Vuçiç: Ballkani Perëndimor duhet të heqë barrierat tregtare

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka publikuar së fundmi një opinion në “politico.eu” të cilin e titullon: “Ballkani Perëndimor duhet të heqë barrierat tregtare”

Shkrimi i Vuçiç dominohet nga termi Ballkani Perëndimor dhe nga një frymë avokatie për rajonin tonë. Serbia përmendet vetëm një herë, duke na ofruar kështu një qasje më të gjerë të Vuçiç të paktën në mënyrën si do të prezantohet.

Ai e nis me të shkuarën e afërt të luftërave, vrasjeve dhe përçarjes rajonale për të ardhur te realiteti i tanishëm i afrimit dhe komunikimit.

“Ne vendosëm të mësojmë nga gabimet e së shkuarës. Ne vendosëm që të parët janë vendet dhe njerëzit tanë. Ne duhet ta festojmë këtë arritje. Por duhet gjithashtu të njohim se ka ende shumë punë për të bërë. Tani që Ballkani Perëndimor është i bashkuar në ambicien tonë për t’u bërë pjesë e BE-së që së fundmi ka publikuar një strategji për rajonin – ne kemi një mundësi unike”, shkruan ndër të tjera Vuçiç.

Sipas presidentit serb, Europa po kupton rëndësinë dhe vlerën e biznesit me vendet e rajonit tonë dhe për këtë ka disa të dhëna: 44 miliardë dollarë shkëmbime tregëtare për vitin 2016 në një treg 20 milionë banorësh.

Vuçiç vlerëson si të ulëta investimet private, si problem papunësinë e rinisë çka sugjeron si rrugëdalje optimale: krijimin e një tregu të përbashkët mes vendeve tona.

Sipas tij, tregu i përbashkët rajonal do të sillte 8-9 miliardë dollarë investime vjetore krahasuar me 4.6 miliardë që është aktualisht.

“Kjo do të shërbente si pikë konvergjence mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shkruan Vuçiç sipas të cilit tregu rajonal i përbashkët do të frenonte edhe emigrimin masiv të njerëzve.

“Historia tregon se bashkimi ekonomik është kyç për stabilitetin politik”, vijon presidenti serb. Sipas tij CEFTA është gur themeli i një procesi që duhet përmbyllur me krijimin e tregut të përbashkët.

Çështja e tregut të përbashkët është mbështetur nga Shqipëria, apo më saktë qeveria aktuale, por nuk shikohet mirë në Mal të Zi dhe në Kosovë, ndërkohë që raportet ekonomike sa vijnë dhe ndërthuren. Duhet theksuar edhe njëherë se shkrimi nuk merret formalisht me çështjet serbe, por i mëshon idesë së Ballkanit. Një mesazh me disa kuptime mes të cilëve edhe ai se Serbia është aktualisht vendi kyç që udhëheq procesin e tregut rajonal.

Haradinaj: Kosova ruan një partneritet konstruktiv me FMN-në

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj tha sot se si një vend i ri, Kosova vazhdon të ketë nevojë për ndihmën e vazhdueshme në rrugën e saj për zhvillim ekonomik dhe stabilitet financiar

Haradinaj këtë deklaratë e bëri në takim me zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang.

Lufta ndaj informalitetit, të arriturat e deritashme të Kosovës, stabilitetin buxhetor, krijimi i një ambienti më të favorshëm për sektorin privat dhe bashkëpunimi ekonomik me vendet fqinje, ishin të tjera tema në fokus të takimit.

“Jemi të lumtur që jemi pjesë e Fondit Monetarë Ndërkombëtarë dhe që ruajmë një partneritet konstruktiv. Qeveria e vendit është zotuar dhe po i qëndron pas disa projekteve, që do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillim ekonomik. Kosovës i duhet në vazhdimësi mbështetje nga FMN-në për arritjen e objektivave makro-financiare, siç do vazhdojmë të jemi përgjegjës për rolin tonë”, tha kryeministri Haradinaj.

Zëvendësdrejtori menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë për adresimin e çështjeve me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit fiskal. Zhang, uroi Kryeministrin Haradinaj edhe për shënimin e 10-të vjetorit të pavarësisë së vendit.

Autostrada Prishtinë-Gjilan do të kushtojë 88 milionë euro

Ministri i infrastrukturës Pal Lekaj dhe zëvendësministri Rexhep Kadriu, kanë mbajtur një konferencë për gazetarë, pas interesimit të madh të këtyre të fundit lidhur me nënshkrimin e kontratave të operatorëve për ndërtimin e autostradës A 7.1 Prishtinë-Gjilan

Sipas një njoftimi, fillimisht ministri Lekaj tha se nënshkrimi i kontratës për këtë projekt është lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Anamoravës, por edhe të tërë vendit, ngase kjo autostradë lidhë Gjilanin me pjesët e tjera të Kosovës.

Lekaj duke dhënë detaje për këtë projekt, fillimisht ka thënë se autostrada do të kushtojë 88 milionë euro, do të jetë në një gjatësi prej 22.3 kilometra dhe se punimet pritet të fillojnë në pranverë të këtij viti dhe do të zgjasin 30 muaj.

“Sot jemi para jush që ta japim një lajm të mirë për qytetarët e Anamoravës, ne jemi zotuar që nuk do të ketë ndarje regjionale, por do të kujdesemi në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Jeni të informuar se është nënshkruar kontrata për Gjilan. Kjo autostradë do ta ketë gjatësinë 22.3 kilometra, me katër korsi dhe do të ketë impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik të Anamoravës, por edhe të tërë Kosovës, sepse e lidhë Kosovën me autostradat tjera, me korridore dhe me qytetet tjera. Prandaj, unë së bashku me ju dhe të gjithë qytetarët duhet t’i gëzohemi këtij projekti. Është projekti më madhor që nuk ka përzierje të jashtme dhe ne si ministri jemi kujdesur që të jemi të vëmendshëm që të respektoghen të gjitha normat apo procedurat e prokurimit publik.

Ju, siç e dini kur kemi ardhë ne, e kemi gjetur në procedurë, por qeverisja e kaluar nuk i ka përmbushur kriteret e prokurimit publik dhe ne jemi munduar që të jemi të saktë në kohë dhe ta respektojmë ligjin e prokurimit publik. Të gjitha procedurat janë kryer në mënyrë të rregullt duke e respektuar ligjin, dhe tani janë përzgjedhur 8 operatorë ekonomik dhe ky projekt do të filloi në pranverën e hershme. Ju premtoj se Ministria e Infrastrukturës do të jetë transparente për të gjitha projektet dhe të gjitha procedurat që do t’i ndihmojnë transparencës së Qeverisë Haradinaj”, ka thënë ministri Lekaj.

Ndërkaq zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, duke folur për rëndësinë e kësaj autostradë, ka thënë se kjo autostradë do t’i lidhë Anamoravën me Luginën e Preshevës.

Kadriu ka treguar se autostrada do t’i ketë tri kyçje duke filluar me atë të Banullës, pastaj një në Zhegovc dhe e fundit do të jetë në Bresalcë.

”Kjo autostradë e munguar për Gjilanin i lidhë diku afro 500 mijë banorë me Preshevën dhe Shkupin. Kyçja në këtë autostradë do të jetë në fshatin Banullë, një në Zhegovc dhe tjetra në Bresalcë. Autostrada do të jetë 22.3 kilometra, me katër korsi dhe do ta ketë edhe shiritin gjelbrues. Dinamika e kryerjes së punimeve do të jetë 30 muaj. Por ne nuk do të ndalemi vetëm në këto tëtë segmente, sepse në buxhetin e Kosovës janë të parapara 126 milionë euro për këtë autostradë dhe është e arritur e madhe sepse ne kemi arritur që këtë punë ta kryejmë për 88 milionë euro dhe jemi 40 milionë euro më lirë se sa ka qenë e planifikuar dhe 40 milionët e mbetura do t’i përdorim për segmentet tjera deri në Konçul”, tha Kadriu.

Ndërkaq, duke iu përgjigjur interesimit të mediave rreth mundësisë së publikimit të kontratave të nënshkruara, ministri Lekaj ka thënë se ato do të publikohen sapo të jenë gati dhe se secili qytetar i vendit do ta ketë mundësinë që të njoftohet me to. Ndërkaq ministri po ashtu ka siguruar se nuk do të ketë ndryshim të projektit edhe pse kishte tentativa për ta bërë një gjë të tillë.

Pse Bitcoin është mashtrimi më i madh global i 20 viteve të fundit

Nga Vivek Wadhwa

Profesor në Oxford University dhe Duke University

Në fundin e viteve ’90, kapitalistët e Silicon Valley dhe bankierët e bankave të investimeve të qytetit të Nju Jorkut përdornin fraza si “kokërdhokë monetizues”, “palëvizshmëri” dhe “B2C”, për të justifikuar vlerësimet qesharake të kompanive të Internetit. Ata pretendonin se metodat tradicionale nuk ishin në gjendje që të vlerësonin kompanitë e dotcom-it – të cilat nuk kishin të ardhura – sepse ne po hynim në një ekonomi krejt të re.

Duke besuar këta njerëz, dhe të trembur se mos u shpëtonte kjo rendje e re drejt floririt, investitorët e vegjël, gjyshër dhe gjyshe, berberë dhe taksistë investuan kursimet e jetës në kompani të tilla si pets.com dhe eToys. Fluska plasi, dhe ata humbën gjithçka. Përmes një transferimi të pasurisë në nivele prej miliarda dollarë, nga Main Street në ëall Street, CEO e bankierë të paskrupullt ishin pasuruar, në kurriz të qindra-mijëra investitorëve të zakonshëm, duke i lënë ata në dëshpërim për të ardhmen.

Historia po përsëritet me Bitcoinin. Këtë herë nuk është vetëm Main Street USA që do të humbasë; humbje do të ketë edhe bota në zhvillim. Teknologjia ua ka bërë të mundur tipave në Silicon Valley, Kinë dhe Nju Jork që të grabisin këdo, dhe kudo, që ka një llogari bankare dhe lidhje në internet.

Historia që po u shitet viktimave të Bitcoinit është se, për shkak se nuk mund t’u besojmë kartëmonedhave që lëshon qeveria, Bitcoini është e ardhmja e parasë. Një investitor e quan Bitcoinin “dhuratë prej Zotit për të ndihmuar njerëzimin që të ndreqë kaosin e shkaktuar prej parasë”. Një drejtor në PayPal parashikon që çmimi i Bitcoinit do të arrijë 1 milion dollarë në 5-10 vitet e ardhshme; menaxherët e aseteve thonë që është floriri i ri.

E gjithë kjo është një marrëzi. Po, çmimi i Bitcoinit mund të dyfishohet apo edhe të katërfishohet – për shkak se çmimi i tij bazohet në spekulim të pastër, dhe histori të tilla po e nxisin këtë spekulim. Por çmimi i tregut i Bitcoinit është pothuaj e sigurtë që në një moment do të bjerë dhe digjet, ashtu si ndodhi me dotcom-et, dhe për të njëjtën arsye: sepse është e gjitha një sajesë e fryrë. Dhe kur të ndodhë, nuk do të kemi kujt t’i drejtohemi, sepse asnjë qeveri apo bankë nuk po e mbështet Bitcoinin; dhe njerëzit që po e fryjnë Bitcoinin do të kenë marrë paratë e do të jenë zhdukur me kohë.

Çmimi i Bitcoinit nuk është reflektim i rritjes së përdorimit të tij si monedhë; ai reflekton thjesht kërkesën për mirazhin e vlerës së saj spekulative. Çmimi po rritet vetëm sepse njerëzit në të gjithë botën po dëgjojnë histori se si të tjerët dyfishuan ose trefishuan paratë e tyre brenda një periudhe të shkurtër – dhe nuk duan t’u shpëtojë kjo gjë. Investitorë të pasofistikuar po marrin hua për të blerë Bitcoin. Ata që e kanë shpenzuar monedhën ndejnë keqardhje kur shohin që çmimi i saj rritet, kështu që vazhdojnë të grumbullojnë.

Bitcoini u shpik nga një person apo grup i panjohur, për të qenë një monedhë digjitale. Ajo lejon që paratë të transferohen direkt mes individëve duke përdorur kriptografinë. Libri i llogarive të bankës u shpërndahet të gjithë përdoruesve, dhe transaksione komplekse matematikore garantojnë integritetin e transaksionit. Një sistem i tillë ua bën të vështirë qeverive që të dijnë identitetet e njerëzve që shkëmbejnë paratë, kështu që, ai është shndërruar një parajsë për pastrim parash, trafik droge dhe korrupsion.

Përtej përdorueshmërisë së tij për krime, Bitcoini ka edhe të meta të mëdha në projektim.

Bitcoinet krijohen (ose “gërmohen”) në norma të paracaktuara e që ulen gradualisht, me një limit total prej 21 milion Bitcoinesh të përdorshme. Ritmi i rritjes së Bitcoineve në dispozicion nuk po ecën në ritëm me numrin e njerëzve që duan t’i blejnë, kështu që çmimi i Bitcoineve vazhdon të rritet. Për shkak se çmimi i tij rritet, edhe “gërmuesit”, kompjuterët e të cilëve bëjnë llogaritje komplekse për të fituar monedha, edhe ata që blejnë Bitcoine nga të tjerët hezitojnë që t’i përdorin si monedha, duke i shpenzuar.

Në vend të kësaj, ata i mbajnë monedhat e tyre ndërkohë që presin që çmimi të rritet më tej. Me ofertën për Bitcoine të shtrënguar dhe kërkesën në rritje, në vend që të funksionojë si monedhë, ajo është shndërruar në një aset spekulativ bosh.

Pastaj, ka probleme edhe me vetë teknologjinë.

Së pari, cilido që ka akses në një fjalëkalim Bitcoini (apo çelës privat), ka autoritetin të shpenzojë Bitcoinin që ka çkyçur; humbja e fjalëkalimit nënkupton humbjen e të gjithë Bitcoineve që lidhen me të.

Së dyti, rritja lineare në zinxhirin e blloqeve që formojnë Bitcoinin po rezulton në rritje eksponenciale në llogaritë që nevojiten për të procesuar dhe verifikuar transaksionet: Transaksione që dikur bëheshin për dhjetë minuta, tani duan orë të tëra. Së treti, me tarifat e transaksioneve në Bitcoin që shkojnë mbi 25 USD, një pagesë 5 USD tashmë kushton 30 USD. E qartë që kjo nuk është një monedhë digjitale funksionale.

Më shqetësuese për planetin është shpenzimi i energjisë që kërkohet për verifikimin e transaksioneve. Rrjeti i Bitcoinit thuhet se po konsumon energji vjetore prej 32TWh – pothuaj po aq sa e gjithë Danimarka. Secili transaksion konsumon 250KWh, që është energjia e mjaftueshme për të furnizuar një shtëpi në Perëndim për nëntë ditë me radhë. Kina është bërë shteti dominues i gërmimit të Bitcoineve, teksa provincat e saj u ofrojnë gërmuesve energji shumë të lirë.

Sigurisht që monedhat digjitale janë e ardhmja, por ka disa opsione të tjera më kuptimplota se sa Bitcoini. Merrni për shembull WeChat Pay dhe Alipay në Kinë, që tani procesojnë 5.5 trilionë dollarë pagesa. Apo Unified Payments Interface në Indi, që bën të mundur transferimin e parave mes njerëzve, brenda disa sekondave – pa asnjë pagesë. Kjo ndodh nga banka në bankë, ofron mbshtetje dhe siguri për klientin. Kështu që, ka mënyra më të mira dhe më të thjeshta.

Titulli origjinal: “Why Bitcoin Is the Largest Ponzi Scheme in Human History” / Në shqip nga bota.al

Firma me xhiro “zero” po ndërtojnë pallate milionëshe në Tiranë

Në Tiranë ka filluar një valë e re ndërtimesh, ku krahas firmave të mëdha, kanë dalë në skenë dhe kompani të vogla, të panjohura, të cilat sipas bilanceve zyrtare së paku tre vitet e fundit kanë deklaruar të ardhura minimale ose zero. Monitor ka identifikuar disa prej tyre, nga një vëzhgim që ka bërë në terren, po për arsye etike nuk e publikon emrat e plotë të firmave

Në rrugën e Kosovarëve, firma D… sapo ka nisur punimet për ndërtimin e një pallati 12 katësh dhe dy kate nëntokë. Firma në fjalë është investitor dhe ndërtues njëkohësisht, sipas tabelës së vendosur në rrethimin e ndërtimit. Sipas ekstraktit në QKB ajo është krijuar në vitin 2009. Të ardhurat e deklaruara të firmës gjatë 2016-s janë vetëm 28 mijë euro. Të kontaktuar si të interesuar për të blerë një apartament, çmimi që jepnin ndërtuesit ishte 1800 euro për metër katror (në gropë), duke e justifikuar atë me cilësinë e lartë të punimeve. Disa muaj më parë, në të njëjtën zonë, apartamentet shiteshin me 1700 euro/m2.

Pranë stadiumit Dinamo, në një tjetër kantier ndërtimi punimet kanë arritur në katin e tretë. Çmimi për metër katror ishte 1800 euro/m2. Një vit më parë çmimet në të njëjtën zonë ishin 1700 euro për metër katror. Sipas ekstraktit të publikuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, firma e ndërtimit (G..I..) ka deklaruar të ardhura zero prej tre vitesh, deri në 2016-n.

Shpesh në projekte të ndërtimit, investitori dhe firma zbatuese e projektit janë të ndryshme. Sipas zotit Hajredin Fratari është e vështirë që të identifikosh se kush është investitori në një projekt ndërtimi.

Një tjetër ndërtues që operon që prej vitit 1992 në Tiranë, Sokol Kika, i Kika Construction tha për “Monitor” që ndër rreziqet që po përballet sektori i ndërtimit është hyrja në treg e kompanive që nuk kanë ekspertizë në fushën e ndërtimit dhe atyre që kanë ndërtuar dikur po nuk kanë likuiditete aktualisht, ndonëse kanë marrë leje ndërtimi.

Vala e re e ndërtimeve, pas çlirimit të lejeve, po risjell fenomenin e kleringut, teksa shumë firma, që kishin kohë pa aktivitet, nuk kanë likuiditetin e nevojshëm për të ndërtuar. Nga ana tjetër, ka firma pa përvojë në ndërtim, por që kanë likuiditete dhe po hynë në këtë sektor, duke përbërë sërish një rrezik.

“Ajo që unë kam më tepër shqetësim janë aktorët e mundshëm në treg që mund të jenë duke kërkuar leje për momentin. Frika ime është për ndërtuesit që kanë shumë kohë pa ndërtuar, p.sh., kanë ndërtuar para dhjetë vjetësh. Rifutja e tyre me mentalitetin e vjetër, do të sjellë vështirësi në treg. Nuk punohet më me klering apo mënyra të tjera. Duhet të ketë likuiditete shtesë. Ndërkohë, ka edhe kompani që kanë likuiditete, por nuk kanë përvojë në ndërtim. Të dyja i shikoj si rreziqe pasi industria e ndërtimit ka një veçanti. Është një ndërmarrje që duhet të funksionojë me një plan të paktën 3-vjeçar. Pasi një projekt që nga projektimi deri tek regjistrimi zgjat 3 vjet. Duhet të ketë likuiditete të mjaftueshme që t’i përgjigjet kohës”, ka pohuar ndërtuesi Kika në një intervistë të mëparshme për Monitor.

Rikthimi i fenomenit të ndërtimit është shqetësues edhe për zotin Hajredin Fratari.

Kompani të vjetra, me liberalizimin e lejeve të ndërtimit, po kërkojnë të hyjnë përsëri në treg edhe pse nuk kanë likuiditete. Një pjesë e kompanive po paguajnë paraprakisht taksën e infrastrukturës me anë të kredive bankare, ndërsa punimet po i bëjnë me klering, nga materialet e lëndëve të para, deri tek punëtoria.

Frikë tjetër, që shprehin ndërtuesit është dhe ajo e pastrimit të parave në këtë sektor, që mund të çojë në një rritje artificiale të çmimeve. Në janar, në disa zona të Tiranës u konstatuan shtrenjtim të apartamenteve me 100-250 euro më shumë për metër katror.

Nga ana tjetër kredia për sektorin e ndërtimit u tkurr në vitin që lamë pas, në një tregues që vrulli i ri i ndërtimeve nuk po financohet me kredi bankare. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë për sektorin e ndërtimit në fund të dhjetorit 2017 arriti në 46.4 miliardë lekë, me një rënie prej 1.3% me bazë vjetore.

Vetëm në kryeqytet, për gjithë 9 mujorin 2017 janë dhënë 167 leje ndërtimi, me një rritje prej 157% në krahasim me 9 muajt e parë të 2016-s, pra pothuajse me një trefishim, (102 leje më shumë)./Monitor

Pengesat e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë

Ka më gjatë se 10 vjet që kur kanë filluar bisedimet dhe përgatitjet e Kosovës për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Por, ende nuk është kryer as procedura formale e aplikimit

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thonë se tashmë kanë përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme teknike për aplikim në këtë organizatë.

Sytrime Dervisholli, drejtoreshë në Departamentin e Tregtisë në kuadër të Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se dokumentacioni është i gatshëm, por ende nuk është vendosur së në çfarë modaliteti do të aplikohet.

Dilemat janë në mes të anëtarësimit të rregullt të Kosovës apo anëtarësimit si shtet vëzhgues për një periudhë fillimisht pesëvjeçare.

“Dokumenti i cili tashmë është i përgatitur, quhet ‘Memorandumi mbi Regjimin e Tregtisë së Jashtme’, dokument ky, i cili përfshinë më vete politikat tregtare dhe ekonomike të një vendi që aspiron të bëhet anëtar i Organizatën Botërore të Tregtisë”, tha Dervisholli.

Kjo organizatë ndërkombëtare ka selinë në Gjenevë të Zvicrës. Funksioni i saj është nxitja dhe vënia në zbatim e ligjeve dhe rregulloreve tregtare ndërkombëtare.

Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami thotë se gjatë periudhës sa ka udhëhequr këtë ministri, ka pasur mbi dhjetë takime me përfaqësues të vendeve anëtare në OBT.

Ndërkaq, hezitimi për të aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë, sipas saj, ndërlidhet me faktin se pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, mund të kundërshtojnë këtë anëtarësim.

“Na është thënë se edhe nëse aplikoni pa pasur konsensus të plotë të shteteve anëtare, asnjëherë nuk vihet në rend dite. Kështu që, duhet të përgatitet mirë terreni”, tha Bajrami.

Ajo rikujton edhe rastet kur Kosova, përkundër aplikimit, nuk ka arritur të bëhet anëtare e organizatave e mekanizmave ndërkombëtarë, duke marrë si shembull UNESCO-n (Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Arsim).

“Jemi këshilluar, sidomos nga Ambasada Amerikane në atë kohë, që duhet shumë të lobohet para se të aplikohet, në mënyrë që çështja të trajtohet. Dhe jo vetëm të vendosësh një aplikacion, i cili atje ndoshta do të mbulohej nga pluhuri”, tha Bajrami për Radion Evropa e Lirë.

Lobimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë me partnerët ndërkombëtarë për aplikim në OBT, ka filluar më herët dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen, thotë Sytrime Dervisholli.

Sidoqoftë, Dervisholli shpreson se gjatë këtij viti, Kosova mund të aplikojë për anëtarësim në këtë organizatë.

“E kemi parasysh edhe faktin që pastaj negociatat janë të gjata për anëtarësim në OBT dhe mund të marrin kohë disa vite. I kemi shembuj vendet e rajonit, ku procesi i negociatave ka ndodhur deri në 10 vite”, tha Dervisholli.

Organizata Botërore e Tregtisë ka filluar punën në vitin 1995. Nga shtetet e rajonit, në vitin 2012, Mali i Zi është bërë anëtar i plotë i kësaj organizate.

Kurse, Kazakistani në vitin 2015 është bërë anëtari i fundit i 162-të i Organizatës Botërore të Tregtisë, pas 20 vitesh sa ka zgjatur procesi i negociatave.

Vitet e shtetësisë në favor të importit

Edhe 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë Kosova, nuk arriti të fuqizojë sektorin e prodhimtarisë. Vendi vazhdon të importojë gati të gjitha produktet duke filluar nga ato të konsumit e deri te produktet strategjike

Struktura e importit në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare të Doganave të Kosovë, ka një llojshmëri të madhe, por, kryesisht në aspektin e të hyrave dhe vlerës prijnë nafta dhe derivatet e saj, duhani, automjetet, industria e ushqimit dhe tekstilit, e të tjera.

Kontributi i eksporteve në volumin tregtar në vit mbetet shumë i ulët, me rreth 300 milionë euro, kurse importi rreth 3 miliardë euro.

Importuesi më i madh në Kosovë mbetet Serbia, ku sipas të dhënave zyrtare janë mesatarisht rreth 400 milionë euro në vit produkte të ndryshme që importohen nga ky shtet.

Megjithatë, janë disa produktet të importuara që sipas të dhënave të Doganave të Kosovës gjatë kësaj periudhe 10-vjeçare nuk importohen në masë çfarë kanë qenë më parë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci thotë për Radion Evropa e Lirë se disa produkte janë zëvendësuar me produktet vendore, pasi që importi i atyre produkteve ka shënuar rënie nëpër vite.

“Në bazë të statistikave ka një progres. Nëse kthemi në vitin 2006 apo 2007, importi i ujit të ambalazhuar ka qenë një nga importet më të mëdha deri në 50 milionë litra brenda vitit, derisa 10 vite më vonë ky import është vetëm deri në 8 milionë litra brenda një viti, pra kemi një zëvendësim të atij produkti”.

“Po ashtu, edhe importi i lëngjeve ka pasur import me miliona litra, derisa tani kemi një pjesë të madhe të importit që është zëvendësuar. Viteve të fundit kemi parë një ulje të importit të perimeve, që ka një indikator që kemi rritje të produkteve bujqësore”, thotë Stavileci.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë dhe ekspert të fushës thonë se përgjatë këtyre 10 viteve janë një varg faktorësh që kontribuuan në moszhvillimin e duhur të këtij sektori.

Eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se sektorit i prodhimtarisë është duke i bartur pasojat e një privatizimi jo të duhur që ishte bërë ndërmarrjeve shoqërore.

“Një shkaktar kryesor i ngecjes së sektorit të prodhimit është privatizimi i korruptuar që ka ndodhur në Kosovë, ku asetet kryesore publike kanë kaluar në duart të politikës ose njerëzve të afërt të tyre dhe ata nuk kanë pasur aftësi dhe as qëllim që të rikonsolidojnë fabrikat dhe kapacitet prodhuese të cilat i ka pasur Kosovë. Për pasojë, fabrikat kryesore të Kosovës janë shndërruar në ndërtesa banimi, i është ndërruar destinimi dhe kishim një shkatërrim të trashëgimisë prodhuese që kishim në Kosovë”, thotë Gashi.

Edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë për Radion Evropa e Lirë se është bërë shumë pak gjatë këtyre 10 viteve në aspektin e politikave fiskale.

Bilanci negativ tregtar më të cilin përballet vendi, sipas Zekës, është reflektim i 100 për qind i politikave të gabuara fiskale që janë aplikuar nga institucionet e vendit gjatë këtyre 10 viteve.

“Diku në vitin 2010 në Kosovë ndryshon legjislacioni tatimor dhe nuk preket asgjë për sa i përket lehtësirave për prodhueseve. Ne vitin 2013 nxirret një ligj për mallrat e liruara nga detyrimet doganore, që liron një pjesë shumë të kufizuar të lëndës së parë, kjo është bërë mënyrë selektive për t’i sjell përftime vetëm një grupi të bizneseve. Në vitin 2014, Qeveria vendos që të lirojë nga detyrimet doganore një pjesë të makinerive dhe në të njëjtën kohë nxjerr një vendim ekzekutiv për pushime tatimor një vendim ky i cili nuk zbatohet kurrë”.

“Pastaj në shtator të viti 2015 ndryshon sërish legjislacioni tatimor dhe aty prezantohen pushimet tatimore ku asgjë nuk ndodh deri në qershor të viti 2017, atëherë kur Qeveria në largim aprovon e ashtuquajturën 2.0, e cila sërish nuk zbatohet nga Qeveria e re dhe tani në vitin 2018 kemi masa të reja fiskale të cilat po zbatohen në mënyrë gjysmake dhe si të tilla lënë hapësirë që pas 2 viteve të merren vendime tjera”, sqaron Zeka.

Por, pavarësisht të gjitha vështirësive, disa kompani prodhuese të Kosovës kanë bërë hapa pozitiv dhe kanë arritur që disa produkte që janë importuar t’i zëvendësojnë me produkte vendore.

Kompania “Frutex” nga Suhareka është një ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike. Pronari i saj Shaqir Palushi, thotë për Radion Evropa e Lirë se me një përkrahje më të fuqishme shtetërore, bizneset prodhuese do të ishin më të suksesshme dhe do të kontribuonin më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ashtu siç ka mundur të bëhet më tepër në të gjitha segmentet e shoqërisë në Kosovë, edhe në sektorin e prodhimit ka mundur të bëhet shumë më shumë. Mospërkrahja më e madhe e Qeverisë na ka dëmtuar, megjithatë sot qëndrojmë shumë më mirë se para 10 viteve”, thotë Palushi.

Thaçi pret mbizotërim të produkteve “Made in Kosovo”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në panairin e prodhimeve vendore dhe forumin ekonomik “10 Vjetori i Pavarësisë Ekonomike të Kosovës”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës

Thaçi theksoi se bizneset janë ballafaquar me shumë sfida para luftës dhe asnjëherë nuk u dorëzuan. Sipas tij, në dekadën e parë shteti ka shënuar hapa të rëndësishëm në shumë fusha, në aspektin politik e ndërkombëtar, për ekonomi, sport e kulturë.

“Kemi punuar bashkë që të ndërtojmë platformë për ekonomi dhe për Kosovën. Jemi bërë shtet qe dhjetë vjet duhet që në Kosovë të mbizotërojnë produktet Made in Kosovo”, ka thënë Thaçi, raporton KP.

Berat Rukiqi, këshilltar strategjik në Odën Ekonomike të Kosovës, ka thënë se në këto dhjetë vjet Kosova ka dëshmuar në aspektin ekonomik një trend pozitiv me një stabilitet ekonomik dhe politik.

Mirëpo tha se në dhjetë vitet e ardhshme Kosova duhet të forcojë sektorin privat me prodhimet vendore.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, me këtë rast tha se kjo ditë është emocionuese për të gjithë prodhuesit e Kosovës.

Ai tha se tregu i gjithë Shqipërisë dhe Kosovës çdo ditë po fuqizohet, dhe ka një ide për një treg të përbashkët që duhet të ndodhë. Në këtë ngjarje, Thaçi ka ndarë edhe mirënjohje për disa nga kompanitë e Kosovës.

PTK pranon se është në humbje financiare dhe se ka nepotizëm

Drejtori Menaxhues i Postës dhe Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, ka pranuar se ndërmarrja që ai udhëheq ka pasur bilanc negativ financiar më 2016

Për Express Intervistën ai ka thënë se humbjet nuk janë më shumë se 5 apo 6 milionë euro dhe jo siç është raportuar së fundmi se humbjet kanë shkuar deri në 30 milionë euro.

“Ato raporte nuk qëndrojnë. Një pse ka mund të raportohet ashtu është për shkak se në fund të vitit 2016, Arbitrazhi nxori një vendim dhe shqiptoi gjobë 26.1 milionë euro. Do të duhej të futej si një rezervim, si humbje e pritshme, që do të reflektonte në pasqyrat financiare. Në vitin 2016 kemi pas shumë probleme me qeverinë e asaj kohe në raportim me dividentën. Ishte dividenta 30 milionë euro, më 2015 paguam 15 dhe 15 të tjerat s’i paguam sepse ishim në situatë jo të favorshme. Viti 2016 në total pati humbje prej 5-6 milionë euro dhe nuk ka të bëjë me 30 milionë”, ka thënë ai duke u arsyetuar se në situatë të ngjashme me PTK-në janë edhe një numër i kompanive telekomunikuese në rajon.

Ai ka thënë se PTK po ka probleme që të zhvillojë biznes për shkak të ligjit të prokurimit.

“Kemi dhjetëra raste ku kemi identifikuar një fushë interesante dhe fitimprurëse për PTK-në. Kemi filluar të merremi me atë fushë, por deri kur kemi qenë të gatshëm të punojmë në terren, kjo procedurë na është vonuar dhe kemi dalë si të katërtit. Rivalët janë më fleksibilë sepse s’kanë obligimet që kemi ne”, ka thënë Mustafa.

Sa i përket raportimeve për nepozitëm në PTK, Mustafa nuk ka mohuar asgjë. Ai po ashtu ka thënë se kjo ndërmarrje ka mbipunësime.

“Gjemani një vend në Kosovë që s’ka nepotizëm. Qoftë ndërmarrje publike apo private. Vend i vogël jemi. Gjithsecili njihen me njëri-tjetrin. Janë pranuar në bazë të konkurseve ku u janë nënshtruar komisioneve”, ka thënë ai duke rikonfirmuar se paga mesatare në PTK është prej 960 deri 980 euro.

Punësimi masiv, sipas Mustafës, ka ndodhur më 2009-10.

AKK: Gjyqtarët kanë mungesë të diturisë

Gjyqtarët nuk po i dinë procedurat për trajtimin e lëndëve të Autoritetit Kosovarë të Konkurrencës (AKK). Kjo e fundit ka humbur shumë raste që dyshoheshin për monopol në treg

Kryetari i Autoritetit Kosovarë të Konkurrencës, (AKK) Valon Prestreshi, ka thënë se shumë lëndë me gjetje dhe faktet që iu janë dërguar gjykatave i kanë humb për shkake të mos trajtimit adekuat nga ana e gjyqtarëve.

“Problemi është që ne po ballafaqohemi me gjykata, me lënda të kaluara edhe në shumicën e rasteve gjyqtarët po i trajtojnë lëndët e konkurrencës me proceduar, asnjëherë nuk futen në materie. Kemi raste ku po i humbim lëndët në procedurë por jo në materie, jo në kualitet të dokumentit. Për këtë arsye është se e kemi vërejtur se ka mungesë të diturisë nga gjyqtarët në trajtimin e temave të konkurrencës. Me këtë rast, këtë vit AKK-ja në bashkëpunim me KE-në do të organizoj punëtori të ndryshme me gjyqtarët me kusht që ta japim një perfeksionim ose një elbaroim të ligjit të konkurrencës“, tha Prestreshi, shkruan kp.

Ai tha se Komisioni Evropian ka kërkuar që AKK-ja të marrë disa përgjegjësi shtesë.

“Komisioni Evropian në takimin e nën komitetit i ka mirëpritur punët e përfunduara të Autoritetit të Kosovarë të Konkurrencës dhe ka shtuar qenë të ardhmen AKK do t’i merr edhe disa përgjegjësi tjera që të filloj në ndërgjegjësimin e gjyqtarëve në Kosovë me kusht që gjyqtaret të janë të përgatitur, t’i trajtojnë temat e konkurrencës çka atakohen në gjykatë“, tha ai.

Preteshi ka shtuar se aktualisht janë duke u trajtuar 12 raste por që katër prej tyre i kanë humbur .

“Tani jemi duke i trajtuar 12 raste prej atyre, pothuajse deri në Supreme kemi shkuar edhe katër i kemi humbur, tjerat janë duke u trajtuar. Si pasoj e procedurës asnjëherë si pasoj e materies. Në procedura, pse e ke fotografuar vendngjarjen mënyrën si e ke marrë, pse nuk ke shkuar me procedurë me marrë te një hetues. Kur kanë shkuar me marrë dokumentin, pse s’ke shkuar me procedura me marrë, pse kur e ke bërë fotografin nuk shkruan data dhe ora kur e ke bërë fotografinë në këto aspekte, asnjëherë në në aspektin e konkurrencës, pse është dëmtuar tregu, si ka ndodhur kjo pasoj e kështu me radhë“, tha Prestreshi.

Sipas tij, për këtë vit KE-ja i ka rekomanduar AKK-së, që të bëjnë analiza sektoriale. Ndërsa thotë se sektorë të ndjeshëm që kanë monopol të tregut janë sektori i ujërave, telefonisë, internetit dhe energjisë.

“Rekomandimi për këtë vit nga KE është që të bëjmë analizën sektoriale për homologimin e automjeteve edhe tregun e telekomunikacionit…..Ta bëjmë plotësim ndryshim të ligjit në disa pika ku kemi mangësi dhe kjo është puna kryesore….Sektori më i ndjeshëm normalisht i kamë potencuar është sektori i ujërave normalisht aty nuk mund të liberalizohet sepse ujësjellësit nëpër shtatë regjione, mbajnë monopol, sektori i energjisë, KEDS-i, akoma mban monopol 100 % edhe pse dy kompani janë licencuar për të filluar punë por nuk kanë filluar akoma. Në pozitë dominuese e kemi VALA akoma në 80 % të tregut. Në pozitë dominuese e kemi Ipkon për pozitë dominuese për shërbime të internetit dhe telefonisë mobile“, tha Prestreshi.

Ndryshe, Autoriteti Kundër Konkurrencës, në shtetet normale ka rolin kryesor, bënë monitorimin, hulumtimin e tregut dhe nuk lejon pozita dominuese.