Ministria e Infrastrukturës e mban sekret kontratën me Bechtel & Enkan

Ministria e Infrastrukturës po vazhdon ta fshehë kontratën e nënshkruar me “Bechtel Enkan”, për autostradën “Arbën Xhaferi”. Më 11 qershor “KohaVisioni” ka bërë kërkesë për të parë kontratën me këtë kompani, bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike

Por, ministria ka kaluar tw gjitha afatet ligjore, duke mos dhënë asnjë përgjigje. Gati në të njëjtën mënyrë kanë vepruar edhe me Institutin Demokratik të Kosovës. Diana Metushi- Krasniqi bën të ditur se brenda kontratës ekziston një klauzolë, e cila pamundëson publikimin e kontratës pa aprovimin e kompanisë.

Ajo tregon se u është ofruar qasje pjesërisht në dokumente, duke pamundësuar nxjerrjen e një konstatimi për ndarjen e 53 milionëve nga Qeveria për këtë kompani. Në Lëvizjen FOL thonë se vendimet e Qeverive të kaluara, po shfrytëzohen nga ato pasardhëse për arritjen e marrëveshjeve të reja.

Për këtë Jeton Zulaj thotë se shkelësit e ligjit duhet të ndiqen penalisht. Pos kontratës për autostradën “Arbën Xhaferi”, Ministria e Infrastrukturës prej tetë vjetësh nuk po e bën publike as atë për autostradën “Morinë- Merdar”. Për këtë të fundit, madje, ka edhe një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës të marrë më 2 shkurt të këtij viti.

Mihja e re e qymyrit në Fushë Kosovë

Në 50 vitet e ardhshme, Termocentralet do të furnizohen me qymyr që do të nxjerrët në territorin e Fushë Kosovës. Bëhet fjalë për një pjesë të pronës së KEK-ut që gjendet në mes të mihjes së Bardhit të Madhe dhe fshatrave të Fushë Kosovës, Kuzminit dhe Lismirit. Kjo pjesë deri më tani është shfrytëzuar nga KEK-ut për hedhjen e djerrinës që është nxjerr nga mihjet e Bardhit dhe Mirashit

Por, mihja e Fushë Kosovës do të vije në shprehje vetëm pas 10 viteve, pasi deri atëherë KEK-u do të vazhdojë të nxjerr qymyrin në drejtim të Hadës, në bazë të licencës aktuale që e ka. Grupi Teknik që është marrë me gjetjen e hapësirës për mihje të qymyrit ka dalë me gjetjet e veta.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në një bisedë për KALLXO.com konfirmoi që ky grup teknik ka gjetur se drejtimi nga jugu për minierën e re është orientim strategjik për vendin.

Ai ka thënë se ky rekomandim i grupit teknik është me kushtëzim, pasi duhet të bëhen hulumtime të reja në atë zonë për të parë nëse sasia dhe cilësia e qymyrit është e mjaftueshme për të bërë një investim të tillë.

“Rekomandimi i grupit teknik thotë që si orientim strategjik për vendin duhet përdorur drejtimi nga ana e jugut, mirëpo deri në 2027 apo vitin 2030 duhet të vazhdojë në këtë drejtim, pra kah veriu, sepse ka rezerva të dëshmuara edhe mandej duhet me i konfirmu të gjitha informatat për me bo shpuarje nga ana e jugut, për me i konfirmu se ka qymyr dhe kualitet. Ndërsa, nëse ndodhë e kundërta, pra nuk ka qymyr me kualitetin e duhur, atëherë na duhet me vazhdu nga ana e veriut për 40 vitet e ardhshme”, tha Lluka.

Nëse shkohet kah jugu, Lluka thotë se do të ishte një orientim i mirë për vendin, pasi që mbi 90% e tokave janë shtetërore dhe nuk do të kishte fare kosto të shpronësimeve, e që do të sigurohej mjaftueshëm qymyr për 40-50 vitet e ardhshme.

“Nëse shkojmë ka jugu nuk do të ketë nevojë për shpronësime”, thuhet Lluka. “Nëse del jugu ashtu siç po thonë ekspertët të bazuara edhe në disa matje të paraluftës e të pasluftës, gjitha rezultatet tregojnë se ka potencial ma të madh se sa kah veriu. Madje thuhet se edhe thëngjilli është më i mirë në Jug, ka ma shumë kalori dhe ka rezerva për 40 vitet e ardhshme”, tha tutje ministri Lluka.

Nëse orientimi i mihjes bëhet kah Jugu (në drejtim të Fushë Kosovës), i bie që fshati aktual i Hadës nuk do të ketë nevojë që të shpronësohet në 50 vitet e ardhshme.

Ai thotë se nëse del që nga jugu nuk mund të vazhdohet të mihet, atëherë duhet shkuar nga veriu, ku përsëri pas Hades do të ketë nevojë për shpronësime të reja, sepse tokat në veri janë në shumicë private.

“Kjo është çështje e ndjeshme sepse pas Hades, ka edhe shumë e shumë toka private që ish dashtë me i shpronësu, por për me i evitu ato toka në të ardhmen, ne po marrim orientimin strategjik nga jugu, mirëpo për 10 vitet e ardhshme kemi me vazhdu ka veriu, që do të thotë kah Hadja dhe besoj se ato toka do të shpronësohen dhe nuk do të ketë ndërtime”, tha në mes tjerash ministri Lluka.

Lluka ka bërë të ditur gjithashtu se rekomandimi i grupit teknik për këtë çështje do të shkojë në Qeveri gjatë javës së ardhshme.

Diaspora mbetet shtyllë e fortë ekonomike për vendin

Kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se qeveria që ai drejton po punon në krijimin e kushteve që diaspora të bëjë investime në Kosovë, në mënyrë që ata të jenë të suksesshëm

Gjatë një vizite zyrtare në Britaninë e Madhe, Haradinaj është takuar me një takim me bashkatdhetarët nga Kosova dhe Shqipëria të cilët jetojnë dhe veprojnë në këtë vend, duke iu premtuar se Qeveria e vendit do t’iu qëndrojë afër për ofrimin e zgjidhjeve që i preokupojnë.

Haradinaj informoi bashkatdhetarët për të arriturat dhe sfidat me të cilët po përballet Kosova si zhvillimi ekonomik, çështja e dialogut, transformimi i FSK-së, liberalizimi i vizave si dhe për angazhimin e Qeverisë së Kosovës në përmirësimin e infrastrukturës ligjore, lehtësirat tatimore, fuqizimin e rendit dhe të ligjit dhe krijimin e një klime të favorshme për investitorët potencialë, të huaj dhe vendorë.

“Si qeveri e vendit jemi duke bërë më të mirën për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë. Jemi të përkushtuar që t’ju ofrojmë kushte dhe mundësi që edhe ju bashkatdhetarët tanë në Mbretërinë e Bashkuar të investoni në Kosovë dhe të jeni të suksesshëm”, tha kryeministri Haradinaj.

Duke përkujtuar rolin dhe kontributin e diasporës për Kosovën që nga lufta e deri më sot, kreu i Qeverisë së Kosovës tha se diaspora kosovare vazhdon të mbetet shtyllë e fortë ekonomike për vendin dhe pasqyrë e vlerave tona historike, kulturore e artistike në botë.

“Si kryeministër i vendit, do të vazhdoj të punoj për ambient të përshtatshëm për investime direkte të huaja, me theks për investime nga diaspora jonë. Bashkatdhetarët tanë në botë janë vlerë e pakontestueshme jona, vlerë që tregimin për Kosovën e kanë ndërtuar dhe vazhdojnë ta mbrojnë e pasurojnë në mënyrën më të mirë”, tha Haradinaj.

Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues nga komuniteti i biznesit, kulturës, miq anglezë të Kosovës, të cilët u shprehën të kënaqur me prezencën e kryeministrit Haradinaj, duke thënë se janë të gatshëm që potencialin e tyre ekonomik në të ardhmen ta orientojnë kah Kosova.

Lidhjet familjare e partiake “kritere” për punësim

Të rinjtë në Kosovë vazhdimisht ballafaqohen me vështirësi për të siguruar një vend pune, sidomos në sektorin publik. Përveç diplomës universitare, përcaktues kryesor në punësim në sektorin publik, sipas tyre, janë lidhjet familjare dhe ato partiake

Vlora ka dy vite që ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik dhe ka aplikuar në disa konkurse. Por, ajo dyshon se ryshfeti dhe familjarizimi ka ndikuar që të mos punësohet.

“Në institucionet e Kosovës janë krijuar klane. E për të siguruar një vend pune duhet që paraprakisht nga jashtë të bëhesh pjesë e klaneve. Unë nuk veproj në këtë mënyrë, pasi kam kualifikimet e nevojshme”, thotë Vlora.

Lidhjet familjare, ryshfeti dhe lidhjet partiake përmenden në raportin e fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP) si faktorë që ndikojnë shumë për të siguruar një vend pune në sektorin publik në Kosovë.

Sipas këtij raporti, 78 për qind e të anketuarve besojnë se lidhjet familjare, ryshfeti dhe lidhjet partiake dhe faktorët tjerë jomeritor, janë më të dobishme për sigurimin e një vendi pune.

Kurse vetëm 22 për qind besojnë se arsimi, përvoja dhe aftësimi profesional janë kritere kryesore për punësim në sektorin publik.

Edhe përfaqësues të shoqërisë civile, thonë se sektori publik është i “rezervuar “ për militantë të partive politike që vijnë në pushtet.

Jeton Zulfaj nga organizata joqeveritare “Fol”, thotë për Radion e Evropa e Lirë, se ky kriter, edhe pse jo ligjor, ka mbipopulluar sektorin publik në Kosovë.

“Ne shohim një administratë të stërmbushur me persona të lidhur me subjekte politike, të cilët më tepër llogariten si vota dhe jo si punëtorë të shtetit”, thotë Zulfaj.

Punësimi pa kriter në sektorin publik, ka rezultuar me një administratë jo kualitative dhe jo profesionale, nënvizon Zulfaj.

“Qytetarët e Kosovës nuk mund të presin punë efektive dhe profesionale nga shumica e punëtorëve në institucionet publike. Dhe kjo gjendje nuk i pengon zyrtarët e lartë politikë të cilët nuk kanë hallin që të garantojnë një administratë publike e cila bazohet në merita”, thotë tutje Zulfaj për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, mbi 80 mijë persona llogariten punonjës në sektorin publik, me një pagë mesatare 525 euro në muaj. Bashkimi Evropian në vazhdimësi ka kërkuar reforma në administratën publike në Kosovë, si nevojë më prioritet për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Sidoqoftë, shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave (ASK) për tremujorin e parë të këtij viti, është 26.5 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeç, me 54.0 për qind.

Kina dhe BE-ja luajnë “lojën e madhe” të investimeve në Ballkan

Kina mund të duket sikur po merr kryesimin në “lojën e madhe” të investimeve në infrastrukturë në Ballkan, por në fund do të fitojë qasja më metodike e BE-së

Nga Milos Damnjanovic

Korriku do të jetë një muaj samitesh intensive ndërkombëtare për rajonin e Ballkanit, me Bashkimin Europian dhe Kinën që përdorin formatet e tyre të preferuara për t’u angazhuar dhe duke projektuar ndikimin e tyre në këtë cep të Europës Juglindore.

Në të vërtetë, me Samitin e Londrës të Procesit të Berlinit dhe Samitin 16+1 të Sofjes pothuajse pas kësaj, liderët e Ballkanit do të duhet të jenë të kujdesshëm që të mos përziejnë pikat e tyre të bisedimeve.

Samiti i Sofjes do të mbahet më 6-7 korrik me të shtatin në një sërë samitesh të përvitshme nën patronazhin e nismës “16+1” duke bashkuar Kinën dhe vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, përfshirë 11 shtete anëtare të BE-së dhe pesë kandidatë aspirantë nga Ballkani.

Fokusi i nismës 16+1 është bashkëpunimi i zgjeruar ekonomik midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. “Lidhshmëria”, fjala e përdorur për një sërë projektesh që synojnë përmirësimin e lidhjeve të infrastrukturës, është një nga aspektet kryesore të këtij procesi bashkëpunimi. Fokusi është edhe te investimet e teknologjisë së lartë dhe te energjia e gjelbër.

Sapo të përfundojë Samiti i Sofjes më pas qendra e vëmendjes diplomatike kalon në Londër një ditë më vonë për Samitin e Ballkanit Perëndimor, i pesti në një sërë samitesh të mbajtura si pjesë e Procesit të Berlinit.

I nisur në vitin 2014 nga qeveria gjermane e Angela Merkel, ai synon të nxisë bashkëpunimin rajonal në Ballkan dhe të avancojë integrimin e këtyre vendeve në BE. Shumë vëzhgues do të shtonin se në kohën kur ai u nis, ai gjithashtu kërkoi të siguronte një zëvendësim për procesin e zgjerimit të BE-së, i cili – përkohësisht dhe jozyrtarisht – ishte lënë në pritje për të gjitha qëllimet.

Njësoj si në samitin 16+1 në Sofje, do të ketë përsëri shumë bisedime për “lidhshmërinë” në Samitin e Londrës. Lidhshmëria infrastrukturore brenda rajonit, si dhe midis rajonit dhe BE-së, me siguri do të jetë një nga temat.

Megjithatë, samiti do të kërkojë gjithashtu të përmirësojë lidhshmërinë edhe në një nivel politik dhe ekonomik, midis organizatave të shoqërisë civile brenda rajonit, si dhe midis të rinjve. Organizatorët britanikë të Samitit gjithashtu do të përqendrohen në bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe luftimin e krimit të organizuar.

Dush i ftohtë

Me gjithë këto biseda të mëdha mbi lidhshmërinë, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin në Ballkan (dhe më gjerë) në më shumë se gjysmë dekade samitesh dhe grupesh pune, vëzhguesi i painformuar – dhe ndoshta naiv – mund të falet nëse mendon se Ballkani është në rrugën për të qenë midis rajoneve të lidhura më mirë në Europë.

Për fat të keq, shumë shpesh, realiteti të jep një dush të ftohtë. Si pjesë e Procesit të Berlinit, një Axhendë Lidhshmërie është përcaktuar midis Komisionit Europian, shteteve kryesore anëtare dhe qeverive nga rajoni.

Me fokusin e saj në infrastrukturën e transportit dhe energjisë, projektet e ndryshme të përshkruara si pjesë e Axhendës së Lidhshmërisë do të përfitojnë nga Projekti që Lidh Europën, një instrument financimi prej 30 miliardë eurosh nga BE-ja që synon infrastrukturën në nivel europian.

Ndërsa kjo është diçka e mirë dhe me vend, është bërë shumë pak që nga fillimi i procesit të Berlinit për të lëvizur nga fjalët në projekte të prekshme që zhvillohen në terren.

Në total, 19 projekte transporti dhe energjie duket se janë miratuar deri tani si pjesë e Axhendës së Lidhshmërisë në të gjithë rajonin. Megjithatë, sipas faqes së internetit të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, vetëm katër prej tyre kanë parë fillimin e punës (dy në Mal të Zi, një në kufirin boshnjako-kroat dhe një tjetër në Maqedoni).

Pjesa tjetër janë kryesisht në faza të ndryshme përgatitjeje, progresi i tyre është i dukshëm nëpërmjet tabelave shumëngjyrëshe të ofruara nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor.

Një pjesë e arsyes për këtë progres të ngadaltë ndoshta qëndron në planifikimin kompleks që kërkojnë projekte të tilla dhe makinerinë burokratike edhe më komplekse të BE-së. Padyshim, megjithatë, qeveritë e Ballkanit – me aftësinë e tyre të kufizuar për të kryer projekte vendase e jo projekte me investime bilaterale – duhet të marrin gjithashtu një pjesë të fajit.

Qasja e Kinës ka qenë disi ndryshe. Në vend që të kërkojë të identifikojë dhe të zhvillojë projekte komplekse rajonale që mund të përmirësojnë lidhjen në rajon, qasja kineze në përzgjedhjen e projekteve për financim ndoshta u përmblodh më mirë nga kryeministri bullgar Boyko Borissov i cili u citua në Financial Times se kishte thënë se zyrtarët kinezë po kontrollonin rajonin e Europës Qendrore dhe Lindore për projekte të pa financuara, por konkrete në raon që të mund t’i mbështesin.

Duke iu vënë nga pas projekteve me disa nivele planifikimi tashmë në zbatim, Kina duket se disa raste ka mundur t’i rrisë më shpejt investimet e saj të jashtme. Ajo gjithashtu i është vënë nga pas projekteve që tashmë kanë mbështetjen dhe interesin e qeverive rajonale.

Një rast i tillë është autostrada Beograd-Bar në Serbi, pjesë të të cilës po financohen nga bankat dhe firma ndërtimi kineze, ose ura e Mihajlo Pupin në Beograd që kalon mbi Danub. Në Malin e Zi Kina financon pjesën malazeze të autostradës së njëjtë Beograd-Bar.

Vënia në zbatim

E megjithatë, suksesi i përpjekjeve kineze nuk duhet të ekzagjerohet. Ashtu si BE-ja, zyrtarët kinezë kanë qenë gjithashtu të zotët duke biseduar për projekte të mëdha investimi, por shpesh janë munduar shumë për vënien e tyre në zbatim.

Një shembull po aq i mirë në këtë drejtim është linja hekurudhore e shpejtësisë së lartë Beograd-Budapest, e cila do të rriste ndjeshëm “lidhshmërinë” në rajon.

Ky është gjithashtu një projekt që është qartazi shumë më i lidhur me Nismën Brezi dhe Rruga të Kinës dhe interesin për zhvillimin e korridoreve të transportit midis Kinës dhe Europës sesa shumica e projekteve të tjera të vogla infrastrukturore në rajon, të cilat Kina ka ndihmuar për të financuar.

Një Memorandum Mirëkuptimi u nënshkrua për herë të parë midis Kinës, Hungarisë dhe Serbisë në vitin 2013 për të përmirësuar linjën hekurudhore të vjetëruar prej 350 km midis Beogradit dhe Budapestit dhe për ta kthyer atë në një linjë hekurudhore me shpejtësi të lartë që lidh portin e Pireut në Greqi të menaxhuar me zemrën ekonomike të Europës.

Megjithatë, projekti ka përparuar relativisht pak, kryesisht për shkak se zyrtarët e Komisionit Europian e kanë pengua atë, duke dyshuar se planet për ndërtimin e linjës ishin në kundërshtim me rregullat dhe procedurat publike të tenderimit të BE-së.

Në nëntor 2017, më në fund filloi puna për ndërtimin e 35 kilometrave të parë të vijës hekurudhore në tokën serbe. Zyrtarët gjithnjë e më optimistë të qeverisë serbe vlerësojnë se 189 kilometrat e linjës hekurudhore përmes Serbisë ndoshta mund të përfundojnë deri në vitin 2020 ose 2021.

Në fakt të gjithë hamendësojnë se kur udhëtarët dhe mallrat mund të udhëtojnë nga Beogradi në Budapest me shpejtësi të lartë.

Një pjesë e arsyes për përshtypjen e vazhdueshme se Kina është më efikase në nxitjen e projekteve të infrastrukturës në rajon ndoshta qëndron në zgjedhjen e projekteve me dukshmëri të lartë, siç është Ura e re Mihajlo Pupin në Beograd, e cila përshkohet çdo ditë nga mijëra njerëz.

Projektet e financuara nga BE-ja, në kontrast, zakonisht janë më pak të dukshme dhe marrin më pak publicitet, pjesërisht sepse ka shumë më tepër të tilla në të gjithë Ballkanin.

Pavarësisht frikace se Kina po invadon në Ballkanin e butë të Evropës, të dhënat e tanishme ende sugjerojnë se BE-ja do të mbetet faktori më i rëndësishëm në këtë rajon, në os edhe i vetmi, siç ka qenë rasti në të kaluarën.

Nëse dikush do të vinte bast, mund të arrinte edhe në përfundimin se qasja e ngadaltë, por metodike e BE-së për të gjetur projekte infrastrukturore jashtë terrenit në rajon do të jetë ende më efikase në afat të mesëm sesa qasja aktuale kineze./birn/

Luftë për supremaci në ekonominë botërore

Me hyrjen në fuqi të tarifave ndëshkimore doganore amerikane për prodhimet kineze konflikti tregtar SHBA-Kinë po përshkallëzohet. Por në realitet fjala është për shumë më tepër, mendon Thomas Straubhaar

Kinse luftë tregtare. Fjala nuk është për pajisje elektrike kundër kokrrave të sojës. Taksat ndëshkuese doganore amerikane për importet nga Lindja e Largët dhe taksat doganore kineze për prodhimet bujqësore nga SHBA-ja janë simbolizëm i pastër – i mirë për vëmendjen e mediave, i keq për popullatat e prekura.

Konflikti tregtar është vetëm maja e shpatës së një lufte shumë më të madhe. Lufta e vërtetë bëhet për fitore në garën epokale për pushtet, dominim dhe epërsi në shekullin e 21-të. “Amerika e para” kundrejt “Made in China” është përplasja e gjigantëve gjeopolitikë që po afrohet.

A do të jenë Shtetet e Bashkuara – si 150 vitet e fundit – masa e të gjitha gjërave dhe “mënyra amerikane e jetës” modeli i modernizmit? Apo Kina po kthehet në krye të ekonomisë botërore? Aty ku sipas përfytyrimeve të Pekinit edhe i takon. Sepse për shekuj me radhë, deri më pak se 200 vjet më parë, Kina ishte shumë më përpara se pjesa tjetër e botës.

G7? G20? G2!

Presidenti amerikan Trump nuk ka fshehur kurrë faktin se “Amerika e para” është qëllimi i tij më i lartë. Gjithçka tjetër ishte dhe është e dorës së dytë dhe në rastin më të mirë mbetet një mjet për të arritur qëllimin e tërësisë së tij, domethënë ndjekjen fillimisht të interesave të Amerikës. Dhe për Donald Trumpin ekziston vetëm një armik që e pengon në rrugën e tij: Kina. Çdo gjë tjetër është për kafshë e vogël gjeopolitike. Pavarësisht nëse krerët e shteteve ose qeverive të G7, G8 ose G20 mblidhen herë pas here në takime të nivelit të lartë. Kjo nuk ka rëndësi për presidentin amerikan. Për të ekzistonte dhe ekzistont gjithmonë vetëm G2: SHBA dhe Kina.

Po ashtu doktrina G2 nuk është një tik psikopatik i Donald Trumpit. Përkundrazi, në këtë vlerësim strategjik ai lëviz në kontekstin e analizës gjeostrategjike të mjaft grupeve ekspertësh amerikanë. Nga këndvështrimi i tyre, shumë kohë para Trump, ishte e qartë se vetëm Kina dhe SHBA, por jo Evropa, luajnë një rol në garën për epërsi në politikën ekonomike botërore.

Në betejën e gjigantit gjeopolitik SHBA, Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) nuk do të mund të thotë shumë. Kjo është tragjike, sepse SHBA është nëna e rendit të tregtisë botërore të pasluftës. Dhe që kur Kina u bë anëtare në fund të vitit 2001, ndarja globale e punës dhe e tregtisë botërore ka qenë edhe më e shpejtë se më parë. Por as SHBA, as Kina nuk do ta lënë veten të pengohen nga OBT-ja. Dhe nëse me taksat doganore ato kanl harxhuar vetëm barutin, në të ardhmen do të përdorin armë vërtetë të rënda – normat e këmbimit të valutës.

Nga luftë tregtare në luftë valutash

Nuk është rastësi, por logjikë e qartë ekonomike që monedha kineze – juan ose renminbi – u zhvlerësua brenda disa javësh shtatë për qind kundrejt dollarit. Zhvlerësimi është një armë e fuqishme efektive e proteksionizmit. Ai i degradon tarifat ndëshkimore doganore në fishekë për pushkë stërvitore. Një zhvlerësim i juanit nuk do të thotë asgjë më shumë se një tarifë e gjerë doganore për importin prej shtatë për qind për të gjitha produktet nga jashtë dhe jo vetëm një tarifë doganore punktuale kineze për mallra të caktuara amerikane. Në të njëjtën kohë ai është një subvencion eksporti për të gjithë prodhuesit kinezë në tregjet botërore, gjë që i bën produktet kineze shtatë përqind më të lira. Me zhvlerësimin e renminbisë efekti i tarifave doganore ndëshkuese të Trumpit mënjanohet.

Lufta valutore është vazhdim i luftës tregtare me armë të kalibrit të madh. Kjo e kthen plotësisht OBT-në në një tigër pa dhëmbë. Sepse përballë strategjive të zhvlerësimit, OBT-së i mungon kompetenca dhe instrumentet për të qenë në gjendje t’u kundërvihet atyre. Në vitin 1948 anëtarët themelues të Organizatës Botërore të Tregtisë nuk i kishin parasysh luftërat valutore. Dhe nuk kishin sepse, ngaqë në atë kohë me sistemin e Bretton Woods të vitit 1944, për gati tri dekada qe në fuqi një doktrinë e kurseve të këmbimit fiks kundrejt dollarit amerikan si monedhë rezervë.

Ndarja në shtete rrugë e gabuar

Fundi de facto i rendit ekonomik botëror shumëpalësh i degradon interesat evropiane në topa arbitrarë të manipulueshlm të shteteve të G2. Sepse në rastin e multilateralizmit, SHBA dhe Kina kishin vetëm një votë po aq sa secili vend i Evropës. Kështu, BE-ja kishte në tërësi një peshë 28 herë më të madhe se ajo e SHBA-së apo Kinës. Kurse në rastin e negociatave dypalëshe vendimtare do të jetë përsëri forca e më të fuqishmit – Evropa nuk duhet të ketë iluzionin më të vogël se do ta trajtojnë me kujdes.

Është koha për të kërkuar për qasje të reja përtej tregtisë së lirë globale, mosdiskriminimit dhe parimit të reciprocitetit. Së pari dhe më kryesorja është të kuptohet se për Evropën ndarja në shtete që hyjnë në bisedime secili për vete është e kundërta e një strategjie të suksesshme. Asnjë nga vendet evropiane nuk ka forcë që të arrijë vetëm diçka në një botë të dominancës së pushtetit të G2, as Gjermania, as Franca. Kjo është e reja dhe e ndryshmja në epokën post-multilaterale. Vetëm së bashku Evropa do të ketë një shans për të mbrojtur interesat e veta përballuar një strategjie “Amerika e para” dhe një Kine të pajisur mirë ekonomikisht dhe ushtarakisht.

/Thomas Straubhaar është ekonomist nga Zvicera dhe hulumtues i migracionit. Ai është profesor pör Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Biznesit në Universitetin e Hamburgut. Prej vitit 1999 deri në vitin 2014 ai ishte drejtor i Arkivit Ekonomik Botëror të Hamburgut (HWWA) dhe Institutit tö Hamburgut për Ekonominë Ndërkombëtare (HWWI)

Minatorët paralajmërojnë grevë të përgjithshme nëse nuk u plotësohen kërkesat

Me thirrjet “Trepça është e jona”, “Jetën e japim Trepçën se japim”, punëtorët e Trepçës kanë protestuar për një orë para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga institucionet e vendit, plotësimin e kërkesave të tyre

Kërkesat e tyre janë: njohja e pensionit 70 përqind e pagës, mosha 50-55 vjet, Ligji për invalidët e punës, stazhi i benificuar, sigurimi shëndetësor në punë, njohja e stazhit 89-99 si dhe pensioni familjar. Shyqyri Sadiku kryetar i Sindikatës së minatorëve të Trepçës tha kjo protestë një orëshe është paralajmëruese dhe se në rast se institucionet nuk marrin parasysh kërkesat e tyre, atëherë ata do të hyjnë në greva dhe në protesta në rrugë, të cilat nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave që ata kanë.

Ai tha se janë duke pritur qe 19 vjet për përmbushjen e kërkesave të tyre, të cilat sipas tij janë të arsyeshme. Sadiku tha se kërkesë e tyre është që të gjitha asetet e Trepçës e që janë gjithsej 27, të futen në draft statut dhe të formohet një komision i përbashkët nga Qeveria, menaxhmenti i Trepçës dhe bordi, me qëllim që të gjitha asetet të trajtohen një nga një.“Ne i drejtohemi nga ky protestë paralajmëruese të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, duke nisur nga Qeveria, Kuvendi nga të gjithë deputetët e Republikës së Kosovës këto kërkesa t’i marrin parasysh se janë kërkesa të arsyeshme dhe të drejta. Kërkesat nuk janë veç kërkesa sociale.

Janë kërkesa që Trepça për momentin me draft statutin të cilin e ka punuar një bord i Trepçës, i cili është një bord politik dhe një bord i padijshëm e ka rrezikuar Trepçën. Trepça është e rrezikuar se të gjitha vend burimet përreth minierave nuk i kanë fut në draft statut….Edhe njëherë iu apeloj të gjitha institucioneve që nëse nuk merren parasysh kërkesat tona, afati është 09.07.2018 dhe atëherë do të fillojnë grevat e përgjithshme, ose do të ketë protesta në rrugë apo greva që do të jenë dhe greva me ngujimin në minierë“, tha Sadiku.

Ndërkaq Avni Ajdini kryetar i BSPK-së kërkoi nga Qeveria që ta marrë një hap të guximshëm, për t’i zgjidhur problemet e minatorëve dhe të dal me një plan për të diskutuar, përndryshe protestat e minatorëve do të vazhdojnë.“Këto po ma rikujtojnë kohën e kaluar, kur kemi protestuar të gjithë së bashku. Megjithatë na erdh puna edhe tani me protestu përsëri, për të drejtat tona elementare. Kjo sot çka është me Trepçën, është një turp nga vet Qeveria jonë. Sepse minatorët janë harruar, atje nën tokë dhe askush nuk kujdeset për ata. Kërkesat e punëtorëve sot për me rujt Trepçën janë legjitime dhe në asnjëherë nuk do të lëshojmë pe që Trepçën do ta humbim”, tha Ajdini.

Megjithëse kërkesë e tyre ishte që të takoheshin me kryeministrin dhe kryeparlamentarin, para tyre dolën deputetët e VV-së Sami Kurteshi, Fitore Pacolli dhe Xhelal Sfeçla. Si dhe deputeti i Nismës Milaim Zeka, të cilët u premtuan protestuesve, se do ta kenë përkrahjen e tyre.“ Në qoftë se baballarët tanë kanë ardh dhe iu kanë vizitu kur keni hy brenda dhe keni bërë veprën më heroike për neve është marre mos me u solidarizu me juve. Ka njerëz brenda parlamentit që kur kamionët e Trepçës me mallrat e mineralet e Trepçës, janë shkruar 250 euro, kur kanë mbrri në Kinë janë shitur 250 mijë euro .Dëgjoni vllazën hajni nuk ka identitet. Nuk ka nevojë me qenë as serb as malazez as kroat as rom as shqiptar, për me kanë hajn. Hajnat e vjetër e hajnat e ri e kanë vjedh Trepçën. Ata iu kanë pru në këtë situatë ku jeni”, tha ai.

Sami Kurteshi i Vetëvendosjes tha se partia e tij nuk do të lejojë legalizimin e shitjes dhe të humbjes së Trepçës, për shkak të interesave të ngushta private dhe ekonomike, të disa personave.Kurteshi: Ne do të iu përkrahim (video) “Tash ka ardhur statuti për ndarjen e Trepçës për rregullimin e punëve, sipas ligjit dhe këtë e kemi kundërshtuar. Ne e kemi mbajtur një takim edhe me ekspertët në lidhje me statutin që është ofruar dhe nuk ka qëllim tjetër përveç legalizimit të huajsimit të Trepçës nga punëtorët dhe nga pasuria publike. VV as tash as përpara nuk do të lejojë legalizimin e shitjes dhe të humbjes së Trepçës, për shkak të interesave të disa personave që kanë interesa të ngushta private dhe ekonomike”, tha ai.

Por Qazim Avdyli, minator në minierën e Artanës ishte i pakënaqur që para tyre dolën deputetët. Ai kërkoi që para tyre të dal vet kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili tha se u kishte bërë premtime të shumta, gjatë fushatës.“Kisha bërë apel deputetëve qeveritar, mos të vijnë në emër të partive me na tradhtu neve minatorëve. Sepse ne nuk tradhtohemi, ne nuk jemi për parti, ne jemi për zhvillim dhe ndërtim të Kosovës….Ne po e dojna kryeministrin me ardh. Se ka ardh para zgjedhjeve na ka premtu, i ka dhënë premtimet e veta. Tani e ka ndreq fotelen e vet. I ka bërë 4 mijë euro rrogë, më nuk po ndin as për minatorët as për banorët e Kosovës”, tha ai.Ndryshe pas një ore proteste, protestuesit u shpërndanë të qetë. Ata i kanë dhënë ultimatum institucioneve që të merren me kërkesat e tyre deri më 9 korrik. Përndryshe kanë paralajmëruar greva edhe protesta, deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Merkel: BE dëshiron të shmangë luftën tregtare

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Bashkimi Evropian do të bëjë çdo përpjekje për të shmangur luftën tregtare me Shtetet e Bashkuara, porse edhe Uashingtoni duhet t’iu bashkohet këtyre përpjekjeve

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka vënë tarifa mbi importet e aluminit dhe çelikut nga BE-ja dhe është duke shqyrtuar vënien e të njëjtave edhe në makina dhe kamionë.

“Ia vlen çdo përpjekje për ta qetësuar këtë konflikt, në mënyrë që ai të mos shndërrohet në luftë të vërtetë. Natyrisht se përpjekje duhen bërë nga të dyja palët”, tha Merkel.

Sipas saj, funksionimi i mirë i ekonomisë botërore varet nga vendet që punojnë së bashku si partnerë.
Bashkimi Evropian, nga 1 korriku, ka vënë tarifa hakmarrëse mbi eksportet në SHBA.

Presidenti amerikan, Trump, ka thënë se tarifat që ka ndërmarrë ai, janë në interes të sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Kosova humb 170 milionë euro për shkak të kontratave të gabueshme

170 milionë euro mund t’i humbasë Kosova për shkak të mungesës së profesionalizmit gjatë lidhjes së kontratave publike, jotransparencës lidhur me to dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, raporton KTV

Kontrata për autostradën për Shkup, ajo e pasaportave biometrike, kontrata e Dardafonit, AXOS-i, si dhe procesi i privatizimit të Brezovicës ishin 5 tema diskutimi me titullin “Kontratat e dëmshme të Kosovës”, të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur.

Një studim i realizuar nga instituti Riinvest flet për mungesën e profesionalizimit dhe transparencës gjatë përpilimit të këtyre kontratave. E, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Vladrin Lluka, tha se kanë qenë në dijeni se kishin nënshkruar kontrata pa e ditur nëse do të përmbusheshin. Zëvendësministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, duke folur për dëmshpërblimin prej 53 milionë eurosh që qeveria ia pagoi Bechtel&Enkës, tha se është pasojë e ndërrimit të qeverive dhe menaxhimit joserioz të kontratave. Korab Sejdiu tha se në kontratat publike nuk duhet të kenë konfidencialitet. Qeveria e Kosovës është duke u përballur me konteste gjyqësore, të cilat rrjedhin si pasojë e formulimit dhe zbatimit joadekuat të kontratave publike.

Bizneset ende vazhdojnë t’i ikin tatimit

Në vend ende vazhdon të ketë pabarazi në treg. Shumë nga bizneset vazhdojnë t’i ikin tatimit të shtetit. Një e treta e bizneseve, sipas raportit të auditorit, del se nuk kanë arka fiskale, raporton KTV

Nga 66 mijë biznese afër 20 mijë nuk i posedojnë ato. Por, numri i tyre mendohet të jetë më i madh, pasi Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka të dhëna të sakta.

Lidhur me këtë nuk janë deklaruar në ATK. Në bazë të një hulumtimi të Ministrisë së Financave, në vitin e kaluar pati dalë që rreth 30 për qind ekonomisë në vend është joformale.

Musa Limani, profesor i ekonomisë, tregon se ky veprim ka ndikim të madh në buxhet të shtetit, por edhe në pabarazinë e bizneseve. Për këtë ai thotë se duhet të ndërmerren masa më të mëdha nga inspektorati i ATK-së si dhe të ketë bashkëpunim mes institucioneve.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe Odën Ekonomike Amerikane. Pos mungesës së arkave fiskale, sfidë thonë se mbetet edhe mbikëqyrja e zbatimit të këtij procesi.

Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane, ka thënë se ajo që është më e rëndësishmja krahas përmbylljes së fiskalizimit është edhe mbikëqyrja e zbatimit të procesit nga ana e bizneseve, meqë shumë prej atyre kanë arkë fiskale, por nuk e përdorin fare.

Procesi i fiskalizimit është theksuar edhe në raportin e auditorit në vitin e kaluar. Në të, u pat kërkuar nga Drejtori i Përgjithshëm që të sigurojë kontroll dhe të ndërmarrë masa të nevojshme që t’i obligojë bizneset të pajisen me arka fiskale.