Lajm.co

Vetëvendosje del me analizë për strategjinë e zgjerimit të BE-së

Lëvizja Vetëvendosje ka komentuar Stategjinë e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor duke deklaruar se Kosovës nuk i është dhënë asnjë afat kohor në perspektivën e zgjerimit evropian

Deklarata e plotë e VV-së:

Strategjia e Komisionit Evropian e titulluar “Një perspektivë e besueshme zgjerimi për rritjen e angazhimit të BE-së me Ballkanin Perëdimor” shërben për të kuptuar rrugën që po cakton BE-ja për integrimin evropian për secilin prej gjashtë shteve të Ballkanit Perëndimor. Strategjia është dokument i rëndësishëm pasi që perspektiva për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëdimor e cila është trajtuar që në vitin 2000, dhe është përforcuar në vitin 2003 në Samitin e Selanikut po rikthehet sërish në vëmendjen e BE-së.

Lëvizja e ka analizuar me kujdes këtë strategji e cila ka një qasje më të përgjithshme për rajonin, pasi pritet që raporti vlerësues për secilin prej gjashtë shteteve të bëhet në prill të këtij viti. Duke qenë se qasja e kësaj strategjie është rajonale, ia vlen që të vlerësohet së pari nga ky këndvështrim, duke patur në mendje avancimin e interesave tona shtetërore dhe kombëtare.

Në shkurt të vitit 2011, në prag të fillimit të dialogut me Serbinë qeveria e Kosovës, për të arsyetuar këtë dialog të dëmshëm për vendin pati deklaruar se rruga drejt integrimit Evropian është përmes këtij dialogu. Tani pas shtatë viteve u kuptua se përmes dialogut pa kushte, përveç koncesioneve të dëmshme nuk pati hapa pozitivë për Kosovën drejt integrimit evropian. Përmes dialogut Kosova ia hapi rrugën Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ndërsa neve na u shtua fusnota e u hoq fjala Republikë, duke mos pasur kështu rrugë nëpër të cilën do të ecnim në cilësinë e shtetit.

Shumë zyrtarë të Republikës së Kosovës e paraqesin nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si përparim në rrugën e integrimit. Por duhet thënë qartë që sado që është për t’u vlerësuar ajo marrëveshje, edhe vende që nuk gjenden në kontinent apo që nuk duan të hyjnë në BE kanë tashmë marrëveshje të tilla.

Te strategjia në të cilën përmendet normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë theksohet se ‘Kosova do të përfitoj nga një marrëveshje definitive për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë’ por nuk thuhet se çka do të përfitojmë. Nuk përmendet mundësia e anëtarësimit madje as e mundësia për të aplikuar për statusin kandidat, edhe nëse arrihet marrëveshja. Por, në rastin e Serbisë si kusht për integrim përmendet tre herë normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe atë në hapat konkret që duhet të ndjekë.

Sërish në asnjë rast nuk shpjegohet çfarë nënkupton fjala “normalizim” marrëdhëniesh me Serbinë, dhe kërkohet vazhdim i dialogut pa asnjë objektiv të shprehur qartë lidhur me njohjen e pavarësisë që Serbia duhet të bëjë ndaj Republikës së Kosovës. E, ndërkohë që ndaj Serbisë nuk vendoset ky kusht, ndaj Kosovës shtohet kushti i Gjykatës Speciale, një Gjykatë e paprecedentë në këto dy shekuj, që e kthen përmbys konceptin e drejtësisë. Kosova pra përmendet edhe dy herë të tjera por për obligimet që ka në raport me Dhomat e specializuara (Gjykata Speciale).

Lëvizja VETËVENDOSJE! vlerëson se kjo strategji në një aspekt flet për një bashkëpunim më të ngushtë dhe unifikim të shumë sektorëve mes gjashtë shteteve të Ballkanit. Por në aspektin tjetër, strategjia i vendos këto shtete në një konkurrencë të pabarabartë me njëri-tjetrin, e cila i mbyll sytë para problemeve që ka shkaktuar e vazhdon të shkaktojë Serbia në rajon. Në strategji flitet për avancimin e përbashkët të të gjithë rajonit në procese si ai i Berlinit, në një bashkëpunim të gjithë rajonit sa i përket energjisë dhe transportit, në funksionalizimin e një Zone Rajonale Ekonomike, në forcimin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, në një bashkëpunim rajonal në çështjet e migracionit, sigurisë, luftës kundër terrorizmit, etj. Të gjitha këto janë elemente që në pamje të parë të bëjnë të mendosh se Komisioni Evropian ka për synim integrimin në bllok të të gjashtë shteteve në BE. Por, duke lexuar strategjinë dhe duke ndjekur deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së, bëhet e qartë për të gjithë se gjashtë shtetet e rajonit janë ndarë në 4 kategori.

Në kategorinë e parë BE-ja ka vendosur Serbinë dhe Malin e Zi, dhe për këto dy shtete Komisioni tregon se është i gatshëm të nisë të hapë dyert për anëtarësim të plotë që në vitin 2025.

Në kategorinë e dytë Komisioni ka vendosur Republikën e Shqipërisë dhe Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Për këto dy shtete nuk ka data orientuese për anëtarësim të plotë, por mund të ketë rekomandim këtë vit për të qenë shtete kandidate.

Në kategorinë e tretë, stratgjia ka vendosur Bosnje Hercegovinën, për të cilën jo vetëm nuk ka data orientuese për anëtarësim të plotë, por nuk i është dhënë as datë orientuese për të qenë shtet kandidat.

Në kategorinë e katërt dhe të fundit, BE-ja ka vendosur Kosovën, duke përdorur fusnotën që vazhdon ta trajtojë me ambiguitet shpalljen e pavarësisë tonë. Sa i takon Kosovës, strategjia e Komisionit jo vetëm që nuk jep orientim për datë anëtarësimi, apo për të qenë vend kandidat për anëtarësim, por nuk jep as edhe një sinjal që diçka e tillë do të jetë e mundshme pa tejkaluar pengesat që Komisioni i quan pa të drejtë si “objektive”.

Pra në dy kategoritë e fundit që ka krijuar kjo strategji e Komisionit, janë vendosur dy shtetet që kanë pësuar e vazhdojnë të pësojnë padrejtësitë më të mëdha në rajon nga Serbia, përmes pengesave të Serbisë që nuk janë aspak objektive, por që janë plan konkret politik dhe ekonomik destabilizues i Serbisë për shtetet e rajonit. Sakaq, gjithnjë sipas kësaj strategjie, duket se Komisioni vlerëson se ky shtet destabilizues, Serbia, i prin integrimit Evropian në Ballkan.

Kjo qasje e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është një sinjal shumë i qartë për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Ne duhet të ideojmë dhe strukturojmë një politikë të brendshme e rajonale, të Kosovës e të Shqipërisë, për të vendosur peshën që kemi dhe për të realizuar qëllimet ku duam të jemi, në Ballkanin Perëndimor e drejt BE-së.

Lëvizja ka theksuar dhe më herët se duhet sa më parë të fillojë dialogu me të gjitha pakicat kombëtare në Kosovë, që do të jetë edhe dialog me serbët e Kosovës, dialog i hapur, demokratik dhe shoqëror, prej poshtë-lart, për zhvillim. Dialogu 2011-2017 me Serbinë ishte dialog i mbyllur e diplomatik, prej lart-poshtë, pa transparencë dhe pa llogaridhënie. Përmes këtij dialogu të gjithë do të shihen si qytetarë të Republikës, në profesionet që i kanë e shtresat shoqërore që u përkasin. Kështu ndërtohet besimi dhe largohet frika e cila është mbjellë për të ndarë e përçarë. Pakicat kombëtare duhet t’i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre sipas standardeve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Por, shumica e problemeve në Republikën tonë janë ekonomike e sociale. Drejt BE-së përparojmë duke ndërtuar vlerat në shtetin tonë. Konsolidimi i brendshëm është edhe i duhur edhe i domosdoshëm. Qeveritarët e Kosovës duhet të pushojnë së kërkuari udhën drejt Brukselit nëpërmjet Vuçiqit e Beogradit.

Shtetndërtimi demokratik, zhvillimi ekonomik për punësim, drejtësia ligjore dhe sociale e përbëjnë Republikën dhe e bëjnë atë evropiane.

Është e vërtetë që strategjia e BE-së njeh më në fund zyrtarisht kapjen e shtetit që ka ndodhur në rajon e veçanërisht në Kosovë. Duke treguar kështu për atë që e kemi quajtur regjim autoritar të instaluar në Kosovë. Më tej strategjia prek edhe kapjen e sistemit të drejtësisë dhe të mediave, si dhe krimin e organizuar e korrupsionin, dhe dobësimin e interesave publike përmes kapjes nga interesat private, që janë krijuar sigurisht përmes lidhjes së pushtetit politik më atë ekonomik oligarkik.

Ndërsa sa i përket ekonomisë, mund të thuhet se kjo strategji e sheh rajonin në përgjithësi, e shqiptarët dhe Kosovën në veçanti, më shumë si treg konsumi prej 18 milionë konsumatorësh, sesa si ekonomi prodhuese. Bilanci negativ tregtar i rajonit me BE-në bëhet ekstrem tek rasti i Kosovës, aty raporti bëhet 12 (importe) me 1 (eksporte). Njëbilanc kaq negativ tregtar jo vetëm që e shkatërron potencialin e ekonomisë prodhuese vendase, por edhe e thellon atë nëse nuk parashihen masa mbrojtëse për prodhimin vendas të Kosovës, duke rritur kështu edhe më tëj papunësinë tek të gjitha shtresat e shoqërisë. Për më shumë, nënteksti i kësaj strategjie në lidhje me vazhdimin e proceseve të privatizimit, nuk merr aspak parasysh nevojën për hetimin dhe marrjen e masave ndaj privatizimeve abuzive që tashmë kanë ndodhur në Kosovë e në gjithë rajonin. Por, në sektorë të tjerë, ia vlen të përmendet se rritja e asistencës financiare që nënkupton kjo strategji për shëndetësinë, arsimin dhe mbrojtjen sociale, duhet konsideruar me optimizëm dhe duhet vlerësuar në bazë të zbërthimit të kësaj asistence për Kosovën dhe shtetet e tjera të rajonit sipas nevojave prioritare të secilit shtet.

Për fund, ia vlen gjithashtu të përmendet se propozimi për përfshirjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor në komitetet teknike dhe grupet e punës së Komisionit Evropian është një hap pozitiv për gjithë rajonin.

Brukseli vendos flamurin e Kosovës por nuk e njeh kufirin Kosovë – Serbi

Bashkimi Evropian e ka vendosur flamurin e Kosovës në një grafikë ku e paraqet më së miri raportin e publikuar dje për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor

Ngjashëm ka vepruar edhe më flamujt e shteteve tjera, sikurse edhe të Serbisë. Por Brukseli, pavarësisht se e ka vendosur flamurin e shtetit kosovar, nuk e njeh kufirin Kosovë – Serbi.

Nuk ka ende ndonjë qëndrim të BE-së që pajtohet me pavarësinë e Kosovës. E kosovarëve shpesh u thuhet se “BE-ja nuk njeh shtete, sepse kjo është në kompetencat e vendeve anëtare”.

Përveç kësaj, Raporti për Strategjinë e Zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, që u publikua të martën nga Komisioni Evropian, dështoi të ofrojë qartësi për anëtarësimin e Kosovës në BE.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian e kanë shpalosur këtë strategji për Ballkanin, por asgjë e re nuk u tha për shtetin e Kosovës

Në këtë strategji, Kosova ka një mundësi për progres të qëndrueshëm përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe për të avancuar në rrugën e saj evropiane, kur rrethanat objektive lejojnë./Express

Morgan Freeman flet për krimet e Serbisë ndaj popujve të Ballkanit

Në emisionin dokumentar “Tregimet për ne” ylli i Holivudit pohon se serbët janë fajtorë absolut për luftërat në hapësirat e ish Jugosllavisë

Aktori i famshëm amerikan Morgan Freeman (80) i ka akuzuar serbët për gjenocid dhe spastrim etnik në Srebrenicë në një emision dokumentar, të cilin e udhëheq National Geography.

Ky epizod, i cili është emetuar dy ditë më parë e paraqet Freeman’in në Sarajevë dhe Srebrenicë, ku takohet me gazetarin boshnjak Senad Haxhifejzoviq dhe djalin e tij Fexho. “Çfarë ka ndodhur këtu, për atë Zot?!”, bërtet Freeman duke shëtitur nëpër varrezat e Srebrenicës, transmeton Insajder.com.

“Ajo çfarë ka ndodhur këtu është gjenocid. Kufiri me Serbinë është shumë afër. Serbët kanë ardhur dhe kanë dashur t’i vrasin të gjithë, kanë dashur që këtë territor ta ndajnë nga Bosnja dhe Hercegovina dhe ta bashkojnë me Serbinë. Ushtria serbe i ka mbledhur gjithë burrat, gratë dhe fëmijët dhe i ka vendosur nëpër fabrika. Aty i kanë ndarë, kështu burrat dhe djemtë janë dërguar nëpër male dhe janë vrarë. Atëherë kanë filluar me vrasje masive, nga 1.000 njerëz përnjëherë”, thotë Fexha Haxhifejzoviq dhe shton se nuk mund të besojë se si dikush ka mundur të kryej një spastrim etnik të tillë.

Më pas vazhdojnë fotografitë nga lufta, derisa Morgan Freeman flet: “Gjenerata të tëra janë vrarë këtu. Bombardimi i NATO-s ka sjellë përfundimin e luftës, por nuk i ka shpëtuar viktimat e Srebrenicës.

Gjatë emisionit janë shfaqur pamjet të cilat tregonin fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1992 si dhe xhirimet të bëra në Beograd më 5 tetor 2000, gjatë kohës së demonstratave masive kundër regjimit të atëhershëm të Millosheviqit. Në emision disa herë është përsëritur pohimi se serbët janë fajtorë absolut për luftëra në hapsirat e ish Jugosllavisë.

Aktori amerikan Morgan Freeman më pas ka dhënë një intervistë në të cilin ka deklaruar se i vjen jashtëzakonisht mirë që gjendet në Bosnje dhe Hercegovinë ku edhe i ka numëruar shetet e krijuara pas shpërbërjes së Jugosllavisë duke e përmendur edhe Kosovën si shtet i pavarur./Insajder.com.

Kusari-Lila e akuzon ministrin e MTI-së për kërcënime

Deputetja Mimoza Kusari-Lila, e ka akuzuar për sjellje jo ligjore dhe kërcënime ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasanin

Ministri sot ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik dhe derisa ishte duke folur për emërimin jashtë standardit të sekretarit të MTI-së, sipas Kusarit, e akuzoi deputeten për ndërhyrje politike, derisa për mediat ka thënë se “pa nevojë po përzihen në këtë çështje”.

“Ministri Hasani nuk e kupton bazën e demokracisë, rolin e Parlamentit (në shtet me sistem Parlamentar) dhe rolin e medias në shoqëri. Sikur krejt kjo të mos ishte mjaftueshëm, Ministri para Komision Parlamentar në mungesë të argumenteve valide për këtë emërim, kërcnoi me prishjen e “çerdhes” në këtë Ministri të cilën e pasna ndërtu unë në kohën sa kam qenë Ministre, ka thënë Kusari-Lila në një postim në Facebook.

“Përveç se rrëshqiti komplet nga kodi i sjelljes për funksionin që mban, Ministri harron se ka detyrë ekzekutive dhe çfarëdo parregullsie të gjetur e KA për obligim ta raportojë tek organet e rendit. Ndërsa nuk është detyrë e tij të kërcënoi ose akuzoi pa të drejtë deputetët dhe mediat për shkeljet e tij dhe të Qeverisë”, ka shtuar ajo.

“Së dyti, Ministrit ia rikujtova se politizimi i cili po i ndodh administratës së shtetit nga ai dhe Qeveria Haradinaj, mund t’i kushtojë buxhetit të shtetit 75 milion Euro, mjete këto të cilat po i planifikon t’i tërheq Bashkimi Evropian si rrjedhojë e pakënaqësisë me ndërhyrjet politike në stafin civil”.

Kusari-Lila e ka këshilluar ministrin që të merret me ndërtimin e institucionit dhe se shkeljet e evidentuara po paguhen nga qytetarët e Kosovës.

“Së fundmi, në vend se të merret me “shkatërrim” çerdhesh, më mirë është të merret me punët e ndërtimit të institucionit dhe zbatimit të ligjshmërisë se shkeljet e evidentuara po i paguan çdo ditë shteti dhe qytetarët e Kosovës. Shtetin nuk e kanë pronësi kjo kastë qeverisëse edhe pse po e trajtojnë si pronë (lexo: pre) të veten”, ka shkruar deputetja Kusari-Lila.

Të pangopurit që po e hanë Kosovën

Nga Faton Mehmeti

Të gjithë ishin të gëzuar, Hashimi kishte hapur krahët e gllabërimit, derisa Pacolli i ekzaltuar sikur kishte qëlluar “ thembrën e Akilit”. Kështu dukej përgjithësisht atmosfera në darkën e shtruar nga Pacolli. Në këtë shtëpi, Pacolli shpesh herë ka firmosur marrëveshje jo vetëm ekonomike, por edhe politike. Kjo darkë ishte joformale, por, sigurisht se janë folur edhe tema të nxehta politika, e dikush mbase erdhi me kontrata në xhep për të pasuruar oligarkët e vet.

Për më tepër arsyet e mos pjesëmarrjes së Limajt në këtë darkë kanë të bëjnë me mbajte inati Thaçit, që në mes të Veselit dhe Limajt e zgjodhi të parin. Dikush nga të pranishmit edhe nxori në fb një foto të përbashkët, me luksin e një darkë që kalon mijëra euro. Një populli i varfër mbanë në kurriz një grup politikanësh të korruptuar, të babëzitur deri në skajshmëri dhe pa asnjë fije ndërgjegje.

Nga të gjithë të pranishmit, Thaçi kishte letrat në xhep të porositur nga oligarkët e tij të klanit “Pronto”. Me propozimin që të s’postoheshin Qeveria, Kuvendi dhe Universiteti në Hajvali, Hashimi iu siguron dhënie tenderi kompanive të mëdha, të cilët janë pjesë e kapjes së shtetit. Sigurisht se përqindja për Thaçin nuk do të jetë e vogël, çështje pazari në një darkë që nuk kishte pse ndodhte. Derisa, fëmijët e Kosovës vuajnë për kafshatë buke, shkojnë në shkollë me këpucë migjeniane, me mjerimin që ka kapur për fyti këtë popull, vetëm një qeveri e panjerëzishme do të bënte luks. Këta që e kanë futur në geto këtë popull për interesa të tyre meskine, ku korrupsioni është ulur këmbëkryq në mes të vendit, ku fëmijët po na vdesin se nuk kanë ilaçe, ku të rinjtë po ikin ngase këtu nuk gjejnë të ardhme, fajtorët janë pikërisht disa persona në atë foto.

Thuhet se Pacolli kishe thënë të flasim për demarkacion, kurse Kadriu ia ktheu ”darka koka shumë e mire” duke argumentuar që për të primare është ushqimi. Për fatin e mirë, nuk kishte shahira, se do kërcisnin revolet e Dardanit e Ramushit, sigurisht Kadiru në gjaknxehtësi do ishte nisur për Nish. Në një fotografi janë disa nga zhvatësit e këtij shteti, ata që do të duhej të ishin prapa grilave për të gjithë dëmet që ia kanë bërë këtij vendi.

Për buzëqeshjen e tretur në fytyrat e fëmijëve, të cilët edhe në shkollë shkojnë pa vullnet, sepse e dinë se nesër nuk do mund të futën në punë nëse nuk jep lekë. Ky është sistemi që e ka ndërtuar kjo klasë politike tash e 18 vjet. Hani o të babëzitur që kurrë nuk u ngopët, mallkimi i fëmijëve që kërkojnë lëmoshë do bije mbi ju dhe fëmijët tuaj.

Qeveria i përgjigjet deklaratave se Schook vrau dëshmtarin e Haradinajt

Qeveria e Kosovës është deklaruar rreth raportimeve të sotme të mediave serbe, ku citohen pjesë nga libri i Martin Heipertz. Ky zyrtar, siç raporton shtypi serb, ka pohuar se Steven Schook është përgjegjës për vrasjen e një dëshmitari në rastin Haradinaj. Kabineti i kryeministrit këtë e quan propagandë të moçme të Heipertz

Mediat serbe, gjatë ditës së sotme, raportuan për një person të vdekur që ka pasur të dëshmojë në Tribunalin e Hagës për rastin e Ramush Haradinajt. Për këtë, shtypi serb citoi Martin Heipertz-in, i cili në librin e tij “Diplomacia Makiato”, kishte thënë se për vrasjen e një dëshmitari në këtë rast, ishte përkujdesur gjenerali Steven Schook.

Nga kabineti i Kryeministrit janë deklaruar rreth kësaj, duke thënë se Qeveria nuk lexon mediat serbe qe një kohë.

“Jo Qeveria e Kosovës muajt e fundit nuk po e lexon shtypin Serb. Nuk komentojmë më asnjë shkrim. Përndryshe ICTY çdo akuzë të nivelit të tillë e ka hetuar në thellësi dhe çdoherë i ka hedhur poshtë akuzat e tilla”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Kredibilitet për Qeverinë nuk kanë edhe nëse diçka e tillë, e raportuar nga mediat serbe, është pohuar nga një zyrtar që ka qenë i angazhuar në Zyrën Ndërkombëtare Civile në Kosovë.

Zyra e kryeministrit e ka quajtur këtë një propagandë të Heipertz, që kishte ekzistuar edhe kur po gjykohej Haradinaj, por që Tribunali i Hagës i ka hedhur poshtë.

Gjenerali amerikan Steven Schook, i cili në Kosovë ishte zëvendës i shefit të UNMIK-ut, është përgjegjës i drejtpërdrejtë për likuidimin e dëshmitarit të mbrojtur në procesin e Hagës kundër Ramush Haradinajt. Kështu pohon ish-këshilltari në Qeverinë gjermane, i cili kishte qëndruar në Kosovë si ekspert për financa në mision zyrtar në Zyrën Ndërkombëtare Civile, Martin Heipertz, shkruan media serbe, duke cituar librin e tij “Diplomacia Makiato”.

“Ish-gjenerali amerikan Steven Schook, aktualisht njëri nga njerëzit e ranguar më së larti këtu në UNMIK, ka një dosje goxha të trashë kriminale dhe është i lidhur ngushtë me elitën e këtushme. Ai ka zbuluar emrat e dëshmitarëve kryesorë kundër Haradinajt, të cilët pastaj janë vrarë. Të njohurit tim i ka thënë se njeriu duhet të eliminojë dikë nga rruga nëse kjo u përgjigjet interesave më të larta”, citon media serbe të ketë shkruar Heipertz.

Shembja e Urës së Ali Pashës: Banorët e përjetojnë si mort

Shkatërrimi i urës 200-vjeçare të Ali Pashës po përjetohet nga banorët e fshatit Hoshtevë si të ishte një mort. Kjo sipas tyre është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në Zagorie

Top Channel kishte paralajmëruar përmes një reportazhi në 5 janar se ura monument po shkonte drejt shkatërrimit, por një ditë më vonë grupi i ekspertëve të Ministrisë dhe Monumenteve të Kulturës garantoi se rrezikshmëria nuk ishte e nivelit të lartë dhe se ura ishte e qëndrueshme e do të resturohej së shpejti në një periudhë pa reshje.

Një tjetër grup ekspertësh këtë të hënë, pas shembjes së urës e justifikuan këtë ngjarje me rrëshqitjen e një masivi dheu. Raporti përmbyllet me këtë konkluzion: Pavarësisht problematikave të dukshme në bazamente, shkaqet që kanë sjellë humbjen e qëndrueshmërisë, prishjen e skemës statike dhe shkatërrimin e urës janë shkëputjet masive të dherave në pjesën e sipërme në pjesën veriore”.

“Çarje toke nuk ka fare, ka ardhur vetëm nga rënia e themelisë, që i ka ikur bazamenti”, thotë Koço Puleshi, ndërtues. Adninistratori i Zagories tregon se për vite me rradhë banoret jepnin alarmin, por fondi për ndërhyrjejen në urë nuk u miratua asnjëherë.

“Por mua më thanë Monumentet e Kulturës atëherë se ka dalë fondi, po meqë norma e fitimit është e ulët, pritet të dalë dhe një fond për kishën e Hoshtevës, dhe e njëjta firmë t’i bëjë bashkë që të ketë një fitim logjik brenda normave të caktuara”, thotë administratori Arqile Puleshi.

Ura e Hoshtevës ishte ndër monumentet e rralla të periudhës së ndërtimeve të Ali Pashës. Monumenti me një vlerë të jashtëzakonshme historike dhe kulturore ishte dëshmi e shkëmbimeve tregëtare, të Mesjetës së vonë në këtë krahinë.

Për këtë ngjarje reagoi edhe PD

Deputetja e PD, Valentina Duka tha se ministrja e Kulturës mban përgjegjësinë.

“Jam këtu për të shprehur indinjatën e thellë, nga zhdukja në hartën e monumenteve të kulturës të dy urave shumë të rëndësishme, siç është Ura e Hoshtevës në zonën e Libohovës një urë e periudhës Osmane, e përdorshme edhe sot nga banorët e Zagorisë. Dhe ura tjetër e krahinës së Orgockës, edhe kjo një urë e periudhës osmane që i takon Qarkut të Korçës, që si deputete e Partisë Demokratike ta përfaqësoj në Parlamentin e Shqipërisë.

Këto dy ura janë të trashëguara nga 300 vjet më parë, të ruajtura me shumë fanatizëm nga banorë të zonës, por edhe nga specialistë shqiptarë që e kanë dashur kulturën dhe brenda dy ditësh, si rezultat i vërshimit të lumenjve, ato zhduken jo vetëm nga harta e monumenteve të kulturës, por edhe nga harta e gjeografisë së Shqipërisë për të mos i parë më kurrë. Sado premtime të ketë se ato do të rindërtohen, ato nuk mund të bëhen ashtu sikundër kanë qenë.

Janë ura unikale dhe që banorët e këtyre zonave, specialistë të trashëgimisë kulturore, kanë kohë që trokasin në derën e Ministres së Kulturës për të ndërhyrë urgjentisht në riparimin e tyre, por derë e saj ka qenë e mbyllur. Përegjigja e Ministres së Kulturës ka qenë arrogante, qeveria Rama nuk ka reaguar në kohën e duhur për restaurimin e këtyre veprave kaq të rëndësishme të pasurisë sonë kombëtare.

Kam pasur fatin të vizitoj shumë ura të tilla në vendet e Ballkanit, ku qeveritë e Ballkanit shpenzojnë pothuajse dyfishin e parave të qeverisë Rama për t’i ruajtur ato. I ruajnë ato dhe nuk i shkatërrojnë ashtu sikundër ndodhi në Shqipëri. Prandaj jam këtu, që në emër të Partisë Demokratike, të dënoj papërgjegjshmërinë e qeverisë Rama. Në mbrojtje të institucioneve të kulturës sonë kombëtare, si elementë, si pasuri e madhe e kulturës sonë kombëtare për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve,” tha Duka.

Trump kërkon paradë ushtarake në Uashington

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar nga Pentagoni për të planifikuar një paradë të madhe ushtarake në Uashington, gjatë vitit 2018, për ta treguar fuqinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara

Për këtë plan është raportuar së pari dje nga e përditshmja Washington Post dhe menjëherë pas kësaj është konfirmuar nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Këtë kërkesë zoti Trump e ka bërë gjatë takimit të 18 janarit me zyrtarët e lartë ushtarakë, pasi raportohej se ishte i impresionuar me paradën franceze për Ditën e Bastilës në Paris, në vitin 2017.

Washington Post ka raportuar se Trump dëshironte një paradë të përgatitur mirë gjatë vitit 2018, por asnjë datë nuk është shpallur.

“Presidenti Trump është mbështetës i fuqishëm i anëtarëve të shërbimit të madh të Amerikës, të cilët e rrzikojnë jetën e tyre çdo ditë për ta siguruar vendin tonë”, tha Sarah Sanders.

Projekti i Përparim Ramës për “Kullat e Jasharëve” që u injorua nga Qeveria

Në kohën kur Përparim Rama kishte fituar vendin e parë në botë me projektin e tij të një jazz pub-i në Prishtinë, që quhet “Hammam”, s’kishte lënë shqiptar dhe zyrtar pa u krenuar me të

Mirëpo, kur ai është ofruar me idetë e tij, që të krijojë emblema të reja në Kosovën tonë, fatkeqësisht u injorua. Kështu ndodhi me propozimin e tij për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, që së fundi kemi raportuar që është duke u shkatërruar.

Projekti i Përparim Ramës është punuar para 8 vitesh, sikur tregon edhe vet ai. Por, pa shumë fjalë, atij i janë anuluar gjithmonë takimet.

“Këtë e kemi bërë para 7 vitesh. Tri herë na kanë ftuar në prezantim dhe të tri herat i kanë anuluar takimet në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor. Është mëkat që Kullat e Jasharëve janë lënë të degradohen aq shumë”, ka thënë ai për Ndertimi.info.

Këtu kishte përfunduar gjithçka dhe projektin e kishte fituar një studio sllovene. Për më shumë, Rama thotë se edhe tash e kanë idenë e gatshme, përfshirë edhe fizibilitetin financiar, që rezultonte në atë kohë të kushtonte 6 milionë e 600 mijë euro.

Ai, siç e thotë edhe në videon prezantuese, tregon se ka qenë shumë respekt që të merren me propozimin për këtë projekt. Inspirimi kishte ardhur nga xhirimet e dhimbshme të forcave serbe që shkatërrojnë kullat dhe familjen Jashari.

“Ne propozojmë që të krijojmë hapësirë të afërt të kësaj ngjarje, një hapësirë ku vizitorët kanë mundësi ta ndjejnë ngjarjen. Ajo nuk guxon të jetë një hapësirë për ta shikuar vetëm vizualisht, duhet të ndjehet, të përkujtohet, ta prek publikun dhe ta inkuadrojë në ngjarje”, thuhet nga Rama.

Aty është menduar edhe bunkeri që ndodhet në mal, ku do të rrethohej në një kub të përbërë nga qelqi dhe çeliku. Ajo që është interesant në këtë projekt, është hapësira mes dy kullave [lexo: shtëpive]. Ajo do të pasqyronte sulmin me granata nga tanket.

Këtu përfshihet edhe një analizë e detajuar për ndikimin e klimës gjatë verës dhe dimrit.

Ky është prezantimi me video dhe narracion nga vet Përparim Rama:

Të kujtojmë se këtë projekt e ka fituar kompania sllovene “AG-Inzineering”, e që kosto e tyre ka dalë 6 milionë euro, si parashikim për punën që do zgjaste 2 vjet.

Më poshtë keni fotografi të projektit të zgjedhur:


Emërohen anëtarët e rinj në Këshillin Drejtues të UP-së

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë vendim për emërimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Prishtinë

Anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të UP “Hasan Prishtina”, të emëruar me vendim të Ministrit janë: Ardiana Bunjaku, Drita Shoshi, Laura Kryeziu, Fadil Osmani.

“Vendimi i ministrit Bytyqi është në përputhje me dispozitat e cekura më lartë, dhe është marrë me qëllim të funksionalizimit të Këshillit Drejtues të UP ‘Hasan Prishtina’, në Prishtinë. Me këtë vendim, MAShT ka dashur të rrisë 50% të kuotës gjinore, që na obligon Ligji për barazi gjinore, madje është tejkaluar kjo përqindje, dhe tani do të kemi rreth 70% femra anëtare në Këshillin Drejtues të UP ‘Hasan Prishtina’, që emërohen me vendim të ministrit”, thuhet në njoftim të Ministrisë së Arsimit.