Ekonomia globale shënon rritjen më të madhe nga viti 2011

Ekonomia botërore është rritur këtë vit për 3 përqind, që është norma më e lartë qysh në vitin 2011, vlerësuan Kombet e Bashkuara

Në raportin vjetor për rritjen globale, OKB tha se rritja e përgjithshme ekonomike ka vazhduar të nxitet nga Kina dhe vendet e tjera aziatike, porse përmirësimi i vazhdueshëm në Rusi, Brazil, Argjentinë dhe vende të tjera në zhvillim ka ndikuar po ashtu pozitivisht.

Liu Zhenim, nënsekretar i OKB-së për çështje ekonomike dhe sociale, tha se rritja “është shenjë mirëseardhjeje për një ekonomi më të shëndetshme”.

Por, ai po ashtu paralajmëroi se rritja mund të vijë me një kosto mjedisore, “sidomos në rritjen e emetimeve të gazrave serrë”.

Përkundër përmirësimit të perspektivës afatshkurtër, ekonomia globale vazhdon të përballet me sfida afatgjata, përfshirë ndryshimet e politikës tregtare dhe tensionet në rritje gjeopolitike, thuhet në raport.

Franca ndan 66 milionë euro për prodhim të rrymës nga ujërat e zeza

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar ambasadorin e Francës, Didier Chabert, për të diskutuar aspekte të ndryshme të marrëdhënieve bilaterale mes Francës dhe Kosovës, në veçanti perspektivat e bashkëpunimit teknik dhe ekonomik

Përmes një komunikate për media, Ambasada e Francës në Kosovës, ka thënë se ky vend, që është lider botëror në sektorin e trajtimit të ujërave, i ka vënë në dispozicion të Kosovës 66 milionë euro për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza dhe kogjenerimin e energjisë përmes llumit, në Prishtinë dhe katër komuna tjera.

“Kjo marrëveshje midis dy shteteve është ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës dhe të dy qeveritë kanë vendosur, me marrëveshje të përbashkët, për të themeluar një Komitet Drejtues për të siguruar zbatimin dhe menaxhimin e saj duke marrë parasysh shtrirjen e saj kombëtare dhe natyrën e saj specifike”, thuhet në komunikatën e Ambasadës së Francës, raporton Koha.net.

Kryeministri dhe ambasadori i Francës u pajtuan të mbajnë një mbledhje të këtij komiteti në ditët në vijim, për të caktuar etapat konkrete të këtij projekti.

Në fakt, ky impiant i trajtimit të ujërave dhe mbeturinave do të mundësojë pastrimin e pellgut të lumit Sitnica, dhe do të ketë një ndikim të rëndësishëm në shëndetin e popullatës, qasje në ujë dhe ambient dhe do të kontribuojë, përmes djegies së llumit, për të siguruar një prodhim shtesë të energjisë elektrike në vend. Ky projekt do të mundësojë gjithashtu transferimin e njohurive dhe teknologjisë në favor të Kosovës.

Termocentrali “Kosova e Re” finalizohet brenda javës

Brenda javësh, Qeveria e Kosovës pritet të nënshkruajë kontratën me kompaninë amerikane “ContourGlobal” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, një ndër projektet më të mëdha në vend. Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka i tha Radios Evropa e Lirë se gjatë kësaj jave pritet të përmbyllen të gjitha proceset rreth projektit të termocentralit “Kosova e Re”

“Ekzekutivi i kompanisë Contour Global do të jetë në Kosovë gjatë kësaj jave për të diskutuar kontratën finale. Në ditët në vijim do të ketë negociata intensive mes kompanisë amerikane dhe Qeverisë së Kosovës. Nëse gjithçka shkon sipas planit dhe qëllimeve që dëshirojmë t’i arrijmë si Qeveri karshi investimeve, besoj që nënshkrimi i kontratës është çështje javësh”, thotë Lluka.

Gjatë kësaj jave, po ashtu ka bërë të ditur Lluka, në Kosovë do të qëndrojë në vizitë edhe një delegacion i Bankës Botërore të cilat do t’i shikojnë disa detaje teknike, në mënyrë që siç thotë Lluka, projekti i termocentralit “Kosova e Re”, të marrë edhe përkrahjen e Bankës Botërore.

Përgatitjet për ndërtimin e termocentralit të ri me një kapacitet gjenerues fillimisht prej 2,100 megavatësh patën filluar që nga viti 2005. Por, pas ndryshimeve që janë bërë ndër vite, ky termocentral pritet që të ndërtohet me kapacitet gjenerues prej rreth 500 megavatësh.

Në vitin 2015, në mesin e disa kompanive konkurruese autoritetet në Kosovë e kishin përzgjedhur ofertuesin Contour Global, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si kompaninë fituese për ndërtimin e këtij termocentrali.

Termocentrali “Kosova e Re” është paraparë të ndërtohet afër termocentralit aktual “Kosova B” në Obiliq. Derisa, vlera financiare e këtij projekti, pritet të arrijë në rreth një miliard euro.

Disa përfaqësues të shoqërisë civile vazhdojnë ta kundërshtojnë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, duke e quajtur atë si një projekt jotransparent dhe të dëmshëm për mjedisin dhe për qytetarët.

Kushtrim Puka nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë për Energji (KOSID), thotë për Radion Evropa e Lirë se ky projekt përveç që është stërzgjatur është përcjell edhe me parregullsi.

“Ne mendojmë që ky proces është i ngutshëm, nuk është transparent sa i përket edhe procesit të tenderimit dhe ende ne si shoqëri civile dhe qytetarë nuk e dimë se për çfarë po negociohet. Nuk kemi të dhëna të sakta as për teknologjinë e cila do të përdoret. Në anën tjetër, numri i vendeve të lira të punës, investimet dhe kostot që do të përballemi si shtet nuk janë bërë të ditur me kohë”, thotë Puka.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonelata linjit dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi. Thëngjilli që digjet në termocentralin “Kosova A” dhe “Kosova B” shërben si burim kryesor për prodhimin e energjisë elektrike për tërë vendin.

Por, njëkohësisht këto termocentrale konsiderohen si ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në Kosovë.

Duke u nisur nga kjo, Puka thotë se Kosova ka edhe mundësi tjera për prodhim të rrymës dhe mos të jetë e varur nga prodhimi i energjisë elektrike nga thëngjilli.

“Problemet me ajrin në Kosovë janë evidente dhe kjo po ndikon në shëndetin publik. Ne nuk kemi nevojë të vazhdojmë të jemi të varur nga termocentralet, derisa Kosova ka mundur të ndjek një strategji më të gjelbër dhe më të qëndrueshme në aspektin e energjisë, duke shqyrtuar potencialet e burimeve të energjisë së ripërtërishme, ku Kosova ka mjaft potencial”, thotë Puka.

Me ndërtimin e termocentralit të ri, autoritet në Kosovës kanë thënë se Kosova do të bënte një zgjidhje afatgjate dhe me të qëndrueshme me energji elektrike.

Haradinaj: Do të jemi të përgjegjshëm në menaxhimin e parasë publike dhe donacioneve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë, të organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian në të cilin është diskutuar Raporti vjetor mbi aktivitetet e donatorëve në Kosovë gjatë vitit 2016

Kryeministri Haradinaj shprehu falënderimin për kontributin, përkrahjen, ndihmën dhe donacionet e dobishme që kanë dhënë, qeveritë dhe donatorët e ndryshëm të vendeve mike të Kosovës.

“Këto ndihma për Kosovën dhe popullin e saj, kanë ardhur në kohëra të vështira dhe për këtë arsye janë të rëndësishme dhe të veçanta”, tha ai.

“Fal një përkrahje gjeneroze që ka ardhur në vazhdimësi, nga viti në vit, Kosova nuk është ndjerë e lënë vetëm”, shtoi Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se fal punës së përbashkët me Unionin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe vendeve tjera mike, donacionet kanë qenë gjeneroze dhe vazhdojnë të jenë.

“Kosova sot qëndron më mirë, dhe për këtë kemi marrë obligime që të ndërtojmë një shoqëri të avancuar, demokratike që respekton të gjithë qytetarët e vendit dhe e përgjegjshme në menaxhimin e parasë publike dhe të donacioneve”, tha Haradinaj.

Duke folur rreth bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës do të jetë partnere e mirëfilltë dhe do ta rris përgjegjësinë e vet në menaxhimin e parasë publike dhe të donacioneve në Kosovë, me theks të veçantë në luftimin e korrupsionit.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, falënderoi donatorët për kontributin e vazhdueshëm të tyre në zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Ministrja Hoxha, para të pranishmëve paraqiti Raportin vjetor të donacioneve për vitin 2016, duke theksuar se vetëm gjatë vitit 2016 asistenca financiare ka qenë 164 milionë euro, derisa donatorët kryesorë kanë mbetur të pandryshuar, SHBA, BE-ja, Zvicra, Gjermania, etj.

Gjermania ia dhuron Kosovës afër 13 milionë euro

Ministria e Financave ka njoftuar se sot do të nënshkruhet marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për Bashkëpunim Teknik për vitin 2017

Marrëveshja e cila do të nënshkruhet nga ministri i Financave, Bedri Hamza dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovës, Christian Heldt, ka vlerën totale prej 12 milionë e 950 mijë euro.

Ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes do të mbahet sot në Ministrinë e Financave.

Dalin shkresat sekrete, ja “lufta” për naftën shqiptare mes SHBA-ve, Britanisë dhe Italisë

Gazeta franceze, “Le Petit Parisien”, ka botuar, të martën e 17 shkurtit 1925, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me interesat që ngjallte asokohe nafta shqiptare tek amerikanët, britanikët dhe italianët

Dukej se britanikët ishin më të avancuar pranë qeverisë shqiptare mbi këtë çështje. Por amerikanët nuk kanë hezituar të reagojnë, sigurisht për të mbrojtur interesat e tyre ekonomike. Reagimi amerikan ka nxitur edhe qeverinë italiane.

Nga Aurenc Bebja

“Londër, 16 shkurt (Dep. Petit Paris.)

Njoftohet në Washington nëpërmjet Exchange Telegraph-it se qeveria e amerikane i ka dërguar qeverisë shqiptare një shkresë proteste kundër projektit të dhënies së monopolit të një konçesioni nafte, nën kujdesin e Anglo Persian Oil Company, qeverisë britanike.

1. Sinclair dhe Standard Oil Company pretendojnë se konçesioni në fjalë do t’i sigurojë Anglisë një monopol virtual në të gjitha fushat e naftës në Shqipëri.

Shkresa amerikane bazohet në faktin se kur Shtetet e Bashkuara e njohën zyrtarisht Shqipërinë, ata këmbëngulën mbi parimin e “konkurrencës së barabartë” dhe pohon se ky parim u siguron Z. Sinclair dhe Standard Oil Company të drejta të barabarta me ato të Anglo Persian Oil Company.

Qeveria e Ahmet Zogut thuhet se i konfirmoi Anglo Persian Oil Company një konçesion të marrë nga ajo në 1921.

Qeveria italiane ka protestuar në Tiranë duke kërkuar të drejtat prioritare në të njëjtën fushë dhe negociatat mbi këtë çështje janë angazhuar në Romë midis ambasadorit britanik dhe kabinetit.”(darsiani.com)

Banka Botërore e gatshme t’i financojë projektet në Ballkan

Banka Botërore është e gatshme t’i ndajë deri në 200 milionë dollarë për projektet me të cilat do të zhvillohej transporti dhe lidhjet tregtare ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, tha sot zyrtarja e lartë e kësaj banke, Christina Georgieva

“Ne jemi të gatshëm t’i financojmë projektet e tregtisë dhe transportit për t’i ndihmuar vendet e rajonit t’i largojnë pengesat që ekzistojnë tash”, tha Georgieva në tubimin ekonomik të nivelit të lartë në Sofje të Bullgarisë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, liderët e Ballkanit, përfshirë kryeministrat e Bullgarisë, Serbisë, Maqedonisë dhe të Shqipërisë, pastaj presidentët e Kosovës dhe të Malit të Zi dhe ministrin e tregtisë së jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, janë pajtuar për hapat kah integrimi më i thellë në Ballkanin Perëndimor dhe kanë shprehur përkushtim për përmirësim të infrastrukturës dhe lidhshmërisë së rajonit, raporton agjencia Reuters nga Sofja.

Kryesimi i CEFTA-s, si Kosovë pa akronimin UNMIK

Republika e Kosovës, vitin e ardhshëm pritet të jetë kryesuese e radhës së Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Evropën Qendrore, e njohur me shkurtesën, CEFTA

Gjatë kryesimit të këtij mekanizmi ndërkombëtar do të përdoret vetëm emri Kosovë, pa akronimin “UNMIK- Kosovë”, ka thënë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, duke shtuar se në takime nuk do të ketë as përfaqësues të Administratës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK.

Javë më parë, Prishtina zyrtare kishte ‘kërcënuar’ se do të tërhiqej nga CEFTA po që se vazhdon të prezantohet si UNMIK (që nënkupton një vend të administruar nga Kombet e Bashkuara).

Në vitin 2007, Kosova zyrtarisht ishte bërë anëtare e Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore.

Në atë kohë, Kosova ende nuk e kishte të zgjedhur statusin, andaj marrëveshja ishte nënshkruar nga shefi i atëhershëm i UNMK-ut, Joakym Ryker dhe që atëherë, ishte përfaqësuar me emrin e administratës së UNMIK-ut.

Ky mekanizëm është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga Bashkimi Evropian, me qëllim të thellimit të integrimit ekonomik me vendet e rajonit.

Sidoqoftë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se ka kërkuar nga Përfaqësuesja e Zyrës së Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova, ndihmën e BE-së që të ndryshohet statusi i Kosovës në CEFTA.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike dhe ish-zyrtarë të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, thonë se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, rrethanat politike kanë ndryshuar kështu që autoritete kompetente duhet të kryesojnë me këtë mekanizëm, si shtet i pavarur.

Gjatë fillimit të procesit të bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të zhvilluara nën lehtësimin e Bashkimit Evropian, autoritete kosovare kanë kërkuar nga BE- ja, që UNMIK-u të mos e përfaqësojë më Kosovën në CEFTA.

Flamur Keqa, ish-drejtor i Departamentit të Tregtisë në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë në vitin 2011, kur Kosova ka menaxhuar CEFTA -n, tha për Radion Evropa e Lirë se rrethanat politike sigurojnë që Kosova në këtë mekanizëm të paraqitet si shtet dhe jo si UNMIK.

“Vet shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe funksioni i shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ku në shumicën apo në pjesën më të madhe të rasteve paraqitet si Republikë e Kosovës, tregon domosdoshmërinë që edhe në takimet e CEFTA –s, shteti i Kosovës të paraqitet si shtet, ashtu siç është njohur ndërkombëtarisht”, thotë Keqa.

Ndërkaq, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se tashmë Kosova si shtet i pavarur, ka strukturat e veta dhe politikat rreth CEFTA-s duhet t’i ndërmerr Qeveria e Kosovës.

“Mirëpo kjo ka mbetur si peng i një involvimi të Kombeve të Bashkuara, në kushtet kur Kosova ende nuk e ka një qartësi sa i përket statusit në raport më Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.

“Tashmë kjo si çështje është bërë më pak e rëndësishme, për shkak se Kosova e ka pranuar në qershor të këtij viti një plan të veprimit për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale. Tani në një formë edhe zbatimi i CEFTA-s është i lidhur me këtë hapësirë për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale, ku Kosova e ka statusin e barabartë me të gjitha vendet e rajonit”, thotë Rukiqi.

Ndryshe, sipas ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani përgatitjet për kryesimin e CEFTA-s tanimë kanë përfunduar. Rëndësia e kryesimit të këtij mekanizmi, sipas tij, është shumëdimensionale. Në radhë të parë, thekson ai, në dimensionin politik, Kosova do të ketë mundësinë që të dëshmojë aftësinë e saj në udhëheqjen e një mekanizmi rajonal dhe në promovimin e imazhit të saj.

Kurse në aspektin ekonomik, vijon Hasani, institucionet e Republikës së Kosovës do ta kenë mundësinë që të tregojnë përkushtim në përmbushjen e aktiviteteve në kuadër të Zonës Ekonomike Rajonale, iniciativë e aprovuar nga kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Importi po shmang krizën energjetike në Kosovë

Furnizimi me energji elektrike në Kosovë është duke u mbuluar nga importi, derisa në prodhim është vetëm një bllok i Korporatës Energjetike të Kosovës, bëjnë të ditur zyrtarë të Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS)

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, tha për Radion Evropa e Lirë se struktura aktuale e furnizimit me energji elektrike nuk është në situatë të favorshme. Pjesa më e madhe e furnizimit me energji elektrike, shton Buzhala, është duke u mbuluar nga importi.

“Situata sa i përket furnizimit me energji elektrike është pandërprerë aktualisht. Importi aktual është 500 megavat energji elektrike sepse është vetëm një bllok në prodhim, pra prodhimi është në pikën minimale, por, jemi duke e mbuluar nga importi. Situata do të ishte shumë më e mirë sikur të kemi një prodhim më të madh me energji elektrike”, thotë Buzhala.

Mungesa e mjaftueshme e prodhimit të energjisë elektrike, sipas Korporatës Energjetike të Kosovës ka ardhur si pasojë e shpenzimit të rezervave të qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike, si dhe vonesës së zhvendosjes së banorëve të fshatit Shipitullë dhe Hade, zona këto ku do të bëhen mihje në kërkim të rezervave të thëngjillit.

Për të shmangur krizën energjetike, tani e sa kohë është kërkuar zhvendosja e banorëve nga këta zona, por disa nga banorët kanë kundërshtuar marrëveshjet për zhvendosje.

Ndërkohë së fundi Korporata Energjetike e Kosovës ka ritheksuar se nga vonesat për nënshkrimin e marrëveshjeve për zhvendosje që po shkaktojnë banorët e fshatit Shipitullë dhe Hade, po rrezikohet që vendi të mbetet pa energji elektrike.

Arben Gjukaj, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës iu ka bërë thirrje banorëve që janë në këto zona të shfrytëzojnë të drejtën e tyre brenda afateve ligjore dhe të nënshkruajnë marrëveshjet për zhvendosje.

“Ju bëj thirrje banorëve që të shfrytëzojnë këtë mundësi, të gjitha kërkesat e tyre janë adresuar dhe tani të vinë dhe të nënshkruajnë marrëveshjet, në të kundërtën deri me 15 dhjetor të këtij viti, banorët të cilët janë të afektuar nga ky shpronësim, duhet të kalojnë me Ligj të shpronësimit”, thotë Gjukaj për Radion Evropa e Lirë.

Gjukaj thotë se kanë paralajmëruar të gjitha institucionet relevante se stina e dimrit do të jetë sfidues sa i përket rezervave të qymyrit.

“Nga gushti i vitit 2016 e deri më tani kemi punuar me rezerva që i kemi krijuar viteve të kaluar. Ky dimër do të jetë sfidues dhe ne do të jemi të detyruar që të kemi gjenerim të kufizuar, derisa të zgjidhet tërësisht shpronësimi i fshatit Shipitullë”, ka bërë të ditur Gjukaj.

Zëdhënësi i KEDS-it Buzhala thotë se presin që kjo situatë e prodhimit me energji elektrike të përmirësohet, pasi që importi i furnizimit me energji elektrike në kohën kur kërkesa rritet, është i vështirë.

“Sigurimi i importit në këtë kohë është i vështirë për shkak të rritjes së kërkesës për energji jo vetëm në Kosovë, por edhe ne vendet e rajonit, ku në pjesën më të madh të energjisë elektrike e importojmë nga vendet e rajonit”.

“Importi ka vështirësitë e veta, ka periudha që sigurimi qoftë edhe i një megavat energji elektrike është jashtëzakonisht i vështirë, ku edhe çmimet janë më të shtrenjta”, thotë Buzhala.

Problemet me energji elektrike Kosovën e kanë përcjell qysh nga pas lufta. Për të eliminuar këtë problem tani e sa vite është duke u diskutuar ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike, siç është realizimi i projektit Termocentrali “Kosova e Re”.

Por, që projekti i termocentralit të ri i nisur qysh në vitin 2005 ende nuk ka filluar të zbatohet.

Për 10 muaj fitimi i bankave arrin në 75.7 milionë euro

Vetëm gjatë 10 muajve të parë të këtij viti të gjitha bankat komerciale që operojnë në vendin tonë kanë arritur ta realizojnë një fitim të pastër prej hiç më pak se 75.7 milionë euro, apo rreth 200 mijë euro më shumë se gjatë gjithë vitit që lamë pas

Po ashtu gjatë kësaj periudhe kohore afarizëm të suksesshëm kanë pasur edhe kompanitë e sigurimeve, por edhe institucionet mikrofinanciare në vend, derisa këto të fundit gjatë viteve paraprake vitin e kishin përmbyllur me bilanc negativ.

Duke u bazuar në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, i cili është publikuar më 4 dhjetor, shihet se të hyrat e bankave gjatë 10 muajve të parë të këtij viti kanë qenë 201.9 milionë euro e ku nga kjo shumë 147.1 milionë euro kanë qenë të hyra nga interesi, derisa në anën tjetër gjatë kësaj periudhe kohore shpenzimet kanë arritur në 126.2 milionë euro, ku nga kjo shumë 14.1 milionë euro janë shpenzime të interesit, derisa 84.1 milionë euro janë shpenzime gjenerale administrative.

Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të BQK-së, shihet se deri në fund të muajit tetor të këtij viti shuma e kredive nëpër bankat komerciale në vend ka arritur në 2 miliardë e 430 milionë euro, ku 881 milionë euro janë kredi për ekonomi familjare, derisa pjesa tjetër prej 1 miliard e 543 milionë euro janë kredi për bizneset. Sipas të dhënave zyrtare, shihet një rritje e kredive prej 10,6 për qind. /Zëri