Lajm.co

Ish-zyrtarja e UNMIK emërohet zëdhënëse në Gjykatën Speciale

Përmes një njoftimi publik, u bë e ditur se Angela Griep u emërua ushtruese e detyrës së shefes së Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun dhe njëkohësisht ushtruese e detyrës së zëdhënëses së Dhomave të Specializuara të Kosovës

Karrierën e saj ndërkombëtare, Angela e filloi në Kosovë në vitin 2002, në kuadër të Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Gjatë periudhës 2005-2008 ishte zëvendëszëdhënëse e Shtyllës së BE-së së UNMIKU-ut që merrej me çështje të rimëkëmbjes ekonomike dhe zhvillimit.

Midis viteve 2009 dhe 2017, Angela ka pasur poste të ndryshme në fushën e komunikimit, ndërgjegjësimit dhe mbledhjes së fondeve me UNICEF-in në Sierra Leone, Malavi, Këln dhe Sudan Jugor.

Në janar 2018, ajo filloi punën me Dhomat e Specializuara të Kosovës si koordinatore për Komunikim dhe Ndërgjegjësim.

Tensione Athinë-Moskë: Greqia dëbon diplomatët rusë për spiunazh dhe ndërhyrje në punët e brendshme

Qeveria greke ka kërkuar dëbimim e dy diplomatëve rusë për shkak të implikimit të tyre në çështje spiunazhi dhe ndërhyrje në punët e brendshme

Burime qeveritare i thanë gazetës “Kathimerini” se diplomatët rusë kanë kryer veprime të paligjshëm kundër sigurisë kombëtare, duke u përpjekur të marrin informacion përmes dhënies së rryshfetit zyrtarëve publikë. Diplomatët rusë kanë ofruar stimuj financiarë për të ndikuar në disa bashki dhe mitropoli të vendit dhe për të shtrirë influencën në malin e Athosit.

U bënë përpjekje për të blerë zyrtarë, të cilat, sipas Kathimerini dështuan. Ndërhyrjet synonin çështjet veçanërisht të ndjeshme kombëtare dhe interesat e Greqisë në Ballkan, ku përmendet kontesti i emrit me Maqedoninë.

Sipas “Kathimerini”, vendimi i Athinës nuk është një “rrufe në qiell të hapur”, por vjen si reagim pas një serie lëvizjesh të koordinuara të përpjekjeve për të zgjeruar ndikimin rus në Greqi.

Burimet diplomatike thanë se në këto lëvizje përfshihen aktivitete të qarqeve të ndryshme që përfaqësojnë interesat ruse si Bashkimi Perandorak Ortodoks i Palestinës.

Reagimi i Athinës është, ndër të tjera edhe një mesazh për Moskën. Ky rast nxjerr në pah tensionet nën rrogoz që duket se ekzistojnë dy vitet e fundit midis Athinës dhe Moskës, për arsye që lidhen me mjedisin e përgjithshëm të sigurisë në rajon, shkruan Respublica.

Sipas burimeve të larta diplomatike, këto veprime minojnë miqësinë mes dy popujve dhe imazhin e Rusisë në Greqi, dhe janë pjesë e një përpjekjeje sistematike në shkelje vend të sovranitetit dhe të drejtës ndërkombëtare.

Pavarësisht kësaj, gazeta shkruan se Greqia ende dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me Rusinë, për të nxitur miqësinë mes dy popujve, bashkëpunimin e qeverive të tyre dhe të shoqërisë civile nga të dyja anët.

Megjithatë, kjo mund të bazohet vetëm në barazinë dhe respektin e ndërsjellë me kusht sovranitetin dhe pavarësinë e dy vendeve..

Athina ka qenë shumë e kujdesshme në administrimin e marrëdhënieve greko-ruse. Në rastin e ish-agjentit Sergei Skripal qeveria greke nuk ndoqi shembullin e vendeve të tjera perëndimore që dëbuan diplomatët rusë, në shenjë solidariteti me Britaninë.

Takim grotesk – Samiti i Londrës

I zhvilluar në mes të krizës qeveritare britanike, takimi i nivelit të lartë të Ballkanit Perëndimor në Londër dha pak impulse për procesin e bashkëpunimit rajonal dhe perspektivën për t’u pranuar në Bashkimin Evropian

I zhvilluar në mes të krizës qeveritare britanike, takimi i nivelit të lartë të Ballkanit Perëndimor në Londër dha pak impulse për procesin e bashkëpunimit rajonal dhe perspektivën për t’u pranuar në Bashkimin Evropian.

Takimi ishte grotesk. Në hapjen e samitit për Ballkanin Perëndimor në lindje të Londrës mungonte ai që priste miqtë. Boris Johnson nuk arriti të vinte. Ministri i Jashtëm britanik ishte disa kilometra më tutje i zënë me shkrimin e dorëheqjes së tij. Dorëheqja e Johnsonit e vendosi në hije takimin aq të rëndësishëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe nxorri në plan të parë Brexitin. Në vend të freskisë së pranimeve të reja në BE, takimi u sundua nga ajri i prishur i daljes nga BE. Si mund t’i prezantojë në mënyrë të besueshme një vend virtytet e Klubit evropian, prej të cilit ai vetë është duke u larguar?

Londra rrit ndihmat financiare

Britania e Madhe po largohet nga BE, por nuk do të shkëputet nga përgjegjësia që ka për Ballkanin, u mundua të thoshte kryeministrja britanike Theresa May. Ky pohim u shoqërua me premtime financiare: Mbas Brexitit Londra do të rrisë ndihmat financiare për vitet 2020 /2021 me 95 përqind duke dhënë 80 milionë pfund“.

Grobritannien London Pressekonferenz von Theresa May und Angela Merkel (Getty Images/S. Rousseau)
Me këto do të përkrahen projektet në rajon. Ka shumë punë për të bërë- administrata publike dhe drejtësia duhen reformuar, projektet ekonomike duhen vënë në vijë. Theresa May: „Në afat të gjatë mirëqënia është garancia më e mirë për sigurinë “. Me këtë fjali ajo kaloi në temën që i intereson më shumë.
Mbasi foli në takimet e mëparshme kryesisht për bashkëpunimin rajonal, këmbimin mes të rinjve dhe konektivitetin, Britania e Madhe e vendosi çështjen e sigurisë në qendër të bashkëpunimit: Në të ardhmen Bashkimi Evropian do të punojë ngushtë në këtë fushë me gjashtë vendet e perëndimit të Ballkanit. Synimi është pengimi i migracionit ilegal, radikalizimit dhe tregëtisë së armëve.

Siguria – emëruesi i vetëm i përbashkët

Ison e mori kancelarja gjermane, Angela Merkel duke thënë se “Siguria e Ballkanit Perëndimor është në interes të Gjermanisë dhe BE-së”. Tema e sigurisë është me sa duket emëruesi i vetëm i përbashkët, për gjithë pjesëmarrësit në të ashtuquajturin Procesi i Berlinit. Ballkani perëndimor duhet të ndihmojë në sigurimin e kufijve të BE-së në kuadër të Frontex-it, po ashtu si në luftën kundër terrorizmit dhe kriminalitetit të organizuar me ndihmën e Europolit.

Në kohërat kur diskutimet në BE sundohen prej frikërave për migracionin dhe humbjen e kontrollit, afrimi i Ballkanit me BE mund të prezantohet tek populli votues, i lodhur prej zgjerimit, më së miri nëpërmjet kësaj teme.

Por jo vetëm brenda për brenda. Edhe tek vetë vendet që duan të pranohen, BE mbetet në akt balancimi. Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhen mbajtur në vazhdë megjithëse është e qartë për të gjithë, se pranimi konkret në BE kërkon shumë sforcime. BE duhet ta forcojë ndikimin e vet në rajon me projekte të dukshme dhe konkrete. Sepse lojtarë të tjerë globalë ndodhen tek dera: Rusia, Kina, madje Turqia e kanë rritur prezencën e tyre në mënyrë të ndjeshme.

Prandaj kohët e fundit BE rriti presionin për zgjidhjen e konflikteve të vjetra: Marrëveshja midis Maqedonisë dhe Greqisë me të cilën u zgjidh grindja dhjetravjeçare për emrin, u arrit me ndërmjetësimin e BE dhe duhet të shërbejë si model për gjithë konfliktet bilaterale.

Großbritannien EU-Westbalkangipfel in London (picture-alliance/empics/L. Neal)
„Ne nxorrëm mësime nga shembulli i Kroacisë. Në të ardhmen asnjë vend nuk do të hyjë në BE, pa zgjidhur më parë problemet bilaterale“, tha Komisari për Zgjerimin Johannes Hahn, një një intervistë për DW. Që në mes të 2019 do të fillojnë bisedimet me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Serbia dhe Mali i Zi janë duke i bërë bisedimet me zell dhe janë vendet më premtuese për pranim në BE, megjithë konfliktin e pazgjidhur me Kosovën.

Polonia vend mikpritës në 2019-n

Por lajmet e mira në procesin e pranimit shuhen rrugës për tek publiku i BE-së për shkak të frikërave për rreziqet e mundshme që vijnë nga vendet e Ballkanit. Një aspekt i rëndësishëm këtu është largimi i vazhdueshëm nga vendi, sidomos të rinjve. Perspektiva të këqija ekonomike, pak besim tek politika janë shkaqet më të rëndësishme pse rinia largohet nga vendi i vet. „Rinia nuk është e bindur ende se ka të ardhme në vendin e vet, prandaj ne duhet të bëjmë të pamundurën në mënyrë që ata që kanë ikur të kthehen atje dhe të gjejnë vendin e tyre, dhe të qëndrojnë aty, sepse kanë të ardhme”, tha kancelarja Merkel në konferencën e shtypit të mbajtur në fundit të samitit.

Një postulat i bukur! Por çfarë u diskutua në këtë takim për këtë gjë dhe çfarë vendimesh u morrën, mbetet ende të shihet. Sepse komunikimi me shtypin, që kishte ardhur në numër të konsiderueshëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor, arriti nivelin më të ulët të mundshëm në samitin e Londrës: Në konferencën e shtypit me Merkelin May-in dhe kryeministri polak Morawiecki, i cili do e zhvillojë këtë takim vitin tjetër në vendin e vet, nuk u lejua të bëhej asnjë pyetje për Ballkanin Perëndimor. Dhe asnjë pyetje nga një gazetar prej Ballkanit Perëndimor. Komunikimi i barabartë sy më sy nuk duket kështu! Turp, thanë edhe gazetarët britanikë. Ndërsa për Brexitin mund të bëheshin pyetje!

—————
Takimi në Londër u zhvillua në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili u nis më 2014 nga kancelarja Merkel dhe që prej atëherë mblidhet vit për vit në një vend të ndryshëm të BE. Synimi kryesor i tij është integrimi i mëtejshëm i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Bota do të ndryshoi këtë javë. SHBA largohet nga NATO

Të parashikosh se çfarë do të bëjë Presidenti Trump është sport i rrezikshëm. Ai nesër udhëton në Evropë në samitin e vendeve të NATO-s, do të shkojë për një vizitë në Britani të Madhe dhe krejt në fund do ta takojë edhe Presidentin rus Vladimir Putin. Të gjithë janë në ethe. Ish ambasadori amerikan në Izrael paralajmëron skenar të rrezikshëm

Bota pritet të ndryshojë këtë javë. Me pak fjalë, ky është toni i një shkrimi në Twitter, i ish ambasadorit të Amerikës në Izrael, Dan Shapiro. Ish diplomati i njohur amerikan, bashkëpunëtor i ngushtë i ish Presidentit Obama, ka thënë se gjatë kësaj jave, kur do të mbledhet NATO, Presidenti Trump ka mundësi që ta bëjë atë që deri dje askush nuk ka mundur ta paramendojë: Ta tërheq SHBA-të nga NATO.

“Shumëkush mund të thotë që po e teproj, dhashtë Zoti e unë e kam gabim, mirëpo do të ishim të çmendur nëse nuk e shohim këtë mundësi”, ka shkruar Shapiro në Twitter.

“Trump dëshiron të tërheq SHBA-të nga NATO; ai nuk beson në Aleancë; ai mendon që aleatët po përfitojnë prej nesh”, ka shkruar tutje Shapiro, duke vazhduar se si raportet e Trumpit me Putinin vetëm sa e bëjnë këtë skenar edhe më të mundshëm.

“Ai dëshiron t’ia njoh Rusisë okupimin e Krimesë, ai dëshiron që t’i zbusë sanksionet ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës”.

“Unë nuk mendoj që jemi plotësisht të vetëdijshëm që ne jemi në pikën e fillimit të një epoke të re, ku do të përcaktohet një rend i ri botëror. Dhe unë nuk mendoj që kjo gjë do të ndodhë gjatë mandatit të Trumpit. Unë mendoj që kjo do të ndodhë këtë javë”, ka shkruar ish diplomati amerikan.

Në anën tjetër Trump edhe sot e ka vazhduar betejën verbale me aleatët e NATO-s, që sipas tij nuk po paguajnë sa duhet për aleancën. Presidenti Amerikan, bashkë me udhëheqësit e tjerë të shteteve të NATO-s do të zbarkojnë nesër në Bruksel, ku do të zhvillohet Samiti i vendeve të Aleancës Veri Atlantike.

Përveç në Bruskel, Trump gjatë këtij turneu evropian do ta vizitojë edhe Britaninë e Madhe, ku priten protesta të mëdha kundër tij. Pas vizitës në Britani ai në Helsiniki do të takohet edhe me Presidentin rus, Vladimir Putin.

Para se të niset për këtë turne Trump ka thënë për mediat se “takimi me Putinin për të do të jetë më i lehti, nga të gjitha takimet tjera”. Ai nuk ka folur për mundësinë e tërheqjes nga NATO-s por i ka kritikuar ashpër aleatët evropianë.

Trump kishte kaluar shumë keq edhe në takimin e fundit të G7, ku të gjithë aleatët e deridjeshëm të Amerikës kishin dalë kundër politikave të tij ekonomike. Shumëkush thotë që aktualisht raportet e Trumpit me Rusinë janë shumë më të mira se sa raportet e tij me shtetet e tjera të NATO-s.

Aleanca e NATO-s është krijuar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore si kundërpeshë e bllokut Sovjetik, që ishin grumbulluar në Paktin e Varshavës.

Franca në finalen e madhe

Gjelat e kanë mposhtur Belgjikën më rezultat 1-0 për të kaluar në finale të Rusia 2018. Golin e vetëm për francezët e shënoi Umtiti në minutën e 50’të. Franca është në finale pas 12 viteve

Franca dhe Belgjika nuk kanë shënuar gola në pjesën e parë të takimit edhe pse kishte një ndeshje shumë të barabartë sidomos me aksione. Megjithatë, francezët u treguan më të mirë në goditje në drejtim të portës dhe ishin afër për të shënuar golin e parë.

Rastin më të mirë Franca e pati në minutën e 38 ku Pavard u gjend ballë për ballë me portierin e Courtois por ky i fundit bëri një pritje përfekte. Nga ana tjetër, nga skuadra belge rastin më të mirë e pati Alderëield por prapë ishte portieri Hugo Lloris që tregojë vlerat e tij duke bërë një pritje fenomenale. Përndryshe gjatë pjesës së parë, Belgjika kishte më shumë posedim se sa Franca.

Pjesa e dytë fillojë shumë më mirë për Francën. Pas ekzekutimit te një goditje nga këndi me së miri u gjend Umtiti që shënoi në minutën e 50’të. Franca kishte një mundësi të mirë për të shënuar edhe në minutën e 56 me Giroud por për pak shpëtoi Courtois.

Belgjika fillojë sulmet e pareshtura deri në minutën e 70’të por më se afërmi për të barazuar De Bryene që nuk reagojë si duhet. Hazard u duk se u faulua në minutën e 81’të, por për çudinë e të gjithëve nuk akordohet faul për Belgjikën.

Belgjika tentoi disa herë të shënoi por trajneri Diedier Deschamps bëri disa zëvendësime taktike duke përforcuar mesfushën. Kante shkaktoi një faul jashtë zonës në minutën e 87’të ku De Bruyne ku u krijua një tollovi në zonë por u spastrua nga Pavon, që sonte ishte në një formë shumë të mirë.

Lukaku e humbi një top të mirë në minutën e 88’të kur krosoi De Bruyne i cili përfundoi jashtë.
Griezmann e pati një miundësi të mirë në minutën e 93’të por nuk shënoi. Tolisso e humbi mundësinë ideale për gol në minutën e 5 të lojës shtesë.

Ndërkohë belgët në gjashtë minutat shtesë nuk arritën që të shënonin gol, madje shkaktuan edhe disa ndërhyrje në lojtarët francez që bënë që minutat të kalojnë, sidomos në Mbappe. Kështu Franca kalon në finale të një Botërori pas 12 viteve, ku kishte humbur në finalen e vitit 2006 kundër Italisë.

CIA për Europën 2020: Shqipëria e Kosova, ndaras, por në zonën ortodokse europiane

Agjencia e inteligjencës amerikane, CIA dhe agjencia Stratfor, parashikojnë ndryshime të mëdha në Evropë deri në vitin 2020, transmeton Koha.net një shkrim të botuar në veçernje novosti

Sipas këtij shkrimi, parashikim i CIA thotë se Europa deri në vitin 2020 do të jetë krejtësisht ndryshe nga ajo e sotme. Europa do jetë e ndarë në tri pjesë – Evropa “e re”, “e vjetër” dhe “ortodokse”.

CIA parashikon se blloku perëndimor, ose “Evropa e vjetër” do të përbëhet nga Gjermania, Franca, Austria, Britania e Madhe, Spanja, Portugalia, Italia, Suedia, Norvegjia, Finlanda.

“Evropa e Re” do të përfshijë Letoninë, Lituaninë, Estoninë, Poloninë, Hungarinë, Republikën Çeke, Sllovakinë, Slloveninë, Kroacinë, me çfarë këto vende, dikur anëtare të Paktit të Varshavës, tani do të jenë mbështetësit kryesorë ushtarakë të SHBA-së në Evropë.

Në të njëjtën kohë, agjencia Stratfor parashikon ndryshime të mëdha – forcimin e Polonisë dhe Rumanisë përmes partneritetit strategjik me SHBA, rritja e Turqisë si një fuqi rajonale, me dobësimin e ndikimit gjerman.

Këtij grupi do t’i përkisnin edhe Bosnja dhe Shqipëria. Sipas CIA-s, në zonën ‘katolike’ të vendeve të Evropës Lindore do të ishin nën patronazhin e SHBA-së, ndërsa Shqipëria dhe Kosova, edhe pse CIA i prezanton dhe paraqet krejtësisht të ndara nga këto venden, do të ishin pjesë e “zonës ortodokse europiane” .

Haradinaj flet për nevojën e armëpushimit politik me Serbinë

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë në fund të samitit të Ballkanit Perëndimor, se ka ngritur në takim presionet që Serbia po ua bën serbëve të Kosovës për largim nga FSK-ja

“E kuptojmë ndjeshmërinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të dialogut dhe jemi të gatshëm t’i ruajmë këto raporte. Por, na duhet një armëpushim politik, nëse do të ketë dialog, të ketë edhe armëpushim politik. Unë e thashë këtë në fjalën time. Kjo që ka ndodhë sot është veprim i institucioneve të rendit dhe ligjit, pas informacioneve që qytetarët serbë kanë qenë të kërcënuar. Kërkon dy palë çdo herë. Nuk mundet me u bartë përgjegjësia te Kosova vetëm”, ka thënë Haradinaj për KTV-në.

Ai ka shprehur bindjen se rekomandimi i BE-së për liberalizimin do të vijë shumë shpejt, pasi që Kosova i ka bërë punët e shtëpisë. “Me mujtë me dërgu në Parlament para pushimit, tani mbeten vetëm shtetet në vjeshtë. Mbajmë shpresë që deri në fund të vitit me ndodhë liberalizimi” ka thënë Hardinaj.

Çfarë fshihet në arkivat e Stambollit

Në këtë vëllim paraqiten edhe letrat që M. Kruja kishte marrë nga Teqeja Bektashiane e Detroidit, nga Baba Rexhepi. Figura e këtij mistiku të madh është një nga më të njohurat në historinë e klerit shqiptar, sidomos atij mysliman. Me Abaz Kupin nuk kemi në dorë një letërkëmbim të gjatë, shpjegon Merlika por në vëllim janë dy materiale

Letërkëmbimi i Mustafa Krujës me Eqerem Bej Vlorën

Në serinë “Kuvend letrash me miqtë” në librin e tretë krijohet një mozaik problematikash, ide, dhe argumente që nipi i Mustafa Krujës, Eugjen Merlika e ka cilësuar si “saga shqiptare e mërgimit”. Përmes letërkëmbimit të Krujës me personazhe të njohur të politikës krijohet historia tjetër e panjohur e mërgatës shqiptare mbas luftës së dytë botërore, të cilët kundërshtuan në mënyra të ndryshme sistemin stalinist të instaluar në Shqipëri.

“Të mërguarit, që arritën të shpëtojnë nga kthetrat e diktaturës, u përballuan në kohët e para me një qëndrim mosbesues të fituesve të luftës, për pasojë me kushte të vështira jetese… para asaj klase politike, që kishte mundur të shpëtonte lëkurën e ishte shpërndarë në të katër anët e globit, në luftë për mbijetesën ekonomike, këndvështrimet e interpretimit të ngjarjeve dhe objektivat e synimet, në raport me kërkesat kombëtare, duhej të ndryshonin katërcipërisht.

Goditja e marrë ishte marramendëse dhe detyra që vihej para saj ishte e një përmase aq të madhe sa që bëhej praktikisht e pamundur. Duhej riorganizuar mërgata, duke arkivuar të gjitha paragjykimet e parapëlqimet që kishin përcaktuar qëndrime që, nëse ishin të justifikuara deri diku në kuadrin e Shqipërisë së pushtuar në luftën e dytë botërore, tashmë ishin të pavend, madje të dëmshme në një botë të ndryshuar krejtësisht e për një gjëndje që detyronte objektiva të tjera”, shkruan Merlika në parathënien e këtij botimi, ku përfshihen letërkëmbimi të viteve ’48-’50 me familjen Mbretërore, Ekrem Bej Vlorës, Tahir Kolgjinit, Baba Rexhepit dhe Abaz Kupin.

Në këtë vëllim paraqiten edhe letrat që M. Kruja kishte marrë nga Teqeja Bektashiane e Detroitit, nga Baba Rexhepi. Figura e këtij mistiku të madh është një nga më të njohurat në historinë e klerit shqiptar, sidomos atij mysliman.

Me Abaz Kupin nuk kemi në dorë një letërkëmbim të gjatë, shpjegon Merlika por në vëllim janë dy materiale: një letër e M. Krujës në të cilën, veç argumenteve të tjera, ai kërkon ndihmë për dokumente vetjake nëpërmjet Oborrit Mbretëror dhe në tjetrën janë “porositë” që ish-kryeministri, në saje të përvojës dhe disa viteve më shumë si moshë, i lejon vetes t’i përcjellë mikut në lidhje me veprimtarinë e tij në Lëvizjen e Legalitetit e në Komitetin “Shqipëria e lirë”.

Një ndër letërkëmbimet më të gjata të vëllimit është ai me Tahir Kolgjinin, me të cilin e lidhte një bashkëpunim gjatë kohës së luftës. Katër letra të drejtuara M. Krujës nga Kolë Bibë Mirakaj.

Romë, 24 Qershor 1952

I ndershmi mik,

Fletorja “L’Albanie Libre” Ju falënderon me zemër për bashkëpunimin t’uaj të vlefshëm. Artikujt që Zotrija e Juaj i ka dërguar kësaj fletoreje kanë patur pëlqimin e gjithë lexonjësavet të saj, prandaj kjo ësht një arësye më tepër për të kërkuar edhe shkrime të tjera nga ana e Z. s’uaj. Do t’u ishim mirënjohtës, pra, sikur mos të na e kursenit bashkëpunimin t’Uaj të çmuar.

Jemi të sigurt se ndjeshmënis s’uaj s’do t’i shpëtojë gjendja e mjerë e Atdheut t’onë dhe rreziku i humbjes së asaj pasurije letrare, historike e shoqërore, që vetëm me shkrimtarë si Ju mund të shpëtohet. Duke Ju falënderuar qysh tash për ndihmën që shpresojmë se do na jepni duke na dërguar, sikurse edhe më parë, bashkëpunimin t’uaj të vlefshmë, Ju lutem të pranoni nderimet dhe përshëndetjet t’ona mê të çquara.

Për “L’ALBANIE LIBRE”

EKREM VLORA

Të ndershmit Zotni

Mustafà Kruja Merlika

Egjypt, Aleksandri

2, rue Eglise Grecque

Schutz, Ramlech

P.S. Ndigjuam që keni botuar me anë të radjos “Free Europe” një mesazh për popullin shqiptar. Nëse është e vërtet, kemi dëshirë të njohim tekstin dhe datën që ësht transmetuar. Me nderime vëllaznore

Përherë i juaj

Ekrem Vlora

Romë më 9 korrik 1953

Fort i dashuri mik

Përfitoj nga rasti, qe po këthehet në Misir miku i përbashkët Z. Ago Agaj, për me ju çue këtë letër. Shpresoj e uroj, që do ju gjej me shëndet të plot e me zëmbër të gëzuar. Kanë kaluar mjaft kohë qe nuk kemi patur ndonjë çkëmbim letrash. Me gjith këtë, besomni, nuk kalon ditë pa ju përmendur; jo vetëm për kujtimet e përbashkët që na lidhin, por edhe për çmimin e lart që u japim. Shpesh herë na keni nderuar me dërgimin e ndonjë artikullit për gazetën t’onë. Ky bashkpunim ka qënë për neve jo vetëm një mjetë çmallje, por edhe një përfitim i vlershëm. Nga këta artikujt kuptova që merreni me stydime historike. Edhe pikrisht ky fakti është, që më shtyti t’ju shkroj këtë letrën, me një përmbajtje – pak të çuditshme –.

Më falni pra, që po ju bezdis:

Ju e dini, ma mirë se unë, që populli shqiptar nuk ka ende nji historië të shkruar. Disâ të huaj, edhe fort pak shqiptar, janë mar me përshkrimin e ndonjë kohës ose ndonjë pamjes qe i përket historisë shqiptare. Këta tregimet shëmbëllejn disa shkëmbënjve që janë përhapur në detin e harrimit, në të cilin ësht fundosur historia e jonë. Mëndësia e shqiptarit, e themeluar krejt mbi fitimet e hëpêrhëshêm edhe lëndorë nuk ka lejuar veçanrisht të merret me çështje – të kota – të vdekura, që nuk paraqisnin as një interes për të. Urija edhe nakari e kanë ndaluar mbas asaj shqiptarin, të vërë në dukje ngjarje që mund të shkaktonin çquarjen e njerzvet që ishin ende të gjall në far e fisîn e vet ose në kujtimin e popullit. Më së fundi edhe injoranca ka kontribuar në mungesën e aktevet qe i përkasin historisë shqiptare: i kanë grisur, i kanë humbur, se pse nuk dinin fare ti këndonin.

Kështu; kurse ësht shkruar diç’ka mbi historinë shqiptare, kjo ka dalë në dritë shum shum vjet mbas ngjarjes, nga pend e ndonjë të huaji, që nuk mund të dinte as mëndësinë e popullit t’onë, as jetën e tij, as edhe rrethanat, lidhjet me të kaluarën, që i përkisnin njeriut ose njerzve që përmendeshin në këto ngjarjet.

Por të huajt, për sa i përket disa pjesave të historisë shqiptare që kanë trajtuar, kanë patur disa burime: akte, letra, shënime etj. etj. që patën shkruar disa të huaj të tjerë. Edhe ju, i dashuri mik, jeni tue stydjuar historinë shqiptare, mbi këto mbeturinat.(Acta-t e Thallocy-t, Jeriçekut etj.) janë një provë për shërbimin qe kanë bërë të huajt në këtë lamë. Ata na e mblodhën nji thesar, sado të mangët, e ua lanë si dhurat; por edhe si shëmbëll edhe si mbësim se si duhet të veprojm.

Ju e dini, që pjesa më e errët e më e panjohur prej shqiptarëvet në historinë e tyre i përket pikrisht kohës më të afërt = sundimit të perandorisë otomane. Mjerisht, kam ndigjuar nga shum = intelektual = shqiptar, që kjo koha në të cilën kanë vepruar = në dëm të popullit shqipo! = disa Pashallar tyrk, nuk intereson dòt = shqiptarët atdhedashës =

Më falni që përsërit të tilla = budallallëke. Por tregojn moskuptimin e esencës, e nevojës të historisë; kjo shkaktoj harrimin e saj tek neve, prandaj i përmënd.

Tash, ajo koha e turkut ka formuar – mirë a keq – at’Shqipon që krenohet sot, si populli më i çquar e më trim, e më i zoti i botës!! Neve kemi pra detyrë ta stydjojm e ta thellojm njohjen e njerzvet që kanë vepruar; jetën e popullit, rrethanat, zakonet, ngjarjet e asaj kohës. Në Shqipri’ë kemi fort pak lënd:

1) Kujtimet – gojëthanjet – këngat.

2) Gurët e varrevet.

3) Disa akte (në zyrat e Vakfit, në gykatoren e Sherisë etj.)

Por mbi Shqiprinë (e kohës otomane) kemi një burim të pambaruar – në Stamboll. –

1) Në Hazine-i Evrak të Babi Alis.

2) Në shkurtimet e Fermanevet (mexhuai – Feramin 49 vlli. – 1482 – 1917).

3) Në babi Meshikat – Hyqam defteri –

4) Në ministrinë e Vakfit (Evkaf Nezareti – Kujudat defteri)

5) Në Ministrinë e financavet (arshiv) – malije nezareti – Kujudat Shubesi – (Timar Zeamet evraki)

6) Ministria e luftës – Tarih Shubesi – jenixheri defterli –

Diçka mund të gjindet edhe në Edirne; diçka që i përket kohës të sulmimevet Tyrk mbi Shqiprinë.

Më së fundi edhe gurët e varrevet (në varrezat e Ysqydarit, Ejupit dhe Jedi Kapus) mund ti shërbejn historisë shqiptare.

Këta janë pak a shumë vëndet ku mund të mbledhim mjaft lënd që i përket historisë Shqiptare.

Në vijim të këtyre andrravet erdha në përfundim të përpiqem për të realizuar një endërr edhe më të thell. – Të gjej mjetet e nevojshme që mund ti lejojnë një grupit vogël njerzësh të shkoj në Stamboll për të mbledhur këtë lënd e për ta botuar më një libër (me fotografit e aktevet origjinale mundësisht), që ti përngjaj edhe të plotsoj aktat e Thallóczy-t etj për kohën e perandorisë otomane. Nuk ësht as një punë e leht, as edhe e lirë. Por dy tre njerz, me vullnet të mirë, me diç’ka një dijenië mbi shkrimet e ndryshëm të kohës perandorisë otomane, mund të bëjn një punë të dobijshme. Por do kohë: të paktën dy vjet. Duhet të keni parasysh që Hammeri mblodhi (edhe botoj) 5200 Fermane; ndër gjith këta – vetëm 2 – i përkasin Shqiprisë.

Çështja, për sa i përket shpenzimevet, koklavitet edhe më tepër. Për të bërë një punë të dobijshme duhen 2 veta, një segretar, një fotograf (gjithsej 4 veta). Po llogaritëm për ç’do njeriu një rrogë mujore mesatare prej 10 napolona ari bëjn 40/napol.ari në muaj. Për dy vjet bëjn lart nga 1000/napol.ari: një shpenzim pra mjaft i math që mund të shkaktoj edhe shpenzime të tjera të papritura. Por botimi i një librit që përmbledh pak a shumë gjith dokumentat që i përkasin Shqiprisë do qe një vepër themeltare për historinë t’onë. E di, nuk do bëhet dot! Me gjith këtë mbi insistimin e Agos po ja u paraqis mendimin t’im. Nëse e gjeni të pëlqyeshëm, nëse besoni që Mbreti mund – pjesrisht – të interesohet në këtë punë, (pjesën tjatër mund që na i jep – akademia del mediterraneo – ose – Istituto orientale ) paraqitjani çështjen. Tash, mjaft ju bezdisa, po i jap fund letrës t’ime tue ju lutur të pranoni çfaqjen e nderimevet më miqsore.

I juaji përherë

Ekrem Vlora

Lashtësia Arvanitase përmes miteve dhe historisë

Autori i këtij vëzhgimi po i lejon vetes një këndvështrim për të “panjohurën” e parë, arvanitasit, që mbase i tejkalon “kompetencat”, por besoj se ndihmon. Them “kompetencat”, sepse mendimi historik, hapësira e shtjellimit të tij, për mua është e mbetet një qerthull i mbyllur në gjirin e pikëpamjeve vetjake të historianëve, brenda një universi, deritanishëm i kufizuar. Arvanitasit, emigrues apo vendorë

Nga Bajram Peçi

Shumëkush që do lexojë këtë shkrim, janë tërë gjasat që të thotë se kësaj pyetjeje i është dhënë me kohë përgjigjja: janë emigrues! Të përshkruash njerëzit, të skicosh portrete njerëzore, bëhet më thjesht sesa të orvatesh të hysh në përshkrime historike. Ndonëse di se “rregulli” e kërkon të ndeshësh në paragjykime, pasi kam shfletuar për një kohë të gjatë shumë faqe shpjeguese, më shndërrohet në detyrë të shkruaj kur arrij të zbuloj një univers shqiptar, kur vërej se në historinë e kombit tonë, në mugëtirën që e mbulon, spikasin zhvillime historikisht të mbetura në një mister ende të pandriçuar.

Sa më i papërshkueshëm bëhet ky mister, aq më shumë e madhe bëhet tërheqja për të mësuar më tepër, ku veçoj, për të paktën tri të panjohura historike, të cilat, jo vetëm se përçapjet shpjeguese të deritanishme nuk të bindin, por krijojnë një rrjet pleksjesh edhe më të ndërlikuar, që s’marrin dot përgjigje, si: origjina e banorëve shqipfolës në Greqi, të quajtur Arvanitas, janë emigrantë apo vendas të lashtë prej mijë vjetësh?; shndërrimi i emërtimit nga Arbanas në Shqiptarë, si ndodhi që ndryshuam emrin kombëtar, ku vazhdojnë të sundojnë shpjegime fare të paqarta, jo bindëse, pa mbështetje në burime dokumentare dhe ku ngecesh lehtë në baltë?; shndërrimi nga të krishterë në myslimanë, një mister shqiptar, ndërkohë që pushtimi otoman nuk e diktoi këtë te fqinjët grekë e serbë? Autori i këtij vëzhgimi po i lejon vetes një këndvështrim për të “panjohurën” e parë, arvanitasit, që mbase i tejkalon “kompetencat”, por besoj se ndihmon. Them “kompetencat”, sepse mendimi historik, hapësira e shtjellimit të tij, për mua është e mbetet një qerthull i mbyllur në gjirin e pikëpamjeve vetjake të historianëve, brenda një universi, deritanishëm i kufizuar. I sjell në vëmendje qëmtimet, pa asnjë pretendim ta shtroj në rrafshin e studimit historik, i cili, natyrisht, mbetet detyrë e specialistëve të fushës për t’u gjetur një shpjegim.

Në vitet ’90, kur Shqipëria u hap, një shoku im më solli fletëpalosjen e guidës në shërbim të turistëve që vizitonin qytetin e lashtë spartan të Olimpit, vendi ku zhvilloheshin lojërat e lashta olimpike. Fletëpalosjes shumëngjyrëshe, e prodhuar në letër-lustër, me lapustil të zi i ishte fshirë një rresht, e cila, në një pozicion të pjerrët me ndriçim, lexohej e shkruara në anglisht se “…rreth Olimpit banonte popullsi arvanite”. Pse vallë, para eksodit të shqiptarëve në Greqi, grekët nuk i trembeshin këtij fakti, madje e publikonin, ndërsa më pas, kjo e dhënë sa sociale aq dhe historike, orvatej të fshihej? Lexuesi, “ky naiv i përhershëm i të gjitha kohërave”, siç ka shkruar Cvajg, beson në ato që lexon, i merr të mirëqena, madje, mbi bazën e studimit të përrallave në Serbi lindi një shkencë e tërë, për të vërtetuar burimin historik të legjendave të thurura në shekujt e fundit, e që ngulmonin drejtpërdrejt kundër autoktonisë së shqiptarëve në krahinën e Kosovës.

Besoj se kështu ka ndodhur edhe me origjinën e pranisë së arvanitasve në tokat dhe ishujt e Egjeut. Një nuhatje jashtëzakonisht e hollë u zhvillua që nga gjysma e parë e shek. 19-të, e më pas, te historianët politikë grekë, të cilët, fillimisht me hamendje dhe më pas me prova dokumentare e hipoteza të ndërlikuara, përcaktuan në librat e tyre të historisë se këta banorë që flisnin shqip, qytetarë të shtetit grek, që thirreshin “arvanitas”, ishin emigrantë të ardhur, vendosur në Greqi gjatë fundit të Mesjetës nga shek. XIV e më pas. Më tej, disa prej tyre pranuan si mundësi edhe shek. XIII. Me këtë qëndrim ranë dakord shumë nga historianët europianë dhe, vite më pas, kjo pikëpamje u pranua gjerësisht, me pak përjashtime, edhe nga historianët shqiptarë.

Një mori e pafund argumentesh nga historianë e studiues, që ndeshin në kundërshti mes tyre

Pasi kisha shfletuar e mbajtur shënime për dhjetëra botime të historisë së arvanitasve, qëllimi im u bë vrojtimi i atyre pjesëve që sillnin kundërshti dhe që i gjykoja se do ishin të dobishme për t’i riparë, ndonëse më mbizotëronte mendimi se ishin konsumuar si tema dhe se origjina e mbështetur në emigracion tashmë ishte e familjarizuar. Nga sa kam vënë re, në këtë çështje, historiografia jonë ka luajtur dhe shënon një rol të dorës së dytë.

Botimet që flasin, për shkaqet jo vetëm të pranisë së shqipfolësve në territoret e sotme, por dhe të qenies si strukturë race mbizotëruese në popullatën e përfshirë brenda shtetit grek, janë të shumta. Pothuaj në të gjitha ato gjen edhe shpjegimet përkatëse, që përdoren si arsye ose argumente.

Kam mundur të veçoj disa nga më kryesoret, të cilat hasen më shpesh:

• Ngritja e vendbanimeve me karakter ushtarak dhe lëvizja paqësore me krisobule dhe pëlqimin e perandorit, si rrjedhojë e rrallimit të ndjeshëm të popullsisë (Tito Johalla për vendosjen në Thesali).

• Zakonet që kanë shqiptarët për t’i shitur shërbimin e tyre të parit që shfaqet, nga rrjedh fatkeqësia që të mos bashkohen nën përkatësinë kombëtare (Pukëvil për praninë e arvanitasve në Greqi).

• Themelet e Perandorisë Bizantine në pragun e shek. XII-XIII, kishin filluar të tronditeshin nga sulmet e normanëve, serbëve, bullgarëve (I.Koçollari për faktorin e jashtëm që nxiti lëvizjen)

• Erdhën të ftuar nga Venediku (Tito Johalla për vendosjen në ishullin Eube, Hidra, Specia, Psara, Salaminë)

• …erdhën si bujq dhe për të mbrojtur ishullin (D.Paskalidis për vendosjen në ishujt Ciklade).

• Masa shqiptarësh u ftuan nga princa për të populluar vendin (D.Paskalidis për vendosjen në Peloponez)

• Tokat greke ishin shpopulluar krejtësisht (Falmerajeri për vendosjen e arvanitasve).

• …për të ulur revoltat e fiseve shqiptare në jug, i shpërngulën në More (E.Çabej për vendosjen në Peloponez)

• Emigrimi drejt jugut, në zona ku shfryrja demografike e kohës (sidomos pas murtajës së vitit 1348) e bënte më të lehtë penetrimin e shqiptarëve (Paolo Petta te “Despotë të Epirit”)

• …duke ndjekur fillimisht itineraret e verimit të bagëtive…u vendosën fiset shqiptare në Thesali, në Epir e më pas në gjithë Greqinë, sidomos në Peloponez (Paolo Petta te “Despotë të Epirit”)

• Shqiptarët e nisur nga Epidamni…pushtuan Thesalinë (Leonik Halko Kondili)

• …u sollën për të nënshtruar vendin (I.J.Pulli për vendosjen në Peloponez)

Siç shihet, arsyet e vendosjes së shqiptarëve në Greqi i përfshijnë të tri shkaqet emigratore, ato për shkaqe natyrore, epidemi e katastrofa; për shkaqe shoqërore, luftëra dhe destabilizim dhe për shkaqe ekonomike. I gjen kudo nëpër tekste. Gjithsesi, nuk janë ato arsyetimet që mbizotërojnë pikëpamjet. Mbi të gjitha sundon shpjegimi këmbëngulës i një shumice studiuesish dhe historianësh për “Shpërthimin demografik të shqiptarëve”, dhe “ekspansionin” e tyre, që mbizotëron në tekstet e historisë.

A janë emigrimet e arvanitasve “ekspansion” dhe “shpërthime demografike të arbërve”?

Si popull që na kanë ndjekur nga pas një mori fatkeqësish, ku mëton të spikasë veçanërisht pushtimi i gjatë turk; që vërshimi pushtues pesëshekullor turko-aziatik zhduku kronikat e pasuritë dokumentare historike; mungesa e shkrimit shqip, alfabetit dhe shkollës e që pasohet më tej me përpëlitjen deri në shek. 20-të të mungesës së arshivave e bibliotekave, lehtësisht preket njohja me mungesën e kronikave të historisë tonë, sa në Mesjetën e Hershme, aq dhe atë të Mesme. Mbetën vetëm legjendat, ku mbështeten jo pak interpretime. Për ne dhe trojet, ku jemi ngulur prej mijëra vjetësh, kanë shkruar të tjerët, sidomos fqinjët dhe i kanë shkruar ato me njëanshmëri, në përputhje me interesat nacionaliste të kombit që i përkasin.

Te botimi “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”, deri në shek. VI të erës tonë, pragu i Mesjetës së Hershme, kronikat bizantine, e të tjera syresh, na sjellin të gjalla e me plot ilustrime dyndjet “barbare”, sllave, gote, avare. Teksti mbyllet me kronikat e Zonaras për fundin e shek. VI, por që ai i ka shkruar në fund të shek. XI. Më tej, kronikat e fillimit mesjetar përshkruajë dyndjet dhe sulmet visigote e vikinge. Afërmendsh kuptohet se pse lëvizjet e mëdha të popujve ishin brendi e kronikave të kohës, sepse ato përfaqësonin ngjarje të mëdha, që shoqëroheshin jo rrallë me luftëra e mjerim, nuk ishin me natyrë paqësore dhe shndërroheshin në kriza politike e sociale. Nëse do kishin ndodhur lëvizje të mëdha të popullsive arbërore, “ekspansion” apo “Shpërthime demografike”, siç i quajnë disa historianë, grekë dhe europianë, si A.Zakythinos, G.Stadmüller, A.Ducellier, kronikanët bizantinë do t’i shënonin ato në “Historitë” e tyre, por është e habitshme se, të paktën deri në botimet e deritanishme, nuk hasen kund në kronika lëvizje shpërthyese iliro-arbre, sikundër ndodh me lëvizjet e sllavëve serbë e bullgarë, gotëve e avarëve, të cilat i ndesh të shumta.

Përpos kësaj, kjo gjetje historike ka një përputhje të çuditshme e ngjet si dy pika uji me qëndrimin mitoman serb mbi “shpërthimin demografik” të shqiptarëve “…ardhur nga bjeshkët”(?!), “…për të mbushur vakumin në Kosovën e paslargimit të serbëve” në fundin e shek XVII. Fqinjët tanë, agresivë dhe me oreks të pashterur pushtime trojesh, sa herë historiografët nacionalistë, të njëanshëm e politikë, nuk u kanë dhënë dot një përgjigje më besuese, në përputhje me interesat e tyre, pyetjes, “Pse shqiptarët ndodhen aty”, kanë përdorur “shpërthimet demografike” si gjetje dobiprurëse për tekstet e historisë së tyre. Nuk gjen sot fëmijë shkolle serb, që të të mos ta pohojë këtë “ekspansion shqiptar”.

Një nga studiuesit më të mirë të pranisë së shqipfolësve arvanitë në Greqi, pa mëdyshje, është Irakli Koçollari. Te botimi i tij, “Arvanitët”, studiuesi sjell plot të dhëna dokumentare që u përkasin periudhave të ndryshme për lëvizjen e arbërve drejt territoreve greke, madje arrin të provojë me dokumente të kancelarive të Bizantit, Venedikut dhe Aragonës, se një pjesë prej tyre janë të pranishëm aty që nga shek XI, pra, afërsisht në ekstrem të fillesës së përmendjes të paraardhësve tanë. Burimet historike nuk thonë asgjë, nuk e njohin ekzistencën e shqiptarëve (arbërve) para vitit 1000, ndonëse të ndodhur në vijën ndarëse gjuhësore dhe kulturore, midis greqishtes dhe latinishtes.

Këto të ashtuquajtura “Shpërthime demografike” të arbërorëve, shumica e historianëve i vendosim në shek. XIII dhe XIV. Merret me mend se, që të kishte shpërthim demografik, fenomeni shoqëror duhet të plotësonte kushtin paraprak të shtimit natyror, i cili, nga ana tjetër duhej të përmbushte kushtet sociale të mirëqenies dhe ekonomisë së begatë që krijonte teprica. Pa qenë e nevojshme të jesh një vëzhgues i hollë, mjafton të shqyrtosh shkarazi çka ngjarë në këta shekuj në trojet ku banonin arbrit? Të gjitha historitë e Ballkanit, në këtë periudhë, flasin për kolonizimin e gadishullit Ilirik nga bullgarët dhe serbët.

Nuk mungojnë në këta dy shekuj edhe pushtimet e bastisjet normane, venedikase, anzhuine. “Katrahurën njerëzore të quajtur histori e Ballkanit”, e quan këtë periudhë historiani Ferdinand Schevill, te botimi “Ballkani, historia dhe qytetërimi”. Janë të dokumentuara përmes kronikave fatkeqësitë e papërshkrueshme që sllavët i sollën popullatës arbërore në shek. XI-XIV. Ata shkatërruan çdo gjë, çdo qytet që u doli përpara, nga Shkupi, Prizreni, Leshtaku i Pollogut, Durrësi, Bylisi, Vlora e Apolonia, që i rrënoi në themel. H.I Pulli shkruan se “…në shek. XIV, bullgarët në tërheqje nga Durrësi, shkatërruan Arbërinë”. Në Arbërinë bizantine, kronikat shënojnë në vitin 1261 se pushteti qendror bizantin nuk kishte flotë në Adriatik, pirateria lulëzonte dhe bregdeti i saj ishte i braktisur nga banorët për shkak të piraterisë katalane, që e kishin bërë bregdetin të pasigurt.

Paolo Petta pikas gjithashtu se bregdeti ishte kthyer në moçalor, dhe me shkatërrimin e rrugës “Egnatia”, popullata në brendi të territorit, në mungesë totale të rrugëve ishte organizuar mbi baza fisnore dhe kryesisht në jetë barinjsh. Historiani teist, Zh.K.Faveirial, shkruan për këtë periudhë se, “…pas tërmetit të vitit 1274, që rrënoi tërësisht Durrësin…ishte një goditje e perëndive. Bashkë me këtë metropol u përmbys përgjithmonë në Shqipëri sundimi bizantin. Kaq i dëmshëm, kaq i kobshëm për vendin. Megjithatë, do shohim se Durrësit dhe rrethinave të tij do t’i vërë flakën sundimi serb (1389). Si njëri dhe tjetri sundim do t’ia dorëzojnë sundimit otoman të shkreta. Bizanti ua la Shqipërinë turqve veçse rrënoja”. Sa më sipër, shërbejnë si prova të vendtakimit të kontradiktës, pasi nga njëra anë flitet për ekspansion dhe shpërthim demografik dhe nga ana tjetër kjo periudhë na sjell vetëm mjerimin e pranisë baritore dhe fshatarët raja.

Mes lotësh dhe dhimbjes së madhe, varroset familja 5 anëtarëshe që vdiq në aksidentin e tmerrshëm

Kishin ardhur një ditë më parë për pushime në Kosovë, por ato nuk i shijuan. Të dielën pasdite, familja pesë anëtarëshe Sadikaj nga fshati Sopi i Komunës Suharekës, mbeten të vdekur në një aksident të tmerrshëm komunikacioni që ndodhi magjistralen Suharekë – Duhël, në fshatin Biraçë të Suharekës

Hydajete Sadikaj, 56 vjeçare Jeton Sadikaj, 33 vjeç , Albesa Sadikaj, 27 vjeçe dhe dy fëmijët Erjoni 6 vjeç dhe Eliesa Sadikaj 4 vjeçe vdiqën në aksidentin e rëndë në Suharekë. Familja pesë anëtarëshe jetonte prej vitesh në qytetin Reinach të kantonit të Aargau në Zvicër. Ndërsa sot në fshatin Sopi u bë varrimi i tyre.

Sot me të hyrë në qytetin e Suharekës vërehej mërzia e madhe që kishte kapluar jo vetëm Suharekën, por të gjithë Kosovën. Në shenjë të tragjedisë, Komuna kishte shpallur ditë zie, dhe flamujt ishin ulur në gjysmë shtizë. Në fshatin Sopi, mes lotësh e dhimbje të madhe u varrosën pesë anëtarët e familjes Sadikaj, dy prej të cilëve fëmijë. Në ceremoninë e varrimit morën pjesë shumë qytetarë nga pothuaj e gjithë Kosova.

Në emër të familjes ka folur Avdyl Kabashi. Ai është shprehur falënderues për solidarizimin për tragjedinë që e ka prekur familjen e tij. “Jemi mirënjohës për solidarizimin me ne, për tragjedinë që ka goditur familjen tonë. Kaluar mijëra kilometra për të shuar mallin për familjen. Edhe moti sot po mban zi në shenjë për këta shpirta. Ju lule ishit dhe lule do të mbeteni”, ka thënë ai.

Në ceremoninë e varrimit të familjes 5 anëtarëshe Sadikaj, mori pjesë edhe kryetari i kësaj Komune, Bali Muharremaj. Ai e ka quajtur ditë të rëndë, ditën e sotme, pasi ka thënë se Kosova ka përjetuar rëndë këtë tragjedi. “Dita e sotme është e rëndë. Fjalimet janë të zorshme. Jo vetëm Theranda, por e gjithë Kosova përjetoi rëndë këtë tragjedi”, është shprehur ai.

Deri tek aksidenti sipas policisë kishte ardhur nga mos përshtatja e shpejtësisë, kur shoferi ka humbur kontrollin mbi automjetin si pasojë e kushteve të këqija atmosferike dhe është ndeshur me autobusin me udhëtarë.

Kurse, vëllai i Albesës, në një rrëfim për 20min.ch, ka treguar ngjarjen tragjike të së dielës. “Rreth gjysmë ore para se të ndodhte aksidenti ne ishim ulur dhe po qëndronim bashkë”, kujton Ylli V. për mediumin 20.min.ch. “J.S, si gjithmonë bënte shaka. Në ditët e ardhshme ne kishim planifikuar që të shkonim në bregdetin shqiptar ku do të festonim edhe ditëlindjen e motrës sime”, thotë Ylli V.

“J.S, si gjithmonë bënte shaka. Në ditët e ardhshme ne kishim planifikuar që të shkonim në bregdetin shqiptar ku do të festonim edhe ditëlindjen e motrës sime. Rreth gjysmë ore para se të ndodhte aksidenti ne ishim ulur dhe po qëndronim bashkë”, kujton ai.

Sipas rrëfimit të Yllit, Jetoni ishte nisur të shkonte tek vëllai i tij në momentin kur kishte ndodhur aksidenti. “Ata donin të vinin të mërkurën [në Shqipëri]. Unë duhej t’ua rezervoja hotelin atyre. Isha i tronditur. Për shkak se isha duke vozitur në makinë, më duhej të ndaloja dhe të merrja frymë thellë. Gruaja ime pyeti se çfarë kishte ndodhur. Pastaj të dy filluam të qajmë”, ka deklaruar në rrëfimin e tij Ylli, vëllai i Albesës e cila mbeti e vdekur në aksidentin e së Dielës.

E kjo tragjedi nuk ishte e para për familjen Sadikaj nga Suhareka. Një tragjedi të ngjashme e kishte përjetuar edhe në vitin e largët 1989, ku në një aksident komunikacioni, në rrugën e njëjtë u kishin vdekur edhe 3 familjarë. Njëri nga personat që kishte mbetur i vdekur në vitin 1989, kishte qenë edhe babai i Jetonit, Rexhep Sadikaj, i cili atë kohë e kishte lënë jetim Jetonin vetëm 4 vjeç.

Aksidenti kishte ndodhur kur Shefket Sadikaj, duke bartur dru, së bashku me 3 djemtë Rexhepin (babai i Jetonit), Hesetin dhe Behxhetin, ishin përplasur me një kamion duke mbetur të vdekur në vend. Nga ky rast kishte shpëtuar vetëm Shefketi, babai i djemve dhe gjyshi i Jetonit.

E këtë tragjedi për T7 e ka rrëfyer bashkëfshatari i tyre, Osman Berisha. “Tragjedi e madhe ka qenë, ka ndodh me kamion, baba i tyre ka qenë e ka ngarku me dru, ka rrshit kamioni edhe i ka mbytën”, deklaroi Berisha.

Ngushëllime familjes Sadikaj nga fshati Sopi i Komunë së Suharekës i kanë shprehur krerët e shtetit, si Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj, Kryeparlamentari Kadri Veseli, Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, Ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, si dhe shumë politikanë dhe përfaqësues të partive politike në Kosovë. Kurse Komuna e Suharekës ditën e marte, e ka shpallur ditë zie, shkruan “Bota sot”.

Ndërsa policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të kenë kujdes të shtuar në komunikacion, sidomos gjatë sezonës verore ku numër i madh i mërgimtarëve vinë për t’i kaluar pushimet në Kosovë.

“Policia e Kosovës, me qëllim të reduktimit të aksidenteve në tërësi, e në veçanti të atyre me pasoja fatale, në vazhdimësi kërkon dhe njëherit apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti te drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve të tyre, duke respektuar në tërësi të gjitha rregullat dhe dispozitat ligjore”, ka thënë Kelani në një video- incizim. Policia e Kosovës me njësitet e saj po vazhdon të monitorojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, aplikon masa ndëshkuese ligjore, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në përgjithësi, e në veçanti atyre me fatalitet, që po paraqesin shqetësim për të gjithë ne, për shkak të humbjes së jetëve njerëzore”, ka thënë zëdhënësi Policisë së Kosovës, Baki Kelani.