Lajm.co

Zhvillime të papritura për Demarkacionin: Lista Serbe me qëndrim të ri!

Lista Serbe edhe njëherë ka konfirmuar se depuetët e saj nuk do ta votojnë Projektligjin për demarkacionin me Malin e Zi dhe se kjo parti nuk e ka ndryshuar qëndrimin për këtë çështje

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, i ngarkuar për komunikim me mediat në emër të këtij subjekti politik, i ka thënë agjencisë “SRNA”, se Lista Serbe e ka bërë publik qëndrimin e saj javën e kaluar lidhur me demarkacionin me Malin e Zi dhe se ky qëndrim nuk ka ndryshuar.Ditë më parë Lista Serbe përmes një kumtese kishte thënë se do të vazhdojë të luftojë për interesat e popullit serb në Kosovë, e jo për interesa të disa qendrave vendore dhe të huaja të pushtetit.

Simiq ka përsëritur se “Lista Serbe nuk do ta votojë demarkacionin me Malin e Zi, pavarësisht deklaratave të rreme dhe tendencioze që po plasohen në mediat në gjuhën shqipe, e të cilat janë cituar edhe nga medit serbe”.Deklarata e Simiqit vjen pas raportimeve në media se Lista Serbe do ta votojë Marrëveshjen për demarkacionin, por që për këtë ky subjekt ka parashtruar disa kushte.Kryetari i Partisë Progresive Serbe, Nenad Rashiq, ka thënë se deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës kanë disa kushte për të votuar pro ratifikimit të demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Sipas tij, këto kushte do të jenë kushte të tyre financiare dhe personale.Gjatë ditës së sotme Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar transparencë për bisedimet që po bëhen ndërmjet Qeverisë dhe Listës Serbe, për sigurimin e votave të mjaftueshme për ratifikimin e Demarkacionit në Kuvend. Ndërsa deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se Lista Serbe po e kushtëzon Qeverinë Haradinaj në këmbim të votës për demarkacionin, transmeton Telegrafi. Për miratimiin e Ligjit për demarkacionin e vijës kufitare me Malin e Zi kërkohen të paktën 80 vota të deputetëve në Kuvend, ndërsa po flitet se koalicioni qeverisës deri tani i ka siguruar 78 vota.

Vdiq fizikani i njohur Stephen Hawking në moshën 76 vjeçare

Stephen Hawking, mendja e shkëlqyer e të cilit shkonte në kohë dhe në hapësirë edhe pse trupi i tij ishte paralizuar nga sëmundja, ka vdekur në moshën 76 vjeçare, tha një zëdhënës i familjes të mërkurën herët në mëngjes

Fëmijët ë tij, Lucy, Roberti dhe Timi thanë në një deklaratë se “ai ishte një shkencëtar i madh dhe një njeri i jashtëzakonshëm, puna dhe trashëgimia e të cilit do të jetojë për shumë vjet”.

Fizikani më i njohur teorik i kohës së tij, Stephen Hawking ka shkruar kaq qartë për misteret e hapësirës, kohës dhe vrimave të zeza saqë libri i tij “Një histori e shkurtër e kohës” u bë një nga librat më të shitur ndërkombëtar, duke e bërë atë një prej të njerëzve më të famshëm të shkencës që prej Albert Einsteinit.

Zoti Hawking ishte një fizikan me ide të guximshme. Puna e tij ishte përqendruar në tejkalimin e hendekut mes teorisë së relativitetit të Albert Einsteinit – e cila shpjegon se si forca e rëndesës kontrollon lëvizjen në hapësirë të objekteve të mëdha si yjet dhe planetet – dhe teorisë së fizikës kuantike, e cila merret me vetitë e grimcave subatomike.

Stephen Hawking ishte pothuajse tërësisht i paralizuar nga skleroza anësore amiotrofike, një sëmundje nervore e pashërueshme. Ai përdorte karrige invalidësh dhe i duhej të flasë me ndihmën e një kompjuteri, transmeton voa. Kur ishte 65 vjeç, atij i dhuruan diçka të veçantë: një udhëtim në një avion që simulon mungesën e forcës së rëndesës, si në rastin e astronautëve në hapësirë.

“Ishte e mrekullueshme, dhe nuk pata asnjë problem. Mund të kisha vazhduar pa fund”, tha ai atëbotë.

Stephen Hawking e kishte trupin të paralizuar, por mendja e tij endej e lirë. Në vitin 2008, gjatë një ceremonie me rastin e 50 vjetorit të Agjencisë Amerikane të Hapësirës, NASA, ai bëri thirrje për fillimin e një epoke të re në eksplorimin e hapësirës prej njeriut, e krahasueshme, tha ai, me udhëtimet evropiane në “Botën e Re” më shumë se 500 vjet më parë.

Shqiptarët e Luginës të përfshihen në fazën e re të dialogut

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSh), Ragmi Mustafa, ka ftuar institucionet e Kosovës të mos i lënë shqiptarët e Luginës së Preshevës jashtë fazës së re të dialogut Kosovë–Serbi

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se tani është momenti i fundit që Kosova ta ngrehë zërin për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve të Luginës.

Sipas Mustafës, krahas zgjidhjes përfundimtare të çështjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duhet të zgjidhet edhe problemi i shqiptarëve të Luginës.

“Ne vetëm kërkojmë zbatimin e standardeve që Kosova zbaton për pakicat andej kufirit. Çdo gjë që vlen për serbët atje të vlejë edhe për shqiptarët këtu”, ka thënë lideri i PDSh-së, Ragmi Mustafa.

OEK: Skandali me “mishin belg” alarm i fundit për veprim institucional

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), nëpërmjet një reagimi publik lidhur me skandalin e “mishit belg” ka thënë se ka ekspozuar shumë qartë rrezikun e vazhdueshëm nga prodhimet që shiten në Kosovë, por për shkak të preokupimeve me temat e “rëndësishme” politike, ende nuk po e merr vëmendjen e duhur institucionale dhe kërkon që kjo çështje urgjentisht të trajtohet në Qeveri dhe Parlament

“Oda Ekonomike e Kosovës, apelon që kjo çështje urgjentisht të trajtohet në Qeveri dhe Parlament, si dhe përmes dialogut publiko-privat. Shoqëria kosovare viteve të fundit është mbizotëruar nga temat politike të cilat janë për konsum ditor të politikanëve dhe nuk kanë sjell asnjë dobi në mirëqenien e përgjithshme në vend. Është koha e fundit që vendimmarrësit të angazhohen për mirëqenien e qytetarëve, duke aprovuar ligje dhe zbatuar politika që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, thotë OEK në një njoftim.

Po ashtu, Oda Ekonomike thotë se Kosova që nga paslufta ka pasur tregti me produkte pa asnjë standard, me cilësi të dyshimtë dhe përdorim të metodave joligjore në dëm të konkurrencës në treg dhe së këto çështje janë adresuar vetëm në mënyrë sporadike.

“Shumica e vendeve të BE-së, por edhe BE si treg unik, ndër prioritet kryesor të politikave të tyre e kanë sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konkurrencës të lirë në treg dhe këtë e trajtojnë edhe si pjesë të sigurisë së tyre nacionale. Në Kosovë 19 vite të pasluftës kanë dëshmuar që hapja e tregut për shumë institucione dhe biznese, nënkupton edhe tregti me produkte pa asnjë standard, me cilësi të dyshimtë dhe përdorim të metodave joligjore në dëm të konkurrencës në treg. Këto çështje janë adresuar vetëm në mënyrë sporadike, pra vetëm kur janë zbuluar në raste të caktuara, por asnjëherë nuk ka ekzistuar një veprim i koordinuar që garanton që ajo që e konsumojmë është e sigurt dhe për të gjithë pjesëmarrësit në treg ‘rregullat e lojës’ janë të njëjta”, thotë tutje OEK.

Në fund, OEK e mirëpret bashkëpunimin me institucionet dhe bizneset në zbatimin e të gjitha veprimeve (të lartcekura) dhe në të njëjtën kohë zotohet për një angazhim të vazhdueshëm në promovimin e vlerave të sektorit privat dhe luftimin e praktikave jo-etike dhe të paligjshme të të bërit biznes.

Komandant Guri – Simbol i heroit të thjeshtë

Nga Dilaver Goxhaj

Qysh kur kemi qenë fëmijë kemi dëgjuar nga më të rriturit se dita e martë dhe numuri 13 ruaju se sjellin ters. Njëkohësishtë na thoshnin se kur bashkohen edhe dita e martë edhe data 13 e muajit, veçanërisht kur bashkohen në muajin mars dita e martë me datën 13 mars, padyshim, na thoshnin, që do të dëgjohet një gjëmë. Dhe kjo është përvoja jetësore e popullit. Thuaj, po deshe, se nuk qenka i vërtetë ky kumt lashtësie.

Dhe ja, çuditërisht, sot, ditë e martë, në 13 mars 2018, me të vërtetë ndodhi një fatkeqësi e madhe, një gjëmë do të thoshja me tërë kuptimin e fjalës, ndërroi jetë një nga komandantët më të lavdishëm të formacioneve të Ushtrisë Çliimtare të Kosovës, i thjeshti deri në madhështi, komandanti i batalionit autonom të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jetullah Qarri, por që të rrallë ishin ata luftëtarë që mund ta njihnin me këtë emër. Ai njihej me emërin Komandant Guri. Kështu e dija edhe unë deri shumë vite edhe pasi kish mbaruar lufta.

Unë gjatë luftës jam takuar disa herë me Komandant Gurin, madje m’u dha rasti që të qëndroja në batalionin e tij katër ditët e luftës në Topillë, për të cilën kam botuar edhe një shkrim të gjatë.
Por, sot do të shkruaj për takimin e parë dhe njohjen me Komandant Gurrin. Dhe ai takim ka ndodhur në ditët e para të muajit mars 1999, gjatë rrugëtimit tim të parë prej Tirane për në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, që ndodhej në fshatin Divjakë të maleve të Berishës.

Pasi lamë shtabin e Zonës Operative të Nerodimes, morëm rrugën, sikundër më thanë, drejt rajonit ku mbrohej një prej kompanive të batalionit autonom të SHP. Këtë pjesë të rrugës do ta bënim me një xhip ushtarak. Po të mbrrije në këtë kompani do të thoshte se kishe hyrë në rajonin e mbrojtjes së Shtabit të Përgjithshëm. Perimetri i mbrojtjes së SHP mbrohej nga Br.121, me komandant Haxhi Shalen, i njohur edhe ky me pseudonimin “Topi”, por që unë e mësova më pas se ajo ditë. Shoqëruesit na treguan se pasi të mbrinim pranë komandës së kësaj kompanie autonome të SHP, përgjegjësinë për mbrritjen tonë shëndosh e mirë në SHP do ta merrte Komandant Guri. Udhëtoja vet i pestë me një xhip. Kishim bërë gati një orë rrugë pa rrugë, kur më në fund u gjendëm para një përroi të pakalushëm nga xhipi ynë. U kuptua se ecja e mëtejshme me makinë ishte e pamundur. “Kaq e pati edhe udhëtimi me makinë”, thashë me vete dhe nuk m’u duk diçka e vështirë, pasi kisha tre ditë që marrshonim në këmbë prej Tetove deri në Mollopollc të Nerodimes. Do t’u besonim përsëri forcave tona, dy këmbëve tona.

Kur zbritëm nga xhipi, shoqëruesit na thanë se këtu ndodheshim në vendin e quajtur Budakovë dhe se ndërtesa njëkatëshe matanë përroit ishte qendra e kompanisë autonome.Ndërsa po bëheshim gati për të kaluar përroin e rrëmbyeshëm, përballë nesh, në krahun tjetër të rrjedhjes së përroit, i cili ato ditë i ngjante një lumi të vërtetë, pash që ishin grumbulluar më shumë se një skuadër luftëtarështë, te cilët ishin që të gjithë të armatosur me automatikë kallashnikovë, që dikush e mbante në krah e dikush në dorë. Në mes tyre pashë një luftëtar mesoburrë, gati mosha ime, me mjekër të gjatë si të Adem Jasharit e Çerçis Topullit. Shoqëruesi më tregoi se ai personi me mjekër të gjatë ishte Komandant Guri, komandanti i batalionit autonom të SHP të UÇK-së, tek i cili kishin marrë urdhër për të më besuar rrugëtimin e mëtejshëm.

Gjatë natës që qëndruam në Komandën Zonës së Nerodimës, unë u gjenda para një situate të tillë, ku nuk munda ta mbaja më tëj sekretin që isha ai koloneli nga Tirana, dhe vura re se Komandant Guri duhej ta kish mësuar këtë fakt, pasi qe afruar mu në buzë të lumit dhe shihte me shumë vëmendje grupin tonë prej pesë vetash, bashkë me shoferin, duke e kaluar shikimin sa në një fytrë në tjetrën të grupit tonë, për të dalluar se cili nga ne do të ishte ai koloneli nga Tirana. Me sa kuptova sikur nuk ishte i sigurtë se në atë grup bënte pjesë edhe koloneli nga Tirana, pasi isha më i shkurti në gjatësi se të tjerët, gjë që ai kushedi se si e imagjinonte një kolonel, por dhe isha veshur si dhe të tjerët, me uniformën e ushtarit dhe për armatim kisha të njëjtin automatik që kishin edhe shoqëruesit. Këtë gjë e vura re ngaqë ai nuk po e përqëndronte shikimin në drejtimin tim. Dhe kushtet e kapërcimit të lumit më ndihmuan t’i bëja një surprizë. Vendosa që ta kapërceja i fundit lumin, pa u futur në ujë.

Ndërkohë që katër shokët e tjerë hynë njëri pas tjetrit në lumë, duke u mbajtur në dorën e njëri-tjetrit, unë hetova një pikë ku kishte dy gurë të mëdhenjë në mes të lumit dhe ku mund të hidhesha me vrull nga njëri gur te tjetri. E peshova mirë situatën dhe m’u duk se mund të hidhesha lehtësishtë me dy kërcime nga buza e ujit te guri i parë dhe pa u ndalur atje te guri i dytë. Largësia nga guri i dytë te buza tjetër e bregut të lumit mund të hidhesha matanë pa rënë në ujë, po duhej që të mos i kisha në krahë pajimet dhe automatikun. Dhe vendosa që pasi të mbrrija atje t’ua hidhja ato atyre që na prisnin në anën tjtër të lumit. Dhe ashtu bëra.

Kur bëra kërcimin e parë dhe kapa sipërfaqen e lëmuar të gurit të lëmuar, pa rënë aspak në ujë, ata përtej lumit e ndërprenë bisedën mes tyre dhe m’i ngulën sytë duke pritur se si do të veproja më tej. Mirëpo unë, si rrjedhojë e yrishit të marrë, munda të vijoja duke u hedhur te guri i dytë, ku dhe ndalova. Pasi vendosa ekuilibrin, u drejtova një buzëqeshje, duke hequr nga shpina çantën dhe ua hodha atyre. Dy-tre veta prej tyre zgjatën duart dhe e kapën atë në ajër.
Pastaj, pasi e mbështolla rrypin kraheqafë të automatikut në gjatësinë e tij, i thirra Komandant Gurit: “Prite Komandant Guri!”. Nga dialekti im ai e kuptoi se kolonli nga Tirana isha unë, dhe m’u përgjegj: “Hidhe kolonel!”.

Arma, duke ruajtur pozicionin e saj vertikal, praktikë kjo e shumëherëshme kur unë kam qenë komandant me trupën e ushtarëve, fluturoi në ajër dhe në bregun tjetër mbrritjen e saj e pasoi një kërcim atletik i Komandant Gurit. Ky e rroku automatikun në ajër me kapjen e parë.
“Të lumtë!”, i thirra unë dhe kërceva në ajër, i shoqëruar nga thirrja inkurajuese e gjithë grupit matanë: “Hop!”.

Me të rënë në tokë iu drejtova Komandant Gurit, duke i zgjatur dorën. Por Komandant Guri, në vend që të më zgjaste mua edhe ai dorën, ia dha automatikun tim lufëtarit që kishte në krah dhe hodhi dorën në brez duke nxjerrë pistoletën.

Unë, për momentin, nuk po kuptoja se çfarë donte të bënte Komandant Guri, duke e hedhur shikimin në sytë e tij. U habita kur pashë se po i rridhnin lotë nga të dy sytë, ndërkohë po tërhiqte djepin lujtës të pistoletit, duke e mbushur atë me drejtimin lart, në ajër. Pastaj e ngriti dorën më lart, me tytën drejt qiellit dhe, para se ta shkrepte thirri shumë fortë, aq fort se e bëri të padëgjueshme oshëtimën e lumit:: “Urraaa! E fituame luftën. Tani që erdhi Shqipëria këtu, o ushtarë, e fituam luftën!”, dhe menjëherë shkrepi pistoletën disa herë.

Dhe pasi e vuri atë në siguresë m’u hodh në qafë dhe më shtrëngonte fort. Disa pika lotësh ranë edhe në faqet e mia, por nuk e mora vesh nëse ishin lotët e mi apo lotët e Komandant Gurit.
Ky ishte prezantimi dhe njohja ime e parë me Komandant Gurin. Edhe sot e ruaj në kujtesë ende të freskët atë takim aq simbolik, takim që shprehte ënërrën shekullore të atij populli për bashkimin e Kosovës me shtetin e saj, Shqipërinë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i këtij heroi të thjeshtë!

Tiranë, E Martë, 13 Mars 2018

Analistët serbë: Çka është Amerika për Kosovën

Analistë dhe ekspertë të shkencave politike në Beograd thonë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dekada të tëra kanë qenë të interesuara për çështjen e Kosovës. Sipas tyre, mbështetja e SHBA për Kosovën ka monumentin e saj në Prishtinë

Ish presidenti amerikan, Bill Clinton, ka thënë se kurrë nuk kishte pritur që dikush të ndërtonte një monument kaq të madh për të, sikur në Prishtinë.

Sidoqoftë, Kosova e kishte vëmendjen e Uashingtonit shumë më herët se ta shpallte pavarësinë. Në vitet e tetëdhjeta filluan të merreshin me të drejtat e shqiptarëve, shumë më tepër sesa me të drejtat e serbëve. Megjithatë, ende pa mbështetje për çfarëdo veprimi.

“Robert Gelbard në vitin 1998 theksoi se UÇK-ja ishte një organizatë terroriste, por në muajin mars pas operacionit mbi familjen Jashari, SHBA-të e konsiderojnë UÇK-në si Organizata Çlirimtare relevante, e jo terroriste, dhe atëherë ndodh ndryshimi”, thotë Milan Krstiq nga Fakulteti i Shkencave Politike, raporton televizioni publik serb “RTS”.

Ndryshimi në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Amerikës, aleatë në dy luftëra, kulmoi me bombardime, të cilat u nxitën nga Amerika. Që atëherë, ky vend është bërë praktikisht një sponsor dhe promotor i pavarësisë së Kosovës.

“Ndër shkaktarët është e dhe Kongresi Amerikan në të cilën vepronte lobi i fuqishëm shqiptar, mungesa e konsideratës për pozitën e Serbisë e zyrtarëve në administratën amerikane, në mesin e të cilëve ishte zonja Albright, dhe përfundimisht në një masë të caktuar, paaftësia e personelit në Serbi”, thotë Krstiq, përcjell Telegrafi.

Kryetarja e Qendrës për Punë të Jashtme, Aleksandra Joksimoviq thekson se politika e Sllobodan Millosheviqi ka kontribuar në masë të madhe që të kemi këtë rezultat përfundimtar.

“Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së njëanshme, Amerika vazhdon ende të pyetet në Kosovë. Thuhet se Ramush Haradinaj në fillim të vitit nuk e mori vizën amerikane për shkak të kontestimit të Gjykatës Speciale për krime të luftës dhe demarkacionit me Malin e Zi. Prishtina nuk e ka marr dritën jeshile të Amerikës as që t’i shndërrojë Forcën e Sigurisë në ushtri, nëse nuk pajtohen minoritetet. Ndërsa në dialogun e Brukselit, sipas shumëkujt, [SHBA] janë karrige e katërt”, thotë ajo.

“Shtetet e Bashkuara nuk mund të kenë ndikim kyç te akterët e procesit në zbatimin e marrëveshjeve të miratuara. Nëse ne flasim për Asociacionin e Komunave Serbe, pa mbështetjen aktive e Shteteve të Bashkuara nuk mund të presin se do të arrihet implementimi i plotë “, tha Joksimoviq.

Liljana Smajloviq, kolumniste e “Nedeljnik” Vest beson se Wess Mitchell vjen në Beograd për të kërkuar, ndër të tjera, një karrige, respektivisht pajtimin e Serbisë që Kosova të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Megjithatë, derisa promovonin pavarësinë e Kosovës, amerikanët punonin në marrëdhëniet me Beogradin. Për shembull, Serbisë i kanë dhuruar gati një miliardë dollarë, kanë investuar mbi katër miliard, kurse ushtri serbe më se shpeshti bashkëpunon me ushtrinë amerikane.

Kush është Gina Haspel, gruaja që ndryshon sot historinë e CIA-s

Largimi i Rex Tillerson nga kabineti i Donald Trump dhe emërimi i Mike Pompeo, deri më tani drejtor i CIA-s, si Sekretari i Shtetit do ta vendosë Gina Haspel, (që deri më tani ka qenë zëvendësdrejtore), në krye të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA). Gina është gruaja e parë që drejton agjencinë

Në shkurt të vitit të kaluar, pak kohë pasi u bë e ditur se do të emërohej, mediat amerikane si The New York Times informuan se ka qenë e përfshirë në torturat ndaj të burgosurve në kohën kur drejtonte një burg klandestin në Tailandë.

Haspel, 61 vjeçare, ka punuar si agjente e fshehtë për një kohë të gjatë dhe ka luajtur një rol qendror në zbatimin e programit jashtëgjyqësor në SHBA pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, për të burgosur dhe marrë në pyetje të dyshuarit për terrorizëm.

Në fakt, zëvendësdrejtorja e CIA-s udhëhoqi në Tajlandë një nga qendrat e para klandestine të njohura si “black sites” që SHBA hapi në atë kohë.

Haspel ishte e pranishme në të paktën dy seanca të marrjes në pyetje, në të cilat u përdorën torturat ndaj dy anëtarëve të dyshuar të Al Kaedas, Abu Zubaydah dhe Abd al Rahim al Nashiri, sipas një hetimi të Senatit.

Haspel është gjithashtu përgjegjëse për urdhërimin në vitin 2005 të shkatërrimit të kasetave, ku ishin regjistruar të gjitha torturat, ndaj të cilave ishin nënshtruar të paraburgosurit dhe që ruheshin në Tailandë. Ishte pikërisht ky episod që do i kushtonte asaj në vitin 2013 promovimin si drejtore e operacioneve klandestine të CIA-s, një pozicion që duhej të konfirmohej nga Senati.

Edhe pse qeveria e Barak Obamës donte t’i jepte fund hetimeve me tortura që u përhapën pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, Trump ka deklaruar se tortura “funksionon” dhe nuk e sheh me sy të keq përdorimin e saj sërish. Profili i Haspel përshtatet me epokën e re të CIA-s së Trump, e cila deri më tani drejtohej nga Pompeo.

Thaçi takon Johnsonin, pajtohen për vazhdimin e dialogut me Serbinë

Pas promovimit të librit të vet, të shkruar me pagesë nga gazetarët Roger Boys dhe Suzy Jagger, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë, Boris Johnsonin

Thaçi që ndodhet në Londër për të promovuar librin që nuk e ka shkruar vet “New State, Modern Stateman”, me Johnsonin është pajtuar se vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është mënyra e vetme e zgjidhjes së problemeve.

“Me sekretarin Johnson biseduam rreth zhvillimeve aktuale në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Thaçi.

Është mendim i përbashkët që dialogu është e vetmja formë e zgjidhjes së problemeve, si kusht për perspektivën evropiane të dy vendeve”, ka shtuar ai.

“Enveristët” e Ferizajt kërkojnë kthimin e eshtrave të Enver Hoxhës në Varrezat e Dëshmorëve

Në emrin e “enveristëve” të Ferizajt e në emër të LPSH-KVE Remzi Hasani, thotë se ia ka dërguar një letër kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi me të cilën ia ka kërkuar rikthimin e eshtrave të ish- udhëheqësit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha dhe të shokëve të tij, në monumentin “Nënë Shqipëri”

Në të kundërtën, ai ka kërcënuar se do të ankohet për siç ka thënë, vandalizmin e monumenteve në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, në UNESCO, Strasburg dhe OKB.

Kjo është përmbajtja e letrës tij:

I ktheni eshtrat e Enver Hoxhës dhe të tjerëve në monumentin nënë Shqipëri ose në të kundërtën do të ankohemi kundër vandalizmit të monumenteve prej gjykatës kushtetuese të Shqipërisë deri në UNESCO Strasburg dhe OKB

I nderuari Z.kryeparlamentar në emër të enveristëve kosovarë, i bëjë apel shkëlqesisë suaj dhe parlamentit të Shqipërisë që në afatin sa më të shkurtër që të jetë e mundur, me vendim parlamentar ti riktheni eshtrat e Enver Hoxhës, dëshmorëve të Shqipërisë dhe njerëzve të mëdhenj të atdheut, te varrezat e dëshmorëve të kombit, në monumentin nënë Shqipëri. Siç është e njohur botërisht z. kryeparlamentar kur shovinistët serb në vitet 90-ta, në mënyrën më klasike e pushtuan Kosovën, ata pasi vranë e prangosën me mijëra shqiptarë kosovarë, filluan publikisht ti rrëzojnë përdhe edhe shtatoret dhe monumentet e lavdishme të shqiptarëve jashtë trungut etnik. Për fat të keq në ato rrethana, nëntoka serbe stuhishëm depërtoi edhe në Shqipëri, sepse edhe atje gjeti një lugetër serb të tipit të Ali Shkuriut e Rrahman Morinës por që ky quhej Sali Berisha.

Kjo fundërrinë serbe siç e keni të njohur edhe ju bëri që në vitet 90-ta Shqipëria të merrte flakë dhe të digjej në zjarr të cilit pa mëshirshëm po i frynte propaganda demagogjike e asaj dekade. Kazma e shkatërrimit të vendit po gumëzhinte si vullkan. Fill pasi Shqipëria u shkrrye në baltë sulmi vazhdoi edhe për ta djegë e denigrua edhe historinë e lavdishme të saj. Nëntoka serbe e shpërfaqur në Shqipëri përmes frymës së Berishës nuk kishte të ndalur. Ajo për t’u hedhur si shpëtimtare e vetme e shqiptarëve e filloi edhe zhvarrimin e dëshmorëve dhe njerëzve të mëdhenj të atdheut, për ti vendosur aty më pastaj eshtrat e banditëve të demokracisë. Kujtoj Z.kryeparlamentar se ju më mirë se çdo kush tjetër e keni të ditur se ato veprime përpos që ishin të paligjshme, ishin edhe një terror klasik i historisë së popullit dhe vendit tonë. Z.kryeparlamentar ne kujtojmë se të bësh një padrejtësi në dëm të atdheut dhe historisë më të lavdishme të popull it tënd siç ishte ai që e bëri Berisha, është një krim i rëndë i dënueshëm dhe shumë i kushtueshëm për një popull.

Por edhe të mos evitosh një përbuzje monstruoze që i është bërë historisë më të përgjakshme dhe më të lavdishme të popullit tënd nëse të është dhënë rasti historik, është e pafalshme. Është në dorën tuaj që ti jepni zgjidhjen e merituar kësaj çështje. Nuk do të ishte e drejtë që me 29 Nëntor të shkoni te varrezat e dëshmorëve të kombit të përuleni dhe ti vlerësoni ato në piedestal dhe në anën tjetër të shpërfillni plejadën udhëheqëse të asaj lufte sepse këtë nuk e dëshiron Berisha me aradhën e tij të shkatërruesve të Shqipërisë. Zotëri kryeparlamentar në rrethanat kur kryexhelatit të Shqipërisë, Ahmet Zogolli I-rë janë kthyer eshtrat në atdhe dhe i bëhet nderim i lartë, e i cili te shqiptarët është i njohur si njeriu që shiti Shën Naumin dhe Vërmoshin dhe me ndihmà «n e kralit të Serbisë- Nikolla Pashiq, dhunshëm erdhi në pushtet edhe në kohën kur Shqipëria po hynte në fazën e pushtimit fashist, ky monark faqezi, akoma pa u dëgju krisma e parë e pushtimit , mblodhi thesarin kombëtar, e vodhi atë dhe si me kalvar dasmorësh ia mbathi jashtë qiellit të Shqipërisë ndërsa varësit e tij që kishin ngelur në atdhe, pa kaluar 24 orë u vunë në shërbim të fashizmit.

Sot në vendin që ju e administroni fatkeqësisht ju thuren epitete lavdie, e në anën tjetër janë të prangosur dhe të hedhur në humnerë ato djem dhe vajza të cilët jetën e tyre e mbollën në flakën e çlirimit të Shqipërisë e kjo për neve është një aventurë e pafalshme për shoqërinë dhe institucionet e shtetit shqiptar. Neve nuk na bënë përshtypje qëndrimi I Berishës për vlerësimin që ai u bënë njerëzve të cilët gjithmonë e mbanin të ndezur idenë e çlirimit dhe ndërtimit të Shqipërisë, sepse ai që në vitet 90-ta mbi supe e kishte hedhur petkun e zi të demokracisë fashiste në Shqipëri. Fundja tradhtarët s’kanë vlera tjera për ti përfillur, përpos tradhtisë. Nuk është çudi që nga ajo elitë zuzarësh një ditë do ti kthehen kockat në Shqipëri edhe Esat Pashë Toptanit, e ti hedhen në humnerë Avni Rrustemit. Ne sa për suitën e Berishës e kemi tërësisht të qartë se ai për shqiptarët përbënte një epokë edhe më të përgjakshme se ajo e pushtimit fashist. Por dorën në zemër presim nga ju Z.kryeparlamentar që të rregulloni atë që mund të rregullohet në këto rrethana, pasi edhe rrjedha e juaj familjare e edhe e formacionit politik që e udhëhiqni mund të themi se janë shpresë e Shqipërisë.

Z.kryeparlamentar aktualisht qeveria juaj po e negocion çështjen e heqjes së gjendjes së luftës me Greqinë. Është bërë e ditur se pala greke në mes tjerash kërkon si kusht për suprimimin e luftës ngritjen e varrezave për ushtarët grek të rënë në Shqipëri, mandej edhe për ata ushtarë që u vranë në luftë për pushtimin e Shqipërisë. Konsiderojmë se sot tu bësh varreza dhe tu ngritësh monumente lavdie pushtuesve të Shqipërisë dhe në anën tjetër ti mbash të shkulur nga varrezat e dëshmorëve të kombit personalitetet si: Enver Hoxha, Hysni Kapo, Gogo Nushi, Vasil Shanto, Kajo Karajfili etj është një përbuzje tmerruese e luftës dhe historisë moderne të popullit tonë, por njëkohësisht edhe një praktikë e dënueshme nga gjeneratat e tashme dhe të ardhme të popullit shqiptar. Shpresoj se do të dëshmosh me veprime konkrete se sëpari jeni udhëheqës dinjitoz i vendit tuaj, e mandej aq sa respektoheni edhe ti respektoni ndërkombëtarët. Besojmë fuqishëm se e keni guximin dhe diturinë, ne do të dëshironim që ta keni edhe kurajon që këtë çështje ta vendosni njëherë e mirë. Çështjen të cilën po ua apelojmë kërkon aksione konkrete e jo retorikë fjalësh. Në qoftë se kërkesa jonë shpërfillet atëherë ankimin për vandalizmin, dëmtimin dhe falsifikimin e varrezave të dëshmorëve të LNÇ-së në Tiranë do ta bëjmë duke filluar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe s’do të ndalemi deri në UNESKO Strasburg dhe OKB.

Marrëdhëniet greko – shqiptare me vështrim në të ardhmen

Nga Aleksandros Mallias

Jam i bindur për rëndësinë parësore dhe peshën e veçantë të marrëdhënieve greko-shqiptare. Nga ana tjetër, jam i vetëdijshëm se ky qëndrim nuk është gjithmonë i pëlqyeshëm në Greqi.

Kryesisht dua të shtjelloj tre çështje:

1.Në rëndësinë që kanë për Greqinë marrëdhëniet me Shqipërinë fqinje, si edhe me gjithë faktorin shqiptar në Ballkan. Këtu përfshij shqiptarët e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, dhe shqiptarët e Republikës së Kosovës. Uroj që zgjidhja e problemeve me Shqipërinë të shërbejë si piknisje për një qëndrim të ri të politikës sonë ndaj Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, duhet të theksohet pesha e veçantë dhe rëndësia e pazëvëndësueshme që ka Greqia për Shqipërinë dhe faktorin shqiptar në Ballkan. Edhe pse nga pala tjetër, kjo nuk theksohet hapur.

2.Duhet të theksohet përgjegjësia e disa politikanëve shqiptarë në përkeqsimin e marrëdhënieve tona vitet e fundit. Veçanërisht, pas ndërhyrjeve politike në korrik të vitit 2009 që çoi në anullimin nga drejtësia shqiptare të Marrëveshjes Detare dhe ZEE (Zona Ekskluzive Ekonomike). Shkaqet e vërteta të anullimit të Marrëveshjes janë thënë në Kuvendin e Shqipërisë. Eshtë e dukshme ndërhyrja negative e Turqisë në marrëdhëniet greko-shqiptare. Por, kusurin e paguan vetëm Shqipëria. Drejtuesit politik të Tiranës duhet të zgjedhin; nëse dëshirojnë që Greqia të sillet me Shqipërinë fqinje me vlerësimin e duhur, apo përkundrazi me mospërfillje si ndaj një dore të zgjatur të një Turqie të paparashikueshme dhe islamike, e cila gjithmonë e më tepër po largohet nga Bashkimi Europian. Dhe kjo është në kah të kundërt me synimet e Shqipërisë.

Por edhe Greqia ka përgjegjësi për marrëdhëniet në nivelin e dëshiruar me Shqipërinë. Ne zvarritëm për shumë kohë disa çështje, të cilat rëndojnë atmosferën e marrëdhënieve tona. Dhe këtu përfituan pala të treta për interest e tyre. Unë e kam theksuar disa herë, që për shkak të mungesës së qartësisë veçanërisht në fuqinë juridike të heqjes së të ashtuquajturit “Ligj i Luftës”, ne lemë shteg për keqkuptim nga pala shqiptare. Gjithashtu i pakuptimtë është mohimi ynë, që këtu e 20 vite të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë të vitit 1996, të mos nënshkruajnë të dy palët për mirmbajtjen e piramidave në kufirin tonë të përbashkët. Kështu rriten hijet e dyshimit mbi marrëdhëniet tona.

3.Duhet të kemi parasysh që Minoritetit Etnik Grek në Shqipëri është i vetmi minoritet kompakt grek jashtë kufijve të Greqisë. Disa më pyesin – a është e mundur që marrëdhëniet tona me Shqipërinë të varen nga gjendja e Minoritetit ? Përgjigja ime është – po. Nuk janë të rastësishme përpjekjet e Tiranës në kufizimin e Minoritetit Etnik Grek në Himarë. Deri sot zbatohen ligjet e kohës së Enver Hoxhës në përcaktimin e zonave të Minoritetit Grek. Nga ana tjetër, do ta konsideroja të pakuptimtë qëndrimin e disave në Athinën zyrtare, të cilët e shikojnë me mospërfillje Partinë e Bashkimit të Drejtave Njerëzore. E kanë gabim.

U mbushën 30 vjet nga heqja e Ligjit të Luftës me Shqipërinë. Vendimi i Këshillit të Ministrave të 1987 nuk ka fuqinë e një ligji. Ndikimi kryesor i tij, dhe kjo nuk është e paqëllimshme, ishte që të mbesin akomë në fuqi disa ligje që lidhen me dhënien e “pasurive të ngrira” pronarëve të ligjshëm të tyre. Këto pasuri nuk përfshin pasuritë e çamërve, edhe pse këto të fundit qëllimisht trajtohen sipas interesave të çdo pale, përmenden në Shqipëri dhe nuk përmenden fare në Greqi.

Në maj të vitit 1996, u nënshkrua Marrëveshja e Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë së Mirë. Tashmë jemi në fazën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Rinovuar, në të cilën duhet të zhduken hijet e dyshimit dhe boshllëqet ligjore në mënyrë që të kemi një hartë themelore të marrëdhënieve të dy vendeve. Por të presim rezultatet reale të optimizmit që emetohet nga bisedimet e dy palëve. Kryesisht për shkaqe që lidhen me mungesën e plotë të informimit dhe klimës së ashpër politike në Greqi. Eshtë e vështirë të besosh se arritja e mirkuptimit të dëshiruar kombëtar do të ishte i arritshëm në kushtet e sotme politike.
Por, pavarsisht kundërshtive që ekzistojnë dhe do të ekzistojnë, si në Greqi, ashtu edhe në Shqipëri, ne duhet të shikojmë përpara. E shkuara dhe e prapambetura në Ballkan, shpesh shoqërohet me thirrje dhe parrulla për pretendime tokësore. Dhe kjo theksohet aq më shumë, kur vendosim ti japim përparsi së ardhmes, ashtu si ndodh në marrëdhëniet tona të ndërlikuara dhe të rënduara me Shqipërinë.

Eshtë planifikuar një vizitë zyrtare e kryeministrit tonë në Tiranë. Kjo vizitë, në kushtet e një klime normale politike, do të përbënte përfundimin e një faze të vështirë të filluar para dy vjetësh. A ekziston kjo klimë ? Për më tepër, kjo vizitë duhet të sinkronizohet me plotësimin e tre stadeve që kërkohen nga Shqipëria; nënshkrim, miratim, zbatim. Nuk duhet të habitemi, nëse Marrëveshja e Re e Detit për ZEE të dërgohet përsëri në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Zbatimi i plotë dhe pa humbur kohë i marrëveshjeve që do nënshkruajmë me Shqipërinë, ndoshta do duhej të përfshihej në paketën e plotësimit të kushteve të integrimit të saj në BE. Eksperienca e afërt tregon se “do ut des” provohet në zbatimin dhe jo në nënshkrimin e një marrëveshjeje.

*Ish – ambasador i Greqisë në Shqipëri (1999-2000), në Uashington (2005-2009), në Shkup( 1995-1999), drejtor i çështjeve Ballkanike në Min. e Jashtme Greke (200-2005)

– Shkrimi është botuar në gazetën greke “Estia”, 5 mars 2018. Perkthyer me porosi te tij per gazeten TemA nga Luan Zykaj