Lajme

Bahtiri, Tahiri e Jashari shprehen kundër idesë për ndryshimin e kufijve

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, vazhdon të kundërshtojë fuqishëm idenë e ndryshimit të kufijve apo këmbimit të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa një mbështetje të fortë në këtë drejtim ai e ka marrë sot edhe nga kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari dhe ai i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri

Ata gjatë një takimi të përbashkët në Mitrovicë shfaqën shqetësimin e tyre të thellë lidhur me deklaratat e fundit të disa zyrtarëve të lartë shtetëror, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, për mundësinë e ndryshimit apo këmbimit të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në takim kryetarët Bahtiri, Jashari dhe Tahiri e kanë kundërshtuar fuqishëm idenë për mundësinë e ndryshimit të kufijve, apo këmbimit të territoreve në bisedimet për stabilizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve që do të vijojnë në Bruksel gjatë ditëve të ardhshme.

Ata vlerësojnë se një gjë e tillë është synim i kamotshëm i Serbisë dhe e dëmshme për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj, dhe se për pasojë mund të ketë vetëm pasiguri e destabilizim të gjendjes.

“Kushtetuta e Kosovës është e qartë dhe decidive. Ajo nuk lejon në asnjë mënyrë ndryshimin e kufijve të shtetit të Kosovës dhe as këmbimin e çfarëdo pjese të territorit të tij. Përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, por edhe të gjithë qytetarët janë të obliguar me Kushtetutë që të mbrojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, andaj ne qëndrojmë fuqishëm në mbrojtje të këtyre parimeve dhe kundërshtojmë fuqishëm tendencat dhe idetë për ndarjen apo këmbimin e territorit të shtetit të Kosovës”, thanë kryetarët Bahtiri, Jashari dhe Tahiri.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *