Rekordi ekonomik i Donald Trumpit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përjetojnë një moment ekonomik të jashtëzakonshëm nën qeverisjen e Donald Trump duke u shndërruar në lokomotivën e ekonomisë botërore. Departamenti Amerikan i Tregtisë raportoi se në tremujorin e dytë të këtij viti rritja ekonomike kërceu në 4.1 për qind, më e larta në të gjitha ekonomitë e zhvilluara

Ulja e taksave federale dhe paketa e reformave ekonomike që presidenti amerikan miratoi në fillim të vitit ka filluar të japë efektet e para duke bërë të heshtin të gjithë skeptikët dhe kundërshtarët e tij të së majtës amerikane. Donald Trump është President i Shteteve të Bashkuara prej një viti e gjysmë ose 6 tremujorësh. Por si krahasohet ai me paraardhësin Barack Obama, për të njëjtën periudhë? Numrat janë të pamëshirshëm.

Në tremujorin e gjashtë të presidencës Obama rritja e ekonomisë amerikane ishte vetëm 1.6 për qind ose 2.6 herë më e ulët se sa në tremujorin e gjashtë të Donald Trump. Por rritja ekonomike nuk është treguesi i vetëm që dëshmon dominimin ekonomik absolut të Donald Trump mbi Barack Obaman.

Gjatë 18 muajve të parë të presidencës së Donald Trump, ekonomia amerikane ka krijuar 3.2 milionë vende të reja pune. Për të njëjtën periudhë, nën presidencën e Barack Obamas, numri i të punësuarve jo vetëm që nuk u rrit, por ekonomia amerikane kishte humbur 2.9 milionë vende pune.

Por treguesi më domethënës, ai i cili ka bërë të heshtin edhe kundërshtarët me të fortë të Trump është shifra e borxhit publik. Kur kongresi amerikan dhe presidenti Donald Trump miratuan uljen e ndjeshme të taksave, argumenti më i fortë i kundërshtarëve të reformës ishte se ajo do të rrisë borxhin publik. Por të dhënat faktike tregojnë një histori krejt tjetër.

Në gjashtë muajt e parë të vitit, huamarrja e qeverisë amerikane rezultoi 532 miliardë dollarë, kur për të njëjtën periudhë nën qeverisjen e Obamas deficiti buxhetor ishte 936 miliardë dollarë, ose gati dy herë më i lartë.

Krahasimi ekonomik mes dy presidentëve të fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk lë vend fare për dilema. Dominimi i Donald Trump mbi Barack Obaman është absolut. Politika e taksave të ulëta u provua sërish si modeli I duhur ekonomik. Dhe ky është vetëm fillimi. Parashikimet janë që ecuria e ekonomisë amerikane të forcohet më tej.

Modeli zyrtar që përdor Banka e Rezervës Federale të Atlantas parashikon se në tremujorin e tretë rritja ekonomike do të përshpejtohet më tej, në 4.5 për qind, ccka praktikisht e rikthen ekonominë amerikane në kohët e arta të presidentit Ronald Reagan.

Politika e uljes së taksave funksionon gjithmonë. Funksionoi për Reaganin dhe Thatcerin dikur. Po funksionon për Donald Trump tani. Aksioma qëndron. Ulja e taksave është receta më e mirë për ekonominë, pavarësisht kohës apo vendit.

Kosovarët, kredi “deri në fyt”, por edhe shuma marramendëse të ruajtura nëpër banka

Banka Qendrore e Kosovës thotë se kemi një rritje të kredive që janë marr nga qytetarët dhe bizneset. Të dhënat e publikuara tregojnë se kreditë kanë arritur në një vlerë prej 2 miliardë e 661 milionë euro

Prej tyre, bizneset kanë sasinë më të madhe të kredive, apo 1 miliardë e 697 milionë euro, apo një rritje për këtë kategori prej 10.9%.

Ndërsa, ekonomitë familjare kanë marr kredi nga bankat 958 milionë euro, apo një rritje prej 12%.
Pjesa më e madhe e kredive kanë një kohë të maturitetit deri në 10 vjet, apo nga 5 deri në 10 vjet. Një numër shumë i vogël i kredive janë me shkallë të maturitetit (kohëzgjatje) prej mbi 10 vjet.

Megjithatë, sasia e kredive që kanë marr familjet dhe bizneset është larg më e vogël se sa paratë që disa familje e biznese i kanë duke i ruajtur nëpër bankat e Kosovës.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës thonë se kemi 2 miliardë e 661 milionë euro kredi, mirëpo sasia e depozitave në muajin gusht ka arritur në 3 miliardë e 85 milionë euro.

Bazuar në këto të dhëna del që familjet kosovare janë më të pasurat. Sasia e parave që janë duke u ruajtur (depozituar) nëpër bankat e Kosovës të ekonomive familjare në muajin gusht ka arritur në 2 miliardë e 228 milionë euro.

Kemi pasur një rritje vjetore të depozitave të ekonomive familjare në nivel prej 5.6%. Kurse, bizneset në muajin gusht kishin të kursyera vetëm 698 milionë euro, larg më pak se ekonomitë familjare. Rritja vjetore e depozitave të ndërmarrjeve ishte 9.5%. /kallxo.com/

Trump rrit tarifat ndaj Turqisë, bie më tej lira turke

Presidenti Donald Trump tha se ai sapo ka autorizuar rritje të ndjeshme të tarifave të çelikut dhe aluminit “lidhur me Turqinë”

Në një koment në Twitter, Presidenti Trump thoshte se tarifa për importet e aluminit do të rritet 20 për qind ndërsa për çelikun 50 për qind, ndërkohë që lira turke “po rrëshqet me shpejtësi në rënie kundrejt dollarit tonë shumë të fortë!”

Zoti Trump deklaronte gjithashtu se, “Marrëdhëniet e SHBA me Turqinë nuk janë të mira tani!”
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj dy zyrtarëve turq në fillim të këtij muaji lidhur me një pastor amerikan të ndaluar, i cili po gjykohet për spiunazh dhe akuza për terrorizëm.

Turqia deklaroi se do të hakmerrej dhe paralajmëroi se masat amerikane do të dëmtonin më tej marrëdhëniet midis dy aleatëve. Komentet e Presidentit Trump shkaktuan një rënie të mëtejshme të monedhës turke, e cila ra 13 për qind brenda ditës.

Ndërkaq, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan bëri thirrje për qetësi. Ai u bëri thirrje njerëzve të këmbejnë paratë e huaja në lira.=

Zoti Erdogan tha gjatë një fjalimi për mbështetësit e tij: “Këmbejini eurot, dollarët dhe arin që mbani nën jastëkët tuaj në lira në bankat tona.”

Ai u duk se fajësoi të huajt se po përpiqen ta dëmtojnë Turqinë, duke thënë: “Ky do të jetë reagimi i popullit tim ndaj atyre që po bëjnë një luftë ekonomike kundër nesh”.

Katër vjet sanksione të Rusisë kundër BE-së

Katër vjet sanksione të Rusisë kundër BE
Kremlini shpresoi që sanksionet ruse kundër mallrave të BE do të bënin që BE t’i heqë sanksionet kundër Rusisë. Por sipas ekspertëve, këto sanksione mund të mbeten për një kohë të gjatë në fuqi.

Në gusht 2014 Presidenti Vladimir Putin vendosi një ndalim importi për produkte agrare dhe për ushqime nga BE – si reagim ndaj masave kufizuese të BE, në kuadër të konfliktit të Ukrainës. Për shkak të aneksimit të Krimesë dhe të veprimeve të Moskës që destabilizojnë Ukrainën, BE pati vendosur në mars 2014 sanksione kundër Rusisë. Në vitin 2015 Putini urdhëroi asgjësimin e ushqimeve nga BE, që sillen në mënyrë ilegale në Rusi.

1. Shpenzime më të larta për konsumatorët rusë

Ndalimi i importit, i vendosur nga Rusia, i kushton Produktit të Brendshëm Bruto të Rusisë 0,2 shifra përqindjeje, bëri të ditur Analytical Credit Rating Agency (ACRA) e Moskës. Në vështrim të parë kjo duket shifër e vogël. Por ndalimi i importit bëri që të ngrihet çmimi i një sërë mallrash.

Russland Milchtüten und Preisschild Markt in Moskau (DW/E. Samedova)
Aleksej Portanskij i Shkollës së Lartë Ekonomike në Moskë i tha DW se pas ndalimit të importit, vërtet që firmat ruse e shtuan prodhimin e tyre, por kjo nuk solli ulje çmimesh. “Prodhuesit shfrytëzojnë faktin që nuk ka konkurencë normale.” Akademia Ruse e Ekonomisë Popullore dhe e Shërbimit Civil pranë Presidentit të Federatës Ruse vlerëson që çdo rus duhet të shpenzojë që prej vendosjes së kundërsanksioneve nga Rusia mesatarisht 4400 rubla në vit (rreth 320 euro).

2. Kundërsanksionet nxisin substicionin e importit

Si pasojë e kundërsanksioneve “importi i mishit të derrit ra me një të tretën, ai i shpendëve me 60 përqind”, thotë Portanskij. Kjo bëri që dy-tri vitet e para të rriten aksionet në bursë të prodhuesve rusë të ushqimeve.

3. Cilësi më e keqe e ushqimeve

Russland Vernichtung westliche Lebensmittel Sanktionen Importverbot (picture-alliance/dpa/S. Medvedev)
Boshllëqet që u liruan në treg i zunë kryesisht prodhues rusë. Edhe disa eksporte nga shtete të BE, Amerika Latine, Azia dhe Afrika janë shtuar. Por për shkak të rritjes së madhe të prodhimit, vuajti sipas ekspertëve cilësia, veçanërisht e djathit dhe qumështit. Ekspertët thonë se tregu rus është përmbytur me mallra me cilësi të dobët.

4. Asgjësim i ushqimeve

Ushqime të ndaluara nga sanksionet megjithatë hyjnë në Rusi. Pët tre vjet autoritetet asgjësuan gjithsej 26000 tonë ushqime të tilla me buldozerë, midis tyre para së gjithash mollë polake dhe domate turke. Sasia e ushqimeve që hyn ilegalisht në Rusi është shtuar çdo vit, në vitin 2017 u asgjësuan 8000 tonë ushqime të tilla.

5. Probleme brenda Bashkimit Euroaziatik

Russland Vernichtung westliche Lebensmittel Sanktionen Importverbot (picture-alliance/dpa/V. Nevar)
Shumicën e herëve, produktet që u janë nënshtruar sanksioneve mbërrijnë përmes Bjellorusisë dhe Kazakistanit në Rusi. Në internet gjen shumë shaka p.sh. për “midhje dhe fruta tropikale nga Bjellorusia”. Këto shtete nuk qenë dakord me kundërsanksionet ruse. Rezultati është kalimi tranzit ilegal i mallrave.

6. Jo heqje e shpejtë e sanksioneve

Portanskij mendon se kundërsanksionet janë negative për Rusinë. “Te ne mbizotërojnë konsideratat politike, dëshira për shpagim”. Prandaj efekti ekonomik nuk është shumë i madh. Me kundërmasat u synua që prodhuesit në BE t’u bënin presion qeverive të tyre që t’i hiqnin shpejt sanksionet kundër Rusisë. “Por kjo nuk ndodhi. Prandaj kundërsanksionet në përgjithësi nuk kanë sjellë asgjë”, thotë eksperti.

Lekaj zotohet se autostrada “Arbën Xhaferi” përfundon më 31 dhjetor

Zyrtarë shtetërorë kanë realizuar një vizitë inspektuese në segmentin e fundit të Autostradës “Arbën Xhaferi”, me ç’rast inspektuan punimet që janë duke u realizuar në urën më të gjatë në rajon, e cila është edhe njëra nga vlerat e arkitekturës infrastrukturore në vend

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, duke folur për rëndësinë e kësaj autostrade dhe për progresin e bërë në këtë segment, tha se është i kënaqur me punët që janë bërë dhe po bëhen dhe se tashmë është krijuar një standard i lartë i infrastrukturës rrugore në Kosovë dhe se infrastruktura rrugore dhe qarkorja e autostradave do të përmbyllet brenda katër viteve.

“Përmbyllja e infrastrukturës rrugore ka ndikim në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e potencialit turistik në vend dhe krijon lidhje të korridoreve që e rrethojnë Kosovën”, tha Lekaj, ndërsa shtoi se ky projekt ndikon edhe në rritjen e GDP-së, sepse në Autostradën “Arbën Xhaferi” janë të nënkontraktuara 344 kompani, me mbi tre mijë punëtorë dhe tetëdhjetë për qind e buxhetit mbetet në Kosovë, duke shtuar se, projektet e tilla kanë mbështetjen e Parlamentit të Kosovës.

Ministri, po ashtu ka thënë se janë të përkushtuar që ta ndryshojnë politikën e deritashme “kur projektet janë stërzgjatur”, duke ripohuar se “kjo autostradë do të përfundojë me 31 dhjetor të këtij viti”.

Ai saktësoi se investimet e këtij lloji mundësojnë integrimin rural e urban të Kosovës, por mbi të gjitha “po bëhemi epiqendër moderne e lidhjes së korridoreve ndërkombëtare”, ndërsa duke folur për angazhimet dhe mbështetjen që Ministria e Infrastrukturës e ofron në projekte të ndryshme, Lekaj tha se janë 42 milionë euro që janë ndarë për mbështetje të të gjitha komunave në vend, pa dallim se nga kush janë të menaxhuara ato komuna dhe krejt kjo vetëm që të ndryshohet pozitivisht infrastruktura në vend.

Rikallo mbyt shpresat e prodhuesve të mjedrave: Çmimin nuk mund të ndryshojmë

Prodhuesit e mjedrave e ngritën vazhdimisht shqetësimin e tyre për çmimin e ulët që ato kanë këtë vit në treg, e ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo mbajti disa takime dhe premtoi se do veprojnë

Tashmë, ai është dorëzuar. Kur koha e mjedrave po kalon, ai thotë se nuk kanë ndonjë zgjidhje për këtë çështje. Thotë se do mundohen, por sa i përket çmimit të tyre në treg, i ka prerë shpresat e prodhuesve.

Rikallo, i pyetur nga KosovaPress, ka thënë se çmimin e mjedrave e cakton tregu, dhe sipas tij, janë duke u munduar që t’i zgjidhin kërkesat e prodhuesve, e që njëra prej këtyre mënyrave është nënshkrimi i marrëveshjes me USAID-in për mbështetjen e sektorit të bujqësisë, konkretisht për zinxhirin e vlerave të frutave të imëta dhe bimëve mjekësore dhe aromatike në Kosovë.

“Puna në zhvillimin e sektorit të mjedrave, ndihma në këtë vit të rëndë po mundohemi të zgjedhim në shumë mënyra dhe kjo sot që kemi nënshkruar është një ndër to. Prodhuesit fermerë që merren me mjedra dhe që marrin subvencione nga 400 euro (për një hektarë) kanë me marrë ose kanë me u paguar së shpejti. Në bashkëpunim me qendrat grumbulluese do të ndihmojmë që prodhimet e tyre që mblidhen të jenë sa më kualitative dhe të shkojnë në shitje më shpejt. Çmimin e këtyre produkteve nuk e cakton Qeveria ose Ministria, çmimin e përcakton tregtia, ne në mënyra të ndryshme mundemi me ndihmuar, por për çmim që e cakton dikush tjetër nuk mundemi”, ka thënë Rikallo.

Ai duke folur për marrëveshjen e arritur sot dhe rëndësinë e saj ka inkurajuar fermerët se kjo Ministri ka për qëllim që të ndihmojmë në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe shfrytëzimit efikas të burimeve natyrore.

“Kjo kontratë tre vjeçare disa milionëshe do t’i ndihmojë prodhuesit bujqësor që të prodhojnë mjedra, manaferra dhe bimë mjekësore aromatike për të bërë një hap të rëndësishëm në sasitë dhe cilësinë e prodhimit. Mundësitë e eksportit do të rriten, një pozitë më të mirë në treg, kontrata afatgjata që do të garantojnë sigurinë dhe koston ose çmimin e prodhimit. Dua të falënderoj të gjithë në Ministrinë të Bujqësisë dhe USAID-in të cilët kanë punuar shumë në përgatitjen e këtij Programi dhe uroj për një realizim të suksesshëm në mënyrë që fermerët të shohin shpejt përfitimet nga këto nisma për të përmirësuar dhe zhvilluar sektorin bujqësor”, ka thënë ministri i Bujqësisë.

Ndërsa, drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, tha se me këtë marrëveshje, USAID-i tani po hyn në një partneritet të drejtpërdrejt me Qeverinë e Kosovës, konkretisht me Ministrinë e Bujqësisë, që në afat të shkurtër të rritet prodhimi dhe eksporti.

“Ne kemi marrë një bashkëpunim shumë të shkëlqyeshëm nga ana e Ministrisë bujqësisë. Ky partneritet është jashtëzakonisht i rëndësishëm që t’i vejë në punë resurset tona të përbashkëta me nivelin më të lartë të transparencës, ndikimit dhe efikasitetit në mënyrë që t’i japim një shtytje prodhimit dhe eksporteve të prodhimeve bujqësore. Ne jemi shumë të apasionuar për potencialin e jashtëzakonshëm bujqësor të Kosovës dhe ka shumë pasion në misionin tonë për këtë. Së pari, jam shumë e lumtur që mund t’i shijoj dredhëzat dhe mjedrat që prodhohen këtu në Kosovë. Dhe Kosova ka një fat shumë të mirë që ka tokë shumë pjellore me një lokacion strategjik”, ka thënë Magno.

Ajo duke treguar se kjo marrëveshje kap vlerën prej 3.8 milionë euro, tha se puna e USAID-it në bujqësi është shumë më e gjerë se kjo marrëveshje.

Drejtoresha e Misionit të USAID-it shtoi se do të vazhdojnë që të mbështesin sektorin e bujqësisë, në përgjithësi zhvillimin e ekonomik, nga e cila do të përfitojë e gjithë shoqëria, sepse e ardhmja ekonomike e popullit të Kosovës, sipas saj, është këtu, ngase bujqësia është një pjesë shumë e rëndësishme e këtij zhvillimi ekonomik dhe kjo mund të bëjë ndryshime në jetën e qytetarëve të Kosovës.

Ministri gjerman: 13 mijë vende të lira, kërkojmë punëtorë nga Shqipëria e Kosova

Ministri Federal i Shëndetësisë në Berlin, Jens Spahn (CDU) është shprehur për “Süddeutsche Zeitung” se vendet e punës nuk mungojnë për Gjermania ka nevojë për forcë punëtore

Ai njoftoi hapjen e 13 mijë vendeve të lira të punës përmes kabinetit të tij dhe tha se asnjë azil i të moshuarve në Gjermani nuk mund të funksionojë më pa ndihmën e fuqisë punëtore të huaj.

Mijëra punëtorë nga Shqipëria dhe Kosova janë futur në skemën e shtetit të Gjermanisë për t’u punësuar në disa spitaleve dhe shtëpitë e të moshuarve.

Berlini zyrtar ka njoftuar se kjo iniciative për vende të lira pune është bërë me arsyetimin se mungon fuqia punëtore që përkujdesen për të moshuarit. Sipas tyre, ky problem nuk mund të zgjidhet thjesht vetëm me para.

Përshkallëzohet beteja tregtare SHBA-Kinë

Uashingtoni po vëzhgon me kujdes shkallëzimin e tensioneve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të saj tregtarë. Kina kërcënon të vendosë tarifa ndaj më shumë se 5 mijë produkteve amerikane me një vlerë prej 60 miliardë dollarësh. Njoftimi i Pekinit erdhi pasi administrata Trump propozoi rritjen e tarifave për 200 miliardë dollarë mallra kineze, duke vazhduar një betejë tregtare që po shqetëson shumë nga bashkësia amerikane e bizneseve si dhe po shkakton ndarje tek Partia Republikane

“Ne po i bëjmë realitet ëndrrat e reja amerikane”, tha Presidenti Donald Trump i cili paraqiti shifra të forta ekonomike, me rritje të fuqishme dhe papunësi të ulët, shumë pranë niveleve rekord. “Tani që kemi ekonominë më të mirë në historinë e vendit tonë është koha për të rregulluar marrëveshjet më të këqija tregtare të bëra ndonjëherë në botë”, tha ai.

Në një postim në twitter zoti Trump shkruante se “tarifat po funksionojnë shumë mirë” dhe pohonte se ato do të përmirësojnë financat e vendit duke sjellë “punë dhe shumë begati”.

Por aleatët e presidentit në Kongres janë kundër. “Nuk mendoj se tarifat janë përgjigja e duhur. Nuk i mbështes ato dhe mendoj se tarifat janë taksa”, thotë republikani Paul Ryan kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

“Duhet të jemi të kujdesshëm në marrjen e veprimeve që rrisin barrierat ndaj tregtisë. Nëse vendosim tarifa më të larta pa justifikim, ne i hapim rrugën hakmarrjes dhe tarifave më të larta për eksportet tona”, thotë senatori republikan Rob Portman.

Por jo vetëm republikanët janë kundër. Senatorja demokrate Heidi Heitkamp në një postim në tweeter shkruante: “një përshkallëzim i luftës tregtare me Kinën është gjëja e fundit për të cilën fermerët tanë kanë nevojë ndërsa nis sezoni i korrjes … Kjo luftë tregtare më shumë se Kinën, do të dëmtojë borxhin kombëtar dhe nuk është një strategji fituese”.

Ndërsa disa sektorë amerikanë po ndikohen në mënyrë disproporcionale nga tarifat, administrata Trump thotë se një luftë tregtare do t’i shkaktojë më shumë dhimbje Kinës dhe do të çojë në kushte më të mira tregtare për Shtetet e Bashkuara.

“Duhet të kemi marrëveshje të mira tregtare …Ne do ta bëjmë vendin tonë shumë më të pasur sesa ka qenë ndonjëherë”, thotë presidenti Trump. Por grupet e biznesit shohin përpara rreziqe në një kohë kur Dhoma amerikane e Tregtisë paralajmëron se tarifat, mund të dëmtojnë ecurinë e fortë ekonomike, për të cilën zoti Trump flet me krenari. VoA

Milionat e kosovarëve për shalqinj, rrush e pjeshka

Shalqinjtë vazhdojnë të mbeten të preferuarit e kosovarëve gjatë sezonit veror. Përveç shalqinjve, as rrushi e pjeshkat nuk mungojnë në tryezat e banorëve më të varfër në rajon. Vetëm për t’i siguruar këto pemë prej vendeve të tjera, nga xhepi i kosovarëve këtë vit janë derdhur me miliona euro, shkruan Gazeta Express

Shalqiri, rrushi e pjeshkat janë fruta pa të cilat kosovarët as që e nisin verën. Edhe këtë vit, për t’i siguruar këto produkte ata kanë shpenzuar miliona euro. Vetëm për gjashtë muaj në vend për të blerë shalqinj, rrush e pjeshka, banorët e vendit më të varfër në rajon kanë shpenzuar mbi 4 milionë euro.

Ndërsa, që prej vitit të kaluar e deri më tani janë importuar mbi 48 milionë kilogramë nga këto produkte, e që kapin një kosto prej 10 milionë e 337 mijë e 256 euro.

E gjithë kjo sipas statistikave që ka siguruar Gazeta Express nga Dogana e Kosovës. Në bazë të statistikave të Doganës prej tërë këtyre produkteve, shalqiri duket së është më i preferuari i kosovarëve.

Mbi 16 milionë kilogramë shalqinj në vlerë prej 2 milionë e 739 mijë e 344 euro janë importuar nga kosovarët vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti. Gjersa për dy vitet e fundit, kjo sasi shkon në më shumë se 35 milionë kilogramë.

Edhe sasia e pjeshkave që janë importuar nuk është e vogël. Më shumë se 1 milion euro është shuma e parave që kanë harxhuar kosovarët për të blerë nektarina dhe pjeshka të llojeve të tjera.

Por, ndonëse konsumohet shumë, kultivimi i shalqirit nuk i plotëson kërkesat. As pjeshkat e rrushi që kultivohen në vend nuk i përmbushin kërkesat e qytetarëve. Sikurse për shumë produkte të tjera, edhe për shalqinj, pjeshka e rrush, vendi e ka të detyruar importin prej vendeve të tjera.

Janë më se 20 shtete brenda e jashtë Evropës prej të cilave, Kosova i siguron këto pemë. Sasia më e madhe e këtyre pemëve vijnë nga Shqipëria, Greqia e Maqedonia. Por, jo vetëm.

“Nga Shqipëria në këtë gjashtëmujor kanë hyrë 12 milionë e 752 mijë e 711 kilogramë shalqinj dhe 89 mijë e 65 kilogramë rrush i freskët”, thuhet në statistikat e Doganës që ka siguruar Express.

Vendi këto produkte i siguron edhe nga Afrika Jugore e Kina. Gjersa, vende të tjera prej të cilave importohen këto produkte janë edhe Argjentina, Brazili, Kili, Kostarika, Spanja, Greqia, Kroacia, India, Italia, Mali i Zi, Maqedonia, Namibia, Nigeria, Panamaja, Peruja, Turqia, Serbia, Zambia, Argjentina, Kina, Mali i Zi, Holanda dhe Tunizia.

Edhe një rast në Arbitrazh, Kosova rrezikon 100 milionë euro

Kosova edhe një herë në Arbitrazh. Në këtë rast kompania “Iming” D.O.O. do ta padisë Agjencinë Kosovare të Privatizimit në këtë gjykatë ndërkombëtare për mos kompensimin e investimeve që i ka bërë kjo kompani në Minierën Industria e Magnezit (MIM) Golesh, e që kompania “Iming” fillimisht pret kompensim mbi 60 milionë euro. Ndërsa, drejtues të AKP-së thonë se do të angazhojnë përfaqësues ligjor për t’u mbrojtur

Avokati Granit Vokshi, përfaqësues i autorizuar nga kompania “Iming”, i cili bëri me dije se në këtë muaj do ta procedojnë padinë për AKP-në në Gjykatën e Arbitrazhit, thotë për KosovaPress se Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, në arsyetim të saj thotë se “tërheqja e aksioneve nuk do të thotë se paditësi do t’i humb investimet e tij të bëra në ndërmarrje”.

Dhe për më tepër, sipas tij “nëse paditësi dëshiron që të rimerr ato investime apo të kompensohet për ato investime, ai ka të drejtë që ta ushtroj një padi tjetër qoftë pran Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme apo pranë ndonjë forumi i cili ka kompetencë për të vendosur një gjë të tillë”.

Vokshi thotë se këtë vendim dhe këtë arsyetim e ka ripërsëritur edhe Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, i cili përbëhet prej gjyqtarëve ndërkombëtar.

“Dhoma e Posaçme asnjë herë nuk ka theksuar se paditësi nuk i ka realizuar ato investime. Dhoma e posaçme as nuk e ka trajtuar faktin se paditësi i ka bërë apo nuk i ka bërë ato investime, ngase ajo është çështje e ekspertizës. Krejt çka ka thënë Dhoma e Posaçme është se paditësi në një procedurë tjetër t’i drejtohet Gjykatës dhe të vlerësohet se a I ka bërë apo nuk i ka bërë dhe nëse I ka bërë sa I ka bërë ato investime. Natyrisht se kjo është çështje e nuk vlerësohet prej juristëve, por vlerësohet prej ekspertizave dhe ekspertëve financiar”, theksoi Vokshi.

Kompania “Iming”, sipas avokati,t duke u bazuar edhe në ekspertizat e saj, të cilat i ka realizuar, pretendon duke u bazuar në dokumentacion se aty janë bërë së paku 22 milionë euro investime dhe 810 mijë euro për privatizim. Përveç investimeve në bazë të një ekspertize të ekspertëve financiar vërtetohet se kompania “Iming” ka afërsisht 790 mijë euro në muaj humbje. Kështu që, ai tha se të gjitha këto do të jenë pjesë e pretendimeve dhe kërkesave të tyre në Tribunalin e Arbitrazhit.

Ai ka shtuar se meqenëse është alternative, paditësi, në këtë rast kompania “Iming” duke pasur parasysh faktin se ka humbur besimin në gjykatat vendore se ato do të vendosin drejtë lidhur me këtë çështje, ka vendosur që t’i drejtohet që të themelohet Tribunali i Arbitrazhit dhe që një Tribunal ad-hok i Tribunalit të merr vendim meritor lidhur më këtë çështje.

“Meqenëse po flasim për dy vendime të gjykatës, dy vendime të cilat ia kanë njohur të drejtën blerësit për kompensim, do të thotë e kemi kontratën e cila e thekson se arbitrazhi është kompetent. E kemi vendimin e Gjykatës e cila ia njeh të drejtën e kompensimit si dhe i kemi faktet, I kemi provat me të cilat shihet që investimet kanë ndodhur, përveç provave në letër, janë edhe provat fizike… Ne realisht mendojmë që fundi I gushtit këtë çështje do ta gjejë në arbitrazh”, ka thënë Vokshi.

Ndërsa, Kryetari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP), Petrit Gashi ka thënë për KosovaPress se rasti me kompaninë “Iming” është specifik dhe janë të njoftuar se do të kërkohet drejtësia për minierën e Goleshit në Arbitrazh, por thotë se do ta mbrojnë kontestin edhe në këtë gjykatë ndërkombëtare.

Kreu i AKP-së beson se nuk do të humbasin dhjetëra milionë, por do ta fitojnë të drejtën e AKP-së.

“Për rastin specifik, e kemi marr një paralajmërim që do të ndodhë diçka e tillë. Është një rast që është përmbyllur qe sa kohë. Unë t’ju them të drejtën nuk kam ndonjë qëndrim, është qëndrim i palës këtu. Ne kemi kryer procesin për vendimin në lidhje me Goleshin, ka tejkaluar krejt hallkat në sistemin ligjor të vendit tonë, kështu që çfarë mendon ose çfarë planifikon pala, unë nuk mund të gjykoj as nuk mund të komentoj, por si do që të jetë ne çfarë do forme që na kërkohet prej nesh të mbrojmë rastin, jemi në gjendjen me mbrojt asetin… Unë po gjykoj se ne jemi në anën e drejtë, kështu që nuk do të na kushtoj kjo punë hiq, por po shpresoj se nuk nisë proces kush në këtë”, ka thënë Gashi.

Përfaqësuesi i autorizuar i kompanisë “Iming” i ka dërguar një shkresë Agjencisë Kosovare të Privatizimit më datën 10 korrik të këtij viti, ku i ka treguar pretendimet për intencën për të iniciuar procedurën e arbitrazhit, megjithatë AKP ka qenë e obliguar që brenda 15 ditëve të kthej përgjigje, mirëpo AKP fare nuk ka kthyer përgjigje, andaj, sipas avokatit Vokshi janë plotësuar të gjitha kushtet në bazë të marrëveshjes së zotimeve që të iniciohet procedura e arbitrazhit.

Avokati Granit Vokshi i cili është përfaqësues i autorizuar nga kompania “Iming” ka treguar shkurtimisht historikun për MIM Goleshin:

Më datën 23 tetor të vitit 2014, Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte vendosur që ta ushtrojë kthimin e aksioneve të kompanisë IMING nga blerësi, kompania “Iming”, kompani kjo kroate e cila ka ardhur në Kosovë që të investojë në minierat e Kosovës.

Gjithnjë sipas avokatit, arsyetimi i AKP-së për kthimin e aksioneve, ishte se kompania kinse nuk i ka plotësuar marrëveshjen e zotimeve, konkretisht zotimin për punësim dhe zotimin për investime, ngase sipas AKP-së kompania nuk e kishte arritur as 10 apo 20 për qind të investimeve të parapara në kontratë.

Vokshi thotë se përkundër faktit se nga vet Agjencia Kosovare e Privatizimit ishte angazhuar një kompani e vlerësimit të aseteve, e cila ka vërtetuar se kompania në fjalë i kishte investuar më shumë se 13 milionë euro që nënkupton afër 90 për qind apo edhe më shumë të investimeve të parapara me kontratë.