Kreditë e këqija 3.1 për qind, prijnë bizneset

Bizneset dhe qytetarët e Kosovës nga dhjetë bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, deri në fund të vitit 2017 kanë marr mbi 2.5 miliardë euro kredi. Krahasuar me vendet e rajonit niveli i kthimit të kredive është i kënaqshëm, por në fund të dhjetorit të vitit të kaluar është 76.2 milionë euro, apo 3.1 për qind e totalit të portofolit kreditor

Nga të dhënat e publikuara në ‘Raporti mujor i Sistemit Financiar, nëntor 2017’, nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), shkruan Telegrafi, shihet se deri në këtë muaj bankat komerciale kanë lëshuar 2.46 miliardë euro kredi, nga to 887.9 milionë euro ishin nga kreditë për ekonomitë familjare dhe 1.57 miliardë euro nga financimi i bizneseve me kredi.

Kjo shumë vjen si rezultat që sistemi bankar u karakterizua edhe me rënie të ndjeshme të normave të interesit për kredi, ku sipas BQK-së norma efektive e interesit për kredi në muajin nëntor 2017 ka zbritur në 6.7 për qind, krahasuar me 7.3 për qind që ishte po të njëjtin muaj të vitit paraprak.

Besnik Kada, zëdhënës i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për Telegrafi ka bërë me dije se niveli i kredive joperformuese shënoi rënie në 3.1 për qind në fund të vitit 2017 nga 4.9 për qind sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas tij, përmirësimi i cilësisë së kredive gjatë kësaj periudhe i atribuohet cilësisë së mirë të kredive të reja dhe rritjes më të shpejt të volumit të kredive në sektorin bankar.

“Raporti i kredive joperformuese në fund të vitit 2017 evidentohet 3.1 për qind, nga 4.9 për qind sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Përmirësimi i cilësisë së kredive gjatë kësaj periudhe i atribuohet cilësisë së mirë të kredive të reja dhe rritjes më të shpejt të volumit të kredive në sektorin bankar. Gjithashtu, ndikim ka shfaqur edhe efekti i funksionalizimit të përmbaruesve privat, ku është evidente përshpejtimi i zgjidhjes së çështjeve gjyqësore lidhur me kreditë e këqija, mbikëqyrja e afërt e bankave në drejtim të ruajtjes dhe përmirësimit të praktikave të lejimit dhe menaxhimit të kredive, si dhe menaxhimi dhe mbikëqyrja e mirë në përgjithësi nga ana e menaxhmentit dhe bordit të drejtorëve të bankave”, ka thënë Kada.

Nga të dhënat e BQK-së, pjesëmarrja e kredive joperformuese biznisore, në fund të dhjetorit 2017, është rreth 2.6 për qind, ndërsa ajo familjare apo private rreth 0.5 për qind dhe se numri i kredive ne total të klasifikuara si me probleme, një person apo një kompani mund të kenë një e me shumë kredi.

Sipas Kadës, cilësia e kredive vlerësohet me ecuri pozitive ndër vite.

“Në dhjetor të 2017-së, kreditë joperformuese ishin 3.1 për qind. Ky raport në fund të vitit 2016 evidentohej 4.9 për qind, në fund të 2015-së evidentohej 6.2 për qind, ndërsa në fund të vitit 2014 ishte 8.3 për qind. Norma e mbulimit të kredive joperformuese me rezervat për humbjet nga kreditë përllogaritet 150.5 për qind, e cila vlerësohet normë e kënaqshme”, shpjegon ai.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, tha se për të ulur nivelin e kredive të këqija duhet një sundim më i mirë i rendit dhe ligjit. Sipas tij, nëse bëhet një krahasim me vendet e rajoni, Kosova qëndron më mirw sesa vendet e rajonit.

“Është evidente që ka tendencë për rritjen e kredive të këqija dhe kjo mund të ndikojë në aspektin negativ. Një dukuri e tillë vjen në shprehje fal mungesës së rendit dhe ligjit dhe një politizim të skajshëm i proceseve ekonomike në Kosovë, nga ky politizim shumë ndërmarrje favorizohen e të tjera kanë qasje selektive dhe në këtë mënyrë vjen në pyetje pabarazia në treg”, tha Gërxhaliu për Telegrafi.

Ai tha se një dukuri e tillë kur përcillet me ekonomi informale dhe korrupsion e bënë të pamundur që ndërmarrjet në Kosovë të jenë të jenë të afta për t’i shlyer borxhet, por me zbatim të ligjit dhe transparencë të të dhënave mund të përmirësohet ambienti i biznesit në vend.

“Një dukuri e tillë kur përcillet me ekonomi informale dhe korrupsion e bënë të pamundur që ndërmarrjet në Kosovë të janë të afta për t’i shlyer borxhet. Rekomandojë që të këtë më shumë zbatim të ligjit dhe në të njëjtën kohë transparencë me të dhëna statistikore të argumentuara dhe vetëm në këtë mënyrë mund të eliminohet një dukuri e tillë negative dhe të përmirësohet ambienti i biznesit në vend. Në qoftë se bëhet një analizë në nivel rajonal këto të dhëna, Kosova është në pozitë mjaftë të volitshme sa i përket fenomenit të kredive të këqija”, shpjegon ai.

Kosova vazhdon të evidentoj normë dukshëm më të ulët të kredive joperformuese krahasuar me vendet e rajonit. Niveli i ulët i kredive joperformuese ka ndikuar që sektorit bankar i vendit tonë të jetë profitabil, mirë i kapitalizuar dhe likuid.

Qeveria me agjendë të ngjeshur për ekonominë

Kryeministri Ramush Haradinaj përmes rrjetit të tij social “Facebook”, ka thënë se nuk do të ndalet asnjë çast së punuari për zhvillimin ekonomik të vendit

“Kosova me ekonomi të qëndrueshme: Ngrohje për Prishtinën, ujë për Ferizajn”, ka shkruar ai .Tutje Haradinaj ka thënë se do të vendosim për financimin e rritjes së kapaciteteve të Ngrohtores së Qytetit të Prishtinës me vlerë deri në 10 milionë euro. Kjo ndikon direkt në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Ky është postimi i plotë:

Kosova me ekonomi të qëndrueshme: Ngrohje për Prishtinën, ujë për Ferizajn

Nuk do të ndalem asnjë çast së punuari për zhvillimin ekonomik të vendit tonë!
– Sot, marrim vendime për programin e reformave në ekonomi.– Do të vendosim për financimin e rritjes së kapaciteteve të Ngrohtores së Qytetit të Prishtinës me vlerë deri në 10 milionë euro. Kjo ndikon direkt në përmirësimin e cilësisë së ajrit.– Financimi i projektit për furnizimin me ujë në Ferizaj!– Do t’i takoj sot përfaqësuesit e bizneseve dhe Odën Ekonomike. Po bëhemi gati për Konferencën e BERZH-it në Londër, ku bizneset nga Kosova do të aplikojnë për projektet e mëdha.RH

Risitë që do sjellë 5G-ja, teknologjia që do të trondisë ekonominë

Teknologjia 5G pritet të shfaqet për publikun e gjerë në fund të vitit 2019 dhe premton një shumfishim me 1 000 të performancës së internetit, madje kjo teknologji do të mundësojë një zhvillim të shpjetë të objekteve të ndërlidhura, shkruan e përditshmja franceze në faqen e saj të internetit, “LesEchos.fr”

Kjo teknologji ende nuk është bërë realitet dhe nuk është e mundur të përdoret nga publiku i gjerë.Por 5G-ja është tashmë në gojën dhe në mendjen e të gjithë akorëve të telekomunikacionit, të gjithë janë duke rritur investimet dhe partneritetet për të qenë të sigurt se nuk do të humbasin trenin e duhur të shpejtësisë më të lartë të komunikimit.

Çfarë do të sjellë kjo gjeneratë e re e teknologjisë së lëvizshme?

5G-ja premton një shumfishim të performancës së rrjeteve me 1000 herë dhe do të mundësojë një rritje të fuqishme të përdorimit të objekteve të ndërlidhura.

Për pesë vite, volumi i të dhënave që do të tranzitojnë në rrjete do të jetë 10 000 herë më i lartë, me një ngadalësi më të ulët se sa 1 milisekondë, kundrejt 50 milisekonda që është sot.

12,3 trilionë dollarë për ekonominë botërore

Kabineti anglez, “IHS Markit” i vlerëson në 12,3 trilionë dollarë dhe në 22 milionë vende pune përfitimet nga teknologjia 5G për ekonominë botërore deri në vitin 2035.

Kjo do të sundojë të gjithë sektorët e ekonomisë, nga financa tek industria prodhuese duke kaluar nga transportet dhe ndërtimi.

Gjigantët e telekomunikimit kanë filluar të lëvizin.

Në fillim të majit, operatori i tretë telefonik në SHBA, “T-Mobile US”, njoftoi se dëshiron të fillojë instalimin e një rrjeti të gjeneratës së pestë në tregun amerikan që në vitin 2019 dhe ka vendosur si objektivë një mbulim kombëtar me rrjet 5G deri në vitin 2020.

Evropa kërkon të jetë lideri botëror në 5G

Në karhun evropian, ambicia është që të jetë lideri në shtrimin e 5G-së, deklaroi komisioneri për Ekonominë Informatike, Gunther H. Oettinger, në shtator 2016, ndërkohë që paraqiste planin e veprimit që i dedikohej kësaj teknologjie.

Brukseli i vlerëson në 500 miliardë euro investimet e nevojshme në dekadën e ardhshme, ku një pjesë e madhe do të vijë nga operatorët e telekomunikimit.(atsh)

Përkeqësohet gjendja edhe më shumë në sektorin privat!

Qeveria e re, problemet e njëjta. Sektori privat edhe me tutje po vazhdon të mos ketë përmirësime. Pagat e vogla, mos respektimi i ligjit dhe mos përmirësimi i kushteve të punës vazhdojnë të mbesin problemet më të cilat po ballafaqohet punëtori i sektorit privat

Për përfaqësuesin e sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, gjendja e punëtorëve në këtë sektor po vazhdon të jetë e njëjtë. Ndërsa, sipas njohëseve të ekonomisë, sektori privat përkundër kontributit të tij nga asnjë qeveri nuk është trajtuar siç duhet.

Nuk ka asnjë përmirësim

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, në një bisedë për “Bota sot”, tha se ende nuk ka përmirësim të gjendjes së punëtorëve në sektorin privat. Sipas tij, edhe pse Këshilli Ekonomik Social e arriti një pajtueshmëri dhe i propozoi kryeministrit Ramush Haradinaj që paga minimale të jetë 250 euro, megjithatë, ai është skeptik se do të ndodh një gjë e tillë.

“Gjendja e punëtorëve në sektorin privat po vazhdon të jetë e njëjtë dhe nuk ka përmirësime. Këshilli Ekonomik Social e arriti një pajtueshmëri dhe i propozoi kryeministrit Ramush Haradinaj që paga minimale të jetë 250 euro, megjithatë nuk e dimë si do të përfundojë edhe pse realisht para se të vije kryeministri në një memorandum marrëveshje që ka me BSPK-në paga minimale është pagë që është biseduar më herët dhe ajo është pagë 250 euro e që është e kapshme, mirëpo, për këtë nuk e dimë se a do të aprovohet apo nuk do të aprovohet”, tha ai.

Azemi shtoi nuk ka asnjë lëvizje pozitive në këtë drejtim, dhe gjendja po shkon e po përkeqësohet vazhdimisht. Ai gjithashtu përmend një rast eklatantë ku edhe Qeveria e Kosovës është shkelëse e të drejtave të punëtorëve.

“Për pjesën tjetër absolutisht nuk kemi asnjë lëvizje, dhe gjendja po shkon e po përkeqësohet, bile-bile ka kompani që janë duke marrë punë nga kompanitë shtetërore dhe Qeveria e Kosovës si dhe Komuna e Prishtinës po ua vonojnë pagat kompanive dhe në mënyrë të drejtpërdrejt pasojat po i bartë punëtori. Nuk ka asnjë përkujdesje, nuk ka asnjë përmirësim. As nuk kemi përmirësime në respektimin e ligjit, nuk ka përmirësime në marrëveshjet kolektive, nuk kemi përmirësime për shëndetin në punë, nuk kemi përmirësime në rroga dhe në asnjë qasje tjetër, vetëm përkundrazi”, deklaroi Azemi.

Ai është shprehur se sfidë e Qeverisë Haradinaj mbetët që të funksionalizojë atë se çka është shkruar në letër.

“Qeveria Haradinaj ka hyrë në muajin e katërt dhe sfidat e presin janë jashtëzakonisht shumë, mirëpo janë sfida që kanë qenë shumë lehtë për t’i përballuar sepse ligjin e punës e ka, marrëveshjen kolektive e ka, i vetmi element që është dashur të bëjë është për t’i funksionalizuar, sepse këto nuk janë duke u funksionalizuar. Në kotë jemi duke kërkuar rritje të pagave kur këto nuk zbatohen. Në Qeverinë Haradinaj punëtori sot paguhet jashtëligjshëm, sepse paguhet me pagë 130 euro nga kompani që bëjnë sigurimin e Qeverisë, duke u nise në ndërtesën ku punon kryeministri Haradinaj po kemi shkelje të të drejtave të punëtorëve, e mos të flasim për ato punë që bëhen në periferi. Sfidë është se nuk është duke funksionuar asgjë çka është në letër”, përfundoi Juzuf Azemi për “Bota sot”.

“Sektori që u anashkalua nga të gjitha qeveritë”

Eksperti i çështjeve ekonomike Nexhat Kryeziu, në një prononcim për “Bota sot”, theksoi se sektori privat përkundër kontributit të tij nga asnjë qeveri nuk është trajtuar siç duhet.

Ai tha se fokusi i qeverive të kaluara në blerjen e “paqes sociale” përmes asistencës sociale të kategorive të shumta në njërën anë dhe fokusi tek korporatat e mëdha, ka anashkaluar interesin te bizneset e vogla.

“Sektori privat përkundër kontributit të tij në zhvillim ekonomik dhe në pagesa të tatimeve dhe taksave në buxhetin e Kosovës, jo vetëm nga Qeveria Haradinaj, mirëpo nga asnjë qeveri e mëparshme nuk është trajtuar siç duhet. Fokusi i qeverive të kaluara në blerjen e “paqes sociale” përmes asistencës sociale të kategorive të shumta në njërën anë dhe fokusi tek korporatat e mëdha, ka anashkaluar interesin te bizneset e vogla dhe të mesme të cilat krijojnë numrin më të madh të punëtorëve në vend si dhe kanë barrën kryesore në pagesën e ngarkesave tatimore e rrjedhimisht në mbushjen e arkës shtetërore”, ka deklaruar Kryeziu.

Eksperti i ekonomisë tregon edhe për kontratat e punës, të cilat janë me kohë të caktuar dhe nuk kanë ndonjë mbrojtje ligjore.

“Për më shumë, nëse krejt këtë e shohim se kush paguan koston e kësaj, atëherë janë punëtorët e sektorit privat që vazhdojnë të mbajnë barrën ku, kontratat e punës janë me kohë të caktuar dhe nuk kanë ndonjë mbrojtje ligjore nëse punëdhënësi shkëput kontratën në mënyrë të njëanshëm, nuk ka ndonjë fond të krijuar ku shteti paguan punëtorët në rast të humbjes së vendit të punës, shteti kryesisht nuk subvencionon krijimin e vendeve të reja të punës direkt në llogarinë e punëtorit, qeveria nuk monitoron mjaftueshëm punishtet dhe kushtet e punës përmes organeve të veta (inspektoratit), shumë punëtorë të sektorit privat vazhdojnë të punojnë më shumë se 40 orë punë në javë”, tha ai.

Sipas Kryeziut, në sektorin privat nevojitet fokus më i madh dhe koordinim i politikave qeveritare me biznesin dhe sindikatat që të ketë një dakordim më efektivë.

“Nevojitet fokus më i madh dhe koordinim i politikave qeveritare me biznesin dhe sindikatat që të ketë një dakordim në hapa të cilat secila palë të përfitoj: shteti të ketë punësim më të madh, ndërmarrjet apo bizneset të kenë fuqi punëtore kualitative dhe të mjaftueshme, dhe punëtorë që nuk iu shkelen të drejtat dhe me kushte të përshtatshme pune. Fokusi i deritashëm qeverive në sektorin publik përfshirë edhe ndërmarrjet publike gjithnjë e më shumë ka zbehë interesin e sektorit privat, ku politikat e tilla kanë sjellë degradim dhe prishje të balancit ekonomik dhe që mund të ketë pasoja të konsiderueshme në të ardhmen”, ka përfunduar Nexhat Kryeziu për “Bota sot”.

“Qeveria e fokusuara në krijimin e lehtësirave për importimin e lëndëve të para”

Në anën tjetër, Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, në një prononcim për “Bota sot” thotë se ende është herët për të dhënë një vlerësim për Qeverinë e re lidhur me gjendjen e sektorit privat.

Ai u shpreh se Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj është e fokusuar më shumë në krijimin e lehtësirave për importimin e lëndëve të para.

“Është kohë e shkurtër për të dhënë një vlerësim për Qeverinë Haradinaj lidhur me përkrahjen e sektorit privat. Ndryshimet fiskale të aplikuara nga Qeveria janë të fokusuara në krijimin e lehtësirave për importimin e lëndëve të para dhe reporomaterialeve të përdorura në prodhimtari”, tha Gashi.

Njohësi i ekonomisë, krejt në fund, thotë se duhet të presim për të kuptuar se cilat do të jenë efektet e saja në këtë sektor.

“Duhet të presim efektet e saj, cilat do të jenë në të ardhëm”, ka përfunduar njohësi i ekonomisë, Naim Gashi, për “Bota sot”.

Mallrat kineze ‘pushtojnë’ Kosovën

Agjencia e Statistikave të Kosovës thotë se deficiti tregtar është thelluar vitin e kaluar.Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për (8.5%) në muajin dhjetor 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016. Në dhjetori e vitit 2017 deficiti ishte në vlerë prej 267,8 milionë euro krahasuar me deficitin 246,9 milionë euro në vitin 2016

Kosova e bën importin më të madh nga Kina

“Eksporti mbulon importin (9.9%)”, thuhet në publikimEksporti i mallrave në muajin dhjetor 2017 kishte vlerën 29,4 milionë euro, ndërsa importi 297,3 milionë euro. Pra është një rritje prej (20.2%) për eksport si dhe (9.5%) për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: (42.8%) të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (12.3%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (9.4%) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, (9.0%) produktet minerale, (5.9%) produktet bimore, (4.7%) tekstil dhe artikuj tekstili etj.

“Kosova më së shumti ka importuar produkte minerale.“Sipas të dhënave të grupeve kryesor për import: (15.3%) të importit e përbëjnë produktet minerale, (14.2%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (13.3%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (13.0%) mjetet e transportit, (8.7%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (6.4%) produkte të industrisë kimike, (4.8%) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, (4.7%) produkte bimore, (4.0%) tekstil dhe artikuj prej tekstili etj”, thotë publikimi.

Tregtia e jashtme e Kosovës me 28 vendet e BE-së

Eksportet drejtë 28 vendeve të BE-së shënuan rritje, por me rritje ishte edhe importet prej tyre.“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së-28 arritën në 6,8 milion euro, ose rreth (23.3%) e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej (35.3%). Partneret kryesor për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (6.2%), Holanda (3.9%), Britania e Madhe (3.6), Bullgaria (2.7%) etj“, tregon publikimi.Për 13 për qind u rriten importet.“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së-28 ishin rreth 137,6 milionë euro, ose (46.3%) e importeve të përgjithshme, me një rritje prej (13.1%).

Importet me pjesëmarrje me te larte ishin nga: Gjermania (14.6%), Italia (5.7%), Rumania (3.0%),Greqia (2.8%) etj”, vijon më tej statistika e ASK-së.Kosova me vendet e CEFTA-sNë muajin e kaluar, eksporti i Kosovës drejt vendeve të CEFTA-s shënoi rënie, por importi u rrit.“Në muajin dhjetor 2017, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 11,9 milionë euro, ose (40.5%) të eksporteve të përgjithshme, është një rënie prej (-0.5%).

Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (17.7%), Maqedonia (9.6%), Serbia (5.5%), Mali i Zi (5.5%). “ tregohet në publikimImportet u rritën në 13.2 për qind, duke importuar më së shumti nga Serbia“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin Dhjetor 2017, arritën në 79,6 milion euro, ose (26.8%) të importeve të përgjithshme, me një rritje prej (13.2%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (15.7%), Maqedonia (4.2%), Shqipëria (3.7%) dhe B&H (2.7%).”

Tregtia me vendet e tjera të botës

Me vendet tjera të botës, eksportet e Kosovës arritën në 10,6 milionë euro, ose 36.2 për qind me partnerë të rëndësishëm India 24.4 për qind dhe Zvicra 5.2 për qind. Ndërsa importet e Kosovës me vendet tjera, sipas ASK-së, arritën në 79,9 milionë euro, ose 26.9 për qind.Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina 9.6 për qind dhe Turqia 8.5 për qind.

Edhe në dhjetor u rrit deficiti tregtar i Kosovës

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin dhjetor 2017

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 8.5% në muajin dhjetor 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016, gjegjësisht në vlerë prej 267,8 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 246,9 milionë eurosh në vitin 2016. Eksporti mbulon importin me 9.9%, transmeton Koha.net.

Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2017 kishte vlerën 29,4 milionë euro, ndërsa importi 297,3 milionë euro, që është një rritje prej 20.2% për eksport dhe 9.5% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 42.8% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre dhe 12.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, ndërsa, 15.3% të importit e përbëjnë produktet minerale; 14.2% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 13.3% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani. 13.0% e përbëjnë mjetet e transportit, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 6,8 milionë euro, ose rreth 23.3% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 35.3%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (6.2%), Holanda (3.9%), Britania e Madhe (3.6), Bullgaria (2.7%) etj.

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 137,6 milionë euro, ose 46.3% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13.1%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (14.6%), Italia (5.7%), Rumania (3.0%), Greqia (2.8%), etj.

Në muajin dhjetor 2017, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 11,9 milionë euro, ose 40.5% të eksporteve të përgjithshme, që është një rënie prej (-0.5%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (17.7%), Maqedonia (9.6%), Serbia (5.5%), Mali i Zi (5.5%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin dhjetor 2017, arritën në 79,6 milionë euro, ose (26.8%) të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13.2%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (15.7%), Maqedonia (4.2%), Shqipëria (3.7%) dhe B&H (2.7%).

Importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 79,9 milionë euro, ose 26.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (9.6%) dhe Turqia (8.5%).

Për më shumë informata lidhur me Statistikat e Tregtisë së Jashtme për muajin dhjetor 2017, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/ekonomi/tregtia-e-jashtme

Anglia e interesuar të investojë në Kosovë

Interesimit të kompanive për të investuar në Kosovë në fushën e minierave i është shtuar dhe “LMD Recourses” nga Anglia, ka njoftuar Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike përmes një komunikate për media

Ministri Dardan Gashi ka pritur në takim përfaqësuesit e kompanisë “LMD Recourses”, e cila merret me hulumtimin dhe zhvillimin e projekteve minerare në Ballkan.

“Javën e kaluar e kemi kompletuar pakon e udhëzimeve administrative për të funksionalizuar Ligjin për Investime Strategjike dhe, kështu, e kemi shpallur të hapur këtë proces”, ka thënë me këtë rast Gashi. Terreni që ka zgjuar interesimin e kësaj kompanie për të investuar është në komunën e Podujevës.

Yura Corporation, bashkëpunëtori i Hyundai dhe KIA, hedh sytë nga Shqipëria

Yura Corporation dorëzon plan biznesi pranë autoriteteve shqiptare, kontratë një euro në Fier. Industria automotive, qoftë në procese të thjeshta, ashtu edhe komplekse, gjeneron punësim të konsiderueshëm. Vendet e rajonit janë të vetëdijshme për këtë dhe mbi të gjitha dominon Serbia, e cila u kthye në një vend kryesor për ngritjen e kësaj industrie

E favorizon shumë siguria politike, e kaluara e saj në këtë fushë por, mbi të gjitha, një sistem fiskal që në vitin 2009 e më tej ka qenë shumë nxitës për investitorët. Por duket se edhe për Shqipërinë po shfaqen në horizont disa mundësi për zhvillimin e kësaj industrie automotive për procese elementare. Në kushtet kur sot janë dy kompani të cilat kanë gjeneruar punësim të dukshëm dhe kanë plane zhvillimi, si PSZ Albania dhe Forschner Albania, të dyja gjermane, në treg është shfaqur interes edhe nga kompani të tjera.

Burime pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve thanë për “Monitor” se janë të paktën dy kompani të huaja që po tentojnë të hyjnë në tregun shqiptar që kategorizohen në këtë lloj aktiviteti. E ndërsa për njërën prej tyre, të dhënat janë konfidenciale, sepse bisedimet janë në fillim, për kompaninë e dytë, fazat kanë avancuar, madje duke caktuar paraprakisht edhe pjesën ku do të funksionojë fabrika. Bëhet fjalë për kompaninë koreanojugore Yura Corporation, e cila ka paraqitur një plan biznesi, duke premtuar një investim të konsiderueshëm, si dhe punësim në nivele të kënaqshme të paktën si fillim. Burimet pranë AIDA-s thanë se kompania nuk është e re, ajo operon në shumë vende të botës, duke nisur nga Azia, Afrika dhe Europa. Konkretisht fabrika të saj funksionojnë në Kinë, Kore, Marok, Vietnam, Tunizi, Çeki, Sllovaki, por edhe në Serbi dhe tek kjo e fundit janë në funksion më shumë se një fabrikë.

Kontratë 1 euro për Yura Corporation

Kompania koreanojugore duket se e ka të qartë orientimin që do të ketë biznesi i saj në Shqipëri. Do të prodhojë zgjidhje kabllore për modele të ndryshme të makinave të markave Hyundai, KIA apo Daimler. Duke pasur parasysh investimin, por edhe numrin e vendeve të reja të punës të gjeneruara, kompania ka qenë në negociata për të përfituar nga opsioni i kontratës me 1 euro për 20 vjet, një praktikë e njohur kjo për investimet jo vetëm të kësaj natyre. Kompania ka kërkuar një mjedis që të përmbushë kërkesat e saj për shtrirjen që duhet të kenë linjat e prodhimit dhe opsioni që është në diskutim është baza e tubave, një pronë e kompanisë shtetërore të prodhimit dhe nxjerrjes së naftës Albpetrol që ndodhet në dalje të Fierit kur shkon për në Vlorë.

Katër fabrika në Serbi, si e “joshi” me sistemin e taksave

Yura Corporation në vitin 2009 do të “trokiste” në Serbi për zgjerimin e saj, duke qenë se në Sllovaki kishte tashmë 5 fabrika. Në mars të 2010-s, pas një studimi tregu dhe mbledhje të dhënash, kompania do të vendosej në Serbi për të nisur biznesin. Gjithçka do të përfundonte në harkun e pak muajve. Një muaj e gjysmë, kompanisë do t’i duhej të blinte pronën, 2 muaj ta rikonstruktonte atë dhe në fund të qershorit, të niste prodhimin masiv. Duke parë leverdinë e zgjerimit të këtij aktiviteti, Serbia nuk u kursye në politika dhe në atë kohë, Ministria e Ekonomisë dhe agjencia e dedikuar për investitorët do të ofronte një subvencion kombëtar në masën 4.5 milionë euro, që do të përdorej në masën 4500 euro që i shkonin kompanisë për çdo person të punësuar. Në total, 1 mijë të punësuar vetëm në kompaninë e saj në Raca, ku privatizoi ish- fabrikën e Zastava Elektro dhe investoi 3 milionë euro.

Nga ana tjetër, vetë qeveria do të siguronte trajnimin e personave që punësoheshin me të paktën 700 mijë euro. Fiks një vit më pas, në qershor 2011, Yura Corporation do të hapte fabrikën e dytë në Nish. Në atë kohë, Ministria e Ekonomisë dhe Zhvillimit Rajonal në Serbi do të deklaronte se vlera e investimit ishte 15 milionë dollarë. Kompania do të punësonte 1500 punëtorë dhe qeveria kishte parashikuar 10.5 milionë euro si fond subvencionimi, ku për çdo vend të ri pune, kompania merr pas 7 mijë euro nga buxheti i shtetit. Në atë kohë, kreu i Yuras në Serbi, De Jel Om, do të shprehej se Yura në Nish do të ishte qendra e kompanisë në të gjithë Europën. Dhe kjo u konkretizua me një fabrikë të dytë në Nish pak kohë më pas.

Në vitin 2016, kompania do të hapte një fabrikë tjetër në Leskovac, ku prodhon kabllo për makina elektrike. Në po këtë qytet, sot operojnë edhe kompani të tjera që kanë të njëjtin profil, siç është grekja Autostop, si dhe britanikja Delphi. Në tetor 2017, kryebashkiaku i Lsekovacit, bëri të ditur se kompania Yura po planifikon të hapë edhe dy fabrika të tjera në këtë zonë, me një investim total prej 35 milionë eurosh. Pjesa prej 20 milionë eurosh pitet të investohet në një fabrikë të re që përfundon sipas parashikimeve në maj të këtij viti, plus 15 milionë euro në pjesën tjetër. Të dyja fabrikat pritet të kenë procese më komplekse dhe në tërësi do të punësojnë edhe 1000 punonjës të rinj. Yura Corporation ishte eksportuesi i 14 më i madh në Serbi sipas rezultateve të 9 muajve të 2017-s, me shitje që kalonin 105 milionë euro sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave në Serbi./Monitor

Borë, kryetarë shtetesh, artistë – të gjithë në Davos të Zvicrës

Miliarderë, kryetarë shtetesh dhe udhëheqës korporatash mblidhen këtë javë në Davos të Zvicrës, për Forumin Ekonomik Botëror

Mbi 60 kryetarë të shteteve dhe qeverive, përfshrië presidentin amerikan, Donald Trump, pastaj qindra liderë të bizneseve, akademikë, artistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile do të takohen për katër ditë, nisur nga sot, nën moton “Krijimi i një të ardhmeje të përbashkët në një botë të çarë”.

Me ekonominë globale në rritje, me mesataren industriale të indeksit Dow Jones mbi 26,000 pikë për herë të parë dhe me optimizmin se rishikimi i sistemit të taksave në SHBA do të rrisë të ardhurat e korporatave, pritjet e pjesëmarrësve në samit duken të larta.

Por, bora e madhe në Alpe e ka bërë udhëtimin të vështirë në shumë rajone dhe Zvicra ka lëshuar alarmin e ortekëve më 22 janar.

“Jam i lumtur për borën, sepse i jep Davosit atë që duhet të ketë – aspektin e një fshati global, një fshati ku natyra luan ende rol të rëndësishëm”, tha kryetari i forumit, Klaus Schwab, në një intervistë për agjencinë Reuters.

Brenda sallave të forumit do të mbahen rreth 400 debate dhe panele me tema si: rritja ekonomike, mjedisi, terrorizmi, inteligjenca artificiale, parashikimet për Afrikën dhe mënyrat se si refugjatët mund të kontribuojnë në vendet mikpritëse.

Një dekadë pasi falimentimi i bankës amerikane të investimeve Lehman Brothers ka ndihmuar në nxitjen e krizës globale financiare, duke zhytur ekonomi të shumta në recesion, Trump pritet të dominojë shumë biseda edhe para fjalimit të tij në ditën e fundit.

Protesta të vogla tashmë janë mbajtur, ndërsa autoritetet kanë refuzuar kërkesën e grupeve majtiste për të protestuar në Davos më 25 janar, duke thënë se nuk ka hapësirë të mjaftueshme për shkak të reshjeve të borës.

Megjithatë, një peticion anti-Trump, i cili i bën thirrje presidentit amerikan të qëndrojë larg, ka mbledhur mbi 16,000 mbështetës online.

Ndalimi i protestës është “një mënyrë e fshehjes pas fuqisë së elitave globale”, tha Tamara Funiciello, udhëheqëse e Socialistëve të Rinj të Zvicrës, duke shtuar se autoritetet “kanë nevojë për shtylla më të forta”.

Policia zvicerane ka shpërndarë mbi 4,300 oficerë në rajon për të ofruar siguri.

Këngëtari Elton John dhe aktorja Cate Blanchett janë vetëm dy nga dhjetëra celebritët që pritet të marrin pjesë në forum, me qëllim rritjen e vetëdijes për çështjet sociale.

Forumi këtë vit do të përfshijë edhe disa sesione për ngacmimet seksuale, sidomos në industrinë e filmit.

I përballur me akuzat për seksizëm, Forumi Ekonomik Botëror ka emëruar këtë vit shtatë bashkëkryesuese gra, përfshirë Christine Lagarde, shefe e Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe Ginni Rometty, shefe ekzekutive e IBM-së.

Kompanitë e huaja ia kanë miliona euro borxh Kosovës

Kompanitë e huaja që veprojnë në Kosovë i kanë borxh shtetit të Kosovës plot 3 milionë e 827 mijë euro. Sipas Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në total borxhi i bizneseve ndaj shtetit, duke përfshirë ato vendore e të huaja, ka arritur mbi 218 milionë euro, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Nuk janë vetëm bizneset vendore që nuk i paguajnë tatim shtetit. Të rregullta në tatime del se nuk janë as kompanitë e huaja që veprojnë në Kosovë. Borxhi i tyre ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) ka arritur në 3 milionë e 827 mijë euro.

Megjithatë, kjo është shumë më pak krahasuar me borxhin nga bizneset vendore. Prej 90 mijë bizneseve, sa mendohet se janë të regjistruara në Kosovë, gati gjysma e tyre nuk ia paguajnë tatimet shtetit.

Sipas Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në total borxhi i bizneseve ndaj shtetit, duke përfshirë ato vendore e të huaja, ka arritur mbi 218 milionë euro.

“Borxhi i të gjitha bizneseve që kanë ndaj ATK-së është 218,490,944.87 euro. Borxhi i bizneseve të huaja të cilat veprojnë në Kosovë është 3,827,564.05 euro, kurse bizneset private kanë borxhe prej 214,663,380.82 eurosh”, kanë thënë për gazetën nga Zyra për Informim në ATK.

Sipas tyre, numri i bizneseve që kanë borxh ndaj ATK-së ka arritur në 31 mijë e 571 biznese.