Borxhet nuk mund të falen pa aprovimin e Kuvendit, kërkohen hetime

Institutit GAP, Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) dhe Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) kanë reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për faljen e rreth 70 milionë eurove borxhe të ambalazhuesve të ujit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar atë të kundërligjshëm dhe të dëmshëm për buxhetin e vendit

Në reagimin e përbashkët të tyre thuhet:

Me 3 tetor 2017, Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim për faljen e borxheve për detyrimet që kanë ambalazhuesit e ujit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës që nga viti 2008. Duke u bazuar në argumentet e cekura më poshtë, GSJP, INDEP dhe Instituti GAP kundërshtojnë këtë vendim duke e cilësuar si të kundërligjshëm, të padrejtë dhe i cili dëmton qëndrueshmërinë e sektorit të ujërave dhe buxhetin e Kosovës.

· Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për ujërat e Kosovës, burimet ujore janë pasuri me interes të përgjithshëm dhe pronë e Republikës së Kosovës. Vendimi për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit është në kundërshtim me përcaktimin e pronësisë së burimeve ujore të Republikës së Kosovës, sepse nga ky vendim ka përfituar një grup shumë i vogël nga kjo pasuri shtetërore.

· Falja e borxheve për shfrytëzuesit e ujit gjithashtu është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet dhe legjislacionin në fuqi. Sipas nenit 6.1 të Ligjit për ujërat e Kosovës, “shfrytëzuesi i ujit, do t’i paguajë të gjitha shpenzimet të cilat dalin nga ofrimi i shërbimeve në të cilat do të jenë të përfshira edhe shpenzimet e resurseve ujore për shfrytëzim”. Kësisoj, falja e borxheve nuk mund të bëhet me vendim ekzekutiv të qeverisë, pa marr aprovimin e kuvendit. Shembull për këtë është edhe Ligji për faljen e borxheve publike, i cili u aprovua në Kuvendin e Kosovës.

· Përveç këtij neni, është shkelur parimi i përfshirjes në diskutim të palëve të interesit nga po i njëjti ligj. Sipas këtij parimi “organet kompetente janë të detyruara që të sigurojnë, që në procedurën për miratimin e dispozitave, dokumenteve strategjike, plan – programeve dhe vendimeve të marrin parasysh interesat e palëve të interesuara”.

· Në procesin e marrjes së këtij vendimi ka pasur mungesë të plotë të transparencës dhe qartazi janë përjashtuar akterë tejet të rëndësishëm në këtë proces siç janë: Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, shoqëria civile, etj. Ky vendim gjithashtu paraqet ndërhyrje të qeverisë në kompetencat e gjyqësorit, kjo për arsye se mediat kanë raportuar se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka shtruar padi ndaj disa prej borxhlinjve të lartcekur.

· Përveç se i kundërligjshëm, vendimi për faljen e borxheve cenon edhe qëndrueshmërinë e sektorit të ujërave. Në bazë të Ligjit për ujërat e Kosovës mjetet financiare për administrimin, menaxhimin dhe zhvillimin e ujërave sigurohen pikërisht nga pagesat si ato të ambalazhuesve të ujit dhe të shfrytëzuesve tjerë. Sa për ilustrim, borxhi i falur është në vlerë prej rreth 51 milionë euro, ndërsa buxheti për investime kapitale i MMPH-së për vitin 2017 është rreth 46 milionë euro. Rritja e buxhetit për këtë sektor do të ndihmonte që të ndërmerren masat e nevojshme që menaxhimi i ujërave në Kosovë të përmirësohet.

· Falja e borxheve në mënyrë arbitrare dërgon mesazh negativ tek sektori privat dhe dëmton të hyrat buxhetore të buxhetit të Republikës së Kosovës. Duke u bazuar në këtë vendim ad-hoc, shumë biznese do të hezitojnë t’i paguajnë detyrimet e tyre ndaj shtetit të Kosovës dhe kështu borxhet e tyre do të grumbullohen dhe bëhen të papërballueshme. Në anën tjetër, institucionet publike do të kenë në vazhdimësi mungesë të të hyrave buxhetore.

Duke marrë parasysh të gjitha këto argumente, Instituti GAP, INDEP dhe GSJP kërkojnë që vendimi për faljen e borxheve ndaj ambalazhuesve të ujit të revokohet. Në mënyrë që të balancohen kërkesat dhe nevojat, si të sektorit të ujërave ashtu edhe të prodhuesve të ujit, i njëjti vendim duhet të hidhet në diskutim publik me të gjithë akterët relevantë, si dhe një vendim eventual duhet të marr aprovimin e Kuvendit të Kosovës, si institucioni më i lartë shtetëror i cili autorizon grumbullimin e të hyrave dhe ndarjen e shpenzimeve buxhetore.

Njëkohësisht, INDEP, GSJP dhe Instituti GAP i bëjnë thirrje Prokurorisë së Kosovës të fillojë hetimin e personave dhe zyrtarëve të përfshirë në këtë vendim të jashtëligjshëm dhe motivet financiare të këtij vendimi.

FMN: Kosova me rritje ekonomike prej 3,5 për qind

Kosova këtë vit do të ketë rritje ekonomike prej 3.5 për qind, sipas raportit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për perspektivën ekonomike botërore

Nga shtetet evropiane, rritjen më të vogël ekonomike do ta ketë Bosnja e Hercegovina me 2,3 për qind, Maqedonia me 2,5, Kroacia me 2,9 dhe Serbia me 3, raporton AP.

Mali i Zi, sipas raportit të FMN-së, do të ketë rritje ekonomike prej 3 për qind, Bullgaria 3,6, Hungaria 3,2, Rumania 5,5 dhe Shqipëria 3,7, transmeton Koha.net.

Në këtë grup të shteteve, FMN e ka përfshirë edhe Poloninë e cila do të duhej të kishte rritje ekonomike prej 3,8 për qind dhe Turqia me 5,1 për qind.

Për vitin e ardhshëm, FMN parasheh që Kosova të ketë rritje të njëjtë ekonomike, bashkë me Turqinë, prej 3,5 për qind.

Edhe Shqipëria pritet të ketë rritje të njëjtë ekonomike, prej 3,7 për qind për vitin e ardhshëm, ndërsa Serbia parashihet të ketë rritje prej 3,5 për qind. Rritje më të madhe se Serbia do të ketë, veç Shqipërisë, edhe Rumania me 4,4 për qind.

Pse ekziston lufta valutore

Lufta valutore është vazhdimi i proteksionizmit me mjete të tjera. Vendi që ul koeficentin e këmbimit, çmimin e valutës së tij në raport me të tjerat, fiton një avantazh konkurrues të përkohshëm sepse redukton sa hap e mbyll sytë çmimet e prodhimeve të tij dhe ngre atë të vendeve importuese. Është sikur këtyre të fundit t’u vendoset një taksë doganore transversale dhe jodiskriminuese

Karakteristika e një lufte valutore, si në proteksionizmin e vjetër, është hakmarrja. Vendet e prekura reagojnë me kundërzhvlerësime dhe lufta e të gjithë kundër të gjithëve përfundon në një lojë me shumatore zero. Termi “luftë valutore” është përdorur për herë të parë në 2010 nga Guido Mantega, Ministri i Financave të Brazilit që ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se e zhlerësojnë dollarin nëpërmjet një politike monetare ekspansioniste dhe eksportojnë inflacion në vendet emergjente. Jens Weidmann, Guvernatori i Bundesbank, ka kritikuar kohët e fundit eskalimin e “politizimit” të koeficentëve të këmbimit me vendimin e para pak kohëve të Japonisë për të zhvlerësuar jenin. Kryeministri Shinzo Abe e ka nisur ofensivën e tij me këtë deklaratë: “Manovrat e vendeve, në vend të parë Shtetet e Bashkuara, për ta zhvlerësuar këmbimin do ta forcojnë pashmangshmërisht jenin. Për ne është jetike që ta kundërshtojmë këtë politikë”. Praktivisht, nga viti 2008 e këtej bankat qendrore kryesore kanë pompuar në sistem 10 trilion dollarë (për ta bërë të kuptueshme këtë shifër absurde, boll të mendohet se është e barabartë me PPB-në e Kinës dhe të Italisë) me efektin e rritjes së tensionit në tregun e këmbimeve.

Luftërat valutore nuk janë risi në histori: zhvlerësimi monetar është rruga e shkurtër për ta rritur kuotën e eksportit ndaj PPB-së dhe akumuluar rezerva në valuta të huaja për të paguar borxhet. Por lufta aktuale paraqet disa karakteristika të reja. Ai që zbulon më pak të natyrshmen ka qenë, në mënyrë jo të vetëdijshme, pikërisht Shinzo Abe: “Një këmbim prej 90 jenësh ndaj dollarit (ishte 84.26), ka pohuar, do t’i ndihmonte eksportuesit japonezë. Nëse dollari është mbi 85, atëhere bizneset që deri më tani nuk kanë paguar taksat [pasi duke mos qenë konkurruese nuk nxjerrin fitime, shënimi im], tani do t’i paguanin taksat”. Përkthimi: për një qeveri super të debituar, një sektor eksportimi i lulëzuar përfaqëson burim të ardhurash të taksueshëm. Pasi politikat monetare dhe fiskale deri më tani nuk kanë pasur efekte, nuk mbetet veç të përdorin politikë të këmbimit në funksion grabitqar brenda dhe jashtë. Zhvlerësimi kompetitiv është bërë një teknikë për të siguruar të ardhurën e vendeve importuese dhe shkarkuar mbi shpatullat e tyre shërbimin e borxheve në rritje. Veç kësaj, pasi me zhvlerësimin shkaktohet inflacion, zhduket deflacioni dhe reduktohet vlera e borxhit të brendshëm.

Në realitetin e kësaj lufte të ftohtë, nuk është gjë tjetër përveçse një mjet për të shmangur zbatimin e masave jopopullore të rreptësisë financiare, si për shembull shkurtimet e shpenzimeve publike. Dinamika e luftës valutore dhe pasojat e saj mund të kuptohen vetëm duke zbritur në shkakun fillestar të tyre: deficitin këmbëngulës të bilancit tregtar amerikan.

Trilemë

Gjatë periudhës së Bretton woods (1944 deri në 1971) të bazuar mbi gold exchange standard (valuta të konvertueshme në dollarë dhe dollarë të konvertueshëm në ar), zhvlerësimet qenë sporadike pasi bota gëzonte një zhvillim ekonomik të caktuar dhe sistemi i arit, megjithëse i manipuluar, e kufizonte inflacionin monetar që i paraprin zhvlerësimit. Kur në vitin 1971 Shtetet e Bashkuara e shpallën dollarin jo të konvertueshëm duke imponuar dollar standard, filloi era e deficitit të dyfishtë amerikan, atij të bilancit dhe atij tregtar. Deri në atë kohë Shtetet e Bashkuara kishin qenë kreditori dhe eksportuesi më i madh, por situata u përmbys. Pasi ekonomia botërore zgjerohej dhe pagesat ndërkombëtare kryheshin me dollarë, i të cilëve Amerika ishte emetuesi i vetëm, mënyra e vetme me të cilën pjesa tjetër e botës mund t’i siguronte ato ishte eksportimi drejt saj, duke ruajtur një suficit tregtar ndaj saj.

Nga ana tjetër, për të bërë të disponueshëm dollarët, domethënë për të garantuar likuiditetin ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara duhej të eksportonin dollarë drejt pjesës tjetër të botës dhe kjo ishte e mundshme me një deficit tregtar permanent. Privilegji i emetimit të valutës globale u mundësoi Shteteve të Bashkuara që të financonin hendekun tregëtar thjesht duke prerë valutën, krejt kundër nga pjesa tjetër e botës që, për të importuar, duhej të eksportonte. Qe kështu që Shtetet e Bashkuara u bënë importuesi dhe debitori më i madh, ndërsa pjesa tjetër e botës eksportuesi dhe kreditori neto, duke akumuluar një tepri rezervash në dollarë.

Qysh nga fillimet e viteve ‘60 ekonomisti belg Robert Triffin kishte paralajmëruar kontradiktat implicite në përdorimin e një valute unike rezervë duke formuluar trilemën e famshme. Sipas Triffin, për një vend të pajisur me valutë rezervë ishte e pamundur të plotësoheshin njëkohësisht tri objektiva: sigurimi i likuiditetit botëror, pasja e deficiti tregtar permanent dhe ruajtja e stabilitetit valutor. Në terma më teknikë, trilema është e pamundësi për të kombinuar bashkë një politikë monetare të pavarur, një lëvizje të lirë të kapitaleve dhe një këmbim të qëndrueshëm. Mund të zgjidhen vetëm dy opsione, duke përjashtuar të tretën, e papajtueshme me të tjerat. Në fakt, Shtetet e Bashkuara kanë adoptuar dy të parat, duke hequr dorë nga a e treta, stabiliteti i dollarit. Por trilema vlen për të gjithë.

Për shembull, fiksimi i barazisë së koeficientit të këmbimit, që është (PEG), që është instrument politike monetare, nuk është i pajtueshëm me lirinë e lëvizjes së kapitaleve. Është rasti i Kinës, që për të ruajtur barazinë me dollarin duhet të imponojë në brendësi të saj një kontroll të kapitaleve. Nëqoftëse nuk do të bënte flukse dhe deflukse financiare, do të destabilizonte barazinë. Për pasojë, mund të ketë qarkullim të lirë kapitalesh dhe politikë monetare autonome bashkë, ama duke hequr dorë nga kontrolli i këmbimit, i cili duhet të fluktuojë lirisht. Është rasti i stërlinës angleze. Së fundi, nëse vendoset për qarkullimin e lirë të kapitaleve dhe këmbimin e qëndrueshme, duhet hequr dorë nga një politikë monetare autonome. Është edhe rasti i vendeve të eurozonës, por është bërë edhe rasti i Zvicrës. Pasi nga 2008 në 2011 franga zvicerane ishte rivlerësuar ndjeshëm ndaj euros, duke e vënë në rrezik kompetitivitetin zviceran, Swiss National Bank i është dashur që të impenjohet në shitjen e frangave kundër eurove për të penguar rivlerësimin e frangës. Me fjalë të tjera, është sikur Zvicra të kishte adoptuar euron, duke hequr dorë, në konformitet me trilemën, nga një politikë monetare e pavarur.

Deficiti konstant tregtar amerikan që detyron pjesën tjetër të votës që të akumulojë rezerva në dollarë e tërheq për poshtë platformën valutore botërore. Pjesa tjetër e botës duhet të përshtatet me zbritjen, duke i zhvlerësuar valutat (ose duke ju penguar vlerësimin) nëpërmjet zgjerimit të bazës monetare. Shkalla e zhvlerësimit të një valute ndaj një tjetre varet nga shpejtësia e krijimit monetar në vendet respektive, si trilema të implikojë një këmbim fluktuant, ashtu edhe një barazi fikse. Për shembull, për të zhvlerësuar stërlinën, është e mjaftueshme që Banka e Anglisë të rrisë ofertën dhe të lërë të fluktuojë këmbimin, që duke u zhvlerësuar nda valutave të tjera, do të mundësojë që të shiten më shumë produkte angleze. Anasjelltas, për t’i bërë produkte zvicerane më shumë joshëse sesa ato europiane është e nevojshme që të fiksohet këmbimi me euron dhe të rritet qarkullimi i frangave me qëllim që më pak euro të blejnë më shumë franga.

Kur Kina rrit eksportet drejt Shteteve të Bashkuara, dollarët që merr do ta rivlerësonin juanin, duke e destabilizuar barazinë me dollarin sikur Banka Qendrore Kineze të mos ndërhynte, duke prodhuar juanë pë të blerë teprinë e dollarëve. Përmbledhtazi, kur një vend hap rubinetin e valutës së vet, pjesa tjetër e botës duhet të bëjë të njëjtën gjë, por kjo nënkupton edhe të rritet inflacioni botëror, duke krijuar flluska financiare dhe dizekuilibra tregëtarë (global imbalances). Por ka edhe tjetër. Pjesa më e madhe e rezervave në dollarë nuk mbesin të vdekura në arkat e vendeve eksportuese, por kthehen në Shtetet e Bashkuara për t’u investuar sidomos në bono thesari. Prandaj pjesa tjetër e botës duhet ta financojë borxhin e tyre. Sikur të mos ndodhte kjo, dollari do të binte pikiatë dhe rezervat e bankave qëndrore do të zëroheshin me humbje të jashtëzakonshme. Paradoksalisht, ndërsa të gjithë janë të interesuar statukuoja ndaj dollarit, nxitojnë që ta zhvlerësojnë. Trilema me të cilën çdo vend konformohet krijon në sistemin monetar një rreth vicioz dhe një paqëndrueshmëri eksplozive që e bën çdo investim sporadik dhe të ardhmen gjithnjë e më të paqartë.

Fitimtarë dhe të mundur

Ajo që ka kaluar pa u vënë re është shpronësimi i madh i resurseve që u shkakton vendeve eksportuese një valutë jo e qëndrueshme rezervë. Për një kohë të gjatë, pjesa tjetër e botës nuk e ka kuptuar faktin që suficiti që akumulohej ishte proporcional me humbjet që pësonte, pasi arsyet e saj të këmbimit përkeqësoheshin në favor të dollarit. Jo vetëm financonte borxhin amerikan, por ulte vlerën e kreditit të saj ndaj Shteteve të Bashkuara. Japonia ka qenë viktima më e goditur nga ky fenomen. Bartëse e rezervave më të mëdha në dollarë për pothuajse një 30 vjeçar, domethënë midis viteve 1974 e 2000, ka injoruar që mbi 2/3 e vlerës së tyre të shkonte kot prej reduktimit korrespondues të vlerës së dollarit.

Fatkeqësisht, Tokio ndoqi qorrazi kurën e mjekëve keynesianë amerikanë të Thesarit dhe të Federal Reserve, që e bindën pacientin se rezervat valutore nuk qenë të nevojshme për të paguar borxhet, nga momenti që mund të bëhej duke ju drejtuar deficitit të bilancit!!! Borxhi i madh që Japonia ka akumuluar gjatë kësaj periudhe dhe shkatërrimi i saj shpjegohen vetëm në këtë mënyrë. Sot vendimi për të zhvlerësuar jenin që sjell një stimul (1.2 trilion në bono) baraz me dyfishin e atij amerikan, për një ekonomi që vlen sa 1/3 është ekuivalent me vrasjen e pacientit. Dora dorës që jeni do të zhvlerësohet, investitorët do ta heqin qafe borxhin japonez për të blerë atë të Shteteve të Bashkuara dhe të Europës duke ua forcuar valutat, duke intensifikuar me këtë luftën valutore. Në fakt, me një papunësi në nivele rekord, sigurisht që eurozona nuk do të qëndrojë duarkryq, pasi një euro e fortë do t’i thante të ardhurat nga eksportet, burimi i vetëm i zhvillimit i mbetur.

Sot bartësi më i madh i rezervave në dollarë (3 trilion) është Kina dhe e di mirë sesa i paqëndrueshëm është pozicioni i saj. Por pasi është bërë platforma produktive amerikane dhe një nyje industriale që prodhon mbi 20% të prodhimit botëror, ka krijuar premisat për ta kandiduar juan/renminbin si valutë rezervë të konvertueshme. Duke parashikuar krizën valutore, po i diversifikon rezervat e saj, sidomos në ar, i të cilit është bërë edhe prodhuesi më i madh botëror dhe përdorimi i të cilit inkurajohet në vend. Në fund, mund të jetë pikërisht metali i verdhë fituesi i vetëm i kësaj lufte absurde.

Është domethënës fakti që rezervat botërore të dollarit nga një pik prej 71.5 përqindësh në 2001 kanë zbritur në 62 përqind në 2012. Kjo do të thotë se po bota po shkon drejt një sistemi rezervash të shumëfishta në konkurrencë midis tyre. Dollari kanadez dhe australian janë klasifikuar tashmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si valuta rezervë. Por cilido qoftë rendi i ri botëror monetar, do të jetë Kina ajo që do të diktojë kushtet. Marrëveshjet e fundit e shkëmbimeve tregtare të saj me Arabinë Saudite dhe vendet e tjera arabe për disa miliarda juan dhe fakti që midis vendeve të BRICS-it transaksionet nuk bëhen më në dollarë, janë simptomatikë të dekadencës së kartëmonedhës së gjelbër që mund të katandiset në valutë të thjesht lokale.

Me pasojën që, nëse Londra ka qenë kryeqyteti financiar i shekullit të XIX-të dhe New York i shekullit të XX-të, Shanghai mund të bëhet ai i shekullit të XXI-të. Por një evolucion i tillë, nëse do të ndodhë, do të duhet kalojë një turbulencë të paparë ndonjëherë në historinë botërore. Lufta aktuale valutore nuk është një rrugëdalje nga kriza pas asnjeri. Është ekuivalent me një reaksion bërthamor të pakontrolluar e të pandalshëm që do ta bëjë botën gjithnjë e më shumë jomikpritëse për kë dëshiron të prodhojë, kursejë duke krijuar pasuri e punë. Në fund sistemi monetar do të shpërthejë sepse pa valuta të qëndrueshme dhe të besueshme ekonomia botërore nuk mund të funksionojë. Gjithsesi, pjesa më e madhe e qeverive vazhdon ta injorojë realitetin. Ama nuk mund t’i injorojë pasojat.

(nga Geopoliticus)

“Kosova A” do të fiket kur të ndizet “Kosova e Re”

Qeveria e Kosovës është përcaktuar që ta mbajë gjallë edhe për disa vite njërin prej ndotësve më të mëdhenj në vend, termocentralin “Kosova A”

Qeveria e Kosovës është përcaktuar që ta mbajë gjallë edhe për disa vite njërin prej ndotësve më të mëdhenj në vend, termocentralin “Kosova A”. Ajo nuk do të fiket pa u ngritur e aktivizuar termocentrali “Kosova e Re”, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo politikë është vendosur në Strategjinë për energjinë, e cila i referohet periudhës 2017-2026. Dokumenti është miratuar në fund të javës së shkuar dhe përcakton objektivat themelore të Ekzekutivit për zhvillimin e sektorit të energjisë.

Janë listuar disa objektiva, e para nga të cilat është sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësor me energji dhe me kapacitete të nevojshme për një sistem stabil energjetik. E, arritja e këtij objektivi është e bazuar në 14 masa.

BE jep 3.3 miliardë euro për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor

Bashkimi Europian do të ndajë 3.3 miliardë euro për zhvillimin e zonës ekonomike rajonale në Ballkanin Perëndimor. Gjatë një takimi me përfaqësuesit e biznesit, drejtori i përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Christian Danielsson, tha se zhvillimi i kësaj zone do të rrisë vendet e punës

Danielsson, u shpreh se zhvillimi i kësaj zone do të rrisë numrin e vendeve të punës, si dhe do shtojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. “Ju jeni vërtet të rëndësishëm në zhvillimin e kësaj zone dhe për këtë arsye dhe pikëpamjet tuaja janë shumë të rëndësishme. Dëshiroj të them dy fjalë për këtë ide.Tre muaj që nga Samiti i Triestes të gjithë udhëheqësit arritën në një vizion vërtet guximtar në mënyrë që të krijohet një zonë rajonale ekonomike e cila do të bazohet në katër shtylla”, Danielsson.

Ambasadorja e BE-së,në Tiranë Romana Vlahutin, tha se ky projekt do do të gjenerojë më shumë mirëqenie për Shqipërinë dhe ftoi biznesin të bëhet pjesë me anë të rekomandimeve për ta bërë rajonin më tërheqës për investime.

“Ekonomia është shumë e rëndësishme dhe natyrisht kjo për të gjitha vendet e rajonit dhe ne po përpiqemi që të gjejmë mënyrat nga më të ndryshme dhe modalitete nga më të ndryshme që gjithë rajoni të jetë gjithnjë e më tërheqës për investime të ndryshme”, Vlahutin.

E pranishme në takim ishte edhe Milena Harito, koordinatore kombëtare për zonën e lirë ekonomike. Ky takim u zhvillua 3 muaj pas Samitit të Triestes, për zhvillimin e rajonit të Ballkanit, përmes 4 shtyllave kryesore: tregtisë, investimeve, lëvizshmërisë dhe agjendës dixhitale.

Drejtori i përgjithshëm për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerimin pranë Komisionit Evropian, Christian Danielsson, viziton sot parkun arkeologjik të Apollonisë, së bashku me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe kryetarin e Bashkisë, Armando Subashi.

Grupi i ndërtesave të manastirit brenda këtij parku, si dhe monumente të tjera te tij u restauruan së fundmi falë fondeve të Bashkimit Evropian, në një investim për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe nxjerrjen në pah të trashëgimisë së përbashkët kulturore dhe historike evropiane.

Hulumtimi i AKB-së: Mesatarisht 12 mijë veta punësohen çdo vit në Kosovë

Aleanca Kosovare e Bizneseve publikoi hulumtimin “Nevojat e Tregut të Punës” ku pasqyrohen të gjeturat e trendit të ndërmarrësisë vendore dhe të huaja 2000-2016, trendi i punësimit 2006-2016, trendi i remitancave 2008-2016, trendi i investimeve të huaja 2008-2016 e gjetje tjera

Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se informatat në tregun e punës janë resursi më i rëndësishëm, kështu që hulumtimi i tregut të punës apo studime të kësaj natyre do të ndihmojnë të gjithë aktorët e tregut të punës, sidomos marrësit e vendimeve apo politik-bërësit.

Sipas tij, hartimi i politikave të punësimit, arsimit dhe aftësimit profesional në tregun e punës pa informata apo të dhëna cilësore dhe pa një studim të mirëfilltë shkencor të tregut të punës, asnjëherë nuk do të arrihen rezultatet e pritura.

“AKB-ja, në vazhdimësi sikurse viteve tjera edhe gjatë këtij viti është duke realizuar hulumtimin e nevojave në tregun e punës. Ky hulumtim është duke u mbështetur nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Synimi kryesor i këtij hulumtimi ishte identifikimi i nevojave në tregun e punës”, thuhet në komunikatën e AKB-së.

Hulumtimi është zhvilluar në gjithë territorin e Kosovës ku janë anketuar 1 mijë e 200 biznese apo 10 për qind e mostrës së përzgjedhur.

Gjetjet tregojnë se numri i përgjithshëm i të punësuarve nga vitit 2006 deri në fund të vitit 2016 ka arritur shifrën prej 317 mijë e 188 persona që i bie se mesatarisht 12 mijë persona punësohen në çdo vit.

“Sa i përket regjistrimit dhe mbylljes së bizneseve nga viti 2000 deri më 2016, mesatarisht çdo vit hapen më shumë se 8 mijë biznese të reja, ku vetëm më 2016 janë regjistruar më shumë se 10 mijë biznese të reja. Ndërsa mbyllja e bizneseve vendëse po ashtu ka rritje, ku vetëm më 2016 ka arritur shifrat prej 2 mijë e 328 ndërmarrje të mbyllura. Krahasauar me vitin 2015 është shënuar rritje prej 8.14 për qind”, thuhet në hulumtimin e AKB-së.

Pra, 4 mijë e 400 biznese janë mbyllur për dy vjet.

Sipas këtij hulumtimi, del se rritja e regjistrimit të bizneseve të huaja në Kosovë ka një trend pozitiv. “Vetëm në vitin 2016 janë regjistruar 674 biznese të huaja, kraharuar me vitin 2015 ka një rritje për 41.9 për qind. Ndërsa mbyllja e bizneseve të huaja në proporcion me regjistrimin paraqet shifra të ulëta. Realisht një rritje më e theksuar ishte në vitin 2016, ku janë mbyllur rreth 50 biznese të huaja, në krahasim me vitin paraprak ka rritje të mbylljes së për 16.3 për qind”, thuhet në hulumtim.

Shkaqet kryesore të mbylljes së bizneseve, sipas AKB-së, janë kryesisht politikat fiskale jo adekuate me 15 për qind, mungesa e subvencioneve nga donatorët me 12 për qind, normat e larta të interesit bankar me 11 për qind, energjia e shtrenjtë me 10 për qind si dhe informaliteti dhe konkurrenca jo fer me 9 për qind.

Agim Shahini tha se trendi i remitencave më 2016 ka arritur në 691 milionë euro apo krahasuar me një vit më herët është për 3.5 për qind më shumë. Sipas tij, gjatë pesë viteve të fundit shihet se mesatarisht hynë rreth 620 milionë euro në baza vjetore.

Sa i përket investimeve të huaja direkte nga viti 2008-2016, shihet se më 2015 ka një tregues mjaft pozitiv e cila krahasuar me vitin paraprak ka shënuar rritje për më shumë se 103 për qind, duke mbërritur shifrën në 308.8 milionë euro, por përsëri me një rënie të lehtë në vitin 2016 duke rënë në 215.9 milionë euro apo për 30 për qind. Pra mbi 92 milionë euro janë investimet të huaja në Kosovë më pak në vitin 2016.

Shahini tha se investimet e huaja direkte në Kosovë 2008-2016 sipas sektorëve prijnë me 60 për qind në patundshmëri.

Lumnije Ajdini, menaxhere e AKB-së, tregoi të gjeturat e hulumtimit, ku tregu i punës përballet me mjaft sfida.

“Në njërën anë, numri i vendeve të lira të punës vazhdon të rritet, me këtë rritje po shfaqen problemet ku shumë biznese në vazhdimësi ankohen për një ofertë jo adekuate, jo profesionale dhe me shkathtësi e kompetenca të dobëta të fuqisë punëtore. Vendet e lira të punës kryesisht shkojnë përmes shpalljeve të ndryshme, mirëpo pastaj ato regjistrohen një pjesë nga Shërbimi Publik i Punësimit si dhe institucionet jopublike të punësimit (sektori privat i ndërmjetësimit në punësim) të cilat synojnë të ndërmjetësojnë kërkesën me ofertën e punës, duke shërbyer në të njëjtën kohë te papunësuarit dhe punëdhënësit”, ka thënë Ajdini.

Numri i të punësuarve kryesisht është i koncentruar në sektorin e tregtisë me më shumë se 30% dhe në sektorin e prodhimtarisë afërsisht me 13%. Këta dy sektorë absorbojnë më shumë se 40% e të gjithë të punësuarve.

Ajo tregoi edhe për mënyrat e punësimit të stafit, ku tha se kryesisht mënyra më e shpeshtë në plotësimin e vendeve të lira të punës mbetet përmes shpalljeve me 42 për qind dhe si mënyrë e dytë është përmes të afërmve ose miqve me 33.7 për qind, ndërsa përmes shërbimeve publike të punësimit me vetëm 14.7 për qind.

“Problem kryesor tek shumica e bizneseve të intervistuara është mungesa e stafit profesionistë për vende pune, gjegjësisht stafit i mungojnë shkathtësitë bazike profesionale dhe më shumë pak kompetenca. Numri më i madh i vendeve të lira të punës që janë gjetur gjatë hulumtimit vjen nga sektori i ndërtimtarisë me 19.9 për qind. E vende të lira të punës i referohen më së shumti profesionit të rrobaqepësisë me vende të gjetura me 15 për qind, pastaj asisten të shitjes në dyqane me 12 për qind, mandej punëtorët për ruajtjen e frutave dhe perimeve e të ngjashme me 7 për qind”, shtoi ajo.

Sipas saj, një problem mbetet edukimi dhe trajnimi, ku shkathtësitë profesionale të të punësuarave kanë një rëndësi të veçantë jo vetëm për ndërmarrjen apo organizatën punuese, por edhe për vetë të punësuarin. Ndryshimet tekniko teknologjike dhe modernizimi i shumë vendeve të punës në shumicën prej sektorëve ka bërë që kjo kërkesë për trajnime shtesë të rritet. Duke ditur se 1200 ndërmarrje kanë qenë pjese e hulumtimit kanë treguar se më shumë se 22% e të punësuarve kanë ndjekur një trajnim profesional për shkathtësi të reja. Kryesisht trajnimet janë përkrahur nga vetë ndërmarrjet. Ndërsa mungesa e shkathtësive profesionale vjen si rezultat, duke ditur se shumica e shkollave profesionale nuk ofrojnë kushte adekuate.

Skender Reçica, ministër i Punës e Mirëqenies Sociale, e vlerësoi shumë të rëndësishëm hulumtimin, ku të gjeturat e tij do të inkorporohen në hartimin e politikave dhe punë

Drin Haraqija, drejtor i Agjencionit të Punësimit, vlerësoi lart hulumtimin që sipas tij do të ndikojë në përmirësimin e punës së tyre në të ardhmen dhe që të gjeturat ua lehtësojnë punën.

Bashkim Shala, zëvendësdrejtor i Administratës Tatimore, tha se të gjeturat e këtij hulumtimi do të ndihmojnë shumë në punën e tyre.

Alush Sejdiu, nënkryetar i Bashkimit të Sindikatave, vlerësoi lart hulumtimin dhe që sipas tij në mesin e shumë problemeve është mos harmonizimi i institucioneve sidomos tek fusha e vendeve të punës, ku ka mungesë profesionistësh nga disa fusha. Sipas tij, problem mbetet edhe mos informimi i punonjësve dhe mungesa e sindikatave në sektorin privat.

Rreth 400 milionë euro borxhe të falura

Nga borxhi prej 730 milionë euro ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, personat fizikë dhe juridikë, kanë shlyer rreth 400 milionë euro, bëjnë të ditur përfaqësuesit e Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës

Për faljen e borxheve, Qeveria e Kosovës pati marrë vendim në muajin shkurt të vitit 2015, kurse në muajin shtator të po atij viti, kishte miratuar edhe Ligjin për faljen e borxheve publike.

Afati për shlyerjen e borxheve është mbyllur në shtator të këtij viti. Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini tha për Radion Evropa e Lirë se i gjithë procesi i faljes së borxheve ka rrjedhur mirë dhe tani janë në përmbyllje të raporteve finale.

“Bazuar në të dhënat e raportuara nga institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike gjatë procesit të faljes së borxheve, janë falur afërsisht 400 milionë euro. Jemi duke pritur raportet e fundit nga institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike. Pas pranimit të tyre do të hartohet një raport përmbledhës me të dhëna të detajuara për të gjitha institucionet bazuar në raportimet e tyre”, thotë Shahini.

Borxhet më të mëdha të cilat janë falur, shton ai, kanë qenë ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, Administratës Tatimore dhe ndërmarrjeve publike.

“Nga falja e borxheve më së shumti kanë përfituar subjektet/bizneset të cilat kanë pasur detyrime ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, qytetarët të cilët kanë pasur detyrime ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, pastaj qytetarët – tatimpaguesit të cilët kanë pasur detyrime ndaj komunave për tatimin në pronë dhe ata (qytetarë) të cilët kanë pasur detyrime ndaj ndërmarrjeve publike, kryesisht ndaj atyre të cilat operojnë në komunat – qytetet me të mëdha të Kosovës”, thotë Shahini.

Falja e borxheve publike për personat juridikë dhe fizikë në Kosovë, të akumuluara deri më datën 31 dhjetor 2008, sipas përfaqësuesve të bizneseve ka hasur në vështirësi për shkak të disa kushtëzimeve që ka paraqitur ligji që rregullon këtë çështje.

Sipas Ligjit për faljen e borxheve, për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, përfitojnë të gjithë personat të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, me kusht që të njëjtit të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014.

Xhevat Kastrati qytetar nga Prishtina thotë të mos ketë aplikuar për falje të borxheve, pikërisht për shkak të kushtëzimeve që ka pasur ligji.

“Sa i përket faljeve të borxheve unë nuk kam aplikuar pasi që nuk kam pasur mundësi të paguajë shumën që kemi qenë të obliguar”, thotë ai.

Derisa, Naseri, po ashtu qytetar nga Prishtina i cili ka pasur një borxh të akumuluar prej 400 eurove, thotë se t’i ketë ndihmuar ky ligj.

“Po një vendim i tillë nga Qeveria e kaluar për falje të borxheve ka qenë i qëlluar. Ne kemi kryer obligimet tona dhe tani jemi më të rregullt në kryerjen e obligimeve për shërbimet që i marrim”, thotë ai.

Në kohën kur ishte miratuar Ligji për faljen e borxheve, kjo iniciativë nga shoqëria civile ishte konsideruar e padrejtë për konsumatorët e disiplinuar të cilët kanë paguar të gjitha detyrimet gjatë asaj periudhe.

Ata patën theksuar se me këtë masë janë shpërblyer qytetarët dhe bizneset që nuk kanë respektuar pagesat dhe borxhet, duke shmangur tatimet dhe duke mos paguar për shërbimet publike, kurse janë dënuar të gjithë qytetarët e ndërgjegjshëm të cilët i kanë shlyer vetë dhe me kohë këto borxhe.

Prapaskenat e faljes së 58 milionë eurove nga kryeministri

Në qershor të këtij viti prodhuesit e ujit dhe ata të pijeve alkoolike u mblodhën në Odën Ekonomike të Kosovës, për të parë mundësinë e gjetjes së një marrëveshjeje për kthimin e borxhit prej 58 milionë eurove ndaj shtetit

Madje kishin krijuar edhe grup punues i cili do të fliste me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe për hartimin e një marrëveshjeje mes tyre për tu zgjidhur ky problem. Gazeta Fjala ka siguruar transkriptin nga ky takim ku palët në fund janë marr vesh që të filloj kthimi i borxheve, por që vetëm katër muaj më vonë kryeministri Haradinaj mori vendim për faljen e tyre.

“Hapi i tretë- pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ambalazhuesit e ujit të bëjnë vet-deklarimin vullnetarë të obligimeve financiar (sipas rekomandimeve të grupit punues) ndaj MMPH-së, që dalin nga Udhëzimit Administrativ për Strukturën e Pagesave të Ujit nr .06/2006”, thuhet në njërën nga rekomandimet që dalin nga ky takim ku prezentë kanë qenë prodhuesit e ujit dhe pijeve alkoolike dhe joalkolike dhe përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

Prodhuesit e ujit nga ky takim janë pajtuar po ashtu që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bazë të deklarimit nga Ambalazhuesit e Ujit (të përcaktuar në marrëveshje), të përgatisë vendimet financiare për pagesat e obligimeve në përputhje me ligjin dhe marrëveshjen.

“Hapi i dytë- Nënshkrimi i marrëveshjes së lartëcekur në mes të MMPH-së dhe Ambalazhuesve të ujit”, thuhet në transkriptet e kësaj mbledhjeje.

Por kjo marrëveshje nuk do të arrihej kurrë. Vetëm katër muaj më vonë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori vendim që t’i fal të gjitha borxhet milionëshe, që prodhuesit e ujit i kanë krijuar ndër vite ndaj shtetit.

Gazeta Fjala ka kontaktuar me kryetarin e Shoqatës së Prodhuesve të Pijeve Alkoolike dhe Joalkolike, Bashkim Osmani, por ai nuk ka qenë i gatshëm të tregoj se pse kjo marrëveshje për kthimin e borxheve nuk u arrit kurrë. Ai nuk e ka komentuar as vendimin e kryeministrit Haradinaj.

Sipas një raporti që i është dorëzuar Zyrës së kryeministrit, një kopje të te cilit e ka siguruar Gazeta Fjala, vlerësohet se totali i borxheve që prodhuesit e ujit e kanë ndaj shtetit, për periudhën 2008-2015, është 58 milionë e 936 mijë e 715 euro. Totali është mbledhur nga taksa për shfrytëzimin e ujit, për shkarkimin e ujit dhe nxjerrjen e materialeve inerte.

Ky vendim i kryeministrit Haradinaj për faljen e borxheve prodhuesve të ujit vjen përkundër faktit se këto borxhe po trajtoheshin nëpër gjykata. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka vite që është duke u përballur me këto kompani në gjykata, për kthimin e borxhit.

Kërkohet hetim për faljen e borxheve

Vendimi i Hardinajt ka ngjallur reagime të shumta nga opozita dhe njohësit e ekonomisë, duke e quajtur një vendim arbitrar të kryeministrit dhe kanë kërkuar edhe hetime nga prokuroria.

Pas publikimit të tekstit nga Gazeta Fjala, mbi faljen e mbi 58 milionë eurove milionë eurove nga Qeveria e Kosovës, kanë nisur edhe reagimet.

Shoqëria Civile dhe deputetët e opozitës kanë kërkuar përgjegjësi për këtë veprim të Haradinjat. Sipas tyre, ky vendim tregon shpërfilljen e Qeverisë ndaj parasë publike.

Po ashtu deputetet e opozitës në deklarime për media kanë paralajmëruar se do të kërkojnë sqarime nga kryeministri Haradinaj rreth këtij vendimi.

Kurse, publicisiti Veton Surroi në një shkrim në Facebook ka thënë se nëse janë falë 59 milionë euro obligime ndaj shtetit, është dritë e kuqe e ndezur për korrupsion.

“..janë para që kanë mundur të përdoren në cilëndo sferë publike që ka nevojë urgjente parash (prej arsimit te shëndetësia), janë para që kur nuk mblidhen nga afarizmi duhet të mblidhen nga xhepat e qytetarëve, tregon shpërfillje të Qeverisë ndaj parasë publike, pra edhe ndaj interesit publik, është udhëzim që qytetari që paguan me rregull obligimet është i dënuar nga shteti; i favorizuar është ai që nuk paguan e i falën”, ka shkruar Surroi.

Kush janë borxhlinjtë që u falen

Në bazë të dokumenteve që posedon Gazeta Fjala, borxhliu më i madh del te jetë ndërmarrja sh.p.k. Arbëria që prodhon Ujin e Alpeve, e cila ka borxh mbi 9 milionë euro. Vendin e dytë e zë ndërmarrja Fluidi me afro 4.5 milionë euro, e pasuar nga Compact Group që prodhon ujin DEA apo uji Miros që kanë mbi 3 milionë euro borxhe secila.

Në listën e borxhlinjve figurojnë edhe Ujë Rugove me pronar Visar Klemendin dhe Birra Peje e cila është në pronësinë e kompanisë Devolli.

Gazeta Fjala ka siguruar një kopje të këtij vendimi i cili e ka shfuqizuar një nen të Udhëzimit Adminsitrativ përmes të cilit prodhuesit e ujit obligoheshin që ti kryejnë borxhet në mënyrë retroaktive.

“Aprovohet falja e borxheve për Ambalazhuesit e ujit, të paraparë në nenin 12 të Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr. 02/2016 për Struykturën e Pagesave të Ujit”, thuhet në vendimin e Haradinajt, i cili ka hyrë në fuqi qysh ditën e nënshkrimit.

Ndërkohë neni 12 i Udhëzimit Administrativ për Strukturën e Pagesës së Ujit, i cili u shfuqizua nga vendimi i kryeministrit Haradinaj, ka paraparë që të gjitha borxhet e akumuluara që nga paslufta, prodhuesit duhet t’i paguajnë në mënyrë retroaktive.

“Të gjithë detyruesit te cilët deri në hyrjen në fuqi të këtij Udhëzimi Administrativ nuk i kanë kryer detyrimet, obligohen që brenda afatit prej dy (2) vitesh t’i kryejnë detyrimet e parapara me Udhëzimin Administrativ Nr.06/2006”. UA nr 02/2016 ka hy në fuqi në mars të vitit 2016”, thuhet në këtë nen.

Gazeta Fjala ka raportuar ndër vite për këtë problematik dhe i posedon në tërësi dokumentacionin dhe emrat e kompanive të ujit që i kanë borxh shtetit dhe vlerën e borxheve. /Gazeta Fjala/

Kush e kontrollon tregun e naftës në Kosovë?

Sektori i derivateve të naftës në Kosovë konsiderohet ndër tregjet më fitimprurëse, ndonëse vazhdimisht ka pasur edhe debate të ndryshme rreth mënyrës së importit dhe efikasitetit të kontrollimit dhe cilësisë së këtij produkti në doganat e vendit

Cilësia e dobët e derivateve të naftës, krijimi i privilegjeve për kompani të caktuara të naftës, moskontrollimi me rastin e zhdoganimit të këtij produkti, janë vetëm disa nga parregullsitë e përmendura në sektorin e derivateve të naftës.

Janë udhëheqësit e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës ata që flasin për mungesën e kontrollit, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të vërë rregull në këtë sektor.

Fadil Berjani, kryetar i kësaj shoqate, thotë për Radion Evropa e Lirë se parregullsitë në këtë sektor, janë të pranishme. Por, sipas tij, me shtimin e kontrollit dhe garantimit të cilësisë do të mund të rregullohej edhe sasia e importit që hyn në Kosovë.

“Unë nuk mund të them se si dhe nga hyn nafta në Kosovë, por kontrabanda me këtë produkt në pjesën veriore, është më e vogël se vitet e kaluara”.

“Konsideroj se me një shtrëngim më të madh gjatë importit dhe verifikimit të sasisë dhe cilësisë, do të ndikohet në shmangien e evazionit fiskal. Evazioni fiskal mund të zbritet edhe më tepër nëse vendoset që në të gjitha kompanitë e derivateve të naftës të instalohen arkat speciale fiskale”, thotë Berjani.

Debatet rreth kontrollit të tregut të naftës janë hapur edhe në Kuvendin e Kosovës. Duke qenë si një prej sektorëve më fitimprurës, janë vetë partitë politike ato që akuzojnë njëra-tjetrën për kontrollin e këtij tregu dhe parregullsitë e vëna.

Një diskutim i ashpër rreth kësaj teme është zhvilluar ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka pyetur ish- ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, se kush e kontrollon hyrjen e naftës në Kosovë.

“Rreth naftës që hyn në Kosovë, asnjë ministër nuk ka mundur të tregojë sa evazion fiskal ka Kosova përmes kontrabandës në Kosovë”, është shprehur Haliti.

Ai ka thënë se ministrat e deritashëm, përfshirë edhe Hykmete Bajramin, do të duhej të jepnin përgjegjësi për këto paqartësi.

Në vend të përgjigjes, Hykmete Bajrami kishte konstatuar se kontrollimin e naftës në Kosovë e ka Partia Demokratike e Kosovës, pjesë e të cilës është Haliti.

“Njerëzit tuaj i kanë udhëhequr doganat me vite dhe ju e dini se kush ka bërë kontrabandë dhe në xhepat e kujt kanë rrjedhë paratë nga kontrabanda”, ka deklaruar Bajrami.

Ndryshe, që nga viti i kaluar, me një vendim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, kompetencat për inspektimin e cilësisë së derivateve të naftës janë bartur te Doganat e Kosovës.

Për të rregulluar sektorin e naftës, Fadil Berjani kërkon nga Qeveria e Kosovës që të miratojë Ligjin e ri për karburantin e naftës.

“Jemi shteti i vetëm në botë që paguajmë licencë për çdo dy vjet. Ka shumë kritere të rëndësishme që mund të rregullohen me ligj. Jemi shteti më i vogël për kokë banori, por shteti më i madh me pika karburanti”, thotë Berjani.

Aktualisht, Kosova nuk posedon rafineri të derivateve të naftës, kështu që ky produkt pothuajse më i kërkuari në vend, importohet nga vendet e rajonit dhe të Evropës. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 650 milionë litra është sasia e karburanteve të naftës që brenda një viti hyjnë në Kosovë.

Si të shpëtohet buxheti i Kosovës nga autostradat?

Për vite me radhë ishte vlerësuar se buxhetit të Kosovës nuk i ishte dhënë orientim i duhur nga autoritetet e vendit. Ndërtimi i infrastrukturës rrugore, siç ishte ndërtimi i autostradave, ndonëse ishte cilësuar si i nevojshëm, nuk kishte ndihmuar siç thonë ekspertët, në zbutjen e problemeve ekonomike dhe sociale të vendit

Investime të shumta në infrastrukturë rrugore janë bërë për ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, autostrada që lidh Kosovën me Maqedoninë, si dhe në zgjerimin e rrugëve nacionale dhe shumë projekte tjera.

Tani në kohën kur autoritetet e vendit do të jenë në përpilim të projekt -buxhetit për vitin 2018, përfaqësues të bizneseve japin vlerësimet e tyre për orientimin e këtyre mjeteve.

Janë mbi 2 miliardë euro para që janë parashikuar t’i ketë buxheti i Kosovës për vitin 2018.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se investimet më të nevojshme janë në ngritjen e ekonomisë së vendit përmes projekteve që zhvillojnë sektorin privat.

“Kosova i ka disa objektiva, në të cilat duhet të orientohet siç janë rruga integruese, edukimi, ekonomia, ambientalizmi. Në këtë drejtim duhet të evitojnë investimet në infrastrukturë, duhet të mbështet sektori privat, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe në veçanti të jemi të orientuar në sektorin prodhues. Por, një objektiv i tillë nuk mund të arrihet nëse nuk kemi edukim dhe fuqi punëtore të kualifikuar”, thotë Gërxhaliu.

Autoritetet e Kosovës patën deklaruar se me buxhetin e vitit 2017, do t’i japin impulsin thuajse përfundimtar nisjes dhe përmbylljes së infrastrukturës rrugore dhe të krijojnë kushte që buxheti në të ardhmen të destinohet përveç fushave tjera, edhe për fuqizimin e arsimit në Kosovë.

Investimet në sistemin arsimor nga drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, theksohet si një nga orientimet më të domosdoshme që duhet t’i bëhet buxhetit.

“Ajo që është e rëndësishme, që mjetet e buxhetit të Kosovës të orientohen në cilësinë e arsimit, kjo kërkesë është jo vetëm e institucioneve ndërkombëtare, por edhe vetë bizneseve, të cilat vuajnë nga mospërshtatja e ofertës me kërkesën në tregun e punës. Pra, të investohet jo vetëm në infrastrukturën fizike shkollore, por në edhe në përmirësimin e cilësisë së arsimit nga nivelet më të ulëta të arsimit deri tek institucionet shkollore të nivelit të lartë”, thotë Zeka.

Megjithatë, Zeka shton se gjithsesi se është e nevojshme që të vazhdohen projekte e nisura infrastrukturore nga qeveritë e kaluara, pasi që, siç thotë ai, “infrastruktura e përshtatshme rrugore për transport është edhe një kusht për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian”.

Në buxhetin e këtij viti, top-prioriteti i Qeverisë së Kosovës në përcaktimin e politikave buxhetore ka qenë ndërtimi i autostradave dhe asfaltimi i rrugëve.

Nga 2 miliardë euro të planifikuara, 700 milionë euro ishin ndarë për investime kapitale, që ishte rreth 50 për qind më shumë se që ka pasur në vitin 2016.

Derisa, sa i përket buxhetit të Kosovës për vitin 2018, ende është në diskutim e sipër në kabinetin qeveritar, pastaj pritet të diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

Por, nga deklaratat e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës deri më tani është theksuar se në buxhetin e Kosovës për vitin 2018 vendin kryesor do ta zënë shpenzimet kapitale, si dhe do të reflektohen edhe prioritetet e Qeverisë siç është sundimi i rendit dhe ligjit. /rel