Administrata e UNMIK-ut ka gjasa të bashkëkryesojë CEFTA-n me palën kosovare

Kosova ka marrë këtë vit kryesimin e CEFTA-s, mirëpo, ka shumë gjasa që bashkëkryesues të jetë edhe një përfaqësues i UNMIK-ut

Megjithëse paralajmëroi që Kosova do të largohet nga kjo marrëveshje, kryesuesi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani pranon që kanë marrë një varg vërejtjesh, raporton KTV.

Megjithatë, shfaq shpresën se një zgjidhje do të mund të gjendet deri në marsin e këtij viti.

Fajin për vazhdimin e pranisë së UNMIK-ut, Hasani ia lë ish-kryenegociatores Edita Tahiri që sipas tij, për shkak të marrëveshjes së përfaqësimit me fusnotë.

Hasani thotë se Kosova do të bëjë të pamundurën që të zgjidhë çdo problem që mund t’u dalë bizneseve kosovare dhe për zgjidhjen e tyre do të punojnë komisionet e ndryshme.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e bizneseve kërkojnë nga institucionet të mos bëjnë përpjekje për të dalë nga kjo marrëveshje, por të punojnë në eliminimin e pengesave jo tarifore.

Kosova është pjesë e kësaj marrëveshjeje nga viti 2006, ku në emër të vendit tonë e nënshkruan përfaqësues të UNMIK-ut.

Për shkak të mospërgatitjes së palës kosovare, asnjë produkt i vendit nuk është i mbrojtur.

Legalisht nga Ballkani në Gjermani

Që nga nëntori i 2017-ës procedura e vizave të punës për shtetasit e Ballkanit Perëndimor është më e thjeshtë dhe realizohet brenda një etape

Kur rregullorja për Ballkanin Perëndimor hyri në fuqi, më 1 janar 2016, procedura për marrjen e vizës ishte e dyfishtë. Punëmarrësit shtronin kërkesë për vizë te përfaqësitë e Gjermanisë në vendet e tyre, dhe njëkohësisht punëdhënësit kërkonin leje paraprake te Zyra e Punësimit në vendndodhjen e kompanisë.

Kjo procedurë zgjaste me muaj dhe binte ndesh me dëshirën për punësim sa më të shpejtë. Prandaj prej nëntorit të vitit 2017 procedura është thjeshtëzuar.

Punëdhënësi nuk kërkon më miratim nga Zyra e Punësimit

“Miratimi paraprak nga Zyra e Punësimit nuk është më i nevojshëm”, sqaron për Deutsche Welle-n Sascha Andreas Kienzle (Sasha Andreas Kincle) nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë. “Tani mjafton që kandidati të paraqesë në Ambasadën e Gjermanisë të gjitha dokumentet e nevojshme, duke përfshirë edhe vërtetimin nga punëdhënësi.”

Kontrollimi në Gjermani

Pasi të jenë dorëzuar dokumentet në konsullatë, kontrollohen nga autoritetet përkatëse në Gjermani. “Nëse plotësohen të gjitha kushtet, atëherë jepet viza.”, thotë Kienzle më tej.

Me kontrollin e dokumenteve, krahas Ministrisë së Punëve të Jashtme, pjesë e së cilës janë ambasadat, merren edhe Ministria e Brendëshme dhe Ministria Federale e Punës dhe e Çështjeve Sociale, nëpërmjet Agjencisë Federale të Punësimit.

Roli i Entit Federal të Punësimit

“Kur shtrohet kërkesa për vizë pune, ne kontrollojmë se a ka ndonjë shtetas gjerman ose europian me të njëjtin kualifikim që ka aplikuar për të njëjtin vend”, thotë për DW, Paul Ebsen, zëdhënës i Agjencisë Federale të Punësimit. Prandaj dokumentet duhet të dërgohen në zyrën e punës të qytetit ku ndodhet vendi i punës dhe, pasi të jenë kontrolluar, kthehen sërish. Zyra e punës kontrollon vetëm formalisht, se a ka ndonjë kandidat të përshtatshëm me shtetësi gjermane ose nga vendet e BE-së për këtë vend. Kjo nuk zgjat më shumë se 14 ditë, siguron Paul Ebsen. Nëse marrja e një vize zgjat më shumë, kjo varet nga rrethanat individuale të aplikuesit. ”

Kushtet nuk kanë ndryshuar

Kushtet që duhen plotësuar për marrjen e vizës së punës kanë mbetur të njëjtat: punësimi në ndërtim ose gastronomi nuk kërkon as njohuri gjuhe e as njohuri profesionale.

Vetëm për infermierët ose kujdestaret mjekësore kërkohen njohuri gjuhe dhe dëshmi licencimi a diplomat e shkollës profesionale. Kushtet përshkruhen në mënyrë të hollësishme në fletushkat informative të ambasadave.

Azilkërkuesit mbeten të përjashtuar

Azilantët mbeten të përjashtuar nga ky rregull. “Azilkërkuesit, që deri 24 muaj para se të shtrojnë kërkesën kanë marrë ndihma në bazë të ligjit të azilërkuesve, nuk kanë të drejtë të marrin vizë pune”, thotë Kienzle. Këtu bëjnë përjashtim azilantët që kanë shtruar kërkesën për azil nga 1 janari 2015 deri më 24 tetor 2015, por që deri më 4 maj 2016 kthyen vullnetarisht në vendet e tyre.

Të përjashtuar nga ky rregull janë edhe azilantët që jetojnë në Gjermani. I ashtuquajturi “ndërrim korsie”, pra kalimi nga statusi i refugjatit në atë të imigrantit ekonomik, të cilin e kërkojnë tashmë prej kohësh shumë organizata refugjatësh, nuk lejohet ende. Azilantët duhet të kthehen në vendet e tyre për të hyrë sërish si imigrantë në hapësirën Schengen.

Mbi 35 000 viza pune për Ballkanin

Në vitin 2017, Gjermania lëshoi 35 200 viza pune për vendet e Ballkanit Perëndimor, siç bën të ditur për Deutsche Welle-n Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Vendin e tretë e zënë shtetasit nga Kosova (me 6087 viza pune), pas Bosnjë-Hercegovinës (9 913) dhe Serbisë (9 577). Shqipëria (3 126) vjen pas Maqedonisë (5 584), ndërsa Mali i Zi ishte vendi që solli më pak imigrantë ekonomikë (913) në Gjermani, në vitin 2017.

Pjesa dërrmuese punojnë në sektorin e ndërtimit dhe gastronomisë, por ka edhe shumë që janë punësuar si pastrues apo kujdestarë shëndetësorë. Specialitët e kualifikuar janë të paktë dhe zënë vetëm 2,5 për qind të gjithë imigrantëve nga Ballkani.

Gastarbeiter të rinj

Viza e punës jepet për aq sa zgjat kontrata. Kur kontratës i përfundon afati, imigrantët duhet të kthehen sërish në vend. Por nëse kanë paguar sigurime shoqërore, ata mund të gëzojnë përfitimet nga asistenca e papunësisë, sigurimet shëndetësore dhe pensionet.

Prandaj nuk përjashtohet mundësia, që sikurse të ashtuquajturit Gastarbeiter, edhe imigrantët e dikurshëm të viteve ’60 dhe ’70, të mbesin në Gjermani, edhe pasi e kanë humbur vendin e punës.

Ndërmjetës gjerman për zhbllokimin e linjës 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka përcaktuar një ndërmjetës nga qeveria gjermane për të “rakorduar” procesin mes palës kosovare dhe asaj serbe për vënien në punë të linjës së interkoneksionit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë. Këtë e ka bërë të ditur të enjten në Tiranë drejtori ekzekutiv i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopaç, në Komisionin për veprimtarinë prodhuese, tregtinë dhe mjedisin në Parlamentin e Shqipërisë

Ky komision zhvilloi mbledhjen e radhës, ku u bë prezantimi i raportit vjetor të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për vitin 2017, nga drejtori ekzekutiv i Sekretariatit, i cili paraqiti një përmbledhje të ecurisë së Shqipërisë në disa aspekte gjatë vitit 2017.

”Sekretariat i Komunitetit të Energjisë ka përcaktuar një ndërmjetës nga qeveria gjermane për të rakorduar procesin mes palës kosovare dhe asaj serbe”, ka deklaruar Janez Kopaç.

Edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë ka bërë të ditur në fillim të këtij viti se në shtator të vitit 2017, në mënyrë zyrtare, Gjermania si financuese e kësaj linje përmes kredisë që dha KfW-ja, i kërkoi Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë që të negociojë zgjidhjen e mosmarrëveshjes në mes Prishtinës e Beogradit për t’i dhënë pavarësinë Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Kosovës, i cili më pas do të ishte i lirë të përdorte linjën e tensionit të lartë 400 kilovolt. Por, një raport i Sekretariatit të Energjisë, i fundit të vitit që sapo lamë pas, theksonte se Serbia nuk ka reaguar mbi kërkesën që sekretariati ka bërë për të emëruar një përfaqësues për negociatat, çka ka bllokuar bisedimet mes dy vendeve…

Lluka: 80 euro është çmimi tavan për megavat në “Kosovën e Re”

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, thotë se ka pasur keqinterpretime sa i përket marrëveshjes për termocentralin “Kosovën e Re” mes qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane “Countour Global”

Ai ka thënë për Express Intervistën në KTV se çmimi tavan i caktuar sipas kontratës për një megavat është 80 euro.

“80 euro është çmimi tavan. Mbi të nuk mund të shkohet. Nëse çmimi vjen mbi 80 euro kemi të drejtë të dalim nga kjo kontratë. Çmimi real duhet të caktohet përmes disa kritereve. Duhet të shohim sa do të kushtojë saktësisht ndërtimi i termocentralit. Do të hapet tash tenderi dhe do të shohim vlerat se sa do të jetë investimi, e kur të kuptojmë këtë mund të kalkulojmë çmimin për rrymë”, ka thënë ai duke shtuar se mund të ndërmarrin masa të ndryshme nëse ky çmim është i lartë, në mënyrë që barra të mos u bije qytetarëve.

“Mund të bëhen politika të ndryshme. mund të ndikojmë në tarifa të ndryshme”, ka thënë më tej ai.

Lluka ka shtuar se Kosova do të punojë në rregullimin e termocentraleve aktuale që të mos humbë më nga rrjedhjet e energjisë. Sa i përket filtrave ai ka bërë të ditur se në Kosovën B këta filtra të ajrit do të vendosen në dy vitet e ardhshme.

Kriteri ekonomik, kushti kryesor në agjendën integruese evropiane

Kosova duhet t’i përmbushë kriteret ekonomike të kërkuara nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që të kualifikohet për tregun e përbashkët të BE-së, ka deklaruar Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova

Këto komente, ajo i ka bërë pas pranimit të raportit vjetor të Qeverisë së Kosovës për reformat ekonomike për vitet 2018-2020.

Kriteret ekonomike evropiane, ka theksuar Apostolova, nënkuptojnë një ekonomi funksionale të tregut, që ka kapacitete t’i bëjë ballë konkurrencës brenda tregut të përbashkët të BE-së.

“Komisioni Evropian, për çdo vit, në Raportin për Kosovën, jep një pasqyrë të gatishmërisë dhe progresit në përmbushjen e kriterit ekonomik”, theksoi ajo.

“Programi i reformave ekonomike është shumë proces i rëndësishëm për BE-në. Është boshti i qeverisjes ekonomike, si një prej tre shtyllave të strategjisë së zgjerimit”, tha Apostolova.

Ajo e ka rikujtuar Qeverinë e Kosovës se zbatimi i kritereve ekonomike është kërkesë kryesore për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Programi për reforma në ekonomi përfshinë dialogun e strukturuar mbi qeverisjen ekonomike, si pjesë e bashkëpunimit institucional në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamzatha se edhe këtë vit, ky program u përmbahet plotësisht instruksioneve dhe kritereve për analizë rigoroze të përcaktuara nga Komisioni Evropian.

“Institucionet tona kanë punuar me përkushtim të lartë që mbi bazën e evidencës të identifikohen nevojat dhe veprimet për adresimin e pengesave strukturore të ekonomisë”, tha Hamza.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm se na pret një rrugë e gjatë e transformimit për të arritur konvergjencë me vendet anëtare të BE-së”, tha tutje Hamza.

Fokusi kryesor në këtë program, vijoi Hamza, është vendosur në përmirësimin e ambientit rregullator, adresimin e boshllëqeve në infrastrukturën publike, orientimin e shpenzimeve për sektorët parësorë, ku bëjnë pjesë sektori i rendit, ai i edukimit, ai i shëndetësisë dhe sektori privat.

“Ambienti makroekonomik, për dallim nga viti i paraprak, është më i favorshëm dhe ofron rast të mirë që mundësitë fiskale t’i drejtojmë nga reformat afatgjata”.

“Rritja ekonomike pritet të tejkalojë 4.5 për qind, ndërsa stoku i borxhit po rritet me kujdes”, tha Hamza.

Programi për Reforma në Ekonomike është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 26 janar të këtij viti.

Komisioni Evropian publikon një herë në vit të gjeturat e Raportit Vendor që njihet si Raporti i Progresit, me anë të të cilit matë përparimin e vendeve pretendente për anëtarësim në Bashkimin Evropian drejt integrimeve evropiane dhe përcakton detyrimet për të përmbushur kriteret.

Kriteri ekonomik, është vetëm një nga kushtet e përcaktuara nga Komisioni Evropian për anëtarësimin e vendeve në BE.

Në kuadër të kritereve ekonomike të BE-së, përfshihen: stabiliteti makro-financiar, ambienti mirëpritës biznesor, tregjet funksionale të fuqisë punëtore dhe financiare, nivelet kualitative cilësore në arsim, në infrastrukturë, inovacion dhe integrim ekonomik.

Balija: Sektori bankar stabil, bankat me fitime prej mbi 85 milionë euro

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija në një intervistë për Telegrafi, me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka thënë se sistemi bankar është i qëndrueshëm dhe stabil

Sipas tij, ecuria e sektorit bankar për vitin 2017 ka qenë mjaftë pozitive, duke shënuar rritje derisa bankat kanë pasur fitime prej 85.3 milionë euro. Balija thotë se investimet që janë duke u bërë në kriptovaluta janë të rrezikshme.

“Ecuria e sektorit bankar për vitin 2017 ka qenë mjaftë pozitive, një zhvillim i qëndrueshëm dhe me rritje në çdo aspekt, duke filluar prej kreditimit i cili është rritur afër 12 për qind, pastaj kemi pasur një rritje në asete dhe një rritje në fitim, i cili në fund të këtij viti është afër 85.3 milionë euro”, tha Balija.

Sipas tij, fitimi i bankave po rritet në këtë kohë kur të ardhurat e bankave qëndrojnë stabile dhe nuk ka rritje në të ardhura.

“Nëse e bëjmë një krahasim me vitin 2012, të ardhurat e bankave kanë qenë më të larta se në vitin 2017 për afër 7 milionë euro, apo 247 milionë euro të ardhura bruto, ndërsa fitimi ka qenë 18 milionë euro. Në vitin 2017 kemi rënie të të ardhurave të përgjithshme, ndërsa kemi rritje të fitimit”, shpjegon ai.
Duke folur për kreditë e këqija, drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija tha se niveli i këtyre kredive është me vendet e Bashkimit Evropian dhe dukshëm më i mirë sesa në vendet e rajonit.

Ai në këtë intervistë ka folur edhe për mosefikasitetin e sistemit të drejtësisë,i cili është duke i sjell dëme sistemit bankar.

Po ashtu Drejtori Balija ka treguar se si shoqatë kanë synim që të rrisin pagesat elektronike dhe largimin e pagesave me “cash”. /Telegrafi/

Bizneset, me pritje të vogla nga CEFTA

Komuniteti i biznesit nuk pret që kryesimi i CEFTA-s nga Kosova, do të sjellë shumë efekte pozitive. Marrëveshja për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore, e njohur si CEFTA, është nënshkruar në vitin 2006, ndërkaq Kosova është bërë pjesë e saj në vitin 2007. Kryesimi i saj nga vendet anëtare, bëhet mbi bazën e rotacionit sipas radhitjes alfabetike

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, tha për Radion Evropa e Lirë, se menaxhimi i CEFTA-s nga institucionet e Kosovës, mund të ketë ndikim në aspektin politik, por jo në aspektin ekonomik, konkretisht tek prodhuesit vendorë.

“Kosovës i nevojitet ndryshim. Por, për ndryshime nevojitet pajtueshmëria e shteteve tjera. Dhe, automatikisht vështirësi paraqet shteti i Serbisë, i cili Kosovën e sheh si treg apo mundësi për të shitur prodhimet e veta, e që zyrtarisht kalojnë mbi 400 milionë euro në vit. Kjo nuk do të lejojë që Kosova të ketë prioritete”, thotë Shahini.

Kurse, Ismet Mulaj, nga Oda Tregtare e Afarizmit thotë se menaxhimi i CEFTA-s gjatë vitit 2018 nuk duhet të jetë si rutinë, por të shfrytëzohet për përmirësimin e kushteve të bizneseve në Kosovë.

Ai thotë se autoritetet kompetente gjatë kësaj periudhe duhet të bëjnë përpjekje që të rinegociohen disa pika të marrëveshjes, pika të cilat, sipas tij, krijojnë konkurrencë jo të barabartë me vendet tjera.

“Marrëveshja e CEFTA-s është nënshkruar në vitin 2006, kur veprimtaria prodhuese ka qenë në hapat e parë. Prandaj, do duhej të rishikohen pjesë që do të ndihmonin Kosovën që të jetë e barabartë me shtetet tjera në rajon”, thekson Mulaj.

“Kosova duhet të reflektojë seriozitet në menaxhimin e kësaj organizate dhe të përmirësojë raportet tregtare që ka me shtetet e rajonit. Pasi disa nga vendet e rajonit në shumicën e rasteve u kanë bërë pengesa produkteve të Kosovës që të shiten në këto tregje”, tha Mulaj për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, vitin e kaluar, temë e vazhdueshme debati ka qenë çështja se si do të kryesohet CEFTA nga institucionet e Kosovës, përkatësisht se a do të përdoret vetëm emri Kosovë, pa akronimin “UNMIK- Kosovë”.

Akronimi UNMIK-Kosovë, është përdorur qysh në fazën e nënshkrimit të marrëveshjes, ngase Kosova nuk e kishte të zgjidhur statusin e saj, andaj edhe është përfaqësuar nga Administrata e Kombeve të Bashkuara, përmes Rezolutës së Këshillit të Sigurimit, numër 12 44.

Durim Limaj, këshilltar i lartë politik dhe shef i Kabinetit të Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova “do të prezantohet në bazë të marrëveshjeve dhe obligimeve ndërkombëtare që ka marrë”. Por, as kësaj radhe ai nuk e ka sqaruar nëse Kosova ka marrë kryesimin edhe me akronimin e mëparshëm të UNMIK-ut.

Vendet anëtare të CEFTA-s janë: Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia

Sipas shifrave zyrtare në muajin dhjetor të vitit të kaluar, eksportet e Kosovës në vendet e CEFTA-s arritën rreth 12 milionë euro, kurse importet nga këto vende kanë arritur rreth 80 milionë euro.

Ndërkaq, sipas raportit të fundit vjetor për Tregti të Jashtme të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se mbi 144 milionë euro është vlera e produkteve të prodhuara në Kosovë që janë eksportuar në tregjet e vendeve anëtare të CEFTA-s, kurse mbi 750 milionë euro nga këto vende kanë hyrë në tregun e Kosovës,.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, do të jetë kryesues i këtij mekanizmi ndërkombëtar, i cili ka premtuar se Kosova do të luajë një rol konstruktiv gjatë kohës që do të udhëheqë me CEFTA-n.

Siguria energjetike në Shqipëri, një qasje multidimensionale

Sektori i energjisë në Shqipëri karakterizohet nga një infrastrukturë problematike, eficiencë e ulët, varësi e lartë dhe nivel i ulët i diversifikimit të burimeve, elemente të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë në sigurinë energjetike

Nga Fatri Morina dhe Përparim Fuga*

Energjia luan një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e një vendi, prandaj furnizimi i përballueshëm dhe i besueshëm me energji janë thelbësorë për këtë zhvillim. Bazuar në rëndësinë e sigurisë energjetike [disponueshmëria e qëndrueshme e burimeve energjetike me një çmim të favorshëm], ajo duhet të jetë pjesë e prioriteteve kryesore të një vendi. Vetëm një qasje e integruar, e cila kombinon të gjitha dimensionet e sigurisë energjetike, mund të jetë një mënyrë e efektshme për garantimin e sigurisë energjetike. Siguria energjetike është një koncept multidimensional, e cila përfshin dimensione të brendshme e të jashtme dhe mund të analizohet nga niveli kombëtar në atë rajonal dhe global. Më poshtë po sjellim një analizë të sektorit të energjisë në Shqipëri, me fokus në dimensionet ekonomike, sociale, mjedisore dhe teknike të sigurisë energjetike. Sektori i energjisë në Shqipëri karakterizohet nga një infrastrukturë problematike, eficiencë e ulët, varësi e lartë dhe nivel i ulët i diversifikimit të burimeve, elemente të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë në sigurinë energjetike. Të dhënat e përdorura në këtë punim bazohen në të dhënat e Bankës Botërore, Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, ERE dhe INSTAT.

Sektori energjetik shqiptar

Zhvillimi dhe rritja ekonomike e një vendi është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me garantimin e një furnizimi të qëndrueshëm me energji, e cila nevojitet të përdoret në mënyrë të efektshme, duke kufizuar emetimin e karbonit dhe mbrojtjen e mjedisit. Trashëgimia e një ekonomie të planifikuar dhe të centralizuar, me çmime të ulëta në mënyrë artificiale e kombinuar me një infrastrukturë joefikase janë elemente të cilat kanë penguar vendet në tranzicion në rrugën e tyre drejt garantimit të furnizimit të qëndrueshëm me energji. Një sërë masash janë marrë për të kapërcyer këtë situatë, por mbetet akoma shumë punë për të bërë me qëllim përafrimin me standardet ndërkombëtare për një energji efikase, zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe politikave që adresojnë ndryshimet klimaterike. Faktori themelor për garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji është ndryshimi sistemik, zëvendësimi i infrastrukturës së vjetër nuk është i mjaftueshëm. Efektiviteti i projekteve ose iniciativave specifike varen nga cilësia e institucioneve, kuadri ligjor dhe natyra e tregjeve (liberalizimi i tregut, taksa e karbonit, tarifa reflektuese të kostos etj.).

Qasja multidimensionale

Në analizën e sektorit të energjisë në Shqipëri, fokusi vendoset në dimensionet ekonomike, sociale, mjedisore dhe teknike të sigurisë energjetike. Sektori i energjisë në Shqipëri karakterizohet nga një infrastrukturë problematike, eficiencë e ulët, varësi e lartë dhe nivel i ulët i diversifikimit të burimeve, elemente të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë në sigurinë energjetike. Shqipëria, si një vend në tranzicion, karakterizohet nga të gjitha problematikat e mësipërme duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në nivelin e sigurisë energjetike dhe implikimet e saj multisektoriale. Duke qenë se siguria energjetike është një çështje komplekse e cila përfshin shumë faktorë, për të analizuar atë është e nevojshme përdorimi i një qasjeje multidimensionale, ku të përfshihen si dimensionet socio-ekonomike, ashtu dhe ato politike e mjedisore. Fillimisht është e nevojshme të paraqesim një përmbledhje të shkurtër të literaturës lidhur me sigurinë energjetike.

Vendet e Ballkanit përgjithësisht dhe Shqipëria veçanërisht karakterizohen nga kombinimi i elementeve të ndryshme të kategorive të sipërcituara. Sektori i energjisë në Shqipëri karakterizohet nga një infrastrukturë problematike, eficiencë e ulët, varësi e lartë dhe nivel i ulët i diversifikimit të burimeve, elemente të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë në sigurinë energjetike. Kjo situatë shoqërohet me implikime multidimensionale, me efekt jo vetëm në nivelin e sigurisë energjetike, por ndikon në perspektivën e zhvillimit dhe prosperitetit ekonomik e social të Shqipërisë. Dimensioni ekonomik i sigurisë energjetike përbëhet nga elemente të shumta të cilat variojnë që nga kostoja e blerjes/prodhimit të energjisë e deri te fatura financiare e konsumatorit fundor të këtij produkti. Duke qenë se Shqipëria karakterizohet nga një nivel i lartë i varësisë energjetike dhe humbje të shumta të natyrës teknike dhe joteknike, kostoja sa vjen dhe rritet. Duke patur në konsideratë nivelin e zhvillimit ekonomik në Shqipëri, atëherë rritja e kostove prek ekonominë si në nivel kombëtar ashtu dhe atë individual/familjar. Dimensioni social është ngushtësisht i lidhur me dimensionin ekonomik. Nëse aktorët ndikohen drejtpërdrejt nga rritja e kostove, atëherë kushtet e tyre sociale do të ndikohen njëkohësisht. Kanalizimi i të ardhurave drejt përballimit të kostove të rritura nënkupton kufizimin e shpenzimeve lidhur me aspektet sociale. Dimensioni mjedisor është një tjetër dimension i rëndësishëm kur analizohet niveli i sigurisë energjetike në Shqipëri.

Duke qenë se burimi i prodhimit të energjisë bazohet te burimet hidrike, atëherë shfrytëzimi i lumenjve ndikon në balancat ekologjike të zonave ku ndërtohen hidrocentralet, por dhe më tej. Ndërtimi i HEC-eve të vogla në kaskadat e lumenjve ndikon në ekosistem. Për më tepër, duke qenë se prodhimi i energjisë bazohet në burimet hidrike, kjo nënkupton varësinë e lartë ndaj kushteve klimaterike. Periudhat e thatësirës shoqërohen me uljen e prodhimit vendës dhe rritjen e importit, e përkthyer në rritje të kostove të furnizimit me energji. Dimensioni teknik i sigurisë energjetike lidhet me kapacitetet infrastrukturore për prodhimin, shpërndarjen dhe përdorimin e energjisë. Kapacitetet e kufizuara infrastrukturore në rastin e Shqipërisë ndikojnë në nivelin e ulët të sigurisë energjetike. Humbjet teknike zënë një vend të konsiderueshëm në humbjet totale në rrjet. Shpërdorimi i energjisë, mungesa e termoizolimit dhe linjat e vjetruara ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në sigurinë energjetike.

Varësia nga importet

Shqipëria shfaqet si vendi me varësinë më të lartë nga importet, e llogaritur në rreth 65 % dhe me normën më të ulët të konsumit të energjisë elektrike për frymë, e cila llogaritet në vetëm 1980 kWh. Së bashku me Maqedoninë, janë të vetmet shtete në rajonin e Ballkanit të cilat nuk janë eksportuese të energjisë elektrike. Sistemi energjetik në Shqipëri është relativisht i vogël, me një prodhim të elektricitetit të bazuar në burimet hidrike. Për shkak të konsumit të lartë dhe në rritje, edhe importi i energjisë elektrike është i lartë si pasojë e mosplotësimit të kërkesës nga burimet e brendshme energjetike. Investimet e kufizuara në sektorin e energjisë dhe humbjet e mëdha në rrjet, bëjnë që garantimi i sigurisë energjetike për Shqipërinë të jetë i vështirë dhe i kushtueshëm. Në këtë situatë është i domosdoshëm vazhdimi i reformimit të sektorit energjetik dhe përmirësimi i furnizimit me energji. Diversifikimi i burimeve energjetike dhe reduktimi i varësisë nga elementet klimaterike janë çështje për të cilat duhet të tregohet një kujdes i veçantë. Një siguri energjetike e kërcënuar dhe nevoja për shtimin e importeve ka implikim të drejtpërdrejtë në çdo sektor të ekonomisë, pasi ndikon në buxhetin e shtetit në tërësi.

Ndërtimi i HEC-eve të vogla, përmirësimet në rrjetin e transmetimit dhe përpjekjet e vazhdueshme për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike janë disa elemente pozitive, por të cilat nuk kanë arritur të zgjidhin problematikën e energjisë në Shqipëri (Morina & Fuga, 2014). Nëse ju referohemi statistikave që raporton Enti Regullator i Energjisë (ERE), Banka Botërore, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, por edhe INSTAT-i, Shqipëria ka një kapacitet të instaluar të prodhimit të energjisë elektrike prej rreth 1800 MW, nga të cilat rreth 1500 MW nga burimet hidrike, ndonëse në shfrytëzim realisht janë edhe më pak. Mbi këtë bazë, Shqipëria ka prodhimin e saj të energjisë elektrike, kryesisht nga burime hidrike, i cili në varësi të kushteve klimatike është luhatur nga vlera më e ulët prej 2.9 TWh në vitin 2007 në vlerën më të lartë prej 7.9 TWh në vitin 2010, duke dëshmuar qartë ndikimin e kushteve klimatike në prodhimin e energjisë në vend. Gjatë viti 2012 ky prodhim arriti në rreth 5.5 TWh, ndërkohë që kërkesa për konsum ka qenë atë vit rreth 7 TWh. Gjatë vitit 2012 kanë munguar rreth 2 TWh ndaj kërkesës për energji elektrike në vend, që është përballuar me import.

Lidhur me konsumin e energjisë elektrike, dihet se ka një lidhje, një raport të drejtë mes energjisë së prodhuar, energjisë së konsumuar dhe prodhimit të përgjithshëm vendës (GDP). Nëse krahasojmë kapacitetet prodhuese, rezulton se vendet me zhvillim të ulët, me GDP rreth 3000 euro/banorë, kanë një fuqi të instaluar të prodhimit të energjisë elektrike prej rreth 0.8 kW/banorë. Ndërkohë, vendet me GDP rreth 6000 euro/banorë, kanë një kapacitet të instaluar të prodhimit të energjisë elektrike prej rreth 1 kW/banorë. Vendet e rajonit të Europës Juglindore, GDP e të cilave luhaten nga 6000 deri në 9000 euro/banorë, kanë kapacitet të instaluar të prodhimit të energjisë elektrike rreth 1 kW/banorë. Shqipëria ka një GDP përafërsisht të po këtij niveli, ndërsa referuar popullsisë së saj prej 3 milion banorësh, kapaciteti i instaluar i saj rezulton të jetë rreth 0.5 kW/banor, shumë më i ulët edhe se ai i vendeve të pazhvilluara.

Ndërhyrjet e kërkuara

Sistemi energjetik në Shqipëri, i cili bazohet kryesisht në burimet hidrike është relativisht i vogël por me problematika të mëdha. Për të analizuar situatën e sektorit të energjisë në Shqipëri, punimi u mbështet në një analizë multidimensionale; dimensioni ekonomik, social, mjedisor dhe teknik. Studimet identifikojnë një sërë problematikash të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin e sigurisë energjetike, problematika të lidhura me kostot e larta, problemet infrastrukturore, mungesa e diversifikimit të burimeve dhe varësia e lartë. Të gjendur përballë kësaj situate, është e domosdoshme që aktorët shtetëror dhe jo shtetëror fillimisht të ndërgjegjësohen për rëndësinë e sigurisë energjetike për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit, dhe të merren masa në këtë drejtim. Masat e marra së fundi janë kryesisht masa të natyrës afatshkurtër dhe afatmesme, por garantimi i sigurisë ka nevojë për marrjen e masave afatgjata nëpërmjet hartimit dhe implementimit të strategjive vizionare dhe realiste.

*Autorët janë pedagogë në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe Edukimit në UET

Megjithë Brexitin: ekonomia e Britanisë së Madhe rritet

Në vitin para daljes nga BE ekonomia britanike ka shënuar rritje. Papunësia është aq e ulët sa nuk ka qenë prej kohësh. Kjo në një kohë kur shumë vetë patën paralajmëruar për pasojat ekonomike të daljes nga BE

Për pasoja negative të Brexitit patën paralajmëruar para së gjithash mbështetësit e BE. Pasojat negative të daljes nga BE do të ishin masive: recesion, papunësi në rritje, rënie të çmimeve të shtëpive. “Britain Stronger in Europe”, fushata për mbetjen e Mbretërisë së Bashkuar në BE citonte për shembull një studim të shoqatës ekonomike PricewaterhouseCoopers (PwC), në bazë të së cilës pasiguria e Brexitit do të shkatërronte deri në vitin 2020 jo më pak se një milion vende pune britanike. Por në 2017-ën për shembull ekonomia britanike u rrit me rreth dy përqind. Kuota e papunësisë ra në nivelin më të ulët që prej më shumë se 40 vjetësh. Kjo në një kohë kur qeveria britanike, një vit para daljes nga BE nuk ka rënë dakord për një plan të qartë për kohën më pas.

Rënia e paundit si nxitje koniunkturore

Që pas referendumit nuk ndodhi rënia e thellë, kjo duhet të ketë të bëjë para së gjithash me humbjen e vlerës të paundit britanik, thotë Jonathan Perraton, ekonomist në Universitetin Sheffield. “Pikërisht bizneset prodhuese u forcuan në këtë mënyrë në aftësinë për të konkurruar”. Oliver Gwynne, menaxher i shitjeve te furnizuesi Bronte në Bradfort e vë re këtë në biznesin me klientët nga Gjermania.”Shumë firma të mëdha po i rivlerësojnë aktualisht zinxhirët e furnizimit”, vëzhgon Gwynne. “Disa pyesin që prej Brexitit: a mund t’i prodhonim ne të gjitha në Mbretërinë e Bashkuar, në vend të botës së jashtme?”

Qetësia mund të mos zgjasë

“Rri i qetë dhe vazhdo punën”, kjo duket se është deri tani deviza e shumë sipërmarrjeve britanike. Megjithatë mbetet të pritet nëse ky qendrim i çlirët nuk do të ndryshojë, kur Brukseli dhe Londra të negociojnë këtë vit për detaje të raportit të tyre pas Brexitit.

“Sipërmarrjet vazhdojnë të investojnë shumë pak”, vëzhgon Jonathan Perraton. Shumë presin që të bëhen të dukshme pasojat e Brexitit. Edhe rritja ekonomike, thotë Perraton nuk është veçanërisht e lartë përballë konjukturës së fortë në ekonominë botërore. “Që prej Brexitit, Mbretëria e Bashkuar ka rënë në një nga vendet e fundit në shtetet e G-7-ës.”

Inflacioni është rrezik për konsumin privat

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) sapo e korrigjoi prognozën e tij të rritjes për Britaninë për 2019-ën, nga 1,6 në 1,5 përqind. Edhe kjo nuk është goditje e rëndë. Por njëkohësisht, FMN e rriti parashikimin për shembull për Gjermaninë, nga 1,5 në 2,0 përqind. “Prodhimi ynë nuk do të pësojë kolaps”, thotë Perraton. “Por ne do të kemi përfundime më të këqia se ato që do të kishim pa pasur Brexitin”.

Në mbi tre përqind është ngjitur inflacioni në Britaninë e Madhe që prej Brexitit. Ekonomistët bëjnë përgjegjës për këtë para së gjithash paundin e dobët. Një pjesë e pronarëve i kanë përshtatur pagat e punonjësve të tyre. Por shumë britanikë kanë realisht pak para në xhep. Këtë së shpejti do ta ndiejë edhe ekonomia britanike, pret Jonathan Perraton. Në fund të fundit, ka qenë konsumi i fortë ai që i ka zbutur deri tani efektet e Brexitit.

Nismë për negocimin e grantit gjerman për Ngrohtoren e Prishtinës

Shqyrtimi i programit për reformat në ekonomi, që rezulton me 20 reforma strukturore dhe të cilat mund përshpejtojnë trendin e rritjes ekonomike, Shqyrtimi i nismës për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë për Furnizim me ujë për Komunën e Ferizajt, një investim mbi 5 milionë euro në këtë fushë, dhe Nisma për negocimin e grantit me Bankën Gjermane për Zhvillim për përmirësimin e Ngrohtores së Qytetit të Prishtinës, që nënkupton investim prej 10 milionë eurosh dhe ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, janë vetëm disa nga vendimet që Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë sot

Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë për krijimin e Task-forcës të udhëhequr nga kjo ministri dhe ka kërkuar nga të gjithë akterët që të ndërmarrin masat në fushën e tyre të përgjegjësive për të përmirësuar nivelin e pastërtisë së ajrit.

Nga ana tjetër është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA). Marrëveshja rregullon mbështetjen e projektit “Heras – Arsimi i lartë, hulumtimi dhe shkenca të aplikuara në Kosovë”.

Në mbledhje, kabineti qeveritar ka miratuar edhe Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Administratës Publike. Rregullorja përcakton strukturën, organizimin dhe funksionimin e brendshëm të Ministrisë së Administratës Publike dhe organeve në mbikëqyrje të kësaj ministrie. Rregullorja fuzionon Departamentin e Reformës se Administratës Publike me Departamentin e Koordinimit të Politikave dhe Integrimit Evropian në një departament.

Me vendimin e miratuar sot në mbledhje, Qeveria e Kosovës ka themeluar Komisionin për hartimin e Projektligjit për financimin e subjekteve politike.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar Koncept-dokumenti për pronësinë dhe të drejtat tjera sendore. Koncept dokumenti ka për qëllim të caktojë qartë të drejtën pronësore, titullarët dhe përmbajtjen e tyre si dhe rregullimin e kësaj të drejtë në pajtim me standardet e Bashkimit Evropian

Ka marr miratimin nga Qeveria edhe Koncept-dokumenti për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore.

Vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit të Qeverisë për themelimin e Këshillit Nacional për siguri dhe shëndetin në punë, është miratuar në mbledhjen e sotme. Vendimi plotëson vendet e zbrazëta nga zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Qeveria ka emëruar Burim Rrecin në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për mandat tre vjeçar.

Me vendimin e miratuar nga Qeveria e Kosovës, ministri i Financave është i autorizuar që të aprovojë transfere nga nënprogrami “Shpenzimet e paparashikuara” në nënprograme tjera për shumat individuale të kërkuara deri në vlerën 40 mijë euro, në ndarjet buxhetore për vitin 2018.

Kryeministri ka informuar kabinetin qeveritar me gjendjen e vështirë në Agjencinë e Arkivave të Kosovës dhe nevojën e një koordinimi ndërinstitucional për tejkalimin e gjendjes në këtë institucion të rëndësishëm të Republikës së Kosovës.

Kryeministri ka kërkuar gjithashtu nga kabineti qeveritar që të shqyrtohet edhe kërkesa për gjetjen e zgjidhjes së kërkesës së klubit të “Prishtinës” për një hapësirë ku mund të ushtrojë veprimtarinë e vet sportive.