Lajm.co

Kur u bë temë dite çështja e Kosovës Lindore dhe si po manipulon Presidenti

Presidenti i vendit Hashim Thaçi deri sa ishte kryeministër asnjëherë nuk e përmendi çështjen e Kosovës Lindore, ndërsa tani për pazare dhe interesa personale, po e përdorë këtë pjesë në raport me Serbinë.
Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike, ku sipas tyre Thaçi përveç që manipuloi me ndjenjat e qytetarëve të Kosovës, Thaçi “tradhtoi” edhe qytetaret e Kosovës Lindore

Profesor Enver Bytyçi, ka thënë për “Bota sot” se Presidenti Hashim Thaçi jo vetëm që e ka tradhtuar Kosovën Lindore apo Luginën e Preshevës, por ai edhe e ka lënduar atë. Sipas tij, Thaçi e ka përdorur në dobi të propagandës dhe lobimit të vet në dobi interesave serbe për ndarjen e Kosovës.

“Thaçi ka përdorur moralisht edhe shërbëtorin e tij, preshevasin Nexhat Daci, madje Hashim Thaçi e ka tradhtuar në kuptimin moral të fjalës miqtë e tij të lirë të luftës. Tani është shfaqur edhe si shërbëtor i Beogradit kundër integritetit territorial të Kosovës. Ai vrapoi drejt Armenisë para pak ditësh së bashku me përkthyesin e tij në frëngjisht, kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, që ti lutet presidentit francez Emanuel Macron të “ndërhyjë” te Merkel, që kjo e fundit të pajtohet me ndarjen e Kosovës. Pra, që presidenti i Kosovës t’ia falë më ndihmën e ndërkombëtarëve pjesën më vitale e më të pasur të vendit Beogradit. Presidenti i Kosovës i ka tradhtuar viktimat e luftës në Kosovës. Madje kjo ka ndodhur sepse ai kurrë nuk i kërkoi Beogradit që ta njohë gjenocidin që ushtria dhe policia serbe kanë bërë kundër shqiptarëve në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar”, ka thënë profesor Bytyçi.

Bytyqi: Kosova Lindore është për Thaçin një lodër

Në këtë mënyrë sipas tij, presidenti Thaçi i ka tradhtuar familjet e të pagjeturve, sepse në vend të kërkojë varret dhe eshtrat e viktimave, ai kërkoi dhe insistoi që ta shpërblejë Serbinë me territore për t’ia realizuar asaj ambicien e krijimit të Serbisë së Madhe.

“Presidentit të Kosovës nuk ia ndjen për 20 mijë gra dhe vajza të përdhunuara nga ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë, madje si shpërblim për këto përdhunime këmbëngul e lobon për t’i falë Serbisë territoret e vendit të vet. Nuk ka dhe nuk besoj se do të ketë shembull tjetër në botë, kur kryetari i një shteti vullnetarisht kërkon dhe insiston ti dhurojë territore shtetit fqinjë dhunues, pushtues, grabitës e përdhunues, shkatërrues. Kosova Lindore është për Thaçin një lodër në duart e tij. Ai e përdor atë njësoj siç një fëmijë i vogël përdor lodrat që ia blejnë prindërit e tij”, ka thënë profesor Bytyçi.

Ai po ashtu ka theksuar se Thaçit, asnjëherë nuk i ka shkuar ndërmend të mbrojë shqiptarët në Luginën e Preshevës, madje as nuk i ka përmendur ata.

“Thaçi asnjëherë nuk i ka përmendur ata njerëz të harruar atje, edhe pse liderët politikë në Luginë e kanë kërkuar me insistim një gjë të tillë. Lugina u bë temë e ditës vetë kur Thaçi u gjend në pozitë të vështirë, kur përkrahu publikisht idenë e Vuçiq dhe Edi Ramës për ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe humbjen prej saj të ¼ të territorit të vendit. Kjo është e vërteta sepse të presësh që Hashim Thaçi të mbrojë Kosovën Lindore, është sikur të presësh që ujku ta ruajë tufën e deleve nga çakalli”, ka thënë profesor Enver Bytyçi.

Ahmeti: Kosovës Lindore po i jepet shpresë e rreme

Analisti politik Hidajet Ahmeti ka thënë për “ Bota sot”, se presidenti Hashim Thaçi po manipulon me ndjenjat e qytetarëve të Kosovës Lindore, pasi në vazhdimësi po bën lojëra politike, të cilat në intencë kanë manipulimin e opinionit e aspak nuk kanë të bëjnë më substancën e asaj çka deklarohet.

“Është turp për një president shteti të vazhdohet më një logjikë të njëjtë të deklaratave të pamatura, të pa analizuara dhe me tendenca të këqija politike, të cilat në potencë kanë mashtrimin e qytetarëve të Kosovës lindore dhe mbajnë shpresë të rreme për normalitetin e gjendjes ekzistuese në atë pjesë”, ka thënë analisti politik Ahmeti.

Sipas tij, veprime të tilla politike, pa objektiva të qarta e deklarata manipulative, kanë tendenca për të shpërqendruar qytetarët nga problemet reale, si në Kosovë, ashtu edhe në Kosovën lindore, ku kemi një diskriminim të pashembullt që bën Serbia karshi shqiptarëve.

“Kosova lindore është transformuar në një “tokë të askujt”, pasi në njërën anë po diskriminohet në vazhdimësi nga shteti serb, kurse në anën tjetër përveç diskriminimit nga shtetet shqiptare, po manipulohet në vazhdimësi me deklarata politike, të cilat nuk kanë asgjë substanciale, përveç shpresës së rreme që ju jepet qytetarëve shqiptarë të Kosovës lindore”, ka thënë analisti politik Ahmeti.

Maxharraj: Thaçi në Ujman shkoi në stilin e Don Kishotit

Kurse, analisti politik, prof. dr. Binak Maxharraj, ka thënë se, Thaçi në bisedimet në Bruksel, nuk e shtroi çështjen e separacioneve të luftës, për të pagjeturit, për krimet dhe masakrat e bëra nga Serbia, për përdhunimet masive që u bënë në Kosovë gjatë luftës.

Sipas tij, i njëjti njeri na e solli edhe Marrëveshjen tjetër edhe më të dëmshme të nënshkruar më 2013 në Bruksel për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Me këtë marrëveshje Thaçi u kishte lejuar disa kompetenca ekzekutive, që i bie se de facto nëse kjo ndodhë do të kemi një rrafsh të tretë të drejtësisë me të cilën Kosova do të ngujohej dhe ngatërrohej dhe në fund të zihet në këtë rrjetë deri në shkëputjen e veriut sepse kjo rrugë qon direkt deri atje. Dhe shprehimisht sot Veriu i Kosovës gati së është i humbur dhe atje më asgjë nuk frymon shqip, më dhunë është kënga dhe vallet shqipe, nuk ka mbishkrime në shqip, nuk ka asnjë rrugë me emra shqip, nuk valon flamuri i Kosovës. Thjesht sot në veriun e Kosovës është njësoj si ne Kralevë, Nish apo Kragujevc. Atje shkoi Presidenti në stilin e Don Kishotit, me një armatë policësh veç sa për tu fotografuar në Liqenin e Ujmanit dhe turr e vrap u kthye pas. Por, ajo se çka ishte dashtë të ndodhë në këto biseda, apo dialog ishte deshtë që veriu të këtë një simetri me Luginën e Preshevës”, ka thënë profesor Maxharraj.

Presidenti asnjëherë nuk tregoi si do ta merr Luginën

Sipas tij, çështja e Luginës është dashur të hapet në këto biseda, sepse më këtë edhe vete Serbia do të zihej ngushtë.

“Por ndodhi çudia më madhja që mund të ndodhë. Kryeministri Hashim Thaçi as zë me gojë nuk bëri për Luginën, madje as që e hapi këtë çështje asnjëherë, ani pse vazhdimisht krerët e shqiptareve kërkonin qe çështja e Lugine të bëhej si baraspeshë në këto biseda. Qele gur gojën, siç thotë populli. Le që nuk e hapi atje çështjen e Luginës por as që i pranonte as nuk donte të dëgjonte e as tek bisedonte me krerët e Luginës së Preshevës për këtë çështje madhore për kombin. Thjeshtë i injoronte deri në skajshmëri, madje ai shkoi edhe aq larg saqë kur Serbia e rrëzoi Lapidarin në Preshevë më 20 janar 2013 edhe i shau qytetaret e Luginës deri në tradhti sepse nuk e mbrojtën Lapidarin. E tani kur filluan bisedat për një Marrëveshje përfundimtare pa i realizuar asnjë nga ato të mëparshmet me Serbinë dhe për fushë dolën strategjitë e ndryshme për një marrëveshje dhe kompromise të dëmshme përfundimtarë më Serbinë, kur në horizonte po hidhen teza e ç’teza për ndarje, copitim dhe bile korrigjim të kufijve, duke e pa se Veriu është plotësisht në duar të Serbisë dhe se Serbia po synon edhe ta çkapë ndoshta edhe më ndonjë Marrëveshje tinëzarë të fshehtë neper qendrat e Evropës për të cilën Serbia është e interesuar që ta marrë veriun e praruar në argjent, zing, plumb etj. Dhe duke e parë si në ëndërr po i ikë Veriu që e çpiku çështjen e retorikës së Luginës së Preshevës për të cilën nuk la konferencë në mëngjes e në mbrëmje pa theksuar se do ta marrim Luginën e Preshevës, do t’ia bashkojmë Kosovës. Sa mirë, sa e këndshme do të ishte, ata janë tanët, andej mbeten me zor. Por, çuditërisht sa herë që thoshte se do ta marrë Luginën, asnjëherë nuk thoshte si do ta merrte ata”, ka thënë Maxharraj.

“Veriu është Koka e Kosovës”

Sipas tij, Thaçi atëkohë thoshte do ta marrim Luginën e Preshevës dhe se nuk e lëshojmë Veriun e Kosovës sepse ai është i yni.

“Por lind pyetja se si do ta marr vallë Presidenti Luginën kur ajo është në një shtet tjetër në Serbi, apo do ta vjedhë disi natën. Po si është e mundshme që të marrësh Luginën e Preshevës pa dhanë asgjë Kjo Serbia qe deri dje, na ka vrarë dhe sakatosr dhe na ka bërë piskamë në të gjitha anët, dhe tani po na jap si dhuratë falas Luginën e Preshevës? Këtë nuk mund të imagjinoj askush, sepse ajo e do atë për çka është e interesuar me dekada me na e marr Veriun për Trepçën e Ujmanin me pasuri përrallorë të pa imagjinueshme. Por, nuk duhet lejuar me asnjë çmim që të humbim Veriun e Kosovës, sepse Veriu është Koka e Kosovës, aty është jeta dhe ardhmëria e Kosovës, po si mund te jetoi trupi pa kokë, edhe Kosova nuk mund të jetoj pa veriun. Këtu Presidenti i jonë ka rënë në kurthe në këto lojërat e tij me kufijtë për të relaksuar sado pak opinionin e Luginës së Preshevës por edhe atë Kosova deklaron se do ta marrim Preshevën”, ka thënë profesor Maxharraj.

Sipas tij, presidenti Thaçi deri dje nuk donte të dëgjonte fare për kërkesat e krerëve të Luginës së Preshevës, bilë edhe i injoronte deri në skajshmërisë po ju lëpihet, po mundohet ti mashtroi me ato flokulat e tij politike të pa kripta.

“Këtë imagjinatë të Presidentit tanimë e kanë kuptua edhe qytetaret e Luginës së Preshevës të cilët në një anketë të u deklaruan se mbi 72% nuk i besojnë Presidentit Hashim Thaçit dhe se ky është një mashtrim ordinar. Andaj me këtë dua të them se kësaj radhe edhe u tradhtu Lugina e Preshevës me këto retorika, floskula politike dhe folklorizma te Presidentit tonë Hashim Thaçit të cilat po i përdor vetëm për pazare të tij politike pa kurrfarë mbulese “ka thënë analisti politik profesor Binak Maxharraj.

Fejzullahu, liderëve të Kosovës: Pse po rreni

Opinionisti Islam Fejzullahu, ka hedhur kritika ndaj liderëve të Kosovës, në lidhje me çështjen e liberalizimit të vizave. Ai ka thënë se politikanët në Kosovë, po zhvatin popullin, duke i gënjyer për vizat

“Vallë ju deri kur mendoni dhe tentoni t’u hidhni hi syve rinisë e popullit me këto gënjeshtra duke i mbajtur nën ethe e presion?”, ka pyetur ai, drejtuesit e institucioneve.

Reagimi i plotë:

Vetëm një pyetje për ju

Deri më datë 19.10 isha në Kosovë dhe vërejta një entuziazëm tek të rinjtë për shkak të gënjeshtrave tuaja liderë ,politikanë dhe drejtues institucionesh: Liberalizimi i vizave do të ndodhë këtë vit? Kjo është përgjigjja e juaj!

Për të lartë apostrofuarit e popullit të Kosovës kam vetëm një pyetje për juve pa dallim përcaktimi politik e partiak, po drejtoni parti e institucione duke zhvatur djersën e popullit (taksën)?A e kuptoni ju çfarë do me thënë gënjeshtër (RRENË) siç e përdori presidenti në Rubikon 28 herë këtë fjalë në dy terme?

Vallë ju deri kur mendoni dhe tentoni t’u hidhni hi syve rinisë e popullit me këto gënjeshtra duke i mbajtur nën ethe e presion?

Deri me datë 19.10. isha në Kosovë dhe në çdo moment kur takoja të rinj, besa edhe të moshuar debatonin shumë qartë dhe shkurt: Nga fund viti udhëtojmë pa viza dhe zoti e din kur kthehemi, sepse kemi humbur edhe shpresën e fundit për perspektivë dhe jetë!

Vallë a mendoni se edhe ata votues dhe militantët tuaj që i mbani akoma nën ankthe dhe me gënjeshtra, duke ua siguruar nga një mbushje telefoni do ju besojnë në të ardhmen dhe do t’u jenë besnikë, apo vetëm pse ju keni keqpërdorë çdo gjë dhe jeni bërë milionerë e miliarderë për juve nuk ndodhë asgjë?

Lus Zotin që ajo rini shumë e çmuar e pastër si loti, e cila çdo ditë bie pre e gënjeshtrave tuaja do i kuptoj manipulimet që po i bëni dhe e kuptojnë se jeta nuk është një ditë apo një moment sikur ju dilni para mediave e gënjeni (RRENI;RRENI;E RRENI).

Vuçiq: Kosova problemi më i madh për Serbinë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka shënuar sot 10 vjetorin e themelimit të partisë së tij (SNS). Vuçiç e ka përmendur sërish çështjen e Kosovës gjatë tubimit partiak, duke theksuar se vazhdon të mbetet më problematikja

“Kur është fjala për Kosovën, ajo është më e vështira e problemeve tona, unë do të flasë për atë që nuk ju pëlqen, por do ta them vetëm të vërtetën.

Nga fjalët e ëmbla të paraardhësve tanë kemi pasur vetëm veprime dhe pasoja të tmerrshme. Më mirë fjalët të jenë të vështira, por fëmijët tonë të kenë një të ardhme”, është shprehur Vuçic.

Sipas tij, arsyeja e lartpërmednur është se ai do vazhdojë të merret me zgjidhjen e këtij problemi. “Ata që mendojnë se do të marrin gjithçka le ta dinë se kjo nuk do të ndodhë kurrë. Nuk ka asnjë presion që na bën të heqim dorë nga interesat jetësore”, ka theksuar presidenti serb.

Ai ka shtuar se do të bëjnë një kompromis për Kosovën, por duke mos lejuar që Serbia të mposhtet.

Po ashtu, Vuçiç ka deklaruar se Serbia është drejt rrugës evropiane mirëpo ka theksuar se nuk do të heqë dorë nga Kina dhe Federata Ruse.

Vendimi i Trumpit tronditë Evropën

Presidenti Donald Trump bëri të ditur se do t’i tërheqë Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje bërthamore e kohës së Luftës së Ftohtë me Rusinë. Ai e akuzoi Rusinë se e ka shkelur marrëveshjen por nuk dha hollësi

SHBA do të tërhiqen nga Marrëveshja me Rusinë për Forcat Bërthamore me rreze të mesme veprimi, ka bërë të ditur Presidenti i SHBA Donald Trump. Trumpi e justifikoi këtë lëvizje duke e akuzuar Moskën se ka shkelur marrëveshjen e armatimit të vitit 1987, por nuk pranoi të japë detaje të tjera.

“[Rusia] e ka shkelur prej shumë vitesh atë. Nuk e di se pse nuk negocioi ose pse nuk u tërhoq Presidenti Obama”, tha Presidenti në një ndalim për të bërë fushatë në Elko, Nevada. “Ne nuk do të lejojmë që ata të shkelin një marrëveshje bërthamore dhe që të shkojnë e të bëjnë armë, në një kohë kur ne nuk jemi të lejuar ta bëjmë këtë. Ne do ta mbyllim marrëveshjen dhe pas kësaj ne do të zhvillojmë armët”

Trumpi vazhdoi me fjalët se ai do ta rishqyrtonte vendimin e tij, me kusht që Rusia dhe Kina të bien dakord që të nënshkruajnë një marrëveshje të re bërthamore. Kina nuk është pjesë e marrëveshjes ekzistuese.

Marrëveshja historike e nënshkruar nga udhëheqësit e atëhershëm Ronald Reagan dhe Mihail Gorbaçov i ndalon SHBA dhe Rusinë që të zotërojnë, prodhojnë ose testojnë raketa bëthamore të nisura nga toka me një rreze veprimi 300 deri 3400 milje (500 deri 5.500 kilometra)

Gorbaçov: Lëvizja e SHBA tregon “mungesë mençurie”

Gorbaçovi e kritikoi ashpër vendimin e Trumpit për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore, dhe e quajti atë “gabim” duke e përshkruar arsyetimin e Trumpit “shumë të çuditshëm”.

“Absolutisht nuk duhen shkatërruar marrëveshjet e vjetra të armatimit ose të çarmatimit”, i tha Gorbaçovi agjencisë së lajmeve Interfax. “A është me të vërtetë kaq e vështirë që të kuptosh se flakja e këtyre marrëveshjeve…tregon një mungesë mençurie”?

Zyrtarë të tjerë rusë reaguan ndaj tërheqjes që pritet nga marrëveshja duke i akuzuar SHBA se synojnë të bëhen superfuqia e vetme e botës.

“Motivi i vetëm është ëndrra e një bote unipolare. A do të realizohet ajo? Jo,” citoi agjencia shtetërore e lajmeve e Moskës Ria Novosti një zyrtar të Ministrisë së Jashtme.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergej Riabkov i tha agjencisë shtetërore të lajmeve TASS se lëvizja e Trumpit është e rrezikshme.

“Ky do të ishte një hap shumë i rrezikshëm, jam i sigurtë, jo vetëm që nuk do të kuptohet nga komuniteti ndërkombëtar, por që do të provokojë dënim serioz”, tha ai.

Gjermania kritikon vendimin ‘për të ardhur keq’

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha se vendimi i SHBA është “për të ardhur keq” dhe ai “ngre çështje të vështira, për ne dhe për Evropën”

Ai shtoi se marrëveshja mbi 30 vjeçare është një “shtyllë e rëndësishme e arkitekturës evropiane të sigurisë”

Në një deklaratë të veçantë, qeveria gjermane theksoi se megjithë kërkesat e përsëritura Moskës që të sqarojë akuzat se e ka shkelur marrëveshjemn, Rusia nuk e ka bërë këtë. Pasojat e vendimit të SHBA po diskutohet aktualisht me partnerët e NATO-s, u bë e ditur./DW

Traktati i armëve bërthamore, reagon ashpër Moska ndaj SHBA-ve

Rusia reagoi shpejt pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për tërheqjen nga traktati bërthamor

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, e ka quajtur këtë hap të rrezikshëm që mund të sjellë pasoja shumë serioze. Nëse Uashingtoni e vazhdon sjelljen e tij të patakt e të vrazhdë dhe tërheqjen nga marrëveshjet ndërkombëtare, neve nuk do të na mbetet zgjidhje tjetër përveçse të marrin masa shpaguese, që përfshijnë dhe teknologjinë ushtarake, ishte paralajmërimi i numrit dy të diplomacisë ruse.

Trump u shpreh më herët se arsyeja e kësaj lëvizjeje është fakti që Moska sipas tij, e ka shkelur paktin e vitit 1987, që ndalon raketat e lëshuara nga toka me rreze të mesme veprimi nga 500 deri në 5,500 km. Shtetet e Bashkuara, deklaroi shefi i Shtëpisë së bardhë, nuk do ta lënë Rusinë të bëjë sipas dëshirës e të prodhojë armë ndërkohë që neve nuk na lejohet.

“Nuk e di përse presidenti Obama nuk negocioi për këtë çështje apo nuk u tërhoq me kohë nga marrëveshja. Nuk e kuptoj dot”.

Në 2014-ën, Obama e akuzoi Rusinë për shkeljen e traktatit pasi testoi, siç u tha atëherë, një raketa “cruise” të lëshuara nga toka. Por ish-presidenti vendosi të mos tërhiqej nga ujdia nën presionin e liderëve evropianë, të cilët druheshin se një lëvizje e tillë mund të çonte drejt rifillimit të një garë armatimesh.

Britania e Madhe ndërkohë e mbështeti lëvizjen amerikane me argumentin se Rusia është tallur me traktatin në fjalë dhe tani, duhet vënë pak rregull.

NATO përgatitë manovrat më të mëdhatë, pas Luftës së Ftohtë

NATO ka përfunduar pregatitjet dhe është në prag të nisjes të një stërvitjeje e cila konsiderohet si më e madhja që pas Luftës së Ftohtë. “Trident moment” do të jetësohet në veri të Norvegjisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, tha se manovrat janë një ballafim me sfidat ekzistuese të sigurisë, duke shtuar se ato nuk drejtohen kundër askujt, por shërbejnë si një provë e aftësive të mbrojtjes të Aleancës.

“Ne jetojmë në një botë më të rrezikshme dhe më të paparashikueshme ndaj kërcënimeve dhe sfidave të reja”, tha Stoltenberg, duke shtuar se Rusia udhëheq një politikë që nuk heziton të përdor forcën kundër fqinjëve, që gjithsesi pra, e ka çuar “gjuhën aty ku dhemb dhëmbi”.

Do jenë afro 50,000 trupa që do të marrin pjesë në manovra, e që do të përfshijnë tokën, detin dhe ajrin. Trupat ushtarake nga vendet partnere të Suedisë dhe Finlandës, do të bashkohen me ato nga të 29 vendeve, anëtarë të NATO-s.

Rreth 10,000 tanke, 150 avionë luftarakë, 60 anije luftarake do të simulojnë një luftë në të cilën do të marrë pjesë dhe luftëanija amerikane “Harry S Truman”.

Manovrat do të zgjasin nga 31 tetori deri më 7 nëntor. Forcat aleate do të ndahen në forcat jugore dhe veriore. “Veriu”, i udhëhequr nga forcat amerikane, norvegjeze dhe kanadeze, së pari do të sulmojë, dhe pastaj “jugu” do të hakmerret ndaj sulmit të udhëhequr nga brigada gjermane, italiane dhe britanike.

Këto manovra do të mbahen në pjesën veriore të Evropës dhe temperaturat e ulëta do të jenë një sfidë e madhe për ushtarët e NATO-s dhe pajisjet ushtarake.

Edhe pse ky fakt njihet gjerësisht, komanda e ushtrisë holandeze bëri një lëshim të pakuptueshëm dhe dërgoi afër një mijë ushtarë në veri të Norvegjisë pa uniforma dimërore.

Media norvegjeze informon se kjo situatë bëri që çdo ushtar holandez të merrte nga një mijë euro dhe një ditë të lirë për të blerë veshje të ngrohta e rroba të trasha, përfshirë dhe pizhame, në dyqanet në Norvegji.(tesheshi)

Kurti: Thaçi është bërë ambasador i Rusisë dhe Kinës

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në vend dhe posaçërisht me premtimet e bëra nga presidenti Hashim Thaçi

Kurti ka thënë se nga premtimet brenda vendit si kryeministër, Thaçi ka kaluar te premtimet nga jashtë vendit si president. Sipas Kurtit ky nuk është Presidenti i Kosovës por ambasador i vetëshpalluri ne emër të instancave të të cilave premton. Kurt ka shtuar poashtu se Thaçi s’e ka për shtet që u garanton liri qytetarëve, por për pushtet të vetin e që është e vetmja garanci e lirisë për të.

Postimi i plotë:

Ambasadori i vetëshpallur i shteteve mos njohëse

Nga premtimet brenda vendit si kryeministër, Thaçi ka kaluar te premtimet nga jashtë vendit si president. Dikur si kryeministër premtonte prej 200 mijë vendeve të punës në Kosovë e deri te formimi i komunave Kodra e Trimave, Has, Kievë, Hogosht e Zhegër. Sot si president premton bashkëngjitje të Luginës dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, NATO e BE.

Presidenti Thaçi po premton në emër të presidentit Vuçiq se do të na bashkëngjiten Presheva, Medvegja e Bujanoci; në emër të presidentëve Putin dhe Xi se Kosova do të marrë ulëse në OKB; dhe, në emër të Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë e Qipros se do të anëtarësohemi në NATO e BE.

Ky nuk është president i Kosovës, por ambasador i vetëshpallur i këtyre instancave në emër të të cilave premton. Pra, presidenti i Kosovës jo vetëm që nuk është president, por nuk është as i Kosovës. A thua e bën falas këtë punë ambasadori i vetëshpallur për shtetet që s’na kanë njohur? Nuk e di sa kush tjetër e paguan, por populli i Kosovës shumë shtrenjtë.

Thaçi s’e ka për shtet tonin që u garanton liri qytetarëve, por për pushtet të vetin e që është e vetmja garanci e lirisë për të.

Portale të paguara nga Athina, Ngjela: Edhe nga Beogradi e Moska

Portale dhe gazeta shqiptate të paguara nga Athina zyrtare, për antishqiptarizmëm. Turp kombëtar! Dhe mos mendoni se kjo është një sëmundje e re antishqiptare e shqiptarëve të shitur, kjo është një sëmundje e vjetër tashmë, rreth 150 vjeçare

Nga Spartak Ngjela

Po nuk janë vetëm portalet dhe gazetat të financuara nga Athina zyrëtare për antishqiptarizmëm, se do shihni edhe politikanë të tillë.

Por njëherësh duhet të theksojmë se individë të tillë nuk janë të paguar vetëm nga Athina zyrëtare, por edhe nga Beogradi zyrtar. Ka sigurisht të paguar edhe nga kompani ruse të financuara nga Moska – zyrëtare që i kanë blerë dhe mbështesin antishqiptarizmin në politikën e lartë; gazetarë dhe pronarë portalesh e gazetash, pseudo analistë, etj.

Kam përshtypjen se këtë çështje duket sikur e ka marrë në dorë FBI. Por nëse ky do të jetë një aksion për pastrimin e thirrit dhe blozës antishqiptare të gazetarisë dhe politikës shqiptare, ky në fakt do të jetë gjithashtu një hap gjigand përpara për vendosjen e moralitet në shtetin shqiptar dhe në strukturimin politik dhe shoqëror të Shqipërisë.

Duhet që ky denoncim të vijë e të ecë paralel me Reformën në Drejtësi. Por a do t’ia blatojë këtë benefic politika amerikane shqiptarëve, sot kur shqiptarët rezultojnë populli i parë proamerikan në botë? Shqiptarët janë sot 97 përqind proamerikanë dhe po kërkojnë rivendosjen e të drejtës së vet historike.

Shqiptarët sot janë aleati kryesor i Amerikës jo vetëm në Ballkan, por edhe në rrafsh botëror.

Pikërisht për këto, unë mendoj se FBI dhe politika amerikanë do ta çojnë deri në fund këtë çështje, e cila është jetike për historinë e re të Shqipërisë së bashkuar.

Vetëvendosje për ‘rastin Maxhuni’ kërkon dorëheqje e shkarkime

Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë për media pas skandalit të publikuar në “Koha Ditore” ku djali i drejtorit të AKI-së, Shpend Maxhunit është arrestuar sepse i ishte gjetur armë dhe narkotikë

Deputeti dhe anëtari i Kryesisë, Rexhep Selimi denoncoi përpjekjen e institucioneve të sigurisë për të fshehur të vërtetën për këtë rast.

“Ne dyshojmë, e qytetarët janë të sigurt, se bëhet fjalë për privilegjim të të afërmve të njerëzve që kanë kapur majat e institucioneve tona shtetërore. Më e rëndë sesa arrestimi dhe fajësia e djalit të Maxhunit është tentativa e institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë për ta mbuluar të vërtetën. Shpërputhja mes deklaratave të prokurorisë dhe të policisë për rastin ‘Maxhuni’ janë prova se ka patur tashmë ndërhyrje nga lartë për ta deformuar ngjarjen”, ka thënë Selimi, raporton Koha.net.

Deputeti i VV-së tha më tej se emërimet e “Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ai skandaloz i Drejtorit të AKI-së dhe drejtimi i Prokurorisë nga një kryeprokuror si Lumnezi” janë bërë pikërisht “duke pasur në mendje nevojën e ndërhyrjeve nga sipër për raste të tilla dhe jo garantimin e sigurisë dhe drejtësisë për qytetarët”.

“Dorëheqja, apo në mungesë të përgjegjësisë morale, shkarkimi i drejtuesve të tillë të institucioneve të sigurisë, do të ishte hapi i parë drejt reformës shumë të nevojshme ne drejtësi dhe në organet e sigurisë në Kosovë”, tha deputeti Selimi.

Në këtë situatë të rëndë, siç e quajti deputeti i VV-së, reformat janë të domosdoshme jo vetëm për institucionet e drejtësisë, por edhe për ato të sigurisë.

“Vlen të rikujtohet procesi i Vetting-ut për Policinë para disa viteve, ku shumë udhëheqës të institucionit arbitrarisht vendosën të mos e kalonin atë proces, mes tyre edhe Drejtori aktual i AKI-së, Shpend Maxhuni. Prandaj, është i domosdoshëm një vetting i hollësishëm për të gjitha institucionet e sigurisë dhe drejtuesit e tyre, në mënyrë që udhëheqja e këtyre institucioneve të mos degradojë në një qoshk prej të cilit nuk mund të të hetojnë për krim dhe korrupsion”, deklaroi zyrtari i VV-së.

Ai theksoi se qytetarët e Kosovës aktualisht jetojnë në një ambient të pasigurt, “jo sepse është jashtë kontrollit, por përkundrazi, sepse është totalisht brenda kontrollit. Jo brenda kontrollit të institucioneve të sigurisë, por nën kontrollin e grupeve mafioze, qoftë brenda, qoftë jashtë institucioneve të shtetit”.

Jeremiq: Kosova do të anëtarësohet në OKB, mund të bashkohet me Shqipërinë

Kryetari i Partisë Popullore serbe, Vuk Jeremiq, pretendon se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, po përshpejton negociatat për demarkacionin e kufirit me Kosovën, në mënyrë që marrëveshja e Vuçiqit me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, të finalizohet në katër muajt e parë të vitit 2019

Siç raporton FoNet, Jeremiq ka thënë se “Demarkimi i kufijve do të thotë se në anën tjetër të kufirit të mbetet 90 për qind e territorit të Kosovës, por edhe pjesët jugore të Serbisë, të cilën shqiptarët e quajnë Lugina e Preshevës”.

Ai gjithashtu tha se Kosova do të bëhet anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara, siç është Serbia sot dhe se nuk do të ketë pengesë në të drejtën ndërkombëtare për t’u bashkuar me Shqipërinë, përcjell Telegrafi.

“Kur flas për Shqipërinë e Madhe nuk flas përmendësh”, shtoi Jeremiq.

Ish-shefi i diplomacisë serbe, Jeremiq, theksoi se Serbia mund të përballet me kërkesa të reja territoriale “nëse ajo sot pajtohet që në paqe t’ia vizatojnë kufijtë e saj”.

“Vuçiq është i vetëdijshëm për këtë, por vizioni i tij për Serbinë është një ‘gardh’ i mallkuar”, thotë Jeremiq, duke shtuar se “presidenti serb është në konflikt me moralin dhe ndërgjegjen”.