“Kosova A” do të fiket kur të ndizet “Kosova e Re”

Qeveria e Kosovës është përcaktuar që ta mbajë gjallë edhe për disa vite njërin prej ndotësve më të mëdhenj në vend, termocentralin “Kosova A”

Qeveria e Kosovës është përcaktuar që ta mbajë gjallë edhe për disa vite njërin prej ndotësve më të mëdhenj në vend, termocentralin “Kosova A”. Ajo nuk do të fiket pa u ngritur e aktivizuar termocentrali “Kosova e Re”, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo politikë është vendosur në Strategjinë për energjinë, e cila i referohet periudhës 2017-2026. Dokumenti është miratuar në fund të javës së shkuar dhe përcakton objektivat themelore të Ekzekutivit për zhvillimin e sektorit të energjisë.

Janë listuar disa objektiva, e para nga të cilat është sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësor me energji dhe me kapacitete të nevojshme për një sistem stabil energjetik. E, arritja e këtij objektivi është e bazuar në 14 masa.

BE jep 3.3 miliardë euro për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor

Bashkimi Europian do të ndajë 3.3 miliardë euro për zhvillimin e zonës ekonomike rajonale në Ballkanin Perëndimor. Gjatë një takimi me përfaqësuesit e biznesit, drejtori i përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Christian Danielsson, tha se zhvillimi i kësaj zone do të rrisë vendet e punës

Danielsson, u shpreh se zhvillimi i kësaj zone do të rrisë numrin e vendeve të punës, si dhe do shtojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. “Ju jeni vërtet të rëndësishëm në zhvillimin e kësaj zone dhe për këtë arsye dhe pikëpamjet tuaja janë shumë të rëndësishme. Dëshiroj të them dy fjalë për këtë ide.Tre muaj që nga Samiti i Triestes të gjithë udhëheqësit arritën në një vizion vërtet guximtar në mënyrë që të krijohet një zonë rajonale ekonomike e cila do të bazohet në katër shtylla”, Danielsson.

Ambasadorja e BE-së,në Tiranë Romana Vlahutin, tha se ky projekt do do të gjenerojë më shumë mirëqenie për Shqipërinë dhe ftoi biznesin të bëhet pjesë me anë të rekomandimeve për ta bërë rajonin më tërheqës për investime.

“Ekonomia është shumë e rëndësishme dhe natyrisht kjo për të gjitha vendet e rajonit dhe ne po përpiqemi që të gjejmë mënyrat nga më të ndryshme dhe modalitete nga më të ndryshme që gjithë rajoni të jetë gjithnjë e më tërheqës për investime të ndryshme”, Vlahutin.

E pranishme në takim ishte edhe Milena Harito, koordinatore kombëtare për zonën e lirë ekonomike. Ky takim u zhvillua 3 muaj pas Samitit të Triestes, për zhvillimin e rajonit të Ballkanit, përmes 4 shtyllave kryesore: tregtisë, investimeve, lëvizshmërisë dhe agjendës dixhitale.

Drejtori i përgjithshëm për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerimin pranë Komisionit Evropian, Christian Danielsson, viziton sot parkun arkeologjik të Apollonisë, së bashku me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe kryetarin e Bashkisë, Armando Subashi.

Grupi i ndërtesave të manastirit brenda këtij parku, si dhe monumente të tjera te tij u restauruan së fundmi falë fondeve të Bashkimit Evropian, në një investim për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe nxjerrjen në pah të trashëgimisë së përbashkët kulturore dhe historike evropiane.

Hulumtimi i AKB-së: Mesatarisht 12 mijë veta punësohen çdo vit në Kosovë

Aleanca Kosovare e Bizneseve publikoi hulumtimin “Nevojat e Tregut të Punës” ku pasqyrohen të gjeturat e trendit të ndërmarrësisë vendore dhe të huaja 2000-2016, trendi i punësimit 2006-2016, trendi i remitancave 2008-2016, trendi i investimeve të huaja 2008-2016 e gjetje tjera

Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se informatat në tregun e punës janë resursi më i rëndësishëm, kështu që hulumtimi i tregut të punës apo studime të kësaj natyre do të ndihmojnë të gjithë aktorët e tregut të punës, sidomos marrësit e vendimeve apo politik-bërësit.

Sipas tij, hartimi i politikave të punësimit, arsimit dhe aftësimit profesional në tregun e punës pa informata apo të dhëna cilësore dhe pa një studim të mirëfilltë shkencor të tregut të punës, asnjëherë nuk do të arrihen rezultatet e pritura.

“AKB-ja, në vazhdimësi sikurse viteve tjera edhe gjatë këtij viti është duke realizuar hulumtimin e nevojave në tregun e punës. Ky hulumtim është duke u mbështetur nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Synimi kryesor i këtij hulumtimi ishte identifikimi i nevojave në tregun e punës”, thuhet në komunikatën e AKB-së.

Hulumtimi është zhvilluar në gjithë territorin e Kosovës ku janë anketuar 1 mijë e 200 biznese apo 10 për qind e mostrës së përzgjedhur.

Gjetjet tregojnë se numri i përgjithshëm i të punësuarve nga vitit 2006 deri në fund të vitit 2016 ka arritur shifrën prej 317 mijë e 188 persona që i bie se mesatarisht 12 mijë persona punësohen në çdo vit.

“Sa i përket regjistrimit dhe mbylljes së bizneseve nga viti 2000 deri më 2016, mesatarisht çdo vit hapen më shumë se 8 mijë biznese të reja, ku vetëm më 2016 janë regjistruar më shumë se 10 mijë biznese të reja. Ndërsa mbyllja e bizneseve vendëse po ashtu ka rritje, ku vetëm më 2016 ka arritur shifrat prej 2 mijë e 328 ndërmarrje të mbyllura. Krahasauar me vitin 2015 është shënuar rritje prej 8.14 për qind”, thuhet në hulumtimin e AKB-së.

Pra, 4 mijë e 400 biznese janë mbyllur për dy vjet.

Sipas këtij hulumtimi, del se rritja e regjistrimit të bizneseve të huaja në Kosovë ka një trend pozitiv. “Vetëm në vitin 2016 janë regjistruar 674 biznese të huaja, kraharuar me vitin 2015 ka një rritje për 41.9 për qind. Ndërsa mbyllja e bizneseve të huaja në proporcion me regjistrimin paraqet shifra të ulëta. Realisht një rritje më e theksuar ishte në vitin 2016, ku janë mbyllur rreth 50 biznese të huaja, në krahasim me vitin paraprak ka rritje të mbylljes së për 16.3 për qind”, thuhet në hulumtim.

Shkaqet kryesore të mbylljes së bizneseve, sipas AKB-së, janë kryesisht politikat fiskale jo adekuate me 15 për qind, mungesa e subvencioneve nga donatorët me 12 për qind, normat e larta të interesit bankar me 11 për qind, energjia e shtrenjtë me 10 për qind si dhe informaliteti dhe konkurrenca jo fer me 9 për qind.

Agim Shahini tha se trendi i remitencave më 2016 ka arritur në 691 milionë euro apo krahasuar me një vit më herët është për 3.5 për qind më shumë. Sipas tij, gjatë pesë viteve të fundit shihet se mesatarisht hynë rreth 620 milionë euro në baza vjetore.

Sa i përket investimeve të huaja direkte nga viti 2008-2016, shihet se më 2015 ka një tregues mjaft pozitiv e cila krahasuar me vitin paraprak ka shënuar rritje për më shumë se 103 për qind, duke mbërritur shifrën në 308.8 milionë euro, por përsëri me një rënie të lehtë në vitin 2016 duke rënë në 215.9 milionë euro apo për 30 për qind. Pra mbi 92 milionë euro janë investimet të huaja në Kosovë më pak në vitin 2016.

Shahini tha se investimet e huaja direkte në Kosovë 2008-2016 sipas sektorëve prijnë me 60 për qind në patundshmëri.

Lumnije Ajdini, menaxhere e AKB-së, tregoi të gjeturat e hulumtimit, ku tregu i punës përballet me mjaft sfida.

“Në njërën anë, numri i vendeve të lira të punës vazhdon të rritet, me këtë rritje po shfaqen problemet ku shumë biznese në vazhdimësi ankohen për një ofertë jo adekuate, jo profesionale dhe me shkathtësi e kompetenca të dobëta të fuqisë punëtore. Vendet e lira të punës kryesisht shkojnë përmes shpalljeve të ndryshme, mirëpo pastaj ato regjistrohen një pjesë nga Shërbimi Publik i Punësimit si dhe institucionet jopublike të punësimit (sektori privat i ndërmjetësimit në punësim) të cilat synojnë të ndërmjetësojnë kërkesën me ofertën e punës, duke shërbyer në të njëjtën kohë te papunësuarit dhe punëdhënësit”, ka thënë Ajdini.

Numri i të punësuarve kryesisht është i koncentruar në sektorin e tregtisë me më shumë se 30% dhe në sektorin e prodhimtarisë afërsisht me 13%. Këta dy sektorë absorbojnë më shumë se 40% e të gjithë të punësuarve.

Ajo tregoi edhe për mënyrat e punësimit të stafit, ku tha se kryesisht mënyra më e shpeshtë në plotësimin e vendeve të lira të punës mbetet përmes shpalljeve me 42 për qind dhe si mënyrë e dytë është përmes të afërmve ose miqve me 33.7 për qind, ndërsa përmes shërbimeve publike të punësimit me vetëm 14.7 për qind.

“Problem kryesor tek shumica e bizneseve të intervistuara është mungesa e stafit profesionistë për vende pune, gjegjësisht stafit i mungojnë shkathtësitë bazike profesionale dhe më shumë pak kompetenca. Numri më i madh i vendeve të lira të punës që janë gjetur gjatë hulumtimit vjen nga sektori i ndërtimtarisë me 19.9 për qind. E vende të lira të punës i referohen më së shumti profesionit të rrobaqepësisë me vende të gjetura me 15 për qind, pastaj asisten të shitjes në dyqane me 12 për qind, mandej punëtorët për ruajtjen e frutave dhe perimeve e të ngjashme me 7 për qind”, shtoi ajo.

Sipas saj, një problem mbetet edukimi dhe trajnimi, ku shkathtësitë profesionale të të punësuarave kanë një rëndësi të veçantë jo vetëm për ndërmarrjen apo organizatën punuese, por edhe për vetë të punësuarin. Ndryshimet tekniko teknologjike dhe modernizimi i shumë vendeve të punës në shumicën prej sektorëve ka bërë që kjo kërkesë për trajnime shtesë të rritet. Duke ditur se 1200 ndërmarrje kanë qenë pjese e hulumtimit kanë treguar se më shumë se 22% e të punësuarve kanë ndjekur një trajnim profesional për shkathtësi të reja. Kryesisht trajnimet janë përkrahur nga vetë ndërmarrjet. Ndërsa mungesa e shkathtësive profesionale vjen si rezultat, duke ditur se shumica e shkollave profesionale nuk ofrojnë kushte adekuate.

Skender Reçica, ministër i Punës e Mirëqenies Sociale, e vlerësoi shumë të rëndësishëm hulumtimin, ku të gjeturat e tij do të inkorporohen në hartimin e politikave dhe punë

Drin Haraqija, drejtor i Agjencionit të Punësimit, vlerësoi lart hulumtimin që sipas tij do të ndikojë në përmirësimin e punës së tyre në të ardhmen dhe që të gjeturat ua lehtësojnë punën.

Bashkim Shala, zëvendësdrejtor i Administratës Tatimore, tha se të gjeturat e këtij hulumtimi do të ndihmojnë shumë në punën e tyre.

Alush Sejdiu, nënkryetar i Bashkimit të Sindikatave, vlerësoi lart hulumtimin dhe që sipas tij në mesin e shumë problemeve është mos harmonizimi i institucioneve sidomos tek fusha e vendeve të punës, ku ka mungesë profesionistësh nga disa fusha. Sipas tij, problem mbetet edhe mos informimi i punonjësve dhe mungesa e sindikatave në sektorin privat.

Rreth 400 milionë euro borxhe të falura

Nga borxhi prej 730 milionë euro ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, personat fizikë dhe juridikë, kanë shlyer rreth 400 milionë euro, bëjnë të ditur përfaqësuesit e Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës

Për faljen e borxheve, Qeveria e Kosovës pati marrë vendim në muajin shkurt të vitit 2015, kurse në muajin shtator të po atij viti, kishte miratuar edhe Ligjin për faljen e borxheve publike.

Afati për shlyerjen e borxheve është mbyllur në shtator të këtij viti. Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini tha për Radion Evropa e Lirë se i gjithë procesi i faljes së borxheve ka rrjedhur mirë dhe tani janë në përmbyllje të raporteve finale.

“Bazuar në të dhënat e raportuara nga institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike gjatë procesit të faljes së borxheve, janë falur afërsisht 400 milionë euro. Jemi duke pritur raportet e fundit nga institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike. Pas pranimit të tyre do të hartohet një raport përmbledhës me të dhëna të detajuara për të gjitha institucionet bazuar në raportimet e tyre”, thotë Shahini.

Borxhet më të mëdha të cilat janë falur, shton ai, kanë qenë ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, Administratës Tatimore dhe ndërmarrjeve publike.

“Nga falja e borxheve më së shumti kanë përfituar subjektet/bizneset të cilat kanë pasur detyrime ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, qytetarët të cilët kanë pasur detyrime ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, pastaj qytetarët – tatimpaguesit të cilët kanë pasur detyrime ndaj komunave për tatimin në pronë dhe ata (qytetarë) të cilët kanë pasur detyrime ndaj ndërmarrjeve publike, kryesisht ndaj atyre të cilat operojnë në komunat – qytetet me të mëdha të Kosovës”, thotë Shahini.

Falja e borxheve publike për personat juridikë dhe fizikë në Kosovë, të akumuluara deri më datën 31 dhjetor 2008, sipas përfaqësuesve të bizneseve ka hasur në vështirësi për shkak të disa kushtëzimeve që ka paraqitur ligji që rregullon këtë çështje.

Sipas Ligjit për faljen e borxheve, për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, përfitojnë të gjithë personat të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, me kusht që të njëjtit të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014.

Xhevat Kastrati qytetar nga Prishtina thotë të mos ketë aplikuar për falje të borxheve, pikërisht për shkak të kushtëzimeve që ka pasur ligji.

“Sa i përket faljeve të borxheve unë nuk kam aplikuar pasi që nuk kam pasur mundësi të paguajë shumën që kemi qenë të obliguar”, thotë ai.

Derisa, Naseri, po ashtu qytetar nga Prishtina i cili ka pasur një borxh të akumuluar prej 400 eurove, thotë se t’i ketë ndihmuar ky ligj.

“Po një vendim i tillë nga Qeveria e kaluar për falje të borxheve ka qenë i qëlluar. Ne kemi kryer obligimet tona dhe tani jemi më të rregullt në kryerjen e obligimeve për shërbimet që i marrim”, thotë ai.

Në kohën kur ishte miratuar Ligji për faljen e borxheve, kjo iniciativë nga shoqëria civile ishte konsideruar e padrejtë për konsumatorët e disiplinuar të cilët kanë paguar të gjitha detyrimet gjatë asaj periudhe.

Ata patën theksuar se me këtë masë janë shpërblyer qytetarët dhe bizneset që nuk kanë respektuar pagesat dhe borxhet, duke shmangur tatimet dhe duke mos paguar për shërbimet publike, kurse janë dënuar të gjithë qytetarët e ndërgjegjshëm të cilët i kanë shlyer vetë dhe me kohë këto borxhe.

Prapaskenat e faljes së 58 milionë eurove nga kryeministri

Në qershor të këtij viti prodhuesit e ujit dhe ata të pijeve alkoolike u mblodhën në Odën Ekonomike të Kosovës, për të parë mundësinë e gjetjes së një marrëveshjeje për kthimin e borxhit prej 58 milionë eurove ndaj shtetit

Madje kishin krijuar edhe grup punues i cili do të fliste me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe për hartimin e një marrëveshjeje mes tyre për tu zgjidhur ky problem. Gazeta Fjala ka siguruar transkriptin nga ky takim ku palët në fund janë marr vesh që të filloj kthimi i borxheve, por që vetëm katër muaj më vonë kryeministri Haradinaj mori vendim për faljen e tyre.

“Hapi i tretë- pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ambalazhuesit e ujit të bëjnë vet-deklarimin vullnetarë të obligimeve financiar (sipas rekomandimeve të grupit punues) ndaj MMPH-së, që dalin nga Udhëzimit Administrativ për Strukturën e Pagesave të Ujit nr .06/2006”, thuhet në njërën nga rekomandimet që dalin nga ky takim ku prezentë kanë qenë prodhuesit e ujit dhe pijeve alkoolike dhe joalkolike dhe përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

Prodhuesit e ujit nga ky takim janë pajtuar po ashtu që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bazë të deklarimit nga Ambalazhuesit e Ujit (të përcaktuar në marrëveshje), të përgatisë vendimet financiare për pagesat e obligimeve në përputhje me ligjin dhe marrëveshjen.

“Hapi i dytë- Nënshkrimi i marrëveshjes së lartëcekur në mes të MMPH-së dhe Ambalazhuesve të ujit”, thuhet në transkriptet e kësaj mbledhjeje.

Por kjo marrëveshje nuk do të arrihej kurrë. Vetëm katër muaj më vonë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori vendim që t’i fal të gjitha borxhet milionëshe, që prodhuesit e ujit i kanë krijuar ndër vite ndaj shtetit.

Gazeta Fjala ka kontaktuar me kryetarin e Shoqatës së Prodhuesve të Pijeve Alkoolike dhe Joalkolike, Bashkim Osmani, por ai nuk ka qenë i gatshëm të tregoj se pse kjo marrëveshje për kthimin e borxheve nuk u arrit kurrë. Ai nuk e ka komentuar as vendimin e kryeministrit Haradinaj.

Sipas një raporti që i është dorëzuar Zyrës së kryeministrit, një kopje të te cilit e ka siguruar Gazeta Fjala, vlerësohet se totali i borxheve që prodhuesit e ujit e kanë ndaj shtetit, për periudhën 2008-2015, është 58 milionë e 936 mijë e 715 euro. Totali është mbledhur nga taksa për shfrytëzimin e ujit, për shkarkimin e ujit dhe nxjerrjen e materialeve inerte.

Ky vendim i kryeministrit Haradinaj për faljen e borxheve prodhuesve të ujit vjen përkundër faktit se këto borxhe po trajtoheshin nëpër gjykata. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka vite që është duke u përballur me këto kompani në gjykata, për kthimin e borxhit.

Kërkohet hetim për faljen e borxheve

Vendimi i Hardinajt ka ngjallur reagime të shumta nga opozita dhe njohësit e ekonomisë, duke e quajtur një vendim arbitrar të kryeministrit dhe kanë kërkuar edhe hetime nga prokuroria.

Pas publikimit të tekstit nga Gazeta Fjala, mbi faljen e mbi 58 milionë eurove milionë eurove nga Qeveria e Kosovës, kanë nisur edhe reagimet.

Shoqëria Civile dhe deputetët e opozitës kanë kërkuar përgjegjësi për këtë veprim të Haradinjat. Sipas tyre, ky vendim tregon shpërfilljen e Qeverisë ndaj parasë publike.

Po ashtu deputetet e opozitës në deklarime për media kanë paralajmëruar se do të kërkojnë sqarime nga kryeministri Haradinaj rreth këtij vendimi.

Kurse, publicisiti Veton Surroi në një shkrim në Facebook ka thënë se nëse janë falë 59 milionë euro obligime ndaj shtetit, është dritë e kuqe e ndezur për korrupsion.

“..janë para që kanë mundur të përdoren në cilëndo sferë publike që ka nevojë urgjente parash (prej arsimit te shëndetësia), janë para që kur nuk mblidhen nga afarizmi duhet të mblidhen nga xhepat e qytetarëve, tregon shpërfillje të Qeverisë ndaj parasë publike, pra edhe ndaj interesit publik, është udhëzim që qytetari që paguan me rregull obligimet është i dënuar nga shteti; i favorizuar është ai që nuk paguan e i falën”, ka shkruar Surroi.

Kush janë borxhlinjtë që u falen

Në bazë të dokumenteve që posedon Gazeta Fjala, borxhliu më i madh del te jetë ndërmarrja sh.p.k. Arbëria që prodhon Ujin e Alpeve, e cila ka borxh mbi 9 milionë euro. Vendin e dytë e zë ndërmarrja Fluidi me afro 4.5 milionë euro, e pasuar nga Compact Group që prodhon ujin DEA apo uji Miros që kanë mbi 3 milionë euro borxhe secila.

Në listën e borxhlinjve figurojnë edhe Ujë Rugove me pronar Visar Klemendin dhe Birra Peje e cila është në pronësinë e kompanisë Devolli.

Gazeta Fjala ka siguruar një kopje të këtij vendimi i cili e ka shfuqizuar një nen të Udhëzimit Adminsitrativ përmes të cilit prodhuesit e ujit obligoheshin që ti kryejnë borxhet në mënyrë retroaktive.

“Aprovohet falja e borxheve për Ambalazhuesit e ujit, të paraparë në nenin 12 të Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr. 02/2016 për Struykturën e Pagesave të Ujit”, thuhet në vendimin e Haradinajt, i cili ka hyrë në fuqi qysh ditën e nënshkrimit.

Ndërkohë neni 12 i Udhëzimit Administrativ për Strukturën e Pagesës së Ujit, i cili u shfuqizua nga vendimi i kryeministrit Haradinaj, ka paraparë që të gjitha borxhet e akumuluara që nga paslufta, prodhuesit duhet t’i paguajnë në mënyrë retroaktive.

“Të gjithë detyruesit te cilët deri në hyrjen në fuqi të këtij Udhëzimi Administrativ nuk i kanë kryer detyrimet, obligohen që brenda afatit prej dy (2) vitesh t’i kryejnë detyrimet e parapara me Udhëzimin Administrativ Nr.06/2006”. UA nr 02/2016 ka hy në fuqi në mars të vitit 2016”, thuhet në këtë nen.

Gazeta Fjala ka raportuar ndër vite për këtë problematik dhe i posedon në tërësi dokumentacionin dhe emrat e kompanive të ujit që i kanë borxh shtetit dhe vlerën e borxheve. /Gazeta Fjala/

Kush e kontrollon tregun e naftës në Kosovë?

Sektori i derivateve të naftës në Kosovë konsiderohet ndër tregjet më fitimprurëse, ndonëse vazhdimisht ka pasur edhe debate të ndryshme rreth mënyrës së importit dhe efikasitetit të kontrollimit dhe cilësisë së këtij produkti në doganat e vendit

Cilësia e dobët e derivateve të naftës, krijimi i privilegjeve për kompani të caktuara të naftës, moskontrollimi me rastin e zhdoganimit të këtij produkti, janë vetëm disa nga parregullsitë e përmendura në sektorin e derivateve të naftës.

Janë udhëheqësit e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës ata që flasin për mungesën e kontrollit, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të vërë rregull në këtë sektor.

Fadil Berjani, kryetar i kësaj shoqate, thotë për Radion Evropa e Lirë se parregullsitë në këtë sektor, janë të pranishme. Por, sipas tij, me shtimin e kontrollit dhe garantimit të cilësisë do të mund të rregullohej edhe sasia e importit që hyn në Kosovë.

“Unë nuk mund të them se si dhe nga hyn nafta në Kosovë, por kontrabanda me këtë produkt në pjesën veriore, është më e vogël se vitet e kaluara”.

“Konsideroj se me një shtrëngim më të madh gjatë importit dhe verifikimit të sasisë dhe cilësisë, do të ndikohet në shmangien e evazionit fiskal. Evazioni fiskal mund të zbritet edhe më tepër nëse vendoset që në të gjitha kompanitë e derivateve të naftës të instalohen arkat speciale fiskale”, thotë Berjani.

Debatet rreth kontrollit të tregut të naftës janë hapur edhe në Kuvendin e Kosovës. Duke qenë si një prej sektorëve më fitimprurës, janë vetë partitë politike ato që akuzojnë njëra-tjetrën për kontrollin e këtij tregu dhe parregullsitë e vëna.

Një diskutim i ashpër rreth kësaj teme është zhvilluar ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka pyetur ish- ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, se kush e kontrollon hyrjen e naftës në Kosovë.

“Rreth naftës që hyn në Kosovë, asnjë ministër nuk ka mundur të tregojë sa evazion fiskal ka Kosova përmes kontrabandës në Kosovë”, është shprehur Haliti.

Ai ka thënë se ministrat e deritashëm, përfshirë edhe Hykmete Bajramin, do të duhej të jepnin përgjegjësi për këto paqartësi.

Në vend të përgjigjes, Hykmete Bajrami kishte konstatuar se kontrollimin e naftës në Kosovë e ka Partia Demokratike e Kosovës, pjesë e të cilës është Haliti.

“Njerëzit tuaj i kanë udhëhequr doganat me vite dhe ju e dini se kush ka bërë kontrabandë dhe në xhepat e kujt kanë rrjedhë paratë nga kontrabanda”, ka deklaruar Bajrami.

Ndryshe, që nga viti i kaluar, me një vendim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, kompetencat për inspektimin e cilësisë së derivateve të naftës janë bartur te Doganat e Kosovës.

Për të rregulluar sektorin e naftës, Fadil Berjani kërkon nga Qeveria e Kosovës që të miratojë Ligjin e ri për karburantin e naftës.

“Jemi shteti i vetëm në botë që paguajmë licencë për çdo dy vjet. Ka shumë kritere të rëndësishme që mund të rregullohen me ligj. Jemi shteti më i vogël për kokë banori, por shteti më i madh me pika karburanti”, thotë Berjani.

Aktualisht, Kosova nuk posedon rafineri të derivateve të naftës, kështu që ky produkt pothuajse më i kërkuari në vend, importohet nga vendet e rajonit dhe të Evropës. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 650 milionë litra është sasia e karburanteve të naftës që brenda një viti hyjnë në Kosovë.

Si të shpëtohet buxheti i Kosovës nga autostradat?

Për vite me radhë ishte vlerësuar se buxhetit të Kosovës nuk i ishte dhënë orientim i duhur nga autoritetet e vendit. Ndërtimi i infrastrukturës rrugore, siç ishte ndërtimi i autostradave, ndonëse ishte cilësuar si i nevojshëm, nuk kishte ndihmuar siç thonë ekspertët, në zbutjen e problemeve ekonomike dhe sociale të vendit

Investime të shumta në infrastrukturë rrugore janë bërë për ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, autostrada që lidh Kosovën me Maqedoninë, si dhe në zgjerimin e rrugëve nacionale dhe shumë projekte tjera.

Tani në kohën kur autoritetet e vendit do të jenë në përpilim të projekt -buxhetit për vitin 2018, përfaqësues të bizneseve japin vlerësimet e tyre për orientimin e këtyre mjeteve.

Janë mbi 2 miliardë euro para që janë parashikuar t’i ketë buxheti i Kosovës për vitin 2018.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se investimet më të nevojshme janë në ngritjen e ekonomisë së vendit përmes projekteve që zhvillojnë sektorin privat.

“Kosova i ka disa objektiva, në të cilat duhet të orientohet siç janë rruga integruese, edukimi, ekonomia, ambientalizmi. Në këtë drejtim duhet të evitojnë investimet në infrastrukturë, duhet të mbështet sektori privat, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe në veçanti të jemi të orientuar në sektorin prodhues. Por, një objektiv i tillë nuk mund të arrihet nëse nuk kemi edukim dhe fuqi punëtore të kualifikuar”, thotë Gërxhaliu.

Autoritetet e Kosovës patën deklaruar se me buxhetin e vitit 2017, do t’i japin impulsin thuajse përfundimtar nisjes dhe përmbylljes së infrastrukturës rrugore dhe të krijojnë kushte që buxheti në të ardhmen të destinohet përveç fushave tjera, edhe për fuqizimin e arsimit në Kosovë.

Investimet në sistemin arsimor nga drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, theksohet si një nga orientimet më të domosdoshme që duhet t’i bëhet buxhetit.

“Ajo që është e rëndësishme, që mjetet e buxhetit të Kosovës të orientohen në cilësinë e arsimit, kjo kërkesë është jo vetëm e institucioneve ndërkombëtare, por edhe vetë bizneseve, të cilat vuajnë nga mospërshtatja e ofertës me kërkesën në tregun e punës. Pra, të investohet jo vetëm në infrastrukturën fizike shkollore, por në edhe në përmirësimin e cilësisë së arsimit nga nivelet më të ulëta të arsimit deri tek institucionet shkollore të nivelit të lartë”, thotë Zeka.

Megjithatë, Zeka shton se gjithsesi se është e nevojshme që të vazhdohen projekte e nisura infrastrukturore nga qeveritë e kaluara, pasi që, siç thotë ai, “infrastruktura e përshtatshme rrugore për transport është edhe një kusht për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian”.

Në buxhetin e këtij viti, top-prioriteti i Qeverisë së Kosovës në përcaktimin e politikave buxhetore ka qenë ndërtimi i autostradave dhe asfaltimi i rrugëve.

Nga 2 miliardë euro të planifikuara, 700 milionë euro ishin ndarë për investime kapitale, që ishte rreth 50 për qind më shumë se që ka pasur në vitin 2016.

Derisa, sa i përket buxhetit të Kosovës për vitin 2018, ende është në diskutim e sipër në kabinetin qeveritar, pastaj pritet të diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

Por, nga deklaratat e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës deri më tani është theksuar se në buxhetin e Kosovës për vitin 2018 vendin kryesor do ta zënë shpenzimet kapitale, si dhe do të reflektohen edhe prioritetet e Qeverisë siç është sundimi i rendit dhe ligjit. /rel

Durrësi port i tregut global

Tregu Azi-Mesdhe – Durrësi, Novorossiysku, Selaniku dhe Poti, porte të hapura për importet me kontejnerë. Kompania e tretë më e madhe në botë e transportit detar “APL” njoftoi, të enjten, më 5 tetor 2017, shtimin e Durrësit Shqipëri dhe Selanikut Greqi, si porte të reja destinacionesh për shërbimin e saj “Ekspresi Mesdhetar / Mediterranean Express 1 (МХ1)”, si dhe Novorossiyskun, Rusi Deti i Zi dhe Potin, Gjeorgji në portet që shërbehen nga “Ekspresi Mesdhetar / Mediterranean Express 2 (МХ2)” për importet nga Lindja e Largët

Rrjeti i zgjeruar i shërbimeve të МХ1 dhe МХ2 demonstron kujdesin e veçantë të APL-së në ofrimin e një lidhjeje globale gjithëpërfshirëse. Transportuesit e Azisë së Veriut, të interesuar për depërtim në tregjet evropiane të Shqipërisë, Greqisë, Rusisë dhe Gjeorgjisë tani mund të mbështeten në shërbimet e zgjeruara МХ1 dhe МХ2 për të hyrë në treg.

Aktualisht, shërbimi i përmirësuar МХ1 ofron portet Qingdao, Busan, Yangshan, Ningbo, Xiamen, Nansha, Yantian, Singapor dhe Maltë, nga ku dërgesat transportohen në Durrës dhe Selanik.
Shërbimi i rafinuar МХ2 tani ofron portet Qingdao, Yangsha, Ningbo, Kaohsiung, Hong Kong, Yantian, Singapor dhe nga Pire, ku ngarkesat transportohen në Novorossiysk dhe Poti.
Info/ APL

APL (inicialet për “American President Lines” Ltd.), së bashku me kompaninë e saj mëmë CMA CGM, është kompania e tretë më e madhe në botë e transportit detar, duke ofruar më shumë se 80 shërbime javore.
APL-ja, me seli në Skotsdejl (Scottsdale), Arizona, SHBA ka një flotë kontejner-anije prej 153 anijesh kontejnerësh. Dikur degë e Neptun Orient Lines (NOL), tani është degë në pronësi të plotë të CMA CGM, kompani globale transporti dhe logjistike e angazhuar në transportimin dhe bizneset e lidhura me të me seli në Francë.

APL-ja ofron transportin transkontinental të ngarkesave në të gjithë Azinë, Amerikën e Veriut dhe Jugut, Evropë, Lindjen e Mesme, nënkontinentin indian dhe Australi, me anë të më se 110 shërbimeve në portet e destinacionit në mbi 70 vende të botës. Për ardhurat për vitin fiskal 2016 arritën në 4.6 miliardë dollarë.

Haradinaj shpalos detaje të reja rreth ndërtimit të autostradës së Dukagjinit

Kryeministri Ramush Haradinaj e ka vlerësuar të rëndësishme miratimin e dy vendimeve nga Qeveria e Kosovës, njëri që e liron prodhuesin nga tatimi i akcizës për lëndën e parë që e përdor si burim energjie për prodhim dhe vendimi tjetër që e liron prodhuesin nga tatimi në doganë për lëndën e parë, gjysmë produkte që përdoren në proces të prodhimit, materiale përpunuese, makineritë prodhuese dhe pajisjet e teknologjisë së informacionit

Këtë veprim kryeministri, nw konferencën pwr media pas mbledhjes sw qeverisw, e cilësoi të guximshëm dhe lajm të mirë për Kosovën, për ekonominë dhe prodhuesin.

“Ky lajm i mirë vjen falë punës së jashtëzakonshme të ministrit të Financave, Bedri Hamza, të cilin e falënderoj për këtë punë, që iu është përgjigjur sipërmarrësve, prodhuesve, takime që i kemi mbajtur së bashku dhe bashkëpunimi me ta ka rezultuar tek këto të gjetura”, tha kryeministri Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se vendimet e marrura sot janë lajm dhe porosi e fuqishme për sipërmarrësit dhe për prodhuesit, duke theksuar se edhe në takim me zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim janë pajtuar që procedurat për financimin e autostradës së Dukagjinit, konkretisht pjesa e mbetur Kijevë-Zahaq, të përshpejtohet.

“Në fund të muajit nëntor do të kemi marrëveshje financiare të nënshkruar dhe me fillim të pranverës do të filloj ndërtimi i autostradës së Dukagjinit, e cila do të përmbyllet vitin që vjen. Kemi hapësirë të veprojmë në auto-rrugën për Gjakovë nga Klina, dhe vitin që vjen do të fillojmë me projekt”, tha Haradinaj, duke potencuar se krejt këto janë kalkulime të qëndrueshme dhe me efekte ekonomike.

Nga ana tjetër, Ministri i Financave, Bedri Hamza, theksoi se ky nuk do të jetë fundi i këtyre masave, por do të vazhdojmë në konsultim me komunitetin e biznesit, me asociacionet që e përfaqësojnë biznesin, shoqërinë civile, por edhe me idetë që vijnë nga opozita, të krijojmë një ambient të përshtatshëm për prodhuesit tanë, një ambient të përshtatshëm për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, krejt kjo që ne t’i adresojmë sfidat kryesore të vendit tonë.

Haradinaj ka një lajm të mirë për prodhuesit vendorë

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim vendimin për lirim nga tatimi i akcizës të gjithë prodhuesit që importojnë vetë apo përmes kontraktuesit, të cilët janë autorizuar nga ATK-ja për shtyrje të TVSh së për lëndën e parë për të gjitha burimet e energjisë, të cilat përdoren për qëllime prodhimi

Qeveria po ashtu ka miratuar propozim vendimin për lirim nga tatimi doganor të gjithë prodhuesit që importojnë vetë, apo përmes kontraktuesit, të cilët janë të autorizuar nga ATK për shtyrje të TVSh për lëndën e parë që përdoret në proces të prodhimit, gjysmë produktet, të cilat përdoren në proces të prodhimit, të gjitha linjat e makinerive prodhuese që përdoren në hapësira prodhuese për prodhim dhe pajisjet e teknologjisë informative.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë për media i quajti këto vendime të guximshme dhe lajm i mirë për Kosovën, transmeton kp.

“Sot do të ndalem te dy vendime të rëndësishme që ndërlidhen me prodhuesit e Kosovës që e liron nga akciza. Ky është një veprim i guximshëm që mund ta quaj lajm të mirë për Kosovën dhe prodhuesit”, tha ai.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se vendimet e marra do të kenë efekt pozitiv për sektorin privat dhe prodhuesit.

“Ne do të vazhdojmë që të krijojmë ambient të përshtatshëm për prodhuesit tanë dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, tha ai.