Mandarina shqiptare “pushton” Evropën

Prodhimi dhe eksporti i mandarinave sivjet, në Bashkinë e Konispoliti, ka shënuar shifra historike. Vetëm në Konispol, 20 kilometra larg qytetit të Sarandës, në jug të vendit rekordi historik i prodhimit të mandarinës arriti në plot 20 mijë ton ose 30% më shumë se një vit më parë. Ndërsa bashkë me zonën e Xarrës e Mursisë prodhimi i përgjithshëm i agrumemes së “artë“ shkon deri në 40 mijë ton

Kryetari i Bashkisë Sarandë Shuaip Beqiri thotë për ATSH se janë rreth 1 mijë fermerë që kanë mbjellë mbi 750 hektarë tokë me mandarina në Konispol, ndërsa synojmë të fusim në prodhim edhe 1.000 hektarë të tjerë për të shkuar 50.000 tonë prodhim në vit.

Sipas tij, super prodhimi i mandarinave jo vetëm që plotëson nevojat e tregut vendas me këtë produkt, por eksporti drejt tregjeve të BE-së po njeh zgjerim të hartës gjeografike.

“Ne eksportojmë në tregu rajonal, Kosovë, Maqedoni ndërsa kemi nisur këtë vit eksportet e mandarinave në Poloni, Çeki, Gjermani, Ukrainë dhe çmimi është mbajtur në një standard të mire”, thotë Beqiri.

Kjo zonë e “artë” për prodhimin e mandarinave ka potenciale zhvillimi edhe të mëtejshëm .
Për të evidentuar prodhimtarinë e zonës, në këtë fushë janë specialistë të mirëorganizuar për këtë problem. Ndërsa rritja e bashkëpunimit (kooperimit) mes kultivuesve po çon në rritjen e prodhimit cilësor të mandarinave.

Termi kooperativë ka emër të keq nga e kaluara, ama vetëm si bashkësi mund të përfitojnë më tepër nga skemat e mbështetjes financiare të qeverisë, grantet e BE-së dhe projektet e ndryshme.

Mandarinat, ofertë për punësim

Super prodhimi mandarinave jo vetëm që ka angazhuar në punësim mbi 1 mijë fermerë të zonës por ka çelur vende të reja pune në pozicion të përhershëm dhe më shumë akoma vende të reja punë sezonal, në pikun e prodhimit siç është aktualisht stina e dhjetorit.

Në zonën e Konispolit ka 3 pika grumbullimi, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e mandarinës së Konispolit tashmë ka gjetur një shpërndarje mjaft të gjerë edhe në tregjet ndërkombëtare.

Synimi i fermerëve dhe drejtuesve vendorë tashmë ngelet shtrirja e prodhimit deri në 6 muaj, shtator-mars, duke kultivuar kultura që i përshtaten zonës së famshme për mandarina.

Ndërsa teknologjitë e linjat e reja të ambalazhimit që po implementojnë fermerët në këtë biznes, synojnë të shtojnë standardet dhe eksportet e mandarinave “made in Albania” në tregjet ndërkombëtare.

Qeveria dhe USAID mbështetje industrisë së agrumeve

Qeveria po rrit mbështetjen dhe vëmendjen ndaj bizneseve që eksplorojnë zhvillimin e potencialeve dhe resurseve që ka vendi, me kontribut në zhvillimin e vendit dhe që gjenerojnë të ardhuara për ekonominë shqiptare. Përmes skemave mbështetëse financiare dhe lehtësirave fiskale qeveria po asiston zhvillimin e

Në bashkëpunim edhe me institucionet ndërkombëtare që nga viti 2007, programe të ndryshme të qeverisë amerikane kanë ndihmuar nën sektorin e agrumeve për të rritur vendet e punës, zvogëlimin e mbështetjes ndaj importeve dhe rritjen e eksporteve.

Sot, me mbështetjen e USAID-it, ferma KOTE në Konispol ka fituar certifikatën GlobalGAP pas inspektimeve nga CERES German Certification Company, e cila i ka mundësuar kompanisë që tani të depërtojë në tregjet e reja të BE-së.

Garë Rusi-BE për investimet në impiante gazi në Ballkan

Bashkimi Europian ka formosur dje një marrëveshje për të investuar 101.4 milionë € në ndërtimin e terminalit të gazit të lëngshëm në Krk të Kroacisë

Sipas Euobserver, terminali synon diversifikimin e burimeve të energjisë për Europën Qendrore dhe atë Juglindore që shpresohet se do të rrisë ekonominë e rajonit.

Por ky investim nuk është i vetmi. Edhe Gazpromi rus ka njoftuar se do të ndërtojë një impiant të gazit të lëngshëm në Zvornik, në pjesën serbe të Bosnjës, i cili do të kushtojë 70 milionë euro.

Një garë invstimesh dhe copëzimesh gjeopolitike në një rajon të vogël si Ballkani ku interesat e ndryshme po kujdesen që të kolaudohen brenda korridoreve të kontrolluara.

Ky është një mesazh i hapur nga Rusia për BE-në për konkurencë ekonomike në Ballkan. /Respublica

Loja me çmimin e energjisë elektrike

Nga muaji dhjetor, qytetarët e Kosovës nuk do të paguajnë më faturat e fryra të energjisë elektrike me shumën prej 3.5 për qind, vlerë kjo që konsiderohet se është paguar për qytetarët e pjesës veriore të Kosovës. Por, jo më larg se nga prilli i vitit të ardhshëm, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) paralajmëron se mund të ketë shtrenjtim të rrymës për 20 për qind, nëse vazhdohet me importimin e rrymës

Rreth 8 milionë euro, llogaritet vlera e energjisë elektrike për vitin 2016, e cila nuk ishte inkasuar nga qytetarët e katër komunave veriore të Kosovës dhe e njëjta u ishte faturuar qytetarëve të pjesëve tjera të Kosovës.

Komunat veriore të Kosovës janë të banuara nga popullata shumicë serbe.

Adelina Murtezaj, zëdhënëse në ZRRE tha për Radion Evropa e Lirë, se i kanë njoftuar operatorët energjetikë, që të zbatojnë vendimet e Gjykatës së Apelit në Prishtinë, për anulimin e vendimit paraprak në lidhje me faturat për qytetarët e komunave veriore.

“Për shkak të vendimit të gjykatës, e cila specifikon se humbjet e veriut nuk duhet të kalkulohen në faturat e konsumatorëve, ZRRE- ja ka njoftuar operatorët që humbjet e shkaktuara në veri të vendit, të mos llogariten më në faturat e konsumatorëve. Dhe i ka njoftuar ata që sipas llogaritjes së ZRRE-së, ky ndikim në faturë është rreth 3.5 për qind”, tha Murtezaj.

Ndryshe, për këtë problem, Avokati i Popullit, në muajin prill të këtij viti, kishte iniciuar hetime duke dërguar lëndën edhe në gjykatë. Kurse Gjykata e Apelit ka marrë vendim që Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike të pezullojë vendimin që rryma e shpenzuar për atë pjesë, të faturohet për qytetarët e rajoneve tjera.

Përfaqësues të shoqërisë civile këtë vendim e konsiderojnë pozitiv, por jo të mjaftueshëm.

Dardan Abazi, hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore, INDEP thotë se ZRRE- ja duhet të sqarojë konsumatorët pse pa dijen e tyre kanë paguar energjinë e shpenzuar për qytetarët e pjesës veriore të Kosovës.

“Për më tepër qytetarët nuk kanë qenë as të informuar në lidhje me këtë pagesë, pasi në faturë nuk ka qenë e shënuar se për çfarë po paguajnë në fund të fundit. Pra, mendojmë se këtu ka bazë edhe për një hetim të gjerë të organeve të rendit, në lidhje më atë se a ka pasur shkelje të dispozitave të tjera ligjore, përfshirë Ligjin për mbrojtje e konsumatorit”, tha Abazi.

Abazi dyshon se në faturat e konsumatorëve të rregullt, llogariten edhe shpenzimet që bëhen nga humbjet komerciale dhe teknike.

“Ne konsiderojmë se ZRRE-ja duhet të jetë transparente dhe të tregojë se nuk është fjala vetëm për pjesën veriore që ne paguajmë, por ne paguajmë për humbjet komerciale që ndodhin në Republikën e Kosovës. Edhe kjo përbën shkelje të dispozitave ligjore, shkelje të barazisë para ligjit për qytetarët dhe shkelje të Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve”, vlerëson Abazi.

Por, Adelina Murtezaj e mohon një qëndrim të tillë, duke treguar se në fatura janë llogaritur vetëm humbjet e pjesës veriore. Ajo tregon se humbjet komerciale dhe teknike në nivel vendi janë 16 për qind.

“Humbjet teknike konsiderohen ato humbje të cilat shkaktohen për shkak të rrjetit të vjetruar. Kurse humbjet komerciale shkaktohen për shkak të keqpërdorimit të energjisë elektrike”.

“Operatorët vazhdimisht bëjnë padi tek organet kompetente për keqpërdoruesit e energjisë elektrike, por në përgjithësi ne nuk kemi vërejtur ndonjë ndikim në uljen e këtyre humbjeve”, thotë ajo.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike përveç se ka paralajmëruar ulje të çmimit për 3.5 për qind nga muaji dhjetor, ajo ka paralajmëruar se nga muaji prill çmimi i energjisë elektrike do të shtrenjtohet për rreth 20 për qind.

Energjia elektrike mund të shtrenjtohet nëse furnizimi vazhdon të mbulohet nga importi.

Buxhetit i shtohen edhe 11 milionë euro të marra nga Fondi i Kursimeve Pensionale

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka miratuar dy kërkesat e ministrit të Financave për ndryshimet në projektligjin për buxhetin e vitit 2018. Buxhet ky i cili do të ketë shqyrtimin e dytë në Kuvend brenda pak javësh

Ministri i Financave, Bedri Hamza propozoi që buxhetit të vitit 2018 ti shtohen edhe 11 milionë euro, para këto të marra nga Fondi për Kursime Pensionale, raporton Ekonomia Online. Hamza gjithashtu propozoi që fondit për komunitete në zyrën e Kryeministrit t’i shtohen edhe 500 mijë euro.

“Duke pas për bazë që ka pak pranime të amandamenteve nga deputet të Kuvendit të Kosovës ne kemi propozuar se nga ku do të merren mjetet ku do të shkurtohen mjetet me qëllim që buxheti të jetë brenda legjislacionit në fuqi. Janë të sigurta edhe 11 milionë euro shtesë për buxhetin nga Fondi për Kursime Pensionale”, tha Hamza.“Janë të sigurta edhe 11 milionë euro shtesë për buxhetin.

Pritet të merret vendimi nga Qeveria dhe këto mjete të derdhen në buxhetin e vitit të ardhshëm. Do të rritet tabori i shpenzimeve kapitale për 11 milionë euro. Propozoj që edhe te zyra e kryeministrit të rritet për 500 mijë euro fonde për komunitete”, shtoi Hamza.

Mirëpo ky propozim ndonëse u miratua nga anëtarët e tjerë të komisionit, nuk i pëlqeu deputetit Naser Osmani i cili konsideroi se nuk është e nevojshme rritja e këtij fondi për 500 mijë euro. “Kisha propozu mos me u ngut me këtë kërkesë. Konsideroj se komunitetet kanë fonde boll”.

Ai madje votoi kundër miratimit të kësaj kërkese të ministrit Hamza. Amandamentet të cilat janë duke u shqyrtuar nga Komisoni për Buxhet dhe Financa, sipas kryetarit të këtij komisioni, Lumir Abdixhiku janë miratuar nga grupet punuese të cilat janë marrë me këto amandamente. Abdixhiku bëri të ditur se gjithsej për tu shqyrtuar dhe miratuar janë 101 amandamente.

Tregu Ballkanik pa dogana si në BE finalizohet deri më 2023

Teksa Qeveria e Shqipërisë e ka firmosur në parim një marrëveshje për krijimin e zonës së lirë ekonomike në rajonin e Ballkanit, me rregulla njësoj si në BE që finalizohet tërësisht në vitin 2023, afate këto të konfirmuara edhe në Samitin e Triestes, mbetet pas vendeve të rajonit edhe në aspektin formal

Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka emëruar ende koordinatoret për “tregun” dhe “investimet”, teksa vende të tjera, jo vetëm kanë plotësuar nga ana formale strukturat, por po ecin me ritme më të shpejta për të marrë pozita dominuese në këtë proces, shkruan Monitor. Sipas Këshillit të Koordinimit Rajonal, 6 vendet e tjera të rajonit, përveç Shqipërisë, kanë plotësuar me koordinatore katër drejtimet kryesore të bashkëpunimit rajonal si tregtia, investimet, burimet njerëzore dhe integrimi digjital.

Serbia dhe Maqedonia po përparojnë me shpejtësi duke ndërmarrë reforma strukturore në drejtim të lehtësimit të kostove për biznesin për t’i bërë ato konkurruese në rajon, që “nesër” ku tregjet të njësohen të jenë superiorë në tregun e vogël të Rajonit.

Kryeministrat e Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Kosovës kanë firmosur një marrëveshje dhe tashmë një plan veprimi është në zbatim për krijimin e një zone tregtare pa dogana njësoj si në vendet e BE-së deri në vitin 2023.

Në disa aspekte, ky lehtësim që ka nisur me marrëveshjen e CEFTA redukton ndjeshëm barrierat dhe procedurat tregtare ndërmjet vendeve, por sakaq vë në vështirësi disa industri në vend që të bëhen jokonkurruese me hapjen e tregjeve për disa arsye. Qeveria e Shqipërisë, siç shihet nga të dhënat e RCC, ka mbetur pas, sepse ende nuk i ka përcaktuar koordinatoret e vetë që do të negociojnë pjesën e Shqipërisë, ndërsa bizneset prodhuese në vend ende nuk janë informuar as formalisht për efektet që do të ketë ky proces.

Serbia, Maqedonia dhe vende të tjera në rajon aplikojnë politika të subvencionit të prodhimit të grurit, ndërsa Shqipëria jo. Edhe pse fabrikat shqiptare të përpunimit të miellit kanë investuar në teknologji moderne, ato nuk kanë akses të njëjtë në lëndën e parë, si bizneset e tjera të përpunimit të miellit në Serbi dhe Maqedoni, teksa hapja e tregut me rajonin rrezikon një faliment të industrisë vendase.

Sipas marrëveshjes që është tashmë në zbatim, kontrollet e përbashkëta kufitare me një ndalesë duhet të nisin nga puna gjatë 2018-2019. Heqja e barrierave për tregtinë e shërbimeve dhe njohja elektronike e certifikatave duhet të ndodhë deri në vitin 2023. Deri në vitin 2020 duhet të jetë zbatuar protokolli shtesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të CEFTA dhe vendet duhen të kenë kryer gjithashtu investimet në infrastrukturën e brendshme për tregtinë pa tarifa. Deri në vitin 2020, gjithashtu duhet të funksionojë një Task Forcë që të ndalojë subvencionet e fshehta të shteteve të veçanta ndaj sektorëve të caktuar.

Bizneset prodhuese mes barrierave dhe masave lehtësuese

Lehtësirat për bizneset prodhuese që janë paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës për vitin 2018, nga përfaqësues të bizneseve po konsiderohen të nevojshme, por jo të mjaftueshme për t’i bërë më konkurrente prodhimet nga Kosova

Bizneset prodhuese në Kosovë nga 1 janari i viti 2018 do të lirohen nga tatimi doganor për lëndën e parë, gjysmë produktin, linjat e prodhimit si dhe nga pajisjet e teknologjisë informative.

Ministria e Financave ka njoftuar bizneset se përveç këtyre lehtësirave, që do të kenë bizneset vendore në vitin 2018, po ashtu nuk do të ketë asnjë tatim të ri si dhe nuk do të ketë rritje të tatimeve ekzistuese.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë masat lehtësuese të paralajmëruara nga Qeveria do të duhet të jenë në funksion të zhvillim ekonomik.

“Është një hap i një rëndësie substanciale, por nuk duhet të kënaqemi vetëm me këto masa. Besoj që nuk është një pikë, por është një presje që duhet të vazhdohet dialogu profesional dhe të bëhet garë në krijimin e lehtësirave dhe jo barrierave për të bërë biznes në Kosovë”, thotë Gërxhaliu.

Ai thekson po ashtu se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik vetëm me lehtësira nëse nuk ka sundim të rendit dhe ligjit në vend.

Prodhuesit në Kosovë, vazhdimisht u kanë bërë thirrje institucioneve të vendit që të krijojnë politika të favorshme fiskale për të rritur eksportin.

Strategjia e orientuar drejt rritjes së eksportit ishte theksuar se duhet të konsiderohet nga autoritetet kompetente si një faktor kyç në zhvillimin ekonomik të vendit.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e vendit do të duhej të vazhdojnë të ndërmarrin masa shtesë për përmirësimin e kushteve të prodhimit, pasi që vetëm në këtë mënyrë do të ndikohet të rritet prodhimi vendor.

“Largimi i tarifave doganore për lëndë të parë në procesin e prodhimit është një vendim i duhur, pasi që prodhuesit vendorë deri më sot nuk kanë qenë konkurrent, pasi që e kanë paguar këtë tarifë gjë që vendet e rajonit nuk e zbatojnë. A janë këto masa të mjaftueshme, jo nuk janë, por prodhuesit vendorë kanë nevojë ende të stimulohen”, thotë Panxha.

Një nga problemet më të cilat ballafaqohen bizneset prodhuese në Kosovës, e që kërkon adresim urgjent, shton Panxha, është furnizimi me energji elektrike.

Dëmet që i shkaktohen prodhuesve nga sektori i energjisë, sipas tij janë rreth 300 milionë euro në vit. Kjo pengesë, thotë Panxha, bënë që prodhimet vendore të mos jenë konkurrente sa duhet.

Sidoqoftë, me gjitha vështirësitë, Panxha tregon se produktet vendore kanë arritur të jenë prezent në tregun rajonal dhe më gjerë.

“Në tregjet e Bashkimit Evropian kemi rritje të vazhdueshme të produkteve të Kosovës. Besojmë që edhe në të ardhmen do të kemi përmirësim të bilancit tregtar. Produktet e Kosovës më lehët depërtojnë në Bashkimin Evropian sesa në vendet e rajonit, për shkak se vendet e rajonit nuk janë duke zbatuar politika jo të drejta tregtare dhe po vështirësojnë eksportin e produkteve të Kosovës”, thotë Panxha.

Kosova, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave vazhdon të përballet me deficit të lartë tregtar. Kontributi i eksporteve në volumin tregtar, sipas të dhënave të vitit 2016 ishte shumë i ulët, me rreth 310 milionë euro, kurse importi afër 3 miliardë euro. /Rel

Rusia furnizon me gaz Serbinë

Rusia do të lejojë Serbinë të rieksportojë gazin e saj, e cila deri më tani nuk ishte e mundur në bazë të marrëveshjes serbo-ruse të dhjetorit 2012, bëhet e ditur sipas një dokumenti të botuar sot në faqen e internetit të lajmëtarit të qeverisë ruse

“Është propozuar që të miratohen ndryshimet e marrëveshjes për furnizimet me gaz natyror nga Rusia në Serbi nga data 3 dhjetor 2012, në bazë të propozimit të Ministrisë së Energjisë dhe miratimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe marrëveshjes së mëparshme me palën ruse”, thuhet në dokument.

Është deklaruar se protokolli do të hyjë në fuqi menjëherë pas përfundimit të procedurave, raporton “Vestinet”, transmeton Periskopi.

Marrëveshja mbulon periudhën nga 2012 në 2021 dhe parashikon shpërndarjen e deri në pesë miliardë metra kub në vit.

Kompania ruse e gazit Gasprom ka rritur furnizimet me gaz në Serbi me 23,5 për qind në 11 muaj të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, tha kompania.

Dorëzimi në Turqi arriti rekord prej 27.6 miliardë metrash kub në periudhën nga 1 janari deri më 15 dhjetor 2017, që është 18,8 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas deklaratës së Gazprom, cituar nga agjencia ruse “TASS”.

Përveç kësaj, eksporti i gazit në vendet e tjera që do të furnizohen nga tubacioni Turk Stream, i cili është aktualisht në ndërtim e sipër, është rritur, kështu që furnizimet me gaz në Greqi u rritën me 10,1 për qind, në Bullgari me 5,7 për qind dhe në Hungari 22%.

Projekti Turk Stream parashikon ndërtimin e një tubacioni të gazit nën Detin e Zi në pjesën evropiane të Turqisë dhe më tej në kufirin me Greqinë.

Papunësia në Kosovë është rritur për 2.9 për qind

Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore të publikuara së fundi nga Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK), tregojnë se në nëntë muajt e parë të këtij viti papunësia është rritur për 2.9 për qind krahasuar me shkallën e papunësisë, që është regjistruar nga kjo agjenci në vitin e kaluar

Shkalla e papunësisë për tremujorin e tretë të këtij viti është 30.2 për qind. Për tremujorin e dytë të këtij viti papunësia ka qenë në një shkallë prej 30.6 përqindësh, ndërkohë që në tremujorin e parë 30.5 për qind.

Mesatarja për këta nëntë muaj është 30.4 për qind ose 2.9 për qind më e lartë sesa në vitin 2016, kur shkalla e papunësisë ka qenë 27.5 për qind.

Papunësia më e theksuar në tremujorin e tretë të këtij viti është tek femrat me 38 për qind, krahasuar me meshkujt ku kjo shifër shënon vlerën 27.8 për qind. Ndërkohë që shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24-vjeçare me 53.3 për qind…

Paga mesatare në Telekomin e Kosovës 980 euro, në Postë 800 e në KEK 600

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka treguar se kjo Ministri ka rreth 9 milionë euro për subvencionimin e ndërmarrjeve publike që janë para falimentimit. Në Puls të KTV-së, ai ka thënë se ka shumë ndërmarrje që nëse nuk subvencionohen nuk mbijetojnë. Ka numëruar disa

“Ndërmarrja e ujësjellësit të Mitrovicës, Aeroporti i Gjakovës, Posta e Kosovës ka pas humbje të vazhdueshme e cila i ka borxh 3 milionë euro po ashtu edhe Trainkosi dhe Infrakosi janë para falimentimit”, ka thënë Lluka.

Në anën tjetër rrogat në “Trainkos” janë shumë të larta. Lluka po ashtu ka pasur kritika edhe për Njësinë për monitorimin e ndërmarrjeve publike në Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, për të cilën ka thënë nuk është aq e ashpër sa duhet të jetë.

“Është shumë më tolerante se sa që duhet. Kritika për këtë njësi është se pse kjo njësi nuk e ka bërë të madhe problemin e ndërmarrjeve publike, pra nuk u alarmua situata më herët”, ka thënë ai.

Ministri Lluka, në Puls të KTV-së, ka thënë se paga mesatare në Postën e Kosovës është 800 euro, në Telekomin e Kosovës ajo arrin në 980 euro, derisa paga mesatare në KEK është diku rreth 600 euro.

“Pra pagat janë shumë të mëdha dhe e kemi Telekomin e Kosovës i cili po punon me humbje. Viti i parë është 6 milionë euro me humbje. Sa të jem në këtë mandat do të mundohem të bëjë ndryshime në këto institucione që punojnë me humbje”, ka thënë Lluka.

Lluka ka thënë se nga 16 ndërmarrje publike që i monitorojmë 11 punojnë me humbje. Ai ka thënë se raportet për ndërmarrjet publike deri më sot nuk kanë shkuar asnjëherë në parlament. “Për herë të parë unë e kam bërë një gjë të tillë”, ka thënë Lluka.

Lluka ka treguar edhe një rast, kur ka thënë se “ka raste kur kompania i ka fituar 20 mijë euro krejt dhe ato para i kanë nda në bonuse për Bordin dhe drejtorët”. “Pra ka edhe këso rastesh kur keqmenaxhohet kompania”, ka thënë ai.

Gjukaj: Shpronësimet në Hade e Shipitullë do të kushtojnë 25 milionë euro

Drejtori menaxhes i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Lulzim Ahmeti ka thënë se kanë arritur marrëveshje me banorët e lagjes Mirena të fshatit Hade. Sipas tij, bllokimi për hapjen e minierës së re ka bërë që të vështirësohet gjendja për prodhimin e energjisë elektrike në blloqet e KEK-ut

Gjukaj ka bërë të ditur se shpronësimet në Hade dhe Shipitullë do të kushtojnë 25 milionë euro krejt kjo për shkak të vonesës për shpronësimin e 52 hektarëve.

“Kemi arritur marrëveshje me banorët e lagjes së fundit Mirena të Hadës, duke bërë kështu negociatat me ta. Para një ore është përfunduar regjistrimi i shtëpive në lagjen Mirena. Momentalisht përpos kësaj marrëveshje është dhe një modul tjetër apo një formular tjetër që është duke e punuar ekipi i KEK-ut. Formulari i dytë pos pasurisë është edhe socio-ekonomik. Po bëjmë shpronësimin e pronave ku po aplikohen standarde më të larta ndërkombëtare. Nuk është vetëm shpronësim klasik apo matje e pasurisë por janë edhe disa formularë tjerë ku merren të gjitha anët e banorëve si dhe jeta e tyre socio ekonomike. Qëllimi ynë është që jeta e banorëve pas largimit nga fshati të jetë e qëndrueshme”, ka thënë Gjukaj.

Ai po ashtu ka folur edhe për hapjen e minierës së re në fshatin Shipitullë.

“Sot e nesër do të përmbyllet regjistrimi i pasurisë dhe menjëherë janë bërë ofertat dhe do t’ju dërgohen ato përfaqësuesve. Në momentin që pranohen para noterit nënkupton që procesi është i mbyllur sa u përket politikës së zhvendosjes dhe atëherë presim që të punojmë me ekskavatorë”, shtoi drejtori menaxhues i KEK-ut Gjukaj.

Mos shpronësimi me kohë sipas tij, i ka shkaktuar humbje të mëdha financiare korporatës. “Po punojmë me kapacitet të kufizuar nga 15 nëntori i këtij viti. Do ta revidojmë planin që të kthejmë furnizim me energji elektrike. Për 14 muaj kemi punuar me rezerva të plota. Tani rezervat janë të kufizuara të thëngjillit”, theksoi ai.

Gjukaj ka thënë se aktualisht janë vetëm dy blloqe duke prodhuar rrymë në KEK. “Po punojmë me një njësi të Termocentralit ‘Kosovës A’ si dhe një njësi të Termocentralit ‘Kosova B’, ku prodhimi shkon deri në 450 megavatë orë energji elektrike”,a ka thënë Arben Gjukaj drejtor menaxhues i KEK-ut. /Telegrafi/