Trump ja thotë troç BE-së: Heqim dorë nga taksat tona, nëse ju hiqni dorë nga tuajat

Presidenti amerikan, Donald Trump u shpreh dje se do të kursente Bashkimin Europian nga tarifat doganore për çelikun dhe aluminin, nëse ky i fundit heq dorë nga barrierat e tij doganore të vendosura ndaj produkteve amerikane, raporton ata

Tarifat doganore me 25% për importet e çelikut dhe me 10% për ato të aluminit të njoftuara nga Donald Trump u kundërshtuan nga europianët dhe disa partnerë të tjerë tregtarë të SHBA-së, si Japonia.

”Bashkimi Europian, me shtete të mrekullueshëm që e trajtojnë shumë keq SHBA-në në fushën e tregtisë, ankohet për tarifat e parashtruara doganore për çelikun dhe aluminin”, shkruan Trump në Twitter.

”Nëse ata heqin dorë nga pengesat e tmerrshme dhe tarifat doganore për produktet amerikane, ne do të heqim dorë nga tonat. Në të kundërt, ne do të taksojmë automjetetet … E thënë hapur, shtoi ai.

Europianët i shprehën zhgënjimin e tyre të shtunën përfaqësuesit amerikan për Tregtinë, Robert Lighthizer, i pranishëm në Bruksel për një takim të planifikuar prej kohësh me komisioneren për Tregtinë, Cecilia Malmström dhe ministrin japonez të Ekonomisë, Hiroshige Seko. Japonia, ashtu si Bashkimi Europian, kërkon të jetë e përjashtuar nga taksat amerikane.

Shenja jo të mira – Luftë tregtare BE dhe SHBA?

Pritet që presidenti Trump të bëjë të enjten realitet kërcënimin e tij me dogana ndëshkuese për çelikun e aluminin që eksportohet në SHBA. Disa vende ka gjasa të përjashtohen. Trump kërkon të mbrojë industrinë vendase

Pak para se presidenti Trump të vendosë doganat ndëshkuese për çelikun dhe aluminin për të mbrojtur firmat amerikane, të enjten apo deri në fund të kësaj jave po jepen shenja kthese në Shtëpinë e Bardhë.

Këshilltari i Trumpit për ekonominë, Peter Navarro i ka thënë televizionit Fox Business, se rregullorja e re do të ketë përjashtime për Kanadanë dhe Meksikën. Këto vende do të kishin kështu kohë për lëshime në marrëveshjen për tregtinë e lirë NAFTA, me SHBA.

Ndërsa aleatë të tjerë, siç është bërë e ditur, vendet e BE apo partnerë të NATO-s nuk do të përjashtohen fillimisht. Por Navarro la të kuptohej, se edhe për vende të tjera do të ketë shanse të mënjanojnë doganat në të ardhmen. “Ne do ta hapim këtë edhe për partnerët tanë, dhe do të shohim, nëse mund ta zgjidhim apo jo këtë problem.”

Zëdhënësja e Shtëpisë ë Bardhë, Sarah Sanders është shprehur se bëhet fjalë për 25% doganë për çelikun dhe 10% për aluminin. Disa liderë republikanë i refuzojnë doganat, Paul Ryan dhe Mitch McConnell janë shprehur kundër doganave, por për masa konkrete kundrejt importeve nga Kina.

BE do të kundërpërgjigjet

Në botën e ekonomisë ndërkohë janë rritur shqetësimet për një luftë tregtare mes SHBA dhe BE por edhe Kinës. Bashkimi Europian është shprehur se do të reagojë menjëherë në një rast të tillë. Komisioneri i BE për ekonominë, Pierre Moscovici ka bërë të ditur se BE do të kundërpërgjigjet menjëherë.

“Nëse presidenti Trump do të vendosë në fuqi masat sot (08.03 shën.red) në darkë, atëherë ne kemi një arsenal të tërë përgjigjesh.” Këtu bën pjesë portokallet që vijnë nga SHBA, duhani, dhe uiski, veç produkteve teknologjike.

Gjermania mban një pozicion të përmbajtur. Luftërat tregtare nuk janë në dobi të askujt dhe kanë vetëm humbës. Ministrja gjermane e Ekonomisë, Brigitte Zypries nuk do të flasë ende për një luftë tregtare mes BE e SHBA.

“Megjithatë është irritimi shumë i madh”, u shpreh ajo të enjten për televizionin gjerman, ARD. “Një luftë e qartë tregtare mendoj se nuk është, nëse kjo prek pak produkte që përfliten.

Por zotit Trumpit vetëm mund t’i përsëritet: Lëre këtë më mirë.” Zypries është e mendimit, se në një rast të tillë duhet bërë ankesë tek Organizata Botërore e Tregtisë.(dw)

Në Gjermani, mungesë punëtorësh, kërkohen këto profesione

Numri i vendeve të punës të paplotësuar në Gjermani në tremujorin e fundit të vitit të shkuar ka qenë 1,2 milionë, njoftojnë mediat

Instituti për hulumtimin e tregut të punës (IAB) në Nuremberg thekson se kërkimi më i madh për punëtorë është në sektorin përpunues dhe në atë ndërtimor, transmeton Koha.net.

Ndërmarrjet ndërtimore gjermane aktualisht kërkojnë rreth 100 mijë punëtorë të profileve të ndryshme.

Mungesa e ekspertëve vërehet pothuaj në të gjithë sektorët e profesionet më të kërkuara janë elektroteknikët, mekanikët, teknikët mjekësor , programuesit, inxhinierë nga të gjitha profilet si dhe zanatet tradicionale, teneqepunues, hidraulik.

Si rëndom, është kërkesë e madhe për personelin mjekësor e në kohë të fundit ka mungesë të madhe të instruktorëve të vozitjes, shoferëve të autobusëve e të kamionëve.

Sindikata gjermane dhe punëdhënësit kohë më parë kanë arritur marrëveshjen për paga më të mëdha dhe për orar më të mirë të punës. Marrëveshja është arritur në fund të janarit e në fillim të shkurtit të këtij viti dhe ajo parasheh ngritje të pagës nga 4,3 për qind që nga 1 prilli.

Kosova e hapur ndaj investimeve austriake

Austria do të vazhdojë të jetë partnerë i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës edhe në të ardhmen. Këtë mbështetje për Kosovën e ka dhënë delegacioni nga Oda Ekonomike Federale e Austrisë, i kryesuar nga Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, në takimin që janë pritur nga kryeministri Ramush Haradinaj, njofton kumtesa qveritare

Haradinaj e quajti rast të veçantë vizitën dhe mundësi të mirë për të diskutuar në nivel bilateral për ekonominë në të gjitha nivelet e saja.

“Kosova është një vend i mundësive të mëdha për të investuar. Ne kemi resurset më të mira njerëzore dhe ambient të përshtatshëm që investitorët austriakë të ndjehen të sigurt dhe investimet e tyre të jenë të garantuara. Qeveria ka shpallë prioritetet e saja, ku zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës janë agjendë ditore”, tha Haradinaj.

Në takim u përmend roli i Austrisë në Kosovë në fushën ekonomike, ku deri tani mbi 100 kompani të këtij vendi janë angazhuar në projekte konkrete dhe se falë këtij bashkëpunimi çdo ditë e më shumë po rritet numri i kompanive kosovare që eksportojnë në vendet si Austria, Gjermania dhe Zvicra.

Haradinaj shprehi gatishmërinë e Qeverisë për të ruajtur marrëdhëniet bilaterale me Austrinë dhe për të shtuar bashkëpunimin në fusha konkrete, aty ku tregu i Kosovës ka më shumë nevojë si dhe përkushtimin që të krijohen kushte sa më të mira legjislative dhe administrative për investitorët austriakë.

Komisioni Evropian e vlerëson lartë Programin për Reforma Ekonomike të Kosovës

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka pritur në takim një delegacion nga Komisioni Evropian, i kryesuar nga Uwe Stamm, shef i Njësisë, Drejtoratit Gjeneral për Ekonomi dhe Financa, të cilët po qëndrojnë në Kosovë me qëllim të vlerësimit të dokumentit të Programit për Reforma në Ekonomi (PRE) 2018-2020 të hartuar nga Institucionet e Qeverisë së Kosovës

Bashkë me delegacionin e Komisionit Evropian dhe Uwe Stamm, ministri Hamza, në cilësinë edhe të Koordinatorit Nacional të Programit për Reforma në Ekonomi para delegacioneve tha se “Është kënaqësi e veçantë që pas një pune të gjatë të hap këtë takim sot për të ofruar arsyetimin mbi masat të cilat i kemi përzgjedhur si më me ndikim në transformimin e ekonomisë sonë”.

“Politika jonë ekonomike ka një qëllim të qartë, që ta zhvillojmë sektorin privat në mënyrë që të jetë bartës i rritjes ekonomike të vendit për këtë qëllim do të punojmë për largimin e pengesave për realizimin e potencialit ekonomik të Kosovës. 20 masa të reformave tashmë janë përditësuar për të reflektuar programin e ri qeverisës”, shtoi Hamza.

“Po ashtu sot duhet veçuar, se politikën tonë ekonomike e integrojmë në procesin e përgjithshëm të integrimit evropian, në një kornizë konsultimesh që na lejon që vazhdimisht të përfitojmë nga ekspertiza e komisionit, dhe vazhdimisht të përmirësojmë procesin tonë planifikues”, tha Hamza.

Ndërsa, kryesuesi i delegacionit të Komisionit Evropian, Uwe Stamm shef i Njësisë në Drejtorinë Gjenerale të Ekonomisë dhe Financave të Komisionit Evropian, bëri të ditur se delegacioni i Komisionit Evropian ka pasur sot një takim konstruktiv dhe shumë të dobishëm me Ministrin Hamza dhe ekipin e tij, ku na informuan për zhvillimet e deritanishme në reformat ekonomike në vend.

Ai bëri të ditur se kishin kënaqësinë të shohin pikëpamjet evropiane në Programin për Reforma Ekonomike, që është dorëzuar nga pala kosovare, e që është një dokument i cilësisë së lartë.

“E arritur e mirë është se Programi i Reformave Ekonomike nuk do të vlerësohet vetëm nga Komisioni Evropian dhe nga Banka Qendrore Evropiane, por do të shqyrtohet edhe nga të gjitha shtetet anëtare dhe kjo mund të jetë një kartë e mirë për Kosovën në rrugën e saj integruese sepse shtetet anëtare të KE-së i shohin këto programe me shumë interes”, shtoi Stamm.

Ai gjithashtu theksoi se “Ata janë të interesuar në bashkëpunimin me ju dhe vendet të cilat kanë stabilitet makrofiskal dhe vendet që dinë ti trajtojnë sfidat, dhe kjo është mënyrë për të promovuar idetë tuaja dhe mos e harroni këtë që kjo është shumë e rëndësishme për vendin”.

Shteti gjerman i ofron mbështetje Kosovës në fushën e tregtisë dhe industrisë

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka pritur një delegacion të kryesuar nga Helge Tolksdorf, drejtor për zgjerimin e BE-së, Evropën Juglindore dhe Turqinë në Ministrinë Federale për Punë të Jashtme të Gjermanisë, që shoqërohej nga Anja Meyer nga ministria Federale për Çështje Ekonomike dhe Energjetike dhe zëvendësambasadori Gjerman në Kosovë, Jan Axel Voss

Hasani përmendi prioritetet e ministrisë që drejton, në veçanti harmonizimin e legjislacionit të plotë me MSA-në, përmbushjet e obligimeve që derivojnë nga MSA, jetësimin e ligjit për Investime Strategjike dhe prioritetet e Kosovës në CEFTA.

Ai tha se orientimi i politikave të MTI-së do të jetë në përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që ta rrisin kapacitetin e prodhimit dhe eksportin.

“Ne prej marrjes së mandatit, që po bëhen gati 6 muaj, jemi munduar që sa i përket legjislacionit, t’i shtyjmë disa ligje që nuk kanë qenë në harmoni të plotë me MSA-në. Kemi punuar shumë në këtë drejtim dhe janë diku dhjetë ligje që janë proceduar në qeveri. Ne politikat tona i kemi orientuar në përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe promovimin e investimeve. Te përkrahja e ndërmarrjeve të vogla, jemi të orientuar shumë në përmirësimin e konformitetit të produkteve, përkrahjen e bizneseve për t’i rritur kapacitetet e prodhimit, që nëpërmjet kësaj synojmë ta rrisim edhe eksportin, të hapim vende të reja të punës dhe të fokusohemi në zhvillimin ekonomik të Republikës sonë”, tha Hasani.

Ministri gjithashtu përmendi edhe aplikuesin e parë për ta marrë statusin e Investitorit Strategjik, që është një kompani me kapital gjermano-kosovar dhe që do t’i investojë 130 milionë euro në energji solare.

Gjithashtu ministri Hasani përmendi edhe raportin e të bërit biznes që Kosova është renditur në vendin e 40.

“Jemi duke hartuar politika të turizmit, forcimin e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë, infrastrukturën e cilësisë në përgjithësi, dhe krijimin e ambientit të të bërit biznes, që Kosova është renditur mjaft mirë vitin e kaluar në vendin e 40, sipas raportit të Bankës Botërore. Po presim që gjatë këtij viti të kemi progres prapë, me miratimin e Ligjit për Shoqëri Tregtare. I kemi dhënë mbështetje shumë fondit për garanci kreditore. Mbështetës i këtij fondi është edhe Banka Gjermane për Zhvillim dhe Rindërtim”, tha Hasani.

Helge Tolksdorf, drejtor për zgjerimin e BE-së, Evropën Juglindore dhe Turqinë në Ministrinë Federale për Punë të Jashtme të Gjermanisë, tha se Ballkani Perëndimor është në vazhdimësi prioritet për shtetin gjerman.

“Ballkani Perëndimor do të jetë në vazhdimësi një pikë e rëndësishme e politikës së jashtme gjermane. Lajm i mirë është që prej pavarësisë së Kosovës kemi dyfishuar këmbimin tregtar bilateral, dhe Kosova ka një potencial të madh që mund të shfrytëzohet”, tha Tolksdorf.

Ai e përgëzoi dhe inkurajoi ministrin Hasani për harmonizimin e legjislacionit me BE dhe përmbushjet e kritereve që derivojnë nga MSA-ja.

Ai po ashtu i dha garanci ministrit Hasani që shteti gjerman do të jetë partner i fuqishëm i Kosovës në zhvillimin e politikave ekonomike dhe ofroi mbështetjeje për ekspertë në fushat që ka nevojë MTI-ja.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës shpreh shqetësimin për mosfunksionimin e tregut Kosovë-Shqipëri

Klubi i Prodhuesve të Kosovës shpreh shqetësimet ndaj vështirësive që prodhuesit nga Kosova janë duke i hasur si pasojë e mosfunksionimit të mirë të tregut të përbashkët Kosovë-Shqipëri, vështirësi këto që shkaktohen nga barrierat e shumta procedurale nga ana e autoriteteve të Shqipërisë për prodhuesit nga Kosova, duke ndikuar kështu në mosfunksionimin e këtij tregu të përbashkët

Po ashtu, prodhuesit kosovar përballen me një situatë e cila është dekurajuese për prodhimet e tyre, gjë që reflektohet edhe me të dhënat e fundit sa i përket shkëmbimit tregtar.

“Problemet që prodhuesit nga Kosova hasin kanë të bëjnë me procedurat që aplikohen nga shteti shqiptar për produktet nga Kosova, si pagesa për skaner, mospranimi i certifikatave fitosanitare, kontrollet e gjata dhe të panevojshme produkteve, të cilat shkaktojnë vetëm vonesa dhe rrjedhimisht rritje të kostos”, thuhet në një komunikatë nga KPK.

Sipas KPK-së edhe pse përkushtimi për vite me radhë në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve bilaterale tregtare, ka rezultuar në një numër të madh të marrëveshjeve dhe nismave të ndryshme qoftë në nivelin ndërqeveritar apo në mes të komuniteteve të biznesit, progresi i shënuar deri me tani lë shumë për të dëshiruar.

Telekomi i Kosovës në bllokadë, rrezikohen pagat

Zyrtari ligjor i Ministrisë së Zhvillimit Eeknomik (MZHE) ka marrë përsipër që mos të zbatojë as vendimin e këshillit ndërministror e as interpretimin ligjor të Zyrës së Kryeministrit, që të gjendet një zgjidhje e përkohshme me qëllim zhbllokimin e Telekomit të Kosovës

Derisa Zyra e kryeministrit e konsideron të mjaftueshëm vendimin e Këshillit ndërministror, zyrtari ligjor i MZHE-së ka udhëtuar në Kanada, për çka e ka bllokuar Telekomin e Kosovës duke e lënë pa drejtor funksional.

Bordi i pakompletuar i Telekomit të Kosovës e ka pamundësuar shpalljen e konkursit për drejtor.
Qeveria e Kosovës më 22 shkurt ia vazhdoi mandatin Agron Mustafës edhe për tre muaj.

Drejtori i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa tha se proceset në Telekomin e Kosovës janë bllokuara.
“Nuk e di pse nuk e zbaton vendimin MZHE-së”, tha Mustafa për RTK-në. Ai bëri me dije se deri më sot nuk ka marrë ndonjë njoftim për vendimin e qeverisë. Sipas tij, janë qindra e mijëra punë që bëhen në Telekomin e Kosovës.

Vjen investimi më i madh i Gjermanisë, kësaj here në Prizren

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar një investim të madh të Gjermanisë, që po vjen në Kosovë. Sipas tij, ky është investimi më i madh i shtetit mik për Kosovën

Haradinaj dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, sot kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për krijimin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit, i cili do të jetë i vendosur në kampin aktual të KFOR’it gjerman, i cili do të shndërrohet në prani ekonomike.

“Etapa e re e bashkëpunimit ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës – lajm i jashtëzakonshëm dhe mundësi për vende të reja të punës. Kampi i KFOR-it gjerman do të shndërrohet në prani të fuqishme ekonomike të shtetit mik”.

“Me ambasadorin, Christian Heldt, nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit gjerman, për krijimin e Parkut për Inovacion dhe Trajnim në Prizren. Investimi më i madh i Gjermanisë është rast unik për aftësimin profesional të të rinjve, zhvillimin e shkencës, ndërmarrësisë dhe ekonomisë në Kosovë”, ka thënë kryeministri kosovar. /gazetametro.net

Hoxha: Largimi i KEDS-it shpëtimtar i energjisë në Kosovë

Naim Hoxha, anëtar i komitetit për energjetikë në Vetëvendosje, thotë se Kosova mund të tejkalojë problemet me energjinë elektrike vetëm nëse e heqë kompaninë për Distribuim dhe Furnizim, KEDS

Sipas tij, projekti i privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit të KEK-ut është trumbetuar si shpëtimtar i energjisë. Megjithatë, në Express Intervistën në KTV, Hoxha ka thënë se ky projekt po del të jetë krejtësisht i kundërti.

“Shpëtimi kryesor për sistemin energjetik është largimi i KEDS-it”, ka thënë ai duke shtuar se për këtë largim Kosova duhet të paguajë dëmshpërblim “për çka edhe jemi mësuar”.

Ai ka lënë fajtor qeverinë që s’e ka marrë kontrollin e sistemit energjetik. Sipas Hoxhës, edhe kontrata mes shtetit dhe kompanisë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” është e turpshme.

“Kontrata për Kosovën e Re është turp. Nëse një megavat orë kushton më shtrenjtë se një e importuar është absurde. Lëreni më nëse hyjmë në telashet tjera për ta prodhuar një megavat që do të kushtojë deri në 80 euro. Kushdo që të jetë më racional është dashur të frenojë këtë pikë dhe të thotë se e tejkalon mundësinë e Kosovës së varfër. Ne mendojmë se popullata duhet të vetëdijesohet. Është ardhur deri te nënshkrimi i kontratës pa biseduar fare me qytetarë. Kjo është si me e shitë tokën e dajës, pa i pyetur nipat”, ka thënë ai.