Ekonomi, Lajmi kryesor

Bëhuni gati, ky është fundi i mbretërimit të Facebook dhe Google

Qoftë nga Lindja apo qoftë nga Perëndimi, qoftë nga lartë apo qoftë nga poshtë, ndryshimi po vjen dhe ai do ta transformojë botën e teknologjisë. Nëse menaxhohet si duhet, mund të prodhojë tregje më të lirë dhe më shumë fuqizim të individit

Nga Fareed Zakaria

Kur të kthejmë kokën pas në 2017-ën, mund ta shohim si momentin e fundit të besimit të pakushtëzuar tek industria teknologjike. Zbulimet mbi përdorimin që Cambridge Analytica u ka bërë të dhënave të Facebook – duke shfrytëzuar informacionet personale të më shumë se 50 milion përdoruesve – erdhën në një kohë kur njerëzit kishin nisur të mendonin tashmë, për të gjetur mënyrat e duhura, për të frenuar atë grusht kompanish teknologjike që dominojnë, jo vetëm ekonominë amerikane, por gjithnjë e më shumë, jetën amerikane.

Me nisjen e revolucionit teknologjik në vitet 1990, ne u mbërthyem prej ngazëllimit të epokës, bashkë me risitë e produkteve dhe fuqinë e tyre transformuese. U magjepsëm prej pasurisë që krijonin 25-vjeçarët rishtarë, që u bënë në çast miliarderë – ishte hakmarrja e “palloshëve”. Dhe në mesin e gjithë kësaj, teksa SHBA po kalonte drejt ekonomisë digjitale, ne neglizhuam pyetjen: CIli është roli i qeverisë?

Imazhi i kompanive teknologjike që buronin prej tregjeve të lira të papenguara, nuk ishte asnjëherë plotësisht i saktë. Ekonomia digjitale e sotme ngrihet mbi tre teknologji madhore: chip-i i kompjuterit, Interneti dhe GPS-i. Të treja këto i detyrohen për ekzistencën e tyre, qeverisë federale. Dy të fundit, sigurisht u zhvilluan nga fillimi, i zotëruan dhe u vunë në punë nga qeveria, deri kur u ofruan për sektorin privat. Shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se GPS – sistemi global i pozicionimit me satelitë dhe qendra kontrolli, që është aq kritik për ekonominë moderne – është, edhe sot e kësaj dite, në pronësi të qeverisë së SHBA dhe vihet në punë prej Forcave Ajrore Amerikane.

E megjithatë, teksa këto teknologji revolucionare krijuan industri të reja, shkatërruan të tjera dhe riformësuan komunitete dhe qytete të tëra, ne thjesht supozuam se kështu funksiononte bota dhe se nuk mund të bëhej asgjë për ta ndryshuar. Do të kish qenë një ndërhyrje e stilit socialist ndaj tregut të lirë.

Por rezultati nuk është aspak një që një libertarian do ta përshëndeste. Tani kemi një ekonomi të teknologjisë, që dominohet prej disa pak mamuthëve, të cilët praktikisht krijojnë pengesa hyrjeje për rishtarët. Në Silicon Valley, kompanitë e reja as nuk pretendojnë që do të bëhen kompani të pavarura. Plani i tyre i biznesit është që të blihen nga Google, Facebook, Amazon, Microsoft apo Apple. Situata duket më shumë si një oligopol, se sa një treg i lirë. Në fakt, përgjatë epokës së kompanive të mëdha teknologjike, numri i kompanive të reja ka ardhur duke rënë.

Pasoja tjetër e dukshme ka qenë gërryerja e privatësisë, që u nxorr në pah prej skandalit Cambridge Analytica / Facebook. Për shkak se kompanitë teknologjike tani kanë miliarda konsumatorë, çdo individ është një pikël e vogël të dhënash. Dhe duke qenë se për shumicën e kompanive teknologjike, konsumatori digjital është gjithashtu një produkt, informacioni i të cilit u shitet të tjerëve për fitime, ai ose ajo shfuqizohet dyfish. Gjigandët e teknologjisë me siguri do të përgjigjeshin se kanë demokratizuar informacionin, kanë krijuar produkte me fuqi dhe potenciale të jashtëzakonshme, dhe e kanë transformuar jetën për më mirë. Të gjithë këto janë të vërteta. Po kështu bënë edhe shpikjet e mëhershme, si telefoni, automobili, antibiotikët dhe elektriciteti. Por, pikërisht për shkak të fuqisë transformuese dhe impaktit të këtyre produkteve, ishte e nevojshme që qeveria të luante një rol në mbrojtjen e individëve dhe t’u vinte fre fitimtarëve të rinj në ekonomi.

Ndryshimi ka gjasa të vijë nga dy drejtime. Veprimet rregullatore në Perëndim do i japin më shumë kontroll individit. Bashkimi Evropian ka vendosour rregulla, që do të hyjnë në fuqi në 25 maj, të cilat do ua bëjnë shumë më të kollajtë njerëzve që të dijnë se si po përdoren të dhënat e tyre, si dhe të kufizojnë këtë përdorim. Gjasat janë që SHBA të bëjë të njëjtën gjë.

Drejtimi i dytë është edhe më intrigues dhe vjen nga Lindja. Deri kohët e fundit, siç më tha sipërmarrësi indian Nandan NIlekani, kishte vetëm një grusht platformash digjitale me më shumë se 1 miliard përdorues, të gjitha të vëna në punë prej kompanive në SHBA ose Kinë, si Google, Facebook dhe Tencent. Por tani India ka platformën e vet digjitale me një miliard përdorues: “Aadhaar”, sistemi biometrik i identifikimit, që përfshin pothuaj të 1.3 miliard banorët e vendit. Eshtë e vetmja platformë e tillë e madhe, që është pronë publike. Kjo do të thotë se nuk ka nevojë të bëjë para nga të dhënat e përdoruesve. Eshtë e mundshme të imagjinosh se në Indi, do të bëhet normale që të mendosh për të dhënat si pronë personale, që individët mund t’i ruajnë apo ti japin me qera, apo t’i shesin si të duan, në një treg të lirë shumë të hapur dhe demokratik. India mund të bëhet fare mirë inovatori global për të drejtat e të dhënave individuale.

Shtojini kësaj risitë në teknologjinë e “blockchain”, dhe me shumë gjasë do të shohim të tjera sfida ndaj rojtarëve të sotëm të Internetit, në të ardhmen e afërt.

Qoftë nga Lindja apo qoftë nga Perëndimi, qoftë nga lartë apo qoftë nga poshtë, ndryshimi po vjen dhe ai do ta transformojë botën e teknologjisë. Nëse menaxhohet si duhet, mund të prodhojë tregje më të lirë dhe më shumë fuqizim të individit. / The Washington Post – Bota.al

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *