Si dhe apo kontrollohet cilësia e naftës

Dogana e Kosovës nuk ka laborator të kompletuar për kontrollin e cilësisë së naftës. Ajo arrin vetëm analizimin e disa parametrave të një mostre të naftës dhe derivateve të saj, raporton KTV

Për këtë arsye, vitin e kaluar Dogana ka nënshkruar një kontratë me dy laboratorë privatë për analizimin e parametrave të tjerë. Por, kjo kontratë nuk po përmbushet. Para dy vjetësh Ministria e Tregtisë ia barti kompetencat për kontroll të cilësisë së derivateve Doganës së Kosovës, pasi të njëjtën punë nuk arrinin ta kryenin trupat inspektuese.

Mirëpo, edhe ky vendim nuk po jep shumë rezultate, meqë laboratori i Doganës që është i akredituar nga Ministria e Tregtisë, kryen analizimin e vetëm tre parametrave të naftës e dy të benzinës. Ndërsa, sipas Udhëzimit Administrativ për “Cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës”, thuhet se për analizim të cilësisë nevojiten rezultatet e 19 parametrave.

Për këtë arsye, në vitin 2017, kishin nënshkruar një kontratë me dy laboratorët e vetëm të akredituar, të cilët do t’i analizonin parametrat e tjerë. Por, drejtorët e tyre tregojnë se kontrata nuk është duke u përmbushur. Sipas tyre, rezultatet e një mostre nuk mund të dihen pa analizimin e të gjithë parametrave.

Por, ndryshe deklarojnë në Doganën e Kosovës. Zëdhënësi Adriatik Stavileci thotë se kontrolli i cilësisë aplikohet në 7 për qind të importit. Kjo çështje është përmendur edhe në Raportin e fundit të Progresit, në pjesën e mjedisit.

Komisioni kërkon përpjekje për rritjen e standardeve të cilësisë së karburanteve. Sasia e naftës së importuar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ka shënuar rritje për 7 për qind, ndërsa ulje ka shënuar sasia e benzinës së importuar për 4 për qind.

BE-ja dhe Japonia vulosin marrëveshjen e tregtisë së lirë

Pesë vite me radhë u zhvilluan negociata. Tani BE dhe Japonia nënshkruan marrëveshjen e tregtisë së lirë që hyn në fuqi në vitin 2019 dhe mënjanon 99% të doganave mes dy vendeve

Bëhet fjalë për marrëveshjen historikisht më të madhe të Bashkimit Europian, për nënshkrimin e saj shkuan vetë në Tokio si kreu i Komisionit Europian, Jean Claude-Juncker ashtu edhe Presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk. Nuk kishte moment më të përshtatshëm për takimin e përbashkët me kryeministrin japonez, Shinzo Abe. Në kulmin e grindjes tregtare me Donald Trump, BE dhe Japonia dërgojnë një sinjal kundër politikës së izolimit të Uashingtonit duke nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë që hyn në fuqi në vitin 2019.

Treg me 127 milionë banorë

“Marrëveshja Ekonomike e Partneritetit”, e njohur si Jefta në opinionin publik sjell avantazhe për të dyja palët. Nga BE thuhet se eksportuesit europianë mund të kursejnë deri në 1 miliardë dollarë në vit në dogana, në të njëjtën kohë pritet një rritje e eksportit. Japonia ka një treg me 127 milionë banorë. Vetëm në vitin 2016, vëllimi tregtar mes BE dhe Japonisë kapi shifrën e 120 miliardë eurove.

Japan Tokyo – Donald Tusk, Shinzo Abe und Jean-Claude Juncker (picture-alliance/AP Imags/T. Joko)
Krahas kontratave tregtare, marrëveshja përmban edhe një kontratë për këmbimin e të dhënave. Kjo ujdi krijon hapësirën më të madhe ekonomike në botë, ku të dhënat personale duke ruajtur standarte të larta sigurie mund të shkëmbehen, bëri të ditur KE. Informacionet për europianët që përpunohen në Japoni i nënshtrohen standarteve që janë të barasvlershme me rregulloret e BE. Eurodeputeti i Gjelbër, Sven Giegold e kritikoi Jeftan. Sipas tij nuk duhet këmbëngulur vetëm tek liberalizimi i tregut por edhe tek standartet sociale dhe ekologjike. Ky shans humbi me marrëveshjen e Jeftas, tha Giegold.

Tregtarët: Disa nga produktet e mbrojtura nuk përmbushin as 10 për qind të tregut

Vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vendosjen e masës së përkohshme prej 30 për qind të vlerës doganore për të gjitha pemët dhe perimet që hyjnë në Kosovë, konsiderohet diskriminues dhe i padrejtë nga ana e Shoqatës së Tregtarëve të Pemëve dhe Perimeve

Kjo Shoqatë ka kërkuar nga MTI-ja që të ndryshojë vendimin e marrë ose në të kundërtën ka paralajmëruar protesta dhe largim nga puna të punëtorëve, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas tyre, vendimi i tillë ka një kosto të paparaparë, për shkak se mallrat janë kontraktuar para sezonit dhe se vlerësimi i bërë nga ana e Ministrisë është i gabueshëm.

Edhe përfaqësuesit e bizneseve, ndonëse janë për mbrojtje të prodhuesve vendorë, kanë kërkuar që vlerësimet të bëhen bazuar në kërkesa të konsumatorëve, pasi në të kundërtën sipas tyre, do të ketë rritje të çmimeve të produkteve në fjalë, njëkohësisht pamundësi të përmbushjes së nevojave të konsumatorëve.

MTI-ja ditë më parë ka marrë vendim për masa mbrojtëse ndaj pemëve dhe perimeve, i cili pritet të hyjë në fuqi më 18 korrik. Për zbatimin e këtij vendimi, nga Dogana e Kosovës kanë bërë të ditur se janë në pritje të disa udhëzimeve nga Qeveria e Kosovës dhe të mërkurën do të fillojnë me zbatimin e vendimit.

Kosova e dyta në rajon për liritë ekonomike, ka punë me korrupsionin e sundimin e ligjit

Këshilli i Investitorëve Evropianë (KIE) duke u bazuar në raportin e fundit për liritë ekonomike botërore nga Fondacioni Heritage mirëpret faktin që Republika e Kosovës është renditur e dyta në rajon, në vendin e 56-të në renditjen botërore si dhe në vendin 27-të në mesin e 44 vendeve në rajonin e Europës

Këta indikatorë tregojnë se në Kosovë po punohet në drejtimin e duhur dhe sidomos që ka pasur përmirësime në aspektin e reformave fiskale.

Megjithatë, KIE bënë thirrje institucioneve relevante që të vazhdojë punën e përbashkët dhe intensifikimin e dialogut me përfaqësues të sektorit privat, në mënyrë që të përmirësojmë edhe aspektet tjera ku ka ngecje, siç janë integrimi global ekonomik, stabiliteti politik, lufta ndaj korrupsionit dhe nepotizmit, furnizimi i qëndrueshëm me energji, sundimi i ligjit, si dhe respektimi i kontratave.

Deficiti tregtar i BE-së rritet në 9.1 miliardë euro

Zyra Evropiane për Statistika (Eurostat) bën të ditur se bilanci i tregtisë së jashtme të Bashkimit Evropian (BE) nga muaji janar deri në muajin maj regjistroi një deficit prej 9.1 miliardë euro (11.1 miliardë dollarë), transmeton Anadolu Agency

Raporti i ri mbi tregtinë ndërkombëtare të Eurozonës mbi suficitin e mallrave tregon se nga muaji janar deri në muajin maj BE eksportoi mallra me vlerë prej 786.6 miliardë euro (960 miliardë dollarë), duke shënuar një rritje prej 1,5 për qind nga viti në vit, ndërsa importet totale nga pjesa tjetër e botës ishin 795.7 miliardë euro (971 miliardë dollarë), duke shënuar rritje prej 1,6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Si rezultat, BE-28 shënoi një deficit prej 9.1 miliardë dollarë (11.1 miliardë dollarë), krahasuar me 81.1 miliardë euro (8.7 miliardë dollarë) në periudhën janar-maj të vitit 2017. Tregtia brenda BE-28 u rrit në 1.457 trilionë euro (1.8 trilion dollarë) në periudhën janar-maj 2018, me 4,6 për qind rritje në krahasim me periudhën janar-maj të vitit 2017”, tha Eurostat.

Kursi mesatar prej pesë muajsh euro/dollarë për këtë vit ishte rreth 1.22, ndërkohë që 1 euro mesatarisht ishte 1.08 dollarë për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

SHBA ishte tregu më i madh për eksportin e BE-së, edhe atë me eksporte në vlerë prej 163.1 miliardë euro (199 miliardë dollarë) midis janarit dhe majit. Sipas të dhënave zyrtare, Kina, Zvicra, Rusia dhe Turqia vijnë pas SHBA-ve.

Eksportet e Turqisë në BE u rritën në 37.2 miliardë euro (45 miliardë dollarë) nga janari deri në maj, përkatësisht 10,4 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Gjatë të njëjtës periudhë, blloku importoi më shumë nga Kina me gjithsej 151.3 miliardë euro (184.6 miliardë dollarë) ose 19 për qind të importeve totale, ndjekur më pas nga SHBA-të, Rusia, Zvicra dhe Norvergjia.

Blloku 28 anëtarësh i BE-së në pesë muajt e parë të këtij viti shënoi suficitin më të lartë me SHBA-të, edhe atë 54.8 miliardë dollarë (66.8 miliardë dollarë), si dhe deficit më të madh me Kinën, 69 miliardë euro (84.2 miliardë dollarë).

Kompleksi më i madh portual amerikan dhe lufta tregtare me Kinën

Ndërsa administrata Trump njoftoi vendosjen e tarifave shtesë prej 200 miliardë dollarësh ndaj importeve kineze, kompleksi më i madh portual në Shtetet e Bashkuara po përgatitet ndaj ndikimit të këtij vendimi

Për portet binjake Los Angelos dhe Long Beach, Kina është partnerja më e madhe tregtare dhe ajo që mund të ndodhë në këto porte, mund të shkaktojë një efekt domino në sektorë të tjerë të ekonomisë amerikane. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee njofton.

Javët e fundit kanë qenë jashtëzakonisht stresues për Liang Liang, i cili ka në pronësi një biznes shitjes me shumicë mallrash importi në Los Anxhelos. “I kam parë lajmet çdo ditë. Kur do të vendosen tarifat, kur do të më vijnë mallrat që kam porositur….luftoj me kohën. Po përpiqem të porosis të gjitha mallrat që më duhen për pjesën tjetër të vitit”, thotë ai.

Shumica e mallrave, të tilla si lodra dhe bluza vijnë nga Kina, vendi i origjinës së Liang-ut. Ai pret një rritje prej 10 deri në 20 për qind në shpenzimet e transportit detar. Me rritjen e çmimeve për shkak të tarifave disa prodhues dhe shitës me pakicë pritet të porosisin më pak produkte, duke zvogëluar vëllimin tregtar ndërmjet dy vendeve.

“Pasi kjo të ndodhë, do të shihni një rritje në pagesat për transportin, sepse kur nuk keni volumin për të justifikuar mallrat që trasportohen, do të ketë një rritje të mëtejshme të kostos”, thotë Stephen Cheung i Qendrës Botërore të Tregtisë në Los Anxhelos.

….Dhe kostot e transportit do të ndikojnë tregtinë mes SHBA-së dhe Kinës, jo vetëm mallrat në listën e atyre që do t’u vendosen tarifa. Sektori i tregtisë dhe logjistikës, që përfshin portet dhe zinxhirin e furnizimit të kamionëve dhe magazinave, do të jenë viktimat e para të luftës tregtare.

Liang Linag thotë se ai do të përpiqet të amortizojë humbjet dhe kufijtë e tij të fitimit do të tkurret, por … “Nëse tarifat rriten me 10 apo 20 për qind, do më duhet të rris çmimet”, thotë ai.

“Konsumatorët do ta ndiejnë në kuletat e tyre shumë shpejt”, thotë Stephen Cheung i Qendrës Botërore të Tregtisë në Los Anxhelos. “Do të duhet të presim të shohim se si bizneset e ndryshme do të ristrukturojnë rrjetet e tyre të furnizimit dhe do të përshtaten me mjedisin e ri tarifor”, thotë Duan Kenagy, porti i Long Beach.

Sipas zotit Kenagy deri më tani këtë vit, porti i Long Beach-it, ka shënuar vëllime rekord. Por shqetësimet egzistojnë. “Ndikimet e një lufte tregtare të qëndrueshme dhe afatgjatë mund të jenë shkatërruese për të dyja ekonomitë”.

Por Liang Liang shpreson ende. Ai mendon se lufta tregtare është në fakt një teatër politik i të dyja palëve.

“Kina gjithashtu ka pozitën e saj në tregti. Qeverisë kineze i duhet të jetë përgjegjëse për 1.4 miliardë njerëz që jetojnë në vend. Ndaj mendoj se Kina dhe SHBA-ja nuk do të bien dakord mbi tregtinë vetëm në sipërfaqe. Për zotin Trump, kjo është një shfaqje për zgjedhjet afatmesme të nëntorit, përgjigje ndaj elektoratit”.

Ekspertët thonë se gjetja e zgjidhjeve për praktikat e padrejta tregtare dhe çështjet e pronësisë intelektuale amerikane janë të nevojshme, por sipas tyre duhet gjithashtu të ketë masa për të minimizuar dëmet e një lufte tregtare.

Rritet Borxhi publik i Kosovës, arrin në 600 euro për kokë banori

Borxhi publik i Kosovës çdo vit po shënon rritje, edhe pse jo në mas të madhe. Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të majit të këtij viti ky borxh ka arritur në 1 miliard e 54 milionë euro.
Pavarësisht rritjes së shumës së borxhit, ai vlerësohet më i ulëti në rajon. Shprehur në përqindje, borxhi paraqet 16.54 për qind të Produktit të Përgjithshëm Bruto (PPB)

Deri sa në fund të vitit 2017, borxhi publik ishte 996.42 milionë euro dhe përbënte 14.58 për qind të PPB-së. Sipas të dhënave të fundit, PPB-ja e Kosovës është 6.06 miliardë euro, apo mbi 3,400 euro për kokë banori. Por, llogaritur pjesëmarrjen e secilit qytetar në borxhin publik, del se çdo banor në Kosovë detyrohet me rreth 600 euro.

Zëvendëskryetarja e Komisioni për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, Safete Hadërgjonaj, vlerëson se Borxhi publik është i ulët në raport me PPB. Ajo në një përgjigje për Telegrafin, tha se edhe pse Borxhi publik i Kosovës ka shënuar rritje, megjithatë qëndron në nivele të ulëta në raport me PPB-në.

“Është e vërtet që ka rritje të Borxhit publik, mirëpo ky borxh në Kosovë është ende i ulët në raport me Produktin e Përgjithshëm Bruto”, tha për Telegrafi, Hadërgjonaj.

Ajo tërheq vërejtjen se Qeveria duhet të jetë e kujdesshme me harxhimin e këtyre mjeteve. “Kosova ka hy në borxhe për projektet që janë në interes për vendin. Qeveria duhet të jetë e kujdesshme që këto mjetet që janë marrë borxh të shpenzohen në mënyrë efikase dhe efektive të jetë më e kujdesshme në krijimin e kushteve për realizimin e projekteve që janë paraparë të realizohen me këto mjete. Nuk është e arsyeshme që për shkak të procedurave dhe neglizhencës të mos realizohen projektet për të cilat Kosova ka hy borxh”, tha Hadërgjonaj.

Sipas njohësve të ekonomisë, investimi i paarsyeshëm i Borxhit Publik mund të shkaktojë probleme buxhetore. Flamur Keqa, ekspert për çështje financiare, ka thënë për Telegrafin, se Qeveria duhet të shtojë kujdesin lidhur me shtimin e borxhit. “Edhe pse borxhi është ende është në suaza të kërkesave ndërkombëtare financiare, Qeveria duhet të shtoj kujdesin për shkak të rritjes graduale të borxhit”, tha Keqa.

Sipas tij, borxhi në vete ka kosto të caktuara. “Duke pasur parasysh se si borxhi i brendshëm edhe ai i jashtëm ngërthejnë në vete kosto të caktuara financiare të cilat dallojnë mes tyre atëherë mjetet e marra borxh duhet investuar në projektet e parapara me marrëveshje apo në projekte kapitale të cilat gjenerojnë kthim më të larte se sa kostoja e borxhit. Investimi i paarsyeshëm ekonomikisht mund të shkaktoj probleme buxhetore në të ardhmen”, tha Flamur Keqa.

Kurse, zëdhënësi i Ministrisë së Financave, ka thënë për Telegrafin se Borxhi publik deri në fund të muajit maj kaloi vlerën e 1 miliard eurove. “Në fund të muajit maj 2018 gjendja e borxhit shtetëror të Kosovës shënoi vlerën 1 miliard e 54 milion euro. Kjo njëherësh paraqet 16.54 për qind të Produktit të Përgjithshëm Bruto”, tha Shahini. Huamarrja e borxhit, sipas tij, është në pajtim me Ligjin e Buxhetit 2018 dhe se parashikimet janë brenda kufijve të paracaktuara.

“Huamarrja e borxhit shtetëror është në pajtim me Ligjin e Buxhetit 2018, Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Ligjit për Borxhet Publik. Shumat që priten të tërhiqen nga huamarrja ndërkombëtare, shërbimi i borxhit dhe shumat që do të emetohet gjatë vitit në tregun e brendshëm janë të përfshira në Ligjin e Buxhetit, sipas parashikimeve dhe janë brenda limiteve të paracaktuara në Programin e Borxhit Shtetëror 2019-2021, në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, dhe në Ligjin për Borxhet Publike”, tha zëdhënësi Muharrem Shahini.

Sipas Ministrisë së Financave, borxhi i brendshëm i huazuar përdoret për mbështetje buxhetore, ndërkaq borxhi ndërkombëtar i huazuar është i orientuar në financim të projekteve, që i takojnë sektorëve të ndryshëm dhe kryesisht lidhen me projekte prioritare siç janë projektet infrastrukturore, ujërat e zeza, furnizimi me ujë, shëndetësi, bujqësi, arsim, etj.

Edhe në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian është thënë se Kosova ka një nivel relativisht të ulët të Borxhit Publik dhe nuk paraqitet ndonjë shkak për shqetësim.

Shqipëria dhe Serbia renditen në vendin e parë sa i përket përqindjes më të lartë të borxhit me një pjesëmarrje mbi 70 për qind të PBB-së, pasuar nga Mali i Zi me mbi 60 për qind dhe Bosnja dhe Hercegovina me mbi 40 për qind.

Ndryshe, sipas Ligjit për Borxhet publike, në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm, nuk duhet të tejkalojë dyzet për qind të PBB-së. Në rast se borxhi e tejkalon këtë përqindje, atëherë Qeveria duhet t’i paraqesë Kuvendit strategjinë për të kthyer Borxhin e Përgjithshëm nën pragun 40 për qind. /Telegrafi/

Pse diaspora frikësohet të investojë në Kosovë

Mbi 1 miliard llogaritet të jetë kontributi vjetor i diasporës në Kosovë, e që i bie gjysma e buxhetit të vendit. Vetëm në vitin 2017 diku më shumë se 740 milionë euro ishte vlera e remitencave dhe sipas vlerësimeve të tjera diku rreth 300 milionë tjera si shpenzime që nuk kanë kaluar nëpër sisteme bankare

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se diaspora është investitori më i madh, por çështjet juridike shpesh herë pengojnë punën e investitorëve të huaj që të operojnë këtu.

“Në vitin 2017 diaspora ka kontribuar diku me 740 milionë remitenca në Kosovë, sipas vlerësimeve të tjera diku rreth 300 milionë tjera si shpenzime që nuk kanë kaluar nëpër sisteme bankare, që nuk kanë shkuar në dorë private. Ne besojmë diku mbi 1 miliard është kontributi i drejtpërdrejtë i diasporës çdo vit. Buxheti shtetëror është diku rreth 2 miliardë që i bije që gjysma e buxhetit shtetëror në një mënyre vjen nga diaspora, pra kontributi i diasporës është jetik për vendin tonë, nuk është diçka që qon peshë pak apo shumë, por është jetik dhe e barabartë me kontributin e qytetarëve tanë këtu në aspektin e zhvillimit ekonomik”, tha Gashi.

Gashi tha se sfidat e investimeve të diasporës në Kosovë janë të njëjta me investitorët vendor, ai thekson që më së shumti si problem dhe sfidë e investimeve janë çështja juridike, ku për një lëndë të caktuar në gjykatë i duhet investitorit të presë 3 deri ne 4 vjet.

“Aspekti kryesor është pasiguria juridike sa i përket investimeve, mbrojtja e investimeve. Nuk mund dikush të investoj në Kosovë qoftë vendor, ndërkombëtar apo diaspora kur për një lëndë në gjykatë pritet me 3-4 vite e më shumë për të zgjidh një kontekst juridik që ka të bëjë me një investim apo konflikt financiar ekonomik”, tha Gashi.

“Ky është problemi numër një me të cilën ballafaqohen dhe i frikësohen edhe investitorët klasik të huaj edhe bashkatdhetarët tanë, por dhe vet qytetarët e Kosovës që hezitojnë shpesh të investojnë. Vetëm bankat e Kosovës depozitat e qytetarëve tanë janë mbi 3 miliardë edhe qytetarët tanë që jetojnë në Kosovë hezitojnë që të investojnë”.

Ai po ashtu tha se për shkak të probleme që ka Kosova me burokracinë dhe kushteve që nuk kanë pasur mundësi të iu ofrojnë kompanive të ndryshme për investime, shpesh herë kompani të caktuara fillojnë operime në vendet fqinjë dhe nuk investojnë në vendin tonë.

Sipas tij, për këtë arsye është themeluar kjo ministri dhe Ligji për Investime Strategjike ka krijuar lehtësira që i janë nevojitur Kosovës që një kohë të gjatë, raporton EO.

Ai po ashtu tha se investitorëve iu është krijuar lehtësira në blerjen e pronës dhe çmimet e tyre janë të njëjta me vendet perëndimore.

“Ne mundemi, tokat, prona shoqërore apo të komunës të japim deri në 99 vite në shfrytëzim një investitori i cili garanton që do të punësoj një numër të caktuar të njerëzve tek ne dhe që nuk do të mbyll fabrikën para viteve të caktuara”.

“Të gjitha licencat dhe leja për marrjen në shfrytëzim të tokave apo të objekteve të tjera afariste që janë në pronë publike do të merret shteti i Kosovës dhe jo investitori, që të gjitha këto lehtësira janë duke u bërë me qëllim që të marrim edhe ne një investitor që në të gjithë regjionin ka zhvillim të madh që fatkeqësisht Serbia është një ndër prej shteteve që ka një zhvillim të hatashëm në drejtim të rritjes së investimeve, Maqedonia po ashtu kurse ne jemi shumë prapa”.

Ministri Hasani mbron me ligj 21 produkte të pemëve dhe permieve

Të gjithë importuesit e pemëve dhe perimeve në Kosovë tani e tutje do të duhet të paguajnë një masë të përkohshme prej 30 për qind të vlerës doganore. Kjo masë është caktuar të premten nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani. Vendimi do të hyjë në fuqi me datën 18 të këtij muaji

Në vendimin, të cilin e ka siguruar KosovaPress, thuhet se deri te caktimi i kësaj mase ka ardhur pas një hetimi të gjerë dhe konsultave me prodhuesit vendor, siç parashihet me Ligjin për Masa Mbrojtëse në Importe ku janë hetuar të gjithë pemët dhe perimet me origjinë nga të gjitha vendet e botës.

“Njoftimi erdhi pas vlerësimit paraprak të gjendjes; përfshirë konsultimet me prodhuesit siç parashihet në paragrafin 1 të nenit 6 të Ligjit nr.04/l-04 për Masat Mbrojtëse në Importe. Vlerësimi ofroi bazë të mjaftueshme për të përcaktuar se produktet që do të hetohen, importohen në Republikën e Kosovës në sasi aq të mëdha dhe në ato kushte të cilat kërcënojnë tu shkaktojnë dëm serioz prodhueseve të pemëve dhe perimeve në vend ose të shkaktojnë parregullsi që mund të përkeqësojnë gjendjen ekonomike të prodhuesve të pemëve dhe perimeve në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendimin e ministtrit Hasani.

Lista e pemëve dhe perimeve që u është caktuar masa e përkohshme:

Patatja,
Domatja,
Speci,
Trangulli,
Shalqiri,
Pjepri,
Lakra e hershme (pranverore),
Lakra e vonshme (vjeshtore),
Sallatë (të gjitha varietetet),
Spinaqi,
Qepa,
Karrota,
Fasulja monokulture,
Molla,
Dardha,
Kumbulla,
Qershia,
Dredhëza,
Mjedra,
Manaferra,
Misri

Zogiani: Ahmet Shala dhe Besim Beqaj kanë instaluar krimin në Telekom

Avni Zogiani nga Vetëvendosje ka thënë se në mënyrë sistematike partitë politike kanë dëmtuar Telekomin ndër vite. Ai në “Debat Plus”në RTV Dukagjini, mbrëmë ka thënë se PTK ka qenë ndoshta kompania më e suksesshme në Ballkan

“Deri në vitin 2008 PTK ka qenë ndoshta kompania më e suksesshme në Ballkan”. Zyrtari i Vetëvendosjes ka thënë në PTK kanë ndodhur punësime me lista partiake, pas pasur asnjë eksperiencë të mëparshme.

“Në PTK ka pasur punësime të mëdha nga partitë politike, dhe ky trend po vazhdon edhe sot. Ka punësime me lista partiake, që futen në nivelin e ekspertëve, e këta të punësuarit ndoshta sapo kanë mbaruar shkollën e mesme. Si mundë të jenë këta ekspertë”?

Zogiani ka thënë se sot teknologjia është burim për zhvillim ekonomik, ndërsa në Kosovë falimentohet Telekomi. “Të falimentosh një kompani si PTK sot, kur teknologjia është burim i zhvillimit ekonomik, është si ta mbyllësh një market që sjellë të ardhura”, deklaroi ai, përcjell Telegrafi.

Zogiani ka thënë se edhe Vetëvendosje kur të merr pushtetin do të bëj borde politike, sepse kanë me dhënë përgjegjësi politike. “Edhe Vetëvendosja kur të vjen në pushtet ndoshta do të bëj borde politike, por Ismet Hamiti është një ekspert i telekomunikacionit”.

Zyrtari i Vetëvendosje i ka dhënë merita Agron Mustafës për ngjalljen e marketingut në PTK. “Në periudhën e Agron Mustafës, është zgjuar marketingu por nuk është shfrytëzuar më tej”. Ish- përfaqësuesi i shoqërisë civile ka akuzuar dy persona për “instalimin e krimit në Telekom”. “Ahmet Shala dhe Besim Beqaj kanë instaluar krimin në Telekom”, ka thënë Avni Zogiani.