Milionat e diasporës shkojnë në konsum

Burim i rëndësishëm i të hyrave të ekonomive familjare në Kosovë vazhdojnë të jenë edhe dërgesat e emigrantëve. Në vit, vlera e parave të dërguara nga diaspora sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës arrin shumën e rreth 600 milionë euro. Këto mjete vazhdojnë të shfrytëzohen kryesisht për konsum familjar

Mërgimtarët të cilët pushimet i kalojnë në Kosovë, thonë se shpenzojnë vlera të konsiderueshme të mjeteve materiale kur janë në Kosovë, por ata thonë, se gjatë tërë vitit dërgojnë para te familjarët e tyre.

Merita Berisha jeton dhe punon në Gjermani. Ajo thotë se pushimet i kalon çdo herë në Kosovë te familja e saj, për të cilët, siç thotë ajo, dërgon çdo muaj para.

“Ne si familje çdo herë kemi dërguar para në Kosovë, përafërsisht në muaj i dërgojmë nga 300 euro. Ato para ata (familja) i shpenzojnë për ushqim, veshmbathje, thjesht gjëra bazike. Tani që jam këtu në Kosovë unë i shpenzoj deri në 3 mijë euro për dy apo tre javë sa do të qëndrojë këtu”, thotë ajo.

Ismet Sadiku i cili po ashtu jeton jashtë vendit dhe për pushime ka ardhur në Kosovë thotë se shpenzon shumë gjatë qëndrimit të tij në vendlindje.

“Të gjitha kursimet i shpenzoj në Kosovë kur vi për pushime. Gjatë tërë kohës kam ndihmuar familjen time që jeton këtu. Ata kanë nevojë pasi që dihet se këtu në Kosovë ka papunësi të madhe dhe nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet me pagat që ata marrin”, thotë ai.

Një shumë e madhe e mjeteve diaspora kosovare sipas të dhënave zyrtare i investon edhe në blerjen e patundshmërive në Kosovë.

Bazuar në shënimet zyrtare, janë mes 700 – 800 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, thotë për Radion Evropa e Lirë se remitencat krahasuar me vitin e kaluar kanë shënuar rritje.

“Në periudhën janar – maj vlera e parave të dërguara nga mërgimtarët ka arritur shumën e mbi 300 milionë eurove. Kjo shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017 ka një rritje prej 18.3 milionë euro. Një pjesë e madhe e këtyre e mjeteve shkojnë për konsum pastaj në investime, kryesisht në blerje të patundshmërive”, thotë Ahmeti.

Në remitencat që pranohen në Kosovë, shton Ahmeti vijnë nga Gjermania, Zvicra, SHBA-ja, Italia, Austria, Franca dhe shtete të tjera.

Shuma e dërgesave të emigrantëve në vit konsiderohet të jetë edhe më e lartë, pasi që një pjesë e mjeteve hyjnë në Kosovë edhe përmes formave tjera të cilat mund të mos përfshihen në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës.

Në anën tjetër, ekspertë të fushës vlerësojnë se marrëdhënia me diasporën kosovare duhet të kalojë nga një marrëdhënie e solidaritetit në një marrëdhënie të ekonomisë së tregut, ku emigrantët do të investojnë fondet e tyre.

Naim Dedushaj nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Diasporë, thotë për Radion Evropa e Lirë se diaspora kosovare po vazhdon të kontribuojë në ekonominë e vendit, por që parave të dërguara të cilët kryesisht shpenzohen për konsum, duhet t’i ndërrohet orientimi.

“Edhe këtë vit si çdo herë diaspora kosovare dëshmoi se dëshiron të kontribuojë në Kosovë. Ata vazhdojnë të vijnë me familjet e tyre për pushime në Kosovë. Sa i përket dërgimit të parave tek familjet e tyre mendoj se nuk është edhe e qëlluar pasi që me këto para do të ishte më mirë të fillohet me ndonjë biznes të vogël, në mënyrë që të motivojnë familjarët e tyre që të kenë perspektivë dhe të mos varen nga remitencat”, thotë Dedushaj.

Ndryshe, remitencat përgjatë viteve kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.

Pasi fundosi Lirën turke, Dollari tani po fundosë edhe Rublen ruse

Aleksei Nikolayev, një nga më shumë se 56 milionë rusë që rizgjodhi presidentin Vladimir Putin në mars, tashmë po llogarit koston e mundshme të një ruble më të dobët: më pak fuqi shpenzuese jashtë vendit, çmime më të larta në shtëpi dhe një “vrimë” tjetër në rrip, për ta shtrënguar

Por Nikolayev, një dizajner grafik 56-vjeçar, i cili shijon udhëtime jashtë shtetit dhe verë të importuar, fajëson Perëndimin, e jo Putin, për “dhimbjen” dhe nuk ka keqardhje për votimin për një politikan që ai e sheh si njeriun e duhur për të udhëhequr Rusinë në këto kohë të trazuara.

“Është e dhimbshme dhe është e pakëndshme, por nuk do të ndryshojë bindjen time politike”, tha Nikolaiev, duke komentuar për rublën që u zhvlerWsua 10 për qind ndaj dollarit, që nga fundi i korrikut, kryesisht për shkak të sanksioneve të reja të Shteteve të Bashkuara mbi Rusinë.

“Në të vërtetë, aq e çuditshme sa mund të tingëllojë, kjo vetëm do të forcojë bindjet e mia. Ata (Perëndimi) po përpiqen të thyejnë Rusinë”, shprehet rusi.

Pikëpamja e Nikolayevit për të mos fajësuar Putin është shumë e gjerë midis rusëve, sipas Stepan Goncharov, një sociolog në sondazhin e Qendrës Levada.

“Njerëzit nuk e kuptojnë me të vërtetë dinamikën pas saj dhe presidenti, tradicionalisht, është i sigurt nga kritikat”, tha Goncharov për Reuters.

Tregimi në Rusi se zhvlerësimi i rublës është rezultat i një komploti perëndimor, ka jehonë të drejtpërdrejtë me Turqinë, aleatin e Rusisë, monedha e së cilës ka regjistruar një rekord të rënieje të hënën. Presidenti turk, Tayyip Erdogan, ka thënë se vendi i tij është objekt i një lufte ekonomike dhe ka thënë se Turqia do të bojkotojë disa importe amerikane në hakmarrje.

Në Rusi, zhvlerësimi i rublës shkakton dhimbje për disa. Çmimi i mallrave të importuara ka gjasa të rritet. Pushimet jashtë shtetit janë bërë edhe më të shtrenjta.

Irina Turina, një zëdhënëse e Unionit të Udhëtimeve Ruse, tha se agjentët e udhëtimit kishin parë që kërkesa për pushimet e paketave të binte me 10-15 për qind javën e kaluar për shkak të paqëndrueshmërisë së rublës.

“Njerëzit të cilët ende nuk kanë paguar plotësisht për pushimet e tyre, po nxiten të paguajnë pjesën tjetër edhe nëse nuk kanë obligim për ta bërë këtë”, tha Turina për Reuters, duke thënë se qytetarët ishin të shqetësuar se bilanci i papaguar do të rillogaritet sipas një niveli më të lartë, të kursit të këmbimit më pak të favorshëm.

Rusia paralajmëron SHBA-të: Shumë shtete do heqin dorë nga dollari, s’jeni të besueshëm…!

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, tha se herët apo vonë ndikimi i dollarit do të zvogëlohet dhe se shumë shtete do të fillojnë të heqin dorë nga dollari, raporton Anadolu Agency

Lavrov, i cili gjendet në Ankara në kuadër të Konferencës së 10-të të Ambasadorëve, zhvilloi një konferencë shtypi të përbashkët me homologun turk Çavuşoğlu.

Ai tërhoqi vëmendjen se marrëdhëniet bilaterale mes Turqisë dhe Rusisë vazhdueshëm shënojnë rritje, duke thënë se viti i ardhsëm do të jetë viti i kulturës dhe turizmit të ndërsjellë.

Duke folur për lajmet se regjimi i Bashar al-Asadit në Siri do të zhvillojë operacion ndaj Idlibit, Lavrov tha se janë krijuar kushte të caktuara për Zonën e Deeskalimit të Idlibit, ashtu si për rajonet e tjera.

I pyetur se çfarë qëndrimi do të ketë vendi i tij për sanksionet e SHBA-ve ndaj Rusisë, Turqisë dhe Iranit, shefi i diplomacisë ruse tha se këto shtete janë pjesëmarrës në procesin e Astanas.

“(Perëndimi dhe SHBA-të) Dëshirojnë të parandalojnë arritjen e rezultateve konkrete të procesit të Astanas. Mundohen që t’i imponojnë botës se ai është një format jopaqësor”, tha Lavrov.

Lavrov theksoi se sanksionet e njënashme ekonomike janë të paligjshme. “Tregtia me valutat kombëtare është një ndër objektivat tona në disa vitet e fundit”, tha më tej Lavrov.

“Abuzimi i këtillë i dollarit herët apo vonë do të zvogëlojë ndikimin e dollarit. Shumë shtete do të heqin dorë nga dollari. Në një mënyrë do të orientohen në partnerë më të besueshëm”, u shpreh Lavrov.

Analistët: Nga lufta tregtare nuk përfiton askush

Tarifat e vendosura ndaj mallrave kineze, evropiane dhe nga pjesë të tjera të botës mund të dëmtojnë konsumatorët amerikanë dhe bizneset e vogla. Analistët thonë se në ekonominë e sotme globale, shumica e prodhuesve prodhojnë disa pjesë, ndërsa pjesë të tjera i importojnë për të nxjerrë produktin përfundimtar

Siç njofton korrespondentja Zlatica Hoke, tarifat e vendosura ndaj pjesëve elektronike kineze e detyruan një fabrikë amerikane të mbyllej, si dhe ka shqetësime se fermerët amerikanë mund të humbasin tregje të mëdha ndërkombëtare për shkak të tarifave ndëshkimore të vendosura ndaj prodhimeve bujqësore amerikane.

Tarifat e vendosura nga administrata Trump ndaj pjesëve kineze të televizorëve e detyruan të vetmen kompani amerikane televizorësh që të mbyllë fabrikën e saj. Kompania “Element Electronics” në Fairfield, të Karolinës së Jugut, njoftoi se do të mbyllet brenda dy muajve dhe se do të shkurtojë 126 nga 136 punonjësit e saj.

“Është ironike që për shkak të një politike që synon të ndihmojë prodhuesit amerikanë, shkurtimet e para po ndodhin në një fabrikë televizorësh amerikanë, këtu në Fairfield”, thotë Senatori i shtetit të Karolinës së Jugut, Mike Fanning.

Analistët thonë se bizneset e vogla si kjo fabrikë janë të ekspozuara ndaj tarifave pasi ato shpesh importojnë pjesë nga vende të huaja.

“Vendet nuk prodhojnë më produkte. Ato prodhojnë pjesë për produktet, dhe importojnë pjesë të tjera. Ne tashmë kemi marrë gërshërën dhe po i presim të gjitha këto lidhje. Kështu shpërbëhet i gjithë modeli i tregtisë botërore”, thotë Profesor Roy Wehrle, i Universitetit të Illinois, në Springfield.

Kina ka vendosur 25% tarifa ndaj mallrave amerikane me vlerë prej 34 miliardë dollarësh, ndër to edhe ndaj sojës. Kina është tregu më i madh për sojën amerikane. Administrata Trump thotë se do të ofrojë deri në 12 miliardë dollarë fonde ndihme për fermerët e dëmtuar nga lufta tregtare. Por, disa analistë thonë se kjo nuk do t’i ndihmojë shumë në periudhën afatgjatë.

“Situata e fermerëve amerikanë do të rëndohet më tej nëse Kina i zhvendos blerjet e sojë drejt Brazilit, Argjentinës dhe vendeve të tjera në botë”, thotë John L. Rogers, i Universitetit Northwestern.

Qeveria amerikane po zhvillon luftë tregtare edhe me vendet aleate. Tarifat më të fundit për importet e metalit iu vendosën Turqisë. Presidenti Donald Trump është shprehur se vendet e tjera kanë shfrytëzuar Shtetet e Bashkuara dhe se ai dëshiron ta bëjë tregtinë më të drejtë. Ai gjithashtu dëshiron t’i ruajë vendet e punës në sektorin e prodhimit industrial. Por, analistët thonë se disa tendenca ekonomike nuk mund të ndalen.

“Ndryshoi teknologjia dhe u zhvendos atje ku gjendet krah më i lirë pune, në Kinë, Malajzi, Nepal etj. Ligjet ekonomike veprojnë dhe nuk mund të ndalen nga veprimet e qeverisë”, thotë Profesor Wehrle.

Për momentin, rritja e ekonomisë amerikane po krijon vende pune, dhe papunësia ka rënë nën nivelin 4%, më e ulëta në gati 20 vjet, megjithëse rrogat nuk po rriten me të njëjtin ritëm.

Për pesë muaj nga Kosova dolën mbi 111 milionë euro para të gatshme

Niveli i papunësisë së madhe si dhe mungesa e investimeve të huaja nuk janë shqetësimet e vetme për Republikën e Kosovës. Shqetësuese janë statistikat për daljen e parasë së gatshme nga Kosova, e të cilat investohen në vendet e tjera

Këto statistika tejkalojnë shumën e investimeve të huaja të cila janë investuar gjatë këtij viti në vend.
Në periudhën janar- maj 2018, në Kosovë kanë ardhur 76 milionë euro investime të huaja, por nga Kosova kanë dal mbi 111 milionë euro para të gatshme. Mesatarisht për çdo muaj nga vendi ynë dalin mbi 22 milionë euro para të gatshme.

Ekspertët e ekonomisë këto shifra i cilësojnë shqetësuese, prandaj thonë se duhet të ndërmerren masa të shpejta, shkruan Telegrafi. Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Kushtrim Ahmeti ka treguar për Telegrafin se investimet e huaja në pesë muajt e parë të vitit 2018, kapin shifrën prej 76 milionë eurove. “Investimet e huaja direkte për periudhën janar-maj 2018 janë 76.0 milionë”, tha Ahmeti.

Në Kosovë gjatë kësaj periudhe më së shumti kanë investuar investitorët nga Gjermania, Zvicra dhe Austria.

Por shqetësuese përveç vëllimit të pakët të investimeve mbetet për Kosovën edhe eksportimi i parasë së gatshme. Sipas statistikave të BQK-së, kjo shifër është shumë më e madhe sesa parat që janë investuar në vendin tonë.

“Vlera e mjeteve që kanë dalë nga Kosova në kategorinë e investimeve të huaja direkte në periudhën janar-maj 2018 janë 111.6 milionë euro”, tha zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, shkruan Telegrafi.

Por mungesën e investimeve si dhe largimin e parave jashtë vendit njohësit e ekonomisë e shohin si problem i cili vije nga korrupsioni, mos sundimi i ligjit si dhe pa siguria për të investuar.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka ka thënë për Telegrafin se shifrat e daljes së parave jashtë vendit janë shqetësuese.

Sipas tij, institucionet duhet të marrin masa të shpejta. “Raporti i Bankës Qendrore të Kosovës, është mjaft shqetësues për sa i përket trendëve të investimeve të huaja direkte. Në njërën anë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja hyrëse është dukshëm më e ulët krahasuar me vitin paraprak, ndërsa në anën tjetër edhe fluksi dalës i investimeve të jashtme është shumë më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, me ndikim të madh në bilancin e investimeve të huaja për këtë periudhë”, tha ai.

Zeka thekson se ka sektor që kanë përformuar me vlera pozitive. “Vlera negative të investimeve të jashtme janë shënuar edhe në sektorët e bujqësisë dhe të industrisë. Por në kategorinë e shërbimeve financiare vazhdojmë të kemi vlera pozitive të investimeve të huaja direkte, duke pasur parasysh ndikimin që ky sektor ka pasur në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka theksuar Arian Zeka.

Për një vend si Kosova, sipas Drejtorit Ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, duhet angazhim më agresiv për promovim të mundësive për investime.

“Duhet që përmes shfrytëzimit të mekanizmave ligjorë të aprovuar viteve të fundit, siç është edhe Ligji për Investimet Strategjike, por edhe masat e reja fiskale që e bëjnë vendin tonë më atraktiv. E krahas përmirësimit të ofertës dhe rritjes së promovimit, është e nevojshme që vendi të demonstrojë edhe stabilitet politik, ashtu që rreziku i perceptuar politik, si faktor i rëndësishëm i investimeve, të jetë sa më i vogël”, tha Zeka.

Kurse, eksperti i ekonomisë, Naim Gashi tha për Telegrafin se vuajtja e Kosovës nga mungesa e investimeve të jashtme, është si pasojë e destabilitetit politik dhe institucional i cili po vazhdon tash e disa vite.

“Janë një varg arsyesh që kemi nivel kaq të ulët të investimeve. Situata e tensionuar në veri dhe vazhdimi i dialogut me Serbinë, ku dominon një diskurs armiqësor, shkakton frikë te investitorët e jashtëm”, tha ai.

Gashi ka thënë se brishtësia e funksionimit të sistemit të drejtësisë është pengesë për investimet e jashtme. “Pas tyre vijnë korrupsioni, burokracia e administratës publike në nivel lokal dhe qendror, furnizimi jo i rregullt me energji elektrike etj”, ka deklaruar Naim Gashi ekspert i ekonomisë.

Kur do ta rifillojë prodhimin Ferronikeli?

Kompleksi Metalurgjik Ferronikeli pritet së shpejti të rifillojë prodhimin, thonë përfaqësues të punëtorëve. Më 23 korrik Ferronikeli është blerë nga Grupi “Balfin” nga Shqipëria dhe pronarët e rinj kishin premtuar se prodhimi do të fillojë shumë shpejt, por nuk kanë saktësuar ndonjë datë

Kompani Ferronikeli, që gjendet në Drenas, ka ndërprerë prodhimin në muajin prill të këtij viti, për shkak të problemeve financiare me të cilat është ballafaquar pronari i mëhershëm. Kompleksi përfshin një fabrikë të prodhimit të nikelit, si dhe depozitat potencialisht të pasura me minerale.

Por, Fehmi Nika, kryetar i Sindikatës se Punëtorëve tha për Radion Evropa e Lirë se nga sot kjo kompani zyrtarisht ka filluar punën, kurse nga dita e mërkurë, sipas tij, do fillojë prodhimi. Sa i përket gjendjes teknike, Nika thotë se ndërmarrja është në gjendje të rregullt. “Sot janë kthyer punëtorët sipas ndërrimeve që kanë qenë më herët”, tha Nika.

Lidhur me rifillimin e prodhimit ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga kompania e re e cila ka marrë në menaxhim këtë gjigant ekonomik. Nga muaji korrik, këtë ndërmarrje e ka në menaxhim kompania ‘NKL Limitet’, me qendër në Londër, e cila do të kontrollojë 100 për qind të aksioneve të kompanisë industriale.

Pjesë e kësaj kompanie është Grupi “Balfin” nga Shqipëria, grup ky që ka njoftuar se do zotërojë aksionet e Ferronikelit përmes kompanisë ‘NKL Limited’ dhe është zotuar se do të investojë menjëherë fonde të mjaftueshme për të rikthyer prodhimin me kapacitet të plotë brenda muajit gusht.

Kryetari i komunës se Dranasit, Ramiz Lladrovci shpreson se pronari i ri do ta ringjallë këtë kompleks, rrjedhimisht do ndikojë edhe në përmirësimin e gjendjes ekonomike në këtë komunë.

Më qëllim të rifillimit të prodhimit sa më të shpejtë të këtij kompleksi, Lladrovci tregon për Radion Evropa e Lirë se çdo kërkesë që është bërë në komunë nga pronari i ri është përmbushur me procedurë të shpejtë.

“Çdo gjë që është kërkuar nga menaxhmeti i Ferronikelit i kemi ndihmuar. I kemi ndihmuar me pëlqime, plotësimin e dokumenteve të nevojshme me procedurë të shpejtë. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen, vetëm që kompani Ferronikeli të fillojë sa më shpejtë punën”, thotë Lladrovci.

Edhe punëtorët e kompleksit, që numërojnë mbi 800, shpresojnë se pronari i ri do ta ringjallë këtë ndërmarrje duke e rikthyer prodhimin me kapacitet të plotë dhe shlyerjen e borxheve financiare që ka kompania kryesisht ndaj kontraktorëve privatë, thotë kryetari i sindikatës Fehmi Nika.

“Ne besojmë se kapaciteti i prodhimit do të rritet më shumë se sa ka qenë”, shprehet Nika.

Kompania e re ka planifikuar të kryejë investime shtesë në Ferronikel, në mënyrë që potenciali i sektorit minerar në Shqipëri dhe Kosovë të mund të vihet në përdorim të plotë dhe për ta rritur prodhimin e nikelit nga 7200 tonë në vit, në mbi 10.000 tonë në vit.

Importet mbizotërojnë tregun, prodhuesit vendorë të paknaqur

Vetëm një pjesë e vogël e konsumit ditor mbulohet nga produktet vendore. Rreth 90 për qind e produkteve që mbulojnë raftet e rrjeteve të shitjes me pakicë janë importe që vijnë nga vendet e tjera

E për ta përmbysur këtë raport, përfaqësues të bizneseve sugjerojnë diskriminim pozitiv për produkte vendore, shkruan sot Koha Ditore.

Ky favorizim, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, duhet të përfshihet në Ligjin për tregtinë e brendshme. Një iniciativë që duhet përdorur nga institucionet, sipas tij, është marketingu dhe financimi i një pjese të marketingut të produkteve vendore.

“Para se gjithash nevojitet një fuqizim në negociatat që i kanë prodhuesit me rrjetet e shitjes me pakicë. Kur them fuqizim i pozicionit të tyre, i bie që në shumicën e rasteve, pozicionimi më i mirë i tyre në rrjetet e shitjes në pakicë, është rezultat i drejtpërdrejtë i një pagese që këto rrjete shpeshherë e kërkojnë”, ka theksuar Rukiqi. “Një pjesë e madhe e prodhuesve vendorë nuk e kanë fuqinë për ta përballuar këtë, e sidomos në raport me konkurrentë të fuqishëm të trendëve botërore”.

Ajo që do të mundë të bëhej, sipas tij, është që Ministria e Tregtisë të financojë pozicionimin e këtyre produkteve në rrjetet e shitjeve me pakicë.

Retorika aktuale politike largon investitorët e huaj

Jostabiliteti politik në Kosovë mund të sjellë pasoja edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, sidomos tek investimet direkte të huaja. Përfaqësues të investitorëve të huaj dhe komunitetit të biznesit në Kosovë, japin vlerësime të ndryshme, se sa mund të ndikojë retorika politike e kohëve të fundit, tek interesimi i investitorëve potencialë

Shpend Balija, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se luhatjet politike ditore nuk kanë ndikim afatgjatë në dekurajimin e investitorëve të huaj.

“Opinionet, lëvizjet, komentet, politikat ditore nuk kanë ndikim afat gjatë në planet e investitorëve të mundshëm.Ne duhet t’i shikojmë indikatorët tjetër që mbretërojnë në Kosovë. Kosova është vend stabil, sa i përket aspektit politik dhe të sigurisë. Dhe në ketë mënyrë nuk besoj se ka ndonjë lëvizje apo ndikim në qëndrimin e investitorëve të huaj, karshi indeksit të investimeve në Kosovë”, thotë Balija.

Por, ndryshe mendojnë përfaqësues të komunitetit të biznesit, sipas të cilëve, fjalët e përdorura ditëve të fundit në Kosovë siç janë ndarje, shkëmbim territoresh, autonomi për veriun, korrigjim të kufijve, dekurajojnë në masë të madhe investitorët potencialë.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë thotë se situata politike është faktor i rëndësishëm, që merret në konsideratë nga investitorëve potencialë. Për këtë thotë ai, situata aktuale politike rritë pasigurinë e investitorëve.

“Natyrisht se çfarëdo lajmi apo retorike e cila përhapet anë e mbanë botës, e që sjell sërish Kosovën në titujt e mediave, sa i përket çështjeve të hapura të saja, rrisin pasigurinë e investitorëve dhe rrisin pasigurinë e të bërit biznes në përgjithësi. Dhe kur flasim për rritjen e pasigurisë, këtu duhet theksuar se nuk frenohen vetëm investimet e jashtme, por ndikim mund të ketë edhe në investimet e brendshme”, thotë Zeka.

Ndryshe, Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve (KIESA), që funksion në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, vazhdimisht pranon kërkesa dhe interesime nga investitorët të cilët janë duke analizuar Kosovën për investime potenciale. Në një përgjigje nga zyrtarë të kësaj agjencie thuhet se “gjatë kësaj periudhe (janar-gusht) ka realizuar rreth 85 kontakte/vizita me investitorë vendorë dhe të huaj, të cilët janë njoftuar mbi mundësitë që i ofron Kosova për investime”.

“Një numër i këtyre kontakteve kanë shprehur interesim dhe kanë kërkuar informata mbi përfitimin e statusit të investitorit strategjik dhe në këtë drejtim, KIESA është në kontakt të vazhdueshme me ta duke ofruar gjithë asistencën e nevojshme” thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë .

Por, Zeka, shprehet se deri më tani nuk është vërejtur ndonjë rritje apo zvogëlim i interesimit të investitorëve të huaj në Kosovë, krahasuar me vitet e tjera.

“Interesimi po thuajse është i njëjtë sikurse viteve të kaluara. Në përgjithësi interesimi vazhdon rreth atyre projekteve madhore të cilat janë nisur. Por, nuk ka ndonjë interesim më të shtuar se sa ka pasur viteve të kaluara”, thotë Zeka.

Ndërkaq, Shpend Balija shprehet se Kosova viteve të fundit është duke krijuar një imazh pozitiv sa i përket krijimit të kushteve për investitorët e jashtëm.

“Vendet e rajonit, por edhe ato të evropiane, kanë filluar të shohin Kosovën si një mundësi reale për investime. Por, që ende mbetet shumë për t’u bërë sa i përket përmirësimit të ambientit të biznesit. Kur them ende mbetet shumë për të bërë, kjo nënkupton reforma fiskale, reforma e prokurimit, reforma në drejtësi janë disa nga elementet kryesore të cilat duhet të lëvizin më shpejtë, me një dinamikë më të përshpejtuar, sepse ndryshimet kanë filluar të bëhen, por që nuk po lëvizin më shpejtësinë e duhur”, thotë Balija.

Edhe pse investimet e huaja vazhdimisht vlerësohen si të domosdoshme për zhvillimin ekonomik, këto investime kanë shënuar rënie përgjatë viteve në Kosovë.

Derisa në vitin 2008, investimet e huaja ishin 355 milionë euro, vitin e kaluar, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja ishin rreth 290 milionë apo 30 për qind më shumë se në vitin 2016. Kurse, në periudhën janar- maj të këtij viti, vlera e investimeve të realizuara është 76 milionë euro ose 34 për qind më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Erdogan thirrje turqve: Shisni eurot dhe dollarët

President Tayyip Erdogan sot kritikoi SHBA-të për kërcënime ndaj Turqisë, pasi Presidenti Trump dyfishoi dje tarifat ndaj importeve turke

Duke folur sot para përkrahësve të tij, në qytetin Unij, Erdogan tha se është për të ardhur keq që SHBA-të zgjedhin para Ankarasë, aleatit të tyre strategjik në NATO, pastorin Andrew Brunson, ndaj të cilit Turqia ka hapur proces gjyqësor nën akuzat për terrorizëm.

Ai përsëriti një thirrje të mëparshme ndaj popullit turk, që të japë ndihmën e tij, që lira turke e zhvlerësuar të fitojë, siç u shpreh ai, “luftën e pavarësisë”.

SHBA dhe Turqia kanë patur marrëdhënie të tensionuara kohët e fundit lidhur me disa çështje, si Siria, ambicia e Turqisë për të blerë sisteme të mbrojtjes nga Rusia dhe rasti i pastorit amerikan, të ndaluar në Turqi.

Top Channel

Rekordi ekonomik i Donald Trumpit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përjetojnë një moment ekonomik të jashtëzakonshëm nën qeverisjen e Donald Trump duke u shndërruar në lokomotivën e ekonomisë botërore. Departamenti Amerikan i Tregtisë raportoi se në tremujorin e dytë të këtij viti rritja ekonomike kërceu në 4.1 për qind, më e larta në të gjitha ekonomitë e zhvilluara

Ulja e taksave federale dhe paketa e reformave ekonomike që presidenti amerikan miratoi në fillim të vitit ka filluar të japë efektet e para duke bërë të heshtin të gjithë skeptikët dhe kundërshtarët e tij të së majtës amerikane. Donald Trump është President i Shteteve të Bashkuara prej një viti e gjysmë ose 6 tremujorësh. Por si krahasohet ai me paraardhësin Barack Obama, për të njëjtën periudhë? Numrat janë të pamëshirshëm.

Në tremujorin e gjashtë të presidencës Obama rritja e ekonomisë amerikane ishte vetëm 1.6 për qind ose 2.6 herë më e ulët se sa në tremujorin e gjashtë të Donald Trump. Por rritja ekonomike nuk është treguesi i vetëm që dëshmon dominimin ekonomik absolut të Donald Trump mbi Barack Obaman.

Gjatë 18 muajve të parë të presidencës së Donald Trump, ekonomia amerikane ka krijuar 3.2 milionë vende të reja pune. Për të njëjtën periudhë, nën presidencën e Barack Obamas, numri i të punësuarve jo vetëm që nuk u rrit, por ekonomia amerikane kishte humbur 2.9 milionë vende pune.

Por treguesi më domethënës, ai i cili ka bërë të heshtin edhe kundërshtarët me të fortë të Trump është shifra e borxhit publik. Kur kongresi amerikan dhe presidenti Donald Trump miratuan uljen e ndjeshme të taksave, argumenti më i fortë i kundërshtarëve të reformës ishte se ajo do të rrisë borxhin publik. Por të dhënat faktike tregojnë një histori krejt tjetër.

Në gjashtë muajt e parë të vitit, huamarrja e qeverisë amerikane rezultoi 532 miliardë dollarë, kur për të njëjtën periudhë nën qeverisjen e Obamas deficiti buxhetor ishte 936 miliardë dollarë, ose gati dy herë më i lartë.

Krahasimi ekonomik mes dy presidentëve të fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk lë vend fare për dilema. Dominimi i Donald Trump mbi Barack Obaman është absolut. Politika e taksave të ulëta u provua sërish si modeli I duhur ekonomik. Dhe ky është vetëm fillimi. Parashikimet janë që ecuria e ekonomisë amerikane të forcohet më tej.

Modeli zyrtar që përdor Banka e Rezervës Federale të Atlantas parashikon se në tremujorin e tretë rritja ekonomike do të përshpejtohet më tej, në 4.5 për qind, ccka praktikisht e rikthen ekonominë amerikane në kohët e arta të presidentit Ronald Reagan.

Politika e uljes së taksave funksionon gjithmonë. Funksionoi për Reaganin dhe Thatcerin dikur. Po funksionon për Donald Trump tani. Aksioma qëndron. Ulja e taksave është receta më e mirë për ekonominë, pavarësisht kohës apo vendit.