Punëtorët e ndërpresin punën, ndalet prodhimi në Ferronikel

Rreth 820 punëtorë dhe rreth 200 kontraktorë të fabrikës “Ferronikel” në Drenas, kanë ndërprerë punën. Kjo për shkak se pronarët e kësaj kompanie nuk i kanë kryer obligimet ndaj punëtorëve dhe kontraktorëve, pra nuk i kanë paguar 30% të muajit shkurt

Këtë e ka bërë të ditur për Indeksonline, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Fehmi Nika. Ai ka thënë se ndërprerja e prodhimit ka ardhur si pasojë e mospagesës, ku sindikata bashkë me kontraktorët kanë vendosur të ndërpresin përkohësisht punën aty.

“Prodhimi është ndalur dje. Kjo pasi kompania nuk ka kryer obligimet ndaj punëtorëve. Pra, mospagesa e 30% të muajit shkurt ndaj punëtorëve dhe kontraktorëve.

Përfaqësuesit e punëtorëve bashkë me përfaqësuesit e kontraktorëve kanë marrë vendim që të ndalet prodhimi derisa të kryhen këto obligime. Punëtorët nuk janë në punë, derisa t’u kryhen pagesat. Kemi biseduar me menaxhmentin dhe e kemi lajmëruar që nëse deri në orën 12 të ditës së djeshme nuk kryhen pagesat, atëherë do të ndalin punën. Pagesa nuk është kryer dhe prodhimi është ndalur”, ka thënë Nika për Indeksonline.

Kujtojmë që kjo fabrikë në vitin 2016 u përball me një krizë 6-muajshe të mosprodhimit për shkak të mungesës së rezervave.

Tregu i përbashkët Kosovë-Shqipëri, larg realizimit

Barrierat e vazhdueshme të cilat u bëhet bizneseve nga institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës, kanë bërë që shkëmbimet mes të dyja vendeve të mos jenë të kënaqshme. Kështu edhe vendosja e taksës për kalim në Rrugën e Kombit, ka bindur edhe më shumë se funksionimi i një tregu të përbashkët është gati i pamundur në mes të Shqipërisë dhe Kosovës

Bizneset nga Kosova përveç se ngarkohen me taksa për kalim në Rrugën e Kombit prej 5 euro për makina e deri në mbi 22 euro për kamionë, ngarkohen edhe me pagesën e skanerit kur eksportojnë në Shqipëri në shumë për 22 euro.

Kryeministri, Ramush Haradinaj, ka thënë se vendosja e taksës për kalim në Rrugën e Kombit është e lartë. Sipas tij, taksat të tilla e bëjnë të parëndësishëm edhe unionin doganor Kosovë Shqipëri.

“Atëherë çka na duhet Unioni Doganor. Është shumë e pakuptueshme, nuk po kuptoj çka po ndodhë. Është një kalkulim shumë i çuditshëm”, tha kryeministri Haradinaj në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës (OEAK), Arian Zeka ka thënë për Telegrafin se Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë kanë mungesa të iniciativave për t’i konkretizuar marrëveshjet e nënshtruar në takimet ndërmjet dy qeverive.

Sipas tij, retorika që i ka karakterizuar këto takimet ka qenë në shpërputhje me zotimet për rritje të bashkëpunimit.

“Në shpërputhje më të madhe kanë qenë edhe barrierat e aplikuara kohë pas kohe, shumë më shpesh nga Shqipëria, karshi bizneseve nga Kosova. Taksa e rrugës natyrisht që është e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugës dhe kjo nuk diskutohet, por ajo që duhet diskutuar është lartësia e saj, edhe aq më shumë injorimi total i institucioneve të Kosovës. Po, kjo është çështje e brendshme e Shqipërisë, por është në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit që të dyja vendet po përpiqen të vendosin”, tha Zeka.

Mbledhjet e përbashkëta, sipas tij, nuk kanë kurrfarë kuptimi, nëse të dyja vendet zgjedhin të trajtojnë problemet pa konsultime.

“E në këtë aspekt, as lëvizja drejt krijimit të një tregu të përbashkët, duke se është larg të bërit realitet. Është paradoksale që zyrtarët e lartë të shtetit të Shqipërisë përkrahin dhe shtyjnë përpara idenë e tregut të përbashkët rajonal, por i kushtojnë fare pak rëndësi, ose aplikojnë veprime krejt të kundërta në idenë e krijimit të një tregu të përbashkët me Kosovën”, ka thënë Arian Zeka.

Edhe Berat Rukiqi këshilltar në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), ka thënë se mënyra e vendosjes së taksës për kalim nëpër Rrugën e Kombit është bërë pa konsultime. Sipas tij, taksat nuk duhet të vendosen vetëm për penalizime.

“Taksa për Rrugën e Kombit është bërë pa konsultime paraprake, e po ashtu kjo taksë nuk e lehtëson tregun por ua vështirëson punën e bizneseve, sidomos e kompanive të cilat në baza ditore eksportojnë mallra nga Kosova për në Shqipëri”, tha Rukiqi.

Sipas tij, bizneset e Kosovës ngarkohen edhe me pagesën e skanerit e cila taksë bashkë me të rrugës ua shtrenjtojnë koston e transportit edhe më shumë.

A do të bëhet Qeveria garantuese e investimeve në Trepçë?

Tetëmbëdhjetë muaj pas miratimit të Ligjit për Trepçën, Qeveria e Kosovës më në fund ka arritur të emërojë gjashtë nga nëntë anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të këtij kombinati, kurse tre të tjerë nga komuniteti serb pritet të zgjidhen pas rishpalljes se konkursit

Krijimi i Bordit thuhet se do t’i hapë rrugë zhvillimit të kësaj ndërmarrjeje shumë të rëndësishme.
Në bazë të këtij ligji, pronësia e kompleksit Trepça do të bartet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) te Qeveria e Kosovës, si aksionare kryesore me 80 përqind, kurse 20 përqind do jenë aksione të punonjësve të Trepçës.

Por, pavarësisht asaj që parasheh Ligji i miratuar dhe vendimeve të fundit të Qeverisë për emërimin e Bordit, ekspertë të çështjeve ekonomike e konsiderojnë si mision të vështirë funksionalizimin e kombinatit metalurgjik Trepça, marrë parasysh, siç thuhet, degradimin që i është bërë këtij kombinati gjatë viteve të pasluftës.

Berim Ramosaj, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se në aspektin procedural po përmbushen kushtet, por në aspektin e funksionalizimit të kombinatit, ai nuk beson shumë.

Ai thotë se për të vazhduar Trepça aktivitetin e mirëfilltë ekonomik, nevojiten mjete financiare.
“Pa marrë parasysh pronësinë, se a do të mbetet publike apo një pjesë private, prapëseprapë ajo kërkon injeksion të fuqishëm financiar në kuptimin e krijimit të kushteve për funksionalizimin e Trepçës”, thotë Ramosaj.

I njohur si gjiganti metalurgjik Trepça, ai është i ndarë në dy pjesë: në veriun e dominuar nga serbët, ku edhe ka një menaxhment serb, dhe në jug me minatorët shqiptarë, që punojnë nën menaxhmentin e autoriteteve të Kosovës.

Për 18 vjet të pasluftës, ky kombinat nuk ka arritur të rimëkëmbet. Nga rreth 600 mijë tonë xehe në vit sa prodhonte miniera në vitet 1945 deri në periudhën e para vitit 1990, sot nga aty nxirren jo më shumë se 150 mijë tonë xehe.

Edhe kapacitetet humane janë zvogëluar përgjatë viteve, duke u reduktuar në më pak se 1,000 punëtorë nga më shumë se 20,000, sa ishin të punësuar në këtë kombinat dikur.

Shyqyri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Trepçës, njëherësh i emëruar si anëtar i Bordit, tregon për Radion Evropa e Lirë se gjendja nuk është e mirë në kombinat dhe se prodhimi, sipas tij, ka rënë në 20 përqind sa ka qenë në vitet e para 90-ve.

Sadiku shpreson se qeveria si aksionare kryesore e Trepçës do të gjejë mundësi dhe forma për investime.

“Pa investime nuk mund të kemi një perspektivë ose një zhvillim të Trepçës. Ne presim përkrahje nga qeveria, të na mundësojë tërheqjen e ndonjë kredie të butë, por garantuese të jetë Qeveria e Kosovës”, thekson Sadiku.

Edhe Ibrahim Rexhepi, këshilltar i lartë politik i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, thotë se investimet për rimëkëmbjen e Trepçës janë të domosdoshme. Por, siç thotë ai, nuk dihet se nga do të jetë burimi i financimit të investimeve.

“Nuk do të thotë se qindpërqind duhet të jetë buxheti i shtetit, meqenëse do të krijonte një barrë, një ngarkesë të re. Por, Trepça duhet të hapet edhe për kapitalin privat, edhe për forma tjera, qoftë edhe kreditime të mundshme nga bankat apo kompanitë që janë të interesuara për investime”, thotë Rexhepi.

Kombinati Trepça llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi.

Trepça sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.

Kurse, 17 objekte afariste gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, 11 asete të këtij gjiganti gjenden në Serbi, 3 në Bosnje e Hercegovinë dhe 3 në Kroaci.

Por, menaxhimi i tyre deri më tash ka qenë i pamundur, për arsye se Beogradi zyrtar nuk e njeh autoritetin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Vuçiq porosit biznesmenët serbë të vijnë në Prishtinë, këmbimin tregtar me Kosovën e do 1 miliard dollarë

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq i ka porositur sot ekonomistët serbë që të shkojnë në Samitin Ekonomik në Prishtinë dhe se ata e kanë përkrahjen e tij “që të fitojmë me ekonomi dhe me ekonominë tonë, transmeton Koha.net

siç njofton tanjug, ka thënë se këmbimi tregtar me Kosovën është rreth 500 milionë euro, se mendon se ai këmbim mund të jetë 1 miliard dollarë, për ç’shkak konsideron se duhet që sa më shumë kompani serbe të jenë në panair, që kompanitë e tyre serbët t’i prezantojnë në mënyrën më të mirë dhe që të bëjnë sa më shumë kontrata afariste.

Panairi ekonomik i Prishtinës pritet të mbahet gjatë këtij muaji, nga data 18 deri më 21 prill.

Kurti akuzon LDK-në se po “i jep dorën qeverisë që t’i fusë duart në Fondin e Privatizimit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës se po i ndihmon qeverisë aktuale t’i fus duart në Fondin e Privatizimit

Sipas tij, në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës ku u debatua për dëbimin e gjashtë shtetasve të Turqisë debat i cili tha se u bë “në mënyrë që të mos merreshin me këtë çështje: nuk kaloi votimi për debat”.

“Mirëpo, në po atë mbledhje, kaloi një çështje tjetër e rëndësishme dhe atë pa debat fare. Në lexim të dytë, shpejt e shpejt, duke kapërcyer dy pika paraprake të rendit të ditës, u votua Raporti me rekomandime për Projektiligjin nr.06/L-023, për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (dy herë i plotësuar e ndryshuar më herët)”, shkroi Kurti në Facebook.

Ai thotë se me këtë raport të Komisionit për Buxhet dhe Financa, kjo qeveri i fut duart në atë që njihet si Fond i Privatizimit e i cili është më i trashë se 600 milionë euro nga ato mbi 60 valë të privatizimit “përgjithësisht të egër e abuziv”.

Kurti, ndonëse thotë se është mirë të aktivizohet Fondi i Privatizimit për “zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit”, thekson se janë tri probleme kapitale në këtë aspekt.

“Pa një vizion zhvillimor socio-ekonomik e nacional nuk mund të pretendosh që ndryshimet e këtilla do të sjellin rezultatet që mund t’i kemi të vagullta si përfytyrime të progresit e mirëqenies. Për më tepër, se çka quajmë ‘zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit’ dhe cila është mënyra e arritjes së tij me siguri se ka shumë dallime të mëdha midis – e mbase edhe brenda – partive politike. Nevojitet paraprakisht një strategji gjithëpërfshirëse me disa ligje të reja të integruara për ta synuar edhe vetëm në parim ‘zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit’”, thotë Kurti, duke përmendur vetëm problemin e parë, sipas tij.

Tutje, ai thotë se në kohën kur ne “kemi një pushtet me korrupsion të pashembullt madje edhe për rajonin, ta marrësh dhe fondin e privatizimit dhe t’ia dhurosh Qeverisë, do të thotë t’ia dhurosh edhe paratë e privatizimit për t’i transferuar tutje tek strukturat klienteliste të saj”.

“Qeveria me 5 zëvendës-kryeministra, 21 ministra dhe mbi 70 zëvendësministra, qeveria që ia rrit pagat vetvetes pasi që ka nënshkruar kontratë aq të dëmshme me Fondin Investiv Contour Global të cilit ia paguan tatimin dhe këstet e kredive duke ia garantuar kredimarrjen, tregun dhe fitim me shkallë prej 18,5% të kthimit të brendshëm, nuk do të duhej t’i rritet qasja në fondet tona, por t’i shkurtohej jeta në pushtet”, shton më tej Kurti.

Kurse, si problem të tretë, Kurti e sheh Ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit i cili thotë se ka shumë probleme dhe thotë se mosinvestimi i fondeve në ekonominë e Kosovës është vetëm një nga ato.

“Kemi parë në të kaluarën që AKP ka probleme serioze në vendimmarrje. Të trajtosh Ligjin për AKP dhe të mos flasësh për super-fuqinë e anëtarëve ndërkombëtarë të Bordit të AKP-së, është absurde. Kemi pasur situata kur këta anëtarë kanë rezistuar kërkesën për vlerësimin e arritjeve të procesit të privatizimit, madje ndonjëherë duke bërë kërcënim me këdo që brenda AKP ka guxuar të ngre dilemën nëse do të duhej të vazhdonim privatizimin e egër dhe të parregulluar, pa i vlerësuar efektet e deritanishme të tij. Sot e kësaj dite pika 9 e nenit 14 të këtij ligji, jep fuqi absolute për anëtarët ndërkombëtarë të Bordit të AKP-së. Të tre anëtarët ndërkombëtarë mund të pezullojnë cilindo vendim të marrë nga Bordi, thua se kemi të bëjmë me një agjenci që mbushet nga fondet e huaja, e jo nga shitja e pasurisë sonë”, deklaron kreu i VV-së.

Deputeti Kurti sqaron se amendamenti 2 ndryshonin nenin 1, duke lejuar investimet e mjeteve të privatizimit në letrat me vlerë, me qëllim të rregullimit të trajtimit të “fondeve të mbetura”, trajtimit të “fondeve të përkohshme” si të hyra në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, siç thotë ai, në amendamentin 4, ndryshohet neni 4, paragrafi 3, duke thënë se “Fondet e Përkohshme, nëse ka të tilla, barten nga Agjencia në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës, në një llogari të veçantë në Thesarin e Kosovës, të cilat fonde të përkohshme përdoren për investime që ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit”.

Krei i VV-së thotë se nuk do të ishte problematik kthimi i mjeteve të privatizimit në Kosovë, përderisa ato mund të investohen në projekte me normë të kthimit më të lartë se norma e rritjes ekonomike në vend.

“Kjo nënkupton transferimin e këtyre mjeteve në ndonjë fond investiv që do të shfrytëzonte të njëjtat vetëm për projekte në ato sektore të ekonomisë që shihen si bartës të zhvillimit ekonomik. Por, kjo nuk është ideja prapa kësaj kërkese. Problemi qëndron diku tjetër: Kosova është duke huazuar me ritëm të lartë në tregun e kapitalit për të financuar borxhin publik. Në mungesë të rankimit ndërkombëtar, i vetmi opsion është huamarrja brenda vendit dhe atë nga sistemi bankar, duke shfrytëzuar rezervat shtesë të depozitave. Mirëpo, në mungesë të një tregu sekondar me bono të qeverisë, kjo mundësi e huamarrjes shtjerret shumë shpejt dhe i pamundëson qeverisë të operojë me deficite. Andaj si zgjidhje e ndërmjetme shihet përdorimi i mjeteve të privatizmit. S’do mend që do të përdoret vetëm për projekte në asfalt, me normë kthimi zero, ose normë negative kthimi kur dihet përmasa e korrupsionit në prokurimin publik dhe në menaxhimin e kontratave strategjike”, deklaroi deputeti i VV-së, Albin Kurti.

Sipas tij, “ideja fillestare për keqpërdorimin e këtyre mjeteve ka ardhur nga LDK-ja, dhe tash kjo qeveri po përfiton ngaqë e ka lehtë ta detyrojë LDK-në ta mbështesë”.

“Pas votimit të fshehtë për guvernatorin e ri të BQK-së ku hapur u pa se shumica e deputetëve të LDK-së mbështetën kandidatin e PDK-së, Fehmi Mehmeti, ky është rasti i dytë ku LDK dëshmon se mbështet regjimin në fuqi dhe se në opozitë është veçse formalisht. A po mendon LDK-ja se PDK-ja do ta zhvillojë Kosovën, që po ia jep paratë e privatizimit qeverisë së PDK-së? Apo ky ligj është pasojë e marrëveshjeve të PDK-së me opozitën ‘lojale’, të cilën shpejt mund ta thërrasë në bashkëqeverisje?”, përfundoi Kurti.

Korrupsioni në Shqipëri po i mbytë bizneset kosovare

Pavarësisht se viteve të fundit ka një rritje të këmbimeve tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, disa biznese i konsiderojnë procedurat burokratike dhe taksat e vendosura si të panevojshme dhe të ekzagjeruar

Me qëllim të diskutimit mbi kompleksitetin e tregtisë me Shqipërinë dhe vështirësitë me të cilat bizneset në Kosovë ballafaqohen, Oda Ekonomike Amerikane ka organizuar konferencën e titulluar “Tregtia me Shqipërinë: Sa komplekse?”

Përveç barrierave të ndryshme të aplikuara nga autoritet e Shqipërisë ndaj prodhuesve kosovarë, Besir Cmega nga Railtrans ka thënë se ndër barrierat është edhe korrupsioni, i cili vërtet ekziston.

“Kemi prezencë të korrupsioni në doganë dhe në rastet e dhënies së koncesionit, siç është rasti i portit të Durrësit. Barriera e tretë ka të bëjë me rastin e skanimit të detyrueshëm të mallrave. Kjo ndodhë vetëm për të vjelë një taksë që i bie se së bashku me taksën rrugore të vendosur së fundmi, është rreth 90 euro kostoja apo ngarkesa nga autoritet e Shqipërisë për çdo maunë”, tha ai, raporton KP.

Po ashtu, ai tha se edhe ‘bakshishi’ i detyrueshëm prej 1 mijë lekë në Morinë për çdo transportues është shqetësuese, si dhe barriera tjetër, sipas tij, është edhe për të transportuar në vendet e treta, ku kërkohet leje e posaçme.

Arian Zeka, drejtor në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka thënë se të gjitha barrierat e vendosura ndaj bizneseve si nga Shqipëria, po ashtu edhe nga pala e Kosovës, janë të pakuptimta.

Kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Amerikane, Ilir Ibrahimi, tha se ka një përpjekje nga dy qeveritë shqiptare për heqjen e barrierave tregtare, mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodh.

“Një integrim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mund të ndodhë vetëm atëherë kur bizneset e të dyja vendeve ndihen të barabartë”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka ngritur si shqetësuese edhe taksën rrugore në Rrugën e Kombit, që është një prej barrierave shtesë për bizneset e Kosovës.

Ndërsa, Mergim Prishtina nga Trepharm, ka thënë se me mbledhjet e qeverive të përbashkëta me një pompozitet të madh, të mos i hidhet hi syve ndaj bizneseve për certifikata, siç është rasti i certifikatës fitosanitare.

Sipas tij, problemet në Shqipëri janë të të bërit biznes, derisa bilanci tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është një me pesë në favor të Shqipërisë.

“Shkëndijat” e luftës tregtare tashmë janë në ajër

Kina ka vendosur tarifa prej 25 përqind në 128 produkte amerikane duke përfshirë derrin e ngrirë, verën dhe disa pemë, duke përshkallëzuar tensionet në mes të dy ekonomive botërore, në përgjigje të vendimit të SHBA-së për vendosjen e tarifave në importin e çelikut dhe aluminit, raporton Reuters

Tarifat, që janë vënë në funksion nga dita e sotme, janë bërë të ditura të dielën vonë nga ministria e Financave e Kinës, e cila ka thënë se tarifat kanë vlerën e 3 miliardë dollarëve në importet e produkteve amerikane.

Pak kohë pas njoftimit, përmes një editoriali në Global Times është paralajmëruar se nëse SHBA-ja ka menduar se Kina nuk do të hakmerrej apo se vetëm do të merrte kundërmasa simbolike, mund t’i thotë “lamtumirë një iluzioni të tillë”.

“Ndonëse Kina dhe SHBA-ja nuk kanë thënë publikisht se janë në luftë tregtare, shkëndijat e para të një luftë të tillë tashmë janë në ajër”, thuhet në editorial.

The Global Times udhëhiqet nga Partia Komuniste, ndonëse qëndrimi i saj nuk reflekton domosdoshmërisht politikën qeveritare të Kinës.

Ministria kineze e Ekonomisë ka thënë se ka pezulluar obligimet e saj në Organizatën Botërore të Tregtisë për të ulur tarifat në 120 produkte amerikane, duke përfshirë pemët dhe etanolin, pasi tarifat në këto produkte do të rriten për 15 përqind.

Tetë produkte të tjera, duke përfshirë derrin e ngrirë, do të jenë subjekt i tarifave shtesë prej 25 përqind dhe të njëjtat do të hyjnë në fuqi prej 2 prillit.

“Pezullimi nga ana e Kinës për koncesionet tarifore është një hap legjitim për të ruajtur interesat e shtetit”, ka thënë ministria kineze e Financave.

Tarifat hakmarrëse kanë ardhur në mesin e tensioneve të përshkallëzuara tregtare në mes të Pekinit dhe Uashingtonit, të cilat kanë goditur tregjet botërore në javët e fundit.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se ndaras është duke përgatitur vënien e tarifave prej më shumë se 50 miliardë dollarëve në mallrat kineze.

Ky hap mund të vijë si ndëshkim për Pekinin për shkak të atyre që Uashingtoni i cilëson si vjedhje sistematike të pronës intelektuale të SHBA-së nga ana e Pekinit.

Kina vazhdimisht ka premtuar për të hapur ekonominë e saj, mirëpo disa kompani të huaja vazhdojnë të ankohen për trajtim të padrejtë.

Trump me një valë të re tarifash

Administrata e presidentit Trump pritet që këtë javë të prezantojë një grup të produkteve kineze të cilat janë cak i tarifave të reja nga ana e SHBA-së dhe të cilat do të fokusohen në politikat e teknologjisë.

Lista prej 50 deri më 60 miliardë dollarë në importet vjetore pritet të shënjeshtrojë produktet e “teknologjisë së avancuar”, dhe mund të zgjasë deri në dy muaj derisa të njëjtat të fillojnë zbatimin, kanë thënë zyrtarë të administratës.

Caku ‘MADE IN CHINA 2025’

Zyrtarët e industrisë së teknologjisë së SHBA-së kanë thënë se presin që nw listwn e administratës së Trumpit të jenë produkte që përfitojnë nga programi i Pekinit “Made in China 2025”, i cili ka për qëllim rritjen e prodhimit të brendshëm me produkte më të avancuara.

Në raporte thuhet se në tarifa mund të përfshihen edhe mallrat e konsumatorëve si veshjet dhe të mbathurat.

Kohë e kufizuar për bisedime

Ndonëse ka pasur kontatke në mes të zyrtarëve të lartë të administratës së Trumpit dhe homologëve të tyre kinezë prej kur presidenti amerikan ka njoftuar për qëllimin e tarifave të reja, nga ajo kohë ka pasur pak të dhëna për negociata në këtë aspekt.

“Administrata është duke ndjekur modelin japonez të viteve të1980-ta”, ka thënë një shef i industrisë së teknologjisë.

“Ata do të publikojnë një regjistër federal të tarifave të reja në produkte të caktuara dhe do të tentojnë të negociojnë një marrëveshje brenda 60 ditëve”.

Gjatë periudhës së parë në administratën e Reganit zyra e Përfaqësuesve Tregtarë të SHBA-së, ka përdorur taktika të njëjta për të fituar në eksportet japoneze në çelik.

Ish-zëvendësja e kësaj zyre për negociatat me Azinë, Wendy Cutler ka thënë se adresimi i supozimeve për vjedhje të pronës intelektuale, do të kërkonte ndryshime masive në politikën industriale të Kinës.

Sipas saj në marrëveshje brenda 60 ditëve nuk mund të jetë realiste në këtë çështje.

Delawie mburret me dy investimet e mëdha amerikane në Kosovë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Greg Delawie ka shfaqur gëzim dhe krenari të mërkurën pasdite pasi dy super kompani të mëdha amerikane kanë vendosur që të investojnë në Kosovë

“Jam i lumtur të shoh se rrjeti i hoteleve Marriott po investon në Kosovë. Për herë të parë në Kosovë po hapen hotele të brendit amerikan. Kosova ka potencial të madh për investime ndërkombëtare”, ka shkruar ambasadori amerikan në “Twitter”.

E partneri i këtyre investimeve të mëdha që do të ndërtohen në dy lokacione tejet të rëndësishme në Prishtinë, “Four Points by Sheraton” në lagjen “Marigona Residence” dhe “Courtyard by Marriott” që do të jetë në qendër të kryeqytetit, është kompania e madhe kosovare “Marigona”.

Ambasadori Delawie mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj kontrate mes “Marigona” dhe “Marriott International” që u zhvillua të mërkurën në ambienetet e “Marigona Residence”./Insajderi.com

Mbi 10 milionë euro fitime nga tarifa në Rrugën e Kombit

Shqipëria ka vendosur që të vë tarifë për veturat që kalojnë nëpër rrugn e kombit. Pagesa për vetuar do të jetë pesë euro

Sipas një studimi të fizibilitetit në Rrugën e Kombit kalojnë mesatarisht 6000 vetura brenda ditës.
Një përllogaritje me tarifën minimale pesë euro (sepse ka edhe tarifa të tjera), fitimet do të jenë afër 11 milionë euro në vit.

Por, kur shtohen këtu edhe pagesat për mjete të mëdha si autobus e kamion që tariforen më shumë, atëherë kjo shumë pritet të rritet edhe më.

Për rreth 30 vjet pritet që fitimet të jenë afër gjysmë-miliardi. Siç dihet, rruga e kombit është e lëshuar me koncesion për 30 vjet tek një kompani turke dhe dy shqiptare.

Ndërkaq, lidhur me këtë ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka bërë të ditur për Telegrafin se është i interesuar që sa më parë të definohen gjërat sa i përket autostradave, duke thënë se do të merren parasysh modelet me të mira për zhvillimin e këtij projekti.

Ai nuk ka përmendur tarifën që Qeveria e Shqipërisë ka vendosur për kosovarët. Ndërsa, Safet Gerxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), tha se një taksë e tillë për autostradën do të gjenerojë shumë më tepër efekte negative se sa pozitive.

Ai sqaroi se ekzistojnë barriera të mjaftueshme në mes të një populli të ndarë në dy shtete, dhe kjo do të jetë një barrierë shtesë që do të godasë më së shumti kosovarët.

“Bashkëpunimi ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë si dy shtete të një populli të ndarë nuk është në nivelin e dëshiruar. Ekzistojnë barriera të ndryshme qoftë tarifore, por edhe jo tarifore, të cilat e vështirësojnë avancimin e bashkëpunimit, prandaj fillimi i zbatimit të taksës rrugore do të jetë edhe një barrierë shtesë që do të godas më së shumti kosovarët pasi atë e vizitojnë Shqipërinë më së shumti gjatë vitit. Kjo taksë rrugore do të ndikojë edhe në shfrytëzimin e shërbimeve të Portit të Durrësit, e me siguri do të ndikojë në koston e shërbimeve dhe produkteve që do të godasë qytetarët me ngritjen e kostos. Prandaj, një taksë e tillë do të gjeneroj shumë më tepër efekte negative se sa pozitive”, theksoi për Telegrafin Gërxhaliu.

Vetëm të pasurit përfituan nga falja e borxheve në Kosovë

Në vitin 2015 në Kosovë u bënë disa reforma fiskale, u konstruktua një pako e re fiskale pjesë e së cilës ishin Ligji për Tatimin në të Ardhurat Personale, Ligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave si dhe Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ndërsa zbatimi i saj filloi në muajin shtator

Risi me këtë pako të re fiskale ishte aplikimi për herë të parë në Kosovë i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në dy nivele- norma standarde prej 18 për qind dhe ajo e reduktuar me 8 për qind me qëllim te përfitimit të shportave familjare.

Në mbledhjen të qeverisë më 2 shtator të 2015-ës, një ditë pas hyrjes në fuqi të pakos fiskale, ish-kryeministri Isa Mustafa nuk kishte përmendur vetëm përfitimet biznesore dhe ekonomike.

“Nga pakoja fiskale, konkretisht nga ulja e pragut të TVSH-së, nga 16 në 8 për qind, përfitojnë gjithë qytetarët ose shportat familjare të qytetarëve që kanë të ardhura të ulëta dhe të ardhura të mesme”, tha Mustafa.

Kryeministri i atëhershëm shfaqi bindjen se pakoja mbron standardin e jetesës. “Nuk përfitojnë ata që kanë të ardhura të larta, sepse struktura e mallrave që konsumohen është e tillë që është destinuar që të përfitojnë ata që kanë të ardhura me të ulëta dhe të mesme në mënyrë që të mbrohet standardi i jetesës, familjeve dhe të qytetarëve dhe po ashtu përfitojnë bizneset”, tha ai.

Por të dhënat që dalin nga një analizë e Gazetës Jeta në Kosovë treguan se pakoja fiskale jo vetëm se nuk ka arritur t’i ulë çmimet por mund të ketë rritur ato. Në nëntor të vitit 2016 Instituti GAP gjithashtu doli me një publikim-analizë ku thotë se Ligji i ri i TVSh-së po i varfëron qytetarët.

“Jep aty ku ka”

Për të varfrit nuk ishte as falja e borxheve. Nga Ligji për Faljen e Borxheve përfituan ata që kishin të ardhura të larta duke i lënë kështu rastet sociale në borxhe të pashlyeshme.

Po në shtator të 2015-ës hyri në fuqi edhe Ligji për Faljen e Borxheve. Sipas këtij Ligji qytetarët e Kosovës mund ta shlyenin borxhin deri në fund të vitit 2008 me kusht që nga viti 2009 deri në fund të vitit 2014 t’i kryenin obligimet e tyre.

Kufizimi i faljes së borxheve si duket ndikoi që familjet me të ardhura të ulëta të jenë vetëm vëzhguese të faljes së borxheve të të tjerëve.

Institutit GAP tha se nga Ligji për Faljen e Borxheve kanë përfituar njerëzit me të ardhura të larta, por jo edhe rastet sociale, ndërsa i rekomandoi Qeverisë së Kosovë që të falë me automatizëm borxhet për rastet sociale.

Në raportin e institutit GAP thuhet se borxhi total deri në fund të vitit 2008 ishte 584 milionë euro.

Sipas GAP-it janë falur rreth 56 për qind e borxheve që i takojnë periudhës deri në fund të vitit 2008 dhe janë inkasuar rreth 30 për qind e borxheve për periudhën 2009 deri 2014.

Gjithashtu, në konferencë u tha se për shkak të mosraportimit të saktë, shifrat për faljen e borxheve dhe atyre të mbetura ende nuk dihen.

Zëvendësministri i Financave Fatmir Gashi tha se Ligji për Faljen e Borxheve nuk u ka dhënë mundësi të përfitojnë rasteve sociale.

“Ligji ka qenë i lidhur në dy faza, faza e shlyerjes tërësisht të borxheve deri në vitin 2008 dhe ka qenë kushti që të kryhen obligimet prej 1 janari 2009 deri me 31.12.2014. Ky është ai problemi që të rastet sociale nuk kanë mund me i shlye këto borxhe dhe nuk kanë mund të marrin atë benefit për fshirjen e borxheve deri me 31.12.2008”, tha Gashi.

Gashi deklaroi se duhet të bëhet një analizë për të shikuar se si mund t’u ndihmohet rasteve sociale në lidhje me borxhet.

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sipas të cilave deri në vitin 2016 janë 26 mijë e 302 familje që marrin ndihma sociale.

Ky numër është rritur për 359 familje më tepër në krahasim me 2015-ën kur numri i familjeve të varfra ishte 25 mijë e 943.

Regjioni i Prishtinës numëron më shumë familje të varfra- mbi 7 mijë e 500 familje duke u renditur më pas regjioni i Mitrovicës mbi 5 mijë e 900 familje, përderisa nga regjionet tjera të Kosovë numri i familjeve që ndihmohen nga shtetit janë prej 2 deri në 3 mijë familje.