Pak përfitime nga falja e borxheve

Nga kampanja për faljen e borxheve të qytetarëve dhe bizneseve u janë falur rreth 400 milionë euro nga Qeveria e Kosovës. Zyrtarët qeveritarë kishin planifikuar që t’u falnim rreth 680 milionë euro borxhe ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike

Vetëm Administratë Tatimore e Kosovës (ATK), ngrohtorja “Termokos” edhe Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” u kanë falur konsumatorëve mbi 260 milionë euro, ndërsa kanë përfituar mbi 100 mijë persona.

Për faljen e borxheve, Qeveria e Kosovës pati marrë vendim në muajin shkurt të vitit 2015, kurse në muajin shtator të po atij viti, kishte miratuar edhe Ligjin për Faljen e Borxheve Publike dhe ka qenë në fuqi për dy vite deri në shtator të vitit 2017.

Ky Ligj mundësoi faljen e borxheve që kishin qytetarët dhe bizneset ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike deri më 31 dhjetor 2008. Kusht për përfitim nga kjo falje ishte pagesa e plotë apo lidhja e kontratave dy dhe tri vjeçare për persona fizikë dhe juridikë për pagesën e tyre që janë të akumuluara nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014.

Borxhi grumbulluar deri në fund të vitit 2008 ishte rreth 680 milionë euro. Nga kjo shumë, 465 milionë euro apo 69 për qind janë borxhe ndaj ndërmarrjeve publike, 148 milionë euro apo 22 për qind janë borxhe të bizneseve aktive ndaj ATK-së dhe 57 milionë euro apo 9 për qind janë borxhe ndaj Doganës së Kosovës.

Sipas një analize të Institutit GAP me temë “Efektet e Ligjit për Faljen e Borxheve”, ka dal se procesi për faljen e borxheve nuk ka qenë transparent.

“Procesi i faljes së borxheve në Kosovë nuk ka qenë transparent dhe nuk është raportuar saktë. Komisioni për mbikëqyrjen e faljes së borxheve në Ministrinë e Financave nuk ka arritur të sigurojë raporte nga të gjitha ndërmarrjet publike dhe institucionet shtetërore dhe të dhënat për faljen e borxheve nuk kanë qenë të qasshme për publikun”, thuhet në raportin e GAP-it.

Po ashtu, sipas të dhënave të Institutit GAP, borxhi total ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike deri në fund të vitit 2008 ishte 584 milionë euro.

Për sa i përket suksesit të Ligjit për Faljen e Borxheve, duke u bazuar nga të dhënat e Institutit GAP, në raport del se janë falur rreth 56 për qind e borxheve, apo 324 milionë euro që i takojnë periudhës deri në fund të vitit 2008, kurse për periudhën 2009-2014, janë shlyer 76 milionë, apo 30 për qind nga 254 milionë euro borxh.

Nga të dhënat e ATK-së, del se vlera e borxhit të falur nga ky institucion është mbi 245 milionë euro, ndërsa vlera e borxhit të arkëtuar është 35 milionë euro.

“Nga zbatimi i Ligjit për Faljen e Borxheve Publike Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur që të pastro listat e tatimpaguesve të cilët kanë pas obligime të pashlyera në ATK. Gjithsej numri i përfituesve nga ky ligj është 44,046. Vlera e borxhit të falur është 245.1 milionë euro, ndërsa vlera e borxhit të arkëtuar është 35 milionë euro”, tha për Telegrafi zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi.

Nga Ligji për Faljen e Borxheve në ngrohtoren “Termokos” kanë përfituar mbi katër mijë konsumatorë në Prishtinë, duke u falur atyre mbi 4.6 milionë euro borxhe.

“Gjatë kohës sa ka qenë në fuqi Ligji, ‘Termokos’ në saje të marrëveshjeve që ka lidhur me 4,464 konsumatorë, duke u bazuar në këtë ligj u ka falur atyre 4,634,913.83 euro borxhe, që kanë ndaj kompanisë sonë. Prej tyre 4,449,811.29 euro kanë qenë borxhe të subjekteve banesore, ndërsa 185,102.54 euro kanë qenë borxhe të subjekteve afariste dhe institucioneve”, tha për Telegrafi, zëdhënësja e Termokos-it, Afërdita Uka.

Po ashtu, ajo ka treguar se totali i konsumatorëve prej 12,453 me borxhe kanë qenë 10,399 konsumatorë, ndërsa nga falja e pakushtëzuar e borxheve, në bazë të Nenit 6 të Udhëzimit Administrativ për faljen e borxheve publike, me borxhin nën 100 euro kanë qenë 611 konsumatorë ku kanë përfituar nga falja e borxheve.

Në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, janë falur 10.4 milionë euro borxhe ku kanë përfituar 51,986 konsumatorë nga 78,631 konsumatorë kanë qenë në listën e përgjithshme.

“51,986 konsumatorë të KRU “Prishtina”, kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike nga 78,631 konsumatorë kanë qenë në listën e përgjithshme me 10,422,393 euro borxh të falur”, tha për Telegrafi, Arjeta Mjeku, zëdhënëse e KRU “Prishtina”.

Me Ligjin për Faljen e Borxheve, Qeveria shpresonte të stimulojë konsumatorët për pagesa të rregullta të detyrimeve ndaj shtetit në vitet që pasojnë dhe u pa si hap shumë të rëndësishëm, i cili do t’u ndihmojë qytetarëve të vendit, sidomos shtresat sociale.

Mirëpo, në kohën kur ishte miratuar Ligji, kjo iniciativë nga shoqëria civile ishte konsideruar e padrejtë për konsumatorët e disiplinuar të cilët kanë paguar të gjitha detyrimet gjatë asaj periudhe. Ata patën theksuar se me këtë masë janë shpërblyer qytetarët dhe bizneset që nuk kanë respektuar pagesat dhe borxhet, duke shmangur tatimet dhe duke mos paguar për shërbimet publike, kurse janë dënuar të gjithë qytetarët e ndërgjegjshëm të cilët i kanë shlyer vetë dhe me kohë këto borxhe.

Dogana konfirmon prishjen e sistemit, thonë se deri nesër rregullohet

Sistemi ASYCUDA që shërben për zhdoganim e mallrave në Doganën e Kosovës ka rënë gjatë ditës së sotme dhe i njejti pritet të rregullohet deri nesër. Mallrat nuk mund të doganohen pa u rregulluar ky sisitem

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci tha për Gazetën Express, se po punohet për t’u rregulluar serveri, mirëpo sipas tij gjatë të shtunave nuk ka doganim të madh. Express ka raportuar për rënien e sistemit të Doganës, këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci

“Është prish një lloj serveri, jemi tu punu me rregullu. Sot është prish, deri nëser pritet mu rregullu”, tha Stavileci. Mallrat nuk mund të kalojnë pa u zhbllokuar ky sistemi. Megjithatë, Stavileci thotë se dita e shtunë nuk ka doganim te madh.

“Nuk mujn me pas doganim pa u ndreq sistemi, zakonisht e shtunja nuk është një ditë që ka doganim të madh. Shpresoj që e rregullojnë”, përfundoi ai.

Prodhimet e Kosovës në Shqipëri pengohen nga grupe interesi

Prodhuesit nga Kosova kërkojnë më shumë hapësirë për t’i plasuar produktet e tyre apo për të investuar në Shqipëri. Ata shprehen se në përgjithësi prodhuesit nga Shqipëria janë të hapur për tregti të lirë, por disa grupe të interesit po pengojnë një gjë të tillë

Patatja e Kosovës është bërë sinonim i barrierave tregtare, por sipas Astrit Panxhës nga Klubi i Prodhuesve Kosovarë, janë edhe prodhime tjera që kanë pengesa të ndryshme për t’u plasuar në Shqipëri.

“Pse birra Peja duhet të ketë aq shumë vështirësi për të depërtuar në tregun e Shqipërisë, ndërsa birrat nga Shqipëria që depërtojnë në Kosovë nuk kanë asnjë pengesë. Patatja e Kosovës është bërë sinonim i marrëdhënieve tona tregtare për fat të keq. Nuk ka justifikimeve më se barnat e Kosovës po kanë vështirësi të depërtojnë në Shqipëri, derisa i plotësojnë të gjitha kushtet”, shprehet Panxha për Radio Kosovën.

Kurse Astrit Shabani nga një kompani prodhuese, potencon çështjen e sigurisë si një gjë të rëndësishme e cila po bën që bizneset nga Kosova të ngurrojnë të plasojnë produkte apo të investojnë në Shqipëri.

“Një shqetësim i neve prodhuesve nga Kosova për të marrë pjesë në tregun e Shqipërisë në çfarëdo forme apo me prezencë të produkteve apo në investime është siguria, sepse vitet e fundit nuk është se kemi kaluar përvojë të mirë në sigurinë individuale apo në sigurimin e pronës së investuar atje. Është një situatë jo e favorshme, personalisht kemi tentuar në forma të ndryshme të jemi prezent në treg, por ne akoma jemi në stad kur nuk e ndiejmë vetën të sigurt”, thotë Shabani.

Me gjithë këto probleme, Panxha nga klubi i prodhuesve thotë se problemi qëndron tek grupe të interesit e jo tek shumica e prodhuesve nga Shqipëria.

Ai shprehet se nuk duhet mbrojtur interesin e një individi, përmbi interesin e shtetit.

“Prodhuesit nga dy anët tregojnë që nuk kanë frikë nga tregtia e lirë, përkundrazi janë pro tregtisë së lirë, por duhet të identifikojmë cilat janë ato grupe të interesit që po e pengojnë tregtinë e lirë mes dy vendeve”, thotë Panxha.

Panxha shprehet se tregu i Shqipërisë duhet të jetë vazhdimësi e tregut të Kosovës, ku prezenca e produkteve të Kosovës duhet të ndodhë pa probleme.

Rafuna tregon se cili është synimi i bashkimit doganor Kosovë – Shqipëri

Thjeshtimi i procedurave doganore dhe eliminimi i burokracisë në vendkalimet doganore me Kosovën është një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare, nënvizuar disa herë edhe nga kryeministri, Edi Rama

Në një intervistë për ATSH-në, këshilltari i kryeministrit për tatimet dhe doganat, Lulzim Rafuna deklaroi se thjeshtimi i këtyre procedurave dhe eliminimi i burokracive ka qëllim të vetëm, qarkullimin sa më lehtë të mallrave dhe qytetarëve në dy anët e kufirit.

“Gjatë mandatit të kryeministrit Rama janë bërë hapa shumë të mëdhenj në pjesën e integrimit dhe harmonizimit të procedurave doganore mes të dy vendeve. Janë arritje shumë të mëdha, të cilat nuk kanë ndodhur asnjëherë më parë”, shprehet Rafuna.

Kërkesa e kryeministrit Rama, thotë ai, është që të avancojmë më tej në harmonizimin e praktikave të punës së doganës dhe policisë në kufi, për të lënë prapa në të shkuarën metodat e vjetra të punës dhe për të adaptuar metodat më të zhvilluara europiane të punës për kontrollin e mallrave dhe qytetarëve të dy shteteve tona në vendkalimin doganor të Morinës dhe Vermicës.

“Për këtë arsye objekti i cili është në përfundim e sipër në vendkalimin doganor të Morinës është ndërtuar për t’i shërbyer dy administratave doganore, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë. Është një objekt i cili është ndërtuar sipas kërkesave dhe standardeve të BE-së dhe plotëson të gjitha kushtet e operimit të përbashkët të dy administratave në një dritare të vetme. Fillimi i punës në një dritare të vetme, sipas pritshmërive tona është të nis në fund te muajit mars”, deklaroi këshilltari i kryeministrit.

Duke u ndalur në përfitimet e biznesit nga ky proces, Rafuna thotë se ato janë të mëdha.

“E para kursimi i kohës, për arsye se do të ketë një ndalesë të vetme për t’i përfunduar procedurat doganor si për Shqipërinë, po ashtu edhe për Kosovën. Nuk do të ketë nevojë në të ardhmen që malli në eksport të ndalojë në Morinë, një herë te dogana apo policia shqiptare dhe më pas të kryejë të njëjtat procedura importi vetëm 100 m më tej pranë doganës së Kosovës. Do të jetë një ndalesë e vetme për dy doganat”, shpjegoi Rafuna.

Më pas, theksoi ai, do të jetë një korsi e ndarë e veçantë për mallrat me origjinë të Shqipërisë dhe Kosovës, ku bizneset e të dy vendeve do të autorizohen me certifikatën e Operatorit të Autorizuar Ekonomik nga njëra doganë.

Kjo certifikatë, sipas Rafunës, do të pranohet automatikisht nga dogana tjetër homologe dhe mallrat vetëm do të evidentohen në mënyrë elektronike, pa pasur nevojë për prezencën fizike të oficerit doganor në korsi. “Ky është një sistem europian”, deklaron Rafuna.

Kjo metodë e punës, nënvizon ai, eliminon burokracinë e zyrtarëve, eliminon kërkesën për letra të ndryshme dhe e gjithë kjo kthehet në eliminim të vuajtjeve të qytetarëve dhe biznesit, për të pritur në radhë të gjatë me dite të tëra për të kaluar kufirin, e cila më pas rrit koston e biznesit.

“Qëllimi ynë final është që në kuptim të qarkullimit të mallrave Shqipëri – Kosovë dhe anasjelltas të mos vërehet kufiri. Nga një kufi klasik të kthehet në një kufi virtual, i cili nuk do të shërbejë për procedura klasike doganore, por vetëm për evidentim të mallrave për detyrimet kontraktuale ndërkombëtare që i kemi në këtë rast me BE-në”, bën të ditur Rafuna.

Më tej, ai bën të ditur se ministritë e dy vendeve janë duke punuar për të krijuar një plan pune konkret me hapa dhe vendime që duhen ndërmarrë për të harmonizuar procedurat dhe politikat ekonomike – fiskale, në mënyrë që të kemi sa më shumë lehtësira në bashkëpunim ekonomik.

Nisur nga kjo, Rafuna i bën apel edhe komunitetit të biznesit që të organizohen në një trup të përbashkët dhe të paraqesin propozimet e tyre që do të çonin në lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe kapitalit në dy anët e kufirit.

Rafuna thotë se çdo ditë e më shumë vërehet një rritje e bashkëpunimit ekonomik mes bizneseve të dy vendeve, megjithëse ai nënvizon se ka hapësira për më tepër bashkëpunim.

“Jam i lumtur që çdo ditë e më shumë po rritet bashkëpunimi i bizneseve Kosovë-Shqipëri. Por natyrisht që nuk është e mjaftueshme, për arsye se ka shumë hapësirë dhe mundësi. Integrimi përmes bashkëpunimit ekonomik, do të na vendosë në një pozitë shumë më të favorshme për motivim të investimeve të huaja në dy shtetet tona, si një treg i vetëm me përafërsisht 5 milionë konsumatorë. Kjo do të na bënte më atraktive për investime se sa Maqedonia dhe Mali i Zi, duke iu afruar Serbisë. Në këtë rast, në krahasim me Serbinë, kemi një përparësi tjetër të madhe, ku e kalojmë për arsye të gjeneratës shumë të re të popullsisë që kemi, krahasuar me Serbinë”, nënvizon ai.

Ndaj, vijon këshilltari i kryeministrit, qeveria Rama është e përkushtuar shumë dhe e ka prioritetin më të lartë avancimin sa më shumë në integrimin dhe harmonizimin e politikave ekonomiko – fiskale me Kosovën.

Ndalimi i dizelit në Gjermani vështirë i realizueshëm para vitit 2020

Çdo ndalim për naftën sintentike (dizel) do të marrë dy vite kohë për t’u zbatuar, në mënyrë që qytetet e prekura të gjejnë mënyra të tjera për të reduktuar ndotjen, ka thënë ministri i Transportit të shtetit gjerman, Vestfalia, Hendrik Wuest

“Do të ketë plane të reja kundër ndotjes. Këto mund të sfidohen në gjyq, mirëpo në ndërkohë gjithçka duhet të jetë e vendosur deri më 2020”, është cituar të ketë thënë Wuest, në një intervistë të publikuar sot nga Rheinische Post, transmeton Reuters.

Deri në atë kohë, një pako e masave do të reduktojë nivelet oksidit toksik të nitrogjenit në ajër”, ka thënë ai. “Ndalimet janë të shmangshme”, në Vestfali, ka thënë ai.

Një gjykatë federale ka vendosur të martën se qytetet gjermane mund të ndalojnë qarkullimin e veturave që funksionojnë me dizel. Një hap i tillë mund të përshpejtojë ndryshimet e motorit me djegie dhe të detyrojë prodhuesit që të paguajnë për të përmirësuar sistemet e shkarkimit.

Flasin ekspertët: Kush po rrezikohet më shumë nga rënia e Bitcoin? (video)

Valutat virtuale, apo si i quajnë ndryshe kriptovalutat, kanë rënë gati në nivelet më të ulëta të tyre që nga nëntori i vitit të kaluar. Ndërsa pavarësisht se janari dhe shkurti i këtij viti e gjeti tregun e kriptovalutave me rënie të vlerës së tyre, njohësit e kësaj fushe thonë se një e gjë e tillë nuk paraqet ndonjë rrezik

Madje, inxhinieri Ermal Sadiku ka bërë të ditur për KosovaPress se rëniet veç kanë qenë të pritura.
Teksa ka theksuar se në lëvizjen e çmimeve të kriptovalutave ndikojnë shumë faktorë, e ndër ta më së shumti spekulimet.

“Ka qenë deri diku e pritshme. Nuk e di a ka qenë i pritshëm niveli i rënies, por ka qenë e pritshme që ka me pasur rënie të tilla. Kriptovalutat dhe krejt kjo industri është shumë e re dhe shumë e ndjeshme, shumë e lëvizshme, e bazuar në spekulime dhe spekulimet e këqija normalisht se ndikojnë shumë në lëvizje të çmimeve, uljen e tyre. Kanë ndikuar shumë gjëra: tentim për t’i rregulluar, tentimi për t’i kontrolluar, ‘fake news’, ka pasur shumë lajme të rreme. Pastaj është vet periudha, janari, që është gjithmonë periudha që ka ndikuar në çmime. Pastaj problemet e ndryshme të dollarit, që edhe ai ka pësuar shumë rënie. Të gjitha tregjet kanë pësuar njëfarë rënie”, tha ai.

Megjithatë, ai theksoi se rënia e vlerës së kriptovalutave është e rrezikshme për ata që kanë investuar dhe kanë blerë kriptovaluta me çmime të larta, teksa thotë se nuk paraqet rrezik për ata që kanë blerë kriptovaluta në kohën kur kanë qenë më lirë.

“A është e rrezikshme? Është e rrezikshme për ata që kanë investuar dhe kanë blerë kriptovaluta me çmime të larta. Për ata që kanë blerë para 6 muajsh nuk ka qenë e rrezikshme, sepse me gjithë këtë idenë se ka pasur rënie, prapë se prapë niveli i çmimeve ka qenë sikur në periudhën nëntor-dhjetor”, u shpreh Sadiku.

Sipas inxhinierit Ermal Sadiku, rëniet e vlerës së kriptovalutave duhet parë varësisht nga periudhat se kur ndodhin.

“Rënien duhet me e pa në periudha të caktuara, nëse ne e marrim për ta kontrolluar në një periudhë 1 vjeçare, sot është çmimi 10 fish më i madh sesa që ka qenë para 1 viti. Nëse e shikojmë në mënyrë 6 mujore, sot prapë çmimi është më i madh se që ka qenë edhe para 3 muajsh. Nëse e shikojmë në krahasim me 2 muaj, ose me 5-6 janar kur ka qenë një ngritje ekstrem e lartë, atëherë është më i ulët”, bëri të ditur ai.

Edhe Granit Kadolli, njohës i kësaj fushe, ka shpjeguar se sistemi i kriptovalutave nuk mund të bie asnjëherë në zero.

E për këtë ai tha se edhe bankat në Amerikë kanë bërë hapat e parë për të mos i lënë njerëzit të tërheqin paratë e tyre vetëm për shkak të spekulimeve.

“Kjo nuk ka për të rënë në zero qysh po diskutohet, sepse është shumë kapital i madh, shumë para janë investuar. Shumë programerë janë të involvuar, nuk janë më një, janë 10 mijë e më shumë. Janë shumë biznese të mëdha, asnjë nuk ka qejf të tërheq paratë. E dyta është se një rregullore që është hartuar para një muaji në Amerikë që nuk mund të tërhiqen më shumë 3-7 mijë dollarë. Tri bankat më të mëdha në Amerikë e kanë ndaluar tërheqjen e parasë ‘fiat’ për arsye se njerëzit kanë pasur panik dhe kjo ka reflektuar edhe tek pjesa e dollarit në botë dhe në ekonomi. Ato rregullore janë bërë brenda 24 orësh”, tha ai.

Madje, Kadolli thotë se edhe nëse gjithçka shkatërrohet, sistemi i kriptovalutave nuk ka për të rënë asnjëherë për shkak se siç thotë ai, në botë janë 15-16 mijë pika të cilat e mbrojnë bitcoin-in si valutë.

Ndryshe, rënie të bitcoin-it si kriptovalutë ka pasur pothuajse gjatë gjithë pjesës së parë të vitit të kaluar, teksa rritje më të dukshme prej 2 mijë e 725 dollarë amerikan ka shënuar më 25 maj 2017-të. E kulminacioni i vlerës së tij për vitin e kaluar del të jetë më 27 dhjetor, prej 19 mijë e 211 dollarësh amerikan.

Në 2018-ën bitcoin e ka nisur me rënie, ku rënie drastike pati më 6 shkurt të këtij viti, vlera e tij ra në 6 mijë e 522 dollarë./Telegrafi/

Trump nis luftën tregtare me botën, kundërpërgjigjet fort BE-ja

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka hedhur hapat e para drejt krijimit të luftës tregtare me vendet e të gjithë botës, duke vendosur tarifa mbi çelikun dhe aluminin e importuar

Plani i tij ka marrë reagime nga e gjithë bota pasi tarifat janë 25 për qind për çelikun dhe 10 për qind për aluminin. Plani i Trump-it me sa duket ka synimin që të nxisë prodhimin në vend , në SHBA dhe të ulë importet nga jashtë. Por ky lloj proteksionizmi ka nxitur ekspertët të bëjnë paralajmërime serioze jo vetëm për nisjen e një lufte tregtare, por edhe për rrezikun e madh të kthimit të një periudhe depresioni të madh në ekonomi. Zv.Presidenti i Komisionit Europian, Jyrki Katainen, ka paralajmëruar se tarifat e reja të Trump-it mund të provokojnë një luftë të re globale tregtare.

Katainen, ish-Kryeministër i Finlandës, theksoi se proteksionizmi ndihmoi në krijimin e Depresionit të madh në vitet 1930. Por Presidenti Donald Trump duket se e mirëpriti mundësinë për një luftë tregtare, duke shkruar në llogarinë e tij në “Twitter” të premten: “Kur një vend (USA) po humbet miliarda dollarë në tregti me virtualisht çdo vend që po bën biznes, luftërat e tregtisë janë të mira dhe të lehta për t’u fituar. Shembull, kur ne jemi me humbje 100 miliardë dollarë me një vend të caktuar që po bëjmë tregti dhe ata sillen mirë, po mos bëjmë më tregti me atë vend, ne fitojmë shumë. Është e thjeshtë!”. Brenda BE-së, Gjermania do të merrte goditjen më të madhe nga tarifat e reja të kërkuara nga Trump. Importet e SHBA-së për çelikun janë: 16 për qind nga Kanadaja, 13 për qind nga Brazili, 10 për qind nga Koreja e Jugut, 9 për qind nga Rusia,7 për qind nga Turqia, 5 për qind nga Japonia, 4 për qind nga Tajvani, 3 për qind nga Gjermania dhe 2 për qind nga India.

KUNDËRPËRGJIGJIA E BE-së

Pas deklaratës së Trumpit, Europa ka kërcënuar me kundërpërgjigje duke dhënë shenjat e para se ka nisur tashmë një luftë tregtare. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, ka deklaruar se edhe BE do ta godasë Amerikën me tarifa të reja për shitjet në Europë: “Ne do të vendosim tarifa ndaj Harley-Davidson, Whiskey-n Bourbon dhe mbi xhinset Levi’s. Ne jemi këtu dhe ata duhet të na njohin. Ne do të preferonim një marrëdhënie të arsyeshme me Shtetet e Bashkuara, por thjesht ne nuk mund të zhysim kokën tonë në rërë”, është shprehur Juncker, duke folur në një televizion gjerman.

REAGIMI NË KANADA

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha të premten se tarifat e SHBA-ve mbi importet e çelikut dhe aluminit do të ishin “absolutisht të papranueshme” dhe shtoi se qeveria e tij do të vazhdojë të diskutojë me zyrtarët amerikanë mbi këtë çështje. Zyrtarët amerikanë nuk kanë thënë nëse propozimet për tarifat e reja do të prekin edhe Kanadanë apo Meksikën. Priten ende detaje të reja nga plani i Presidentit të Shteteve të Bashkuara për të rritur me 25 për qind tarifat mbi çelikun dhe 10 për qind mbi aluminin, nëse do të përfshihen të gjitha vendet e botës apo do të ketë ndryshime në marrëdhënie tregtare nga vendi në vend.

PANORAMA

Trump rrit tarifat e çelikut, partnerët kërcënojnë me hakmarrje

Partnerët kryesorë tregtarë të Shteteve të Bashkuara reaguan me zemërim pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se do të vë tarifa mbi importet e çelikut dhe aluminit

Kanadaja dhe Bashkimi Evropian thanë se do të dalin me kundërmasa ndaj tarifave të reja. “Ne nuk do të rrimë ulur, derisa industria jonë goditet me masa të padrejta”, tha presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker. Meksika, Kina dhe Brazili thanë po ashtu se po peshojnë hapat hakmarrës.

Trump, në një postim në Twitter, tha se SHBA-ja “është shkatërruar nga tregtia e padrejtë dhe politika e keqe”. Ai tha se importet e çelikut do të përballen me një tarifë prej 25%, ndërsa të aluminit 10%.

Kritikët thonë se tarifat e reja nuk do t’i mbrojnë vendet e punës në Amerikë dhe se ato do t’i rrisin çmimet për konsumatorët. Lajmi bëri që tregjet në Azi të bien të premten.

Raporti i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor

BERZH: Ballkanit Perëndimor i duhen dekada për të arritur standardin mesatar të jetesës në BE. Raporti i BERZH konstaton nevojën urgjente për një program të gjerë dhe gjithëpërfshirës reformash

Publikimi i këtij raporti përkon në kohë me zhvillimin në Londër, në selinë qëndrore të BERZH-it, të Konferencës Rajonale të nivelit të lartë për Investime në Ballkanin Perëndimor (BP), e katërta në serinë e konferencave të tilla. Burime zyrtare të BERZH thanë për DW se qëllimi i kësaj konference është tërheqja e investimeve të huaja me fokus promovimin e projekteve në transport dhe energji dhe bashkëpunimin rajonal në këto fusha. Kryemnistrat e gjashtë vendeve të rajonit, pjesëmarrës në këtë konferencë paraqitën mundësittë konkrete për investime të huaja në vendet e tyre. Zyra e shtypit në Kryemnistri bën me dije se Kryemnistri i Shqipërisë, Edi Rama, prezantoi potencialet e Shqipërisë në sektorin energjetik dhe ato në atë të turizmit, i cili ofron mudësi investimesh të huaja, sidomos në turizmin elitar. Por të dhënat e publikuara në “Raportin diagnostikues “të BERZH-it prezantojnë sfida të mëdha që mundësitë për investime të huaja në Shqipëri dhe pesë vendet e tjera të BP të kthehen në realitet.

Diagnoza e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor

Raporti konfirmon potencialin e fortë ekonomik të BP për rritje ekonomike dhe për të kapur standardet e BE. Por të gjashtë vendet e rajonit duhet të bëjnë “më shumë për të përmirësuar performancën e tyre ekonomike”. Në progresin drejt anëtarësimit të mundshëm në BE , të gjashtë vendeve aspirante një rol pozitiv po luan bashkëpunimi rajonal mes “Shqipërisë, Bosnjë- Hercegovinës, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë”, vëren raporti.

Por sfida më e madhe e vendeve të BP mbetet arritja e standardeve të jetesës së BE. Sipas raportit diagnostikues të BERZH do të duhen dekada, madje edhe me skenarët më optimistë, që rajoni të arrijë standardet mesatare të jetesës së BE. Për arritjen e plotë të këtyre standardeve, vendet e BP duhet të “zbatojnë një axhendë të vendosur dhe gjithëpërfshirëse të reformave për rritjen e produktivitetit dhe investimeve” thekson raporti.

Produktiviteti i ulët shkak themelor i zhvillimit të ulët ekonomik në BP

Produktiviteti i ulët reflekton institucionet e dobëta dhe mjedisin e vështirë të biznesit në BP, konstaton raporti. Sfidat më të mëdha që gjashtë vendet e rajonit duhet të fitojnë janë ato në fushat e konkurrencës dhe qeverisjes së mirë. Realiteti aktual në BP është i tillë ku „institucioneve të dobëta u shtohet edhe prania e madhe e shtetit në industri të caktuara, gjë që frenon sektorin privat, kontribuesin kryesor të prodhimit ekonomik nga arritja e potencialit të plotë të tij.” Raporti vëren se produktiviteti i sektorit privat në të gjithë BP është vetëm 60 % i nivelit të BE në tërësi, ku industritë përpunuese kanë 55 % produktivitet dhe shërbimet kanë një mesatare prej 70 %. Përveҫ kufizimeve në produktivitetin e ekonomive dhe rritjen e tij raporti identifikon nivelin e ulët të përfshirjes së të rinjve, konkurrencën e pandershme nga sektori informal, korrupsionin, administratën e rëndë tatimore dhe probleme me energjinë elektrike. Kjo situatë lë një zonën evropiane me rreth 20 milionë njerëz, të rrethuar nga vende të BE, të ketë Prodhimin e Përgjithshëm Brutto, ( PPB) me një mesatare për individ që është vetëm një e katërta e shumës që ka një individ në vendet më të pasura të BE në Evropën Perëndimore.

Si mund të mbyllet hendeku i mireqënires mes BP dhe BE?

Peter Sanfey, kryekonomist, Zëvendës Drejtor i BERZH në Departamentin për Ekonominë dhe Politikat është optimist se situata mund të ndryshojë për mirë. “Hulumtimi ynë tregon çështjet që duhet të adresohen. Por është gjithashtu e rëndësishme të shihet se këto janë sfida, jo pengesa të pakapërcyeshme. Ato tregojnë nevojën për zbatimin e një programi gjithëpërfshirës dhe të gjerë reformash”

Për të mbyllur hendekun e produktivitetit ekonomik dhe nivelit të mirëqënies së qytetarëve të BP me ata të BE fjala kyҫ është intensifikimi i reformave që kanë për qëllim ndërtimin e ekonomive të qëndrueshme të tregut. Raporti u bën thirrje vendeve të BP të nxisin një sektor privat dinamik dhe të gjallë, të mbështetur nga flukse të fuqishme të investimeve vendase dhe të huaja ku “shteti duhet të luajë një rol të rëndësishëm duke siguruar sundimin e ligjit, një mjedis të qëndrueshëm makroekonomik dhe rregulla të qarta loje për bizneset. ”

Platformë rajonale elektronike „one shop stop” për investime në BP

Burime nga BERZH bëjnë të ditur se në konferencën për investimet në rajonin e BP u lancua edhe kjo platformë. Ajo pritet të rrisë forcën tërheqëse të rajonit për investime të huaja direkte, si motori kryesor i rritjes ekonomike. Platforma Rajonale do të ofrojë shërbime „one shop stop”për investitorët e huaj të interesuar për Ballkanin Perëndimor. Ajo është frut i bashkëpunimit mes Dhomave Kombëtare të Tregëtisë së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Platforma do të luajë rol të rëndësishëm për iniciativa që do të eliminojnë barrierat e biznesit dhe krijojnë një harmonizim të rregulloreve, procedurave dhe praktikave për operacione më efikase të biznesit të kompanive. Kjo platformë e ngritur me mbështetjen e BERZH shihet si një investim kryesor institucional në Ballkanin Perëndimor.

SHBA pritet të kapërcejë Rusinë si prodhuesja më e madhe e naftës

Shtetet e Bashkuara do të kapërcejnë Rusinë, duke u bërë prodhuesi më i madh i naftës në botë më së largu në vitin 2019, tha Agjencia Ndërkombëtare për Energji

Drejtori ekzekutiv i kësaj agjencie, Fatih Birol, tha në një ngjarje në Tokio se SHBA do të jetë prodhuesi numër 1 i naftës së papërpunuar “definitivisht vitin e ardhshëm”, nëse jo këtë vit.

Prodhimi i naftës së papërpunuar në SHBA është rritur mbi 10 milionë fuçi në ditë në fund të vitit të kaluar, për herë të parë qysh në vitet 1970.

Administrata amerikane e Informacionit për Energjinë tha në fillim të këtij muaji se prodhimi në SHBA do të tejkalojë 11 milionë fuçi nafte në ditë deri në fund të këtij viti.