilit i përket gjendet në sprovë, mund të duket edhe diçka që të bën të lumtur? Po, që mund në brendinë tënde të të kaplojë një mirënjohje që fati të ka vendosur në këtë vend?

Pra, këtu duhet të mjaftoheni me një zviceran, i cili është rritur në alpe, tek vonë në jetën e tij është bërë qytetar dhe ndaj gjuhës së tij të prejardhjes dhe kulturës ka një raport besnikërie mirënjohëse. Sidomos kur shkruan për atdheun tënd, në karakterin e hershëm mbetesh çuditërisht joobjektiv. Dikush nga Gjeneva, nga Baseli, nga Tiçinoja apo nga Appenzelli shkruan ndryshe për Zvicrën se një retoroman nga kantoni i Graubündenit. Secili lëviz përgjatë perceptimeve prijëse, kur thotë diçka për vendin e tij, që nuk është tërësisht e shkëputur dhe e pastruar nga personi i tij. Viteve të fundit unë kam trajtuar vazhdimisht aspektet e gëzueshme dhe nganjëherë të turpshme të vendit tim. Këtu do të përpiqem që gëzimet dhe shpresat që i ndjej me atë rast, por po aq edhe deziluzionet dhe zhgënjimet t’i seleksionojë dhe t’i lidh tufë. Unë nuk mund t’ju raportoj juve në mënyrë neutrale dhe jopersonale mbi Zvicrën. Por shyqyr zotit ka shumë libra për Zvicrën dhe çdo libër i vlefshëm hap një derë të re dhe të veçantë ndaj këtij vendi. Atëherë hyni pa ngurrim nëpër derën time. Kur të hyni brenda, jeni të lirë që përmes dyerve të reja të depërtoni në zona krejt të tjera nga ato që kam mundur t’ua tregojë unë.

Përktheu: E. Robelli