Lajm.co

Haradinaj i kërkon Hahnit liberalizimin e vizave për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një takim që ka pasur me Komisionerin e BE-së, Johannes Hahn në Shkup, i ka kërkuar atij që Kosova të përfshihet në liberalizimin e vizave në afat optimal

“Në takim me Komisionerin e BE-së, Johannes Hahn, shpreha përkushtimin e Kosovës që të rreshtohet me shtetet e Ballkanit Perëndimor në forcimin e paqes dhe bashkëpunimit reciprok, që të përshpejtohet rruga jonë drejt BE-së. Kosova ka shënuar përparime sidomos në sundimin e ligjit dhe Komisionerit Hahn i kërkova që Kosova të përfshihet në liberalizim të vizave në afat optimal”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Rriqrat ndërrojnë destinacion, këtë sezon ia mësyjnë Prishtinës

Kosova vazhdon të përballet me sëmundjen e etheve hemorragjike, apo pickimit të rriqrave siç njihet ndryshe. Në muajt e fundit të këtij viti, dhjetëra kosovarë janë pickuar nga rriqrat. Por siç duket për këtë sezon, epiqendra do të ndërrojë destinacion nga Malisheva, në të cilën ka qenë fillimisht, për në Prishtinë

Në bazë të të dhënave të fundit për katër muajt e parë të këtij viti më shumë të pickuar nga rriqrat ka pasur në Prishtinë se sa në Malishevë. Zyrtarë të Klinikës Infektive,kanë dhënë për Express detaje rreth etheve hemorragjike si dhe situatës në terren.

Vajza e Mirjeta Pllanës, 13 vjeçe, para dy javësh u pickua nga rriqrat derisa ishte duke luajtur në një park në Prishtinë. Dy rriqra, njëri në këmbë e tjetri në vesh e kishin pickuar atë. Rriqrat nga trupi i së miturës u larguan nga mjekët e qendrës kryesore familjare në Prishtinë.

“E kam pas vajzën duke luajtur. Po më thotë mami veshi po më dhemb, kur po e shoh, rriqër. Menjëherë e dërgova në Qendrën e Mjekësisë. Dy rriqra i kishte pas në trup”, thonë nëna e së miturës.

E rast të njëjtë si të 13 vjeçare kanë edhe dhjetëra persona të tjerë në Prishtinë. Vetëm në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për katër muajt e parë të këtij viti rreth 36 qytetarë kanë kërkuar ndihmë nga pickimi i rriqrave.

Kështu i ka thënë të dielën Express’it, drejtori i klinikës, Hamdi Ramadani. Ai thotë se rritje të numrit nga pickimet pritet që të ketë në muajt e ardhshëm.

“Ne tash veç jemi në sezonin epidemike të insekteve siç janë rriqrat. Mendojmë se në muajt e fundit do të kemi rritje hala më të madhe-enorme të rasteve. Ne e kemi grupin e ekspertëve të cilët vazhdimisht po bëjnë zgjerimet rreth pickimit të rriqrave. Për fat të mirë deri më sot ne nuk kemi shënuar raste me sëmundje të shumta të rriqrave. Deri më tani, klinika jonë ka regjistruar 47 raste nga grup mosha dhe rajone të ndryshme”, thotë Ramadani.

Ai tregon se në nga Malisheva gjatë këtyre katër muajve, shërim nga pickimi i rriqrave ka kërkuar vetëm një person.

“Më së shumti ka paraprirë, regjioni i Prishtinës me 36 raste. Pastaj Obliqi e pastaj Lipjani. Malishevë e kemi vetëm një rast, është fat i mirë, për shkak se ju e dini se vatër epidemike e etheve hemorragjike është Malisheva. Të gjitha këto raste janë trajtuar në mënyrë ambulatore”, tregon drejtori i Klinikës Infektive të QKUK’së. Ramadani u bënë thirrje organeve që merren me shëndetësinë në kryeqytet që të fillojnë me spërkatjen e zonave problematike tek të cilat po paraqiten rriqrat.

Tutje, infektologu Hamdi Ramadani thotë se Klinika Infektive, ka kapacitete dhe ilaçe të nevojshme për t’i trajtuar të gjitha rastet e pickimit.

“Ne i kemi të gjitha terapitë përkatëse në kuadër të luftimit të kësaj sëmundjeve epidemike. Tri vitet e fundit Kosova nuk ka shënuar asnjë rast të pickimit”, shpjegon Ramadani.

Për gjithë këtë punë nga Ministria e Shëndetësisë deklarojnë se kanë marrë masa parandaluese edhe këtë vit. Edhe këtë vit, si vitet paraprake, kemi marrë masa parandaluese për ethet hemorragjike krime kongo, së bashku me këshillin ndërministror. Prej vitit 2013, kur kanë ndodhur 11 vdekje në Kosovë, më nuk kemi pasur situatë të tillë. Kjo, falë bashkëpunimit me institucionet relevante”, deklarojnë nga MSH.

Megjithëkëtë, në vitin 2013, në Kosovë kanë humbur jetën 11 persona nga ethet hemorragjike dhe janë pickuar nga rriqrat 5,200 qytetarë. Derisa në vitet në vijim, falë masave parandaluese, janë evituar viktimat.

Kujtojmë së koha kur sëmundja e etheve hemorragjike krime kongo shfaqet në Kosovë është nga prilli deri në shtator. Kjo sëmundje shkaktohet nga pickimi i rriqrave, ndërsa vatër e saj janë Malisheva, Rahoveci, Suhareka dhe Klina. /GazetaExpress/

NATO, gati 35 mijë forca për ‘luftë’, plani më i madh që nga Lufta e Ftohtë

Deri në 35,000 ushtarë do të marrin pjesë në stërvitjet ushtarake të NATO-s në të gjithë Norvegjinë këtë vit – më e madhja që vendi ka parë që nga Lufta e Ftohtë

Kombi skandinav, i cili ndan kufirin e Arktikut me Rusinë, do të presë trupa nga 30 vende gjatë Trident Junction, e planifikuar për tetor dhe nëntor.

Më shumë se 120 avionë, 70 anije dhe 10,000 automjete do të marrin pjesë në ushtrimet stërvitore, të cilat vijnë mes tensioneve të larta midis Moskës dhe Perëndimit.

Operacionet do të zhvillohen në zonat përreth Atlantikut të Veriut dhe Detit Baltik, duke përfshirë Islandën, dhe hapësirën ajrore të Finlandës dhe Suedisë.

Anije, forca nga toka, ddeti, forcat speciale të operacionit dhe forcat amfibe do të marrin pjesë në atë që është një nga ushtrimet më të mëdha të NATO-s në vitet e fundit.

Frank Sølvsberg, zëdhënës i Trident Juncture, tha se stërvitjet do të jenë tre herë më të mëdha se çdo stërvitje tjetër ushtarake e kryer në Norvegji.

Operacioni do të jetë aq i madh norvegjezët janë paralajmëruar per te. Nderkohe Admirali i SHBA James G. Foggo, i cili aktualisht shërben si komandant i Forcave Detare të SHBA në Evropë, vizitoi Norvegjinë përpara stërvitjeve të planifikuara dhe i tha TV 2: “Është një mundësi e mahnitshme e trajnimit për të gjitha palët e përfshira. Unë mendoj se kjo dërgon një mesazh të qartë për të tjerët që do të kërcënojnë aleancën’.

Stërvitjet vijnë nderkohe qe tensionet vazhdojnë të rriten midis Rusisë dhe vendeve perëndimore mbi krizën në Siri.

Vladimir Putin ka mbështetur regjimin e diktatorit Bashar al-Assad gjatë luftës shkatërruese civile të vendit.

Por Amerika, Franca dhe Britania kanë bashkuar forcat dhe nisen sulme ajrore mbi bazat e dyshuara të armëve kimike në vendin e shkatërruar nga lufta pas një sulmi me gaz helmues në një qytet të mbajtur me rebelim.

Zëdhënësi i NATO-s, Oana Lungesku, tha për MailOnline: ‘Për të mbajtur vendet tona të sigurta në një botë të paparashikueshme, ne duhet të sigurohemi që Aleanca jonë është e fortë”.

Shqipëria i ofron baza tokësore, detare e ajrore ushtarake SHBA-së

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, falënderoi sot Shqipërinë për angazhimin e saj në NATO si një vend aleat, kontributi i së cilës shkon përtej madhësisë si shtet

“Shqipëria ka treguar se madhësia e saj gjeografike ka shumë më pak rëndësi, se sa angazhimi i saj në aleancë. Si një aleate e vendosur, Shqipëria godet më fortë se sa pesha e saj”, tha Sekretari Mattis gjatë takimit me Ministren e Mbrojtjes të Shqipërisë, Olta Xhaçka.

Ai vlerësoi edhe rolin e Shqipërisë për të mos lejuar, siç u shpreh ai, “ndikimin e dëmshëm rus në rajon”. “Angazhimi i Shqipërisë për pjesën e barrës që i takon vjen në një kohë kur Rusia po kërkon të përçajë aleancën tonë. Gjithashtu, pak vende në rajon kanë qenë më vigjilente se Shqipëria lidhur me ndikimin e dëmshëm rus në rajon dhe unë ju përgëzoj për punën tuaj për të ruajtur integritetin e institucioneve shqiptare”, tha Mattis, raporton Zëri i Amerikës.

Shqipëria ofron baza ushtarake

Gjatë takimit të martën në Pentagon, Ministrja Xhaçka bëri thirrje për një prani ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Ajo tha se Shqipëria po paraqet disa ide për të vënë në dispozicion baza tokësore, ajrore dhe detare por edhe aftësi të tjera, qoftë në mënyrë dypalëshe me SHBA-në ose në suazën e NATO-s.

Xhaçka u sugjeroi zyrtarëve amerikanë të mbrojtjes të shikojnë mundësinë që Shqipëria të shërbejë si vend kontakti në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas saj, një prani e SHBA-së ose e NATO-s mund të ishte një demonstrim i qartë se ky rajon nuk është harruar nga aleatët.

Ajo propozoi konkretisht baza dhe kantiere detarë të Shqipërisë, një aeroport ushtarak për furnizimin me karburant në ajër dhe zonën e stërvitjes në Bizë të Elbasanit si ide që mund të eksplorohen.

Ajo shprehu dëshirën që SHBA-ja të shtojnë praninë e industrisë ushtarake në Shqipëri. Xhaçka tha se në Shqipëri mund të ketë zona të gjera ku SHBA-ja mund të investojë. Ajo tha se në një takim me firmën Lckheed-Martin në Washington, i kishte ofruar firmës të angazhohet më shumë në shtimin e aftësive të vëzhgimit ajror dhe detar të Shqipërisë.

Ministrja shqiptare tha se krahas qëllimeve të Rusisë për t’u shtrirë në rajon dhe veprimeve të tyre destabilizuese, vihet re edhe një shtim i synimit dhe ndikimit nga vende të tjera si Kina, Irani apo Turqia. Ajo tha se nevojitet të dërgohet një mesazh i fortë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të orientuara nga Perëndimi.

Xhaçka tha se “fati i Ballkanit Perëndimor është ai euro-atlantik dhe kjo është përgjigjja më e mirë ndaj nacionalistëve ekstremistë fetarë dhe ndërhyrjes ruse”.

Komentet e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Mattis:

“Që nga anëtarësimi i saj në NATO në 2009, Shqipëria ka treguar se madhësia e saj gjeografike ka shumë më pak rëndësi, se sa angazhimi i saj në aleancë. Si një aleate e vendosur, Shqipëria godet më fortë se sa pesha e saj, duke kontribuar me trupa në misionet e NATO-s, duke u bërë vendi i parë që ka dhuruar armë dhe municione për të mposhtur koalicionin e IS-sit. Gjithashtu ju keni punuar për të luftuar kundër përhapjes së ekstremizmit në Ballkan dhe më tej nëpërmjet Qendrës suaj të Ekselencës së NATO-s për luftëtarët terroristë të huaj. Faleminderit!

Të gjitha këto tregojnë se Shqipëria është e përgatitur për të luajtur rol udhëheqës në Ballkanin Perëndimor, siç tregon edhe angazhimi juaj për të shtuar buxhetin e mbrojtjes në 2 për qind të PPB deri në vitin 2024. Faleminderit për rolin udhëheqës duke dhënë shembull për këtë. Angazhimi i Shqipërisë për pjesën e barrës që i takon vjen në një kohë kur Rusia po kërkon të përçajë aleancën tonë. Gjithashtu, pak vende në rajon kanë qenë më vigjilente se Shqipëria lidhur me ndikimin e dëmshëm rus në rajon dhe unë ju përgëzoj për punën tuaj për të ruajtur integritetin e institucioneve shqiptare. Amerikanët dhe shqiptarët kanë lidhje të forta. Programi i partneritetit me Gardën Kombëtare të Nju Xhersit pasqyron një lidhje më të thellë mes dy vendeve. Gjithashtu sot është dhe një moment mjaft i rëndësishëm për vendin tuaj”.

Dështim: Kryeministri Haradinaj në Çirilicë

Emisioni “Çirilica” nuk është mjeti për të biseduar me serbët, enkas me qiftat e Milomir Maricit të finacuar nga para të dyshimta, dhe sidomos jo, nga Zyrja e Kryeministrit të vendit

Nga Valon Syla

Kryeministri Ramush Haradinaj, është këshilluar keq nga kabineti i tij për të zgjedhur për komunikim një emision si “Çirilica”, i Milomir Maricit i cili nuk është aspak zgjedhje e mençur për një Kryeministër të përcjellë porosi politike në Serbi.

Niveli i ultë i gazetarit dhe shpërkujdesja e Kryeministrit për të folur më shlirë se sa është e nevojshme, bëri që Serbia të vërshohet me tituj se si organizohen orgjiat në Kosovë, të cilat i përmend edhe Erdogani, e deri te vrasjet në Radonic të Gjakovës dhe finasimi i UÇK’së nga narko dillerët dhe trafikantët kosovarë, në Happy TV.

Një televizion që bash financohet nga para të tilla të fëlliqta, të gangsterit Peconi dhe “Klanit të Surçinit”, që të hanën e të enjëtën, vrahen me armë në mes të Beogradit. Kësaj gazetarie anti-kosovare, të finacuar nga të gjitha rrymat e tilla, që i ngjanë vetëm propagandës ruse, përpos që ende po ja shohim sherrin nëpër Evropë, kujt ju desh që Kryeministri i vendit, ta legjitimojë atë duke e sjellë në Qendër të Prishtinës, e sidomos në zyrën më të lartë të Kosovës?

Kush është Çirilica e vërtetë

Për ata që s’e dijnë, Milomir Maric është një gazetar kinse satirik, i cili pa shije shpalosë humorin provincial të Shumadisë, atje edhe ku u lind. Këtë humor e shoqëron me nacionalizmin dhe fundamentalizmin fetar të serbëve, që i ngjanë stileve të regjimit të Slobodan Milosevicit, me gruan e të cilit edhe ishte kolegë në revistën Duga, ku përpos të gjithave edhe vdisnin në mënyrë të dyshimtë gazetarët që përqeshnin stilin poetik e naiv, të shkrimit të Mira Markovic Milosevic, kolumniste në atë kohë.

Edhe sot Maric, është udhëheqës i një emisioni të çuditshëm dhe zhanër të pa parë diku, i cili quhet “Cirilica”, e që transmetohet në Happy TV të Beogradit, pronë e Predrag Rankovic – i njohur si Peconi, bos i aparatave të bixhozit, hoteleve dhe ish kontrabandist i naftës e duhanit, i cili edhe njihet si një nga donatorët kryesorë të partisë SPS, të Ivica Dacicit, dikur partia që nxiti të gjithë terrorin mbi kosovarët në krye me Slobodan Milosevicin. Peconi është një nga kryesuesit e Klanit të Surçinit, grup mafioz, tani i shndërruar në grup të madh interesi në Serbi që kontrollon edhe pjesë vitale të politikës dhe shtetit serb.

Kryeministri i pa përgaditur për Çirilicë

Pas emisionit nga lajmet që u nxorrën nga konteksti i kësaj interviste në Serbi, publikut atje ju servua që Ramush Haradinaj organizon orgji, duke ju referuar deklaratave të prisit turk Erdogan. Dolën lajme se Kryeministri i Kosovës, është vrasës ordiner i serbëve në uniforma dhe që kosovarët janë vegël e fuqive të mëdha, kundër serbëve dhe Serbisë.

A janë të sakta këto? Pse Kryeministri bëhet protagonist për prodhimin e këtyre ngjarjeve?

Megjithëkëtë, besimi i Kryeministrit Haradinaj për të biseduar tema të fushëbetejave me një gazetar si Milomir Maric, tregon për mos njohjen e Kryeministrit Haradinaj për nuancat e Serbisë reale, dhe naivitetin e tij prej një burrështetasi që nuk i duhet një Kryemnistri të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj përpos që ishte këshilluar keq nga kabineti i tij për të zhvilluar një intervistë të tillë, ai shihej qartë që as që ishte i përgaditur për një paraqitje të tillë. Fliste me publikun serb, nëpërmes emisionit më patetik, sikur të ishte me anëtarët e shtëpisë duke ngrënë bukë, e jo me serbet, popullin që ai më së miri e di, që ende mbetet më armiqësori për kosovarë.

Krejt do të ishte në rregull nëse vendimi i Ramush Haradinajt, për të komunikuar në këtë mënyrë me publikun serb, do të vinte nga pozicioni i tij personal, si i ish gjeneralit të luftës, ose liderit të AAK’së. Por kurrësesi, në cilësi të burrështetasit të Kosovës. Gabim i madh.

Palmer: Objektivi i SHBA-së është anëtarësimi i Kosovës në OKB

Integrimi i Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian, do të varet nga përparimi në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Serbia duhet të zgjidhë problemin e mos-njohjes së Kosovës. Kosova nga ana e saj, ndonëse është ende larg anëtarësimit në BE, synon njohjen e saj të plotë nga komuniteti ndërkombëtar

Drejtori i Departamentit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Matthew Palmer, në një intervistë me shërbimin serb të Zërit të Amerikës, thotë se objektivi i Shteteve të Bashkuara është që Kosova të hyjë në OKB.

Sipas analistit Daniel Serwer ky anëtarësim duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve.

Palmer e pranon periudhën e vështirë që po kalojnë Serbia dhe Kosova në procesin e dialogut, por u bën thirrje të dy vendeve që t’i rikthehen sa më shpejt dialogut.

“Mendoj se është e rëndësishme që palët të kthehet në tryezën e dialogut sa më shpejt të jetë e mundur, të përpiqen t’i lënë pas ngjarjet e para tri javëve dhe të shohin përpara dhe të përpiqen të gjejnë një mënyrë që të bëjnë përparim në programin për të cilin kanë rënë dakord”, tha ai.

Dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve është kyçi i integrimit të Kosovës dhe Serbisë në BE, i tha Zërit të Amerikës analisti i çështjeve të Ballkanit Daniel Serwer.

“Zbatimi i ligjeve është një problem i madh për Kosovën. Por, problemi vërtetë i madh për plotësimin e kushteve të anëtarësimit në BE nuk është teknik, por politik. Pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por edhe vendet e tjera që e kanë njohur atë, presin një normalizim të plotë të marrëdhënieve me Beogradin para anëtarësimit”, shtoi ai.

Palmer mendon se ka mundësi për përparim deri në fund të vitit 2018. Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, thotë se anëtarësimi i Kosovës në OKB, është objektiv i Shteteve të Bashkuara.

“Nuk kam ndonjë afat të caktuar për këtë. Anëtarësimi në Kombet e Bashkuara është një proces i ndërlikuar, është diçka që mund të dojë kohë për t’u realizuar, por integrimi i Kosovës në sistemin ndërkombëtar vazhdon, shpresoj shumë që të përshpejtohet dhe shpresoj shumë që në të ardhmen e afërt, Kosova të ketë një vend në Kombet e Bashkuara. Por e përsëris që nuk kam ndonjë datë të caktuar përveçse të them, sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.

Ndërsa, Serwer thekson se çështja e anëtarësimit të Kosovës në OKB duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ku krijimi i Bashkësisë së Komunave serbe është çështja më urgjente për t’u zgjidhur mes dy palëve.

“Të dy vendet duhet të gjejnë rrugët për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe. Mendoj se Beogradi dhe Prishtina duhet të arrijnë një marrëveshje, ndoshta jo për njohje reciproke, por një marrëveshje për anëtarësimin e Kosovës në OKB, që do të ishte thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve. Dy vendet duhet të arrijnë marrëveshje edhe për shkëmbimin e përfaqësuesve diplomatikë në nivel ambasadorësh. Këto janë çështje shumë të vështira, jo vetëm për Beogradin, por edhe për Prishtinën. Pra, Kosova ka sfida të mëdha para saj”, theksoi Serwer.

Komisioni Evropian, në raportin e progresit që u publikua të martën, i kërkon Kosovës që të thellojë angazhimin në bisedimet me Serbinë dhe të punojë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, veçanërisht themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. /VOA/

Mirupafshim, Amerikë: Sanksionet e reja të Moskës

Toka të rralla, medikamente, programe kompjuterike – përgjigjja më e fortë e Rusisë ndaj sanksioneve të SHBA merr konturet e para. Në objektiv: Uashingtoni, por edhe aleatët e tij

Projektligji u paraqit të hënën në një mbledhje urgjente të Këshillit të Dumës Shtetërore, të dhomës së deputetëve të parlamentit rus. Ai është përgjigjja ruse ndaj sanksioneve të vendosura në 6 prill kundër Moskës, sanksionet më të ashpra që prej aneksimit të Krimesë në 2014. Me masat kundër sipërmarrësve drejtues dhe nëpunësve të nivelit të lartë, Uashingtoni me sa duket preku një nerv, që bëri që tregjet e aksioneve dhe të devizave ruse të lëkunden deri më sot.

Amerika i argumentoi kufizimet e reja me “aktivitetet e liga” të përbotshme të Rusisë, me këtë nuk qe fjala vetëm për Ukrainën, por edhe për Sirinë.

Kufizime jo për medikamente amerikane

Në thelb Rusia përgatit atë, të cilën Kongresi i SHBA e miratoi në verë 2017 si ligjin-CAATSA (Countering Americas’s Adversaries Through Sanctions Act): një bazë për raunde të tjera dhe më të gjera sanksionesh. Kjo në një kohë kur tregtia midis Rusisë dhe SHBA nuk është veçanërisht e madhe: në vitin 2017 ajo kapi shumën 24 miliardë dollarë, bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmeve RIA.

Rusia shiti shumë më tepër në Amerikë: 17 miliardë përballë shtatë miliardë dollarëve. Në këtë kuadër për Moskën është e vështirë që ta prekë ndjeshëm Uashingtonin. Projektligji duket si një larje hesapesh e stilit të gjerë me pak përjashtime.

Janë parashikuar para së gjithash kufizime për prodhime bujqësore të SHBA, ushqime, alkool, duhan dhe medikamente. Përjashtohen ato medikamente, për të cilat nuk ka zëvendësuese në Rusi.

Veç kësaj, mund të ketë marrë fund bashkëpunimi i Rusisë me SHBA në fushën e energjisë atomike, në ndërtimin e avionëve dhe në teknikën raketore. Llogaria e Moskës është që me një hap të tillë të godasë ndër të tjera ndjeshëm konstruktorin amerikan të avionëve Boeing, i cili importon për shembull titan nga Rusia.

Edhe shitja e tokave të tjera të rralla mund të konsiderohet e ndaluar ose e kufizuar.

Në teknikën raketore ky ligj mund t’i nxjerrë telashe sipërmarrjes amerikane të fluturimeve në hapësirë “United Launch Alliance” (ULA), tek e cila ka pjesë edhe Boeingu. Në raketën bartëse të tij “Atlas V” përdoren motorë rusë të tipit RD 180.

Preken Boeing dhe Microsoft

Ligjvënësit rusë duan të kufizojnë edhe përdorimin e programeve kompjuterike amerikane në Rusi. Kjo do të prekte para së gjithash koncernin Microsoft, produktet e të cilit janë më shumë të instaluara në zyrat ruse.

Më tej mendohet se do të bëhet përgjithësisht e vështirë për qytetarë të SHBA që të shkojnë në Rusi dhe të bëjnë atje biznese. Edhe shoqërive ajrore të SHBA mund t’u duhet të paguajnë më shumë në aeroporte.

Leximi i parë i ligjit është parashikuar për në 15 maj. Mund të nisemi nga fakti që ky dokument do t’i kalojë me shpejtësi të gjitha stacionet, do të nënshkruhet nga Presidenti Putin dhe do të hyjë në fuqi.

Për ta vënë në jetë do të jetë detyrë e qeverisë së re, e cila do të krijohet pas fillimit të mandatit nga Putini në fillim të majit.

Në degët e pakta ekonomike që nuk janë prekur deri tani nga sanksionet ruse janë fluturimi në hapësirë dhe dega e kinemasë.

Por nuk duket e papërfytyrueshme më që dikur Rusia të kundërshtojë dhe të mos i lejojë astronautët e SHBA të shkojnë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) ose që të dëbojë nga ekranet filma të Hollivudit.

Për t’u diskutuar po diskutohet për këto që tani. Lamtumira ndaj Amerikës së urryer prej shumë rusëve duket se po përshpejtohet.(DW)

Emri Kosovë i krijuar nga serbët , duhet të ndërrohet

Duhet të krijohet një komision kombëtar dhe mbarëkombëtar në trojat iliro-shqiptare për të diskutuar krijimin e një etnonim tjetër për të emëruar këtë Shtet të ri që ishte i pushtuar nga despotët dhe kriminalet serb.Prandaj, ata janë « autokton » dhe jo një popull pushtues i ardhur nga rrafshinat e Azisë Qendrore, siç janë të gjithë Sllavët e jugut dhe Bullgarët , dhe Hugarezët…

Nga Mathieu Aref

Unë solemnisht porosis ndryshimin e etnonimit që i është dhënë « Kosovës dhe kosovarëve ». Ky emër është i krijuar nga Serbët, emër që shpjegohët në gjuhën e tyre : « fusha e mëllenjëve » (Kosova polje).

Paradoksalisht Serbët për këtë betejë po ndjekin një fitore, ndërsa ajo ishte një “humbje” (disfatë) e cila ka ndodhur në datën fatale të 15 qershor 1389 (kalendari julian).

Duhet të krijohet një komision kombëtar dhe mbarëkombëtar në trojat iliro-shqiptare për të diskutuar krijimin e një etnonim tjetër për të emëruar këtë Shtet të ri që ishte i pushtuar nga despotët dhe kriminalet serb.

Sigurisht që “kosovarët” mund të jenë vetëm SHQIPTARË që kanë qenë pjesë së grupit etnik Pelasgo-Ilir në gadishullin të Evropës jug-lindore për mijëvjeçarësh.

Prandaj, ata janë « autokton » dhe jo një popull pushtues i ardhur nga rrafshinat e Azisë Qendrore, siç janë të gjithë Sllavët e jugut dhe Bulgarët , dhe Hugarezët (nga rajoni aziatik të Uralit) dhe Tsiganët (nga India), etj.

Duke pritur ribashkimin e trojave iliro-shqiptare, do të ishte e nevojshme të gjejmë një emër tjetër për këtë shtet të ri. Në të njëjtën rast, unë porosis që të gjitha trojat Iliro-Shqiptare të heqin qafë shumë emrash gjeografike (qytete, rajone, etj.) të krijuara qysh kohë nga pushtuësit sllav jugorë.

Shqipëria hap negociatat për anëtarësim në BE

Shqipëria ka marr rekomandim pozitiv për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka prezantuar zyrtarisht para Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian Raportin e Progresit për vendet që duan të bëhen pjesë e BE-së, përfshi këtu edhe Shqipërinë

Në një konferencë të përbashkët për media me Komisionerin për Zgjerim Johannes Hahn në Bruksel, Mogherini tha se Ballkani Perëndimor është Evropë dhe do të jetë pjesë e së ardhmes së BE-së.

“Sot, kolegji miratoi paketën vjetore të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Është në interesin tonë të kemi një politikë të suksesshme të zgjerimit. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe do të jetë pjesë e së ardhmes evropiane. Kjo është në interesin tonë më të mirë “, tha ajo.

Mogherini tha se çdo shtet vlerësohet në bazë të meritave personale dhe përparimit që e bën në reforma.

“Vitin e kaluar, partnerët tanë në Ballkan kanë ndërmarrë shumë reforma të rëndësishme, prandaj vendimi për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë”, tha Mogherini.

Në anën tjetër, Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn tha se Këshilli Evropian njeh progresin që ka bërë Shqipëria, por nënvizoi se vendi duhet të vijojë reformat, sidomos në drejtësi dhe se ky është vetëm fillimi i procesit për Shqipërinë.

Vendimi për nisjen e negociatave u përshendet nga Përfaqësuesja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin.

“Shqiptarët meritojnë t’u njihen përpjekjet që kanë bërë për anëtarësim. Sot, ata kanë arsye për t’u gëzuar”, tha ajo.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Shqipëria ka hapur një kapitull të ri si shtet.

“Sot kemi kaluar sprovën historike të ngjitjes në një shkallë të re si vend dhe si popull. Jemi rekomanduar pa asnjë rezervë nga Komisioni Evropian si shtet që mund dhe duhet të ulet në tryezën e negociatave për të hyrë në familjen e shteteve anëtare të Europës së Bashkuar”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se Shqipëria ia doli “këtij provimi të stërvështirë” dhe se vendi ka tjetër status në arenën ndërkombëtare.

“Dolëm më në fund në një tjetër udhëkryq, mes të shkuarës dhe së ardhmes. Tanimë është e qartë se rruga përtej udhëkryqit ku ndodheshim deri sot, sado e përpjetë, sado e vështire, sado e gjatë, është e gjitha përpara nesh. Stacioni i fundit në fund të kësaj rruge të re është anëtarësimi në Bashkimin Europian”, shtoi Rama.

Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009. Asaj i është dhënë statusi i kandidatit për BE në vitin 2014 dhe ka pritur fillimin e negociatave për anëtarësim deri tani.

Reagon Thaçi: Jemi lodhur me raporte, BE duhet të na trajtojë sikur të tjerët

Pas publikimit të Raportit të Progresit nga Komisioni Evropian për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, ka reaguar Presidenti Hashim Thaçi. Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës janë lodhur nga raportet e shumta dhe se është koha për diçka konkrete

Vetëm pak çaste pasi shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, bashkë me komisionerin për zgjerim, Johannes Hahn publikuan raportin e Progrestit, presidenti Thaçi shkroi rreth të njëjtit, duke thënë se Kosova tash po pret liberalizimin e vizave.

Ky është shkrimi i plotë i Presidentit:

Komisioni Evropian sapo publikoi raportin për Kosovën dhe pakon e zgjerimit. Më këtë rast, dua të theksoj se Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e reformave evropiane dhe të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Tani, pa humbur kohë, të gjitha institucionet duhet të reflektojnë për përmbajtjen dhe të gjeturat e raportit, në mënyrë që të adresohen problemet dhe sfidat e evidentuara. E përshëndes faktin që ky raport ka reflektuar pozitivisht rreth procesit të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. Prandaj, e konsideroj çështje urgjente që ky proces të mbyllet sa më shpejt nga ana e BE-së, sepse qytetarët e Kosovës janë lodhur nga raportet e shumta. Tani është momenti për diçka konkrete. Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë pa humbur kohë.

Kosova ka vullnet të mjaftueshëm politik për të intensifikuar hapat e saj drejt integrimit në BE. Përkushtimi i Kosovës për reformat, bashkëpunimi rajonal dhe dialogu për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë në njërën anë, dhe në anën tjetër rikonfirmimi i institucioneve të BE-së se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë të ardhmen në BE, duhet që natyrshëm të kurorëzohet me hapin e radhës drejt integrimit evropian të Republikës së Kosovës, pra marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim. Kosova ka nevojë të ketë qartësi në rrugën e saj evropiane dhe të trajtohet në mënyrë të barabartë me shtetet tjera të rajonit. Pavarësisht sa e komplikuar mund të jetë një gjë e tillë për BE-në, në mungesë të një perspektive të qartë, gjithçka tjetër mund të sjell komplikime dhe pasoja jo vetëm për Kosovën por edhe gjithë rajonin. HTH