Edhe sektori privat kërkon ngritjen e pagës minimale

Ministria e Financave dhe odat ekonomike kanë kundërshtuar rritjen e pagës minimale në 250 euro, të propozuar nga Këshilli Ekonomiko Social

Por, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi tha se punëtorët e sektorit privat në Kosovë punojnë në kushte të rënda.

“Të gjitha parametrat dhe indikatorët kanë votuar për këtë në Këshillin Ekonomiko Social. Aty kanë votuar të gjitha edhe odat ekonomike”, tha ai për RTK-në.

Ai pret që vendimi i KES-it të respektohet nga ana e qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, sot ka mungesë të punëtorëve të punës. “Kanë ikur vitet e fundit mijëra punëtorë. Kjo pagë prej 250 eurove është rritje simbolike”, tha ai.

Sipas tij, nëse vazhdon trendi i ikjes së punëtorëve për Gjermani atëherë edhe 500 euro me bë pagën minimale nuk do të ketë punëtorë.

TAP në Shqipëri: Punimet mbyllen në fundvit

Gazsjellësi TAP do të përfundojë punimet deri në fund të 2018-ës në territorin shqiptar dhe deri më tani është hapur 75% e gjurmës ku do të kalojë

75 për qind e gjurmës ku do të kalojë gazsjellësi transadriatik në Shqipëri është hapur. Nga 215 kilometra që është pjesa shqiptare pastrimi i kalimit është bërë për 167 kilometra, ndërkohë që kompania franceze e kontraktuar për shtrimin e tubave ka bërë saldimin në 155 kilometra.

Për 60 kilometra është bërë testimi hidrik. I gjithë gazsjellësi pritet të përfundojë në Shqipëri në 2018, ndërsa puna do të përqendrohet tek stacionet e pompimit, njëri në pikën hyrëse në Bilisht dhe tjetri në pikën dalëse në Seman të Fierit, aty ku më pas gazsjellësi do të futet në det.

Përveç rënies në investimet e huaja direkte për 2019-ën, përfundimi i punimeve për gazsjellësin TAP pritet të jape ndikim edhe në punësim.

Janë rreth 2 mijë shqiptarë që janë të punësuar direkt në këtë projekt në pjesë të ndryshme të tij që nga ndërtimi i rrugëve, transporti, shtrimi i tubacioneve, etj dhe impakti social do të jetë i fortë me mbylljen e punimeve.

Një pjesë e vogël personeli do vazhdojë të jetë e angazhuar në stacionet e pompimit, pjesën e sigurisë dhe atë të mirëmbajtjes. Ndërtimi i gazsjellësit transadriatik ka ofruar punë edhe për biznesin shqiptar.

Janë mbi 35 kompani shqiptare që ofrojnë mallra dhe shërbime, dhe me mbylljen e investimit kontratat për pjesën më të madhe të tyre do të përfundojnë.

Top Channel

Mbi 350 mijë euro nga blerjet online

Mbi 350 mijë euro janë grumbulluar në vitin e kaluar nga pagesa e taksave të obliguara për dërgesat që qytetarët e Kosovës kanë porositur online në shtete të ndryshme të Evropës dhe botës, thonë zyrtarë të Doganës së Kosovës

Me gjithë këtë vlerë, trendi i blerjeve online nga interneti nga qytetarët e Kosovës, thuhet të ketë shënuar rënie në krahasim me dy vitet e fundit. Nga rreth 250 mijë dërgesa me postë në vitin 2016, vitin e kaluar në Kosovë kanë arritur mbi 230 mijë dërgesa, bëjnë të ditur zyrtarë të Postës së Kosovës.

Produktet që më së shumti blihen online në shtete të ndryshme të botës, janë veshmbathje dhe teknikë, tregon për Radion Evropa e Lirë, Rifat Alaj, menaxher i Qendrës Transite Postare në Postën e Kosovës.

“Në periudhën janar – dhjetor 2016 vëllimi fizik ishte 249 mijë copë dërgesa online, pra ishte më i madh për 34 mijë ose 14 për qind se sa në vitin 2015.Kurse, gjatë vitit 2017 ishte 234 mijë copë,pra është më pak se 14 mijë ose shprehur në përqindje, 6 për qind më pak se në vitin 2016”, thotë Alaj duke shtuar se arsye e rënies së transportit me postë duket të jetë limiti i ulët i zhdoganimit të dërgesave.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se për secilën dërgesë të blerë përmes internetit e që arrin vlerën mbi 22 euro, pranuesi obligohet të paguajë rreth 30 për qind të çmimit të produktit.

Megjithatë, ai tregon se vitin e kaluar janë mbledhur më shumë se 350 mijë euro të hyra nga dërgesat e ndryshme që janë zhdoganuar në zyrat postare.

“Dogana merret vetëm me ato dërgesa që tejkalojnë limitin prej 22 eurosh. Këtu ka qenë një numër shumë i madh që kalon mbi 100 mijë copë. Pasi të kalohet kjo shumë janë dy taksa që paguhet; është taksa doganore prej 10 për qind dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar 18 për qind, të dyja bashkë janë rreth 30 për qind të vlerës së produktit”, shpjegon Stavileci.

Ndryshe, Rifat Alaj nga Posta e Kosovës thotë se 90 për qind e dërgesave online arrijnë përmes rrugëve ajrore, fillimisht ndalen në Shqipëri e pastaj arrijnë në Kosovë.

Kjo për faktin se shumica e produkteve të porositura vijnë nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Kina, Hong Kongu, Singapori këto shtete nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe për shkak të kësaj Kosova nuk figuron si shtet në tabelat e tyre dhe porositë vijnë përmes postës shqiptare. Kur qytetari porosit në këto shtete, për veç adresës së saktë në Kosovë duhet patjetër të shkruajë shteti Albania, pasi dërgesat kalojnë përmes shteti shqiptar”, sqaron Alaj.

Dyqanet virtuale nga shtete të ndryshme të botës tashmë njihen edhe nga shumë qytetarë të Kosovës. Ata thonë se blerja nëpërmjet internetit dhe arritja e dërgesës përmes shërbimit postar në adresë të shtëpisë, kursen kohën dhe paranë, pasi mund të blesh artikuj më lirë se sa në tregun vendor. Femrat janë ato që më së shumti e përdorin këtë shërbim. E pasionuar me blerjet on-line është Blerina Azemi nga Prishtina.

Ajo thotë se disa herë ka blerë online, por vendosja e taksës për çdo blerje mbi 22 euro, e ka detyruar në disa raste që të mos e blejë produktin që i pëlqen, por ndonjë që është nën vlerën e tatueshme. Mirëpo, ka raste kur edhe është dëshpëruar nga dërgesa e pranuar.

“Unë blej shumë online, sepse mund të siguroj produkte me çmime më të lira se sa në tregun e Kosovës, pastaj nuk humb fare kohë. Por, blerja online ka edhe mangësitë e veta – ka raste kur produkti në foto duket më i mirë se sa kur arrin”, thotë Blerina Azemi.

Edhe në Kosovë disa kompani private po aplikojnë shërbimin online të produkteve të ndryshme, mallra këto kryesisht të importuara nga vende të ndryshme të botës. Por, dërgesat nga këto kompani te personi që i ka porositur mund të arrijnë brenda ditës apo javës.

CES 2018: Çfarë do të sjellë panairi teknologjik më i madh në botë

Panairi teknologjik më i madh në botë, CES do të hapë dyert e tij nga data 9 janar deri në 12 janar në Las Vegas. Në datat 7 dhe 8 do të ketë konferenca për shtyp. Ky takim ka 50 vite që zhvillohet dhe tërheq inovatorët, liderët dhe sipërmarrjet e të gjithë botës. Është vendi ku markat e mëdhaja prezantojnë produktet dhe njoftojnë tendencat që do të shihen gjatë gjithë vitit. Vitin e kaluar morën pjesë 4 mijë kompani dhe kishte 184 mijë asistentë. Po ju prezantojmë disa nga risitë që priten në këtë panair

Përsëri realiteti virtual do të jetë prezent në këtë panair. Edhe pse nuk është një teknologji plotësisht e re, ende nuk është eksploruar plotësisht. Do të ketë disa sektorë dhe do të mbërrijnë nga duart e Google-it dhe nga Lenovo. Pritet që kompanitë e mëdha të sjellin syzet me VR dhe me propozime gjithnjë e më përfshirëse. Realiteti virtual mund të përdoret për qëllime edukative, për të trajtuar fobi si edhe për të dekoruar ambjente.

Do të ketë një sallon të tërë kushtuar makinave. Autonomia dhe connection (lidhja) do të jenë yjet e kësaj hapsire, ku markat si Toyota, Kia, Honda, Hyundai, Nissan, Renault dhe Ford e shumë të tjera do të sjellin risitë e tyre. Nvidia dhe Qualcomm mund të befasojnë me risitë e tyre për makinat e së ardhmes. CEO i Fordit, Jim Hackett, do të mbajë një bisedë në 9 janar dhe pritet që të parashtrojë disa të reja interesante. Duke patur parasysh marrëveshjen e Aurorës me Volkswagen dhe Hyundai-n për të krijuar një sistem të qarkullimit autonom ka të ngjarë që kjo risi të jetë prezentë në CES. Nga ana tjetër kompania kineze Byton do të shpërfaqë mjetin e saj të parë në prodhim, një SUV elektrik dhe autonom. Vitin e kaluar Faraday Future u prezantua në Las Vegas me prezantimin e FF91 edhe pse nuk pati suksesin e pritur.

Samsungu do të prezantojë një monitor të lakuar CJ791 që ka një panel teknologjie QLED, një raport 21:9 dhe rezolucion 3.440 x 1.440 píxel. Gjithashtu ka porta Thunderbolt 3 që lejojnë transferime deri në 40Gbps. Besohet se koreano-jugorja mund të sjellë disa prototipe me microLED, një sistem panelesh që e ka prezantuar në një ekran kinemaje, por që tani mund të transferohet në televizorët tradicionalë. Kjo teknologji lejon të kihen ngjyra më të ndritshme, të zeza të pastra dhe një definicion më i madh. Është hapi tjetër cilësor që pritet, kur flitet për të konkuruar me OLED dhe LCD. Kompania gjithashtu do të prezantojë një saoundbar NW700 Sound+ me fshirje të zhurmave.

Gjithashtu përfshin autoparlantë me një shtrirje të gjerë të tingullit. LG Display do të sjellë një televizor OLED 8K me një ekran 88 polësh dhe me një rezolucion7680 x 4320 që do të thotë 16 herë me më shumë pixel se ajo e 1080p. LG do të prezantojë modele të përmirësuara të linjës së monitorëve me teknologjinë Nano IPS. Sipërmarrje të tjera si Sony, Panasonic, TCL dhe Sharp do të sjellin risi për të konkuruar në këtë linjë. Priten ekipe me HDR dhe Dolby Vision ashtu sikurse edhe ekrane shumë të hollë.

Lenovo do të prezantojë kompjuterat e rinj mes të cilëve do të shquhen ThinkPad X280, ThinkPad X380 Yoga, ThinkPad T480, ThinkPad L380 Yoga dhe ThinkPad L580. Ka të ngjarë që Google të tregojë modelet e reja të Chromebooks, gjithashtu do të ketë të reja nga Dell, Acer, Asus dhe HP. Priten risi edhe nga Razer që vitin e kaluar befasoi me Project Valerie një notebook gamer me tri ekrane.

Kompania tajvaneze ITRI njoftoi se do të sjellë në CES një robot që do të luajë scrabble (lojë me fjalë) me pjesëmarrësit dhe do të mundë të shërbejë kafe. Ky android inteligjent ka një sistem viziv inteligjent që i lejon të interpretojë atë çka sheh përreth tij dhe të mësojë duke nisur nga kjo përvojë. Dihet që LG do të prezantojë tre robotë, njëri nga ata do të jetë projektuar për të shërbyer pije dhe ushqime në aeroporte, tjetri për të kryer check in-nin dhe check out në hotele dhe i treti do të këshillojë klientët në supermarkatë.

Besohet se Sony do të sjellë tre modele të reja në CES. Flitet që Samsungu do të zbulojë telefonin e tij të palosshëm Galaxy X dhe Galaxy S9, por nuk ka ende një njoftim zyrtar. Ajo që dihet është se do të prezantojë procesorin Exynos 9810, zemra e modeleve të tij. Ky chip është i ndërtuar mbi arkitekturën FinFET me 10 nanometra të gjeneratës së dytë.

Në panairin e IFA-s në Barcelonë, në shtator u hodhën disa folës inteligjentë dhe ka të ngjarë që kjo të ndodhë edhe këtu. Google assistant do të jetë present në lloje të ndryshme folësish, (LG-ja do të nxjerrë dy modele me këtë ndihmës virtual), por edhe në elektroshtëpiake. Pritet çfarë do të sjellë Bixby i Samsungut. / Burimi: TechReview – Bota.al

Shteti fiton 127 milionë euro nga ndryshimi i ligjit për AKP-në

Buxheti i Kosovës parashihet të përfitojë një shumë të mirë të parave përmes plotësim-ndryshimit të ligjit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit

Fjala është për 127 milionë euro që u përkasin fondeve të përkohshme dhe atyre tepricë të kësaj agjencie, raporton KTV. Zyrtarë të saj, i kanë thënë KTV-së se ndryshimi i ligjit do të ketë tri komponentë.

Madje sponsorizuesit e këtij ligji po mendojnë të ndërmarrin masa për të bërë ndryshime edhe për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Megjithëse ende nuk dihet se çka do të ndodhë me misionin e EULEX-it pas qershorit, ndryshimet po i mirëpresin zyrtarët e Dhomës së Posaçme.

Ata i kanë dërguar sugjerimet e tyre, mes të cilave është edhe dyfishimi i numrit të gjykatësve në mënyrë që numri i lëndëve të zgjidhet më shpejtë.

Në këtë organ sikur në shumë gjykata të tjera, numri i lëndëve është i madh. Nga mbi 21 mijë lëndë mbi 19 mijë janë në shkallën e parë kurse mbi 1 mijë në shkallën e dytë gjyqësore.

OEA: Qeveria të mos e aprovojë propozimin për rritjen e pagës minimale

Oda Ekonomike Amerikane ka kërkuar nga qeveria që të mos e aprovojë propozimin për rritje të pagës minimale. Përmes një komunikatë për media, OEA ka thanë se paga e propozuar nga Këshilli Ekonomik Social në vlerë prej 250 eurosh do të ndikojë në rritjen e papunësisë së të rinjve di dhe në rritjen e informalitetit në punësim

Duke pasur parasysh nivelin e zhvillimit ekonomik në vend, është më se e rëndësishme që vendimmarrësit të përgatisin dhe të zbatojnë politika që do të mundësonin fuqizim më të shpejtë të sektorit privat dhe rritje të investimeve, të cilat do të rezultonin me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.

Në këtë aspekt, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë vlerëson se paga minimale e propozuar nga Këshilli Ekonomik social në vlerë prej 250 eurosh është në kundërshtim me objektivat e sipërcekura, meqë mund të ndikojë në përkeqësimin e mëtejmë të prospekteve të punësimit si dhe në rritjen e informalitetit në punësim, e si i tillë ky propozim duhet të hidhet poshtë nga Qeveria e vendit, thuhet në kumtesën e OEA, përcjell Telegrafi.

Oda Amerikane beson se paga minimale duhet të jetë reflektim i parametrave ekonomikë në vend dhe duhet të marrë për bazë afëtisnë konkurruese të sektorit privat. Fuqia e lirë punëtore është një ndër faktorët kryesorë që ndikon jo vetëm në konkurrueshmërinë e bizneseve, por edhe në përpjekjet e Kosovës për të tërhequr investime të huaja direkte.

Rritja e pagës minimale mund të përkeqësojë edhe më shumë papunësinë në mesin e të rinjve si dhe punëtorëve me shkathtësi më të ulëta, që zakonisht bëjnë pjesë në grupin e përfituesve të pagës minimale. Anketa e fuqisë punëtore për tremujorin e tretë të 2017 sqaron se papunësia në mesin e të rinjve deri në moshën 24 vjeçare është gati 60%. Prandaj, Oda Amerikane i bënë thirrje Qeverisë që të reflektojë, meqë politikat që mund të nxisin përkeqësimin e indikatorëve të tillë duhet të evitohen me çdo kusht.

Oda Amerikane përsërit edhe një herë qëndrimin e saj kundër rritjes së pabazuar të pagave në sektorin publik, meqë kjo rrit presionin mbi sektorin privat, si dhe nxit zhvendosjen e kuadrove të kualifikuara në sektorin publik.

Kufizimi i importit të veturave ndikon në të hyrat buxhetore

Nga data 1 janar i këtij viti të gjitha veturat e kategorisë më të vjetra se 10 vite dhe ato që nuk kanë motor të standardit “Euro 4” nuk mund të zhdoganohen brenda territorit të Kosovës, pra fillohet me zbatimin praktik të Ligjit për Automjete

Sipas një njoftimi të Doganës së Kosovës, përcaktimi i vjetërsisë merret për bazë viti i parë i regjistrimit i cili duhet të jetë brenda periudhës 01 janar-31 dhjetor të vitit 2008.

“Me rastin e përcaktimit të vjetërsisë të merret për bazë viti i parë i regjistrimit i cili duhet të jetë brenda periudhës 01 janar-31 dhjetor të vitit 2008. Kjo nënkupton se të gjitha automjetet të cilat janë regjistruar për herë të parë në këtë periudhë të vitit 2008 dhe i plotësojnë kushtet për lirimin e gazrave sipas standardi të përcaktuar me “Euro 4” mund të importohen në Kosovë”, thuhej në njoftimin për media të Doganës.

Mirëpo, Dogana thotë se kjo ndalesë nuk zbatohet në importin e mjeteve motorike për transport të mallrave, automjeteve të importuara në procedurë Importit të Përkohshëm (IM5), automjeteve për shfrytëzim nga misionet diplomatike dhe automjetet me vlerë muzeore (Old Timer).

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, për Telegrafi ka thënë se sa herë ka pasur aplikim të ndalesave për vetura të vjetra ka pasur rritje të importit të automjeteve.

“Gjithmonë kur ka pasur aplikim të ndalesave si ajo 8 vjeçare apo ajo 13 vjeçare ka pasur rritje të importit të automjeteve derisa në vitin në vijim gjithashtu ka pasur ndikim pasi kemi vërejtur një ulej të importit të veturave”, ka thënë ai.

Nga të dhënat e Doganës, me mesatarja e importit të veturave gjatë pesë viteve të fundit ishte rreth 24 mijë vetura brenda një viti derisa gjatë vitit 2017 ka pasur një rritje të importit prej 35 për qind apo me një total prej 38 mijë automjetesh.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ka thënë për Telegrafin se kufizimi i vjetërsisë së importit të veturave do të ketë reflektime edhe në të hyra buxhetore.

“Pritjet e Ministrisë së Financave janë se do të ketë numër më të vogël të importit të veturave këtë vit, sidomos kur merret për bazë numri shumë i madh i veturave të importuara tremujorin e fund vitit 2017. Dhe kjo pa dyshim se do të ketë edhe reflektim edhe në të hyra”, ka thënë Shahini.
Më 24 mars 2015, Qeveria e Kosovës largoi në tërësi kufizimet rreth vjetërsisë së veturave të importuara që mund të regjistrohen në Kosovë gjë që ka ndikuar në rritjen e importit të veturave të vjetra.

Sipas një analize të Institutit GAP, numri i veturave të importuara në vitin 2014 ishte 16,675, një vit më vonë u rrit në 17,988, ndërsa në fund të vitit 2016 në Kosovë u importuan 24,322 vetura.

Brenda dy viteve nga hyrja e vendimit në fuqi, Qeveria e Kosovës ka mbledhur rreth 21.8 milionë euro më shumë të hyra doganore nga veturat e përdorura, ndërsa rreth 3.2 milionë euro më shumë në vit nga veturat e reja.

Në vitin 2016, sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në Kosovë janë të regjistruara 319,615 mjete motorike dhe jomotorike apo më pas se 10 për qind se në vitin paraprak. Më e vjetra ishte prodhim i vitit 1942. Në përgjithësi mesatarja e vjetërsisë se veturave që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet, apo 10 vjet më shumë sesa mesatarja e veturave që qarkullojnë brenda BE-së. /Telegrafi/

Pasi u vodhën 700 milionë dollarë, në Spaç nis rigjallërimi i industrisë së bakrit

Industria e bakrit, një prej industrive më fitimprurëse në kohën e diktaturës dhe një prej industrive më të abuzuara në kohën e demokracisë ka nisur të rigjallërohet duke nisur nga Spaçi, vendin e njohur më shumë për burgun famëkeq se sa për potencialin e tij ekonomik

Prej pak javësh, në këtë zonë ka nisur nga puna një uzinë moderne e pasurimit të bakrit, e cila për herë të parë pas më shumë se një dekade, do të rikthejë ciklin e mbyllur të përpunimit të këtij metali.

Uzina me 300 të punësuar shënon gjithashtu një ndarje nga koha kur bakri trajtohej si një mall pa zot, në duart e koncesionarëve të cilët në këmbim të rryshfeteve të majme shfrytëzonin këtë pasuri kombëtare për të pasuruar veten dhe politikanët, duke lënë në mjerim të plotë banorët e këtyre zonave.

Sipas të dhënave zyrtare, në fakt, bakri është i pari në listën e vjedhjeve të panjohura të realizuara nga qeveria e kaluar. Përgjatë tetë viteve 2005-2013, Shqipëria ka eksportuar jashtë vendit 1,8 milionë tonë xeheror, i cili nëse do të ishte përpunuar në vend do të kishte prodhuar një fitim prej 900 milionë dollarësh për ekonominë kombëtare.

Megjithatë, nga shitja e këtij produkti janë përfituar vetëm 205 milionë dollarë, me një humbje prej rreth 80 milionë dollarësh në vit. Shumica e kësaj shume është përfituar nga koncesionari dhe shumë pak, janë rikthyer në formë taksash në buxhetin e shtetit.

Dëmi ekonomik, i shkaktuar nga mungesa e vizionit për zhvillimin e kësaj industrie në vendin tonë si dhe nga korrupsioni në nivelet e larta, arrin në plot 700 milionë dollarë, në tetë vitet e qeverisë së mëparshme.

Për fat të mirë, plani i ri ekonomik i qeverisë shqiptare, ndonëse vendos theksin e zhvillimit tek sektorë si turizmi apo bujqësia, parashikon edhe një rimëkëmbje të industrive minerare përmes modernizimit të vendburimeve të mineraleve dhe investimin në modernizimin apo krijimin e ciklit të plotë të prodhimit.

Hapja e kësaj fabrike të re pasurimi në Spaç u parapri në muajin qershor nga një vendim i publikuar në VKM me numër 126, e cila i hapi rrugën e rikthimit në punë të minierës së Munellës, e cila në kohën e komunizmit u cilësua si një burim me rezerva të jashtëzakonshme, por që nuk mund të shfrytëzohej me teknologjinë e kohës.

Gjithashtu, do të rikthehet në punë miniera e bakrit në Lak Rosh dhe miniera e Karmës. Paralelisht, do të modernizohet fabrika e përpunimit të Fushë Arrëzit dhe do të rikthehet në punë impianti i fraksionimit të skorieve të bakrit në Shëngjit dhe fabrika e pasurimit të bakrit në Mjedë, pranë Shkodrës.

Rikthimi në punë i industrisë së bakrit do të favorizohet edhe nga rruga e re që lidh Fushë Arrëzin me Rrepsin, e rrjedhimisht me autostradën Tiranë-Kukës, një investim i qeverisë shqiptare që shkurton ndjeshëm rrugën deri në pikat e përpunimit dhe minierat e bakrit, duke lejuar një akses të tyre më të thjeshtë në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar.

Gjatë 50 viteve të diktaturës, industria e bakrit ishte një prej industrive më fitimprurëse në vendin tonë. Kjo sepse përveç cilësisë së mineraleve tona ekzistonte edhe një proces i mbyllur, i përpunimit të xeherorit, deri në nxjerrjen e produktit përfundimtar.

Ndryshimet e fillimviteve 1990 goditën rëndë këtë industri dhe të gjitha fabrikat e pasurimit, me përjashtim të fabrikës së amortizuar të Fushë Arrëzit, u mbyllën.

Në vijim, shteti shqiptar lidhi një marrëveshje koncensionare, me disa kompani që operojnë në këtë fushë dhe eksportojnë mineralin tonë të papërpunuar jashtë vendit. Megjithatë, këto kompani, deri më tani janë kufizuar në shfrytëzimin e rezervave tona kombëtare, pa investuar aspak në realizimin e një cikli të mbyllur prodhimi. /LEXO.AL

Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kosovë arrijnë vlerë maksimale, 210 milionë euro

Shkëmbimet tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë gjatë vitit 2017, janë rritur për 50 për qind.Përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi thotë se e gëzon fakti se marrëveshjet dhe takimet që janë mbajtur mes dy qeverive kanë pasur rezultate

“Me fillimin e vitit të ri sjellim edhe një lajm të mirë. Marrëdhëniet ekonomike midisi Shqipërisë e Kosovës, vitin e kaluar kanë pësuar një rritje 50 përqind më tepër se në vitin 2016.

Nga ana tjetër mund të them se kemi rritjen më të madhe të shkëmbimeve gjatë këtyre katër viteve të fundit. Sot Shqipëria dhe Kosova shkëmbejnë midis vetes rreth 210 milionë euro mallra, dhe një lajm tjetër i gëzuar për sipërmarrjen kosovare, vitin e kaluar u arrit të eksportohet nga Kosova në Shqipëri në këtë numër 210 milionë, rreth 55 milionë euro mallra. Është një shifër më e madhe se gjithë bashkëpunimi rajonal që bënë Kosova me eksportet e tyre në vendet e rajonit të vogël“, tha Minxhozi, transmeton kp.

“Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili udhëheq politikat ekonomike me Shqipërinë, thotë se nuk ka më marrëveshje që do të bëhet vetëm për media, por secila marrëveshje e arritur do të mbikëqyret nga ana e tyre.

“Nuk ka më marrëveshje që do të rrinë në tavolinë, që të shënohet një marrëveshje para televizionit edhe mos të implementohet. Ne do të mbikëqyrim implementimin e gjithë atyre marrëveshjeve të arritura. Po hulumtojmë horizonte të thellimit të bashkëpunimit që e ka objektiv largimin e barrierave, vështirësive të komunikimit mes dy shteteve, mes qytetarëve të dy shteteve, mes sektorëve të caktuar, duke filluar nga komunikimi i qarkullimit të njerëzve të lirë, deri te qarkullimi i lirë i mallrave”, tha Limaj.

Ai po ashtu ka shtuar se këtë vit do të punojnë që të funksionalizohet interkonjeksioni mes Kosovës dhe Shqipërisë.Kurse, Bahri Berisha, drejtor i doganës së Kosovës, ka thënë se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë pasur rritje për 50 përqind.“Këtë vit kemi një rritje të raporteve tregtare në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nëse flasim për eksportin kosovar në drejtim të Shqipërisë, kemi një rritje që shkon deri afër 50 përqind të vlerës në eksporte nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. E njëjta ka rritje edhe nga Shqipëria të produkteve shqiptare në drejtim të Kosovës”, tha Berisha.

Kosova dështon t’i arrijë caqet e energjisë së ripërtërishme

Kosova përfundimisht nuk do të arrijë t’i përmbushë caqet e prodhimit të energjisë së pastër

Megjithëse Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka dhënë një numër të madh të licencave për ndërtim të kapaciteteve energjetike, pak prej këtyre projekteve kanë nisur të realizohen, raporton KTV.

Shoqëria civile ka akuzuar institucionet për mosveprim. Sipas tyre, situata do të ndryshohet vetëm me reformimin e licencimit të prodhuesve në këtë fushë, pasi ka kompani fantome që kanë marrë licenca duke bllokuar licencimin e kompanive të tjera serioze.

Këtë dështim e pranon edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka. Ai ka bërë të ditur se do të rritet presioni ndaj kompanive që mbajnë licencat, ndërkohë që do të ketë ndryshime sa i përket mënyrës së dhënies së licencave.

I njëjti ka konfirmuar se nuk e ka ndërmend të lëshojë pe, sa i përket dhënies së licencave për hidrocentrale, për të cilat ka pasur edhe protesta ndaj degradimit të natyrës.

Megjithëse në këtë Ministri ka arritur një projekt për ndërtim të hidrocentralit të Zhurit, ai ka bërë të ditur se nuk ka pasur lëvizje në atë drejtim.