Lajm.co

Ish-drejtori i policisë i shkruan kolegut të vrarë Artan Cuku: A e mban mend kur Habilajt…

Një shënim i pazakontë është bërë publik nga ish-Drejtori i Policisë së Shtetit. Ai nëpërmjet një letre drejtuar ish-kolegut të tij, të vrarë tashmë nga dora kriminale, Artan Cukut, shpjegon situatën në të cilën gjendet rendi dhe siguria në vend. Po japim më poshtë letrën e plotë të tij…

Nga Ahmet Prençi

I dashur Artan,

Kjo është një letër e pazakontë, kur nga bota e të gjallëve i shkruhet dikujt në botës e përtejme; pa adresë, pa emër qyteti, lagjeje, rruge… Një i gjallë po i shkruan një të vdekuri… Unë vendosa të të shkruaj ty, kur ka kaluar më shumë se një vit nga vrasja jote. Ti ke zënë vend në panteonin e përjetshëm dhe siç thonë librat e shenjtë, heronjtë zënë vend të merituar pas shenjtorëve në atë botë. Sakrifikove shumë për ligjin, Artan, dhurove gjithçka për rendin në këtë vend me plot halle e derte; njerëz si ti ishin të rrallë, por njerëz si ti ngjallnin besimin për një të ardhme më të sigurt, më të mirë. Sa shpresa kishim, Artan, sa ëndrra, të cilat janë tretur e janë harruar tashmë. Unë si ish-shoku dhe kolegu yt dua të të njoftoj me anën e kësaj letre se çfarë çudirash ndodhin në vendin tënd, në vendin tim para dhe pas një Vetingu, para dhe pas një reforme, para dhe pas një ëndrre, para dhe pas një shprese…

Ti e mban mend, i dashuri ynë, kur në vitin 2015, njëri nga vëllezërit Habilaj i revoltuar hakmerrej në televizor se ti e kishe akuzuar kur punoje si drejtor policie në Vlorë. E kishe akuzuar për pengmarrje “me të pa drejtë”, sepse ti nuk u bëre palë me të, nuk u bëre mik me të, nuk bashkëjetove me krimin, nuk mund të bëje marrëveshje me të, aq më tepër kompromise. Vendi kishte dhe ka nevojë jo për Habilajt, as për Balilajt as për trafikantët dhe grupeve të organizuara që bashkëqeverisin me pushtetin, vendi kishte dhe ka nevojë për njerëz si ti Artan, të përkushtuar, të vendosur, vetëm në anën e ligjit dhe të njerëzve të thjeshtë e hallexhinj të vendit tim, të vendit tënd. Pikërisht këta, Habilajt, Balilajt, e bashkëpunëtorët e tyre në të gjitha qytetet e vendit bëjnë ligjin dhe vendosin tashmë për çdo gjë. Duhet ta dish se këta Habilajt tashmë janë dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge dhe se ti “nuk u paske rënë në qafë kot”. Janë dënuar në Itali, sepse këtu nuk mund të arrestohen e dënohen. Atëherë, kushëriri i Habilajve, Samir Tahiri, ishte Ministër i Brendshëm me plot fuqi sikurse atëherë kur të largoi nga policia me motivacione e argumente qesharake, siç ndodhi me shumë drejtues e specialistë të tjerë të përkushtuar, që kishin dhënë gjithçka nga vetja e tyre për sigurinë e qytetarëve në këtë vend.

Kjo bota jonë e të gjallëve kështu e paska, i dashuri im. Është për të ardhur keq, por realiteti që le pas vazhdon, disi më i kamufluar, por më i rrezikshëm, më i egër. Rreth dy javë pasi ministri Tahiri u detyrua të largohej nga detyra, ty të vranë mu pranë shtëpisë tënde. E çfarë nuk u tha, çfarë nuk u zhbë, në media, në rrugë, në kafene, në sallone zyrash, në shkresa burokratësh për ty, miku im! Çështjen e vrasjes tënde të pabesë, ta regjistruan në prokurori për gjakmarrje a hakmarrje, kush e mori vesh, e dinë vetëm paskuintat e salloneve të zyrave të shtetit tim, të shtetit tënd, sikur ti nuk kishe punuar e sakrifikuar asnjë ditë, asnjë orë, asnjë minutë, sikur ti e njerëz si ti do të përfundonin në prita cubash e kriminelësh të panginjur, si tribu, pa shtet, pa rend, pa ligj. Për atentatin ndaj teje punuan disa oficerë shumë të përkushtuar, që meritojnë falënderime e mirënjohje, jo vetëm nga miqtë, kolegët e familjarët e tu, por nga gjithë shoqëria. Ata i zbuluan dy armët e krimit makabër kundër teje, dy armë që u zbrazën atë natë të zezë; u zbuluan gëzhojat, një bluzë e atentatorit që e kishte hedhur në një kosh plehrash… U analizuan kampionet e AND-së së gjetur në bluzën e autorit në një laborator kriminalistik në Zvicër dhe kjo provë shkencore vërtetoi katërçipërisht emrin atentatorit tënd. U angazhuan kolegë gjerma e italian, kërkuan në Gjermani, në Itali e kudo, ku kishte bredhur ky vrasës ordiner.

Ata e vlerësojnë dhe e dinë se ç’është të vrasësh një drejtor policie! Së fundmi ai u kap dhe e arrestuan. E arrestuan me prova të pakundërshtueshme, me akte ekspertimi shkencor, biologjik e balistik, me pamje të kamerave që tregonin lëvizjet e atentatorit mbrëmjen e ngjarjes, u ndërtua më së miri nga ish-kolegët e tu të pakët, që kanë ideal misionin e tyre fisnik, mbrojtjen e ligjit dhe rendit kushtetues, ndërtuan pra mekanizmin e asaj ngjarje makabre. U mbajt atentatori në hetim rreth një vit e dy muaj nga prokuroria. Kanë shkruar gazetat, mbushën faqe të tëra me interpretime e analiza e unë s’para i lexoja versionet pa fund e pa krye që shfaqeshin në faqet e tyre dita-ditës. Isha i neveritur. Por dua të dish që disa nga gazetarët më të mirë të kronikës, më të spikaturit, realistët, kurajozët nuk kanë hedhur baltë mbi ty, ishin në anën tënde dhe besonin në atë çka rezultoi në fund të hetimeve. Të kishin njohur mirë, Artan.

Këto ditë mësova nga bota jonë e të gjallëve se atentatori paska bërë një marrëveshje! Qenka dënuar me 10 vjet burg! (Ligji penal e kërkon nga 30 vjet deri në burgim të përjetshëm).U trondita shumë, po ashtu dhe familjarët e tu dhe gjithkush që të ka njohur. Familja e atentatorit që të mori jetën është marrë në mbrojtje dhe gjithçka ia siguron shteti. Kështu e thënka ligji, Artan! Ti e din, ligji është ligj e duhet zbatuar! Këtë marrëveshje e parashikoka Kodi i Ri i Procedurës Penale; paketë e re e reformës në drejtësi! Thonë me të madhe çdo ditë se këtë reforme e kanë udhëhequr amerikanët! Nuk kam dëgjuar kurrë që të vritet një drejtor policie në Amerikë e autori të mos dënohet me vdekje!

Askush nuk foli për rastin tënd, e ka parashikuar ky ligji i ri, dhe pikë. Më thanë, gjithashtu, se nuk ka seancë tjetër gjyqësore, as ankimim, as rishqyrtim. Është një vendim i formës së prerë, i marrë në një seancë të vetme gjyqësore, me marrëveshje! Gjithçka që themi tani është e kotë. Familjarët e atentatorit mund të jenë në plazh. E ka detyrim shteti t’u sigurojë jetën normale, me roje që paguhen po nga shteti dhe me të gjitha kushtet e një jete normale, të paguara nga taksapaguesit shqiptarë, sepse familjari i tyre ka vrarë një Drejtor Policie dhe për 10 vjet i bie të dalë nga burgu! Mund të dalë dhe për 5 ose 6 vjet për sjellje të mira! E parashikon ligji, Artan! Është dënuar me marrëveshje pas kuintave!

Familja jote nuk është e siguruar as me roje as me të ardhura nga shteti, dhe pensioni qesharak që iu takon fëmijëve, shpresoj të dalë, por akoma nuk është realizuar se ashtu janë procedurat, ç’të bësh! Kështu thotë ligji! Në labirintet e shtetit tim nuk mund të dalë në krye të së drejtës i ndershmi; del krimi, krimineli, dreqi dhe i biri!

Artan, të gjithë ish-kolegët e tu janë në ankth me këtë precedent, pasi gjithkush që mund të ketë fatin tënd (qoftë larg!) po prej cubash në prita e pusi, e pikërisht për shkak të detyrës,(mos ndodhtë kurrë më!), do ketë fatin tënd dhe të familjes tënde! Kur u vrave ti, i dashuri dhe i paharruari ynë, Kryeministri i vendit nuk e tha asnjë fjalë, as në ceremoninë mortore, as kur u dha versioni zyrtar që ishe vrarë për shkak të detyrës si Drejtor i Policisë Vlorë, e jo për “gjakmarrje” apo “hakmarrje” e as tani që atentatori u dënua me 10 vjet burg dhe as para ca ditësh që ishte në Lurë, aty pranë shtëpisë tënde në një dëgjesë publike për punët e “mëdha” te vendit që vetëm i reklamon, por kurrë nuk i bën. E prapë heshtje varri nga Kryeministri i vendit tim, i vendit tënd! Asnjë fjalë, Artan! Qëmoti, kur nuk kishte shtet dhe ligj në së vritej një shërbëtor i një agai, hakun nuk ia merrnin familjarët, por agai, për të cilin punonte shërbyesi. Dhe ti ishte një shërbëtor i shtetit e hakun ta mori shteti(!), ta mori me marrëveshje, Artan! Në marrëveshje me vrasësin! Një marrëveshje e turpshme, kapitulluese, shokuese për mbarë opinionin publik, për botën e të gjallëve dhe të vdekurve bashkë. Atentatori, kam mësuar se ka bërë më parë një marrëveshje për të të vrarë ty, marrëveshje kundrejt shpërblimit me para. Tashme ka bërë një tjetër marrëveshje me Prokurorin, për të shpëtuar me 10 vjet burg për veprën penale makabre që kreu, duke të vrarë.

Ti Artan nuk bëje marrëveshje, ndaj e pësove. Atentatori nuk u paraqit vetë në polici ose prokurori, për të treguar se ai ishte autori i vrasjes, të paraqiste pendesë dhe të kërkonte mëshirë. Jo, ai mezi u identifikua nga provat shkencore, mezi u vërtetua mekanizmi i vrasjes, mezi u arrestua e pas një viti kërkoi këtë marrëveshje turpi me shtetin, me Prokurorin që ka prokurën e shtetit për të mbrojtur interesat e tua dhe të fëmijëve tu. Kjo marrëveshje ishte e diktuar nga krimineli, e imponuar prej tij dhe ia arriti. Familjarët e tij tashmë janë të sigurt nën mbrojtjen e shtetit, ndërsa familjarët e tu nuk kanë asnjë mbrojtje e asnjë ndihmë nga shteti, as fëmijët nuk gëzojnë të paktën pensionin tënd, siç e parashikon ligji.

Ky është precedent që demoralizon, demotivon punën e strukturave të policisë dhe nxit dhe jep siguri krimit dhe kriminelëve.

Mos u çudit, Artan, dhe autori që vrau 4 oficerë policie në vitin 2009 akoma është në proces gjykimi… Po bëhen 10 vjet (një dekadë, Artan!) dhe akoma s’ka folur përfundimisht drejtësia. Mblidhen e derdhen togat e zeza, shtyjnë e pështyjnë njerëzit e ligjit, dridhen e përdridhen korifenjtë e drejtësisë së vendit tim, të vendit tënd! Kjo nuk ndodh askund në botë, por këtu te ne ka procedura e ato duhen zbatuar! Është bërë shtet, Artan. Kanë dalë e janë liruar nga burgu shumë persona të dënuar me burg të përjetshëm e dënime të rënda, e janë rehabilituar. Tashmë merren me biznes, me kanabis, me kokainë, me zgjedhje dhe fushata zgjedhore, me punësime në administratë, emërojnë drejtorë hipotekash, drejtorë doganash, tatimesh, edhe zëvendësministra e ministra! Janë punëmbaruar ata, Artan, se bëjnë marrëveshje. Po të kishe bërë marrëveshje, ti do të ishe në detyrë sot dhe fëmijët s’do ishin jetim në mëshirën e fatit.

Ka filluar Vetingu për të gjithë punonjësit e policisë dhe janë në një ankth të madh. Kjo ka marrë një rëndësi të madhe pasi iniciatori, drejtuesi dhe frymëzuesi i këtij procesi është vetë ministri i ri i Brendshëm, Fatmir Xhafa, udhëheqësi i reformës historike në drejtësi! Sikur është stopuar pak ky proces, se ka dalë një “problem i vogël”, krejt i parëndësishëm! Saimiri, ish-ministri është nën akuzë për trafik ndërkombëtar droge, ndërsa Fatmirit i ka rezultuar vëllai i dënuar nga Gjykata e Lartë Italiane me 7.2 vite burg për trafik ndërkombëtar droge. Nuk di, Artan, se si do shkojë kjo punë! Nëse një punonjësi policie i gjejnë një foto ose takim të papërshtatshëm me një trafikant, si p.sh. me vëllain e Fatmirit, automatikisht duhet të largohet nga detyra. Kështu thotë një nga pikat e formularit 40 faqesh të Vetingut. Kanë vendosur procedura strikte ndaj janë në ankth të gjithë punonjësit e policisë, s’kanë faj, ligji është ligj e procedurat procedura! Kështu bëhet shtet! Vetingu në drejtësi vazhdon. Për një vit e kanë përfunduar Vetingun ndoshta 10 gjyqtarë e prokurorë. E po vazhdoi me këto ritme duhen 8 dekada që të shikojmë drejtësinë tonë “të vetinguar” plotësisht! E Kryeministri e ka refren përfundimin e plotë të Vetingut!

Prokurori, që bëri marrëveshjen me atentatorin tënd do shkojë para komisionit të Vetingut dhe do krenohet me rastin tënd, sepse, së pari, ka zbuluar vrasjen e një drejtori policie dhe, së dyti, është implemntuesi i dispozitave të reformës së re në drejtësi! Sigurisht, do ketë përparësi, pa dyshim që do vlerësohet nga komisioni i Vetingut! Kemi mësuar në histori se burrat e shtetit e të nderit, me sjellje dhe emër të mirë kanë bërë marrëveshje të ndritura në interes të kombeve e shoqërive që ju përkasin dhe mbahen mend në shekuj. Kjo marrëveshje turpi e prokurorit të shtetit tonë është e paimagjinueshme, e pakonceptueshme dhe krejt e pandershme për ata që i bëjnë dhe për shoqërinë që pranon këto turpe në emër të shtetit dhe të ligjit.

Vdekatarë jemi të gjithë në këtë botë, por kur ikën në atë botë me nder, prosperitet e dinjitet, të gjallët kanë ç’të thonë, kanë ç’të shkruajnë, kanë ç’të kujtojnë. Ti e mbylle me nder dhe ne shpresojmë të mos turpërohemi, Artan, deri sa të kemi frymën e deri sa të vijmë atje, në botën e paqtë. Thonë se burri ka kohë të turpërohet edhe pak sekonda para vdekjes. Këto soj burra shtetarësh që na drejtojnë sot, nuk e kanë këtë merak Artan.

BE-ja e kënaqur me rezultatet e Kosovës për implementimin e marrëveshjeve

Delegacioni i Kosovës për dialogun me Serbinë, i kryesuar nga Avni Arifi, ka zhvilluar një takim me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, kryesuar nga Thomas Busch, në Bruksel. Në këtë takim, delegacioni nga Kosova prezantoi rezultatet e punës së tyre në procesin e dialogut, me ç’rast zyrtarët e Bashkimit Evropian e vlerësuan punën e tyre.Shef i delegacionit kosovar, Avni Arifi është shprehur i kënaqur me vlerësimin e BE-së për rezultatet e Kosovës

“Ka qenë takim i rregullt ku raportojmë para vendeve anëtare të BE-së. Në asnjë moment asnjë zyrtarë nuk është shprehur negativisht për institucionet e Kosovës. Janë përmend vonesat për tabela të regjistrimit të veturave, mirëpo nuk ka pasur asgjë tjetër. Konkluzioni përfundimtar i zyrtarëve të BE-së është që rezultatet e Kosovës në implementimin e marrëveshjeve janë të kënaqshme”.

Në lidhje me asociacionin Arifi ka deklaruar se do të realizohet në përputhshmëri me kushtetutën e Kosovës.“Kosova ka implementuar të gjitha marrëveshjet. Ajo çka ka ngelur pa u implementuar nga ana e Kosovës është çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kjo ka ngecur për shkak të shkeljeve kushtetuese. BE-ja është përcaktuar për një asociacion konform kushtetutës së Kosovës”.

Ai gjithashtu theksoi se do të insistojnë që në raundin e ardhshëm të diskutohet në lidhje me energjinë dhe se nuk do të tërhiqen pa nënshkrimin e një marrëveshje dypalëshe.

Fundi pa lavdi i EULEX-it

Larg rezultateve të pritura, pas 10 vitesh qëndrimi në Kosovë, Bashkimi Europian i ka dhënë fund misionit të vet për Sundim të Ligjit, EULEX, duke e ndryshuar rrënjësisht natyrën e punës nga mision ekzekutiv në një trup monitorues

Nga Përparim ISUFI

Shpresat ishin më të mëdha dhe pritjet më të ngrohta se temperaturat e dhjetorit të vitit 2008 kur Bashkimi Europian, pas muajsh vonesa, vendosi në Kosovë një mision për sundim të ligjit. Kosova sapo kishte shpallur pavarësinë dhe nuk kishte kapacitetet e saj të nevojshme, sidomos në sistemin gjyqësor dhe atë të sigurisë për të cilën garantonte prania e NATO-s në vend. Për më tepër, BE frikësohej se shteti i ri rrezikonte të kapej nga një elitë e papërgjegjshme politike dhe e biznesit, fijet e së cilës ndërlidheshin diku me strukturat kriminale në Kosovë. Për të shmangur këtë, me synimin të ndihmojë Kosovën në ngritjen e një sistemi të sundimit të ligjit, BE vendosi në Kosovë EULEX-in, misionin e vet më të madh që operonte ndonjëherë.

Afër 2500 zyrtarë, përfshirë gjykatës, prokurorë, policë e doganierë duhej të trashëgonin punën e zbehtë të UNMIK-ut, misionit të OKB-së që kishte administruar me Kosovën që nga qershori i vitit 1999. I pranishëm në çdo segment kyç të vendit përfshirë edhe kufijtë e Kosovës, flamuri blu i BE-së u vendos më në fund me bekimin e Beogradit, që përmes fuqisë politike të Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nuk lejonte vendosjen e misionit pa i vënë njëlloj ombrelle të «selisë së qelqtë». EULEX konsiderohej një test i rëndësishëm për BE-në, meqë UNMIK-u me OKB-në kishte dështuar pothuaj në gjithçka që kishte marrë përsipër ta kryente duke filluar nga administrimi i territorit që i ishte besuar, hetimi dhe dënimi i krimeve të luftës, luftimi i korrupsionit e relaksimi i raporteve të tensionuara ndëretnike në një shoqëri të sapodalë nga lufta.

Mbi të gjitha misioni i OKB-së që kishte lehtësuar procesin e negociatave për statusin final të Kosovës kritikohej se kishte mundësuar një «paqe me çdo kusht» duke i lënë të lirë njerëzit e fuqishëm të veprojnë në këmbim të një stabiliteti në sipërfaqe. Në duart e misionit europian u lanë problemet që përbënin çështjet serioze përfshi hetimet për krimet e luftës, vrasjet e motivuara politikisht, zbardhja e fatit të të zhdukurve, luftimi i krimit dhe korrupsionit të profilit të lartë dhe masat për të frenuar trafikimin me njerëz dhe narkotikë. Për të njëjtat çështje EULEX kishte trashëguar nga misioni i OKB-së goxha shumë dosje të pazgjidhura me vite e tani disa nga to po i lë në duart e vendorëve, e shumë tjera po i bart në Hagë, ty ku është vendosur selia e një gjykate të re për hetimin dhe gjykimin e disa krimeve të pretenduara se janë kryer nga ish drejtues të UÇK-së në kohën e luftës dhe muajt e parë të pasluftës në Kosovë.

Një dekadë pas, dosjet e pakryera vetëm sa janë shtuar në numër dhe volumi i tyre do të bartet në dollapët e sistemit vendor të drejtësisë. Rrëfimi për një sistem të drejtësisë në Kosovë që duhet të ndryshohet në embrion është pothuajse i njëjtë gati si dy dekada më herët kur sistemi gjyqësor i ndërtuar nga OKB-së ishte i humbur nga përdorimi paralel i dy palë procedurash ligjore, atyre të ish Jugosllavisë dhe rregulloreve të reja. Në shifra, EULEX-i ka zgjidhur pak raste të krimit të organizuar e korrupsionit të nivelit të lartë si dhe krimeve të luftës që nuk lënë shenjë në ecjen e Kosovës për një dekadë. Krimi e korrupsioni mbesin endemik në vend me një kulturë të pandryshuar të mosndëshkueshmërisë.

Me gjithë fuqinë e kompetencave ekzekutive për një dekadë, misioni është shquar për paaftësi dhe mungesë të vullnetit të qindra prokurorëve e gjykatësve jo vetëm ndërkombëtarë, por edhe vendorë. Duke shmangur ballafaqimin me detyrat e vështira, prokurorëve dhe gjykatësve vendorë u përshtatej t’i dërgonin rastet e rënda te kolegët e tyre ndërkombëtarë. Imazhi i misionit është zbehur edhe nga problemet në strukturë dhe akuza për korrupsion brenda vetes. Në vitin 2014, një prokurore britanike (Maria Bamieh) që denoncoi pazare brenda EULEX-it pohoi se Shërbimi i Jashtëm Europian i sugjeroi të mbyllë njërin sy ndaj pretendimet për bashkëpunim mes zyrtarëve të misionit dhe kriminelëve të dyshuar në Kosovë. Ajo pretendonte se një gjykatës italian (Franceso Florit) mori 300 mijë euro në këmbim të lirimit të një të akuzuari për vrasje. Pasi misioni u trondit në themel, BE dërgoi një ekip hetuesish për të shikuar në këto aludime, por hetimet thanë se pretendimet e ngritura nuk qëndrojnë.

Akuza të njëjta u përsëriten edhe tri vjet më vonë kur një gjykatës britanik (Malcolm Simmons) akuzoi misionin për korrupsion, por këto akuza nuk morën fort jehonë meqë BE zbuloi se ai vetë ishte nën hetime. Më vonë doli se Simmons nuk kishte bërë asnjë ditë pune si gjykatës në vendin e tij të lindjes, Britaninë e Madhe, gjë që nxjerr dyshime edhe për sigurinë e cilësisë së stafit të përzgjedhur për të shërbyer në mision. Derisa BE me zë të lartë kërkon rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit në profil të lartë, në regjistrat aktual misionit të saj nuk i faturohet asnjë rast i dënimit i atyre që vetë misioni preferonte t’i quante «peshqit e mëdhenj». Në shumë raste, të dyshuarit e arrestuar apo hetuar me pompozitet, kanë fituar pafajësinë nga vetë gjykatës ndërkombëtarë ndërsa misionit i krijuan imazhin e një «lavatriqeje» që pastron figurat e njollosura në opinion. Vdekja, frikësimi dhe tërheqja e dëshmitarëve në shumë procese gjyqësore, sidomos atyre për krime lufte, gjithashtu u bënë simbol i paaftësisë së misionit për të ndërtuar besimin e njerëzve për të bashkëpunuar me drejtësinë. «Problemi më i madh ishte marrja e dëshmive dhe dëshmitarët si dhe mospasja e një kodi penal të duhur… EULEX nuk ka qenë për arrestimin e njerëzve, ne kemi ardhur këtu për ndërtimin e sundimit të ligjit. Arrestimet ishin çështje sekondare», ka thënë së fundmi shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, për Reuters.

Një dekadë pas shpresat e kosovarëve kanë shijen e zhgënjimit dhe pritjet duken gati surreale në ëndrrën e vënies së drejtësisë në vend. Një nëpunës i BE-së në Kosovë, Andrea Capussela, një kohë të gjatë kishte bërë thirrje për t’i dhënë fund këtij misioni. «Misioni tani po e dëmton Kosovën dhe në mënyrë indirekte interesat e BE-së, kështu që duhet të tërhiqet», kishte thënë ai para dy viteve. Kur e kishte marrë fjalën në një konferencë në Sarajevë në vitin 2013, kreu i atëhershëm i Divizionit Ekzekutiv në EULEX, Mats Mattson, kishte thënë diçka që brenda Kosovës nuk është dëgjuar asnjëherë nga një zyrtar i misionit: «Një problem i veçantë në Kosovë janë klanet, ose ato që të tjerët i quajnë familje të mëdha. Kjo është, si të thuash, të gjithë të afërmit, kushërinj, dhe kushërinj të kushërinjve, e kështu me radhë. Kontrolli i tyre është më i fuqishëm se ai i administratës në Kosovë ndaj njerëzve. Kjo familje e madhe ka ndikim të madh në problemet madhore të sundimit të ligjit në Kosovë dhe këto janë korrupsioni, krimi i organizuar dhe krimet e luftës, të gjitha këto të ndërlidhura». Që atëherë, këto ‘familje të mëdha’ kanë mundur të bëhen familje edhe më të mëdha në betejën e tyre për të zaptuar. Për 10 vjet qëndrimi në Kosovë, EULEX nuk mundi t’ia gjejë asnjëherë fijet ndonjërës prej tyre.
(kallxo.com, BIRN)

Rusia “rinovon” bunkerin e armëve bërthamore?!

Fotografi satelitore, të publikuara së voni, sugjerojnë se Rusia ka rindërtuar një bunker të magazinimit të armëve në Kaliningrad – enklavë e saj në Detin Baltik – dhe se po konsideron vendosjen e armëve bërthamore atje

Fotografitë e publikuara nga Federata e Shkencëtarëve Amerikanë janë burimi i fundit i shqetësimit për vëzhguesit ushtarakë perëndimorë, në lidhje me kapacitetet e Rusisë në rajon. Hans Kristensen, ekspert bërthamor nga Federata e Shkencëtarëve Amerikanë, tha se fotografitë tregojnë se bunkeri i armëve, i vendosur rreth 50 kilometra nga kufiri me Poloninë, është në rinovim qysh në vitin 2016.

“Me sa di unë, ai është vendi i vetëm i magazinimit të armëve bërthamore në rajonin e Kaliningradit”.
“Punimet e fundit padyshim se ngrenë pyetje se cili është statusi operacional i lokacionit. Imazhet satelitore nuk japin përgjigje përfundimtare për këto pyetje”, tha Kristensen.

Sipas tij, politikë e deklaruar e Rusisë është se të ashtuquajturat sisteme të armëve jostrategjike, si armët e vogla dhe me rreze të shkurtër veprimi, ruhen në një strukturë brenda kufijve kryesorë të Rusisë. Rinovimi i lokacionit në Kaliningrad, në Kulikovo, do të thotë se ai mund të furnizohet me raketa apo armë të tjera shpërthyese në rast krize.

Kristensen tha se nuk është e qartë nëse ka koka bërthamore në këtë lokacion ose nëse Rusia planifikon të vendosë të tilla atje – gjë që do t’i rriste tensionet me NATO-n.

Lokacioni i Kaliningradit e bën atë veçanërisht problematik për planifikuesit ushtarakë të NATO-s. Edhe armët me rreze të shkurtër veprimi, të vendosura të këtë lokacion, do t’i vinin në rrezik disa qytete anëtare të NATO-s, si Varshava dhe Berlini.

Në fund të janarit, komandanti ushtarak në rajonin e Kaliningradit, Anatoly Gorodetsky, ka thënë se inxhinierët kanë përfunduar ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për të strehuar sistemin e avancuar raketor Iskander-M.

Disa ditë më vonë, Vladimir Shamanov, një ish-komandant ushtarak, i cili tani kryeson Komitetin e Mbrojtjes në Dhomën e Ulët të Parlamentit të Rusisë, i bëri jehonë kësaj vërejtjeje dhe tha se sistemet Iskander-M kanë qenë vërtet të dislokuara. Ministri i mbrojtjes i Lituanisë gjithashtu e konfirmoi vendosjen.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s kanë thënë se vendndodhja e këtyre sistemeve të raketave është destabilizuese.

Shtetet e Bashkuara thonë se për shkak të gamës së tyre, armët Iskander përbëjnë shkelje të Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Ndërmjetme, i nënshkruar në vitin 1987.

Ndryshe nga NATO, ushtria ruse, sidomos flota e saj, ka mbajtur shumë prej sistemeve të saj të armatimit taktik, me kapacitet bërthamor.

Derisa tensionet e saj me Perëndimin janë rritur, për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në luftërat në Ukrainë dhe në Siri, presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpalosur një brez të ri të armëve bërthamore, duke thënë se ato tejkalojnë secilën mbrojtje perëndimore.

Minatorët i japin afat Qeverisë për përmbushjen e kërkesave

Minatorët e minierës së Stantërgut sot kanë mbajtur grevë njëorëshe, në shenjë pakënaqësie me draft-statutin e kombinatit “Trepça”

Ata i dhanë afat Qeverisë së Kosovës që deri 25 qershor, kërkesat e tyre, të hyjnë në kuadër të draft-statutit të kombinatit. Shyqri Sadiku, kryetar i sindikatës së “Trepçës”, tha për Radion Evropa e Lirë se kërkesat e tyre sociale të punëtorëve janë që të njihet stazhi i benificuar i punës, siguria shëndetësore në punë, pensioni të jetë 70 për qind i pagesë dhe disa kërkesa të tjera.

“Qeveria ka afat deri të hënën t’i fusin kërkesat e punëtorëve në draft. Situata është serioze nuk është kërcënim, por është paralajmërim për Qeverinë që minatorët më këtë trajtim nuk do të rrinë duarkryq , pasi që në të gjitha format janë të diskriminuar”, tha Sadiku.

Komisioni Parlamentar për zhvillim ekonomik, të hënën gjatë shqyrtimit të draft statutit të Trepçës kishte vlerësuar se për shqyrtimin e mëtejmë të këtij statuti, është i nevojshëm formimi i një grupi punues, i cili do të shqyrtojë dhe harmonizojë qëndrimet e Sindikatës, Bordit të Trepçës dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Lansohet kampanja “Bëhu zëri im”

Në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikte, sot në Prishtinë bëhet lansimi i kampanjës “Bëhu zëri im”

Lansimi i kampanjës “Bëhu zëri im”, nis me marshin qytetar nga Sheshi “Skënderbeu” dhe vazhdon deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”.

Kjo kampanjë është përkrahje për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Lansimi i kampanjës organizohet nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me Medica Gjakova (MGJ).

IPK publikon studimin për performancën e shkollave në Kosovë

Instituti Pedagogjik i Kosovës (IPK) organizon sot konferencën për Publikimin e Raportit të Studimit “Përvojat e para në vlerësimin e performancës së shkollës në Kosovë”

Labëri Luzha, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institutit Pedagogjik të Kosovës për RTK-në foli lidhur me studimin “përvojat e para në vlerësimin e performancës së shkollës në Kosovë”.

Luzha tregoi se Instituti Pedagogjik i Kosovës (IPK) dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), me përkrahjen e UNICEF-it në Kosovë, kanë hartuar dokumentin Korniza për Sigurim të Cilësisë së Performancës së Shkollës, si dhe dokumentet e tjera përcjellëse, për sistemin e vlerësimit të performancës së shkollës.

Sipas saj, konferenca ka për qëllim të informojë palët e interesit lidhur me përvojat e para në vlerësimin e brendshëm të performancës së shkollës në Kosovë, ngjashmëritë dhe dallimet ndërmjet politikave, procedurave dhe qasjeve ndaj vlerësimit të performancës së shkollës në Kosovë me vendet e BE-së.

Qëllim tjetër, sipas Luzhës, është edhe këmbimi i përvojave dhe praktikave me përfaqësues të institucioneve arsimore në Kosovë që kanë rol dhe përgjegjësi në sigurimin e cilësisë në institucionet arsimore parauniversitare.

Dialogu Prishtinë-Beograd nuk mund të vazhdojë pafundësisht

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se Kosova dhe Serbia nuk mund të negociojnë pa kufi për procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes tyre

Ata kanë kërkuar që të caktohen afatet kohore brenda të cilëve do të diskutohen për fazën finale të këtij procesi.

Vigan Qorrolli dhe Ramush Tahiri, ndonëse kanë shprehur mendime të ndryshme se kur mund të arrihet traktati i paqes në mes të dy shteteve, kanë deklaruar për gazetën “Epoka e re” se marrëveshjet që nënshkruhen në këtë proces duhet të zbatohen nga palët në përpikëri.

“Së pari, dialogu Prishtinë – Beograd nuk mund të vazhdojë pafundësisht, pra duhet të ketë një pajtim paraprak për prioritete dhe afate, gjë që me këtë format aktual nuk i ka asnjërën. Afatizimi i dialogut është çelësi i suksesit të tij”, ka thënë Qorrolli.

Turqia duhet të përcaktohet: Me SHBA-të apo me Rusinë

Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi një projektligj që do të bllokojë shitjen e avionëve luftarakë amerikanë F-35 në Turqi, nëse kjo e fundit nuk heq dorë nga një marrëveshje për blerjen e sistemeve të mbrojtjes raketore S-400 nga Rusia

Legjislacioni po ashtu përmban një dispozitë që bllokon marrëveshjen e presidentit Donald Trump me Kinën, për t’i mundësuar gjigantit të telekomunikimeve ZTE të mbetet në biznes, pavarësisht shkeljes së sanksioneve amerikane kundër Iranit dhe Koresë së Veriut.

Dy dispozitat që prekin Turqinë dhe ZTE-në janë pjesë e një Akti masiv të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili autorizon mbi 700 miliardë dollarë në shpenzimet për programet ushtarake dhe armët.

Projektligji duhet të nënshkruhet nga presidenti Trump. Zyrtarët e NATO-s e kanë paralajmëruar vazhdimisht Turqinë se sistemet ruse S-400 nuk janë në përputhje me mbrojtjen e NATO-s, por Turqia i ka hedhur poshtë këto shqetësime.

Alo kushë, a mund t’ia gjesh një punë djalit…

Një njeri nga periferia e thërret kushëririn në Prishtinë

– Alo, kushë, si je, si po kalon… Të pyes diçka, a mund t’ia gjesh një punë djalit tim, e ka kryer shkollën e mesme dhe nuk do ta vazhdojë më…?

– Po ore, çoje te unë në Prishtinë, menjëherë e fus në parlament, rrogën e ka 1.500 euro plus mëditjet e beneficione tjera, asgjë nuk punon, vetëm i lexon portalet, e shtyp pullën të cilën i thonë dhe s’e çan kryet për asgjë.

– Jo, kushë, shumë pare janë, i ri është, më prishet djali.
– Mirë, atëherë mund të jetë kryetar i bordit në ndërmarrjen time, vjen njëherë-dy në javë në punë, rrogën e ka 1.200 euro, ka sekretareshë, veturë zyrtare, telefon…

– O jo kushë, shumë është edhe kjo. Mos ke ndonjë punë ku punohet 8 orë në ditë, pesë ditë në javë dhe rroga mujore është 500 euro?
– Ei kushë, për kështu duhet ta ketë të kryer fakultetin./Mahi: Dush Gashi