Lajm.co

Sulmi më i rëndë në historinë e Egjiptit, 305 viktima

Rritet numri i viktimave pas sulmit terrorist të premten ndaj një xhamie në gadishullin Sinai të Egjiptit, bëjnë të ditur autoritetet egjiptiane. Ushtria egjiptiane kundërpërgjigjet me sulme ajrore

Numri i viktimave në Egjipt pas sulmit terroriste ndaj një xhamie në qytetin Al Arish në gadishullin Sinai ditën e premte (24.11) është rritur në 305 vetë. Mes viktimave gjenden edhe 27 fëmijë, bëri të ditur televizioni shtetëror egjiptian duke u bazuar në të dhënat e prokurorisë.

Terroristët sulmuan fillimisht me bombë dhe pastaj hapën zjarr ndaj xhamisë al Ravda në gadishullin Sinau, në kohën kur besimtarët po luteshin për faljen e së premtes. 128 vetë janë plagosur.

Ky sulm konsiderohet si atentati më i rëndë në historinë e Egjiptit. Presidenca egjiptiane i shpalli tre ditët e ardhshme ditë zie. Ndërkohë aviacioni luftarak egjiptian bombardoi natën e së shtunës pika të terroristëve me armë dhe municione. Në këto sulme u shkatërruan disa automjete, që janë përdorur edhe në sulmin e së premtes, bëjnë të ditur mediat.

Veprime me moton destabilizim për stabilizim

Rezultatet e dobëta në zgjedhjet lokale, frika nga humbja e pushtetit në kohën më të keqe kur pritet të bëhen publike edhe aktakuzat e para nga Gjykata Speciale kanë vënë në funksion strukturat parapolitike që kanë për synim destabilizimin e situatës politike në Kosovë

Rritja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe frika e ardhjes së saj në pushtet ka krijuar panik te disa subjekte politike dhe tek strukturat e krimit të organizuar të të gjitha llojeve. Segmentet parapolitike siç po duket kanë filluar veprimet, ku përmes Lëvizjes Vetëvendosje po synohet që të destabilizohet situate politike dhe pas goditjes së saj dhe eliminimit nga gara për pushtet të krijohet një stabilitet në të cilin do të ndiheshin të qeta sidomos partitë e kriminalizuara dhe segmentet e krimit të organizuar që janë të lidhura me to, duke përfshirë edhe institucionet më vitale të shtetit.

A do të ketë destabilizim të gjendjes politike dhe të sigurisë të shtyra nga veprimet e mundshme të Vetëvendosjes duke e pasur parasysh; Dënimi i katër aktivistëve të Vetëvendosjes; arrestimi i djeshëm i tre deputetëve të Vetëvendosjes; si dhe kontestimi i rezultateve në dy nga komunat ku ka dal fituese sipas rezultateve preliminare kjo parti në zgjedhjet e fundit, janë shenja se situate politike po rrëshqet në një teren të paparashikueshëm me shenja destabilizimi.

Politologu dhe njëri nga njohësit më të mirë të rrjedhave politike në Kosovë Ramush Tahiri, lidhur me situatën aktuale politike dhe rrezikun e një destabilizimi, për portalin Lajm.co, ka bërë një analizë interesante.

Ramush Tahiri: Duket që gjendja në Kosovë përgjithësisht po merr kahje të destabilizimi.

Arësye për këtë janë disa:

Së pari një qeveri r brishtë që nuk i siguron numrat për të mbetur gjallë, që nuk mund të aprovoi asgjë në Kuvend pa bërë kompromise të mëdha me partnerët e koalicionit qeverisës. Qeveria e brishtë shkakton edhe gjendje të brishtë politike dhe të sigurisë.

Mbajtja e zgjedhjeve komunale kaloi më së miri dhe u vlerësua lartë edhe nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga vëzhguesit e monitoruesit. Mirëpo puna e balotazhit, pra raundi i dytë për zgjedhjen e kryetarit të komunave shkaktoi një mish mash të përgjithshëm. U bënë koalicionet nga më të pazakonshmet në nivel lokal, që prodhuan rezultatet më të çuditshme. Nuk u respektuan parimet programore dhe ato ideologjike, nuk u respektue as partneriteti i koalicionit qeverisës. Partitë që mundohen ta përcaktojnë fatin e Kosovës, luftojnë shumë ashpër në nivelin lokal. Në komuna u bënë bashkë pozitë e opozitë, në shumë komuna janë bërë kundërshtarë ata që janë bashkë në Qeveri.

Në Prishtinë në balotazh duke bërë aleancë me dy kandidatët dolën në anët e kundërta AAK dhe AKR, në Rahovec përplasen AAK dhe PDK , në Mitrovicë kundërshtohen AKR dhe PDK e kështu me radhë.
Mund të jetë rastësi, por gjykatat u aktivizuan pikërisht tash dhe dënuan për akte terroriste aktivistët e Vetëvenfosjes, ndërsa tash paraburgosën edhe liderin dhe dy deputetë të Vetëvendosjes edhe pse mandati ishte që vetëm ti sjellin detyrimisht përpara gjyqit ku janë të akuzuar. E tash i bie që një muaj të presin në burgë deri të caktohet seanca e gjyqit të vjetër edhe me akuzën e re për kundërshtim të arrestimit.

Lista Serbe me bllokadën e komunikimit të saj me Presidentin e vendit, i cili duhet të jetë faktorë unifikues dhe neutral karshi partive politike duke e kushtëzuar këtë me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa lista Serbe rrin në Qeveri dhe nuk merr pjesë në grupin punues për hartimin e dokumenteve të Asociacionit. Dihet se kjo është në kompetencë të Qeverisë e jo të Presidentit.

Kosova zyrtarisht po kërkon kufizimin e mandatit të UNMIK -ut dhe të EULEX-it. Kjo për të marr përgjegjësinë dhe për të rrumbullaksuar sovranitetin dhe subjektivitetin si shtet. Ndërsa tash e kemi dorëheqjen e kreut të gjyqtarëve dhe deklaratën e tij se ky mision është politik dhe jo profesional dhe se ka korrupsion dhe keqpërdorime të rënda që e vënë në pikëpyetje kredibilitetin e misionit dhe angazhimin ndërkombëtar.

Kosovarët janë i vetmi popull pa lirinë e lëvizjes në Evropë. Mbetën pa këtë të drejtë me gjithë angazhimin e misionit më të madh ndërkombëtar në përmbushjen e standardeve. Kosova mbeti prapa Serbisë që e ka në pushtet partinë e Millosheviqit, por mbetën edhe prapa Ukrainës që është në luftë dhe që nuk ka kontroll efektiv të territorit të sajë. E gjithë kjo po shkakton frustrim dhe pakënaqësi të madhe te qytetarët që mjafton një shkas pa shkas, që të shpërthej pakënaqësia dhe situate të jetë e pakontrolluar.

Gjykata Speciale për krimet e pretenduara të UÇK-së, ishte miratuar në Kuvend të Kosovës pothuaj unanimisht. Tash dikujt i ra ndërmend se kjo qenka e padrejtë se qenka e njëanshme se qenka një etnike dhe se qenka segregative, sepse nuk po i gjykoka të gjitha krimet gjatë luftës në Kosovë, por vetëm krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu tash po kërkojnë të ndryshohet emri e fushëveprimi e objekti por duket kjo është vonë. Mirëpo kjo mund të nxisë tensione kur të ngritën aktakuzat e para dhe kur komandantët e UÇK-së të dërgohen në burg.

Edhe gjendja ekonomike nuk është e mirë me gjithë rritjen e shënuar statistikore në stilin dikush ha mish e dikush ha lakra e mesatarja po na del se të gjithë hamë mish e lakra. Papunësia është më e lartë se kurrë, investime të huaja pothuajse nuk ka fare, privatizimi i dështuar e jo në funksion të zhvillimit, por në funksion të kleptomanëve të mbushjes së xhepave të një grupi njerëzish, të krijimit të shtresës së pasanikëve të rinjë në një anë dhe të popullit të varfëruar në anën tjetër. Ky fakt është shkaktarë i krizave kudo në botë dhe i krijimit të masës kritike të përshtatshme për tu manipuluar.

Pra gjendja në Kosovë po rëndohet nga një serë faktorësh, që nuk mund të mbahen nën kontrroll dhe situate mund të ashpërsohet me mospranimin e rezultateve përfundimtare për zgjedhjen e kryetarëve të komunave.
Këtu në këtë çështje të gjithë janë kundër të gjithëve dhe të gjithë janë kundër njëri tjetrit. Pra një anarki që tentohet të kontrollohet përmes siç thuhet destabilizim për stabilizim, ka thënë në fund Tahiri. /lajm.co

Kryeministri Haradinaj takohet me biznesmenë nga diaspora

Kryeministri Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, të udhëhequr nga kryetari Nazar Mehmeti, dhe kryetari i nderit, Lazim Destani, si dhe përfaqësues të tjerë të bizneseve nga diaspora të cilët e përgëzuan atë për përgjegjësitë e reja

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj i ka përgëzuar përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës për kontributin e tyre dhënë Kosovës në të gjitha periudhat.

Kryeministri Haradinaj, theksoi përkushtimin e qeverisë për krijimin e lehtësirave fiskale për të gjithë investitorë nga diaspora që dëshirojnë të sjellin investimet e tyre në Kosovë, duke thënë se Qeveria do të jetë partnere në punën e tyre dhe në të gjitha sfidat e përbashkëta, si në rend dhe ligj dhe luftën kundër korrupsionit.

Ndërkaq, kryetari i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Nazar Mehmeti falënderoi kryeministri Haradinaj për pritje, duke shprehur përkushtimin e tyre që maksimalisht të angazhohen në zhvillimin ekonomik të vendit.

Po ashtu, Mehmeti tha se diaspora shqiptare si gjithherë është e gatshme të ndihmojë shtetin e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimeve euro atlantike.

Albin Kurti, model për çdo shqiptar

Nga Alban DACI

E kam zili Kosoven qe arreston deputete. E kam zili Kosoven qe Limaj gjykohet e po ashtu shpallet i pafajshem. Sikur te shkonte ndonje politikane shqiptare qofte edhe vetem pese minuta ne gjykate do te ishte nje revolucion per Shqiperi. Ligji nuk njeh superior dhe inferior. Nese ai shkelet te gjithe jane te barabarte. Analizat e tjera per rastin e Kurtit, jane te natyres politike si pro ashtu edhe kunder.

Forca e nje lideri eshte te thyej ligjet ne fuqi nese ato i konsideron pengese per te bere ndryshime politike. Nje lider i madh i thyen ligjet dhe eshte i vetedijshem qe te bej edhe burg e te mos ndalet ne rrugetimin e tij politik. Kurti i dine keto dhe i ka zgjedhur si rruge per te shkuar drejt suksesit te tij politike apo per te ndryshuar establishmentin qe ai e shikon si nje pengese per nje rend te ri social. Ndonjehere rruget e ashpera dhe pa kompromis nuk jane nje sukses per liderin politik qe i zgjedhe, por u sherbejne kauzave dhe sjellin rezultate konkrete sociale, politike, demokratike dhe ekonomike sa do me vonese ne kohe.

Te gjithe e dini historine e Mandeles, luftoje gjithe jeten per te rrezuar “Aparteid”, sakrifikoje jeten e tij per kete kauze dhe ne fund ja doli duke arritur ate qe kerkonte. Mandati i tij si President ne fund te jetes nuk eshte nje shperblim pushteti per jeten e tij te harxhuar ne burg, por nje simbolike dhe mirenjohje per te gjitha betejat e bera.

Disa lidere te tjere qe zgjedhin rrugen e kundervenies se establishmentit pa kompromis, perfundojne edhe me keq, sepse zakonisht humbim jeten dhe behen hero pa shijuar ndryshimet e kerkuar.
Keshtu ishte Lutherking, i cili organizoi ndryshimet e medha sociale per barazi sociale, por u vra dhe nuk ishte deshmitar i arritjes se asaj qe luftoi e kerkoi. Me gjitha “Endra e tij” u realizua e sot te “bardhe” e te “zi”, jetojne se bashku, udhetojne se bashku, luftojne se bashku, martohen se bashku, dashurohen se bashku dhe qeverisin se bashku per te miren e e perbashket.

Nje lider tjeter qe luftoi gjithe jeten e tij per Pavarasine e Kosoves, por pak para se te ndodhte hymbi jeten, ky eshte Rugova. Jeta ndonjehere nuk eshte ne doren e individit, por deshira dhe forca per te zgjedhur menyren dhe stilin e jetes eshte krejtesisht ne doren e tij. E dini pse nuk me vjen keq per Kurtin? Sepse, ai eshte nje lider i vetedijshem per zgjedhjen qe ka bere dhe per menyren e rruges qe ka ndjekur. Ndonjehere jane rrethanat qe e diktojne rrugen e perspektiven dhe fatin e nje lideri e shume here te tjera jane zgjedhjet e vete liderin qe percaktojne te ardhmen e tij.

Modeli i pare i liderit eshte per ata qe jane guximtare qe sfidojne hapur modelet dhe rrethanat e nuk kane frike per fundin e tyre si individe, por shqetesohen me shume per fundin e ideve te tyre per modelet sociale e politike qe mendojne. Kurti e nisi karrieren e tij ri revolte per drejtesi duke u zene me policet serbe, duke u arrestuar, duke u denuar e duke vuajtur.

Ndersa modeli i dyte eshte per lideret frikacake e dredharake qe nuk ecin mbi idete, pasionet dhe emocionet, por mbi bazen e llogarive te mekanizmave te pushtetit. Kurti eshte tashme pas dyshim lideri historik i shekullit te ri te Kosoves, shpresoje qe ai te jetoje deri ne fund per te gezuar realizimin e ideve te tij e po ashtu shpresoj e uroj qe nje dite ashtu si Mandela te marr edhe ai pushtetin si vleresim nderi dhe mirenjohje per sakrificat e bera.

Them nderi, sepse Kurtin shumicen e jetes e ka kaluar ne burg, me policet e burgut, me pranga ne dore apo duke luftuar kunder padrejtesive mes njerezve te thjeshte, te atyre njerezve qe jane aq shume te shtypur sa edhe endrra ndoshta nuk kane me.

Kurti per guximin, forcen dhe vendosmerine duhet te jete nje model per shume shqiptare kudo ku jetojne.
Nese shqiptaret nuk rrezojne muret qe i rrethojne ne vendet ku jetojne, ato do te jetojne jashte ne ajrin e paster, por be kushtet e njer burgimi, te shtypur, poshteruar e pa te drejta./ CityNews

Gjykata Supreme: Nuk ka rinumërim të votave në Prishtinë e Prizren

Gjykata Supreme e Kosovës e ka pranuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me vendimin e PZAP-së për rinumërim të votave në Komunën e Prizrenit, kërkesë kjo e bërë nga Partia Demokratike e Kosovës si dhe atë për Komunën e Prishtinës, për të cilën kishte kërkuar Lidhja Demokratike e Kosovës të bëhej rinumërimi i votave

Sipas vendimit të Gjykatës Supreme, janë pranuara si të bazuara ankesat e VV-së duke anuluar kështu vendimit e PZAP-it.

“Pranohet si e bazuar ankesa e subjektit politik, Lëvizja Vetëvendosje me seli në Prishtinë, dega në Komunën e Prizrenit, si dhe ndryshohet vendimi i Panelit zgjedhor për ankesa dhe parashtresa, datë 22.11.2017 vetëm sa i përket vendimi marrjes përkitazi me ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës, ashtu që refuzohet si e pabazuar ankesa e PDK-së, nr.1108 datë 20.11.2017 me të cilën është kërkuar rinumërimi i të gjitha votave për kryetar komunë, në vendvotime në Komunën e Prizrenit” thuhet në vendimin e gjykatës.

Vllahiu thotë se Haradinaj e kreu detyrimin kushtetues, me njoftimin e ambasadorëve rreth demarkacionit

Qëndrimet e kundërta rreth demarkacionit kanë shkaktuar edhe përplasje rreth kompetencave në fushën e politikës së jashtme në mes të presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj

Zyra e Presidencës ka deklaruar se do të kërkojë llogari nga kryeministri Ramush Haradinaj, pasi ky i fundit ua ka imponuar shefave të misioneve diplomatike të Kosovës që qëndrimin e tij për demarkacionin ta prezantojnë si qëndrim zyrtar.

Bekim Çollaku, shef i stafit të presidentit, ka thënë se se do të kërkohen sqarime nga kryeministri.
Por, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë për gazetën Insajderi se kryeministri Ramush Haradinaj vetëm po kryen detyrimet e tij kushtetuese.

Arbër Vllahiu, zëdhënës i Qeverisë ka thënë se kryeministri Haradinaj, bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore e kushtetuese dhe njëkohësisht edhe në sigurimin e një prezantimi unik në fushën e politikës së jashtme nga përfaqësuesit diplomatik të Kosovës, ka adresuar çështjen e demarkacionit dhe njoftimit te misioneve diplomatike për qëndrimin mbi këtë çështje.

“Mbi të gjitha qëndrimin për demarkacionin, kryeministri e ka bërë të qartë edhe në adresimin e tij në Këshillin e Stabilizim Asociimit në takimin e dytë në Bruksel javën e kaluar”, ka thënë Vllahiu për Insajderin.

Sipas tij, të gjithë akterët e brendshëm dhe të jashtëm, përfshirë edhe të gjitha institucinet e vendit, janë të njohura me qëndrimin e kryeminstrit Haradinaj për demarkacionin dhe me aktin e shkarkimit dhe të emërimit të komisionit të ri.

Ndërsa, Bekim Çollaku ka theksuar se është normale që Qeveria e edhe kryeministri të japin udhëzime apo rekomandime për ambasadorët, në lidhje me ndonjë çështje të caktuar, por ka thënë se çdo qëndrim apo rekomandim i tillë që ndërlidhet me politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, duhet patjetër të bëhet në konsultim dhe koordinim me presidentin. Ai ka thënë se kështu e përcakton Kushtetuta e Kosovës.

Ndryshe përmes Avni Arifit, shefit të tij të kabinetit, kryeministri Haradinaj u ka kërkuar diplomatëve t’i transmetojnë qëndrimet e reja për demarkacionin në takimet me diplomatët ku ata veprojnë.

Arifi në një korrespodencë me Ministrinë e Punëve të Jashtme, dërgon udhëzimet që duhet t’ua shpërndajnë përfaqësuesve diplomatikë në botë.

Lirohen Albin Kurti, Donika Kadaj e Albulena Haxhiu

Tre deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu janë liruar nga paraburgimi

Raportohet se për të tre deputetët është vendosur masa e sigurisë me arrest shtëpiak. Lirimin e parakohshëm e kishte paralajmëruar edhe avokati Tomë Gashi.

“Masa e paraburgimit për tre deputet të Lëvizjes Vetëvendosje në afat prej një muaj, por ky është afati maksimal siç e parasheh ligji, në asnjë mënyrë nuk do të thotë që ai të qëndrojë në paraburgim për një muaj, por sigurisht që kryetari i trupit gjykues sa më shpejt do ta caktojë seancën për të cilën është duke u mbajt gjykimi lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës”, tha Gashi.

Një familje shqiptare në Novi Pazar

Në qytetin e vogël të Novi Pazarit gjen mjaft familje shqiptare. Megjithëse identiteti i tyre ka ndryshuar në kohë, kujtesa e të qenit shqiptar nuk është shuar

Të njohur historikisht për zanatet e punimit të arit dhe argjendit nuk është çudi që në qytetin e vogël të Novi Pazarit, aktualisht me më pak se 100 mijë banorë të gjesh një rrugë të tërë me dyqane aksesorësh të çmuar, ku rruga e pamirëmbajtur bën kontrast me luksin e vitrinave.

Në dyqanin “Smaragd” (Smerald) pronari Redzep Škrijelj thotë se këto kohë krize ekonomike nuk janë aq të mira për stolitë. Megjithëse hyrje-daljet e njerëzve dhe interesimi për unaza, varëse, vathë e byzylykë tregon se vendasit kanë uri për objektet e metaleve të çmuara.

“Mbiemrin e kam Shkreli”

Škrijelj, profesor në Historinë Orientale në Universitetin e Novi Pazar, thotë se ky lloj biznesi është edhe pasioni i tij. Duke folur shqip dhe maqedonisht, pasi mëson kombësitë tona, ai rrëfen se familja e tij prej Peshterit, një fshat malor në rajonin e Rashkës, e kanë origjinën shqiptare.

Kthehet duke treguar një fotografi të varur në murin e dyqanit ku një malësor me qeleshe kullot bagëtitë. “Unë mbiemrin e kam Shkreli dhe familja ka emigruar prej Koplikut” –zbulon Škrijelj. Pasi u vendosën në rajonin e Rashkës, familja e tij u nis të emigronte drejt Turqisë. Me shpresën se mund të merrnin një vizë në Shkup, mbetën aty për vite. “Unë shkollën fillore, të mesmen dhe univertitetin e kam kry’ në Shkup”, zbulon historiani, ndërsa shton se zanatin e punimit të arit dhe argjendit e mësoi në Shkup. Më pas familja vendosi të kthehej edhe njëherë në Novi Pazar, ku bashkë me të vëllain Nexhibin zotërojnë dy dyqane stolish.

Në Prizren kam mësuar si punohet

Disa prej aksesorëve janë të punuara me dorë prej tij. “Por jo të gjithë janë punime dore, pasi pak interesohen për to”, thotë, ndërsa shpjegon procesin e punimit të stolive me shtampa të gatshme, por të gjitha të prodhuara në qytet.

Prej banakut, të mbështjellë në cohëra të kadifenjta nxjerr disa stoli me motive të vjetra, punuar me filigran. “Këto janë të gjyshes. Sot zor se gjen ndokënd që i prodhon. Asht’ shum’ v’shtir. Ama Tirana, Shkodra dhe Prizreni jan’ njoft për filigranin. N’Prizren kam msue’ shumë si punohet” , thotë Škrijelj, ndërsa tregon se bashkëshorten e ka marrë prej Prizrenit. “Por nuk e flet gjuha shqipe, flet gjuha turke”.

Të parët ….pasi lanë Shqipërinë u martuan me gra boshnjake

Thotë se në familjen e tij kanë folur shqip dhe kur e pyesin ai thotë se ndihet nëntëdhjetë përqind shqiptar dhe dhjetë përqind boshnjak, pasi shpjegon sesi të parët e tij pasi lanë Shqipërinë u martuan me gra boshnjake. Pasi të ketë mbyllur dyqanin në rrugën e stolive, thotë se do të merret me organizimin e një eventi të rëndësishëm për të gjithë boshnjakët.

“Sot me 20 të nandorit asht’ dita e Sanxhakut dhe asht’ shumë me randsi. Sot do të kemi nji kremtim, kurse nesër asht’ nji mbramje kushtu’ poezisë boshnjake” , thotë Škrijelj, duke zbuluar se është edhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve në Novi Pazar. “Ka shumë shqiptar’t mes boshnjakve. Ngaqë kanë harru’ gjuhën janë deklaru’ si boshnjakë”, rrëfen profesori ndërsa bën një rrugëtim në histori, duke përfunduar se gjuha është një element i rëndësishëm në ruajtjen e identitetit.

/Gazetarja Suadela Balliu e shkroi këtë reportazh gjatë vizitvs në Novi Pazar në kuadër të projektit të Deutsche Welles, Balkan Booster.

Serbia përfiton miliona euro në vit nga energjia e Kosovës

Kosova humb miliona euro në vit për shkak të moszbatimit të marrëveshjes për energjinë, të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, me lehtësimin e Bashkimit Evropian

E njëjta marrëveshje ishte konfirmuar më pas nga të dy kryeministrat, i Kosovës dhe ai Serbisë, në gusht të vitit 2015, kur kishin rinegociuar dhe ishin dakorduar për zbatimin e saj.

Si rezultat i moszbatimit të marrëveshjes, Zana Bajrami-Rama, zyrtare në Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), thotë se Kosova humb rreth 10 milionë euro në vit.

“Operatori i Sistemit të Serbisë (“Elektro Mreza Srbije”- EMS) vazhdon që të mbledhë të hyrat e alokimit të kapaciteteve për linjat kufitare të Kosovës me shtetet fqinje”.

“Vetëm nga janari e deri në tetor të këtij viti, vlerësohet që operatori serb EMS, ka përfituar nga alokimi i kapaciteteve të linjave kufitare të Kosovës me shtetet fqinje dhe nga kongjestionet, mbi 9.5 milionë euro. Për çdo vit ka përfitime nga të hyrat nga alokimi i kapaciteteve”, thotë Rama për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se humbjet nga bllokada e Serbisë, arrijnë mbi 17 milionë euro, përfshirë këtu edhe humbjet nga mosfunksionalizimi i Linjës së Interkoneksionit Kosovë – Shqipëri, e cila është gati, por nuk ka mundur të aktivizohet për shkak të bllokadës që i ka shkaktuar Serbia.

“Janë nga 10 deri në 15 milionë euro në vit, pa përfshirë edhe transmisionin me Shqipërinë, i cili nuk është futur në funksion pikërisht për këtë arsye. Pra, në përgjithësi janë mbi 17 milionë euro, që Serbia i inkason në emër të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2018”, thotë Lluka.

Ministri Lluka shton se Qeveria e Kosovës do të kërkojë kompensimin e këtyre mjeteve gjatë negociatave të ardhshme që do zhvillohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Në të kundërtën, thotë ai, këtë problem do ta paraqesin edhe në Arbitrazh.

“Derisa kontrata është e nënshkruar nga pala serbe dhe Kosova, atëherë është obligim që të respektohet, prandaj Serbia e ka obligim dhe duhet t’i kompensojë këto humbje në çfarëdo forme, qoftë përmes arbitrazhit, apo qoftë përmes negociatave”, vlerëson Lluka.

Edhe në marrëveshjen e vitit 2013, thuhet se nëse nuk do të jetë e mundur të arrihet një zgjidhje e përbashkët brenda 6 muajve, të dyja palët bien dakord t’i paraqesin këto pretendime para arbitrazhit ndërkombëtar.

Ndryshe, gjatë negociatave Kosovë – Serbi është përcaktuar që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Serbisë ( EMS) të fillojnë operimin si dy zona rregulluese të pavarura në përputhje me kërkesat e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike.

Po ashtu, ishte nënshkruar edhe Marrëveshja për Kyçje të Sistemit Energjetik të Kosovës në Zonën Sinkrone të Evropës Kontinentale.

Në bazë kësaj marrëveshjeje, thuhet se pavarësimi i KOSTT-it lejohet pas krijimit të një kompanie të re, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë me energji elektrike konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe, dhe do të jetë në gjendje të blejë dhe të shesë energji në tregun e hapur.

Por, kjo kompani ende nuk është regjistruar dhe licencuar në institucionet kompetente të Kosovës, thotë Zana Bajrami- Rama, çka po e pamundëson zbatimin e marrëveshjes.

“Pavarësisht që KOSTT-i i ka plotësuar të gjitha parakushtet teknike dhe operative në pajtim me kërkesat e Rrjetit Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO-E) për të funksionuar si zonë rregulluese në bazë të Marrëveshjes për kyçje, kjo marrëveshje ende nuk ka hyrë në fuqi për shkak të obstruksioneve të vazhdueshme të Serbisë në implementimin e obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për Energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thekson Bajrami Rama.

Ndryshe, çështja e energjisë është aktualizuar pas vendimit të Gjykatës së Apelit, me të cilin kërkohet të ndërpritet faturimi i energjisë së shpenzuar nga konsumatorët e komunave veriore, konsumatorëve të rajoneve tjera të Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, thuhet se qytetarët e këtyre pjesëve kanë shpenzuar 8 milionë euro në vit, kurse këtë vlerë e kanë paguar konsumatorët e pjesëve tjera të Kosovës.

Edhe për këtë problem, Qeveria e Kosovës, pretendon që në negociatat e ardhshme me Qeverinë e Serbisë në Bruksel, të kërkojë kompensimin e mjeteve materiale nga faturat e shpenzuara të energjisë elektrike.

Shqiptari që vrau rusin në New York, pasi i’a grisi flamurin kuq e zi

Një nga figurat e shquara atdhetare, që “e qëndisi” dhe e nderoi trimërisht flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrenare është edhe i njohuri i Diasporës, Ahmet Zherka. Trimi Ahmet Zherka e “qëndisi” me shtatë plumba në ballë shkelësin e pështirë të flamurit kombëtar, në ato ditë gushti të vitit 1975 mu në zemrën e Nju Jorkut, ne Manhatanin magjik. Ahmet Zherka u bë kështu një Avni Rustem i Nju Jorkut

Një nga këta figura të shquara atdhetare, që “e qëndisi” dhe e nderoi trimërisht flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrenare është edhe i njohuri i Diasporës, Ahmet Zherka. Trimi Ahmet Zherka e “qëndisi” me shtatë plumba në ballë shkelësin e pështirë të flamurit kombëtar, në ato ditë gushti 1975 mu në zemrën e Nju Jorkut, ne Manhatanin magjik. Ahmet Zherka u bë kështu një Avni Rustem i Nju Jorkut.

Është vështirë, tepër e vështirë që në kufijt e nje shkrimi gazete te ndriçohet gjithë drama e atij akti të rrallë, guximi dhe atdhedashuria e një njeriu që linte pas bashkëshorten me 7 fëmijë të vegjël.
Tung Baca Ahmet ! (forma e shkurtër e përshëndettjes shqiptare ‘tungjatjeta’) e përshëndesin me nderim, dashamirës dhe miq, atdhetarin e shquar Ahmet Zherkën; i njohur edhe si “njeriu i flamurit”
Ahmet Zherkën e kanë lindur Alpet shqiptare, aty ai u shoqërizua me shkreptimat gjëmëmëdha dhe rrufete tronditëse. Në shtëpinë e te parëve të vet dëgjoi këngët e trimërisë dhe bujarisë. Veçanërsisht i kishte bërë përshtypje dhe e kendonte shpesh këngën për “trimin e trimave” Gjergj Elez Alinë; i ishin skalitur fort në mendje veçanërisht vargjet:

Pak pa mrrijtë, baloz, ti m’ke dredhue:
M’ke lypë motrën para se mejdanin;
M’ke lypë berret para se çobanin,
E jam dredhë n’ket log për me t’kallxue,
Se ne të parët nji kanu na kanë lanë:
Armët me dhanë përpara e mandej gjanë!

Pas burgosjes se të atit nga regjimi komunist në Shqipëri, familjarisht shpërngulet ne Ferizaj, në Kosovë. Pushtimi serb, ndjekja dhe persekupimi i shqiptarëve nga policia sekrete e Tito-Rankoviçit, shkelja e çdo te drejta njerëzore dhe kombëtare nga regjimi sllavo-komunist jugoslav, ngjallën tek i riu Ahmet Zherka ndjenjën e fuqishme të urrejtjes dhe nxiten veprimtari kundërshtimi “ndaj sllavëve të Karpateve”, siç i cilëson ata në shkrimet e veta, serbët pushtues. Ne shoqërinë e nxënësve te shkollës ai dallohej për guxim, deshirë të fortë për veprimtari konkrete ndaj policisë dhe oficerëve serbë.

Një dite, ndersa luante futboll në nje fushë te vogël, degjon një britmë dhe zhurmë jo larg fushës, nuk ecën, por vërvitet drejt ngjarjes. Merr vesh se disa ushtarake serbë kishin nëpërkëmbur nje grua plakë shqiptare ne mënyrë vulgare; sulet ndaj tyre me grushta dhe shqelma, madje njerit prej tyre i shkul edhe një vesh.
Në Ferizaj, ai vihet nën ndjekjen e policisë dhe sherbimit sekret serb për aktivitetitn e vet antiserb, prandaj detyrohet te arratiset dhe të strehohet në disa të njohur te shqiptarët e Malit të Zi. Po edhe ketu nuk e ndërpret veprimtarinë atdhetare. Vazhdon të ndiqet nga policia serbo-malazeze, prandaj largohet për në Itali… Qëndron pak muaj në një kamp për emigrantët dhe në maj të vitit 1968 vendoset familjarisht ne Amerikë.

Në “Amerikën e bukur”, në vendin e demokracisë dhe të lirisë gjen shtratin e ngrohtë dhe më të mirë për jetesën dhe veprimtarinë atdhetare. Krahas punës së përditëshme, me orë edhe të zgjatura, që të mbante familjen, i kushtohet me te gjitha forcat e shpirtit dhe mendjes veprimtarisë atdhetare për Kosovën dhe Shqipërine. Mirrte pjesë në demonstrata, madje shpesh sillte edhe fëmijtë, se ahere, kujton ai, pak afroheshin në këto veprimtari. Bashkëpunon me kroatët kundër shtypjes dhe okupimit serbo-jugosllav. Po çdo ditë radhët me shqiptarë shtohesh më shumë.

Familja e Ahmet Zherkësh ishte arratisur në Kosovë nga Bytyçi i Tropojës pas LDB. Ahmeti kishte mbaruar shkollën normale në Ferizaj (siç quhej atëherë shkolla e mesme, që kualifikonte mësuesit). Në Nju Jork ishte afirmuar si patriot trim, meqë i kishte ndodhur fatkeqësia që e kishte afirmuar. Ai kishte vrarë punëdhënësin e tij ruso-amerikan. Shkak kishte qenë vizita që i kishte bërë ai Ahmetit në zyrë të punës. Me atë rast punëdhënësi ruso-amerikan ia kishte grisur flamurin kombëtar shqiptar, të cilin Ahmeti e mbante mbi tavolinë të punës. Flamurin e kishte sharë mbi baza nacionaliste e shoviniste. I ofenduar rëndë, Ahmeti e vret. Dënimi kishte qenë i butë për shkak të motivit e rrethanave të vrasjes.
Punonte, djersiste, shkruante dhe mirrte pjesë ne tubime atdhetarësh. Në qendrën e vet të punës kishte një ndarje ku xhvishte e vishte rrobat e punes, pushonte ose hante drekën. Aty mbante pak libra shqip, një fotografi të Skënderbeut dhe kishte varur një flamur kombëtar.

Ishin kohë të vështira dhe njeriu duhej te vetëmbrohej, tërhoqi derën e “zyrës” dhe u ngjit ne katin e dyte, ku kishte zyrën Smithi. Trokiti në derë dhe hyri. Smithi me nje buzëqeshje nervoze e pyeti pse kishte ardhur. Ahmet Zherka i tha me nje ton te qetë dhe qartë: ”Kam ardhur, zoti Smith, që të zbatoj vullnetin e popullit tim, të mbroj nderin e flamurin e përdhunuar nga ju…!” Ndërsa Smithi u përpoq të fitonte kohë, Ahmeti, si njeri qe vinte nga zona e barutit, nxori naganten dhe me nje saktesi të plotë i zbrazi në ballë dhe në krahorin e majtë 6 plumba atij shkelësi arogant të flamurit kombëtar shqiptar.
Doli në rrugë, u ul në një anë të saj dhe po pinte duahnin fundit në liri. Ndihej i qete, thelle në gjithë qenien e vet njerëzore, ndjente se ne rolin e ushtarit te thjeshte kishte plotësuar urdhërin e shenjte të Atdheut, te kombit vet.

Zgjati dorën para një mikrobusi të policisë. Ne fillim ata nuk po kuptonin gjë. Po kur dy oficere u afruan. Ahmet Zherka, me ate anglishten e ngadalshme u tha: ”Unë kam…” Pambaruar pjesen e dyte të foljes. E puthi në grykë naganten e tij, dhe ua zgjati ate me gryke nga vetvetja oficerëve të policisë, që u ngurtësua para tij. U zgjati të dyja duart për ta lidhur dhe, si e hypen ne furgonin e tyre, e shpune ne stacionin e policisë.

Më vonë në shënimet e vetë, oficeri i policise së Nju Jorkut, Skot M. shkruan se “Kam mbi 25 vjet ne shërbim… Kam pasur raste te ndryshme e tepër te vështira… Po ky rast është tepër i veçantë…”
U bënë hetimet e para dhe u mësua motivi i ngjarjes nga vete i ndaluari. Ai, Ahmet Zherka, kujton Skot M. përsëriste vazhdimisht 4 fjalë: ”Soldier, fatherland, order, flag”, që më vonë u deshifruan qarte “Jam një ushtar i theshtë i atdheut tim dhe zbatova urdhërin e tij, që të mbroj edhe me jetën nderin e kombin, flamurin kombëtar!”

Pas dite, vone, si kishin përfunduar hetimet e para, Ahmet Zherkës iu lejua te fliste në telefon me bashkëshorten e vet, Shpresën
– Ahmeti: Shpresa, si janë fëmijtë ?
– Ahmet, pse u vonove ? Kur do të vish ? Fëmijte të presin ! U dëgjua zëri plot ankth i Shpresës, që ende nuk dinte se çfarë kishte ndodhur.
– Jo, jo Shpresë nuk do të vijë … Ndofta …Kurrë …Kujdes fëmijtë!.
Dhe komunikimi telefonik ndërpre.
Lajmi u përhap brenda ditës në shqiptarët e Nju Jorkut. Miq, të njohur vraponin tek njeri-tjetrin, donin te dinin hollësi, kerkonin veprim.
U krijua një grup për të mbledhur fonde për gjyqin. Letra dhe telegrame iu drejtuan gjykatës së Nju Jorkut për lirim e me njehershëm të “njeriut të flamurit”.

Pas disa muajsh hetimi filloi proçesi i gjykimit. Atë dite, kujton nje dëshmimtar i ngjarjes, me dhjetra e dhjetra shqiptarë, me plisa të bardhë në kokë, mbushën oborrin e gjykatës. Kishte edhe pankarta të tilla: “Të lirohet menjëherë! Ahmet Zherka mbrojti nderin kombëtar! Rroftë flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenare!”
Gjyqi ne fazën e parë e dënoi me disa vjet heqje lirie. Por për qëndrimin e tij shembullor në kohën e dënimit dhe për cilësite e larta morale dhe qytetëruese ne mjediset e ndalimit, ky ndalim u kthye në një dënim me punë korrektuese.
Ai u liriua pas pak kohe. U prit me nderim dhe u rrethua me respekt nga Diaspora mbarë. Ai tashmë ishte bërë tribun i Diasporës. Ahmet Zherka filloi të shkruante një faqe tjetër të re të veprimtarisë atdhetare. Shquhej në organizimin e demonstratave kundër pushtimit të egër serb në Kosovë, mirrte pjese me shkrime dhe debatonte për fatet e kombit të vet. Por kjo është një histori tjetër dhe e gjatë.
Erdhi i ri, por me zjarrin e dashurisë për çështen kombëtare dhe me përvojën e një veprimtarie e përpjekjeve kundër dhunës serbe ne Kosovë. Erdhi si ushtar i thjeshte, por në një veprimtari dhe punë të gjatë atdhetare dhe me shkrime, por edhe me guximin e Çerçiz Topullit. të Avni Rushtemit, të Vasil Laçit, atentatorit te mbretit shkurtabiq të Italisë, Viktor Emanuel i III, me aktin e vet te gushtiut 1975, e bën tribun të lëvizjes atdhetare në Diasporë.

I qetë, i heshtur si Alpet Shqiptare nga erdhi; i urtë dhe plot hijeshi në sjelljen e vet burrërrore, i thjeshtë dhe fjalë pak, por me shkreptima rrufesh në shikim e tij; ai nuk kërkoi as lavdi, as emër, as njohje, por ndërkaq Ahmet Zherka fitoi adhurimin, dashurinë dhe nderimin e gjithë shqiptarëve qe njohin e kudo që janë, ai meritoi emrin e bukur-simbol, “Njeriu i Flamurit.”/Info shqip