A rrezikohet projekti i gazsjellësit TAP? Brukseli bën thirrje

Projekti i gazsjellësit TAP është më i madhi dhe më i rëndësishmi që ka njohur Shqipëria kohët e fundit. Megjithëse në Shqipëri punimet kanë ecur mirë, projekti është vënë në dyshim nga Italia

Për këtë arsye, Brukseli ka bërë thirrje që të gjitha vendet ku kalon gazsjellësi, të përkrahin projektin. Maros Sefcovic, zv/president i Komisionit Europian, tha se “beson se ndërtimi i gazsjellësit do të vazhdojë falë mbështetjes së qeverive të përfshira”.

Italia thotë se do të rishikojë projektin TAP dhe disa projekte të tjera. TAP është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, që do të sjellë çdo vit 10 miliard metër kub gaz nga Azerbajxhani për në Europë. Gazsjellësi do jetë 878 kilometra i gjatë.

Qeveria kundër nismës së LDK-së për ndryshimin e tri ligjeve

Koalicioni qeverisës ka kundërshtuar nismën ligjore të LDK-së për ndryshimet në tri ligje, të cilat kanë të bëjnë me reformën fiskale 2, të nisur nga ish-Qeveria Mustafa, por e mbetur në gjysmë për shkak të shpërndarjes së Kuvendit

Nisma e LDK-së ishte ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për tatimin në të ardhurat personale, Ligji për tatimin në të ardhurat e korporatave dhe Ligji për tatimin në vlerën e shtuar. Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se në vitin 2017 është miratuar pakoja e dytë fiskale, ku janë përgatitur 22 masa fiskale dhe në kuadër të këtyre masave përfshihen plotësimi dhe ndryshimi në kuadër të këtyre tri ligjeve bazike.

“Grupi parlamentar i LDK-së ka ndërmarrë këto tri nisma ligjore për të zbatuar masat 13 dhe 14 të pakos fiskale 2. Më konkretisht, në ligjin për të ardhurat korporatave është paraparë që tatimi i mbajtur në burim për grumbulluesit e produkteve bujqësore të hiqet, i cili ka qenë deri tash 3 për qind, dhe të rregullohet mënyra e tatimit të kompanive të sigurimit, të cilat deri tash kanë paguar 5 për qind të tatimit të hyrave bruto, ndërsa tash me këtë projektligj ato do të kalojnë në tatimin e rregullt sikur çdo kompani tjetër në Kosovë. Në ligjin për TVSH-në është paraparë që të njihet çështja e TVSH-së për kompanitë e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve dhe te zbatimi i TVSH-së për tregti me ari brenda vendit, kështu që TVSH-ja të zbatohet vetëm në vlerën e shtuar të arit të përpunuar”, tha Hoti, transmeton Koha.net.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se ish-qeveria tash po mundohet ta korrigjojë veten.

“Është ditur që tatimi në burim kur bëhet fjalë për prodhimin vendas nuk mund të vendoset te secili subjekt që kryen një pjesë të procesit, sepse në fund i ngarkohet çmimit. Edhe pse prodhimi i ka disa cikle derisa të dalë në treg, e ne e dimë që këto cikle i kryejnë personat fizikë apo kompani të caktuara, ama në fund mbetet i njëjta produkt, produkti nuk rritet rrugës. Si shembull praktik, perimet ose vezët nuk mund të shiten pa një ambalazh, një kuti kartoni, nëse tatojmë në burim edhe atë që prodhon, edhe atë që sjell plehun kimik, edhe ujitjen, edhe në fund atë që shet ambalazhe, perimet ose vezët ose do të shiten nën kosto pa fitim, ose do të kenë çmim tepër të lartë në krahasim me importin dhe nuk do të jenë konkurruese në treg”, tha Kurti.

Kjo iniciativë e LDK-së, hasi në kundërshtimin e Qeverisë dhe deputetëve të koalicionit qeverisës. Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se ministria që ai drejton i ka përgatitur draftet e këtyre ligjeve, dhe janë dërguar në shqyrtim në FMN dhe janë lëshuar në diskutim publik. Ai ka kërkuar që të priten ligjet e Qeverisë që janë të draftuara në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, ka kërkuar që të mos miratohen këto projektligje, duke thënë se janë mesazh jo i mirë për investitorët e huaj.

“Grupi parlamentar i PDK-së e përkrah rekomandimin e Qeverisë që të mos miratohen këto projektligje, sepse miratimi i tyre është një mesazh jo i mirë për bizneset dhe investitorët. Nëse për çdo muaj shkojmë në plotësim-ndryshim të ligjeve, atëherë kjo do të jetë një ngarkesë përgjithësisht për sistemin tatimor për Administratën Tatimore dhe do të shkaktonte një pasiguri juridike tek investitorët e huaj dhe janë sfiduese për bizneset vendore”, u shpreh Hadërgjonaj.

Edhe shefi i Grupit parlamentar i AAK-së, Ahmet Isufi, e vlerësoi hap të ngutshëm këtë veprim të LDK-së, duke u shprehur kundër. Pushtetit iu bashkua edhe partia opozitare, PSD. Shefi i deputetëve të kësaj partie, Dardan Sejdiu, tha se janë kundër pasi problemi nuk po trajtohet në thelb, por vetëm po bëjnë fizkulturë. Edhe Nisma Socialdemokrate nuk ka mbështetur plotësim-ndryshimin e këtyre tri ligjeve.

Telekomi ka nënshkruar kontrata të pafavorshme, është në gjendje të vështirë financiare

Kryesuesja e Bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatri-Berisha, në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Lulzim Ahmeti ka thënë se menaxhmenti dhe Bordi i kaluar i Telekomit kanë nënshkruar kontrata të pafavorshme për kompaninë. Ajo ka treguar se shumica e kontratave kanë qenë me parapagim dhe që kërkon 2-3 vite paralajmërim për shkëputje të tyre

“Menaxhmenti dhe Bordi i kaluar i Telekomit kanë nënshkruar kontrata, ku ne si Bord aktual i kemi konsideruara si të pafavorshme për kompaninë, qoftë për nga vlerat financiare apo mangësitë ligjore që janë brenda kontratave. Jemi duke e dakorduar një ekip të ekspertëve të cilët do ta shikojnë secilën kontratë dhe do të dalim me opinione se si do të shkëputen kontratat e tilla dhe si Telekomi do të dal nga këto obligime”, ka thënë ajo.

Shatri-Berisha ka treguar se kontrata të qirave kanë kosto të papërballueshme për Telekomin. “Janë një sërë kontrata të qirave që ne i konsiderojmë se janë të pafavorshme për Telekomin. Problemi që kemi hasur në ndërprerjen e kontratave janë se kushtet në kontratë janë totalisht të pafavorshme, për shembull kontrata te Qafa kërkon që 2-3 vite më herët paralajmërim për shkëputje të kontratës. Shumica e kontratave të mëdha janë me parapagim që do të thotë mjetet janë dhënë, kostot janë të papërballueshme për Telekomin dhe kontratat e tilla e kanë sjellë kompaninë para falimentimit”, tregon Shatri-Berisha.

Ajo ka treguar se interesimi për pozitën e kryeshefit ekzekutiv ka qenë jashtëzakonisht i vogël për shkak të gjendjes për të cilën gjendet aktualisht Telekomi. Shatri-Berisha ka thënë se heqja e roamingut me Shqipërinë do t’iu largon një barrë të madhe konsumatorëve. “Heqja e roamingut me Shqipërinë patjetër se do t’iu largon një barrë të madhe konsumatorëve. Pastaj janë disa procedura teknike të cilat duhet zbatuar dhe ne shpresojmë që sa më parë që procedurat të hyjnë në funksion në mënyrë që të gjithë konsumatorët tonë të kenë tarifa më të lira kur të shkojnë në Shqipëri”, tregoi ajo.

Shatri-Berisha ka thënë se kompania është në një gjendje të vështirë dhe se duhet të merren masa për tejkalim të gjendjes.“Gjendja financiare dhe operative në Telekomin e Kosovës nuk është e mirë, borxhet aktuale janë mbi 60 milionë euro, ndërsa humbjet deri në muajin maj kanë arritur deri në 7 milionë euro. Të hyrat vazhdojnë të kenë një trend pak a shumë të njëjtë por të cilat nuk po arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet mujore. Jemi në një situatë të vështirë, të cilat duhet të merren disa masa të domosdoshme për tejkalim të kësaj gjendje”, tha Shatri-Berisha.

Ajo tregoi se tashmë Bordi e ka dërguar në Qeveri strategjinë për tejkalimin e gjendjes në Telekom.
“Javën e kaluar kemi dërguar në qeveri një strategji për zbatimin e disa masave për të cilat ne i konsiderojmë të domosdoshme për tejkalim të situatës. Përveç masave të shkurtimeve financiare ka edhe masa të tjera të cilat janë të domosdoshme për tejkalimin e situatës”, tha ajo.

Minatorët i japin afat Qeverisë për përmbushjen e kërkesave

Minatorët e minierës së Stantërgut sot kanë mbajtur grevë njëorëshe, në shenjë pakënaqësie me draft-statutin e kombinatit “Trepça”

Ata i dhanë afat Qeverisë së Kosovës që deri 25 qershor, kërkesat e tyre, të hyjnë në kuadër të draft-statutit të kombinatit. Shyqri Sadiku, kryetar i sindikatës së “Trepçës”, tha për Radion Evropa e Lirë se kërkesat e tyre sociale të punëtorëve janë që të njihet stazhi i benificuar i punës, siguria shëndetësore në punë, pensioni të jetë 70 për qind i pagesë dhe disa kërkesa të tjera.

“Qeveria ka afat deri të hënën t’i fusin kërkesat e punëtorëve në draft. Situata është serioze nuk është kërcënim, por është paralajmërim për Qeverinë që minatorët më këtë trajtim nuk do të rrinë duarkryq , pasi që në të gjitha format janë të diskriminuar”, tha Sadiku.

Komisioni Parlamentar për zhvillim ekonomik, të hënën gjatë shqyrtimit të draft statutit të Trepçës kishte vlerësuar se për shqyrtimin e mëtejmë të këtij statuti, është i nevojshëm formimi i një grupi punues, i cili do të shqyrtojë dhe harmonizojë qëndrimet e Sindikatës, Bordit të Trepçës dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Qeveria paguan rreth një milionë euro dënime për kreditë e pashfrytëzuara

Qeveria e Republikës së Kosovës ka paguar 890 mijë euro, si formë ndëshkimi, për shkak të mostërheqjes së mjeteve financiare nga institucionet financiare ndërkombëtare

Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshje për kredi me institucionet financiare ndërkombëtare në vlerë rreth 300 milionë euro, për financim të 10 projekteve kapitale, por mjetet e zotuara nuk janë tërhequr për shkak se projektet nuk kanë qenë të gatshme për financim, thonë zyrtarë të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Në një raport të publikuar nga kjo zyre, thuhet se si rezultat i kësaj, për mjetet e zotuara dhe të pashfrytëzuara, Qeveria obligohet të paguaj pagesa shtesë (tarifa zotimi).

Qerkin Morina, ndihmës i auditorit të përgjithshëm, tregon për Radion Evropa e Lirë se si pasojë e mospërputhjes së dinamikës kohore në mes të alokimit të kredive dhe realizimit të projekteve, vetëm për vitin 2017 vlera e paguar e tarifave të zotimit për mjetet e kredive të patërhequra nga huamarrësit arrin vlerën prej 890 mijë euro.

“Sipas rezultateve të auditimit, Qeveria e Kosovës nuk ka qenë e gatshme që të tërheq borxhet e jashtme, në shumën prej 295 milionë euro. Dhe për çdo vonesë në tërheqjen e këtyre kredive, Qeveria paguan një tarifë zotimi, e cila për vitin 2017 arrin në 890 mijë euro. Do të thotë, edhe pse fondet kanë qenë në dispozicion, nga 295 milionë euro, vetëm pesë milion euro janë tërhequr, kurse më shumë se 97 për qind e fondeve janë të pashfrytëzuara”, tha Morina.

Pagesën e shumës prej 890 mijë euro e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Ministrisë së Financave. Në një përgjigjeje përmes postës elektronike, thuhet se “shuma 890,000 euro përfshinë shumat që janë paguar në emër të tarifës së zotimit për projektet që janë në realizim e sipër. Do të thotë se tarifa e zotimit shoqëron kreditë edhe kur ato implementohen sipas planit të disbursimit, deri në momentin kur disbursohet shuma e fundit e asaj kredie”, thuhet në përgjigjjen e Ministrisë së Financave për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, qeveria ka hyrë në borxhe kryesisht për financimin e projekteve rrugore, energjetike, rehabilitimin e linjave hekurudhore dhe përmirësim të sistemit të arsimit dhe shëndetësisë, projekte këto që kanë dështuar së realizuari.

Vonesat e tilla, thotë Morina, janë rezultat i një studimi të dobët të fizibilitetit të projekteve, si dhe mangësitë në krijimin e parakushteve të nevojshme për eliminimin e të gjitha pengesave infrastrukturore dhe ligjore në realizimin e këtyre projekteve, për çka Qeveria duhet të ketë një mbikëqyrje të shtuar.

Ndryshe, vlera e përgjithshme e borxhit të Kosovës këtë vit ka arritur në mbi një miliard euro, që është për 9.1 për qind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit ët kaluar.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, borxhi ndërkombëtar dhe i brendshëm i Kosovës ka një trend të rritje. Në vitin 2009, borxhi i përgjithshëm ishte 6.12 për qind e Bruto Produktit Vendor, ndërsa në vitin 2017 ka arritur mbi 16 për qind.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë analiza dhe planifikime të hollësishme para se të fillojë procesi i marrjes se borxheve qoftë ndërkombëtar apo të brendshme.

Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në tri vitet e fundit hyrja në borxhe nuk i ka plotësuar kriteret e kërkuara. Fondet e huamarrjes, thotë ai duhet të shfrytëzohen me kohë dhe në mënyrë efikase që të gjenerojnë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

“Borxhi nuk ka kuptim nëse nuk investohet në projekte të cilat kanë një kthim ekonomik, ndikojnë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe nuk rrezikojnë stabilitetin financiar”, thotë Rukiqi.

Edhe Burim Ramosaj, profesor në Universitetin e Prishtinës, thekson se agjencitë buxhetore fillimisht duhet të identifikojnë projektet dhe më pas të hyjnë në borxhe.

“Fillimi i procesit të realizimit të një projekti nis me pjesën ideore, se a është i arsyeshëm projekti në aspektin e realizimit, por edhe nga mundësia e financimit të projektit. Të shikohet edhe sasia e mjeteve monetare likudie që i ka në dispozicion qeveria, por pa dyshim edhe struktura e tyre. Sepse ka raste kur struktura e mjeteve nuk garanton financimin e projekteve të caktuara”, thotë Ramosaj.

Qeveria e Kosovës në Ligjin e Buxhetit në vazhdimësi sipas viteve planifikon projektet që ka për qëllim t’i realizojë përmes financimit nga huamarrja e jashtme.

“Auditori ka ardhur në pëfundim se analizat e projekteve që planifikohen të financohen përmes huamarrjes nuk janë të mjaftueshme. Një numër i projekteve kapitale për të cilat Qeveria ka hyrë në marrëveshje ndërkombëtare kredie, nuk janë realizuar fare”.

“Si rezultat, kanë filluar të paguhen shpenzime të tarifave tjera apo tarifa të zotimeve për mjete të pashfrytëzuara” ,thuhet në raport, ndërkaq programet qeveritare ende janë në nivelin të ulët realizimit.

Auditori gjen një varg parregullsish në Doganën e Kosovës

Zyra Kombëtare e Auditorit ka evidentuar mangësi në Doganën e Kosovës, në zhvillimin e proceduarave për import, sidomos importit të cigareve pa licencë, si dhe parregullsi tjera

Sipas të gjeturave të ZKA-së, sa i përket lëshimit të licencës për pagesën e taksës së akcizës dhe shumën e taksës administrative, thuhet se “çdo subjekt për të ushtruar veprimtarinë duhet të parashtrojë kërkesën për marrjen e licencës për pagesën e taksës se akcizës në Doganën e Kosovës.

Megjithatë, aty po ashtu thuhet se me datën 5 janar të vitit të kaluar janë importuar cigare në vlerë 251,087 euro në mungesë të licencës valide. “Biznesit i kishte skaduar afati i licencës në fund të vitit 2016”, thuhet në raportin e ZKA-së, të publikuar në fillim të muajit qershor.

Po ashtu, raporti flet edhe për nënshkrimin e kontratave para zotimit të mjeteve, nga ana e Doganës.
Për kontratën për furnizimin me uniformë të personelit të Doganës, thuhet se është nënshkruar kontrata “pjesa II në vlerë prej 298,676€, më datën 22.03.2017”, ndërsa zotimi ishte bërë tek me datën 06.04.2017, pra më tepër se një muaj pas nënshkrimit.

Njësoj ka ndodhur edhe për shërbime të analizave kimike dhe testim të parametrave të derivateve të naftës. “Pa zotim të mjeteve, janë nënshkruar edhe kontratat kornizë për ‘Shërbime të analizave kimike dhe testim të parametrave të derivateve të naftës – Pjesa I’, çmimi për njësi 358€ ndërsa realizimi në vitin 2017 prej 19,628€ dhe pjesa II, çmimi për njësi 425€, realizimi 21,034€. Ndërsa planifikimi për secilën pjesë ishte nga 120,000€/pjesë për tri vite”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Raporti i ZKA-së flet po ashtu për menaxhim jo efikas i llogarive të arkëtueshme. Trajtimi dhe mbledhja e të arketueshmëve vazhdon të mbetet sfidë për Doganën e Kosovës, ndërkaq, përkundër veprimeve të ndërmarra për mbledhjen e borxheve dhe përcjellja e lëndëve në procedurë përmbarimore dhe gjykatë, vlera e të arkëtueshmëve është ende e lartë.

Në anën tjetër subjektet ekonomike vazhdojnë të mos kryejnë pagesën e borxheve ndaj DK-së. Në raportin e ZKA-së për Doganën, thuhet se aplikimi i metodave të vlerësimit bëhen jo sipas kërkesave të kodit doganor, respektivisht nenit 34 të këtij kodi dhe nën paragrafët e tij, që përcakton se kur vlera doganore nuk mund të përcaktohet sipas nenit 33 të po atij kodi.

Auditori vërejtje ka po ashtu edhe për mënyrën e rivlerësimit të mallrave nga ana e Doganës. ZKA thotë po ashtu se raportet e auditimit të brendshëm nuk ishin trajtuar në nivelin e duhur nga menaxhmenti i Doganës, pasi që një numër i vogël i rekomandimeve të tyre ishin zbatuar.

Nga gjithsej 38 rekomandimet e dhëna në tetë raportet e auditimit vetëm 16 prej tyre ishin zbatuar ndërsa 22 rekomandime ishin në proces të adresimit. Komiteti i auditimit (KA) nuk kishte dhënë ndonjë kontribut domethënës në këtë proces.

Bashkëatdhetarët i sollën mbi 170 milionë euro për tre muaj në Kosovë

Diaspora vazhdon të jetë burim financiar për familjet dhe ekonominë kosovare, ku vetëm për tre muajt e parë të këtij vitit kanë shënuar 170 milionë e 500 mijë euro që është një rritje prej 7.1 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar

Zëdhënësi i Bankës Qendrore e Kosovës (BQK), Kushtrim Ahmeti tha për KosovaPress se vitin e kaluar, Kosova ka pasur rritje të vlerës së dërgesave nga bashkatdhetarët, në krahasim me vitin 2016.

Vlera e dërgesave apo remitencave për vitin 2017, ka qenë 759 milionë e 200 mijë euro, derisa në vitin 2016, kjo shifër ishte 691 milionë euro.

“Sa i përket këtij viti, deri në muajin mars vlera e dërgesave të bashkatdhetarëve ka arritur në 170.5 milionë që prapë është rritje prej 7.1 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e vitit paraprak, ku vlera e dërgesave ka qenë 163.4 milionë”, theksoi zëdhënësi Ahmeti.

Ai shtoi se shtetet kryesore prej nga vijnë këto dërgesa janë kryesisht ato shtete ku është e koncentruar diaspora e kosovare dhe ku prinë Gjermania e përcjellë nga Zvicra, SHBA-ja, Austria, Italia, Franca, Suedia, Britania, Belgjika etj.

Ndërsa, edhe ministri i Financave, Bedri Hamza ka komentuar dërgesat nga diaspora, që sipas tij, kanë shënuar ngritje dhe kanë impakt pozitiv në ekonomi dhe në tregun e Kosovës.

“Pse mendoj që ka parkushte për një zhvillim më të qëndrueshëm dhe më të madh ekonomik. Këtë vit shpenzimet prej buxhetit duhet të jenë më të larta se në vitin paraprak, në investime dhe në konsum. Norma e rritjes së kredisë vazhdon me qenë e lartë, është diku mbi 10 përqind rritja e kreditimit. Remitencat nuk kanë rënie, ato kanë ngritje dhe të gjitha këto ndikojnë në tregë. Ka më shumë para në tregë”, ka thënë shkurt ministri Hamza.

Ndërsa, analisti i ekonomisë, Jakup Bellaqa ka thënë për KosovaPress se remitencat janë një impakt i rëndësishëm që ndikon në rritjen e të ardhurave.

“Të hyrat që i dërgojnë diaspora më së shumti shkojnë në konsum, një pjesë edhe në investime si në shtëpia, gjithashtu edhe në themelimin e biznesit familjar. Duhet cekur se në bazë të të dhënave burimore diku rreth 750 milionë euro që dërgohen nga diaspora, dërgesa apo remitenca vjetore, gjithsesi që ndikon në rritjen e standardit të jetës se qytetarëve dhe në ruajtjen e një paqe sociale, përkatësisht ngritjen e mirëqenies ekonomike, ndikon në mënyre direkte dhe indirekte në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka thënë ai.

Ndryshe, shpesh herë ka pasur ide të ndryshme edhe nga ekonomistë të tjerë për mundësinë e kanalizimit të investimeve të këtyre mjeteve nga diaspora, që do të kishin ndikuar në rritjen e investimeve dhe të punësimit.

Marketet e shfrytëzojnë festen, i rrisin çmimet për Bajram

Festa e Bajramit në Kosovë sjell një atmosferë gëzimi në çdo familje myslimane, pavarësisht kushteve apo mundësive financiare. Një nga traditat e festës është edhe shtrimi i tryezës së begatë, të cilës i kushtohet një rëndësi e veçantë

Për të kremtuar festën e Bajramit, qytetarët shpenzojnë më shumë, por shumë markete, shfrytëzojnë festën për të rritur çmimet e produkteve, të cilat janë të nevojshme për këtë ditë.

Paga minimale në Kosovë, është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç. Kurse, shporta mujore e një qytetari llogaritet të jetë 115 euro, shumë kjo që nuk siguron një standard të mirë jetësor për qytetarët.

Drejtori i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka thënë për Telegrafin se vendet e tjera të botës çmimet ulën në festa, ndërsa në vendin tonë kjo nuk ndodh.

“Me rastin e çdo feste, shumica e çmimeve ngritën ani pse në pjesën më të madhe të botës për festa ulen çmimet për ta respektuar qytetarin konsumator. Mes çmimesh realisht të ulura, numri i të cilave në disa markete është në rritje, ka edhe shumë çmime të ulura rrejshëm, që e ‘detyrojnë’ konsumatorin të blej edhe artikuj me çmime më të larta se zakonisht”, ka thënë për Telegrafin, Kaçaniku. Ai tha se mungon reagimi i institucioneve karshi këtyre rritjeve.

“Megjithatë, përkundër ankesave e alarmimeve të shpeshta, ka munguar reagimi i institucioneve dhe mekanizmave të shtetit. Qytetari konsumator taksapagues i paguan edhe dështimet, keqmenaxhimet e keqadministrimet e institucioneve të politikës”, thotë ai.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, ka thënë për Telegrafin se është e drejtë njerëzore që të ulën çmimet. “Në vend që të ketë ulje të çmimeve, marketet i rrisin çmimet, prandaj sipas një logjike njerëzore do të ishte e drejt që të ulën ato në mënyrë që t’ia mundësoj qytetarëve që gjatë festave të jenë më të pranueshme çmimet”, ka thënë për Telegrafin, Limani.

Ai ka thënë se pasi që Kosova importon shumë produkte nga jashtë mund të jetë një arsye për rritje të çmimeve e që lidhen drejtpërdrejt me inflacionin e importuar.

“Pasi që Kosova importon shumë produkte nga jashtë kjo mund të ketë ndikim që të shtrenjtohen çmimet, pasi që inflacioni mund të importohet nga ato vende ku vjen produkti”, tha ai.

Kryenspektori i Inspektoriatit të Tregut, Lulzim Syla, ka thënë për Telegrafin se Inspektorati nuk ka kompetencë dhe autorizime ligjore për të ndërhyrë në përcaktimin e çmimeve.

“Subjektet ekonomike janë të obliguar që me rastin e vendosjes në treg dhe ofrimit të mallrave për konsumatorë të sigurohen se konsumatorët do të paguajnë çmimin e njëjtë pa asnjë ndryshim ashtu si është vendosur në raftet e shitjes, mirëpo sa i përket çështjes së ngritur nga ana juaj lidhur me ngritjen e çmimeve në prag të festave, Inspektorati i Tregut nuk ka kompetencë dhe autorizime ligjore për të ndërhyrë në përcaktimin e çmimeve ngritjen apo zbritjen e tyre është tregu i lirë ai që përcakton çmimet”, ka thënë për Telegrafin, Syla.

Ai thotë se inspektorët në vazhdimësi bëjnë inspektime të tregut me qëllim të eliminimit të çdo parregullsie.

“Duke pasur parasysh se Inspektorati i Tregut i MTI-së ka kompetencë për të inspektuar vendet e tregtimit, deponimit të produkteve ushqimore dhe jo ushqimore për t’u siguruar se produktet e vendosura në qarkullim nuk i cenojnë interesat ekonomike të konsumatorëve dhe nuk janë në kundërshtim me praktikat e mira tregtare, inspektorët e tregut në vazhdimësi bëjnë inspektime në tregun e brendshëm me qëllim të eliminimit të çdo parregullsie”, thotë ai.

“Konsumi i përgjithshëm në vitin 2017 krahasuar me vitin 2016, ka një rritje të lehtë prej 0.8 për qind, ndërsa konsumi për ekonomi familjare dhe për kokë banori ka një rritje nga 3.5 për qind. Pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare në vitin 2017 është shpenzuar në ushqim dhe banim, 40 për qind për ushqim dhe 29 për qind për banim, të konsumit të përgjithshëm”, thuhet në raportin “Anketa e Buxhetit të Ekonomive Familjare, 2017”, e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas të dhënave statistikore, në tremujorin e parë të vitit 2018 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, çmimet e konsumit mesatarisht janë rritur për 0.2 për qind, kurse në produktet ushqimore rreth 2 për qind. /Telegrafi/

Sa demokratike është euro?

Nëse Bashkimi Europian dëshiron të mbetet i vlefshëm dhe demokratik në të njëjtën kohë, politikëbërësit do të duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë kërkesave të forta për delegimin e vendimeve te institucione të pazgjedhura. Ata duhet të promovojnë delegime të tilla të sovranitetit vetëm në rastet kur kjo me të vërtetë përforcon performancën afatgjatë të demokracive të tyre

Nga: Dani Rodrik, Project Syndicate

Kur presidenti i Italisë së fundmi vuri veton ndaj emërimit të euroskeptikut Paolo Savona si ministër finance në qeverinë e propozuar nga aleanca mes partive Pesë Yjet dhe Liga e Veriut, a ishte ky një vendim që e mbronte demokracinë e vendit të tij apo ishte një veprim që e minonte atë?

Përtej kritereve kushtetuese që janë specifike për kontekstin italian, pyetja prek zemrën e legjitimitetit demmokratik. Problemet e vështira që ngrihen nga kjo duhet të trajtohen në mënyrë parimore, në rast se duam që demokracitë tona liberale të shërohen nga problemet aktuale.

Euro përfaqëson një traktat angazhimesh nga i cili nuk ka rrugë të qartë daljeje brenda rregullave ekzistuese të lojës.

Presidenti Sergio Mattarella dhe mbrojtësit e tij vunë në dukje se dalja nga euro nuk kishte qenë temë debati në fushatën elektorale që solli koalicionin e populistëve në pushtet dhe se emërimi i Savonës kërcënoi një katastrofë në tregjet financiare dhe kaos ekonomik.

Kritikët e Matarelës argumentuan se ai tejkaloi autoritetin e tij dhe lejoi që tregjet financiare të vendosnin veton ndaj një ministri financash të zgjedhur nga një qeveri e dalë nga zgjedhjet demokratike.

Duke u bashkuar me euron, Italia e dorëzoi sovranitetin e vet monetar te një institucion i jashtëm dhe i pavarur vendimmarrës, Banka Qendrore Europiane. Ajo ndërmori gjithashtu angazhime specifike në drejtim të sjelljes së saj mbi politikën fiskale, megjithëse këto angazhime nuk janë aq detyruese se sa janë ato të politikës monetare.

Por këto detyrime vendosin limite reale mbi zgjedhjet në politikat makroekonomike që mund të bëjnë autoritetet italiane.

Në veçanti, mungesa e një monedhe vendëse nënkupton që italianët nuk mund të zgjedhin objektivin e vet të inflacionit apo të zhvlerësojnë monedhën e tyre kundrejt monedhave të huaja. Ata duhet gjithashtu të mbajnë deficitet fiskale poshtë një tavani të caktuar.

Kufizime të tilla të huaja mbi veprimin politik nuk ka pse të jenë drejtpërsëdrejti në konflikt me demokracinë. Në disa raste ka kuptim që elektorati të lidhë duart e veta në rast se ky veprim ndihmon për arritjen e objektivave të rëndësishme.

Kjo është arsyeja se pse kemi parimin e “delegimit demokratik”: demokracitë mund të përmirësojnë performancën e tyre përmes delegimit të aspekteve të caktuara të vendimmarrjes te agjenci të pavarura.

Rasti kanonik për delegimin demokratik shfaqet veçanërisht kur ka nevojë të madhe për një angazhim të besueshëm te një rrugë e caktuar veprimi. Politika monetare është ndoshta rasti më i qartë i kësaj. Shumë ekonomistë pranojnë idenë se bankat qendrore mund të gjenerojnë prodhim dhe punësim përmes politikës monetare ekspansioniste vetëm në rastet kur këto të fundit mund të prodhojnë inflacion surprizues në terma afatshkurtër.

Por, për shkak se pritshmëritë i përshtaten sjelljes së bankës qendrore, politika monetare diskrecionare është e kotë: ajo sjell inflacion më të lartë por jo rritje në prodhim apo në punësim. Për rrjedhojë, është shumë më mirë që të izolosh politikën monetare nga presionet politike duke e deleguar atë te bankat qendrore teknokratike dhe të pavarura që janë të ngarkuara me një objektiv të vetëm: stabilitetin e çmimeve.

Në sipërfaqe, euro dhe BQE mund të shihen si zgjidhje për këtë dilemë inflacionare në kontekst Europian. Euro dhe BQE mbron elektoratin italian nga tendencat kundërprodhuese inflacionare të politikanëve të tyre. Por ka disa pekuliaritete te situata aktuale Europiane që e bëjnë agumentin e delegimit demokratik paksa të dyshimtë.

E para, BQE është një institucion ndërkombëtar, e cila ka përgjegjësi për politikën monetare për eurozonën si e tërë dhe jo për Italinë më vete. Rrjedhimisht ajo do të jetë në përgjithësi më pak reaguese ndaj rrethanave ekonomike italiane nga sa do ishte një bankë qendrore italiane, gjithashtu e pavarur. Ky problem përkeqësohet nga fakti se BQE e zgjedh vetë objektivin e saj të inflacionit, i cili u përkufizua për herë të fundit më 2003 si “poshtë por pranë 2% në terma afatmesëm.”

Është vështirë të justifikosh delegimin e objektivit të inflacionit te teknokratë të pazgjedhur. Kur disa vende në eurozonë goditen nga humbja e kërkesës, ky objektiv përcakton përmasat e deflacionimeve të dhimbshme të pagave dhe çmimeve që duhet të kalojnë këto vende për t’u ripërshtatur.

Sa më i ulët të jetë objektivi, aq më i lartë duhet të jetë deflacioni që duhet të durojnë këto vende. Ka një argument të mirë ekonomik që thotë se BQE duhej të kishte rritur objektivin e vet të inflacionit pas shfaqjes së krizës së euros për të lehtësuar përshtatjet në konkurrueshmëri në Europën Jugore. Izolimi nga llogaridhënia politike në këtë rast ka gjasa të ketë qenë element negativ.

Siç e thotë edhe Paul Tucker, një ish-zëvendës guvernator i Bankës së Anglisë në librin e tij kryevepër Pushteti i pazgjedhur: Përpjekja për Ligjshmëri në Bankingut Qendror dhe Shteti Administrativ, argumenti për delegim demokratik është shumë delikat. Dallimi mes objektivave politike dhe se si ato zbatohen duhet të jetë i qartë.

Deri tani ata detyrojnë pasoja shpërndarëse ose pazare mes objektivave kundërshtuese (punësim kundër stabilitet çmimesh, për shembull), objektiva politike që duhet të përcaktohen përmes politikës.

Delegimi kërkohet në rastin më të mirë për të kryer politika që i shërbejnë objektivave të përcaktuara politikisht. Tucker argumenton me të drejtë se shumë pak agjenci të pavarura mbështeten në aplikimin e kujdessshëm të parimeve që mund të kalojnë në testin e legjitimitetit demokratik.

Kjo dobësi është shumë më e madhe në rastin e delegimit të kompetencave te agjenci ndërkombëtare apo traktate.

Tepër shpesh, angazhimet ekonomike ndërkombëtare nuk shërbejnë për të rregulluar problemet demokratike në shtëpi, por i shërbejnë interesave të privilegjuara korporative apo financiare, të cilat dobësojnë fuqinë negociuese shoqërore të një vendi.

Deficiti në legjitimitetin e Bashkimit Europian rrjedh nga dyshimet popullore se organizimi i saj institucional ka mbështetur shumë më tepër korporatat në krahasim me popullin. Kur Matarela citoi reagimin e tregjeve financiare për justifikimin e vetos së tij për Savonën, ai thjeshtë i përforcoi këto dyshime.

Nëse euro – dhe me të vërtetë edhe vetë BE-ja – duhet të mbetet njëkohësisht një institucion funksional dhe demokratik, politikëbërësit do të duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë kërkesave imponuese të delegimit të vendimeve te institucione të pazgjedhura.

Kjo nuk do të thotë se ata duhet t’i rezistojnë dorëzimit të sovranitetit te agjencitë supranacionale me çdo kusht.

Por ata duhet të kuptojnë se preferencat në politika të ekonomistëve dhe teknokratëve të tjerë rrallë herë kanë legjitimitet demokratik të mjaftueshëm.

Ata duhet të promovojnë delegime të tilla të sovranitetit vetëm kur kjo masë me të vërtetë përforcon ecurinë afatgjatë të demokracive të tyre dhe jo thjeshtë kur i shërben interesave të elitave globaliste.

Bekim për qeverinë, mallkim për bashkitë. Ç’po ndodh me burimet e naftës dhe mineraleve në vend

Politikat e centralizuara fiskale, burokracia dhe informaliteti i kanë kthyer industritë nxjerrëse të mineraleve dhe naftës në një bekim për qeverinë dhe mallkim për bashkitë – të cilat përfitojnë shumë pak nga renta për të mbuluar kostot e ndikimit në infrastrukurë dhe në mjedis

Një mbledhje rutinë e komisionit për Ekonominë dhe Financat në fund të prillit 2017, ku u diskutua projektligji për ‘Financat e vetëqeverisjes vendore”, u shoqërua me një debat të pazakontë filozofik mes deputetëve mbi pasuritë kombëtare. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në emër të shoqatës së kryetarëve të bashkive i kërkoi parlamentit rritjen e përfitimeve të qeverisjes vendore nga renta minerare nga 5% në 10 % të taksës.

“Me situatën e ndarjes së re territoriale, them a mos janë krijuar kushtet në bashkitë e mëdha si Fieri ose Bulqiza, ta çojnë kërkesën 10%,” pyeti Veliaj. “Normalisht janë pasuri që shkojnë drejt shterimit dhe ka kaq vite që vetëm shfrytëzohen, 5% është iniciativë e mirë, por është pak për këto bashki,” shtoi ai.

Kërkesa e Veliajt prodhoi reagime nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe nga kryetari i Komisionit, Erion Braçe. Ahmetaj nënvizoi se ndonëse kërkesa e bashkive ishte e drejtë, ajo ishte e pamundur të përmbushej në një situatë konsolidimi fiskal. “Ky nuk është shtet federal, ky është shtet jofederal,” deklaroi Ahmetaj, duke shtuar se qeveria i kishte dhënë mundësinë këshillave bashkiakë të rrisnin taksën e pronës për të gjeneruar të ardhura.

Në të njëjtën linjë me Ahmetajn, por më i prerë kundër propozimit, Braçe u shpreh se qeveria qendore kishte përparësi në mbledhjen e taksave mbi burimet natyrore. “Unë mendoj që pasuria kombëtare nuk është pasuri lokale. Nëqoftë se do ta mendojmë pasurinë kombëtare si pasuri lokale, kjo është histori tjetër. Në Shqipëri ka ndodhur që pasuria kombëtare të trajtohet edhe si pasuri lokale, madje edhe si pasuri personale po të doni,” tha ai.

Debati për ndarjen e rentës minerare midis qeverisë qendrore dhe asaj vendore nuk është i ri në Shqipëri. Ndërsa transparenca e industrisë nxjerrëse është një angazhim ndërkombëtar i marrë nga Shqipëria me adoptimin e standardit ‘EITI.’

Megjithatë, të dhënat e mbledhura nga BIRN nëpërmjet ligjit të së drejtës për informim tregojnë se jo e gjithë taksa që parashikon ligji u transferohet bashkive nga ministria e Financave, për shkak të burokracisë së raportimit dhe përllogaritjes së saj si dhe mungesës së transparencës dhe informalitetit në sektorin minerar.

Përfaqësuesit e bashkive me burime të mëdha minerare ankohen se ato pak fonde që u akordohen nga renta nuk mund të krahasohen me impaktin negativ që kanë në infrastrukturë dhe mjedis industritë nxjerrëse, të cilat pasi i shterojnë burimet, shpesh bëjnë pak ose aspak për të rehabilituar zonat e shfrytëzuara.

E pyetur nga BIRN mbi ankesat dhe kërkesat e bashkive si dhe mbi dështimin e një numri të madh subjektesh për të raportuar sipas standardit EITI [Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse], Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk dha informacion përtej një përmbledhjeje të ligjit dhe udhëzimit ‘Për taksat kombëtare’. ‘Përsa i përket pyetjeve të paraqitura, mendoj se i duhen drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Tatimeve,” u përgjigj Ministria.

Përllogaritja e rentës

Shqipëria ka një histori të gjatë në sektorin minerar të nxjerrjes së kromit, nikelit, bakrit dhe gurit gëlqeror. Studimet gjeologjike të kryera në vitet 1945-1995 kanë zbuluar depozita të konsiderueshme të mineralit të kromit, bakrit, hekur-nikelit, bitumit dhe minerale jo-metalore si gur gëlqeror dhe gurë dekorativë.

Sektori i dominuar më parë nga shoqëri me pronësi shtetërore u hap ndaj investimeve private në vitin 1994, pas miratimit të ligjit “Për sektorin minerar”. Në 2017, ky sektor dominohej nga 631 leje shfrytëzimi, që vepronin kryesisht në rrethin e Bulqizës (128), Krujës (43) dhe Kukësit (36), ndërsa pjesa tjetër është e shpërndarë në rrethet e tjera të vendit.

Kompanitë koncesionare paguajnë në shtet rentën minerare, që përllogaritet mbi vlerën e tatueshme të të ardhurave nga aktiviteti i nxjerrjes, në bazë të ligjit “Për taksat kombëtare” nr. 9975, datë 28 korrik 2008, i ndryshuar. Për kromin, bakrin dhe hekur-nikelin, ajo është në masën 6%, ndërsa për mineralet e tjera varion nga 4%-10%.

Renta për eksportet mblidhet nga Administrata Doganore, ndërsa ajo për shitjet vendase nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Deri në nëntor të vitit 2014, ligji ‘Për taksat kombëtare” parashikonte që 25% e rentës minerare i transferohej çdo njësie të qeverisjes vendore, në përpjesëtim me kontributin e tyre dhe në kuadër të kushteve të ligjit të buxhetit vjetor.

Në vitin 2013, ligji i buxhetit vjetor kufizoi transferimin e rentës minerare për bashkitë në 50% të transfertës së pakushtëzuar nga qeveria. Në kushte të tilla, njësitë e qeverisjes vendore mund të përfitonin, vetëm nëse pjesa e tyre e rentës minerare (llogaritur si 25% e rentës minerare gjeneruar në zonën e tyre) mund të arrijë mbi vlerën e transfertës së pakushtëzuar, llogaritur në përputhje me ligjin e buxhetit vjetor, nga nga 1% në 50% të transfertës së pakushtëzuar.

Në nëntor 2014, nëpërmjet amendimit të ligjit ‘Për taksat kombëtare,” qeveria vendosi që të paktën “5 për qind e të ardhurave nga renta minerare i takojnë pushtetit vendor ku zhvillohet veprimtaria’, duke shtuar se “të ardhurat nga renta minerare përdoren për investime për njësitë e qeverisjes vendore.”

Problemet me transferimin e rentës

Sipas udhëzimit nr.26, datë 4.9.2008 “Për taksat kombëtare”, i cili përcakton procedurat rakorduese për alokimin e rentës minerare, bashkitë duhet të kryejnë rakordimet me drejtoritë rajonale të Tatimeve dhe Doganave në fund të çdo muaji dhe të nisin këto rakordime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit në Ministrinë e Financave.

Njëkohësisht, drejtoritë rajonale të Tatimeve dhe Doganave duhet të dërgojnë brenda muajit informacion analitik për rentën e mbledhur dhe bashkitë përfituese. Mbi bazën e rakordimeve, Ministria e Financave kryen transfertat e rentës për bashkitë përfituese në muajin pasardhës.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë që taksa e rentës minerare pati një vlerë prej 5.22 miliardë lekë në vitin 2015. Për shkak të rënies se çmimit të naftës dhe mineraleve, renta u ul në 3.53 miliardë lekë në vitin 2016 dhe 3.9 miliardë lekë në vitin 2017. Në total gjatë tre viteve të fundit, qeveria gjeneroi 12.6 milardë lekë nga renta minerare dhe i tranferoi bashkive 460 milionë lekë, ose 3.6 % të vlerës totale të mbledhur nga qeveria qendrore.

Realizimi i transfertës nga ana e Ministrisë së Financave ka qenë në masën 63 % në vitin 2015, 83 % në vitin 2016 dhe 75.6 % në vitin 2017. Sipas përfaqësuesëve të njësive vendore, ky mosrealizim i transfertës së rentës vjen për shkak të burokracisë dhe mungesës së vullnetit nga ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Erion Hasani, drejtor i zyrës së taksave në bashkinë e Bulqizës thotë se pavarësisht përpjekjeve të bashkisë së Bulqizës, transferta e rentës nuk është kryer në kohë nga Ministria e Fianancave. “Ne jemi përpjekur që të jemi korrektë dhe t’i kryejmë në kohë rakordimet, ndonëse gjatë rrugës na nxjerrin problematika, ndoshta për të shmangur pagesat,” tha ai. “Problemi qëndron se ne i kemi bërë në kohë rakordimet, ndërsa prej tyre ka patur vonesa në kalimin e shumës”, shtoi Hasani.

Mirsad Hoxha, shef kabineti i bashkisë Kukës ka gjithashtu ankesa për ministrinë e Financave, duke nënvizuar se formati i përllogaritjes së rentës minerare krijon vonesa. “Kjo formë ka për të qenë gjithmonë problematike. Kjo pasi, vetëm 6 kompani janë me seli administrative dhe të regjistruara në organet tatimore në Drejtorinë Rajonale Tatimore Kukës. Pjesa tjetër janë subjekte të DRT-ve të tjera, jashtë asaj të Kukësit. Ndaj ne jemi të detyruar t’u çojmë shkresa Shkodrës apo Tiranës, sepse aty janë të regjistruara këto kompani për të bërë rakordimin. Çdo muaj, të rakordosh me subjektin, tatimet dhe doganat dhe ky rakordim të shkojë në Ministrinë e Financave do të thotë që është një procedurë që s’ka për t’u bërë kurrë brenda muajit, sepse nuk të përgjigjet askush,” shpjegoi Hoxha.

“Ne kërkojmë që kjo procedurë shumë burokratike të reduktohet. Ministria e Financave i ka të gjitha informacionet dhe e di shumë mirë që rajoni i Kukësit ka këto subjekte dhe rakordimet mund t’i bëjë vetë. Nuk ka nevojë për agjentë të tjerë për të kryer transferimin,”shtoi Hoxha.

Anila Hajnaj, përfaqësuese e shoqërisë civile në grupin ndërinstitucional (MSG) të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse, EITI, shprehet se të gjitha palët e përfshira në procesin e rakordimit të rentës minerare duhen të njohin më mirë ligjin, duke nënvizuar se njësitë e qeverisjes vendore hasin probleme me ministrinë e Financave. “Pushteti qendror është një makineri e madhe dhe e rëndë dhe për pasojë vepron me ngadalë. Por kemi të dhëna që edhe Ministria e Financave nuk i është përgjigjur kërkesave të NJQV-ve,” tha Hajnaj.

“Duhet monitoruar me kujdes në radhë të parë a njihet siç duhet ligji dhe shumë çështje të tjera si strukturat përgjegjëse për zbatim në të gjitha institucionet,” shtoi ajo.

Ardit Kamberi, kreu i Sekretariatit ALBEITI – i ngritur nga Ministria e Energjetikës për zbatimin e Nismës Për Transparencën e Industrive Nxjerrëse, shprehet se të gjitha palët duhet të bëjnë më shumë për transferimin e rentës te komunitetet vendore.

“Alokimi i rentës kërkon angazhimin e vetë NjQV-ve, të cilat duhet të rrisin nivelin e rakordimit me Drejtoritë e Tatimeve dhe Doganave. Sipas të dhënave të EITI, fondet që NJQV-të kanë marë nga renta minerare (përfshirë naftën) kanë ardhur duke u rritur,” tha Kamberi. “Një sugjerim do të ishte të shikohet potencialisht rritja e përqindje të rentës takuese për ato NJQV, të cilat relativisht janë më të varfra dhe me të ardhura më të pakta ekonomike,” shtoi ai.

Informaliteti dhe mungesa e transparencës

Standarti EITI nënkupton vendosjen e transparences së biznesit në industrinë nxjerrëse, në mënyrë që të ardhurat nga ky biznes të kontribuojnë më shumë në zhvillimin e vendit.

Raportimi i kompanive minerare pranë EITI është një detyrim që përcaktohet në ligjin “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”. Neni 36 i këtij ligji thotë se ”Në kuadër të nismës për transparencë në industrinë nxjerrëse, subjektet duhet të raportojnë në përputhje me kërkesat e përcaktuara në aktet nënligjore që hartohen sipas detyrimeve të përcaktuara në nismën për transparencë në industrinë nxjerrëse.”

I njëjti nen saktëson se ‘forma e raportit teknik, financiar apo të pagesave të taksave duhet të jetë në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare për industrinë nxjerrëse”. Ky ligj kërkon gjithashtu raportimin e flukseve të bëra nga të licencuarit që veprojnë në sektorët e naftës dhe minierave dhe palët pranuese, duke përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Administratën Doganore Shqiptare dhe institucionet publike qendrore dhe lokale që mbledhin të ardhura nga sektori.

Megjithë detyrimin ligjor, jo të gjitha subjektet e industrisë nxjerrëse raportojnë të dhënat e tyre teknike dhe financiare pranë sekretariatit EITI, ashtu siç e kërkon dhe ligji. Sipas të dhënave të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse, në 66 raste subjektet minerare kanë refuzuar të deklarojnë nivelin e prodhimit dhe pagesat me natyrë tatimore pranë sekretariatit gjatë viteve 2013-2016.

Pavarësisht se raporti i EITI-t për vitin 2017 nuk është publikuar ende, mungesë deklarimesh raporton dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, e cila i tha BIRN se nga 312 subjekte të licencuar në sektorin metalor, deklaruan online vetëm 289 subjekete.

Ndërkohë që edhe në rastet kur këto kompani kanë dorëzuar deklaratat e tyre, raportet e EITI gjatë viteve 2013 -2016 shënojnë dhe shumë raste kur të dhënat e raportuara nga kompanitë nuk përputhen me të dhënat e raportuara nga institucionet shtetërore. Një pjesë e këtyre mospërputhjeve zgjidhen nga sekretariati i EITI, ndërsa të tjerat mbeten të pazgjidhura.

Sipas të dhënave të EITI, në vitet 2013-2016 ka pasur 694 mospërputhje të pazgjidhura, të cilat arrijnë një vlerë totale të parakorduar prej 349.9 milionë lekësh.

EITI merr në shqyrtim vetëm një pjesë të subjekteve të licencuara në sektorin minerar, çka do të thotë se pjesa tjetër e kompanive nuk kalojnë në ‘lupën’ e këtij organizimi. Megjithatë, Sekretariati thekson se bazohet në disa kritere mbi bazën e të cilëve kompanitë përzgjidhen për raportim – çka në thelb e bën përfaqësues për pjesën dërrmuese të prodhimit minerar në vend.

“Përsa i përket saktësisë të informacionit të dhënë nga subjektet sqarojmë se për raportin EITI, informacioni merret edhe nga disa institucione të tjera, si: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e e Doganave, AKBN, MIE, MFE dhe NjQV; dhe në rastet kur ka mospërputhje në informacion kërkohet të sqarohen këto mospërputhje deri në një limit të pranuar nga Standarti EITI,” tha kreu i sekretariatit ALBEITI, Ardit Kamberi.

“Përgjithësisht këto mospërputhje me subjektet kanë ardhur si rezultat i moskoherencave, përshembull kur gjobat janë trajtuar si tatime, apo për pagesat në doganë, ku detyrimi parapaguhet dhe mund të ketë mbuluar dhe periudha jashtë asaj që kërkohet në raportim,” shtoi ai.

Sipas Kamberit, problemi i mosraportimit të një pjese të industrisë nxjerrëse vjen si pasojë e një ngërçi në ligjin ‘Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë.” “Ky ligj i detyron subjektet që ushtrojnë aktivitet në këta sektorë për të deklaruar sipas Standardit EITI, por nuk ka përcaktuar masat penalizuese për subjektet që nuk e zbatojnë,” shpjegoi ai.

“Në draftin e ligjit të Transparencës EITI, i cili është përgatitur dhe pritet të diskutohet dhe të miratohet zyrtarisht brenda këtij viti, janë parashikuar dhe masat për subjektet që nuk e zbatojnë atë,” shtoi Kamberi.

Anila Hajnaj, përfaqësuese e shoqërisë civile në grupin ndërinstitucional të EITI, shprehet se raportimi në Sekretariat nga kompanitë komplikohet dhe nga informacionet e ndryshme që kanë regjistruar institucionet mbikëqyrëse.

“Shpesh ka probleme me elementë që lidhen me informacionin për secilën licencë nga institucione të ndryshme si QKR, AKBN, tatimet, etj. Ka problem edhe me kompanitë për të raportuar në kohë dhe saktë,” tha ajo. ‘Duhet gjetur mënyra që të sigurohet jo vetëm raportimi, por edhe ai i sakti,” shtoi Hajnaj.

Megjithatë, sipas ekspertëve të fiskut në raport historik por edhe aktualisht, evazioni në sektorin e industrive nxjerrëse shfaqet jo shumë në formën e shmangies totale, pra të mosregjistrimit e mosdeklarimit, por në çmime të nëndeklaruara qoftë edhe në sasi të ndryshueshme të deklaruara.

“Në këto industri ka patur dhe ka evazorë dhe ka shifra besoj në administratë që flasin për gjetje të konsiderueshme, apo edhe për borxhe ndaj buxhetit, përfshirë edhe operatorë potencialë,” i tha BIRN Artur Papajani, ish-nëndrejtori i përgjithshëm të Tatimeve, aktualisht ekspert i pavarur.

“Por duhet ndarë roli i aktorëve që pak a shumë të gjithë i japin nga një dorë këtyre fenomeneve. Pra politikat fiskale të mos jenë shtrënguese, por të zbatueshme e transparente, administrimi i mbledhjes të mos jetë ciklik, por i vazhdueshëm,” tha Papajani, duke shtuar se EITI operon me intervistime direkte dhe ballafaqim me të dhënat e deklaruara zyrtarisht, çka e bën të besueshëm raportimin.

Kosto dhe përfitime

Sipas të dhënave nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, për vitin 2017 shuma totale e rentës së mbledhur kap vlerën 12.6 miliardë lekë, ndërkohë që shuma totale e transferuar njësive të qeverisë vendore arrin 147.6 milionë lekë.

Megjithatë, referuar shpërndarjes së saj sipas bashkive rezulton se pjesa dërrmuese i ka shkuar njësive administrative ku operojnë kompanitë e naftës, sikurse është Fieri, Mallakastra, Patosi apo Roskoveci. Gjatë vitit 2017, këto katër bashki kanë marrë 114 milionë lekë nga transferta e rentës ose 77% të transfertës totale nga qeveria qendrore drejt pushtetit vendor.

“Bashkia Kukës për vitin 2015 ka përfituar nga kjo taksë një shumë prej 270 mijë lekësh, për vitin 2016 na janë alokuar 18,315 lekë, ndërsa për vitin 2017 shuma është e papërfillshme,” ankohet Mirsad Hoxha, shef i kabinetit në Bashkinë Kukës, një prej njësive administrative me numrin më të lartë të kompanive minerare që operojnë në vend.

“Në këto kushte, me buxhetin në dispozicion të Bashkisë Kukës si dhe me borxhet që ka akumuluar kjo bashki ndër vite në raport me të tretët – të bëra të ditura pranë Ministrisë së Financave, ne e kemi pothuajse të pamundur ndërhyrjen në infrastrukturën e njësive administrative, e cila po shkatërrohet nga funksionimi pa kriter ndaj mjedisit dhe infrastrukturës, pronës së banorëve, duke krijuar probleme sociale mjaft të mprehta,” shtoi ai.

Bashkia e Bulqizës- zona më e pasur me mineral kromi në vend mori rreth 30 milionë lekë të ardhura nga transferta e rentës për vitin 2017, një shumë kjo e konsiderueshme në krahasim me bashkinë Kukës. Megjithatë, për kreun vendor të taksave Erion Hasani, shuma e përfituar nuk mund të krahasohet me vlerën e mineralit të nxjerrë nga nëntoka.

“Ne mendojmë që shuma, e cila është e përcaktuar me ligj duhet të jetë më e madhe se 5% sepse normalisht vlera e kromit që del nga këtu është shumë herë më e lartë me atë shumë që marrim,” tha Hasani.

“Normalisht shuma duhet të jetë më e lartë që të ketë investime edhe për pjesën e qytetit. Një buxhet më i lartë do ndikonte për investime në infrastrukturë, kanale ujitëse, etj,” shtoi Hasani.

Bashkia e Bulqizës numëron dhe numrin më të lartë të subjekteve minerare në vend me 128 kompani të regjistruara në territorin e saj në vitin 2017.

Përveç reduktimit të burokracive apo rritjes së nivelit të rentës, njësitë e qeverisjes vendore kërkojnë shtimin e kompetencave, duke nënvizuar që impakti i industrive nxjerrëse në mjedis dhe infrastrukturë është më i madh se transferta e rentës minerare.

“Në momentin kur këto subjekte licencohen, shteti u kërkon një plan biznesi dhe 10% e këtij investimi përdoret në fund për rehabilitimin e zonës. Problemin e rehabilitimit të zonës nuk mund ta kontrollojë as ministria e Financave, as ndonjë institucion tjetër qendror sepse problemet janë në terren,” shprehet Mirsad Hoxha.

“Ne kërkojmë që ky fond garancie t’i shkojë pushtetit lokal, sepse është ai që i njeh më shumë problemet e banorëve. Ne kemi çdo 2-3 ditë shkresa nga banorë të këtyre zonave, pasi kompanitë e shkatërrojnë infrastrukturën komunale, përdorin dinamit, përdorin mjete të tonazhit të rëndë, ndotin ambientin, ujërat dhe banorët kanë të drejtë,” shtoi ai.

Hoxha nënvizon se edhe masat administrative që merren ndaj subjekteve i shkojnë gjithashtu qeverisë qendrore, një hendek ligjor që i jep pak mjete bashkive për të kontrolluar aktivitetin e industrisë nxjerrëse.

“Masat administraive këto subjekte nuk i marrin prej nesh, por nga autoritetet qendore dhe këto gjoba nuk shkojnë në buxhetet e pushtetit lokal, por në buxhetin e qeverisë qendrore. Ne kërkojmë që të lihet akses me ligj që strukturat përkatëse të bashkive t’i kontrollojnë dhe të marrin masa penalizuese kundrejt tyre,” tha ai.

Ish- nëndrejtori i Tatimeve, Papajani bie dakord me Hoxhën, duke theksuar se mekanizmi i administrimit të rentës minerare duhet të mbështetet në dy principe themelore; ‘rritja e efikasitetit të mbledhjes së të ardhurave dhe drejtësia dhe sinqeriteti në rishpërndarjen e këtyre të ardhurave, në dobi edhe të popullsisë së zonave ku përftohen këto të ardhura.’

“Ato kryesisht të destinohen për investime të qeverive vendore, por edhe të jenë lehtësisht të kontrollueshme, pra mbi të gjitha transparente. Në ligjin fiskal të taksave kombëtare në Shqipëri është pranuar që zonat dhe rajonet gjeografike të atyre industrive që “prodhojnë” rentë, të kenë një burim shtesë të ardhurash në kuptim të administrimit të pushtetit vendor,” tha ai.

“Por ky është vetëm parimi, pasi në praktikë ka patur dhe ka këndvështrime të ndryshme. Për administrimin në tërësi të rentës minerare është e domosdoshme që politikat fiskale të jenë të harmoni me politikat zhvillimore të nivelit teknik, plus edhe konjukturat e tregut te brendshëm e atij ndërkombëtar,” përfundoi Papajani.