Kopaç: Kontrata për “Kosovën e Re” të rishikohet, por jo nga njerëzit që e bënë atë

Kontrata për termocentalin “Kosova e Re” përbën shkelje të legjislacionit për energji të Bashkimit Evropian, dhe si e tillë duhet të rishikohet, ka thënë drejtori i Sekretariatit të Komunitetit për Energji, Janez Kopaç

Por ka theksuar se kjo nuk mund të bëhet nga njerëzit në Qeveri, që i siguruan përparësi kompanisë amerikane “Contour Global”. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ai ka listuar një varg rreziqesh të cilat i bartin Kosova dhe konsumatorët me hyrjen në operim të “Kosovës së Re”.

Drejtori i organizatës në të cilën bëjnë pjesë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe ato të Ballkanit Perëndimor është shprehur se Qeveria duhet të angazhohet në ndryshimin e kontratave tashmë të nënshkruara, në mënyrë që t’i sjellë ato në përputhje me rregullat evropiane.

Në intervistën e gjatë dhënë për gazetën, Kopaç ka folur edhe për gjendjen në përgjithësi të sektorit energjetik në Kosovë, caqet e paarritura nga institucionet kosovare për burimet e ripërtërishme, problemet me Serbinë dhe çështje të tjera.

Gjermania do të kërkojë fuqi punëtore në Shqipëri dhe Kosovë

Ministri i Shëndetësisë Spahn dhe kolegët e tij kritikojnë procedurën e stërzgjatur për viza pune në Kosovë dhe Shqipëri. Ata paralajmërojnë ndryshime

Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn do të kërkojë ndihmë në Evropën Juglindore për zgjidhjen e problemit me mungesën e personelit në shëndetësi. Në veçanti në Kosovë dhe Shqipëri ka një potencial shumë të lartë të fuqisë së re punëtore, deklaroi ai për gazetën gjermane “Bild am Sonntag”. “Përgatitja e personelit atje është shpesh më e mirë se sa mendojmë ne”, tha Spahn. “Por ka shumë probleme të mëdha me dhënien e vizave”. Politikani i CDU-së thotë: “Ajo që nuk mund të kuptoj fare është se këta persona të përgatitur dhe të shkolluar duhet të presin shpesh deri në dhjetëë muaj për një vizë për Gjermani. Këto procedura duhet të përshpejtohen.” Edhe njohja e diplomave zgjatë tepër gjatë, mendon ministri.

“Duhet të kërkojmë edhe jashtë vendit”

Spahn pohon se Gjermania ka nevojë për rreth 50.000 persona që punojnë në shëndetësi dhe sektorin e përkujdesjes për të moshuarit. “Duhet të kërkojmë ndihmë në vendet jashtë Gjermanisë.” Në Gjermani nuk ka më gati asnjë spital apo institucion për përkudjesjen që të mos ketë fuqi punëtore nga vendet tjera.

Ministri i Punës Hubertus Heil (SPD) planifikon të fusë të drejtën që të huajtë të marrin vizë për gjashtë muaj me qëllim që të kërkojnë punë në Gjermani. “Të huajt që duan të punojnë në sektorin e përkujdesjes do të duhej të marrion vizë për gjashtë muaj dhe të vijnë në Gjermani. Kushti: ata nuk mund të marrin asnjë cent nga sistemet sociale, e nëse as pas gjashtë muajve nuk kanë gjetur ndonjë vend pune, atëherë duhet të kthehen në vendin e tyre”, tha Heil për të njëjtën gazetë. Me rëndësi është që Gjermania më në fund të nxjerrë një ligj të mirë për ardhjen e organizuar të migrantëve.

“Aksionet e koncentruara”

Spahn ka bërë të ditur para disa ditësh se ai, ministri Heil dhe ministrja e Familjes Franziska Giffey (SPD) do të nisin një “Aksion të koncentruar për përkujdesjen”. Partitë e Unionit dhe socialdemokratët kanë rënë dakord në programin e tyre qeverisës që të përmirësojnë kushtet për përgatitjen profesionale, informimin dhe përmirësimin e kushteve të punës në këtë sektor. Heil ka bërë të ditur se rrogat për personat që punojnë në fushën e kujdesit për të moshuarit të rriten dukshëm deri në mes të vitit të ardhshëm. Të tre ministrat kanë dhënë së bashku intervistë për gazetën “Bild am Sonntag”./DW

Ndahet ‘Trepça’ fabrika e Municionit dhe ajo e Baterive mbesin jashtë statutit

Ndërmarrja “Trepça”, e cila në të kaluarën ishte promotore e zhvillimit ekonomike, tani në saje të rrethanave politike vazhdon të operojë me humbje. Debati i fundit për draftstatutin e Ndërmarrjes “Trepça” ka ngjallur reagime të shumta

Sindikata e Pavarur e Minatorëve ka kërkuar që çështjet sociale të hyjnë në draftstatutin e Ndërmarrjes “Trepça”, në anën tjetër përfaqësues të Bordit Mbikëqyrës të kësaj ndërmarrje kanë pohuar se çështjet sociale duhet të zgjidhen me Ligj të veçantë për të gjithë punëtorët e ndërmarrjes “Trepça”.Sipas informacioneve që ka siguruar gazeta “Epoka e re”, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik janë dorëzuar dy versione të draftstatutit të “Trepça” sh. a. Mirëpo, edhe përkundër kërkesave të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve lidhur me çështjet sociale, në draftstatutin që ka dorëzuar kjo sindikatë nuk janë përfshirë të gjitha njësitë e “Trepçës”.

Gazeta “Epoka e re” ka siguruar një kopje të draftstatutit të ndërmarrjes “Trepça sh. a.”, që është dorëzuar nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Në këtë draftstatut vërehet se janë lënë anash shumë njësi të ndërmarrjes “Trepça” dhe çështjet sociale.Sipas statutit të Sindikatës së Minatorëve, neni 6, themeluesit, pika 3.1, 3.2, 3.3, krijohen njësitë: Minierat me Flotacion Trepça – Stantërg, Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë, si dhe Minierat me Flotacion Kopaonik – Leposaviq. Kurse në pikën 4 të nenit 6 thuhet se: “Bazuar në studimin e fizibilitetit dhe arsyeshmërinë ekonomike e financiare, në përbërje të Trepça sh. a. formohen edhe këto njësi biznesore”: Metalurgjia e Plumbit, Metalurgjia e Zinkut, Industria Kimike. Por, në bazë të draftstatutit të Sindikatës njësitë dhe asetet të cilat janë lënë anash nga draftstatuti i sindikatës janë: Fabrika e Proceseve dhe Pajimeve, Fabrika e Baterive dhe Fabrika e Municionit. Të gjitha njësitë dhe asetet e lartcekura kanë mbetur jashtë draftstatutit të propozuar nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës.Ndërkaq kryetari i Sindikatës së Trepçës, Shyqri Sadiku, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se të gjitha asetet e “Trepçës” janë të përfshira në draftstatutin e tyre.

I pyetur nëse e kanë përfshirë edhe Fabrikën e Municionit në këtë draftstatut, Sadiku është përgjigjur: “Po, edhe Fabrikën e Municionit e kemi përfshirë, e cila është në Skenderaj”. Ai ka thënë se asnjë aset të ndërmarrjes nuk e kanë përjashtuar. “Të gjitha asetet duhet të hyjnë në statut. Kemi kërkuar të formohet një komision nga Qeveria dhe nga njerëzit që e njohin ‘Trepçën’, pa përjashtuar akademikët e shkencave në Kosovë. Ne i kemi përfshirë 27 asete. Pra, nuk i përjashtojmë asetet dhe punëtorët të cilët kanë dhënë kontribut. Pos njësiteve biznesore që janë miniera e Stantërgut, e Artanës dhe e Kishnicës, përjashtuar këtu minierën e veriut që nuk ka qasje bordi”, ka thënë Sadiku.

Kosova e Shqipëria me nivelin më të ulët të eksporteve për frymë

Referuar analizës së Njësisë së Inteligjencës së The Economist, eksportet për frymë të Shqipërisë në 2017-n llogariteshin 1,347 dollarë, duke tejkaluar vetëm nivelin e eksporteve për frymë të Kosovës, të cilat ishin vetëm 780 dollarë

I gjithë Ballkani Perëndimor ka një mesatare të eksporteve për frymë prej 2,411 dollarë. Eksportet më të larta për frymë në Rajon i ka Mali i Zi, ku gjatë 2017-s ato llogariteshin sa 3,022 dollarë, i ndjekur nga pas nga Serbia me 2,944 dollarë dhe Maqedonia me 2900 dollarë. Nën mesataren e BP, eksportet për frymë të Bosnje dhe Hercegovinës llogariten 1,773 dollarë.

Në krahasim me 11 vendet më të zhvilluara të Bashkimit Europian, vendet e rajonit qëndrojnë dukshëm larg. Për 2017-n eksportet në 11 vendet më të zhvilluara llogariteshin 8,687 dollarë.

Rekordin e mban Gjermania me shifrën prej 18,000 dollarë eksporte për frymë.

Fondi i privatizimit në duart e ndërkombëtarëve

Njohës të zhvillimeve ekonomike kërkojnë nga autoritetet e Kosovës që të krijojnë një legjislacion adekuat, i cili do të mundësonte që mjetet e Fondit të Privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore të zhbllokohet nga kujdestaria ndërkombëtare dhe të vihen në funksion të zhvillimit të vendit

Janë rreth 700 milionë euro të grumbulluara nga shitja e rreth 1,300 asteve të ndërmarrjeve shoqërore, që nga viti 2002 e deri në fund të vitit të kaluar.

Nga rreth 700 milionë euro të grumbulluara në këtë Fond, më shumë se 110 milionë euro janë ndarë në emër 20 përqindëshit, që ndahen për punëtorët pas shitjes së ndërmarrjes, në të cilën kanë punuar, kurse për kreditorët potencialë janë paguar rreth 20 milionë euro.

Nga fondi tepricë në buxhetin e Kosovës, AKP-ja ka derdhur mbi 100 milionë euro. Ndërkaq, në Fondin rezervë janë më shumë se 460 milionë euro, që sipas përfaqësuesve të AKP-së, mbahen në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se këto mjete janë peng i një koncepti të administratës ndërkombëtare, por që si të tilla nuk duhet të mbesin të ngrira.

Asnjë Qeveri, shton Sadiku, nuk ka bërë përpjekje që këto mjete të zhbllokohen dhe sipas tij, Kosova një pjesë të konsiderueshme të mjeteve të veta i ka mbajtur jashtë zhvillimit ekonomik.

“Sa herë që fillojnë zgjedhjet, jepen premtime për zhbllokim të këtij fondi nga partitë e ndryshme politike, por që edhe pas pavarësisë së Kosovës, statusi i këtyre mjeteve ka mbetur i njëjtë dhe ka ardhur momenti i fundit që Kosova të krijojë një legjislacion adekuat që do të mundësojë që këto mjete të zhbllokohen nga kujdestaria ndërkombëtare dhe t’i vihen Kosovës për zhvillim”.

“Unë kam parasysh konceptin e administratës ndërkombëtare kinse ruajtja e këtyre mjeteve për kërkuesit eventual të mjeteve nga ndërmarrjet e privatizuara, porse Kosova nuk është dashur të jetë peng e një definicioni të tillë të administratës ndërkombëtare”, vlerëson Sadiku.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Mejdi Bektashi, thotë se pa ndryshimin e Ligjit mbi Agjencinë Kosovare të Privatizimit, këto mjete të Fondit nuk mund të shfrytëzohen.

“Mjetet e Fondit të Privatizimit që janë depozita në mirëbesim dhe janë të depozituar në BQK që momentalisht tejkalojnë shifrën e 700 milionë eurove, është një aset me vlerë të madhe për Kosovën, por problemi qëndron me faktin se me Ligjin për AKP-në nuk mund të shpërndahen për qëllime të ndryshme, derisa nuk përfundojnë proceset e shumta gjyqësore që janë duke u zhvilluar për objektet e privatizuara. Por, unë besoj që këto mjete pa ndryshimin e Ligjit mbi AKP-në dhe derisa nuk përfundon suksesioni ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të shfrytëzohen”, shpjegon Bektashi.

Bordi dhe menaxhmenti i AKP-së, bashkë me Qeverinë e Kosovës, tanimë kanë shqyrtuar mundësitë ligjore të përdorimit të këtyre mjeteve të deponuara nga procesi i privatizimit në BQK për qëllime të projekteve zhvillimore në të mirën e vendit, por, siç thuhet, “të kujdesshëm në të njëjtën kohë për obligimet që AKP-ja ka karshi ish-punëtorëve dhe kreditorëve të njohur”.

Profesori i ekonomisë, Sadiku, thotë se në rast të zhbllokimit të këtyre mjeteve ato do të duhej të orientohen në zhvillimin e arsimit, shëndetësisë, shkencës dhe aktiviteteve tjera që dërgojnë drejt uljes së papunësisë e varfërisë.

“Kosova duhet të kishte mjaft projekte të zhvillimit human që të përmirësojë pozitën e zhvillimit human në kuadër të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik”, thotë Sadiku.

Nga rreth 600 ndërmarrje shoqërore, sa figurojnë të jenë në pronësi të Republikës së Kosovës, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka arritur të privatizojë shumicën prej tyre, duke krijuar nga një apo dy ndërmarrje të reja private. Kurse, të pashitura kanë mbetur rreth 2000 asete të ndërmarrjeve shoqërore.

Bruto produkti në Kosovë shënon rritje

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin mbi Bruto produktin vendor” (BPV) për tremujorin e parë 2018, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve me çmime aktuale dhe konstante

Sipas këtij raporti, BPV-ja shënon rritje reale për 3.5% në TM1 2018, krahasuar me TM1 2017. Rritja reale e BPV-së sipas aktiviteteve ekonomike është si vijon: aktivitetet financiare dhe të sigurimit 10.8%; industria përpunuese 4.8 %; transporti dhe magazinimi 6.0%; tregtia me shumicë dhe pakicë 5.2%; afarizmi me pasuri të patundshme 1.8%; hotelet dhe restorantet 1.0%; bujqësia, gjuetia, pylltaria 0.7%; administrimi publik 2.6%; ndërtimtaria 9.9%; dhe furnizimi me energji elektrike, ujë dhe trajtim të mbeturinave 2.6%. Ndërsa, rënie reale kishte në të dhënat e: industrisë nxjerrëse (-12.1%).

BPV-ja sipas qasjes së shpenzimeve ka pasur rritje në TM1 2018, krahasuar me periudhën e vitit paraprak (TM1 2017) në: eksportin e mallrave dhe shërbimeve (16.2%); formimin e bruto kapitalit (10.0%); importin e mallrave dhe shërbimeve (7.8%); shpenzimet e konsumit final të Qeverisë (5.2%); dhe shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe institucionet jopërfituese, shërbimet e ekonomive shtëpiake (IJPSHESH) (1.4%).

Për më shumë informata, lidhur me Bruto Broduktin Vendor (BPV) për TM1 2018, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/ekonomi/llogarite-kombetare-bpv

Bankat në Kosovë, atraktive për investimet e huaja

Tregu bankar i Kosovës, duket të jetë shumë atraktiv për investitorët e huaj. Normat e larta të kredive dhe interesi shumë i ulët për depozita, potencohen ndër arsyet kryesore pse investitorët e huaj preferojnë që kapitalin e tyre të investojnë në tregun bankar të Kosovës

Struktura e kapitalit të huaj, në treg vazhdon të dominojë si te bankat komerciale, ashtu edhe tek institucionet mikrofinanciare. Nga dhjetë bankat komerciale që operojnë në Kosovë, tetë nga to janë me kapital të huaj apo rreth 88 përqind të kapitalit të përgjithshëm, kurse nga 21 institucione mikrofinanciare të licencuara në Bankën Qendrore të Republikës se Kosovës, 14 prej tyre janë në pronësi të huaj.

Ekspertë për çështje financiare theksojnë se konkurrenca jo e madhe në tregun bankar, normat e larta të kredive dhe fuqia e lirë punëtore, kanë bërë që kjo industri të jetë fitimprurëse për investitorët e huaj.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se edhe vlera e lartë e depozitave në bankat komerciale, me interes shumë të ulët dhe plasimi i tyre në formë të kredive me norma të larta të interesit, është arsyeja që investitorët ndërkombëtarë po investojnë në Kosovë.

“Depozitat në Kosovë i kanë tejkaluar tre miliardë euro, ato përbëjnë mbi 90 përqind të kapitalit të dhjetë bankave që operojnë në Kosovë. Interesi që paguhet për depozita është shumë i ulët, ndërkaq ende margjina në mes interesit të depozitave dhe kredive të dhëna sipas sektorëve të ndryshëm është ende lartë. Arsye tjetër është kapitali i shumtë për kokë banori që vijë nga diaspora në formë të remitencave dhe elementi tjetër çmimi shumë i lirë i fuqisë punëtore që paguajnë bankat për personelin vendor”, tha Bektashi.

Ndryshe, vlera e kursimeve apo depozitave të klientëve në bankat komerciale që veprojnë në Kosovë deri më tani ka arritur në mbi tre miliardë euro, me normë mesatare të interesit 1.4 përqind.

Kurse vlera e kredive, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, ka arritur në mbi 2.5 miliardë euro, më normë të interesit 7.7 për qind.

Eksperti tjetër për çështje financiare, Milazim Abazi thotë se mungesa e konkurrencës në këtë sektor, ka bërë që kapitali i huaj të jetë i qëndrueshëm dhe fitimprurës. Ai madje dyshon se edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në vazhdimësi ka favorizuar licencimin e bankave ndërkombëtare.

“Konkurrenca jo e mjaftueshme bankare në Kosovë, pastaj vetë përgjegjësia e kosovarëve, pasi qytetarët e Kosovës janë të përgjegjshëm ndaj detyrime ka bërë që bankat të kenë fitime të mëdha. Pasi normat e interesit për kredi ende kanë mbetur të larta, kurse kreditë joperformuese janë në nivel të ulët”, tha Abazi.

Sipas, raportit të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, në tremujorin e parë të këtij viti, sektori bankar ka shënuar përmirësim të indikatorëve kyç të shëndetit financiar.

Gjatë kësaj periudhe, niveli i kredive joperformuese qëndroi në nivel prej 2.9 përqind, kurse mbulueshmëria e tyre me provizione në nivel prej 155 përqind. Ky sektor vazhdimisht është cilësuar stabil dhe likuid.

Ndryshe, në bazë të ligjeve ekzistuese, asnjë person nuk mund të merret me veprimtari të një banke apo institucioni financiar pa licencë të vlefshme të lëshuar nga Banka Qendrore e Republikës se Kosovës, pasi kjo e fundit është përgjegjëse ekskluzive për dhënien e licencave për të gjitha bankat, qoftë vendore apo ndërkombëtare.

BE-ja dhe Kina, grup pune për reformimin e sistemit global të tregtisë

Ndërsa Uashingtoni dhe Pekini po i afrohen një lufte të mundshme tregtare, Bashkimi Europian dhe Kina kanë rënë dakort të krijojnë një grup pune për të nxitur reformimin e Organizatës Botërore të Tregtisë. Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve për të përditësuar sistemin e tregtisë globale dhe për të shmangur kërcënimet në rritje ndaj sistemin tregtar botëror

Sipas një zyrtari të lartë të BE-së, grupi reformator do të shqyrtonte rrugët për të modernizuar rregulloret dhe për të trajtuar problemin e subvencionimeve shtetërore dhe praktikave të tjera të padrejta tregtare.

Nuk është e qartë se sa i gatshëm do të tregohet Berlini në këtë përpjekje, pasi shumica e ndryshimeve të propozuara nga BE-ja kanë të bëjnë me masat, praktikat dhe politikat e padrejta tregtare që ekzistojnë në Kinë. Janë po këto shqetësime që po e shtyjnë administratën e Presidentit Trump të ngrejë mundësinë e vendosjes së tarifave të rënda për mallrat kineze me një vlerë prej gati 34 miliardë dollarësh.

Administrata Trump njoftoi të hënën se po shqyrton edhe mundësinë e kufizimeve për investimet e huaja në fushën e teknologjisë. Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Jyrki Katainen, pranoi se përpjekja për të reformuar rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë nuk do të jetë e lehtë. Ai tha se kjo do të kërkojë kohë dhe se Kina do të ketë pikëpamje të ndryshme rreth përparësive.

Por, zoti Katainen shtoi se nëse nuk bëhet asgjë “hapësirat për tregtinë shumëpalëshe do të zhduken”.
Media shtetërore në Kinë i ka paraqitur takimet e ditës së hënë me zyrtarët e BE-së, si një dialog i nivelit të lartë që i paraprin samitit BE – Kinë që do të mbahet muajin e ardhshëm, me synimin për të luftuar “unilateralizmin dhe proteksionizmin”, si dhe për të nxitur globalizimin dhe mbrojtur ekonominë botërore.

Bashkimi Europian kërkon që reformimi të trajtojë çështje si subvencionimet industriale dhe praktikat e padrejta tregtare, si transferimi i detyruar i teknologjisë në shkëmbim të qasjes në treg. “Këto dy çështje së bashku janë disa prej arsyeve, jo të vetmet por disa prej arsyeve, pse presidenti i Shteteve të Bashkuara po ndërmerr veprime unilaterale”, tha zoti Katainen, duke shtuar se kjo çështje duhet zgjidhur në një mënyrë të rregullt.

Idea kryesore është që të përditësohet OBT-ja në mënyrë që të jetë më e përshtatshme për realitetet e botës moderne, tha ai. “BE-ja nuk po merr anën e asnjë pale apo vendi; e vetmja anë që ne mbajmë është ajo e tregtisë së bazuar në rregulla”, tha zoti Katainen.

Mediat kineze e kanë paraqitur këtë përpjekje si një tregues se masat tregtare të Uashingtonit po krijojnë një front të bashkuar mes BE-së dhe Kinës.

Si do të duket dhe ku do të shtrihet Zona Ekonomike Amerikane në Gjakovë

Qeveria e Kosovës ka miratuar, të martën, formimin e Zonës së veçantë ekonomikë amerikane, e cila është vendosur të jetë në Komunën e Gjakovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se ky vendim është marrë në bazë të propozimit të grupit punues, të cilin e ka themeluar Qeveria e Kosovës në muajin maj të këtij viti.

“Janë hapur të gjitha mundësitë që të përgatitet plani i fizibilitetit. Shpresojmë që të bashkëpunojmë edhe me USAID-in amerikan dhe kësisoj ta kemi një adresë për investitorët amerikanë, për kompanitë amerikane në Kosovë, ku do t’i gëzojnë të gjitha privilegjet, për ta bërë atraktive ekzistencën e kësaj zone për investime në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

Ai e ka quajtur këtë si lajm të mirë ekonomik dhe që vjen në prag të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në anën tjetër, këshilltari i Haradinajt, Erolld Belegu e ka prezantuar edhe vizualisht se si do të duket kjo zonë.

Sipas tij, kjo zonë do të shtrihet, në afërsi të Aeroportit të Gjakovës, pranë rrugës magjistrale Gjakovë-Prishtinë dhe afër autostradës së ardhshme të Dukagjinit, shkruan lajmi.net.

“Këtë ide të kamotshme të kryeministrit Haradinaj që është edhe një dhuratë për aleatin tonë me të madh, SHBA, për ditën e pavarësisë 4 Korrikun, do ta realizojmë në bashkëpunim me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, ata të SHBA-ve sikurse edhe me qytetarët dhe bizneset e Kosovës dhe Gjakovës në veçanti”, thotë Belegu.

Tutje ai thotë se ideja është që këtu të vendosen biznese të mëdha amerikane të orientuara kryesisht në tregun evropian, por që kuptohet do të bashkëpunojnë ngushtë me biznese të Kosovës.

“Qeveria Haradinaj do të mundësojë kushte te veçanta duke përfshirë edhe lehtësira doganore e tatimore për të tërhequr biznese serioze amerikane për te investuar në Kosovë”, thekson Belegu.

Zona e veçantë ekonomike amerikan në Gjakovë

Qeveria e Kosovës ka miratuar, të martën, formimin e Zonës së veçantë ekonomikë amerikane, e cila është vendosur të jetë në Komunën e Gjakovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se ky vendim është marrë në bazë të propozimit të grupit punues, të cilin e ka themeluar Qeveria e Kosovës në muajin maj të këtij viti.

“Janë hapur të gjitha mundësitë që të përgatitet plani i fizibilitetit. Shpresojmë që të bashkëpunojmë edhe me USAID-in amerikan dhe kësisoji ta kemi një adresë për investitorët amerikanë, për kompanitë amerikane në Kosovë, ku do t’i gëzojnë të gjitha privilegjet, për ta bërë atraktive ekzistencën e kësaj zone për investime në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

Ai e ka quajtur këtë si lajm të mirë ekonomik dhe që vjen në prag të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.