ATK në katër muaj arkëtoi 6.1 për qind të hyra mbi plan

Administrata Tatimore e Kosovës vetëm për muajt janar-prill, nga të hyrat e rregullta, ka mbledhur 162.8 milionë euro, që në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është rritje për 20.1 milionë euro apo 14.2 %

ATK thotë se në raport me planin janë mbledhur 9.4 milionë euro apo 6.1 % më shumë të hyra se plani i paraparë.

“Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë arkëtuar mbi 51.5 milionë euro të hyra për Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK). Kjo konfirmon se performanca e të hyrave vazhdimisht është duke u rritur, duke marr parasysh përkushtimin e menaxhmentit të ATK-së në zbatimin e Strategjisë 2015-2020, si dhe planeve operative të hartuara për këtë vit. Vlen të përmendet se përmbushja vullnetare është në nivel të kënaqshëm, marr parasysh edhe vizitat në teren të cilat realizohen, e që të cilat nuk kanë karakter vetëm përmbushës, por edhe edukativ (edukimi i tatimpaguesve në kryerjen me kohë të obligimeve tatimore, në mënyrë që mos të bëhen preh e ndëshkimeve administrative”, thuhet në komunikatë.

Pas fitores së betejës gjyqësore, Telekomi përgatitet për privatizim

Qeveria e Kosovës ka fituar betejën ligjore në Gjykatën e Arbitrazhit kundër kompanisë ‘Axos-Capital’, e cila kërkonte dëmshpërblim qindra miliona euro për anulimin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, duke shtuar se edhe shpenzimet e procesit do të paguhen nga kompania ‘Axos’. “Tribunali i Arbitrazhit ka vendosur në favor të Kosovës për rastin e privatizimit të Telekomit të Kosovës duke obliguar ‘Axos’-in, t’i paguajë të gjitha shpenzimet e gjithë këtij procesi me një vlerë prej rreth 2 milionë dollarësh”.

“Më në fund, Kosova në këtë rast triumfoi pasi që me të vërtetë ka qenë një ngarkesë e tepërt, duke mos lejuar zhvillimin e Telekomit, mirëpo as tërheqjen e investitorëve të huaj, në rast të privatizimit të Telekomit”, ka thënë Lluka për Radion Evropa e Lirë.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar, siç ka thënë ai, fitoren e shtetit të Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit kundër kompanisë ‘Axos’. Në një postim në rrjetin facebook, presidenti Thaçi ka shkruar se “Kosova gjithmonë do t’i mirëpresë investimet e huaja, por asnjëherë nuk lejojmë të keqpërdoret si shtet. E drejta dhe të gjitha argumentet në rastin e padisë së ‘Axos-it’ ishin në favorin tonë”, ka shkruar ai.

Kompania ‘Axos – Capital’ kishte bërë padi në adresë të Qeverisë së Kosovës, për arsye, siç thuhej, të moszbatimit të kontratës së privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës. Në vitin 2013, Qeveria e Kosovës kishte shpallur fituese në blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së kompaninë ‘Axos – Capital’ me një vlerë prej 277 milionë eurosh. Por, ky proces kishte mbetur i papërfunduar për shkak të mospajtimeve në Kuvendin e Kosovës, çka ishte pasuar me padinë e ‘Axos’-it ndaj Qeverisë së Kosovës.

Aktualisht, Telekomi i Kosovës gjendet në krizë të thellë financiare dhe rrezikon të falimentojë, pasi borxhi i akumuluar ka arritur shifrën e 60 milionë eurove. Por, vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit, sipas ministrit Lluka, do të lehtësojë të ardhmen e Telekomit, në mënyrë që të fillohet procesi i përgatitjes për privatizim.

Ai tha se një nga pengesat e deritashme për përgatitjen e procesit të privatizimit të Telekomit, ka qenë kontesti në mes kompanisë ‘Axos’ dhe Qeverisë së Kosovës dhe nevoja për një ristrukturim në zvogëlimin e shpenzimeve në këtë kompani.

“Tashmë pengesa e parë përfundoi, kurse e dyta është në proces e sipër. Me bordin kemi qenë në bisedime. Anëtarët e Bordit kanë ardhur me disa propozime për ristrukturim të Telekomit, të cilat jemi duke i shikuar dhe besoj se shumë shpejt do të marrim vendime si Qeveri në zvogëlimin e shpenzimeve në këtë kompani, për të plotësuar edhe kushtin e dytë”, ka theksuar Lluka.

Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike e kanë quajtur proces të vështirë rimëkëmbjen e Telekomit të Kosovës. Eksperti i ekonomisë, Ismail Kastrati, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se menaxhimi jo i mirë, e ka sjellë këtë kompani para falimentimit.

“Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit e shpëton PTK-në nga një ngarkesë shtesë financiare. Por, Telekomi është para falimentimit me numër të madh të punëtorëve, me nepotizëm dhe klientelizëm. Fitimet e kësaj kompanie nuk janë investuar në teknologji bashkëkohore. Kështu që, aktualisht është vështirë për të ringjallur dhe rifreskuar Telekomin”, ka thënë Kastrati.

Sidoqoftë, synimi i Qeverisë së Kosovës është që procesi i privatizimit të Telekomin të fillojë pas dy vjetëve.

Panairi i punës ofron 4 mijë vende pune

Mbi katër mijë vende të punës po ofrohen nga 150 kompani private në Panairin e Punës të organizuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, GIZ-i gjerman dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare

Megjithatë, edhe interesimi i punëkërkuesve në këtë panair është mjaft i lartë, kryesisht prej moshës së re, të cilët shpresojnë që të gjejnë vende të punës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reqica gjatë hapjes së panairit tha se ngjarja e sotme ka të bëjë me rritjen e punësimit dhe aftësimit profesional.

“Ky panair ka karakter promovimin e vendeve të punës dhe përçojnë një imazh të mirë për investitorë të huaj”, ka thënë Reqica.

Njëkohësisht është hapur edhe edicioni i tetë i Panairit Virtual të Karrierës të organizuar nga Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, transmeton kp.

Rektori i UP “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, i cili bëri hapjen zyrtare të panairit të karrierës, tha se Kosova ka nevojë për ndryshim dhe pa UP-në është vështirë që të ndodhë ai ndryshim. Misioni i UP, ai tha se është për mësimdhënie, në mësimnxënie dhe kërkime shkencore.

Sipas tij, UP është një institucion i cili i bënë të fort edhe bizneset me student të kualifikuar.

Kryeministri dëshiron që Gjermania të bëhet investitori më i madh në Kosovë

Republika e Kosovës në nisjen e vet si shtet ka pasur menjëherë partneritetin, miqësinë, përkrahjen e Republikës Federale të Gjermanisë. Ky partneritet ka ekzistuar edhe më herët, por pas shpalljes së pavarësisë është konfirmuar me njohjen dhe me vendosjen e marrëdhënieve bilaterale diplomatike, marrëdhënie këto që janë zhvilluar në nivelin më të lartë dhe vazhdojnë sot të jenë funksionale në nivel të mirë, të respektuar dhe të besuar

Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në konferencën e organizuar nga Ambasada Gjermane, me rastin e shënimit të 10 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. “Gjermania është vend që ka sjell në Kosovë jo vetëm donacionet, përkrahjen politike, në siguri përmes ushtrisë, por ka sjell në Kosovë edhe ndjenjën e besimit në perspektivën në të ardhmen, përvojat e saj shumë të çmuara deri te ajo që në Kosovë njihet dhe çmohet si e tillë, brendin gjerman, një vlerë e besueshme”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se në Kosovë është e njohur se marrëdhëniet me Gjermaninë e ngritin Kosovën dhe brendin e Kosovës.

Duke folur më tej për përkrahjen e Gjermanisë, kryeministri Haradinaj tha se Kosova e ka ndjerë këtë përkrahje përmes proceseve rajonale, siç është procesi i Berlinit, WB 6, që për Kosovën është shumë domethënës, ngase në etapa të caktuara është hetuar një tendencë e mos përfshirjes së Kosovës në proceset integruese, duke pasur parasysh faktin e disa vendeve mosnjohëse dhe pengesave tjera që kanë rezultuar.

“Ky proces na ka dhënë garancën se Kosova mbetet në binarë të integrimit evropian dhe ne i jemi mirënjohës Gjermanisë, Kancelares Merkel për këtë proces që na bashkon neve të Ballkanit mes vete, por edhe na mbanë të orientuar drejtë BE-së që është shumë me rëndësi”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj po ashtu foli edhe për diasporën shqiptare në Gjermani, të cilët kanë ndjenjë të fuqishme për Gjermaninë, lidhje këto të cilat bëhen më të forta dhe krijojnë obligim më të madh ndërmjet dy vendeve.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj bëri thirrje për investime nga Gjermania në Kosovë, duke theksuar se janë dy projekte të cilat japin shpresë, shkolla Loyola në Prizren, një kualitet Gjerman i shkollës, projekt ky i cili vlen t’i jepet përkrahje, për shkak se fëmijët që kryejnë shkollë në këtë gjimnaz janë të gatshëm qoftë të vazhdojnë studimet në këta parametra, apo edhe t’i bashkohen tregut të punës me kualitete të fituara.

“Projekti tjetër që na jep shpresë është kampi ushtarak, transformimi i tij në një kamp ekonomik edhe për simbolikën e vet, pra flamuri i Bundeswehr-it që ka qenë i vendosur në Prizren, të kthehet në një flamur ekonomik të Gjermanisë, prezencës ekonomike”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se nuk ka shumë investime të mëdha gjermane në Kosovë, për shkak se është besuar se në Kosovë ka korrupsion, se rendi dhe ligji nuk funksionojnë, dhe rrethanat për investime janë të vështira.

Kjo bindje është krijuar jo vetëm te investitorët në Gjermani, por edhe në Francë dhe vende të tjera të BE-së, por siç tha kryeministri Haradinaj, në dekadën e dytë që kemi filluar së bashku, ia vlen që ta rifitojmë guximin dhe t’i rikthehemi mundësisë për investime në Kosovë nga kompanitë gjermane.

“Jam thellë i bindur se Kosova është kompatibile, është garuese me kushtet që i ofron jo vetëm në regjion. Infrastruktura jonë mundëson jo vetëm operim në tregun në Kosovë, por edhe lidhje me tregjet regjionale dhe lidhje edhe me tregjet në BE”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se popullata e re në Kosovë ka pasion punën, dhe njëkohësisht është e rëndësishme se Kosova ka resurse të pa aktivizuara.

Edhe pse Kosova është popull evropian, megjithatë kryeministri Haradinaj tha se nuk dëshirojmë të vijmë të jetojmë në Evropë, por në vendin tonë dhe t’i sjellim kompanitë gjermane në Kosovë.

Ndërsa, duke folur për liberalizimin e vizave, kryeministri Haradinaj tha se këtë nuk e bëjmë që të vijmë te ju në Evropë, por që t’ju sigurojmë juve se qytetarët e Kosovës me mundësitë e lëvizjes së lirë janë vetëm një partner për ekonomitë tuaja, për popujt dhe investitorët e juaj.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues institucional, të shoqërisë civile dhe personalitete të tjera. Ndërsa nga një fjalë në këtë konferencë e mbajtën ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, i cili falënderoi kryeministrin për bashkëpunimin e vazhdueshëm, ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe ambasadori Wolfgang Ischinger.

Rusia mbetet investitor i dobët në Kosovë

Pretendimet e Rusisë për rritjen e ndikimit në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën, janë të shumta dhe shprehen në forma të ndryshme, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Edhe investimet, ndonëse në një përqindje të vogël krahasuar me vendet e fuqishme perëndimore, janë një prej këtyre përpjekjeve

Por, sipas zyrtarëve në Prishtinë, shtrirja e ndikimit nga Rusia mbetet e vogël dhe kryesisht vjen përmes Serbisë. Investimet e shtetit rus në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, janë të papërfillshme nëse krahasohen me shtetet tjera të Evropës dhe botës.

Aktualisht, nuk është bërë përditësimi i të dhënave të fundit, por sipas shifrave të vitit 2016, investimet ruse në Kosovë kanë qenë rreth 2 milionë euro. Kurse, vlera e importit të produkteve ruse në Kosovë, për vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare, ka qenë rreth 7 milionë euro, me 15 milionë kilogramë produkte. Përderisa eksporti i produkteve të Kosovës në shtetin e Rusisë është në vlera minimale.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se jo të gjitha produktet me origjinë ruse, vijnë në Kosovë drejtpërdrejt nga shteti i Rusisë.

“Çka është importuar nga Rusia? Realisht, është llamarina që ka pjesëmarrje 20 për qind të importit të përgjithshëm, pastaj pllaka zdrukthi, pije alkoolike, siç është Vodka që ka ardhur prej Rusisë”.

“Në tregtinë globale shumica e kompanive kanë depot në vende të ndryshme të Evropës dhe botës dhe malli jo gjithmonë blihet nga prodhuesi, por sigurohet nga distributorët që gjenden në Evropë. Por, origjina e atij malli është nga Rusia”, thotë Stavileci.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se sa i përket aspektit ekonomik, investimet e Rusisë në Kosovë janë të papërfillshme, kurse për investimet në komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, nuk ka transparencë dhe nuk ka ndonjë evidencë.

Zëvendësministri Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Anton Berisha, thotë për Radion Evropa e Lirë se Rusia nuk ka synuar në Kosovë të ushtrojë ndikim në aspektin ekonomik, por përmes metodave tjera, sidomos në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ka provuar që të jetë e pranishme nëpërmjet veprimtarive humanitare.

“Rusia është treguar me metoda tjera më shqetësuese se sa në aspektin ekonomik, sepse ata e vlerësojnë se në cilat zona dhe si duhet të operohet, por këtu më shumë është luajtur me sentimentin e mocionit të të ashtuquajturit ‘ortodoksizëm’ dhe të interesave strategjike ushtarake”, thekson Berisha.

Në komunat veriore të Kosovës, të banuara nga popullata shumicë serbe, funksionojnë të paktën dy organizata, të cilat janë të regjistruara në Beograd dhe angazhohen për fuqizimin e bashkëpunimit me Rusinë.

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës më herët kanë thënë se në pjesën veriore, operojnë tri kompani që merren me derivate të naftës, porse nuk kanë ofruar informacione se nga furnizohen ato.

Njëra prej tyre është kompania me pronësi ruse “Nis Petrol”. Operimi i kësaj kompanie në veri të Kosovës, vlerësohet se përbën shkelje të embargos së Kosovës ndaj Federatës Ruse. Pasi kjo kompani është në listën e kompanive të ndaluara në Kosovë.

Qeveria e Kosovës në vitin 2014, kishte vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse. Në vendimin e Qeverisë së Kosovës ishin listuar një numër i kompanive dhe personave, të cilëve në mënyrë specifike u është ndaluar biznesi në Kosovë.

Qasja e institucioneve të Kosovës në pjesën veriore mbetet e kufizuar për shkak të mosshuarjes së plotë të strukturave paralele atje dhe afërsisë që këto komuna kanë me Serbinë, e cila vazhdon të ushtrojë ndikimin dhe kontroll në atë pjesë.

Në anën tjetër, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në fund të vitit të kaluar ka publikuar një hulumtim që flet në lidhje me “Ndërhyrjen e Rusisë në Kosovë”,

Hulumtimi konstaton se Kosova është e ekspozuar ndaj një fushate të gjerë ndikimi në rritje të ndërhyrjes ruse kundër modelit të shtet-ndërtimit perëndimor dhe vlerave të tij demokratike, veçanërisht që nga viti 2008.

Domatet shqiptare marrin vëmendjen e mediave sociale ndërkombëtare

E kush mund ta mendonte këtë… Siç ishte raportuar vetëm disa javë më parë në “Freshplaza.com”, bujqësia shqiptare ka parë rritje ekstreme në vitet e fundit, sidomos kur është fjala për ndërtimin e serrave

Përveç domateve, produkte të tjera të sezonit dhe që kanë një fluks të madh në furnizim, janë trangujt, kungull i njomë, patëllxhanët, hudhrat, specat e bardha dhe luleshtrydhet.

Por përveç prodhimeve bujqësore shqiptare, duket se për të njejtën gjë po punohet fortë edhe nga ana e investitorëve të huaj dhe qeverive të rajonit, si Greqia dhe Bosnja.

Shqiptarët, populli më punëtor në kontinent me paga minimale

Megjithëse kanë pagat më të ulëta në Europë, shqiptarët rezultojnë si populli që punon më shumë orë gjatë një viti kalendarik, duke kapërcyer me diferencë të madhe edhe vende si Gjermania apo Greqia. Gjatë katër viteve kostot e punës dhe pagat u rritën me një shifër minimale prej 3% në vit

Nga Gjergj EREBARA

Gjatë vitit 2016, shqiptarët punuan mesatarisht 2109 orë dhe puna e tyre i kushtoi punëdhënësve mesatarisht 351 lekë për orë. Në krahasim me vitin 2012, pra katër vjet më parë, kostoja e punëtorit shqiptar për punëdhënësin u rrit me 11.8%, ose me një mesatare prej 3% në vit, gjë që sugjeron një rritje fare të vogël të pagave për një periudhë relativisht të gjatë kohore.

Në disa sektorë ku nevojiten punëtorë të kualifikuar si bankat, kostoja e orës së punës së punëtorit ishte 700 lekë për orë ndërkohë që shumica e shqiptarëve që punojnë në industri ku nevojiten punëtorë të pakualifikuar ose gjysmë të kualifikuar kushtojnë gati tre herë më pak pavarësisht se punojnë me orë edhe më të gjata se të kualifikuarit.

Instituti i Statistikave publikoi të mërkurën anketën e kostos së punës, një anketë e zhvilluar pranë bizneseve gjatë vitit 2016 për të matur koston e punës dhe numrin e orëve të shpenzuara nga shqiptarët në punë.

Matja e numrit të orëve dhe kostos së punës për orë është një nga treguesit e ekonomisë të matur që nga vitet 1950 në vendet e zhvilluara me synimin për të krijuar informacion statistikor në funksion të menaxhimit të tregut të punës nga qeveritë. Qeveri të ndryshme ndryshojnë kodet e punës në varësi të këtyre statistikave nëse, fjala vjen, dëshirojnë të rrisin numrin e të punësuarve duke kufizuar orët e lejuara të punës për punëtor apo anasjelltas.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik e Zhvillim, OECD, në të cilën bëjnë pjesë grupi i vendeve më të zhvilluara të botës, publikon rregullisht statistika mbi kohëzgjatjen e punës në vendet anëtare si dhe në vende të tjera ku ka të dhëna të disponueshme. Në raportin e saj të fundit, Franca me politikat e saj të forta të punësimit dhe të mbrotjes së punëtorëve rezultoi një nga vendet ku njerëzit shpenzojnë më pak orë në punë. Punëtori francez kaloi mesatarisht 1,472 orë në punë gjatë vitit 2016. Pavarësisht se ka namin për popullsi shumë punëtore, Gjermania ishte edhe më poshtë se kaq, ku punëtori kaloi mesatarisht 1,363 orë në punë. Vende relativisht të varfra si Greqia apo Polonia mbajnë rekordin në zonën e Europës me respektivisht 2,035 dhe 1,928 orë pune për punëtor në vit.

Shqipëria duket se ia kalon të gjitha këtyre vendeve me 2,173 orë. Duke marrë parasysh se një vit pune ka formalisht rreth 210 ditë pune, shqiptarët rezultojnë se punojnë me mbi 10 orë në ditë jave. Këto janë shifra që përfshijnë njëkohësisht sektorin publik, ku në përgjithësi ka më shumë respekt për pushimet zyrtare, fundjavat dhe pushimet vjetore, si dhe sektorin privat, ku kodi i punës dhe parimi i javës 40 orëshe të punës respektohet rrallëherë. Kështu, në sektorin e tregtisë me shumicë e pakicë, shqiptarët punuan për 2215 orë ndërsa në industritë nxjerrëse e përpunuese koha e kaluar në punë ishte edhe më e lartë, respektivisht 2,231 dhe 2,222 orë. Në praktikë, megjithëse ligjërisht java e punës duhet të ketë pesë ditë me deri në 8 orë pune në ditë, këto shifra tregojnë se shqiptarët më së shumti punojnë gjashtë ditë në javë me më shumë se sa tetë orë në ditë. Puna me orë të zgjatura nuk nënkupton rendiment më të lartë për punëtorët por më së shumti reflekton mungesën respektimit të të drejtave ligjore të tyre.

Kostoja e punës në Shqipëri është rritur që nga anketa e fundit e këtij lloji të INSTAT, me 11.8%. Anketa paraardëse u bë në vitin 2012. Ndërsa më 2016 një orë pune në vendin tonë kushtoi 351 lekë, më 2012 kushtoi 314 lekë, ose vetëm 12% më pak. Afro 85% e kostos së punës përbëhet nga paga për punëtorin ndërsa pjesa tjetër është pjesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore të punëdhënësit. Kjo nuk do të thotë se shqiptari u pagua sa 85% e 351 lekëshit. Nga kjo shumë, punëmarrësit u mbahen sigurimet shoqërore e shëndetësore të vetat, të cilat i heqin edhe 15% të tjera si dhe tatimi mbi të ardhurat personale, e cila mbahet sipas nivelit të të ardhurave.

Në total, kostoja mesatare për punëtor me kohë të plotë ishte afro 62 mijë lekë në muaj, ku sektori financiar pati koston më të lartë prej 125 mijë lekë në muaj mesatarisht ndërsa sektori Akomodimi dhe Shërbimet e Ushqimit pati koston më të ulët në vetëm 41 mijë lekë në muaj. [Raporti i plotë i INSTAT mund të shihet këtu] (BIRN)

Vendimi ndëshkues amerikan pëe Evropën – Ora po afron

Më 1 Maj pritet që SHBA të kërkojë dogana të larta për çelikun dhe aluminin e importuar. Deri më tani duket se ato do të vendosen. Çfarë do të thotë kjo për Gjermaninë

Do t’i vendosë presidenti amerikan, Donald Trump doganat apo jo? Trump po i bën të dridhen europianët deri në minutën e fundit. Në grindjen për futjen e doganave ndëshkuese për çelikun dhe aluminin e importuar nga Europa, Trump ofroi një afat negociimi deri në 1 Maj. A do ta zgjasë ai këtë afat? Apo do t’i përjashtojë përfundimisht europianët nga doganat apo do t’i vendosë ato?

Për BE dhe Gjermaninë do të ishte një goditje e fortë. 25% doganë për çelikun dhe 10% për aluminin. BE është prodhuesi i dytë më i madh në botë i çelikut – 177 milionë tonë çelik prodhohen në vit. Gjermania ka SHBA si eksportuesin kryesor. Pas kësaj renditen Holanda, Italia, Spanja, Britania e Madhe e Suedia.

Bëhet fjalë për miliarda

Sipas të dhënave të KE në vitin 2017 u eksportuan produkte të çelikut në vlerë prej 14 miliardë eurosh. 14% e të gjitha importeve të SHBA-së. Doganat e paralajmëruara nuk do të prekin të gjitha produktet. Më shumë do të preken produktet e çelikut, 5,3 miliardë euro dhe për aluminin 1,1 miliardë euro.

UK Sheffield Stahlwerk Symbolbild Strafzölle (picture-alliance/empics/J. Giles)
Trump i argumenton doganat me tepricat tregare europiane, sidomos ato gjermane. SHBA janë për Gjermaninë tregu më i madh i eksporteve. Përkundër kësaj nuk shiten shumë mallra amerikane në Europë. “Kemi një deficit tregtar me BE në vlerë, vështirë ta besosh, 151 miliardë dollarë”, përsërit Donald trump. 50 miliardë në këtë shumë përbëjnë automjeteve dhe pjesët e këmbimit të tyre.

Më e komplikuar se mendohet

Automjetet gjermane janë të kërkuara në SHBA. 480.000 automjete në vit shiten në SHBA. Por prodhuesit gjermanë prodhojnë edhe në SHBA, e më shumë se sa importohet nga Gjermania në SHBA. 493.000 automjete gjermane në vit bëhen gati për eksport në Kinë. Me këtë punëdhënësit gjermanë ofrojnë dhe sigurojnë mjaft vende pune në SHBA. Drejtuesi i ifo-Zentrums për tregtinë me jashtë, Gabriel Felbermayer thotë këto vende pune rrezikohen me doganat e reja. “Po qe se amerikanët prodhojnë automjete, psh BMW në Spartanburg, për këtë ata kanë nevojë për mjaft komponentë, që vijnë nga Europa, dhe kur Trump kërcënon të vendosë dogana mbi këto, ai kërcënon apo shkatërron njëkohësisht edhe aftësinë konkurruese të prodhuesve amerikanë të automjeteve”; thotë ekonomisti. Donald Trump vendosi doganat ndëshkuese në mars, por i përjashtoi europianët deri më 1 Maj.

Të gjithë do të goditeshin

Në Gjermani çdo i katërti vend pune varet nga eksporti, në industrinë gjermane gati çdo i dyti. Më shumë se 50% e eksporteve gjermane lidhen me industrinë e përpunimit apo prodhimit të çelikut. Nuk ka çudi që Merkel ndërmori edhe një herë një përpjekje për të bindur Trumpin. Por ai nuk tha asgjë të qartë, se si do të vendosë.

Të premten Merkel telefonoi me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministren britanike, Theresa May. Të tre kërkuan edhe njëherë nga presidenti Trump të përjashtojë europianët nga masat tregtare kundër BE. Ndryshe edhe BE “është e gatshme të mbrojë interesat e saj në kuadër të rendit tregtar multulateral” tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert.

Produktet amerikane që shtrenjtohen

Në Bruksel janë bërë përgatitje për rastin më të keq. BE do të drejtohet me ankesë tek Organizata Botërore e Tregtisë. BE do të kishte 90 ditë kohë për “ribalancim”, pra për kundërmasat e saj. Importet nga SHBA do të shtrenjtoheshin, që të kompensohej dëmi që i shkaktohet industrisë europiane. Me doganat për whiskey-n apo motorët e markës Harley Davidson janë zgjedhur produkte që prodhohen në shtetet federale amerikane që qeverisen nga republikanët. Synimi është që guvernatorët e këtyre vendeve të bindin presidentin amerikan për të mos vendosur dogana.

A ka tregtia e lirë ndonjë shans?

Në rast se grindja për tregtinë shkallëzohet, kjo nuk do të thotë se merr fund tregtia e lirë. Bisedimet në prapaskenë do të vazhdojnë. “Në rast se ndodh kështu, do të vazhdojmë të punojmë në këtë çështje”, thuhet nga zyra e kancelares. Nga pala gjermane ka përpjekje për të risjellë në tryezën e bisedimeve edhe një herë marrëveshjen e tregtisë së lirë, TTIP, por në një variant më të holluar. Mund të flitet në një kuadër më të madh për reduktimin e doganave dhe barrierave tregtare. Por sipërmarrësit nuk janë aq entuziastë për këtë. Presidenti i Shoqatës Gjermane të Industrisë, BDI, Dieter Kempf nuk është ndonjë përkrahës i madh i një marrëveshjeje për doganat. “Për industrinë gjermane kjo është shumë pak”, ka thënë ai./DW

Bie për 10.3 Për qind numri i ndërmarrjeve të reja në Kosovë për të njëjtën periudhë krahasuese

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë, TM1 2018”. Në tremujorin e parë të vitit 2018 (TM1 2018) gjithsej janë regjistruar 2,556 ndërmarrje

Krahasuar me tremujorin paraprak, TM4 2017, kishte një rritje për 33.1% të ndërmarrjeve të regjistruara.
Kurse, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2017), kishte një rënie për 10.3% të ndërmarrjeve të regjistruara.

Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me 722 ndërmarrje të regjistruara (28.2%); prodhimi me 316 ndërmarrje të regjistruara (12.4%); ndërtimtaria me 266 ndërmarrje të regjistruara (10.4%); akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 247 ndërmarrje të regjistruara (9.7%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike 204 ndërmarrje të regjistruara (8.0%); ndërsa aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël.

Kategoria e numrit të të punësuarve nga 1 deri 4 përbën 2,462 ndërmarrje të regjistruara ose 96.3%; kategoria me 5 deri 9 të punësuar me 57 ndërmarrje të regjistruara (2.2%); me 10 deri në 19 të punësuar ishin 24 ndërmarrje të regjistruara (0.9%); me 20 deri 249 të punësuar ishin 13 ndërmarrje të regjistruara (0.5%). Ndërsa, në kategorinë 250+ të punësuar nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruara gjatë këtij tremujori.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron Prishtina me 705 ndërmarrje të regjistruara (27.6%); Ferizaj me 224 ndërmarrje të regjistruara (8.8%); Prizreni me 208 ndërmarrje të regjistruara (8.1%); Peja me 147 ndërmarrje të regjistruara (5.8%); Gjilani me 144 ndërmarrje të regjistruara (5.6%); dhe Gjakova me 113 ndërmarrje të regjistruara (4.4%). Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

Për më shumë informata rreth Repertorit Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë, për TM1 2018, vizitoni:

Plan gjermano-francez për reformën e eurozonës

Ministri gjerman i Financave thotë se është optimist për udhërrëfyesin për reformimin e eurozonës. Franca mendon se pas Brexitit ky reformim është bërë i nevojshëm

Ministrat e Financave të Gjermanisë dhe të Francës u zotuan për të përgatitur në kohë për samitin e BE-së të planifikuar për në qershor një plan udhërrëfyes për reformën e eurozonës. Ministri i Financave i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha: “Ne jemi optimistë që do të jemi të suksesshëm”.

Njoftimi i përbashkët i ministrave konsiderohet si një arritje e madhe pas rezistencës gjermane ndaj ideve të mëhershme të Presidentit francez Emmanuel Macron për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe financiar në vendet ku përdoret monedha e përbashkët euro.

Dëshirat e Macronit

Macroni dëshironte të krijonte pozicionin e ministrit të Financave të eurozonës dhe të mundësonte marrjen e huave të përbashkëta nga shtetet anëtare. Por më vonë ai hoqi dorë nga këto ide në favor të thellimit të unionit bankar të BE-së.

Rezistenca gjermane

Premtimi për reformimin e eurozonës që përbëhet prej 19 vendesh anëtare u shpall pavarësisht rezistencës së mëparshme nga Berlini lidhur me propozimin e Macron për bashkimin e burimeve financiare. Shumë anëtarë të parlamentit gjerman besojnë se duket sikur Gjermania do të ofrojë më shumë burime financiare për fqinjët më të varfër – si Italia dhe Greqia – sesa do të marrë nga një fond kolektiv. Berlini ka theksuar gjithashtu se një fond i tillë duhet të lidhet dhe kushtëzohet nga reforma ekonomike.

“Është absolutisht e rëndësishme që Franca dhe Gjermania të bien dakord për çështjet”, tha Scholz. Homologu i tij francez, Bruno Le Maire, tha: “Ne besojmë fuqishëm se ne duhet të jemi në gjendje të gjejmë një kompromis midis Francës dhe Gjermanisë për takimin e ardhshëm të qershorit”. Nënkryetari i Komisionit Evropian Valdis Dombrovskis tha: “Ne duhet të tërhiqemi përtej pozioneve të ngulitura tashmë dhe të gjejmë kompromise”.

Ç’do të ndodhë më tej?

Ka shpresa që në plan afatgjatë në mbarë BE-në do të zbatohet një skemë sigurim për depozitat bankare, megjithatë kancelarja gjermane Angela Merkel tha se përpara se të ndërmarren hapa të mëtejshme drejt një sigurimi kolektiv duhet të reduktohet rreziku në sektorin bankar. Merkel është zotuar që ta paraqesë propozimin e përbashkët për një plan reformash së bashku me Francën përpara samitit që do të zhvillohet në Bruksel më 28 qershor.