63 milionë euro shtesë për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit? Kush e ka fajin?

Raportet e mira ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Bechtel & Enka, e cila ka ndërtuar autostradën që lidhë Kosovën me Shqipërinë ka bërë që kjo kompani të përzgjidhet edhe për ndërtimin e autostradës “Arben Xhaferi” që e lidhë Prishtinën me Shkupin. Ka mundësi që kompania Bechtel & Enka ta fitojë tenderin edhe për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan, e cila është planifikuar të fillojë së ndërtuari në vitin 2018

Por planet Bechtel & Enka-s mund t’ia “prishin” vonesat në pagesat për punët që ka kryer në autostradën e dytët të Kosovës. Në kontratën e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit saktësohet se çdo vonesë për shtyrjen e borxheve ka penallti, e për këtë kompania Bechtel & Enka ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës pagesën në shumë prej 63 milionë euro.

E pagesa e kësaj shumë është e pa kuptimtë për shumë kënd, pasi kjo shifër mund ta rrezikojë buxhetin edhe pse zyrtarët qeveritar e mohojnë një gjë të tillë.

Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi në një intervistë për Telegrafin ka thënë se për vitin 2018-të janë planifikuar të investohen në infrastrukturë rrugore 687 milionë euro.

“Për vitin 2018-të janë planifikuar të ndërtohen autostradat Prishtinë -Hani i Elezit, Prishtinë-Gjilan, si dhe do të përfundojë rruga për Mitrovicë, rruga për Pejë dhe rruga për Podujevë. Pastaj do të përfundojë rruga Skenderaj – Drenas dhe zgjerimi i rrugës Dollcë – Gjakovë këto janë rrugët që do të kryhen. 687 milionë euro më 2018 do të investohen në infrastrukturë”, tha ai.

Por mos pagesa ndaj kompanisë Bechtel & Enka për punët që ka kryer ka bërë që të “dënohet” Qeveria e Kosovës me 63 milionë euro, pasi që një gjë e tillë është edhe në kontratë.

Zëvendësministri Gashi ka thënë se do të diskutojnë me këtë kompani dhe shpresojnë që të arrihet një pajtim për uljen e kësaj shume.

“Shpresoj që Ministria e Infrastrukturës do të ulet dhe do të gjejnë një gjuhë të përbashkët me Bechtel & Enka për zvogëlimin e kësaj shume. Kjo shumë na bënë probleme, por do të shikojmë mundësitë për menaxhimin e shpenzimeve për ta mbuluar këtë dënim. Me buxhetin e vitit 2018-të nuk do të ketë vonesa për pagesa për kryerjen e punës në autostradë sepse janë paraparë të gjitha”, tha ai.

Fatmir Gashi fajin për këtë ngarkesë buxhetore i hedhë ish-ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku.

“Me Bechtel & Enka kemi marrëdhënie të mira, por një mos kujdes i ish-ministrit të Infrastrukturës për mos kryerjen e obligimeve ka bërë të ndodh kjo situatë. 63 milionë janë shumë për Kosovën dhe kjo shumë shpresoj se do të ulet”, tha Gashi.

Por, ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku në qeverinë e Isa Mustafës ka thënë se duhet të jepen sqarime se përse Bechtel&Enka fillimisht ka kërkuar rreth 15 milionë euro, e tash Qeverisë Haradinaj po i kërkon 63 milionë euro.

“Kjo çështje nuk ka lidhje as me mua, e as me Ministrinë e Infrastrukturës sepse buxheti përcaktohet nga Qeveria dhe aprovohet nga Kuvendi. Ministria e Infrastrukturës vetëm ka mbikëqyrë aspektin operacional të punëve, gjegjësisht harxhimin e mjeteve të ndara me ligj, kurse në aspektin politik është përcjellë nga ana e Komisionit ndërministror. Vendimi i Komisionit ndërministror për shumën e cekur është përcjellë në Qeveri me gjithë materialin përkatës. Qeveria aktuale duhet ta sqarojë pse këtyre Bechtel & Enka po iu kërkon 63 milionë euro, kurse nga Qeveria e kaluar kanë kërkuar 14,78 milionë euro”, ka thënë Zharku për Telegrafin.

Më 8 dhjetor ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj në seancën e Kuvendit të Kosovës ka konfirmuar se për shkak të vonesave në kryerjen e pagesave kostoja e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit do të rritet për 63 milionë euro.

“Kompania Bechtel&Enka si punëkryerëse dhe Qeveria si punëdhënëse kanë nënshkruar kontratën për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit në një vlerë prej 599 milionë e 944 mijë e 263 euro. Pas 1 shtatorit të vitit 2015 ky çmim është rritur në 608 milionë e 348 mijë e 630 euro për shkak të ndryshimit të TVSH-së nga 16 në 18 për qind”, ka treguar ai.

Por zgjatja e kohës së përfundimit dhe e vonesës së pagesave ka bërë që shuma për pagesës të rritet edhe më shumë.

“Në vitin 2014 është dashur të paguhen 70 milionë euro, kurse janë paguar vetëm 55 milionë euro. Në vitin 2015 është dashur të paguhen 220 milionë euro, janë paguar 112 milionë euro, në fillim të vitit janë alokuar vetëm 90 milionë euro. Në vitin 2016 është dashur të paguhen 205 milionë euro, janë paguar 155 milionë e 978 mijë euro. Në fillim të vitit janë alokuar vetëm 108 milionë euro. Këto vonesa kanë shkaktuar vonesa në përmbushjen e detyrimeve të debitorit në këtë rast Bechtel&Enka, me fajin e kreditorit Qeverisë së Kosovës ”, pati thënë Lekaj.

Ai ka treguar se Bechtel& Enka ka kërkuar që për këto arsye qeveria do të duhet të paguaj 63 milionë euro më shumë se sa kostoja fillestare.

“Kërkesa e punëkryerësit, e drejta për përshtatje të drejtë të çmimit kontraktues për shkak të zgjatjes së projektit, klauzola 16 e kontratës, ndërprerja dhe zgjidhja e kontratës nga kontraktori. Dëmi i shkaktuar nga shpenzimet e rrjedhshme nga zgjatja e afatit për përfundimin e punimeve, (klauzola 16, a dhe b) e kontratës indirekte. Personali menaxhues për administrimin e projektit ka kushtuar 16.6 milionë euro, pajisjet bazuar në përdorueshmërinë e tyre 30.8 milionë euro. Ndërprerjet, shpenzimet e krijuara për shkak të humbjes së produktivitetit për vitin 2014, 2015 dhe 2016 për shkak të zgjatjes se afatit të përfundimit ka kushtuar 10 milionë euro. Totali që është saktë 63 milionë euro”, tha Lekaj, shkruan Telegrafi.

Zëdhënësja e kompanisë Bechtel &Enka, Ela Ruçi ka konfirmuar për Telegrafin se kanë kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës pagesën e 63 milionë euro shtesë për shkak të vonesave.

Ajo thotë se si kompani shpresojnë që të gjejnë gjuhë të përbashkët.

“Ne e kemi informuar Ministrinë e Infrastrukturës që kostoja për vonesat dhe ndryshimet në planifikimin dhe ekzekutimin e projektit në 2.5 vitet e kaluara është rreth 63 milionë euro. Ne do punojmë me Ministrinë e Infrastrukturës, si gjithnjë, për të arritur një marrëveshje”, ka thënë Ruçi për Telegrafin.

Por po më 8 dhjetor në seancën e njëjtë të Kuvendit të Kosovës ka reaguar deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili kishte thënë se janë të tepruara kërkesat e kompanisë.

“Fakti që Bechtel&Enka i kërkon 63 milionë euro nuk do të thotë që me automatizëm duhet pranuar si kërkesa legjitime të tyre sepse po me duket e tepruar që Bechtel&Enka t’i kërkoj Kosovës 30 milionë pse i kanë qëndruar kamionët në Kosovë, po me duket e tepruar që t’i kërkoj 16 milionë të tjera për rrogat e stafit të tyre për shkak të vonesave 11 milionë euro”, kishte thënë Abdixhiku./Telegrafi/

Mungesa e bordit mund ta falimentojë Trepçën

Qeveria e Kosovës ende nuk ka përfunduar procedurat për zgjedhjen e bordit mbikëqyrës të kompleksit metalurgjik Trepça, që do të mundësonte zbatimin e Ligjit për Trepçën i cili ka hyrë në fuqi një vit më parë

Bordi mbikëqyrës i Trepçës, sipas këtij ligji ishte dashur të themelohet brenda gjashtë muajve nga miratimi në Kuvendin e Kosovës, por që, siç thonë përfaqësues të këtij kombinati, kjo çështje është neglizhuar nga institucionet.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në tetor të këtij viti kishte kërkuar nga ministritë kompetente që të përfshihen në veprime të shpejta dhe konkrete rreth zbatimit të Ligjit për Trepçën.

Haki Shatri këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj thotë për Radion Evropa e Lirë se pret që procedurat rreth zgjedhjes së bordit mbikëqyrës të Trepçës të përmbyllen brenda një muaji.

“Qysh në fillim të mandatit të Qeverisë Haradinaj, një prej problemeve kyçe që ka kërkuar zgjidhje të shpejtë ka qenë edhe funksionalizimi i Trepçës në bazë të ligjit të miratuar. Qeveria ka shpallur konkursin për formimin e bordit të Trepçës. Afati për konkurrim është mbyllur dhe tani është formuar komisioni për vlerësimin e kandidatëve që pastaj të procedohet më tutje”.

“Pa u zgjedhur bordi i ri nuk mund të fillojnë procedurat për t’u regjistruar Trepça si ndërmarrje publike në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Të gjitha procedurat, si vlerësimi i kandidatëve dhe deri të votimi në Kuvend, mund të marrin kohë prej tani një muaj”, thotë Shatri.

Zvarritjet që i janë bërë zbatimit të Ligjit për Trepçën, nga përfaqësues të këtij kombinati po konsiderohet se kanë sjell humbje të mëdha, si dhe nuk është arritur të fillohet me politikat zhvillimore të kësaj ndërmarrjeje.

Shyqyri Sadiku, kryetar i sindikatës së Trepçës në një prononcim për Radion Evropa e Lirë flet për një gjendje jo të mirë në kombinatit Trepça. Ai thotë se prodhimi ka rënë në nivel shumë të ulët.

“Gjendja aktuale në Trepçë nuk është aspak e mirë dhe kjo për shumë arsye: si mos formimi i bordit mbikëqyrës, keqmenaxhimi, keqpërdorimet dhe mosdisiplina në punë. Vetëm në nëntë mujorin e parë të këtij viti kemi prodhim më pak për 30 për qind krahasuar më vitin paraprak. Nëse vazhdohet me vonesa në përzgjedhjen e bordit mbikëqyrës, Trepça do të shkojë drejt falimentimit”, thotë Sadiku.

Ai shton se për rënien e prodhimit në kombinatit Trepça janë të njoftuara të gjitha institucionet kompetente, por që nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret për daljen nga kjo situatë.

Sipas të dhënave zyrtare nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit. Kurse sot, nga aty nxirren 150 mijë tonë xehe.

Mosfunksionalizimi i Ligjit për Trepçën edhe sipas drejtorit të këtij kombinati Ahmet Tmava, përveç rënies së prodhimit ka sjell vështirësi të mëdha edhe të funksionimit si ndërmarrje.

“Trepça është në fazën e mbijetesës me probleme të mëdha, por po shpresojmë që gjërat të lëvizin. Problemet shëndetësore të punëtorëve, mosha e shtyrë si dhe mungesa e investimeve po sjell probleme. Për momentin statusi i Trepçës është i paqartë”, thotë Tmava.

Kombinati Trepça, llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Por, në vitet e fundit kaloi në fazën e mbijetesës dhe nga mbi 20 mijë punëtorë sa kishte në të kaluarën, Trepça numëron aktualisht rreth 1,400 punëtorë.

Rreth 1000 veta do të punësohen në drejtësi dhe shëndetësi

Qeveria e Republikës së Kosovës, për vitin 2018 ka planifikuar rritjen e pagave për shërbyesit publik në raport me rritjen e ekonomike, po ashtu ka planifikuar punësimin e një numri të personave në sektorin publik

Zëvendësministri i ministrisë së Financave, Fatmir Gashi në një intervistë për telegrafin ka thënë se gjatë vitit 2018 janë planifikuar të punësohen rreth 1000 veta.

Sipas tij, punësimet më të mëdha do të jenë në sektorin e drejtësisë dhe atë të shëndetësisë.

“Në sistemin e drejtësisë ku hyn Policia e Kosovës, AKI-ja, Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor ku do të punësohen 690 veta. Rëndësi i kemi dhënë edhe sistemi të shëndetësisë ku do të punësohen 300 veta. Prej tyre 200 do të jenë specialistë dhe 100 infermierë”, ka bërë ët ditur zëvendësministri i Financave Fatmir Gashi.

Ai tha se kanë planifikuar edhe rritjen e shpenzimeve për ngritjen e cilësisë në arsim. /Telegrafi/

Bizneset humbin miliona euro nga mosliberalizimi i vizave

Sylejman Konushevci është i detyruar të punësojë shoferë nga vendet tjera, pasi ata nga Kosova nuk mund të udhëtojnë pa viza

Kompania e Konushevcit, Inter Company, merret me prodhimin e vajit ushqimor Flori dhe Bilur. Ai tregon se për shkak të kushteve jo të favorshme të të bërit biznes në tregun kosovar është obliguar të shpërngulë një degë të kompanisë edhe në Bullgari.

Pamundësia për të lëvizur pa viza në vendet e BE-së e ka detyruar atë që të largojë nga puna qytetarë nga Kosova dhe të punësojë qytetarë nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe nga rajoni.

“Të gjithë shoferët që kemi për transport ndërkombëtar i kemi nga shteti i Maqedonisë dhe Bullgarisë, kurse maunet i kemi të regjistruara në Kosovë. Pra, për shkak të mungesës se liberalizimit detyrohemi të punësojmë qytetarë nga vende të ndryshme, që kanë mundësi të lëvizin pa viza”, thotë Konushevci.

Sipas afaristëve kosovarë, pamundësia për të qarkulluar pa viza në vendet e Bashkimit Evropian po ndikon në pamundësinë e krijimit të lidhjeve të reja më partnerët e mundshëm që mund të kenë marrëdhënie tregtare.

Edhe kompania tjetër Frutex nga Suhareka, një ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike në Kosovë, është duke eksportuar në vende të ndryshme të Evropës dhe botës.

Pronari i saj, Shaqir Palushi, tregon për Radion Evropa e Lirë se stafi i kompanisë, jo gjithmonë apo në kohën e duhur mund të pajisen me viza për të udhëtuar në shtete ku ka ndonjë panair apo takim me përfaqësues të kompanive që eksportojnë produkte.

Shaqiri thotë se kjo ndikon në moskrijimin e partnerëve të rinj apo edhe humbjen e partnerëve aktualë.

“Në shumë raste ndodh që ose refuzohen vizat ose ka ndodhur që vizat janë lëshuar për një periudhë pesë ditore. Po ashtu, edhe pritjet nëpër ambasada zgjasin shumë, por edhe e rrisin koston e shpenzimeve sepse çdo aplikim për vizë e ka edhe një kosto”, thotë shprehet Palushi.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërkaq thonë se mbi 50 milionë euro në vit humbin bizneset nga mosliberalizimi i vizave.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, për Radion Evropa e Lirë shprehet se në pamundësi të lëvizjes se lirë, prodhuesit nga Kosova nuk po arrijnë të zgjerojnë veprimtarinë e tyre afariste në tregun evropian.

Sipas tij, ata po ashtu nuk kanë mundësi për promovimin e produkteve “Made in Kosova” në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Bizneset e Kosovës kanë humbje të mëdha edhe pse nuk mund të qarkullojnë vet lirshëm në Evropë, por edhe pse mallrat e tyre janë shumë të kufizuara të qarkullojnë në Evropë. Mosliberalizimi i vizave ndikon në bizneset e Kosovës që në vit të humbnin mbi 50 milionë euro”, thotë Shahini.

Ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe rezultatet konkrete në luftimin e korrupsionit janë kushtet e fundit që Bashkimi Evropian i ka vënë Kosovës për liberalizimin e vizave.

Gashi: Buxheti për vitin 2018, krijon stabilitet financiar

Zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Fatmir Gashi në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Lulzim Ahmeti ka thënë se buxheti i Kosovës në shumën prej 2 miliardë e 82 milionë euro, krijon stabilitet financiar për vendin

Sipas tij, ky buxhet është hartuar në pajtueshmëri të plotë me Fondin Monetar Ndërkombëtarë (FMN).
“Buxheti i cili ka kaluar në leximin e parë e kemi në harmoni me FMN dhe nuk ka vërejte. Gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2018, kemi pasur kërkesa për financime në vlerë prej 5 miliardë euro nga institucionet dhe organizatat buxhetore, por ne kemi mundësi buxhetore të bëjmë financime vetëm në shumë prej 2 miliardë e 82 milionë. Ky buxhet siguron rritje ekonomike 4.6 për qind në vitin 2018. Nuk do të ketë lëvizje të TVSH-së. Politika fiskale është instrumenti i vetëm për stimulimin dhe zhvillimin e ekonomisë”, tha ai.

Gashi ka folur edhe për pagesën e veteranëve të UÇK-së dhe kategorive të tjera të dala nga lufta si dhe ka treguar se për herë të parë do të përkrahen financiarisht viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Për kategoritë e dala nga lufta dhe skemat sociale, janë të siguruara mjetet për vitin 2018, i cili do jetë vit i stabilitetit ekonomik. Kemi edhe skema të reja siç është ajo e grave të dhunuara gjatë luftës, ku pagesa mujore për to, do të jetë 230 euro. Buxheti për ketë kategori është 1 milion euro”, ka thënë zëvendësministri Gashi.

Ndërsa, sa i përket hartimit të ligjit për pensionimin e parakohshëm të Policisë së Kosovës ai tha se mbetet ende vetëm një iniciativë pasi për këtë nuk është pajtuar as FMN-ja.

Zëvendësministri i Financave Fatmir Gashi ka thënë rritja e pagave për shërbyesit civilë do të jetë në masën prej 4 për qind në raport me rritjen ekonomike. Në këtë intervistë për Telegrafin ai, ka thënë se me buxhetin për vitin 2018 ka buxhet të mjaftueshëm për financimin e projekteve infrastrukturore. /Telegrafi/

Paralajmërohet shtrenjtimi i rrymës për shkak të mospagesës në Veri

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka paralajmëruar rrezikun e rritjes në masë të madhe të çmimit të energjisë, nëse institucionet nuk gjejnë një zgjidhje se si të mbulohen kostot e furnizimit me energji të veriut pas ndërprerjes së pagesës nga pjesa tjetër e vendit

“Më 30 tetor ka ardhur vendimi i Gjykatës së Apelit. E kemi informuar edhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik me pasojat që mund të kemi me këtë vendim. Ne kemi kundërshtuar këtë vendim në gjykatë. Ndalja e rrymës atje është problem i madh pastaj. Kemi marrë reagime nga KOSST-i dhe KEDS-i. Ulja e prodhimit në KEK ka sjellë probleme edhe më të mëdha.

Tash KEDS është i detyruar të importojë me çmim të dyfishtë dhe po sjell probleme për këtë sektor. Kjo do të na sjellë rritje bukur të lartë të tarifave për shkak të këtij vendimi. Andaj kërkoj nga Kuvendi, Qeveria që të ndërmarrin hapa”, ka thënë Arsim Janova, anëtar i Bordit të ZRRE-së, raporton KTV.

Ekonomia globale shënon rritjen më të madhe nga viti 2011

Ekonomia botërore është rritur këtë vit për 3 përqind, që është norma më e lartë qysh në vitin 2011, vlerësuan Kombet e Bashkuara

Në raportin vjetor për rritjen globale, OKB tha se rritja e përgjithshme ekonomike ka vazhduar të nxitet nga Kina dhe vendet e tjera aziatike, porse përmirësimi i vazhdueshëm në Rusi, Brazil, Argjentinë dhe vende të tjera në zhvillim ka ndikuar po ashtu pozitivisht.

Liu Zhenim, nënsekretar i OKB-së për çështje ekonomike dhe sociale, tha se rritja “është shenjë mirëseardhjeje për një ekonomi më të shëndetshme”.

Por, ai po ashtu paralajmëroi se rritja mund të vijë me një kosto mjedisore, “sidomos në rritjen e emetimeve të gazrave serrë”.

Përkundër përmirësimit të perspektivës afatshkurtër, ekonomia globale vazhdon të përballet me sfida afatgjata, përfshirë ndryshimet e politikës tregtare dhe tensionet në rritje gjeopolitike, thuhet në raport.

Franca ndan 66 milionë euro për prodhim të rrymës nga ujërat e zeza

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar ambasadorin e Francës, Didier Chabert, për të diskutuar aspekte të ndryshme të marrëdhënieve bilaterale mes Francës dhe Kosovës, në veçanti perspektivat e bashkëpunimit teknik dhe ekonomik

Përmes një komunikate për media, Ambasada e Francës në Kosovës, ka thënë se ky vend, që është lider botëror në sektorin e trajtimit të ujërave, i ka vënë në dispozicion të Kosovës 66 milionë euro për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza dhe kogjenerimin e energjisë përmes llumit, në Prishtinë dhe katër komuna tjera.

“Kjo marrëveshje midis dy shteteve është ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës dhe të dy qeveritë kanë vendosur, me marrëveshje të përbashkët, për të themeluar një Komitet Drejtues për të siguruar zbatimin dhe menaxhimin e saj duke marrë parasysh shtrirjen e saj kombëtare dhe natyrën e saj specifike”, thuhet në komunikatën e Ambasadës së Francës, raporton Koha.net.

Kryeministri dhe ambasadori i Francës u pajtuan të mbajnë një mbledhje të këtij komiteti në ditët në vijim, për të caktuar etapat konkrete të këtij projekti.

Në fakt, ky impiant i trajtimit të ujërave dhe mbeturinave do të mundësojë pastrimin e pellgut të lumit Sitnica, dhe do të ketë një ndikim të rëndësishëm në shëndetin e popullatës, qasje në ujë dhe ambient dhe do të kontribuojë, përmes djegies së llumit, për të siguruar një prodhim shtesë të energjisë elektrike në vend. Ky projekt do të mundësojë gjithashtu transferimin e njohurive dhe teknologjisë në favor të Kosovës.

Termocentrali “Kosova e Re” finalizohet brenda javës

Brenda javësh, Qeveria e Kosovës pritet të nënshkruajë kontratën me kompaninë amerikane “ContourGlobal” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, një ndër projektet më të mëdha në vend. Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka i tha Radios Evropa e Lirë se gjatë kësaj jave pritet të përmbyllen të gjitha proceset rreth projektit të termocentralit “Kosova e Re”

“Ekzekutivi i kompanisë Contour Global do të jetë në Kosovë gjatë kësaj jave për të diskutuar kontratën finale. Në ditët në vijim do të ketë negociata intensive mes kompanisë amerikane dhe Qeverisë së Kosovës. Nëse gjithçka shkon sipas planit dhe qëllimeve që dëshirojmë t’i arrijmë si Qeveri karshi investimeve, besoj që nënshkrimi i kontratës është çështje javësh”, thotë Lluka.

Gjatë kësaj jave, po ashtu ka bërë të ditur Lluka, në Kosovë do të qëndrojë në vizitë edhe një delegacion i Bankës Botërore të cilat do t’i shikojnë disa detaje teknike, në mënyrë që siç thotë Lluka, projekti i termocentralit “Kosova e Re”, të marrë edhe përkrahjen e Bankës Botërore.

Përgatitjet për ndërtimin e termocentralit të ri me një kapacitet gjenerues fillimisht prej 2,100 megavatësh patën filluar që nga viti 2005. Por, pas ndryshimeve që janë bërë ndër vite, ky termocentral pritet që të ndërtohet me kapacitet gjenerues prej rreth 500 megavatësh.

Në vitin 2015, në mesin e disa kompanive konkurruese autoritetet në Kosovë e kishin përzgjedhur ofertuesin Contour Global, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si kompaninë fituese për ndërtimin e këtij termocentrali.

Termocentrali “Kosova e Re” është paraparë të ndërtohet afër termocentralit aktual “Kosova B” në Obiliq. Derisa, vlera financiare e këtij projekti, pritet të arrijë në rreth një miliard euro.

Disa përfaqësues të shoqërisë civile vazhdojnë ta kundërshtojnë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, duke e quajtur atë si një projekt jotransparent dhe të dëmshëm për mjedisin dhe për qytetarët.

Kushtrim Puka nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë për Energji (KOSID), thotë për Radion Evropa e Lirë se ky projekt përveç që është stërzgjatur është përcjell edhe me parregullsi.

“Ne mendojmë që ky proces është i ngutshëm, nuk është transparent sa i përket edhe procesit të tenderimit dhe ende ne si shoqëri civile dhe qytetarë nuk e dimë se për çfarë po negociohet. Nuk kemi të dhëna të sakta as për teknologjinë e cila do të përdoret. Në anën tjetër, numri i vendeve të lira të punës, investimet dhe kostot që do të përballemi si shtet nuk janë bërë të ditur me kohë”, thotë Puka.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonelata linjit dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi. Thëngjilli që digjet në termocentralin “Kosova A” dhe “Kosova B” shërben si burim kryesor për prodhimin e energjisë elektrike për tërë vendin.

Por, njëkohësisht këto termocentrale konsiderohen si ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në Kosovë.

Duke u nisur nga kjo, Puka thotë se Kosova ka edhe mundësi tjera për prodhim të rrymës dhe mos të jetë e varur nga prodhimi i energjisë elektrike nga thëngjilli.

“Problemet me ajrin në Kosovë janë evidente dhe kjo po ndikon në shëndetin publik. Ne nuk kemi nevojë të vazhdojmë të jemi të varur nga termocentralet, derisa Kosova ka mundur të ndjek një strategji më të gjelbër dhe më të qëndrueshme në aspektin e energjisë, duke shqyrtuar potencialet e burimeve të energjisë së ripërtërishme, ku Kosova ka mjaft potencial”, thotë Puka.

Me ndërtimin e termocentralit të ri, autoritet në Kosovës kanë thënë se Kosova do të bënte një zgjidhje afatgjate dhe me të qëndrueshme me energji elektrike.

Haradinaj: Do të jemi të përgjegjshëm në menaxhimin e parasë publike dhe donacioneve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë, të organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian në të cilin është diskutuar Raporti vjetor mbi aktivitetet e donatorëve në Kosovë gjatë vitit 2016

Kryeministri Haradinaj shprehu falënderimin për kontributin, përkrahjen, ndihmën dhe donacionet e dobishme që kanë dhënë, qeveritë dhe donatorët e ndryshëm të vendeve mike të Kosovës.

“Këto ndihma për Kosovën dhe popullin e saj, kanë ardhur në kohëra të vështira dhe për këtë arsye janë të rëndësishme dhe të veçanta”, tha ai.

“Fal një përkrahje gjeneroze që ka ardhur në vazhdimësi, nga viti në vit, Kosova nuk është ndjerë e lënë vetëm”, shtoi Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se fal punës së përbashkët me Unionin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe vendeve tjera mike, donacionet kanë qenë gjeneroze dhe vazhdojnë të jenë.

“Kosova sot qëndron më mirë, dhe për këtë kemi marrë obligime që të ndërtojmë një shoqëri të avancuar, demokratike që respekton të gjithë qytetarët e vendit dhe e përgjegjshme në menaxhimin e parasë publike dhe të donacioneve”, tha Haradinaj.

Duke folur rreth bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës do të jetë partnere e mirëfilltë dhe do ta rris përgjegjësinë e vet në menaxhimin e parasë publike dhe të donacioneve në Kosovë, me theks të veçantë në luftimin e korrupsionit.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, falënderoi donatorët për kontributin e vazhdueshëm të tyre në zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Ministrja Hoxha, para të pranishmëve paraqiti Raportin vjetor të donacioneve për vitin 2016, duke theksuar se vetëm gjatë vitit 2016 asistenca financiare ka qenë 164 milionë euro, derisa donatorët kryesorë kanë mbetur të pandryshuar, SHBA, BE-ja, Zvicra, Gjermania, etj.