Lajm.co

Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesen e Vetëvendosjes lidhur me Demarkacionin

Gjykata Kushtetuese ka vendosur se Ligji për Ratifikimin e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës

Në një vendim të publikuar sot, Gjykata Kushtetuese ka thënë se procedurat e ndjekura për miratimin e Ligjit për Ratifikimin e Kufirit Shtetëror me Malin e Zi kanë qenë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, raporton Insajderi.

Këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese e kanë parashtruar 12 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje një muaj më parë. Ata pretendonin se në procesin e Miratimit të Ligjit për Demarkacionin janë gjetur shkelje anti- kushtetuese.

“[Gjykata Kushtetuese vendosi, v.j] TË DEKLAROJË njëzeri se procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit nr. 06/L-060 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi është në pajtim me Kushtetutën”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“TË DEKLAROJË njëzëri se Ligji nr. 06/L-060 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit te Zi nuk është në kundërshtim me Kushtetutën”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Vendi i shenjtë i shqiptarëve, i lënë në harresë (video)

Fshati Frashëri për herë të parë përmendet në regjistrin osman, në vitin 1431-1432, si vendbanim i vogël me 12 shtëpi. Në mesin e shekullit XIX numërohen 150 shtëpi, ndërsa në fillimet e shekullit XX-të shënohen 550. Ky fshat u bë vatër atdhetare, me vëllezërit Frashëri, të cilët e konsideronin këtë vend për të shenjtë

Frashëri dikur ka qenë një qendër e rëndësishme ku lindën vëllezërit Frashëri. Sot është në kufijtë e mbijetesës, apo më mirë të thuhet: po shuhet! Si po shuhet Frashëri? Çfarë ka mbetur pas dhe përse askush nuk do t’ia dijë më për këtë vend? Si humbi Frashëri shkëlqimin e dikurshëm dhe cilat janë gjurmët që kanë mbetur pas?

Për më shumë, shikojeni dokumentarin e Marin Memës, për një vend të rëndësishëm për historinë e shqiptarëve. /Top Channel/

Gazeta ”Kurir”: Mafia shqiptare pastron paratë, një grup vëllezërish kontrollojnë futbollin serb

Gazeta serbe Kurir ka paralajmëruar një seri të shkrimeve përmes të cilave pretendon se do të zbulojë një skandal në futbollin serb, ku pretendohet se një grup i organizuar kriminal shqiptarësh të udhëhequr nga vëllezërit Osmani, ka kryer aktivitete ilegale duke përfshirë edhe transferimin e lojtarëve

Hetimi thuhet se është pjesë bashkëpunimit më shërbimin sekret të një vendi Perëndimor. “Mafia shqiptare paratë e pista të fituara nga tregtia me drogë dhe armatim, por nga transferimi i lojtarëve serbë, ‘i pastron’ paratë në Serbi, ndërsa një pjesë të madhe të këtyre parave e përdorë për ndarjen e shtetit”, shkruan në paralajmërimin e Kurir.

Kjo gazetë ka paralajmëruar një seri të shkrimeve të titulluar “Mafia e Futbollit”, ndërsa pretendon se “do të zbulojë se si organizata kriminale e shqiptarëve e udhëhequr nga klani Osmani, kontrollon shumicën e ndodhive në futbollin serb, “në ç’mënyrë kanë marrë një pjesë të udhëheqjes në klubet tona më të mëdha, e poashtu kontrollojnë transferimet e futbollistëve dhe realizojnë fitime milionëshe”.

Në ditët në vazhdim, Kurir paralajmëron që do të zbulojë se si funksionon “grupi kriminal shqiptar, mënyrën si i kontrollon transferimet në futboll, me cilat shërbime të huaja po punohet ngushtë, cili klub serb përdoret për pastrimin e parave të mafias, përmes cilëve menaxherë kanë hyrë në tregun serb…”. Sipas artikullit, shërbimet sekrete serbe dyshojnë se lidhja me futbollin serb është agjenti shqiptar që jeton në Beograd, Fali Ramadani.

Pse të rinjtë e Gjilanit i shohin ëndërr disa pleq në Stuttgart?

Shënime krejt personale për vizitat në «mëmëdhe» dhe për një gjeneratë të re, e cila ëndërron të punojë në azil pleqsh në Gjermani

Nga Vjosa MUSLIU

«Mos ju paça borxh qysh po vini kaq shpesh», më drejtohet një taksist gjatë vizitës në Kosovë dhe në të njëjtën kohë, pa ditur asgjë për mua e as për jetën time më falënderon për kontributin financiar dhe ardhjet e kohëpaskohshme. Në këto katërmbëdhjetë vite vajtje-ardhje, gjithnjë e më shumë më bën përshtypje sa shumë ka ndërruar diskursi ndaj të gjithë neve që jetojmë «jashtë». Deri në shpalljen e pavarësisë, ndonëse pa i pyetur kush, të gjithë nguteshin të të siguronin se do të bëhet mirë, prandaj duhet të ktheheshim. Ja, sa të bëhet shteti edhe gjërat do të bien në vend, për të gjithë ne.

Në pesë vitet a para pas shpalljes së pavarësisë, përsëri pa i pyetur kush, shoferë taksie, ish-arsimtarë, kamerierë dhe mjekë, e konsideronin si detyrim fetar të të kërkonin të ktheheshe. «Të gjithë ju të shkolluarit jashtë duhet të ktheheni. Duhet të kontribuoni për Kosovën». Në pesë vitet e fundit, jo vetëm që numri i këshillave për të mos u kthyer është gjithnjë e në rritje, por për më tepër vetë njerëzit në Kosovë kanë interes të shtuar për të gjetur mënyra se si të largohen nga vendi. Të largohen për të mos u kthyer! Ose ndoshta për t’u kthyer vetëm gjatë muajve të verës. Sa për t’i ikur shiut dhe zymtësisë shtatëmujore të dimrit në Europën Perëndimore, e për t’u kënaqur me diellin zemërgjerë në Ballkan. Sa për t’u bërë bashkë me familjarë e kushërinj e për të ngrënë ndonjë qengj të pjekur në oborret e shtëpive. Sa për t’i martuar të gjithë armatën e nipërve e mbesave. Por punën, mjekun, shkollën, çerdhen ta kenë jashtë Kosovës.

Gjatë një takimi studimor bisedoj me dhjetëra nxënës të shkollave të mesme publike në Gjilan. Më bën përshtypje që gati gjysma e tyre janë duke mësuar gjermanishten – kush në mënyrë intensive, kush në kurs të rregullt. Dikush u paska premtuar punë sezonale e më vonë punë të rregullt nëpër azile pleqsh në rrethinën e Stuttgartit. Paguhet shumë mirë, oraret nuk janë shumë të gjata dhe të paktën ke punë të sigurt. «Më së shumti kam prirje për matematikë e fizikë», thotë njëra nga vajzat. Për të, këto degë nuk kanë perspektivë në Kosovë. Prandaj ajo bënte çmos t’i dilte zot gjermanishtes, ndonëse gjuhët e huaja nuk ishin shkathtësia e saj më e madhe. Në shumicën e këtyre rasteve doli që prindërit e nxënësve nuk ishin as kundër, as inkurajues që me të përfunduar shkollimin e mesëm, në vend se të kryenin ndonjë shkollë profesionale apo universitet, fëmijët e tyre të investonin për të punuar nëpër qendra sociale dhe azile pleqsh në Gjermani.

Këto përjetime mund të jenë krejtësisht personale e ndoshta edhe nuk përfaqësojnë pjesën dërmuese të popullsisë. Ndoshta edhe mund të jenë indikative për qytetet e vogla, jo detyrimisht edhe për Prishtinën. Megjithatë, ka diçka thellësisht të trishtë në këtë pikë edhe nëse do të bëhej fjalë për pesë apo dhjetë të tillë. Sidomos kur merret parasysh mosha e re e popullsisë. Nëse ende pa nisur ende jetën mirëfilli, një tetëmbëdhjetëvjeçar bën plane, apo edhe më keq, ëndërron për një punë në azil pleqsh në Gjermani, çfarë tregon kjo për vendin në të cilin kjo gjeneratë shkollohet dhe jeton?

Gjatë viteve ‘90 në Kosovë u krijua ajo që rëndom njihet si «gjenerata e humbur». Duke ua mohuar shkollimin, shteti serb u mohoi paramendimin e një jete me dinjitet e të sigurt. E përjashtuar nga jeta publike, e papërfaqësuar në politikë, e keqtrajtuar nga strukturat policore e gjyqësore, kësaj gjenerate iu mohua të ndjerit njerëz me dinjitet. Mbijetesa në regjimin totalitar të Sllobodan Millosheviqit do të ishte filozofia kryesore. Ata që iknin nga Kosova në këtë periudhë do ta bënin një gjë të tillë qoftë për mbijetesë ekonomike apo fizike. Të përndjekurit politikë, të rinj e të reja të familjeve skamnore, djem që i iknin thirrjes së shtetit serb për shërbimin ushtarak, ishin disa nga kategoritë e para dhe kryesore që mësynë drejt Perëndimit. Megjithatë, ashtu siç tregoi Agron Demi në një analizë të tijën, përkundër situatës në sistemin paralel u arrit të organizohej, shpeshherë edhe shumë më mirë se sot shkollimi nëpër shtëpi private, ndarja e asistencës sociale dhe punësimit.

Gjenerata e rritur gjatë viteve 2000 njohu një eufori dhe ekzaltim për t’u bërë pjesë e projektit të ndërtimit të shtetit të Kosovës. Si fillim me shpalljen e pavarësisë dhe tutje me funksionalizimin e saj. Shkollimi, përvojat ndërkombëtare, statusi social e ekonomik, dhe vetë krijimi i familjes ishin të drejtuara kah «kontributi për shtetin». Bërja dhe funksionalizimi i Kosovës shtet do të ishte filozofia kryesore. Kjo ndodhi natyrshëm jo vetëm për shkak të momentumit të shpalljes së pavarësisë dhe mundësisë jetësore për të kontribuar në vendin, por edhe për të mbushur boshllëkun e krijuar nga gjenocidi intelektual ndaj një gjenerate të tërë të viteve të ‘90. Të ikurit e kësaj gjenerate mësynë shkollat, universitetet dhe kompanitë më të mëdha nëpër botë për t’u profesionalizuar, për të marrë përvojat më të mira në mënyrë që pastaj të ktheheshin në Kosovë dhe të jepnin kontributin e tyre në shoqëri. Kishte motivim dhe zell të pakrahasueshëm për ndërtimin e një shteti.

Për gjeneratën e rritur pas shpalljes së pavarësisë, këtë të sotmen, gjërat duken të jenë sa ndryshe aq edhe njësoj. Bërja e shtetit – të paktën në kuptimin deklarativ – tashmë është bërë. Serbia nuk është më armiku që të nxjerr nga shkolla apo nga puna. Nga Brukseli dhe nëpërmjet misionit të saj në Kosovë Europa premton(te) në vazhdimësi «bërjen e Kosovës europiane». Për dallim nga dy gjeneratat tjera, kjo e treta nuk kishte një ideal apo një projekt të madh që do të eklipsonte të gjitha «problemet e vogla si për shembull punësimin, sigurimin shëndetësor, apo lëvizjen e lirë. Mirëpo, duke u rritur në një vend pa një perspektivë konkrete për një jetë me dinjitet, edhe kjo gjeneratë ka kthyer sytë nga «gjermanishtja» si sinonim i një punësimi dhe jete të sigurt në perëndim. Jeta me dinjitet, ashtu siç doli disa herë në pah gjatë bisedës me të rinjtë e shkollave të mesme, do të ishte: shkollim i standardit më të lartë, pajisja me një diplomë të vlefshme për tregun e punës dhe të pakontestuar jashtë kufijve të Kosovës, siguria e një vendi të punës në sektorin publik, siguria dhe mbrojtja e të drejtave të punëtorit në sektorin privat, ajër më cilësor, dhe shërbim cilësor shëndetësor në spitalet publike, dhe shkollim e kujdes për fëmijët e tyre nesër.

Për dallim prej gjeneratës së viteve të ‘90, ikja nga Kosova në këtë rast nuk është për mbijetesë, por për një jetë me dinjitet. Në anën tjetër, ashtu si gjenerata e viteve të ‘90, edhe këta të rinj shpresën e shohin duke ikur, duke «dalë jashtë», siç thuhet rëndom. Nëse ky disponim do të vazhdojë me këtë ritëm, do të ketë gjithnjë e më shumë të rinj që nuk do të bëhen inxhinierë, mjekë, teknologë, fizikanë dhe profesione të ngjashme që funksionalizojnë shtetin. Kjo jo vetëm që do të jetë gjenerata e dytë e humbur, por do të jetë humbja përfundimtare e mundësisë për të ndërtuar një shtet funksional dhe të jetueshëm, përtej atij deklarativ.

Euroskepticizmi dhe shqiptarët

Nga Aldona Sylaj*

Çdo here, rastësisht ose jo, në mënyrë direkte ose indirekte gjithmonë e ndikuar nga faktorët historikë apo momentalisht johistorikë, Republika e Shqipërisë ndodhet në sfidën e zgjedhjes Europiane ose jo.
Njerëzia analitike, akademike dhe politike tentojnë, në mënyrën e tyre, të japin një zgjidhje. Mbi këtë zgjidhje qëndron një pyetje më domethënëse: Çfarë dëshiron njeriu në jetë, çfarë zgjedh ai, dhe si e përcakton rrugëtimin e tij drejt së drejtës dhe moralitetit shoqëror?

Së pari: Cila është dëshira e qartë e popullit shqiptar?!

A e konsideron veten një popull europian? A dëshiron një shtetas shqiptar të jetë shtetas europian si koncept juridik i qytetarisë Europiane? A është Shqipëria shteti Europian ku ata mund të ndihen europianë? A do të donin të quhen shqiptarë europianë apo europianë shqiptarë? Shumë dijetarë dhe krijues të marrëveshjeve normative kanë shpenzuar kohë ekonomike dhe politike për t’iu përgjigjur kësisoj pyetjesh në Europë dhe jo vetëm. Gjithmonë kam pasur bindjen se rasti nuk i ngjason rastit. Do mundohem, duke nënkuptuar analizën pro dhe kundër idesë së qytetarisë europiane dhe euroskepticiste.

Çfarë është qytetaria Europiane si koncept dhe nocion në evoluim?

Koncepti standard i qytetarisë europiane ka kuptime të ndryshme, madje edhe brenda një gjuhe, dhe perceptohet shpesh si një status ligjor. Kjo përfshin para së gjithash tërësinë për të drejtat dhe detyrimet, statusin e qytetarit në raport me një Shtet Anëtar apo me Bashkimin Europian.

Kjo është një qasje tradicionale ku; mund të thuhet se kush është ‘in’ dhe ‘out’ në një komunitet politiko-ekonomik si Bashkimi Europian, mund të dallojmë ‘qytetarinë’ dhe ‘qytetarinë aktive’ (terminologjia e BE; Këshilli i Europës: qytetaria demokratike, në disa vende, p.sh. në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada, SHBA: ‘qytetaria përgjegjëse’) statusi ligjor dhe anëtarësimi në një bashkësi politike jo domosdoshmërisht mund të përfshijë çdo veprim votimi që është shprehja më e lartë e qytetarisë. Domosdoshmëria për përcaktimin e qytetarisë europiane konsiston në atë se Qytetaria Demokratike, institucionet e shteteve demokratike dhe shoqëria civile nuk mund të veprojnë në një mënyrë të qëndrueshme. Shtetet në vetvete nuk janë më të vetmit që mund të jenë zotërues të shtetësisë së shtetasve në një komunitet brenda dhe midis vendeve duke e parë atë në raport me nocionet shtetësi ‘Europiane’, ‘ndërkombëtarë’, ‘transnacionale’, ose ‘kozmopolit/globale’. Ne mund të jemi qytetarë lokalë, kombëtarë, transnacional – Europianë të BE dhe qytetarët të botës në të njëjtën kohë, në varësi të përcaktimit të shtetësisë politike të komunitetit që mund t’i referohemi, këto përgjegjësi janë të llojeve të ndryshme në vende me nivele të ndryshme të qytetarisë.

Europa është menduar të jetë jo vetëm kontinenti i shumë vendeve (në një vend dhe në një hapësirë), por më tepër një komunitet i komuniteteve, i komunitetit të njerëzve dhe popujve me prejardhje të ndryshme por historie të përbashkët, vlera të përbashkëta dhe perspektiva të përbashkëta të zhvillimit politik, ekonomik, social dhe kulturor. Europa është një mënyrë e të menduarit dhe të vepruarit.

Shtetësia Europiane është një identitet dhe kapacitet vullnetar për të vepruar, i hapur për të gjithë, duke përfshirë edhe banorët, emigrantët, azilkërkuesit etj., që janë të gatshëm për të ndërtuar një Europë të re që nuk sfidojnë dhe nuk duan të zëvendësojnë identitetin kombëtar/ shtetësinë ose ndonjë formë tjetër që i përkasin. Shtetësia mund të praktikohet drejtpërdrejt ose nëpërmjet përfaqësuesve, individualisht apo në komunitetet e përkatësisë, edhe pse ata mund të ndryshojnë në lidhje me statusin e kombësisë, përkatësisë etnike, besimit fetar ose të dimensioneve të tjera. Shtetësia mund të praktikohet në komunitete të ndryshme dhe në nivele të ndryshme. Praktika Europiane e shtetësisë mund të jetë e kufizuar nga mungesa e burimeve

“Europa nuk është një kujtim i vjetër kolektiv, por një punë e re kolektive në progres”

Qytetaria Europiane si një marrëdhënie qytetar-qytetar nënkupton një marrëdhënie jo abstrakte dhe as statike por një marrëdhënie që mund të jetohet, bazuar në një praktikë e një kod moral, një kod që ka shqetësim për të drejtat dhe interesat e të tjerëve që e bën shoqërinë civile dhe arritjet e demokracisë ‘civile’ më të rëndësishme në zhvillimin e demokracisë politike.

Ajo është një proces i bashkëveprimit paqësor mes kulturave të ndryshme, mes individëve me prejardhje të ndryshme kulturore, etnike, kombëtare dhe politike, midis individëve dhe grupeve shoqërore, midis individëve dhe shoqërisë, mes grupeve sociale, mes të gjithë këtyre aktorëve dhe institucioneve Europiane në BE.

Pro dhe kundër për promovimin e shtetësisë Europiane

Shtetet Anëtare janë të detyruar për të trajtuar të gjithë qytetarët e BE në kushte të njëjta. Projekti nuk ka qenë tërësisht i suksesshëm: Shtetet anëtare kanë siguruar se ka përjashtime në kërkesën për të ofruar siguri sociale dhe përfitime të barabarta dhe qytetarët shumë pak kanë ushtruar të drejtat e tyre të votimit në shtete të tjera anëtare. Ky debat është në lidhje me atë nëse BE-ja duhet të përdorë burimet e saj për të promovuar shtetësinë Europiane të të dyja shteteve anëtare dhe vetë qytetarët.

Pro qytetarisë Europiane

Shtetësia Europiane është e dobishme për njerëzit e Europës dhe kështu BE duhet të përpiqet që të nxitë atë: nëse BE-ja dëshiron të përfaqësojë popullin e Europës, ajo duhet të veprojë në interes të këtyre njerëzve kurdo që është e mundur. Ideja e shtetësisë së BE-së kontribuon për të sjellë popujt e Europës më afër së bashku. Kjo sjell përfitime jo vetëm për procesin e integrimit Europian, por ndihmon për të siguruar paqe dhe mirëkuptim në të gjithë kontinentin. Pavarësisht nga një histori konflikti, europianët ndajnë vlera të shumta dhe një sasi të madhe të historisë kulturore, dhe kjo është mirë për të festuar për këtë. Për më tepër, parimi i qytetarisë europiane inkurajon njerëzit që të lëvizin në BE për të studiuar ose të gjejnë punë dhe të integrohen më lehtë kur ata e bëjnë këtë: nëse njerëzit ndihen disi të jashtëm, ata kanë më shumë gjasa për t’u bërë më të përfshirë në jetën e tyre lokale komunitare.

Në mënyrë që BE të mund të zgjerohet përtej origjinës së saj ekonomike dhe funksionojnë në mënyrë efektive si një institucion përfaqësues, është e nevojshme që të ketë një popull të bashkuar: promovimi i shtetësisë BE ndihmon për të përforcuar këtë ide. BE-ja tashmë ka arritur për shumë prej qytetarëve të shteteve të saj anëtare. Shembuj të tillë përfshijnë luftën kundër diskriminimit në vendin e punës, duke ulur koston e përdorimit të një telefoni celular jashtë vendit, ose duke punuar për të përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet forcave policore europiane për të ndihmuar në parandalimin e krimit. Kjo është shpesh më efikase dhe efektive për të rregulluar gjërat mbi baza rajonale, p.sh. emetimet e karbonit apo politikat e konkurrencës. Një ndjenjë e fortë e qytetarisë Europiane do të rriste vullnetin e qeverive dhe qytetarëve për të bashkëpunuar me legjislacionin e tillë. Për më tepër, ai pothuajse me siguri do të rrisë përqindjen e qytetarëve që votojnë në zgjedhjet për Parlamentin Europian, duke rritur legjitimitetin Kuvendit dhe punën e BE-së si një e tërë.

Promovimi i shtetësisë në BE është vendimtare për suksesin e të drejtave ekonomike mbi të cilat BE-ja është themeluar: ka justifikime të mira për të drejtat ekonomike akorduar nga anëtarësimi në BE. Lëvizja e lirë përmirëson mirëqenien e qytetarëve, me përfitim për konsumatorët – si pasojë e rritjes së efikasitetit çka redukton çmimet – mospeshimi i ndonjë dëmi të industrisë kombëtare. Megjithatë, në mënyrë që lëvizja e lirë të ketë sukses, ata që jetojnë në çdo shtet anëtar të caktuar duhet të jenë të gatshëm për të mirëpritur shtetas të huaj. Grevat në Britani, për shembull, kanë treguar se njerëzit lokalë janë shpesh armiqësorë ndaj lëvizjes së lirë dhe një veprim i tillë industrial ka rezultuar shpesh në humbjen e punës nga shtetasit e huaj (shiko lidhjen në artikull më poshtë). Promovimi i shtetësisë në BE dhe përfitimet e saj ka gjasa që të inkurajojnë njerëzit për të parë mundësitë në rritje të hapura për ta si pasojë e BE-së. Duke njohur aftësinë e tyre për të punuar jashtë shtetit, për shembull, ka të ngjarë të inkurajojnë pranimin e punëtorëve nga shtetet e tjera të BE. Më e rëndësishmja, sjellja e dëmshme është zakonisht rezultat i një pamundësie për t’i identifikuar ato me një nga grupet e tjera. Qytetaria e BE-së është një mjet i vlefshëm për të ndihmuar njerëzit në shtete të ndryshme për t’u identifikuar me njëri-tjetrin duke promovuar kështu tolerancën. Pa një mjet të tillë identifikimi, projekti i lëvizjes së lirë ka të ngjarë të vazhdojë të ngecë.

Një ndjenjë kuptimplotë të qytetarisë Europiane do të duhet që të merret seriozisht në konsideratë si një aktor në skenën globale, kjo është e nevojshme për BE. Një Europë e bashkuar ka më shumë gjasa që të ketë fuqinë për të ndikuar në agjendën e organizatave ndërkombëtare ose të zhvendosë mendimin politik global në një drejtim të caktuar. Megjithatë, kjo kërkon një BE të vërtetë që të mund të përfaqësojë qytetarët e saj. Promovimi i shtetësisë do të ndihmojë në angazhimin dhe rrjedhimisht të ndihmojë edhe atë.

Shtetësia europiane është një mjet i dobishëm me të cilin ne mund të promovojmë vlerat liberale. Për shembull, një forum që u drejtohet qytetarëve aktuale të BE-së mbi Kujtesën Europiane për programin e Europës, edukon brezat e rinj për nazizmin dhe stalinizmin për të siguruar se kujtesa e këtyre periudhave mbetet. Të bësh këtë në një nivel Europian mund të ndihmojë për t’u mbrojtur kundër rritjes së ideologjive ekstremiste brenda Shteteve Anëtare.

Skepticizmi ndaj qytetarisë europiane

Skeptikët e qytetarisë Europiane shprehen se qytetaria është artificiale dhe nuk ka marrëveshje me realitetin. Nuk ka asnjë identiteti kolektiv Europian. Kultura irlandeze dhe kultura greke, për shembull, kanë pak gjëra të përbashkëta. Përtej të qenit demokratike, nuk është ende e qartë nëse shtetet anëtare të BE ndajnë ndonjë vlerë apo ndonjë kulturë të demokracisë që është unike në Europë. Rrjedhimisht, mund të thuhet se qytetaria e BE-se është e pakuptimtë. Megjithatë, edhe nëse do të ishte e mundur që të tregonim se ideja kishte kuptime të mirëfillta, të tilla si përfitimet që sjellin njerëzit më afër së bashku, ose që inkurajojnë njerëzit të ndihen më pak të jashtëm, dhe që të kërkojnë shtetësinë, kjo është e lidhur me një formë të identitetit. Në rastin e nënshtetësisë kombëtare, kjo është krijuar shpesh përmes një kulture të përbashkët dhe të përvojave historike. Për shembull, shumë njerëz shohin tek irlandezët shtypjen e tyre nën shtetin britanik dhe vështirësi të tilla si uria e patates, si një pjesë domethënëse se kush ata janë. Është e vështirë për të parë se si njerëzit në qoshet e largëta të Bashkimit Europian mund të shohin veten si të lidhur me një histori të tillë të përbashkët. Nëse ne shikojmë vetëm në shekullin e njëzetë, është e qartë se përvojat e qytetarëve të Estonisë dhe Portugalisë, për shembull, ndryshojnë rrënjësisht. Nëse njerëzit mund të identifikohen me njëri-tjetrin si “qytetar Europian” kjo nuk ka gjasa që t’i sjellë ato më afër së bashku.

Nuk është e qartë se ekziston një dëshirë për BE-në të zgjerojë rolin e saj ekzistues. Franca dhe Holanda votuan “jo” për Traktatin e ri Kushtetues në vitin 2005 dhe u ndërmorën dy përpjekje për të bindur irlandeze për të votuar në favor të ratifikimit të Traktatit të Lisbonës i cili zëvendësoi atë. Është e argumentuar se një nga gjërat të cilat çuan në votat ‘jo’ të Francës dhe Holandës ishte kundërshtimi për krijimin e një supershteti Europian që përfshin një himn zyrtar, flamuri dhe motoja që duket të sugjerojnë. Ndjenja se BE ekziston për të përparuar fuqinë e vet në kurriz të qeverive kombëtare, sesa duke ofruar përfitime reale ekonomike, është një arsye përse Europianët gjithnjë e shohin Brukselin me mosbesim. Shumë vende mendojnë se një BE më e fuqishme do të mbajë sovranitetin shumë larg nga qeveritë e tyre që mund të identifikojnë dhe të veprojnë sipas interesave të shtetasve të tyre, dhe të cilat janë më të përgjegjshëm për to.

Promovimi i shtetësisë në BE nuk është i nevojshëm për suksesin e këtyre të drejtave ekonomike, dhe në fakt mund të jetë e dëmshme. Për arsyet e mësipërme është e qartë se jo të gjithë qytetarët e shteteve anëtare duan të jenë pjesë e një komuniteti Europian shoqëror dhe politik dhe se një identiteti Europian është një koncept i pakuptimtë. Promovimi i shtetësisë për më tej është një masë e cila nuk është mbështetur me konsensus (siç tregohet nga dëshira e shteteve të shumta anëtare që iu referua përjashtimi nga e drejta që të pretendojnë përfitime të barabarta për shtetasit). Duke u ndalur në qytetarinë si një mjet për arritjen e lëvizjes së lirë, pra efektivisht rrezikojmë tjetërsimin e dy qeverive dhe qytetarëve të caktuar të Shteteve Anëtare: si pasojë ato mund të jenë më pak të gatshëm për të mbështetur lëvizjen e lirë. Nëse BE-ja dëshiron të forcojë të drejtën e lëvizjes së lirë (duke hequr përjashtime etj.), do të ishte më mirë të përqendrohej në promovimin e reciprocitetit dhe të drejtave të përfshira në këtë marrëveshje ekonomike sesa duke u mbështetur në një nocion të diskutueshëm të solidaritetit social.

Për BE-në është realitet qëllimi që të bëhet një aktor serioz ndërkombëtar, duke pasur parasysh diversitetin e madh në opinionet për çështjet e politikës së jashtme. Ndarja mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Europës kontinentale në lidhje me Luftën në Irak, ose për më shumë kohët e fundit ngrohtësia e treguar nga Gjermania ndaj Rusisë, ndërsa shtetet e tjera Europiane mbeten armiqësore, tregoi se konsensusi në këtë fushë është krejtësisht i munguar. Kjo nuk është befasuese: vende të ndryshme të shteteve anëtare të BE mund të kërkojnë reagime të ndryshme ndaj jo-anëtarëve. Për arsye historike disa shtete anëtare kanë tendencë të jenë më shumë në favor të ndërhyrjes se të tjerët. Për më tepër, çdo pohim i autoritetit nga ana e BE-së dobëson aftësinë e shteteve anëtare që të flasin kur ata nuk pajtohen me fqinjët e tyre Europianë.

Vlerat liberale mund të promovohen pa shtetësi siç demonstrohet nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, nxitur nga Këshilli i Europës. Për më tepër, ajo mund të jenë të dëmshme për rritjen e vlerave liberale nëse ato janë promovuar si pjesë e një pakete institucionale me të cilën shumë njerëz nuk ndjehen rehat dhe që mund të duket sikur synojnë në largimin e tyre nga shteti komb. Avantazhi i Këshillave të veçantë dhe më të mëdhenj të Europës, dhe të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, është fakti se respektimi i këtyre të drejtave është i divorcuar nga ndonjë marrëveshje politike apo ekonomike, duke theksuar se këto të drejta të njeriut janë universale dhe nuk mund të hidhen poshtë sepse një shtet i veçantë nuk beson në një projekt më të madh Europian.

Nga pikëpamja ime, evoluimi i proceseve në BE mund të konsiderohet si diçka e papredikueshme por që duhet fokusuar në vëzhgim sistematik të ecurive dhe proceseve po ashtu edhe se si ndodhin fenomenet e ndryshme brenda kësaj krijese shumanëtarëshe, gjithnjë duke u bazuar dhe mbështetur në fakte, kryesisht në atë se si kanë evoluar gjërat që nga krijimi i Bashkimit deri më sot.

Mirëpo një gjë është më se e qartë, bazuar në Traktatin Reformues, Bashkimi është në rrugë të mbarë dhe sikur të mbizotëronin arsyeja dhe vullneti i mirë, shumë shpresa njerëzish në lëvizjen e lirë dhe të qenit Europian i barabartë me të gjithë të tjerët, do të përmbusheshin.

Cila është zgjedhja e shqiptareve?

Gjatë të studiuarit të BE dhe institucioneve të saj kam konkluduar se traktatet e BE si baza ligjore e themelimit dhe vazhdimësisë nuk janë as më pak e as më shumë sesa traktate mirëfilli politike të shkruara me gjuhë ekonomike, çka kanë konsoliduar një sistem efektiv këto 50 vitet e fundit. Sipas Traktatit të Lisbonës e drejta e qytetarisë europiane merr një dimension të ri në kuptimin e fuqisë ligjore dhe garantimin e kësaj të drejte duke parashikuar një kapitull mbi dispozitat e principeve demokratike. Gjithashtu ky traktat fut dispozita mbi mos diskriminimin dhe qytetarinë europiane, duke mundësuar edhe lirinë e largimit nga ky organizim (fenomeni BREXIT), Qasja shqiptare dhe ndërgjegjja qytetare e tyre kanë qenë dhe janë një hap para politikës, që në fakt duhet të ishte e kundërta. Kjo intuitë tregon edhe arsyen pse shqiptarët shkojnë drejt vlerës europiane në kërkim të së resë, sistemit dhe organizimit politik të BE. Gjithmonë nisem nga pozitivizmi realist duke besuar se kane mijëra vjet të drejtë të ndihen europianë shqiptarë. Mendoje se është koha të “Test the West” duke e nënvlerësuar politikën “përçaj e sundo” si një molë e nepërkëzuar denigruese e kombit.

*PHD Candidate of European Studies

I sëmuri në Ballkan – para në dorë ose prit

Mjekët po rrallohen e radhët në klinika shtohen. Kujt është i sëmurë në Ballkan i duhet durim. Ose të ketë shumë para. Por paralelisht me sistemin shtetëror është krijuar një botë paralele klinikash private

“Këtë mund ta zgjidhim privatisht”. Kjo fjali magjike dëgjohet rregullisht në Ballkan, edhe Natasha e dëgjoi, kur donte të mbyllte një orar për kontroll në spital. 30 vjeçarja nga Novi Sadi sapo ka lënë pas vuajtjet e një tumori në sistemin limfatik dhe nuk do të humbasë kohë. Por ajo nuk ka para për të paguar “privatisht”, jashtë sistemit të siguracionit shëndetësor shtetëror vizitën mjekësore.

Shumica e pacientëve në vendet e Ballkanit që përbënin dikur Jugosllavinë socialiste janë të varur nga sistemi shëndetësor shtetëror. Për qytetarët në Serbi, Maqedoni apo Bosnje, ku rroga mesatare është rreth 400 euro neto dhe papunësia kalon 20%, kontrollet private tek mjeku janë një luks i paarritshëm. Këtë hap pacientët e ndërmarrin vetëm në rast nevoje, kur pritja e gjatë kthehet në rrezik për shëndetin. Ose kush ka para.

Nuk ka shiringa dhe gjilpëra

“Vajza ime u sëmur nga diabeti, kur ishte 16 muajshe. Kemi pritur më shumë se 6 vjet për një pompë insuline”, kujton Mirela Shishiç, që drejton një shoqatë pacientësh në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë. Për Deutsche Wellen ajo thotë, se spitalet nuk kanë as medikamentet bazë, megjithëse ato duhet të mbulohen nga siguracioni shëndetësor. Ilaçet që nuk i ofrojnë spitalet qytetarët i blejnë pastaj me çmim të plotë në farmaci.

Siguracioni shëndetësor shtetëror ofron shumë pak mjete financiare, shprehet një ish-drejtor që nuk do të përmendet me emër, dhe që për vite me radhë ka drejtuar disa spitale në Serbi. “Kështu në pjesën e dytë të vitit mungojnë gjilpërat, shiringat, dhe dezinfektuesit. Pa harruar pjesët për aparatet e radiografisë.” Ndërkohë ai punon tani për një spital privat, që nuk i ka këto probleme.

Për qytetarët në Ballkan, ku rroga mesatare shpesh vërtitet tek 400 euro neto dhe kontrollet private tek mjeku janë një luks i paarritshëm. Vetëm në Serbi, me rreth 7 milionë banorë, presin për kontribute të siguracionit shtetëror zyrtarisht në listë 75.000 vetë. Për ndërhyrje kirurgjikale pacientët presin edhe me vite. Në Bosnjë në javët e fundit qarkulluan në media artikuj për klinikën onkoligjike të Sarajevës që kishte mbetur pa zytostatika, që duhen në kimioterapinë kundër kancerit.

Një botë paralele

Por përtej dhomave të mbushura me pacientë ekzistojnë prej kohësh klinika e spitale private të mirëpajisur. Aty nuk mungon as personeli dhe as aparatet mjekësore. Kësaj i shtohet premtimi që nuk pritet më gjatë se tre ditë për një vizitë mjekësore. Të paktën 20 deri në disa qindra euro në muaj kushton siguracioni privat në Serbi. Një luks që mund ta paguajnë vetëm 2% e qytetarëve serbë.

“Kështu paguan dyfish, sepse siguracioni shtetëror është i detyruar”, thotë e zemëruar, Danijela Stankoviç-Bariçak, ekperte menaxhimi në spitale. Ajo që e zemëron më shumë është se edhe spitalet shtetërore po pranojnë gjithnjë e më shumë pacientë që paguajnë në dorë ose janë të siguruar privatisht, pa kohë pritjeje. “I gjithë koncepti merr fund, po qe se favorizohen ata që paguajnë ekstra.”

Vërtet favorizohen më shumë ata që paguajnë nën dorë apo që njohin njerëzit “e duhur”. Në indeksin e korrupsionit të Transparency International aspirantët për në BE nuk marrin vlerësim të mirë. Mali i Zi është në vendin e 64, më keq është Serbia që zë vendin e 77, akoma më keq Kosova e Shqipëria që zënë respektivisht vendet e 85 dhe 91, si edhe Bosnja. Në fund të vendeve ballkanike gjendet Maqedonia në vendin e 107.Në sondazhe të ndryshme mjekët, krahas policëve të trafikut, shihen si më të korruptuarit.

Mjekët largohen nga vendi

Në të njëjtën kohë nga vendet e Ballkanit po largohen shumë mjekë. “Vitin e kaluar 180 nga 220 mjekë të diplomuar kanë kërkuar një certifikatë që u mundëson punën jashtë vendit”, thotë Goran Begoviç, kreu i sindikatës së mjekëve në klinikën qendrore të Shkupit. “Kjo shifër është e frikshme”, thotë ai.

Destinacioni më i preferuar është Gjermania, ku një mjek fiton 5 deri në 6 herë më shumë se në Serbi apo Maqedoni. Në vitin 2016, mjekët serbë përbënin grupin e tretë më të madh të mjekëve të lejuar për të punuar në Gjermani, pas sirianëve dhe rumunëve. Organizata Healthgrouper ka konstatuar se më shumë se treçereku i mjekëve në Serbi mendon për t’u larguar nga vendi. Situata është e ngjashme në vendet e tjera të Ballkanit.

Kështu krijohet një rreth vicioz, personeli mjekësor largohet nga vendi ose kalon në sektorin privat, ku pagat janë më të mira. Përballë këtyre qëndron një sistem shtetëror me shumë më pak para dhe mjekë e me lista të gjata pritjeje. Kolapsi i një sistemi të tillë duket si i paraprogramuar. Mirela Shishiç, që duhet të përballet me diabetin e fëmijës së saj në sistemin shëndetësor boshnjak nuk ka shumë shpresa: “Më parë do t’i shkatërroheshin veshkat vajzës sime se sa do të kryhej ndonjë reformë.”

Plan gjermano-francez për reformën e eurozonës

Ministri gjerman i Financave thotë se është optimist për udhërrëfyesin për reformimin e eurozonës. Franca mendon se pas Brexitit ky reformim është bërë i nevojshëm

Ministrat e Financave të Gjermanisë dhe të Francës u zotuan për të përgatitur në kohë për samitin e BE-së të planifikuar për në qershor një plan udhërrëfyes për reformën e eurozonës. Ministri i Financave i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha: “Ne jemi optimistë që do të jemi të suksesshëm”.

Njoftimi i përbashkët i ministrave konsiderohet si një arritje e madhe pas rezistencës gjermane ndaj ideve të mëhershme të Presidentit francez Emmanuel Macron për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe financiar në vendet ku përdoret monedha e përbashkët euro.

Dëshirat e Macronit

Macroni dëshironte të krijonte pozicionin e ministrit të Financave të eurozonës dhe të mundësonte marrjen e huave të përbashkëta nga shtetet anëtare. Por më vonë ai hoqi dorë nga këto ide në favor të thellimit të unionit bankar të BE-së.

Rezistenca gjermane

Premtimi për reformimin e eurozonës që përbëhet prej 19 vendesh anëtare u shpall pavarësisht rezistencës së mëparshme nga Berlini lidhur me propozimin e Macron për bashkimin e burimeve financiare. Shumë anëtarë të parlamentit gjerman besojnë se duket sikur Gjermania do të ofrojë më shumë burime financiare për fqinjët më të varfër – si Italia dhe Greqia – sesa do të marrë nga një fond kolektiv. Berlini ka theksuar gjithashtu se një fond i tillë duhet të lidhet dhe kushtëzohet nga reforma ekonomike.

“Është absolutisht e rëndësishme që Franca dhe Gjermania të bien dakord për çështjet”, tha Scholz. Homologu i tij francez, Bruno Le Maire, tha: “Ne besojmë fuqishëm se ne duhet të jemi në gjendje të gjejmë një kompromis midis Francës dhe Gjermanisë për takimin e ardhshëm të qershorit”. Nënkryetari i Komisionit Evropian Valdis Dombrovskis tha: “Ne duhet të tërhiqemi përtej pozioneve të ngulitura tashmë dhe të gjejmë kompromise”.

Ç’do të ndodhë më tej?

Ka shpresa që në plan afatgjatë në mbarë BE-në do të zbatohet një skemë sigurim për depozitat bankare, megjithatë kancelarja gjermane Angela Merkel tha se përpara se të ndërmarren hapa të mëtejshme drejt një sigurimi kolektiv duhet të reduktohet rreziku në sektorin bankar. Merkel është zotuar që ta paraqesë propozimin e përbashkët për një plan reformash së bashku me Francën përpara samitit që do të zhvillohet në Bruksel më 28 qershor.

Takimi fetar serb me porosi të qarta kundër Kosovës

Të dielën në Patrikanën e Pejës ka filluar të mbahet Kuvendi i Kishës Ortodokse Serbe. Në këtë manifestim fetar serb janë dhënë porosi të qarta nacionaliste dhe janë paraqitur qëndrime të rrepta kundër Kosovës, transmeton Koha.net

I pari i Kishës serbe, patriarku Irinej, duke folur për Kosovën, e ka quajtur atë djep të serbizimit dhe ka shtuar se “kur e pëson populli, e pësojnë vendet e shenjta, e kur e pësojnë vendet e shenjta, e pëson populli”.

“Krejt njësoj, sikur në Jerusalem, po ndodh edhe te ne”, citon “novosti” të ketë thënë Irinej.

“Jem i mbledhur këtu, në shenjtoren tonë, aty ku tubohej populli gjatë gjithë historisë dhe shpresoj se edhe tash do t’i kalojmë sprovat e do të mbetemi në Kosovë ku juanë zemra dhe shpirti i gjithë popullit”, ka thënë i pari i Kishës serbe.

Ai i ka ftuar serbët e shpërngulur që të kthehen në “vendin e shenjtë të ujitur me gjak”për ta ruajtur atë që ua kanë lënë trashëgimtarët.

Mitropoliti serb nga Mali i Zi Amfilohije, ka thënë se vazhdojmë “ta ruajmë betimin e shenjtë për Kosovën”.

Boshti i autokracisë, kërcënim i ri për Amerikën

Ngjante me një jehonë të aleancës sino-sovjetike të viteve 1950-1960, kur ministri i ri kinez i Mbrojtjes, Wei Fenghe, tha në një takim të zhvilluar në Moskë këtë muaj se “Pala kineze ka ardhur këtu, për t’i treguar amerikanëve lidhjet e ngushta midis forcave të armatosura të Kinës dhe Rusisë

Sigurisht, rruga deri në një aleancë të plotë ushtarake mbetet e gjatë, dhe është e lehtë ta shpërfillim deklaratën e Wei si një qëndrim retorik. Por, kjo do të ishte e gabuar, pasi Wei ceku megjithatë një tipar ogurzi të politikës së sotme botërore: rreshtimin në rritje në një front, të rivalëve të ndryshëm gjeopolitikë të Amerikës.

Sigurisht, ky rreshtim nuk është diçka e re: shtetet autokrate dhe kundërshtarët e Shtetet e Bashkuara të Amerikës si Koreja e Veriut, Siria dhe Irani, kanë bashkëpunuar mes tyre për vite me radhë, për çështje nga shitja e armëve deri në përhapjen e armëve bërthamore.

Ajo që po ndryshon tani, është se bashkëpunimi midis konkurrentëve të fuqisë së madhe të Amerikës po rritet, pasi kërcënimet ndaj rendit ndërkombëtar të udhëhequr nga Uashingtoni janë gjithashtu në rritje.

E fillojmë me Rusinë dhe Kinën. Ndërsa, këto vende kanë thelluar përpjekjet për të rivendosur ndikimin e tyre gjeopolitik, ata kanë bërë kauza të përbashkëta në një numër frontesh.

Kina siguroi një mbrojtje diplomatike për Rusinë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, pavarësisht nga hezitimi tradicional i Pekinit për të mbështetur lëvizjet “separatiste”, nga frika e inkurajimit të forcave të tilla në Tajvan, përcjell Telegrafi.

Moska dhe Pekini, kanë punuar gjithashtu së bashku për të bllokuar mbështetjen e Kombeve të Bashkuara ndaj ndërhyrjes kundër regjimit të Asadit në Siri, si dhe për të kundërshtuar vendosjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gadishullin Korean, në një kohë që kanë lidhje më të ngushta sa i përket shitjes së armëve, marrëveshjeve energjetike dhe zhvillimit të teknologjisë ushtarake.

Rusia dhe Irani kanë qenë shpesh rivalë gjeopolitikë, por sot ata po bashkëpunojnë për të minuar ndikimin amerikan në Lindjen e Mesme.

Teherani dhe Moska, kanë formuar një aleancë ushtarake de fakto, për të mbajtur në pushtet presidentin sirian Bashar Al-Asad, dhe ruajtur apo rritur ndikimin e tyre në rajon – me rusët që sigurojnë fuqinë ajrore, dhe iranianët atë tokësore.

Koordinimi midis zyrtarëve rusë dhe iranianë, është forcuar jo vetëm në fushën e betejës, por edhe në nivelet më të larta të qeverisë.

“Bashkëpunimi ynë mund të izolojë Amerikën”, i tha udhëheqësi suprem iranian, Ali Khamenei, Presidentit rus Vladimir Putin, gjatë një takimi mes tyre në fundin e vitit 2017.

Ndërkohë, edhe pse bashkëpunimi midis rivalëve amerikanë është përshkruar me të drejtë si më tepër oportunist sesa sistematik, është e habitshme që këto vende po gjejnë gjithnjë e më shumë raste kur punojnë së bashku, dhe që duket se janë në interes të tyre. Kjo po ndodh për dy arsye: gjeopolitike dhe ideologjike.

Arsyeja gjeopolitike është fakti se ajo që Irani, Rusia dhe Kina kanë të përbashkët, është se të gjithë po përpiqen të dobësojnë, në mënyrën e tyre dhe për motivet e tyre, një rend ndërkombëtar që ndërtohet mbi sundimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatëve dhe partnerëve të saj.

Arsyeja ideologjike, është se këto vende ndajnë gjithashtu një angazhim ndaj sundimit jo-liberal, në një epokë relativisht liberale. Sigurisht, marksizmi-leninizmi nuk siguron më thelbin e marrëdhënieve midis Moskës dhe Pekinit, siç ndodhte në kohën e Stalinit dhe Maos.

Por Rusia, Kina dhe Irani, janë që të tri regjime autokratike që e shohin veten duke luftuar për ndikim dhe madje mbijetesë, në një botë kur fuqia kryesore është një demokraci dhe vlerat demokratike janë ende të shquara.

Në këto kushte, Uashingtoni thjesht duhet të kërkojë të përçajë kundërshtarët e tij – duke përdorur manovrën e respektuar diplomatike, për të cilën Riçard Nikson dhe Henri Kisinxher fituan me të drejtë lavdërime të mëdha në fillim të viteve 1970.

Në vitin 2017, Administrata Trump, mori në konsideratë mënyrat e përçarjes mes Iranit dhe Rusisë në Lindjen e Mesme. Studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare si Xhon Mearsheimer, kanë sugjeruar që Uashingtoni të pajtohet me Moskën, për t’iu kundërvënë në mirë Pekinit.

Por për shkak se këto vende janë momentalisht më armiqësore ndaj Amerikës sesa ndaj njëra-tjetrës, mundësitë janë të pakta.

Teorikisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të përpiqet të arrijë me gjasë një “marrëveshje të madhe” me Rusinë, që do të përfshinte pranimin e dominimit rus në Ukrainë, duke iu hequr shteteve baltike rrjetën mbrojtëse të NATO-së, lejuar depërtimin e një sferë ruse të ndikimit në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në pjesë të Evropës Lindore, si dhe pranimin e Moskës si një lojtare gjeopolitike e barabartë në Lindjen e Mesme – të gjitha këto me shpresën se zyrtarët rusë do të nisin të heqin dorë nga armiqësia e tyre me Perëndimin, dhe të përqëndrohen në kërcënimin afatgjatë që u vjen nga Kina.

Por, kostoja e një marrëveshjeje të tillë do të ishte aq e lartë dhe përfitimet aq të pasigurta, sa që praktikisht nuk do të merret asnjëherë në shqyrtim si një nismë.

Me kalimin e kohës, mund të shfaqen mundësi më të mëdha për t’i vënë rivalët e SHBA-së kundër njëri-tjetrit. Por tani për tani, Amerika përballet me detyrën e padiskutueshme të mbështetjes së një sistemi ndërkombëtar që po sfidohet në fronte të shumëfishta dhe nga kundërshtarë që gjithnjë e më shumë po punojnë së bashku. /Bloomberg View /Telegrafi/

Bëj dashuri vazhdimisht me mësuesen time, por…

Një i ri britanik ka rrëfyer përmes një letre historinë e tij me ish-mësuesen e gjimnazit me të cilën kishte filluar një flirt apo më mirë të quhet një raport përfitimi vetëm për dashuri

Ai tregon se në fillim e ka tërhequr shumë kakakteri i mësueses, por me sa duket ajo e ka dashur vetëm për dashuri dhe asgjë më shumë.

Kur ai e ka kuptuar këtë i është drejtuar psikologes së gazetës “The Sun” për t’i kërkuar këshilla.

Jam 18 vjeç dhe prej një viti kam përfunduar gjimnazin.

Nuk kam qenë asnjëherë ndonjë nxënës ekselent, ndaj gjithmonë rrija pas mësimit dhe bëja orë shtesë me mësuesen e gjuhës.

Ajo ishte 29 vjeçe, beqare dhe ishte një super femër.

Gjithmonë më ka tërhequr dhe dalloja që edhe ajo tërhiqej pas meje, por nuk kemi bërë asnjë hap më shumë gjatë periudhës së shkollës.

Pasi kisha përfunduar shkollën, e takoj atë pas 6 muajsh në një supermarket.

Sapo u takuam u ndjeh që tërheqja mes nesh ishte ende prezente.

Pasi folëm pak, aty ajo më ftoi në shtëpinë e saj.

U ngjitëm lart dhe sapo hoqi pallton që kishte veshur, doli në pah trupi i saj fantastik.

Pimë nga një gotë verë dhe më pas filluam të putheshim…e sigurisht që përfunduam në shtrat.

Atë natë unë fjeta në shtëpinë e saj dhe kur u zgjuam në mëngjes bashkë ishte një magji…

Tashmë ne takohemi shpesh dhe bëjmë seks, por unë kam filluar të dashurohem me të çdo ditë e më shumë dhe dua që të kemi një lidhje normale.

Por ajo më thotë që lidhja jonë është vetëm për seks dhe se ajo nuk do asgjë më shumë me mua…por unë e dua atë”, përfundon ai.

Ndërsa psikologia i kthen një përgjigje të thjeshtë, por me kuptim:

Ju jeni të dy adult dhe ti nuk je më në shkollë, por ndoshta ajo shqetësohet për reputacioni e saj pasi ndoshta mendon se njerëzit do të mendojnë që ju jeni lidhur që kur ti ke qenë nxënësi i saj, dhe kjo do t’i shkatërronte karrierën.

Por nga ana tjetër ti je i ri dhe ndoshta pas pak kohësh do të lodhesh me të dhe do të kërkosh një vajzë afër moshës tënde.

Ndaj nuk duhet të nxitohesh dhe as t’i bësh asaj presion për një lidhje normale.