Lajm.co

Kur do t’ja kthejë Serbia 2 miliardë euro që ia mori Kosovës

Çështja e kthimit të Fondit Pensional të Kosovës nga Serbia, mund të përfshihet në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel

Shteti i Serbisë kishte ndalur kontributet e pensionistëve të Kosovës nga qershori i vitit 1999, pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë. Që nga atëherë, pensionistët e periudhës para vitit 1999 nuk kanë arritur të marrin paratë e tyre nga ky fond, ndërkohë që, sipas Shoqatës së Pensionistëve, tashmë një numër i konsiderueshëm edhe kanë ndërruar jetë dhe mbetet diskutabile edhe çështja e trashëgimit të pensionit, shkruan REL.

Sipas vlerësimeve të përafërta që prezantohen nga shoqatat e pensionistëve, thuhet se shuma e Fondit Pensional të Kosovës, i cili është marrë nga Serbia, arrin vlerën mbi dy miliardë euro. Më gjithë përpjekjet e përfaqësuesve të pensionistëve, disa nga pensionistët nuk presin që ky fond mund të kthehet në Kosovë.

Pensionisti 68-vjeçar, Feriz Berisha me profesion jurist, thekson se një numër i madh i pensionistëve tashmë kanë ndërruar jetë. Për këtë, Berisha shprehet se autoritet kompetente gjatë angazhimit të tyre duhet të sigurojnë që me kthimin eventual të fondit nga Serbia, të njihet edhe e drejta e trashëgimit nga anëtarët e familjes, për faktin se shumë pensionistë deri atëherë mund të mos jetojnë më.

“Prandaj, këtu institucionet tona në radhë të parë, edhe me ndihmën e ndërmjetësve ndërkombëtarë, duhet të zgjidhin këtë çështje, në mënyrë që këto kontribute t’iu kthen njerëzve që u takojnë”, thotë ai.

Sipas Shoqatave të Pensionistëve, në periudhën kur në mënyrë joligjore Serbia ka marr Fondin Pensional, numri i pensionistëve është llogaritur të jetë mbi 89 mijë.
Ndërkaq, sipas tyre, janë rreth 50 mijë pensionistë, të cilët presin realizimin e të drejtës së tyre për kompensimin e pensioneve.

Shaban Kelmendi, këshilltar në Federatën Sindikale të Pavarur të Pensionistëve dhe Invalidëve te Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet kompetente në Kosovë nuk janë treguar të vëmendshme karshi këtij problemi.
Kelmendi nuk e përjashton mundësinë që zgjidhja e çështjes së kompensimit të pensioneve të tyre të shqyrtohet në dialogun Kosovë –Serbi, por, ai megjithatë, insiston që kjo çështje të zgjidhet përmes Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

“Rreth 43 mijë euro duhet t’i marr gjithsecili pensionist i Kosovës. Nëse pensionisti është gjallë mjetet i merr vetë, nëse ka vdekur pensionin e merr bashkëshortja. Nëse ka vdekur edhe bashkëshortja, paratë i merr anëtari i familjes së ngushtë që është kujdesur për të”, shprehet Kelmendi.

Në anën tjetër, Bahri Xhaferi drejtor i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se kjo çështje i tejkalon kompetencat e kësaj ministrie. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Xhaferi shprehet se çështja e kthimit të Fondit Pensional nga Serbia duhet të iniciohet nga ekipet përkatëse negociuese në mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Ne e konsiderojmë si pronë pensionin kontributpagues të realizuar nga ana e tyre. Për këtë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale pret që në një periudhë kohore të caktuar të fillojnë bisedat për kthimin e pagesave të pensioneve nga shteti i Serbisë”, thotë Xhaferi.

Ndryshe, kohë më parë, me anë të një vendimi të Gjykatës së Strasburgut, Qeveria e Serbisë, kishte hartuar “planin aksional për zgjidhjen e problemit të pagesës së pensioneve në territorin e Kosovës”.

Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor i Republikës së Serbisë kishte nxjerrë një dokument, përmes së cilit njoftohen pensionistët e Kosovës për mundësinë e kompensimit të tyre dhe mënyrën e aplikimit.
Edhe pse me mijëra pensionistë kishin aplikuar në këtë fond, shumica e kërkesave janë kthyer apo kanë marrë përgjigje negative.

“Thaçi shkon në Bruksel me agjendë sekrete”

Hashim Thaçi, president i Republikës së Kosovës, gjatë ditës së sotme ka konfirmuar së të dielën do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku sipas Thaçit, temë e diskutimit në këtë fazë të dialogut pritet të jetë implementimi i marrëveshjeve të arritura, si dhe arritja e një marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë

“Kemi pranuar ftesën si president i vendit nga zonja Mogherini për të vazhduar dialogun në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë për të shikuar mundësitë e implementimit të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, por edhe për të hapur një kapitull të ri apo intensifikuar procesin e ri të dialogut, atë përfundimtar të arritjes përfundimtare të marrëveshjes në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Mund të them se kemi konfirmuar pjesëmarrjen si Kosovë, si shtet i Kosovës ekipet tona do të takohen në ditët e ardhshme, ndërsa takimi në nivel të presidentëve do të ndodh të dielën”, u shpreh sot Thaçi.
Por, sa është e rrezikshme për Kosovën shkuarja e Thaçit në Bruksel si udhëheqës i dialogut, kur dihet që nga Kuvendi, Qeveria e Kosovës ka tërhequr platformën e bisedimeve e cila Thaçin e bën udhëheqës të bisedimeve me Serbinë?

Lidhur me këtë, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi, thotë se tashmë dialogu e ka humbur kuptimin, ku sipas tij Thaçi nuk mund ta udhëheqë assesi dialogun me Serbinë. Sipas tij, është e rrezikshme shkuarja e Thaçit në Bruksel, kur dihet që ai nuk ka mandat për një gjë të tillë.

“Shkuarja e Thaçit është e pa mandat, dialogu ka humbur kuptimin dhe në asnjë mënyrë nuk mund të behet krahasimi ne mes të negociatave Greqi- Maqedoni. Greqia nuk ka shkaktuar gjenocid në Maqedoni dhe këto paralele nuk duhet të tërhiqen. Thaçi nuk ka mandat që të udhëheqë dialogun me Serbinë, kryenqesia e tij shpjegohet se ai ka arsyeje të insistojë që të jetë në udhëheqje të dialogut që ka agjendë sekrete”, shprehet Abazi.

Më tej, ai ka thënë se tërheqja e platformës së bisedimeve nga Kuvendi, ka treguar që ky koalicion, së bashku me Thaçin kanë përjetuar mocion mosbesimi. “Tërheqja e platformës ka treguar që koalicioni qeverisës përfshirë edhe Thaçin ky do të ishte një mocion mosbesimi. Kjo është arsyeja që e kanë tërhequr platformën ndërsa në mënyrë jo kushtetuese vazhdojnë të shkojnë në Bruksel përderisa edhe gjykata kushtetuese është e ngrirë. Ndërsa parlamenti është anashkaluar në të gjitha proceset”, thekson Abazi.

Ndërsa, i pyetur se a mund të jenë Ujmani dhe Trepça dy synimet e Serbisë në këto bisedime, Abazi ka thënë se pa dyshim që po. “Ujmani është pjesë e marrëveshjeve të mëhershme ndërsa Trepça gjithsesi është synim i Serbisë”, ka përfunduar, analisti Haki Abazi.

E kundër shkuarjes së Thaçit dhe përfaqësimit të Kosovës nga ai në Bruksel, ka dalë edhe deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.

“Ai tashmë edhe injoron deri në nënçmim qytetarët dhe përfaqësuesit e qytetarëve. Ka kohë që Kosova nuk po bisedon me Serbinë, madje bisedimet nuk janë as në relacionin Kosovë-Serbi, e as Prishtinë-Beograd, ka kohë që bisedimet janë Thaçi-Vuçiq. Ky njeri tashmë me arrogancën e tij e ka nxjerrë jashtë loje Kuvendin e Kosovës, qytetarin e Kosovë, dhe po flet për interesin e qytetarëve të Kosovës vetëm në emrin e vet, po vendos vet, dhe gjithsesi po vendos në favor të interesat të qytetarëve. Normalisht këto marrëveshje do të jenë të dhimbshme vetëm për Kosovën, sepse krejt dialogu është projekt i Serbisë, si tillë është interes i Serbisë, dhe ky duke e mbrojtur projektin e dialogut po i mbron edhe interesat e Serbisë”, është shprehur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi për media gjatë ditës së sotme.

A do të burgosën pinjollët e Beogradit në Shqipëri e Kosovë

Korrupsioni kryeministror shqiptar Berisha-Rama duhet të eliminohet sa më shpejt që të jetë e mundur; sepse është pengesë reale kundrejt reformës në Shqipëri. Të gjithë fqinjët e Shqipërisë në Ilirikumin Perëndimor janë hedhur në sulm për të mbrojtur korrupsionin shqiptar. Se te ky i kanë shpresat për të mos lejuar forcimin reformator të Shqipërisë sipas përkrahjes së politikës amerikane

Nga Spartak Ngjela

Edhe manipulimi i çështjes “Babalja”, dhe kërkimi i “fakteve të reja” gjithashtu, një përpjekje e tillë është, dhe e koordinuar edhe me politikat e trembura nga aleanca shqiptaro-amerikane për Ballkanin Perëndimor. Po tani që është vërtetuar se çështja “Babale” është e manipuluar, a do t’i arrestojnë pinjollët e Beogradit?

Ç’do bëjë prokuroria e Krimeve të Rënda: me shqiptarët do jetë, apo me korrupsionin që ka vjedhur Shqipërinë dhe vetë shqiptarët? Sipas të dhënave të perëndimorëve, në çështjen “Babalja” ka qenë edhe Rama i implikuar.

I.

Edhe pse aktualisht ky korrupsion nuk ka fare forcë, nëse do ta zgjerojmë analizën në funksion të kohës, atëherë na duhet të themi se korrupsioni kryeministror shqiptar krijon pengesë të madhe në synimet e politikës së ardhëshme të Shqipërisë.

Tani është e kuptueshme për këdo se Rama dhe Berisha do të penalizohen për nga reforma në drejtësi. Por pikërisht për këtë, të bashkuar siç janë, këta do të mundohen të krijojnë pengesa dhe trazira në Shqipëri, në mënyrë që të bllokojnë Reformën në Drejtësi dhe politikën aktive amerikane.

Gjithmonë do të mundohen të nxjerrin fakte kundër njëri-tjetrin, por vetëm me një qëllim: destabilizimin e Shqipërisë. Gjithsesi, në këtë linjë nuk janë vetëm, sepse janë të përkrahur edhe nga Moska, Beogradi dhe Stambolli. Të tre këta shtete, bashkë me korrupsionin kryeministror shqiptar, nuk mund ta pranojnë forcimin e Shqipërisë sipas skemës së politikës amerikane dhe gjermane.

Forcimi i Shqipërisë dhe Kosovës sigurisht që nuk mund të jetë i pranueshëm nga Rusia, Serbia dhe Turqia, por ky forcim është vetë qëllimi amerikan në këtë zonë.

Qëllimi i politikës amerikane në çështjen shqiptare në Ballkanin Perëndimor, që tani është kuptuar, ka ngritur tensionin në Beograd; sepse Beogradi është aneksuesi i trritoreve të gjëra shqiptare; Rusia sepse nuk mund të lejojë forcimin e Amerikës me anë të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor, i cili sigurisht që bëhet me një Shqipëri të fortë; kurse Turqia e Edoganit ka frikën nga rreth 9 milionë shqiptarë që janë në Turqi, por sidomos për mospranimin absolut të islamit radikal në Shqipëri.

E gjithë kjo tablo kundërshtuese e ka shpresën te çifti korruptiv Rama-Berisha që të mposhtë reformën shqiptare. Po është përpjekje e kotë. Është pamundësi absolute të mendosh që një skemë amerikane force të mundet sot.

Amerika kërkon një shtet bilateral Shqipëri-Kosovë të fortë dhe do ta bëjë. Po Si?

Hapi i parë është çelja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Prandaj kjo është një gjë e sigurt më 28 qershor.

Hapi i dytë është eliminimi i të gjithë klasës politike të korruptuar të Shqipërisë.

Hapi i tretë është eliminimi i të gjithë klasës politike të korruptuar në Kosovë.

Hapi i katërt është ngritja e shpejtë e ushtrisë si armatë moderne në Shqipëri dhe në Kosovë.

Hapi i katërt është ristrukturimi modern i shtetit dhe i tregut shqiptar në Ballkanin Perëndimor, pasi të jetë strukturuar tregu i përbashkët Shqipëri-Kosovë

II.

Kjo është arsyeja që sot janë të shqetësuar të gjithë krahët e reaksionit antishqiptar edhe në Beograd, edhe në Athinë. Si pasojë e këtij shqetësimi gazeta dhe ministra, akuzojnë se po kërkohet të krijohet Shqipëria e Madhe. Në fakt këta e thonë këtë si tezë, sepse kjo ka qenë teza gjermane e Luftës së Dytë Botërore. Dhe me këtë kërkojnë të evokojnë nazizmin.

Veçse, pikërisht për këtë po bëhen qesharakë, sepse këtu lindin këto pyetje: A mund të ketë Shqipëri të Madhe pa shqiptarë? Jo, kjo nuk mund të mendohet.

Por: atëherë, a ka shqiptarë dhe toka shqiptare të aneksuara nga sllavët dhe grekët? Po ka, dhe këta janë territore që kapin një sipërfaqe rreth 50 mijë km2 dhe një popullsi disa milionëshe shqiptarësh.

Po atëherë, kuptohet se nuk po kërkohet një Shqipëri e madhe pa shqiptarë, por një Shqipëri me kufijtë e saj etnikë në ringritjen e botës shqiptare. Dhe kjo sigurisht që do të bëhet, sepse atëherë përse shqetësohet reaksioni antishqiptar sllav dhe grek?

Gjithsesi hapat e sotëm janë një politikë e re në Ballkanin Perëndimor, për të garantuar një politikë të re perëndimore me anë të dy shteteve shqiptarë në Ballkanin Perëndimor.

III.

Poltika angleze gaboi kur ndihmoi në prishjen e Austro-Humgarisë dhe në krijimin Jugosllavinë. Tani kjo politikë është goditur dhe politika amerikane ka ndërruar kahjen e saj drejt shqiptarëve. Është arsye shumë e madhe kjo sepse shqiptarët janë sot shumica e popullsisë së Ballkanit Perëndimor. Por nuk janë sllavë; dhe i kanë brenda vetes të tri fetë e mëdha dhe resurse të mëdha ekonomike. Përderisa politika amerikanë në këtë zonë sot është synim ballkanik, ky synim arrihet vetëm me shqiptarët.

Po korrupsion i shqiptar?

Ky ka qënë pengesa, por kjo pengesë tani për politikën amerikane është tejkaluar. Prandaj na duhet të theksojmë se në 28 qershor fillon marshi funebër që çon në varrim korrupsionin kryeministror shqiptar. Përpjekjet e tyre drejt politikave të tjera janë të kota.

Megjithatë po kuptohet se korrupsioni shqiptar në pushtet është i grupuar dhe punon nëpër politikat antishqiptare. Ka shenja që gazetaria dhe politika e ekstremit antishqiptar në rajon, kërkon destabilizimin e Shqipërisë.

Nuk kanë krijua asnjë rrezik deri tani, por fakti që lëvizin duhet ta shtyjë politikën amerikane që të veprojë sa më shpejt kundër korrupsionit shqiptar.

Për çfarë po e heton Qeveria kryeshefin e ASK-së

Qeveria po e heton kryeshefin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, raporton KTV

Ndonëse nuk dihen shkaqet e hetimit, Agjencia Kundër Korrupsionit ka pranuar inicimin e kallëzimit penal, por ka thënë se mund të ofrojë informacione për rastet e dyshimeve për korrupsion, pasi janë të natyrës së mbyllur.

Me komisionin hetimor ka qenë e pamundur të kontaktohet, derisa kryeshefi i ASK-së, Isa Krasniqi, ka thënë se hetimi ndaj tij është për shkaqe administrative. Auditori i Përgjithshëm, që nga viti 2013, kishte paralajmëruar keqmenaxhimin e projekteve nga kryeshefi i ASK-së.

Blic: Format i ri dialogut, përfshihen SHBA dhe Rusia, Gjermania me emisar special

Përderisa po pritet vazhdimi i dialogut në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, prapa skenave letrat po përzihen përsëri brenda Bashkimit Evropian, shkruajnë mediat serbe

Sipas Blic, Gjermania ka sugjeruar që në vend të shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dialogu të ndërmjetësohet nga një përfaqësues special i BE-së.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nga rrethi i parë, në marsin e 2011, ndërmjetësohet nga Brukseli. Në muajt e fundit, është thënë se ai mund të vazhdohet në një format të ri, në të cilin Amerika do të përfshihej si këshilluese, që do t’i shkonte për shtati Kosovës, por edhe Rusia, që është ide e Serbisë.

Një burim i gazetës serbe Blic ka thënë se disa vende po kërkojnë që të përfshihet një përfaqësues special.

Gjermania, sipas këtij burimi, dëshiron që të marrë rolin e përfaqësuesit special në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të caktohej nga ministrja e jashtme e BE’së, Mogherini, transmeton Gazeta Express.

Arsyeja për këtë, shkruan Blic, është se Mogherini merret më shumë punë në të njëjtën kohë, dhe nuk ka kohë për t’ia kushtuar vëmendjen e plotë dialogut, dhe për zgjedhur problemet që do të shfaqen gjatë negociatave. Prandaj, një përfaqësues special mendohet se do të kryente punë më shumë.

Ky propozim, sipas medias beogradase, është bërë me qëllim përshpejtimin e dialogut.

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, i ka konfirmuar këto plane. Ai ka thënë për Blic se është e paqartë se çfarë do të përfitonte Serbia nga ky ndryshim.

“Dyshoj se Serbia do të përfitonte nga kjo, e dimë se çfarë është disponimi i Perëndimit karshi Beogradit dhe statusit në dialog. Çështja është se kush do të ishte ky përfaqësues special dhe çfarë do të ishte qëndrimi i tij karshi Serbisë. Është e qartë se qëllimi i këtij propozimi është zgjidhja e çështjes së Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur, dhe që të rritet trysnia më shumë ndaj Beogradit, sesa ndaj Prishtinës”, ka thënë Daçiq. /Express/

Zgjedhe njërën pendë dhe zbulo çfarë thotë për ty

Në psikologji, nënndërgjegjja është pjesë e ndërgjegjes që në fakt nuk është në vetëdijen kryesore. Fjala “nënndërgjegje” përfaqëson një version të vjetër të fjalës frënge “subconscient” të përdorur nga psikologu Pierre Janet, i cili argumentoi se nën shtresat e funksioneve të mendimit kritik të mendjes së vetëdijshme, fshehët një vetëdije e fuqishme të cilën ai e quajti ‘mendja e nënndërgjegjes’

Funksioni i kësaj mendjeje është për të ruajtur dhe korrigjuar të dhëna. Puna e saj është që të sigurohet se ju përgjigjeni saktë ashtu siç jeni programuar, transmeton Gazeta Express.

Gjatë kohës kur i mbushni 21 vjeç, mendja juaj është e mbushur me të dhëna më shumë sesa e gjithë enciklopedia ‘Britannica’. Çdo person ka lloj të ndryshëm personaliteti. Psikologjia ka tentuar t’i klasifikojë këto personalitete bazuar në parametra të veçantë. Bazuar në teorinë e ngjyrave dhe formave, një psikolog beson se të zgjedhësh një nga këto gjashtë pendë mund të zbulojë shumë rreth personalitetit tuaj.

Shikoni me kujdes këto gjashtë pendë, dhe zgjedheni njërën! Më pas lexojeni se çfarë thotë ajo për ju:

PENDA 1:

Ju jeni një person imagjinativ. Juve ju pëlqen përmirësimi i vetes tuaj dhe keni një karakter të fortë. Jeni një perfektionist dhe efikas, megjithatë, ndiheni keq kur diçka nuk del ashtu siç e keni pritur.

PENDA 2:

Mund të adaptoheni lehtë në çdo gjë. Mësoni shpejtë, por jeni pak të izoluar, gjë që ju pëlqen të mësoni gjithçka vetëm; megjithatë, njerëzit që të duan do të jenë gjithmonë aty për të të mbështetur, transmeton Gazeta Express.

PENDA 3:

Ju pëlqen të ndjeheni aktiv dhe keni shumë projekte, edhe pse është e vështirë për ty që të fokusohesh vetëm në një qëllim.

PENDA 4:

Ju pëlqen harmonia. Gjithmonë tentoni t’i ndihmoni të tjerët. Ju pëlqen që të rrethoheni me njerëz që të duan dhe që nuk e shikojnë vetëm interesin tek ti.

PENDA 5:

Jeni shumë kreativ dhe artistik, edhe pse nganjëherë nuk i besoni vetes ose aftësive tuaja, sepse frikësoheni nga dështimi.

PENDA 6:

Jeni i pavarur. Nuk vareni absolutisht në askënd dhe e dini se mund t’i arrini qëllimet vet; megjithatë, duhet të mësoheni se si t’i mbani miqësitë.

Lajmet e rreme kërcënim për kombin –“Fake news” është bërë armiku i ri i gjeo-politikës shqiptare

Nga Gëzim Mekuli

“Fake news” është një shprehje e re. Në gjuhën tonë të bukur shqipe kjo fjalë mund të përkthehet edhe si “lajm falso”, por kjo përshtatje dhe ky përkthim nuk është aq përshkrues sepse nuk e ka fuqinë spjeguese që të bëjë “fotografinë” besnike të problemit që sjellë ky “lajm”. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala “FALSIFIKOJ” paraqet si të vërtetë diçka të gënjeshtërt; pra “shtrembëroj të vërtetën, ndërroj a ndryshoj diçka për të mashtruar të tjerët”, (FGJSSH). Duke u nisur nga fakti se “lajmi” i tillë ndërtohet me qëllim që “gënjeshtrën të paraqet si të vërtetë”, dhe për të “mashtruar të tjerët”, përshtatja më e mirë për fjalën “fake news” do të ishte “lajm i rremë”.

“Lajmi i rremë” publikut i shitet si i sakt dhe si i vërtetë. E kjo minon demokracinë tonë të brishtë, sepse demokracia është e bazuar në besueshmëri të lajmit dhe në informacionin e sakt. Prandaj është e rëndësishme që të gjithë – e secili nga ne – të ketë një qëndrim kritik ndaj burimit të lajmit. Për shembull:

1. Ku është publikuar lajmi? A është ky kanal i besueshëm, apo është ky një kanal pa redaktorë e pa gazetarë siq janë portalet, Tweeter dhe Facebooku?

2. Nga vie ky lajm? A është gazetari burim i parë, e i brendshëm, i cili e ka përjetuar ndodhinë, – ose a mos është ndokush që “ka dëgjuar” se dikush e ka parë ndodhinë. Dhe, më e rëndësishmja

3. A ka mundësi që burimi i lajmit të ketë motive të fshehta politike a ekonomike? A ka mundësi që ky burim të ketë si qëllim që informacioni të shpërndahet tek sa më shumë njerëz? A ka mundësi që burimi i lajmit të përfitoj para sepse “ti beson” në lajmin e këtij burimi?

“Fake news”, problem i panjohur?

Shqiptarët kishin dëgjuar dhe ishin ballafaquar me “lajmin e kontrolluar”, “lajmin partiak”, “lajmin e pushtetit”, “lajmin joprofesional”, “lajmin e UNMIK-ut”, “lajmin e EULEX-it”, “lajmin e BRUXEL-it”, “lajmin e ambasadave”, “lajmin e Hashimit” e me “lajmin e Salës e të Edit”. Por, shprehjen e re “fake news”, e kishim dëgjuar rrallë. Megjithatë, lajmi i rremë si prodhim gazetaresk, nuk është diçka e re për ne. Atë e kemi parë, lexuar dhe dëgjuar shpesh: Thashethemet, konspiracion, gënjeshtra dhe mashtrimi i qëllimshëm, janë disa nga veçoritë e lajmit të rremë.

«You are fake news», i tha kryetari i SHBA-ve, Donald Trump, një gazetari të CNN-it. A ju kujtohet? Fjalinë “ti je lajm i rremë”, Trump e tha që në konferencën e parë për shtyp; menjëherë pas zgjedhjeve. Biles, ky nuk deshi të dëgjojë as për pyetjen që gazetari e kishte gati për t’ia shtruar. Shpejt e shpejtë “lajm i rremë” u bë një nga thëniet e preferuara të Trumpit. “FAKE NEWS” u shkrua shpesh nga ai me SHKRONJA TË MËDHA në Twitter.

Por çka është në të vërtetë lajmi i rremë: Dhe, çfarë nuk është lajm i rremë?

“Fake news”, apo “lajm i rremë”, është një përfaqësim i një ngjarjeje/ndodhijeje që nuk ka ndodhur fare. Ky lajm më shpesh shfaqet në faqe të internetit sesa në televizion, radio apo në gazetën e shtypur. Gjithsesi qëllimi i lajmeve të rreme është që të mashtrojë ose të keqinformoj opinionin publik. Shkurt e shqip: “Fake News” është një gënjeshtër e qëllimshme dhe e paramenduar me kujdes: janë tregime të shpifura. Po marrim një shembull nga marrëdhënja media dhe politikë në Prishtinë: Me 29.01.2012 mediat shqipe publikojnë lajmin se “Albin Kurti është takuar me serbë dhe se kishte qenë i mbuluar me batanije kur është takuar me ata”. Kjo fjali ishte thënë nga Bekim Haxhiu, i njohur ndryshe si Kamishi, (PDK). Lajmi i publikuar nga RTK dhe nga mediat tjera të regjimit nuk u vërtetua asnjëherë. Si pasojë opinioni publik u ça e u acarua.

Si lajm i rremë nuk mund të konsiderohet mendimi i kundërshtarit që ty nuk të pëlqen. Lajmi i rremë është gënjeshtër e qëllimshme; shpesh kjo e plasuar në formën e artikujve të lajmeve e që synon për të gënjyer publikun. Është me rëndësi të theksohet se ky lloj lajmi nuk ka gabime faktike, shkencore ose neglizhencë nga ana e gazetarit. Ky lajm prodhohet nga politika dhe lansohet për të ngatërruar opinionin publik. Përsëri një shembull nga Prishtina: Me 05 nëntor 2016 mediat shqipe të Prishtinës dhe të Tiranës lancojnë lajmin se Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, është vetëvra pas pirjes së barërave. Këtu citohet drejtori i policisë për rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i cili thot se, “dyshohet që aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari kishte konsumuar barna dhe kishte rënë në komë” dhe shton se, “rrugës për në emergjencë ka ndërruar jetë, ndërsa në emergjencë ka shkuar pa shenja jete”. Lajmi mori përmasa të luftës speciale e propagandistike. Si pasojë e kësaj hapsira publike u armiqësua. Opinioni mbeti i hutuar e i kërcënuar.

Duhet theksuar se lajm i rremë mund të jetë trillim i plotë, por ky mund të jetë edhe gënjeshtër e mbështjellur me ngjarje të vërtetë. Paçka kjo e fundit, pra gënjeshtra e mbështjellë në ngjarje të vërtetë, është e vështirë për tu zbuluar. E them këtë sepse lajmet e rreme “këmbngulin” që të huazojnë besueshmërinë e gazetarisë. Si rrjedhojë, këto “lajme” marin formën dhe përmbajtjen gazetareske: Këto “lajme” përdorin gjuhën dhe stilin gazetaresk. Në këtë mënyrë, këta parazitë politik, i mundësojnë hapsirës publike që të thithë, ta besoj dhe ta pranoj gënjeshtrën si të vërtetë. Ja një shembull nga Prishtina: Thaçi me 09.03.2017 merr vendimin që të filloj procedurat për shndërrimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Mediat e pushtetit shpërndajnë lajmin se Thaçi, për këtë hap politik, ishte konsultuar me qeverinë, me NATO-n dhe me SHBA-të. Më vonë opinioni publik mësoj tjetrën: kundërshtimet e qeverisë, Aleancës së NATO-s dhe të SHBA-së për fillesën e Kryetarit të Kosovës. Thaçi dhe mediat e pushtetit e mohuan këtë kundërshtim të institucioneve ndërkombëtare dhe vendore. Si pasojë e kësaj publikja është ndarë në dysh. Është e ngatërruar.

Përpos interesve politike e ideologjike “lajmi i rremë” është i motivuar edhe ekonomikisht. Lajmet e tilla janë të “prodhuara” për të gjeneruar klikime të portaleve, e që mund të kthehen në para nga reklamat. Por, mos të harrojmë, gjithsesi qëllimi i “fake news” është për të ndikuar, dezinformuar dhe për ta kontrolluar opinionin publik.

“Faktet alternative” Në lidhje me lajmet e rreme duhet përmendur një shprehje të re nga fusha e gazetarisë. Është fjala për të ashtuquajturat “faktet alternative”. Shembull nga Washingtoni: Zëdhënësi, Spicer, kishte ofruar informata të pasakta për numrin e pjesëmarrësve gjatë betimit të Donald Trump. Në çastin ku zëdhënësi u ballafaqua me këtë fakt nga një gazetar i NBC, këshilltari i Trumpit, Kelly Anne Conway, e luti gazetarin e NBC që të “mos jetë edhe aq dramatik”, sepse Spicer kishte përdorur ca “fakte alternative”. Pra, “lajmi i rremë” mund të ketë si “mbështetje” edhe “faktet alternative”. Shembull nga Washingtoni përsëri: SHBA-të përmes fotografive satelitore kishin përgatiur opinionin amerikan dhe atë ndërkombetar, se Sadam Hyseini kishte armë kimike. Mbi këto lajme edhe u sigurua mbështetja ndëkombëtare për sulmin ajror mbi Irak. Më vonë e gjithë kjo doli se kishte qenë një “fake news”.

A është e lehtë të zbulohet lajmi i rremë? Jo! Problemi është më i thellë sesa që e mendon konsumuesi i lajmit. Kjo për faktin sepse ky lajm sajohet, përpunohet dhe lancohet si nga politika e po ashtu edhe nga media. Pra, jo rrallë, është një bashkëveprim logjik i medias dhe politikës. Kjo ka ngjyrime propagandistike!

Diagnostifikimi i lajmit të rremë:

a) Ato janë lajme pa rrënjë në realitet: të ndërtuara e të shpërndara vetëm për ta drejtuar opinionin publik në një drejtim të caktuar politik-partiak.

b) Ai është “lajm” i shtrembëruar që ka pikënisje dhe qëllime të qarta propagandistike. Ky “lajm”, përpos që përdoret nga Qeveria e Tiranës dhe e Prishtinës, përdorët shpesh edhe nga qeveria e Serbisë, Greqisë dhe ajo e Rusisë karshi gjeo-politikave shqiptare.

c) Ato janë ngjarje/ndodhi të porisitura, që arrijnë tek aktorët në konflikt, paçka këto “lajme” detyrojnë gazetarët të besojnë se ata “e kanë parë dhe e kanë përjetuar” një ndodhi apo një ngjarje krejt spontane. Këtu, mediat mund të bëhen “naive” në zgjdhjen e lajmit dhe, është mu kjo “zgjedhje” që çon në simpati me mashtruesin (me prodhuesin e lajmit të rremë).

d) Ato janë thashetheme që gjejnë rrugën e tyre përmes “autostradës së lajmeve” ku, media që përhapë ato, nuk është e shqetësuar, e as e interesuar, për të vërtetuar nëse ato “lajme” janë të vërteta/sakta.

e) Ato janë trillime të publikuara pa asnjë kontrollë paraprak: për shkakun se ato media mbështesin paragjykimet për një orientim politik, partiak apo ideologjik: apo e duan edhe përfitimin material.

f) Ato janë gabime të mëdha të mediave të fuqishme që prekin një drejtim të caktuar politik. Shembull: “lajmi” që kryetari Trump kishte hequr bustin e Martin Luther Kingut nga Zyra ovale.

g) Ato janë deklaratat politike që sajohen për të krijuar “opinione të dyshimta”.

h) Ato janë të “zbukuruara/të kozmetikëzuara” e të prodhuara nga gazetarët e mediave serioze me qëllim që të rritet vlera e një artikulli apo fotografieje. Shembull: Fotografia me tymin falso në luftën e Bejrutit. Reuters në vitin 2006 tërhoqi 920 fotografi të shkrepura nga fotografi, Adnan Hajj,. Si pasojë e “fake picture” fotgrafi dëbohet nga puna (BBC).

i) Ato janë teori të konspiracionit në të cilat besojmë dhe, akoma më keq, edhe i shpërndajmë ato.

j) Ato janë mbulesa partiake: me qëllime politike dhe ideologjike. Shembull: Shënjimi i kufirit të Kosovës me Malin e Zi. Qeveria e Kosovës thot se shenjimi me Malin e Zi është është në rregull, i saktë dhe se Kosova nuk humbet territor. Por ekspertët e pavarur argumentojnë tjetrën: Kosova humb 8.230 metra katrorë territor, Mali i Zi fiton 70.44 kilometra më shumë. Pstaj gënjeshtra për “ZAJEDNICËN” serbe, etj, etj.

k) Aty është larguar diçka, është lënë jashtë apo është përjashtuar diçka e rëndësishme.

Mundësi për gazetarinë apo për politikën?

Lajmet e rreme janë sfiduese për gazetarinë. Jetojmë në një kohë ku kritika ndaj medias është shtuar dhe ku pabesia ndaj mediave në përgjithësi sa vjen e shtohet. Për shembull në debatet që u zhvilluan rreth largimit të Britanisë nga Bashkimi Europian (Brexit) dhe rreth zgjedhjeve për kryetar në SHBA, vërejmë se besueshmëria tek elita politike është e ulët. Dhe, akoma më keq, mediat konsiderohen si pjesë e elitës. Këtu do të rikujtoj një sondazh të Reuters (2016) ku rezultatet tregojnë se vetëm një në tre (32 përqind) të norvegjezëve kanë besim tek gazetarët. Dhe, vetëm çdo i dyti norvegjez (46 përqind) beson në lajme.

Lajmet e rreme rrezik për shoqërinë tonë? Rreziku që shoqëria të keqinformohet, egziston. Sot është e vështirë të dallosh në mes të gazetarisë serioze dhe asaj gënjeshtare: gënjeshtër e mbështjellur në formën e lajmit. Kjo gazetari, e ky lajm, mund të krijoj një shoqëri të polarizuar e debat të barrikaduar. (Le të shiqojmë hapsirën publike, debatet dhe komunikimin publik në Tiranë e në Prishtinë). Investimi në lajmin e vërtetë është investim në mirëqenje

Konsekuent deri në fund: Sa i rëndësishëm, sa i besueshëm e sa i sigurtë është lajmi sot? Përgjigjja nuk është e lehtë por, një gjë është e saktë: nuk mund të ketë shoqëri pa “fake news” me politika e me institucione të korruptuara. Para se gazetarët dhe redaktorët të vlerësojnë vërtetësinë e teksteve, sigurinë e lajmeve dhe të reportazheve, ata duhet të vlerësojnë edhe sigurinë për jetën e tyre. “Fake news” është bërë armiku i ri i shoqërisë sonë. Duhet përpjekur, me të madhe, për të marrë monopolin mbi të vërtetën.

Zvarritjet në Kuvend rrezikojnë funksionimin e organeve të pavarura

Në mungesë të emërimeve nga Kuvendi i Kosovës, disa nga organet e pavarura shtetërore rrezikojnë të mbeten përkohësisht jofunksionale. Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë dy nga këto organe që mund të pësojnë për shkak të zvarritjeve në Kuvend dhe institucione tjera për emërimet e reja

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare u bëjnë thirrja institucioneve kompetente që sa më parë të bëjnë përzgjedhjen anëtarëve të organeve të pavarura. Artan Murati, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, institut ky që merret me monitorimin e punës së Kuvendit, tha për Radion Evropa e Lirë se vonesa dhe mosemërimi i anëtarëve në disa institucione, vjen kryesisht si pasojë e punës së ngadalshme të Kuvendit të Kosovës.

“Faktori i parë është mënyra e punës se si po e bëjnë institucionet në përgjithësi, sidomos kur kemi të bëjmë me Kuvendin”, tha Murati. “Kuvendi po punon ngadalë nuk po arrin të jetë efikas në punën e tij dhe kjo nuk shpërfaqet vetëm tek emërimi ose zgjedhja e këtyre anëtarëve, por edhe në aspektet e tjera edhe në miratimin e ligjeve dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre”, theksoi ai.

Kurse faktori i dytë, sipas Muratit, është edhe ai i kalkulimeve politike, sidomos në rastin e organeve të rëndësishme, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Gjykata Kushtetuese. Deputetët e Kuvendit të Kosovës pak kohë më para nuk i kanë dhënë besimin asnjërit prej kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Vonesa e emërimit të gjyqtareve të rinj të Kushtetueses, ka filluar të paraqesë probleme në vendimmarrje. Gjykata Kushtetues nga data 15 qershor është pa kuorum për të punuar apo votuar për çështje të caktuara.

“Mosemërimi i gjyqtarëve kushtetues nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ndikon në punën dhe në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, meqenëse me numrin aktual të gjyqtarëve, gjykata nuk e ka kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje”, tha Veton Dula, drejtor i zyrës për informim në Gjykatën Kushtetues.

Mosfunksionimi i bordeve të institucioneve të caktuara dhe moskompletimi i tyre me anëtarët përkatës, u pamundëson këtyre organeve marrjen e vendimeve të cilat janë të rëndësishme, thotë Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo në pushtet.

“Konsiderojmë se mungesa e tyre e dobëson funksionimin e institucioneve. Kjo duhet të jetë vërejtja ndaj institucioneve në ketë rast për Kuvendin që duhet të harmonizojë votën dhe ta kryejë obligimin e vet duke përzgjedhur kandidatët më të mirë që kanë aplikuar”, tha Isufi.

Shqipe Pantina deputete e opozitës nga Partia Socialdemokrate, tha për Radion Evropa e Lirë se një pjesë të fajit për vonesën rreth emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por edhe të bordeve të tjera, e ka Kuvendi.

“Mendoj se një pjesë të fajit e ka Kuvendi sepse po i zvarritë proceduarat deri te përzgjedhja dhe pastaj vonesat që po ndodhin me seanca ku janë grumbulluar numër i madhe i pikave në rend të ditës. Por, pjesërisht mund të jetë edhe faji i institucioneve të tjera, ndonëse ato kanë më pak faj në hapjen në kohë të konkursit dhe ndjekjen e procedurave”, tha Pantina.

Procesi i emërimit të anëtarëve të bordeve, sipas ligjit, duhet të kryhet në procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht në bazë të meritës.

Shkëlzen Maliqi: Marrëveshja përfundimtare me Serbinë ka dy vjet që është në letër

Publicisti Shkëlzen Maliqi ka thënë se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë ka kohë që është konstrukt i konsoliduar dhe i vënë në letër, që mund të ndryshohet vetëm në nuanca

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se në dy vitet e fundit ajo është diskutuar dhe se Serbia po mundohet që në çastet e fundit të ndryshojë diçka në mënyrë që, siç thonë politikanët serbë, të kenë me çka të dalin para popullit serb.

“Te ne është krijuar përshtypja se nuk është arritur asgjë me dialog dhe se nuk ka pasur rezultate. Unë mendoj se është e kundërta. Pse po flitet tash për fundin e dialogut? Sepse kemi marrëveshje teknike të cilat po realizohen”.

“Marrëveshja përfundimtare është e gatshme tashmë dhe mund të ndryshohet ndonjë nuancë. Ajo tash e dy vjet është nëpër duar. Natyrisht se ka gjëra që ende duhet të ndryshohen. Serbia ende po mundohet që në momentet e fundit të nxjerrë diçka”.

“Jemi shumë afër zgjidhjes. Serbia e ka një tjetër problem: pro-rusët. Ata po mundohen ta prishin krejt procesin, në të gjitha nivelet. Duan ta prishin çdo mollë të dialogut dhe të marrëveshjeve që janë arritur”.

Shefi i NATO-s, deklaratë shqetësuese: Aleanca ushtarake mund të mos mbijetojë

Kreu i NATO-s ka paralajmëruar që përçarjet e thella mes Shteteve të Bashkuara nën presidentin Donald Trump dhe aleatëve evropianë nuk po kapërcehen dhe nuk ka ndonjë siguri që lidhja transatlantike dhe aleanca e saj ushtarake do të mbijetojë

Duke folur për konfliktin mes Trumpit dhe Merkelit rreth çështjeve të emigracionit dhe çështjeve të brendshme, Stoltenberg ka bërë thirrje që të gjithë anëtarët e NATO-s të punojnë për të shmangur një shkatërrim katastrofik të unitetit perëndimor.

Në një shkrim për the “The Guardian”, sekretari NATO-s Jens Stoltenberg ka pranuar që ka “stuhi të forta politike” që i kanë sforcuar lidhjet mes aleatëve të Aleancës Euroatlantike.

Por, në një apel drejtuar krerëve para takimit të aleancës ushtarake në korrik, ish-kryeministri i Norvegjisë thotë se “ku dallimet vazhdojnë, ne duhet të kufizojmë çdo ndikim negativ në bashkëpunimin tonë të sigurisë”.

Stoltenberg, i cili është takuar me Theresa May në Downing Street të enjten ndërsa po përgatitet për samitin në Bruksel, shkruan: “Që kur aleanca u krijua pothuajse 70 vjet më parë, njerëzit e Evropës dhe Amerikës së Veriut kanë gëzuar një periudhë të pashembullt paqeje dhe prosperiteti. Por, në nivelin politik, lidhjet që na bashkojnë janë të tendosura“.

“Ka dallime reale midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë lidhur me çështje të tilla si tregtia, ndryshimet klimatike dhe marrëveshja bërthamore e Iranit“, vazhdon më tej Stoltemberg, “Këto mosmarrëveshje janë reale dhe nuk do të zhduken brenda natës. Në fakt, askund nuk është shkruar se lidhja transatlantike do të vazhdojë të lulëzojë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ndarja e saj është e pashmangshme. Ne mund ta mbajmë atë, dhe të gjitha përfitimet reciproke që nxjerrim prej saj.”

Ndërhyrja e Stoltenberg vjen në një pikë të tensionit ekstrem midis udhëheqjes së fuqive perëndimore. Nga 29 anëtarë të NATO-s, vetëm tetë, duke përfshirë SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, shpenzojnë më shumë se 2% të PBB-së së tyre në mbrojtje, një prag që aleanca ra dakord se duhet të plotësohet nga të gjitha vendet deri në 2024. Gjermania shpenzoi 37 miliardë euro, ose 1.2% të PBB-së, në mbrojtje vitin e kaluar.

Stoltenberg vlerëson SHBA-në nën udhëheqjen e Trump për angazhimin e saj të ripërtërirë të NATO-s, një organizatë që presidenti amerikan dikur e përshkroi si të vjetëruar. Por ai thekson se shkurtimet në shpenzimet e mbrojtjes në mesin e aleatëve të NATO-s janë kthyer në të gjithë bordin. Një shtesë prej 13.6 miliardë paund është shpenzuar nga aleatët jo-amerikanë të NATO-s për pajisjet ushtarake vetëm që nga 2014.

Stoltenberg shkruan: “Shtetet e Bashkuara dhe Kanada po rrisin angazhimin e tyre për sigurinë e Evropës. Në fakt, që kur vjen në detyrë, administrata Trump ka rritur fondet për praninë amerikane në Evropë me 40%. Rezerva e fundit amerikane e betejës u largua nga Evropa në 2013, por tani ata janë kthyer në formën e një brigade të re të blinduar të SHBA“.

“Kjo nuk është një rrugë me një drejtim. Aleatët evropianë, me Britaninë e Madhe në pararojë, po rriten gjithashtu, duke shpenzuar miliarda më shumë për mbrojtjen dhe marrjen e përgjegjësisë për sigurinë euroatlantike së bashku me aleatët e tyre të Amerikës së Veriut “, tha shefi i NATO-s.

Stoltenberg, i cili do të takojë sekretarin e jashtëm britanik Boris Johnson dhe sekretarin e mbrojtjes, Gavin Williamson, të mërkurën para takimit me kryeministrin dhe më pas do mbajë një fjalim në Shtëpinë e Lancaster të enjten, thotë se SHBA dhe aleatët e saj duhet të ngrenë kokat e tyre nga ndarjet aktuale dhe të njohin nevojën për unitet në një pikë të rrezikshme në historinë botërore.

Ai shkruan: “Është dhe gjithmonë ka qenë në interesin tonë themelor për të qëndruar të bashku në mbrojtje. Dhe kjo është po aq e vërtetë sa kurrë. Sepse ne ballafaqohemi me mjedisin më të paparashikuar të sigurisë në një brez: terrorizmi ndërkombëtar, përhapja e armëve të shkatërrimit në masë, sulmet kibernetike dhe natyrisht, Rusia që ka përdorur forcën kundër fqinjëve të saj, e cila përpiqet të ndërhyjë në punët tona të brendshme dhe që duket se nuk kanë asnjë shqetësim në lidhje me përdorimin e agjentëve nervor ushtarakë në rrugët tona”.

“Arritjet tona krah për krah janë të pashembullta. Pra, për sa kohë që ne qëndrojmë së bashku, edhe nëse rruga po bëhet vërtet e përafërt, ajo gjithmonë do të udhëheqë në drejtimin e duhur: paqen dhe sigurinë për kombet dhe gati 1 miliard qytetarët“, shkruan shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.