Opinion

Buxheti i varfër i Kosovës humbi 53 milionë euro, asnjë reagim qytetar

Nga Bashkim Kastrati

Buxheti i varfër i Kosovës ka humbur hiq më pak se 53 milionë euro. Kjo shumë e madhe e parave do t’i merr konsorciumi Bechtel & Enka, e cila është duke ndërtuar autostradën Prishtinë-Shkup. Konsorciumi në fjalë i ka kërkuar këto para për shkak të vonesave të pagesave siç kanë thënë se i ka bërë Ministria e Infrastrukturës.

Ministri aktual i infrastrukturës. Pal Lekaj ka hedhur fajin tek ai paraprak Lutfi Zharku se e ka shkaktuar këtë dëm, ndërsa ky i fundit ka deklaruar se Bechtel&Enka atij ia ka kërkuar 14 milionë kompensim e jo 53 milionë.

Derisa dy të lartcekurit janë përplasur ditëve të fundit, taksapaguesit e Kosovës kanë humbur 53 milionë euro, para të cilat do të mund të investoheshin në shëndetësi, ku mungojnë barërat esenciale, apo të investohen në arsim, apo të ndërtoheshin dy stadiume të mira të futbollit.

Edhe pse nga buxheti i Kosovës shkuan dëm 53 milionë euro, nuk pati asnjë reagim qytetar; asnjë aktivitet, asnjë protestë. Pavarësisht skandaleve që ndodhin me paranë publike, siç duket shoqëria kosovare është topitur dhe nuk reagon fare.

Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për tesheshi.com se dhënia e 53 milionë eurove për konzerciumin Bechtel & Enka është një goditje e madhe për ekonominë dhe buxhetin e brishtë të Kosovës. Ai thotë se kjo është përtej skandalit, një vend normal nuk duhet lejuar që 53 milionë euro t’i falën një kompanie, ai dyshon se kjo është bërë qëllimisht për t’i ndarë së bashku.

“Ekonomia e Kosovës po dëmtohet jashtëzakonisht shumë nga kjo garniturë e çoroditur e politikanëve, më 53 milionë euro të dhuruara nga Qeveria i barabartë me: 2500 pensione të pensionistëve edhe atë për 10 vjet: 2500×70= 21 milionë, 500 shtëpi për skamnorë të mbështetur me nga 20 mijë euro: 500×20,000= 10 milionë, 50 të sëmurë të mbështetur me nga 20 mijë eruo : 50×20,000= 1 milionë, 5 shkolla nga 3 milionë euro që është super standard: 5×3,000,000.00= 15 milionë, 120 Autoambulanca nga 50 mijë euro secila, pra: 120×50,000= 6 milionë”, thotë Beqiri.

Ai thotë se edhe sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit janë 295,809,378 euro mjete të cilat nuk janë tërhequr/shpenzuar sipas marrëveshjeve të arritura me institucionet financiare ndërkombëtare, si pasojë e mospërputhjes së dinamikës kohore në mes të alokimit të kredive dhe realizimit të projekteve, vlera e paguar e tarifave të zotimit për mjetet e kredive të pa tërhequra nga huamarrësit arrin kuotën prej 890,000 euro.

“Pse marrin kredi kur nuk i shfrytëzojnë, si pasojë pastaj janë shpenzuar afro 900 mijë euro për tarifat e zotimit për mjetet e kredive të pa tërhequra”, thotë Beqiri.

Ai mendon se opinioni publik kosovar vazhdon të ruajë tendencën e fortë të optimizmit, optimist në ekonomi, punësim, luftim të korrupsioni, luftë ndaj nepotizmit, integrimeve euroatlantike.

“Edhe pse ndodhin 1001 problem tjera ne prapë jemi optimist, por përballja me realitetin çdo ditë e më shumë po dëshmon se jemi larg përmirësimit të situatës aktuale”, ka thënë Beqiri.

Ndërsa ekonomisti Mustafë Kadriaj thotë se për pagesën për Bechtel&Enka do të duhej të krijohej një komision parlamentar për investigim sepse së pari këto janë djersë e qytetarëve. Ai thotë se qeveria dhe ministritë janë për të administruar dhe për ta kanalizuar në investime që do të kthehen, e jo pagesa me arsyetimin që si ministri ka dështuar në kontratë apo me arsyetimin në punë shtesë sepse edhe punët shtesë duhet të dihen e më së lehti në ndërtimtari sepse janë investime të prekshme e jo në imagjinatë.

“Deri më tani autostradat në Kosovë nuk e kanë arsyetuar vetveten për fat jo të mirë më shumë e kanë shfrytëzuar vendet e rajonit autostradën e Kosovës sesa vet Kosova. Nga parimi ekonomik jam ithtar i investimeve sepse përveç që investimet ndikojnë në punësim gjatë realizimit të projekte meqë Kosova nuk ka dalje në det e ka obligueshme infrastrukturën rrugore që te përmirësojë kushtet e të bërit biznes”, thotë Kadriaj.

Kërkohet hetim i menjëhershëm

Në lidhje me këtë çështje, disa organizata të shoqërisë civile i kanë dërguar një letër kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, përmes së cilës kërkojnë hetimin në detaje të këtij rasti.

Në këtë letër thuhet se çdo shkelje e ligjit duhet të marrë dënimin e merituar, por shkeljet e përmasave të tilla do të duhej të na alarmonin në nivel kombëtar. Nëse Kosovës së lodhur nga varfëria kronike i plaçkiten me kaq lehtësi 53 milionë euro, si mund të ngjallë kjo shoqëri besimin te qytetarët e vet dhe të aspiroj të jetë shtet i së drejtës? Duhet të jemi të vetëdijshëm që kjo është humbja më e madhe e parasë publike, të paktën që dihet publikisht. Andaj, mos hetimi i kësaj me urgjencë do të ishte një lëshim i rëndë i institucionit të Prokurorisë.

“I nderuar kryeprokuror i Kosovës, zhvatja e 53 milionë eurove ka adresën e institucioneve, ka vendimet e marra nga këto institucione dhe dokumentet përkatëse (kontrata specifike) të cilat shumë lehtë mund të tregojnë emrat e përgjegjësve ligjore për këtë plaçkitje të pasurisë publike. Është detyrë e juaja ligjore dhe morale që ta hetoni këtë punë deri në fund dhe në këtë përpjekje shoqëria civile do të qëndroj përkrah jush, por edhe në mbikëqyrjen tuaj”, thuhet ndër të tjera në letrën dërguar kryeprokurorit Lumezi.

“I nderuar kryeprokuror, në ditët në vijim do të shihet nëse ju do ta kaloni këtë test, duke vëzhguar nëse do t’i përmbushni obligimet e juaja kushtetuese e ligjore dhe zotimet të cilat i dëgjojmë nga ju dhe vartësit tuaj në të gjitha forumet në të cilat merrni pjesë. Apo do të vendosni të heshtni, duke i mbyllur sytë para këtij rasti flagrant. Nëse vendosni të heshtni, ju përkujtojmë se kjo shoqëri do t’ju mbajë si bashkëpërgjegjës dhe ju nuk do të keni më asnjë arsye morale dhe ligjore për të qëndruar në pozitën tuaj”.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *