Lajme, Lajmi kryesor

Bullizmi, po bëhet metodë e qeverisjes në Kosovës!

Bullying është një term psikologjik i kohëve të sotme që i shqipëruar do të thotë “kërcënim” dhe tregon fenomenin e sjelljeve të përsëritura, agresive, të dhunshme me karakter psikologjik, fizik, që ju bëhet personave të pambrojtur, të vetmuar, nga një individ ose grup individësh të tjerë, të cilët diskriminojnë, keqtrajtojnë, dhe abuzojnë me qytetarët

Nga Berat Zhinipotoku

Këta individ ose grup agresiv kryejnë bullizëm ndaj “viktimave” të tyre duke gjetur shkak, duke shfrytëzuar moshën, pamjen e jashtme, statusin social, orientimin seksual, përkatësitë racore dhe kombësinë ose dhe përkatësinë fetare.

Bullizmi shfaqet me karaktere të ndryshme dhe me forma të ndryshme si:

1. Bullizmi fizik, që dmth, abuzim me përdorim të dhunës së përsëritur në trupin e njeriut;

2. Bullizmin verbal, me anë të fyerjes, nofkave, thashethemeve dashakeqe, shpifjeve;

3. Bullizmi social, që do të thotë mënjanim nga shoqëria, në aktivitete të ndryshme ose festa;

4. Bullizmi seksual, që është verbal me fjalë fyese, provokuese; por edhe fizik me ngacmime seksuale;

5. Bullizmi virtual, me anë të rrjeteve sociale dmth, keqpërdorimi i tyre për të dëmtuar ‘viktimën’ me postimin e fakteve apo thjesht shpifjeve publikisht;

6. Bullizmi racial, nëpërmjet fyerjes dhe dhunës, apo edhe bullizmi fetar duke diskriminuar dhe fyer fenë ku qytetaret besojnë.

Sipas përkufizimit të studiuesit australian Ken Rigby; “Bullizmi është një dëshirë për të dëmtuar tjetrin, një dëshirë që dëmton, një veprim që lëndon, një disbalacë në forcë ndërmjet personave, një përsëritje në mënyrë (tipike), një përdorim i padrejtë i forcës, një kënaqësi e dukshme e agresorit, si dhe një ndjenjë e përgjithshme e të qënurit mbizotërues ndaj viktimës.“

Bullizmi është një dukuri shumë e përhapur kohët e fundit, nëpër institucionet e Kosovës, dhe për fat të keq po merr një zhvillim shqetësues. Ne për çdo ditë shohim apo dëgjojmë se si zyrtarë të ndryshëm, nëpër institucionet e Kosovës, që kanë personalitet të cunguar për shkak të paaftësive intelektuale, dhunojnë për të bërë liderin dhe kontrollin me anë të forcës verbale apo fizike, në institucionet ku ata punojnë apo edhe shoqërinë ku janë.

Disa të tjerë kanë probleme dhe deformime psikologjike që duke viktimizuar të tjerët ndjejnë kënaqësi dhe përmbushje, ky tregues i një personaliteti antisocial me rrezikshmëri shoqërore, duhet trajtuar patjetër nga profesionistët e shëndetit mendor apo këshilluesit, punonjësit social dhe psikologu.

Duke i parë këto sjellje nëpër institucionet e Kosovës, si në Presidencë, Kuvend, Qeveri dhe nëpër të gjitha institucionet vartëse të tyre, shoqëria e jonë duhet të ndjehet mjaft e shqetësuar dhe mendoj se nuk duhet të rrimë indiferent duke thënë vetëm “larg shtëpisë time”, por secili sipas statusit dhe mundësisë duhet të japi kontributin që fenomeni të mos përparojë dhe të bëhet “epidemi sociale” ashtu siç e ka trendin.

Andaj shfrytëzoj rastin të apeloj te të gjithë bashkëqytetarët, që pakompromis t’i luftojmë këto sjellje që janë bërë dukuri në institucionet e Kosovës, duke adresuar ankesa përmes Avokatit të Popullit, përmes shoqërisë civile apo edhe mediave, me qëllimin e vetëm që ta ndalojmë këtë të keqe që po na ndodhë për çdo ditë!

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *