Qindra qytetarë të Kosovës investojnë në bitcoin

Monedhat elektronike janë një nga temat më aktuale në botë, por edhe në Kosovë. Bitcoin është një monedhë digjitale në të cilën transaksionet mund të kryhen pa nevojën e një banke qendrore. Edhe në Kosovë shumë kompani kanë investuar në pajisje që prodhojnë bitcoin

Drejtori i kompanisë “Kriptomat”, Valmir Hazeri, ka treguar për KosovaPress se vetëm në kompaninë e tij janë diku nga 500 deri në 1 mijë persona që kanë investuar para në bitcoin, ndërsa janë më shumë se 5 persona që janë bërë milioner.

Hazeri: Prej 500 deri në 1 mijë njerëz kanë investuar në bitcoin

“Është tejet e lartë, momentalisht ne Kriptomat nuk po mundemi me i përballu të gjitha kërkesave, janë disa të tjera që punojnë në Kosovë. Nuk e di ata si janë duke e menaxhuar ose a po munden ta menaxhojnë, por kërkesa është tejet e lartë dhe ka shumë persona që janë të involvuar qysh herët në bitcoin. Mund të them prej 500 deri në 1 mijë njerëz që unë kam dëgjuar, po ashtu ka edhe shumë të tjerë që unë nuk kam pasur qasje me ta. Mund të quaj që janë diku rreth 5 deri në 10 bittcoin milioner që quhen, do të thotë që kanë investuar paraprakisht qindra euro dhe tash kanë miliona euro”, tha ai.

Duke qenë se bitcoin vepron pa një bankë qendrore, Banka Qendrore e Kosovës përmes një komunikate ka paralajmëruar qytetarët e Kosovës se përdorimi i monedhave virtuale përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare.

“Përdorimi i parave virtuale, siç është për shembull Bitcoin, nuk është i rregulluar ligjërisht dhe përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare. Të gjithë përdoruesit e mundshëm të parasë virtuale njoftohen se në Republikën e Kosovës nuk ka asnjë institucion që garanton rimbursimin e parave të humbura”, thuhet në njoftimin e BQK-së. Por që këtë qëndrim të BQK-së nuk e mbështet drejtori i kompanisë “Kriptomat”, Valmir Hazeri, i cili thotë se është një platformë shumë e sigurt.

Hazeri: Kjo është tejet e sigurt

“Kjo është tejet e sigurt deri tash e ka vërtetuar, vetën mund të them gati tetë vjet janë bërë, nuk ka mundur të hiqet direkt bitcoini edhe janë hequr plotë platforma të cilat kanë punuar me bitcoin, mirëpo bitcoini direkt nuk ka mundur të hiqet. Për atë arsye është vërtetuar se nuk mund të ngacmohet prej hakëreve ose nuk mundet me u modifikua që e ka bërë tash këtë teknologji të bitcoinit që quhet blockchain të përdoret edhe në plotë platforma tjera ose me e zgjidhë probleme të ndryshme me këtë metodë që e kanë zgjidh problemin e monedhës. Pra, blockchain ka zgjedh problemin e monedhës mos me mund njerëzit me krijua më shumë monedha pa pas nevojë ose pa leje të platformës dhe tash këtë blackchain, këtë teknologji po donë me përdor për me zgjidhë probleme si për shembull me krijua ndonjë transaksion ose ndonjë dërgim të informatës prej një personi në në person tjetër”, ka thënë ai. Për më tepër ai thotë se në të ardhmen bitcoini do të përdoret në të gjitha shtetet, pasi që deri tani nga shumë shtete është pranuar si para e huaj.

Hazeri: Shumë shtete që janë duke e pranuar si para të huajën

“Ka me u update( përdorë) globalisht, momentalisht janë shumë shtete që janë duke e pranuar si para të huajën, sikur ne për shembull qysh e pranojmë dollarin, do të thotë nuk është e jona, por ne e pranojmë në Kosovë ose euro, edhe euro nuk është e jona. Një ashtu edhe shtetet tjera janë duke e pranuar bitcoinin sikur para jo të veten, por si të shteteve të tjera. Pra, bitcoini është duke u bërë një entitet në vete, ku shtetet janë duke e pranuar për arsye se shumë njerëz si në Kosovë janë duke e përdorur dhe është duke funksionuar”, theksoi ai. Hazeri për KosovaPress ka treguar të gjitha procedurat se si funksionon blerja e bitcoinit, e krejt kjo mund të realizohet nëse keni një kuletë digjitale.

Hazeri: Kriptomati është metoda më e lehtë për me ble bitcoin

“Kriptomati është metoda më e lehtë për me ble bitcoin. Për me pas mundësi për të blerë bitcoin duhesh me u regjistrua me një exchanges, duhesh me dërgua para dhe shumica prej exchanges nuk e pranojnë Kosovën, pasi që ne kemi ende probleme me u pranua si shtet. Për këtë arsye ne e kemi bërë një mundësi shumë më të lehtë me pas mundësin me ble bitcoin brenda një ore. Pra, këtu çka mundesh me bë është thjeshtë vjen dhe duhet me pas një kuletë digjitale, e cila kryesisht janë nëpër telefona ose llap topa dhe aty duhesh me e krijua, duhesh me hap një kulet që man bitcoin. Pasi që ka plot kuleta që munden me majtë edhe valuta të tjera që janë kriptovaluta të tjera të ndryshme, që tash janë rreth 17 milion tash është trendi në rritje me kriju valuta ndryshe dhe mundesh me ble”, tregoi ai. E më pastaj, procedura vazhdon duke zgjedhur se cila është shuma që dëshiron të investosh.

Hazeri: këtu duhesh me zgjedh se sa po donë ose ma pak se sa

“Pra, këtu duhesh me zgjedh se sa po donë ose ma pak se sa, ose më shumë dhe pastaj duhesh me ja tregu adresën tënde pasi që bitcoin punon me adresë. Do të thotë, kur donë me ja dërgua dikujt adresën dhe ai e dinë se kush je ti dhe me ti dërgua ty ato. Tash kjo është adresa ime, ku ja japim dhe e lexon dhe tash e përgatit blerjen për me mi dërgua mu ato. Tash unë i jap pesë euro dhe i kalkulon pesë euro sa bitcoin bënë, pasi që bitcoin llogaritet rreth 15 mijë euro. Vlera e pesë eurove është 0.000332 do të thotë është një përpjesëtim tepër i lartë ku edhe kjo është një mundësi e bitcoinit që mundesh me e përpjesëtua deri në zero cent, deri në gjysmë cent ose më pak se gjysmë centi dhe mundesh me shkua 0000 deri në infinit. Dhe e blen dhe kaq, do të thotë kaq thjeshtë mundesh me ble bitcoin. Këtu e ke një recetë se çka ke ble”, tregoj Hazeri.

Përveç kompanisë “kriptomat” që pajisjet e saja i ka tek ICK në Prishtinë, edhe shumë kompani të tjera janë që kanë investuar në pajisje për prodhim të bitcoinit.

Pse po i’a mbathin investitorët e huaj?

Mbledhja e gjithë parave të shqipëtarëve në pak duar, asgjesimi i garave dhe tenderave të hapur nga qeveria, tendenca e Edi Ramës për të akumuluar gjithçka në duart e pak oligarkëve, klienë të tij, ka ndikuar fort edhe tek investimet e huaja në vend

Në Shqipëri jo vetëm që nuk po afrohen investitorë të mëdhenj dhe seriozë, por po largohen edhe ata që kishin vendosur të riskonin paratë e tyre këtu. Sipas vëshgimeve të hollësishme që revista ekonomike “Monitor” i ka bërë shifrave zyrtare për vitin 2016, numri i ndërmarrjeve të përbashkëta ka rënë me 5.2 % . Plot 13 shtete të Europës perendimore kanë pësuar tkurrje të parave që ndërmarrjet e tyre kanë investuar në Shqipëri. Kështu gjatë vitit të shkuar janë mbyllur 153 ndërmarrje greke, 91 italiane,dhe 37 gjermane. Në rënie kanë qenë dhe bizneset nga Kanadaja dhe Amerika, me përkatësisht -29 dhe -19 subjekte të mbyllura.

Ndërkohë gjatë gjithë kohës së ushtrimit 5 vjeçar të pushtetit socialistët ata janë mburur se kanë arritur shifrën rekord të investimeve të huaja të thithura ndonjëherë në Shqipëri, duke kapërcyer tavanin e 1 miliardë USD investime të huaja në vit. Por, kjo është thjesht vetëm një parrullë propagandistike se pjesën e luanit të tyre e zënë investimet të kontraktuara përpara se Edi Rama të vinte në pushtet, pra gazësjellësi TAP dhe kaskada e hidocentraleve në lumen Devoll.

Investimet në këto dy projekte janë sa 14 për qind e PBB-së, rreth 1.5 miliardë euro. Investimet në projektin TAP janë rreth 1 miliardë euro në HEC-et e lumit Devoll pak më shumë se 500 milionë euro.

Shumë ekonomistë kanë dhënë alarmin se rënia e investimeve të huaja do të ketë efekte të madhe edhe në rritjen ekonomike, sidomos pas përfundimit të Projekteve të TAP dh Devoll.

“Ky përbën një risk seriozi si për programin buxhetor ashtu dhe për objektivat e rritjes ekonomike gjatë këtyre katër viteve”, ka thënë Selami Xhepa, president Instituti “Pashko”. “Nëse rënia e investimeve nuk do të kompensohet, atëherë objektivi që ka qeveria për rritje ekonomike 4-5 për qind s’mund të arrihet”, shprehet Arben Malaj, ish-ministër i Financave.

Sipas tyre pikërisht kjo ishte arsyeja kryesore se pse FMN e uli parashikimin për rritjen ekonomike në 2018-ën nga 4.1 në 3.7 për qind.

Gjatë fushatës elektorale të verës së shkuar, kur në debate televizive Edi Rama u sfidua nga gazetarët nëse mund të thoshte qoftë edhe një investim të vetëm që i kalonte 5 milionë USD gjatë periudhës së tij, ai mbeti pa tekst (shiko video poshte).

Dhe arsyeja është e thjeshtë. Ato jo vetëm që nuk po vine, por tendenca po shkon drejt mbylljes së investimeve të huaja të ardhura më parë. Përqëndrimi i pushtetit, prishja e konkurencës dhe asfiksimi i lirisë ekonomike janë treguesë të qartë të këtij fenomeni.

Këtë e tregojnë edhe shifrat që publikohen çdo vit nga fondacioni “Heritage”. Ndërsa në fillim të qeverisjes socialiste Shqipëria renditej në vendin e 54 në botë dhe në të 25 në Europë, mes 186 vendeve, që krahason ky fondacion, aktualisht ajo ka zbritur, duke u rreshtuar e 63-ta mes vendeve të përfshira në studimin e Lirisë Ekonomike ( e 29-ta, mes 43 vendeve të Europës).

Këto janë pra arsyet se pse Rilindja jo vetëm nuk thith dot investime të mëdha, por sipas shifrave të saj zyrtare, gjatë qeverisjes së Ramës, mbyllen edhe ato që ishin tashmë në vend.

©Lapsi.al

Nga 1 janari 2018 do të aplikohen masa të reja lehtësuese për prodhuesit vendorë

Ministria e Financave njofton opinionin e gjerë përkatësisht të gjithë prodhuesit vendorë, se janë finalizuar të gjitha procedurat ligjore për fillimin e implementimit të vendimeve për lirimin nga tatimi doganor dhe i akcizës për të gjitha subjektet e regjistruara si prodhues pranë Administratës Tatimore të Kosovës

“Prandaj, duke filluar nga data 1 janar 2018, të gjithë prodhuesit të cilët importojnë vet apo përmes kontraktorëve do të lirohen nga tatimi doganor për lëndën e parë, gjysmë produktin, linjat e prodhimit, pajisjet e teknologjisë informative si dhe më pas do të lirohen nga tatimi i akcizës në të gjitha produktet të cilat marrin pjesë si lëndë ndihmëse në procesin e prodhimit”, thotë MF në një njoftim për media.

Gjithashtu, kjo ministri ka njoftuar bizneset prodhuese se këto janë vetëm masat e para për këta tre muaj të mandatit Qeveritar, përkatësisht mandatit të ministrit të Financave.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, është deklaruar shumë herë publikisht se “prioritet ynë është zhvillimi i sektorit privat dhe se ky sektor do të jetë bartës i zhvillimit ekonomik, ku përmes rritjes së zhvillimit ekonomik dhe luftimit të informalitetit do të kemi trajtim të barabartë për të gjitha bizneset”.

“Masat e ndërmarra do të ndikojnë në realizimin e të hyrave buxhetore siç është paraparë edhe në Buxhetin e vitit 2018”, thotë MF.

Gjithashtu, Ministria e Financave njofton opinionin se nuk do të ketë asnjë tatim të ri, nuk do të ketë rritje të tatimeve ekzistuese, por MF-ja do të vazhdojë me masa të reja fiskale dhe lehtësuese për biznesin në fillim të vitit të ri 2018, ku janë paraparë ndryshime dhe plotësime të legjislacionit tatimor siç janë, Ligji për Procedurën dhe Administratën Tatimore, Ligji për Tatimin në Korporata, Ligji për TVSH-në, Ligji në të Ardhura Personale duke përfshirë edhe Kodin e Doganave dhe Akcizave.

“Në thjeshtimin e procedurave për nxjerrjen e dokumentacionit, do të ketë shkurtim të kohës dhe procedurave burokratike të kthimit të TVSH-së, shtyrje të TVSH-së në lëndë të parë me rastin e blerjes e cila prodhohet në Kosovë, kontrolla të thjeshtësuara dhe të përbashkëta ATK – Doganë, eliminim të kontaktit fizik të inspektorëve me tatimpagues dhe do të ketë zhvillim të sistemit të TI-së për komunikim të ATK-së dhe Doganës me tatimpaguesit. Do të ketë edhe shumë ndryshime tjera me qëllim që prodhuesit tanë të jenë konkurrentë si brenda po ashtu edhe jashtë vendit”, është deklaruar MF në këtë komunikatë për media.

Ministria e Financave gjithashtu njofton se asnjë ndryshim nuk do të ndodhë pa pëlqimin e Komunitetit të Biznesit, i cili thotë se është partner në vendimmarrje së bashku me Ministrinë e Financave.

Rritet çmimi i bukës

Çmimet e produkteve bazë për familjet kanë shënuar rritje këtë nëntor. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë për rritje të çmimit të produkteve nga mielli, mishi, pemët dhe disa ushqime të tjera

Sipas statistikave, buka dhe drithërat kanë pësuar rritje të çmimit në 2.9 për qind, ndërsa qumështi, djathi dhe vezët 1.2 për qind.

Te pemët janë rritur çmimet për 12.8 për qind, që sipas zyrtarëve të kësaj agjencie, ka ndodhur për shkak se shumica e tyre importohen.

Mirëpo, këto përqindje të paraqitura i quajnë tejet të vogla mbrojtësit e konsumatorit, të cilët thonë se në realitet çmimet e produkteve bazike janë edhe më të mëdha, ndërkaq rrogat vazhdojnë të mbesin të njëjta.

Me të dhënat e ASK-së nuk po pajtohen drejtuesit e Shoqatës së Mullisëve të Kosovës. Madje, sipas tyre, mullinjtë janë duke punuar me humbje.

Ata që në fund po e paguajnë koston janë qytetarët, të cilët ankohen duke thënë se as vetë nuk e dinë se si po ia dalin ta përmbyllin muajin.

Sidoqoftë, konsumatorët dhe mbrojtësit e tyre thonë se krejt kjo situatë është krijuar si pasojë e moskontrollit institucional të tregut në vendin tonë.

Para disa viteve, qeveria mori vendim për uljen e TVSH-së, për një numër produktesh esenciale për shportën e konsumatorit, por një vendim i tillë nuk reflektoi në çmim sepse kështu vendosën tregtarët.

Rriten çmimet e miellit, mishit dhe produkteve tjera

Çmimet e produkteve bazë për familjet kanë shënuar rritje këtë nëntor. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë për rritje të çmimit të produkteve nga mielli, mishi, pemët dhe disa ushqime të tjera, raporton KTV

Sipas statistikave, buka dhe drithërat kanë pësuar rritje të çmimit në 2.9 për qind, ndërsa qumështi, djathi dhe vezët 1.2 për qind.

Te pemët janë rritur çmimet për 12.8 për qind, që sipas zyrtarëve të kësaj agjencie, ka ndodhur për shkak se shumica e tyre importohen.

Mirëpo, këto përqindje të paraqitura i quajnë tejet të vogla mbrojtësit e konsumatorit, të cilët thonë se në realitet çmimet e produkteve bazike janë edhe më të mëdha, ndërkaq rrogat vazhdojnë të mbesin të njëjta.

Me të dhënat e ASK-së nuk po pajtohen drejtuesit e Shoqatës së Mullisëve të Kosovës. Madje, sipas tyre, mullinjtë janë duke punuar me humbje. Ata që në fund po e paguajnë koston janë qytetarët, të cilët ankohen duke thënë se as vetë nuk e dinë se si po ia dalin ta përmbyllin muajin.

Sidoqoftë, konsumatorët dhe mbrojtësit e tyre thonë se krejt kjo situatë është krijuar si pasojë e moskontrollit institucional të tregut në vendin tonë.

Para disa viteve, qeveria mori vendim për uljen e TVSH-së, për një numër produktesh esenciale për shportën e konsumatorit, por një vendim i tillë nuk reflektoi në çmim sepse kështu vendosën tregtarët.

FMN: Ja se si Shqipëria mund të përfitojë nga TAP

Fondi Monetar vlerëson se gazsjellësi Transadriatik mund të sjellë përfitime të mëdha për ekonominë shqiptare pasi të ketë përfunduar së ndërtuari. Në një analizë të posaçme për efektet e TAP në ekonomi, FMN vëren se pasi të hyjë në operim ky gazsjellës mund të ulë me mbi 30 për qind kostot e kompanive shqiptare duke i bërë ato më konkurruese në tregjet rajonale

“TAP hap dyert për diversifikimin e energjisë në Shqipëri. Ai do të rrisë produktivitetin e industrisë shqiptare, teksa firmat do të zëvendësojnë energjinë elektrike me gaz natyral, çka do të ulë kostot dhe do të zhvillojë industri të reja”,- thotë FMN.

Por që këto përfitime të materializohen, duhet ndërtuar rrjeti i shpërndarjes së gazit. “Projekti fizibël ka një kosto prej 500 milionë eurosh për ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes si dhe 200-300 milionë euro për tubacionin kryesor”,- vlerëson FMN.

Sipas saj, tubacioni kryesor mund të realizohet përmes nyjes Ioniano Adriatike, që ndryshe njihet si gazsjellësi IAP. Ky gazsjellës, nis në Fier dhe përfundon në Malin e Zi duke kaluar përmes Tiranës ku është edhe zona më e rëndësishme industriale e Shqipërisë.

“Ndërtimi i rrjetit të gazit do të kërkojë përpjekje domethënëse për të tërhequr investime private. “Qeveria duhet të ndërtojë një kuadër rregullator të qartë, çka është një prioritet kyç”,- këshillon FMN.

Sipas FMN, nëse kjo do të realizohet atëherë përfitimet për ekonominë do të jenë të mëdha.

“Reduktimi i kostove për firmat dhe familjet shqiptare nuk do të jetë i vogël, duke patur parasysh që kosto e ngrohjes mund të ulet me një të tretën duke zëvendësuar energjinë elektrike me gazin”,- thotë FMN.

Gazsjellësi Transadriatik është një investim i kontraktuar në vitin 2013 nga ish qeveria Berisha. Në tre vitet e fundit, ky investim së bashku me kaskadën e Devollit kanë rritur me 0.4 pikë përqindje në vit rritjen ekonomike të Shqipërisë duke qenë dy nga projektet kyç.

Por FMN thotë se përfitimet mund të jenë shumë më të mëdha nëse Shqipëria do të arrijë të tërheqë investime për të ndërtuar rrjetin e gazit.

Furnizimi me rrymë stabilizohet më 2023

Qeveria e Kosovës më në fund ka arritur marrëveshje me kompaninë amerikane “ContourGlobal”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, projekt ky i filluar qysh në vitin 2006

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, se marrëveshja financiare pritet të nënshkruhet javën e ardhshme. Ndërtimi i termocentrali që do të ketë një bllok prej 500 megavatëve, do të kushtojë 1.3 miliardë euro.

“Presim që në fund të vitit 2018, eventualisht në fillim të vitit 2019, të fillojë ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’, kurse në fillim të vitit 2023, presim ta kemi termocentralin funksional”, thotë Lluka.

Projekti për ndërtimin e termocentralit ka filluar në vitin 2006, kur Ministrinë e Energjisë dhe Minierave e ka udhëhequr Et’hem Çeku. Çeku nënshkrimin e projektit e konsideron si hap pozitiv në aspektin e furnizimit të qëndrueshëm, por thotë ai, kapacitetet elektrike prej 500 megavatësh janë të pamjaftueshme për një zhvillim të përgjithshëm ekonomik.

“Mirëpo, ky është zhvillim jo i mjaftueshëm që të arrijë të mbulojë kërkesat apo nevojat që Kosova ka. Qeveria e Kosovës është dashur të mendojë edhe për krizat energjetike në rajon siç kishim krizat e fundit në Shqipëri dhe Maqedoni. Prandaj, nëse krahasohet koncepti i menaxhimit të resurseve natyrore me konceptin e zhvillimit ekonomik më duket se institucionet e Kosovës që nga viti 2007 më shumë kanë bërë regres sesa progres”, thekson Çeku.

Sipas projektit fillestar, ndërtimi i termocentralit ishte paraparë të bëhet me kapacitet të prodhimit prej 2100 megavatesh, 1600 megavatë më shumë se në marrëveshjen aktuale. Ky projekt, për vite të tëra, apo varësisht nga ndryshimi i Qeverisë, ka pësuar edhe ndryshime.

Ministri Lluka konsideron se kapacitetet prodhuese prej 500 megavatësh janë të mjaftueshme, pasi, thotë ai, në të ardhmen do të investohet më shumë në rritjen e kapaciteteve të energjisë së ripërtërishme.

“Aktualisht, Kosova ka dhënë deri në 200 megavat të energjisë në forma të ndryshme, qoftë me erë, qoftë solare apo me ujë. Mirëpo, unë parashoh që edhe 70 megavatë shtesë t’i rrisim gjatë vitit 2018. Në përgjithësi, ne duhet që t’i plotësojmë kriteret për 25 për qind nga energjia e ripërtërishme. Bazuar në këtë, ne do të kemi energji të mjaftueshme”, shpjegon ai.

Megjithatë, ministri Lluka tregon se me ndërtimin e këtij projekti, rritja ekonomike në Kosovë do të arrijë në 5 për qind, kurse gjatë procesit të ndërtimit, do të punësohen 10 mijë qytetarë.

“Ajo që është me rëndësi për ne, është punësimi i qëndrueshëm. Dhe, në punësim të qëndrueshëm në formë direkte do të punësohen 500 punëtorë”, shprehet Lluka.

Arritjen e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë fituese, e ka përshëndetur edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë. Në një komunikatë për media, thuhet se humbjet ekonomike shkojnë në 300 milionë euro në vit, për shkak të furnizimit të pasigurt më energji elektrike.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara, thuhet më tutje në komunikatë, ka punuar me Kosovën që nga viti 2003 që t’ia sigurojë asaj të ardhmen energjetike, dhe ka përkrahur përsëritje të ndryshme të këtij projekti që nga viti 2006.

Mbi 31 mijë kosovarë kanë gjetur punë legale gjatë këtij viti në Gjermani

Në një studim të publikuar të premten nga Instituti i Nürnbergut për Hulumtim të Tregut të Punës dhe të Profesioneve (IAB) janë prezantuar rezultatet e rregullores që Qeveria Federale e Gjermanisë pati futur në fuqi në tetor të vitit 2016 për sigurimin e vizave të punës për shtetasit e vendeve të Ballkanit, shkruan focus.de

Fjala është për një „Eksperimet të hapjes së kufizuar të tregut të punës“, vlerësojnë autorët e studimit.
Rregullimi i ri kërkon që aplikuesi të dëshmojë se ka gjetur një vend pune me pagesë normale në një ndërmarrje gjermane, transmeton albinfo.ch. Pastaj, nëse agjencia lokale e punës vlerëson se në atë lokalitet nuk gjenden lehtë të papunë vendorë që do të zinin vendin e lirë të punës në profesionin e caktuar, ajo ua lëshon lejen e punës ballkanasave që kanë aplikuar. Dhe, kjo leje pune është parakusht për të fituar një vizë gjermane të udhëtimit.

Sipas studimit në fjalë, nga nëntori i vitit 2015 deri në shtatorin e vitit 2017 në Agjencinë Federale të Punës kanë arritur 128 mijë kërkesa pune. Prej tyre, agjencia në fjalë u ka dhënë dritën e gjelbër gjithsej 101 mijë kërkesave.

Për lexuesin shqiptar është me interes se, siç ka konstatuar studimi në fjalë, numrin më të madh të atyre që kanë marrë një leje të tillë pune e përbëjnë shtetasit e Kosovës, shkruan albinfo.ch. Vetëm nga janari deri në fund të nëntorit të vitit 2017 janë 31.300 kosovarë që kanë marrë „dritën jeshile“ për të punuar në Gjermani, që i bie se ata përbëjnë afër 30 % të numrit të përgjithshëm të të gjithë ballkanasve që kanë pasur këtë fat.

Njëherësh në studim nënvizohet se ky numër i kosovarëve te pajisur me leje pune gjermane është për 90 për qind më i lartë se ai i një viti më parë.

Në vendin e dytë, me 22.200 leje pune vijnë shtetasit e Bosnjë e Hercegovinës (43.8) më shumë se një vit më parë ndërsa në të tretin janë shtetasit e Serbisë me 15100 leje të tilla ose 46.4% më shumë se në vitin 2016.

Por marrja e lejes ose e dritës së gjelbër nga Agjencia e Punës ende nuk do të thotë se mund të fillosh automatikisht nga puna, transmeton albinfo.ch. Kjo për faktin se, siç ka konstatuar studimi, në radhë vjen pengesa, e quajtur: viza.

Përfaqësitë konsullore të Gjermanisë në vendet e Ballkanit Perëndimor janë të stërngarkuara me kërkesat për viza që bëjnë shtetasit e vendeve në fjalë pasi kanë siguruar një vend pune në Gjermani. Prandaj përpunimi i kërkesave të tyre zgjat shpesh me muaj të tërë e madje edhe deri një vit.

KEK-u afër finalizimit të marrëveshjeve për shpronësim

Autoritetet në Kosovë kanë bërë të ditur se brenda javës së ardhshme pritet të finalizojnë marrëveshjet për shpronësim me banorët e fshatit Shipitullë dhe Hade, zona këto ku do të bëhen mihje në kërkim të rezervave të thëngjillit

Çështja e shpronësimi të këtyre tokave ishte aktualizuar kohëve të fundit, pas paralajmërimeve se Kosova do të përballet me krizë energjetike, për shkak të shpenzimit të rezervave të qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike.

Arben Gjukaj, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se janë duke vazhduar negociatat me banorët për të nënshkruar marrëveshjet për shpronësim.

“Ka sinjale të mira, jemi dukë bashkëpunuar me qeverinë, ekipet kanë dal në terren. Mbi 90 për qind ka reflektim pozitiv, dhe presim si proces ta përmbyllim gjatë javës së ardhshme”, tha Gjukaj.

Gjatës javës së ardhshme përfundon edhe afati për nënshkrimin e marrëveshjeve për zhvendosje. Nëse banorët nuk nënshkruajnë marrëveshjet deri më 22 dhjetor atëherë tokat do të iu merren përmes Ligj të shpronësimit.

Furnizimi me energji elektrike në Kosovë është duke u mbuluar nga importi, pasi që në prodhim është vetëm një bllok i Korporatës Energjetike të Kosovës.

Zëdhënësi i Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike KEDS-it, Viktor Buzhala, ditë më parë i tha Radios Evropa e Lirë struktura aktuale e furnizimit me energji elektrike nuk është në situatë të favorshme.

“Situata sa i përket furnizimit me energji elektrike është pandërprerë aktualisht. Importi aktual është 500 megavat energji elektrike sepse është vetëm një bllok në prodhim, pra prodhimi është në pikën minimale, por, jemi duke e mbuluar nga importi. Situata do të ishte shumë më e mirë sikur të kemi një prodhim më të madh me energji elektrike”, theksoi Buzhala.

Pasiguria me furnizim me energji elektrike është një nga problemet që ka përcjell Kosovën që nga paslufta. Ndonëse, gjatë viteve të fundit kishte pasur përmirësim të furnizimit me energji elektrike, megjithatë, asnjëherë Kosova nuk ka arritur të shkarkohet nga ky problem.

Haradinaj: Të kërkohen zero taksa për bizneset

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik që të kërkohen veprime konkret me qëllim të krijimi të lehtësirave për bizneset në vend

Kreu i ekzekutivit të vendit, Ramush Haradinaj tha se përmes kësaj tavoline dhe akterëve që janë të përfshirë në këtë Këshillë mund të identifikohen veprimet konkrete që rrisin mundësitë që sipërmarrësit në Kosovës të ecin përpara.

Ai po ashtu kërkoi se dikush nga ky takim duhet të kërkojë zero taksa për bizneset, të kërkojë para, grante dhe subvencioen me qëllim që të bizneset që lirohen nga ngarkesat që kanë në tregun e brendshëm, ngarkesa këto që i bëjnë të pa barabartë ata me bizneset në rajon.

“Dikush në këtë tavolinë, dikush prej nesh duhet të kërkoj zero taksa për bizneset, zero, zero. Pra duhet të kërkon pare, grante, subvencione, përkrahje. Dikush po ashtu në këtë tavolinë duhet ta ketë guximin me besu që mund të ndodh kjo, por kuptohet njëri prej nesh do ta luan rolin e të keqit është Ministria e Financave. Ajo ka me qenë gjithë kohën në atë presionin tonë që të lehtësohet, pra të çlirohen bizneset prej ngarkesave e të cilat i bëjnë të pabarabartë bizneset në rajon ose të cilat kishin mujt me iu krijua avantazhe krahasuar me bizneset në rajon. Pra kjo tavolinë duhet ta ketë këtë kuptim, ndryshe kthehet në tavolinë burokratike. Biseda ndoshta çfare kanë ndodhur gjatë edhe efektet kerkund”, tha ai.

Ai po ashtu deklaroi se nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e termocentralin “Kosova e Re”, do të ndikojë pozitivisht edhe për prodhuesit e energjisë alternative, pasi që i favorizon ata, sepse me ndërtimin e këtij termocentrali rriten kërkesat për energji alternative.

Kurse, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani tha se Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik ka për qëllim që të jetë mekanizëm funksional për dialog publiko-privat për të përmirësuar mjedisin afarist në vend.

“Një Këshill ky që ka për qëllim të jetë një mekanizëm funksional i dialogut publiko-privat duke punuar për përmirësimin e mjedisit afarist në vend, mbështetjen e prodhuesve vendor dhe rritjen e punësimit që janë disa nga top prioritetet që e qeverisë së Republikës së Kosovës. Me votimin e qeverisës së re nga parlamenti i Republikës ne iu kemi futur punës me një qasje të re, ne tashmë kemi dërguar disa ligje të rëndësishme në qeveri dhe parlament, ligje këto që do të ndikojnë direkt në vazhdimin dhe përmirësimin e të bërit biznes, mbështetjen e prodhuesve vendor si dhe rregullimin e tregut të brendshëm në vendin tonë“, tha ai.

Ai kërkoi bashkëpunim nga të gjithë akterët e përfshirë në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik për të realizuar objektivat e reja të kësaj qeverisje. Ndryshe, takimi dhe diskutimi i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik ka vazhduar pa pranin e mediave.