Tetëmbëdhjetë vitet e humbura të kombinatit Trepça

Gjiganti metalurgjik Trepça i ndarë në dy pjesë, në veriun e dominuar nga serbët dhe në jug me minatorë shqiptarë, për 18 vitet e pas luftës në Kosovë nuk arriti të rimëkëmbet. Funksionalizimin e tij u tha se e pengoi statusi i pazgjidhur dhe ndarjes që ngjasonte edhe në vetë qytetin e Mitrovicës

Pas luftës, gjatë periudhës 2000 – 2004, miniera nuk ka funksionuar, por kishin filluar të bëhen përgatitjet e punishteve për prodhim, për të bërë të gatshme atë në vitin 2005, por me kapacitet minimal.
Nga rreth 600 mijë tonë xehe në vit sa prodhonte miniera në vitet 1945 deri në periudhën e para vitit 1990, sot nga aty nxirren jo më shumë se 150 mijë tonë xehe.

Edhe kapacitetet e saj humane janë zvogëluar përgjatë viteve, duke u reduktuar në më pak se 1000 punëtorë nga më shumë se 20,000, sa ishin të punësuar në këtë kombinat dikur.

Në shkurt të vitit 2015 ndërmarrja Trepça, ishte rrezikuar të shkojë në likuidim, por Qeveria e Kosovës me hapa të shpejtë miratoi Ligjin për ndërmarrje publike, sipas të cilit Trepça nxirret nga administrimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe shndërrohet në ndërmarrje publike, të menaxhuar nga shteti.

Ky vendim, në atë kohë ishte kundërshtuar nga partitë opozitare, të cilat kishin kërkuar që Trepça të trajtohet me një ligj të veçantë. Çështja e statusit të kombinatit ishte bërë edhe shkas i protestave të partive politike në opozitë në janar të vitit 2016, që u përshkuan me përplasje të ashpra ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit. Po atë vit, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Trepçën, me të cilin u tha se gjiganti ekonomik do të rimëkëmbet dhe do të rikthehet në treg.

Ligji e përcaktoi Qeverinë e Kosovës si pronare të 80 për qind të aksioneve të kombinatit. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për kombinatin Trepça kishte nxitur reagimin e Beogradi zyrtar, pasi ndërmarrjen Serbia e konsideron pjesë të saj. Ligji i miratuar për Trepçën, edhe pas një viti që nga miratimi, nuk arriti të zbatohet.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdin Lluka, ka thënë se presin se në gjashtë mujorin e vitit 2018 të funksionalizohet kombinati Trepça.

“Besoj që deri në muajin qershor do të kemi bordin, statutin regjistrimin e Trepçës si shoqëri aksionare, manaxhmentin e Trepçës si dhe vlerësimin e rezervave minerare, pasi që deri tani të dhënat për rezervat e Trepçës janë të viteve të 70-ta, e të cila nuk janë të mjaftueshme si të dhëna për investitorë të huaj, prandaj dhe duhet ta bëjmë një rivlerësim të atyre rezervave”, ka thënë ministri Lluka.

I vetmi studim për të gjitha resurset natyrore të Kosovës, që është bërë në vitin 1992, pati vlerësuar se potenciali material i Trepçës mund të jetë 85 miliardë dollarë amerikanë.

Institucionet e vendit u kritikuan nga përfaqësuesit e kombinatit Trepça dhe nga minatorët, se neglizhuan proceset që e bënin ligjin të zbatueshëm.

Minatorët e Trepçës thonë për Radion Evropa e Lirë se procesi i neglizhuar që pamundësoi zbatimin e Ligjit të miratuar për Trepçën, i krijoji humbje të mëdha ndërmarrjes.

Shyqyri Sadiku, kryetar i sindikatës së Trepçës në një prononcim për Radion Evropa e Lirë flet për një gjendje jo të mirë në kombinatit Trepça. Ai thotë se prodhimi ka rënë në nivel shumë të ulët.

“Gjendja aktuale në Trepçë nuk është aspak e mirë dhe kjo për shumë arsye: si mosformimi i bordit mbikëqyrës, keqmenaxhimi, keqpërdorimet dhe mosdisiplina në punë. Vetëm në nëntë mujorin e parë të këtij viti, kemi prodhim më pak për 30 për qind krahasuar me vitin paraprak. Nëse vazhdohet me vonesa në përzgjedhjen e bordit mbikëqyrës, Trepça do të shkojë drejt falimentimit”, thotë Sadiku.

Ai shton se për rënien e prodhimit në kombinatit Trepça janë të njoftuara të gjitha institucionet kompetente, por që nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret për daljen nga kjo situatë. Mosfunksionalizimi i Ligjit për Trepçën edhe sipas drejtorit të këtij kombinati, Ahmet Tmava, përveç rënies së prodhimit ka sjell vështirësi të mëdha edhe të funksionimit si ndërmarrje.

“Trepça është në fazën e mbijetesës me probleme të mëdha, por po shpresojmë që gjërat të lëvizin. Problemet shëndetësore të punëtorëve, mosha e shtyrë si dhe mungesa e investimeve. po sjell probleme. Për momentin statusi i Trepçës është i paqartë”, thotë Tmava.

Gjatë këtyre 18 viteve, minatorët thonë se punuan në kushte mjaft të vështira. Mosha mesatare e minatorëve është 55-vjeç, e cila konsiderohet të jetë moshë e shtyer për të bërë një punë në minierë.

Rrogat aktuale të punëtorëve sillen nga 600 deri në 800 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale. Por, asnjë nga ata nuk ka sigurim shëndetësor apo jetësor.

Isuf Beqiri, minator në minierën e Stantërgut, ku punon që prej vitit 1978, thotë për Radion Evropa e Lirë, se minatorët e Trepçës janë të harruar nga institucionet e Kosovës dhe se nuk po punohet asgjë në krijimin e kushteve më të mira për ta.

“Nuk është bërë asgjë për neve minatorët. Një ligj që është bërë nuk ka filluar të zbatohet akoma. Gjendja e minatorëve është e vështirë, nuk kemi as sigurime shëndetësore, që nga pas lufta nuk kemi asgjë. Qeveria e Kosovës duhet të marrë masat për përmirësimin e kushteve të minatorëve”, thekson Beqiri.

Trepça sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.

Por, një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve janë të degraduara, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mungesës së investimeve, e madje edhe keqshfrytëzimit në të kaluarën.

Nisur nga i gjithë ky degradim që i është bërë kombinatit gjatë këtyre viteve të pasluftës, ekspertë të fushës, thonë se gjigantit i duhet kohë të rimëkëmbet, por se kjo mund të arrihet me një punë të madhe dhe me njerëz profesionistë.

Rritjet dhe shkurtimet buxhetore të vitit 2018

Kalimi i Buxhetit për vitin 2018 në Kuvendin e Kosovës, sipas planifikimeve, të hyrat pritet të kenë rritje prej 104 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar. Në vitin 2017 të hyrat ishin planifikuar të jenë prej 1.725 miliardë euro, kurse për vitin 2018 të hyrat do të arrijnë në 1.829 miliardë euro

Të hyrat tatimore do të përbëjnë pjesën më të madhe të të hyrave me 1.607 miliardë euro, ku tatimet direkte do të janë 267 milionë euro dhe ato indirekte do të jenë 1.378 miliardë euro, ndërsa tatimet tatimore do të jenë 202 milionë euro.

Për këtë vit shpenzimet pritet të jenë më të mëdha se të hyrat. 2.082 miliardë euro është vlera e tërë shpenzimeve, nga to 1.383 miliardë euro do të jenë shpenzime rrjedhëse, ndërsa 687 milionë euro do të jenë shpenzime kapitale.

Për vitin 2018 është planifikuar një buxhet prej 2 miliardë e 82 milionë eurove, me një rritje të shpenzimeve prej 271 milionë eurove krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar. Nga kjo, 3/4 e shumës planifikohet të shpenzohet për nivelin qendror.

Nga 2 miliardë e 82 milionë euro të planifikuara për t’u shpenzuar në vitin 2018, prej tyre 589 milionë euro janë shpenzime për paga dhe mëditje. Shpenzimet për transfere dhe subvencione janë 525 milionë euro dhe shpenzimet për mallra dhe shërbime janë 264 milionë euro. Për vitin 2018 janë planifikuar 687 milionë euro të shpenzohen për projekte kapitale.

Gjatë vitit 2018 numri i të punësuarve do të rritet për 1,076 punëtorë. Derisa numri i të punësuarve që këtë vit do të marrin paga nga buxheti do të arrijë në 84,386, prej tyre 40,515 euro do të punojnë në nivelin qendror. Diferenca e rritjes prej 23 milionë euro për kategorinë e pagave dhe mëditjeve nga viti 2017 në vitin 2018 tregon se rritja e pagave është planifikuar.

Mirëqenia sociale

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), është institucioni me buxhetin më të madh për t’u shpenzuar. Për vitin 2018 buxheti i planifikuar i kësaj ministrie është 407.61 milionë euro, ku 398.40 milionë euro janë ndarë për subvencione dhe transfere. Krahasuar me vitin paraprak buxheti i kësaj ministrie është rritur me 9.21 milionë euro.

Në kategorinë e pensioneve bazike për vitin 2018 janë planifikuar të shpenzohen 116.28 milionë euro me një rritje prej 160 mijë euro.

Për pensionet e personave me aftësi të kufizuar për vitin 2017 janë planifikuar 19.7 milionë euro, në vitin 2017 kjo vlerë ishte 18 milionë euro.

Ndryshime ka pasur në buxheti e pensioneve të parakohshme të punëtorëve të Trepçës. Në vitin 2017 shpenzimet për këtë kategori kanë qenë 4.61 milionë euro, ndërsa për vitin 2018 janë planifikuar të jenë 4.30 milionë euro, pra një zbritje prej 310 mijë eurosh.

Kategoria që për herë të parë figuron në skemën e mirëqenies sociale është ajo e viktimave të dhunës seksuale, e cila për vitin 2018 pritet t’i ndahen 1 milion euro.

Në vitin 2017 pensionet e invalidëve të luftës kanë qenë të planifikuara 38 milionë euro, por me rishikimin e buxhetit për vitin 2017, është paraparë të jetë 64.19 milionë euro. Mirëpo, në vitin 2018 për veteranët janë planifikuar të shpenzohen 58.75 milionë euro.

Me një rritje prej 5 milionë euro krahasuar me vitin paraprak do të jetë buxheti për mirëqenie sociale. Në vitin 2018 janë planifikuar të harxhohen 43.69 milionë euro për këtë kategori, nga këto 31.43 milionë euro do të janë për ndihmat sociale, kurse një vit më herët kanë qenë 27.88 milionë euro.

Arsimi

Buxheti i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), për vitin 2018 është planifikuar të jetë 54.92 milionë euro, ku në vitin 2017 kishte të planifikuara 45.13 milionë euro.

17.29 milionë euro janë planifikuar të shpenzohen për paga dhe mëditje, 9.72 milionë euro do të jenë për mallra dhe shërbime, ndërsa për shpenzime kapitale do të harxhohen 21.57 milionë euro.

Për arsimin e lartë janë planifikuar të shpenzohen 23.47 milionë euro, apo 2.14 milionë euro më shumë sesa më 2017.

Qendra e Studentëve në Prishtinë nga buxheti i planifikuar do të përfitoj 5.82 milionë euro. Për vitin 2018, Universiteti i Prishtinës do ta ketë buxhetin prej 7.15 milionë euro, nga këto 3.15 milionë do të jenë të hyra vetanake që Universiteti pritet t’i ketë nga studentët. Universiteti i Prizrenit, Pejës, Gjilanit, Gjakovës, Ferizajt dhe Mitrovicës për këtë vit do të përfitojnë së bashku 14.12 milionë euro, krahasuar me vitin 2017 ka pasur një rritje të buxhetit prej 2.15 milionë euro.

Investimet kapitale për arsimin universitar për vitin 2018, janë planifikuar të janë 150 mijë euro, njëjtë sa ishin një vit më herët. Ndërsa, investimet kapitale për arsimin parauniversitar për këtë vit pritet të jenë 11.82 milionë euro, apo 4 milionë euro më shumë.

Granti qeveritar për marrëveshjet bilaterale në vitin 2018 pritet të jetë 1.47 milion euro.

Infrastruktura

Ministria e Infrastrukturës (MI), për vitin 2018 ka planifikuar t’i harxhojë 305.38 milionë euro, nga to 295.10 milionë euro do të jenë për shpenzime kapitale. Krahasuar me vitin 2017, rritje të buxhetit ka pasur për 37.50 milionë euro.

Kjo ministri për paga dhe mëditje pritet t’i harxhojë 1.87 milion euro, 6.60 milionë euro do të harxhohen për mallra dhe shërbime, ndërsa pjesa më e madhe e buxhetit e Ministrisë së Infrastrukturës, do të harxhohet për shpenzime kapitale në vlerë prej 295 milionë euro.

234 milionë euro do të shpenzohen për infrastrukturë rrugore. Sa i përket ndërtimit të autostradave në planifikimin buxhetor për vitin 2018 figurojnë 137 milionë euro, nga këto 77.9 milionë euro do të jenë grant qeveritar, ndërsa 59.10 milionë euro të hyra nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Për rehabilitimin e rrugëve priten të harxhohen 55 milionë euro, ndërsa në vitin 2017 kjo vlerë ka qenë 22.58 milionë euro.

Në vitin 2018, ndërtimet e rrugëve të reja, buxhetit të vendit do t’i kushtojë 21 milionë euro, kurse në vitin paraprak kjo vlerë ishte 16.90 milionë euro.

Për këtë vit planifikohen të fillojnë edhe 105 projekte në bashkëfinancim me komunat në vlerë prej 12.67 milionë euro të cilat janë kryesisht ndërtime dhe asfaltime të rrugëve aktuale të komunave me rrethinë.

Në ndërtimin e urave të reja, Ministria e Infrastrukturës, për vitin 2018 pritet të shpenzojë 1.05 milion euro.

Bujqësia

Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), për vitin 2018 do të jetë 59.82 milionë euro, 47.47 milionë euro do të shpenzohen për subvencione dhe transfere, me një rritje prej 5 për qind nga viti 2017, ndërsa 6.38 milionë euro do të shpenzohen për shpenzime kapitale.

320 mijë euro do të harxhohen për pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura. Për ndërtimin e sistemit të ujitjes në vitin 2018 planifikohen të shpenzohen 1.88 milion euro.

Për Institutin e Bujqësisë, planifikohen të shpenzohen 1.15 milionë euro, si pjesë për renovimin e objekteve të institutit. 810 mijë euro do të harxhohen për krijimin e kapaciteteve hulumtuese dhe prodhuese të tokave bujqësore. /Albert Spahiu /Telegrafi/

Bankat me fitime rreth 90 milionë euro në vitin 2017

Bankat komerciale në Kosovë kanë arritur të fitojnë rreth 90 milionë euro për vitin 2017. Ky fitim në sektorin bankar, sipas Ushtruesit të Detyrës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka ardhur si rezultat i reduktimit të shpenzimeve që bankat janë më të kujdesshme dhe njëkohësisht edhe nga ulja e kredive të këqija

Fehmi Mehmeti në një intervistë për KosovaPress ka thënë se në vitin 2017, normat efektive të interesit për kredi kanë shënuar rënie në 6.8 për qind, sa kanë qenë vite më parë deri në 14 për qind.

“Ulja e normës së interesit në këtë masë ka ndikuar që të kemi kushtet më të mira për financim dhe rritet qasja në financa në Kosovë. Por, është një fakt që bankat kanë fituar, por jo si rezultat i rritjes së të hyrave nga interesi, përkundrazi kanë zvogëlim të të hyrave nga interesi, totali i fitimit të bankave nga të hyrat e interesit është 33 për qind, jo më shumë. Mirëpo, ky fitim ka ardhur si rezultat i reduktimit të shpenzimeve që bankat janë më të kujdesshme dhe njëkohësisht ulja e kredive përformuese ka ndikuar që të rritet fitimi i bankave… 85.4 milionë euro është fitimi bankave për këtë periudhë janar-nëntor”, ka thënë Mehemti.

Ai ka thënë se në procesin gjyqësor janë 187 milionë euro në raport me 2.44 miliardë euro, sa është sot vlera e kredive. Sipas tij, trajtimi këtyre rasteve do ta ndihmonte stabilitetin financiar.

“Realisht është sfidë, zgjidhja e kredive të pa kthyera… Vet fakti që aktivizimi i përmbaruesve privat ka ndikuar pozitivisht në zgjidhjen ose nxitjen e pagesave të borxheve jo vetëm në sektorin bankar, por në përgjithësi. Prandaj, rritja e përmbaruesve privat, krijimi një Dhome të Veçantë të gjykatësve do t’i trajtonte rastet e kredive të pa kthyera që do ta ndihmonte stabilitetin financiar. Kur jemi te çështja e gjykatave, dua ta potencoi një fakt se prej themelimit të bankave e deri më tani janë diku 9 mijë e 700 raste të kredive që kanë shkuar nëpër gjykata, që nëse konvertohet në vlerë financiare i bie diku 187 milionë euro”, theksoi Mehmeti.

Drejtuesi i BQK-së ka apeluar tek qytetarët që t’i shmangen investimeve në Bitcoin ngase sipas tij, nuk është e rregulluar ligjërisht, nuk ka institucion që garanton për këtë dhe qytetarët mund t’i humbasin mjete.

“Realisht ky fenomen ka një koncepti virtual, nuk dihet pala kundrejt kush është dhe përderisa kjo nuk dihet ka rrezikshmëri të lartë. Rrezikshmëri të lartë paraqet po ashtu edhe lëvizja e shpeshtë e vlerave të kësaj paraje virtuale. Kjo dëshmon se ka rënë vlera nën 30 përqind për një javë ditë dhe për këtë arsye në si Bankë Qendrore kemi qenë të kujdesshëm në këtë drejtim, kemi lëshuar një paralajmërim për të gjithë qytetarët se nuk është e rregulluar me ligj dhe përderisa nuk është rregulluar me ligj dhe nuk ka institucion që i garanton, i kemi bërë me dije që të jenë të kujdesshëm në investimin e mjeteve të tyre, sepse mund t’i humbasin dhe nuk ka institucion që mund t’ia rimburëson këto mjete”, ka theksuar ai.

Mehmeti ka thënë ndër të tjera se BQK nuk planifikon të nxjerrë valutën shtetërore, ngase sipas tij, përdormi i valutës euro si valutë zyrtare ka ndikuar që të ketë edhe stabilitet financiar.

“Nuk planifikohet që të ketë valutë, e themi kushtimisht se është mirë të kemi euron si valutë zyrtare. Përdormi i euros si valutë zyrtare ka ndikuar që të kemi edhe stabilitet financiar dhe mos të jemi të ekspozuar drejt kursit të këmbimeve. Ka edhe mangësi të vetat, por megjithatë mund të themi se jemi me fat që sot e përdorim euron si valutë zyrtare për pagesa. Prandaj, nuk planifikojmë valutë tjetër pos kësaj”, ka thënë Mehmeti.

Ai në fund ka thënë se një bankë e huaj e cila është shumë serioze, së fundmi ka shprehur interesim për të aplikuar në BQK për të investuar në Kosovë, mirëpo ende nuk ka aplikuar.

Norma e kredive performuese ose të këqija ka shënuar rënie në vazhdimësi dhe kanë arrit të jenë 3.5 për qind nga 4.8 për qind sa ishin më herët.

Për vitin 2018, tre treguesit kryesor, aseti, kreditë dhe depozitat do të kenë rritje dhe kjo tregon stabilitetin, likuiditetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit bankar edhe për vitin që vjen.

Depozitat si përkrahës kryesor të kredive të financimit, kanë arrit që në nëntor të vitit 2017 të jenë 8.7 për qind ose kanë arritur në vlerë 3.05 miliardë euro.

Rritja e aseteve në baza tre mujore është 4.1 për qind dhe planifikimet për të ardhmen për vitin 2018 astete e sektorit bankar të mbërrin diku 4.25 miliardë euro. /Telegrafi/

Çfarë po ndodh me monedhën elektronike? Njihuni me kontratat e së ardhmes së Bitcoin

Kontratat e së ardhmes të Bitcoin mund të krijojnë po aq shumë rreziqe sa edhe t’i lehtësojnë. Pa përmendur këtu flluskën në kontratat e së ardhmes së zhardhokëve të tulipanëve. Shpeshherë e promovuar dhe e cilësuar si një mënyrë për të zvogëluar rrezikun, kontratat e së ardhmes po shihen si një “fytyrë e re” e lojërave të fatit, shkruan The Economist

Këtu mund të përmendim flluskën e kontratave të së ardhmes për zhardhokët e tulipanëve e cila filloi të praktikohej në Holandë në vitet 1636. Po kështu edhe dy kontratat e para të së ardhmes në botë lidhen me bitcoin-in.

E para u lançua Bursën Chicago Board Options më 10 dhjetor, ndërsa tjetra rreth një javë më vonë në Bursën Chicago Mercantile.

Duke qenë se çmimi i bitcoin ka arritur në nivele shumë të larta, poseduesit e saj mund të jenë më në fund të lumtur që kanë një mënyrë për të mbrojtur ekspozimin e tyre.

Por për shumë prej tyre, kontratat e së ardhmes janë thjesht një formë ndryshe prezantimi. Të dyja kontratat vendosen me para cash (p.sh., për diferencën midis çmimit të rënë dakord dhe çmimit aktual).

Asnjë shkëmbim bitcoin nuk është i nevojshëm dhe në mënyrë të ngjashme edhe në precedentin e hershëm holandez, nuk u përfshi asnjë zhardhok tulipani.

Tregtia e hershme në Bursën Chicago Board Options, me siguri sugjeron një treg spekulativ.

Në orët e para, çmimet u rritën aq shpejt sa tregtimi për herë të dytë u pezullua. Kontrata deri më tani janë tregtuar me një çmim të konsiderueshëm, deri në 2,000 dollarë.
Ky fakt sugjeron se ka më shumë blerës sesa shitës, edhe pse shitja në tregun e kontratave të së ardhmes paraqet një mënyrë për të qenë kundër bitcoin-it.

Ndoshta investitorët janë të gatshëm të paguajnë disa çmime premium, për t’iu shmangur shqetësimeve në rritje që kanë për qëllim blerjen e bitcoin.

Në ditët e fundit, shumë shkëmbime bitcoin janë përballuar me dështimet e sistemeve. Edhe çmimet kanë ndryshuar midis shkëmbimeve deri në 25%.

Dhe hakerat vodhën bitcoin me vlerë 64 milionë dollarë (në atë kohë) nga një shkëmbim slloven.

Por kontratat e së ardhmes kanë problemet e tyre. Çmimi në Bursën Chicago Board Options është caktuar pas zhvillimit të një ankandi për shkëmbimin e bitcoin-it me vlerë modeste, Gemini.

Në të kundërt, çmimi në Bursën Chicago Mercantile do të bazohet në një indeks të përbërë nga të dhëna të marra nga katër bursa.

Kolaterali i kërkuar për pastrimin e kontratave, thekson më shumë rrezikshmërinë e tyre. Kontratat e së ardhmes në Bursën Chicago Board Options kërkojnë 44%; ato të Bursës së Chicago Mercantile kërkojnë 35%, por më vonë shifra u rishikua dhe u ndryshua në 47%. Në shumicën e kontratave të së ardhmes, kufiri shkon nga 5-15%.

Thomas Peterffy, kreu i Interaktive Brokers, një broker shumë i madh, paralajmëron se mund të ketë rrezik për vetë procesin e Kleringut.

Bitcoin, thekson ai, “mund të arrijë çdo çmim”. Nëse kontratat e së ardhmes së bitcoin arrijnë në një numër të lartë, çmimet e bitcoin do të rriten aq shumë sa klientët fundorë nuk do të jenë në gjendje të rrisin marzhin e fitimit, brokerat (ndërmjetësit) do të ndodhen në një situatë të vështirë, e cila mund të çojë edhe në falimentimin e disa ndërmjetësve.

Kjo do të bënte përgjegjës sistemin e kleringut për hapjen e kontratave, një detyrë e vështirë nëse marzhi i fitimit për kontratat e së ardhmes së bitcoin është i përzier me atë të kontratave të tjera, siç është tani.

Z. Peterffy mendon se shkëmbimet duhet të pastrojnë të ardhmen e bitcoin-in, duke e kanalizuar atë në një entitet të veçantë juridik.

Janë të shumtë personat që ndajnë të njëjtin shqetësim me të. Në një letër të hapur të hapur drejtuar Komisionit të Tregtimeve të Kontratave të së Ardhmes (CFTC), rregullatori i kontratave të së ardhmes në Amerikë, Shoqata e Industrisë së Kontratave të së Ardhmes (FIA), një organizëm global tregtar, kritikoi përdorimin e një procesi vetëcertifikimi për kontratat e reja.
Në të argumentohej edhe fakti se kjo nuk i lejonte krijimin e hapësirës së duhur për zhvillimin e një debati rreth masave të duhura mbrojtëse dhe nëse një klering i ndarë do të ishte i nevojshëm.

Ka hapësirë për një debat rreth masave të duhura mbrojtëse dhe nëse ishte e nevojshme një pastrim i veçantë. Ed Tilly, shefi i Bursës së Chicago Board Options, shprehet se akuzat ndaj firmës së tij për mungesë transparence janë të padrejta, sepse ajo e ka diskutuar bitcoin me Komisionin e Tregtimeve të Kontratave të së Ardhmes dhe me Bursën e Chicago Mercantile për muaj të tërë.

Përpos këtij shqetësimi, shumë ndërmjetës janë duke ndihmuar klientët të përdorin kontratat e reja të së ardhmes.

Optimistët shpresojnë se kontratat e së ardhmes të bitcoin do të bëhen më të qëndrueshme dhe madje do të ndikojnë edhe në forcimin e tregjeve kryesore.

Ndërsa pesimistët kujtojnë se bumi i kontratave të së ardhmes për tulipanët në fillim të viteve 1636 u pasua shumë shpejt nga falimentimi në vitin 1637.(monitor)

Një autostradë e re në Shqipëri, “PPP” me vlerë 257 mln euro

Projekti i dytë i paketës “One Billion Euro” që do të ndërtohet në vitin 2018-të është autostrada Thumanë- Vorë – Kashar

Burime zyrtare për televizionin Klan thonë se në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë është krijuar një format zyrtar i dosjes së këtij segmenti i cili do të jepet për tu ndërtuar në partneritet me privatin.

Ministria ka ngritur edhe një komision për të vlerësuar ofertat për rrugën, ku formula që do të zbatohet është që investimi të kryhet fillimisht me paratë e kompanisë e më pas shteti të bëjë shlyerjen e detyrimeve ndaj firmës pas përfundimit të veprës.

Autostrada do të jetë e gjatë 20 kilometra dhe do të ketë 4 korsi. Në total shpenzimet që ka planifikuar qeveria për këtë rrugë shkojnë 257 milion euro.

Rruga planifikohet të lidhë zonat e banuara në Thumanë, Fushë Krujë, Vorë, Rinas, Aeroport dhe Kashar. Po ashtu do të bëhen edhe rrugë kalimi për lidhjen e këtyre zonave me autostradën. Fluksi që parashikohet në këtë segment është 12 mijë deri në 15 mijë mjete në ditë.

Projekti Thumanë – Vorë është një nga 6 projektet që qeveria ka shpallur si prioritare dhe ka vendosur t’i japë me koncesion të formës PPP, për tu ndërtuar nga privati e për tu paguar më vonë nga buxheti, duke realizuar veprat pa rritur borxhin publik. Në total parashikohet që 6 segmentet të kushtojnë 1 miliard Euro.

Dogana e Kosovës me mbi 1 miliard e 117 milionë të hyra

Dogana e Kosovës ka publikuar sot të dhëna për mbledhjen e të hyrave. Drejtuesit e Doganës së Kosovës, në një konferencë për media kanë bërë të ditur se deri më tani janë mbledhur mbi 1 miliard e 117 milionë euro

Ata thanë po ashtu se krahasuar me vitin e kaluar, ka rritje të të hyrave për 65 milionë më shumë.
Buxheti në masë të madhe është rritur nga të hyrat e cigareve, nafta dhe mjetet motorike.

Nga nafta u tha se të hyra ka pasur 330 milionë euro, nga cigaret 165 milionë euro dhe 85 milionë nga mjetet motorike.

Kjo rritje, thanë drejtuesit e doganës, tregon përkushtimin në realizimin dhe mbushjen e buxheti dhe se kjo doganë është një administratë moderne, efikase dhe profesionale, për të u përballur me të gjitha sfidat.

Dy skenarët e Qeverisë për blerjen të energjisë elektrike

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet ta subvencionoi me rreth 40 milionë euro importin e energjisë elektrike për pesë muajt e ardhshëm. Përndryshe, qytetarët rrezikojnë të mbesin në terr. Këtë alarm e ka dhënë Komiteti Teknik Emergjent i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, në një raport të brendshëm dhe i cili për adresë ka pasur Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj

Në raportin 15 faqesh të këtij Komiteti, një kopje të te cilit e ka siguruar Gazeta Fjala, situata energjetike në vend përshkruhet si shumë e rëndë dhe që kërkon ndërhyrjen urgjente të Qeverisë.

Raporti i ka identifikuar si dy problemet kryesore çështjen e energjisë së veriut, pas vendimit të Gjykatës për ndalimin e pagesës nga ana e qytetarëve dhe çështjen e mungesës së gjenerimit vendor, përkatësisht mungesën e nxjerrjes së thëngjillit nga KEK si pasojë e shpronësimeve të vonuara.

Për ketë Komiteti i rekomandon kryeministrit Haradinaj që ta zgjedhë njërin nga dy skenarët dhe ta subvencionojë koston e importit të energjisë elektrike, të cilat indirekt do të shkonin në llogari të Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS).

“Të subvencionohet KEK-u për mbulimin e kostos shtesë të importit për të zëvendësuar mungesën e prodhimit nga KEK-u, sipas planifikimit në Bilancin vjetor 2017 dhe parashikimin e bilancit për vitin 2018”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se me të gjitha këto kosto shtesë dhe pa ndonjë subvencionim apo reflektim në tarifa, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) do të rrezikojë seriozisht likuiditetin financiar duke pamundësuar edhe investimet në rrjetin e shpërndarjes për periudhën e ardhshme rregullative.

Veç kësaj Komiteti rekomandon që të sigurohet një fond për mbulimin e humbjeve nga furnizimi me energji elektrike të katër komunave të veriut të Kosovës.

“Të sigurohet një fond i menjëhershëm për zgjidhje afatshkurtër (për periudhën dhjetor 2017 – mars 2018). Nëse rekomandimi nr. 2 nuk përmbushet deri në prill të vitit 2018, humbja për furnizimin në veri do të vazhdoj të mbulohet nga fondi për mbulimin e humbjeve”.

E tërë kjo do ti kushtoi buxhetiti të shtetit dhjetëra miliona euro nga taksat e qytetarëve për pesë muajt e ardhshëm, deri kur mendohet se KEK-u do të filloj të punoj me kapacitete të plota për prodhim të energjisë elektrike.

Çka thonë dy skenarët?

“Për të analizuar ndikimin financiar nga situata e krijuar me mungesën e gjenerimit vendor si dhe çështjes së humbjeve në veri të Kosovës, janë analizuar dy skenar të mundshëm: skenari bazë dhe skenari optimistik. Nga analiza për skenarin bazë, ndikimi financiar rezulton të jetë 41.3 milion euro, ndërsa nga analiza për skenarin optimistik, ndikimi financiar rezulton të jetë 30 milion euro”, thuhet në raport.

Të dy skenarët përfshijnë kostot për furnizim të konsumatorëve të Shërbimit Universal dhe konsumatorët e kyçur ne 110 kV, humbjet e lejuara në OST dhe OSSH si dhe humbjet e shkaktuara në katër komunat e veriut të Kosovës.

Skenari bazë paraqet prodhimin e energjisë elektrike nga KEK, duke operuar me një njësi të termocentralit Kosova A dhe një njësi të termocentralit Kosova B me kapacitet të përgjithshëm prej 390 megavatë për periudhën nëntor 2017 – mars 2018.

Pjesa tjetër e energjisë, prej 400 megavatësh duhet të sigurohet nga importi. Rrymën e siguruar nga importi duhet të subvencionojë Qeveria e Kosovës.

Ky skenar është bazuar në rezervat aktuale të thëngjillit prej 1.1 milion ton dhe mundësisë së nxjerrjes të thëngjillit me kapacitet minimal, sa për të siguruar vazhdimësi të prodhimit të energjisë elektrike.

Ndërkaq, skenari i dytë, siç e ka quajtur Komiteti skenari optimistik paraqet prodhimin e energjisë elektrike nga KEK, duke operuar me dy njësi të termocentralit Kosova A dhe dy njësi të termocentralit Kosova B me kapacitet të përgjithshëm prej 780 megavatë për periudhën 1 janar – 10 shkurt 2018. Ndërsa nga 11 shkurt e tutje të vazhdohet me operimin e një njësi të termocentralit Kosova A dhe një njësi të termocentrlait Kosova B me kapacitet të përgjithshëm prej 390 megavatë.

“Ky skenar është bazuar në rezervat aktuale të thëngjillit prej 1.1 milion ton të cilat mbulojnë furnizimin me thëngjill për katër njësitë e prodhimit deri më 10 shkurt, ndërsa pas datës 10 shkurt duhet të krijohet mundësia e eksploatimit të thëngjillit për të siguruar vazhdimësi të prodhimit të energjisë elektrike me një njësi të TC Kosova A dhe një njësi të TC Kosova B”, thuhet në raportin e Komitetit Teknik Emergjent të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. /Gazeta Fjala/

Miliarderi amerikan shet aksionet në rafinerinë e Ballshit

Pronarët e kompanisë GOMG Holdings Ltd- Harry Sargent III dhe Mustafa Abu Naba’a, kanë shitur aksionet e tyre në kompaninë Ionian Refining and Trading Company, IRTC, e cila menaxhon nëpërmjet një kontrate qiraje rafinerinë e Ballshit

Nga Besar Likmeta

COGM Holding LTD njoftoi të premten nëpërmjet një njoftimi për shtyp se paketa e saj minoritare në kompaninë IRTC, i ishte shitur partnerëvë të saj vendorë, pa specifikuar se kush ishin këta të fundit.

‘Që nga maj 2017 dhe nënshkrimi i një memorandumi mirëkuptimi për shitjen e aksioneve, zoti Sargent dhe Abu Naba’a nuk janë përfshirë në asnjë vendim të bordit të IRTC-së, dhe vendimet e përdtishme janë bërë nga partnerët vendorë,” shkruhet në deklaratën e GOMG Holdings Ltd, duke shtuar se shitja e paketës se aksioneve sillte në një linjë “pronësinë dhe menaxhimin e kompanisë.”

“Z Sargent dhe Z. Abu Naba’a janë të trishtur teksa dëgjojnë lajmet mbi vështirësitë e tanishme në Ballsh, po kanë kohë që janë tërhequr nga roli menaxhues,” shtoi deklarata.

IRTC, e regjistruar fillimisht në ishujt Virgjin Britanikë, kishte në krye të Këshillit Mbikqyrës Mustafa Abu Naba’a- biznesmen domenikan i njohur në arenën ndërkombëtare të tregtisë së naftës.

Harry Sargeant është zv/president i i kompanisë Global Oil Management Group Ltd, një korporatë ndërkombëtare në fushën e naftës me bazë në Florida. Sargeant, i cili vlerësohet se ka një pasuri mbi 2 miliard USD, u shfaq si përfaqësues i grupit investitor në rafinerinë e Ballshit shtatorin e shkuar, gjatë inspektimit që i bënë rivënies në punë të uzinës nga ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe ministri i Bujqësisë Niko Peleshi.

Ndërkohë që prej dhjetorit 2016, administratori i IRTC në Shqipëri është emëruar Mitat Sulaj, vëllai i pronarit të kompleksit ‘Taiwan’ në Tiranë, Besnik Sulaj.

Një vit pas marrjes me qira të rafinerisë së Ballshit nga Banka Credins, IRTC gjendet në vështirësi financiare.

Punonjësit e rafinerisë prej më shumë se një jave, kanë mbajtur protesta në Ballsh, Fier dhe Tiranë duke kërkuar shlyrjen e pagave të papaguara nga IRTC.

Naftëtarët kërkojnë t’u paguhet rroga e nëntorit, ndërsa një pjesë e tyre kanë rroga të prapambetura prej mbi një viti nga uzina e përpunimit të naftës. Punëtorët thonë se rrogat e tyre të papaguara nuk njihen nga administratori aktual i uzinës dhe se ata mendojnë se prej shumë muajsh sigurimet e tyre nuk janë paguar.

Një pjesë e naftëtarëve janë në proces gjyqësor për të marrë rrogat e shkuara, por vendimet e gjykatave marrin kohë për t’u konkluduar dhe në shumë raste nuk gjejnë ekzekutim.

Naftëtarët janë aktualisht pa punë, ndërsa kompania administruese IRTC tha për BIRN më herët se shkaku i mosdhënies së rrogave është mungesa e naftës bruto, e cila ka sjellë mbylljen e rafinerisë.

Kjo mungesë vjen për shkak se IRTC nuk ka arritur të sigurojë naftë bruto nga prodhuesi kryesor i naftës bruto në Shqipëri, Bankers Petroleum, por një zyrtar i Bankers i tha BIRN se kjo kompani nuk mund të furnizojë naftë te rafineria pa marrë pagesat.

Të dy rafineritë e vendit, ajo e Ballshit dhe ajo e Fierit, përbënin një ndërmarrje fitimprurëse të shtetit shqiptar deri në vitin 2008, e aftë për të mbuluar deri në 25% të konsumit vendës të nënprodukteve të naftës. Rafineritë hynë në kriza të përsëritura pas privatizimit në vitin 2008.

Një investigim i vitit 2016 nga BIRN zbuloi se si biznesmeni Rezart Taçi përvetësoi qindramilionë dollarë ndërkohë që institucionet e shtetit qëndronin pasivë përballë borxheve në rritje.

Në shtator 2016, qeveria aktuale bekoi në një ceremoni të veçantë atë që e shpallën si një marrëveshje private me një grup biznesmenësh për të rivënë në punë rafineritë. BIRN zbuloi më pas se shteti shqiptar lejoi shitjen e paligjshme të ARMO-s te Banka Credins, e cila më pas ia dha në përdorim kompanisë IRTC.

Deficiti tregtar kalon mbi 2 miliardë euro

Deficiti i lartë tregtar vazhdon të përbëjë një sfidë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve në Kosovë. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës nga muaji janar deri në tetor, tregojnë se deficitit tregtar i mallrave është rritur për 6.9 për qind, duke arritur nivelin prej 2.17 miliardë euro

Eksporti i mallrave gjatë kësaj periudhe, sipas këtyre të dhënave, ka shënuar rritje vjetore prej 25.8 për qind dhe ka arritur vlerën prej 318.4 milionë euro, përderisa importi i mallrave është rritur për 9.0 për qind dhe ka arritur vlerën prej rreth 2.5 miliardë euro.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova po e mbyll një vit pa ndonjë përmirësim të theksuar në sektorin e tregtisë së jashtme.

“AKB ka vlerësuar vitin 2017 si vit të kthesave politike, por jo atyre ekonomike, pikërisht për shkak se në këtë vit deficiti tregtar mbeti ende i lartë edhe atë 88 për qind në favor të importit. Kanë munguar politika fiskale dhe ato ekonomike që avancojnë pozitën e biznesit dhe aktiviteteve ekonomike”, thotë Shahini.

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës vazhdimisht ishin deklaruar se janë duke krijuar politika fiskale në favor të bizneseve prodhuese.

Sipas një vendimi të Qeverisë së Kosovës, bizneset prodhuese nga 1 janari i viti 2018 do të lirohen nga tatimi doganor për lëndën e parë, gjysmë produktin, linjat e prodhimit si dhe nga pajisjet e teknologjisë informative.

Po ashtu, bizneset janë njoftuar nga Ministria e Financave se përveç këtyre lehtësirave, që do të kenë bizneset vendore në vitin 2018, po ashtu nuk do të ketë asnjë tatim të ri si dhe nuk do të ketë rritje të tatimeve ekzistuese.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha i kishte vlerësuar këtë masa mjaft efektive për rritjen e prodhimit vendor.

“Ne besojmë që Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të ndarmerrë masa shtesë për përmirësimin e kushteve të prodhimit në Kosovë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ndikohet të rritet prodhimi, nuk po them të përmirësohet cilësia, pasi që kanë cilësi të mjaftueshme për të depërtuar në treg, por problemi është te kostoja e larta që ndikon nga të bërit biznes”, thotë Panxha.

Strategjia e orientuar drejt rritjes së eksportit thuhet nga përfaqësues të bizneseve se duhet të konsiderohet nga autoritetet kompetente si një faktor kyç në zhvillimin ekonomik të vendit.

Agim Shahini thotë se vendimet e Qeverisë për lehtësira fiskale për prodhuesit, do të ndihmojnë bizneset që të jenë më konkurruese dhe të arrijnë të depërtojnë më shumë në tregjet evropiane.

“Këto ngarkesa dhe taksa të cilat do të hiqen në vitin 2018, jep shpresë së vitin e ardhshëm do ta përmbyllim më mirë sa i përket tregtisë së jashtme. Sidoqoftë, në Kosovë mungon një strategji e cila e nxjerr vendin nga varfëria dhe avancon zhvillimin ekonomik të vendit. Qeveria duhet të bëjë reforma të cilat i sjellin vendit zhvillim, punësim , prodhim edhe eksport”, thotë Shahini.

Në mungesë të një industrie të zhvilluar të prodhimtarisë, Kosova vazhdon të importojë gati të gjitha produktet, duke filluar nga ato të konsumit, deri te produktet strategjike.

Shteti i Serbisë mbetet partneri kryesor në tregun e Kosovës.

Vetëm gjatë nëntë muajve të këtij viti, Serbia ka eksportuar mallra në Kosovë në vlerë prej mbi 300 milionë euro, derisa, eksportet e Kosovës në Serbi për të njëjtën periudhë arrijnë vlerën e jo më shumë se 35 milionë euro.

Importi i madh i produkteve ishte vlerësuar si mjaft shqetësuese nga ekspertë të fushës, pasi që siç thonë ata, po shkakton largimin e parasë së gatshme nga tregu i Kosovës.

Cisterna e parë e gazit rus mbërrin në Britani, nuk zbatohen sanksionet amerikane ndaj Rusisë

Tankeri rus “Christophe de Margerie” ka sjellë grumbullimin e parë të gazit natyral të lëngshëm (LNG) nga Yamali në Mbretërinë e Bashkuar. Londra do të duhet të kthejë urgjentisht gazin natyror pasi bie ndesh me sanksionet e SHBA’së që i ka ndërmarrë kundrejt Rusisë

Një shërbim global i pozicionimit e vë tankin në Harwich të mërkurën, edhe pse më parë kishte treguar se anija po shkonte për në portin e Isle of Grain në Kent, ku ka një terminal rigazifikimi. Më parë këtë muaj, Novatek, një prej prodhuesve më të mëdhenj të gazit rus, tha se shiti ngarkesën e 170,000 metra kub të LNG tek Petronas LNG UK Limited (PLUK), dega e Britanisë së Madhe e Petronas të Malajzisë.

Yamal LNG, e vendosur në Arktikun Rus, është një projekt i përbashkët i Novatek të Rusisë, Total France, Korporatës Kombëtare të Kinës Kombëtare të Naftës dhe Fondit të Rrugës së Mëndafshit. Novatek zotëron 50,1 për qind të aksioneve në këtë projekt, raporton “RT”, transmeton Periskopi. Partnerët e saj kanë 20 përqind, 20 përqind dhe 9.9 përqind respektivisht.

Britania e Madhe vuajti mungesat e gazit pas mbylljes së rrugës më të rëndësishme të transportit të karburantit në Detin e Veriut. Ineos, një kompani private që zotëron një rafineri të rëndësishme pranë Aberdeen, tha se ajo gjeti një çarje në një tubacion vital 42 vjeçar të naftës dhe gazit. Kompania tha se do të duhej dy javë për ta rregulluar atë.

Projekti Yamal nuk është sanksionuar drejtpërdrejt nga BE’ja, por në mbështetje të sanksioneve të SHBA’së Brukseli dhe Londra kanë vendosur kufizime të ndryshme ndaj Rusisë që privojnë kompanitë e saj të energjisë për financa dhe teknologji.

Masat në mënyrë të pashmangshme ndikojnë në inovacionin dhe zhvillimin e fushave të reja dhe mekanizmave të furnizimit, të cilat në fund të fundit mund të kompromentojnë aftësinë e Rusisë për të furnizuar me gaz pjesën tjetër të Evropës.